• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2021

KOLONEL GAZMENT HOXHA DO TË VITIZOJË VATRËN MË 25 TETOR 2021

October 23, 2021 by s p

Dielli

Kolonel Gazment Hoxha, Drejtor i Departamentit për Operacione në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë do të kryejë një vizitë zyrtare në selinë qëndrore të Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra në New York me datë 25 Tetor 2021 (e Hënë) ora 3:30 pm. Kolonel Gazment Hoxha dhe delegacioni që e shoqëron do të pritet nga autoritetet më të larta drejtuese të Vatrës, patriotë, veprimtarë, media, personalitete të diasporës dhe aktivistë kombëtarë. Me këtë rast përveç vatranëve ftohen edhe bashkatdhetarët shqiptarë në New York e më gjërë që të bëhen pjesë e këtij takimi vëllazëror.

Filed Under: Kronike Tagged With: Kolonel Gazment Hoxha

“TREGIMET E TRANZICIONIT”

October 23, 2021 by s p

Dielli/

“TREGIMET E TRANZICIONIT” janë botimi më i fundit i autorit Stefan Çapaliku dhe Botimeve “Fishta”.

Ky vëllim me tregime përbëhet nga tre kapituj të mëdhenj: “libri i ëndërrimeve”, “libri i dyshimeve”, “libri i dështimeve” dhe është shkruar në harkun kohor të njëzet e pesë viteve nga Shkodra në Tiranë.

Në “Librin e ëndërrimeve” bëjnë pjesë tregimet: PSE ME NE DHE JO ME ATA?!, TË FLUTUROSH, ÇFARË KËNAQËSIE!, MËKATET E TË KAFSHUARIT, ÇARÇAFË PREJ LINI, NJË ËNDËRR AMERIKANE, EROS DHE THANATOS.

Në “Librin e dyshimeve” kemi tregimet: ZHURMAT E KATIT SIPER, VETVRASJA E MBASDITES, LEOPOLDI, PO SIKUR TË KEM QENË SPIJUN?!

Kurse në “Librin e dështimeve” gjenden RA FJALA TE EUTANAZIA dhe DITËLINDJA E FUNDIT

Në hyrjen e librit autori shprehet se: “Te ky koleksion tregimesh, të shkruara përgjatë një çerek shekulli, banoj unë, miqtë, hera herës armiqtë, të dashurit, dhe gjithë ato që do doja t’i kisha gjatë rrugës.

Në to rri një njeri i brishtë, ëndrrimtar, i dashuruar, aventurier, i heshtur, i dëshpëruar, nervoz, dhe lumturisht i gënjyer.

Është një njeri i dalë nga një sistem i tmerrshëm, që e kish mësuar të fliste ulët, dhe që i kishte dhënë si dhuratë të fundit një koleksion frikërash sot e kësaj dite të paindentifikuara nga ana e tij.     

Është njeriu i gjendur papritmas brenda një lirie të pamatë dhe absurde, ku mund të bëje çdo gjë dhe nuk ia dilje të bëje asgjë.

Është edhe njeriu që njihet me lirinë fluturimthi, në udhëtim.

Është ai që do të europianizohet me çdo kusht. Me një plastikë të brëndshme jashtzakonisht të zhvilluar. Njeriu që po pëlcet t’a eksteriorizojë qënien e vet.

Është aktori me një plan të dytë si tallaz deti, me një monolog të brendshëm shumë dinamik dhe me një aparencë të ngathët dhe dembele.

Është njeriu që përballon dy tranzicione njëherësh, atë biologjik dhe atë politik.

Është njeriu që ka shkëmbyer rrugën më të mirë me rrugën më të shkurtër për të shkuar në Europë.

Është njeriu i prerë në besë, i zhgënjyer, i fyer dhe i rrahur në thelbin e vet ekzistencial.

Është djaloshi i therur në bark, gjatë një zënke idiote në një tavernë në cep të rrugicës, që vrapon, duke mbajtur zorrët në duar.

Është ai që nuk do të vdesë, edhe pse askush nuk e pret te dera e spitalit.

Stefan Çapaliku është autor i:

Letërsi

Asgjë më shumë se kaq s’ka ndodhë, Sh. B. Fishta. Shkoder, 1993. Poezi

Kohë e ndalur, Sh. B. Fishta. Shkodër, 1994. Poezi

Kronikë në lindje, Sh. B. Fishta, Shkodër, 1996. Roman

Fjalë për fjalë-Word for word, Botimet Toena. Tiranë 2000. Poezi dhe prozë

Tregime për Anën. Botimet Onufri, Tiranë 2002. Tregime

Quelqu’un de passage. Albiana-CCU. Marseille, Francë, 2002. Roman

The shoes. One act capriccio. Sh.b. Fishta. Tiranë, 2002. Dramë

Utopos. Pismo nr. 76/77. Belgrade. Serbia 2004. Dramë

Pesë drama dhe një korn anglez, IdeArt, Tiranë, 2004. Drama

Buty. Dialog. 11 Listopad. Poland 2004. Dramë

Allegretto Albania dhe drama të tjera, Fishta, Tiranë, 2006. Drama

Pesë komedi të përgjakshme, Botimet Fishta, Tiranë 2010. Drama

Allegretto Albania. Dramaturgie contemporana din Balcani. Teatrul azi. Buchuresti. Romania 2010. Dramë

Sveti Don obezglavljeni & Prica o gubitnicima ili Ne pljujte po zemlji! Izbor iz savremene albanske poezije i drame. Podgorica 2011. Drama

Tri drama, Mediacenter, Prishtina 2014. Drama

Allegretto Arnavutluk, Mitos Boyut, Istambul, 2016. Dramë

Secili çmendet simbas mënyrës së vet, Botimet Fishta, Tiranë, 2016. Roman, 1

Secili çmendet simbas mënyrës së vet, Botimet Fishta, Tiranë, 2017. Roman, 2

Trilogia Albanica, Editions L’espace d’un instant, Paris 2017. Drama

Secili çmendet simbas mënyrës së vet, Botimet Fishta. Tiranë, 2018. Roman, 3

Chacun s’affole à sa manière, roman. Meet, Paris, France 2018. Roman

Svako poludi na svoj nacin. Clio, Belgrade. Serbia, 2018. Roman

Cекој полудува на свој начин. Ars lamina. Скопје. Македонија, 2018. Roman

Laisse la porte ouverte. Në Zurih/Tiranë. MEET, France, 2018. Monodramë

Ognuno impazisce a modo suo. Lubrina Bramani. Itali, 2019. Roman

Teatri i pakryer 1. Rezna. Tetovë, 2020. Drama

Danimarka, toka jonë. Bardbooks. Prishtinë, 2020. Dramë

Svako poludi na svoj nacin. Nova Knjigs, Podgorica. Mali i Zi, 2020. Roman

Teatri i pakryer 2. Rezna. Tetovë, 2020. Monodrama

Skadarski karnevali. Biblioteka Mess. Sarajevë, 2020. Komedi

Mbyllur për pushime. Botimet Fishta. Tiranë, 2021. Roman.

Ese dhe studime

Fishta satirik, Universiteti i Shkodrës, 1995.

Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letersisë shqipe, Hylli i Dritës, Tiranë 1997.

Letërsia e interpretuar, Albas, Tiranë 1998

Letërsia shqiptare 2. Sh. B. Librit Shkollor, 1998 (bashkautor)

Letërsia bashkëkohore shqiptare. Albas. Tiranë, 2003. (bashkautor)

I vetëm në Europë, Ombra GVG, Tiranë 2005

Estetika moderne, Sh.B Librit Universitar, Tiranë 2006.

Artet. SHB “Erik”, Tiranë, 2009. (bashkautor)

Libri i vogël i dramatikës, Sh. B Librit Universitar, Tiranë, 2011.

On Albanian Contemporary Art, QSA. Tiranë, 2014

Z.M.H dhe teatri ’30. Botimet Fishta, Tiranë 2015

Ars Albanica, Albass, Tiranë 2017

Sita estetike. Akademia e Shkencave. Tiranë, 2019

Një antologji e vogël e vdekjes. Botimet Fishta, Tiranë, 2020

Një antologji e vogël e jetës. Botimet Fishta, Tiranë, 2020

Imago & Verbum. Galleria Zeta, Tiranë, 2020.

Renzo Collura, një artist i humbur në Shqipëri. Botimet Fishta, Tiranë, 2020

Serafin Fanko. Felini i teatrit shqiptar. Botimet Fishta, Tiranë, 2021

Art in post-communist Albania. Lambert Academic Publishing. Berlin, 2021

Filed Under: LETERSI Tagged With: Stefan Capaliku

ROVENA GRISHAJ, NJË EKSPERTE EKONOMIE IU BASHKUA FEDERATËS VATRA

October 23, 2021 by s p

Dielli/


Rovena Grishaj, një eksperte ekonomie iu bashkua Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra. Ajo erdhi me emocion të veçantë për të parë nga afër historinë e Federatës Vatra, gazettes Dielli, për tu njohur nga afër me personalitetet e kombit shqiptar dhe kontributin e tyre historik në Vatër në dobi të komunitetit shqiptar në Amerikë, çështjes kombëtare e shtetit shqiptar. Ekonomiste Rovena Grishaj u shoqërua në Vatër nga vatranja Enxhi Beqiri dhe u prit nga Editori i Diellit Sokol Paja i cili i shpjegoi imtësisht rolin dhe etapat në të cilat ka kaluar gazeta Dielli dhe Federata Vatra që nga krijimi e deri në ditët e sotme. Ekonomiste Rovena Grishaj, ka mbaruar studimet universitare në Universitetin e Tiranës në degën Psikologji, dhe në New York ka studiuar për ekonomi në St. John’s University. Të rinj e të reja intelektualë dhe aktivistë që anëtarësohen dhe angazhohen në Vatër, janë një frymëzim edhe për patriotët e tjerë në Amerikë dhe Kanada për të çuar përpara kauzat e Vatrës që janë kauza të shtetit e kombit shqiptar.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Rovena Grishaj

DR. BESIM MUHADRI SOLLI NË VATËR LIBRIN KUSHTUAR DËSHMORIT TË KOSOVËS VEZIR ADEMAJ

October 23, 2021 by s p

Dielli

Dr. Besim Muhadri i shoqëruar nga Dr.Hasan Ademaj solli në Vatër librin kushtuar dëshmorit të Kosovës Vezir Ademaj. Libri monografik “Vezir Ademaj – Hero i Kosovës” i kushtohet dëshmorit dhe heroit të Kosovës Vezir Ademaj, i cili ra heroikisht në luftë për lirinë e Kosovës, kundër forcave policore dhe ushtarake serbe, përkatësisht të Jugosllavisë së mbetur, që përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi. Vezir Ademaj nga Sheremataj i Gjakovës, që nga viti 1991 ishte detyruar të emigronte në Zvicër dhe atje, përpos punëve që bënte për të ndihmuar familjen në Kosovë, ai kishte arritur rezultate të lakmueshme në fushën e sporteve luftarake, duke arritur madje që të bëhej kampion zviceran dhe evropian në sportin e Kikboksit. Mirëpo, me rënien heroike të Adem Jasharit dhe të shpërthimit të luftës në Kosovë, ai lë kurbetin dhe në fund të Marsit të vitit 1998 kthehet në atdhe, duke iu bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kthimi i tij ishte sa simbolik aq edhe heroik dhe frymëzues për qindra e mijëra të rinjë të tjerë që i bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vezir Ademaj, i cili sapo kishte mbushur 27 pranvera,  bie heroikisht në fushë të betejës kundër forcave serbe e jugosllave më 25 korrik të vitit 1998, në betejen e Kallavajit, në mes Junikut dhe Dobroshit. Për aktin heroik të Vezir Ademajt, por edhe për jetën dhe veprimtarinë e këtij djaloshi sypatrembur që për lirinë e atdheut dha gjithçka pati nga vetja, vetëm e vetëm që brezat që do të vinin të jetonin të lirë. Në këtë libër 416 faqesh, janë përfshirë aspekte të rëndësishme jo vetëm të jetës dhe të veprimtarisë së deshmorit dhe heroit të lirisë së Kosovës, por edhe për aspekte që ndërlidhen me momente dhe akte relevante të historisë së Kososvës, pjesë e së cilës është edhe familja Ademaj nga Sheremetaj i Gjakovës, në të cilën lindi Veziri, por edhe shumë atdhetarë e veprimtarë të tjerë.

Filed Under: Kulture Tagged With: BEsim Muhadri, hasan Ademaj

MALI I TOMORIT, QENDËR E BESIMIT BEKTASHIAN

October 23, 2021 by s p

Nga Bashkim Saliasi

                        Në orët e vona të datës 2.09.2021 një zile telefoni  më tërhoqi vemendjen nga filmi, që po e ndiqja në televizor. Ishte nipi im, Meçani, që më bëri me dije se të nesërmen do të udhëtonte për në vendlindje, – Dobrushë. 

-Nëse ke dëshirë hajde, me mua nesër në Dobrushë. Pa e zgjatur i thashë: – Unë po, do të vij, më trego orën se kur do të nisemi.

-Mos lëviz nga shtëpia, se vij të marrë unë, -më thotë Meçani.

-Ti je me rrufë, ku do të shkosh në Skrapar në këtë gjendje, – ndërhyri ime shoqe. 

-Kur shkon në vendlindje shërohesh dhe rrufa largohet, -i them.

Mora masat e nevojshme dhe me ankth prisja të gdhihej dita e re, për të udhëtuar për në vendlindje. Kishin kaluar disa vjet dhe nuk më ishte krijuar mundësia për të  shkuar në Dobrushë. 

…Në mëngjes më doli gjumi shpejt. 

Ora shënonte katër. Pasi bëra tualetin, përgatita mëngjesin dhe qëndrova në pritje të telefonatës së Meçanit. Në orën pesë pa një çerek i telefonova Meçanit, por ai, si duket, nuk ishte çuar akoma nga gjumi. E mbylla telefonin pa marrë përgjigje.

Kishte kaluar pak kohë dhe Meçani më tha të mos lëvizja nga shtëpia, se do të vinte të më merrte ai me Gisildon me makinë. Nuk vonoi shumë dhe në orën gjashtë u nisëm për rrugë. Pas përshëndetjes Meçani më tregoi se i vëllai, Fatmiri, nuk kishte dëgjuar të vinte. Në bisedë më tregon se më doli nga mendja t’i thosha xhaxhi Izetit, ose ty, të merrje Linën. 

-Mirë do kishe bërë, po të kishe thënë që mbrëmë, se në rast se nuk vinte Izeti merrja Angjelinën. Ajo që u bë nuk zhbëhet më, por do kemi rast tjetër, – më thotë Meçani.

Për një orë kapëm Beratin. Në Berat ndaluam në një dyqan lulesh. Porosita dy buqeta me lule për te varrezat e prindërve të mi. Bëra pagesën dhe e falenderova shitësen për lulet që përzgjodhi. 

Nuk qëndruam gjatë në Berat dhe për njëzet minuta arritëm në Mbrakull. 

-Këtu kthehet rruga për në Tomor, – më thotë Meçani. Gisildoja mori kthesën dhe makina gulçoi në maloren e Prokucës për në drejtim të fshatit Kapinovë, në maloren e fortë në ngjitje…

Ishte një malore jo fort e ëmbël, por makina tip fuoristradë e ngjiti pa vështirësi dhe mori drejtimin në një dishezë, që nga të dyja anët e rrugës syri të rrokte gjithfarë ngjyrash nga ardhja e vjeshtës.

Makina rrëshqiste në rrugën e asfaltuar si një motoskaf në një det të qetë pa dallgë. Panorama gjithfarë ngjyrash me kolorë si ngjyrat e ylberit, të krijonin një peizazh, sikur ishe në botën e përrallave.

Kodrat e Prokucës dhe më pas të fshatit Kapinovë të veshura me bimësi, shkozë, mare, kulpra dhe me një bimësi të përzier me ngjyrat e tyre të vjeshtës së dytë, të kënaqnin shpirtin.

Hija e rëndë e malit të Tomorit binte si një kurorë mbi fshatin Kapinovë, dhe të krijonte imazhin se po udhëtonim drejt qiellit…

NË RRUGËT E FSHATIT KAPINOVË

Makina mori maloren me lehtësi, si lejlekët që kalojnë lartësitë e malit Himalaje dhe shumë shpejt para syve tanë u shfaq fshati Kapinovë i Beratit. Hymë në fshatin Kapinovë. 

Banorët e fshatit ishin çuar herët dhe kishin nxjerrë prodhimet e tyre në pika të ndryshme në kryqëzimet e rrugës. Dikush kishte vjelë domate, një tjetër speca, patëllxhan, rrush, arra etj. Me vete mendoja se rruga sjell zhvillim. Dikur banorëve të fshatit Kapinovë iu duhej të harxhonin gjithë atë kohë për të shkuar në Poliçan ose në Berat të shisnin prodhimet e tyre, kurse tani tregu i shitjes ju ka ardhur afër shtëpisë.

Në fshatin Kapinovë të Beratit gjendet pika turistike, e cila me ndërtimin e rrugës ka mundësi të shfrytëzohet më mirë për turizëm, nga dashamirësit e klimës së freskët dhe gatimet tradicionale të zonës që ka ky fshat. Shumë shpejt lamë Kapinovën dhe dolëm në qafë, ku duket vendi ku ka qenë kalaja e Bargullasit. 

Në të majtë, poshtë në luginë, gjenden tokat që ndajnë fshatin Kapinovë me arat e Bargullasit, që emërtohen Moranjanja.

-Ja dhe tokat e Dake Kondit, – i them Sanijes,.

-Sa i qenkan rritur ullinjtë! Përballë, në fshatin Bargullas, dolën lagjja Koron, në faqen e kodrës përballë fshatit, ku binin në sy shtëpitë e mbajtura mire. Në luginë lagjet Spaho, Kondi, Lulaj dhe poshtë në horizont fshati Nishovë; djathtas fshati Novaj, ku të binte në sy hoteli i ngritur në lagjen Qatollar te Gurët e Qamës, në kufirin që ndan fshatin Novaj nga Nishova…

NË BARGULLAS

Djali i Meçanit, Gisildoja, parkoi makinën dhe na thotë: – Tani ejani të takojmë gjyshen time, Zyrakon, në shtëpinë e saj. Sanija foli në telefon me të ëmën dhe ne morëm rrugën nëpër ara, për te shtëpia e saj.

-Ku rri gjyshja jote? – e pyes Gisildon.

-Në pranverë, verë dhe vjeshtë rri në shtëpinë e saj bashkë me të shoqen e Abedinit Spahos, kurse në dimër ulet në Poliçan te Skënderi.

Zyrakon e gjetëm në mjediset e jashtme të shtëpisë duke na pritur. Sanija, pasi takoi të ëmën, e pyeti nëse më njihte mua.

-Jo, – ishte përgjigjja e saj. Kishte të drejtë, kanë kaluar mbi dyzet vjet që nuk jemi parë. Qëndruam pak kohë te shtëpia e nënë Zyrakos dhe, pasi u përshëndetëm me të, morëm rrugën për në teqenë e Dervish Iljazit. Hodha sytë nga Tomori ku një shtëllungë tymi dilte nga një grumbull shkurresh dhe pyes Sanijen: – Vitaleni është ai? 

Aty shkonim e bënim ekskursionet shkollore?!.

-Po, – më tregon Sanija, – ai është Vitaleni, ku buron uji i ftohtë. 

NË AMBIENTET E TEQESË SË DERVISH  ILJAZIT

Rrugën për në teqenë e Dervish Iljazit e përshkuam shumë shpejt. Në hyrje të teqesë së Dervish Iljazit takuam sekretarin e teqesë,  zotin Zalo Qato. Pas përshëndetjes Zaloja uroj: mirëseardhjen. 

E falenderuam Zalon dhe morëm rrugën për te vendi ku janë vendosur të shenjtit. Duke u ngjitur në shkallët e gurta i them Meçanit, se në krahasim me një vit më pare, qenka bërë goxha punë sivjet. Rruga ka mbaruar  së shtruari e gjitha me asfalt. Shtyllat elektrike nga fshati Novaj deri te teqeja janë vendosur dhe shiko paska filluar dhe shtrirja e telave elektrikë që lart poshtë.

-Po xhajë, jam dakord me ty që është bërë diçka sivjet, por po të shikosh rrugën ka mangësi. Mungon sinjalistika, nuk ka zgjerimin e duhur dhe nuk janë ngritur muret pritëse në të dy anët e rrugës, atje ku është e nevojshme. Rruga nuk ka zgjerimin e duhur për t’u shkëmbyer dy makina, pavarësisht se zgjerimi i saj nuk kishte nevojë për asfalt, por të shtrohej me çakull dhe makinat ndërroheshin lirisht…etj, etj. Këtu në këto sheshe që janë bërë me mur, është e nevojshme që të mbillen pisha dhe bredha, me qëllim që të krijojnë ambiente sa më të bukura për t’u çlodhur. Të ndërtohen parkingjet, qoftë dhe me pagesë dhe të qëndrojë në gatishmëri policia për të vendosur rregull në ditët e festës. Sivjet kishte shumë pelegrinë dhe nuk kishte rregull, përsa i përket qarkullimit të automjeteve.

Teqeja e Kulmakut është vend i shenjtë dhe qendër turistike për pelegrinët, që vjinë jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga diaspora dhe po të ketë ambiente çlodhëse, shfrytëzohet për turizëm në çdo kohë, si në dimër dhe në verë.  

-Turizmi ka filluar, ndërhyri në bisedë Gisildoja. Te baxhoja në Ujanik është ndërtuar hoteli dhe ka shkuar asfalti deri atje. Çdo fundjavë në teqenë e Dervish Iljazit ka vizitorë të shumtë tani që u bë rruga.

Do ishte mirë sikur të bëhej edhe rruga nga Dobrusha, do të sillte shumë lehtësira, në lëvizjen e automjeteve, por edhe në shfrytëzimin e terreneve për turizëm. 

Besoj se nuk i ka ikur koha, në të ardhmen do të lindë nevoja që edhe ajo rrugë të ndërtohet dhe do t’u vijë në ndihmë pelegrinëve, që vizitojnë teqenë e Dervish Iljazit, apo vijnë për të kaluar fundjavën…

Pasi bëmë ritet e zakonshme në vendet e shenjta, morëm rrugën për në kthim, për në fshatin e lindjes në Dobrushë.

RRUGA PËR NË DOBRUSHË

Porsa del në qafë, te gorrica e Xharros, lart burimit ku del uji i ftohtë i  Bollës, të shfaqet para syve një panoramë e mrekullueshme. Është panorama e fshatit Dobrushë. Në të majtë lamë malin e Ramijes, kur dikur në vitet e rinisë vinim dhe mblidhnim çaj dhe banorët e Dobrushës në Qafëtuar, prisnin trarë për ndërtimin e shtëpive me leje nga pyjorja, kurse çobanët veronin tufat e bagëtive deri në vjeshtën e dytë.

Rruga për në fshatin Dobrushë, nuk është e asfaltuar, por e hapur nga banorët vite më pare, kur filluan shfrytëzimin e malit, nga nxirrej dërrasa e gurit, për të siguruar të ardhura për mbijetesë të familjeve fshatare.

Me pak vështirësi kaluam përroin e Bronecit dhe makina mori rrugë si një dragua nëpër këto rrugë dhish, që dikur lëviznin vetëm traktorët në pranverë dhe vjeshtë, që punonin këto parcela, ku kultivohej misër dhe grurë, kurse sot janë kthyer në blloqe të mbjella me arra.     

Meçani më tregoi se janë tokat e Ylli Zaimit dhe këtu kanë mbjellë këto bimë arre. Më pas zbritëm në tokat e emërtuara “luadhe”, ku para viteve ’90 mbi xhadenë e asaj kohe, te burimi ishte baxhoja e shtetit, që përpunonte qumështin e kopeve të Dobrushës. Në bregun e hudhrave u shfaq një panoramë mbresëlënëse gjithfarë ngjyrash, nga më të bukurat si ngjyrat e ylberit. Ja, më tregoi përsëri Meçani bllokun tjetër me kumbulla në pronësi të Yllit, në livadhet e Sherikolit. Poshtë shtriheshin tokat e Dardhës së butë, ku dikur ka banuar fisi i Tahir Bejkos dhe poshtë në Qoroshtinë dalloheshin shtëpitë e rrëzuara të Temellarëve. 

– Ja dhe shtëpitë e Rizallarëve. Shtëpitë e ndërtuara me gurë të skalitur, i rindërtoi Xhevahir Zaimi, që tani banon në Durrës, – më thotë Meçani.

-Shtëpitë t’i gëzojnë djemtë, se Xhevahiri ka ndërruar jetë, – u them. Duke zbritur rrugës, për në drejtim të përroit të Lëngës, në tokat e zanaropit, ishin mbjellë blloqe me qershi nga djemtë e Dylberit, në tokat e xhaxhait të tyre Isufit dhe më poshtë, kumbulla, arra dhe bajame, si dhe një parcelë e Meçanit me  sherebel. Lamë përroin e Lëngës dhe shumë shpejt dolëm në qafën e Shëndëllisë. Aty realizova një numër të bollshëm fotosh të fshatit Përparim, deri sipër në malin e Vërzhezhës dhe pamje nga mali i shenjtë i Tomorit dhe nga fshati Dobrushë. 

FSHATI DOBRUSHË NË RRËZË TË MALIT RAMIJE

Fshati Dobrushë ka pamjen e një kopshti të lulëzuar, i veshur me bimësi të egër të shumëllojshme dhe pemë frutore të kultivuara nga dora e njeriut. Bimët që rriten në gjendje të egër, japin fruta të dobishme për banorët, që dikur i shfrytëzonin për përgatitjen e rakisë së kumbullës, nga kumbulla e egër, oshafeve dhe mollët e egra, që i ruanin si rezerva dimërore në ditët me dëborë dhe ngrica, frutat e thanës, që i përdornin për përgatitjen e rakisë dhe nardenit, vadhëzat që i thanin oshafe ose i konsumonin të freskëta, pasi qulleshin e të tjera. Në panoramën që shfaqet në këto vite të shekullit XXI kanë ndryshuar shumë ekosistemet, të cilat fillojnë nga toka arë dhe me selishta të punuara pranë shtëpive, ku kultivoheshin drithëra buke, në lagjen Salias dhe fshatin Përparim, ku syri të rrok pyje në formim dhe murishte të shtëpive të rrëzuara. Fshati Dobrushë fsheh shumë mistere në nëntokën e saj. Në të gjitha kodrat dhe lëndinat ka varre të hershme, që tregojnë se, para shumë shekujsh, në këtë fshat kanë banuar banorë të tjerë dhe këtë e dëshmojnë varret e kudogjendura. 

Dalim në përfundim se, para se të vendoseshin këto katër fise Salias, Ermëz, Dyrmish dhe Zaim, që kam përshkruar në librin “Dobrusha 1700-2010? fshati ka pasur shtrirje tjetër dhe banorët dikur janë larguar sikundër ndodhi në vitet 2000 me banorët e këtyre fiseve.

NGA MEKAMI NË VARREZAT E FAMILJES SALIAS

…Pasi zhvilluam ritet e zakonshme në mekamin e fshatit, u drejtuam për në lagjen tonë, Saliasi. Ndaluam poshtë shtëpisë së Njaziut të Gjençit dhe pasi u përshëndetëm nga larg, mora dy tufat e luleve në dorë dhe zbrita në drejtim të varrezave të fisit tim, në Bregun e Veshtit. Shtigjet dhe rrugët ishin mbyllur nga drizat dhe ferrat, që nuk të lejonin të shkoje në një drejtim. Pas endjes në disa drejtime në pyllin e Kryzës, mes shkozave e lisave, munda të zbres në vendin e quajtur “Bregu i  Veshtit”.

Në krye të parcelës janë varrezat e kushërinjve tanë, Gjençit e Mahmudes dhe nipit të Gjençit, të atit të Haxhiut, Mustafait, ose gjyshit të fëmijëve të Haxhiut. Mora drejtimin për te parcela e varrezave të familjes sonë. Pylli i lisave kishte mbuluar territorin rreth e qark dhe varrezat dukeshin si në një ishull në detin e pafund i qarkuar nga hijet e lisave, që rrethonin këtë ishull misterioz në mes të pemëve.

Pa u futur te varrezat, hodha sytë nga arat tona, si Veshti, Rrahu, Selishtat, Kryza etj. Kudo shikoje pyje me lisa, shkozë dhe dushqe, ku një vend me dëndësi më të madhe e zinin ferrat dhe kulprat, që kishin bllokuar të gjitha rrugët e komunikimit.

U ngjitëm së bashku me Meçanin, Sanijen dhe Gisildon në drejtim të shtëpive të Njaziut, i cili kishte therur dy shelegë dhe po e ndihmonin për t’i rrjepur dy djemtë e Yrmeliut, Refiti dhe Zeqiri. Njaziun së bashku me dy nipërit e tij, e gjetëm në tarracën e katit të dytë, duke vjelë rrush. Pas përshëndetjes me ta, e pyes Njaziun: 

-Ku është mëni i zi, që ishte afër pusit, në ato vite që rronte babai yt Gjençi?

-Ja, më tregon Njaziu, – unë e preva mënin e vjetër, se u tha dhe doli ky i riu që shikon ti… 

-Po gorrica ku është?

-Edhe gorrica e vjetër u tha dhe e shikon atë të renë, ku ka mbirë dhe është zhvilluar, ajo ka zëvendësuar gorricën e vjetër, ku qëndronte Gjençi në ato vite, që flet ti në librin tënd “Dobrusha 1700-2010…”. 

Aty te gorrica në kohën e Ymer Agait, kanë qenë burgjet me dyzet e pesë dhoma, tregonte Gjençi për atë kohë. Në bisedë, Njaziu më tregon se,  gurët e xhamisë, ne i përdorëm për të ndërtuar zyrat në Breg të Veliut.  

-Shtëpitë i paske në gjendje të mirë, – i them.

-Po shtëpitë i ndërtova në vitet ’90 me kredi. Mora një kredi të butë 150 000 mijë lekë të reja. Pata fat! Mbylla çerekun e kredisë, pra 50 000 mijë të reja dhe pas një viti bëra dhe pjesën tjetër. Doli urdhri që kush kishte marrë kredi të buta deri 150 000 lekë të reja, kreditë falen. Kështu që unë i fitova shtëpitë, të cilat i prisha nga themelet dhe i ngrita dykatëshe, sikur ishin nga e para, duke ruajtur strukturën, siç i kishte ndërtuar Gjençi.

-T’i gëzosh shtëpitë! 

– Kush kujdeset për to dhe pemët që ke mbjellë rreth e qark tyre?-e pyes. 

-Për shtëpitë kujdesen djemtë e Yrmeliut, Refiti dhe Zeqiri, sikundër e shikon. Hardhitë i mbolla para se të largohesha nga Dobrusha dhe shikoje sa i mirë është bërë rrushi.

-Marshalla dhe qënka pjekur shumë mirë. 

-Vij çdo vjeshtë, e vjel e ngarkoj në makinë dhe e marr në Durrës… 

U afrova në lagjen time afër shtëpive të Zylfos dhe të Luanit.

-Ç”të shoh?! Kudo kishte grumbuj ferrash dhe lloje-lloje pemësh të mbira në mënyrë sporadike, si fiq dhe kumbulla të egra. Ambenti i shtëpive ishte kthyer në një pyll me lloj-lloj bimësh, që nuk të lejonin të kaloje nga njëra shtëpi në tjetrën, si ferra, kulpëra e driza. U ula me zor dhe u qasa te shkallët e shtëpive tona, ku u lindëm dhe u rritëm. Me vështirësi realizova disa foto kujtim në hyrje të shtëpisë…

U mundova të kaloj te pusi afër shtëpisë së Hysenit, por diçka e tillë ishte e pamundur. Pusi, ku pinë ujë shumë breza, ishte mbuluar nga shkurre dhe dukej shumë pak…

U hodha në një mur të vjetër, rreth 1.5 m dhe ndrydha këmbën.

– Më pas ajo u ënjt dhe u nxi e tëra, nga gjaku i mpiksur. Ky do të mbetet si kujtim i dhimbshëm nga fshati im i rrënuar dhe i braktisur.

LAMTUMIRË, DOBRUSHË!

U ngjita përsëri te shtëpia e Avniut, qëndruam pak kohë dhe në fund u larguam nga vendlindja, të cilën e vizituam me aq mundësi sa patëm dhe u çmallëm me të.

Objektet, që dikur në Bregun e Veliut, zbukuronin dhe hijeshonin pamjen e fshatit, ishin rrënuar dhe shikoje veçse murishte.

Iu afruam shkollës, që dikur buçiste nga zërat fëmijërorë.

-Çfarë të shikoje? Çdo gjë ishte kthyer në gërmadhë. Të gjitha objektet që u ndërtuan afër shkollës, si qendra shëndetësore, muzeu i fshatit, kopshti i fëmijëve, ishin rrënuar plotësisht.

Hodha sytë poshtë në lagjen Ermëz. Deri diku, edhe pse banorët janë larguar nga fshati, shtëpitë ishin të mirëmbajtura. Më tej blloku i lajthive i mbjellë nga Ylli Dyrmishi dhe blloku i mollëve përtej në shkëmb, ishin tharë plotësisht. Makina rrëshqiste shpejt mbi asfaltin që vazhdonte deri në Rrabëstyrë, ku ndante rruga e dy fshatrave Strorë dhe Selan.

-Nga do të shkojmë?-pyeti Gisildoja?

-Nga rruga e fshatit Selan, – iu përgjigj Meçani. 

-Ç’ka ndodhur me rrugën e Strorës?- pyes Meçanin. 

-Rruga e Strorës është shkatërruar dhe me vështirësi ngjiten e zbresin makinat, prandaj do të kalojmë nga fshati Selan, se rruga është më e mirë. Me sa di unë, kjo rrugë nga vitet 2000, u financua nga një fondacion francez,  dhe u ndërtua nga firma “Seferas”. 

– Si ka mundësi që nuk është mirëmbajtur? – pyes Meçanin. 

-Firma mori lekët dhe bëri aq sa bëri, -tha Meçani. 

-Më pas rruga u shkatërrua se nuk u tregua kujdes të mirëmbahej nga komuna Bogovë, që mbulonte këtë zonë. Kështu rruga që lidh fshatin Strorë me Dobrushën është bërë pothuajse e pakalueshme me makinë.

-Pyes veten! Përse ndodh kështu këtu tek ne…?! Një ngjarje e viteve të para të punës, kur punoja në shkollën e Therepelit dhe kthehesha çdo mbrëmje në shtëpi, më ndërpreu mendimin e rrugës së Strorës dhe kalova në meditim. Për këtë ngjarje shkrova një tregim; me titull “Gjumi në Rrabstyrë”.

-Lamtumirë, Dobrushë! nxora një zë të lehtë… 

-The gjë, o xhajë?-pyeti Gisildoja. Një zë i brendshëm më doli nga shpirti dhe me vete thashë se, nuk dihet se kur do të më jepet rasti ta vizitoj përsëri vendlindjen time… Rrugën për në fshatin Selan e përshkuam shumë shpejt dhe dolëm në Bogovë. Pas një dreke të shijshme, në një nga lokalet e Bogovës, morëm rrugën dhe u nisëm për Tiranë. Në Tiranë arritëm në orën 6 e 20 minuta të mbrëmjes. 

– E more vesh, o xhaje! – tha Gisildoja. 

– Sa kohë na u desh që të shkojmë në malin e Tomorit, të vizitojmë fshatin Dobrushë dhe të kthehemi përsëri pranë shtëpisë në kryeqytetin tone, në Tiranë?! 

-Na u deshën pak orë, se rruga ishte bërë asphalt, pra  shumë e mirë. Para se të zbres nga makina i them Gisildos: Të falenderoj ty dhe babin tënd, nipin tim, për vizitën që bëmë së bashku në fshatin e lindjes, në një kohë kaq të shkurtër. 

Është i saktë mendimi yt, Gisildo, infrastruktura dhe ndërtimi i rrugëve e bëjnë botën më të vogël dhe mjeti që kishe zgjedhur na dha mundësinë që të vizitojmë shumë ambiente në vendlindje.. 

– Do të kemi raste që ta vizitojmë përsëri vendlindjen, ashtu sikundër vepruam sot,- foli qetësisht Gisildo …   

Faleminderit!  

Ambjentet e teqesë Kulmak                                               Lagja Saliasi

Fshati Perparim i braktisur                        Pyje ne formim ne Dobrushe

Fshati Dobrushë                                       Fshati Dobrushe dhe Perparim

Filed Under: Kulture Tagged With: Nga Bashkim Saliasi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT