• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Krishtlindja me Shën Nënën Tereze

December 26, 2020 by dgreca

Nga Don Lush GJERGJI/

Shenjtëresha e jetës dhe dashurisë, Shën Nëna jonë Tereze, kishte një përshpirtëri të veçantë ndaj Krishtit të Vogël, lindjes së Tij në shpellën e Betlehemit. Ajo gjithnjë i ftonte motrat e saja “Misionaret e Dashurisë”, nëpërmjet tyre edhe neve, mbarë botë, që ta pranojë këtë Dhuratë të Qiellit, Foshnjën hyjnor, në stilin e Virgjërës Mari, me fe të gjallë dhe dashuri vepruese.

Ja disa tekste, porosi dhe propozime të Nënës Tereze për ne sot:

“Lindja e Jezusit në Betlehem i solli botës dhe çdo zemre njerëzore gëzim. I njëjti Zot bëhet Njeri – Fëmijë, vjen në zemrat tona në kungim.

 Ai dëshiron të na dhurojë vetveten, duke ardhur në zemrat tona. Me gëzim dhe paqe.

Të lutemi shumë, që ta marrim këtë hir për zemrat tona, për bashkësitë tona, për Kishën dhe për botën mbarë. Të lutemi, që të jemi të gatshëm ta pranojmë Jezusin për Kërshëndella – jo në shpellën e ftohtë të grazhdit të zemrës sonë, por në një zemër plot me dashuri dhe përvujtëri, një zemër të nxehtë të dashurisë së ndërsjellët, siç ishte ajo e Marisë.

Unë nuk mund të paramendoj asnjë ditë, orë, çast, pa Jezusin. Ai është jeta ime, dashuria ime, gjithçka për mua. Ai erdhi në botë për ta sjellë Lajmin e Mirë, që Zoti na do, që Zoti është Dashuri, që më do mua dhe ty, dhe që ne duhet ta duamë njëri-tjetrin ashtu si na do Ai ne.

Kure shikojmë grazhdin e Betlehemit, kuptojmë si na do, duke vuajtur. Në kryq  me gjak dhe dashuri, është vulosur dashuria e Tij për mbarë njerëzimin. Nuk mjafton ta duam Jezusin në Eukaristi, por duhet ta duam edhe në vëllain apo motrën njeri.

Kur meditojmë për kryqin e tij, kuptojmë si na ka dashur: vdiq në kryq, sepse na donte dhe dëshiron që edhe ne ta duam njëri-tjetrin. Ai na ka dashur dhe na do gjithnjë, e ne?

Në Betlehem të gjithë ishin plot me gëzim: barinjtë, engjëjt, mbretërit, Jozefi dhe Maria. Gëzimi ishte shenjë karakteristik i të krishterëve të parë. Gjatë përndjekjeve rrezatonte në fytyrat e tyre gëzimi.

Edhe ne duhet të jemi plot gëzim, dhe ta bartim gëzimin e dashurinë e Zotit te tjerëve.

Gjëra më e bukur e Marisë ishte, kur Jezusi hyri në jetën e saj, ajo me shpejti shkoi në shtëpinë e Elizabetës për t’ia dhënë Jezusin asaj dhe birit të saj ende të palindur, Gjonit. Maria ishte një misionare e vërtet, sepse nuk pati frikë të vihej jo vetëm në shërbim të Zotit, por edhe ndaj Elizabetës, duke krye punë të një shërbëtores… Këtë shërbim ajo e bën edhe sot, për mbarë botën dhe Kishën, për çdo njeri.”

Duke menduar për vrasjen e fëmijëve të pafajshëm, të pambrojtur, nga ana e prindërve, ajo me zemër zë plasur, duar të hapura kah Qielli, e tha  dhe e dha këtë porosi dhe uratë:

“Varfëria më e madhe në botë është mungesa e dashurisë. Dështimi është nisja e të këqijave në botë. O Zot, na jep këtë hir që të ndërpritet vrasja e fëmijëve në kraharorin e nënave në botë. Virgjëra tejet e shenjt, ti që e ke pranuar me aq dashuri Jezusin Fëmijë, ndihmo dhe mbro të gjitha nënat e botës nga mëkati i dështimit.”

“Dikur Jezusi lindi në shpellën e Betlehemi. Sot lind në altar, në Meshë, Eukaristi, që ne të jemi Tabërnakulli i gjallë dhe veprues i pranisë dhe dashurisë së Tij në mesin tonë. I krishteri është Tabernakulli i Zotit të gjallë… T’i ndihmojmë njerëzit që ta zbulojnë, njohin dhe duan Krishtin në ata që vuajnë… Kujdesi për të tjerët është fillimi i shenjtërisë…

Çfarë mrekullie: Zoti e ka vendosur mbarë botën në duar të Marisë. Prej Marisë duhet të mësojmë: për të dashur, si na do Jezusi ne. Për të qenë fryt gëzimi, ashtu si është Ai. Për të qenë më afër Asaj, si ishte Ai. Për t’i ndarë të gjitha me Te, edhe kryqin, si shenjë e përkatësisë me Krishtin”.

Si përfundim i këtij meditimi: Me Shën Nënën Tereze për Kërshëndella, ja disa porosi shumë aktuale të saja për botën e sotme:

“Gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim.

Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën.

Veprat e dashurisë janë vepra të paqes.

Dashuria e shëron vetminë

Uria më e madhe e jetës është dashuria.

Me Zotin – Dashuri edhe ne gjejmë vëllain apo motrën njeri.

Mishërimi i JezuKrsihtit është “hyjnizimi” i njeriut.

Kur nuk ke asgjë, atëherë dhuron gjithçka, vetveten.

Të gjithë njerëzit janë vëllezër – motra, sepse jemi të krijuar nga dora e dashur e Zotit. 

Jeto me dashuri dhe për dashuri, dhuro dashuri, ji ti Dashuri.” 

Krishtlindja nuk është vetëm një datë

Është Krishtlindje çdo herë

kur i buzëqesh vëllait

dhe e  merr për dore.

Është Krishtlibdje çdo herë

kur je në heshtje

për ta dëgjuar të afërmin.

Është Krishtlindje çdo herë

kur nuk i pranon ato parime

që i robërojnë të ndrydhurit

në skajet e shoqërisë.

Është Krishtlindje çdo herë

kur shpreson me ata që s’kanë shpresë

në varfërinë fizike dhe shpirtërore.

Është Krishtlindje çdo herë

kur pranon me përvujtëri

kufizimet dhe dobësitë tua.

Është Krishtlindje çdo herë

kur ia mundëson Zotërisë që të rilind te ti

për ta dhuruar të tjerëve.

[Nëna Tereze]

(Kortezi- DRITA)

Filed Under: Featured Tagged With: Don Lush Gjergjin, Krishtlindja

Dymbëdhjetë kuptimet e Krishtlindjes për kohët e sotme?

December 20, 2020 by dgreca

Ese nga Rafael Floqi /

Cili është në thelb kuptimi i Krishtlindjes në kohët e sotme ? Cili është kuptimi i vërtetë i Krishtlindjes? 

Për shumicën e njerëzve, përbëhet nga një kohë për të dekoruar shtëpinë e tyre me drita të ndezura, duke vendosur një pemë të Krishtlindjes të mbushur me zbukurime sentimentale dhe së shpejt të mbushin me dhurata të dashurit e tyre. Për fëmijët është koha e parashikimit të asaj që Santa do të sjellë kur të zbresë nga  oxhakun me shpresën për të qenë në listën e bukur dhe të madhe. Dhe sigurisht për shumicën prej nesh, e kuptojmë Kuptimin e Krishtlindjes me  “arsyen e stinës” pasi lidhet me lindjen e Jezusit. Por doja të ndaja diçka me ju dhe shpresoj se do të zgjerojë pikëpamjen tuaj për këtë temë. Për mua personalisht, Kuptimi i Krishtlindjes përfaqëson shumë më tepër sesa thjesht lindjen e Jezusit.

A janë dhuratat, dritat, pema, apo koha e kaluar me miqtë e ngushtë dhe familjen kuptimi i saj?

 Gjatë kësaj kohe të krishterët festojnë lindjen e Jezu Krishtit. Pak më shumë se 2,000 vjet më parë, Perëndia dërgoi Birin e tij në botë për të siguruar shpëtimin për të gjithë ne; që është dhurata më e mirë e Krishtlindjeve e dhënë ndonjëherë. Ju mund ta merrni këtë dhuratë nëse besoni se Jezusi vdiq për mëkatet tuaja dhe e pyesni atë në jetën tuaj. E di, apo konsumizmi do thotë dikush! Prit, apo e di që edhe ka të bëjë me familjen! Bashkimin. Krishtlindja është kuptimplotë për shumë gjëra. Historia është kaq shumëplanëshe, saqë ia vlen të vështrojmë disa prej kuptimeve të Krishtlindjes, të cilave nuk u kushtojmë vëmendje – kuptime që mund të ndryshojnë jetët e njerëzve. Ja 12-të  prej tyre.

1. Biblike

Historia e Krishtlindjes ndodh në brendësi të një historie më të madhe, Biblës, e cila është një histori, pak a shumë për gjithçka – është fjalë për fjalë, historia e kozmosit dhe Zotit që e krijoi atë. Rrëfimi kryesor i Biblës është për Zotin, i cili krijon një univers në dobi të krijesave të tij, që ato të përjetojnë dritën e bashkësisë, katastrofën e ardhshme që e dëmton këtë krijesë, dhe më pas vendimin e Zotit për të shpëtuar dhe falur krijesën e Tij. Po si ia bën Zoti? Përmes besëlidhjes.

Në botën e lashtë, besëlidhja ishte forma më e fortë e aleancës. Kontratat janë rregulla për shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, por besëlidhjet janë marrëveshjet për shkëmbimin e njerëzve dhe sjelljes së tyre – një besëlidhje krijon një lidhje familjare. Dhe besëlidhja më e rëndësishme në Bibël, kur lind Jezusi, është besëlidhja e Zotit me Abrahamin, përmes të cilës Zoti krijoi një popull, i mësoi atij rregullat e Tij, dhe përmes tyre, fali pjesën tjetër të krijesës. Kjo është historia e Izraelit.

Dhe pjesa më e madhe e Biblës ka të njëjtën temë: Izraeli nuk i bindet vazhdimisht Zotit, gjë që e çon në gjithfarësoj telashesh, por Zoti nuk heq asnjëherë dorë nga pjesa e tij e besëlidhjes. Historia e Krishtlindjes ka të bëjë me faktin që Zoti përmbush anën e tij të ujdisë, duke dërguar Mesian, përmes të cilit përmbushet besëlidhja. Krishtlindja nuk mund të kuptohet, pa kuptuar këtë sfond të pasur Biblik, të historisë së Universit dhe të Izraelit.

2. Politike

Krishtlindja është lindja e një mbreti. Ungjilli sipas Lukës, prej ku kemi mësuar pjesën më të madhe të rrëfimit të Krishtlindjes, është i qartë për këtë – autori vë theksin në lidhjet mes Jezusit foshnje dhe sundimtarëve të kohës. Historia fillon me Cezar Augustin dhe regjistrimin që ai i bën “të gjithë Tokës së banuar”. E megjithatë, një engjëll u shfaqet barinjve, për t’u dhënë atyre lajmin e lindjes së Jezusit “në qytetin e Davidit”, mbreti historik i Izraelit, “Mesia, Zoti”.

Dhe me këtë, “krejt papritur, me engjëllin u shfaq një turmë ushtrish qiellore”. Kuptimi politik i Krishtlindjes është se çdo sundimtar dhe çdo autoritet i përgjigjet Zotit – foshnja i vogël i mbështjellë me pelena në një djep, Zoti i përulësisë dhe mëshirës, i cili është Zoti i të shtypurve.

3. Sociale

Mbreti i ri nuk ka lindur në një pallat, lindja e tij nuk u brohorit dhe nuk u shpall në çdo qoshe të perandorisë. Familja e tij ishin refugjatë: Ata nuk mundën të gjejnë një dhomë në një han; Maria e lindi Jezusin në një ahur; dhe foshnjës iu desh të pushojë në një grazhd. Mesazhi i Krishtlindjeve është padyshim një mesazh për të varfrit, për vogëlushët, për ata që janë të shtyrë në skajet e shoqërisë. Ata janë njerëzit që Zoti i zgjedh, janë njerëzit ku ai sheh më së pari.

4. Metafizike

Për të Krishterët, Jezusi nuk është thjeshtë një figurë e rëndësishme dhe një udhëheqës apo mësues shpirtëror. Ai është Biri i Zotit – ai është Zoti i bërë njeri. Bashkë me Kryqin, Krishtlindja sjell në shtëpi, tek ne, misterin e kësaj marrëdhënieje. Siç e ka thënë G. K. Chesterton: “Duart që kanë bërë diellin dhe yjet, ishin shumë të vogla për të mbërritur tek kokat e mëdha të tufës”. Rimishërimi, siç njihet kjo doktrinë, ndryshoi kuptimin e Zotit dhe Universit. Zoti është një Zot i dashurisë, një dashuri që ai e shprehu duke bërë Birin e tij, njërin prej nesh, dhe duke ndarë eksperiencën tonë. Zoti na shpëton, jo thjeshtë përmes një transaksioni legalistik ku mëkatet tona falen, por duke bashkuar natyrën e tij me tonën. Siç e thotë një frazë e shenjtë e traditës së krishterë: “Biri i Zotit u bë njeri, me qëllim që ne të bëhemi Zot”. Vokacioni i Universit është që Zoti të jetë “gjithçka në gjithçka”. Kuptimi kozmik i Krishtlindjes na zbulon ne natyrën e Universit.

5. Personale

Nëse vërtetë lejojmë që kjo histori të mbërrijë brenda nesh, me siguri që do të na ndryshojë në një nivel të thellë, personal. “Shenja” që engjëlli u jep barinjve është se ata do të gjejnë një bebe në një grazhd – një referencë ndaj Eukaristit, ku Zoti na jepet ne si ushqim. Kjo është thellësia e dashurisë dhe përulësisë së Zotit: Ai dëshiron të bashkohet me ne në kuptimin më të thellë, të bëhet njësh me ju. Një kohë dëgjova një karol një Kënge Krishtlindje  Kjo këngë ka ndryshuar plotësisht këndvështrimin tim për Kuptimin e Krishtlindjes. Një nga vargjet  e këngës thotë “Dhe herën e parë që hapët sytë a e kuptuat që ai do të ishit Shpëtimtari im? Dhe fryma e parë që la buzët e tua, e dije se do ta ndryshonte këtë botë përgjithmonë? ” Ky varg i jep kaq shumë rëndësi lindjes së Jezuit! Mendoni përsëri për herë të parë që keni parë fëmijët tuaj në lindje dhe në atë moment ata së pari hapën sytë. Tani mendoni për momentin kur ata morën frymën e tyre të parë. Sa e pafajshme dhe e pastër ishte ai gëzim i jetës.  Sikur kjo të mos jetë mjaft e fuqishme, në fund të këngës vazhdon të thuhet: “Dhe unë, unë festoj ditën që Ti ke lindur për të vdekur, kështu që unë mund të lutem një ditë që Ti të shpëtosh jetën time”. Sapo dëgjova atë frazë, ajo vendosi kuptimin e Krishtlindjes dhe lindjes së Jezusit në një këndvështrim krejt tjetër për mua! Për të kuptuar që Jezusi ishte “lindur për të vdekur” fjalë për fjalë ndryshoi kuptimin tim për Kuptimin e Krishtlindjes dhe lindjen e Jezusit. Kur lindi Jezusi, Zoti na dha dhuratën përfundimtare të jetës. Ai jo vetëm që i dha jetë Jezusit, por Ai i dha mundësinë për jetë të përjetshme përmes Jezusit për ty dhe për mua. Pikërisht në atë moment, pati fitore mbi vdekjen!  Kështu që, unë inkurajoj secilin prej jush që të kaloni ca kohë duke festuar këtë sezon të Krishtlindjeve dhe të reflektoni mbi faktin që jo vetëm që lindi Jezusi, por se Ai “lindi për të vdekur”

6. Rituale

Krishtlindja është një festë e dashur, dhe për një arsye të mirë. Ashtë koha e festimeve, pijeve të shijshme sezonale, festave, dhuratave dhe për shumë njerëz, koha e kthimit në shtëpi, por nën sipërfaqen e festave, po ndodh mjaft, duke folur sociologjikisht. Çfarë është ajo që e bën Krishtlindjen një kohë kaq të mirë për kaq shumë njerëz  dhe thjesht një ditë pushimi për të tjerët?

Krishtlindja, natyrisht, është një festë e krishterë, e festuar nga shumë si një festë fetare me rituale fetare, vlera dhe marrëdhënie. Kjo skemë për të kuptuar se çfarë e mban shoqërinë të bashkuar vlen edhe për Krishtlindjet ka mjaft rite një festë laike. Pas Pashkëve Krishtlindja është festa më e rëndësishme për të krishterët. Rëndësia e ditës së Krishtlindjes nisi të rritet dalëngadalë pas kurorëzimit të Karlit të Madh në vitin 800, ditën e Krishtlindjes.

Sociologu klasik Émile Durkheim mund të na  ndihmojë në ndriçimin e këtyre pyetjeve. Durkheim, si një funksionalist, zhvilloi një teori ende mjaft e përdorur gjerësisht për të shpjeguar atë cka mban shoqërinë dhe grupet shoqërore së bashku kjo përmes studimit të tij të fesë. Durkheim identifikoi aspektet thelbësore të strukturës dhe pjesëmarrjes fetare që sociologët zbatojnë sot për shoqërinë në përgjithësi, përfshirë rolin e ritualeve në afrimin e njerëzve rreth praktikave dhe vlerave të përbashkëta; mënyra sesi pjesëmarrja në rituale riafirmon vlerat e përbashkëta, dhe kështu riafirmon dhe forcon lidhjet shoqërore midis njerëzve (ai e quajti këtë solidaritet); dhe përvojën e “gjallërisë kolektive”, në të cilën ne ndajmë ndjenjat e eksitimit dhe jemi të unifikuar në përvojën e pjesëmarrjes në këto rituale së bashku. Si rezultat i këtyre gjërave, ne ndihemi të lidhur me të tjerët, një ndjenjë e përkatësisë dhe rendi shoqëror siç ekziston ka kuptim edhe për ne. Ne ndihemi të qëndrueshëm, të rehatshëm dhe të sigurt.

7. Shekullare 

Le të fillojmë duke bërë një përmbledhje të ritualeve të përfshira në cilëndo formë festimit: duke filluar qysh nga dekorimi, shpesh së bashku me të dashurit tanë; duke përdorur sende sezonale dhe me temë për këtë feste; gatimi i vakteve dhe pjekja e ëmbëlsirave; organizimi dhe pjesëmarrja në mbrëmje muzikore; shkëmbimi i dhuratave; mbështjellja dhe hapja e atyre dhuratave; sjellja e fëmijëve për të vizituar Santa Claus-in ( Shën Nikollës ); shikimi i Santa-s në prag të Krishtlindjeve; lënia e qumështit dhe biskotave për të; këndimi këngëve të Krishtlindjes; çorapet të varura për dhurata; shikimi i filmave të Krishtlindjes dhe dëgjimi i muzikës së Krishtlindjes; performimi në konkurset e Krishtlindjeve; dhe marrë pjesë në shërbesat e ritet fetare te kishës. . Miti i Babagyshit të Krishtlindjeve vjen nga legjenda e Shën Nikollës, që jetoi në shekullin IV, dhe që tradicionalisht festohet më 6 dhjetor. Sipas traditës, Shën Nikolla i dha nga një pajë me rroba 3 vajzave të varfra, në mënyrë që ato të mund të martoheshin në vend se të prostituonin, dhe në një rast tjetër shpëtoi 3 fëmijë.

Në Mesjetë, zakoni i përkujtimit të këtij episodi me shkëmbimin e dhuratave në Ditën e Shenjtorit (6 dhjetor) u përhap në gjithë Evropën. Ky zakon është ende në modë në Holandë, Gjermani, Austri dhe Itali. Natën e 5 dhjetorit me slitën e tërhequr nga kali i tij apo renat, ai garon me Santa Klausin. Fëmijët e këqij, duhet të përballen me shërbëtorin e tij demoniak me shumë qime, ndërsa vendos dhurata, ëmbëlsira dhe fruta në këpucët e fëmijëve më të sjellshëm. Në vendet protestante, Shën Nikolla e humbi aspektin e peshkopit katolik, por ruajti rolin e mirëbërësit me emrin e Samiklaus, Sinterklaus ose Santa Klaus. Festimet u zhvendosën në festën më të rëndësishme më të afërt, Krishtlindjen. Por miti i njeriut zemërmirë me mjekër të bardhë dhe me thesin plot me dhurata, lindi në Amerikë nga pena e Klement Mur që në vitin 1822 shkroi një poezi, në të cilën foli për atë që tashmë e njohim që të gjithë. Ky Santa Klaus i ri ishte i suksesshëm, dhe që nga vitet 1950 fama e tij pushtoi edhe Evropën.

Pse kanë gjithë këto rëndësi? Pse i presim me kaq entuziazëm dhe ankth Krishtlindjet? Sepse ajo shkakton është se na sjell së bashku me njerëzit që i duam dhe na jep një mundësi për të riafirmuar vlerat tona të përbashkëta. Kur marrim pjesë në këto rituale së bashku, ne thërrasim në sipërfaqen e bashkëveprimeve tona vlerat që qëndrojnë në themel të tyre. Në këtë rast, ne mund të identifikojmë vlerat që qëndrojnë në themel të këtyre ritualeve si rëndësia e familjes dhe miqësisë, bashkimit, e mirësisë dhe bujarisë. Këto janë vlerat që janë subjekt edhe tek filmat dhe këngët më të dashura të Krishtlindjeve. Duke u bashkuar rreth këtyre vlerave përmes pjesëmarrjes në ritualet e Krishtlindjes, ne si grupe shoqërore riafirmojmë dhe forcojmë lidhjet tona shoqërore me ata që janë përfshirë në to.

08. Magjike

Kjo është magjia e Krishtlindjes: ajo kryen një funksion shoqëror shumë të rëndësishëm për ne. Kjo na bën të ndihemi sikur jemi pjesë e një kolektivi, qoftë me një familje të afërm apo të zgjedhur. Dhe, si qenie shoqërore, kjo është një nga nevojat tona themelore humane. Bërja e kësaj është ajo çka e bën atë një periudhë kaq të veçantë të vitit, dhe pse, për disa, nëse nuk e arrijmë këtë në Kohën e Krishtlindjes, nuk mund zbavitemi vërtet.

Është e lehtë të përfshihesh në gjetjen e dhuratave, me dëshirën për mallra të rinj dhe lançimin e ceremonive festive të mëdha gjatë kësaj periudhe të vitit. Pra, është e rëndësishme të mbajmë mend se Krishtlindjet janë më të këndshmet pasi ato janë krijuar për të nxitur bashkimin dhe ndarjen dhe riafirmimin e vlerave pozitive që na lidhin së bashku me njerëzit e tjerë. Sendet materiale janë vërtet mjaft të rastësishme para këtyre nevojave të rëndësishme shoqërore.

Amerikanët dhe shqiptarët e dinë se Krishtlindja nisi dhe është një festë fetare. Por shtrohet pyetja: a është feja ende baza drejtuese e Krishtlindjeve sot? Gjatë këtij sezoni, ne njohim edhe disa kremtime te tjera vjetore si Hanukkah, Kwanzaa, Omisoka. Por deri tani festa më e popullarizuar në të gjithë Amerikën ka qenë, dhe mbetet  aktualisht është Krishtlindja.

09. Festive

Megjithatë ende  përqindja e njerëzve që festojnë Krishtlindjet mbetet në një konstante 90% në të gjithë Amerikën. Sidoqoftë, kjo statistikë relativisht e lartë është shumë e çuditshme duke pasur parasysh që shoqëria amerikane ka filluar të largohet nga zakonet e fesë moderne. Përafërsisht tre përqind e adoleshentëve amerikanë identifikohen si “të paafilizuar tek feja” ose “ateistë” dhe kjo statistikë është rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë dekadës së fundit. Lufta që zhvillohet sot është që fëmijët po përpiqen të gjejnë kush janë, ata po dëshirojnë diçka dhe nuk po munden ta gjejnë atë në fenë tradicionale. “

Ndërsa një shumicë dërrmuese amerikanët dhe shqiptarët e krishterë ende festojnë Krishtlindjet, shumica gjejnë se elementet fetare të festës po theksohen më pak se në të kaluarën. Pesëdhjetë e gjashtë përqind e amerikanëve besojnë se elementet fetare të Krishtlindjeve theksohen më pak tani, sesa ishin në të kaluarën, por vetëm 32% e amerikanëve thonë se zhvillimi i shqetëson ata “shumë” ose “disi”, sipas rezultateve të një studimi. Në vitin 2017, 55% e amerikanëve thanë se ata festuan Krishtlindjet si një festë fetare, ndërsa 33% thanë se ata e festuan atë kryesisht si një festë kulturore, dhe nëntë përqind thanë se ishte edhe fetare edhe kulturore.

Megjithëse kjo festë është e rrënjosur thellë në nderimin fetar, duke pasur parasysh origjinën e saj të krishterë, ajo është bërë më shumë një festë kulturore sesa emërtimet e vërteta shpirtërore nga ka lindur. Në terma më të thjeshtë, Krishtlindja ka evoluar në më shumë një festë kulturore sesa një festë fetare.

Në përgjigje të këtij ndryshimi shoqëror, ka pasur një mosmarrëveshje të dukshme ne komunitete nëse festa duhet të festohet më shumë si një festë kulturore apo të mbetet vetëm si një përvjetor i traditave fetare. Nga njëra anë, të krishterët denoncojnë ata që nuk pranojnë të festojnë jo fetarisht, sepse mund ta shohin atë si një përvetësim të besimit të tyre. Për mua si një individ, feja dhe Krishtlindja janë të ndërthurura me njëra-tjetrën, Krishtlindja është me të vërtetë  një festë e rëndësishme për mua dhe familjen time dhe fenë time “

10. Tradicionale 

Tradita luan një rol të fuqishëm në zakonet që kulturat e ndryshme përqafojnë gjatë kohëve . Nëse merrni parasysh Krishtlindjet, për shembull. Enciklopedia Katolike shprehet qartë se «nuk ishte ndër festivalet më të hershme të Kishës». Përkundrazi, ky burim katolik e përmend festivalin si një shembull të një doktrine ose zakoni «të transmetuar nga një brez në tjetrin. . . . Është një traditë e vjetër që Jezu Krishti lindi në 25 Dhjetor ”(theksimi i pranuar nga të gjithë).

Shumë njerëz, përfshirë shkrimtarët e Enciklopedisë Katolike, pranojnë lehtësisht se festa që ne e njohim si Krishtlindje, së bashku me zakonet e saj, nuk rrjedh nga shkrimet e shenjta. Ata e pranojnë që Bibla nuk jep asnjë mbështetje për respektimin e saj, megjithatë ata e mbështesin plotësisht festimin e lindjes së Krishtit në datën 25 Dhjetor.

Në pamje të parë, Krishtlindjet duken si një traditë e mirë. Sezoni bashkon familjet dhe miqtë në festë. Dhe çfarë rëndësie ka nëse Krishti lindi atë ditë apo jo, për sa kohë që Ai nderohet? Pse duhet të bëjë ndonjë ndryshim që pemët, dritat, shenjta, veshtullat, xhingla, bredhat  dhe dhuratat e Krishtlindjeve të gjitha këto gjenezën e tyre e kane në paganizëm? A nuk i kalon fryma e Krishtlindjeve origjinën e traditave të ndryshme

Nga njëra anë, pra, ka tradita që duhet t’i përmbahemi, dhe nga ana tjetër, tradita që një pasues i Krishtit duhet të shmangë. Disa tradita bazohen në doktrinë të shëndoshë biblike, ndërsa të tjerat bazohen thjesht në zakonet njerëzore në kundërshtim me mësimet biblike. ”

Festivali i kremtuar më 25 dhjetor ishte një pjesë e kremtimeve fetare shumë përpara se të zbatohej termi Mesha e Krishtit. Shumë njerëz sot e mbajnë atë si një festë laike, tregtare, duke i kushtuar pak vëmendje faktit se simbolika qendrore e sezonit i ka rrënjë në fetë pagane të antikitetit. Të tjerët gjithashtu anashkalojnë çdo lidhje pagane, duke festuar ditën në bazë të zbatimit relativisht të fundit të saj për lindjen e Jezu Krishtit. Por, sipas mësimeve të Biblës, nuk e zhvlerëson natyrën pagane disi të kremtimit edhe nuk e bën atë të pranueshme atë. Bibla askund nuk identifikon saktësisht se kur lindi Krishti dhe as nuk jep ndonjë udhëzim për të festuar ditën e lindjes së Tij. Mesazhi themelor universal i Krishtlindjes është që Zoti na do dhe si na duan dhe pranohen si një komunitet, dhe si individë “

11. Kalendarike 

Krishtlindja (edhe “Kërshëndellat” apo shkurt “Kshnellat” ndër besimtarët katolikë) është një festë fetare Krishtere. Shumica dërrmuese e të krishterëve ortodoksë festojnë  Krishtlindjet, që ashtu si ato katolike, të mbajtura më 25 dhjetor, festojnë po njësoj lindjen e Krishtit në Betlehem. Dikur festohej në një ditë, por me urdhër të Papa Gregorit XIII, në vitin 1582, u vendos kalendari që sot përdoret në shumicën e botës, dhe sipas të cilit Krishtlindjet festohen më 25 dhjetor. Ndërsa të krishterët ortodoksë vazhduan të ruajnë kalendarin e Jul Çezarit, që u vendos në vitin 46 p.e.s nga perandori romak, dhe që është 13 ditë më vonë. 

Kisha ortodokse në Greqi, Shqipëri, Bullgari dhe Qipro e ndryshoi kalendarin dhe u përshtat me atë gregorian vetëm në vitin 1923. Po ashtu edhe ortodoksët e Jeruzalemit. Ndërsa në Rusi, Gjeorgji, Armeni, Bjellorusi, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Egjipt, Etiopi dhe Kazakistan, Krishtlindjet festohen natën midis 6 dhe 7 janarit.

Por pse këto ndryshime? Për një jo-të-krishterë, ose edhe për një të krishterë që preferon ta ketë sa më të thjeshtë doktrinën e adhurimit, kishat katolike dhe ato ortodokse mund të duken shumë të ngjashme. Të dyja përdorin ndërtesa e ceremoni të njëllojta, me origjinë nga lashtësia; të dyja kanë rangje të ngjashme priftërinjsh me petk; të dyja duan të vazhdojnë epokën e krishterimit; të dyja kanë tradita teologjike të ngjashme, dhe institucione me kujtesë të gjatë. Ndryshimet që i ndajnë për besimin në trininë e shenjtë janë shumë të vogla. Atëherë, pse janë të veçuara?

Një pjesë e përgjigjes është sepse ndryshimet që nisën midis dy institucioneve, shekuj më parë, vazhdojnë të vlejnë edhe sot. Ndarja zyrtare midis të krishterëve të lindjes e të perëndimit ndodhi në vitin 1054, dhe në një farë mënyre pasqyronte rivalitetin kulturor dhe gjeopolitik midis anës lindore të perandorisë romake, me pak fjalë Bizantit, dhe Evropës Perëndimore që fliste latinisht, ku autoriteti i Romës kishte rënë që në shekullin e pestë, duke krijuar forca të reja pushteti.

12: Universale

Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës të grazhdit të lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe Kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri,  a Baba Dimrit në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes. Krishtlindja është festa në të cilën të krishterët dëshirojnë më shumë se kurrë paqe e dashuri në botë. Regjimi komunist i Shqipërisë e shpalli fenë të paligjshme dhe zhvilloi një fushatë të gjatë shtypjeje kundër besimtarëve të krishterë dhe myslimanë, duke burgosur dhe ekzekutuar klerikë dhe duke përndjekur familjet e tyre, por disa vazhduan ta praktikonin besimin e tyre në fshehtësi. Një nga rastet më absurde të persekutimit e pësoi At Ernest Simon Troshani, tani 90 vjeç, dhe një nga figurat më të respektuara katolike në Shqipëri.

“Ishte mbrëmja e Krishtlindjes më 24 dhjetor 1963, kur kisha mbaruar meshën dhe katër persona erdhën tek unë. Dy prej tyre kishin uniforma ushtarake dhe dy të tjerët ishin veshur civilë,” kujton Troshani.“Ata më lidhën duart pas shpinës në një mënyrë brutale, sikur të isha një kriminel i rrezikshëm dhe më thanë se “po arrestohesh në emër të popullit” dhe shtuan:” Do të varesh sepse u ke thënë njerëzve dhe të rinjve se nëse është e nevojshme duhet të japim jetën për Jezus Krishtit.’ Ata më trajtuan me egërsi, para prindërve të mi të moshuar, sytë e të cilëve ishin mbushur me lot,” shtoi ai. Duke qenë se praktikimi i fesë ende nuk ishte i ndaluar me ligj në atë pikë, klerikët u akuzuan për shkelje të tjera në raste të ndryshme të fabrikuara. “Akuzat ishin të gjitha idiotësi, por në fund ato u formuluan si agjitacion, propagandë dhe përpjekje për arratisje dhe ata shtuan diçka tjetër në lidhje me një meshë që mbajta kur u vra John Kennedy, gjë që ishte e vërtetë sepse kur u vra presidenti amerikan, Papa i Romës këshilloi të gjithë priftërinjtë në botë të mbanin një meshë për shpirtin e tij,” shpjegoi Troshani. Por, përkundër angazhimit të shtetit për shkatërrimin e institucioneve fetare, djegies së librave të shenjtë, burgosjen dhe ekzekutimin e priftërinjve dhe imamëve, disa familje shqiptare vazhduan të praktikonin besimin e tyre në fshehtësi edhe pse, si të ashtuquajtur “armiq të popullit”, kjo vuri në rrezik jetën e tyre. Por sidoqoftë besimi jetoi  dhe pse komunizmi e theksonte me shumë festimin e vitit te ri, njerëzit me pretekstin e Vitit të ri vazhdonin të kremtonin Krishtlindjet. 

Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Sipas Ungjillit të Lukës dhe Mateut, Jezusi lindi nga Mëria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August.  Për nxënësit e tij, lindja e Krishtit është parathënë nga profeci të ndryshme sipas të cilave mesia do të lindte nga shtëpia e Davidit për të shpëtuar botën nga mëkati.  

Datëlindja e Jezusit sipas të krishterëve besohet të jetë 24-25 dhjetori edhe pse ka dyshime për datën e saktë të lindjes pasi që ajo nuk përmendet në Dhiatën e re. Kjo feste është ndër festat më të dashura dhe të preferuara nga mbar bota krishtere apo e thënë më ndryshe edhe si datë e paqes.

Kur ne lejojmë të gjithë këta kuptime që të bëhen njësh brenda nesh – kuptimin biblik, politik, social, metafizik, ritual, shekullar, magjik, festiv, tradicional, kalendarik dhe universal, – atëherë kuptojmë se jeta është e gjitha për dashurinë, një dashuri “që mbart gjithçka, beson çdo gjë, shpreson për gjithçka, duron çdo gjë”, një dashuri që jepet e tëra.

Gëzuar pra Krishtlindjet!

Filed Under: Featured Tagged With: 12 Kuptimet, Krishtlindja, Rafael Floqi

KRISHTLINDJA SIMBAS FEDORIT

December 29, 2019 by dgreca

Nga ALESSANDRO D’AVENIA/ Perktheu: Eugjen Merlika/

Shën Pjetërburg, Krishtlindje 1875. Në klubin e artistëve zhvillohet një festë e shkëlqyer Krishtlindjeje, gjatë së cilës shumë të pranishëm përpiqen të vihen në dukje e të duken më të bukur e më të zgjuar. Një njeri që rrinte mënjanë, duke parë me vërejtje skenën dhe fytyrat e të ftuarvet, vinte re se të gjithë zbaviten por që në  realitet asnjëri nuk është vërtetë i kënaqur, atëherë vendos t’i heqë maskën lojës. “Fatkeqësia qëndron në atë që ju nuk e dini sa të bukur jeni. Secili prej jush mund t’i bënte të lumtur të gjithë të tjerët e t’i tërhiqte ata me vete. Kjo fuqi është tek secili, por aq thellësisht e fshehur, sa që është bërë e pabesueshme”. Ai që foli në mënyrë aq djegëse është Fedor Dostojevski që e tregon ndodhinë në Ditarin e një shkrimtari, që përmbledh shkrimet e rubrikës me të njëjtin emër të mbajtur në të përjavëshmen “Qytetari”. Për Dostojevskin, vëzhgues tepër të mprehtë, episodi tregon se njeriu pushon së besuari në praninë e diçkaje që kalon rrethin e ndiesive brënda e jashtë vetes, bëhet i pasigurtë e fillon të përçmojë veten dhe të tjerët. Faktit të kronikës shkrimtari i ve pas një tregim.

            Në natën e Krishtlindjes në një bodrum të akullt, një fëmijë gjashtë vjeç, i ngrirë dhe i uritur, përpiqet më kot të zgjojë t’ëmën. Atëherë del në rrugët me borë të Pjetërburgut me disa lecka në trup: kush e takon bën sikur nuk e sheh për të mos u marrë me të. Ai futet në një shtëpi plot me njerëz që festonin, por përzehet me një lëmoshë të zbehtë të një monedhe që i bie nga duart sepse gishtat ishin të ngrirë. Merr zemër duke parë një vetrinë plot me lodra, por goditet dhe ndiqet nga një djalë i keq. Shpëton dhe fshihet mbas një turre drush. Mbas pak kohe nuk ka më ftohtë dhe ndien një zë të çuditshëm që i thotë: “Hajde në festën time të Krishtlindjes, fëmijë”. Kështu gjëndet në një vënd të nxehtë, plot dritë e shumë fëmijë: për t’a pritur është nëna e qeshur. Të nesërmen, mbas druve të zotët gjejnë kufomën e fëmijës.

            Mbaron këtu tregimi Fëmija në festën e Krishtlindjes tek Jezui, dhe festa në të cilën vogëlushi u gjend është përjetësia. Dostojevski thotë se është frymëzuar nga një ndodhi e vërtetë, por përsa i përket fundit shton: “Përsa i përket festës së Jezuit a mund të ndodhte kjo apo jo? Pikërisht për këtë jam një romancier, për të shpikur”. Tregimi i fëmijës është kyçi për të kuptuar se çfarë nuk besojnë më artistët e festës: në Zotin dhe shfaqjen e tij. Shkrimtari ishte i bindur se ajo e Krishtit ishte një histori që përsëritet në të gjitha jetët njerëzore, në fakt në çdo kryevepër të tij ve në skenë një fragment ungjillor që është çelësi i leximit: pa Lazrin nuk kuptohet Krim e Ndëshkim, pa dasmën e Kanës Vëllezërit Karamazov, pa të tërbuarin e liruar Djajtë… Ishte i bindur sepse kishte sprovuar shumë herë ndërhyrjen e Zotit në konkretësinë e jetës së tij: dënimi me vdekje dhe falja në çastin e fundit; puna e detyrueshme në Siberi dhe leximi përmendësh i të vetmit libër në dispozicion, Ungjillit; sëmundja, kriza ekonomike dhe krijuese, takimi shpëtimtar me gruan e ardhëshme, Anën. Për të prania e Zotit në jetën e çdo njeriu, sado e fshehtë dhe e papranuar, është e vazhdueshme dhe e paprerë. Fëmija i bodrumit, një nga të shumtit që vdisnin nga uria dhe të ftohtit në qytet, është Fëmija i Betlemit: ai endet me pak lecka (pelenat) nëpër rrugët e qytetit-botë në kërkim të njerëzve që duan t’a mirëpresin, për ata vdes (turra e druve) në kryq, por ringjallet në festën e përjetëshme. Për Dostjevskin Zoti kalon pranë nesh në mënyra të panumurta, por kryesisht në krijesat e brishta si fëmijët, nga vuajtjet e të cilëve ishte i sfilitur, sikurse tregojnë faqet e humnerta të romaneve të tij. Brishtësia është veshja njerëzore me të cilën Zoti bëhet i gjallë brënda e jashtë nesh: nuk është kurrë një e vërtetë verbuese, por një psherëtimë, një ftesë, një rast, një dritë e heshtur… Nuk do t’ishim të lirë po të mos ishte kështu, dhe ai që nuk është i lirë nuk mund të dashurojë.

            Të ftuarit në festë “argëtohen por asnjëri nuk është i kënaqur”, sepse kanë pushuar së besuari Atit që i don pa rezerva: kush nuk ndihet i dashuruar ashtu siç është, ka vështirësi të dojë vehten e të tjerët. E shoh çdo ditë: të rinjtë me prindër që i bëjnë të ndihen të dashuruar janë më të qetë, e përballojnë jetën si një aventurë të lodhëshme por premtuese; kanë shpatullat dhe zemrën të mbuluar. Dostojevski beson me ngulm se Zoti kalon pranë secilit prej nesh, me veshje jo që bien në sy, duke kërkuar prej nesh të bashkëpunojmë me të. Ju uroj t’a njihni, të dashur lexues, me fjalët që Dostojevski i shkruante një burri të pasigurtë nëse duhej të ndihmonte apo jo një grua fajtore për vrasjen e fëmijës. “Mos e humbisni çastin në të cilin Zoti bën lëvizjen e tij”. Kështu Krishtlindja do të ndodhë tek ne e nëpërmjet nesh. Urime!

            Corriere della Sera, 23 dhjetor 2019         E përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika, Fedori, Krishtlindja

Krishtlindja, meshë solemne në Katedralen Shën Nënë Tereza

December 25, 2019 by dgreca

“Kjo festë e Kërshëndellave të bëhet një burim shprese, jete dhe dashurie për secilin prej nesh e të na mundësojë të gjithëve të kemi më shumë paqe, dashuri, mirëkuptim dhe pajtim”, ishte Mesazhi dhe lutja e Ipeshkvit tw Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, duke uruar për shumë mot Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2020/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 25 Dhjetor 2019/ Kosova feston gëzuar Krishtlindjen me urimet edhe për 2020-tën e 21 vjetorit të Lirisë e të 12 vjetorit të Pavarësisë.

Mesha solemne e Krishtlindjes, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, u mbajt  nga mesnata në Katedralen Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës, të shuguruar para dy vitesh në 5 Shtator, në njëvjetorin e shenjëtërimit të shenjtëreshës shqiptare.

 “Kjo festë e Kërshëndellave të bëhet një burim shprese, jete dhe dashurie për secilin prej nesh e të na mundësojë të gjithëve të kemi më shumë paqe, dashuri, mirëkuptim dhe pajtim”, ishte mesazhi dhe lutja e Ipeshkvit Gjergji duke uruar për shumë mot Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2020.

Katedralja ishte përplot me qytetarë edhe të besimeve tjera të shtetit të Kosovës,  me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë.

Programi kremtimit në Katedralen Shën Nënë Tereza nisi mbrëmjen e djeshme në vigjilje të Krishtlindjes me pritjen solemne në Qendrën “Bogdanipolis”, organizuar nga Ipeshkvi. 

Para meshës solemne në Katedralen e kryeqytetit të Kosovës u mbajt  Programi i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës.

Sot, në Ditën e Krishtlindjes, në ora 11:00, mbahet mesha në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, ndërsa Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji kremton meshën në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren.

Mbrëmjen e sotme në orën 18:00 nbahet Mesha e Shenjtë në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë.

Në Kosovë, mesha u mbajtën edhe në kishat tjera katolike, ndërsa tradicionlisht festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjesin e 24 Dhjetorit  dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.

Krishtlindjet në Kosovë që festohen në liri në këtë vit janë të 21-tat, ndërsa në vitin 1999 të çlirimit ishin të parat.

Krishtlindjet janë festë zyrtare e përcaktuar me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.Dekretimi i  këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të  dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi  para  11 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Krishtlindja

PRESIDENTI META URON KRISHTLINDJEN

December 25, 2018 by dgreca

Meta: Krishtlindja 2019, me negociata të hapura me BE-në/1 meta1-1

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, uroi sot që Krishtlindjet e vitit të ardhshëm ta gjejnë vendin me negociata të hapura për anëtarësimin në Bashkimin Europian.“Është një ditë që na fton të gjithëve të shtojmë urtësinë dhe mençurinë që Krishtlindjet e tjera të na gjejnë jo vetëm më të gëzuar, më të bashkuar dhe të na gjejnë me negociata të çelura për anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha Meta në urimin e tij për besimtarët e krishterë nga Katedralja Ortodokse në Tiranë.Kreu i shtetit u vlerësoi gjithashtu punën e komuniteteve të besimit në vendin tonë për sa i përket harmonisë fetare.

“Dua të vlerësoj punën e jashtëzakonshme që bëjnë komunitetet e besimit në vendin tonë, jo vetëm për besimin tek Zoti, jo vetëm për besimin tek e drejta, tek e mira, tek paqja, por mbi të gjitha atë punë të shkëlqyer dhe shembull që japin komunitetet tona duke e rritur çdo ditë harmoninë ndërfetare në vendin tonë dhe kjo harmoni duhet të reflektojë kudo dhe në radhë të parë duhet të reflektojë në politikë”, nënvizoi Meta.

I pyetur për Reformën Zgjedhore, Meta u shpreh që nga kjo ditë feste të shtojmë mençurinë për t’i zgjidhur gjërat.

“Kjo është një ditë që na fton të gjithë të shtojmë urtësinë që Krishtlindjet e tjera të na gjejnë më të gëzuar, dhe me negociata me BE”, tha Meta.

Filed Under: Politike Tagged With: Krishtlindja, Presidenti Meta, Shqiperia dhe BE

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Truri dhe kozmosi
  • DIAMANTËT E FESTIVALIT
  • Ta ruajmë, ta flasim dhe të na rrojë në jetë të jetëve gjuha jonë e bukur dhe hyjnore shqipe
  • Në ditën e lindjes së Heroit, Fehmi Lladrovci
  • The White House issues a Prayer for Peace Proclamation on Memorial Day
  • Pikniku i parë shqiptar madhështor në Staten Island, New York
  • DUKE PRITUR TË HËNËN E MEMORIES – ABDULLA RAMI – PËRTEJ HARRIMIT
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë apel organizatave ndërkombëtare të gazetarëve për kërcënimet ndaj gazetarëve në detyrë në Kosovë
  • QEVERIA RAMA KAP GJITHÇKA, DO TË KONTROLLOJË EDHE KËRKIMIN SHKENCOR
  • Frank Shkreli merr titullin ‘Qytetar Nderi’ i Malësisë së Madhe
  • Zgjedhjet piramidë dhe Shkodra
  • KUSH ËSHTË ABDULLAH RAMI?
  • Koncerti Panshqiptar Shpalos Bukurinë e Muzikës së të Gjitha Trevave
  • “Përtej harrimit” dhe përkthimi i “Shekspirit” të Hygoit, një përpjekje në rimëkëmbjen historike të kujtesës sonë të përbashkët
  • Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT