• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2021

DY FJALË PËR LIBRIN: “IZREALITËT NË SHQIPËRI” TË AUTORIT JOSEF JAKOEL

April 13, 2021 by dgreca

Nga Mal BERISHA/

Ky libër doli në dritë njëherësh me njohjen reciproke që Republika e Kosovës dhe Shteti i Izraelit i bënë njëri tjetrit dhe vendosën mardhënje diplomatike. Ky  është një ogur i mirë për të dy vendet mike.

Josef Jakoel, është emri i një izraeliti i cili sot për shumë njerëz mund të tingëllojë si një emër i “ri” dhe jo aq i njohur.

Por, për shumë të tjerë ai emër ka një kuptim të madh. Për bashkëkohësit e tij, ai ishte një pedagog dhe njeri euridit në Institutin Bujqësor në Tiranë, një teknicien dhe punëtor i palodhur në përhapjen e progresit në fushën e bujqësisë së vendit tonë, një zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë. Po aq i njohur është ky emër edhe për shumë shqiptarë që i kanë njohur vajzat e tij Feliçitën dhe Ksenian, të cilat u lindën dhe jetuan  në mesin e  shqiptarve deri në vitin 1991. Për të bërë një hyrje sa më kuptimplote në këtë analizë të thjeshtë të këtij libri po e citoj vetë autorin e librit kur thotë:

“Jam krenar që në dejet e mia rrjedh gjaku i stërmunduar i Abrahamit, Isakut dhe Jakovit. Jam po aq krenar që u linda, u rrita, punova dhe u mplaka në gji të popullit shpirtmadh dhe fisnik shqiptar “

Emri i Josef Jakoel u shfaq në mediat amerikane fill pas rënjes së komunizmit. Në vitin 1992, Harvey Sarner, një filantrop i njohur hebre – amerikan, botoi një libër me titull: “Hebrejtë në Shqipëri”. Libri bazohej në dokumente dhe shënime që autori i mori prej Josef Jakoel dhe të bijës, Feliçita Jakoel, në Israel.

  Në vitin 1997, libri “Hebrejtë në Shqipëri” u ribotua me një titull tjetër, “Shpëtimi në Shqipëri – Një qint për qint e hebrejve të shpëtuar nga Hollokausti.” Ai u plotësua me nga një parathënje prej Joseph DioGuradit, ish kongresmen dhe Presidenti Ligës Qytetare Shqipatoro Amerikane, kongresmenit Tom Lantosh dhe atij, Benjamin Gilman.  

Ai libër, të cilin me autorizim të vetë Kongresmenit DioGuardi, kam patur nderin ta përkthej në gjuhën shqipe, ka në qendër emrin e Josef Jakoelit, një izraelit i Shqipërisë i cili kishte mbajtur një evidencë të plotë të pranisë fizike hebraike në Shqipëri. Autori, Harvey Sarner,  i bën atij një dedikim shumë të ndjerë:

“Ky libër i kushtohet  kujtimit të Josef Jakoel – Një Mose i shekullit të XX – të  i cili iu priu bashkëatdhetarëve të tij drejt Tokës së Premtuar.”

Ai përshkruan me emra dhe fakte se si dhe përse hebrejtë u shpëtuan nga shqiptarët gjatë periudhës më të errët të historisë së njerëzimit; Hollokaustit.

Deri në vitin 1990, përmendja e një historie të tillë ishte një tabu dhe mund të përbente rrezik për rrëfenjësit e saj.

          Deri kur Josef Jakoel i dha ato evidenca dhe deri më sot kur është botuar libri në fjalë, thuajse të tërë autorët janë bazuar në dëshmi të dorës së dytë.

E drejta vonon por nuk harron.

Dhe ja më në fund, edhe pse pak me vonesë, lexuesit shqiptar i jepet në dorë një libër që tregon një histori sa interesante aq edhe tronditëse. Aty ka aq shumë ngjarje dhe emra, që dëshmojnë per shumë e shumë sakrifica në mbrojtje të një popullsie të lashtë, atë të hebrejve të papërkulur, por të rrezikuar nga çfarosja.

Ky libër në fakt, më shumë se çdo gjë tjetër është një kthim nderi që Josef Jakoel dhe të bijat i bëjnë popullit shqiptar. Dhe shqiptarët që i mbrojtën ata njerëz të mirë kanë të drejtë të thonë:

“Kush nderon tjetrin, nderon veten!  

Për ta vënë në kontrast të plotë atë që kishte ngjarë në Shqipëri me izraelitët që jetonin këtu, me të tjerët që jetonin jashtë, madje edhe shumë afër nesh, në Korfuzin matanë detit, ai ia kushton  librin:

“Motrës Eftihia, burrit të saj Rafo, djalit 5-vjeçar Niso, vajzës 2-vjeçare Lina, viktima të Hollokaustit: Nga Cefi.”

Ndërkohe ai me familjen e tij qëndruan në Shqipëri dhe kaluan të sigurtë pa iu hyrë ‘ferra në këmbë’ gjatë tërë kohës së Hollokaustit. Këtë kontrast ai e jep në një pasazh të librit kur thotë:

“Jeta në Shqipëri kalonte e qetë e krejtësisht normale, sikur ato që ndodhnin në Evropë i përkisnin një bote krejt tjetër, që nuk kishte asgjë të përbashkët me jetën e tyre”

Libri “Izraelitët në Shqipëri” i botuar me shumë sqimë nga Shtëpia Botuese “Çabej”, përbën një momument të rrallë të një dëshmie të pashoqe në historinë tonë më të re. Në fillim lexuesi do të njihet me një hyrje të shkruar nga Shirley Cloyse DioGuardi, Këshilltare e Çështjeve Ballkanike në LQSHA në New York, si edhe përfshirjen e kongersmenëve amerikanë me origjinë hebraike, Tom Lantosh, Benjamin Gilman dhe Jerold Nadler. Më pas për biografinë e autorit Josef Jakoel, “Cefin”, babain e saj të dashur, shkruan me shumë veneracion e bija, Feliçita. Ajo na jep një tablo të jetës në familjen izraelite të Jakoelëve dhe rolin që luante ai burrë mendjendritur, në edukimin e tyre sa me ndjenjat dhe virtytet e popullit të vet aq edhe me dashurinë për Shqipërinë, atdheun e tyre të dytë.

Vitet që nga koha e Hollokaustit kishin kaluar në heshtjen mbytëse të diktaturës, nga frika e persekutimit. Për hir të vërtetës, për Jakoelët kjo nuk vinte për shkak të origjinës etnike, pasi antisemitizmi në Shqipëri nuk ekzistonte, por për shkak se gjyshi Rafael Jakoel, ishte i shpronësuar. Dhe ja ku vjen një ditë dhe Feliçita, kjo bijë e Jakoelëve në vitin 1990, viziton Izraelin, shkon në Jeruzalem dhe sheh Muzeumin e Holokaustit dhe Kopshtin e “Fisnikëve midis Kombeve” Yad Vashem. Ajo mëson nga këto muzeume për tmerrin që kishte përjetuar kombi i saj prej Hollokaustit dhe e krahason atë me paqën dhe sigurinë që iu kishin dhënë shqiptarët hebrejve në atë kohë. Ajo mediton në atë vend dhe thotë:

“Brenda vetes u ndjeva krenare!”

Por, krenaria e saj venitet kur sheh se nga populli shqiptar i cili kishte demonstruar Fisnikërinë më të Madhe midis Kombeve të tërë Evropës, as që figuronte aty fare!? Dhe aty ajo i vë një detyrë vetvetes:

“Ta bëjë këtë Histori të Lavdishme të njohur në tërë botën.”

Gjatë vizitës së saj të parë, ajo dorëzon tërë emrat e hebrejve të Shqipërisë, të mbledhur nga i ati Josefi. Falë punës së këtyre dy njerëzve, Yad Vashem, i cili në vitin 1990 kishte vetëm një emër shqiptar, atë të Refik Veselit nga Kruja, i vendosur në vitin 1987, sot ka të gdhendur plot 75 emra të “Fisnikëve Shqiptarë në mes të Kombeve”. Jakoelët  iniciuan edhe krijimin e Shoqatës Shqipëri – Izrael.

Josef Jakoel në këtë libër ka sjellë një evidencë të plotë ngjarjesh nga më të habitshmet sesi populli shqiptar i mbrojti izraelitët e vet, por edhe ata të huaj.  Ai i jep përgjige edhe pyetjes se përse shqiptarët i mbrojtën hebrejtë? Përgjigjen e kësaj pyetje ai e gjen tek Kodi i lashtë i nderit të shqiptarit, tek Besa dhe Mikpritja dhe citon:

“Shpia e shqiptarit asht e Zotit dhe e Mikut”

“Po të hini miku në shpi, gjak me t’pasë do t’i thuash: Mirëseerdhe!”

Në një prezantim për Besën Shqiptare në Institutin e Kërkimeve Kebraike YIVO, në New York, një zonjë, nga salla, e cila kishte humbur tërë familjen nga Hollokausti më pyeti:

“Përse, përse e bëtë ju shqiptarët këtë, kur tërë Evropa e qytetëruar na vrau, na masakroi, na dorëzoi tek gjermanët, na dogjën në krematoriume, na zhdukën,  na shkatërruan!?

Përgjigja ime ishte:

          “Në Shqipëri nuk ekziston ligji i mos-kalimit të pragut të derës së oborrit  ose “trespassing” siç i thonë amerikanët. Ekzison një ligj tjetër: Besa, Mikëpritja, Miku.

Një ndër gjerat e bukura që gjen njeriu në këtë libër është frymëzimi që ai sjell për ringjalljen dhe ruajtjen e gjuhës: Ai bën një paralele midis hebraishtes  dhe shqipes kur thotë:

“Ringjallja e hebraishtes është një rast unik në historinë e filologjisë ku një “gjuhë e fjetur” ndër shekuj u shndrrua në një kohë të shkurtër në një gjuhë të gjallë dhe aktive” dhe shton:

“Kështu ndodhi edhe me gjuhën shqipe edhe ajo ishte varfëruar, e molepsur me huazime nga gjuhë të huaja që nuk iu bënte ballë kërkesave bashkëkohore. Punës i hyri Kristoforidhi dhe ajo punë vazhdon edhe sot.”

Kur vjen fjala tek ngjarjet dhe faktet që paraqet vetë autori thotë:

“Ngjarjet në fjalë përmbajnë një dozë të tillë ndjenjash, lartësisht njerëzore, shpirtmadhësie, bujarie dhe guximi saqë duhet patjetër t’i bëhën të njohura botës. Faktet janë të vërteta, pa shtesa dhe zbukurime, pasi nuk kanë nevojë për to meqë flasin vetë”.  

          Në një rrëfim tronditës për motrën e vet në fund të librit ai tregon sesi vetë familja e tij jetonte me brengën e tmerrshme të dhimbjes për humbjen e tërë familjes së saj të dorëzuar tek nazistët që nga Korfuzi.

Ai shton:

  “Çdo izraelit që jetonte në Shqipëri dhe që kishte pasë të afërm jashtë Shqipërisë, kishte të njejtën brengë pasi të tërëve iu ndodhi që të afërmit t’u ishin ekzekutuar”.

Pyetjes që shpesh bëhet nga të huajt sesa peshë kishte Shqipëria që mbrojti pesëqind, një mijë apo edhe dy tre mijë hebrej, kur në Evropë makina grirëse naziste eleminoi gjashtë milionë syresh, Josef Jakoel i përgjigjet tek citon Talmudin:

“Shpëtimi i një jete të vetme njerëzore është baras me shpëtimin e një bote të tërë”

Kur mëson për historitë e aq shumë hebrejve dhe shqiptarëve që i mbrojtën, mund të thuhet me plot gojën se, secila histori  mund të përbëjë një libër shumë faqesh, më vete.

Në përfundim dua të jap një dëshmi krejt personale.

Kam patur fatin ta njoh nga afër Kongresmenin amerikan me origjinë hebraike, Benjamin Gilman. Lidhja e tij me LQSHA dhe kontributi i tij i jashtëzakonshëm ndaj çështjes së Kosovës ishte i lidhur aq sa me politikën amerikane aq edhe me ndjenjat e fuqishme që ai ushqente për popullin tonë. Kjo ishte e bazuar në këtë histori që Josef Jakoel i la trashëgim shqiptarëve, izraelitëve dhe mbarë botës. Neve duhet të punojmë që ta bëjmë këtë histori sa më të njohur. Personalisht kam patur fatin që ta prezantoj historinë e Shpëtimit të Hebrejve në Shqipëri lidhur edhe me jetën e Ambasadorit Amerikan Herman Bernstein në Tiranë,  në Ambasadën Shqiptare dhe atë Amerikane në Londër, në Sinagogën Pinner, në Kennedy School of Government në Harvard, në Akademitë Diplomatike në Vjenë, Gjenevë dhe Prishtinë, në Universitetin e Tiranës, Fondacionin “Ivanaj” si dhe në shumë institucione të tjera në Tiranë. Në fakt duke e bërë të njohur atë, ne shqiptarët e njohim edhe anën më të mirë të qenjes tonë.

Norman Greshman, fotogarfi i njohur hebre – amerikan, në Filmin “Besa – Premtimi” thotë:

“Shqiptarët nuk kanë aq shumë për të eksportuar, por ata kanë një produkt unik në botë:

BESËN SHQIPTARE”

Këtë produkt më mirë se kushdo e ka “përpunuar” për “treg” Josef Jakoel.

Ato çfarë përshkruhen në këtë libër përbëjnë një  nga fenomenet më të bukura që na bën ne, shqiptarëve, krenarë përpara botës!

Filed Under: Histori Tagged With: IZREALITËT NË SHQIPËRI, JOSEF JAKOEL, Mal Berisha

Luljeta Ademi: Kosova ende pa Shkollë Kombëtare të Baletit

April 13, 2021 by dgreca

Intervistoi E.B., Nju Jork /

Luljeta Ademi ka lindur më 26.04.1987 në Prishtinë, Kosovë. Ështe balerinë që nga viti 2000.  Luljeta është pjesë e gjeneratës së parë të balerinëve të shkolluar pas luftës në Kosovë dhe është njëra ndër solistet e para të Trupës së Baletit te Kosovës.

Përveç baletit ajo mëson edhe gjeneratat e reja të fëmijëve ku mban mësim në studion e baletit Pirouette dhe në British School në Prishtinë. Shkollën e mesme e përfundoi në Prishtinë në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova”, dega balet. Ka përfunduar edhe fakultetin e pedagogjisë në Universitetin e Prishtinës në vitin 2009.  

Luljeta Ademi e ka filluar baletin që në moshën 14 vjeçare dhe ka 20 vite që kërcen në profesionin e baletit. Në vitin 2002 u bë pjesë e Baletit Kombetar teë Kosovës. Është pjesëmarrëse në 40 shfaqje të kësaj trupe. Shfaqja e parë ka qenë “Trancion 2”. Në shfaqjen “Bukuroshja e fjetur” dhe “Carmen” në vitin 2009-2010 me koreografi të Sylvia Tomova, Luljeta Ademi u bë e njohur për performancën e saj spektakolare ku edhe pati rolin kryesor.

Luljeta Ademi ka patur rolin solistik në shumë shfaqje si Zhizel, Othelo, Dasma, Shehrazade, La Sylphide, Sisters, Don Kishoti, etj. Gjithashtu ka patur rolin kryesor në shfaqet e njohura: Bukuroshja e fjetur, Carmen, La file mal gardée dhe Stravinsky & Ravel. Në vitin 2014 ka performuar me trupën e baletit në Napoli, Itali me premierën Shehrazade dhe në vitin 2018 me shfaqen Zhizel në Bullgari. 

Kur u bëtë pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës? Si e konsideroni pjesëmarrjen tuaj në BLK?

Luljeta Ademi: Pjesë e baletit të Kosovës u bëra në vitin 2001. Pjesëmarrjen time në trupën e baletit e konsinderoj me fat që jam pjesë e saj pasi që kjo trupë është formuar pas luftës dhe me të gjitha vështirësitë e saj ka arritur të ketë një trupë profesioniste dhe të suksesshme, gjithmonë duke ju falenderuar profesorit tonë të ndjerë Ahmet Brahimaj, i cili bëri gjithçka që kjo trupë të ketë suksesin që e kemi.

Mund të na tregoni më tepër për shfaqen “Pushimi i Kalorsëve”? Cila është historia dhe roli juaj në këtë shfaqe?

Luljeta Ademi: Shfaqja “Pushimi i Kalorësve” është një shfaqje e baletit klasik që është punuar në mars të vitit 2020. Po pë fat të keq për shkak të situatës së Kovidit-19 nuk ka patur mundësi të reprizohet më shumë se dy herë. Po shpresojmë që do të kthehet së shpejti në repertorin e baletit të Kosovës. Roli im në këtë shfaqje ka qenë një vajzë e cila lufton me shoqen e saj pë të fituar dashurinë e të njëjtit burrë dhe kur e humbi ajo fillon e filtron me gjeneralin dhe kalorësit e tjerë.

Si e përshkruani jetën e një balerine në Kosovë?

Luljeta Ademi: Në kohën kur kam filluar baletin ka qenë vështirë sepse ishte periudha pas luftës dhe me iniciativë të profesorit tonë të ndjerë i cili dha gjithçka nga vetja e vet vetëm që baleti të ngritet dhe të avancohet nga dita në ditë. Mendoj që është privilegj të jesh balerinë në Kosovë ku ne jemi të vetmit balerinë që ka Kosova. Mirëpo kushtet nuk janë të mira dhe ne vazhdojmë ende të punojmë në këto kushte me shpresë që një ditë do të rregullohen dhe shteti do të punojë në këtë drejtim.

Çfarë është baleti për ju?

Luljeta Ademi: Baleti për mua është vetë jeta ime, sepse 70% të jetës ja kushtoj baletit ushtrimeve, provave, angazhimeve që i kam me fëmijet e vegjël. Nuk do e shihja veten në ndonjë profesion tjetër perveç baletit.

Ku jeni përgatitur si balerin?

Luljeta Ademi: Si balerinë kam përfunduar shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, dega balet dhe përgaditjet e mija kanë qenë gjithmonë në teatrin kombëtar me profesorin Ahmet si dhe bashkpunimi me koreograf të ndryshëm.

Si e përshkruani stilin tuaj dhe çfarë lloj vallëzimi ju pëlqen?

Luljeta Ademi: Mendoj që në baletin klasik e gjej veten më shumë. Por edhe në baletin modern neoklasik. Por më shumë më pëlqen baleti klasik sepse është i veçantë, ka rregullat e veta dhe e bën një balerinë të duket mirë në skenë në mënyrën më perfekte të mundshme.

Për cilin mentor ose profesor të baletit ruani kujtimet më të mira?

Luljeta Ademi: Profesori Ahmet ka qenë njeriu që vazhdimisht edhe pas përfundimit të shkollës dhe deri në momentet e fundit ai gjithmonë më ka motivuar. Ka qenë udhërrëfyes, profesor; ka qenë si prind për mua. Dhe sa të jetoj nuk do e harroj. Do të mundohem gjithmonë të jap më të mirën e mundshme nga vetja ime ashtu si edhe na ka mësuar profesor Ahmeti që mos të dorëzohemi asniëherë edhe përkundër sfidave që jeta na sjell. Jam me fat që në jetën time kam njohur një njeri me vlera njerëzore dhe me të gjitha virtyet që i ka poseduar profesori Ahmet. Gjithmonë falenderuese për të gjitha që ka bërë për mua dhe baletin e Kosovës.

A keni luajtur rolin kryesor në ndonjë shfaqe?  

Luljeta Ademi: Shfaqjet që kam pasur rolin kryesor janë: Bukuroshja e fjetur, Carmen, La file mal gardée, Stravinsky & Ravel. Ndërsa role solistike në shume shfaqje si Zhizel, Othelo, Dasma, Shehrazade, La Sylphide, Sisters, Don Kishoti e shumë shfaqje te tjera.

Cilat momente do veçonit në performanca jashtë vendit? Si ju kanë pritur?

Luljeta Ademi: Gjithmonë secili prezantim para publikut jashtë vendit ka pas rëndësi për mua. Mirëpo do të veçoja premierën Shehrazade, të cilën e kemi pregaditur një muaj në Prishtinë dhe premiera ka qenë në Napoli të Italisë. Ka qenë një emocion i veçantë dhe me shfaqjen Zhizel në Sveti Vllas të Bullgarisë ku ka qenë për herë të parë prezentimi jonë me shfaqje klasike. Dhe gjithmonë publiku i ka mirëpritur shfaqjet tona kudo që kemi qenë.

Çfarë konsideroni si arritjet e juaja me të cilat krenoheni në karrierën tuaj?

Luljeta Ademi: Për çdo shfaqje jam krenare me veten time,dhe kontributi im nuk ka qenë vetëm si balerinë por edhe si profesoreshe e baletit për 5 vite dhe kam dhënë kontribut edhe në avancimin e gjeneratave të reja të cilat tashmë janë pjesë e baletit të Kosovës. 

Me cilën shfaqe po angazhoheni tani? 

Luljeta Ademi: Për momentin jemi në përfundim të premierës së re “Entre dos Aguas” dhe “Troy Game” ku jemi në prag të premierës e cila do të jetë me 15 prill dhe gjithçka po shkon mirë. Shpresojmë që do të japim më të mirën nga vetja secili balerin, që shfaqja të dalë në mënyrën më të mirë të mundshme. 

Përveç baletit, çfarë tjetër ju pëlqen?

Luljeta Ademi: Përveç baletit që na merr shumë kohë ne nuk kemi kohë të mjaftueshme për gjëra të tjera. Kohën e lirë mundohem t’ja kushtoj djalit tim Narit dhe ndërkohë mundohem të gjej kohë të lirë dhe të bëj ndonjë udhëtim.

Cilat janë ëndrrat e tua? 

Luljeta Ademi: Ëndrra ime ështe që të krijohet Shkolla Kombëtare e Baletit në Kosovë sepse ne nuk e kemi. Fatkeqësisht shteti nuk është duke punuar aspak në këtë drejtim. Duhet të kemi dhe shtëpinë tonë Teatrin e Operas dhe Baletit, si dhe balerinë të performojnë në një teater më të mirë dhe me hapësirë dhe kushte të cilat i meritojmë ne si trupë. Kjo ëndërr ka qenë edhe e profesorit tonë të ndjerë, Prof. Ahemti, i cili shkoi nga kjo botë duke mos iu realizuar kjo dëshirë. Shpresojmë që të kemi përkrahjen e duhur që një ditë të realizohen për të mirë të kulturës dhe artit në Kosovë. 

Filed Under: Featured Tagged With: E.B, Kosova pa Balet Kombetar, Luljeta Ademi

VATRA MORI PJESË NË PËRKUJTIMIN E 110 VJETORIT TË KRYENGRITJES SË MALËSISË SË MADHE

April 13, 2021 by dgreca

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra mori pjesë në përkujtimin dhe festimet në nder të 110 vjetorit të kryengritjes së Malësisë së Madhe. Me 6 Prill 1911 malësorët e Malësisë së Mbishkodrës me në krye plakun trim dhe atdhetar Dedë Gjon Lulin, vendosën Flamurin Shqiptar kuq e zi në Bratilë në afërsi të majës së Deçiqit. Kjo ngjarje frymëzoi jo vetëm malësorët por të gjithë shqiptarët, pasi ngritja e flamurit inspiroi popullin shqiptar në realizimin e ëndrrës shekullore të kërkuar me ngulm, atë të lirisë. Prijësit e 7 bajraqeve të Malësisë, Hot, Grudë, Kastrat, Kelmend, Shkrel, Triesh, Kojë por edhe fiset e tjera jashtë Malësisë së Madhe me ngritjen e flamurit treguan se kishin qëllime të qarta për një Shqipëri të lirë dhe autonome. Kryengritja e Malësisë së Madhe më 1911 u mbështet gjërësisht nga Malësorët e Malësisë së Mbishkodrës por nuk munguan përforcimet edhe nga shqiptarë nga Vilajete të tjera. Kryengritja e Malësisë së Madhe kulmin e saj e arriti më 23 qershor me Memorandumin e Greçës, shpalli kërkesën e autonomisë së Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Në organizimin e shkëlqyer nga shoqata Malësia e Madhe në New York me kryetar Nikoll Junçaj, morën pjesë patriotë shqiptarë nga Malësia e vise të tjera shqiptare dhe nga diaspora e Amerikës e më gjërë si dhe Këshilltari i Bashkisë së New Yorkut Mark Gjonaj, Famullitari i Zojës së Shkodrës Dom Pjetër Popaj, Ambasadori i Kosovës në Uashington Valdet Sadiku e shumë personalitete të tjera shqiptare që e bënë këtë mbrëmje të paharruar. Dr. Pashko Camaj si i deleguari i Vatrës përshëndeti të pranishmit dhe organizatorët duke sjellur edhe një herë në kujtesë rëndësinë e jashtëzakonshme që ka në historinë e Shqipërisë kryengritja e Malësisë së Madhe. Kryengritja e vitit 1911 shënoi një hap shumë të rëndësishëm në organizimin e lëvizjes kombëtare. Dr. Pashko Camaj si nënkryetar i Vatrës apeloi për më shumë bashkëpunim ndërmjet shoqatave shqiptare në Amerikë dhe bashkim forcash e energjisë për të punuar e qenë bashkë kurdoherë në dobi të çështjes kombëtare. Mesazhi i trimave të kryegritjes së Malësisë është i fortë dhe aktual edhe sot. Bashkimi bën fuqinë, atdheu dhe liria mbi gjithçka janë edhe sot frymëzuese për të gjithë ne tha Nënkryetari i Vatrës Dr. Pashko Camaj. Kryengritja antiosmane e Malësisë së Madhe e vitit 1911, është pararendëse e Pavarësisë së Shqipërisë të cilën plaku i urtë i Vlorës Ismail Qemali e shpalli me 28 nëntor 1912. 

Filed Under: Politike Tagged With: 110 Vjetori, Dr.Pashko Camaj, Kryengritja e 1911

VATRA URON BESIMTARËT MYSLIMANË PËR MUAJIN E RAMAZANIT

April 13, 2021 by dgreca

Të dashur bashkombas të besimit Islam Më lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, të familjes sime dhe në emrin tim personal t’ju uroj përzemërsisht: Gëzuar Muajin e bekuar të Ramazanit. Zoti i gjithësisë i pranoftë sakrificat tuaja bujare. Zoti i gjithëmëshirshëm pranoftë agjërimin tuaj dhe veprat tuaja të mira. Ky muaj i shenjtë le të na shërbejë të gjithëve për më shumë reflektim, lutje, përshpirtshmëri, bujari, vepra të denja si besimtarë të devotshëm, sakrifica dhe kujtesë e kujdes ndaj të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve e të gjithë atyre që ndiejnë dhe kanë nevojën tonë. Duke dashur e respektuar njëri-tjetrin kemi dashur të madhin Zot. Ky muaj i begatë sjelltë për të gjithë ne më shumë optimizëm, shpresë, prosperitet, paqe dhe dashuri për çdo shqiptar anëkënd botës. Ky muaj i shenjtë le ta afrojë sa më shumë me Zotin dhe njëri-tjetrin. I bekuar qoftë gjithmonë ai që sakrifikon në emër të Zotit. Begati, bekime dhe lumturi në jetën tuaj. 

Me respekt e gëzim 

Kryetari i VATRËS

 Elmi BERISHA

Filed Under: Opinion Tagged With: Uron Muajin e Ramazanit, Vatra

TË VOTOJMË PA TIFOZËRI T Ë SËMURË!

April 12, 2021 by dgreca

Nga Thanas L GJIKA/ Midis ne shqiptarëve bie në sy një tipar jo i mirë, madje i keq: na pëlqen vetja. Mendojmë se unë jam më i miri, unë i kam mendimet dhe shijet më të mira se të tjerët. Nuk pranojmë mendimet dhe opinionet e tjetrit si më të mira se tonat. Kjo mendësi ndikon që ne shpesh herë të shfaqemi në jetë si tifozë të tepruar. Mbrojmë me kokëfortësi një person, një ide ose një parti dhe nuk pranojmë të diskutojmë konkretisht për të mirat e të metat që ka personi, ose mendimi ynë, ose partia politike që ne simpatizojmë e mbrojmë me zjarr.

Me fjalë të tjera, një tifoz i sëmurë mund të quhet njeri me tru të shpëlarë, që nuk ha logjikë, po shprehet e vepron vetëm sipas disa idesh fikse që i janë ngulur në kokë prej kohësh dhe nuk pranon të ndërrojë mendimin e vet, nuk pranon të përqafojë të vërtetën, nuk pranon të evoluojë në përputhje me rrethanat shoqërore.

Tifozi i sëmurë është i keqi i vetes dhe i familjes, sepse ai zihet me të gjithë ata që mendojnë ndryshe. Ai do që t’u imponojë mendimin e vet të tjerëve. Këtë ves të keq e kultivuan në maksimun partitë komunistë midis anëtarëve dhe simpatizantëve të tyre për të sunduat popullin sipas programeve të tyre.

Kur tifozëria prokomuniste mori përmasa globale u bë rrezik për mbarë njerëzimin, si u bë komunizmi në vitet 1921-1989, kur shkaktoi njëqind milion viktima që përkujtohen sot prej botës EuroAtlantike më 23 gusht të cdo viti.

Kurse kur tifozëria bëhet pjesë e mendësisë së pjesës më të madhe të shoqërisë brenda një vendi, ajo kthehet në një dukuri me pasoja shkatërrimtare për shoqërinë e atij vendi, si po ndodh në Shqipërinë e viteve 1991-2021. Shqiptarët në këto vite edhe pse jetojnë në ecurinë drejt demokracisë, ata kanë vijuar të votojnë të udhëhequr sipas tifozërisë së tyre të sëmurë ndaj këtij, ose atij drejtuesi partie, ose kandidatit të kësaj, ose të asaj partie. Votuesit shqiptarë nuk kanë menduar se personi për të cilin votojnë është njeri i korruptuar, njeri që është marrë e merret me drogë, të cilin e kanë votuar dhe më parë, por ky pasi ka ardhur në pushtet nuk e ka carë më kokën për premtimet që ka dhënë gjatë fushatës, por ka parë thjesht interesin e xhepit të tij dhe në parlament ose në postin që i është dhënë ka vepruar si robot i partisë që e ka emëruar.

Partia Socialiste, pasuesja e PKSh/PPSh-së, gjatë tranzicionit forcoi propgandën e fshehtë për të mbajtur grusht bashkuar pjesën besnike fanatike të ish-komunistëve dhe sigurimsave, me të cilët rimori pushtetin dhe po e mban me presione nga më të ndryshmit. Njerëzit që i kishin shërbyer sistemit të vjetër, duke mos pasur kurajo që të pranonin gabimet e krimet që kishin bërë në kohën kur ishin shërbëtorë të regjimit komunist, filluan të luftonin për ta paraqitur sistemin socialist si sistem më të mirë se sistemi i ri i ekonomisë së tregut të lirë. Këta njerëz mbas dështimit të diktaturës, u bënë tifozë edhe më të sëmurë të socializmit. Duke qenë shumicë në gjirin e klasës politike të sotme, ata e dëmtuan ecurinë e demokracisë së brishtë, mbushën partitë e reja opozitare me ish-komunistë e ish-sigurimsa dhe vijojnë t’i shërbejnë enverizmit, mbajnë gjallë nostalgjinë komuniste duke i mbajtur masat popullore të trembura e trushpëlara. Këto masa nuk e njohin ende forcën e votës së lirë.

Disa kuadro socialistë dalin në shtyp e në televizion dhe guxojnë të thonë pas tridhjet vjetëtësh nga dështimi me turp i sistemit komunist se në atë kohë ishim më të nderuar se sot, se ai regjim kishte më shumë të mira se të këqia.

Brenda në Shqipëri median kryesore e manipulon krahu i majtë socialist, kështu që atje ka shumë pak njerëz që punojnë për të kthjelluar popullin nga tifozëria e sëmurë prosocialiste. Ka rrezik që edhe më 25 prill 2021 votuesit shqiptarë t’ua japin votën po shërbëtorëve të enverizmit, prej të cilëve kanë vuajtur 75 vjet, të cilët quhen socialistë pa qenë eurosocialistë, ose demokratë e republikanë, pa qenë demokratë e republikanë të vertetë.

Zgjedhjet e popullit shqiptar në Kosovën kreshnike na treguan se shpëtimi vjen nga zgjedhja e njerëzve të përndjekur si Albin Kurti, Vjosa Osmani, vajza e heroit Isuf Gërvalla, etj. Pra na treguan se pjesa më e mirë e popullit përbëhet nga bijtë e familjeve të përndjekura dhe jo nga familjet e ish-komunistëve dhe sigurimsave, të cilët i tërheq për hunde klani i fshehtë Hoxha-Alia me në krye Edi Ramën, Gramos Rucin, Spartk Brahon, etj.

Populli ynë duhet të clirohet nga tifozëria e sëmurë dhe në zgjedhjet e 25 prillit të votojë kandidatët që janë bij të familjeve të përndjekura. Nga ana tjetër të përndjekurit pas këtyre zgjedhjeve duhet të jenë më aktivë dhe të bashkohen kudo ku jetojnë brenda e jashtë Shqipërisë për të forcuar partinë e tyre ashtu si punoi dhe Z. Albin Kurti për forcimin e partisë së tij Vetvendosja. Nëse kandidojnë në partinë e të përndjekurve intelektualë të shquar si Visar Zhiti, Jozef Radi, Spartak Ngjela, Romeo Gurakuqi, Robert Martiko, etj mendoj se populli shqiptar do t’i votonte me qejf sepse këta me jetën dhe veprat e tyre gjatë diktaturës dhe pas saj kanë treguar se mund të kryejnë me moral të lartë larg korrupsionit cdo detyrë që mund t’u ngarkohet qoftë si Kryeministër (J. Radi), President (V. Zhiti), Kryetar i Gjykatës Kushtetuese (S. Ngjela), Ministër Kulture (R. Martiko), Ministë Arsimi (R. Gurakuqi), etj.

ReplyForward

Filed Under: Opinion Tagged With: TË VOTOJMË, Thanas L. Gjika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 23
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT