• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2021

NAIMIADA

May 27, 2021 by dgreca

Me rastin e 175-vjetorit te lindjes se poetit tonë kombëtar Naim Frashëri/

-Shqiptarë të të tërë botës, a s’mund të jemi cazë më naimjanë!Në kërkim të një NAIMIADE/

Nga Namik Selmani- Anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë Boston/

E di që mbase mund të shihni kalimthi këtë si këshillë, lutje, përgjërim, kërkesë. Një zgjm nostalgjie, një lëçitje për patriotizëm që, për shumë njerëz, edhe nuk përmendet më në fjalorin e përditshmërisë. Ose më saktë, vështirë se testohet në njerëz të ndryshëm, të veçantë.…Të gjitha mund t’i ketë ky shkrim. Mbase asnjë. Po mund të mbetej vetëm te radhitja e disa argumentavë, thënë me gjuhën e metaforës, të digresionit letrar, apo edhe të mbushur me një frymë optimizmi, mbase më shumë se duhet për kohën që jetojmë e që mjaft njerëz shqiptarë, me apo pa statusin e emigrantit modern, nuk do ta pranonin krejtësisht si frymë sociale, kombëtare, pak romantike, pak didaktike, pak realiste.Do të ishte më se i mbrothësishëm një lloj bashkëpunimi me ju, apo me ata që do ta vijnë në këtë tokë apo do ta hapin një ditë në dyert e rëndë të kurbetit me disa motive jetësore për të ekzistuar sot e kah mot kjo NAIMIADË, nëse do ta formoja një fjalë z të re me atë që na dha që na frymoi në breza i madhi dhe i thjeshti Naim Frashëri.Jemi pak të qetë se emrin e tij tashmë e kemi vënë në mure shkollash, në dëftesa nxënësish, në çmimet letrare të përvitshme në zona të caktuara duke u nisur që nga Përmeti, nga Frashëri me emrin e tij, në këngë popullore e të muzikës popullore, të lehtë e modern, në piktura e skulptura, në teqet e xhamitë, në medaljonë ..Në kartmonedhat ku vihet ajka e një kombi. Mos harroni se kartmonedha njëdollarëshe në Amerikë ka fytyrën e Xhorxh Uashingtonit që amerikanët e quajnë “Babai i kombit amerikan” pa harruar që edhe kryeqyteti i këtij shteti-kontinent, është pikërisht ai me emrin e tij Në Muzeume lokalë e kombëtare ia kemi caktuar vetrina të veçanta bashkë me Abdylin e Samiun. . Ia kemi vënë jo rrallë emrin e tij djemve, po jo më pak dhe vajzave në Shqipëri e në Kosovë. Ka shumë Naimë e Naime në trevat tona. E me të ka dhe një ringjallje të veçantë emri i tij. Kemi medituar para shpatës së Skënderbeur ardhur nga Vjena e valseve duke mërmëritur vargjet e poemës “Histori e Skënderbeut” E kemi njësuar në heshtje pak veten me Kamanin e kohëve moderne që nuk i duhet më një shpatë, po një penë, një libër, një punë më të mirë mbrothësie.Mbase historinanëve të letërsisë botërore do iu kujtohet një detaj që dua ta ndaj me një lexues mbarëshqiptar.Biografët e Balzakut romancier e novelist, një filozof në kufirin e fundit të gjenialitetit kujtojnë se në tavolinën e punës së tij, ai kishte vënë një portret të Napoelon Bonopartit me një mbishkrim të tijin. Vetëm të tijin. Askush nuk mund që ta bënte këtë veç Balzakut. Ose më saktë, askush nuk mund ta realizonte atë në jetë.“Atë që arriti Napoeloni ne pushkë e beteja, unë do ta arrij me penë”-pat shkruar Balzaku fjalëoqean.Edhe pse i këndojmë sa e sa këngë malli, ai është më shumë se një bri modern për kohët që jetojmë e që vijnë. Jo nga ato që ftojnë të luftosh qoftë dhe me topat grykëgjatë.Në një botë kaq të madhe e kaq të vogël, këshillat janë pak të tepërta për njerëz që, duke patur lirinë e shprehjes, mendojnë se liria dhe e vërteta është me ta, dhe vetëm me ta.Po nuk bëj mëkat që t’u them se kur është një përvjetor i ndarjes nga jeta i poetit tonë kombëtar Naim Frashëri apo i lindjes së tij pranverore, të jetë porta e një kujtese të re.120 vite pa të. 120 vite me të e kurdoherë me të do të jemi. Me frymën e palcën e shqiptarizmit që ai e kishte ditënetëve.Mund të mburremi se kemi parë dhe kemi bërë sa e sa fotografi e video duke patur pas krahëve Luvrin, Milanon, Spanjën e toreaodorëve, Akropolin e Athinës, Koloseun e Romës, Bostonin e muzeumeve, Manhatanin e Njy jorkut, Niagarën e Kanadasë, zonjat japoneze, Murin e Madh Kinez, e pasataj nxitojmë t’i hedhim në instragam, në facebook. Ose të bëjmë albumin tënd vetjak.Po ama, si shqiptar duhet që njëherë në jetë ta shohim, ta prekim të frymojmë në Frashër mes atyre maleve me pisha, ahe, në Frashër. Ku arrat dhe ftonjtë erëmirë janë më të rrallët në Shqipëri. Bash si detyrimet që kanë besimtarët e feve respektive.Aty do të shohin atë djep të shqiptarizmit të rilindjes e, nëse bëjmë një pyetje retorike. “Si do të ishte bota shqiptare, mësuesit, shkollarët pa të? Si do ishte pa atë shprehje monumentale të kryepoetit “Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë!”E pata atë rast të lumtur në majin e vitit 1996. 150 vjet kur kisha fituar Çmimin e parë kombëtar në poezi me rastin e këtij përvjetori. Dhe ishte në rastësi e mrekullueshme që vajza poeteshë gjimnaziste ishte mbesë në Leusë dhe kjo më dha mundësinë që të isha brenda kristalimit të ujit të ftohtë të Leusësqë sikur ishte ndërtuar mbi një burim uji si përrallë.Atëherë, por dhe sot nuk dua të kujtoj asnëherë vdekjen e poetit, se ai firmosi vetë pavdekësinë.Metaforikisht ai ka një lindje pranverore më 25 maj dhe një ndarje nga jeta në një stinë vjeshtore 20 tetor. E pra, duhet të jesh cazë më shumë naimjanë nëse e nis nga Frashëri. Atje ku ai mori nga pas emrin Naim Bej. Nuk kishte lidhje me jetën e Stambollit të zhurmshëm që do ta mësonte, po edhe do ta ligështonte nga shëndeti, nga malli. E që një ditë atje në një lagje të Stambollit do t’i merrte dhe eshtrat e tij të drobitura, por jo shpirtin që fluturonte e sërish fluturon në qiellin e shqiptarisë,Naim Frashëri ose Naim Beu do rrinte këtu 15 vite. Derri në moshën 15 vjeç djalë ai Në Teqenë e Frashërit do të mësonte gjuhë të tilla si arabisht, turqisht osmanisht dhe persisht. Vetëm dispilna e rreptë mund të ishte një nga çelsat e fitores së kësaj kulture që po merrte atje mes maleve të Dangëllisë, Më tej te Zosimeja buzë Gjolit të Janinës, ai do mësonte greqishten e Lashtë dhe e Re, frëngjishten dhe italishten.2.Më thoni ju që keni qëndruar në vendlindjes tuaj qoftë në një atmosferë urbane, qoftë dhe në majën më të lartë të Shqipërisë, apo në një fshat që nuk njihet shumë në një zone sa mbresa merr njeriu më vete në 15-16 vite jetë! Ditët e fëmijërisë dhe rinisë janë “Akademia” e parë e moshës njerëzore.Të hap portën në pjekurinë e moshës.Ah, biografët e poetit! Të tregojnë për shkollën, po nuk tregon se si bridhte livadheve, si ftohej në kroje, si jetonte me mistikën e Teqes së Frashërllinjve e të atyre që futeshin në të. dhe me çfarë pasioni mësonte shkronjat e para të gjuhës.Edhe kur dëgjonte rrëfimin e shehelerëve, mësuesve të tij të parë atje, në Frashërin mes maleve, ku kryqëzohen rrugë e mbarë Jugut e lartë se maja e Tomorit, të cilit do i kushtonte vargjet e tij si himn i vërtetë, ai e kuptonte se një majë e re po i shfaqej para tij. Mbase aty do të ketë provuar dhe fytyrskuqjen djaloshare. Uji i freskët i gurave do e rriste para kohe. Xha Haliti babai dhe “Mësuesi” i të mëdhenjve” ishte më i lumturi dhe më bekimtari. Djemtë e tij nuk kishin në shtëpi poltronet, pianot, pikturat kopshet me lule ekzotike. muret e zbukuruara të shtëpive të Evropës që shpesh bënin garë salltanetesh. Po kishin kostumet kombëtare, kishin odat ku vinin e shkonin sa e sa burra mëmëdhetarë. Kishin isopolifoninë që do të bë hej shumë kohë më vonë pasuri e UNESCOS.… Kur vihemi në tribuma në auditorë në klasat e shkollave të mesme e spjegojmë madhështinë e Rilindjes evropiane e sidomos atë italiane, themi shprehjen që i vuri vulën kohës “Rilindja kishte nevojë për titanë dhe lindi titanë:Po me plot gojë e themi këtë dhe për rilindasit tanë Frashërllinj. Ata nuk vinin nga sallat e mëdha me shandanë, me kolltukë të rëndë e me perde të gjata, nuk vinin nga kalatë me labirinte shpesh misteriozë, me telajo e afreske. Nuk vinin nga salla me shandanë apo nga dysheme me mermer të zgjedhur. Dhe Naimi ishte aty. Aty ku dhe ne duhet ta ndjejmë frymën e tij dhe të bëheni cazë më shumë naimjanë.Kur ka zbritur tatëpjetën e maleve duke kaluar han më han për të shkuar në Janinë, nuk e dinte se si do shkonte jeta. Edhe kur kalonte në korridorët e “Zosimeas” një lloj Universiteti për kohën, por edhe për sot.Atë status që do ta merrte disa dekada më vonë Normalja e Elbasanit për djemtë e vajzat e kombit.Mori një diplomë nga “Zosimeja”. Kaq, Nuk shkoi më shumë . Po me dhjetra, me qindra shqiptarë që kanë marrë diploma në Shqipëri e në Botë në këto 120 vite nuk maten dot me madheshtinë që ai na la pas. Ashtu si do ishte dhe Migjeni.Në sytë e djaloshit Naim Beu lodronin valët e liqenit, zgjoheshin kujtimet e Ali Pashë Tepelenës dhe përvijohej pak nga pak Skënderbeu. Ishte një testament poetik që vetëm dy vite para vdekjes do ta hidhte në vargje poeme.Ai do të ecte dhe garonte në jetë vetëm me atë Diplomë shkollore me atë formim kulturor, me të cilën do bënte poezitë, poemat, do të bënte përkthehet në gjuhën greke. Do të bëhej i dobishëm në atë karvan patriotësh, për të cilat kishim kaq shumë nevojë atëherë. Jo më pak dhe sot.A nuk duhet të bëhemi cazë më shumë naimjanë kur mendojmë që pjesën më të madhe të nxënësve duan ta kalojmë me kopje?Dhe karvani që do e dërgonte në Stambollin me zhurmë do e kthente shumë herë pas.Një pjesë të madhe ai mori statusin e mërgimtarit.Ai që e ka provuar bukën e mërgimit e di mirë, fort mirë se sa test është ai për veten për jetën e mbijetesën.Ai gjoskkollituri sfiduesi, ëndërrimtari, mëmëdhetari , gjuhëtari, përkthyesi.Për të shëruar sadopak mushkëritë që po i dëmtoheshin, Naimi mund të zgjidhte ca vende të bukura në Zvicër me veti shëruese. Mund të shkonte edhe në Evropë, se duhet thënë se edhe atje ka vende të bukura e të përshtatshme, po ai zgjodhi sërish malet e Frashërit, zgjodhi Beratin dhe Sarandën. Në atë pak kohë ai u takua këtu me Konstandin Kristoforidhin, “Babain e Gjuhës Shqipe” dhe Hasan Tahsinin që më vonë do të bëhej mësuesi i Sami Frashërit dhe rektori i parë i Universitetit të Stambollit . U njoh edhe me Babë Dudë Karbunarën Mësues i Popullit” dhe punuan për ngritjen e shkolave shqipe. Dhe nuk kishte mbushur as 40 vite jetë, edhe se kolla e tuberkulozi po e shqetësonte.Atje po filozofonin atë që e thonë mësuesit më të nderuar të kombit tonë të dashuruar me gjuhën. Mjafton thirrja e tij që të na skuqë fytyrën e të na shtojë obligimin.Vëllëzër shqipëtarë,Të prekim urtësinë!Të zëmë udhë e mbarë!Të ndritim Shqipërinë!A nuk duhet të bëhemik cazë më shumë naimjanë në këtë kohë sherresh, tribunarësh pa vlerë??? Në vitin 1901, shumë kohë para se të bëhej Kongresi i Manastirit, për të vendosur një Alfabet për gjuhën shqipe, kur ende ne si komb as në Shqipëri e as në Kosovë, nuk kishim hapur shkollën tonë të mesme, i mirënjohuri patriot, publicist, filiz i shëndetshëm i shqiptarizmës dhe i Frashërllinjve, Mithat Frashëri, i njohur me pseudonimin Lumo Skendo, shkruante një shkrim homazh për xhaxhain e tij, Naim Frashëri.Edhe pse Shqipëria kishte shumë probleme që lidheshin me lirinë e munguar, me çetat kundër pushtuesit, me mëvehtësinë, Mithat Frashëri merr në analizë një tipar shumë të qënësishëm të Naim Frashërit që edhe sot pas më se 10o vjetësh, nuk po përsëritet masivisht në radhën e intelektualëve shqiptarë, pse jo edhe në radhën e mësuesve që e kanë në “statusin “ e tyre këtë tipar., këtë detyrim. Ky shkrim po të ishte botuar në kohën tonë, do të kishte bërë një të papritur të këndëshme, nga ato që “peshkojnë“ çdo ditë kryeredaktorët e gazetave të shumta metropolitane në Tiranë e Prishtinë dhe ato të televizioneve shqipfolëse.Bëhet fjalë për një “PUSHTIM” të padrejtë që kishte që në atë kohë leksiku i gjuhës shqipe nga fjalët e huaja . “Në të shkruarë, Naimi bën qilizmë gjuhënë tënë dhe shkruan thjesht shqip, pa përzjerë fjalët e huaja”- shkruan ndër të tjera Mithat Frashëri.Shihni se ku e dërgoi fjalën e gjuhëshqipes i palodhuri Naim Frashëri! Edhe pse kollitej fort, në rrugicat e Beratit e në shkallaret e Sarandës, nuk harronte që të shkruante tregime për këndonjësit e Mësonjtoreve të para shqipe. Më thoni atë që është fare e thjeshtë! Kush ia jepte këtë urdhër poetit? Kush e paguante? Askush. Puna e tij mjaft e zakonshme që bënte nuk i mjaftonte besoj as për ditët që jetonte. Por, ah, nuk mund të themi askush. Ishte një zë i fortë që vinte që nga deti i shqiptarizmës.E tani më kujtohen ato fletore që iu zverdheshin fletët që në ditët e para të hapjes që në ballë të tyre kishin atë fjalë-këshillë “ Punë, punë, natë e ditë që të shohim pakz dritë!Puna e shqiptarit përherë ishte si një lloj dhimbje e pashkruar. Analfabetimi në mes të Evropës, më tej komunizimi që nuk e paguante si duhet atë, 30 vitet e fundit që e kanë “vrarë ” në mënyrën e vet, na duket se ringjallim sërish atë këshillë naimjane të Mësuesit të Brezave. Shihni se si e himinzon ose më saktë çamërishten! Kush mund t’i jepte më parë e më vonë atë vlerësim meritor se sa ai shenjtërim i fjalës çamërishte tek i drejtohet dallandyshes së mallit “Eni vjen pej Çamërie, me atë gluhë perëndie?”.Naimi krijoi një Naimiadë dhe nuk duam që ta krahasojmë me meteorin, një epitet shumë i konsumuar. Madje as me shqiponjën. Se ai ishte biri ynë, biri i tokës sonë që e deshi si mund ta donte aid he vetëm ai. Këtë fjalë ua japim atyre që vijnë shpejt e ikin shpejt. Doemos do e donim më jetëgjatë Naimin. Se një “Naim” tjetër si De Rada në Shën Dhimitër Korone vdiq 93 vjeÇ duke u mësuar shqip djemve arbëreshë. Edhe pse jetonte varfërinë më të madhe pa folur për djemtë e vdekur njëri pas tjetrit. Mbase te Naimi ishte një lloj rizgjimi i vetvetes sonë, në një kohë kur e donim kaq shumë. Titanët e Rilindjes e të mbarë Evropës, i dhanë vrull artit të Shkronjës, të Tingullit, të Penelit, të Daltës, e që më vonë do të kalonte edhe oqeanin për të shkuar në SHBA për të përtërirë forcat e idetë e atij shteti shumëkombësh që do të bëhej fuqi e vërtetë.Naim Frashëri i kishte shumë më tepër se kaq, këtë frymë rilindjeje për kombin e tij. Shumë. Kishte shenjtërimin e shpërndarjen e shkronjëshqipes. Kishte punëdashjen dhe tokëdashjen. Kishte sakrificën e një qiriri që ende digjet para syve tanë që, për fat të keq jo gjithmonë ia shohim dritën e shpirtit të tij. A nuk e përdorim masivisht në botë qiririn si dritë shenjtërie? Ndaj dhe Naimi kërkon ta shenjtërojë dobinë e secilit për atë që duhet të bëjë për tokën e të parëve, pavarësisht se ku banon, ku jeton e ku vdes.Përtej Naimiadës, të gdhendur në dhjetra rrugë të Shqipërisë, Iliridës, Kosovës, përtej emrave të shkollave, të rrugëve, të institucioneve me emrin e tij, përtej këngëve, pikturave, monumenteve, poezive, poemave, spektakleve, recitimeve le të kujtojmë pak vargjet ÇajupianëVdiq Naimi! Vdekje e shkretë,pse more të tillë burrë?I ndritë shpirti për jetë!Mos i vdektë nami kurrë!Mendjelarti, zemërtrimi, si do të thoshte Çajupi nuk na la jo thjesht një nam, po një model më vete, nje fenomen të madhërishëm, na la një naimiadë.Përherë do të kemi brenda vetes atë rreznajë të syrit të tij xixëllues dhe aq sqimatar apo edhe atë mjekrrën e bukur me hire duke kujtuar se ai i përkste racës më të bukur të shqiptarizmës.A nuk duhet të bëhemik cazë më shumë naimjanë në këtë kohë sherresh, tribunarësh pa vlerë? Sërish, qoftë edhe duke qenë më shumë pajtimtarë me veten pa droje, pa u lodhur të bëhemi më në fund Plaku i vërtetë i Mollëve për brezat e ardhshëm?

Filed Under: Analiza Tagged With: Naimiada, namik Selmani

Klithmat e një gruaje

May 26, 2021 by dgreca

Nga Silvana BEGA/

….E larguar në orbita pafund larg Atdheut tim fizikisht më bënë të afrohem me revoltë shpirtërisht duke më kthyer aty kur dëgjoj këto copëza poshtërimesh vrastare që i bëhet një femre. I afrohem me përbuzje tymin e zi që ka pllakosur shoqërinë tonë, moralin tonë, ndërgjegjen duke nxirë shpresën sa herë që dëgjohen klithmat e vajzave të dhunuara nga monstrat e gëzuara në epshe shtazarake.Nuk e di pse këto klithma nuk kanë shpuar akoma daullet e shurdhëve? Pse këto klithma nuk kanë shkuar lumenjtë e ti thajnë? Përse këto klithma të dala nga një shpirt që përpëlitet në makabritet nuk veshin dritën e artë të diellit? E hëna ka ulur kokën duke vërejtur e gjakosur në shikim e saj. Nga ato klithma dhe insektet fshihen skutave të thella të nëntokës. Si ka mundësi që ato klithma nuk ndalojnë ekzistencën e tik takut të orës,për pushimin e kohës? Janë klithma shpirti o qënie! Janë rënkime lebetitëse,që ngjethin!Por jo,jo,jo! Shoqëri e baltosur nga gjurmët e turpit të pllakosura me heshtje. Ne shesim morale dhe shfajësojmë agresorin me pranimin si pjesë e qenieve njerëzore.Mos kërkoni fajin larg. Ne si shoqëri po cënojmë vlerat e të qenit femër duke e konsideruar si mjet kënaqësie. Të gjithë ne që bëjmë moralistët kur dëgjojmë lajme të tilla. Po ! Ne! Ne që vlerësojmë këdo në bazë të trupit, makiazhit, fotot, buzëqeshjen duke iu bërë presion social dhe emocional. Ne , moralistët e ndershmërisë shikojmë dhe bëjmë sehir si hidhet vrer mbi femrat e suksesshme, madje edhe kur duam të prekim një mashkull i cënojmë dhe i shajmë motrën, vajzën, gruan, nënën. Sepse një femër ne e diferencojmë që në fëmijëri. i mësojmë të hekuros, të gatuaj, të bëjë punët e shtëpisë, të jetë instrumenti i një mashkulli duke e dobësuar imazhin e saj dhe duke e rritur me idenë që përdhunuesi përligjet dhe e dhunuara gjykohet. Shuplakat e turpit dhembin pak më shumë. Por, ju që lëshoni lot dhimbje dhe të shëmtuara. Jeni ju që i keni mësuar fëmijët tuaj ta trajtojnë femrën me mosrespekt duke trajtuar keq nënën. Jeni ju që e mësoni mos të kundërshtoi se është thjesht femër. E normal që vulën përfundimtare e merr kur ky krim barbar nuk dënohet mjaftueshëm. Prandaj lëngon kjo shoqëri maskiliste… Kontradiktore,e depresionuar në fakt. Sepse në këtë shoqëri janë bashkë dhe nuk bëjnë dot pa njëri tjetrin. Sepse në këtë shoqëri janë domosdoshmërisht nëna dhe motra e dikujt, e dashura dhe gruaja e dikujt tjetër, janë shoqja, kolegia juaj ,mikja juaj.Të marshosh në dyert e qeverisë dhe shesheve nuk mjafton! Duhen hapur bravat e zemrave , të edukojmë moralin,traditën tonë, historinë tonë, dinjitetin tonë. Duhet të marshojmë drejt shpirtrave dhe karaktereve tona duke perfeksionuar moralin.Ne, si shoqëri, duhet ta thyejmë këtë barrierë shëmtie, mendësie prej skllaveje, të zbusim shpirtërat njerëzor, fëmijët tanë, shokët , shoqërinë dhe tërësinë.Sepse jeta ka ngjyra. Mjaftojmë të duam ti njohim. Ngjyra që na jep një shoqëri e shëndetshme. Në një shoqëri të shëndetshme Ajo është njësoi si Ai dhe është njësoj si Ju!

Filed Under: Opinion Tagged With: Klithmat e një gruaje, Silvana Bega

Poezia koloristike e artistit kosovar Hajdar Danjolli shpaloset në Vlorë

May 26, 2021 by dgreca

NGA GEZIM LLOJDIA/

1.Promenade Gallery  me qendër në qytetin e Vlorës me kurator piktorin Artan Shabani  ka nderin të prezantojë nga datat 30 maj deri në 30 qershor 2021 ekspozitën e parë vetjake të artistit shqiptar Hajdar Danjolli. Artisti përmes teknikës në tekstil sjell pjesë nga seritë akuareleve dhe temperave mbi letër, të cilat prezantohen në një shumëllojshmëri skenarësh, nga veprat për muzeume kombëtare deri tek printimet origjinale në basma. Këto vepra konsiderohen të rralla dhe pjesa më e madhe e tyre ekspozohen për herë të parë në një hapësirë ekspozuese.

2.

Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme 

te cilat ende vuejtja as gezimi s’i nxori, 

të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme 

me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori.

O kangët që fleni reliktet e mia 

q’ende s’keni prekun as një zemër te huej, 

vetëm unë me ju po kënaqem si femia 

unë djepi juej; ndoshta vorri juej.

(Kanget e Pakëndueme    Migjeni)

2.

Si kangë të fjetuna në sundukun e artistit zbulojmë si fëmija që takllon në kapakun e drurit i cili nuk hapej prej kohësh shkruan kuratori Artan Shabani  për ekspozitën e artistit kosovar .Fëmijës i lëbyren motivet mbi letër si ajo kangë Migjeniane, që me vargjet e pikturuara kërkon tingujt e honeve dhe të bjeshkëve të Malcis, fëmija shpërball koloritin familjar me kangët, që flenin në reliket e artistit. Këto kangë mbi letra “Palladio” vijnë me lulzue në ekspozitën vetjake ”E kaluara nuk ka kaluar” (The Past has not Passed)  . 

3.

Artisti Danjolli (lindur në Kukës më 1954) është një artist, që i përket të dy periudhave, ajo e artist të angazhuar dhe periudha mbas viteve ’90, ku Danjolli mban një qasje bashkkohore dhe e vendos trajtimin e tekstilit brenda tablosë, ku gjen hapësirën e përshtatëshme për të vendosur ritmin e motiveve, të cilat i vijnë si një mozaik i pasur nga trevat e Shqipërisë.

Në periudhën bashkohore artisti i sendërton motivet brenda kostumeve dhe madje edhe në peizazhin e alpeve të veriut, ku shpesh artisti turmirej në ato kulla alpine. Danjolli i përfundon studimet në vitin 1978, ku dhe diplomohet si piktor i specialitetit të tekstilit në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ai ka qënë i angazhuar në specialitetin tekstil si pedagog në ILA në Tiranë (Atelje e Tekstilit, 1983-1987) dhe deri pak kohë më parë ka qenë mësues i specialitetit të tekstilit në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë, ai ka qenë dhe mbetet i angazhuar në veprimtaritë artistike e kulturore. Të shumta janë ekspozitat dhe po aq të vlerësuara mbeten prezantimet e kolegëve të tij, të cilët janë shprehur mbi kërkimin e stërholluar të veprës së tij.

4.

Prof. Asoc. Dr. Agim BIDO shkruan, Krijimtaria e Danjollit na shfaqet jo vetëm mjaft interesante në thelbin e përpunimit stilistik, por edhe e pasur në linja shprehëse vizatimore, kompozicionale e sidomos koloristike. Danjolli arrin të ndërthurë kompleksitetin etnografik të malësive veriore të trojeve shqiptare, me një performancë vërtet të veçantë dhe cilësore. Veprimtari e rëndësishme e piktorit është edhe realizimi i projekteve piktorale të tekstileve me qëllim plotësim objektesh nëpër muze të ndryshëm historikë dhe etnografikë dhe në këtë kuadër edhe aranzhimi i atyre muzeve.

5.

Kuratori: Artan Shabani: Arti i tekstilit është një nga më të pasurit për sa i përket teknikës dhe larmisë tematike dhe kulturore, historia dhe zhvillimi i këtij zhanri ështe i lidhur ngushtë me kulturat në të gjithë botën për breza të panumërt.Artisti e kërkon këtë ngjizje midis të vjetrës dhe së resë. Në 50 vitet e fundit ai ka punuar kryesisht me tekstile, duke i realizuar të gjitha me dorë. Për Danjollin procesi i bërjes së tekstileve në punën e tij është i rëndësishëm, sepse ai mendon, se punimi i realizuar me dorë duket se nuk ka presionin në kohë. Frymëzimet e tij vijnë kryesisht nga përvojat me etnografinë shqiptare, por edhe nga shumë udhëtime nëpër trevat e vendit dhe veçanërisht ajo e Gjakovës. Puna dhe jeta e tij janë të përziera më së miri me temat e tekstileve, është i shtyrë nga ndjeshmëria, misticizmi, heshtja, eksperimentimi dhe përjetësia. Së pari, krijimi i artit te tektilit për Danjollin është një nevojë e brendshme për të hyrë në një gjendje uniteti, në këtë gjendje ai komunikon me botën përreth tij.Karriera e artistit Danjolli, i cili jeton dhe krijon në Tiranë ka zgjatur për pesëdhjetë vjet, duke demonstruar shkallën në të cilën ai mbetet i rrënjosur fort në botën e arteve të tekstilit. Puna e tij është bërë nga miniatura të shumta përgatitore.

Artisti dhe kolegu i tij, Xhevahir Kolgjini shprehet, Veprat e Danjollit sjellin ma së shumti nji qëndrim në plan etnografik të zonave shqiptare, të përcaktueme qartë si veriore e të profilizueme simbas nji tematike e motivesh që shtjellojnë problematikë të gjanë e të larmishme. Në këtë kandveshtrim, krijimtaria e Danjollit na shfaqet këtu jo veç e përpunueme stilistikisht, por edhe e pasun në linja shprehëse vizatimore, kompozicionale e sidomos koloristike. Danjolli arrin me ndërthurë kompleksitetin etnografik të malsive veriore të trojeve shqiptare me nji performansë vërtet të rrallë.

6.

Poezia koloristike e Danjollit ështe si ato këngët të cilat jehonën e kanë në vendin ku njeriu i ka gdhëndur bashkë me natyrën dhe në ajrin e bjeshkëve shqiptare, Danjolli ështe një arkeolog i motiveve shqiptare dhe veçanërisht i xhubletës dhe veshjeve krahinore, ai e ka vendosur në tatuazhin e kulturës kombëtare emrin e tij, ai e ka realizuar këtë punë me një modesti të cilën e gjen vetëm nga kultura e dijes, vlen të përmendim edhe punën e shkëlqyer të dokumentuar dhe të shkruar nga emra të rëndësishëm të kulturës shqiptare, janë shumë studime për veshjet kombëtare shqiptare në viset etnike, e në veçanti ato në Kosovë, është shkruar dhe punuar shumë, sidomos nga Rrok Zojzi, Mark Krasniqi, Mark Tirta, Andromaqi Gjergji, Afërdita Onuzi, Ikbal Bihiku, Maks Velo, Drita Statovci, Ukë Xhema, Shpresa Siqeca e shumë të tjerë.

7.

Nga literatura për veshjet kombëtare shqiptare të autorëve të përmendur, se në viset etnike shqiptare, deri më tash janë të njohura së paku 140 forma të ndryshme veshjesh popullore, të realizuara në më se 5000 tipe e varianta, të cilat janë të grupëzuara sipas gjinisë në zona të ndryshme etnografike. Danjolli mbetet i lidhur shpirterisht me ciklin e Tekstilit, vëzhgon me interes të veçantë motivet e veshjeve shqiptare dhe i analizon në aspektin struktural, morfologjik, artistik, funksional, tipologjik e historik. Frrok KRISTAJ shprehet, se “Historitë e popujve të tjerë gjenden përgjithësisht të gdhendur në gurë, ndërsa historia jonë është e qëndisur në xhubletë.” Në veprën e Danjollit historia vjen e pikturuar me një frymë krijuese të pa ndërprerë ashtu si në poezinë e Migjenit….Prodhimi shqiptar i pëlhurave, si dhe qilima, dizajni i tekstil dhe lloje të tjera të arteve dekorative, mbeten të lidhura ngushtë me kujtesën dhe me historinë e artit shqiptar. Në një dimension më të përgjithshëm është ndikuar ndër shekuj nga ndryshimet e shijes së qytetërimit artistik shqiptar nga veriu deri ne jugun e vendit dhe për këtë arsye ekspozita e Danjolli kthen në qendër të vëmendjes një trashëgimi të përbashkët, të pabesueshme në cilësi dhe sasi – e cila duhet të vlerësohet, promovohet, mbrohet dhe mbi të gjitha t’u tregohet brezave të ardhshëm.

Punimet e Danjollit mund të gjenden në koleksionet e përhershme të muzeve të galerive kombëtare të Kukësit, Tropojës dhe më pas në shumë koleksione publike dhe private.

Filed Under: ESSE

STILI I GJYSHEVE DHE NËNAVE SHQIPTARE, PROMOVOHET SI MARKË SHQIPTARE NË NEW YORK

May 26, 2021 by dgreca

Regjizorja Arta Kallaba ka ndërmarrë në New York një nismë promovimi dhe shitjesh të veshjeve, stileve e traditës së vjetër shqiptare nga të gjitha viset dhe trevat e kombit tonë. Puna me dorë e bërë nga gjyshet dhe nënat shqiptare e trashëguar ndër vite si stil, mjeshtri, traditë dhe pasuri etnografike do të sillet si tendencë e veshjeve moderne. Promovimi i punës së dorës së bërë nga gjyshet dhe nënat shqiptare apo “Handmade” është një mundësi e shkëlqyer promovimi talentesh në punimet me dorë, si një mundësi punësimi për gratë dhe vajzat në trevat shqiptare, si një mundësi e ruajtjes së trashëgëmisë etnografike shqiptare, veshjeve, stilit, tendencave, traditës dhe mbi të gjitha veshjes origjinale të vjetër shqiptare. Një përqindje e fitimeve do të shkojnë për bamirësi.  

PUNA E DORËS, NJË MJESHTRI SHQIPTARE QË PO KTHEHET NË MARKË

Promovimi i punës së dorës apo “Handmade” është një mundësi e shkëlqyer promovimi talentesh në këtë fushë, si një mundësi punësimi për gratë dhe vajzat në trevat shqiptare, si një mundësi e ruajtjes së trashëgëmisë etnografike shqiptare, veshjeve, stilit, tendencave, traditës dhe mbi të gjitha veshjes origjinale të vjetër shqiptare. Ne si shqiptarë përveç se jemi popull i bukur, veshjen e kemi pasur gjithmonë karakteristike, shumë speciale që ka tërhequr gjithmonë studiuesit dhe stilistët e huaj. Kur kam vendosur të hap këtë biznes kanë qenë disa arsye që kam dashur ta bëj, e para se e dua punën e dorës, dhe gjithmonë e kam patur ëndërr ta modernizoj një ditë këtë gjë dhe të bëhet trend duke ruajtur kështu edhe trashëgëminë etnografike shqiptare. E dyta përmes këtij biznesi shumë gra të talentuara kanë mundësi ta shprehin veten dhe njëkohësisht kanë shumë nevojë për një pagë personale të tyre sepse shumica janë nga vendet rurale shqiptare ku kanë punuar gjithë jetën e tyre pa pagesë për familjarë të tyre ndoshta, dhe tani ndjehen shumë mirë që më në fund talenti i tyre paguhet dhe promovohet. E treta dhe më e rëndësishmja e këtij biznesi është se nga buxheti që fitohet brenda vitit një përqindje jepet donacion për familjet ë varfëra në Shqipëri dhe Kosovë. 

TENDENCAT DHE STILET NË KËTË LINJË MODE

Përmes kësaj linje të modës e cila është punë dore, dua të rikthej stilin e vjetër shqiptar që dikur gjyshet dhe nënat tona e bënin këtë punë dhe i thurnin veshjet për fëmijët e tyre, që për mua ka një vlerë të veçantë edhe sot, por që shumë pak e shoh nëpër botë të bëhet si trend ky produkt dhe kam vendosur të hap këtë biznes, të dizajnoj vetë këto veshje duke e futur modernen bashkë me motivet shqiptare, e që është një kombinim shumë i mirë stilesh dhe ngjyrash.

STRATEGJITË E MARKETINGUT

Për momentin nuk kam ndonjë strategji të veçantë marketingu ndoshta si të gjithë po përdor rrjetet sociale sidomos Instagramin dhe Facebook ku në faqen time në Istagram @arta.kallaba dhe Facebook ARTA KALLABA New York, publikoj veshjet dhe fatmirësisht Instagrami më ka aprovuar që blerësit të bëjnë blerje online përmes instagramit tim, si dhe miqtë e mi dashamirës që herë pas here më bëjnë marketing përmes rrjeteve të tyre sociale. Duke qenë një biznes i ri dhe në proces shtrirje e zgjerimi, më vonë do të rritet edhe fuqia e marketingut duke promovuar punën por mbi të gjitha motivet e veshjeve të vjetra shqiptare, artizanatin tonë të mrekullueshëm dhe punën duar artë të nënave e gjysheve tona, një stil dhe tëndencë e pëlqyer në çdo kohë. Kam një mirënjohje për Liridona Gjokaj, Fitore Sejdiu dhe Avdije Blakaj për ndihmën që më kanë dhënë në këtë rrugëtim.

FEMRAT SHQIPTARE ME DUAR TË ARTA

Në këtë rrjet biznesi bashkëpunëtoret e mia i kam gra e vajza të shkëlqyera që nga New Yorku e deri në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi e krejt trevat shqiptare, të cilat janë mjeshtre të punimeve me dorë. Synimi i kësaj linje veshjes është mbi të gjitha promovimi i tendencave shqiptare të vjetra që kërkohen dhe në kohët moderne. Punonjëset shqiptare që furnizojnë këtë linje shitjesh me produktet e tyre janë gra të talentuara të cilat bëjnë mrekulli me duart e tyre duke mos harruar edhe punëtoret shqiptare që qëndisin nga New Yorku.

TENDENCAT DHE MODELET E VJETRA SHQIPTARE SI MARKË NË NEW YORK

Besoj se kjo do të vijë dalë e ngadalë, sigurisht se na duhet një marketing i fortë për të zgjeruar tregun dhe një marketing i fokusuar te njerëzit e famshëm dhe me ndikim e influencë në botën e spektaklit, medias, televizionit, kinematografisë, muzikës etj. Shumë personazhe publike shqiptare i kanë pranuar me shumë kënaqësi këto veshje dhe pritet kur të jetë sezoni dhe momenti i tyre që të afishojnë dhe të publikojnë diçka që kanë blerë në këtë industri veshjes me motive shqiptare. Ata kanë mbetur të mahnitur nga puna e veçantë e grave e vajzave në hapësirën shqiptare. Ka një tendencë të fortë që ndiqet nga pothuajse të gjithë ndjekësit e modës dhe jo vetëm: çdo veshje pëlqehet vetëm pas që e veshin, preferojnë apo reklamojmë njerëzit e famshëm. Ato kthehen në stil dhe tendencë menjëherë. Duam apo nuk duam njerëzit ndikon jashtëzakonisht shumë dhe vishen në bazë të asaj që i ndjekuri apo i pëlqyeri më i madh i tyre vishet. Stile që domosdoshmërisht përhapen në masë. Vihet re një tendencë tjetër që ka shumë njerëz që nuk duan ta dijnë fare se çfarë kanë veshur të tjerët, të famshëm apo të zakonshëm qofshin, ata thjeshtë e duan të mirën sepse në fund të fundit modë është ajo që na pëlqen.   

NJERËZIT BLEJNË SIPAS STINËS, NGJYRAVE DHE GJËNDJES EMOCIONALE

Si duket deri tani sapo e shoh unë ngjyrat po luajnë një rol shumë të vecantë për të qënë sa më tërheqës një produkt. Natyrisht është shumë e kuptueshme se pse edhe psikologjikisht ngjyrat ndikojnë shumë edhe në disponimin e njeriut. Ngjyrat e ndezuara janë ato që tani kanë qenë të targetuara më tepër. Blerjet dhe stilet shqiptare që po preferohen janë nga më të ndryshmet por momentalisht më shumë blerësit duan fustanët, por edhe këto Jumper/Coat prej leshi po pëlqehen shumë.

NDIKIMI I REGJIZURËS NË PROMOVIMIN E PUNËS SË DORËS

Pa dyshim që ka ndikuar shumë profesioni im i regjizores në fokusimin në këtë industri biznesi, stili dhe shërbimesh. Por edhe para se të merresha me regji, unë kam qenë shumë e dhënë pas veshjeve sidomos kam pas një interesim shumë të madh ndaj punës së dorës dhe kështu e kam mësuar ta bëjë edhe vetë. Në teatër pastaj duke lexuar dramën gjihtmonë duhet ta shohësh fotografinë se si duhet të duken këta personazhe, sigurisht më në detaje merret pastaj kostumografi apo kostumografja por edhe ne si regjisorë kërkojmë pak a shumë atë që e duam për shfaqjen. Arti më ka mbushur më me ide, me shpirt dhe me dritë. Gjithmonë jam në kërkim të kapjes së elementeve dhe tendencave që ka preferencë dhe dëshirë publiku im. 

Filed Under: Featured Tagged With: Arta Kallaba, promovon

Këshillë për Demokratët: Harxhoni energji për unifikimin…

May 25, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Gjatë fushatës së fundit, kur pyesje lart e poshtë për Agron Shehajn, të thoshin, oh ai do fitoj. Me atë e kemi të sigurt iks zonë elektorale etj. Sot që ai kandidon, e quajnë mosmirënjohës. O shokë, boll me përbaltje. Në fund të fundit edhe Agron Shehaj është demokrat, madje fitues i madh. Ka të drejtë të kandidoj? Duhet ta keni si model të së djathtës, veproni e respektojeni po ashtu siç edhe vepruat gjatë fushatës. Madje jo vetëm ky Agroni, por edhe ndonjë deputet tjetër që theu herësin e votave, siç është rasti i Luçiano Boçit në Elbasan, të ofrohet e të kandidoj. Më të votuarit duhet të kandidojnë, kaq dhe thjesht. Të tjerat janë si t’i nxirrni sytë vetes. Luli nuk ka përse ta ketë të vështirë t’i pranoj. Duhet ta kuptoni, ai i pari që ashtu si tek sportistët edhe në politikë ka një cikël që mbaron gjithmonë. Ndaj mos përbaltni Agron Shehajn por të shqetësoheni për përjashtimet brutale, për rregullat e lojës me teza absurde ke bërë ao nuk ke bërë fushatë. Kjo që po ndodh sot tek e djathta, nuk i shërben vetëm asaj, por kultivimit në përgjithësi të demokracisë shqiptare.  E majta u bë një model i Llukashenkos, të paktën të mos bëhet e djathta. Nëse në Minskun e lodhur Llukashenko del me kallashnikov në dorë, Edi Rama ju ka mbytur me propogandën. E kam fjalën për garën plot konkurencë. Nëse aty do zhvillohet një garë plot konkurencë, fiton edhe demokracia shqiptare. Sot të gjithë ata që ishin në listat e Lulit e quajnë mosmirënjohës Agronin. Sepse gjoja Luli e ka vendosur dy herë të kandidoj. Kjo tregon se sa e ashpër është lufta brenda një force. Zakonisht kjo ndodh kur aty fuqizohen klanet dhe vritet statuti. Aq sa të vjen pështirë kur shikon se si një figurë deformon ato pak radhë, madje bën shtojca nenesh si e si t’i bëhet krah kryetarit aktual. Mendoje pastaj se çfarë mund t’i bëj ky person Kushtetutës së vendit. Epoka e Lulit mbaroi. Mirë do bënte të hapte krahun. Nuk e bëri, është një përgjegjësi personale e tij. Pretendimet për vjedhjen e zgjedhjeve, masakrimin e votës etj., janë humbje kohë. E para sepse si KAS apo çfarë institucioni tjetër gjoja gjykatës i zgjedhjeve, janë me anëtarë të dominuar nga shumica. Çfarë prisni që ata të varin veten? Tek ne nuk ka linduar akoma nëpunësi i statutit civil, i kemi me shumicë ata të teserës së partisë. E dyta edhe sikur të vërtetohen vjedhjet, rezultati nuk ndryshon. Shikojeni humbjen në sy dhe pranojeni. Ajo zuri fill që tek ulja e bërja gjoja e reformës zgjedhore me Damian Gjiknurin. Tjetra tek mos menaxhimi i duhur i vendimeve të forta, si djegia e mandateve. Kur them të forta kam parasysh, o shkoi deri në fund e flijohu, o hap krahun. Luli shkiste. Vendim i fortë ishte dhe mosfutja në zgjedhjet lokale 2019. Por me një përfundim pa bythë. Protestave në mbarë vendin Luli u hodhi kova me ujë duke u thënë që shihemi në shtator.  Vetëm Lulzim Basha çon me pushime protestuesit. Dhe mos të harrojmë, i gjithë mandatati i dytë i Edi Ramës, ishte një krizë edhe sociale. Dimri i ashpër i studentëve 2019-2020, fermerëve etj., që kurrë nuk ngjitën me opozitën për shkak të emrave të përfolur në krye të saj. Duket se një vend i tërë është marrë peng pikërisht për shkak të këtyre emrave. Një propogandë e tërë i ka vënë poshtë sot shqiptarët, aq sa studiot e tyre japin debatet në konfliktin e gadishullit palestinez. Çështjen non grata të Sali Berishës…, madje këtu, u duhet thënë të majtëve t’i ruajnë argumentat e shumta që kanë karshi Berishës, edhe kur të dëgjojnë emrin Edi Ramës. Të mos harrojnë, vet Edi Rama për ish kryetarin e Bashkisë së Durrësit kur u shpalla non grata (2019) tha, që, nuk më intereson fare mendimi i DASH-it, ky person është miku im. Të vjen të vjellësh kur shikon e dëgjon analistët e majtë që merren me lëvizjen brenda të djathtës. Ndërkohë një tip Llukashenko pret shirita banesash me fondet e Bashkimit Europian. Mbaroi epoka e Lulit, me sukses vetëm humbje. Një emër i ri, i bën më shumë se mirë së djathtës pastaj vendit. Një studio e tërë mbrëmë shfrynte me pyetje të panevojshme si, a do shpallësh Sorosin non grata? Të djathtëve më parë se Sorosi u duhet një plan program riunifikimi, një plan program për shqiptarët, të tjerat zbythen vetiu. A do i dalësh në krah Sali Berishës? Sali Berisha është sot tabela më haraçin më të lartë për të djathtën. Këtë më mirë se të djathtët e di ai, Edi Rama, ndaj studiot e tij merren me gjoja krimet e Sali Berishës. Kjo është absurde, pasi në Shqipëri, akoma nuk janë shpaguar krimet e komunizmit. Ose ca pyetje idjote si, e vërtetë që gjatë fushatës punove për emrin tënd? Absurditet…, paçim sa më shumë të tillë që punojnë për emrin e tyre në nja garë elektorale. Se do i shikoni rezultatet. E djathta duhet me domosdo të përqëndrohet tek vetja. E gjitha duhet të jetë një fair-play. Agroni rezulton se është i dyti më i votuari. Megjithëse në raport me titullarin që humbet zgjedhjet, i bie të jetë më i miri. Kurse ju e quani mosmirënjohës. Në fakt është më i miri. Dhe si i tillë duhet të jetë krenaria juaj, jo ta përbaltni!

Filed Under: Opinion Tagged With: Harxhoni energji, Ilir Levonja, UNIFIKIM

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • 8
  • …
  • 33
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT