• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2021

Gjakova dhe zgjedhjet lokale 2021

October 13, 2021 by s p

(Reflektime hapësinore dhe urbane)

Arch. Ylber Vokshi -Ylli

Ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK)

Disa zhvillime hapësinore dhe urbane të cilat nuk janë realizuar sipas normave dhe standardeve të planifikimit hapësinor dhe urban e qe kanë pasur ndikime negative në kualitetin e jetës urbane në qytetin e Gjakovës do ti theksoj me shpresë qe organet përgjegjëse komunale do të reflektonin pozitivisht.          

1. Para pesëmbëdhjetë (15) vite, në vlugun e përgatitjeve për përpilimin e Dokumenteve Hapësinore të Komunës së Gjakovës, iu kisha sugjeruar vendimmarrësve komunal të atëhershëm kthimin e lidhjeve ekonomike me Malësinë e Gjakovës, gjegjësisht me Shqipërinë,si mundësi reale për zhvillimin ma intensiv të territorit të dy shteteve. Asgjë konkrete  në teren nuk ndodhi këto vite, edhe se kushtet dhe rrethanat politike ndërkombëtare tërësisht kishin ndryshuar.

Parapërgatitjet për këto iniciativa filluan që në vitin 2014. Punët intensive për përgatitjen e kornizës strategjike “Zhvillimi social-ekonomik i zonës Gjakovë – Has – Tropojë” vazhduan në Tiranë në Fondin Shqiptar të Zhvillimit në mars 2015, për t’u aprovuar si dokument strategjik në takimet e kaluara të radhës së dy Qeverive, Shqipëri dhe Kosovë. Kjo u zyrtarizua në mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive të Kosovës dhe   Shqipërisë më 3 Qershor në Prishtinë, me nënshkrimin e “Marrëveshjes për Partneritet për bashkëpunimin ndërkufitar”. 

Faza e parë e projektit u përmbyll me sukses falë angazhimit të paparë të strukturave komunale të kaluara  të qytetit të Gjakovës. Fazat tjera operative po ashtu janë të rëndësishme dhe uroi që ky projekt, i një rëndësie të veçantë për të dy shtetet të realizohet, në tërësi me etapa dhe afate kohore realiste.

Vlen për tu theksuar se këto lloje projektesh kane përkrahje financiare nga 

 donatorët vendor,e posaçërisht ata ndërkombëtarë,si është Bashkimi Evropian,Banka Botërore,Banka e Këshillit të Evropës, Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Rural (IFAD) etj.

Sipas informatave qe posedoj asgjë konkrete nuk ka lëvizur pas fazës se pare te këtij projekti. E di se kjo është përgjegjësi e dy qeverive por edhe angazhimin i Komunës se Gjakovës për te avancuar çështjen duhet te jete parësor, e kjo ka munguar ne qeverisjen aktuale te komunës, a thua ku janë arsyet?

2. Nuk ka shpjegim racional si është vepruar ne prerjen e mbi 120 pemëve dekorative ne rrugën “Nëna Tereza”. Kishte paralajmërime se rruga kryesore e qytetit do te zgjerohet duke u zvogëluar trotuaret, që në ditët e sotme është anomali, të zvogëlohen hapësirat për ecje- trotuarët. Nuk u veprua  ashtu pos që ne vend të pemëve ekzistuese u mbollën pemë të reja të cilave ju duhen disa vite për të kryer funksionin e dedikuar. Teknologjia sot lejon mbledhjen e trupave stabile e të gatshëm për të kryer funksionin menjëherë, si kanë vepruar disa qytete – vendbanime ne Kosovë. Mundësia për dëmtimin e atyre filizave është e madhe duke u nisur nga realiteti ynë.

Kush ishin ata që privuan banoret e qytetit nga veprimet e tilla te dëmshme, a mendoni se dikush duhet të jep përgjegjësi për keqpërdorimin e buxhetit komunal dhe anës psikike të banorëve. Gjakovarët janë të njohur për shfrytëzimin e pareve publike çka në këtë rast  nuk ka ndodhur. 

3. U lejua të ndërtohet një objekt banesor shumë katesh në zonën e mbrojtur të një monumenti të kulturës i mbrojtur me dekret të posaçëm të shtetit i cili skajshmërisht dëmton vizurat e monumentit drejt kontakt zonës së Çarshisë së Madhe dhe qendrës së qytetit. Parapërgatitet për këtë i mur  kuvendi komunal me anulimin e një vendimi të administratës së kaluar komunale për eksproprijimin e dy ngastrave kadastrale. Fjala është për shtëpinë e Sylejmon Vokshit ministrit te mbrojtjes ne qeverinë e ”Lidhjes shqiptare të Prizrenit”. Ky veprim është i pa shpjegushëm dhe dëmton vlerat historike të asaj kohe të lavdishme për popullin shqiptar në tërësi. A thua duhet te jep përgjegjësi për këto veprime dikush?

4. Partneriteti urbano rural është njëri nga kushtet kryesore për mirëqenien e jetës edhe ne zonat rurale, kjo është njëra nga direktivat kryesore ne përgatitjen e dokumenteve hapësinore në Evropë. Por a është vepruar kështu në rastin e asfaltimit të rrugëve në zona rurale të komunës? Sigurisht se jo pasi çdo veprim në hapësirë e ka rendin e vet, këtij procesi duhet ti paraprinë fazat paraprake si është përpilimi i projekteve të planeve rregulluese të zonave – vendbanimeve rurale, vendosjes së instalimeve të domosdoshme dhe të gjithë elementeve përcjellëse të rrugëve, e pastaj të përpilohen projektet detale ekzekutuese për rrugët që janë asfaltuar, e pas kryerjes së punimeve dhe pranimit teknik edhe funksionalizimi i tyre. A është punuar kështu apo është vendosur asfalti vetëm për të plotësuar kërkesat e disa grupacioneve politike? 

Frikohem se nuk është vepruar kështu e pasojat do të jenë të shumëfishta për buxhetin komunal dhe banoret e këtyre fshatrave, posaçërisht që kemi të bëjmë me zona malore ku bije bore deri ne 3,5 metra dhe ka ngrica te mëdha që shkaktojnë  dëmtimin e asfaltit.  Është i njohur  rasti i “ Sahit asfaltit” në Pejë.

5. Çarshia e madhe e Gjakovës dhe rruga e saj kryesore si duket çdo here para zgjedhjeve komunale do te jetë objekt i kusuritjeve partiake. Këto ditë prapë u aktualizua mbulesa e rrugës kryesore te çarshisë pasi pllakat dekorative te mermerit janë dëmtuar nga komunikacioni. Askush nuk ka të drejtë të bënë ndryshime sipërfaqësore me propozime të tilla jo serioze të cilat janë kundër rregullave të aprovuara në Kuvendin Komunal ne vitet e 70-ta, atëherë kur ka filluar restaurimi i çarshisë.

Boll ma me shpjegimet e kryetarit aktual për brengosjen e tij për taket e këpucëve apo lëvizjes së karrocave te fëmijëve, a thua me çfarë materiale janë mbuluar rrugët në qendrat e mëdha historike ne botë dhe në vet qytetin e Gjakovës, analizoni! 

Po e theksoj edhe njëherë se çarshia është restauruar duke ju përmbajtur strikt –ligjit dhe rregullores çka nuk është vepruar pas djegies së çarshisë e deri me sot.

6. Për çështjet se si ka funksionuar Departamenti i Urbanizmit në Komunën e Gjakovës këto 4 vite vlerësoj se nuk kamë të drejtë të japë opinionin tim pasi isha i kufizuar me mos prezencën time ne këto hapësira në katër vitet e fundit. Ftoj profesionistët e shumtë gjakovarë ti bëjnë publike vërejtjet e tyre për ndërtime të ndodhura me leje e pa leje.

Se gjithçka nuk ka qene ne rregull tregojnë kallëzimet penale që janë ngritur ndaj disa zyrtarëve përgjegjës në këtë Departament.  

Ishin këto vetëm disa reflektime për situatën hapësinore dhe urbane në qytetin e Gjakovës që direkt do të ndikojnë në kualitetin e jetës urbane me pasoja te rënda për mirëqenien e gjeneratave të ardhshme të kësaj komune, që dikur ishte shembull për të tjerët në fushën e urbanistikës edhe në nivelin regjional.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ylber Vokshi

Demokracia dhe mini diktatori brenda një kështjelle

October 13, 2021 by s p

Nga Agustin Mirakaj*

*Ky shkrim është një qëndrim personal i autorit dhe nuk përfaqëson qendrimin dhe opinionin zyrtar të Federatës Vatra dhe linjën editoriale të gazetës Dielli.

Foltorja është element i demokracisë, i shprehjes dhe demokratizimit të brendshëm në Partinë Demokratike. Gjatë takimeve në Gjirokastër, Elbasan pashë mbështetjen e vërtetë, peshën e vertëtë të Partisë Demokratike. Po ashtu pashë Kukësin, i çuar në këmbë për të mbështetur doktor Sali Berishën. Unë e di që të gjithë ju jeni të shqetësuar (pa të drejtë) për situatën që Partia Demokratike ndodhet. Dua t’iu bëj me dije për të mos u shqetësuar, doktor Berisha do të ketë mbështetjen më të madhe si asnjëherë tjetër nga e djathta amerikane. Demokracia nuk është e përsosur, por për të zgjedhur apo për të larguar dikë nga përfaqësimi, duhet përdorur vota. Votimi është thelbi i demokracisë. Sot Partia Demokratike është kryer në parti të pa vlerë përfaqësimi. Kryetari ka marrë pushtet absolut dhe vepron si mini diktator duke shkarkuar fjalën dhe mendimin ndryshe me direktiva nga të huajt. Partia Demokratike nuk merret peng, ajo ka nevojë për ndihmën e patriotëve për ndihmën e gjithë shqiptarëve. Unë e shoh kritike situatën sepse deputetet e saj janë shpërndarë në turma të frikësuara ku (pilici kryetar) me shkop në dorë godet pa shpirt. U drejtohem të gjithë atyre që e duan Partine Demokratike, pa interesa. Të mbajnë anën e të drejtës. Nëse askush nuk e do kuvendin atëhere tregon qartë egon dhe mos dëshirën për ta bërë Partinë Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur. Të rrish me të humburin i humbur do mbetesh. Vota është ajo që ndriçon rrugën e demokracisë. Sot kërkohet VOTA dhe liria për t’u zgjedhur. Me këtë nisem Sali Berisha dhe të gjithë demokratët e nëpërkëmbur nga Basha, ngrihuni fuqishëm për lirinë e votës, fjalës dhe demokracinë brenda Partisë së lirisë. Fitorja dhe ringritja e Partisë Demokratike reale do të jetë shembja e pushtetit mafjoz në qeveri dhe opozitë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Agustin Mirakaj

NËN SHENJËN E DJALLIT: SOT TRE DATËLINDJE MES TETORIT TË LETRAVE

October 13, 2021 by s p

– Migjeni, Pano Taçi, Dritëro Agolli – 

nga Visar ZHITI

Tetori në traditën tonë të re është tashmë dhe Muaji i Letersisë, sepse lidhet me jetët e vdekjet e disa prej shkrimtarëve të mëdhenj të letrave shqipe. E sjell sërish në vëmendje. 

Në 20 tetor ndërroi jetë poeti kombëtar Naim Frashëri, kurse në 23 tetor lindi poeti tjetër kombëtar Gjergj Fishta 

Në tetor kanë lindur dhe sundimtarët e Shqipërisë, Mbreti Zogu I dhe diktatori Enver Hoxha, i pari në 8, i dyti në 16, të cilët kanë lidhje me letërsinë, jo thjesht si personazhë veprash, por që kanë ndikuar dhe në realitetet letrare, për mirë dhe për keq.  

Pikërisht si sot, në 13 tetor, kanë datëlindjet dhe 3 poetë: Migjeni, Pano Taçi, Dritëro Agolli. Ndërkaq tetori është dhe muaji i “Sindromës Down”, i vendosur nga Shoqata Kombëtare Amerikanë, që mban po këtë emër, për të senbilizuar dhe ndërgjegjësuar shoqëritë, nismat e së cilës njihen si ajo “Buddy Walk®” – “Trupi Ecën” Po kështu është dhe muaji i Kancerit të Gjirit, i përballjes…. 

Trallisëse. Është muaji i dhjetë i vitit dhe emri i ij do të thotë tetë, vjen nga latinishtja (octo), sepse romakët në kalendarin e tyre gregorian e kishin muajin e tetë, është vjeshta e tyre në hemisferën boreale dhe pranverë në hemisferën australe.

Tetori ynë i mbart të gjitha këto, ar vjeshte nëpër poezi dhe gjëndje “down”, por dhe atë cjen e vështirë me një diell të ftohtë, që ngjan dhe me gjirin e murosur i Rozafës.

*  *  * 

Dua t’i kthehem ditës së sotme të tre poetëve. Aq të ndryshëm nga njëri-tjetri, që kujtohen në mënyra të ndryshme, ndoshta harrohen njëlloj, nga njëra palë ose tjetra e adhuruesve. Tre poetë që duhej të na bashkonin tre herë por  nuk ndodh gjithmonë kështu, 

Tre poetë që s’janë më.I përkasin shekullit XX të Shqipërisë, edhe fillimit të shekullit XXI. Dhe patën sundimtarët e tyre.

Migjeni dhe Dritëro Agolli. Që përkujtohen dhe zyrtarisht. Janë në tekstet shkollore dhe mediat flasin për ta. Migjeni jetoi nën mbretërinë shqiptare dhe solli copëza tronditëse të atij realiteti si kritik i tij, Dritëroi në socializmin real dhe i këndoi atij. Migjeni mësues fshati, Dritëroi shkrimtar profesionist, deputet. Migjeni nga diktatura u konsiderua si paraprirës i Realizmit Socialist, Dritëroi poet i shquar i tij, që përjetoi dhe postdiktaturën, ndryshimet demokratike, kur Migjeni sikur u zbeh paksa dhe Dritëroi u lartësua edhe më.Si njërën dhe tjetrën, ka që mendojnë se janë të padrejta të dyja. 

Midis tyre, jo vetëm si vitlindjeje, por dhe si fat, është poeti tjetër, Pano Taçi, që erdhi nga ferri i burgeve dhe që kujtohet gjithnjë e më pak.

Një treshe poetësh jona, tre jetë, tre dukuri shqetësimesh,  emblematike, kisha shkruar, por edhe diabolike, shtoj..

 Migjen nxitoi të vdesë i ri, vepra e tij nuk u ndalua nga censura mbretërore siç ndodhi me mjaft autorë të tjerë në diktaturën që Migjeni nuk e arriti, por u studiua, u vlerësua dhe shkëlqeu mynxyrshëm.

Kurse Dritëro Agolli dhe Pano Taçi janë të njëkohshëm, nën diktaturë të dy, i pari poet zyrtar, i dyti në burg, edhe pse e nisën ngjashëm, të dy kishin qenë partizanë qysh fëmijë për çlirimin e vendit, ku pas asaj lufte u vendos regjimi më e egër në të gjithë perandorinë komuniste. Krijimtaria e të dyve u përzgjat dhe në moshë të thyer, në shekullin e ri, XXI. 

DEMONI I KRIJIMIT

13 Tetori i tre poetëve si nën shenjën zodiake të djallit metaforik. Jo pse në këtë muaj do të renditen dhe datëlindjet e atyre që kanë sunduar më së shumti Shqipërinë. 

Pani Plak, por dhe engjëlli plak e quanim ne Panon tonë. Aq sa me miq, po aq dhe vetmitar, i përvuajtur dhe buzagaz, që, kur ishte në burg në diktaturë, duhej të ishte më i lirë së brendshmi, i një lirie të tmerrshme, të leckosur si rrobat e të burgosurit, ndërsa kur ishte i lirë e në demokraci, mbeti në burgun e varfërisë dhe të mosmirënjohjes, deri dhe të braktisjes. Edhe botimet e tij janë të varfëra, libra të vobektë. Harrohej në gjallje dhe s’e di a nëpërmendet tani, që ka ikur në qiell.

Dritëro Agolli, patriarku i socialistëve, por dhe i realizmit socialist, i asaj metode letrare vrastare, siç e sulmojnë, me botime të shumta e luksoze, poema e prozë, me lavdira e përvjetorë e statuja.

Migjeni mbetet poeti më i ri i shqiptarëve, që modernizoi poezinë shqipe, europian i viteve ’30, klasik ndërkohë, themeltar sidomos në prozën e shkurtër, me shtëpi muze dikur dhe me një teatër në qyetin e tij të lindjes, që mban emrin e tij.

Tre poetë, të pangjashëm dhe me fate të ndryshëm, me rëndësi të ndryshme, madje jo dhe aq të pakrahasueshme, mendoj, bashkëkohës aq sa mund të ishin, se e njëjta koha s’është e njëjtë për asnjërin, që shpalosin tri drejtime vulnerabile të letrave shqipe, ku i pari, sipas kronologjisë kohore, Migjeni, zë vend të qëndrueshëm, edhe pse me një libër, të realizmit kritik do të thoshim si në shkollë, por që ndikoi ndjeshëm në shkëputjen e letrave shqipe nga romantizmi i vonë, sarkastik deri edhe kafkian, guxoj të shtoj, duke patur parasysh ca parabola të tij, etj, kurse Agolli, ndër më të shquarit e mëvonshëm, prijës në socrealizmin shqiptar, tregimtar spartan dhe romancier me humor popullor, kur lufta e klasave dhe kulti i individit ishin normë, sa entuziast në socializëm, kur sundonte djalli, i vlerësuar ndërkaq nga udhëheqja, nga djajtë thënë më mirë, i trishtë dhe i zhgënjyer në posdiktaturën demokratike, edhe i trishtë, por prapë i vlerësuar nga udhëheqja e re, nga djajtë e rinj, mund të shtojë ndokush, ndërsa Pano Taçi, që u bë i njohur vonë, por asnjëherë sa ata, ishte poeti i pafat, i vetëbërë, edhe pse dënohej për të mos qenë i tillë. I  burgosur dhe internuar gjatë diktaturës, pra i flakur në ferr, me djallin e armatosur mbi kokë, ndërsa pas rënies së diktaturave, edhe pse viti ’90 e gjeti 62 vjeçar, boton libra të shumtë me poezi, tradicional në trajtim, risi në tema,  i përqendruar në dhimbjet e persekutimit, në terrin dhe qëndresën, e thërret djallin për ta damkosur dhe e gjen atë dhe në mashtrimet në demokraci, prandaj dhe sarkazma bëhet më  e hidhët, edhe banale prej lodhjes, besues dhe mosbesues, i avitet qiellit, por flatrat i ka të thyera dhe i kthehet një dashurie cigane, duke nxjerrë libra erotikë me “poezi pornografike”, të parët në llojin e tyre, që e gajasnin lexuesin me një si donzhuanizëm të allasojshëm shqiptar.

Tre poetë – me horoskopin e shenjës së djallit, mund të thoshim.

ELIPSET E TRE JETËVE

Duke lënë jashtë rastësinë e 13 tetorit, se ç’forcë a mister qiellor deshi që të lindnin në atë datë të vjeshtës së dytë, do të desha të thosha se ka diçka përbashkuese në jetët e poetëve në përgjithësi. Elipset e jetëve kanë dhe pika takimi, ndonjëherë dhe përzierje. Kur u shua Migjeni, fare i ri, as 27 vjeç, Taçi ishte vetëm 10 vjeç dhe Agolli 7 vjeç, pra, bashkëkohësia e tyre është fare e pakët, si të thuash pak vite ajër të përbashkët përthithën në truallim amëtar. Taçi me Agollin u rritën si shkollarë dhe me poezinë e Migjenit. Po risjell kronologjinë e tre jetëve, nxjerrë nga botimet e tyre, sepse sintetizon kohë dhe histori të re tonën… 1911- Kur Shqipëria e rropatur ende s’e kishte fituar mëvetësinë, aq e dashur dhe po aq rrezikshme, lindi Migjeni në Shkodër. Arsimimin fillor e mori në vendlindje në një shkollë serbo-ortodokse. E çojnë të studiojë në Tivar. Daja i Migjenit, Jovan Kokoshi nga Kavaja, e dërgon në gjimnazin e Manastirit dhe po këtu, në vitin 1927 kryen Seminarin Ortodoks “Shën Joan Teologu”.           1917- Në Rusi shpërthen revolucioni bolshevik, që do të ndryshonte historinë e botës, fatalisht dhe të Shqipërisë së vogël. Lindi Musine Kokalari, që do të jetë shkrimtarja e parë shqiptare dhe desidentaja e parë grua në perandorinë komuniste, themeluese e një partie opozitare e do të burgosej e më pas do të vdiste në internim. 1928- Parlamenti shqiptar shpall Mbret Zogun I. Shqipëria shpallet mbretëri. Lind Pano Taçi në Gjirokastër, ku merr dhe mësimet e para, ndërsa gjimnazin do ta vazhdojë në Tiranë me mësues filozofin, shkrimtarin dhe poetin Isuf Luzaj, i ikuri politik, patrioti i dënuar me vdekje. 1931- Ndërsa vazhdonte të ndërtohej kryeqyteti i ri, Tirana, pas bulevardit të madh u ngritën 6 pallatet e 6 ministrive, vendi po institucionalizohej ndërkaq, në Jug-lindje, në një fshat të Korçës, në Menkulas të Devollit, lindi Dritëro Agolli. (I ati i tij, Rizai, kishte mërguar në Buenos-Aires dhe në Çikago). 1933- Migjeni emërohet mësues i gjuhës shqipe në shkollën “Skanderbeg” të Vrakës në Shkodër dhe boton në revistën “Illyria” prozën “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun”. Dy vjet më vonë kërkon të shkojë në Slloveni për kurime ndaj tuberkulozit, por kunsullata jugosllave në Shkodër nuk ia jep vizën, punë djajsh dhe ikën në Greqi. Kthehet dhe vazhdon mësuesinë në gjimnazin e Shkodrës. 1936- Shpërngulet në Pukë. Shtypshkronja “Gutenberg”  bën gati 1000 copë të librit ”Vargjet e lira”, por “censura ndalon qarkullimin e tyre”, shkruhej në botimet e mëparshme. Nuk gjendet në arkiva ndonjë dokument që e dëshmon këtë. Ndërkaq Migjeni po çmohej në shtypin e kohës. (Bllokimi i librave të Migjenit priste shlyerjen e pagesave të faturave) Në fund të vitit përgatit librin e ri “Novelat e qytetit të Veriut”. Në Gjirokastër lind Ismail Kadare, shkrimtari që do të sundonte letrat shqipe gjatë periudhës socialiste dhe do të arrinte njohje botërore.  1937- Mbreti Zog martohet, edhe pse i besimit musliman, me konteshën e bukur katolike hungareze, Geraldinë Appynoi, ndërsa At Gjergj Fishta nxjerr versionin përfundimtar të eposit të tij “Lahuta e Malcis”,  dhe në Pukë Migjeni, me rastin e festes kombëtare, 28 Nëntorin, mban një fjalim para popullit të Pukës. (Sot mbase nuk duket me aq rëndësi, hollësi e tepërt, se mbahen dëndshëm fjalime nga pushtetarët…) 1938- Migjeni niset për në Torino dhe shtrohet në sanatoriumin “San Luigi”. Vdes gjatë natës së 26 gushtit. Zi në botën shqiptare të letrave. Botohen proza dhe poezi të tij.     1939– Nis Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste. Ajo qëndresë heroike e atyre njerëzve në bregdetin shqiptar do të shënonte fillimin e rezistencës me armë në Europë kundër djallit nazi-fashist. 1941- Themelohet në Tiranë Partia Komuniste e Shqipërisë, të pranishëm në drejtim janë dhe dy demonë serbë… 1942– Pano Taçi, i përfshirë në lëvizjen antifashiste që 12 vjeç, futet në organizatën Debatik dhe del malit partizan. Dy vjet më pas nxjerr poezinë e parë në “Bleta”. Ia botoi poeti i njohur Lasgush Poradeci. 1943- Dritëro Agolli, edhe ai 12 vjeçar, përfshihet në luftë, (diku shkruhet si 9 vjeçar), bëhet korrier batalioni, teksa i ati është partizan. 1944- Del libri “Vargjet e Lira” të Migjenit. Shqipëria, e vendosur në anën e drejtë të historisë, çlirohet… (por jo shqiptarët…). 1945- Mbaron Lufta e Dytë Botërore. Fitojnë Aleatët Perëndimorë me Bashkimin Sovjetik kundër Boshtit Nazist. Humbjet ishin të mëdha, u vranë 60.754.000 njerëz në botë.  1946- Vendoset shërbimi i detyruar ushtarak. Nisin arrestimet e klerit katolik, Enver Hoxha shkon për vizitë zyrtare në Beograd, kurse Pano Taçi, i përjashtuar nga gjimnazi për “dashuri borgjeze”, (i magjepsur pas një vajze të bukur, motër e njërit prej presidentëve të ardhshëm të Republikës në posdiktaturë), tundohet të arratiset në Greqi, që më pas të ikte në SHBA tek gjyshi. Panoja dënohet me 4 vjet burg, në kënetën e Maliqit njeh mes të dënuarve shkrimtarët Mitrush Kuteli, Arshi Pipa, etj. Pas dy vjetësh lirohet dhe e çojnë në internim.  1947- I kthehet Shqipërisë ishulli i Sazanit, qeveria refuzon planin Marshall, Enver Hoxha takohet me Stalinin në Moskë, djalli i vogël me Djallin e Madh dhe Dritëroi boton poezinë e parë “Vullnetari i hekurudhës” në gazetën “Rinia”. 1951– Bomba në ambasadën sovjetike në Tiranë, pretekst për arrestime intelektualësh, pushkatime, mes tyre dhe një grua, shkencëtarja e parë shqiptare, Sabiha Kasimati. Pano Taçit ia shtojnë internimin në Savër të Lushnjës, me akuzën se nuk kishte dashur të votonte. 1952- Hapet Kinostustudia “Shqipëria e re”, Dritëroi mbaron gjimnazin e Gjirokastrës, “akademinë e tij letrare¨, siç e quante dhe e nisin për studime në Lenigrad, Sant Petërsburgu i dikurshëm dhe i tanishëm. 1953– Shqipëria në zi për vdekjen e Djallit të Madh, Stalinit. Pano Taçi shkruan poemat për Kosovën “Treni i muhaxhirëve”, “Gryka e Kaçanikut”. E pranojnë anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve, por një vit më vonë kritikohet ashpër për poemën “Kambanari” si reaksionare që nxit kryengritje. 1955- Shqipëria e uritur nuk pranon një ndihmë ushqimore me vlerën 850.000 dollarë nga Presidenti Eisenhauwer, por bëhet anëtare themeluese e Traktatit të Varshavës. Dritëroi martohet në Bashkimin Sovjetik me një ruse të bukur, Nina Novikova, kurse Enver Hoxha takohet me Hrushovin, një tjetër djall, por më i zbutur dhe i rafinuar. Pano Taçi mbetet në internim, me kontroll të rreptë policor. 1956- Sillen eshtrat e Migjenit nga Italia në Shqipëri, nga Torre di Pelice në Shkodër, në Varrezat e Dëshmorëve. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu shkojnë në Kinë. Djajtë ndërrojnë kah. 1957- Hapet universiteti i Tiranës. Dritëroi nis punën si gazetar në “Zërin e Popullit”. Ribotohet i zgjeruar libri i Migjenit “Vargjet e lira” dhe dekorohet me titullin “Mësuesi i Popullit”. 1960- Mbledhja e 81 partive në Moskë, kacafytje përbindshërore. Pano Taçi lirohet nga internimi. 1961- Ndëpriten marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, vdes Mbreti Zog në Francë, diku afër Parisit, del Vepra e plotë e Migjenit (nën kujdesin e Skënder Luarasit), i jepet “Urdhëri i Lirisë”, kurse Pano Taçi martohet. 1962- Fronti Demokratik në Shqipëri, siç ishte caktuar, i fiton përsëri zgjedhjet 99.99%, me një pjesëmarrje të zgjedhësve 99.99%. Lirika të Pano Taçit përgatiten për botim nga kritiku dhe shkrimtari Drago Siliqi, por befas cilësohen nga lart “pa frymën e kohës, ku zotëron grija kapitaliste”. Pano dënohet me burgim për agjitacion e propagandë, kur djali i tij ishte vetëm 3 muajsh. 1964- Vjen për vizitë kryeministri kinez Çu En-lai, (demonë nga Azia), ndërkaq gruaja ruse e Dritëroit së bashku me djalin ikin përgjithmonë. Pas një viti Dritëroi martohet me gazetaren Sadije Kecaj nga Shkodra, e cila do ta shoqërojë me përkushtim e përkujdesje për më shumë se gjysme shekulli, deri në fund të jetës.   1967– Nis fushata kundër besimeve fetare, djalli arrin të mbyllë dhe të shembë të gjitha kishat dhe xhamitë në Shqipëri, ndalohen kopshtet/bahçet private, tërmet në Dibër dhe Librazhd, ndërsa Pano Taçi lirohet nga burgu dhe e internojnë në vendet e tërmetit. Dritëroin e çon shteti për vizitë në Kinë. 1970– Vendi shpallet i gjithë i elektrifikuar, por siç kishte shkruar Imzot  Fan Noli, ai mbetej “Pranë dritës – i pa parë”. Pano Taçi vjen në Tiranë, bën punëra nga më të rëndat e më të vështirat ashtu si në burg. Vendoset bashkëpunimi mes universiteteve të Tiranës dhe të Prishtinës.  1971- Dritëroin e çojnë për vizitë në Kongo dhe nis botimi në revistën “Hosteni” i romanit të tij “Shkqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Kthehet nga Parisi. 1972- Pleniumi IV i Partisë për letërsinë dhe artet, ku, të frymëzuar nga fjla e Enver Hoxhës, dënohen autorë dhe libra, festivali i 11-të dhe artistë. Dritëroi emërohet sekretar për letërsinë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe pas një viti kryetar i saj dhe prapë pas një viti deputet dhe do ta vazhdojë karrierën paralamentare dhe më pas, për 30 vjet gjithsej. 1976– Enver Hoxha kritikon Kinën në Kongresin VII të tij, me Kushtetutë shpallet Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë (një emërtim disi i gjatë për një vend tejet të vogël, nuk shkruheshin dot në hartë gjithe këto fjalë), kurse Pano Taçin e arrestojnë sërish. 10 vjet burg. Përpiqet të vrasë veten. Me bishtin e lugës pret damarët si Esenini. Ia shpëtojnë jetën me zor. Kafe dhe cigare do t’i dërgonte në burg dhe “poeti qiellor” Lasgush Poradeci. 1979- Dënimet vazhdonin gjithandej, si më parë. (Arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg “për poezitë e tij kundër socrealizmit” dhe autori i këtij shkrimi, kur ende s’ishte bërë 27 vjeç, në moshën që vdiq Migjeni.) 1980- Dritëronë e dërgojnë në Turqi. Botohet në Prishtinë, kur Kosova bënte pjesë në ish-Jugosllavi, “Vepra e Migjenit”, në katër volume luksoze dhe monografia për të. 1985- Vdes diktatori Enver Hoxha, djajtë ndihen pa kreun. Pano Taçi lirohet nga burgu dhe përsëri e çojnë në internim, sa më larg Tiranës, në rrethina të Peshkopisë. Lajmërohet se gjyshi i vdes në Amerikë, por dhe babai me nënën në Shqipëri, të cilët i ndjente ende më larg. Djalin nuk e takonte dot, se nuk i lejohej një “armiku të shpallur”. 1987- Vendosen marrëdhënie diplomatike me Kanadanë e R.F. Gjermane. Sipas lajmeve në gazetë, një grup shkrimtarësh, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Nasho Jorgaqi, Androkli Kostallari, etj, i lejojnë të marrin pjesë në grup në një kongres në Itali, në Palermo, më pas Agolli e Kadare shkojnë në Beograd në konferencën për nacionalitetet. 1989– Shëmbet Muri i Berlinit, që ndante jo vetëm Gjermaninë në dysh, por dhe botën, me një “luftë të ftohtë” e të gjatë mes tyre. 1990- Rënia e perandorisë komuniste, e diktaturave të saj në Europë. Mbi 100.000.000 numërohen viktimat, të vrarët e saj në të gjithë botën, disidentë, kundërshtarë, martirë. Shumë më tepër se të vrarët e Luftës së Dytë Botërore. Djalli në kohë paqeje qënkësh më i rrezikshëm se në kohë lufte.     Nisin protestat antikomuniste. Dyndjet e shqiptarëve nëpër ambasada, ikja e tyre jashtë. Vendosja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Ramiz Alia (edhe ai ka lindur në tetor, në datën 18…), viziton SHBA. Kadareja kërkon strehim politik në Francë, vjen Nënë Tereza në Shqipëri. Botohet në frengjisht romani për “shokun Zylo” i Dritëroit, ftohet dhe autori. Mes trazirave kudo, themelohet në dimër Partia Demokratike, opozitare. 1991- Dritëroi bën një vizitë në Rusi, shkon në Shën Petërsburg, ku kishte studiuar. Në Kongresin X të PPSH Dritëroi do të kritikonte hapur vijën e partisë-shtet dhe kultin e Enver Hoxhës për të cilin kishte kontribuar dhe ai si poet. 1992- Dritëroi me një grup kolegësh shkrimtarësh shqiptarë shkojnë në Gjermani me rastin e botimit të një antologjie të poezisë shqipe. Një vit më pas, në vazhdim të botimeve të tij, Dritëroi nxjerr vëllimin “Pelegrini i vonuar”, etj. 1994 – Pano Taçi 66 vjeçar boton librin e tij të parë “Blerim i thinjur”, ku përfshin shumë poezi të shkruara fshehurazi nëpër burgje dhe internime. Mësuesi i tij i hershëm, filozofi dhe shkrimtari Isuf Luzaj, do t’i shkruante nga SHBA-ja: “Të paskëshe qenë italian, do të udhëtoje në enciklopeditë euro-amerikanë, me Borgesin dhe Kalderonin… Vazhdo të shkruash në gjirin e kombit tonë”… 1996– Tronditet “demokracia e brishtë” nga Djalli i Parave, nga firmat piramidale finaciare dhe të gjithë vendin fillojnë protestat e humbjes, dhuna e rikthimeve. Pano Taçi nxjerr librin tjetër “Dhe vdekja do paguar”, Dritëroi “Çudira dhe marrëzi”, etj, dhe shkon në Greqi. Në parlament qëllohet me armë dhe plagoset deputeti Azem Hajdari, udhëheqësi i protestave studentore. UÇK-ja në Kosovë sulmon forcat serbe. 2000– Pano Taçi boton dramat “Qirinjtë” dhe “Flakë në terr”. Vazhdon me poezitë dhe do të nisë memuaret e veta, të mbetura në dorëshkrim. Zgjedhjet vendore i fitojnë socialistët, Edi Rama – kryetar i Bashkisë së Tiranës. 2001- Bashkia e Pukës i jep Migjenit titullin “Qytetar Nderi”. 2009- Shqipëria futet në NATO. Ndërkaq Pano Taçi është bërë i njohur, ftohet në festivale poezie në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, e Jugut për ne, edhe kur andej bëhej lufta mes gueriljeve të shqiptarëve dhe forcave qeveritare, etj, ndërkaq ai do të bëhet më i dashur për lexuesin, sidomos pas botimeve me erotikë të hapur si “Hukama e Venusit”, “Lakuriq”, etj, edhe pse me pseudonimin letrar, Burgim Pata (“Burgim” përmbledh fatin e autorit, kurse “Pata” bashkon dy rrokjet e para të emrit dhe mbiemrit të vet: Pa-no Ta-çi, por dhe flatrat e bardha te fluturimit). Do të marrë çmime letrare, teksa priste dëmshpërblimin e burgut, do t’i prishnin befas shtëpinë për t’u ngritur një pallat në atë truall. Klani i djajve të ndërtimit, do të thoshin… Pa shtëpi muze do të ishin dhe Migjeni, dhe At Gjergj Fishta, etj. 2011- Dritëro Agolli merr një tjetër “Honoris Causa”, këtë rradhë nga Universiteti Europian i Tiranës… 2012– Pano Taçi shtrohet në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë, ndërron jete në 13 qershor, në moshën 84 vjeçare. Trupi i tij do të vendosej në hollin e Teatrit Kombëtar, ku do të bënin homazhe miqtë e shumtë, qytetarë e artistë. Kryeministri i vendit, Sali Berisha, do të dërgonte një telegram. 2014- Botohet në 4 volume poezia e mikut të Dritëroit dhe të Pano Taçit Fatos Arapit, poetit që lëvroi një poezi qytetare, më evropianen në vitet e mbylljes të diktaturës komuniste. 2017- në 3 shkurt do të mbyllte sytë përgjithmonë Dritëro Agolli, në moshën 86 vjeçare. Do të përcillej me nderime të shumta, me homazhe e duartrokitje dhe me fjalën e kryeministrit Edi Rama. Librari e shkolla kishin marrë ndërkaq emrin e tij. 

 TRE ÇËSHTJE DHE NJË DËSHIRË SI PËRFUNDIM Tre poetë të një datëlindje. Të dashur të tre nga të ndryshëm me mënyra të ndryshme. Deri dhe me urrejtje… Sipas meje mund të ngrihen dhe tre çështje, ku ngërthehen keqas konsolidime të mbartura si atavizmë dhe një ardhje e vështirë: 1- Keqpërdorimi i traditës duke u nisur jo vetëm nga keqkuptimi i saj. Së pari ajo u gjymtua në diktaturë, duke përdorur kriterin e “kufizimeve ideore” dhe të “luftës së klasave” edhe në kulturë, u ndaluan autorë të rëndësishëm, klasikë, gjithashtu dhe nga autorët që u lanë, u ndalua një pjesë e veprave, duke u përsëdytur ndryshe ky mëkat, duke himnizuar nga pjesa e mbetur. Pra tradita nuk shikohej pasuri kulturore e vendit dhe si përvojë e shekujve, por se sa i shërbente ideologjizimit dhe çimentimit të regjimit. Gjë që duket se vazhdon… 2- Diktatura përçau egërsisht letërsinë shqipe, e ndau më dysh, ku njërën pjesë e bëri të sajën, realizëm socialist, i dha kushte begatimi, duke e vënë në shërbimin të vetes, të propagandës “trushplarëse”, ndërsa pjesën tjetër e dënoi, duke pushkatuar autorë, duke burgosur sistematikisht e duke ndaluar vepra, pa u lodhur punoi me të gjitha mjetet diktatoriale, me qëllim që nga kjo pjesë të mos dalë asgjë, të bëhet e mosqenë. Pasojat e së cilës i vuajmë dhe tani… Sado absurde dhe e papranueshme të duket, është e habitëshme, por shpjeguese ajo që ka treguar Dritëroi për veten dhe Kadarenë në një intervistë, ku sipas tij, kryeministri i atëhershëm, Mehmet Shehu, ka thënë: “Ju jeni dy shkrimtarët kryesorë të vendit dhe jeni si dy qe që lëroni tokën. Ne, herë ngacmojmë njërin e herë tjetrin me hosten, në mënyrë që puna të shkojë mbarë”. Ai “hosten” për shumëkënd në fakt shndërrohej në pranga dhe pushkë. 3- Dalja e një “letërsisë tjetër” nga burgjet, e autorëve dhe veprave të tyre, që sollën realitete të munguara, duke zotëruar letrat shqipe të pas ‘90. Po sa janë përfshirë ato në jetën letrare kulturore të vendit, edhe zyrtarisht, deri tek tekstet shkollore? Në një farë mënyre Letërsia Shqipe e gjysmës së dytë të shekullit XX i përket një metode të veçantë, “Realizmit të dënuar”, sipas meje, sepse i tillë ishte realiteti i tyre. Të dënuar ishin jo vetëm ata që u dënuan, që nuk lejoheshin të krijonin, por, tjetërsoj sigurisht dhe ata që u drejtuan të bënin letërsi të socrealizmit, pra s’ishin të lirë, u mashtruan, u përdorën dhe u keqpërdorën. Tre çështjet që përçika, duan studime serioze, profesionistët e kritikës, akademikët e letërsisë, etj, teksa duket se ecet zyrtarisht në udhën e lënë, por le të kthehemi për ta përmbyllur te tre autorët e sotshëm. Poetët kanë dhe një jetë tjetër, atë të krijimeve të tyre, që vazhdon. Kur isha student në Shkodër, në kohën e diktaturës, shkoja në shtëpinë muze të Migjenit. Shikoja reliket e tij, fotot, i veshur hijshëm, me elegancë, me borsalinë, dhe një stilograf mbi tryezë, që s’dihej çdo të shkruante më tej, aq sa dhe demoni i vdekja duket se iu tremb dhe e rrëmbeu aq të ri. Mes miqsh bisedonin se po të kishte qenë gjallë Migjeni, a do të ishte bërë shkrimtar i Realizmit Socialist? A do ta shmangte dot? Me siguri do të përfundonte në burg, thoshim ose do të kishte vrarë veten. Edhe mund ta vrisnin. Gjithsesi vepra e tij është e vetëmjaftueshme dhe e pazëvendësueshme, me rëndësi e prijëtare. Tablotë e mjerimit dhe blasfemitë përsëriten. Dhe dhëmbja dhe protesta. Teatri “Migjeni” mund dhe duhej të dramatizonte nga vepra e atij. Dritëroi – këngëtar i baltës së vendlindjes, fëshfërimë grunoresh në Jug, fjalë me shijen e bukës, të pjekur në kryqytet… Një vepër që dëshmojnë një epokë që s’është, zhgënjimet dhe trishtimi i më pastajmë për të, por është e ardhmja që do të gjykojë më shumë e do të vendosë më shumë. E kam takuar Drit:eroin me kënaqësi të veçantë kudo, në kafene, në parlament, në SHBA dhe kam venë lule pranë bustit të tij… Dëgjoj fyellin e  drunjtë, elegjiak të Panit plak, të Panos tonë… shkoja andej nga ishte Kafe “Europa”, ku ai rrinte me orë të tëra, shkruante dhe me porosi të pronarit i çonin dy kafe falas çdo ditë. Po sikur atij t’i jepej në kohë dhe mjaftueshëm dëmshpërblimi i vërtetë dhe puna e papaguar e 24 viteve burg, e internime, mbase do të kishte dhe ai një kafene të veten, një librari, një… ndarja e shkrimtarëve duket se vazhdoi si në diktaturë, suksesi dhe fama, mirëqenia dhe varfëria po kështu, ishin përcaktuar një herë nga djalli dhe s’kishte zot që t’i ndryshonte… ndërkaq nëpërmend një vegim që kam patur për një portret të Pano Taçit në Kafe “Europa”, pikturë ose skulpturë, me llullën mes dhëmbëve të zverdhur dhe kasketën mbi kryet e zbardhëllyer dhe në një nga qelqnajat e mëdha të dritareve të shkruhej një poezi e tij, që më mrekullonte me thjeshtësinë dhe kumtin, me universalizmin e saj, e dija përmëndësh, e denjë për çdo antologji, thosha. Diçka i mungon tokës,/ nga qielli t’i zbresë./ Diçka edhe qiellit,/ nga toka t’i ngjitet ka shpresë./ Më bëhet i gjej te vetja/ ç’mungon te gjithësia:/ Qiellit: urrejtja,/ tokës: dashuria. E përsëris prej vitesh, mbetet një nga pengjet e mia, një dëshirë ende e vlefshme, që të vihen mureve, të gdhenden gurëve, shkëmbinjve, nëpër parqe e sheshe e rrugë vargje nga eposi, nene nga Kanuni, lutje nga Shenjtja Nënë Tereza, poezi nga De Rada, Naimi, Fishta, Migjeni, pra nga Rilindja dhe të rilindurit e me radhë deri më tani. Ato do të sillnin më shumë estetikë urbane, jo vetëm të brendëshme, energji pozitive, siç themi shpesh, kulturë, do t’i shërbenin mjedisit si pemët, ajrit si mendimet e bukura, të përbashkëta. Do të forconim identitetin duke patur më shumë shpirt.  

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhitit

AMBASADORËT VIZITOJNË KAMPIN KOMUNIST TË SPAÇIT

October 12, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

A person in a suit

Description automatically generated with low confidence

Të nderuar lexues, javën që kaloi, në një intervistë me Z. Adi Krasta tek Syri TV, ashtu siç kam bërë thirrje vazhdimisht edhe në shkrimet e mia modeste që botohen rregullisht në Gazetën Telegraf të Tiranës – u kam bërë thirrje diplomatëve perëndimorë në Tiranë – si përfaqsues të vlerave perëndimore në atë vend – por njëkohësisht dhe liderve politikë shqiptarë të këtyre 30-viteve — që për të pasur sado pak një ide të vogël për krimet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës në Shqipëri – të vizitojnë kampet e përqëndrimit dhe të punës së detyrueshme të atij regjimi fatkeq për shqiptarët — përhapur anë e mbanë Shqipërisë, para se ato vendgjarje të krimeve monstroze të komunizmit të zhduken nga faqja e dheut nga harresa dhe nga mos kujdesi i shtetit shqiptar për ti ruajtur si dëshmi të krimeve anti-njerzore – të shqiptarit kundër shqiptarit — për brezat e ardhëshëm të Kombit.

Kam bër apel vazhdimisht për vite tani, në mënyrën time më të njerëzishme, duke thenë se vizita në ato vende do të ishte një gjest moral por kam thekësuar shpesh se është edhe një përgjegjësi politike dhe diplomatike, njohja e asaj tragjedie shqiptare – që ishte komunizmi. Kam bërë thirrje edhe që Shqipëria më në fund pas 30-viteve tranzicion të distancohet nga e kaluara e saj komuniste dhe që të dënojë krimet e regjimit më të egër komunist në Evropën ish-komuniste.  

Vazhdoj të jem i bindur se problemet e Shqipërisë sot vazhdojnë ta kenë burimin e thellë tek trashëgimia e idhtë e atij sistemi dhe për derisa Tirana zyrtare nuk distancohet zyrtarisht nga ai regjim dhe nga e kaluara komuniste gjysëm shekullore e atij vendi dhe për derisa Kuvendi i Shqipërisë me akt ligjor nuk dënon krimet e komunizmit ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste të Evropës lindore e qendrore – Kombi shqiptar do ta ketë veshtir të zejë vendin e vet që i takon në botën e vlerave perëndimore, përfshir ato amerikane. Në botën time ku jetoj unë dhe qindra mijëra shqiptarë këtu në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Evropën Perëndimor, krime të tilla – si ato të regjimit enverist kundër viktimave të pafajshme, ajkës kombëtare, grave, fëmijve e pleqëve — as nuk anashkalohen as nuk mund të harrohen në një shoqëri moderne në 30-vjetët e para të shekullit 21! Ato viktpma të pafajshme nuk duhet të harrohen kurrë dhe askush që thotë se përfaqëson vlerat perëndimore – qofshin ata politikanë shqiotarë apo diplomatë të huaj — nuk guxon të bëhet pjesë e lojës për t’i harruar ato krime kundër njerëzimit. 

I përshëndes dhe falënderoj ambasadorët –në emrin tim – si një qenje njerëzore e kësaj bote që beson në të vërtetën e përjetshme se të gjithë ne jemi krijesa të barabarta para Perendisë — pa dallim — dhe si të tilla do duhej të trajtonim edhe njëri tjetrin.  Falënderime dhe mirënjohjet e mia – edhe në emër të disa ish-të burgosurve në Spaç dhe kampe tjera që i kam njohur e të cilët kanë kaluar në amshim dhe për të cilët sot nuk ka kush flet, pasi familjet e tyre janë shuar nga komunizmi. Le të jetë kjo vizitë fillimi i një kuptimi më të mirë për ju, të nderuar diplomatë perëndimorë — se çfarë ka hequr ai popull për një gjysëm shekulli komunizëm dhe cilat janë pasojat e atij regjimi, pasoja të cilat i shohim përditë në jetën abnormale politike të shoqërisë shqiptare, në përgjithësi. 

Falënderime Ambasadorit zviceran Adrian Maître dhe Ambasadores suedeze Elsa Håstad – që sipas Ambasadores amerikane Yuri Kim – organizuan vizitën e sotme të rëndësishme në burgun e Spaçit dhe veçanërisht falënderime për Ambasadoren tonë në Tiranë, Zonjën Yuri Kim që i është përgjigjur thirrjes së ambasadorëve evropianë për të bërë këtë vizitë në Spaç, simbolikisht, shumë të rëndësishme dhe domethënse. Thank You!

Frank Shkreli

Njoftimi i plotë me foto më poshtë, për vizitën e ditës së martë të ambasadorëve — në burgun e tmershëm të Spaçit, botuar në faqën FB të Ambasadës Amerikane në Tiranë: U.S. Embassy-Tirana | Facebook 

“Iu bashkova disa Ambasadorëve sot në një vizitë në kampin e burgut politik në Spaç (“Reparti i Riedukimit 303”). Ky vend është dëshmi e qartë dhe e tmerrshme e ligësisë – nuk ka fjalë tjetër përveçse “ligësisë” – së Enver Hoxhës dhe komunizmit. Ish i burgosuri Zenel Drangu, i cili kaloi 18 vjet në Spaç sepse ishte arratisur në Jugosllavi, na tregoi për ashpërsinë e përditshme që u shkaktohej njerëzve aty: rrahjet, puna skllavëruese, nxjerrja në kushte ekstreme të motit, keqinformimi, ngjallja e dyshimeve të ndërsjella, aktet imorale të sadizmit – të gjitha të krijuara për t’i zhveshur njerëzit nga dinjiteti, logjika dhe shpresa. Spaçi duhet të ruhet, në përputhje me statusin e tij si një monument kombëtar shqiptar, për të kujtuar ata që vuajtën, për të nderuar ata që luftuan dhe për të na kujtuar të gjithëve ne se nuk duhet të lejojmë që kjo ligësi të ndodhë më kurrë”. 

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim

Falenderime Ambasadorit 🇨🇭Adrian Maître dhe Ambasadores 🇸🇪Elsa Håstad për organizmin e vizitës së sotme të rëndësishme.

️ | I joined several ambassadors in a visit today to Spaç political prison camp (“Re-Education Unit 303”). This place is clear, horrific evidence of the evil – there is no other word than “evil” – of Enver Hoxha and Communism. Former prisoner Zenel Drangu, who spent 18 years at Spaç for having escaped to Yugoslavia, told us about the daily brutality inflicted on people there: beatings, slave labor, exposure to extreme weather, misinformation, sowing mutual suspicion, unconscionable acts of sadism – all designed to strip people of dignity, logic, and hope. Spaç should be preserved, in line with its status as an Albanian national monument, in order to remember those who suffered, honor those who fought back, and remind all of us that we must never let this kind of evil happen again.” 

U.S. Ambassador Yuri Kim

Thanks to 🇨🇭Ambassador Adrian Maître and 🇸🇪Ambassador Elsa Håstad for organizing today’s important visit.

A person standing in front of a building

Description automatically generated with medium confidence

A picture containing mountain, outdoor, building, nature

Description automatically generated
Two people talking

Description automatically generated with low confidence

+2

May be an image of 1 person, standing and outdoors

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

INSTITUTI I STUDIMEVE PËR KRIMET DHE PASOJAT E KOMUNIZMIT DHUROI 40 LIBRA PËR BIBLIOTEKËN SHKENCORE TË VATRËS

October 12, 2021 by s p

Sokol Paja

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra falenderon përzemërsisht Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit me rastin e dërgimit të 40 librave për Bibiotkën Shkencore të Vatrës në New York. Botime shumë cilësore, serioze, voluminoze, hulumtuese dhe të mbështetura në dokumente arkivore, dëshmi, intervista origjinale e shumë burime të dorës së parë janë një kontribut i jashtëzakonshëm në morinë e botimeve shkencore që ky Institut e ka kthyer në traditë prej vitesh. Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit po jep një kontribut të jashtëzakonshëm përsa i përket dekomunistizimit të teksteve shkollore dhe akademike, dekomunistizimit të hapësirave publike që lidhet me simbolikën e simboleve komuniste në sheshet publike, rrugët dhe institucionet shtetërore që ende mbajnë emra persekutorësh komunistë që u kthyen në tmerrin e shqiptarëve për afro 50 vjet. Botime të tilla të një niveli kaq të arrirë shkencor e kthejnë Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në një nga Institucionet më serioze në Shqipëri dhe më gjërë në zbardhjen e krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipërinë diktatoriale për afro gjysëm shekulli. VATRA shpreh mirënjohjen më të thellë dhe respektin më të veçantë për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit për punën serioze dhe misionin e shkëlqyr në shërbim të shoqërisë shqiptare, institucioneve dhe mbi të gjitha të persekutuarve nën regjimin totalitar shqiptar. Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) në Shqipëri, është miratuar nga Parlamenti shqiptar me vendim nr. 10242, të datës 25. 2. 2010, si Institucion Publik Qendror dhe i Pavarur, që gëzon statusin e personit juridik dhe ka në themel të punës të studiojë dhe të vlerësojë objektivisht krimet dhe dëmet e komunizmit në Shqipëri, t’i zbardhë dhe t’i dëshmojë ato në mënyrë të dokumentuar dhe të pakontestueshme. Misioni i Institutit është sensibilizimi i  shoqërisë shqiptare për krimet e komunizmit në Shqipëri, puna me dëshmitë gojore dhe materiale të të mbijetuarve nga diktatura dhe, sidomos, puna kërkimore nëpër arkivat zyrtare shtetërore.

Filed Under: Featured Tagged With: INSTITUTI I STUDIMEVE PËR KRIMET DHE PASOJAT E KOMUNIZMIT, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT