• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2020

MINISTRI I JASHTËM I GREQISË NË KOSOVË

October 9, 2020 by dgreca

FORCOHEN RAPORTET NË DREJTIM TË ASPIRATËS PËR NJOHJE-

-“Roli mbështetës i Greqisë për Kosovën është tepër i rëndësishëm, ngaqë është vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, organizata këto që Kosova aspiron të jetë pjesë e tyre”, tha kryeministri Hoti/

-Kryeparlamentarja Osmani ka falënderuar Greqinë për mbështetjen, duke shpresuar që ajo të konkretizohet me njohjen formale të shtetit të Kosovës/

-“Me Greqinë na lidh edhe miqësia e përbashkët me SHBA-të, e cila është element i jashtëzakonshëm në ndërtimin dhe konsolidimin themeleve të forta të marrëdhënieve tona”, u shpreh Ministrja Haradinaj-Stublla/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 9 Tetor 2020/ Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, sot në mëngjes u prit me ceremoni zyrtare në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

 “Me Greqinë na lidh edhe miqësia e përbashkët me SHBA-të, e cila është element i jashtëzakonshëm në ndërtimin dhe konsolidimin themeleve të forta të marrëdhënieve tona”, u shpreh Ministrja Haradinaj-Stublla, ndërkohë që takimin zyrtar me homologun grek e zhvilloi në mesditë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës.   

KRYEMINISTRI HOTI: ROLI MBËSHTETËS I GREQISË PËR KOSOVËN ËSHTË TEPËR I RËNDËSISHËM

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, kryesisht në fushën ekonomike, si dhe procesin e dialogut final ndërmjet Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke. 

“Roli mbështetës i Greqisë për Kosovën është tepër i rëndësishëm, ngaqë është vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, organizata këto që Kosova aspiron të jetë pjesë e tyre”, tha kryeministri Hoti.

Po ashtu, kryeministri Hoti dhe ministri Dendias u zotuan në thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, me theks të veçantë në fushën e energjisë. 

Ministri Dendias, duke e falënderuar kryeministrin Hoti për pritjen, theksoi se Greqia mbetet e përkushtuar që ta ndihmojë Kosovën në rrugëtimin e saj euro-atlantik, si dhe në begatimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

 KRYEPARLAMENTARJA OSMANI KA NJOFTUAR MINISTRIN GREK DENDIAS PËR KONSTITUIMIN E GRUPIT TË MIQËSISË ME GREQINË 

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani sot u takua me ministrin e jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Zonja Osmani ka falënderuar Greqinë për mbështetjen, duke shpresuar që ajo të konkretizohet me njohjen formale të shtetit të Kosovës.

Në takim u diskutua për bashkëpunimin bilateral ndërmjet të të dy vendeve, me fokus të posaçëm në sferën e ekonomisë, shëndetësisë dhe arsimit.

Për më tepër, u diskutua edhe për zhvillimet në fushën e dialogut dhe procesin e integrimit evropian, me ç’rast falënderoi Greqinë për mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave. 

Kryetarja Osmani theksoi se Kuvendi i Kosovës ka përcaktuar vijat e kuqe në raport me dialogun me Serbinë.

Të dy bashkëbiseduesit folën edhe për situatën me menaxhimin e pandemisë, efekteve të saj si dhe vështirësitë ekonomike.

Më tej, kryetarja e Kuvendit ka shfaqur interesimin për zhvillimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe në këtë kontekst e ka njoftuar ministrin grek për konstituimin e Grupit të miqësisë me Greqinë.

 MINISTRJA HARADINAJ-STUBLLA: FORCOHEN RAPORTET MIDIS DY VENDEVE NË DREJTIM TË ASPIRATËS PËR NJOHJE

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, pasi i shprehu mirëseardhje në Aeroport, ka zhvilluar në Ministri një takim shumë miqësor dhe produktiv me homologun e saj grek, Nikos Dendias, me të cilin ka diskutuar tema të rëndësishme për raportet midis dy vendeve, domosdoshmërinë për forcimin dhe avancimin e tyre, sidomos në sferat e interesit të përbashkët, por edhe çështje politike me ndikim në rajon.
“E kuptojmë pozicionin e Greqisë ndaj pavarësisë së Kosovës, dhe kjo është një arsye shtesë përse jemi të interesuar në zhvillimin dhe avancimin e raporteve tona ekzistuese. Natyrisht, ne do të mirëprisnim vendimin e Greqisë për njohjen e Kosovës, mirëpo jemi të përkushtuar t’i forcojmë raportet eksizstuese, si dhe t’i thellojmë në drejtim të duhur”, i tha Ministrja Haradinaj Stublla homologut të saj.
Ministrja Haradinaj-Stublla kërkoi nga homologu i saj që Greqia si një vend me ndikim jo vetëm në rajon, por edhe si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të ndihmojë qartësinë e objektivit final dhe afatit kohor nën lehtësimin evropian të dialogut Kosovë – Serbi, me qëllim të zgjidhjes përfundimtare që nuk mund të jetë më pak se njohja e ndërsjellë në kufijtë ekzistues.  
“Marrëveshja e Uashingtonit për Normalizimin Ekonomik me Serbinë e lehtësuar nga SHBA-të dhe Presidenti Trump është një hap i madh drejt zgjidhjes finale. Kjo marrëveshje mbi të gjitha është hap i rëndësishëm për zhvillimin e rajonit, prandaj si Kosovë jemi të përkushtuar për të përmbushur të gjitha pikat e saj dhe presim që edhe Serbia do të implementojë zotimet e saj karshi SHBA-ve dhe Republikës së Kosovës”, shtoi Ministrja Haradinaj-Stublla.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Greqisë ka falëndëruar homologen e tij për mikëpritjen e veçantë, si dhe ka mirëpritur angazhimin e shtuar të Kosovës për të zgjeruar dhe shfrytëzuar momentumin politik për rajonin, dhe për dy vendet tona, për të fuqizuar dialogun ekonomik dhe tregtar dhe në veçanti jetësimin e projekteve energjetike sipas Marrëveshjes së Uashingtonit, që në të ardhmen pritet të jenë edhe një lidhje tjetër e rëndësishme mes Kosovës dhe Greqisë. Ministri poashtu konfirmoi mbështetjen e plotë të Greqisë në jetësimin e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe në përgjithësi për drejtimin Evropian të Kosovës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, Kosove-Greqi, Ministri Grek

Ben Andoni: Bllokohet sistemi i drejtësisë në Shqipëri…

October 9, 2020 by dgreca

….marrëveshja Kosovë-Serbi jo e plotë, fuqizohet faktori serb në Mal të Zi…/

–Ben Andoni ekspert për çështjet e rajonit, në një interviste ekskluzive për Diellin-

Intervistoi: Eneida Jaçaj-

Reforma në drejtësi në Shqipëri, e mbështetur dhe e nxitur nga SHBA dhe BE, erdhi si nevojë për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, forcimin e tyre, si dhe shkundjen nga pluhuri i korrupsionit i të gjitha hallkave të drejtësisë shqiptare. Partitë politike shqiptare votuan ndryshimet kushtetuese me shumicë të cilësuar në Parlament, të detyruara nga faktori ndërkombëtar, pasi, në rast të kundërt, ligjvënësit shqiptarë nuk do të votonin një reformë të tillë, që ndëshkon kokat e korrupsionit, që gjenden te PS-PD-LSI dhe institucionet e drejtësisë. Edhe pse jo perfekte, me shumë probleme ligjore, votimi i reformës solli hapjen e negociatave me BE, si një nga kushtet më thelbësore për integrimin e plotë të Shqipërisë në familjen europiane. Eksperti  për çështjet e rajonit por edhe të vendit, gazetari profesionist Ben Andoni, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Dielli”, komenton reformat e vendit të ndërmarra nga PS, si dhe çështje të tjera të nxehta nga rajoni. Ben Andoni e cilëson reformën në drejtësi si bllokuese, pasi ka shkallmuar institucionet e drejtësisë dhe ka krijuar polaritet në jetën e vendit. Përkrah problemeve që mund të ketë si reformë, ajo ka synim përmirësimin e institucioneve të drejtësisë, por duket se partitë politike po e zvarrisin pasi ende nuk është zbatuar plotesisht. Madje, ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, bëri një deklaratë të fortë se,  PS-PD-LSI kanë bërë një marrëveshje për të vrarë reformën në drejtësi. Nëse reforma do të vijojë të zvarritet dhe madje të minohet totalisht qëllimi i saj, shanset për integrimin e vendit do të arrijnë në pikën zero. Ben Andoni ka komentuar edhe marrëveshjen Kosovë-Serbi, të cilën e cilëson jo të plotë, ndërsa shton se Serbia vështirë se do të njohë një ditë Kosovën si shtet. Sa i takon zgjedhjeve në Mal të Zi, ku humbi partia e Gjukanoviç, Andoni deklaron se faktori serb fuqizohet në Mal të Zi, dhe mund të priten çudira nga serbët. Gazetari profesionist komenton edhe çështje të tjera tepër të rëndësishme. 

–Hapja e negociatave për integrimin, ishte një lajm i mirë për Shqipërinë. Sa po i realizon qeveria shqiptare reformat që do të çojnë në anëtarësimin e vendit?

-Shqipëria, asnjëherë në periudhën demokratike nuk ka bërë reforma thelbësore. Kështu që edhe këtë herë nuk ndryshon aq shumë me angazhimet që ka ndërmarrë Partia Socialiste, e cila ka mazhorancën prej gati tetë vitesh. Madje, Shqipëria, sot, është peng i një eksperimenti shumë të vështirë, që lidhet me atë që ka të bëjë me Reformën në Drejtësi. E them eksperiment, pasi asnjë nga vendet ballkanike dhe më gjerë nuk e ka pranuar në këtë thellësi këtë lloj reforme, që po bëhet në vend dhe që e ka shkallmuar krejt nivelin e lartë të Drejtësisë dhe atë të Apelit në vend. Kjo reformë ka bllokuar shumë fusha, dhe, ajo ka ndikuar në një polaritet të frikshëm politik në vend. Për hir të së vërtetës, të 140 deputetët (e gjithë legjislatura, pra) që ngritën votën “pro” saj, treguan se u interesonte më shumë aprovimi dhe akordi me ambasadën amerikane sesa ajo që pritej nga shqiptarët. Sa i përket reformave të tjera, them se kanë mbetur në vend. Reforma në Arsim ka mbetur pothuajse fare dhe as nuk arriti që të merrte jetë. Ajo e Ndarjes Territoriale u bë pa opozitën, që e abandonoi, e kjo e fundit duhet thënë se i ka lënë shumë hapësirë mazhorancës së Edi Ramës, paçka kauzave që ka ngritur. Reforma e fundit Zgjedhore ishte gjysmake, por gjithsesi u realizua në një Parlament që është shpërfytyruar në mungesë të PD-së dhe LSI-së. Me pak fjalë, hapja e negociatave është një lajm vërtetë i mirë, por reformat nuk janë bërë në thellësi dhe me një dakordësi më të gjerë. Lidershipi politik, qoftë nga PS dhe nga PD, janë fajtorë para shqiptarëve, që luftën e tyre e bëjnë kinse në emër të parimeve. Megjithatë, edhe kaq sa po bëhen janë parë pozitivisht nga Brukseli, duke ditur veçorinë shqiptare, dhe kjo me sa duket u mjafton ndërkombëtarëve. 

-Më 4 shtator u arrit një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e SHBA-së, në Uashington. Kjo marrëveshje dypalëshe në plan të parë ka të bëjë me normalizimin ekonomik mes dy vendeve. Por, në asnjë nga pikat e marrëveshjes nuk përmendet njohja e Kosovës nga Serbia, dhe gjithashtu shteti serb  t’i kërkojë falje Kosovës për krimet e luftës. Si e shihni këtë marrëveshje në tërësi, dhe si mund të zbatohet kur Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet?

-Kuptohet se Serbia nuk do të futej kurrë në një lidhje, ku të përmendej njohja e Kosovës. Do të ishte naivitet të mendohej një gjë e tillë. Por duhet saktësuar diçka: Marrëveshja është shumë komplekse dhe nuk është mes Kosovës e Serbisë, por e këtyre të dyjave veç e veç me administratën amerikane, që ka menduar normalitetin ekonomik si element të parë drejt një marrëveshje më gjithpërfshirëse.Vetë SHBA e ka kuptuar se njohja është vështirësuar, që kur politikanët kosovarë kanë bërë një gabim të madh taktik. Ju e dini që Kosova ka fituar ndaj akuzës së paraqitur në Gjykatën Ndërkombëare nga Serbia, për legjimitetin e pavarësisë. Që do të thotë, Kosova qysh atëherë në çdo ulje në tryezë duhej t’ia bënte të qartë Serbisë dhe kujtdo, që kjo quhej vijë e kuqe dhe marrëveshjet të fillonin mbi këtë premisë. Në fakt, Kosova ulet me footnote në dokumenta, ndërsa vetëm ka lëshuar ndaj Serbisë, qysh prej vitit 2011. Në ditët tona, marrëdhënia ekonomike thjesht institucionalizon futjen e SHBA në të dy vendet me anë të Institucionit të Investimeve, që SHBA e ka në Ballkan. Në fakt, Serbia që kur u hoq reciprociteti është futur lirisht në Kosovë dhe, madje po e kalon vëllimin e shkëmbimit të mallrave që Kosova e ka me Shqipërinë. Pra, për shkak të asaj marrëdhënie që ka pasur në kohë të Federatës, tregu kosovar është shumë i orientuar ndaj Serbisë dhe kjo është prioritet për të, kurse me futjen e SHBA pritet që investimet të bëhen në fusha strategjike, që gjenerojnë para. Marrëveshja asnjëherë nuk do jetë e plotë derisa Kosova e Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën. Sa i përket njohjes së Kosovës, do kalojnë dhe shumë e shumë kohë dhe ky konflikt do mbetet po kështu i ngrirë; Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe për shumë kohë, për të mos thënë që kjo nuk do ndodhë kurrë. Në këtë vazhdë gjen dhe përgjigjen për pyetjen për faljen: Serbia kurrë nuk do t’i kërkojë falje Kosovës, sepse e quan pjesë të saj.

–Si e shihni ngritjen e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë, e cila do të hetojë ish-ushtarët e UÇK-së për krime lufte, gjyqtarët e së cilës do të jenë ndërkombëtarë? Sa e pavarur pritet të jetë kjo gjykatë në gjykimin e drejtë ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së?

  • Kosova i ka pasur të gjitha mundësitë dhe me instrumentat e huaja, që problematikën e gjyqësorit ta mbyllte në vend, në kohën kur e gjithë bota ishte kundër Serbisë. Por, ndërsa Serbia e kaloi këtë proces në Hagë pasi përcolli një pjesë jo të vogël të kriminelëve të luftës, në Kosovë u shmang me hile, sepse mendohej se gjithçka e ka Haga dhe Kosova u mor me akuzat serbe dhe mbrojti shumë nga figurat e luftës, për të cilët ishte e ndërgjegjshme se kishin probleme në luftë. Ngritja e Gjykatës Speciale është bërë nga vetë Shteti i Kosovës dhe e miratuar nga Parlamenti i saj dhe nuk mund t’i kërkosh askujt përgjigje për këtë që po ndodh. Ndërkohë që ditët e fundit bëri dhe gafën e madhe me dekonspirimin e dosjeve. Sa i përket autoriteve që do gjykojnë: kjo është gjykatë shumë teknike, por që i mungojnë resurset për të gjykuar realisht. Kosovës i ka ardhur koha të thotë disa të vërteta dhe të mos lerë me një kastë që po mban peng Kosovën me pasurimin e frikshëm, duke përdorur si kapital luftën. Askush nuk e përdhos dot luftën e kosovarëve dhe idealistëve dhe sidomos heronjve të Kosovës, që sot janë të vdekur.

–Gjykata Speciale e Hagës ka nisur një valë arrestimesh në Kosovë. Kemi të bëjmë me arrestimet e krerëvë të OVL të UÇK-së, si dhe arrestimin e ish-kreut të UÇK-së, Agim Çeku, si i dyshuar për krime lufte. Si i shihni këto arrestime në Kosovë kur masakrat e palës serbe janë të panumërta  ndaj popullit shqiptar?

-Janë të frikshme sepse tregon sesa i fortë është administrimi i huaj në vend. Ndërkohë që presioni ndaj Serbisë ka qenë dhe mbetet shumë i dobët, sepse, për hir të së vërtetës, Serbia ka më shumë konjuktura ndihmëse në Bruksel sesa Kosova. Për fat të keq, Kosova do të vuajë sërish, sepse për viktimat pak kush është i interesuar t’i zbulojë qoftë në Prishtinë dhe qoftë në Beograd. Shqetësuese është edhe kaosi që mbretëron në institucionet e Kosovës. Njerëzit e OVL dhe të tjerët nuk duhet të dekonspironin dosjet, por duhet të përgatiteshin t’i përballonin denjësisht. Personalisht e vlerësoj shumë Çekun, sepse ka qenë një komandant ushtarak, i përgatitur dhe me dinjitet që ka luftuar përveç Kosovës dhe në hapësira të tjera të ish-Jusgosllavisë me dinjitet.

–Në një kohë kur arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, kemi rrjedhje të dokumentacioneve të Gjykatës Speciale të Hagës, që minojnë punën e saj në vijueshmëri. A mos kemi të bëjmë me ndonjë lojë në prapaskenë?

-Jo, kjo ndodh shpesh në Shqipëri. Është pjesë e kulturës sonë institucionale. Shqipëria ka raste historike të rrjedhës së materialeve dhe Kosovës. Homo albanicus është një qënie që ka mangësi të mëdha dhe që na takon të gjithëve t’i riparojmë dhe t’i kritikojmë, sa i përket besimit. Si e thashë më sipër, materialet nuk duhet të rridhnin, por duhet të na ndihnin drejt përgjigjeve që na duhen. Ndërkohë jam dakord me Ju dhe kuptohet mirë që autoritetet e Kosovës janë përdorur në mënyrën sesi janë përcjellë këto dokuemnta. Është një dorë diabolike që po e dëmton Kosovën dhe me gjoja mbojtjen, duke ofruar aksesin në këto dosje. Fatkeq janë kosovarët e thjeshtë që pranojnë të bihen pre në emër të parimeve.

–Marrëveshja detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, është një nga çështjet më të nxehta në politikën e jashtme. Marrëveshja e parë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në 2009. Greqia pretendon të zgjerohet me 12 milje në Detin Jon, sipas një deklarate të dhënë nga kryeministri grek Mitsotakis. Ka zëra se është përgatitur një draftmarrëveshje, ku Greqia synon të grabisë hapësirë detare shqiptare, ndërsa kryeministri Edi Rama mohon se ka një marrëveshje me Greqinë për detin. A keni një koment?

– Askush nuk është në gjendje të vlerësojë kulisat mes dy vendeve. Por dimë një gjë me saktësi, që Shqipëria nuk ka ende një grup negociator teknikësh dhe kjo është e konfirmuar, ashtu si Gjykata Kushtetuese e mëparshme e ka hedhur poshtë një marrëveshje të tillë, të mëparshme, kurse e reja nuk mund të bëhet në instancë të fundit, pa e kaluar përballjen me këtë instancë. Dhe, ju e dini që krijim i i saj do marrë kohë. E gjithë deklarata greke, e nxituar e kryeministrit grek është shfrytëzuar në Shqipëri më shumë për kapital politik sesa për llogjikën e vërtetë; sesa ne do të përballemi me këtë marrëveshje kur të vijë puna për t’u shqyrtuar. E quaj të tepërt shfrytëzimin e shëmtuar që po i bën opozita dhe lloj-lloj njerëzish që nuk e njohin si procedurë. Personalisht, u besoj më shumë teknicienëve të tipit Pashaj sesa politikanëve të tipit Basha, që e firmosi apo Z.Rama që mundohet të konfuzojë çdo gjë.

–Është shpallur një platformë për Shqipërine Natyrale, para 1913. A do të sillte trazira në rajon ky projekt?

-Shqipëria Natyrale është ajo hapësirë gjeografike e cila përmbledh popullsinë shqipfolëse dhe, madje, edhe vendet nga ku dikur shqiptarët përbënin shumicën. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që ky territor, edhe në skajet më të mëdha tashmë të zbrasuara, ka ende toponime të përcaktuar dhe gjurmë shqiptarësh. Por sot projekti nuk është i mbështetur si duhet dhe ngjan si tejet patetik me angazhimet që vetë shqiptarët kanë dhe mbi të gjitha me dobësinë e skajshme të Tiranës zyrtare që mbahet si Vend Amë. Nëse Shqipëria nuk do të angazhohej në marrëveshjet e ndryshme me BE dhe në rajon por edhe të kishte fuqi ekonomike-ushtarake, atëherë kjo mund të përbënte ndonjë lloj frike për fqinjët. Tashmë edhe ata e dinë dhe thjesht e shfytëzojnë kundër Shqipërisë, kur individë apo struktura flasin për Shqipërinë Natyrale, që shqiptarët e përmbajnë thjesht në memorien e tyre, por që nuk mund të riskojnë për ta arritur, sepse tashmë në plan të parë është integrimi dhe përshtatja me Evropën.

-Ligji i luftës me Greqinë, shpesh herë ka sjellë debate në arenën politike. Greqia deklaron se nuk ka një ligj lufte, pasi është shfuqizuar që në 1987. Cila është e vërteta?

-Shteti grek mban “de jure” në fuqi Ligjin e Luftës Nr. 2636/1940 si dhe disa ligje të tjera problematike  4506/1966 e 1664/1998, ku ne e dimë se Greqia e deklaroi Shqipërinë, si vend aleat me Italinë, një vend armik në 1940 me një dekret mbretëror. Paradoksalisht, Traktati i miqësisë greko-italiane në 1947 e tërhoqi gjendjen e luftës mes dy vendeve, kurse mban për Shqipërinë që ka qenë e pushtuar. Paradoksi është ulëritës. Gjithsesi, në vitin 1971, Greqia dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë marrëdhënieve të tyre, kurse në 1987, Këshilli i Ministrave të Greqisë procedoi një akt që e deklasifikoi Shqipërinë nga vendet armike, duke e konsideruar gjendjen e luftës të përfunduar. Teknikisht, mungon korniza ligjore, pasi bie ndesh me ligjin- dekret 1138/1949 që i referohet vendeve armike, si Shqipëria me këtë rast për ta. Me pak fjalë, Greqia ka probleme ligjore sa i përket marrëdhënies me ne.

-Shteti helen mohon se ka një ligj lufte me Shqipërinë, por çështja çame vijon ende të mbetet e pazgjidhur. Sa seriozisht kanë punuar qeveritë shqiptare për kthimin e çamëve në tokat e tyre?

Në kohën kur është dekretuar Ligji i Luftës me Shqipërinë, çamët ishin shtetas grekë dhe madje luftuan me grekët kundër fashistëve dhe ky ligj s’lidhet me ta. Greqia mbi të gjitha nuk respekton edhe Rezolutën 95 të 11 dhjetorit 1946, që konfirmon parimet e së Drejtës Ndërkombëtare, të njohura nga Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut, por edhe kornizën ligjore që u pasua me Rezolutat e dhjetorit 1966, ku Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka dënuar shprehimisht si krime ndaj njerëzimit shkeljen e të drejtave ekonomike dhe politike të popullsive autoktone, siç është ajo ndaj Çamëve. Të gjitha qeveritë e kanë të pamundura, sepse kauza e çamëve në Shqipëri nuk përfaqësohet si duhet dhe vetë ata janë shumë të përçarë, madje paradoksalisht janë në një grup që kundërshtojnë Ramën me Partinë që i përfaqëson interesat e Greqisë hapur në Shqipëri. Pra, për çamët politikë më interes ka Rama se rifitimi i të drejtave të tyre dhe mbi të gjitha parimet.

–Partia Socialdemokrate e Presidentit Milo Gjukanoviç humb zgjedhjet parlamentare. Edhe pse me numrin më të lartë të mandateve, partitë opozitare u bënë bashkë duke rrëzuar nga pushteti partinë e Gjukanoviç. Këto zgjedhje u zhvilluan në një situatë tensioni për shkak të ligjit fetar. Si e shihni situaten politike në Mal të Zi?

-Shqiptarët po pakësohen në Mal të Zi, si shkak i emigracionit dhe rënies së lindjeve. Madje, llogaritet se popullsia shqiptare në Mal të Zi deri në 2050, mund të ulet ndjeshëm. Për fat, kriza e tyre e religjionit nuk e pret pakicën shqiptare që janë të besimit katolik, por dobëson frymën indipendiste të Malit të ZI. Për fat, mbas presionit ndërkombëtar, pushteti i ri malazez u zotua se nuk do ketë revanshizëm ndaj ish-pushtetit dhe të gjitha ligjet që do të miratohen  me standardet evropiane. Por është ende herët të flitet. E rëndësishme është që Gjukanoviç mori një mësim të mirë dhe partia e tij po ashtu, paçka se nga cilët e morën. Rasti i Malit të Zi është i frikshëm për sa i përket fuqizimit të elementit serb. Besoj që serbët do na dhurojnë surpriza të tjera të hidhura, tashmë që konjukturat e tyre me SHBA-në kanë ndryshuar bindshëm …

Filed Under: Politike Tagged With: Ben Andoni, Bllokohet sistemi i drejtësisise, Eneida Jaçaj

ELMI BERISHA: VATRA RESPEKTON INSTITUCIONET E ZGJEDHURA NGA SHQIPTARËT

October 9, 2020 by dgreca

-TIRANA E PRISHTINA ME AXHENDË TË PËRBASHKËT DIPLOMATIKE-

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” z. Elmi Berisha në një intervistë me gazetarin e DIELLIT  SOKOL PAJA, flet për vizitën e tij në Republikën e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ai tregon për takimet e Prishtinës dhe të Tiranës, për Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Kosovës.

Po ashtu ai sqaron edhe takimin me Kryeparlamentarin socialist Gramoz Ruçi, ish Ministër i fundit i Diktaturës, i akuzuar për vrasjet e 2 prillit.

Z.Kryetar si ndjeheni pas kthimit të vizitave zyrtare në Kosovë dhe Shqipëri?

Mendoj se ishte një vizitë e jashtëzakonshme. Ndjehem shumë mirë dhe shumë krenar. Gëzohem për veten dhe për Vatrën. Kam hasur në një bashkëpunim dhe respekt të jashtëzakonshëm në kuadër të nismës që Vatra ka marrë për të qenë aktive dhe lobuese në dobi të shtetit të Kosovës e Shqipërisë dhe për të të mirën e shqiptarëve në krejt viset ku ata jetojnë e punojnë. Jam respektuar si kryetar i Vatrës prej të gjithë faktorit politik si në Shqipëri dhe në Kosovë, si  nga pozita dhe nga opozita.

Sa mendoni se e kanë përmbushur misionin politik, diplomatik dhe atdhetar këto dy vizita në Tiranë dhe Prishtinë?

Jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme të pandemisë globale. Gjithçka nuk funksionon normalisht. Gjatë gjithë kësaj kohe Vatra është munduar të përmbushë misionin dhe rolin e saj Kombetar, diplomatik në përmbushje të nevojave të Vatrës, komunitetit vatran dhe mbi të gjitha qytetarëve shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri. Jemi duke punuar fort dhe kemi një program dhe axhendë kombëtarë e ndërshtetërore për të ndihmuar reciprocikisht kryerjen e reformave si në Shqipëri dhe në Kosovë. Vatra po luan një rol jashtëzakonisht të madh në këto kohë edhe pse situata globale na ka kufizuar në veprimtarinë tonë. Koha në të cilën jetojmë na obligon fort të jemi sa më afër nevojave dhe rolit të pakursyer diplomatik e atdhetar në dobi të çështjes kombëtare e qytetarëve të kombit tonë. Mendoj se jemi në rrugën  e mbarë. Kemi shumë për të  bërë…

Cilat ishin mesazhet që ju përcollët në emër të Vatrës për shtetarët në Kosovë dhe Shqipëri?

Mesazhi kryesor i Vatrës për institucionet e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë tek liderët  e  skenës politike në të dy vendet ishte uniteti për çështjen Kombëtare, bashkëpunimi, qasja shtetformuese dhe ndihma e të gjithë faktorëve politik për zhvillimin e vendeve tona dhe roli i secilit institucion dhe individ  me peshë politike në kryerjen e reformave dhe në zhvillimin e vëndeve tona si në Shqipëri dhe në Kosovë.  Ndërtimi i një ekonomie të fortë, lufta e pakompromis ndaj krimit dhe fenomeve që ngadalsojnë avacimin dhe zhvillimin e reformave. Qasja diplomatike e përbashkët dhe qëndrimi i njëjtë në raport me dialogun me Serbinë dhe të qënurit bashkë në të gjithë proceset integruese me të cilat përballet shteti i Kosovës dhe Shqipërisë.Kordinim mbarëkombëtar mes dy  vendeve tona. 

Si i vlerësoni hapat e Shqipërisë dhe të Kosovës në proceset integruese euroatlantike?


Hapat e Shqipërisë dhe të Kosovës në proceset integruese euroatlantike janë të ngadaltë e për këtë nevojitet akoma më shumë lobim në Uashington dhe në Perëndim dhe në kancelaritë e vendeve të fuqishme perëndimore. Vatra ka ofruar gjithmonë dhe do të ofrojë eksperiencën, ekspertizën, personalitete profesionistësh te formuara në Amerikë dhe vatranët e spikatur në dobi të përmbushjeve  të reformave dhe të një ndihme më të specializuar në përmbushje të nevojave që kanë institucionet në  Shqipëri dhe në Kosovë. Qeveritë kanë akoma shumë për të bërë. Vatra do ta luajë shumë fort rolin e saj. Për asnjë moment ne nuk do ndalemi me qëllim që të shohim Shqipërinë e  Kosovën  përkrah shteteve më të zhvilluara në Ballkan e në Perëndim.

Roli diplomatik i Vatrës në Shtëpinë e Bardhë, Shqipëria e Kosova a janë më afër apo më larg Uashingtonit?


Roli diplomatik i Vatrës në Shtëpinë e Bardhë është historik. Si kurrë më parë gjatë kësaj periudhe  të ngjarjeve dhe zhvillimeve, Shqipëria e Kosova nuk  e kanë pasur një qasje të tillë në Uashington. Kombi ynë dhe shtetet tona janë më shumë  se ansjëherë tjetër më afër    Uashingtonit. Shqiptarët janë një faktor i paanashkalueshëm. Vatra ka asistuar dhe do të jetë  gjithmonë aty në proceset e mëdha diplomatike, politike  e  zhvillimore të shteteve tona Kosovë e Shqipëri. Ju garantoj se Vatra është shumë e pranishme  në Uashington dhe do të jetë aty me fuqinë e saj lobuese sa në të mirë dhe prosperitetit të Kosovës dhe Shqipërisë. 


Roli diplomatik e specifik i Vatrës në bisedimet Kosovë-Serbi në Uashington, çfarë u diskutua si u këshillua delegacioni kosovar në këto bisedime?

Vatra lëshoi prerazi këshillimin e saj për delegacionin e Kosovës që të jetë unik, që të veprojnë sëbashku si një trup i vetëm pozitë dhe opozitë. Vatra ishte kategorike që të mos preken kufijtë e Kosovës dhe që Kosova të jetë e pavarur dhe e paprekshme në kufijtë që u shpall pavarësia dhe në kufijtë që ajo është njohur botërisht.  


Çfarë përmban memorandumi i mirëkuptimit mes Vatrës dhe Ministrisë së Jashtme e të Diasporës së Kosovës, që ju dhe Ministrja Meliza Haradinaj-Stublla nënshkruat?

Memorandumi i mirëkuptimit mes Vatrës dhe Ministrisë së Jashtme e të Diasporës së Kosovës në thelb është një strategji mbarëkombëtare intgeruese që identifikon të gjitha nevojat tona si komb dhe si shtete në mënyrë që të ofrojmë bashkëpunim dhe ekspertizë  me qëllim që  të  jemi dinjitozë dhe të zhvillojmë politika të përbashkëta zhvilluese në të mirë të kombit e qytetarëve që jetojnë në shtet tona Shqipëri e Kosovë. Qëllimi i këtij memorandumi është qëllimi i vullnetit të  mirë dhe bashkëpunimit e lobimit reciprok në proceset zhvilluese dhe integruese. Ne do të ofrojmë për shtetin e Kosovës dhe të Shqipërisë ekspertët tanë, akademikë, profesorë, kërkues shkencorë në përmbushje të nevojave që do të paraqiten në raport me nevojat dhe proceset zhvilluese. 
–A jeni konsultuar me Strukturat drejtuese të Vatrës, Kryesinë e Këshillin për axhendën diplomatike në Shqipëri dhe Kosovë?


Sigurisht që jam konsultuar me Strukturat drejtuese të Vatrës, Kryesinë e Këshillin për axhendën diplomatike në Shqipëri dhe Kosovë. Që pas ardhjes sime në krye të Vatrës axhenda e kryetarit dhe Federatës së Vatrës ka qenë në rakordim të plotë dhe e miratuar prej të gjitha strukturave drejtuese  të Vatrës. Asnjëherë nuk janë anashkaluar strukturat dhe gjithmonë do të pyetën. Për shkak të pandemisë globale dhe kushteve të jashtëzakonshme të fluturimit  dhe protokolleve  shtetërore të  masat parandaluese të Covid-19, kësaj herë kam udhëtuar i vetëm  në Shqipëri dhe Kosovë por në kushte normale gjithmonë do kem përfaqësinë më dinjitoze të Vatrës në çdo strukturë të saj në çdo takim politik, diplomatik dhe atdhetar. Kësaj herë udhëtova i vetëm sepse nuk doja të rrezikoja jetën e miqve, bashkëpunëtorëve dhe drejtuesve të Strukturave drejtuese të Federatës Vatra. Unë veproj si Institucion, unë veproj si Vatër, kudo ku kam shkuar kam paraqitur Vatrën. Por nevojat dhe rregullat strikte të autoriteteve ndërkombëtare shtetërore e shëndetësore më detyruan të mos kem me vete bashkëpunëtorët më të afërt dhe përfaqësuesit më të nderuar të  Vatrës.  Mesazhet në Prishtinë dhe në Tiranë kanë qenë mesazhet e drejtuesve dhe e strukturave të Vatrës dhe mesazhet publike atdhetare  e diplomatike që ka  anonçuar Vatra. Unë gjithçka e kampublike të deklaruar në Vatër. Nuk ka asgjë përtej publikes dhe nismave politike e diplomatike të Vatrës.     

Çfarë ju tha Doktor Sali Berisha në darkën e shtruar në nderim të vizitës suaj në Shqipëri?

Doktor Berisha shprehu vlerësimet maksimale për Federatën Panshqiptare Vatra. Ai u shpreh falenderues dhe entuziast për gjithçka ka bërë Vatra dhe projektet e saj në vazhdim. Unë e informova doktor Berishën për veprimtarinë dhe axhendën kombëtare që ka Vatra në vazhdim. Doktor Berisha ishte shumë i emocionuar dhe më shprehu përkrahje të jashtëzakonshme. Ishte në pajtueshmëri dhe në të njëjtën linjë veprimi diplomatike me veprimtarinë e Vatrës. Dua ta falenderoj doktor Berishën, Bashën dhe Partinë Demokratike në Shqipëri si mbështetëse dhe përkrahëse e fortë e filozofisë, punës, e misionit politik e diplomatik të Vatrës. 


Jeni takuar me Ministrin e fundit të Diktaturës shqiptare, kryeparlamentarin Ruçi, kjo ka shkaktuar zemërim te vatranët e përndjekur nga regjimi komunist, cili është shpjegimi juaj rreth këtij takimi?

-Ky ishte një takim diplomatik e kortezie. Unë jam kryetar i një organizate mbarëshqiptare. Unë nuk mund të veproj me dy standarte. Unë  si Vatër, si institucion takoj  institucione, jo individë. Ruçin  aty ua gjeta aty ua lashë. Unë respektoj ato institucione që janë zgjedhur me votë nga qytetarët  e  Shqipërisë dhe të Kosovës. Nëse ka pasur vatranë të prekur më vjen keq por këta Vatranë kanë mundësinë dhe duhet që të influencojnë në Shqipëri e Kosovë që familjarët dhe qytetarët e këtyre dy shteteve të zgjedhin një qeverisje më të mirë e më dinjitoze. Unë jam në  diplomaci që tash 30 vjet. Kurrë në parimet e mia nuk ka qenë standarti i dyfishtë në diplomaci apo veprimtaritë patriotike e atdhetare. Është koha të ecim përpara. Është koha për paqe dhe zhvillim. Është koha të ringrihemi nga e kaluara dhe të shohim përpara. Edhe unë kam 6 familjarë të vrarë e te zhdukur nga regjimi serb por kjo s’më pengon për tu ulur në bisedime  me Serbinë me qëllim prosperitetin dhe zhvillimin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Prezencën  e Vatrës në Uashington nuk  mund ta rrezikoj duke vepruar keq diplomatikisht. Vatra duhet të respektojë ato institucione që shqiptarët i kanë zgjedhur me votën  e tyre. Vatra nuk takon  individë, Vatra takon institucione. Vatra nuk saboton apo sulmon ato institucione që i ka njohur Uashingtoni apo Perëndimi. Vatra do të respektojë gjithmonë institucionet  e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë perderisa ato janë votuar nga qytetarët. Nuk është etike, diplomatike, patriotike dhe totalisht jo perëndimore dhe në frymën e Uashingtonit që të sulmojmë institucionet e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë pavarësisht se nga kush drejtohen. Vatra nderon e  respekton institucionet e votura. Nëse unë anashkaloj institucione të pranuara nga perëndimi dhe të votuara nga populli, kam bërë një hap fals në diplmaci. Kam 30 vjet në diplomaci aktive në Uashington.  Standartet e dyfishta janë të papranueshme në diplomaci. Unë dua të kuptohem dhe të mirëkuptohem për këtë axhendë si në Kosovë dhe në Shqipëri. 


Si e vlerësoni punën e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë në përballje me pandeminë globale Covid-19?


Ka  qenë një situatë shumë e rëndë dhe e vështirë për të dyja këto shtete. Kanë bërë maksimumin brënda kapaciteteve por  është dashur edhe më shumë. Shpresojmë që situata të normalizohet sa më shpejt dhe jeta të kthehet në shkëlqimin e saj si më parë. Sapo të kthehemi në normalitet Vatra do jetë aty me ekspertët e saj më të mirë në ndihmë dhe rimëkëmbje të instituteve dhe instucioneve shëndetësore e shtetërore.  


Si e vlerësoni përformancën informative dhe analitike të gazetës Dielli përgjatë pandemisë globale Covid-19?

Gazeta Dielli ka bërë një punë fantastike. Një performancë  ekslente. Na ka bërë të gjithëve  krenarë me atë që ka paraqitur në faqet e saj dhe formatin online. Si kurrë më parë në këtë periudhë mendjet më të ndritura dhe ekspertët shqiptarë më të spikatur në  botë  dhanë një  ekspertizë shumë të vyer për lexuesit dhe vatranët. Ne jemi shumë krenar për këtë. Ky ishte një moment krenarie për këtë gazetë shekullore. Kryeredaktori i saj z.Greca me bashkëpunëtorët e tij punuan e vepruan pa u ndalur. Ata meritojnë nderimet e mia më të thella dhe respektin e gjithë komunitetit e vatranëve. Dielli shëndriti kudo dhe këdo. Dielli na përfaqësoi në mënyrë brilante.

Jeni vlerësuar nga Universiteti Luarasi me  Titullin e lartë “Honoris Causa” dhe keni  nënshkruar një kontratë për sponsorizimin e kolanës së historisë së Vatrës në 5 vëllime , si ndjeheni pas këtij rezultati personal dhe vatran?

Ishte një surprizë jashtëzakonisht e këndshme. Nuk e kam pritur. Ndihem i respektuar dhe i privilegjuar. Do ta mbaj me krenari dhe dinjitet këtë nderim shumë të lartë. Ky është një titull që nderon Vatrën dhe kontributin e saj historik. Nënshkrimi me miqtë e mi sponsorizues dhe Akademikun e nderuar Prof. Dr. Beqir Meta për kolanën e historisë së Vatrës me 5 vëllime i jep një dimension të ri shkencor Vatrës, veprimtarisë, historisë dhe rolit e kontributit të saj historik në dobi të çështjes kombëtare shqiptare. Gjatë qëndrimit tim në Tiranë u mundësuan nga miqtë e mi 20 mijë dollarë për të përmbushur një detyrim të jashtëzakonshëm të botimit të historisë  së Vatrës. Suksesi  i Vatrës është një sukses për të gjithë shqiptarët. Sapo të kthehemi në normalitet së bashku me një përfaqësi të gjërë të Vatrës do të vizitojmë Tiranën e Prishtinën për të parë nga afër ecurinë e sukseseve, përparimin e vendeve tona dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara. Kjo është Vatra e shekullit të 21 që respekton qeveritë e zgjedhura me vota  demokratike. Ne do të lobojmë e influencojmë  në qëllim të mirë të axhendës kombëtare  patriotike  në Perëndim dhe Uashington.  

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Interviste, Sokol Paja

Euro 2020-Maqedonia e Veriut”shuan”ëndrrën Kosovare 2-1

October 8, 2020 by dgreca

Bernard Challandes:”Nuk jap dorëheqje”.-

-15-të shqiptarë sfidojnë njëri-tjetrin në fushën e lojës, fati u buzëqesh vëndasve, të cilët kërkojnë biletën e parë pas 27 vjetësh ekzistencë….  

Përgatiti: Albano Kolonjari-

Ëndra e Kosovës për t’u kualifikuar në Euro 2020, më pak se pesë vjet pasi ata u pranua në futbollin ndërkombëtar, përfundoi me një  humbje 2-1 nga fqinjët e Maqedonisë së Veriut të enjten në mbrëmje në “National Arena Todor Proeski” të Shkupit.  Goditja me kokë e minutës së 33-të nga Darko Velkovskit gjynjëzoi kosovarët dhe u dha të drejtë maqedonaseve të synojnë vetë të kualifikohen për në turneun e parë të madh në historinë e tyre 27-vjeçare. Por për të siguruar biletën përfundimtare Maqedonia e Veriut do të përballen me Georgjinë muajin e ardhshëm për një vend në Europian 2020, i cili do të zhvillohet vitin e ardhshëm.   

Lojtarët e Kosovës u rrëzuan në fushë me ankth dhe lot në sy ndërsa gjyqtari kryesor i takimit Danny Makkelie frynte bilbili e fundit, ndërsa trajneri i ekipit vendas Igor Angelovski nxitoi në fushë duke mbajtur një flamur maqedonas.

Kosova, u pranua si anëtare e futbollit Evropian UEFA, dhe më pas organizatës botërore të futbollit FIFA, në vitin 2016 pas një fushate të gjatë. Kosovarët zhvilluan ndeshje të jashtëzakonshme dhe në 15-të prej tyre ngelën të  pamposhtur gjatë viteve 2018-19 . Por për t’u kualifikuar në Europian duhet te luanin në playoff dhe shorti i vendosi përballë fshqinjëve të tyre Maqedonisë së Veriut. 

Kosovës i mungonin disa lojtarë kryesorë në këtë ndeshje

Mbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani nuk u la i lirë pasi skuadra e klubit të tij u urdhërua të izoloheshe  pasi  dy lojtarë të Napolit dolën pozitive COVID-19 javën e kaluar, ndërsa mesfushorët Hekuran Kryeziu dhe Milot Rashica por  sulmuesi Vedat Muriqi lajmëruan se ishin të dëmtuar. Maqedonia e Veriut ishte pa Elif Elmas pasi edhe ai ishte në mesin e lojtarëve të Napolit të dalë pozitiv për COVID-19.

Kosova bëri një fillim të mirë,  por ishte e pafat në fillimin e ndeshjes, kur goditjen e gabuar të Stefan Ristovskit e devijoi mbrojtësi Benjamin Kololli duke realizuar një autogol pas 16 minutash lojë.  Në të 29 minutë, portieri i Maqedonisë së Veriut Stole Dimitrievski nxitoi për të pastruar zonën e tij, por humbi kontollin e sfreës së rrumbullaktë dhe Florent Hadergjonaj që ndoqi lëvizjen e çoi topin në formën e  parablës nga 25 metra duke barazuar në 1-1.

Maqedonia e Veriut  rifitoi epërsinë katër minuta më vonë, kur Velkovski u ngrit me kokë nga një goditje e lirë duke shënuar golin e dytë për vendasit.

Pjesa e dytë ishte gjithnjë e më e acaruar dhe nervoze, megjithë se Kosova për pak sa nuk rrëmbeu barazimin në kohën shtesë kur goditja e Fidan Aliti u bllokua nga Dimitrievski në një distancë shumë të afërt.  Maqedonia e Veriut kishte ne formacionin e saj të parë katër shqiptarë, Visar Musliu, Arijan Ademi, Enis Bardhi dhe Egzijan Alioski. Prandaj kjo ndeshje mund të quhet edhe si një derbi midis shqiptarëve. Gjithsesi është e trishtueshme kur shikon që shqiptarët luajnë kundër njëri tjetrit dhe nuk krijojnë një Kombëtare të madhe, sic është rasti i shqiptarëve që luajnë me Shqiperinë, Kosovën, Maqedonine dhe Zvicrën. Kosova ka 358 ditë pa shënuar fitore, e fundit ishte ajo e 14 tetorit të vitit të kaluar kundër Malit të Zi. “Trajneri gjithmonë e merr përgjegjësinë për rezultatin. Kemi luajtur dobët ndaj Greqisë dhe Maqedonisë, por mos harroni, ne nuk jemi Franca apo Gjermania. Nuk e shikoj me vend të jap dorëheqjen”,  u shpreh traineri i Kosovës Bernard Challandes ”.

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari, Kosove 1, Maqedoni 2

SHQETESIM I DACICIT:GJETJA E VARREVE MASIVE NE SERBI…

October 8, 2020 by dgreca

-MINISTRI I JASHTËM SERB DACIQ SHUMË I SHQETËSUAR RRTH
MUNDËSISË SË GJETJES SË VORREVE MASIVE TË KOSOVARËVE DHE KROATËVE –

Përgatiti për Diellin: Gjon KADELI-


Gjatë nji interviste që ministri i jashte serb Ivica Daciq pati me “TV Happy” foli edhe rreth marrëveshjes që u nënshkrue ne Uashington ndërmjet udhëheqësit të Kosovës Avdulla Hoti adhe atij serb Aleksander Vuciq.Në atë intervistë Daciq tha edhe këto “të mos merremi me amerikanët, gjermanët e turqit, po të merremi me cfarë të bajmë me serbët që po u tregojnë shqiptarëve dhe kroatëve se ku gjenden vorret masive nëpër Serbi të atyne që u vranë gjatë luftës.
Drejtori i emisionit televiziv i tha Zotni Daciqit se “të gjitha historitë e zeza për Serbinë kanë dalë nga Beogradi”.
Gjatë gjithë kohës që janë zhvillue bisedimet ndërmjet përfaqsuesve të Kosovës dhe të Serbisë, asht vu re se pala serbe,herë mbas here paraqet cështje të ndryshme me qëllim që pala kosovare të bajë lëshime në bisedime që janë shumë të damshme për Kosovën; edhe për faktin e pamohueshëm se Serbia e filloi luftën me Slloveninë, me Kroacinë me Bosnjën dhe ma në fund edhe me Kosovën.
Përsa i përket luftës kundër Kosovës, Serbia deshti t’a shkatrrojë plotsisht Kosovën.Me këto lufta Serbia tregoi qartë qëllimet e saja pushtuese. Luftrat në fjalë, me përjashtim të Sllovenisë ,ishin tepër shkatrruese. Në vazhdim po vej në dukje disa të dhana.
Përsa i përket Kosovës u vranë rreth 13 mijë vetë, u zhdukën pa ndonjë shenjë më shumë se 1600 vetë e me mija të tjerë u plagosën, e gadi i milionë banorë u detyruan të linin shtëpitë e tyne e të shkonin në drejtim të Shqipnisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Masakra e Recakut thuhet se ishte ma mizore e kohëve moderne, ku pati rast që të paktën nji personi ia prenë qafën.
Damet materiale: U shkatrruen ma se 100 mijë shtëpi shqiptarësh ,rreth 88 mijë stalla dhe objekte ndihmuese, 350 shkolla, 30 shtëpi kulturore, 93 biblioteka dhe 220 objekte kulti fetar (xhamija, teqe, tyrbe e kisha)
Gjatë luftës në Bosnjë: Masakra e Srebrenicës ku u vranë si grup 8000 djem e burra, ishte ma e pergjakshmja e më barbare që nga LDB. Numri I përgjithshëm i të vramëve ishte mbi  100 mjië vetë, që për nji popull të vogël si ai Boshnjak ishte shumë i madh. Me qinda e e qinda mijë njerëz u dëbuan nga shtëpitë e tyne, me nji fjalë Bosnja u damtue jashtzakonisht randë në cdo pikpamje. Përvec këtyne serbët e Bosnjës ,mbrenda nji kohe të shkurtë formuen të ashtuquejtunën “Republika Serbska” (Republikën Serbe) e cila asht kukull e Serbisë, e që
pretendon të bahet e pavarun.
Edhe në Kroaci u banë dame si në njerëz dhe në materiale por për këtë nuk kam të dhana. Megjithë këtë qyteti i Vukovarit u shkattrue pothuejse krejt dhe ku u banë vrasja tejet barbare. Edhe njerëz që ishin të shtrue në spital u morën ka spitali dhe u ekzekutuen barbarisht.
Të gjitha këto ngjarje tejet të dhimbshme i kanë burimet te mënyra se si Serbia për vjete me radhë i trajtoi popujt e ndryshëm që kishte nën kontroll si sllovenët kroatët, boshnjakët e sidoemos shqiptarët; e kur ata filluen të kërkoshin të drejtat e tyne.  Kroatët përdorin një shprehje lidhur me këtë: “Hrvati radi i Beograd se izgradi “( kuptimi:Kroatët punojnë për të ndërtue Beogradin)’.
Tuej marrë parasyshe të gjitha këto të dhana, edhe pse asht tepër vonë, Serbia duhet të kërkojë falje për të gjitha krimet tejet barbare që ka ba kundër popullit kroat, boshnjak dhe shqiptarëve të Kosovës. dhe te paguaj dëmshpërblimet e luftës që ajo filloi kundër tyne.
Për këtë gja Serbia duhet të marri si shembull Gjermaninë, e cila bani nji vepër shumë me randsi, tuej marrë përgjegjsinë e vet për L.D.B.,duke iu kërkue falje të gjithë popujve që u kishte shkaktue tragjedi dhe u angazhue të paguente damshpërblimet e luftës.
Prandaj, në qoftë se Serbia vazhdon me qëndrimin që ka mbajtë deri tashti, do të jetë shumë vështirë që në Ballkan të krijohet nji atmosferë e përshtatshme për marrëdhanie normale ndrëmjet vendeve ballkanike dhe që ato të mund të bajnë përparimin e tyne aq të dëshrueshëm për  popujt e vendeve në fjalë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, Shqetesimi i Daciqit, Varret masive

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • …
  • 37
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT