“Kjo festë e Kërshëndellave të bëhet një burim shprese, jete dhe dashurie për secilin prej nesh e të na mundësojë të gjithëve të kemi më shumë paqe, dashuri, mirëkuptim dhe pajtim”, ishte Mesazhi dhe lutja e Ipeshkvit tw Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, duke uruar për shumë mot Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2020/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 25 Dhjetor 2019/ Kosova feston gëzuar Krishtlindjen me urimet edhe për 2020-tën e 21 vjetorit të Lirisë e të 12 vjetorit të Pavarësisë.
Mesha solemne e Krishtlindjes, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji, u mbajt nga mesnata në Katedralen Shën Nënë Tereza në kryeqytetin e Kosovës, të shuguruar para dy vitesh në 5 Shtator, në njëvjetorin e shenjëtërimit të shenjtëreshës shqiptare.
“Kjo festë e Kërshëndellave të bëhet një burim shprese, jete dhe dashurie për secilin prej nesh e të na mundësojë të gjithëve të kemi më shumë paqe, dashuri, mirëkuptim dhe pajtim”, ishte mesazhi dhe lutja e Ipeshkvit Gjergji duke uruar për shumë mot Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2020.
Katedralja ishte përplot me qytetarë edhe të besimeve tjera të shtetit të Kosovës, me vlerë tradicionale themeltare tolerancën dhe mirëkuptimin ndërfetar, të ndërtuar e të kultivuar ndër shekuj, të theksuar edhe në urimet e drejtuesve institucionalë, politikë e fetarë.
Programi kremtimit në Katedralen Shën Nënë Tereza nisi mbrëmjen e djeshme në vigjilje të Krishtlindjes me pritjen solemne në Qendrën “Bogdanipolis”, organizuar nga Ipeshkvi.
Para meshës solemne në Katedralen e kryeqytetit të Kosovës u mbajt Programi i Krishtlindjes nga fëmijët e Famullisë së Prishtinës.
Sot, në Ditën e Krishtlindjes, në ora 11:00, mbahet mesha në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, ndërsa Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji kremton meshën në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren.
Mbrëmjen e sotme në orën 18:00 nbahet Mesha e Shenjtë në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë.
Në Kosovë, mesha u mbajtën edhe në kishat tjera katolike, ndërsa tradicionlisht festimet për Krishtlindjen nisin në mëngjesin e 24 Dhjetorit dhe vazhdojnë në mbrëmje nëpër familje me ritet e Buzmit bujar, një feste të lashtë iliro-shqiptare që ruhet ende në shumë vise të vendit.
Krishtlindjet në Kosovë që festohen në liri në këtë vit janë të 21-tat, ndërsa në vitin 1999 të çlirimit ishin të parat.
Krishtlindjet janë festë zyrtare e përcaktuar me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 Maj 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 Shkurtin historik.Dekretimi i këtij ligji si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 Qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës, e cila është miratuar nga Kuvendi para 11 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.