• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2021

Vazhdon të ndodhë

March 22, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/ “Vështrim i butë” është një përzierje e shikimit të hollësishëm dhe shikimit periferik; kur i kushton vëmendje asaj që është përpara dhe asaj që është anash në të njëjtën kohë. Jeta e mësoi njeriun në kohët e shkuara të kërkojë komunikim joverbal me individë ose grupe në mënyrë që të shmangte shenjat e telasheve. Në kohën e viteve të perëndimit të diellit, njerëzit mësuan se gjuha u jepej për të fshehur mendimet. Cila është arsyeja? Pse ishte kaq e rëndësishme të vëzhgoje sinjalet e heshtura, tonin e zërit, dhe gjithçka tjetër që ndodhte rreth teje?
Fuqia zë vendin qendror në sistemin tonë të vlerave. Jo të gjithë e dinin kush ishte Sokrati, por të gjithë ishin dakord me mençurinë e tij. Një zakon u krijua për t’i trajtuar njohuritë me shumë kujdes; ju duhet të fitoni njohuri – por sapo t’i merrni ato, mos lejoni askënd të dijë që i keni. Shpërnda njohuri me shumë, shumë kujdes, ashtu si njerëzit e mençur bëjnë me pushtetin – qëndro larg, jeto gjatë. Kjo u përforcua shumë nga sekreti i padepërtueshëm. Mendimi ishte që gjithçka që armiku mund të mësonte për ne do të përdorej për të na dëmtuar. Kështu u mësuam të gënjenim, duke krijuar Realizmin Socialist. Ne nuk kishim një kuptim të saktë për “buzët e lëshuara fundosin anijet”, shprehje nga koha e LDB, por thelbi i shprehjes ishte i ngurtësuar në trurin tonë. Falë punës së palodhur të policisë sekrete, i gjithë populli e dinte se i pari që do të fundosej për shkak të ‘buzëve të lëshuara’ ishte me shumë gjasë pronari i buzëve dhe familja e tij. Kjo “urtësi” vazhdon. Udhëheqësit, ish anëtarë të lartë të PPSh-së, ose pasardhës të familjeve të tyre – si trashëgimtarë të denjë për punë të këqia – kanë mbartur pjesën më të madhe të asaj fryme vigjilence revolucionare dhe vetëkontrolli. Gjatë dekadës së fundit, apo më shumë, neveria për ‘buzët e lëshuara’ filloi t’i afrohej nivelit të kohës së diktaturës. Atëherë njerëzit dënoheshin për agjitacion e propagandë, sot dënohen për “lajm të rremë”. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Vazhdon te ndodhe

Rrugëtim drejt Evropës përmes librit

March 22, 2021 by dgreca

NGA DORIAN KOÇI/ Ndër qytetërimet e lashta shquan qytetërimi antik greko-romak, trashëgimia e të cilit është një nga faktorët bashkues të Evropës së sotme. Pikërisht në këtë adhurim të vetive dhe cilësive të qytetërimit greko-romak, i ka rrënjët dhe mendimi evropian i Rilindjes dhe Iluminizmit gjatë së cilit u konceptua dhe artikulua ideja e Evropës së Bashkuar.Në këtë mënyrë ideja evropiane e Ballkanit, brenda së cilës gjallon dhe Ideja evropiane e shqiptarëve, qëndron në thelb të artikulimit të gjithë ideve të mëvonshme të ndërtuar gjithandej nëpër kontinent. Gadishulli Ballkanik është në fakt djepi i idesë së qytetërimit evropian. I ndodhur në kryqëzimin e rrugëve Lindje-Perëndim ai u bë shumë shpejt një nga kryeqendrat kryesore të shkëmbimit të këtyre kulturave duke reflektuar në këtë mënyrë jo vetëm diversitetin e tyre por dhe rrafshin gjeografik dhe politik ku ato u ngjizën për tu bërë një. Është interesant fakti se sëbashku me fillimin e këtij qytetërimi të shkëlqyeshëm, të cilit vazhdimisht do ti referohen dhe në shekujt e mëvonshme mendjet më të ndritura të njerëzimit, lind dhe ideja e qytetërimit evropian dhe së bashku me të merr rrugë dhe ideja e një qytetërimi mbarë evropian. Në gjithë këtë rrugëtim që ideja e Evropës dhe qytetërimi evropian kanë evoluar duhet theksuar fakti se lindja e kësaj ideje i korrespondon dhe të gjitha fakteve dhe etapave historike që kaloi ai që ne të gjithë e quajmë qytetërim evropian dhe historia e këtyre territoreve. Kështu në ravijëzimin e tij mund të dallohen të qartë etapa proto-helenike dhe helenike, romake, krishterimi dhe mesjeta, iluminizmi, revolucioni francez dhe nacionalizmi. Në varësi të këtyre etapave historike dhe fakteve është sendërtuar dhe ideja e qytetërimit evropian të Ballkanit duke reflektuar jo vetëm shkëlqimin e qytetërimit të tij në periudhën helenike por dhe degradimin e qytetërimit të vet në epokën e fundit të qytetërimit bizantin apo kur Ballkani shndërrohet në një territor përleshjesh midis Krishterimit dhe Islamit në kacafytjen e tyre tragjike në shekullin XV kur shfaqet për herë të parë në Ballkan, Perandoria Otomane si formacion politik por dhe entitet kulturor i veçantë nga ai evropian.Për herë të parë sidomos në brigjet e Adriatikut lindor do të kemi dhe krijimin e qyteteve republika të cilat do të kenë një tregti të zhvilluar por dhe statuset e tyre shumë të rëndësishëm për qeverisjen e qyteteve por dhe për të rregulluar marrëdhëniet me jashtë dhe të shtetasve të tjerë me qytetet. Këto statute janë të ngjashme me ato të qyteteve italiane dhe një pjesë të madhe zë koncepti i lirisë së qytetarëve dhe administrimi kolegjial i tyre nëpërmjet një këshilli të zgjedhur të përbërë nga qytetarët më të shquar. Po kështu familjet fisnike shqiptare fillojnë të mbajnë anale dhe kur botohen veprat e tyre më vonë si ato të Engjëllorëve p.sh një familje fisnike shqiptare nga Drishti, origjina e tyre do të jetë e lidhur gjithmonë me trashëgiminë greko-latine dhe legjenda të frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme në rajon. Ky tipar është shumë i rëndësishëm pasi përcakton përkatësinë i identitetit që këto familje fisnike ndjejnë por dhe sepse ato përfshihen në afërsinë midis tyre dhe familjeve të tjera evropiane duke përforcuar kështu idenë evropiane të rajonit që zë fill nga miti i lashtë i Evropës por që ushqehet rrugës dhe me mite të rinj. Kështu p.sh heroi kombëtar i shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeu(1405-1468) në letrën që i dërgon princit të Tarantit i përmend origjinën e vet, atë epirote dhe përmend një personalitet të botës antike si Pirron e Epirit. Po kështu Gjon Muzaka në veprën e vet “Gjeonalogjia e Muzakajve”(1510) përveç burimeve të shkruara që ati zotëron dhe citon në vepër, përmend së familja e tij vjen nga Molosia, krahinë e vjetër e Epirit e lidhur shumë ngushtë me emrin e Pirros së Epirit .Natyrisht që kontakti kulturor që pati Adriatiku lindor me botën perëndimore qoftë nëpërmjet shkëmbimeve kulturore në të dyja anët e Adriatikut por dhe nëpërmjet administrimit të drejtë për së drejtë të territorit si është rasti i Mbretërisë së Arbrit(1272) nën familjen e njohur fisnike franceze Anzhuinët, por dhe administrimi qyteteve nga Venediku krijuan një perceptim tjetër për idenë e Evropës dhe shtrirjen e saj, në dallim nga provincat e tjera të Perandorisë bizantine ku nuk shikojmë fenomene pasi janë më thellë në gadishull dhe nuk kanë mundësinë që të marrin pjesë në perceptime të tilla të drejtë për së drejta. Ndaj në këtë kohë , fillimet e shekullit të XIV dhe shekullin e XV në brigjet e Adriatikut Lindor do të kemi përjetimin e një lëvizje humaniste që do të jetë shumë afër Rilindjes Evropiane. Kjo lëvizje do të ketë një konceptim të qartë të idesë së Evropës, unitetin gjeografik dhe atë moral dhe kulturor ku për herë të parë do të ketë kontakte dhe me prurjet e reja si Polonia, Transilvania dhe deri Anglia.Kjo gjë do të vërehet më shumë sidomos gjatë konfliktit traumatik me osmanët , konflikt që largon territoret e Ballkanit për mëse tre shekuj nga ideja e Evropës dhe projektet rreth saj. Epopeja e madhe e Gjergj Kastriot Skënderbeut , përveçse ndikimeve gjeopolitike që pati në rajon ka meritën se solli në vëmendje të Perëndimit , nëpërmjet thirrjeve për ndihmë krijimin e aleancave dhe mobilizimin kulturor, moral dhe fetar ndaj osmanëve që po mundoheshin nëpërmjet pushtimeve të ashpra të asimilonin brenda perandorisë së tyre këto territore. Në Arbëri, ku bëhet rezistencë zbarkojnë vullnetarë dhe trupa ushtarake napolitanë, katalanë, gjermanë dhe anglezë të gjithë të përbetuar për të luftuar osmanët dhe për të mbrojtur Evropën dhe krishterimin. Edhe pse numri i tyre nuk është i përfillshëm për të ndaluar valën e pushtimit otoman, letrat dhe kancelaritë që përfaqësojnë, idetë dhe kulturën që sjellin bëjnë të mundur që ideja e Evropës të konkretizohet nëpërmjet aleancave të ndryshme që ata i kërkojnë Papës së Romës për të udhëhequr kundër osmanëve . Vetë, udhëheqësi shqiptar, Gjergj Kastrioti, është i ndërgjegjshëm se vepron në mbrojte të Evropës në gjithë korrespodencën që ai ka me princat evropianë por dhe ata vetë nuk mënojnë ta njohin kontributin e tij në këtë përpjekje fatale. Papa i Romës e shpall atë Atlet të Krishtit, kurse i dërguari special i Papës , kalorësi anglez John of Newport do ti shkruajë atij se e vetmja rezistencë serioze ndaj osmanëve ishin shqiptarët dhe se po të binte kjo fortesë, atëherë shumë shpejt ata do të ishin në Itali. Librat, “Rrethimi i Shkodrës” dhe “Historia e Skënderbeut” nga Marin Barleti janë pasqyrë më e mirë sesi ideja evropiane e arbërëve shtegton përmes librave. Barleti është humanist, por ai ishte dhe patriot;ai ishte patriot humanist. Nën nxitjen e patriotizmit dhe në emër të tij ai predikonte dhe ngrinte lart trimërinë, si virtut i parë që i duhej shqiptarit në atë kohë. Argumentet në të mirë të tij Barleti, si humanist i merr nga e kaluara e lashtë greko-romake, por si patriot i merr dhe nga realiteti historik i popullit të vet. Shqipëria edhe pse ishte vendi i fundit që fitoi pavarësinë nga Perandoria Otomane duke pasur një histori shumë më komplekse se fqinjët e saj, pati një zgjim disi më të ngadaltë por dhe një komplisitet lidhjesh me Evropën dhe idenë rreth saj. Së pari , komiteti katolik shqiptar edhe pse më i persekutuari në vend si rezultat i luftërave të vazhdueshme Veneto-Turke apo dhe Austro-Turke kish sendërtuar një paradigmë krejtësisht evropiane përsa i përket botimeve të vet qenë shumicën ishin në latinisht por që nga shekulli XV i gjejmë dhe në shqip duke kontribuar kështu në ruajtjen e gjuhës dhe kulturë kombëtare. Në të gjitha këto vepra të Buzukut, Bardhit, Bogdanit, Kazazit ka një rikujtim të Motit të Madh të Skënderbeut dhe të shpresë për një aleancë evropiane për të larguar otomanët nga Ballkani.Libri i parë shqip, Meshari i Gjon Buzukut, një prifti katolik nga rrethinat e Ulqinit, ka në thelb të tij , jo vetëm mesazhin universalist të Krishterimit, por edhe mesazhin e lirisë së etnosit arbër, përmes shkrimit të gjuhës vernikulare.Karekteristikë e figurave të larta klerikale viseve të pushtuara nga osmanët, është pikërisht kjo lloj simbioze midis fesë dhe humanizmit, çka i bën krejt të veçantë këta personalitete fetare në jetën kulturore të kombit të vet. Kjo gjë ndihet sidomos në veprën e vet “Pasqyrat e të Rëfyemit”, të Pjetër Budit, ku ai sjell një moral të tërë humanist, bëhet një nga njerëzit e kulturës sonë, që ka hedhur themelet e shkencës etike në Shqipëri.Islamizimi i popullsisë, nxorri në pah një gjuhë tjetër komunikimi mes elitave të urbanizuara islamike shqiptare, pasi dhe një pjesë e madhe e popullsisë filloi të hynte dhe të merrte pjesë në qarkun kulturor lindor, ku në mes të tjerave shquan rryma e bejtexhinjve dhe literatura e sekteve të ndryshëm islamë. Në këtë kohë në këtë pjesë të popullsisë nuk kemi një ligjërim të idesë së Evropës pasi shpesh herë dhe nëpërmjet luftërave që bënin osmanët, trupat shqiptare merrnin pjesë në këto beteja dhe nuk ktheheshin me emocione pozitive për Evropën. Në poezinë e Hasan Zyko Kamberit, “Seferi humajun”-“Lufta Mbretërore”, fushata osmane, ku merr pjesë dhe vetë autori përshkruhet si një fushatë plaçkitëse, ku njerëzit e thjeshtë që shkojnë to, mund të pasurohen, pavarësisht faktit që në poezi mbizotëron fryma e pasqyrimit të njërëzve që kthehen të zhgënjyer. Kjo poezi i kushtohet luftës turko-austriake në 1789, ku autori në moshë të thyer mori pjesë në fushatë me trupat shqiptare të Ali Pashë Tepelenës . Motivet që mbizotërojnë në këtë letërsi janë motive transnacionale që përfshijnë dhe rrëfejnë solidaritetin e një kulture orientale që zinte vend që nga Persia e duke përfshirë gjithë hapësirat e pamata të Perandorisë Otomane. Edhe pse në këtë letërsi gjejmë vargje si të Nezim Beratit, Divan, kush pat folurë shqipAjan e bëri Nezimi,Bejan, kush pat folurë shqip,Insan e bëri Nezimi. ku ai shprehet krenar se ka hapur një traditë të re në kulturën shqiptare duke hartuar një divan në gjuhën shqipe, sërish poezia mbetet vetëm në formën e një konstatimi dhe nuk gjejmë ndonjë afirmim të përpjekjeve pë ndriçim të popullsisë dhe të idesë së Evropës. Ndërkohë në veprat e humanistëve shqiptarë nuk ka një paradigmë mohuese ndaj pjesës së islamizuar të popullsisë shqiptare. Kështu në ë letrën e Budit dërguar Kardinalit Godacino, nënkuptohet qartë afërsia e etnike e tij me popullsinë lokale kur shkruan për kryengritësit “më të shumtit janë të gjakut tim dhe miq të ngushtë të mij” . Për më tepër , pavarësisht se në letër ka një mobilizim dhe thirrje të identitetit fetar, një kundërvënie e natyrshme në shekullin e XVI, sërish gjejmë një frazë të rëndësishme që është pararendëse e ideve të mëvonshme të zgjimit kombëtar të shqiptarëve. Islamizimi i një pjese të popullsisë ka sjellë në eksistencë një faktor të ri, të të arbërve të konvertuar, të cilët mund të mendohet se janë bërë palë me pushtuesit, por që sipas Budit, në planet e tij të kryengritje, janë gati të vdesin me armë në dorë jo vetëm të krishterët por edhe të “parët turq” -emër me të cilët nënkupton parësinë e islamizuar arbëre. Është meritë e padiskutueshme e Budit që dëshirën dhe kryengritjen e ardhshme të arbërëve nuk e ka parë vetëm si një dëshirë të një pjese të popullsisë por mesazhin e lirisë që shpërndan shërben si enë komunikuese midis gjithë popullatës arbëre, pavarësisht ndasive fetare. Pjetër Budi, si me të drejtë ka vënë në dukje Profesor Selman Riza, është pararendësi i letërsisë së lëvruar shqipe si në prozë ashtu dhe në poezi. Si për nga risia e temave dhe gjinisë, ashtu për nga aftësia kompozicionale, gjithashtu për nga fuqishmëria e shprehjes Pjetër Budit kurrsesi nuk mund t’i mohohet cilësia jo vetëm e të parit lëvrues, frymëgjatë të poezisë letrare shqiptare, por njëherazi edhe e të parit poet shqiptar, të pajisur me një ndjeshmëri fetare-kombëtare të pasionuar. Rrethin vicioz të mospërdorimit të gjuhës shqipe vetëm si përkthime por në një krijimtari të mirrëfilltë letrare e kapërcen Pjetër Bogdani me veprën e vet “Rrethi Profetëve”. Në parathënien që shoqëron veprën e tij Bogdani shkruan se “lutesha që të më shtampohej libri, ashtu si kur të kthenja prej dheut si në në të kësha nji qirij ndezun ndorë për të ndritur atë të vobek dhe të Arbënit”. Ideja e ndriçmit të popullsisë, aq e njohur në Evropë me Iluminizmin përftohet nga Bogdani si pjesë e vetëdijes intelektuale, tipar i mëvonshëm që e hasim dhe në Rilindjen Kombëtare. Pjesa tjetër ortodokse e popullsisë ashtu si dhe në rastin rumun dhe bullgar u influencua nga elitat greke por dhe kontribuoi në Iluminizmin grek nëpërmjet Voskopojës, akademisë së saj dhe prelatëve ortodoksë. Emrat e Kavaliotit, Daniel Moskopolit shënjuan jo vetëm kulturën regjionale të Voskopojës por dhe atë greke pasi u shkruan në atë gjuhë. Gjithsesi duhet theksuar se përdorimi i gjuhës greke shprehte dhe mentalitetin ekumenist të epokës, ku ajo shikohej si një transmetuese e vlerave bizantine dhe në planet e iluministëve ballkanikë zinte një vend të veçantë si gjuha që do të bashkonte të gjitha popullsitë e Ballkanit .Pikërisht në këtë kohë kemi një përpjekje për një zhvillim kulturor të shqiptarëve ku si paradigmë zhvillimi u morën veprat dhe autorët e Iluminizmit grek, pasi dhe një pjesë e këtij zgjimi kulturor erdhi nga figura që ishin formuar në shkolla kulturore greke dhe ishin personalitete të kulturës ekumenike ortodokse. Gjatë kësaj epoke, sidomos pas forcimit të pushtetit të Ali Pashë Tepelenës, në fillimet e shekullit të XIX dhe rritjes së pranisë diplomatike në Janinë, ku dy përfaqësues të shquar, njëri i Francës republikane Fransua Pukëvil dhe tjetri i Mbretërisë Angleze, William Martin Leake ishin dy personalitete shumë të kulturuar që kontribuuan shumë në nxitjen dhe lëvrimin e kulturave vendase. Të frymëzuar të dy nga Filohelenizmi dhe ringjallja e interesit për trashëgiminë greko-romake, ata nuk do të qëndronin indiferent edhe ndaj kulturës shqiptare pasi një pjesë e madhe e botës antike që ata adhuronin shtriheshin në territoret shqiptare. Kështu Pukëvili do të ishte nxitësi kryesor i Marko Boçarit të shkruante në 1809 një fjalës greqisht-shqip nga bisedat me familjen e shquar të Boçarëve, të shpërngulur në Korfuz. Kjo situatë do të ndryshonte disa vite më vonë ku ashtu si dhe në Evropë etnitë ballkanike do përqafojnë nacionalizmin si platformë ideologjike në rrugën e krijimit të shteteve të tyre por trashëgimia dhe influenca e kësaj kulture ekumeniste të rajonit do jetë e dukshme jo vetëm në zgjimet kombëtare por dhe në dëshmitë e udhëtimit që na kanë lënë udhëtarët e huaj në shekullin e XIX. Pikërisht nga kjo elitë dhe përfaqësuesi i saj Naum Veqilharxhi do të vijë dhe artikulimi i idesë së tij në “Letrës Enciklike Për Të Gjithë Të Pasurit E Të Mësuarit Ortodoksë Shqiptarë”, ku ai do tu kërkojë shqiptarëve që të hyjnë në “në radhën e kombeve të qytetëruara” duke nënkuptuar Evropën. Por suksesi më i madh i idesë evropiane mes shqiptarëve do të jetë përqafimi i saj nga komunitetit mysliman shqiptar çka përbën një rast unikal në dallim nga komunitetit e tjera myslimane në Ballkan. Edhe pse kjo ide mund të gjendet e vagullt në projektin konstitucional të federatës Panilirike që Karamahmud Pashë Bushatlliu kishte ndërmend të formonte si një shtet të përbashkët mes shqiptarëve myslimanë, atyre katolikë dhe malazezve ortodoksë të përmendur nga shënimet e udhëtimit të konsullit francez Francois Pouqeuville, apo dhe në dëshirën e në fund të zotërimit të Ali Pashë Tepelenës që i kërkoi Meternikut, kancelarit të Austrisë një kushtetutë të shkruar, gjithsesi duhet pranuar fakti se pas reformave të Tanzimatit dhe lindjes së idesë kombëtare për shqiptarët kjo ide fillon të dallohet më tepër. Ideologë të saj janë vëllezërit Frashëri, Hasan Tahsini, Isamil Qemali etj të cilët ndikojnë jo vetëm në atdheun e tyre por dhe në vetë Perandorinë Otomane për të artikuluar këtë ide. Ideja për Evropën ashtu si dhe në vendet e tjera ballkanike do të eci paralelisht me zgjimin kombëtar ku arsimimi në gjuhën kombëtare dhe evokimi i figurës së Skënderbeut do të përbëjnë dy nga shtyllat e këtij zgjimi. Tekstet shqip të abetareve dhe copëzave të këndimit të hartuara nga rilindasit shqiptar e pozicionojnë Shqipërinë në Evropë duke shprehur dhe konsideratat e larta për qytetërimin evropian. Pranimi i Skënderbeut si hero kombëtar të tyre do të ishte një nga hapat e para të shqiptarëve për afirmimin e kësaj ideje pasi princi tyre mesjetar kish qenë në ballë të koalicioneve anti-osmane për të shpëtuar Evropën. “Jakë o dritë e bekuar që lind andej ku perëndon” do të shkruante Naim Frashëri duke shprehur qartë jo vetëm adhurimin e tij për Perëndimin por dhe influencën e kulturës evropiane, sidomos asaj franceze që kish influencuar aq shumë në botëkuptimin e tyre. Poema e gjatë në vargje “Istoria e Skënderbeut” e Naim Frashërit është testamenti politik i Rilindjes Kombëtare, ku kundërvënia me otomanët pasqyrohet me tone epike dhe lidhjet e Shqipërisë me Evropën përforcohen dhe rikujtohen përmes betejave të arbërve.Kjo qasje drejt Europës përmes librit shqip, si një nga mjetet që ndikon dhe në modernizmin dhe lindjen e nacionalizmit mes një popullsie, do të përcillej gradualisht edhe te shtresat e tjera të popullsië derisa me konsilidimin e shtetit shqiptar do të bëhej ligjërim dominant i ligjërimit publik shqiptar.Bibliografi:1- Historia e Letërsisë shqiptare. Akademia e R.P.S.SH:1983. Tiranë. 2- Kronika e Gjon Muzakës në P.Xhufi. Nga Paelologët te Muzakajt. Shtëpia Botuese 55, Tiranë, 20093- O.J.Schmitt, Skënderbeu, Tiranë, 20084- P.Petta, Despoti d’ Epiro e principi di Macedonia, Lecce, 2000.5- S.Riza.”Pesë autorët më të vjetër në gjuhën shqipe”6- Zija Xholi. “Pesë mendimtarët më të vjetër të kulturës sonë kombëtare”.Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë:2003.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dirian Koçi, drejt Evropës, përmes librit, Rrugëtim

CORONA VIRUS: IMUNITET I PËRJETSHËM OSE I PËRKOHSHËM

March 22, 2021 by dgreca

CORONA VIRUS: IMUNITET I PËRJETSHËM OSE I PËRKOHSHËM

Shkruan: Dr. Pashko R. Camaj, Doktor i Shkencave të Shëndetit Publik */

Vaksinat anti Covid janë duke funksionuar. Zyrtarët e shëndetit publik janë entuziastë për suksesin që kanë vaksinat në parandalimin e infeksioneve. Që nga data 20 Mars 2021, vaksinat anti Covid janë aplikuar në 80 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Vaksinat Moderna dhe Pfizer-BioNTech ofrojnë imunitet me efektivitet në provat klinike përkatësisht 94% dhe 95%. Vaksina Johnson & Johnson gjithashtu ofron imunitet me rreth 66% efektivitet në parandalimin e sëmundjes së moderuar deri në të rëndë dhe 85% efektivitet në parandalimin e sëmundjes së agravuar. Kohëzgjatja e saktë e imunitetit për vaksinat është ende e panjohur. Të dhënat e fundit nga studimet e botuara në Izrael dhe Skoci tregojnë se ato po mbrojnë njerëzit dhe gjithashtu mund të ulin përhapjen e virusit SARS-CoV-2. Nëse gjithçka qëndron sipas parashikimeve, njerëzit do të mbrohen nga sëmundjet e rënda, sasia e virusit do të ulet në mënyrë progresive dhe ne mund të planifikojmë me të vërtetë për një rrugëdalje nga pandemia globale.

SA DO TË ZGJASË IMUNITETI?

Provat shkencore janë gjithashtu në rritje që tregojnë se të infektuarit kanë shumë gjasa që të mbrohen nga infeksione të mëtejshme, ose të paktën, sëmundje më pak të rënda. Kjo ka kuptim, pasi është arsyeja pse sistemi ynë imunitar evoluoi në radhë të parë. Ndërsa evoluonim, sistemi imunitar u skalit nga ligjet e përzgjedhjes natyrore. Pasi të jeni infektuar ose vaksinuar, qelizat e kujtesës B dhe T vazhdojnë. Kur infektoheni përsëri, këto qeliza të kujtesës japin një alarm, fillojnë një përgjigje që eliminon infeksionin në një masë të tillë që as nuk do të ndiheni më të sëmurë. Sidoqoftë, një pyetje që dominon këtë proces të hershëm të vaksinimit kundër COVID 19 është: Sa do të zgjasë imuniteti? Ka disa variabla këtu: sa e rëndë është sëmundja fillestare, si është shëndeti i përgjithshëm, mosha e personit dhe faktorë të tjerë. E gjithë kjo e bën parashikuese se çfarë mund të ndodhë me personin që ishte prekur nga COVID. 

A ËSHTË COVID MË SHUMË SI FRUTH APO GRIP?

Gjatë vitit të fundit kemi mësuar shumë rreth Corona Virusit. Por kur përpiqemi të parashikojmë se çfarë do të ndodhë më pas, mund të jetë e dobishme të krahasojmë atë që dimë aktualisht për COVID19 me dy sëmundje për të cilat dimë shumë dhe për të cilat kemi vaksina efektive: fruthit dhe gripit. Cila do të duket COVID? Ne e dimë që vaksinat kanë kohëzgjatjen e tyre specifike të imunitetit që mund të shkojë nga disa muaj në disa dekada. Vaksina e gripit, e cila imunizohet kundër gripit për disa muaj, përfaqëson një fund të spektrit; vaksina e fruthit, e cila imunizohet kundër fruthit për tërë jetën, përfaqëson tjetrën. Fruthi (lija) është një virus shumë më i qëndrueshëm se SARS-CoV-2 – nuk shndërrohet shumë lehtë. Zakonisht provokon një përgjigje të fortë imune dhe kështu që imuniteti tenton të zgjasë shumë, qoftë nga infeksioni apo vaksinat. Disa studime tregojnë se antitrupat kundër fruthit zgjasin gjithë jetën. Për shkak se është një virus kaq i qëndrueshëm, kur dikush ri-infektohet, vaksina që mund të kenë pasur vite më parë, ose përgjigja ndaj infeksionit natyror, do ta mbrojë atë. Gripi, megjithatë, është i ndryshëm. Virusi i gripit mund të ndryshojë me lehtësi. Kjo do të thotë që ne duhet të vazhdojmë të vaksinohemi kundër tij, pasi vaksinat në një variant të mëparshëm mund të mos mbrojnë nga një variant i ri. Stabiliteti i një virusi është, pra, një përcaktues kryesor nëse mbrojtja afatgjatë vazhdon. COVID-19 ka shumë ngjashmëri ndërmejt fruthit dhe gripit. Nuk është aq i qëndrueshëm sa fruthi dhe nuk është aq i prirur për mutacione sa gripi. Ne presim që imuniteti të zgjasë kundër COVID-19, por ndoshta jo për aq kohë sa fruthi.

PROTEINA GJËMB QË MBULON SIPËRFAQEN E KORONAVIRUSIT

Një faktor i rëndësishëm për ne është natyra përsëritëse e sipërfaqes së SARS-CoV-2. Proteina gjëmb që mbulon sipërfaqen e koronavirusit është në një mënyrë uniforme. Antitrupat ndaj lisë, e cila gjithashtu ka një sipërfaqe shumë të përsëritur, zgjasin gjithë jetën. Në këtë situatë, makrofagët (një lloj i qelizave të bardha të gjakut që gllabëron dhe konsumon patogjene) mund të jenë më mirë në gjendje të rrëmbejnë virusin e veshur me antitrupa. Nëse proteina gjëmb muton dhe antitrupat nuk mund të lidhen gjithashtu, ia vlen të jepet një goditje përforcuese kundër proteinës së re gjëmb e cila është ajo që planifikohet nëse vërtet është e nevojshme. SARS-CoV-2 ka një grup uniform të proteinave gjëmb në sipërfaqen e tij. Dhe nëse antitrupat nuk veprojnë aq mirë kundër varianteve, qelizat T mund të funksionojnë. Kjo mund të nënkuptojë se nuk do të kemi nevojë për nxitësa aspak dhe se mund të kemi mbrojtje afatgjatë nga shumë variante. Nëse përgjigjja imune është më e ulët ndaj varianteve, ne ndoshta do të jemi ende të mbrojtur nga sëmundjet e rënda.

INFEKSION NATYROR OSE VAKSINË

Një aspekt i rëndësishëm i infeksionit natyror është sa e fortë, është përgjigjja imune fillestare. Ftohja e zakonshme shpesh provokon një përgjigje të lehtë në pjesët e sipërme të frymëmarrjes. Kjo ndodhë sepse një virus që kufizohet në hundë nuk paraqet kërcënim te madh. Kjo do të thotë që përgjigjja imune nuk shkon aspak. Ishte e pamjaftueshme që qelizat e kujtesës B dhe T të shfaqen, dhe kjo është arsyeja pse ftohja e zakonshme qarkullon sezonalisht. Aty ku vaksinat vijnë në vetvete, është fuqia e tyre për të inicuar një përgjigje imune. Vaksinat zakonisht japin një përgjigje imune shumë më të fortë sesa infeksioni natyror. Kjo ndodh sepse përgjigjet imune natyrale nuk kanë hile të patogjenit, shumë prej të cilave kanë mënyra të hollësishme për të çaktivizuar përgjigjen imune. Kjo përsëri bazohet në evolucion. Viruset që mbajnë proteina që mund të kufizojnë imunitetin do të kenë më shumë gjasa të mbijetojnë. Kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme me SARS-CoV-2, i cili mbart disa mënyra për të kufizuar imunitetin. Për shkak se vaksinat përmbajnë ose një pjesë të virusit – siç është proteina gjëmb ose një virus i tërë i paaktivizuar, ato nuk e kufizojnë imunitetin, dhe kështu ndodh një përgjigje e fortë imune. Tani jemi të sigurt se infeksioni me SARS-CoV-2 ka shumë të ngjarë të sigurojë një mbrojtje kundër ri-infektimit. Por, duke qenë se po shohim variante të këtij virusi, është e udhës që të përgatitemi për fotografi përforcuese me vaksina të reja për ata që janë të prekshëm. Ne do të kemi një ide më të mirë nëse ato janë të nevojshme në muajt e ardhshëm. Nëse variantet dominojnë, COVID do të jetë më shumë si gripi, i cili ka nevojë për vaksinim vjetor. Por nëse jo, atëherë do të jetë më shumë si fruthi, ku vaksinimi krijon imuntet te përjetshëm.

* Nënkryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës -VATRA

Filed Under: Politike Tagged With: Corona Virus, Dr.Pashko Camaj, Imuniteti

BORXHE TË PAPAGUARA-PREMTIME TË PAMBAJTURA

March 20, 2021 by dgreca

(Kujtesë politikës shqiptare dhe kryeministrit Rama)

Nga Eugjen MERLIKA/

Fushatat zgjedhore i ngjasojnë shfaqjeve masive ku secila forcë politike shpalos programin e saj, parapëlqimet e saj kryesore, kritikat për kundërshtarët e premtimet për t’ardhmen. Por në gjithë këtë paraqitje të tërësishme të ideve apo dëshirave, një rol kryesor duhet të zejë llogari-dhënia, jo e parë në këndvështrimin e vetëlavdërimit e të “paradës” së sukseseve, mbeturinë trashëgimore e gjysëm shekullit komunist, por n’atë vetëkritik për të njohur mangësitë, sepse në një epokë rënieje vertikale të besimit tek politika, vetëkënaqësia mund të ketë pasoja rrënuese.

Vlen kjo për shtete të mëdhenj e demokraci të realizuara, po ashtu sikurse për shtete autoritarë e diktatorialë të cilët nuk e pranojnë në konceptin e tyre të bisedës me nënshtetasit atë formë komunikimi, që përbën bazën e proçesit demokratik të një shoqërie.  Por vlen edhe për shoqërinë tonë me shumë probleme, që ende mbetet gjysmake në sendërtimet e tyre e nuk arrin të gjejë rrugën e një normaliteti të çerekut të parë të shekullit 21.

Është krejt e papranueshme gjuha e përdorur nga kryeministri për të paraqitur tek dëgjuesit e tij në televizion apo në tubime të ndryshme kundërshtarët e tij politikë sot, aq më tepër se disa prej tyre janë ata me të cilët ka bashkëpunuar në fushën politike deri disa vite më parë. Është çështje etike politike që po rezulton tejet e vështirë për t’u përqafuar nga politikëbërësit mbas komunistë shqiptarë. Shprehje e kësaj mangësie mbetet edhe “dialektika” e presidentit Ilir Meta që bën thirrje për ndërhyrjen e popullit në mbrojtje të Kushtetutës nga “banda ndërkombëtare e lokale”. Populli nuk ka për detyrë të ndjekë në veprime dhune drejtuesit që ka mbi kokë, por duhet që, nëpërmjet votës së tij të dërgojë në shtëpi të gjithë ata që kanë pushtuar politikën prej tridhjetë vitesh.

Në këtë tërësi kundërshtish apo gjasme kundërshtish, bie në sy një mungesë, ajo e fjalës “borxh”, që duhet të rrokë edhe vështrimin makroekonomik t’ekonomisë e rritjes së borxhit publik, deri diku i ligjëruar nga dukuri madhore si pandemia apo fatkeqësitë natyrore, por edhe një forme tjetër të asaj fjale, që ka të bëjë me atë të trashëguar nga sistemi komunist e që në tre dhjetëvjeçarë nuk është arritur të shlyhet. Ajo fjalë duket se, në fushatën aktuale zgjedhore në Shqipëri, ka humbur të drejtën e qytetarisë.

Në jetën e përditëshme koncepti i borxhit ka forma të ndryshme e shënon marrëdhëniet mes njerëzve kur ai është i pranishëm, shpesh edhe duke përcaktuar ngjarje të dhimbëshme e ndonjëherë edhe tragjike. Madje edhe vrasjet e shumta të kronikës së zezë shqiptare, ndoshta e kanë burimin pikërisht n’atë dukuri. Pra koncepti është bashkudhëtar i jetës sonë e secili e zgjidh simbas mundësive të tij.

“Borxh nderi është një fjalë, në të cilën nderi është tmerrësisht i përdorur keq.” shkruante rreth dyqind vjet më parë një shkrimtar gjerman, K.J.Weber. Ideja e shprehjes është e lidhur me një borxh që nuk respektohet e që ka prirjen të mbetet i tillë, i përjetshëm, i papaguar. Një i tillë është ai për të cilin po marr mundimin për t’a trajtuar për të satën herë gjatë këtyre viteve të kalesës. Është borxhi, të cilin vetë politika dhe qeveritë shqiptare të këtyre viteve e kanë njohur në marrëdhëniet e tyre me atë pjesë të popullsisë që ka mbartur mbi shpinën e saj barrën më të rëndë të diktaturës komuniste, përndjekjen e pamëshirshme nëpërmjet burgjeve dhe internimeve të zgjatura në më shumë se dyzet vite të jetës së tyre.

Në vitet e para të tjetërsimit të regjimit Parlamenti i parë pluralist i Shqipërisë arriti në përfundimin se diktatura kishte vepruar në mënyrë të paligjëshme, duke dënuar dhjetra mijra vetë me masa të ndryshme që fillonin me vite të gjata burgimi me punë të detyruar e arrinin deri tek dënimet kapitale. Si pasojë logjike e këtij vendimi historik të Kuvendit shqiptar, lindi edhe një borxh i madh për mundësitë e shtetit të ri. Në vitet e para pati disa dëmshpërblime, më shumë simbolike, për të treguar konkretisht ndërrimin e kohëve, por nuk pati një plan të organizuar në afate të përcaktuara të pagesës së dëmshpërblimeve. Përpjekjeve të PD për të sendërtuar atë i shmangeshin socialistët, që ende nuk ishin të bindur plotësisht se krimet e komunizmit duheshin dënuar e dëmshpërblyer jo vetëm me fjalë, edhe ato tepër të matura e të pavullnetëshme, por nga vepra konkrete.

U desh të kalonin 17 vjet që qeveria Berisha – Meta të vendoste të bënte një plan masash konkrete financiare për të plotësuar pagimin e dëmshpërblimeve. Atëherë u fillua të veprohej duke i dhënë përparësi viktimave të mbijetuara të dhunës. Proçesi qe mjaft i ngadalshëm dhe shumë pak u shtri tek familjarët e atyre që nuk jetonin më.

Në 2013 qeveria e re e Rilindjes premtoi solemnisht, nëpërmjet kryeministrit Rama, se do të zgjidhte plotësisht problemin duke hartuar edhe një varg masash të përcaktuara në kohë. U tha se do të paguheshin jo vetëm të gjithë ata që ishin në jetë, por edhe trashëgimtarët e atyre që nuk jetonin më. Madje u premtua se tetë këstet e detyruara do të shlyheshin për një periudhë prej dhjetë vitesh. 

Deri në vitin 2016 u arrit të paguheshin vetëm dy këste nga tetë të caktuara. N’atë vit ish ministri i ekonomisë Ahmetaj shpalli se ata fonde “ishin ngrirë” e që nga ajo deklaratë vetëm disa kanë mundur të marrin këstin e tretë. Shkruajtësi i këtyre rradhëve pohon nën përgjegjësinë e tij se për këstin e tretë, mbas interesimit të tij pranë organeve përkatëse, përgjigja që ka marrë është se kësti i tretë do të arrijë në vitin 2022. Pra, plot gjashtë vjet për të marrë një këst. Nëse matematika është një shkencë e saktë, po të vazhdohet me këtë ritëm pagesash, moshës sime prej 78 vjeçari duhet t’i shtojmë edhe 30 vite të tjera për të mundur të marrë nga shteti borxhli dëmshpërblimin e një jete 15-vjeçare të babait, të kaluar në burgjet e kampet e ndryshme të punës së detyruar e të papaguar të regjimit komunist padrejtësisht.

Me që në qarqet e ndryshme politike të Rilindjes, në mos gabofsha, është vendosur që ata dëmshpërblime nuk duhet të vazhdojnë të paguhen më shumë se në brezin e dytë të trashëgimtarëve, pra bijt e mij nuk kanë të drejtë të përfitojnë, ata kthehen në “borxhe nderi” të shtetit shqiptar që, mbasi i ka grabitur pjesën më të bukur të jetës qytetarëve të tij, tani shmang plotësisht dëmshpërblimin për punën e papaguar të tyre. Se ku qëndron drejtësia apo morali politik e njerëzor i kësaj politike, besoj se u takon atyre që qeverisin sot Shqipërinë t’a shpjegojnë shkoqur, nëse ai është i pranishëm.

Në këtë fushatë zgjedhore, kreu i Opozitës, Basha, në trajtimet e shumë problemeve të jetës shqiptare e shtjelloi edhe këtë çështje, duke premtuar zgjidhjen e saj të plotë. Duke mbajtur parasysh përvojën e partisë së tij në këtë drejtim kur ishte në qeverisje, një farë mosbesimi mbetet i ligjshëm, por ne e marrim për ndjellamirë atë premtim deri në çastin konkret të sendërtimit të tij. Koha mbetet gjithmonë gjykatësi më i mirë.

Ndërsa rivalit të tij, Kryeministrit Rama, në morinë e premtimeve të tij për rritje financiare rrogash e pensionesh, gjëra të cilat na gëzojnë në thellësi të zemrës, sepse janë tepër të vonuara, nuk i ka shpëtuar asnjë fjalë për larjen e këtyre borxheve. Duket se ata nuk ekzistojnë aspak në “vizionet 30” apo “pesëdhjetë” të Shqipërisë s’ardhme, për të cilët ai flet me aq “largpamje” e sens Shteti. Duket se në “Shqipërinë që duam” të tij, dhjetra mijra shqiptarë që presin të marrin ata dëmshpërblime duhet të fluturojnë diku jashtë sistemit diellor, për të mos qënë të pranishëm në sendërtimin e vizioneve të lartpërmendura. Harron ai se ata borxhe janë sinonime gjaku, dhimbjesh, urie, dhune skajore deri në krim, të ushtruara pa kursim nga para-ardhësit e partisë socialiste, mbi shqiptarë të tjerë, më pak fatlumë se ai.

Do t’ishte detyrë e tij dhe bashkëpuntorve të tij të mbanin një qëndrim tjetër kundrejt dhunës dhe objekteve të saj të sistemit komunist, por ndoshta tridhjetë vite të demokraturës pas komuniste janë të “mjaftueshme” për të varrosur kujtesën e tij e detyrimet e saj e për të mbushur gojën me Evropën, Amerikën e vlerat e tyre, krejt indiferente ndaj problemeve të këtij lloji në Vendin tonë.

Për t’a përfunduar këtë shkrim të thjeshtë, që flet për një dukuri që i përket dhjetra mijra qytetarëve të Shqipërisë, po sjell një thënie të një shkrimtari gjerman të shekullit 19, M.G.Saphir, për borxhet e papaguara:

“Harrohet nga të gjithë, nga t’afërm, miq, deri edhe nga e fejuara, madje së fundi edhe nga armiqtë e tij, por kurrë nga borxhdhënësit. Prandaj kërko të bësh më shumë borxhe që të kesh mundësi të jetosh sa më gjatë në kujtesën e njerëzve të tjerë.”

Mars 2021   

Filed Under: Politike Tagged With: Borxhi, Eugjen Merlika

Klevist Tinaj i bashkohet VATRËS

March 20, 2021 by dgreca

Klevist Tinaj i bashkohet VATRËS/

 E Shtunë, 20 Mars 2021, Klevist Tinaj i bashkohet familjes më të madhe patriotike shqiptare ne SHBA, VATRËS. Një djalë i përkushtuar, energjik, patriot dhe i fokusuar në aktivitetet e punësimit dhe të rinisë në New York nga sot e tutje do të japë kontributin dhe energjitë e tij për familjen e madhe Vatrane. Prej vitesh Klevisti ka themeluar grupin social SHQIPTARËT NË NEW YORK me fokus punësimin e shqiptarëve në shtetin New York-ut dhe jo vetëm. Ai sot është bashkëmenaxher i kësaj platforme punësimi ku përditë siguron punë dhe njoftime të vlefshme për patriotët shqiptarë. Një ndër sfidat më të mëdha për shqiptarët e sapo ardhur në USA është sigurimi i një pune dhe integrimi në tokën e bekuar. Klevisi me bashkëpunëtorët e tij ofron çdo shërbim falas në dobi të komunitetit. Ai u shpreh shumë i lumtur për anëtarësimin në VATËR dhe u bëri thirrje dhe shumë të rinjve që të ndjekin shembullin e tij.

Filed Under: Vatra Tagged With: anetaresohet ne VATER, Klevis Tina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 44
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT