• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2020

Krishtlindja me Shën Nënën Tereze

December 26, 2020 by dgreca

Nga Don Lush GJERGJI/

Shenjtëresha e jetës dhe dashurisë, Shën Nëna jonë Tereze, kishte një përshpirtëri të veçantë ndaj Krishtit të Vogël, lindjes së Tij në shpellën e Betlehemit. Ajo gjithnjë i ftonte motrat e saja “Misionaret e Dashurisë”, nëpërmjet tyre edhe neve, mbarë botë, që ta pranojë këtë Dhuratë të Qiellit, Foshnjën hyjnor, në stilin e Virgjërës Mari, me fe të gjallë dhe dashuri vepruese.

Ja disa tekste, porosi dhe propozime të Nënës Tereze për ne sot:

“Lindja e Jezusit në Betlehem i solli botës dhe çdo zemre njerëzore gëzim. I njëjti Zot bëhet Njeri – Fëmijë, vjen në zemrat tona në kungim.

 Ai dëshiron të na dhurojë vetveten, duke ardhur në zemrat tona. Me gëzim dhe paqe.

Të lutemi shumë, që ta marrim këtë hir për zemrat tona, për bashkësitë tona, për Kishën dhe për botën mbarë. Të lutemi, që të jemi të gatshëm ta pranojmë Jezusin për Kërshëndella – jo në shpellën e ftohtë të grazhdit të zemrës sonë, por në një zemër plot me dashuri dhe përvujtëri, një zemër të nxehtë të dashurisë së ndërsjellët, siç ishte ajo e Marisë.

Unë nuk mund të paramendoj asnjë ditë, orë, çast, pa Jezusin. Ai është jeta ime, dashuria ime, gjithçka për mua. Ai erdhi në botë për ta sjellë Lajmin e Mirë, që Zoti na do, që Zoti është Dashuri, që më do mua dhe ty, dhe që ne duhet ta duamë njëri-tjetrin ashtu si na do Ai ne.

Kure shikojmë grazhdin e Betlehemit, kuptojmë si na do, duke vuajtur. Në kryq  me gjak dhe dashuri, është vulosur dashuria e Tij për mbarë njerëzimin. Nuk mjafton ta duam Jezusin në Eukaristi, por duhet ta duam edhe në vëllain apo motrën njeri.

Kur meditojmë për kryqin e tij, kuptojmë si na ka dashur: vdiq në kryq, sepse na donte dhe dëshiron që edhe ne ta duam njëri-tjetrin. Ai na ka dashur dhe na do gjithnjë, e ne?

Në Betlehem të gjithë ishin plot me gëzim: barinjtë, engjëjt, mbretërit, Jozefi dhe Maria. Gëzimi ishte shenjë karakteristik i të krishterëve të parë. Gjatë përndjekjeve rrezatonte në fytyrat e tyre gëzimi.

Edhe ne duhet të jemi plot gëzim, dhe ta bartim gëzimin e dashurinë e Zotit te tjerëve.

Gjëra më e bukur e Marisë ishte, kur Jezusi hyri në jetën e saj, ajo me shpejti shkoi në shtëpinë e Elizabetës për t’ia dhënë Jezusin asaj dhe birit të saj ende të palindur, Gjonit. Maria ishte një misionare e vërtet, sepse nuk pati frikë të vihej jo vetëm në shërbim të Zotit, por edhe ndaj Elizabetës, duke krye punë të një shërbëtores… Këtë shërbim ajo e bën edhe sot, për mbarë botën dhe Kishën, për çdo njeri.”

Duke menduar për vrasjen e fëmijëve të pafajshëm, të pambrojtur, nga ana e prindërve, ajo me zemër zë plasur, duar të hapura kah Qielli, e tha  dhe e dha këtë porosi dhe uratë:

“Varfëria më e madhe në botë është mungesa e dashurisë. Dështimi është nisja e të këqijave në botë. O Zot, na jep këtë hir që të ndërpritet vrasja e fëmijëve në kraharorin e nënave në botë. Virgjëra tejet e shenjt, ti që e ke pranuar me aq dashuri Jezusin Fëmijë, ndihmo dhe mbro të gjitha nënat e botës nga mëkati i dështimit.”

“Dikur Jezusi lindi në shpellën e Betlehemi. Sot lind në altar, në Meshë, Eukaristi, që ne të jemi Tabërnakulli i gjallë dhe veprues i pranisë dhe dashurisë së Tij në mesin tonë. I krishteri është Tabernakulli i Zotit të gjallë… T’i ndihmojmë njerëzit që ta zbulojnë, njohin dhe duan Krishtin në ata që vuajnë… Kujdesi për të tjerët është fillimi i shenjtërisë…

Çfarë mrekullie: Zoti e ka vendosur mbarë botën në duar të Marisë. Prej Marisë duhet të mësojmë: për të dashur, si na do Jezusi ne. Për të qenë fryt gëzimi, ashtu si është Ai. Për të qenë më afër Asaj, si ishte Ai. Për t’i ndarë të gjitha me Te, edhe kryqin, si shenjë e përkatësisë me Krishtin”.

Si përfundim i këtij meditimi: Me Shën Nënën Tereze për Kërshëndella, ja disa porosi shumë aktuale të saja për botën e sotme:

“Gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim.

Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.

Veprat e dashurisë janë vepra të paqes.

Dashuria e shëron vetminë

Uria më e madhe e jetës është dashuria.

Me Zotin – Dashuri edhe ne gjejmë vëllain apo motrën njeri.

Mishërimi i JezuKrsihtit është “hyjnizimi” i njeriut.

Kur nuk ke asgjë, atëherë dhuron gjithçka, vetveten.

Të gjithë njerëzit janë vëllezër – motra, sepse jemi të krijuar nga dora e dashur e Zotit. 

Jeto me dashuri dhe për dashuri, dhuro dashuri, ji ti Dashuri.” 

Krishtlindja nuk është vetëm një datë

Është Krishtlindje çdo herë

kur i buzëqesh vëllait

dhe e  merr për dore.

Është Krishtlibdje çdo herë

kur je në heshtje

për ta dëgjuar të afërmin.

Është Krishtlindje çdo herë

kur nuk i pranon ato parime

që i robërojnë të ndrydhurit

në skajet e shoqërisë.

Është Krishtlindje çdo herë

kur shpreson me ata që s’kanë shpresë

në varfërinë fizike dhe shpirtërore.

Është Krishtlindje çdo herë

kur pranon me përvujtëri

kufizimet dhe dobësitë tua.

Është Krishtlindje çdo herë

kur ia mundëson Zotërisë që të rilind te ti

për ta dhuruar të tjerëve.

[Nëna Tereze]

(Kortezi- DRITA)

Filed Under: Featured Tagged With: Don Lush Gjergjin, Krishtlindja

Jo-legjitimët

December 26, 2020 by dgreca

Astrit Lulushi

Nga Astrit Lulushi/

Të majtët në pushtet vazhdojnë të përdorin dhunën. Kjo lë të kuptohet se pushteti që mbajnë nuk është i ligjshëm. Komunistët do të kishin dashur të vinin në pushtet me revolucion, si ai i Leninit. Kjo do t’u kishte dhënë edhe legjitimitetin e pushtetit, dhe krimet e tmerrshme të mëpastajme ndoshta nuk do të kishin ndodhur, as dhuna e tanishme policore. 
Pasi gjermanët, më 1944, ikën, Shqipëria mbeti pa qeveri, politikisht ishte bosh; komunistët e shpallën veten çlirimtarë, sepse pushteti u mbeti në duar. Ata filluan një fushatë të hakmarrjes, pasi e kuptuan se në sy të të tjerëve nuk e meritonin pushtetin, e ndjenin veten të pa-legjitimë; u duhej të krijonin armiq dhe të dilni fitimtarë ndaj tyre; kështu mendonin se do të lehtësoheshin nga barra e kompleksitetit.
Mes viktimave të para të raprezaljes e terrorit ishin personat, tregtarë e fermerë, të cilët me punë e zotësi kishin vënë një farë pasurie. Plaçkitësit e hajdutët në çeta të udhëhequra nga anarkistë, rrugaçë e aventurierë të sëmurë me maninë e madhështisë, zbritën nga malet, zunë shtigje e vunë prita, ndaluan çdo njeri të dilte nga vendi. Shqipëria u kthye në një gropë të përbashkët me viktima të gjallë e të vdekur, pa varr të vetin e pa emra. Mbi mbarë vendin frynte era e keqe e përndjekjeve dhe pushkatimeve; njerëz kufoma me panje të friksuar të ekspozuar në publik qëlloheshin e ndoteshin nga turmat. Partizanë në grupe hynin në çdo shtëpi e lokal, dhe tërhiqnin zvarrë pa shkak njerëz, pa i njohur, vetëm se shprehja e fytyrës së tyre nuk u pëlqente, ose sepse shtëpitë i kishin luksoze a vila të ndërtuara me punë e djersë, dhe ua rrëmbenin.
Shumë prej tyre mblidheshin për t’u ekzekutuar; të tjerë gjykoheshin shpejt në gjykatat e improvizuara me drejtësinë e kolektivit a sheshit. Vrasjet ishin të shpejta dhe shpesh përfshinin të pafajshëm. Ata që njiheshin hapur si armiq të komunizmit u vranë; gratë, fëmijët e familjarët e tyre u dënuan me burgime të rënda e internime; dhe këta nuk ishin të sigurt për jetën. Kishte mes tyre edhe ish-partizanë e ish-komunistë, për të cilët, për ironi e keqardhje, fjala e fundit para skuadrës së pushkatimit ishte “Rroftë Enveri, Rroftë Partia”. Disa ishin lloji i heronjve të minutës së fundit që shtuan radhët e partizane, pasi luftimet e vërteta kishin mbaruar. Të tjerë ishin kriminelë që përdornin statusin e tyre të ri “patriotik” për të shantazhuar tregtarë të pasur, biznesmenë, ose pronarë tokash, për të plaçkitur pronat e tyre.
Në Shqipëri, hakmarrja komuniste kishte axhendë politike; ishte një zgjidhje që morri emrin ‘luftë e klasave’. Komunistët i panë spastrimet si të domosdoshme që të mbijetonin dhe sulmuan tregtarët që nuk paguanin detyrimet që u kërkoheshin, përveç taksave që i kishin paguar; fermerë që nuk dorëzonin prodhimet e tepërta; dhe intelektualët që akuzoheshin për bashkëpunim me ambasada perëndimore; këta u panë si shënjestra të ligjshme për të mbrojtur pushtetin.
Si zakon për krenarinë partizane, parada organizoheshin, me komandantët aleatë rusë a jugosllavë përkrah në tribuna, që merrnin përshëndetjen e njësive ushtarake të zbukuruar me shalle të kuq, simbol i besnikërisë ndaj të kuqve, ndaj komunizmit, dhe jo ndaj vendit. 
Në këmbim të shtrirjes së perandorisë së tij në Evropën Qëndrore e Lindore, Stalini ra dakord të linte Mesdheun për Perëndimin. Më pas Shqipëria do të mbetej vetëm, por lufta e klasave apo hakmarrjet vrasëse vazhduan; frika dhe ndjenjat e dyshimta të tradhtisë nuk do të shuheshin; dhe në disa raste e forma do të vazhdonin edhe në shekullin XXI. 
Pa mohuar krejtësisht atë ideologji që i sundoi 45 vjet, pra, pa një de-komunistizim të sinqertë, Shqipëria nuk bëhet as për 30 vjet të tjera. Pas kësaj, nuk dihet se ç’mund të ndodhë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi, Jo-legjitimët

VAKSINIMI I POPULLSISË SI DOMOSDOSHMËRI PËR TË SHPËTUAR NJERËZIMIN NGA VIRUSI

December 26, 2020 by dgreca

Dr. Gani Zeka mjek internist në spitalin multidisiplinor Gliwicach në Poloni, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën DIELLI, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, analizon Poloninë në betejën anti – Covid, situatën e shqiptarëve në Poloni, përpjekjen e shtetit polak për të siguruar vaksinat anti-Covid dhe shpjegon rrezikun e virusit që ka pësuar mutacion në Angli. Me doktor Gani Zekën bashkëbisedoi gazetari i DIELLIT, Sokol Paja. 

POLONIA NË BETEJËN NDAJ COVID-19 DHE VAKSINIMI

Polonia po i merr të dy vaksinat kundër Covid-19 si Modernan dhe Pfizerin. Shteti polak si fillim do marrë 60 mijë vaksina ndërsa të nevojshme pritet të kemi deri 60 milionë vaksina për krejt popullsinë, gjithçka varet fuqia e kompanive. Në rakordim me BE duhet respektu marrëveshja që kanë bërë shteti dhe auoritetet polake me vendet e unionit. Edhe pse shteti polak privatisht nëpërmjet kontraktorëve synoi privatisht të siguronte doza më të mëdha vaksine seç ka thënë BE në marrëveshjet mes shteteve në raport me numrin e banorëve. Në Poloni shoqëria është shumë e përçarë pasi partia në pushtet ka shkaktuar disa padrejtësi në raport me pjesën tjetër të popullsisë opozitare. Gati gjysma e popullsisë në poloni ka kundërshtuar marrjen e vaksinës anti-Covid. Ka ma shumë optimizëm rreth rëndësisë së vaksinës te popullsia inteligjente dhe e formuar por shumë veta kanë shfaqur mungesë besimi, hezitim dhe kundërshti përsa i përket zgjidhjes së pandemisë nëpërmjet vaksinimit. Qeveria polake është nacionaliste, konservatore dhe kundër emigranteve. Emigrantët i kanë sjellë shumë dobi Polonisë, qasja e qeverisë është e padrejtë. Kjo shoqëri dhe ky shtet ka nevojë për gjak të ri dhe energji të reja. Vaksina kundër Covid-19 është shumë e sigurtë. S’ka anjë efekt anësor dhe do jetë e vetmja rrugë për të shpëtuar njerëzimin nga pandemia globale.  

MUTACIONI I VIRUSIT NË ANGLI

Mutacioni në Angli na detyron menjëherë që të shuajmë burimet e infektimeve. Me mutacionin e pësuar, virusi bëhet edhe më agresiv. Mutacioni në Angli është tepër i rrezikshëm dhe mund të depërtojë kudo dhe ka një aftësi të tmerrshme për tu futur në organizëm të njeriut. Ai sulmon të parën mushëkërinë dhe më pas shkatëron individin. Vaksinat kanë shumë sukses ndaj virusit dhe mutacionit. Nëse nuk ndërhyhet me vaksinim, bota do shkojë në kolaps total. Nëse nuk marrim vaksinën do të shuhet njerëzimi. Vala e tretë dhe e katërt do i ketë mbytur të gjithë njerëzit. Është kohë emergjente. Specialistët e shëndetësisë, intelektualët dhe gazetarët duhet të qëndrojnë larg konspiracioneve, larg dyzimeve, larg idjotësive por të inkurajojnë publikisht vaksinim të menjëhershëm të popullsisë. Vetëm vaksina na shpëton. Nuk duhen dëgjuar skeptikët dhe konspiracionistët, nuk duhet dizinformuar publiku por duhemi vaksinuar komplet si popullsi globale, sa më shpejt që të jetë e mundur. Duhet të dalim nga primitivizmi dhe injoranca. Duhët të mos manipulojmë por ti nxisim dhe ti sqarojmë njerëzit që ta marrin këtë vaksinë. Çdo person që refuzon vaksinimin është një bombë me sahat në shoqëri. Ky i pa vaksinuar nëse infektohet rrezikon veten e tij, rrethin e vet të ngushtë dhe krejt shoqërinë. Vaksinimi duhet të jetë i detyrueshëm për çdo njeri, deri në masën e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, duke vënë kufizime si: mosdalje jashtë shtetit, kufizime në shërbime të ndryshme me qëllim që çdo njeri të kuptojë rëndësinë e vaksinimit në mënyrë që të shpëtojë veten dhe shoqërinë.

SHQIPTARËT Ë POLONI

Përgjatë gjithë periudhës së pandemisë të gjithë bashkëkombasve të mi shqiptarë u jam gjendur pranë me ndjekje klinike, këshilla të vazhdueshme, dhe ilaçe. Shqiptarët në Poloni kryesisht gjenden më shumë në qyetet Varshavë, Krakovë, Katovicë, Poznan, Kelc, Vroclav etj. Fatmirësisht me informacionin që disponoj, asnjë shqiptar nuk ka ndërru jetë nga Covidi. Kemi bashkëpunuar shumë si mjekë dhe pacientë për ta kalu këtë rrezik global. Popullsia shqiptare në Poloni është rreth 1 mijë banorë. Secilit për çdo gjë i kam ofruar shërbim të specializuar. Në Poloni ka 4 mjek shqiptarë që i shërbëjnë komunitetit dhe i kam nën kontakt për çdo nevojë. Shqiptarët në Poloni merren me punë të ndryshme, profesionet janë kryesisht inxhinjerë, punonjës shëndetësorë, punëtorë bujqësie e ndërtimi, fusha e restoranteve etj. Jam në bisedime me shtetin polak dhe kam marrë garanci prej autoriteteve për të sjellë 100 mjekë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Presheva, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi për ti sjellë në Poloni për të marrë licencën mjekësore europiane në Poloni. Marrëveshja që po realizojmë me shtetin polak synon marrje në specializim dhe përgatitje për tregun europian të punës. Do jetë një hap i madh për mjekët dhe një arritje e madhe. Shqiptarët kudo ku kanë shkuar kanë sjellë dobi e kanë bërë punë të mira. Shqiptarët do ta gjejnë veten në Poloni dhe nën garancinë e mbështetjen time në Poloni, shqiptarët do bëjnë sukses të madh. 

Filed Under: Politike Tagged With: Dr. Gani Zeka, Sokol Paja, vaksinimi I popullsise

EKSPOZITË PËR DOKUMENTIMIN E KRIMEVE TË LUFTËS NË KOSOVË

December 25, 2020 by dgreca

Prishtinë, 24 dhjetor 2020- Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Arbërie Nagavci, familjarë të viktimave dhe të pagjeturve të luftës në Kosovë, sot kanë hapur ekspozitën “Prezantimi i Ekspozitës për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë”, të fotoreporterit Alban Bujari.

Me rastin e hapjes së ekspozitës, ministri Selimi tha se kjo ngjarje,  risjellë dëshmitë më të trishtueshme të mizorisë së shtetit serb ndaj civilëve shqiptarë.

“Edhe pse trazon plagën tonë ende të hapur, kjo ekspozitë na shërben për të dokumentuar krimet e vazhdueshme dhe terrorizmin shtetëror serb, por edhe e vë në pah, sakrificën dhe të vërtetën e Kosovës”, tha ministri Selimi.

Ministri Selimi, tha se në secilën ditë, Kosova ka kujtesë për martirët, dëshmorët, për masakrat e njerëzve tonë anekënd vendit, vuajtjet dhe tmerrin e përjetuar nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, të mbijetuarit e torturës dhe ankthin konstant të familjarëve të të zhdukurve.

“Të kalosh dekada të tëra dhune e terrori sjellë trauma të papërballueshme, por populli ynë gjeti forcën ta vazhdojë ecjen drejt lirisë̈, për t’u ri ngritur nga hiri. E vërteta e Kosovës duhet t’i bëjë jehonë në botë të drejtës sonë. Vuajtjet e njerëzve tanë na obligojnë ta vendosim drejtësinë në vend – Drejtësi si satisfaksion për viktimat dhe thirrje për brezat, që të mos harrojnë!”, deklaroi ministri Selimi.

Ministri Selimi shprehu falënderim për bashkëpunim në hapjen e kësaj ekspozite për deputetin Gazmend Syla  dhe fotografin e luftës, Alban Bujari.

Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci tha se Serbia ushtroi gjenocid në Kosovë dhe akoma sot për fat të keq janë më shumë se 1600 familje që kërkojnë të dinë për fatin e të dashurve të tyre. 

“ Dëshmitarë jemi të gjithë dhe fatmirësisht kemi çka të themi në anën e drejtë të historisë. Andaj uroj që jo vetëm të kemi sa ma shumë aktivitete të tilla, mundësi për të thënë të drejtën tonë, por edhe që në mënyrë institucionale ta qojmë në vend secilën brengë dhe secilën të drejtë që na takon si shtet”, tha nënkryetarja Nagavci.

Fotografitë e ekspozuara që dokumentojnë krimet e luftës në Kosovë, janë realizuar nga fotografi Alban Bujari i cili tha se këto foto tregojnë për masakrat e Serbisë ndaj popullatës shqiptare civile në Kosovë. 

Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin edhe familjarët e personave të pagjetur dhe personave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, Bajram Çerkini dhe Nafi Krasniqi, të cilët vlerësuar iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Kjo ekspozitë do të jetë e hapur për 6 muaj në hollin e Ministrisë së Drejtësisë, e më pas do të bartet në ndonjërin nga institucionet e Republikës së Kosovës. 

Filed Under: Opinion Tagged With: Behlul Jashari, ekspozite, Krimet e Luftes ne Kosove

ATDHEU MORAL NË LIBRIN “KARTELA TË REALIZMIT TË DËNUAR” NGA VISAR ZHITI

December 25, 2020 by dgreca

Doli libri i ri “Kartela të Realizmit të dënuar”, i shkrimtarit Visar Zhiti, botim i shtëpisë botuese UEGEN. një ese, një studim i gjerë mbi 400 faqe, sprovë letrare për “letërsinë tjetër”, atë që doli nga burgjet dhe internimet duke u bërë pjesë integrale e gjithë letërsisë shqipe.

 Në këtë kohë krizash të kujtesës kolektive dhe moralit shtetëror, të mbivendosjes së një diktature tjetër, dhe asaj të pandemisë së Covid-19 dhe trazirave si pasojë e tij dhe e politikës, duke përftuar dhe një si shtetrrethim absurd, dalja e librit të ri të Visar Zhitit është si një apel për t’u kthyer te kujtesa  dhe vlerat e përbashkëta, për të ndrequr ndërgjegjen e përbashkët e për të njohur përgjegjesitë për të ngritur një të tashme normale dhe një të ardhme më të mire.

Ndërkaq vepra më e re e Visar Zhitit është njohje dhe kritikë, një pasqyrë e zhvillimeve në jetën social-kulturore në vend, e kontradiktave dhe qendrimeve, e dhunës shtetërore dhe e qëndresës, e kundërshtisë së një pjesë me rëndësi e njerëzve të letrave, që përbëjnë vlera dhe universalizim të tyre.

Koha që ngërthen libri është ajo që nisi mbas Luftës së Dytë Botërore, e entuziazmit të çlrimit të vendit dhe e vendosjes së diktaturës më të ashpër në Europë, pushkatimet dhe të njerëzve të letrave, gazetarë, poetë, klerikë, etj, të vendosjes së Realizmit Socialist dhe deri në rënien e diktaturës, ndryshimet e mëdha që ndodhën, duke i hapur rrugën një letërsie të lirë e në vazhdim.

Mes zhvillimeve dramatike, mes luftës, pushtimeve, ku më i rëndi u bë pushtimi nga vetvetja, ku krahas murtajës ideologjike sunduese, u shfaqën dhe epitemidë, madje ndjehet dhe kjo e tanishmja në vepër, shqiptarët qëndruan, kundërshtuan, madje bënë dhe art. 

Siç e thotë dhe titulli i këtij libri, ai është ndërtuar me kartela autorësh dhe veprash, të atyre që bënë “letërsinë tjetër”, sfiduese, jo të Realizmit Socialist, të cilët u goditën dhe u dënuan. U dënuan autorë dhe vepra, madje dhe lexuesi i tyre. Për herë të parë ato dëshmohen kaq gjerësisht dhe së bashku të përmbledhura në një vepër të vetme, në vetë të parë.

Ashtu si studiues të tjerë e kritikë letrarë, edhe Visar Zhiti është marrë me këtë çështje, me këtë letërsi, menjëherë pas ndryshimeve në vitet ’90, duke u bërë dhe vetë një nga autorët thelbësorë e saj.

Eseja e tij e dikurshme, “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, e cila ndikoi në mendimin kritik edhe në letrat në Kosovë si pjesë e letërsisë së përbashkët shqipe, tashmë është në brendësinë e këtij libri të ri, e rrëfimit përsiatës të asaj letërsie që ka dalë nga nëndheu, duke sjellë të vërtetat e munguara dhe ka prirë moralisht në të gjithë kulturën bashkëkohore aktuale, duke ndriçuar të kaluarën dhe paraprirë të ardhmen.

Natyrisht mes një pritshmërie tronditëse dhe habisë së bukur që paskësh ekzistuar dhe një letërsi e tillë, mes keqkuptimeve, sprapsjeve dhe debateve, përçmimeve dhe vlerësimeve më të larta, sidomos nga krtika e huaj, të harresave të qëllimta në vend si kurrkund në letërsi të tjera, si dhe revanshit të hovëzuar, etj, dukuri këto të cilat ngërthehen në librin e ri të Visar Zhitit, me ndërgjegjen e krijuesit dhe profesionalizmin e edukatorit, me ato emocione që të jep një vepër arti. 

Sipas studimit të Visar Zhitit, Realizmi Socialist mbulonte realitetin socialist duke u bërë një mashtrim i madh, tashmë i tejkaluar dhe në fakt mbetet se ka qenë zhvilluar një Letërsi e Realizmit të Dënuar, metoda me emrin më sinjifikativ që propozon Zhiti, unikale, e ushtruar në Shqipëri, ku ndonjë studiues pararendës ka dalluar, siç dallohen rrymat apo manifestey letrare, shkollat apo grupimet dhe atë të “Shkrimtarëve të Spaçit”, pra të autorëve të burgosur. 

“Realizmi i dënuar” përmbledh “të gjitha letërsitë tona”, të përjashtuarat dikur dhe jo, nga ajo e dheut amë, në Shqipëri, në Kosovë e Mal të Zi, në një pjesë të Maqedonisë së Veriut, por e Jugut për ne, e asaj në Çamëri e pse jo dhe prurjet e të ikurve në diasporë, në Europë e SHBA. 

Visar Zhiti ka hartuar listat më tronditëse, pabesueshëm aq të gjata për një popull të vogël, me emrat e autorëve të pushkatuar, të burgosur e të internuar, si personazhet e një drame epokale. 

Redaktori i librit është botuesi i tij, drejtori i “Uegen”-it, historiani, studiuesi dhe shkrimtari, Xhevai Lleshi. Në kopertinën e librit, ku është vendosur një pikturë impresioniste e Atjon V. Zhitit, në atë të mbramen, shkruhet:      

“Kartelat e Realizmit të Dënuar janë si copëza të nxehta kohësh, shqetësime dhe ide për letërsinë e sotme shqipe, për atë që mungoi dhe realitetet e saj, kur ishte e dënuar bashkë me autorët dhe lexuesit nga regjimi diktatorial, sepse kishte në botë një perandori komuniste dhe një realizëm socialist të dhunshëm.

Shkrimtari Visar Zhiti sjell dramën e madhe të letrave shqipe në gjerësinë e tyre si në një fushë beteje, ku ngërthehen informacioni tronditës, rrëfimi çertifikues dhe polemika e guximshme, ndërkohë dhe apeli për njohjen e asaj letërsie dhe për qendrime të drejta. 

Ky studim, me bazë dhimbjen, të vërtetat dhe bukurinë, vlen për të gjithë, sidomos për brezin e ri, i shkruar si me sinopset e një romani të madh.”

Libri doli në kohën e duhur, në zgrip, si një përballje dhe përballim të gjendjes së rëndë, si një sfidë dhe shpresë në vazhdim të rikrijimit, sipas Visar Zhitit,  të Atdheut tonë moral.

              “Botuesi” 

FILLIMI DHE MBARIMI NË LIBËR: Pllaka të kujtesës dhe thasë…

Duke u endur rrugëve të qyteteve të tjera, mund të jesh i huaj,  pelegrin a vizitor, ndoshta në kërkim të ndonjë muzeu a librarie tjetër, teatri a po shëtit i shkujdesur, ndodh të shohësh ca pllaka të vogla mermeri mureve, përanash portave, po dhe mbi rrugën, ku ti po ecën, në të cilat shkruhen se aty ka banuar një njeri i shquar, shkrimtar, shkencëtar, udhëheqës apo pikërisht aty është shkruar një vepër e madhe, që ka bërë epokë. Ndodh të gjesh dhe vargje nën këmbë, ti po shkel mbi poezinë si mbi ngazëllime. Dhe kujtohesh se ke lexuar për këtë emër të gdhëndur aty, ke libra të tij, ndalesh për pak çaste. Mes njerëzve i lutesh atij që ndodhet më pranë që të të shkrepë aparatin tënd fotografik ose me celularin tend bën një selfie. Dhe futesh në atë shtëpi, të kap një emocion i bukur, i përthellët, dëshiron të biesh në mendime. Ku je kështu, në ndonjë panteon? Mua më kap një si dhembje, më nëpërmendet padashur panteoni i nëndheshëm i atdheut tim, sipër muret e qyteteve me pllaka të rralla të atilla, ku përkujtoheshin më shumë atentate dhe aksione guerilsash, vrasje historike a histori të vrarë. Dhe emrat e rrugëve pothuajse kështu Po filluan të bëhen muzeumet e kujtesës në posdiktaturë, së fundmi, ja BunkArti 1, BunkArti 2, “Shtëpia me gjethe”, shtëpia e… Po këto tregojnë diktaturën, forcën e saj, sofistikimet, po muzeumet e qëndresës, burgjet, kampet, qoftë dhe një shtëpi e thjeshtë ku jetonin ashtu ngushtë e dëgjonin fshehurazi stacionet e huaja në radio, lexonin libra të ndaluar, etj, etj. Po studio shkrimtarësh, ku janë shkruar veprat, të cilat studiohen nëpër shkolla? Vërtet ku janë vendet e letërsisë shqipe? Vetëm në kryeqytet? Vetëm letërsi zyrtare, po nga ajo e ndaluara, që triumfoi mbi diktaturën? Po katet e tjerë të kujtesës dhe rradhët e nëndheshëm të ferrit? Natyrisht që s’janë skrivanitë e poltronat ato që vendosin, por vlerat e fletëve të shkruara, dhe nga ato të burgjeve dhe internimeve. Po ku janë?. Arkivave? Vetëm ato që konfiskoi shteti? Ç’përkujdes tregohet për librin dhe për ata që do ta lexojnë? Kur Bibliotekën Kombëtare së fundmi një herë e dogji zjarri dhe një vit më pas u përmbyt nga ujrat? Të paktën të kishin ndodhur njëherësh, që uji të shuante zjarrin, por ndonjë media shkruante se s’pati ndonjë dëm të madh, u dëmtuan vetëm librat e pas viteve ’90, pra ata të pas shëmbjes së Murit të Berlinit dhe rënies së perandorisë komuniste, thënë troç që letërsia e Realizmit Socialist është e padëmtuar, kurse të tjerat, në rrënojat e panteonit të tyre te nëndheshëm. Aty t’i lëmë thasët? Cilët thasë? Të burgut… Pikërisht në thasë të vjetër, të arnuar, me njolla dheu e gjaku, ku të dënuarit dikur… ou, na çove  larg, në rendin skllavopronar, jo, jo, është pothuajse tani, janë gjallë shumë nga ata ish të burgosur, që në ato thasë, ku mbanin veshje të tyre, që mund t’u kishin mbetur edhe prej të vrarëve, mes gjërave që haheshin, që i ruanin për ndonjë ditë urie edhe më të keqe, futnin copa letre, fletore e blloqe të shkruara, të tyret, të ndonjë bashkëvuajtësi, ia ruanin, e kishin amanet, ndonjëherë pa e ditur se të kujt ishin ato shkrime, që mezi lexoheshin, qenë ronitur, edhe minjtë kishin brejtur ç’kishin mundur, censura e tyre parake a e mëpastajme, e brendshme, njëlloj ishte, aq më mirë, se policia, po t’i kapte, s’do të kuptonin dhe aq censorët e shtetit. Po të burgosurit dinin si t’i fshihnin shkrimet… Ishte e pabesueshme, ndoshta dhe nga vetë ata që i kishin mbushur ato fletë në fshehtësi, se në thasët e burgut kishin të rrasur letërsi të ardhme, nga ajo e  përvuajtura, e ndershmja, e shpëtuar nga kontrollet shfarosëse, nga djegiet, nga realizmi socialist. Dhe s’ka gjë që në arkivat a bibliotekat tona, nëpër muzeume ende s’ka një thes të tillë dhe as fletë me njolla dheu e gjaku përsipër së shkruarës. Gjithsesi ata thasë janë si shakujt mitikë të Eolit, plot tufane për letërsinë shqiptare. 

REALIZMI I DËNUAR  

Kartela e fundit

Sipas meje, është metoda letrare e një realiteti të dënuar, që dha letërsi:   

1- nën diktaturë, burgjeve dhe internimeve dhe jo vetëm, fshehtazi, nga grupi i shkrimtarëve të burgut, një pjese e të cilëve u pushkatua apo vdiq burgjeve dhe të sivëllezërve të tyre. 

2- në kushtet e lirisë si vazhdim nga grupi i shkrimtarëve të dënuar dhe jo vetëm, duke u zgjeruar me vokacion atë të vërtetë, të realitetit të dënuar dhe moralin që duhet të ketë përshtatshëm letërsia.

3- Është letërsia që sjell realitetet në kushtet e totalitarizmit, monoideologjizimit, përndjekjet dhe  persekutimet dhe jo vetëm, varfërinë si një tjetër diktaturë, kaosin social dhe korrupsionin shtetëror, zvetënimin shpirtëror, tjetërsimin e individit/personazh, me pikësynim denoncimin e së keqes, përpjekjet për të mbetur njeri, edhe kur është e pamundur, për të krijuar realitete më të mira njerëzore. 

4- Realizmi i dënuar është metoda letrare ekzistenciale e një realiteti të dënuar, që tregon dënimin duke pasqyruar njeriun e dënuar, për të mos qenë njeri i dënuar, që etikat e qëndresës i kthen në estetikë të përvojës letrare, në vlera dhe art si veprim emocionues dhe çlirues i jetës. 

5- Tërësia e realiteteve të jetëve tona shndërrohet në jetë të tjera, në ato të letërsisë, gjithmonë me mjetet e letërsisë dhe siguron atë vazhdimësi të dy jetëve paralele, asaj njerëzore dhe asaj letrare.

6- Çdo përkufizim për metodën e Realizmit të Dënuar është kufizim i lirisë së krijimit, i fantazisë dhe mjeteve të shprehjes së kësaj metode, që bën dhe përbën vetveten, letërsinë si e tillë.

Sidoqoftë çështja mbetet e hapur. Mbase letërsia shqipe është ajo që nxori prej dënimeve të saj, më mirë se gjetiu, Realizmin e Dënuar.

Filed Under: Politike Tagged With: Kartela te Realizmit te Denuar, Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT