• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2020

DIELLI-SPORT-Kategoria Superiore- “Social distancing” shkon ne plus 4

July 12, 2020 by dgreca

Shkruan: Albano Kolonjari/

Dy jave me pare Tirana duke u bazuar ne rezultatet qe kishte arritur ne kampionat , bente shaka me kundershtaret e saj, duke theksuar se “Social distancing” eshte plus 9-te. Por humbja me Kukesin dhe barazimin me Partizanin i kane kushtuar shume bardhebluve. Kur kane mbetur edhe tre ndeshje, distanca midis Tiranes dhe Kukesit eshte vetem kater pike. Kukesi rivali direk i bardhebluve per titullin kampion mundi me rezultat te paster Teuten 3-0 ne “Elbasan Arena”. Ndeshja foli e gjitha per verilindoret te cilet likujduan Teuten qe ne 45 minutat e para, me gola te Vesel Limat dhe Gudberg Kuper (2). Teuta zhvilloi nje nga ndeshjet me te dobeta te ketij sezoni, dhe komplikoi synimet e saj per nje vend ne kompeticionet europiane. Tekniku i Teutes Edi Martini pas ndeshjes u shpreh:”U pa qarte lodhja. Kukesi e meritoi fitoren. Ne nuk ishim te fresket fizikisht. U munduam te bejme presing te larte por u ndershkuam nga dy gola. Lodhja eshte se ndeshjet jane cdo tre-kater dite. Kete jave kemi edhe dy ndeshje te rendesishme me Kukesin ne Kupe dhe Partizanin ne kampionat, nga rezultate e te cilave varet edhe objektivat e ketij sezoni”. Tekniku i Kukesit Shehu u shpreh per “Super Sport” se , :”Kampionati nuk eshte ne doren tone. Ne do te japim maksimumin dhe shpresojme qe kundershtari te ndaloje. Para dy javesh ishim nente pike prapa, tani jemi kater. Ne futboll gjithcka ndodh. Te merkuren shpresoj ta zgjidhim ndeshjen e Kupes me Teuten shpejt dhe me pas te mendojme per takimet e ardhshme”.

Diten e enjte u zhvilluan edhe dy ndeshje te tjera. Skenderbeu pas fitores me Vllaznine 2-1 e shikon veten serisht ne gare per nje vend ne kupat e europes, (pavaresisht denimit). Shkodranet bene nje paraqitje shume te mire ne kete takim, por per te denuar Vllaznine ka menduar ne fundin e takimit nje shkodran. Belajdi Pusi, ne minutat e fundi te takimit ka shenaur golin e fitore per korcaret 2-1.  Vllaznia tashme duhet te pregatitet per ndeshjet play out, pasi distanca me Bylisin eshte pese pike. Laci pas fitores ne shtepi me Luftetarin e shikon veten ne venin e trete, por per teknikun Armando Cungu:”Ndeshjet me fund te sezonit jane shume te veshtira. Europa? Asgje nuk eshte e garantuar. Jemi gjashte pike perpara Partizanit, por jane edhe nente pike ne loje, prandaj nga une i pari e deri tek i fundit duhet te jemi te perqendruar”. 

1 KF Tirana 66 33 20 6 7

2 FK Kukesi 62 33 18 8 7

3 KF Laçi 55 33 16 7 10

4 KF Teuta 53 33 14 11 8

5 Skenderb    51 33 15 6 12

6 Partizani 49 33 14 7 12

7  Bylis  47  33 11 14 8

8 Vllaznia 42 33 11 9 13

9 Flamurtari 14 33 2 8 23

10 Luftëtari 14 33 2 8 23

Jave e 34

18/07/2020 17:45            KF Tirana – Flamurtari FC

18-07-2020 17:45 KS Luftëtari – KF Skenderbeu

19-07-2020 17:45 KF Bylis – KF Laçi

19-07-2020 20:45 KF Vllaznia – FK Kukesi

19-07-2020 20:45 KF Teuta – KF Partizani

Filed Under: Sport Tagged With: 4 pike, albano kolonjari, Kategoria superiore, Social distancing

DOSJE E HAPUR

July 12, 2020 by dgreca

SHKRUAN: EGLANTINA MANDIA/

Kemi afro 50 vjet që jetojmë me makthin e dosjeve.Nuk shpëtojmë dot nga dënimi i ynë. Sapo zuri një farë cipe sëmundja e llahtarisur e përgjimit, na zunë ethet

e dosjeve: të hapen, apo të mos hapen, u hapën, s’u hapën, do të hapen apo nuk do të hapen.

Përse këto dilema? Të gjithë e dimë se cilët ishin persekutorët e spiunët e vegjël (fatkeqët e mjerë) të rrethit familjar a shoqëror ku jetonim. Kjo sillte tjetërsimin, makthin,fjalën e shtirur, mashtrimin, vdekjen e ngadaltë shpirtërore.

I shohim edhe sot fytyrat e tyre me sytë e stërzgjatur,lakmitarë me komplekset e gjuhën gjarpërore që hedh helm e jargë mbi çdo shpirt të pastër. Ndoshta, ky është dhe ngushëllimi i fundit. Pështy e helmo gjithçka. Dosje të hapura.

Dosje të mbyllura. Furtuna në gota uji. E megjithatë ka dosje gjysmëshekullore, që kanë sfiduar sytë tanë, siç është një vrasje e pashpjeguar e dy vetëvrasje të tre tragjikëve, tejet të njohur të L. N. Çl.

Dosja 1

RAMIZE GJEBREA, bijë e një familje me disa breza patriotësh, me nënën nga Kaçaniku. Babai, luftëtar i lirisë, sjell nusen kosovare në shtëpi që në ditët e para të shpalljes së pavarësisë. Viti 1913, (vit i mbrapshtë i fatit tonë) e ndan nusen nga trojet e veta. A thua prapësia do t’i ndjekë denbabaden?

Ramizeja, e bukur, e kulturuar, e talentuar, heroinë e aksioneve më të guximshme kundër fashistëve në kryeqytet, një nga firmat më të njohura të shtypit të L. N. Çl.

Me pseudonimin “Zala”, u vra nga shokët e saj pa I mbushur të 21 vjetët.

E kudogjendshmja, e palodhura, fjalëzjarrta Ramize, i dha bukurinë, rininë, dashurinë dhe jetën, idealit të saj, LIRISË.

E megjithatë, u arrestua në Ramicë nga shokët e saj të luftës me disa denoncime absurd të spiunëve vrasës. Dënimi me procesverbale të humbura (Sa shumë i kam kërkuar nëpër arkiva, krejtësisht kot, për shumë vite).

Të dy fajtorët, Ramize Gjebrea dhe Zaho Koka në arrest. Gjyq me dënim të pashpallur. Korrierë që vrapojnë e nuk arrijnë kurrë në destinacion. Ramizeja e gdhin natën me një pallto ushtarake të hedhur krahëve. Lexon librin “Ditët e fundit të një të dënuari me vdekje”, por nuk e merr dot kurrë me mend, se kjo e dënuar është ajo vetë.

Batalioni i rreshtuar në formë rrethi. Heshtje. Ankth. Mars i ngrirë i vitit 1944. Në një cep çelet rrethimi dhe sjellin Ramizenë. Askush nuk e di se ç’po ndodh.

Ramizeja ecën e menduar, me pardesynë që ja merr era. Kurrë, kurrë zemra e saj e dëlirë s’e afron pabesinë e vrasjes pas shpine, pa paralajmërim. Po vendimi tashmë, ishte marrë. Moralistët (terroristët më të pamoralshëm) në emër të moralit, urdhërojnë skuadrën e pushkatimit të vajzave të shtien mbi shoqen e tyre. Një partizane e kësaj skuadre, me duar të dridhura, shtie mbi veten nga tronditja. Plumbi që i ka shënjuar fytyrën, është dëshmitar i asaj dite tragjike edhe

sot e kësaj dite.

Ramizeja krejt e befasuar nga plumbat në trupin e saj, ktheu kokën e klithi: “Përse kështu o shokë?!!”

Përse? Përse? Përse?…

Klithma rrufe u ngjit drejt qiellit të ngrirë të atij marsi.

Breshëria rrëzoi të bukurën e dheut, Ramize, mbi tokën që ajo e deshi aq shumë. Iu dha dhe plumbi i fundit… LAMTUMIRË! Partizanët mbetën të ngrirë, me shpirt të gjymtuar,gjysmë të varrosur nga ankthi i pyetjes: “PËRSE? PËRSE…KËSHTU O SHOKË?!”

***

Dosje të hapura. Dosje të mbyllura. Sa herë kam dhënë një mendim për këtë çështje, ka filluar përndjekja e Ramizesë dhe shumë e shumë vite, pas vrasjes.

Cerberët e kryeqytetit e heqin shkrimin nga shtypshkronja. Gazetarucët me sy të zbardhur nga tmerri i trimërisë së tyre, klithin: “Kush të ka dhënë ty të drejtën ta

rehabilitosh?”

KRIMI përplaset me sinqeritetin e lotëve të shokëve të luftës.

Ramizeja zgjon revoltën e shpirtrave të bukur, që pyesin: “Deri kur? Deri kur? Cerberët do të vrasin e rivrasin idealin njerëzor, ëndrrën e aq e aq brezave për liri e drejtësi?

Dosja 2

Zaho Koka, heroi popullor i Bregut, i tronditur, tre muaj pas vrasjes së Ramizesë e kërkoi vdekjen vetë. Zaho nuk e dëgjoi pyetjen e Ramizesë. Ai mbahej i burgosur dhe nuk e pa poshtërimin e saj. Po “ligji i luftës” veproi vetëm për Ramizenë. A nuk ishin që të dy “fajtorë pa faj?”… Kush pra, e kish të drejtën të shpersonifikonte njeriun dhe për ndjenjën më fluide, për atë që quhet LIRIA e gjithsecilit? Zahoja e parandjeu të vërtetën e hidhur në burgun e tij, në Ramicë.

LIRI të madhe nuk do të ketë më në këtë tokë, derisa të vritet qenërisht LIRIA e secilit.

Zaho Koka shkoi vetë në mes të ditës me diell, drejt një mitralozi, që e bëri shoshë e për këtë i dhanë “bujarisht” titullin HERO. Po populli? Ai mori një plagë për dhimbjen e pashprehur për birin e tij, të vetëvrarin, të bukurin, të pastrin,

të thjeshtin, personazhin e tragjedisë që në prologun e saj.

Kështu iku djali i fyer. Shkoi vullnetarisht drejt mitralozit, në qershor të po atij viti, dy muaj pas vrasjes së Ramizesë. As “mjeshtrit e mëdhenj” as “qatipët e vegjël”, s’krijuan dot alibi tjetër veç titullit: HERO.

Dikush thotë që në Ramicë Ramizenë e veshën nuse dhe e qanë me ligje. Është e vërtetë, apo legjendë? S’ka rëndësi.

Rëndësi ka që populli, (të cilin kujtojnë se e kanë në dorë mendjeshkurtrit), nuk u pajtua me këto VRASJE.

KJO ISHTE DISIDENCA E SHPIRTIT TË TIJ, AJO SHQISË E GJASHTË QË MAT TË VËRTETËN E GËNJESHTRËN E FJALËS, KUR KA DHIMBJE TË

THELLA. POPULLI HESHT, POR NUK HARRON KURRË…

Zaho Koka vrau veten para dhjetëra dëshmitarëve…“PËRSE? PËRSE KËSHTU O SHOKË?!!”

Dosja 3

Nako Spiru , i fejuari i së bukurës Ramize Gjebrea.Braktis klasën e tij të pasur si idealist i kulluar dhe vë veten në ballë të luftës për liri e përparim shoqëror. Kur moralistët perversë i vranë të fejuarën si “shkelëse të besës”, Nakoja e tha

burrërisht se i takonte atij ta gjykonte të fejuarën, për jetën e saj intime. (Alibia e moralit të shkelur s’ishte gjë tjetër veçse një gur që do të vriste zogjtë, një e nga një.

FAJI I NAKOS: inteligjenca e jashtëzakonshme dhe intuita për të parë, si po rrëshqisnin në LIMERIN E PAZARLLËQEVE Të BEOGRADIT.I llahtarisur guxon e thotë se “Po e shesim Shqipërinë”.Kështu, i paracaktoi fatin

vetes. I varrosur si tradhtar. I zhvarrosur si HERO.Gjithnjë në pritje të një gjëme të re mbi varrin, bustin, emrin. Gjithnjë në lojën e persekutimit të hijeve, kockave e familjeve.

Një makth i pafund

E kam njohur nënën dhe motrën e Nako Spirut, të vetësakrifikuarën Leonorë. Kam qënë fëmijë dhe nuk e dija se ç’ndjente e ç’mendonte ajo zonjë e zbehtë, me vështrim të thellë, nën sharpin e zisë së përjetshme. Nuk e di se përse

fytyra e saj dhe e së bijës, më sjellin ndër mend vargjet: “Në një prag e në një derë / plasën si dy qelqe me verë!”

Nako Spiru shkruan një karakteristikë (në italisht) për Enver Hoxhën, në vitin 1944:“Me ndihmën e Miladinit e të Dushanit, u fut në formacionet e partisë. U bë anëtar i K. Q.Provizor, duke ndjekur symbyllur, Miladinin. Kështu, krijoi pak e nga pak mundësinë, për ta mbajtur me duart e veta. Në Konferencën e Partisë zgjidhet sekretar i rekomanduar, si njeri i shquar në luftën kundër fraksioneve.Në fakt, është një parti gratis e një kompensim për këto punë. Nuk ka bërë asgjë, pa

pyetur ekzekutorët e vet e pa ia hapur Miladini, perspektivën.

Me një inteligjencë mediokre edhe në shkollë edhe jashtë shtetit edhe gjatë punës si profesor, krejt mediokër. Gjatë gjithë kësaj kohe, (para krijimit të partisë), me një jetë private aspak të rregullt.U ngjit kështu në parti dhe tani dëshiron të jetë i

adhuruar, dëshiron t’i ketë të gjithë nën vete e t’i marrë të gjithë nën thundër, dëshiron t’i shohë të tjerët të veckël, të veckël. Është i shquar për kompleksin e inferioritetit S’ka asnjë cilësi udhëheqësi.

Të gjithëve ua frenon iniciativën. Në popull, nuk është fare i njohur. Edhe aty ku është i njohur, nuk gëzon respekt. Në parti po popullarizohet me të gjitha forcat. E për këtë ka filluar të njihet, por populli nuk është shumë i sigurt, për kapacitetin e tij”.

Kjo karakteristikë e shkruar që në vitin 1944 ishte “krimi “ i Nakos. Pra ishte i destinuar të vritej e të rivritej pambarimisht, së bashku me ekipin e tij tragjik (Ramize e Zaho).

Dosje të hapura. Dosje të mbyllura. Lojtare e dëshmitare të tragjedisë së jetës sonë.

Le t’i lëmë shpirtrat e dënuar të ferrit, të enden e të përplasen të terrin e tyre, derisa të gjejnë sadopak paqe e qetësi, derisa gjuha gjarpërore (dikur e paguar aq lirë), të mbarojë helmin e vet, derisa puset e qelbit shpirtëror, të shterin, derisa kufomat e gjalla, të marrin më në fund fytyrën e njeriut.

Të gjithë e dimë fare mirë, se cilët janë ata. Dosjet s’janë thjesht ca letra të fëlliqura, të varrosura nëpër limere e katakombe.

Fatkeqësisht, janë krejt të gjalla, para syve tanë…

*Marrë nga Libri” Fytyrë e Dashurisë”.Botuar në gazetën “Rilindja Demokratike”, më 14 maj 1994.Falenderojmë shkrimtaren Eglantina Mandia që e dërgoi për gazetën DIELLI.

Filed Under: Politike Tagged With: Dosje e Hapur, Eglantina Mandia

Koliqi dhe Camaj, dy shërbestarë të jashtëzakonshëm të Kombit

July 12, 2020 by dgreca

Nga Keze Kozeta Zylo/

Të arratisesh nga Shqipëria në çdo kohë do të thotë që nuk je dakord me sistemin që sundon politikisht. Kjo tragjedi, sidomos e trurit të Kombit, ka ndodhur përherë dhe nuk ka ndërmend të ndalet.Ikjetsa më larg sistemeve makabre i ndjen ai ajo që ka ikur në mënyra nga më të ndryshmet, më tëçuditshmet, qoftë dhe më komodet apo dhe më të dhimbshmet. 

Kurrë nuk mund t’i ndjejë një njeri që s’e ka parë me sy emigracionin, për më teper të jetëndjerëi rehatuar dhe i privilegjuar nga sistemi që sundon dhe ku bashkëpunon.  I sjellë këto përvoja pasi si çdo emigrant i ka ndjerë në kurriz plagët e gjakta të fillimit tëviteve të emigrimit, të stropacitjeve të dokumenteve, të përbuzjeve si shqiptarë sidomos nëpër Europë, sepse të gjitha këto tortura e kanë të vetmin burim dhe të vetmen fillesë në qeverisjet që e kanë lënëMëmëdheun tonë të shtrijë dorën udhëve tëçakërdisura të botës pa pikë autoriteti dhe dinjiteti ndërkohë vetë qeveritarët dhe sahanlëpirësit e tyre notojnë në lluks të shfrenuar. 

Sidoqotë këto përjetime i solla për parantezë sepse po lexoj në media që këto kohë po zhurmojnë dhe është ndezur zjarri bubulak për dy korifejtë e kulturës kombëtare, prof.Ernest Koliqin dhe prof.Martin Camaj.  Z.Auron Tare ka sjellë zellshëm disa tipthashethemesh spiunësh të pacipë nga agjensi të ndryshme të dëgjuara në botë si me CIA-n, shërbimet sekrete të Republikës Federale Gjermane, KGB-ja sovjetike, angleze,ndërsa për UDB-në famëkeqe do t’i shohë më  vonë sa te happen arkivatsipas z.Tare,ndezësi i këtij fitili qëmë së shumti duken si shashkat tymuese. 

S’dua të ndalem fare dhe as që më bëjnë përshtypje këto lloj dokumentesh sjellë nga agjentë  tëndryshëm, që shpesh dhe vetë historianët thonë që shumë prej këtyre agjentëve nuk merren për bazë,sidomos kur kanë survejuar vetëm, pa grup.  Por edhe sikur t’i besojmë këta sorollopë të paguar asgjë nuk del që ata po luftonin kundër trojeve shqiptare, kishin tradhtuar Kombin, por thjesht luftonin për të përmbysur regjimin e Enver Hoxhës prej të cilit ata u dënuan pa mëshirë po aq dhe familjet e tyre që jetuan brenda rrethit vicioz tëdiktaturës komuniste. 

Në këtë mori debatesh feisbukjane gëlojnë shkrues dhe shkara shkrues duke përfituar nga inkompetenca e historianëve me pagesë që nuk sjellin mendimin shkencor dhe historik jo vetëm per Ernest Koliqin, Camaj, por dhe për shumë figura të tjera të ndritura të Kombit në Diasporë tëcilët duan me çdo kusht t’ baltosin ose t’i hedhin pa mëshirë në koshin e plehrave.  Në këtë luftë me mullinjte e erës i vetmi që përfiton është prurësi i këtij debati Auron Tare qëi hipën avionit sa herë t’ihipi ne tru të kokës sa në Washington, Angli, Gjermani, shumë shpejt dhe në Beograd… Më të lumtë Z.Tare, ne të ikurit nga sistemet që ju jeni i punësuarme poste prej tyre mendohemi 1000 herë pa të vimë në Atdhe… Aferim Z.Tare!

Kam takuar dhe intervistuar dhjetra të burgosur, tëinternuar, fëmijë me prindër tëpushkatuar dhe ajo që më ka bërë përshtypje dhe që e kanë emërues të përbashkët nuk kerkojnëhakmarrje personale, por vetëm drejtësi nga organet kompetente që mjerisht në Atdheun tonë të përbashkët drejtësia është e zhytur nëllucën e korrupsionit.  Me këtë korrupsion të fëlliqët qëkullon qelb nga trupi i Shqipërisë  duhet të merreni ju z.Tare ngase i shikoni direkt vuajtjet dhe varfërinë e tejskajshme ku ka rënë shumica e popullit shqiptar. 

“Who cares” z.Tare se çfarë sillni ju për Martin Camaj dhe Ernest Koliqin! 

Ata e shkruan historinë me mund dhe me sakrifica nga më të dhimbshmet, ata janë frymëzues për mua dhe shumë shqiptarë të tjerë që përgjërohen për Kombin dhe pse të arratisur nga sistemet.  Nga përvoja ime personale këtu në Diasporë në USA unë po sjellë vetem një rast dhe të rekomandoj të shikoni dokumentarin realizuar nga TVSh-ja nën titullin: “Martin Camaj” Një dokumentar nga Tefta Radi.  Sinqerisht s’mund t’i harrojë lotët e bashkëshortit tim kur flitej për ndarjen e Camaj, arratisja e tij, dashuria për nënën, familjen që u persekutua në mënyrë makabre…  Nga ana tjetër ndiheshim tejet krenar se si një bashkatdhetari ynë me kaq mund dhe sakrifica, arriti të integrohet në botën marramendëse perëndimore dhe të hapë për herë të parë Katedrën e Albanologjisë në Munih të Gjermanisë që askush deri më sot nuk e ka bërë.

Martin Camaj do të ftohej nga Universiteti “Ludëig Maximilian” të Munihut si lektor.  Dhe vetëm këto do të mjaftonin për një intelektual klasi siçështë Martin Camaj që të vihej nëpanteonin e kulturës kombëtare, por ai ka lënë pas vepra të tjera që moria e analfabetëve po aq dhe e lexuesve që e kanë shpirtin vetëm për ligësira e anatamojnë si skuadrat famëkeqe të pushkatimit.

Çfarë mund të thuhet për Ernest Koliqin këtë soj intelektuali që vetëm i bën nder Kombit tonë për kultuën, shërbimin dhe çka i solli historisë dhe letërsisë kombëtare.Ky burr i ndritur i Kombit i këndoi gjuhës shqipe me aq mall dhe krenari si:“O shqipe plot me munguj, o gjuh` burrash/ Qi me `i fjal` t`vetme lidheshin per laku/ Dhe soje as vdekja s`mujte kurr me i trande…”

Shkollat Shqipe që Ernest Koliqi ngriti në Kosovë, si dhe në territoret etnike nga Rozhaja deri në Peshterë e Pazar të Ri, nga Tetova në Gostivar, Kërçovë, Strugë dhe Dibër e nderojnë dhe e sjellin në syrin tim si nje Rilindas të vërtetë.  Të ngrije shkollat Shqipe në atë kohë ka qenë shumë e vështirë, ka qenë sakrificë për jetën, ka qenë dashuri për Kombin, ka qenë sfidë me penë dhe kulturë kundër UDB-së dhe regjimit armiqësor jugosllav që ju e keni ëndërr dhe pasion për të gërmuar në arkivat e UDB-së për të gjetur ndonjë perçarjte të ndonjë spiuni serb tëcilët e kanëtë mëkuar me qumështin e nënës për ta zhdukur Kombin tonë.

Këta korifej bashkëthemeluan revistën “Shejzat” ne Itali.  Këto materiale na sillni ju z.Tare meqënse e ke mundësinë e madhe financiare që ta shetisësh botën me aviona sa herë të hipën nëtru të kokës.

Dr. Lazer Radi një tjetër korife i letrave shqipe, i burgosur dhe internuar për 50 vjet me të cilin pata fatin të kem miqësi pas përmbysjes së diktaturës prej disa vitesh deri sa u arratisëm në vitin e mbrapshtë të 97-ës e kujtonte me një adhurim të veçantë Prof.Ernest Koliqin dhe ja si dëshmote: “Gjuhën shqipe që e mësova aq pastër dhe bukur ja përkushtoj prof.Ernest Koliqit sidomos kur lexova “Hija e Maleve”.  Aty mësova parurinë e gjuhës amtare, mësova artin e magjishëm, mënyrën se si shkruante Koliqi.  Unë erdha nga Prizreni dhe nuk e kishja aq të zhvilluar artistikisht të folurin shqip, por leximi i veprës së tij mëmahniti dhe pasuroi botën time për të shkruar libra…”

I vëllai i Ernest Koliqit, Mikel Koliqi, Kardinali i emëruar nga Papa Gjon Pali i dytëështë denuar me 40 vjet hejqje lirie nga regjimi diktatorial komunist. 

A kështu shpërbleheshin ata qe i shërbenin partisë dhe Enverit duke i vuajtur gjithë familja, vrarë e varur çengelave të zinj? 

Kardinali Mikel Koliqi është udhë drite shpirtërore dhe kombëtare vulosur nga udhëheqësi shpirtëror dhe njeriu më karzimatik i botës katolike Shën Gjon Pali i dytë, që të paudhët duhet tëmarrin pak dritëz dhe t’i largohen verbërisë ekstreme që tëçon vetëm në humnerë rrethuar nga korba të zinj.

Në“Vatican News” në përvjetorin e vdekjes së Kardinal Ernest Koliqit shkruhet si:

“E jeta dhe veprimtaria e kardinalit Mikel Koliqi është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar, pra mbetët një udhërrëfyes për të gjithë ne, se si duhet punuar të bashkuar e në mirëkuptim për një të ardhme më të mirë për popullin e vendin, me një përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore e shpirtërore e, kulturore e kombëtare.”

Ju drejtohem ju z.Tare per te reflektuar, për ta parë të vërtetën në sy, ju drejtohem të gjithë bashkatdhetareve të mi që e duam kulturën, shërbimin qytetar, qe dinë të vlerësojnë sakrificat e atdhetarëve të vërtetë, që të krenohemi dhe tëfrymëzohemi nga këta korifej të Kombit.  Ne i kemi këta korifej, por dikush me ligësi ose injorancë hedh baltë ndaj shqetësimi i Faik Konicës është tejet aktual dhe në ditët e sotme kur shkruan se:

“Ne duhet të udhëhiqemi nga dishepujt e kulturës kombëtare ndryshe do te ndodh si: “Ne vetëm duhet të shikojmë në shpirtin tonë dhe t’i shohim mendjendriturit lartë në qiellin tonë, që në mejtime mbase ende nuk thonë diç, por veç sa s’e kanë humbur durimin të na marrin për veshit si çilimiun e të na ngërmohen: “Kjo është rruga jonë…”

Ernest Koliqi dhe Martin Camaj me veprën e tyre e dënuan dhunën e gjuhës sëmashtrimit sepse vetë Camaj do të thoshte: “Dhuna s’asht trmni, por shej ligshtie.”

Për veprën kombëtare që ata lanëErnest Koliqi dhe Martin Camaj ngelendy shërbestarë të jashtëzakonshëm të Kombit.

12 korrik, 2020

New York

Filed Under: Analiza Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Koliqi & Camaj, sherbestare te Kombit

DIASPORË, HESHTJA NUK TË KA HIJE

July 12, 2020 by dgreca

  Nga Frank Shkreli/

Ka një javë që Auron Tare ka botuar të ashtuquajturin “punim” të famëkeq tashti, në portalin “Peisazhe të fjalës”, me qëndër në New York, në të cilin akuzohet Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, dy nga personalitetet më të njohura të diasporës së vjetër anti-komuniste, si bashkpuntorë të agjencive sekrete ndërkombëtare.  Është një shkrim plot aludime, insinuata, të pa vërteta, hedhje dyshimesh të pavërtetuara, e që përmban më shumë pyetje provokative djallëzore se sa fakte, të cilave nuk u jep përgjigje as autori as botuesi– një fletërrufe e vërtetë e kohës së Enver Hoxhës kundër këtyre dy shkrimtarëve shqiptare, të cilët — megjithë ndonjë gabimi njerëzor që mund të kenë bërë — veç nam e nder i kanë lenë vetes dhe Kombit shqiptar.  Jo vetëm në diasporën e atëherëshme por edhe në qarqet ndërkombëtare gjatë jetës dhe veprimtarisë së tyre, një periudhë ajo që ata akuzohen nga Tare të kenë vepruar si poli-agjentë të UDB-së, CIA-s amerikane, agjencive të fshehta gjermane e italiane, madje edhe deri në Moskë ka shkuar Tare që me absurditetin e tij përpiqet të “implikojë” Koliqin për bashkpunim madje edhe me rusët.  

Me thënë të drejtën fillimisht e konsiderova shkrimin e Tares se ndoshta ishte një përpjekje për të parë emrin e vet në shtyp dhe mundësisht për të bërë lajm në ditët e nxehta të verës, zakonisht, pa lajme me rëndësi, me përjashtim të koronavitrsuit, me të cilin jemi lodhur të gjithë kudo.  Duke zie në vetveten, mu kujtua gjithashtu poezia e Martin Camajt, duke menduar për, “Një ditë e ka Korbi”, se korbit ndoshta i duket vetja Pëllumb, madje edhe për një ditë, ose siç thotë një shprehje amerikane, gjithkush ka të drejtë për 15-ditë fame, edhe gati hoqa dorë.  Legjenda popullore thotë gjithashtu se korbi, i cili mendohet se nuk është i anëve tona, ka ardhur nga diku dhe simbolizon ndjellakeqin, perfaqësues i një ambienti të egër — korbi përballë ambientit të butë që përfaqëson pëllumbi –korbi i zi përball bardhësisë.  Në anët tona korbi konsiderohet aq i zi jo për nga ngjyra, por për fatin e keq që sjell, sa kur donte të namte dikush, të thonte, “Ik he korb i zi…” Prandaj vendosa që të shikoj rishtas se ç’donte të thonte Aron Tare, pasi e pashë tejet të angazhuar edhe në debate në televizion duke ngulur këmbë edhe më egërsisht në shpifjet e tija të zeza ndaj Koliqit dhe Camajt. Por me kalimin e ditëve, shoh se autori nuk bëri asnjë korrktesë as pendesë, ndërkohë që po ftohej në programe televizive në Shqipëri, për të amplifikuar edhe më tej akuzat e tija fals megjithse pati edhe reagime kundër tij trillimeve të tija.  

Megjithëse kam reaguar me dy shkrime të tjera modeste për këtë temë, ndoshta edhe me pak emocion, që për ata që më njohin nuk është në natyrën. Prandaj  kësaj rradhe po i drejtohem komunitetit shqiptaro-amerikan me zhgënjimin tim për mungesën e reagimit ndaj këtyre pretendimeve.  Të nderuar bashkombas, ndryshe nga ç’pretendon Tare, e vërteta e këtyre burrave dhe e veprimtarisë së tyre, gjatë kohës që jetuan, siç është shprehur edhe Martin Camaj për Koliqin, por I prështate edhe atij vet se megjithëse, “Pjesën ma të madhe, Koliqi e kaloi në dhén e huej, në një anë, ai gjithnji ishte në kontakt me botën shqiptare e sidomos arbëreshe dhe në tjetrën si profesor universiteti e shkrimtar, në dialog të përhershëm me rrethe intelektuale të ndryshme të botës perëndimore.  Vetë persona e Koliqit ndër këto rrethe, si njeri shoqënie dhe kuvendatar brilant, qiste poshtë me të parën, çdo paragjykim të gabuem e dizinformues mbi Shqipëninë”.

Kjo është edhe detyra jonë sot, që sipas shembullit të Koliqit dhe Camajt, të mbrojmë Shqipërinë dhe historinë e vërtetë të saj dhe të burrave që benë atë histori.  Ta mbrojmë Koliqin dhe mikun dhe bashkpuntorin e tij të ngusht Martin Camajn, jo nga sulmues të huaj, jo, jo.  Duhet ta mbrojmë nga vet shqiptarët e llojit Tare e shumë të tjerë si ai, siç ndodhte në kohën e Enverit, por ndryshimi është se sot kjo ndodhë këtu në zemër të Amerikës nga një portal shqiptar.  Fatkeqësisht, kjo është Shqipëria dhe shqiptarët e 30-vjetëve post-komunizëm!  

Prandaj, si shqiptarë të diasporës së vjetër dhe të re, të gjithë së bashku, pa dallime dhe pa paragjykime, të lirë dhe të ndërgjegjëshëm, ashtu siç jemi mësuar në botën e lirë dhe demokratike perëndimore, të mbrojmë këta burra të Kombit tonë, ashtu si Koliqi dhe Camaj mbrojtën sa jetuan Shqipërinë, Kosovën dhe interesat e Kombit shqiptar nga gënjeshtrat, shpifjet dhe nga paragjykimet e gabuara, qëllim-këqia dhe dezinformuese kundër shqiptarëve, ashtu siç e kanë zakon armiqtë tanë për rreth kufijve të trojeve shqiptare, së bashku me miqtë e tyre më larg, që i mbështesin ata në planet e tyre anti-shqiptare. Nuk besoj se Moska ose Beogradi do kishin mundur të shkruanin një artikull më të mire kundër dy prej shkrimtarëve më të mëdhej të kombit. 

Unë, si një shqiptaro-amerikan, u bëjë thirrje personave të njohur, organizatave dhe enteve të ndryshme, të mëdha e të vogëla, të këtij komuniteti shqiptaro-amerikan por edhe të diasporës shqiptare në Evropë, që deri tani nuk kanë reaguar në lidhje me këto zhvillime – të prononcohen ndaj këtij sulmi dashakeqës kundër Koliqit dhe Camajt.

Këtu nuk kemi të bëjmë me ushtrimin e fjalës së lirë nga Tare dhe botuesi — sepse ushtrimi i fjalës së lirë ishte një nga arsyet që ne jemi arratisur në këtë vend,të  dëbuar nga trojet tona, të arratisur dhe të përdhunuar nga regjimi komunist, ashtu siç ishin detyruar të barktisnin Atdheun edhe Ernest Koliqi edhe Martin Camaj.  Ne gëzojmë lirinë e fjalës por njëkohësisht dimë edhe “kufizimet e arsyeshme” sipas kushtetutës, siç janë shpifjet.  Të gjithë ne kemi bërë shumë sakrifica personale dhe familjare në mbrojtje të lirisë së fjalës, ndryshe nga auron taret e botës shqiptare sot.  Me botimin e këtyre shpifjeve kundër Koliqit dhe Camajt, të cilat u provuan tani se as nuk janë të “rralla” as “origjinale”, siç pretendojnë autori dhe botuesi, pasi siç kam thenë edhe në një shkrim para disa ditësh, vetë Koliqi dhe Camaj nuk i kanë mohuar veprimet e tyre gjatë asaj periudhe, përfshirë edhe këto që “dokumenton” Tare.  Nuk kemi, pra të bëjmë aspak me ushtrimin e fjalës së lirë, sepse po të ishte ashtu, atëherë edhe shpifjet e Enver Hoxhës, Pol Potit, Hitlerit e Stalinit ndaj kundërshtarëve të tyre, do duhej të faqoseshin në faqet e para të gazetave si deklarata bona fide.  Por, kemi të bejmë me një përpjekje dashakeqëse për të njollusur këto dy personalitete – duke i dënuar për së dyti, sikur regjimi enverist nuk e kishte përfunduar punën e tij kundër tyre. 

Pyetja nga shumë njerëz të interesuar për këtë çeshtje është pse botohet ky artikull tani dhe pse janë shënjestruar, pikërisht, këto dy personalitete të diasporës së vjetër anti-komuniste dhe nëse dikush tjetër fshihet pas një nisme të tillë — përtej autorit dhe botuesit?  Sipas disa burimeve të besueshme, edhe persona të tjerë, në Shqipëri dhe jashtë, po interesohen për dosjet e këtyre dyve por edhe të kundërshtarëve të tjerë të regjimit të Enver Hoxhës.  Artikulli i Tares, mund të jetë vetëm hapi i parë në këtë fushatë, sepse, sipas burimeve, po përgatiten materiale, artikuj e madje edhe libra për botim edhe nga “autorë” të tjerë kundër personaliteteve anti-komuniste shqiptare.  Pa dashur të bëj akuza pa bazë, presim e shohim nëse këto burime kanë të drejtë ose jo, pasi koha do ta tregojë, por fillimi duket premtues se duket që kemi të bëjmë me një fushatë të mirë koordinuar, për realizimin e objektivave të caktuara kundër një klase të tërë shqiptarësh, për të deligjitimizuar kundërshtarët e ish-regjimit komunist, simbolikisht, ata më të njohurit.

Unë e kuptoj heshtjen zyrtare në Tiranë në lidhje me këtë çështje — pasi me heshtjen e tyre — entet e ndryshme qeveritare e shtetërore vërtetojnë deri diku dyshimet se ato, për qëllimet e veta të momentit, mund të jenë bashkpunuese në ketë fushatë — tërthorazi ose drejtë për drejtë – në mbështetje të këtyre akuzave absurde shpifëse, pasi për arsyet e tyre u intereson baltosja e këtyre dy burrave. 

Pasi Tare thotë se është e drejta e tij të ngrej pyetje dhe të hamendësojë, e ndjejë se më jep edhe mua të drejtë të hamendësoj edhe unë se ai dhe botuesi mund të jenë një mashë që hedh gacën në zjarr për interesa të caktuara aktualisht, pasi vet autori pranoi në një program televiz se dokumentet në fjalë, për Koliqin dhe Camjan, i kishte në arkivin e vet për 7-8 vjet tani.  Se pse se duhej t’i përdorte tani dokumentet që kishte me vete nuk e shpjegon, megjithëse nuk i kishte të kompletuar, pasi vet pranoi se mungojnë dosjet e Beogradit, për të cilat, Tare është i bindur se ato do të provojnë më në fund se Martin Camaj ishte agjent i UDB-së.  A mund të merrni me mend një historian të vërtetë të bazohet në dokumentet serbe për të provuar akuzat absurd të tija diçka kundër kundër një shqiptari të njohur siç është Martin Camaj?  Këta ende nuk e dinë se kush janë serbët.

Përveç diasporës edhe entet qeveritare të Republikës së Shqipërisë, si Ministria e Kulturës, Ministria e Diasporës, Akademia e Shkencave, e të tjera, duhej të ishin të parat që të reagonin ndaj këytre akuzave. “Reagimi” i Akademisë së Shkencave para dy ditësh në Tiranë tregoi mos interesim, ose frikë për tu marrë me këtë çeshtje.  Bëri një reagim qesharak të pa denjë për një ent të tillë të lartë shkencor të një vendi anëtar i Nato-s, që pretendon se do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.  Për ata që e kanë lexuar (mos)reagimin, Akademia Shqiptare nuk pati guxim të përmendte as emrin e Ernest Koliqit, për të cilin po bëhet gjithë kjo xhurmë, ndërsa në deklalartë përmendet Martin Camajn me emër, por duke cituar Ismail Kadarenë për Camajn. 

Por, në mungesë të reagimeve zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë na takon ne këtu në diasporë — që të reagojmë dhe të protestojmë ndaj përpjekjeve fatzeza  dhe anti-kombëtare, për të baltosur dhe njollosur reputacionin e personave të dalluar të diasporës dhe të Kombit shqiptar, si Koliqi e Camaj. 

Nuk dua të përmend emra individësh dhe as organizatash në diapsorë, por ju e dini se kush jeni dhe cila duhet të jetë detyra jonë kombëtare nëraste të tilla, si shqiptarë dhe si pjesëtarë të kësaj diaspore për të cilën Ernest Koliqi dhe Martin Camaj kanë bërë aq shumë.  Po të ishte botuar dikur një artikull i tillë dashakeq, le të themi nga beogradi ose Athina, kundër cilido shqiptar qoftë, komuniteti do të dilte në protestë me pllakarda para ambasadave të tyre.  Nuk po bëj thirrje për protesta, por bëj thirrje që të flisni, të shkruani dhe të angazhoheni në media dhe në rrjetët sociale, në mbrotje të së drejtës dhe të vërtetës dhe kundër shpifjes ndaj dy buurave të njohur të diasporës historike anti-komuniste shqiptare.  Mos heshtni vëllezër e mora shqiptarë. Diasporë, HESHTJA nuk të ka hije, jo!

“Jeta jonë mbaron, në ditën që ne heshtim për gjërat që kanë rëndësi”, ka thënë Martin Luther Kingu, mbështetësi i njohur i të drejtave civile në Amerikë. “Në fund të fundit”, ashtu siç është shprehur ai edhe me një rast tjetër: ”Ne do të kujtojmë, jo fjalët e armiqëve tanë, por do mbajmë mend heshtjen e miqëve tanë.” Sot, më shumë se kurrë, përballë një fushate të re, jo më pak e tmershme se ajo e Enver Hoxhës dikur kundër tyre për t’i zhdukur, jo vetëm fizikisht, por edhe për ti shlyer nga historia kombëtare, duke i akuzuar si kolaboracionistë, si spiunë dhe poliagjentë.  Ernest Koliqi dhe Martin Camaj tani kanë nevojë për miq që mbrojnë nderin dhe reputacionin e tyre në diasporë.  Kanë nevojë për mbështetës që nuk heshtin përballë së keqës.  Mos pështyni në dritë, do të porosiste Martin Camaj.

*Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë-Ish-Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar- Shqiptaro-Amerikano (NAAC)

Filed Under: Opinion Tagged With: DIASPORË, Frank shkreli, HESHTJA NUK TË KA HIJE

HOTI: NORMALIZIMI I MARRËDHËNIEVE KOSOVË-SERBI VJEN VETËM PAS NJOHJES RECIPROKE

July 12, 2020 by dgreca

 -Kosova dhe Serbia rifilluan dialogun në Bruksel, sot përmes një videokonference dhe e vijojnë të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian/

-Kryeministri Hoti: Sot kemi arritur pajtueshmëri në parim që të kemi takimin e radhës në Bruksel, të enjten që vjen, që është takimi i parë pas 20 muajsh prejse është ndërprerë procesi i dialogut/

PRISHTINË, 12 Korrik 2020 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi vjen vetëm pas njohjes reciproke, tha sot në Prishtinë kryeministri kosovar, Avdullah Hoti. Ai ka folur gjatë një konference për shtyp për takimin e nivelit të lartë që është mbajtur sot nëpërmjet video-konferencës në mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ky takim ka ndodhur pas Samitit të Parisit, me ç’rast unë dëshiroj të falënderoj Presidentin Macron dhe Kancelaren Merkel për gatishmërinë e tyre që të ndërmjetësojnë që të fillojë procesi i dialogut pas një periudhe të gjatë”, tha Hoti.

 Ashtu siç e kemi thënë vazhdimisht si qeveri, vijoi kryeministri,  qëndrojmë prapa asaj se dialogu nuk ka alternativë dhe se vetëm përmes dialogut ne mund t’i zgjidhim çështjet që i kemi me Serbinë.

“Në të gjitha takimet që i kemi pasur deri më tash unë kam prezantuar në emër të Qeverisë së Kosovës, në bazë të kompetencave të mia kushtetuese, platformën e shtetit të Kosovës për procesin e dialogut që ne në këtë proces hyjmë për vetëm një qëllim, që është njohja reciproke dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, theksoi kryeministri Hoti.

Ai shtoi se, sot kemi arritur pajtueshmëri në parim që të kemi takimin e radhës në Bruksel, të enjten që vjen, që është takimi i parë pas 20 muajsh prejse është ndërprerë procesi i dialogut.

“Është vlerësuar edhe nga ndërmjetësit e këtij procesi që takimi ka qenë konstruktiv, duke qenë se kemi prezantuar qëndrimin tonë shtetëror dhe jemi të gatshëm të ulemi në çdo tavolinë të dialogut për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe për të kërkuar plotësisht normalizim të marrëdhënieve, i cili vjen vetëm pas njohjes reciproke në mes të dy vendeve”, tha kryeministri Hoti.

 Kosova dhe Serbia rifilluan dialogun në Bruksel, sot përmes një videokonference dhe e vijojnë të enjten e 16 korrikut 2020 kur pritet edhe takim i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Para zhvillimit të sotëm, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në konferencën virtuale – Samitin e Parisit, në 10 korrik, të organizuar nga Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në këtë video-konferencë, Bashkimi Evropian përfaqësohet nga Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme, kurse Serbia nga presidenti Aleksandar Vuçiç.

 Kryeministri i Kosovës, Hoti  në 7 Korrik në Paris takoi Presidentin e Francës Macron, i cili në 9 korrik takoi edhe presidentin e Serbisë Vuçiç.

 Ishte paralajmëruar që të dielën në 12 korrik në Bruksel të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në rifillimin e dialogut midis dy vendeve drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, ky takim është shtyrë për të enjten javës së  ardhshme – 16 korrik, ndërsa sot takimi ishte virtual.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kryeminsitri Hoti, normalizimi, pas njohjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT