• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2021

Kërkojmë vetëm vëmendje për të përndjekurit politikë

February 19, 2021 by dgreca

NGA NEBIL ÇIKA/

 Kerkojme vetëm vëmendjen që meritojmë !

Në shumë raste kur ne kërkojmë nga PD të përfshijë në programin e saj plotësimin e të drejtave dhe interesave të të përndjekurve politikë antikomunistë disa nga ne , ose të painformuar ose provokatorë reagojnë negativisht në komentet e tyre në rrjetet sociale.Dua të sqaroj se qëllimi ynë nuk është të dëmtojmë PD por ta ndihmojmë atë të marrë gjithë mbështetjen e mundshme të të përndjekurve politikë antikomunistë dhe njerëzve tanë ne zgjedhjet e 25 prillit.Ne jemi themeli i saje, arsyeja a e krijimit dhe faktori kryesor ekzistencës se saje . Por kjo nuk mund te realizohet ne se PD nuk do te ketë vëmendjen duhur ndaj shtresës sonë qe është edhe baza politike e elektorale e PD-se.Ne kemi marre premtime ne mënyrë informate qe do te kemi vëmendjen e duhur nga PD por nga publikimi i programit dhe retorika politike e drejtuesve të sajë ,deri tani ,nuk kemi parë e dëgjuar gjë konkrete. Ne kërkojmë qe ne programin politik e elektoral te PD te trajtohen problemet tona te pa zgjidhura si ;1-Gjetja e eshtrave të të zhdukurve nga diktatura komuniste .Dekomunistizimi i vendit, spastrimi i administrate shtetërore nga autore te krimeve te komunizmit .Ndryshimin e ligjit për statusin e te përndjekurve politike pasi ne ligjin aktual mijëra te pushkatuar, te burgosur e te internuar nuk e përfitojnë për shkak te pengesave te ligjit dhe akteve normative te qeverise aktuale..Dëmshpërblimi e te përndjekurve politike zbatimi i te cilit i cili zvarritet që nga viti 2009.Zbatimi i ligjit për pensionet e te burgosurve politike qe kane bere pune te detyruarën burgjet minierë .Përfaqësimi politik i të përndjekurve ne zgjedhje me kandidatura qe vijnë nga shtresa jonë etje, Kthimi dhe kompensimi i drejte i pronave pasi shtresa jone janë ne 90 % edhe pronare legjitime . Kur ne i kërkojmë PD-se te vëmendje te cilësuar për ne kemi parasysh të gjithë te përndjekurit politike antikomuniste te Shqipërisë rreth 35% te popullsisë qe janë shume me shume se sa ta qe e kane mundësinë te bëjnë karrierë politike apo te jene pjese e qeverisjes së PD.Sqarojmë PD dhe krejt opinionin publik se e vetmja shoqatë aktive e legjitime e rreshtuar historikisht ne krahun e sajë jemi ne : “Shoqata Antikomuniste e te Përndjekurve Politike te Shqipërisë “ . Çdo përpjekje për te fragmentuar te përndjekurit politike antikomuniste duke faktorizuar shoqata fantazma qe nuk kane lidhje me është ne dem të sajë pasi te përndjekurit kane zgjedhur vete përfaqësuesit e tyre. Kërkojmë nga z. Basha një marrëdhënie me te përndjekurit politikë antikomuniste jo me bashkimet profesionale te Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtoret e Sigurimit te Shtetit qe bredhin rrugëve me nga një vulë ne çorape duke pretenduar se janë përfaqësues te te përndjekurve politike. Besoj se z. Basha dhe PD e kanë informacionin dhe vullnetin e duhur politik te orientohet drejte e me efikasitet politik e elektoral ne marrëdhëniet me ne duke korrigjuar gabimet e te shkuarës. Per te realizuar kete PD duhet,se pari ,te na degjoje dhe vecanerisht te na mirkuptoje !

Filed Under: Analiza Tagged With: Kërkojmë vëmendje, Nebil Çika

NDËRROI JETË SHAQIR GASHI, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN

February 18, 2021 by dgreca

Sot kam marrë lajmin e dhimbshëm se një veprimtar i palodhur dhe shumë i njohur i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shaqir Gashi, ndërroi jetë. Me këtë rast dua t’i përcjell familjes dhe miqëve ngushëllimet më të thella në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”.

Vdekja e Shaqir Gashit është një humbje e trishtueshme jo vetëm për familjen dhe miqtë por edhe për mbarë komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkauara të Amerikës dhe në Vendlindje. Shaqir Gashi ishte një patriot i sprovuar që e ndihmoi me të gjithë fuqinë e tij shpirtërore dhe financiare çështjen tonë Kombëtare, veçanërisht çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Edhe pse e nisi jetën në Amerikë si emigrant duek punuar në punë të rëndomta, si shpërndarës picash, Shaqir Gashi u bë një ndër shqiptarët më të sukseshëm në biznesin e restoranteve; duke hapur dhjetra restorante në Manhattan, New York. Me bujarinë karakteristike ai priti e përcolli dhjetra e qindra bashkatdhetarë, veprimtarë, intelektualë,diplomat, politikanë që vinin nga vendlindja.

Ai është do të mbetet një nga kontributorët e mëdhenj të lobimit për çështjen tonë Kombëtare. Ishte mbështetës i fuqishëm që në krijim i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane me president Joe DioGuardi.Ishte pjesë e delegacionit me kongresistin Tom Lantos dhe Joe DioGuardi në vitin ’90 në Shqipëri dhe i priu shumë veprimatrivë kushtuar çështjes kombëtare,veçanërisht Kosovës.Mori pjesë në shumë demonstarta kushtuar Kosovës.

Komuniteti shqiptar, ashtu si edhe familja, do ta ndjejë humbjen e Shaqir Gashit.

Pushoftë në Paqe shpirti i tij.

Ngushëllime Familjes dhe miqëve!

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”

ELMI BERISHA, New Jork, 18 Shkurt 2021

Filed Under: Politike Tagged With: Elm Berisha, Shaqir Gashi nderroi Jete

SHAQIR GASHI SHKOI TE PUSHOJE-NE VEND TE LAMTUMIRES

February 18, 2021 by dgreca

Në vend të përcjelljes- Nje intervistë me aktivistin e shquar shqiptaro-amerika, Shaqir Gashin, që u nda nga jeta sot/

Kur Kongresisti Tom Lantos vizitoi Kosovën dhe Shqipërinë komuniste/

Bisedë me aktivistin Shaqir Gashi, i cili, ishte ndërmjetës i vizitës në Tiranë. Pritja e Nexhmije Hoxhës dhe dhuratat për kongresistin/

Nga Dalip Greca*

Shaqir Gashi, një  ndër veprimtarët e  hershëm të çështjes shqiptare në SHBA, zbardh vizitën e  parë të  kongresistit Tom Lantos në Kosovë e Shqipëri, kongresistit që punoi shumë për çështjen e  Kosovës, por që nuk pati fat që ta gëzonte shpalljen e pavarësisë së saj së bashku me shqiptarët, që i ndjehen borxh.

Gashi tregon se është njohur me Tom Lantos-in në këto rrethana: Ishte viti 1987. Atëhere Shaqir Gashi sapo ishte njohur me kongresistin Joseph DioGuardn. Një ditë vjeshte të vitit 1987 kongresiti DioGuardi i telefonon Gashit dhe e pyet nëse ishte i gatshëm që të shkonte në një takim me një kongresist të njohur dhe me peshë në Kongres, i cili kishte shfaqur interes që të njihej me shqiptarët.

Gashi kujton se shkoi bashkë me tre shokë të tij nga Manhattan-i në Yonkers, ku bëhej takimi. Kongresisti nga California i kishte dëgjuar me vemëndje folësit shqiptarë. Gashi kujton se jo të gjithë shqiptarët ishin në një mendje në atë takim për zgjidhjen e çështjes që shqetësonin kombin. Njëri grupim, i kërkonte me këmbëngulje kongresistit që të bëhej diçka nga Amerika për Shqipërinë, e cila po kalonte kohë tepër të vështira nën regjimin komunist. Grupimi tjetër, ku bënte pjesë edhe Gashi, shfaqi urgjencë për çështjen e  Kosovës. Ai kujton sot se i pat thënë kongresistit se Shqipëria vërtetë është e izoluar, ka varfëri e probleme të mëdha, por ajo është shtet i vetëvetes dhe ata paçin në qafë vetëveten, që nuk e shembin komunizmin. Problemi më  emergjent është popullsia prej 2 milionë shqiptarësh në Kosvovë, ku shkelen të drejtat njerëzore. Kosova është e pushtuar dhe popullsia po kalon çaste tragjike.

Kongresisti kishte thënë se ky ishte problem që duhej ndjekur sepse ai kishte marrë të dhëna edhe nga Joseph DioGuardi.

Z. Lantos, duke folur për “Zërin e Amerikës”, pasi ka folur për problemet që shqetësonin shqiptarët, ka shtuar: ”Shiko se çfarë kushtesh të mrekullueshme ofron Amerika. Ajo e bën emigrantin nga asgjë në shumëkush. Ja z.Gashi ka ardhur në Amerikë e ka punuar si pjatarës ndërsa sot është pronar restorantesh dhe mendon që të t’i ndihmojë vendit nga ka ardhur. Kjo është Amerika e emigranëtve”.

Lantos shfaqi dëshirën që të vizitojë Tiranën

Po në takimin e Yonkers-it, kongresisti Lantos i është drejtuar Shaqir Gashit:- Ti e dashke Shqipërinë shumë.

-Po, ia kthen ai, e dua, si Shqipërinë ashtu dhe Kosovën.

-Mirë thotë, kam dëshirë që këmba ime të shkelë bulevardin e Tiranës.

– Më erdhi e papritur, kjo kërkesë dhe se si m’u duk, – tregon Shaqiri për “Illyria”-n.

Ai kujton se shokët që ishin aty i kanë thënë më pas se i kishte marrë ngjyrë dheu fytyra. Kongresisti e kishte lexuar shqetësimin në mënyrën e vet dhe i kishte thënë:

– Unë do të shkoj  atje si mik, jo në mënyrë tjetër.

Shaqir Gashi kishte marrdhënie shumë të mira me Misionin Shqiptar në Kombet e  Bashkuara, hynte dhe dilte atje. “Në mënyrën time, unë respektoja popullin dhe jo shtetin komunist. Dëshira e kongresistit m’u duk e natyrshme dhe mendova se nuk do të ishte e vështirë që të realizohej vizita e tij”.

 E kishte menduar kështu pasi ai kishte vendosur ura komunikimi me Misionin, shkonte atje me aktivistë të tjerë në raste festash, u shfaqnin filma dhe aktivitete të tjera. Në këto kushte miqësie me Misionin e kishte menduar të lehtë vizitën e  kongresistit dhe i kishte dhënë fjalën aty në takim se ai do ta realizonte vizitën e  tij në Tiranë. The i jep fjalën: “Këmba juaj do të jetë e para nga Amerika që do të shkelë në Tiranë dhe uën do të filloj përgatitjet që sot”.

Që prej asaj dite Shaqir Gashi shkon në Mision dhe ua prezanton kërkesën e kongresistit Lantos.

Ata e përcollën me fjalë të mira:”Mirë shoku Gashi, patjetër shoku Gashi…” por koha kalonte dhe asgjë konkrete nga Misioni…Vetë ambasadori i atëhershëm, Bashkim Pitarka, i kishte thënë se ishin duke u marrë me atë problem, të mos mërzitej.

      Organizimi i Lobi shqiptar

Ndërkohë faktori shqiptar filloi të organizohej. Ishte krijuar Liga Qytetare Shqiptaro – Amerikane, ku Shaqir Gashi ishte një ndër themeluesit e tij. Ai këmbëngul në mendimin e  vet se Liga ka meritën e  vet në organizmin e  faktorit shqiptar dhe askush nuk mund t’i heq ato merita. Filluan takimet me politikanë amerikanë. Janë gjashtë vetë që  e kanë themeluar atë që ai e quan lobi shqiptar. Ndër ta: Jim Xhema,  Sami Repishti,  Joe DioGuardi, Shaqir Gashi, Bruno Selimaj, Sejdi Bitiçi dhe Din Derti. Këta ishin themeluesit, ndërkaq më vonë u afruan të tjerë.

Vizita e Tom Lantos në Kosovë dhe Shqipëri

Shaqir Gashi ishte ndërmjetësi i vizitës që do të bëhej në Shqipëri. Tre vjet kohë, kujton ai, iu desh për ta realizuar vizitën e një personaliteti të lartë të politikës amerikane në Tiranë. David Philips punonte në zyrën e kongresistit Lantos. Z. Gashi i mbante lidhjet pikërish me të. Ai e informonte zyrën e kongresistit me anë të letërkëmbimit për çdo sinjal që i vinte nga Tirana përmes Misionit Shqiptar.

Më në fund i mbërrin një letër, që zyrtarisht pranonte vizitën, por që nuk ishte konceptuar si ftesë zyrtare.Letër-ftesa nuk merrte parasysh formatin e kongresistit, rangun e tij. Në të shkruhej ”Meqenëse e keni shprehur dëshirën tuaj për të vizituar Shqipërinë, urdhëroni dhe vizitojeni”!.

Gashi nuk i dha shumë rëndësi letrës, por gjithësesi e çoi tek z. Philips, i cili revoltuar me mënyrën e  shkrimit dhe ishte shprehur se ajo nuk ishte ftesë zyrtare. “Kjo është një lojë. Nuk mund t’i bëhet një prej kongresistëve më të njohur të Amerikës një ftesë e tillë, sa për t’u tallur. Letra duhet të jetë e shkruar zyrtarisht dhe ftesa të jetë e përcaktuar qartë, ku të shprehet dhe dëshira për të bërë ndryshime e për të vendosur marrëdhënie me Amerikën”, kishte thënë Phillips.

 Shaqir Gashi kujton se është ndjerë në një pozicion të vështirë. Kishte mbetur mes dy palëve pa e çuar në fund zotimin e  vet që këmba e Lantosi-t të shkelte në bulevardin e  Tiranës. Lajmëroi në Mision, por ambasadori Pitarka nuk po ndjehej më. Njoftoi në Tiranë ku kishte shkuar Rexhë Xhakli, për të parë nënën e vet pas 40 vjet shkeputje,  por asgjë nuk ndryshoi. Pas pak kohe i sollën një letër tjetër, por dhe ajo ishte tamam si e  para. Kësaj letre Gashi i bëri një modifikim dhe e dërgon me faks. E merr zyra e kongresistit dhe përgjigjet po me faks: E pranojmë ftesën. Së shpejti do të përcaktojmë datën e  vizitës. Loja funksionoi.

U bë projekti, në fillim do të vizitohej Kosova, Mali i Zi e më pas do të shkohej në Shqipëri.

U nisën në fillim për në ish Jugosllavi për të parë shkeljen e  të drejtave të shqiptarëve. Aso kohe Liga Qyetare Shqiptaro-Amerikane kishte radion e  vet. Atë ditë që delegacioni i kongresistit i shoqëruar nga DioGuardi po qëndronin në Beograd, Shaqir Gashi po merrte në intervistë në Radion e Ligës, Mandelën Shqiptare, Adem Demaçin, i cili sapo kishte dalë nga burgu. Programin e  udhëhiqte DioGuardi prej hotelit në Beograd, Shaqir Gashi ishte në New York, ndërsa Adem Demaçi në Prishtinë, dhe intervista bëhej treshe. Dioguradi tërheq vëmendjen me fjalën e tij tek lajmëron se ky emision ishte i veçantë se po bëhej mu në qendër të Beogradit dhe po i tërhiqej vëmendja Serbisë se po shkelte të drejtat e shqiptarëve dhe për këtë qëllim Tom Lantos kishte marrë vetë rrugën për t’i parë problemet vetë dhe do të shkonte  në Kosovë e nga Kosova do të vizitonte Shqipërinë. Adem Demaçi nga Prishtina foli për shqiptarët e  Amerikës. Ishte një emision tepër i veçantë, kujton Gashi, emocionues.

Nga New York-u në Tiranë

Shaqir Gashi kujton se para nisjes për në Tiranë, ku do të takohej me pjesën tjetër të delegacionit që do të vinte prej Kosove, takoi Bruno Selimajn, i cili kishte qenë para tij në vizita në Tiranë dhe e pyet nëse ishte e nevojshme që të merreshin viza për të shkuar në Tiranë. E këshillon që të konsultohet me Misionin Shqiptar. Gashi  merr në telefon ambasadorin Bashkim Pitarka dhe e pyet se si duhej të vepronte për të vizituar Tiranën sepse do të ishte atje me Tom Lantos që ishte nisur nga Kosova.

Pitarka e këshillon: Z. Gashi ti nuk ke nevojë të shkosh në Tiranë! Të çojmë ne pas me një grup shqiptarësh, s’ke pse nxitohesh tani.

U ndje i mërzitur Gashi që ishte përgatitur për atë vizitë aq më shumë se i kishte dhënë fjalën kongresistit Lantos.

Ç’të bënte? I telefonon DioGuardit në Beograd, i cili ishte ende atje bashkë me Tom Lantos-in. Ia shpjegon rrethanat e reja dhe i kërkon ndjesë që s’mundi të mbante fjalën nga që nuk i dhanë vizë. Që andej DioGuardi i telefonon Tiranës. Siç e mëson më vonë, DioGuardi kishte folë me Ramiz Alinë. Tirana i telefon Misionit dhe e urdhëron që ta pajisin urgjentisht Gashin me vizë. Bashkohet me Bruno Selimajn dhe Din Dertin dhe nisen.Kur kanë shkuar në Zyrih janë takuar me Hysen Gërvallën, të vëllanë e Jusuf Gërvallës, i cili kur mëson për misionin e tyre drejt Tiranës, kërkon që t’i shoqërojë.

Kur puthën tokën e shtetit Amë

E kanë marrë me vete edhe Hysen Gërvallën dhe kanë vazhduar rrugën me linjën Zyrih-Tiranë. Kur kanë shkuar në Tiranë, Din Derti, që nuk e kishte parë Shqipërinë për shumë vite, ishte ulur në gjunj dhe i përlotur kishte puthur tokën.Të njëjtin veprim kishin bërë edhe të tjerët pas Dinit. Në Shqipëri i kanë pritur me madhështi. Shaqiri kujton se kishin sjellë dhjetë Mercedes të rinj të sapoblerë. Njëri Mercedes ishte i porositur për vetë z. Gashi, i cili kur e tregon tani qeshet për salltanetin me të cilin e priti Shqipëria komuniste. Njëri  Mercedes ishte për Tom Lantos. Nga aeroporti i çuan në Hotel “Dajti” i cili aso kohe ishte më moderni dhe rezervohej enkas për të huajt.”Nuk më besohej se isha në Tiranë, dhe tërë natën kam qëndruar pa gjumë”, kujton Shaqiri.

Tom Lantosin e  ksihin vendosur në vilën e Enver Hoxhës. Shaqiri kujton se për të parën herë pa vilat e qeveritarëve komunistë, ku po pushonte Tom Lantos me zonjën Anette dhe z. DioGuardi.

Vizitat vazhduan nëpër vendet historike e turistike; i çuan në Krujë, në Berat e vende të tjera.

Gashi kujton se një ndër shoqëruesit që ishte në benzin e zi, e kishte pyetur duke i treguar pamjen plot bunkera matanë xhamit të makinës: Ç’mendim keni për këta bunkerët tanë, ju shoku Gashi?

Nuk i ka dhënë përgjigje në fillim.  Është menduar. Pas një heshtjeje disa sekondshe shoqëruesi ka pyet prapë: Thuaje të vërtetën ashtu siç e ndjen!

-Të vërtetën,e  kam të lehtë ta them, ua kthen përgjigjen: T’kishit bërë më mirë këto rrugë, se qenkan gropa-gropa, ku mund të thyeke qafën, do të ishit më të fituar, ose së paku t’i kishit bërë shtëpi për popullin.

Provokimi në Universitetin e Tiranës

Tom Lantos u prit shumë mirë nga qeveritarët. Ramiz Alia i kishte dorëzuar ato ditë të vizitës edhe dosjen e  dokumentave  për shpëtimin e hebrenjëve në Shqipëri gjatë Holokaustit. Pas vizitave turistike nëpër kala e muze, ishte rezervuar një vizitë në Universitetin e  Tiranës. Tom Lantos edhe në Universitet ishte pritur mirë, kujton Gashi. Ai qetësisht i përcillte të gjitha, edhe përdredhjet e Ramiz Alisë, edhe lëvdatat e profesorëve, edhe zotimet e  disa studentëve që kishin zgjedhë ata për takim me kongresistin. Mirëpo dikur ngrihet një vajzë, që e fliste mirë anglishten  dhe i thotë: ”Ka disa shenja që tregojnë se ne do t’i vendosim marrëdhëniet me Amerikën. Një ndër këto shenja është dhe vizita juaj këtu. Kam një lutje thotë ajo: Mos na tregoni lulen përpara dhe thikën pas shpine!”

Kishte rënë një heshtje e akullt. Kongresistit i kishte rënë një ngjyrë e kuqerremtë në fytyrë. U kuptua se u prek. “E pamë të gjithë që u prek. Dukej provokim i hapur”, thotë Gashi.

Kongresiti ishte kthyer nga studentja dhe i kishte thënë :”Dëgjo zonjushë, po i vendosëm marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Amerikës, ne nuk kemi punë me thika, nga ne keni vetëm lule, para dhe pas. Nëse vendosen marrëdhënet ne ju themi vetëm ecni përpara!”

Pas kësaj u bënë takime e vizita të tjera. I çuan nëpër shfaqje e koncerte.

Takimi me Nexhmije Hoxhën

Para se të iknin i ndanë në dy grupe. Njëri grup do të shkonte të takohej tek Ramiz Alia, tjetri do të pritej nga Nexhmije Hoxha. Grupin që do të shkonte tek Nexhmija e kryesonte Shaqir Gashi. Në këtë grup bënte pjesë edhe Bruno Selimaj me Rexhë Xhaklin, ndërsa Din Derti nuk qëlloi aty sepse kishte shkuar që të vizitonte njerëzit e  vet, pasi nuk i kishte parë kurrë. Shaqir Gashi kujton se shkuan tek shtëpia e Nexhmije Hoxhës dhe nuk harron një fotoreporter të çuditshëm që e shkrepte  pa pushim një tip aparati. Kanë shkuar në takime dhe fëmijët e Enverit: Sokoli, Iliri, Pranvera, nuset e djemëve. Mikpritje e madhe, thotë Gashi. Dukej se u kishte hyrë uji nën vete, por ne ende nuk e  ndjenim, shprehet Gashi..

Nexhmija në bisedë e sipër u thotë se Enveri e ka dashur shumë Kosovën dhe kosovarët.

-Edhe kosovarët e kanë dashtë Enverin, – i ka kthyer Gashi. “Ne në Kosovë mund të hanim 60 ditë burg vetëm po të na kapnin duke dëgjuar një këngë nga Shqipëria. Ne kemi ardhë këtu nga Amerika që t’i nxisim sa më shpejt marrëdhëniet shqiptaro-amerikane sepse sa më shpejt të miqësohet Shqipëria me Amerikën, aq më lehtë do ta ketë Kosova. Shpejtësia e vendosjes së këtyre marrëdhënieve kanë të bëjnë edhe me Kosovën, që po i rëndohet rrethi serb pas qafe, – e kishte mbyllur fjalën e vet Gashi.

E veja e diktatorit prapë nuk kishte heqë dorë nga ideologjia komuniste. Kishte sjellë në vëmendjen se Shqipëria nga 1 milion para lufte ishte bërë 3 milionë nën udhëheqjen e shokut Enver. Kemi vendos marrdhënie me shumë miq, kishte thënë ajo, por ata na kthyen shpinën. Tani e kuptojmë se po vijnë kohë të tjera dhe rinia po kërkon që të lidhet me  vendet e  Perëndimit, natyrisht dhe me Amerikën. Ne nuk mund ta pengojmë…Pra, aludimi i saj ishte se nuk kishte rrugë tjetër.

Rexhë Xhakli, i ndërhyn dhe i thotë  se ishte hapë fjala se asaj i kishin thyer këmbët, a është  vërtetë kjo?

Ajo ia ktheu menjëherë: – Janë fjalë që përhapin për të ulur autoritetin tonë…

Shaqir Gashi kujton se i çuan për vizitë edhe në Durrës, tek Vila e Mbretit Zog.

Gashi kujton:”Kur hymë atje pamë një mrekulli. E gjithë udhëheqja komuniste ishte aty për të pritë kongresistin Lantos, madje edhe Ramiz Alia e Adil Çarçani, kryeministri. Askush nuk mungonte”.

Gashit i kujtohet një fragment bisede me Adil Çarçanin, i cili i thotë me mburrje: Kurrgjë nuk kemi prekë në këtë vilë të Mbretit!

-Po më vjen mirë se Zogu paska pas shije që e paska mobiluar kaq bukur që para 60 vitesh…

Dhuratat e çuditshme për kongresistin LANTOS

Vizitës, që ishte vlerësuar e suksesshme, i kishte ardhë fundi. Që atë ditë është konsideruar i shkrirë akulli mes dy shteteve dhe  pas asaj vizite ka shkuar një ekip tjetër i madhj, në të cilin ka pasë edhe shumë shqiptaro-amerikanë,  që kanë vendosur mardhëniet mes dy shteteve.

Gashit i kujtohet se dhurata që u kishin dhënë me vete ishin të cuditshme. Atë e kishin ngarkur bukur fort me një cantë me libra të Enver Hoxhës. – Mirë mua, thotë Gashi, por kongresistit se marr me mend pse i zgjodhën dy defa, tip dajresh dhe ia dhuruan.

Tregon Gashi: Kongresisti po i shikonte me habi dhe nuk po fliste, as poi  merrte… Që të mos ofendohej kongresisti, sepse në fakt ato janë vegla muzikore kryesisht për evgjitët,që i aknë zanat, ia kishin mbledhur me ca gazeta, që dukeshin mos më keq.”

 Gashit nuk i kishte ardhë mirë mirë për atë llojë dhurate, por ishte përpjekë që të krijonte një tjetër situataë. I kishte thënë kongresistit se  ato ishin instrumente të lashta Ilire, që kanë shumë vlera historike sepse dëshmojnë kulturën e  lashtë të kombit Ilir. Pasi e  ka dëgjuar kongresisti këtë spjegim, me një qeshje të lehtë i është kthyer Gashit:Me që paskan aq shuëmë rëndësi dhe ju ia ditkeni vlerën, po du me t’i falë ty.

Shaqir Gashi këtë kishte pritë, që ato dhurata pa kuptim, t’ia hiqte nga duart kongresistit se po ndjehej i turpëruar.

  • Njërin def e kam akoma në shtëpi, thotë Gashi..

Fotografitë: 1- Shaqir Gashi duke u inetrvistuar prej meje në redaksinë e Gazetës ILLYRIA

2- Shaqir Gashi,i pari djathtas, me kongresistët  Tom Lantos, DioGuardi e veprimtarë të Ligës Qytetare Shqiptaro Amerikane. Kortezi- Vehbi Bajrami:”Shqiptarët e Amerikës”-Illyria

 Nju Jork, mars 2008(Kortezi:Botoi ILLYRIA, NEW YORK)

Filed Under: Interviste Tagged With: dalip greca, nderroi jete, Shaqir Gashi

IOWA-KOSOVA, ALEATË MODERNË USHTARAKË

February 18, 2021 by dgreca

Foto-arkiv/

-Garda Kombëtare e Iowa dhe Forca e Sigurisë së Kosovës aleatë modernë ushtarakë/

-Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla:  Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një vend shumë të veçantë në zemrat dhe mendjet e gjithë popullit të Kosovës, dhe gjithashtu një vend shumë të veçantë në historinë e Republikës sonë të re/

-Guvernatorja e Iowa, Kim Reyonlds: Lidhjet tona janë të thella dhe jemi të nderuar që Kosova na ka dhuruar misionin e parë diplomatik në Iowa/

-Senatorja Amerikane Joni Ernst: Partneriteti si shtete simotra ka mundësuar rritjen e jashtëzakonshme të marrëdhënieve midis komuniteteve tona, ndërsa ne jemi krenarë qe jemi aleatë modernë ushtarakë. Jam e lumtur të mund t’ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë/

Senatorja Joni Ernst/

18 Shkurt 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Konsullatës në Iowa ka organizuar një ngjarje virtuale solemne në trembëdhjetë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë aktivitet virtual, me pjesëmarrjen e miqve të nderuar të Kosovës nga shteti i Iowa dhe Garda Kombëtare e Iowa, znj. Kim Reynolds, Guvernatore e Shtetit të Iowa, znj. Joni Ernst, Senatore e SHBA-ve dhe Gjeneralit të pensionuar Tomothy E. Orr, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla, në fjalën e saj përshëndetëse, ka falënderuar miqtë tanë të përjetshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 “Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një vend shumë të veçantë në zemrat dhe mendjet e gjithë popullit të Kosovës, dhe gjithashtu një vend shumë të veçantë në historinë e Republikës sonë të re”, ka thënë ajo.

 “Unë dua të shpreh vlerësimin tim për popullin e Iowa-s për lidhjen e veçantë gjatë viteve. Miqësia jonë filloi me partneritetin midis Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, dhe këto ditë, ajo do të përparojë në mënyrë thelbësore me misionin tonë të parë historik si paqeruajtës”.

Shefja e diplomacisë kosovare ka thënë se ky është një hap monumental dhe domethënës në zhvillimin dhe njohjen e vendit tonë.

“Ky është gjithashtu një simbol dhe dëshmi e marrëdhënies së veçantë midis Kosovës dhe Iowa-s. Shtetet e Bashkuara na kanë besuar si një mik, dhe tani ju po na besoni si një partner në një nga misionet më të rëndësishme ndërkombëtare”.

Secili prej jush, shtoi ajo, është një kontribuues i palëkundur i miqësisë sonë të fortë.

Guvernatorja e Iowa, znj. Kim Reyonlds, u shpreh se “lidhjet tona janë të thella dhe jemi të nderuar që Kosova na ka dhuruar misionin e parë diplomatik në Iowa”.

“Një arritje e jashtëzakonshme që të mund të dërgojmë Gardën Kombëtare të Iowa në mision me FSK. Si shtete simotra ne kemi lidhur marrëdhënie të ngushta edhe përmes qyteteve e popujve tanë, duke ndarë së bashku strategji të zhvillimit e partneritete në edukim, kulturë, rini e sport. Jemi më të fortë së bashku. Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, u shpreh ajo.

Senatorja amerikane znj.Joni Ernst, u shpreh ndërkaq se Kosova dhe Iowa kanë një marrëdhënie të rëndësishme mes tyre si aleatë modernë ushtarakë, por që tashmë është zhvilluar edhe përtej asaj ushtarake.

“Partneriteti si shtete simotra ka mundësuar rritjen e jashtëzakonshme të marrëdhënieve midis komuniteteve tona, ndërsa ne jemi krenarë qe jemi aleatë modernë ushtarakë. Jam e lumtur të mund t’ju uroj Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, u shpreh ajo duke shtuar se “Kosova zë një vend të veçantë në mendjen dhe zemrat e qytetarëve të Iowa. Urime për shumë vite të partneritetit tonë në të ardhmen”.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, IOWA-Kosova

Shqipëria në fushatën e korrjeve dhe shirjes

February 18, 2021 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/ Nga mbrëmja e 14 shkurtit kur KQZ e Prishtinës nxorri Vetëvendosjen si fituese e zgjedhjeve të parakohëshme, shtypi i Tiranës ka vetëm një emër për debat, atë të Albin Kurtit.

I mëshojnë jo rastësisht. Gati të besosh se ky person është rrezik jo për Kosovën, por edhe Shqipërinë. Prek çështje tabu. Madje sot i kujtonin edhe Enverin. Megjithëse në një mënyrë apo tjetër, kur Rama krahasohet me Enverin, me rubrika gju më gju me popullin, apo se kush është kafsha politike etj. Mbi jetëgjatësinë e pushtetit dhe arsyet bajate për mandatin e tretë, këtë rrezik nuk e shohin. Ka një panik social majtist analistësh, plot parashikime mbi fenomenin i cili do të jetë një dështim për Dardaninë. Albini dhe Vetëvendosja do jenë një katastrofë. Madje në internet qarkullon me tendencë ideja e bashkimit kombëtar. Kjo me frikën se çfarë do të thotë Europa? A do të na lejojë Bota neve të bashkohemi? Apo Albini e bën këtë për të rritur imazhin e tij. Si është e mundur të ketë ide të çmendura për bashkimin e shqiptarëve. Megjithëse ishin po këta që shqyen ekranet vetëm për një deklaratë midis dy shefave të së njëjtës mitër majtiste, koshash basketbolli, kur Rama në nëntorin e 2014-ës i tha Vuçiçit se Kosova është një realitet i pakthyeshëm. Nga ana tjetër ka një nënqeshje me deklaratën e Kurtit, atë që vërtetë ishin referendum zgjedhjet e 14 shkurtit? Thua se e do Kosovën më shumë Edi Rama i nomeklaturës së Enver Hoxhës, se sa Albin Kurti, një ish i burgosuri politik i Serbisë për të drejtat civile dhe kombëtare të shqiptarëve aty. Ajo që të vjen menjëherë si ndjesi e ligësht është një pyetje me konstatim të dyshimtë? A duan shqiptarët të bashkohen? Po politika e Tiranës a e dëshiron bashkimin kombëtar? Shefat aktual, a e konceptojnë të ardhmen e popullit të tyre nën një çati? Se nuk jemi popuj të formuar, jemi një. Kam përshtypjen se shqiptarët mëdyshen ose janë të paqartë. Kurse politika aktuale e them pa hezitim që nuk e do unifikimin kombëtar. Dhe kjo është më se e kuptueshme sidomos kur një politikan nuk di të tërhiqet. Më 2015 Edi Rama i pohonte një stacioni turk atë që një politikan duhet të njohi limitet. Se ai kishte hyrë në politikë rastësisht, se politika i kishte rënë në kokë etj., por prapë politikani duhet të njohi limitet. Sot për ‘të nuk ka më të tilla. Ka në pushtet që nga viti 1998 dhe kërkon një mandat të tretë. Tani verifikojeni vetë se kush është një rrezik aktual, një opozitar njëzetëvjeçar apo një shtetar 23 vjeçar? Ja përse zhurma rreth emrit të Albinit nuk është e rastësishme, por e qëllimshme. E ideuar për të zhvendosur vëmendjen nga fakte të tilla si pushteti pa limit por edhe proçesizgjedhor 100% perëndimor. Dhe kjo ka rrënjë historie. Shqiptarët në vendin amë e kanë humbur sensin e civilit autokton të pavarur, janë vendosur në rresht për të votuar. Nuk janë adhurues të proçesit, por të njëshave. Dhe kjo i kënaq sedrën Edi Ramës dhe sojit të tij. Madje nuk e kanë për gajle ta suportojnë njëshin në krim. Kanë votuar kolektivisht me aheng. Ata në Shqipërinë e epërme e kanë refuzuar masivisht votën e regjimit. Madje në vendin amë zgjedhjet nuk janë zgjedhje, por vjedhje e mirëfilltë. Mund t’i blesh me ca pako makaronash e mielli, me ca konserva mishi e peshku. Në vendin amë zgjedhjet mund të mburresh që i vjedh. Sado përgjime të dalin nuk burgoset asnjë nga shefat. Madje madje, e quajnë arritje. Flasin në emër të popullit. Ndonjë komisioner edhe mundet ta dënojnë. Ndonjë nga ata që ka shkuar aty për një bonus financiar, për ndonjë premtim për një vend punë për të birin a vajzën. Pra në vend që të merren me proçesin, standartet e tia, nxjerrjen në kohë rekord të rezultatit etj., merren me Albinin. Albini ka qënë opizatar, jo pushtetar. Erdhi së fundi me votë në pushtet. Po punoi mirë do e mbylli mandatin, po nuk punojë do hapi krahun. Dhe po nuk e bëri vetë, do ia plasi në kokë vota. Kaq…! Pra mos shihni Albinin si rrezik, mos u merrni me ‘të. Rreziku është në Tiranë tek proçesi zgjedhor përjetësisht i kontestuar. Rezultate që duan muaj të dalin. Janë sojet si Edi Rama që kërkon mandatin e tretë me preteksin se do fusi shqiptarët nëpër shtëpi. Ai që dikur i fliste shqiptarëve nga Anadolli për limitet e politikanit. Shqipëria vazhdon, të përmbytet, megjithatë për ironi ujin e merr me orar akoma. Shqipëria vazhdon të përmbytet megjithëse është vend gjoja numër një për rezervat hidrike në prodhimin e energjisë elektrike, por dritat  i ndërpriten akoma. Ndërkohë që një qeveritar bullist ka zëvendësuar çdo poç llambe me propogandën e tij. Sot Shqipëria i ngjan një kohe me hori altoporlantë fushatash korrje shirjesh se sa një vendi perëndimor. Madje me fondet e botës shpërndan çelsa shtëpish. E ha malli, nuk mund të kthehet dot në familje, duhet të sistemoj të pastrehët etj. Nga ana tjetër qe i fundit që e uroi Albinin dhe as nuk e përmendi fare proçesin zgjedhor civili deri tek dorëheqja a vota e emigrantit. Shkurt, legeni bërtet kapni legenin!

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Shqiperia ne fushate

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 36
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT