• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2020

KOSOVË-RIFILLON USHTRIMI “SHPATA E ARGJENDTË”

October 10, 2020 by dgreca

-Forca e Kosovës (KFOR) e udhëhequr nga NATO-ja ushtrime për reagim ndaj situatave emergjente. Deri në vitin 2019, këto ushtrime ishin planifikuar dhe mbajtur nën udhëheqjen e KFOR-it, por këtë vit u vendos që institucionet në Kosovë të trajnohen dhe stërviten për t’i mundësuar atyre që të planifikojnë ushtrimin e tyre të shkallës së gjerë të reagimit ndaj situatave emergjencave dhe të shfaqin publikisht kapacitetet e tyre/

PRISHTINË, 10 Tetor 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Pas një ndërprerjeje për shkak të Covid-19, ushtrimi i KFOR-it “Shpata e Argjendtë” rifilloi këtë javë. Që nga viti 2012, Forca e Kosovës (KFOR) e udhëhequr nga NATO-ja ka mbajtur ushtrimin vjetor, i cili ka për qëllim të testojë dhe përmirësojë bashkëpunimin e institucioneve të ndryshme në Kosovë, si dhe Organizatave të Sigurisë të Kosovës bashkë me njësitë e KFOR-it në fushën e reagimit emergjent.

Deri në vitin 2019, këto ushtrime ishin planifikuar dhe mbajtur nën udhëheqjen e KFOR-it, por këtë vit u vendos që institucionet në Kosovë të trajnohen dhe stërviten për t’i mundësuar atyre që të planifikojnë ushtrimin e tyre të shkallës së gjerë të reagimit ndaj situatave emergjencave dhe të shfaqin publikisht kapacitetet e tyre.

Ushtrimi ‘Shpata e Argjendtë’ do të përfshijë përsëri Këshillin e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, Policinë e Kosovës, Kryqin e Kuq të Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, të cilat tashmë kishin marrë pjesë në module trajnimi që rezultuan të dobishme në aspektin e koordinimit për të reaguara në situate reale emergjente të shkaktuara nga Covid19.

Faza e re e ushtrimit ‘Shpata e Argjendtë 2020-2021′ rifilloi më 6 – 8 tetor, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri, paralelisht me dorëzimin e përgjegjësive nga zëvendës-komandanti i KFOR-it në largim, gjeneralbrigade Laurent Michaud i Ushtrisë Zvicerane që drejtoi stërvitjen deri më tani, te gjeneralbrigade Guenter Schoepf. Fokusi i fazës së re ishte rifreskimi i trajnimit të mëparshëm dhe dy koncepte më të rëndësishme: Procesi i Mësimeve të Mësuara dhe Komunikimi i përbashkët institucional për të promovuar kapacitetet dhe bashkëpunimin e Institucioneve në Kosovë dhe Organizatave të Sigurisë së Kosovës.

Faza tjetër do të përfshijë katër Ngjarje Kryesore që kanë një Pandemi si temë paralele dhe do të zhvillohen në muajt e ardhshëm. Ushtrimi i konceptit është planifikuar në gjysmën e parë të vitit 2021 dhe do të pasohet nga përgatitjet e të gjithë pjesëmarrësve në nivelin taktik në funksion të stërvitjes së planifikuar për në Shtator 2021.Ushtrimi ‘Shpata e Argjendtë 2020-2021’ do të përmbyllet me Raportin Përfundimtar të Ushtrimit, i cili do të mbledhë të gjitha përvojat në mënyrë që të përmirësojë procedurat dhe strukturat e secilës organizatë dhe gjithashtu për të përmirësuar Planin për Reagim Kombëtar.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kfor, Shpata e Argjende

NGA DIKTATURA NË DEMOKRATURË(6)

October 10, 2020 by dgreca

(Tridhjetë vite historie shqiptare)-

“Demokraci do të thotë shumë më tepër se sa qeveri popullore e zotërim i shumicës”-J. F. KENNEDY-

Shkruan:EUGJEN MERLIKA-

Një tipar i theksuar i demokraturave në përgjithësi është këmbëngulja për të qëndruar sa më gjatë në pushtet e në politikë, mundësisht deri sa të ndërrojnë jetë. Në këtë drejtim edhe shtetarët tanë nuk janë shumë të prirur të mos e respektojnë këtë rregull të pashkruar, por që është kthyer në një “ungjill” apo “kuran” të politikës.    Po të hedhim vështrimin në politikën botërore, do të vërejmë se Vëndet që nuk kanë një demokraci të hershme e të traditës, kanë një klasë politike të ngulur në kolltuqet e pushtetit prej dhjetëvjeçarësh, pavarësisht sistemit që praktikojnë.

            Ata mund të jenë mbretëri, si shumë Vënde të botës arabe (Jordania, Maroku, Arabia Saudite, Vendet e Gjirit persik), Nepali e ndonjë tjetër e për ta është i ligjshëm pushteti i trashëguar, por mund të jenë edhe republika të mbretërizuara, në të cilat pushteti është i përjetshëm në duart e atij që qeveris. Në këtë kategori hyjnë Vendet ish komuniste apo të tilla si Rusia, Kina, Koreja e Veriut, Venezuela, Nikaragua, Bjellorusia, ish republikat sovjetike të Azisë qëndrore, Zimbabve, Siria etj. Kësaj liste të paplotësuar i duhet shtuar edhe Turqia e Erdoganit apo Irani i ajatollaheve që vijnë nga histori të ndryshme por kanë edhe ngjajshmëri në disa drejtime.

            Në shumicën dërmuese të këtyre Vendeve, që përfaqësojnë rreth 40 % të popullsisë së globit, parimet bazë të demokracisë perëndimore janë shkelur e zëvendësuar nga urdhëra e urdhëresa të qeverive që zhvillojnë edhe zgjedhje “të lira”, të cilat i fitojnë gjithmonë ata me shumica “bullgare”, duke ruajtur për dhjetëvjeçarë me rradhë strukturat e tyre shtetërore të drejtuar nga të njëjtit njerëz. Lëvizjet demokratike n’ata shtete, herë herë organizohen dhe e ngrenë zërin e tyre, por ai bie në vesh të shurdhër, sepse demokratura njeh vetëm gjuhën e forcës dhe Lukashenko, Maduro, Asadi, Putin, Xi Jinpin e të ngjajshmit e tyre nuk ngurojnë t’a përdorin atë kundrejt bashkështetasve të tyre.

            Teoria e “eksportimit të demokracisë”, e vënë në provë nga Shtetet e Bashkuara nën presidentin Bush në Irak, nuk gjeti përkrahje të gjërë tek të gjitha demokracitë evropiane e sprova e Irakut u quajt e gabuar, edhe se koalicioni ndërhyrës hoqi nga pushteti e nga jeta një satrap të patentuar si Sadam Hysejni e i dha mundësi popullit dhe klasës politike irakene të ndërtonin shtetin e tyre demokratik. Madje dhe ndërhyrja anglo – franceze në Libi në mbrojtje të kryengritësve kundër Gadafit, që shmangu një det gjaku të cilin po e përgatiste diktatori libian t’a kryente në Mizurata, vlerësohet si një gabim i madh nga vetë demokracitë, sepse solli “destabilizimin” e Vendit mbas vdekjes së tij. Një ndërhyrje e tillë kishte qënë ajo e NATO-s në Kosovë e në Sërbi në verën e vitit 1999 në mbrojtje të popullit të Kosovës, që kërcënohej me zhdukje fizike, si pasojë e genocidit serb, por që u dënua nga Rusia, Kina apo ndonjë Vend tjetër si Greqia e të tjera që ende nuk e njohin shtetin e Kosovës. Ndërkaq më vonë Rusia ndërhyri ushtarakisht në Krime, në Gjeorgji, në Ukrainë, në Siri e Turqia në Siri e së fundi në Libi, por opinioni publik nuk u shqetësua shumë, nuk pati asnjë protestë para selive përfaqësuese të këtyre Vendeve. Kjo mënyrë të ndërpretuari të ngjarjeve që dënon ndërhyrjen e demokracive në ndonjë zonë të botës në mbrojtje të popujve të rrezikuar, por quan vendosje rendi e rregulli ndërhyrjen e demokraturave në të tjera, është një nga treguesit më të çiltër të çoroditjes mediatike e politike në kohën tonë.

            Mund të jetë e drejtë të vendosen marrëdhënie bashkëpunimi ekonomik e tregtar me diktaturat e majta kudo në botë, me Kinën kryesisht, por nuk duhet të gjejë vënd në mendësinë demokratike mospërfillja kundrejt shfaqjeve të dhunës së qeverisë kineze mbi ujgurët, mbi Hong Kongun, apo të dallimeve mbi pakicat katolike. Ajo të çon në një parodi të parimeve e të demokracisë, që i nënështrohen lehtësisht interesave ekonomike apo hamëndjeve si të tilla. Ndërgjegja demokratike, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës në botën e soçme është në krizë njimendësie, e detyruar të pajtohet në heshtje me shumë dukuri që bien ndesh me të, e pafuqishme të veprojë, veçse nëpërmjet fjalës së lirë ku është e mundur, në mbrojtje t’atyre parimeve, të cilëve i beson, por që i sheh të nëpërkëmbura në shumë anë të botës. Protestat e bjellorusëve, apo të venezuelanëve më parë, të ukrainasve apo të banorëve të Hong Kongut, trajtimi çnjerëzor që i bëhet myslimanëve në Birmani, meritojnë të gjithë mirëkuptimin e solidaritetin tonë, ashtu si edhe të gjithë ata intelektualë turq, viktima të shtypjes policore të regjimit mbas t’ashtuquajturit “grusht shteti” në Turqi. Si qytetarë të botës ndihemi në vështirësi me pafuqinë tonë…..

            Tek neve prirja për të kaluar gjithë jetën në politikë e ka kaluar edhe atë të regjimit komunist, ku politika ishte në plan të parë. Kjo edhe për arsyen e thjeshtë se në diktaturë kishte një mekanizëm rregullator me qëndër në trurin e Enver Hoxhës, që kujdesej për të vendosur kohë të përcaktuara për secilin politikan, madje edhe për secilin qytetar. Ajo ishte një kohë e çuditëshme e mbushur me ushtri hafijesh që, si marimangat endnin për çdo qytetar, “mik” apo “armik”, rrjetat e tyre të padive që dikush tjetër lart, shumë lart, vendoste kur t’i shkrepte mëndja e hazdisur, t’i vinte në zbatim, duke porositur arrestimin dhe dënimin e njerëzve. Çuditërisht për njerëzit më t’afërt, shokët e luftës të cilën “kryeheroi” e kishte parë vetëm me dylbi, të bashkëqeverisjes kriminale dhjetravjeçare, pasues të zellshëm, të cilët përgjëroheshin për të e për të cilët ai ishte kthyer në një Perëndi mbi tokë, dënimet ishin më të ashpra, shkonin deri në vdekje, me zbatime në vënde të panjohura, në orët e thella të netëve pa hënë….

            Të gjitha këto vërtetonin “drejtësinë” e udhëheqësit, që mendonte vetëm për popullin e drobitur nga skamja, por të cilit i kishte krijuar një parajsë, atë socialiste. Për ata që e “tradhëtonin” atë popull, qoftë edhe vetëm në haluçinacionet e tij, ai nuk kishte aspak mëshirë, u merrte më parë dinjitetin nëpërmjet “autokritikave” para partisë, e pastaj jetën, në varrezën e përbashkët të truallit shqiptar, me të njëjtën mungesë mëshire që kishte shfaqur për të tjerë “tradhëtarë”, duke filluar nga kunati i tij që ishte një nga shqiptarët më të mirë të kohës së tij. Dhe rapsodi popullor i këndonte:

“Enver Hoxha e mprehu shpatën

      Dhe njëherë o për situatën.

      Kjo asht shpata qi i rrin te koka           

                                                      Gjithë anmiqvet o që ka bota.”

            Sa më shumë vriste Enveri me urdhërat e tij, aq më shumë rapsodi brohoriste e çirrej:

“Enver Hoxha o tungjatë jeta

                                                         Sa kto male o sa kto shkrepa.

                                                         Emnin shqipes o lart i a ngrite                      

                                                         Gjithë këtë popull në dritë e qite.”

            Mbas vrasjeve duheshin zëvendësuar postet e tyre me njerëz të besimit: atëherë mblidheshin ata apo ato ku ishin e ku s’ishin, shoferë, kooperativistë, karrocierë, elektriçistë etj., e zinin vëndet e tyre në byronë politike e në qeveri, duke kënduar “Enver Hoxha or tungjatë jeta…..”      

Sa anakronike tingëllonin këto vargje kur shqiptarët u liruan nga zinxhirët e provuan të gjenin fatin në botën e madhe, larg e afër, e panë me sytë e tyre errësirën në të cilën kishin qënë të zhytur deri atëherë. Kjo ishte historia nga dolën drejtuesit e demokraturës që në dhjetorin 1990, një vit mbasi rumunët kishin dërguar në botën tjetër çiftin mizor të shtetit të tyre, u betuan e u stërbetuan se do të ndërtonin demokracinë perëndimore në Shqipëri. Një vit më parë prijësi i tyre u kishte dhënë të gjithë udhëzimet se si do të ujdisej Shqipëria “demokratike”. Ata do t’a ruanin si gjënë më të çmuar “ungjillin” e pas komunizmit, madje do të shkonin të këshilloheshin me autorin e tij sa herë që hasnin në vështirësi ose sa herë donin t’a falënderonin për misionin e tij “historik”. Ishte një mision që kish nisur herët duke miratuar vrasjet e mijëra bashkatdhetarëve  djem të Kosovës martire e kishte përfunduar me vrasje djemsh shqiptarë në kufi, që donin të largoheshin  nga ferri shqiptar, gjithmonë i gatshëm të jepte recetat e ecurisë së Shqipërisë mbas komuniste.

            Rruga e gjatë tridhjetëvjeçare në të cilën ata e drejtuan e solli Shqipërinë në ditët e sotme. Në dukje qe një rrugë e vështirë, me kundërshti të mëdha, me luftë për pushtet, me padi nga më të ndryshmet për njëri tjetrin nga klanet politikë, por në thelb ishte një ecje krah për krah, gjithënjë në mbrojtje të interesave të kastave, të pasurimit të tyre, të projektit të përbashkët të plakjes në pushtet, qoftë edhe duke ndërruar postet, për të ruajtur formën “demokratike” e për t’u hedhur hi syve “armiqve të revolucionit” e miqve të rinj evropianë e amerikanë. I sendërtuan plotësisht detyrat e shtëpisë: kastat u pasuruan, madje përtej çdo parashikimi, armiqtë u degdisën jashtë shtetit sepse nuk i duheshin më Shqipërisë, mbasi ajo nuk mund të përsëriste përvojën e kampeve të punës së detyruar për t’i shfrytëzuar si skllevër. Në pushtet nuk qëndruan më rangallat e vjetra të komunizmit, por u ngjitën bijtë e tyre, të shkolluar e me veshje perëndimore. Shumica e tyre vinin nga familjet e aradhës së Sigurimit të shtetit që, në heshtje e pa rënë në sy lëviznin fijet e administratave demokratike duke shfrytëzuar famëkeqet dosje të tyre.

            Në një evidencë në botuar në gazetën “Dielli”, organ i shoqatës “Vatra” në New York, gazetari Ilirian Blloshmi rendit 35 emra të nomenklaturës së lartë të administratës shqiptare aktuale,  duke shënuar përbri origjinën e tyre familiare. Na del një kuadër i tillë i kthyer në përqindje:

  1. Familjarë të ish udhëheqësve komunistë            5,6 %
  2. Ish funksionarë të komunizmit                              5,6 %
  3. Pasardhës të ish punonjësve të Sigurimit           40 %
  4. Pasardhës të ish funksionarëve të komunizmit 34 %  
  5. Ish oficerë Sigurimi                                                  15 %

Nëse këto përqindje, të nxjerra nga një mostër e vogël në numur por e bollshme në ofiqe e pozita shtetërore, do të shtriheshin në të gjithë spektrin politik, karakteri klasor i administratës së demokraturës nuk do të linte asnjë farë dyshimi mbi vazhdimësinë ramiziane që karakterizon gjithë kalesën e në veçanti vitet e fundit të cilët merr në shqyrtim hulumtimi. Fakti që pjesa dërmuese e kuadrove të larta të Vendit të vijnë  nga rrjedha e pjesës më besnike e më mizore të diktaturës, nga organet e ish Sigurimit të shtetit është një tregues tepër shqetësues për të sotmen por edhe për t’ardhmen e Shqipërisë. Kjo dukuri dëshmon se tjetërsimi i sistemit, pavarësisht nga ngjyrat e propagandës apo nga pohimet e drejtuesve të ndryshëm, përgjegjës në funksionet më të larta të shtetit që, çuditërisht  janë gjithmonë të njëjtat fytyra, ka qënë tërësisht një operacion fasade, një dramë e fëlliqur e luajtur mbi idealet e dhjetorit 1990 e mbi shpresat e një populli që i kishte paguar një tribut shumë të rëndë epokës para-ardhëse. Në vënd që të jepnin llogari para drejtësisë së demokracisë për të gjitha prapësitë e krimet e kryera në pothuaj gjysmë shekulli tiranie, ish Sigurimi i shtetit arriti të plotësojë nomenklaturat e shtetit shqiptar me bijtë e bijat e tij. Kjo fitore dyfishe e së shkuarës mbi t’ardhmen, e servirur me emrin e bujshëm të Rilindjes, i kalon edhe metodat e Enver Hoxhës përsa i përket përzgjedhjes së klasës drejtuese, të cilën ai e bazonte, së paku kështu thonte, më shumë në kuadrot e partisë që duhej të kontrollonin ata të Sigurimit.

            Shtator 2020                                           

VIJON

Filed Under: Opinion Tagged With: Demokrature 6, Eugjen Merlika

CORONAVIRUS, JA SI SHËMBET EKONOMIA BOTËRORE E KU KINA FITON

October 10, 2020 by dgreca

Nga Milena Gabanelli dhe Danilo Taino/ Përktheu Eugjen Merlika/Mbas pothuajse tetë muajsh pandemie numërohen dëmet: më shumë se një million të vdekur dhe një rënie ekonomike e përbotëshme. Në gusht World Economic Forum e vlerësonte ndërmjet 8 dhe 15 miliard dollarë, që në fund të vitit bëhen 17,3 simbas Australian National University. Një shifër e paracaktuar të rritet së paku deri sa të dalë vaksina. Shtimi I borxheve publike në Vëndet e përparuara qëndron në rreth 20 % të PPI, me një rritje po aq të rëndësishme në zhytjen në borxhe të qeverive. Ndërkaq në 37 Vendet e OSBE-s papunësia ka kaluar nga 5,3 % në 9,7 %. Në tremujorin e dytë tregëtia  globale ka rënë me 18,5 %.

Kina rritet me eksportin e materialeve shëndetësore

            Në Kinë gjërat shkojnë më mirë: në fund të vitit PPI do të shënojë 1,9 % më shumë. Para një viti e gjysmë një studim i Brookings Institution , vlerësonte se PPI i saktë ishte 12 % më i ulët se statistikat zyrtare, por të gjinden të dhëna më të besueshme është e pamundur. Eksportimet janë shtuar me 10,4 %, veçanërisht materiale shëndetësore dhe aparatura elektromjekësore, për të cilatbota ka dëshpërimisht nevojë. Me rënien e turizmit kinez  në botë në Kinë janë shtuar harxhet e brëndëshme: kinezët blejnë në shtëpinë e tyre  ato që më parë i blenin në Japoni dhe n’Evropë, veçanërisht sendet e lluksit. Grupi Kering (Gucci e YSL) ka shitur 40 % më shumë në tremujorin e dytë 2020. People Bank of China ka pakësuar rezervat që duhet të mbajnë bankat dhe ka futur në ekonomi 212 miliard dollarë. Papunësia është 5,6 %, por janë 8,7 milionë studentë të sapo dalë nga universitetet që duhet të gjejnë punë.

Një Vend më i veçuar

            Sigurisht Vendi është më i veçuar e quhet më pak i besueshëm. Bota po rishikon marrëdhëniet ekonomike e politike me fuqinë që bart përgjegjësi të mëdha në krizën e përbotëshme nga virusi, e që vazhdon t’a mohojë. Presidenti Xi dhe të gjithë organizmat e Shtetit, të brëndëshme e të jashtëme, prej muajsh pohojnë se sa i jashtzakonshëm e i suksesëshëm ka qënë mbarështimi i Pekinit në vatrën e madhe të infektimit në Wuhan, si dëshmi e epërsisë së shëmbullit të qëndërsuar dhe autoritar kinez në krahasim me atë të demokracive që ende sot e kanë të vështirë të kontrollojnë shtimin e virusit. Ndërsa Kina është praktikisht Covid – free (së paku zyrtarisht). Sigurisht nënvlerësimi i rrezikut nga Brazili, Shtetet e Bashkuara e disa Vende evropiane është për t’u kritikuar por, pa dyshim, një detyrim energjik dhe veprues i lockdown-it, i mundur n’ato kushte vetëm në një Vend me regjim diktatorial, është i papërshtatëshëm në Perëndim, ku është e pamundur të kontrollohet çdo veprim vetiak. Mbrapa këtij tregimi Pekini fsheh së paku dy të vërteta.

Mohimi i përgjegjësive

            E para është mungesa e tejpamjes mbi përhapjen e virusit në javët e para të pandemisë në Wuhan dhe mohimi i seriozitetit të gjëndjes, të përfaqësuar nga shtypja e paralajmërimeve të bëra publike nga doktor Li Wenliang: i ndaluar, i qortuar dhe i lënë mënjanë (më pas i vdekur nga shkaku i virusit). E dyta ka të bëjë me “tregjet e njoma” në të cilët shiten e ripen kafshë të gjalla. Këta tregje, të pranishëm në qytetet e mëdha kineze, të zmadhuara pa hesap në dy dhjetëvjeçarët e fundit, e tashmë të paditur për përhapjen e Sars 1 në 2002, duhej të ishin mbyllur. Në të vërtetë autoritetet nuk kanë ndërhyrë kurrë seriozisht. Pra a mund të mbetej kriza e kufizuar gjeografikisht në rajonin e Wuhanit, nëse autoritetet nuk do të ishin ngujuar në një qëndrim mohimi? Ndoshta po, por deri tani Pekini nuk ka pranuar t’i hapë dyert një hulumtimi ndërkombëtar të pavarur mbi origjinën e pandemisë, të kërkuar nga 194 Vende, madje edhe kërcënueshëm. Përgjegjësitë që Pekini vazhdon t’i mohojë me arrogancë kanë një efekt ekonomik e një efekt politik.

Shumëkombëshet: degë ndërmarrjesh të shpërngulura gjetiu

            Shumë ndërmarrje, që e kishin bërë Kinën qëndër të zinxhirëve të tyre të furnizimit e të prodhimit, janë duke rishikuar rrezikun e të besuarit të plotë në sistemin kinez dhe janë të prirur të shpërngulin pjesë të industrive të tyre gjetiu. Shumëkombëshmja taivaneze Foxconn, që prodhon smartfona për Apple në Kinë, është duke vlerësuar mundësinë e shpërnguljes së disa prodhimeve në Amerikën e Veriut. Apple, Samsung, Hasbro, Nintendo, GoPro, La – Z – Boy  i kanë çvendosur disa degë të ndërmarrjeve, më së shumti në Vietnam, në Taivan, në Meksikë. Nga ana tjetër tregu kinez është shumë i madh për të mbetur jashtë dore: Tesla, Bmw e Honeywell kanë njoftuar hapjen e impianteve të rinj në Kinë. Pasoja politike është që Pekini gjindet sot praktikisht “pa miq”, veçanërisht n’Azi. Ka “klientë” që i mban të lidhur me para e nëpërmjet huave të rrugës së Re të Mëndafshit: Pakistani, Myanmar, Kamboxha. Ka një lidhje të fuqishme me pak të besueshmen Rusi të Vladimir Putin-it. Por sa më pranë gjeografikisht të jetë një Vend ndaj gjigandit aziatik, aq më shumë shkëputet prej tij nga pikëpamja politike. Kundërveprimi i Xi-ut është ai i ashpërsimit të shtypjes së brëndëshme e agresivitetit të jashtëm me shtimin e tensionit në kufijtë me Hindinë dhe shtimin e militarizimit të Detit Kinez të Jugut, me “paralajmërimet” Taivanit dhe me një përdorim të paskrupulltë të diplomacisë.

Udha e Mëndafshit ngadalësohet

            Gjëndja në fakt është shqetësuese për Xi Jinping-un: gjithënjë e më shumë qeveri ngurojnë të lidhen mbas Pekinit nëpërmjet projektesh strukturore e huazimi. Simbas shoqërisë së analizave Refinitiv në 2.951 projekte të Belt & Road, deri tani 666 janë kryer, 2.207 janë duke u sendërtuar, 43 janë pezulluar, 29 janë shtyrë e 6 janë fshirë. Investimet kineze jashtë, të shtuara mbas zgjedhjes së Xi-ut në 2013 në krye të Shtetit e të Partisë komuniste, deri në 255 miliardë dollarë më 2017, kanë filluar të ulen dhe në tetor 2020 arrijnë në 28 miliardë. Italia është në një kundërprirje të shkëlqyer dhe po u jep grupeve kineze Weichai e Cosco një pjesë të mirë të portit të Tarantos. Rruga e Re e Mëndafshit,  projekti kyç i Xi-ut nëpërmjet të cilit Pekini ka ndërmënd të ndërtojë një rrjet infrastrukturash tokësore e detare që do të mbajnë të lidhur gjithë Eurazinë me qëndrën e Kinës, rrezikon të mbarojë në rërë. Sjelljet e Pekinit në përhapjen e pandemisë shkaktojnë ndruajtje edhe në Vendet që do të kishin nevojë për ndihmën kineze.

Kërkesa për dëmshpërblime

            Shumë qeveri (jo vetëm Trump-i) kanë ngritur mundësinë e të kërkuarit të dëmshpërblimeve, por nuk ka institucione ndërkombëtare në fushën shëndetësore, që të mund të ngrihennë rangun e gjykatës në fushën e pandemisë: nuk ka një Gjykatë si ajo e Hagës, nuk ka një trup gjykues të tipit Wto për mosmarrëveshjet tregëtare. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, në të cilin Pekini ka të drejtën e vetos, nuk do të lëshojë asnjë dënim kundrejt Kinës. Në çdo rast Pekini ka një histori të mos pranimit të gjykimeve të lëshuara nga gjykata ndërkombëtare për mosmarrëveshjet mes Shteteve: në 2016 Gjykata e Hagës nxori një vendim në dobi të Filipineve në një kundërshti mbi ujrat territoriale, por Kina me qetësi nuk e njohu. Rastet që mund të hapen në gjykata kombëtare kanë më shumë rëndësi politike se sa penale.

Pika e mos kthimit

            Çështja e përgjegjësive për katastrofa shëndetësore e e rregullave të përbashkëta në luftën për ndryshimet klimaterike, urdhërojnë si një obiektiv të menjëhershëm krijimin e një institucioni në të cilin të mund të gjykohen praktikat ndërkombëtare, së paku për t’i shtrënguar Vendet të lëvizin me përgjegjësi në belegët që na presin për mbijetesën e gjithë planetit. Ndërkaq çmimi që Kina do të paguajë për krizën e Covid – 19 do të jetë politik dhe ekonomik, nëse shumëkombëshet do të pakësojnë veprimtarinë e tyre në Vend. Janë këto çmimet që ndruan më shumë Xi Jinpin. Nuk është më vetëm Washingtoni që merr distancë nga Pekini: edhe takimi i nivelit të lartë ndërmjet Xi-ut dhe drejtuesve të BE pak javë më parë, që fillimisht do t’i vinte vulën një lidhjeje të thellë, i gjeti evropianët gjithënjë e më të bindur për t’a quajtur Kinën “një rivale strategjike”, me interesa, obiektiva e metoda të ndryshme nga ato të BE. Pandemia ka shënuar një pikë mos kthimi: Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe pjesa tjetër e botës gjinden përballë nevojës për të kryer një zerim të marrëdhënieve me Kinën. Tepër e vështirë. Por e pashmangëshme.

            “Corriere della Sera”, 4 tetor 2020      Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Eugjen Merlika, Kina, Koronavirusi

FINLANDË, SHKOLLA SHQIPE DHE IDENTITETI KOMBËTAR

October 10, 2020 by dgreca

RUAJTJA E IDENTITETIT KOMBËTAR SHQIPTAR PËRMES MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË-

Ragip Kçyku, bashkëpunëtor i jashtëm i Këshillit Kombëtar të Arsimit në Finlandë dhe si ish mësues i gjuhës shqipe në Finlandë, rrëfen ekskluzivisht për gazetën Dielli, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit, kulturës dhe traditës shqiptare në Finlandë nëpërmjet mësimit të gjuhës shqipe. Me Ragip Kçykun bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

SI ORGANIZOHET DHE FUNKSIONON MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË

Sikur të gjitha vendet Skandinave përveç Islandës, mësimin e gjuhëve të minoritarëve emigrantë dhe të natyralizuar në shtetas të vendit ku jetojnë, mësimin e organizon shteti. Numri i nxënësve, dallon nga komuna, bashkia në bashki. Fillon nga grupi i detyrueshëm nga 5 nxënës për dy orë mësimi në javë, deri në grupin 10 nxënës. Mësimi zhvillohet ditëve të rregullta të punës në shkollat publike. Ky është një privilegj që kanë edhe shqiptarët si të gjitha kombet e tjera, të ardhur vonë dhe romët të ardhur para 200 vitesh. Edhe mësuesit janë të mbuluar nga shteti. Ky rregull vlen për Finlandën sa i përket të drejtës së numrit të domosdoshëm të nxënësve, ndërsa shtetet e tjera kanë rregulla të tjera. Psh. Në Suedi, çdo nxënës i ka të garantuara 15 min në javë gjuhë amtare dmth, nuk mbetet as një nxënës i papërfshirë po pati vullnetin prindi. 

QYTETET KU MËSOHET SHQIP, NXËNËSIT DHE KURRIKULAT MËSIMORE

Mësimi shqip zhvillohet në disa qytete, por në jug të Finlandës janë më të përqëndruar shqiptarët: Helsinki, Espoo, Vanta, Kirkonumi, Hyvinka, Porvo, dhe në veri të Finlandës Vasa, Oullu dhe Usi Karleby. Kurrikulat janë bërë nga vetë mësuesit. Sillen modele nga Këshilli Kombëtar i Arsimit. Ne u japim frymën shqipe. D.m.th. Gramatikë, histori, gjeografi, edukim qytetar, dhe artet. Çdo gjë e kontrollueshme dhe më cilësore se plan-programet shqiptare-kosovare. Një racionalitet i skajshëm dhe në thelb del më kombëtare se kombëtarja shqiptare e dhënë në nivel shumë të ulët profesional (pedagogjik, didaktik dhe metodik). Ndërsa përfshirja sillet rreth 300- 350 nxënës që vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Sipas përfshirjes në përqindje qëndrojmë në nivel të lakmueshëm në krahasim me vendet e tjera. Finlanda është mërgata më e re në Evropë dhe mezi kalojmë 10 000 shqiptarë nga i i gjithë gadishulli Ilirik. 

GJUHA SI IDENTITET KOMBËTAR DHE SHQIPTARËT NË FINLANDË

Po, i gjithë plan programi përfshin ne të tema nga gjuha, gjeografia, historia dhe kultura shqipe. Këtu janë edhe aktivitetet për e organizuara: mësues, nxënës dhe prind, me rastin e festave të ndryshme shtetërore dhe kombëtare. Ka shqiptarë të suksesshëm sidomos në fushën e biznesit dhe të sportit. Kemi tre-katër futbollistë që luajnë për ekipin shtetëror: Shefki Kuqi për disa vitte ka qenë qendërsulmues, pastaj vijnë vëllezërit Hetemaj, Aunor Zeneli, Lum Rexhepi etj. 

PROBLEMATIKA TË MËSIMIT TË GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË

Si gjithmonë shqiptarë të ngathët. As me dashuri as me refuzim total. Dëmin më të madhin ia sollën grupet e xhihadit që i përpinë fëmijët tanë me prindër të paarsimuar. Si të tillë më parë preferojnë xhaminë sesa shkollën. Për ironi, shprehen se e dinë shqipen? Edhe lakmia për t’i bërë fëmijët të famshëm në sport, e ka dëmtuar në masë të madhe vijueshmërinë e mësimit shqip. “valla ka ushtrime djali në këtë kohë, nuk muj me prue”. Është më shumë një pretekst sa për të larguar turpin prej veti. Projektet që janë bërë: Më 1995 në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit  Finlandë, kemi realizuar projektin për dy fjalorë lëndorë  të vlefshëm për të gjitha nivelet, deri në universitet. Fjalorët finlandisht-shqip për matematikë dhe dykrahësh një fjalor për Histori, gjeografi dhe biologji në shqip-finlandisht. Projekti i dytë është “Ç’bend”, në kuptimin i bukur, i mrekullueshëm. Për shqiptarët me emrin “Qerdhja e shqiponjave”. Pesë përralla kombëtare në tri gjuhë: shqip-finlandisht-suedisht. Të lexuara shqip. 5 këngë për fëmijë të kënduara, të regjistruara në manjetofon, atëherë në “kaseta” dhe të botuara. Disa lojëra fëmijësh etj. Projejti i fundit para katër vitesh është mësimi elektronik për gjuhën shqipe. Projekti për shqiptarët quhet ditët e Dardanit. “Udhëtimi” fillon nga qendra e Tiranës, Sheshi Skënderbej. Ky është një projekt i Ministrisë së Arsimit të Finlandës. Me ilustrime dhe me lexim tekstesh të disa fushave leksikore, si leksiku urban,  arsimor, gjeografik, bujqësor, i kuzhinës, i shtëpisë etj.

MESAZHI JUAJ PATRIOTIK PËR DIASPORËN NË USA

Merrni mësim nga Konica, Noli dhe klasikë të tjerë. Diaspora e re e SHBA-ve është më e dobëta nga të gjitha diasporat e botës që atje jetojnë dhe veprojnë. Është diasporë tejet e ngathët. A nuk është për turp që përveç Dioguardit nuk kemi as një Senator. Tani nuk është as Dioguardi i madh. Madje ai nuk është prodhim i gadishullit Ilirik. Është i atij Apenin, sado që është një arbëresh që nuk di as dialektin arbëresh. Ky është barometri i pagabueshëm që ne shqiptarët nuk jemi fare të zgjuar as punëtorë. Në zgjedhjet e fundit votat i fituan dy afrikanë. Madje të diasporës më të re afrikame. Shqiptarët nuk kanë kohë, si duket zënkat mes vete ua martin kohën dhe energjinë. Si gjithkund shqiptarëve iu mjafton vetvetja me debate në kafene dhe si shikues në kazanet e pista të Tv-të e gjuhës shqipe. 

Filed Under: Featured Tagged With: Finlande, Shkolla shqipe, Sokol Paja

Kosova, e rreshtuar përkrah aleatëve në krye me SHBA

October 9, 2020 by dgreca

-Ministrja Haradinaj-Stublla bisedoi me Koordinatorin Kundër Terrorizmit në Departamentin Amerikan të Shtetit, ambasadorin Nathan Sales/

PRISHTINE, 8 Tetor 2020-Gazeta DIELLI/ Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar një bisedë telefonike substanciale me Koordinatorin Kundër Terrorizmit në Departamentin Amerikan të Shtetit, Ambasadorin Nathan A. Sales.

Njoftimi i dërguar thekson se, Ministrja Haradinaj-Stublla ka diskutuar me Ambasadorin Sales për zhvillimet politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe më gjerë, sidomos për Marrëveshjen e Uashingtonit, në veçanti zotimet që bien në përgjegjësinë direkte të fushëveprimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. 

“E njoftova Ambasadorin Sales se Republika e Kosovës është e përkushtuar në implementimin e të gjitha pikave të marrëveshjes dhe se çmon përkushtimin e lartë të Lidershipit Amerikan për vënien në jetë të zotimeve të dhëna në këtë marrëveshje”, tha Ministrja Haradinaj-Stublla. 

Në këtë kontekst, shefja e diplomacisë kosovare e ka theksuar Vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës për ta shpallur organizatë terroriste, organizatën Hezbollah si tërësi.

Gjatë kësaj bisede është vlerësuar edhe kontributi që Republika e Kosovës ka dhënë në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, në veçanti roli i shtetit tonë në Koalicionin Global Anti-DAESH.

Ministrja Haradinaj-Stublla ka theksuar se Kosova është e rreshtuar përkrah aleatëve në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë për të gjithë popujt paqedashës.

Filed Under: Kronike Tagged With: kosova, përkrah aleatëve në krye me SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 37
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT