• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2021

LIRIA AMERIKANE NË “SHTETRRETHIM”

January 19, 2021 by dgreca

-Meditim në prag të ndërrimit të pushteteve-/

Nga Shefqet Meko, Minneapolis, SHBA/

            Kurrë më parë  tranzicioni i pushteteve në Amerikë nuk ka provuar një kërcënim kaq serioz qysh nga  ditëthemelimi i saj, gati 250 vjet më parë.  Një etje për dhunë, për sulm mbi institucione qeveritare, kërcënim dhe “asgjësim” fizik të pushtetarëve dhe ligjvënësve, sikur ka pushtuar nga bregu në breg kontinentin amerikan. Këtu, ku jeta fillon me “lirinë e fjalës”, duket se  vetë  demokracia  po teston fuqinë mbijetuese të saj. Një  angazhim i paparë për të parandaluar çdo lloj kryengrigtje të armatosur  dhe për të “vulosur” me paqe dhe nder mesditën e 20 Janarit 2021 ndërrimin historik të pushtetit qeverisës. Kryeqyteti amerikan është blinduar dhe është kthyer si një “kazermë ushtarake” ku janë në mbrojtje të shtetit dhe demokracisë  mbi 20 mijë trupa, ose më shumë se trupat amerikane në Affgansitan dhe Irak së bashku. Kangjella të hekurta, blloqe betoni,  postblloqe  dhe kontroll i rreptë  në rrugët dhe aeroportet e Uashingonit. Hotelet anullojnë rezervime të dyshimta, pezullim i  trenave drejt DC, rrjeti  i madh i tregut privat të akomodimit në shtëpitë private (AIRBNB) ka anulluar të gjithë rezervimet në Uashington e rrethinat në praginagurim. Bileta flturimi të dyshimta anulohen pamëdyshje… Bota sikur po ndjek me ankth një “tmerr amerikan”,  ndërsa unë që jetoj këtu, hesht dhe mendoj….

            Pse kjo frikë? Kush mbolli kaq pasiguri në këtë  kontinent që e krijoi fuqia e lirisë njerëzore? Në të vërtetë “retë” e kërcënimit e tmerrit “shëtisin”  më shumë në internet dhe media, sepse në jetën e përdithshme. “Thakma” e prithsme prej ditesh që paralajmërohet shumë nga rrjetet televizive si “shpata e Demokelut” mbi shoqërinë amerikane e cila jeton normalisht, edhe pse e tronditur  nga  ajo që ndodhi më 6 Janar 2021.

            Prej vitesh banoj në qytetin e Minneapolisit, ku u ndez edhe “fitili” i parë i protestave dhe revoltave të dhunshme, pas vrasjes së një afrikano-amerikani. Kam parë me sytë e mi egërrsinë e turmave dhe flakën  shaktërruese të reagimit ndaj padrejtësisë. Këtu shteti në fillimi u “dorëzua” dhe mua më drithëroi sepse më kujtoi 97-ën shqiptare.U vu në flakë stacioni lokal i policisë, u dogjën biznese, zyra të shërbimit postar, u shkatërruan disa ndërtesa të mrekullueshme që ndërtoi njeriu me shpirt krijues..E dhimbshme, por vura re një “mrekulli” që anashkalohet  nga medja: nuk ishte një urretje mes njerëzve, ishte një revoltë ndaj instituicioneve dhe padrejtësisë, ishte një reagim ndaj dhunës policore, që ka vrarë dhe akoma vret “pa gjyq”. Personalisht nuk më pëlqejnë turmat, sepse aty nuk ka logjikë dhe mendim, aty ka vetëm pasion dhe shpërthim.Turmat përherë kanë qënë “kërcënim” për çdo shoqëri njerëzore, sepse turma për mua nuk mendon, por mesazhi i saj duhet marrë seriozisht.

Kjo është një krizë që e kanë “gatuar”  edhe ata kongresmenë dhe senatorë, që si dikur në “plenumet e Enverit” kanë duartrokitur dhe “bythëlëpirë” gënjeshtrën dhe mashtrimin e “të madhit” në pushtet vetëm e vetëm për të  mbetur senatorë e kongresmenë. Çfarë  virulence mëkatare paska pushteti!

            Ishte një e keqe e pritshme që u gatua në çdo cep të Amerikës, ku fabrikimi i  gënjështrës dhe  tallja me të vërtetën, ku jehona e “pëshpërimave” u kthye në “modë republikane”, ku ironia ndaj kundërsharit politik, e ktheu fjalën në”pushkë e barut” dhe tallja me fatkeqët dhe të pafatët u bë “benzinë” e protestave, dhe zemërimi u kthye në “tornedo”politike. Tashmë realiteti  duhet përballuar. Në fillim ishin demokratët që “duartrokisnin” ose heshtnin ndaj protestuesve të dhunshëm duke rezonuar me ta, e tashmë  u bënë  ithtarët  e ideve republikane më “më katolikë se Papa”  me  dhunumin e shtëpisë së popullit  më 6 Janar 2021, duke shënuar njollën e zezë në demokracinë  amerikane.

            Amerika e trembur nga vetvetja, Amerika e trembur nga liria e vet, Amerika e trembur nga armët e veta dhe qytetarët e vet, po përjeton momente historike që do të jenë “referenca” të demokracisë. Por Amerika nuk bie lehtë, sepse ajo akoma beson tek liria e vet, edhe pse tani po paguan “koston” e kësaj lirije. Shumica e qytetarëve amerikanë  akoma besojnë tek Amerika dhe  Kushtetuta  e tyre që është “më e shkurtra” në botë, por më jetëgjata. Ajo nuk do bjerë, ajo nuk mund të digjet e shkrumboset si  godinat që ngre dhe shkatërron njeriu, sepse ajo është  në ADN-në e çdo  amerikani të vërtetë…

            Shpirtvegjlit dhe armiqtë e demokracisë amerikane ëndërrojnë një vetshkatërrim të Amerikës. Me sy e veshë presin “fundin e perandorisë”, por nuk ka për të ndodhur. Kjo është e vetmja “pernandori” e ndërtuar nga njeriu i lirë, nga njeriu që  merr rreziqe në emër të së mirës, nga njerëz që kanë populluar këtë kontinent nga gjithë vendet dhe kombet  e botës, duke nënshkruar një kontratë të vetme: Kontratë me Kushtetutën e  SHBA. Ndaj sot, në këto kohë të një”Pandemie politike”, por edhe  pandemisë reale të Covid 19, që ka rrëmbyer  400 mijë jetë amerikane dhe  mbi 2 milionë në krejt globin, Amerika i ka sytë tek vetja. Ajo nuk pret dikë ta shpëtojë nga “sëmundja” e vet, ajo është gati të përballet me të keqen e vet, jo duke thirrur për ndihmë “trupat e OKB-së”, por duke thirur qytetarët e vet  dhe ushtarët e vet.Kjo është edhe filozofia e madhe e lirisë amerikane: dili zot i punëve të tua!

            Populli amerikan është një popull i armatosur, por jo “popull ushtar”. Kjo  e bën secilin të ndihet sa i sigurt aq edhe i kërcënuar nëse  shkel tjetrin, “kufirin privat”. Kur mendon se çdo kush ka armën  e vet ose arsenal të tërë, kur mendon se kjo është një e drejtë kushtetuese po aq e rëndësishmë sa “Liria e fjalës”, nëse nuk e njeh jetën amerikane, të ngjall një tmerr dhe frikë, por në të përditshmen tonë është një “ballancim” kushtetues. Frika më e madhe amerikane është frika ndaj pushtetit dhe qeverisjes. Të jesh skeptik ndaj pushtetmbajtësve, nuk është gjë e keqe.Ndaj shumica dëshirojnë sa më pak qeveri dhe rregulla e më shumë liri dhe vetrregullim. Kjo është arsyeja që  institucionet qeveritare marrin seriozisht çdo kërcënim dhe mesazh dhune, sepse  e dinë se Amerika është vërtet një “fuçi baruti” siç thuhet në Shqipëri, ndaj i ruhen një “ballkanizimi”  amerikan. Në këtë kuptim termi “luftë civile” varet si një çengel në çdo mendje dhe nuk e do asnjë amerikan normal, ndaj nuk do të ndodhë kurrë.

            Çdo shoqëri njerëzore, kalon krizat e veta, sepse edhe  shoqëritë në  tërësi funksionojnë si një qënie e gjallë ku  ka ditë të bukura dhe ditë të hidhura. Amerika po jeton “momente shtrati” që do të ngrihet më e shëndetshme pasi di të vetëkurohet dhe vetëkorigjohet. Ajo nuk është perfekte, por një shoqëri që duke u dhënë qytetarëve lirinë e vet, synon përditë më të mirën e mundshme duke iu dhënë shansin qytetarëve të zgjedhin edhe pse në këtë proces ndodhin  edhe “mutacione politike” që duhet operacion i dhimbshëm t’i kurosh. Kriza që përjeton Amerika dëshmoi se ajo ka ende “këllqe” të forta, përmes lirisë së vet ajo ka “çimentuar” një pavarësi pushtetesh, ka ndërtuar institucione që nuk i nënshtrohen “unit” të pushtetshëm apo  diktatit të rrugës. Përmes kësaj krize Amerika “mori shënim” gabimet e veta do t’i rikthehet me një shembull të madh botës se si të mos i nënshtrohesh dhunës dhe kaosit të brendshëm. 

            Asgjë nuk do të ndodhë më 20 Janar 2021. Ceremonia do të zhvillohet e qetë, gati si seancat  e kongresit me “dyer të mbyllura” dhe kështu do mbyllet një “kapitul dëshpërues” dhe Amerika do vijojë të besojë tek demokracia  dhe liria e vet…Presidenti i zgjedhur do rikthehet tek Shtëpia e Bardhë, jo si 12 vjet më parë si “hija” e Presidentit, por si  President autentik dhe “kryeqeraxhi” i  Zyrës Ovale, me  shpirt dhe botë të bardhë. A nuk është e bardha  simbol i paqes?

            Amerika  pret në heshtje, por jo pa ankth. Ky janar i acartë i vitit 2021, do mbahet mend në  shekuj. Acar, kërcënime, frikë dhe shpresë. A thua ky vend po kapërdin “pilulën”  vetëhelmuese? Jo!  Është thjesht iluzion i dhimbshëm. Amerika ka lindur prej lëngimit mërgimtar  dhe “kurbaneve” të shumta,  për të mos vdekur kurrë. Ajo duket se sapo është zgjuar nga një “ëndërr tmerri”dhe po “shtriqet” rimbledh forcat dhe energjitë krijuese, duke  i treguar “muskujt” vetvetes. A nuk jetojmë për vete, pastaj për të tjerët ?! .

Minneapolis, SHBA

18 JANAR  2021

Filed Under: Opinion Tagged With: Liria Amerikane, Shefqet Meko, Shtetrrethimi

Napoli me dy kapitenët shqiptarë në fushë

January 18, 2021 by dgreca

Nga Alban Kolonjari/

Atlético de Madrid telefonon Hysaj për herë të dytë. Në minutën e 79-të të takimit Napoli-Fiorentina 6-0, tranjeri napolitan Gennaro Ivan Gattuso, largoi nga fusha mbrojtësin Kostas Manolas dhe hodhi ën fushën e lojës (Kapitenin e Kosovës) Amir Rrahmani i cili u vendos në krah të një tjetër Kapiteni atij të Kombëtares Shqiptare Elseid Hysaj, duke bërë që mbrojtja e Napolit të flasë shqip. Mediat dhe specialistët i vlerësuan paraqitjen e të kapitenëve me nota pozitive. Por pavarësisht paraqitjve pozitive në fushën e lojës, midis Napolit dhe Elseid Hysaj nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët dhe firma e kontrates së re nuk është hedhur. Situata e midis Hysaj dhe Napolit po ndiqet nga shumë klube në Itali por edhe në nga klube të tjera europiane dhe një nga këto është edhe Atlétiko de Madrid.Atlétiko e Madrid Atlético de Madrid ka një problem të performancës në anën e djathtë, pasi Kieran Trippier ka luajtur shumë pak që nga ardhjes së tij nga Tottenham Hotspur.  Edhe Sime Vrsaljko nuk ka një përfomance të mirë pas kthimit pas një serie serioze lëndimet. Të gjitha këto e shtyjnë ekipin rojiblanco të mendojë për mundësinë e shkuarjes në tregun e transferimeve me idenë e përforcimit të këtij pozicioni, me shqiptarin Elseid Hysaj që edhe një herë do të jetë një nga favoritët e menaxherëve të sporteve.
Lojtari 26-vjeçar i Napolit Elseid Hysaj  ishte afër Wanda Metropolitano rreth një vit më parë, pak para mbërritjes së Trippier të lartpërmendur. Ai e  kishte një mundësi të re për të luajtur nën komandën e trajnerit argjentinas Diego Pablo Simeone, por një shumë e përballueshme për interesat e ekipit rojiblanco,  dhe kontrata e tij me Napolin bene qe Elseid Hysaj te mos perfundonte te Atlético de Madrid .Kapiteni i Kombetares Shqiptare e përfundon kontratën e tij me Napolin me  30 qershor, dhe me pas eshte i lirë për disa. Do të duhen disa  ditë për të negociuar ardhjen e tij me kosto zero për çdo klub dhe Atlético de Madrid ka rifulluar kontaktet me të. Gattuso i hap derën e daljes. 
Sipas mediave spanjolle ardhja e Elseid Hysaj në Atlétikon e Madrid do ta ndihmonte futbollistin shqiptar të rimarrë një emër më të madh në një ekip të klasit të parë. E gjithë kjo pasi në këtë sezon Elseid Hysaj është një nga lojtarët që ka pasur më pak minuta me fanellën e Napolit ku trajneri italian Gennaro Gattusso duket se i ka hapur derën e daljes në më shumë se një rast për mbrojtësin e djathtë 26-vjeçar për të kërkuar një destinacion fillestar që mund ta gjente një herë e përgjithmonë në Wanda Metropolitano

Filed Under: Sport Tagged With: 2 kapitenet shqiptar, albano kolonjari, Hysaj, Napoli, Rrahmani

Pjeter Arbnorin e Kujtojmë me rastin e 86-vjetorit të Lindjes

January 18, 2021 by dgreca




Shkruan: Anton ÇEFA/

Nga libri i Pjetrit “Lufta për të mbetur Njeri”, zgjodha shkrimin “Kembrixhi
për Arbnorin” Arritje të shek. XX.”

“Urime! Ju jeni nga ata që u zgjodhën!” Qendra Biografike
Ndërkombëtare e Kambrixhit, Angli, një nga organizatat kryesore botërore të
kërkimeve dhe botimeve biografike, tha dje  se ka zgjedhur deputetin dhe
shkrimtarin Pjeter Arbnori në grupin e një numri të vogël burrash dhe
grash nga e gjithë bota, të denjë për  Dekoratën “Për Arritje të
Shekullit 20”. Dekorata për Arbnorin, sipas kësaj qendre, shoqërohet me
citatin: “Në njohje të veprave të shquara në fushën e të Drejtave të Njeriut”.
Nicolas S Law, drejtor i përgjithshëm i Qendrës Ndërkombëtare Biografike në
letrën që i shkruan Arbnorit , thotë se  “Kolegët e mi në Bordin Botues të
Qendrës Ndërkombëtare Biografike kanë qenë dakord që unë të zgjidhja vetëm fare
pak individë, që do të përfshihen në botimin e 26-të për t’u përmendur në
mënyrë të veçantë në një pjesë të shquar në krye të vëllimit. Kam kënaqësinë që
emri juaj është njëri nga ata që u zgjodhën dhe po ju shkruaj që t’ju ofroj
rastin që përveçse vënies së emrit tuaj në pjesën kryesore, që është gjë e
sigurt, t’jua kushtojnë juve këtë botim. Duke pranuar këtë nder, Biografia Juaj
e Përkushtimit do të jetë një nga zërat e parë në këtë libër”.

Përveç dekoratës për
arritje të shekullit 20-të dhe përfshirjes në Fjalorin Biografik Ndërkombëtar,
Botimi i 26-të, Qendra e Kembrixhit, ka vendosur ta përfshijë Arbnorin, i
cilësuar si Mandela i Shqiperisë, edhe në Botimin e Trembëdhjetë të Who’s Who
Ndërkombëtar të Intelektualëve. Botuesi Sam Tyler i shkruan Arbnorit se, “ju
ftoj të zini vendin tuaj ndërmjet faqeve të këtij botimi, ku deri tani ne kemi
nderuar më tepër se 20. 0000 vetë, në gjashtëdhjetë e dy vende të ndryshme të
botës”

Nëntor 1998 – “RD”

***

Tribuni i demokracisë Pjetër Arbnori

Fjalë e mbajtur në
mbledhjen përkujtimore për Pjetër Arbnorin

në tubimin e organizuar nga “Vatra” më 9  shtator 2006

               
Ndoshta më i afërmi ndër shokët e tij të fëmijërisë dhe të rinisë kam qenë unë.
Rrethanat e jetës i ndajnë dhe i largojnë njerëzit, por zemrat e shokëve e të
miqve nuk njohin ndarje.

               
Vdekja e tij e parakohshme dhe e papritur më tronditi aq shumë sa që nuk qeshë
në gjendje të merrja penën. E pra, unë kisha shkruar për të dhe kisha aq shumë
për të thënë. E kisha detyrim, e ndjeja si peng, por edhe si çlirim shpirtëror
nga dhimbja; megjithëse e dija që nuk do të shpëtoja nga ajo dhe nuk e ndjej se
po përligjem e po qetësohem me këtë Fjalë në këtë tubim të bukur përkujtimor që
po organizon “Vatra”. Ai  ishte mik i “Vatrës”, i historisë dhe bëmave të
saj të shkëlqyeshme; dhe në një vizitë që i bëri “Vatrës”, pati deklaruar: “Në
‘Vatër’ e ndjej veten më ngrohtë se kudo”. Dhe ‘Vatra’ e priti dhe e përcolli
me dashurinë, dashamirësinë dhe nderin që pritet një mik i shtrenjtë.

               
U rritëm bashkë. I kishim shtëpitë jo më shumë se 100 hapa larg njëri-tjetrit.
Nga dera e oborrit e shtëpisë sime, përtej rrugës dhe dy gardheve, e shihja atë
kur dilte në kopshtin e “Shtëpisë së mbetur përgjysmë”, siç e ka titulluar ai
romanin kushtuar viteve të fëmijërisë dhe të rinisë.

               
Pjetri erdhi në lagjën tonë, në vitin 1942, shtatëvjeçar. Kishim një diferencë
fare të vogël moshe, vetëm 5 muaj. E kujtoj që në fëmijëri me atë natyrë të
qetë që e ka karakterizuar gjithnjë – refleks i një flegme pjekurie dhe maturie
të hershme, që ndrydhte në çdo rast impulset e mospajtimit dhe kundërshtimit
deri në protestë ndaj së keqes, në çfarëdo ngjyre që të shfaqej ajo dhe prej
çfarëdo drejtimi që vinte.

               
U nisshim për shkollë, mbasi zgjoheshim shumë heret, porsa dilte drita, nga
zhurma e mitralozave që lajmëronin Shkodrën se në periferi të qytetit, pas
varrezës së Rmajeve- shumë afër lagjes sonë, u pushkatuan edhe një grup
“reaksionarësh”, mbi të cilët rëndonte një faj shumë i madh: ata e donin
Shqipërinë ndryshe nga komunistët, që po ia bënin fli politikës sllave dhe
paçavureve marksiste-leniniste. Për gjithë qytetin, e edhe për ne fëmijët, në
atë kohë unë e Pjetri kishim shkelur në të 12-in e në të 13-in vit të jetës,
bëhej objekt i përgjithshëm diskutimi ngjarja e përgjakshme. Shqiptoheshin
emrat, flitesh për rrethanat e jetës dhe viheshin në dukje meritat e secilit
prej martirëve.

               
Dy shkollat e mesme të qytetit, pedagogjikja dhe gjimnazi, që zhvillonin
mësimet në të njëjtën ndërtesë, qenë bërë qendër e rezistencës së rinisë
shkollore kundër komunizmit. Për ta mposhtur këtë rezistencë, qeveria pati
sjellë si nxënës konviktorë kryesisht nga Jugu i vendit ish-partizanë a djem të
tyre, që i kishim ndër klasa, por që ishin 4-5 vjet më të mëdhenj nga ne. I
mbaj ndër mend si sot mbledhjet e tendosura nervash, që organizonin ata me
britma çjerrëse e kërcënime, që përfundonin në oborr të shkollës me rrahje.
Këta “revolucionarë të çartur” i sulmonin të rinjtë që përjashtoheshin herë pas
here nga shkolla dhe i rrihnin kafshërisht. Ky kontigjent, i çmendur
politikisht dhe i çoroditur moralisht, mbas mbarimit të shkollës dërgohej për
të studiuar jashtë shteti, në vendet e Evropës Lindore, kryesisht në Bashkimin
Sovjetik. Mbas përfundimit të studimeve këta elementë u bënë kuadro të atij
regjimi kriminal, që sundoi për 50 vite. Edhe sot e kësaj dite, mjerisht, pa i
vrarë ndërgjegjja fare për çfarë i bënë popullit dhe   atdheut, shetisin
në rrugët e kryeqytetit, kryenaltë për bëmat e tyre të fëlliqura. 

               
Në këto rrethana u formuam me një urrejtje të ligjshme kundër komunistëve. Kur
u ndamë, unë u emërova mësues në rrethin e Matit, (ai, një vit më vonë, në
Dukagjin), i dhashë një poezi prej dy sonetesh, që ia kisha kushtuar atij
sikurse edhe ndonjë shoku tjetër. Titulli qe: “Kah galeritë e ardhmenisë
arbnore”, që ai e ndryshoi: aty për aty: “Kah katakombet e ardhmenisë arbnore”,
si për ta parandjerë zezonën që do t’i ndodhte atdheut. Dhe shkroi: “Questo e
il mio dramma che pianger’ mi fa”. (Kjo është drama ime që më bën të qajë). Me
shumë poezi të tjera u dogjën edhe sonetet e katakombeve. Mbaj ndër mend vetëm
strofën e parë dhe disa rreshta të shkëputur:

“Ndër sytë e tu, gjurmues t’ mendimit pashë

               
Shqetinë e vlagshtë për botën e praksueme

               
Shqetinë qi thekshem shpirtin t’ vrau e n’ fashë

               
Zemrën s’ta la jo kurr n’ ndiesi t’harbueme.”

               
Pjetri në atë kohë shkruante poezi satirike. Kishte një talent të rrallë.
Letrat e tij derdheshin në një harmoni të çuditshme satire. Koha i zhduku të
gjitha.

*   *   *

Arbnori na ka lënë një pasuri të madhe shpirtërore në disa fusha: rrugën
teorike dhe praktikën e politikës së tij për ndërtimin e demokracisë, veprën
letrare, të cilësuar si “koherencë shembullore njerëzore dhe artistike” të
jetës së tij dhe, mbi të gjitha, plarformën e përpjekjeve në rrethana të
jashtëzakonshme jo vetëm për të mos iu nënshtruar, jo vetëm për t’i dalë
përballë, por edhe për ta mposhtur të keqen, poshtërsinë, të shëmtuarën, ferrin
e diktaturës, atë që ai e ka quajtur “Lufta për të mbetur njeri”, luftë në të
cilën pati shumë luftëtarë të shquar dhe Arbnori qe një nga më të shquarit.
Kështu e ka quajtur ai ditarin e tij sekret të mbajtur në vitet e gjata të
burgut, sipas një kodi të veçantë, për dëshifrimin e të cilit ai vazhdonte të
punonte para se ta tradhëtonte vdekja.

  “Në mënyrë të ndërgjegjshme – ka shkruar ai në librin e tij
‘Martirët e rinj në Shqipëri’ – iu futa një rruge që më çoi në një burgim të
gjatë.”

“Të mbetesh njeri – vijon ai më poshtë – nuk është ndonjë trimëri e madhe,
por është detyrë. Megjithatë nuk ka qenë e lehtë të luftoja për të ndërtuar një
strehë pa lënë tjetrin në shi; të siguroja një kafshatë bukë pa ia hequr
tjetrit kafshatën nga goja, të përpiqesha të shkollohesha pa e lënë shokun në
errësirë, të rropatesha në pranga për të ndriçuar robërinë time pa ia rënduar
jetën shokut që kisha pranë. Në kushte tepër të vështira e quaj arritje që kam
shpëtuar pa u turpëruar dhe kam mundësi t’i shikoj shokët, miqtë dhe armiqtë
drejt në sy.”

*   *   *

               
Mendoj se është me vlerë të them shkurt, vetëm dy fjalë për “tabanin” e
edukatës familjare ku u rrit Pjetri, meqë nuk e di a ka folë kush për këtë. I
ati, Filip Toma, oficer i xhandarmërisë shqiptare, i njohur për tri “pa” – i pakorruptuar,
papërkrahës, pa shtëpi”, u vra duke luftuar trimërisht kundër komunistëve në v.
1942, mbasi pati luftuar edhe me 7 prill kundër pushtimit Italian. Me 5 prill
të v. 1939, ai i vuri në dorë të birit katërvjeçar nagantin dhe e ndihmoi të
tërhiqte këmbëzën, sepse kishte lindur trashëgimtari i Mbretërisë Shqiptare.
Gjithsesi, ky njeri me tri “pa”, i pati lënë të birit një bibliotekë të pasur.

E ëma, Gjystina a Dyta, siç e thërrisnim në lagje, një nënë më stoike e më
të përcaktuar në detyrën e saj si prind nuk kam njohur, ndikoi shumë në
edukimin e të birit. Pjetri kujton disa parime të kësaj nëne, që shkëlqente nga
dinjiteti për rezistencën e treguar ndaj reprezaljeve të regjimit komunist, dhe
që ai u përpoq t’i ndiqte:

Të mbështetem në besimin tek Zoti.

Të ruaj krenarinë e familjes.

T’i shtrohem punës me zell e këmbëngulje.

Të mos i ankohem njeriut për hallet e mia.

Të mos turpërohem moralisht.

Të mos prek gjënë e botës.

Të mos tradhëtoj as miq as të huaj.

 Të mos bëhem shërbëtor i askujt.

Të mos e humbas humorin as në kushte të vështira.

Pa u shitur trim të jem qëndrestar.

                               
*   *   *

               
Për qëndrimet politike të Arbnorit mbas rënies së diktaturës nuk do të flas.
Janë të njohura prej të gjithëve: I ekuilibruar në atë kaos çekuilibrimi të
përgjithshëm të politikës shqiptare gjatë këtyre viteve të tranzicionit; i
përmbajtur e gjakftohtë përballë të ndërsyerve të shfrenuar; i vendosur pa
kompromisin më të vogël në luftën e tij për demokraci dhe procese integruese
ndaj strukturave evropiane dhe evroatlantike, me shpresë e besim të plotë në
një të ardhme më të mirë për Shqipërinë.

               
Ai i qëndroi besnik politikës dhe partisë ku aderoi që në fillim, por politika
e braktisi, siç kishte braktisur edhe demokratë të tjerë të vërtetë për t’i
zëvendësuar me “katovicas”, mjeshtër të kualifikuar për ta penguar dhe për ta
çoroditur
demokracinë.               

E merrja shumë rrallë në telefon. Nuk doja ta trazoja, por e ndiqja hap për
hap jetën e tij përmes njerëzve të familjes sime dhe shokëve. Disa ditë mbasi u
dhanë rezultatet e zgjedhjeve, s’u durova më dhe i merakosur, i telefonova. Me
një zë si të huaj, m’u përgjigj: “Flitet për një emërim në ambasadën në
Vatikan, por deri tani asnjë njoftim zyrtar nuk kam; por vazhdoj të punoj në
kuadër të Institutit “Alqide de Gasperi” (një institut që merrej me studime
politike, të cilin e drejtonte ai vetë) dhe, si gjithmonë, vazhdoj të shkruaj.”

Thonë që “ishte i lodhur”. Vërtet, por po të ishte atje në Bruksel për të
përfaqësuar Shqipërinë, zëri i tij do të dëgjohej më shumë se zëri i çdo
tjetri. Vërtet, Evropa që e kishte futur në “Fjalorin ndërkombëtar të
biografive” “për kontributin e shquar për të mbetur njeri”; në “Fjalorin e
biografive ndërkombëtare” “për nder të kontributit të tij të shquar për të
drejtat e njeriut”; Evropa që i kishte dhënë “Çertifikatë merite shpallur në të
gjithë botën” “për shërbim të shquar, i cili dhe është shënuar në vëllimin
XXVI”, në “Fjalorin e biografive ndërkombëtare”; Evropa që i kishte dhënë
“Çertifikatën për njohje të arritjeve të shquara, të cilat janë regjistruar në
botimin XIII ‘cilët janë intelektualët ndërkombëtarë”, dhe  titullin 
e Asamblesë Parlamentare të Vendeve Frëngjishtfolëse ‘Oficer i madh i Urdhërit
të Plejadës”,  etj.; Evropa do ta kishte pranuar dhe nderuar më parë se
cilindo, siç e pati pranuar dhe nderuar, kur Arbnori firmosi për pranimin e
Shqipërisë në Këshillin e saj. 

Arbnori kishte një ideal të lartë për demokracinë. Ndoshta ai qe ndër të
paktët që iu futën politikës, duke e kuptuar esencën e saj dhe, ndoshta, qe ai
që e kuptonte atë më mirë se të tjerët. Një ndikim të dukshëm, siç duket,
ushtroi tek ai përkthimi i “Historisë së Anglisë” të Andrea Maurois, përkthim
që e bëri nën nxitjen e juristit të shquar, që e kaloi një pjesë të mirë të
jetës në burgun e Burrelit, Engjëll Çobës, i cili i pati thënë “Mund të mësosh
prej tij – është fjala për librin e Historinë së Anglisë –  më tepër se
nga çdo libër tjetër që qarkullon në Burgun e Burrelit”. Për bindjet e tij për
demokracinë, Pjetri ka shkruar: “Nëse popujt e tjerë nuk mund të ndjekin pikë
për pikë këtë shembull, Historia e Anglisë duhet t’i mësojë njërës palë ta
heqin mendjen nga ‘revanshi me çdo kusht’ dhe palës tjetër se do të jenë
fitimtarë për një kohë të gjatë po të jenë tolerantë dhe të bëjnë kompromise të
arsyeshme duke përsosur çdo ditë demokracinë.”

*   *   *

Vepra e tij letrare me vlera të mëdha njohëse, artistike e edukative është
mjaft e vëllimshme dhe nuk është botuar ende plotësisht. Janë botuar nga viti
1992 deri në v. 2000: romanet “Mugujt e Mesjetës”, “E bardha dhe e zeza”;
“Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Vorbulla”, “Brajtoni, një vetëtimë e largët”;
novelat “Kur dyndën vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E panjohura – Vdekja e
‘Gebelsit”. Ka botuar gjithashtu; studimin historik “Nga jeta në burgjet
komuniste”, epistolarin “Letër nga burgu”, një përmbledhje intervistash “Lufta
për të mbetur njeri”; “Pjetër Arbnori – shkrimtar, politikan, njeri”; një
përmbledhje kujtimesh, fjalimesh dhe artikujsh publicistikë “Martirët e rinj në
Shqipëri”; në gjermanisht, kujtime mbi priftin gjerman dom Alfons Tracki “Unë
kam mbijetuar dhe kam shkruar”, përkthimet: “Historia e Anglisë” e Andrea
Moruas dhe “Ngritja e rënia e Rajhut të Tretë”, përkthyer nga frëngjishtja..

               
Nuk është vendi këtu të bëjmë analizë për vlerat letrare të këtyre veprave, por
kam dëshirë të tërheq vëmendjen për tri gjëra.

               
Së pari, Arbnori bën pjesë në treshen e shkëlqyeshme të lëtersisë së zhvilluar
në burgje: krahas Trebeshinës së zjarreve të skëterrës dhe Zhitit të yjeve të
qiellit. Së bashku edhe me disa emra të tjerë, kjo letërsi mbetet t’u zbulohet
lexuesve, sepse ngërthen në gjirin e saj vlera të pakrahasueshme artistike,
njohëse dhe edukative. Në parathënien e monografisë “Pjetër Arbnori-shkrimtar”
të studiuesit të huaj, Giuseppe Gradilone, Lazër Stani ka shkruar “Shkrimtari
Pjetër Arbnori bën pjesë ndër ata krijues shqiptarë, që duke jetuar në kushte
të jashtëzakonshme, nuk bënë asnjë lloj kompromisi me skemën zyrtare të
realizmit socialist dhe krijuan atë letërsi shqipe që mund të kategorizohet si
“letërsia tjetër”.

Studimi kritik fatkeqësisht sot mungon. Lavdërohen deri në neveritje vepra
që në vend të letërsisë kanë byk e krunde; por që kanë antivlera të
jashtëzakonshme çedukuese, sidomos për brezin e ri, në fushën e kuptimit të
artit të fjalës dhe realizimit të mjeshtërisë artistike, shpesh edhe në fushën
e moralit qytetar. 

Së dyti, Arbnori shkroi në kohën e mungesës së lirisë gjatë viteve të diktaturës,
që qenë vite të rënduara nga robëria diktatoriale, jo vetëm për Pjetrin dhe
shokët e tij të burgosur politikë, por për gjithë popullin tonë. Mungesën e
lirisë e vuajtëm të gjithë ne që ishim të ndërgjegjshëm për atë që po ndodhte
nën atë regjim antikombëtar e antipopullor krimi. Dëshira më e parë e më humane
për njeriun – liria – e çoi Arbnorin drejt letërsisë si nevojë shpirtërore
krijuese, si qëllim, si mjet dhe si ndihmesë për ta realizuar atë për vete, për
popullin dhe për atdheun e tij. Një ndryshim i madh diametral me rrugën e
shkrimtarit tonë më të madh të realizmit socialist, Ismail Kadare, të cilin siç
ka pohuar ai vetë në hyrje të librit “Nga një dhjetor në tjetrin” dhe e ka
përsëritur më vonë në “Dialog me Alain Bosquet”: “Letërsia e ka çuar drejt
lirisë, dhe jo e kundërta liria drejt letërsisë.”

Arbnori kishte krijuar në vetëdijen e tij një hapësirë me të gjerë
konceptuale për lirinë. Ai ka shkruar: “Për intelektualin, dhe jo vetëm për
intelektualin, jeta është përpjekje për të zgjeruar çdo ditë kufijtë e lirisë,
për të hapur çdo ditë dritaret e kontaktit me botën, me realitetin kur s’mund
t’i thyesh kufijtë që të rrethojnë. Ka edhe një mënyrë tjetër për të hyrë në
botën e lirisë që është e mundimshme por më efikase: zgjërimi i lirisë në veten
tënde, në mendjen dhe në shpirtin tënd. Kjo bëhet me anën e punës serioze
intelektuale, me anë të mendimit, diskutimit dhe shkrimit.” Këtë dukuri të
lartë shpirtërore, Gradilone e ka cilësuar si “fitorja e mundimshme, e
pikërisht për këtë e vlertë, e lirisë së brendshme, ku ndien nevojën e
meditimeve të shpirtrave të mëdhej, si Shën Agostini e Severino Boecio.” 1).
  
             Së
treti, në një intervistë, Arbnori ka thënë: “Në politikë shpejt njerëzit
harrohen. Përpiqem që njerëzit mos të më kujtojnë për keq. Në letërsi, një
pjesë e njerëzve kujtohen më gjatë. Dëshiroj që brezat e ardhshëm, nëse do të
më qëllojnë që të më kujtojnë, të mos thonë se i kam gënjyer, mashtruar ose kam
shkruar me mllef.”. 

Mbasi të kalojë kjo periudhë e stërzgjatur krize shpirtërore, mbasi të
shërohet kjo klimë e sëmurë e kulturës sonë dhe mbasi në vendin tonë të
triumfojë demokracia e vërtetë, që dëshironte, shpresonte dhe për të cilën
punoi Arbnori, do të krijohen kushtet e leximit dhe të studimit të veprës
letrare të tij dhe breznitë e reja do të reflektojnë dhe do të kuptojnë se kush
e tha të vërtetën për çka u bë në atdheun tonë gjatë viteve të diktaturës,
Arbnorët, Trebeshinat e Zhitët, apo vanadaku i pafund i penave të realizmit
socialist, sado të fuqishme të kenë qenë ato në fushën e mjeshtërisë artistike.

Populli ynë duhet të krenohet që nxori, në një nga periudhat më të vështira
të historisë së tij, historisë së turpshme të luftës së vëllezërve shqiptarë
ndërmjet vetit për hir të një ideologjie edhe më të turpshme a për hir të një
kolltuku të përgjakshëm diktatorial, një personalitet të tillë si Arbnori.
Lufta për rrëzimin e komunizmit dhe për ndërtimin e demokracisë lindi në Evropë
udhëheqës politikë e shpirtërorë të mëdhenj: në Poloni, një Lek Valezë; në
Çekosllovaki një Vaklav Havel dhe në Shqipëri një Pjetër Arbnor.

Me vdekjen e parakohshme të Rugovës dhe të Arbnorit, Kosova e Shqipëria
humbën – në një kohë që kishin shumë nevojë për ta – dy personalitete të
shquara, të çmuara prej popullit të tyre dhe të vlerësuara nga Evropa dhe mbarë
bota: Gandistin e Madh Ibrahim Rugova dhe Disidentin Tribun të Demokracisë
Pjetër Arbnori; por ata do të përjetojnë pavdekësinë e tyre në vetëdijen
kombëtare dhe do të jenë të pranishëm, për të gjitha breznitë shqiptare, në
panteonin e personaliteteve të ndritura që ka nxjerrë kombi ynë.

1). Boethius, Anicius Manilius Severinus (480-525), filozof dhe burrë shteti
romak, veprat filozofike të të cilit ndikuan fuqimisht në zhvillimin e mendimit
mesjetar. Në burg, duke pritur ta ekzekutonin, shkroi veprën “Ngushëllimi i
filozofisë”.

Filed Under: Politike Tagged With: Anton Cefa, Pjetër Arbnori

Poshtë imperializmi francez

January 18, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ 1) Tetori i vitit 2019 rezultoi jo i suksesshëm për qytetarët e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Bashkimi Europian nuk i çeli negociatat me vendet përkatëse. Një kundërshtar i fortë qe presidenti aktual i Francës. Ai mbrojti idenë e një strategjie investimesh të menjëhershme në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut në ekonomi, arsim dhe kulturë. Madje edhe më pas ai do ta mbronte idenë e tij me shpjegimin se ”Në sytë e shumë njerëzve, unë jam presidenti francez që kam marrë rolin e njëriut të keq. Gjithsesi unë mendoj se nuk janë kushtet nga këndvështrimi europian për çeljen e negociatave. Proçedurat e pranimit për këto dy vende duhet të jenë të diferencueshme dhe të pakthyeshme. Qëllimi i vetos time është reformimi, pastaj anëtarësimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në Europë”.

2) Për të kuptuar reformimin ekonomik, së pari janë pagat e pa kontrolluara në nivel tavanesh a dyshemesh. Informaliteti etj. Dhe fakti që akoma shqiptarët paguhen me të futur dorën në xhep. Ndofta vetëm administrata shtetërore, mbase dhe një pjesë e privatit depozitojnë pagën tek llogaritë personale. Arsimin, mjafton të kujtoj një fakt që pas një investigimi i topstory-it po atë vit rezultoi se 23 deputetë ishin të pashkolluar dhe me diploma fallco. Madje prej tyre ishin deri ministra. Kulmi qe një farë Sadri Abazi i cili çertifikatën e një autoshkolle në Zvicër, e arshivon në Kuvendin e Shqipërisë si diplomë. Për kulturën. Demokracia është kulturë, madje bashkëpunim i ndërsjellë, balancim, vjen, qeveris dhe ikën. Mirëpo për shqiptarët nuk është kështu. Për kundër të gjitha shifrave, borxheve, pikiatës ekonomike dhe firove të burimeve njerëzore. Pushteti mbrohet me të gjitha mënyrat, madje deri në pikën e fundit të gjakut.

3) Për ta kuptuar disi më lehtë, por risjell një fakt. Po atë tetor, pra 2019… Zoran Zaevi kryeministri aktual i Maqedonisë së Veriut dha menjëherë dorëheqjen. Vendi duhej të shkonte në zgjedhje të reja. Arsyeja, nuk u çelën negociatat. Një premtim elektoral i pa arritur. Megjithëse dimër, kohë e vështirë, po vinte dhe pandemia. Maqedonia e Veriut ndoqi pikë për pikë kulturën europiane të tranzicionit të pushtetit. Mbajti zgjedhje të rregullta dhe rezultati nuk u kontestua. Nga ana tjetër në Shqipëri bie moralisht kuvendi për shkak të largimit frontal të opozitarizmit. Mbahen zgjedhje vendore pa kundërshtar politik. Votohen ligje themelore por pa asnjë konsensus. Ngrihen e protestojnë studentët. Proteston Opozita. Proteston shoqëria civile. Shëmben teatro në mes të natës, ndërkohë që grevistë kundër shëmbjes flinin brenda. E gjitha kjo lë të kuptohej se balancimi i pushtetit është një ëndërr imagjinare, kurse diktati i forcës me mjetet e demokracisë tashmë një realitet i gjallë. Gjithashtu kjo lë të kuptohet se Shqipëria nuk e ndihmoi rajonin, por i dogji shanset e mundshme edhe Maqedonisë së Veriut.

4) Megjithatë në raport me Shqipërinë, Maqedonia e Veriut vazhdon përpjekjet dhe nuk ka krijuar konflikt të hapur me vende si Franca. Kurse Shqipëria rezulton me plot indinjatë karshi Francës dhe presidentit të saj. Që ta mësojnë edhe derrat se kur Makroni përmend kulturën, e ka fjalën pikërisht për këtë, kulturën politike. Jo për kulturën e traditës, për vokalin e shpirtit shqiptar. Për politikën…, po ta kishte me qytetarin a me shoqërinë shqiptare, me popullin si e doni ju. Nuk i jepte një shkrimtari shqiptar një çmim të lartë si Oficer i Legjionit të Nderit. Një çmim i themeluar nga Napolon Bonaparti, një institucion shekujsh. Dhe kjo ndodhi në janarin e 2020. Pra bëni dallimin midis kulturës politike dhe kulturës kombëtare. Të parën e përfaqëson Edi Rama, të dytën Ismail Kadare.

5) Kultura jonë demokratike. Ku ta kapësh…. Vini re një gjë. Fushatat  zgjedhore nuk diskutojnë problemet e vendit, por marrëdhëniet mes njëshave. Intrigat, kush ja futi e kush ja hoqi. Partitë e reja, koalicionet etj. Një fakt që verteton se jeni të vrarë edhe për 4 vjet të tjera. Televizionet nuk i japin kurrë pjesën e duhur qytetarit, por lajmit që askujt nuk i duhet. Se si një karabush Berati la LSI për PS. Një karabush që mund të bëj gjithçka vetëm të jetë deputet.

Eshtë tashmë një luftë e legjitimuar kjo e deputetllëkut. Meritokracia, i kam dhënë kësaj partie, deputetllëku i përjetshëm. Deri pasurinë do ta shkrijë, o deputet o plasa. Nuk më zgjodhe, bëj parti më vete unë. Kthehuni tek opozitarizmi. Një kryetar partie i kërkon publikisht PD dy vende nga lista e saj, të vetin dhe të sekretarit. O je parti, o ik e hap krahun, or mik. Nuk mund të bëhesh deputet me votat e tjetrit, por me të tuat. Se ky është një mashtrim sy për sy. Kanë gjithë jetën e tyre shqiptarët që të paguajnë me taksat e tyre, për asgjë. Mund të kishin bërë ca rrugë në fshatrat ku po i ha balta me ato para. Kultura jonë politike, a demokratike…, fallxhorja, doktoresha e shkencave, gjumashi, deposita, më hëngërsh atë që nuk thuhet. Paratë e mia nuk ka birë kurve që i gjen. Kush nga ju këtu nuk voton nismën time, është i parjashtuar nga partia që tani. President pijanec, kryministër legen.., videot e tmerrit elektoral, rryshfeteve, përqindjeve, të vrarë në rrugë. Por që për çudi autorë nuk ka. Në burg shkon ai qytetari në periferi që lidh dritat pa leje, ajo pastruesja që të lyp 50 euro normalisht. Por kemi edhe agresorë politikë të fortë si Jozefina, e ka e gjetur dështimin tonë, e ka gjetur te ai që këto 8 vjetë ka vetëm çelsat e kashtës.

6) Kësisoj është e kuptueshme përse Franca refuzoi çeljen e negociatave me Shqipërinë. Përse Makroni na e drodhi publikisht. Edi Rama ka të drejtë të ankohet që ambasada e Francës po ia shtrëmbëron kuptimin fjalëve të tia. Edi Rama, thotë, Makron e bën për audiencë në Francë. Ne i kemi bërë detyrat, Franca nuk do, në koqe. Ne bar hamë dhe dorën nuk e shtrijmë. Poshtë imperializmi makronist francez.

Filed Under: Politike Tagged With: Ilir Levonja, Imperializmi Francez, poshte

Martin Luther King Jr. Day – A Day of Reflection

January 18, 2021 by dgreca

by Rafaela Prifti/

To honor the memory and reflect on the legacy of Martin Luther King Jr. is to appreciate the meaning of service.

On this National Service Day, I like to shine a light on a family friend, a supporter of the Albanian people as well as a self-described student of Albanian language, Barry Farber. The popular talk radio host with nearly a six decade career in broadcasting passed away last year shortly after his 90th birthday. His youngest daughter Bibi posted a commentary today to say that the first person Barry interviewed on the radio on WINS in 1960 was Dr. Martin Luther King Jr.!

“Mr. Farber inaugurated his first solo radio program in 1960 after arriving in New York from North Carolina with journalistic ambitions and remarkable multilingual talents. He went on to interview guests for longer than any other living, continually broadcasting radio host,” the New York Times wrote. “His Southern gentlemanly demeanor on the air also stood in contrast to the bellicosity Mr. Farber, a fervent anti-Communist, later demonstrated when he twice campaigned for office”, in 1970 for a Republican Cogresssional seat and in 1977 race for New York City mayor. Since 2008, he had been broadcasting, on Talk Radio Network and then on CRN Digital Talk Radio, from his Upper West Side apartment while contributing weekly to the World Net Daily website.

Barry Farber was inducted into the Radio Hall of Fame in 2014. “He had arrived in New York in 1957 looking for work in journalism when by chance he struck up a conversation with William Safire”. At the time, Mr. Safire was working for a radio show in town hosted by the husband-wife team of Tex McCrary and Jinx Falkenburg. He was impressed by “a former campus newspaper editor, college wrestling champ and Army translator who had done some world traveling and, perhaps most impressively, could speak nearly two dozen languages.” His first on-air interview was with the Rev. Dr. Martin Luther King Jr. in 1959.

To paraphrase the title of Barry Farber’s first memoir, he could turn every conversation Into a magic moment. As Bibi writes, Barry Farber’s interview with Dr. King did not end there: “Barry had been active and outspoken in the civil rights movement since his youth.” For his support of Congress of Racial Equality, Barry was awarded a patron of membership in 1989.
Honoring the memory of Dr. King and his legacy is tied to appreciating the meaning of serving the community and the country.

Filed Under: Featured Tagged With: A Day of Reflection, Martin Luther King Jr, Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • 19
  • …
  • 39
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT