• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2021

DR.IBRAHIM RUGOVA, TAKIM ME PAPA GJON PALI II PARA 28 VITEVE

April 26, 2021 by dgreca

PRESIDENTI I KOSOVËS IBRAHIM RUGOVA NË SHQIPËRI TAKIM ME PAPA GJON PALI II PARA 28 VITEVE/

-Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova para 28 viteve në Shqipëri  në 25 Prill 1993 takoi Papa Gjon Palin II dhe i dhuroi një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin/

-“Vizita e Papa Gjon Palit të Dytë në Shqipëri është një ngjarje e madhe për të gjithë shqiptarët, për Shqipërinë, për Kosovën, për paqen në rajon” , theksonte Presideni  Rugova në konferencën për shtyp në 23 Prill 1993 para nisjes drejt Tiranës/

-Gazeta e rezistences “Bujku”: Kjo vizitë ka rëndësi të madhe të përkrahjes dhe afirmimit të Shqipërisë demokratike dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi, si dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, sepse edhe me këtë mesazh vjen Ati i Shenjtë në tokat shqiptare e në Ballkan/

-Po në vitin 1993, në 11 Mars, në Vatikan Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin e Kosovës Rugova, e më parë, në Shkurt, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova udhëheqte delegacionin e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 23 Prill 2021/ Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova para njëzet e tetë viteve udhëtoi për në Tiranë për t’u takuar me  Papa Gjon Palin II  që do vinte në vizitën e parë historike në Shqipëri në 25 Prill 1993.

 Gjatë vizitës së Atit të Shejtë Papa Gjon Palit II në Shqipëri, Presidenti i Kosovës Rugova e takoi në Tiranë dhe i dhuroi një gur nga muret e qytetit të Ulpianës në shenjë kujtimi për dy martirët e krishterimit, Florin e Laurin.

 “Vizita e Papa Gjon Palit të Dytë në Shqipëri është një ngjarje e madhe për të gjithë shqiptarët, për Shqipërinë, për Kosovën, për paqen në rajon” , theksonte Presideni  Rugova në konferencën për shtyp në 23 Prill 1993 para nisjes drejt Tiranës. “Kosova pret papën” ishte titulli i raportimit nga kjo konferencë shtypi në gazetën kosovare të rezistencës “Bujku”, e cila  në 24 Prill kryetituj në ballinë kishte edhe “Papa Gjon Pali i Dytë nesër viziton Shqipërinë” dhe “Lutje e Papës për shqiptarët”.

Një nga shkrimet në ballinë kishte mbititullin “Interesim i madh në Kosovë për vizitën e Papës në Shqipëri”, titullin “Manifestime të shumta të shprehjes së mirëseardhjes” dhe nëntitullin “Dëshira e madhe e shumë shqiptarëve për të shkuar në Shqipëri për ta pritur e përshëndetur Papën nuk mund të realizohet për shkak të kufirit të mbyllur midis Kosovës e Shqipërisë e të kontrolluar rreptë nga forcat militare serbe”.

Në këtë shkrim përmbledhje raportimesh që bëja edhe për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë theksohej:

“Vizita e Papës në Shqipëri në oponionin shqiptar kudo në Kosovë po pritet me shumë interesim dhe po përjetohet si ngjarje e madhe historike për të gjithë shqiptarët dhe për të gjitha trojet etnike shqiptare, njoftojnë korrespondentët tanë. Njëherit konsiderohet se kjo vizitë ka rëndësi të madhe të përkrahjes dhe afirmimit të Shqipërisë demokratike dhe të çështjes shqiptare në përgjithësi, si dhe për paqen dhe stabilitetin në rajon, sepse edhe me këtë mesazh vjen Ati i Shenjtë në tokat shqiptare e në Ballkan…”

 E në 25 Prill të vitit 1993, atë ditë të lume, raportimin për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë se si pritej e përjetohej në Kosovë vizita e Papa Gjon Palit II në Shqipëri, e ku theksoja se Papa është sot edhe në çdo familje shqiptare në Kosovë,  e nisja herët në mëngjes me telex-in, që ishte mundësia e vetme e lidhjes, dhe me shumë vështirësi, në atë kohë nga Prishtina e Kosova me Tiranën e Shqipërinë.

 Më pas për të përcjellë e parë vizitën shkova në Gjakovë, qytetin pranë kufirit të hekurt që ndante, ku mund të shihej Televizioni Shqiptar përkundër pengesave e zhurmuesve që i kishin vënë në gjithë Kosovën në rrethanat e okupimit të egër nga regjimi i Beogradit.

Për vizitën e parë historike të një Pape në Shqipëri, nga transmetimet e Radio Televizionit Shqiptar në televizorin e një familje gjakovare u bënë edhe foto për gazetën e vetme të përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë “Bujku”,  themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha dhe që si gazetë e rezistencës me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik e pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci dilte nga 18 Janari i vitit 1991, pasi me dhunë ishte ndaluar gazeta tradicionale kosovare Rilindja…

Gazeta “Bujku”, që nga ballina, raportonte gjërësisht për vizitën e Papa Gjon Palit II në Shqipëri, shqiptarëve…

Në ballinë në botimin e 27 Prillit 1993 gazeta kishte mbititullin  “Përfundoi vizita e Papa Gjon Palit të Dytë në Shqipëri”, titullin “Mbështetje e madhe morale e politike për shqiptarët” dhe nëntitujt: “Papa falënderoi shqitarët për pritjen e përzemërt e madhështore. – Vatikani i njeh mirë dhe i kupton problemet e popullit shqiptar si në Shqipëri ashtu edhe në viset tjera autoktone. – Në Sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë, që ishte përplot qytetarë, folën Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha dhe Ati i Shenjtë Papa Gjon Palit i Dytë”.

Pjesë e raportimit në ballinë ishte edhe ky lajm: 

“Dr. Rugova u takua me Papa Gjon Palin II

Tiranë, 26 prill

Mbrëmë në Tiranë kryetari i Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova, i shoqëruar nga kryeministri i Republikës së Kosovës dr. Bujar Bukoshi dhe prof. Anton Çetta, patën një takim përshëndetës me  Papa Gjon Pali II me rastin e vizitës së parë të Shenjtërisë së Tij, Papës në Shqipëri.

Me këtë rast dr. Rugova i dhuroi Papa Gjon Palit II, në shenjë nderimi, një gur nga muret e qytetit antik të Ulpianës, në shenjë kujtimi të Laurit e Florit, dy martirëve të qytetërimit nga shekulli II në këtë qytet të Dardanisë së vjetër. A.S.”

***

 Më parë, në 11 Mars 1993, Shenjtëria e Tij Papa Gjon Pali II priti në audiencë Presidentin e Kosovës Rugova nga i cili mori një Promemorie për çështjen shqiptare. Gjatë qëndrimit në Itali Presidenti Rugova takoi Kryeministrin e atëhershëm Italian Xhuliano d’Amato, nga i cili kërkoi angazhimin e Qeverisë Italiane për vendosjen e forcave paqeruajtëse në Kosovë si hap i parë për shtensionimin e situatës dhe fillimin e zgjidhjes së krizës.

 Para udhëtimit në Itali-Vatikan, po në vitin 1993 – në 16 Shkurt Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova udhëheqte një delegacion nga Kosova, që kishte shkuar në Amerikë me qëllim që të njoftojë udhëheqësit e Kombeve të Bashkuara dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtypjen e të drejtave civile, njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Presidenti Rugova bëri publik planin dhjetëpikësh të veprimit për ta zgjidhur krizën e Kosovës dhe për t’u dhënë fund padrejtësive. Për herë të parë kërkon një protektorat civil ndërkombëtar në Kosovë.

Gjatë qëndrimit në Uashington Presidenti Rugova u prit nga Tomas Najllz, Ndihmëssekretar i Shtetit për Evropë dhe Kanada si dhe në Komitetin e Kongresit Amerikan për Marrëdhënie me Jashtë nga kongresmenët Li Hamilton, Tom Lantos dhe Ben Gilman.


Nga 17 deri më 19 Shkurt 1993 Presidenti Rugova mori pjesë në tubimin kushtuar problemit të ish-Jugosllavisë të organizuar nga “Qendra Karter” në Atlanta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës…

E, në 11 Gusht 1993 Presidenti Rugova i shkruajti letër Ambasadores së SHBA-ve në OKB, Medlin Ollbrajt, të cilën e falënderon për angazhimin për miratimin e Rezolutës për vazhdimin e misioneve vëzhguese në Kosovë si dhe kërkon që si preventivë Kombet e Bashkuara të marrin në protektorat Kosovën për të normalizuar jetën dhe evituar konfliktin…

26 GUSHT 2005, RUGOVA: KATEDRALJA NËNË TEREZA NË PRISHTINË, E PËRKRAHUR NGA PAPA GJON PALI I DYTË

Në 26 Gusht 2005 Presidenti historik Ibrahim Rugova vuri gurthemelin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë  së bashku me atëherë Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalin e Uashingtonit Teodor Mekkerik.

“Papa Gjon Pali i Dytë e ka përkrahur personalisht ndërtimin e kësaj Katedraleje”, theksonte Presidenti Rugova…

5 SHTATOR 2017: SHQIPTARËT VATRANË NGA AMERIKA NË SHUGURIMIN E KATEDRALES-SHENJTËRORES SHËN NËNË TEREZA NË PRISHTINËNë 5 Shtator 2017, shumë solemne dhe madhështore ishte festa, mesha e shugurimit të Katedrales-Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, e me pjesëmarrje edhe vatranësh të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të cilët edhe u vlerësuan e falënderuan për kontributet. Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar…

DCIM\100GOPRO\GOPR5033.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, DR. IBRAHIM RUGOVA, shqiperi, takimi me Papa Gjon Palin e II

DIXHITAL

April 25, 2021 by dgreca

NGA ASTTRIT LULUSHI/

A keni qenë ndonjëherë të lumtur? Lumturia është mendjelehtësi. Është mit i shekullit të kaluar. Është budallallëk, deri çmenduri. A ju kujtohet blloku i rrethuar me roje dhe me udhëheqës të mbyllur brenda?
Si me fotografinë dixhitale, mund ta shikosh, por s’mund ta shtypësh për ta mbajtur në duar, ta prekësh.
Ju mendoni se Picasso ishte i lumtur? Mendoni se Hemingway ishte? Ata ishin të mjerë. Asnjë art me vlerë nuk u krijua kurrë nga lumturia. Ambicia, narsicizmi, inati janë motori që drejton çdo artist të shkëlqyer, çdo njeri të madh. Një gropë është njeriu, që mund të mbushet. Kjo është arsyeja pse është i mjerë.
Do të kurseni shumë telashe nëse bëni foto dixhitale. Por a keni mbajtur ndonjëherë një lule të rreme në duar dhe jeni kënaqur? Ky është dallimi midis fotos dixhitale dhe të printuar. Asgjë artificiale që duket e bukur nuk mund ta mposhtë të bukurën e vërtetë. Njerëzit sot bëjnë më shumë fotografi se kurrë më parë. Por nuk kanë diapozitivë, as printime. Vite nga tani kur të gërmohet nuk do të ketë ndonjë fotografi për të gjetur. Asnjë shënim se kush ishim dhe si jetonim. Atëherë, përse duhet një objekt nëse kurrë nuk do të shihet? Gjithnjë, kur flitet për fotografinë. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Dixhital

MESAZHI I AMBASADORES YURI KIM PAS VOTIMEVE

April 25, 2021 by dgreca

Yuri Kim mesazh autoriteteve: Siguroni integritetin e votës. Kandidatët të mos supozojnë, por të pranojnë gjykimin e votuesve…/

Ndërsa pritet të nisë procesi i numërimit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, ambasadorja Yuri Kim ka një mesazh për autoritetet dhe kandidatët në garë.

“Votuesit në Shqipëri dolën me forcë të plotë për të shprehur vullnetin e tyre. Zgjedhjet dhe autoritetet e zbatimit të ligjit kanë për detyrë të sigurojnë integritetin e votës.

Kandidatët dhe udhëheqësit, gjithashtu, kanë detyrën e tyre: të mos supozojnë rezultate, por të pranojnë gjykimin e votuesve kur përfundon numërimi.” shkruan ambasadorja Kim.

Filed Under: Featured Tagged With: ambasadorja Yuri kim, PAS VOTIMI

Zgjedhjet e 25 Prillit- Pjesëmarrja në votime 48.59%, Celibashi: Rezultati brenda 48 orëve

April 25, 2021 by dgreca

– Exit Poll III i Notos: PS dhe PD-LSI ndahen me 70 mandate, vendimtar mandati i PSD-së së Tom Doshit-

Shqipëria mbylli votimet për zgjedhjen e Kuvendit të ri dhe mazhorancës qeverisëse. Sipas të dhënave të KQZ që pasurohen orë pas ore, deri në orën 20:00 pjesëmarrja në votime ka qenë 48.59%. Në total janë 5199 Qendra Votimi.

Në mbyllje të votimit, Celibashi tha se ky proces zgjedhor u kateraktertizua nga qetësia, suiguria dhe integriteti i tij si proces.

Celibashi: Nuk mund të shpëtonim nga disa episode dhe pretendime. Në përgjithësi procesi i votimit ishte në përputhje me parashikimet e kodit zgjedhor. Ka qenë një tension i madh në KQZ lidhur me ecurinë e procesit të identifikimit elektronik. U realizua në një kohë mjaft të shkurtër, pa një rast të dytë.

Janë më pak se 200 Qendra Votimi që është përdorur pajisja e identifikimit elektronik. Por në vlerësimin tim ky projekt mund të konsiderohet me sukses të plotë dhe meritën e ka nënkomisionerja Pelinku që ka udhëhequr këtë proces dhe e falenderoj.

***. 

Exit Poll III i Notos: PS dhe PD-LSI ndahen me 70 mandate, vendimtar mandati i PSD-së së Tom Doshit

Duket se opozita dhe PS janë shumë afër me vota dhe mandate sipas të dhënave të Exit Poll-it III të Antonio Notos në RTV Ora, kur janë përpunuar 100% e të dhënave. Kampioni për Exit-Poll është 30 mijë vota.

Sipas këtyre të dhënave, PS rezulton me 44.5-48.5%  (46%), ose 68-72 mandate, me një mesatare prej 70 mandatesh.

Ndërkohë, PD-AN merr 42-46% të votave (44%), ose 64-68 mandate, me një mesatare prej 66 mandate.

Nga ana tjetër, LSI merr 4-8% (6%) të votave në rang kombëtar, ose 2-5 mandate, me një mesatare pre 3.5 mandate në gjithë vendin.

PSD e Tom Doshit sipas Exit Pollit të Notos merr 0-2% të votave (1%), ose 1-2 mandate, me një mesatare prej 1.5 mandate.

Po në këtë përqindje është edhe Nisma Thurje, por që sipas Exit Pollit të Notos nuk arrin të marrë një mandat.

Filed Under: Politike Tagged With: Exit Poll

Shqipëria votoi për parlamentin e ri

April 25, 2021 by dgreca

-Zgjedhjet mbyllen me pjesëmarrje të lartë/

Në Shqipëri u mbyll votimi për parlamentin e ri të vendit. Deri në orën 18.00, sipas të dhënave të pjesshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ka qenë në nivelin e 45.41 përqind, ku bie në sy Dibra me pjesëmarrjen më të lartë, prej 51.69, e pasuar nga Tirana me 51.42 përqind. Qarku i Vlorës, ka rregjistruar pjesëmarrjen më të ulët me 33.05 përqind.

Në të 5199 qendrat e votimit procesi ka nisur thuajse normalisht, ndërsa janë vënë re problematika që kryesisht lidhen me identifikimin biometrik, procesin që aplikohet për herë të parë në këto zgjedhje. Përmes aparaturave të posaçme, verifikohet karta e identitetit, ndërkohë që votuesi identifikohet edhe përmes shenjave të gishtërinjve. Një proces i cili shmang votimet e dyfishta apo që i njejti person të mund të votojë më shumë se nje herë me karta të ndryshme identiteti, qoftë dhe të falsifikuara.

Për herë të parë në këto zgjedhje u zbatua dhe një projekt pilot në një nga zonat e kryeqytetit, për votimin dhe numërimin elektronik.

Shqiptarët votojnë me një sistem proporcional me lista pjesërisht të hapura. Zgjedhësit përveç forcës politike, mund të zgjedhin dhe kandidatin e tyre të preferuar.

Sipas parashikimeve ligjore, fillimisht do të numërohen votat për partitë apo koalicionet, dhe më pas fletët do të rinumërohen për të përcaktuar shpërndarjen e votave për kandidatët.

Në këto zgjedhje janë regjistruar garojnë 1841 kandidatë për deputetë, që përfaqësojnë 12 parti, koalicione zgjedhore e kandidatë të pavarur.

Procesi i votimit po ndiqet nga afër, prej 42 vëzhguesve afatgjatë të ODIHR-it, ndërsa 215 të tjerë, pjestarë të Asamblesë parlamentare të OSBE-së dhe asaj të Këshillit të EUropës, dhe stafe të një numri të madh ambasadash janë shpërndarë në të gjithë vendin.

Mesazhet e politikanëve:

I pari, ndër figurat shtetërore e politike, që ka votuar pak pas hapjes së procesit ka qenë Presidenti Ilir Meta.

“Barazinë para ligjit na e garanton vetëm barazia e votes. Çdo qytetar i Shqipërisë, të votojë i lirë e me dinjitet, për alternativën që beson dhe në këto zgjedhje ka mundësi të votojë për kandidatin më të mirë në listën e alternativës që do të zgjedhë. I ftoj të votojnë në alternativën që ato besojnë dhe i ftoj të gjithë që te ajo alternativë që besojnë të zgjedhin kandidatët më të ndershëm, më me integritet dhe më patriotë që do të punojnë për qytetarët e Shqipërisë. Votimi nuk është një e drejtë Kushtetuese, por akt patriotik. E gjithë bota i ka sytë tek Shqipëria vetëm mbarëvajtje e mirë i këtij procesi do të thotë që Evropa do të hapë anëtarësimin. Vota të lira, qytetarët të votojnë atë që kanë në mendje e zemër”, deklaroi zoti Meta.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama e nisi ditën me një mesazh në Facebook.

“Le ta tregojmë sot të gjithë së bashku, se përtej partive e dasive për ne është Shqipëria dhe le t’i shprehim bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit, në këtë ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike, ku çdonjëri duhet ta gëzojë i patrazuar të drejtën e votës së lirë e të fshehtë, e prej ku Shqipëria duhet të dalë kryelartë për ne të gjithë”, shkruajti zoti Rama.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, foli pas votimit, duke u shprehur se “sot është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë, është një ditë historike, është dita kur të gjithë ne kemi fuqinë në dorën tonë, të gjithë shqiptarët kanë fuqinë në dorën e tyre, të gjithë ju keni në dorë fuqinë tuaj, për fëmijët tuaj, për familjet tuaj, për vendin, për kombin. Sot është dita të dilni dhe të votoni masivisht. Të dilni dhe të bëni me votën tuaj, të mundur të ardhmen që dëshironi për familjen, për vendi tuaj dhe për veten tuaj. Sot është dita e Shqipërisë, është dita e demokracisë. Dilni masivisht dhe hidhni votën tuaj. Jam i lumtur që votën time e kam hedhur sot, në praninë e votuesve për herë të parë këtu në lagjen ku kam lindur dhe ku jam rritur dhe i bëj thirrje çdo djali dhe çdo vajze, çdo burri dhe çdo gruaje. Dilni masivisht dhe votoni! Kjo është dita juaj, është dita e demokracisë, është dita e Shqipërisë”

Edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i bëri thirrje qytetarëve “që t’ju drejtohen qendrave të votimit të qetë, të bindur, për atë që duan të realizojnë nëpërmjet votës së tyre. Vota e qytetarëve është një votë e shenjtë, është një votë që për hir të së vërtetës do ti japë mundësinë dhe shansin të rinjve dhe të rejave, të gjithë qytetarëve, që nëpërmjet verdiktit të tyre të çojmë Shqipërinë më shumë se kurrë drejt Evropës”.

Ambasadorja e SHBA , Yuri Kim, e nisi sot nga Shkodra monitorimin e votimeve që po zhvillohen sot, për të vazhduar në disa prej qyteteve të tjera të Shqipërisë. Ambasadorja Kim tha se ishte e kënaqur që po shikonte demokracinë në veprim. “SHBA, – tha ajo, – nuk mbështesin një parti politike apo një kandidat të caktuar, por mbështesin te drejtën e shqiptarëve për të votuar. Shpresoj që çdo qytetar shqiptar do të ketë mundësi të votojë i lire dhe larg çdo ndërhyrje, tha ambasadorja Kim. Kjo është dita juaj”, – tha ambasadorja Kim në përfundim të monitorimit të votimeve në Shkodër.

(Kortezi-Zeri I Amerikes)

Filed Under: Opinion Tagged With: Perfunduan Zgjedhjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 41
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT