• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2020

SI I SHEH EUROPA ZGJEDHJET NË SHBA

September 15, 2020 by dgreca

VOTA NË SHTETET E BASHKUARA DHE AMERIKA QË I DUHET EVROPËS–

Nga Angelo Panebianco*-

 E përktheu nga “Corriere della Sera” Eugjen Merlika* –   

Në zgjedhjet, përfundimi i të cilave do të ndikojë fatet e botës për shumë vite që vijnë, asgjë nuk duket më e paparashikueshme dora dorës që shkon përpara fushata zgjedhore. Kandidati demokrat Joe Biden është ende më përpara (duke qëndruar tek hulumtimet) por presidenti në fuqi Donald Trump është duke marrë veten. Ndoshta, së paku pjesërisht, sepse kryengritjet qytetare të këtyre muajve kanë tmerruar shumë njerëz. Për të patur të qartë se cila është rëndësia e dukurisë duhen mbajtur parasysh dy parakushte. I pari është që një evropian, i vënë përballë votimeve amerkane, duhej vetëm të pyeste se cili do t’ishte për ne evropianët, përfundimi më i mirë. Nuk e kuptojnë në Kontinentin e Vjetër, as ata që përkrahin Trump-in sepse ndjehen ideologjikish afër tij, as ata që parapëlqejnë Biden-in për të njëjtën arsye. Parakushti i dytë është që ai që vlerëson rendin liberal (demokracinë përfaqësuese, ekonominë e tregut, liritë qytetare) që është i pranishëm në botën perëndimore që nga fundi i luftës së Dytë botërore, duhet të dijë se ai rend mund të vazhdojë vetëm nëse mbeten disa kushte kulturorë, shoqërorë, ekonomikë.  Por edhe gjeopolitike: vendimet e ardhëshme të Shteteve të Bashkuara do të ndikojnë fatet e rendit liberal perëndimor, do t’i japin ndihmesën e tyre vazhdimit apo shkërmoqjes së tij. Dikush thotë me të drejtë  se, në kundërshtim me atë që shumë pohojnë, politika e jashtëme e Trump-it (e vetmja me të cilën merrem) nuk është në tërësi një shumë gabimesh. Ka fusha në të cilat Trump-i ka ndrequr gabimet e para-ardhësit të tij Barak Obama. Për shëmbull, ballafaqimi i ashpër i Trump-it me një Kinë që për shumë kohë ka luajtur në shfrytëzimin (e vazhdon të luajë ende sot) e dobësive të botës perëndimore, nuk meriton të trajtohet me mospërfillje: në marrëdhëniet mes Perëndimit dhe Kinës ka një problem të vërtetë e Trump-i ka meritën t’a ketë ngritur e të ketë vepruar rrjedhimisht. Gjithënjë në meritë të Trump-it mund të përmëndet kthesa në Lindjen e Mesme mbi një krifë tejet të brishtë: pozicionimi i ri i Shteteve të Bashkuara (në të vërtetë një kthim në të hershmin) sa i përket ndarjes mes myslimanëve sunitë e shiitë. Dy para-ardhësit e tij – Bushi me luftën në Irak që shliroi shumicën shiite nga tirania e një pakice sunite, e Obama me traktatin bërthamor me Iranin – kishin zgjedhur të bisedonin me shiitët në dëm të aleancës më të hershme e tradicionale me botën sunite. E vlerësuar në distancë, kjo përmbysje aleancash nuk duket se ka pjellë të mirat që priteshin, nuk ka shërbyer për t’i dhënë më shumë qëndrueshmëri rajonit dhe as për të nxjerrë përfundimisht jashtë loje xhihadizmin sunit. As nuk ka pakësuar kërcënimet kundrejt qënies së Izraelit. Ndërsa, politika e Trump-it duket se ka dhënë disa frute të rëndësishme: më i rëndësishmi ka të bëjë me ndihmesën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Izraelit dhe Emirateve arabe (të cilave tani u është shtuar edhe Bahrejni), një ndodhi që mund t’i prijë afrimeve të mëtejshme ndërmjet Izraelit dhe fuqive sunite (me përjashtim të Turqisë). As njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga ana e Trump-it, që shkandulloi aq shumë në kohën e vet evropianët, ka penguar këtë shtjelli dobiprurëse.

Nëse duam t’i japim Trump-it atë që është e Trump-it duhet të pranojmë se këto vështrime të politikës së tij meslindore – njësoj sikurse politika e tij kundrejt Kinës – janë ndjellamira e nuk meritojnë përçmimin që u kushtojnë atyre shumë prej kundërshtarëve të tij. Duhet shpresuar që një Administratë e mundëshme Biden të mos kushtëzohet nga humoret kundër-izraeliane të krahut më të majtë të Partisë demokratike e të mos punojë  për të ndaluar ato zhvillime. Gjithënjë në lidhje me zhvillimet në Lindjet e Afërta e të Mesme, mbasi thuhet se politika e Trump-it nuk ka shkëlqyer – madje ka dështuar: të mbahet parasysh egërsia me të cilën i ka kthyerkurrizin kurdëve – në Siri, ashtu si dhe Libisë, duhet t’i njohim faktorët lehtësues: Trump-i nuk arriti të ndreqë gabimet e rënda të kryera, në lidhje me Sirinë e Libinë nga para-arshësi Obama. Mbas kësaj duhet të shtojmë se meritat dhe lehtësimet mbarojnë këtu. Mbrapa fillon lista e gjatë e veprimeve të padenja (nga pikpamja e interesit perëndimor). Trump-i, me një stil të ndryshëm nga Obama, por në thelb të njëjtë me Obamën, nuk ka reshtur t’i bëjë të njohur botës se Amerika është zotuar t’a zvogëlojë rolin e saj ndërkombëtar. Kjo gjë ka hapur orekset e fuqive të tjera të mëdha (Rusia, Kina) e të fuqive rajonale (si Turqia e Erdoganit). Me që ra fjala, shpejt a vonë, SHBA duhet të vendosin se çfarë do të bëjnë me Turqinë, njëherësh antare të NATO-s e tashmë armike të botës perëndimore. A do t’i a lenë vetëm Francës të përballojë synimet perandorake të Erdoganit?

Duke vazhduar padinë e listës së vështrimeve negative, duhet kujtuar se kanë mbetur të errëta (pra të rrezikëshme) marrëdhëniet ndërmjet Trump-it dhe Rusisë së Putinit. Si për Lindjen e Afërt apo të Mesme apo marrëdhëniet me Rusinë, flitet për gjëra që prekin interesat e ne evropianëve. Ashtu sikurse na përket, duke na destabilizuar, kombëtarizmi trampian, me pasojat e tij rrënuese: ndeshja me Gjermaninë, armiqësia kundrejt Bashkimit evropian, polemikat mbi rolin e NATO-s, më në përgjithësi sulmi kundrejt institucioneve shumëkahëshe të krijuara nga Shtetet e Bashkuara mbas vitit 1945.

Të hamendësojmë se faktikisht politika e jashtëme e Trump-it është vërtetimi më i pakundërshtueshëm se koha e mbisundimit ndërkombëtar të Amerikës të ketë mbaruar, cilido t’i fitojë zgjedhjet e ardhëshme presidenciale, që rënia (relative) e Shteteve të Bashkuara tashmë është e pakthyeshme. Është shumë e mundur. Por pyetja atëherë shtrohet: rënia amerikane, vjetrimi i NATO-s, e të tjera mund të vijnë pa prekur rendin liberal tek ne n’Evropë?

Me të vërtetë ka ndonjë që beson se Bashkimi evropian do të mundë në kohë të shkurtëra, të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara, të bëhet një digë e fuqishme dhe e pavarur e atij rendi liberal të mbështetur deri pak kohë më parë nga fuqia amerikane? Ndoshta një Biden në Shtëpinë e Bardhë nuk do t’ishte i aftë rë riqepë marrëdhëniet me evropianët, t’i rijapë fuqi e vrull rendit liberal perëndimor. Është e mundur. Por ajo që me Biden-in është një mundësi, kthehet në një siguri në rastin e rizgjedhjes së Trump-it. Nuk është e vështirë për t’u kuptuar se çfarë u leverdis evropianëve.

*“Corriere della Sera”, 13 shtator 2020      E përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Opinion Tagged With: ANGELO PANEBIANCO, Eugjen Merlika, Zgjedhjet ne SHBA

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË(2)

September 15, 2020 by dgreca

(Tridhjetë vite historie shqiptare)-

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”– J. F. KENNEDY–

NGA EUGJEN MERLIKA*-

Fitorja e vitit 2005 i dha rastin PD të rifillonte një tjetër rrugëtim në drejtimin e shtetit, duke patur mundësi që “të ndreqte” përfytyresën e cënuar nga firmat rentiere e rrëmujat e vitit të “mbrapshtë” 1997. Para së gjithsh asaj i duhej vetëdijesimi për gabimet e legjislaturës së parë, duke ndrequr shumë shtrembërime në veprimtarinë e saj, filluar nga qëndrimi kundrejt shtresës së ish të përndjekurve politikë, të cilët kishin humbur me kohë edhe ndonjë përfaqësi formale që kishin patur në strukturat qeverisëse. Por gjëja m’e rëndësishme ishte fakti që, megjithëse Kuvendi i parë me shumicë demokrate kishte miratuar një ligj për dëmshpërblimin e punës së papaguar në kampet e çfarosjes (Tepelenë) e të punës së detyruar, në terrenin konkret nuk ishte bërë asgjë për sendërtimin e tij. Është e vërtetë se PS, nën drejtimin e Fatos Nanos, e pezulloi plotësisht atë proçes, por ardhja në fuqi e PD dhe Aleancës së djathtë duhej t’a kishte vënë menjëherë në rrugën e zgjidhjes.

Por të tjera ishin përparësitë e forcave politike n’ata vite. Synimi kryesor ishte fuqizimi i pozitave zotëruese në pushtet, që ishte sinonim jo vetëm i aftësisë vendim-marrëse në të gjithë drejtimet, por edhe i fitimeve lëndore që, në mendësinë e klasës politike, ishin kthyer në normalitetin e sundimit, pra ky nuk mund të përfytyrohej i ndarë nga pasurimi i kastës. Këtij synimi i shërbente e gjithë veprimtaria qeveritare, por dhe ajo opozitare. Kjo prirje ishte në përputhje me projektin e demokraturës, që vazhdonte të merrte formë në mëndjet e drejtuesve të dy partive kryesore, të kryeministrit Berisha e të kryetarit të ri të socialistëve, Rama, t’ardhur në udhëheqje të partisë, mbas dorëheqjes së Fatos Nanos. Ky i fundit ndoshta pati një ndriçim “hyjnor” në mëndje, duke vendosur atë akt, mbas gjithë mashtrimeve, nëpërmjet të cilëve e fitoi pushtetin dhe e mbajti për disa vite me rradhë. Ndër ta nuk duhet harruar tjetërsimi i përfundimit të votimit në referendumin për rivendosjen e mbretërisë, e cila me shumë gjasë, kishte fituar me vota, por Komisioni zgjedhor komunikoi humbjen e saj. Ndoshta n’atë rast, nuk ishte vetëm nisma e Nanos për të ndryshuar në tavolinë përfundimin e votimit, por edhe “këshillat”që ai mori n’atë drejtim nga Evropa e ndokush tjetër, që nuk e dëshironin një ndryshim të tillë në Shqipëri.  

Një nga hapat më të fuqishëm drejt demokraturës qe marrëveshja e tetorit 2008 për ndryshimet kushtetuese, e hartuar nga grupet e punës së qeverisë e t’Opozitës, të frymëzuar nga Berisha e Rama dhe e miratuar nga shumica e deputetëve. Kjo marrëveshje ndryshonte sistemin zgjedhor, duke i hequr votuesve mundësinë e zgjedhjes së deputetëve e duke i shtuar kompetencat e sekretarëve apo të kryetarëve të partive, si dikur në socializëm. Duket se kushtrimi i të parëve vazhdonte t’u bënte jehonë si ish sekretarit të partisë, ashtu edhe “rebelit” antikomunist të orëve të para, të cilëve mbas kaq vitesh thirrjeje për vlerat e demokracisë perëndimore, në të cilën ishin “konvertuar”, me marrëveshjen e tyre mbillnin farën e autoritarizmit partiak, që kishin jetuar në rininë e tyre.

Deri atëherë Shqipëria kishte patur një ligj zgjedhor, ndër më të mirët n’Evropë, që siguronte qeverishmërinë dhe përfaqësimin, një përzierje, mjaft të zgjuar të maxhoritarit me proporcionalin. Njëqind deputetë zgjidheshin drejt për së drejti nga ballafaqimi i votave, që merrnin qoftë edhe me zgjedhje të dyta, simbas modelit francez. Kjo i jepte mundësi votuesve të vendosnin emërimin e deputetit të tyre me votë të drejtpërdrejtë e të hapur. Por nga ana tjetër, për të ruajtur praninë e disa drejtuesve të partive në Kuvend, ligji parashikonte edhe emërimin e 40 deputetëve me ligjin proporcional në të cilin njerëzit vinin kryqin mbi simbolet e partive. Kjo gjë shmangëte të papritura të bujshme si fitorja e një inxhinjeri nga Shkodra kundër Ramiz Alisë në votimet e para. Nuk besoj se ishte i dobishëm ai ndryshim për demokracinë shqiptare. Sistemi që e zëvëndësoi i shërbente më së miri demokraturës.

Proporcionali rajonal me lista të mbyllura i jepte tw drejtwn e padiskutueshme kryetarwve tw partive të vendosnin vetë mbi përbërjen e Kuvendit, të mbanin shtrënguar frerët e partisë duke kërcënuar me mos kandidim cilindo që nuk do t’i qëndronte ngushtësisht shijeve e prirjeve të kryetarit, duke përqëndruar në duart e tij të gjithë pushtetin që mund të ushtronte partia. Ndoshta një dukuri e këtillë do të kishte patur përfundime të mira nëse në krye të partive do të ishin njerëz të zgjedhur, që vërtetonin teorinë e Platonit mbi “mëndjet e ndritura”, të paracaktuara për të drejtuar tufën. Por nuk ishte ky rasti i politikës shqiptare, në të cilën mbizotëronte jo shqetësimi për të zgjidhur problemet e Vendit, por etja e pashuar për pushtet a pasuri, që është kthyer në alfën e omegën e mendimit politik shtetëror.

Demokracitë më të rrënjosura, si ato angleze, gjermane, amerikane, franceze, austriake, zvicerane etj. kanë modele zgjedhore prej dhjetra e qindra vjetësh e nuk kanë ndjerë nevojën për t’i ndryshuar sa herë këmbehen partitë e ndryshme në pushtet. Nëse është marrë si model praktike sistemi italian nuk më duket se është një zgjedhje e mirë. Ligji zgjedhor nuk duhet të shohë interesat e menjëherëshme të atyre që kanë shumicën, por të jetë i palëvizshëm e i barabartë për të gjithë, përfshirë dhe forcat e reja që mund të dalin n’arenën politike. 

Pasojat e marrëveshjes së 2008 qenë gjithënjë e më tepër rrënuese: u shtuan me tepri kundërshtitë që ndikuan në ndërprerjen e shpeshtë të vetë veprimtarisë shtetërore. Dalja nga Kuvendi u bë një metodë e zakonshme, me pasojë pezullimin e jetës ligjvënëse, e cila nga një detyrë parësore e secilit të zgjedhur kundrejt institucionit e vetë shtetit, kthehej në një mundësi vetiake të tij apo të kryetarit, simbas humorit, për t’a ushtruar apo mos e ushtruar atë. Kjo mendësi shtrembëruese e vetë parimeve më të thjeshta të jetës demokratike në Shqipëri ka marrë përmasa me të vërtetë shqetësuese. Kaq e thellë dhe e gjërë është kriza e sistemit shqiptar, sa që nuk ka asnjë organ kontrolli ligjëshmërie që të ushtrojë të drejtën e tij mbi “të zgjedhurit e popullit”, për t’u kujtuar atyre se vota që kanë marrë nuk është leje për të livadhisur lart e poshtë, simbas qejfit, por zotim tërësor për t’i shërbyer në çdo çast interesve kombëtare në çdo rrethanë e pavarësisht nga çdo lloj pakënaqësie që mund t’u lindë. Madje mendoj se duhet miratuar një ligj i veçantë, që t’i detyrojë deputetët apo të zgjedhurit në çfarëdo instancë të pushtetit, të sigurojnë praninë e tyre gjithmonë në forumet në të cilët marrin pjesë, me përjashtim të rasteve të detyrave shtetërore, të rasteve të jashtzakonëshme apo shëndetësore. Në të kundërt e në raste të përsëritura, ata duhet të përjashtohen nga pjesëmarrja në jetën politike, të mos kenë të drejtë kandidimi e të vazhdojnë jetën e qytetarëve të thjeshtë, të ndërgjegjësuar se besimi i marrë nga populli nuk duhet të shpërdorohet simbas dëshirës, se detyra e përfaqësuesit të popullit nuk është një privilegj i këndshëm, por një barrë e rëndë, një zotim i patjetërsueshëm. 

Kjo metodë u bë e njohur historikisht n’Itali në vitin 1924, mbas vrasjes së deputetit socialist Matteotti nga fashistët, por mbeti në histori si një dukuri që nuk solli asnjë dobi, veç dobësimit të Opozitës demokratike kundër fashiste. Zbatimi tek neve në vitet kur PS mëtonte hapjen e kutive të votimit, u pasua nga dukuri të mëvonëshme, gjithmonë të Opozitave të secilës ngjyrë, duke arritur majën me vitin 2019, në të cilën Opozita PD – LSI, së bashku me parti të tjera të spektrit të djathtë, vendosën njëzëri daljen jashtë sistemit e protestat popullore në rrugët e Tiranës për muaj me rradhë. Rezultati i këtyre vendimeve qe një prishje e plotë barazpeshash institucionale në dobi të PS e kryeministrit Rama, që nuk u tund nga “istikami”, por në mungesë kundërshtarësh institucionalë që ishin kthyer në qytetarë të thjeshtë, pa asnjë farë peshe ligjore, mori në dorë të gjitha levat e shtetit. Marrëzia e asaj politike çoroditi edhe kryetarin e shtetit e i dha mundësi shumicës në pushtet të merrte gjithë pushtetin lokal, mbasi u braktisën zgjedhjet në afatin kushtetues. Madje pati edhe përpjekje qesharake të presidentit për të caktuar datë tjetër e cila kaloi si një ditë e zakonshme kalendarike.

Ndërkaq kryeministri dhe partia e tij, që u paditën hapur madje nga një e përditëshme e njohur e shtypit gjerman për tjetërsimin e përfundimit të votimeve kuvendore të vitit 2017 e për ato vendore në Dibër, duke vazhduar ecjen drejt demokraturës, njohën si të ligjshëm një votim kombëtar për autoritetet vendore, në të cilin votuan zyrtarisht vetëm 18 % e votuesve!!! Nuk besoj të ketë asnjë sistem në botë që të arrijë në të tilla pozita qesharake e poshtëruese si ato në të cilat është zhytur Shqipëria e viteve 2019 – 2020. Rastësia e sjell që, pikërisht në këtë periudhë, Vendi i ynë të ketë kryesinë e rradhës të Organizatës për sigurinë e bashkëpunimin n’Evropë (OSBE). Si e tillë atij i takoi të jetë në vijën e parë si përfaqësues i vullnetit botëror në zgjidhjen e një problemi të ndërlikuar, si ai i tjetërsimit të përfundimit të votimeve presidenciale në Bjellorusi.

Nuk e marr me mënd se me çfarë autoriteti kryeministri i ynë mund të ndërpretojë vullnetin evropian e botëror për respektimin e të drejtave e lirive të bjellorusëve kur në Vendin e tij pranohet nga të gjitjë se votat vidhen sa herë që votohet e që ato quhen të vlefshme edhe atëherë kur më shumë se 80 % e zgjedhësve nuk paraqiten fare para kutive të votimit. Sigurisht përgjegjësia kryesore bie mbi Opozitën që vendosi të bojkotojë zgjedhjet, që në pjesën dërmuese të tyre u zhvilluan me vetëm një kandidat, kthim klasik në të shkuarën enveriste kur ekzistonin vetëm kandidatët e frontit demokratik, kësaj rradhe të partisë socialiste. Por një klasë politike serioze duhet të dijë të shmangë paçavure të tilla e të gjejë rrugën e pranueshme për të nderuar pritmëritë kushtetuese. Fatkeqësisht termi “serioz”është fshirë nga fjalori i botës së sotme politike shqiptare e ky është një nga treguesit më shqetësues me të cilin ballafaqohemi si shoqëri.

Më 5 qershor 2020, mbas më shumë se dy vjet rrahjeje uji në havan nga përfaqësuesit e pushtetit që, jo rastësisht, ka zgjedhur për kryetar një të përfolur të vjedhjeve zgjedhore e atyre të Opozitës “rrugore”e “sheshore” e një parlamentareje me një mbiemër të kumbueshëm në historinë e kronikën e viteve të para pas komuniste, të gjithë të caktuar, edhe me bekimin SHBA – BE, të sillnin “normalitetin” në jetën shqiptare nëpërmjet reformës zgjedhore, u shënua një risi, një marrëveshje e tryezës politike. Por, si vërtetim i mungesës së seriozitetit, që theksova më sipër, kjo marrëveshje u desh të nënëshkruhej në ndërtesën e ambasadës amerikane, mbas disa orësh përpjekjesh të ambasadores për të gjetur një ujdi. 

Shtator 2020                                     

*  VIJON

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË(2)

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR

September 15, 2020 by dgreca

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË TURQI-

Teuta Tabaku, mësuese e Gjuhës Shqipe në Bursa të Turqisë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Turqi nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Teuta Tabakun bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË TURQI

Mësimi i gjuhës shqipe organizohet në mënyra të ndryshme sipas mundësive dhe kushteve që ka komuniteti Shqiptar në Turqi. Është për tu theksuar se qeveria Turke dhe Ministria e Arsimit e kanë organizuar në këto mënyra:

1- Gjuha Shqipe në shkollat fillore si lëndë me zgjedhje

2- Në shkollat publike sipas niveleve

3- Gjithashtu edhe në Universitetin e Edirnesë dega e gjuhës dhe letërsisë Shqipe në nivelin e arsimit të lartë.

Arsimi i nivelit fillor fatkeqësisht nuk pati jetëgjatësi pasi mungonte interesi i fëmijëve të cilët janë brezi i gjashtë dhe më larg. Këtu nuk duhet të paragjykojmë për arsyen e niveleve të ndryshme të arsimit dhe formimit të familjarëve. Për këtë program institucionet tona në bashkëpunim me institucionet Turke, duhet të përgatisin pedagogë ose mësimdhënës të kësaj fushe për të filluar edukimin e gjuhën amtare duke filluar nga prindërit. Së dyti ishte mungesa e teksteve të rifreskuara e nevojshme për të mbështetur procesin mësimor.

QYTETET KU MËSOHET SHQIP, KURRIKULA MËSIMORE

Mësimi i gjuhës shqipe organizohet në disa nga qytetet e mëdha të Turqisë si Bursa, Ankara, Izmir, dhe Stamboll. Unë në qytetin e Bursës për mësimdhënien punoj me programin e niveleve A1, A2, B1, B2, C1, dhe C2. Këtë program e kam filluar në vitin 2017 në shkollën publike të Bursës ku përfshihen metoda dhe materiale nga pedagogë të Universitetit të Tiranës. Duke u nisur nga përvoja ime mendoj se ky program është më i përshtatshëm për të mësuar gjuhën si gjuhë të dytë dhe për Komunitetin Shqiptar në Turqi. Ashtu sikurse e përmenda edhe më lart, mendoj se institucionet tona duhet të bashkëpunojnë për të përgatitur mësues për mësimdhënien e gjuhës Shqipe në Turqi. Në kurset e gjuhës Shqipe kam punuar me vullnet e dëshirë të madhe për të rritur interesin gjithashtu edhe numrin e nxënësve, pavarësisht vështirësive të ndryshme. Punoj dhe jap mësim vullnetarisht me disiplinë dhe korrektësi. Kjo punë ka dhënë frutat e veta dhe ka bërë që numri i nxënësve të vijë duke u rritur. Për tu mësuar gjuhën amëtare bashkëkombesve të mi këtë vit hapa edhe kursin e gjuhës Shqipe për amvisat me origjinë Shqiptare. Une çdo vıt hap 4 klasa me numër të ndyshëm nxënësish duke filluar nga 15 e deri në 25, 30 në varësi të interesit dhe kushteve. Sepse interesi mund të jetë i madh por mospërputhja e orareve të kursit me jetën e përditshme ndikon në numrin e pjesëmarrësve. Situata pandemike sigurisht krijoi vështirësi edhe në këtë fushë pasi jo të gjithë kanë mundësinë për të ndjekur mësimet online, por me durim dhe përkushtim mund të them që ia dolëm. Për këtë vit arsimor deri tani kam dy klasa online. Një të nivelit A1 me 20 nxënës dhe një klasë të nivelit A2 me 25 nxënës. Kjo e dyta ka mundësı të ndahet në dy klasa sipas kërkesave që mund të shtohen. Theksoj se është dhe kënaqësi për mua fakti që do të hap edhe një klasë onlinë me moshat e vogla, si 9 dhe 10 vjeç. Për klasat në shkollën publike besoj se ato do të hapen sipas programit dhe protokollit të Covid-19. Numri i mësimdhënësve për gjuhën shqipe është i pakët.

GJUHA SHQIPE SI MJET I RUAJTJES SË IDETITETIT KOMBETAR

Mësimi i gjuhës shqipe jo vetëm që ndihmon në ruajtjen e identitetit por është rruga e vetme për brezat e ardhshëm  që ta transmetojnë në brezat e tjerë. Duke folur e shkruar Shqip mbrojmë identitetin, rrënjët dhe traditen tonë. Komuniteti Shqiptar në Turqi duhet të jetë më i bashkuar për të mbrojtur identitetin dhe kulturën. Komuniteti Shqiptar është i organizuar në shoqata civile dhe kulturore të cılat janë të ligjshme në Shtetin Turk. Ashtu sikurse dihet Komunıtetı Shqiptar në Turqi ka një rol të rëndësishëm në çdo fushë dhe sukseset janë pafund.

TË MËSOSH SHQIP NË TURQI, REAGIMET

Edhe këtu mësimi i gjuhës shqipe është pritur mirë sepse komuniteti Shqiptar është një nga komunitet më të vjetra që jetojnë e punojnë bashkë me popullin Turk. Normalisht pritet mirë sepse historikisht kanë patur marrëdhënie vllazërore. E rëndësishme është se duke ruajtur e jetuar traditat e veta çdo komunitet ka respekt reciprok. Po bëjmë një punë shumë të mirë në shërbim të identitetit, kulturës, traditës, miqësisë me bashkëpunimin me vendin ku jetojmë.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË USA

Mesazhi im për diasporën në USA është se duhet të bashkëpunojmë të gjithë së bashku kudo ku jemi. Vetëm nëse kemi bashkëpunim mund të jetë e mundur të mbrojmë dhe promovojmë gjuhën dhe kulturen tonë kombëtare.

 KUSH ËSHTË MËSUESE TEUTA TABAKU

Teuta Tabaku, mësuese e Gjuhës Shqipe në Bursa të Turqisë. Ajo u largua nga Shqipëria në qershor të vitit 1992. Pas një periudhe të gjatë integrimi, u angazhua vullnetarisht për të dhënë kontributin e saj në komunitetin shqiptar në Turqi, për informimin dhe zhvillimin e Diasporës atje. Me hapjen e Konsullatës së Nderit, një hap i rëndësishëm nga ana e saj ishte hapja e Kursit të Gjuhës Shqipe (pa pagesë), identifikimi dhe regjistrimi i të gjitha familjeve shqiptare që emigruan në Turqi në vitet ’90. Ky regjistrim solli pajisjen e tyre me dokumente dhe regjistrimin e fëmijëve të emigrantëve në Shkollat Publike Turke. Përgjatë viteve 2003-2015 në strehën e Konsullatës së Nderit, ajo organizoi aktivitete të ndryshme kulturore e historike lidhur me njohjen  reciproke të trojeve shqiptare dhe turke, si dhe për përkrahjen sociale e ekonomike të nxënësve, studentëve dhe familjeve të tyre. Këto aktivitete vazhdojnë edhe në ditët e sotme. Për thuajse tri dekada, ajo ka punuar për ruajtjen e identitetit dhe të gjuhës shqipe në komunitetin shqiptar atje, i cili përfshin bashkëkombës nga të gjitha trojet shqiptare. Në vitin 2017, me mbështetjen e bashkisë, ajo hapi zyrtarisht Kursin e Gjuhës Shqipe në shkollën Publike të Bursës në Turqi. Ka marrë pjesë në shumë konferenca e seminare për informimin, mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare, zhvillimin e marrëdhënieve turko-shqiptare, si në Turqi, ashtu dhe në trojet shqiptare. Për kontributin e saj vullnetar për komunitetin, Teuta Tabaku u nderua me titullin “Ambasadore e Kombit”. Në vitin 2019, Qeveria dhe Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës e vlerësoi me çmimin “Gruaja në Diasporë, Digë e fuqishme kundër asimilimit”.

Filed Under: Featured Tagged With: Shkolla shqipe, Sokol Paja, Teuta tabaku

Ese për lirinë tonë

September 15, 2020 by dgreca

NGA ANTON ÇEFA*-        

Populli ynë, si një popull i lashtë me vlera të larta shpirtërore, e ka vlerësuar lirinë si gjënë më të shtrenjtë dhe është përpjekur pa reshtur për ta njëmendësuar, ka luftuar dhe është flijuar për të. Këtë e dëshmon historia. Malet tona kanë jetuar gjithmonë të lira. Për më tepër, malësori ynë ka jetuar i lirë edhe si individ.

Liria kombëtare, shtetërore, shoqërore është e lidhur ngusht me lirinë vetjake, kuptimësinë e së cilës, kultura jonë e pati përkufizuar që heret, në kohën e Rilindjes. Konica, i pari ose i pari ndër të parët, na e pati sqaruar që: “Liria është të mundet njeriu të besojë ç’i do zembëra, të thotë ç’i do zembëra, të shkrojë ç’i do zembëra, të bëjë ç’i do zembëra, veç ato që janë kundra lirisë tjetër njeriu.”

            Ëndrrën e thellë për lirinë, për një botë me tolerancë, shpresë, qëllime e përpjekje fisnike drejt një të ardhmeje më të mirë, ne e ushqyem, e përjetuam, e dëshiruam në mënyrën më të skajshme në kohën e diktaturës.

            Natyrisht, ka edhe një liri të brendshme, individuale-dimension shpirtëror i një njeriu të qytetëruar në kuptimin më të plotë të kësaj fjale, dimension i një shpirti vërtet fisnik-që njeriu e ndërton në qenien e tij, edhe kur ajo nuk ekziston në mjedisin shoqëror ku jeton, punon e krijon.

            Liria- një nga vlerat më të mëdha njerëzore -është e lindur në natyrën e njeriut, si një element i patjetërsueshëm që i takon atij dhe nuk ka të drejt kush t’ia mohojë, t’ia grabisë, t’ia dhunojë, siç ndodhi me popullin tonë gjatë dekadave të diktaturës.

            Përvoja e hidhur që kaluam, tirania e dispotizmi i diktaturës, çmenduria e ideologjisë komuniste, që zgjatën jo më pak se një gjysmë shekulli, i dhanë një rrezatim diellor, një aereolë të shenjtëruar kuptimit, dëshirës, gjakimit, ëndrrës, shpresës për lirinë. Por kur ajo na erdhi, ne e humbëm drejtpeshimin si individ e si popull, nuk e kuptuam mirë, nuk e vlerësuam drejt, nuk qemë në gjendje ta përdorim si duhet. Humbja e drejtpeshimit të një populli është një gjë e tmerrshme.

            Aq e dëshiruar e aq e mirëpritur, liria na erdhi disi si e çoroditur; sepse ne na kishte çoroditur trysnia e fortë, e gjatë dhe e errët e diktaturës; prandaj ajo na u duk si e huaj, si një gjë që na përkiste, por që nuk po e bënim dot tonën. As që mund të bëhej fjalë atëherë për ndriçimin e institucioneve demokratike. Përkundrazi, na u krijua një gjendje kaotoke, e turbullt, në të cilën jo vetëm nuk po dinim të orientoheshim, por nuk po njihnim as njëri-tjetrin. Kjo vinte, ndoshta, ngase ne qemë larguar aq shumë prej vlerave tona etnike dhe, në atë turbullirë mendore e shpirtërore, individuale e shoqërore, nuk po dinim se ç’ duhej bërë me të.

            Kur Shqipëria, në rrokopujën e krijuar në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë, e pati humbur drejtpeshimin, pati përjetuar pikërisht këtë gjendje shpirtërore të çoroditur, këtë konfuzion shpirtëror, Konica- më falni që po i drejtohem rishtas kësaj mendjeje të ndritur -pati shkruar: “Shqipërinë ua dhanë Shqipëtarëve dhe nuk dinë çka të bëjnë me të.”

            Mund ta perifrazojmë plotësisht këtë shprehje të Konicës, sepse kështu na ndodhi me lirinë, në vitet e para të dekadës së fundit të shekullit që kaluam. E fituam, sepse e meritonim, e fituam ngase u përpoqëm, apo sepse çmendurisë së kuqe i kishte ardhur fundi; më drejt: të tria së bashku, sido që ta marrim, ne e keqpërdorëm atë, e çuam veten tonë, vendin tonë drejt një rrokullisjeje, e cila vazhdon ende sot e kësaj dite dhe nuk dihet se kur e si do të përfundojë.

Ky qe fati që diktatura i pati përgatitur popullit tonë dhe që vazhdonte t’ia gatuante me duart e saj të përgjakshme.

            Kështu erdhi liria në vendin tonë. Para së gjithash, me pasigurinë dhe banditizmin, me një varfëri të skajshme, që u thellua edhe më tepër nga shembja e ekonomisë socialiste. Banda të organizuara nga komunistët, që donin të ruanin pushtetin me çdo kusht, kryesisht nga frika se do të humbnin privilegjet dhe sidomos nga frika se do të paguanin për krimet e tyre të llojllojshme deri tek ato të përgjakshmet e të stërpërgjakshmet, morën në dorë pishtarin e zjarrit dhe sopatën e prerjes.

            Pamë me sytë tonë se si digjeshin fabrika, se si priteshin vreshta e ullishta; na dhimbti zemra e na dhemb edhe sot kur e kujtojmë, duke parë se si shkatërroheshin trenat e autobusët, pamë vetëm shkatërrim. Një shkatërrim i pashëmbullt!. Kështu, ata donin ta trembnin popullin: “Doni liri, demokraci ? – Ja kjo është liria, demokracia: pasiguri, vrasje, djegie, vjedhje.” Po ky shkatërrim u përsërit përdhunshëm në vitin e nëmur 1997, kur komunistët u ngritën lugat për të dëshmuar që: “Ne jemi, i takojmë kësaj toke, nuk ka gjë që na heq.”

            Të pafuqishëm për ta ndryshuar gjendjen, në një kohë kur politika e shtërpësisë së idealeve, politika meskine e individëve dhe grupeve që kanë si qëllim vetëm përfitimin vetjak nuk e kishte vënë fare ujin në zjarr për të shëruar trashëgiminë e kuqe; jo pak shqiptarë menduan ta gjejnë lirinë jashtë atdheut dhe atëherë ndodhi ajo që pati filluar më parë me shkeljen e kufijve, vazhdoi me ambasadat, anijet, etj. dhe që vazhdon edhe sot në mënyrat më të ndryshme. Shqiptari filloi të mendojë se lirinë, sigurinë dhe mirëqenien mund t’i gjejë në vend të huaj.

            Po kjo liri vetjake, liria në vend të huaj, ka një shije fare të largët, krejt të zbehtë ndaj lirisë që kërkuam dhe pritëm në ato vite dhune, sepse kjo nuk është liria, demokracia e popullit tënd, liria e atdheut tënd. Nuk ka asnjë vlerë njerëzore më të lartë, më fisnike se se liria vetjake e pajtuar me lirinë e atdheut dhe popullit tënd; një gjendje e tillë ku populli ndërton jetën e vet, gjykon të kaluarën dhe krijon të ardhmen mbi bazën e vullnetit të tij të lirë, të ushqyer nga forca e madhe e dashurisë për atdheun; ajo që magjeps çdo shpirt fisnik.

            Sot jemi një popull që e ka humbur besimin te politika (vetëm 40 % merr pjesë në votime dhe edhe kjo nuk e di se ku i shkon vota) dhe që e kërkon mirëqenien e lirinë vetjake në një vend të huaj. Nën peshën e kësaj dileme: lirisë vetjake në një vend të huaj dhe lirisë në vendin tend, nga anon kandari? Qoftë e përkohshme kjo dilemë e mallkuar !

*Dielli –Arkiv-Editorial

Filed Under: Histori Tagged With: Anton Cefa, Ese për lirinë

Gjirokastër, nderohen dëshmorët nacionalistë që ranë në Grehot

September 14, 2020 by dgreca

Nga Raimond Kola-*

14 shtatori shënon në Shqipëri Ditën e Dëshmorëve Nacionalistë. Në Grehot të Gjirokastrës formacione të djathta nderuan sot 36 luftëtarë mes të cilëve edhe komandantin e Ballit Kombëtar Hysni Lepenica. Pjesëmarrësit në ceremoni kërkuan nga historianët të rivlerësohen ngjarjet që lidhen me rolin e Ballit Kombëtar dhe luftën e Grehotit.

14 shtatori shënon në Shqipëri Ditën e Dëshmorëve Nacionalistë. Kjo datë lidhet me 14 shtatorin e vitit 1943 ku në një betejë në Grehot të Gjirokastrës me pushtuesit italianë që po linin Shqipërinë u vranë 36 luftëtarë të Ballit Kombëtar. Shumë prej tyre ishin udhëheqës te cetave të Ballit ndërsa në këtë betejë u vra edhe komandatin i Ballit Komebatr Hysni Lepenica. Familjarë por edhe pëfaqësues të subjekteve të djathta nderuan sot ne ceremoni të ndara të rënët. Kreytari i shoqatës antikomuniste të të përndjekurve politike Nebil Cika tha se nderimi për këtë ditë ishte nderim për kontributin e shquar të nacionalistëve shqiptarë në mbrojtjen e integritetit të Shqipërisë.

Këta njerëz u vranë për të mbrojtur integrtitetin tokësor, Shqipërinë etnike, lirinë dhe demokracinë. Kishin një program politik “Dekalogun” që garantonte lirinë politike dhe shoqërore dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Sot janë një frymëzim i madh dhe një shembull për ata që duan të ndryshojnë Shqipërinë.

Mes deputetëve dhe përfaqesuesve politikë të Partise Demokratike ishte edhe Myzafer Elezi. Ai tha tha se historia duhet te rishkruhet Jo vetem per betejen e Grehotit por edhe për rolin e Ballit Kombëtar

Asgjë nuk është e vërtetë nga ato që janë shkruar.Janë historianët shqiptarë që pa ngacmime ,pa ndikime politike duhet të flasin për realitetin që është ndryshe nga ai që kemi mësuar në bankat e shkollës.Nacionalistët shqiptarë kishin një mision ata donin që Shqipëria të ishte e lirë dhe e pavarur.

Në një ceremoni të ndarë përfaqësues të Partisëe së Ballit dhe familjarë të Hysni Lepenicës kryen nderime në varrezat e Grehotit. Deputeti Adriatik Alimadhi tha se kjo ditë ishte e shënuar për Ballin Kombëtar.

Kjo ditë është historike sepse lidhet me ditë e dëshmorëve të Ballit Kombëtar dhe njëkohësiht me vrasjen e komandatit të pëgjithshëm të forcave të Ballit Hysni Lepenica së bashku me 36 luftëtarë të tjerë të Ballit.

Ndërsa Ridvan Mersini, përfaqësues i kësaj partie në Vlorë tha se duhej vullenti i bashkimit te nacionalistëve edhe në cermoni të tilla.

Do ishte në nderin e tyre që krah përkrah kryetarit të Ballit dhe familjarëve të vendosnin kurora së bashku.

Masakra e Grehotit vlerësohet nga burimet historike se u shkaktua nga një sulm i beftë i ushtarëve italianë që përgatiteshin të braktisnin kazermat e Grehotit pak ditë pas kapitullimit të Italisë fashiste në Shqipëri. Nacionalistët e mbledhur nga disa krahina që kishin negociuar për një dorëzim pa kushte u qëlluan në pabesi dhe 37 luftëtarë, mes të cilëve edhe Komandanti i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar Hysni Lepenica humbën jetën.(Fotot:Kortezi Nebil Cika)

Filed Under: Featured Tagged With: nderohen dëshmorët nacionalistë, Nebil Cika, Raimond Kola

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 42
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT