• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

Flamuri Kombëtar ngrihet para Parlamentit të Ontarios në Kanada

November 26, 2021 by s p

Në një atmosferë të lartë patriotike dhe vëllazërore, në një ceremoni madhështore u zhvillua ngritja e Flamurit🇦🇱 Kombëtar para Parlamentit të Ontarios në Canada 🇨🇦 me rastin e 109 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në kremtim të jashtëzakonshëm ishin të pranishëm përfaqësues të të gjitha Shoqatave Shqiptare në Kanada që me krenari dhe solemnitet lartësuar në qiellin kanadez shqipen me dy krena, simbolin e kombit tonë. Ky organizim patriotik u bë nga Ambasada Shqiptare në Kanada 🇨🇦🇦🇱.Vatra Kanada ju uron të gjithë Shqiptarëve kudo ku ndodhen Gëzuar 109 Vjetorin e Pavarësisë 🇦🇱❤️. Lavdi dhe nder përjetë patriotëve e shtetarëve të shtetit shqiptar.

Toni SufajDega e Vatrës Toronto

Kanada

Filed Under: Vatra Tagged With: Toni Sufaj

Fjalimi i kryeministrit Rexhep Mitrovica më 28 Nëntor të vitit 1943 mbajte ne mikrofonin e Radio Tiranes

November 26, 2021 by s p

Thirrje Rinisë

Motra e Vllazën,

Zgjodha ditën fatlume të rifitimit të liris kombëtare, për t’ju folun juve luftëtarë dhe gjithë popullit, pse kjo asht dita qi bashkon dhe vëllaznon në frymën e paharrueshme të fitores të gjithë shqiptarët.Due t’ju ftoj pra, të gjithë vllazën shqiptarë, qi të mendoni thellë mbi nji të vërtetë të madhe; të mendoni se në pragun e ngjarjeve të mëdha të periudhës s’afërme, përgjegjësina të randa do të na ngarkojë kjo gjendje anormale e Vendit.Në periudhën e shkurtën, qi kaluem prej shgatrrimit dhe largimit t’ushtrivet italjane, deri në formimin e qeveris së parë të lirë dhe indipendente, çka pau ky Vend’i zi, çka psoi ky popull i mjerë, sa ndodhina të mëndershme, sa sheja të frigëshme na u paralajmuen për rrokullisjen e madhe qi po na kërcnohet.Me veprimtarin e ushtrueme prej terroristave, na kemi pà mâ të mirët midis nesh të bijnë prej plumbavet të tyne ase prej armëvet të ndonji të marri. Prej plumbavet të terroristavet na u vranë djelmt mâ të mirë qi me inteligjencën, me karakterin, me guximin dhe auktoritetin e tyne, ishin të zott të përmblidhshin rreth tyne energjinat e shpërndame të Kombit, të qindrojshin dhe të ngadhnjejshin përmbi vështirsinat mâ të randa. Pamë fuqitë botore, drejtësinë të pritojë t’i kapi fajtorët e vërtetë, t’i dënojë ata qi kishin frymzue vrasjen. Në këto muejt e fundit, pamë nëpunësit e administratave të ndryshme, armatura themelore e shoqnis s’onë, të sabotojë, të pezullojë sherbimet e interesit botuer dhe të rrezikojë Vendin në nji rrokullisje të përgjithëshme.Terrorizmi një sistem politik i një doktrine të huejKemi pà njerëz t’errët të shkojnë nëpër shtëpija të Ministravet dhe t’i vrasin mu në dhomë, pa mujt m’u kapë. Kemi pà njerëz t’armatosun midis ditës t’i shtrengojnë nëpunësit qi të mos lajmojnë auktoritetin deri sa t’i shvishnin magazinat e nozullimevet. Kemi pà mësuesit e Shtetit, të ngarkuem me edukatën e kalamajvet, qi do të bahen nesër arbitrat e politikës së Shqipnis, pra Zott e Shqipnis, të përbuzin Atdheun, t’i shtyjnë ushtarët t’onë, dikur nxansit e tyne të dezertojnë, të bashkohen e të vëllaznohen me anmikun kundra popullit, kundra vëllaut. Kemi ndigjue të parapelqehet, në vend të hymnit të Flamurit, kanga e ndërkombëtares; të mbeten të shkujdesun kundrejt ngjarjeve si ajo e masakrimeve të bâme mbi mija shqiptarë dhe të mbyllen dyqanet për 4-5 të vramë komunistë. Kemi pâ formimin e skuadrave dhe urdhnat e dhanuna prej tyne për pushkatimin e djelmënis atdhetare. Kemi pà shqiptarë t’u presin hundë e buzë shqiptarvet, punë qi âsht në kundërshtim me zakonet fisnike të Shqiptarit dhe nji importim nga zakonet mâ t’egrat e të huejit.Terrorizmi ndër né, qi vashdoi muej e muej, nuk ishte si shifet nga këto fakte, nji valë përshkuese qi ka mund të ngjajë aty këtu.Jo, ai ishte nji sistem politik, nji methudhë, zbatimi i nji doktrinës së huej.Shkurt, në vend të ligjës, sundoi grushti.Shënja keqësimi per t’arthmen e KombitKur në nji regjim falimenton magjistratura dhe drejtësija bjerr kuptimin e misjonit të vet, qi âsht mâ i madhi e mâ bujari i të gjithëve; kur nënshtetasi nuk mundet me e mbështetë ma shpresen e tij mbi pavarësin e gjyqtarëve për të mprue të drejtën dhe për të gëzue drejtësin, atëherë çdo normë bjen poshtë, gjithëshka shkon mbrapsht. Asht rrenimi i krejt ndërtesës shoqnore. Në ndonji vend tjetër, asnji fuqi njerzore nuk do të kishte mund me qindrue sikur të mos i mbështetej aprovimit të popullit, sikur të mos legjitimohej me anë të sherbimeve të bâme për té.Mungesa e njij sigurije të madhe si kjo e tashmja në Shqipni, e cila âsht edhe pa nji doktrinë qi t’a udhëheqë, pa frymë të përbashkët, pa besimin qi çimenton bashkimin e popullit, përkundrazi i ndamë në mënina politike dhe lufta klasash, tingllimi i orës fatale duket i sigurtë. Ndoshta shqipëtarët janë mâ të mbramët qi shofin rreziqet e randa qi na kërcnojnë. Por të huejt, sidomos ata qi kanë pà vendet e tyne ndër këso rrethanash, nuk na e mëshefin gravitetin e gjendjes s’onë dhe frigen qi i u kall e ardhëshmja e jonë. Sot, gjendja duket e mjerueshme, pse fuqija qendrore duket se ka mbetun pa forcë, pa auktoritet, pra pa prestigj, ndërmjet dy rrymave të fuqishme kundërshtare, në grindje për trashigimin e fuqis.Pasojë e regjimit të mbrapshtë italjan. Kush e ka fajin?Pakënaqësija qi mbretnon sot në Shqipni âsht prodhimi i regjimit të mbrapsht italjan. E Administrata dredhake e atij regjimi, shkaktoi humbjen e besimit të popullit në kryetarët dhe n’elitën e tij, pse regjimi italjan me dhelpnin e tij të njoftun mirë, përpiqej në çdo mënyrë qi fajet e tij, t’i a hidhte gjithmonë prisave të popullit t’onë, me qellim qi të sillte nji përçarje të madhe midis tij dhe Prisave të tij e mandej, nga grindja e popullit me prisat, të përfitonte ai vetë. Unë nuk due t’a shtroj e t’a shqyrtoj tash pyetjen në se kjo mëni e popullit kundrejt prisave âsht ose nuk âsht me vend. Por âsht nji fakt i pamohueshem se as njerzit qi na qeverisën gjatë katër vjetve të regjimit italjan, as klasat drejtuese, nuk dijtën të kuptojnë, të zberthejnë dhe të zotnojnë problemet e ndërlikueme qi rodhen prej atij regjimi. Prandej pakënaqësija e popullit muer përpjestime gjithënji mâ të mëdhaja dhe turmat e tij prej pakënaqësije u hodhën në dishprim, i cili mâ në fund u bâ i papërballueshëm dhe i shtyni të sulmojnë deri institutet e vendosuna. Fuqinat botore kapitulluen përpara kryengritjes; elita e shtërngueme prej nji anarshije mendore hoq dorë nga misjoni i vet, ia lëshoi vendin furtunës, pa kërkue as me i bâ ndonji farë qindrese.Nga kjo mungesë qindrese, natyrisht përfituen partizanët. Ata banë mâ parë propagandën në Rini dhe kjo pa mendue gjatë e shtyme vetëm prèj ndienjave, gaboi. U bâ agjent’ i njij politike të pathellueme. Të shumtë janë ata qi luftuen për popull e për vend me nji frymë të vertetë atdhetarije dhe të pakët janë ata qi shfrytzuen forcat e tyne për hesap t’ideologjisë komuniste.Me shtetin apo me anarkinë?Tash asht koha të pyesim: a duem të jemi n’anën e Shtetit a po n’anën e anarshisë? Mos të përgjigjemi se nuk jemi as n’anën e njanit as n’anën e tjetrës. Atëherë do të shtypeshim midis njanit dhe tjetrës.Qeverija nuk âsht për nji partì ose për nji klasë. Ajo âsht për çdo partì e për çdo klasë. Ajo siguron të drejta të barabarta për të gjithë.Asht koha të zgjedhim: Rend e Rregull, auktoritet e drejtësi, ose anarshi, rrëmbim, grabitje dhe vrasje?Jemi përpara nji dileme të pathyeshme të çastit qi sundon fatin t’onë, si enigma qi iu shtrue Oeudipit prej Sphinxit. Duhet t’a zberthejmë ose të shdukemi.Fara e përçamjes s’onë, asht mirë t’a kuptojmë, nisi të shtrihet dhe të zgjanohet ndër né mbas ditës fatale të 7 Prillit të vjetit 1939. Fara e dasis s’onë u mbuell prej okupatorit italjan me anë intrigash, dredhinash, ngatrresash dhe ideologjinash qi për né kishin qenë deri atëhere, gati krejt të panjoftuna. Popullin t’onë të bashkuem e ndau dhe e përçau në grupe kundërshtare dhe sot, fryti i mundimeve t’atëhershme po duket qartas: fatkeqësija e madhe zotnon mbi gjithë Shqipnin pse Shqiptarët po vriten egërsisht ndërmjet vedi.Vëllavrasja; mjerim i kombitAsht nji mjerim i madh qi në Shqipninë qi ka dijtë të jetë e bashkueme në çdo kohë rreziku, sot në ditën mâ të madhe qi kà Kombi Shqiptar, në vend të lidhjes së ngushtë vllaznore, në vend të besës së mprojës s’Atdheut prej çdo rrezikut, të mbretnojë çka nuk âsht për t’ia urue as anmikut… Vllavrasja. Po mjerisht sot, në vend të harés së kremtimit të përvjetorit t’Indipendencës, nga malet e fushat e lyeme me gjak, vijnë vajtime, ngrihen klithma dhe digjohen gjamë qi lajmojnë kobën mâ të madhe të historisë s’onë: Shqiptari po vret Shqiptarin.Kjo s’âsht nji vllavrasje për të mirën e Vendit; por për shgatrrimin e përjetëshëm të popullit dhe të Vendit e për dobi të të huejvet.Zija e randë qi kà mbulue sot anë e kand horizontin e Shqipnis, shtrihet tmerrshëm mbi Berat, Durrës, Korçë, Dibër, Vlonë e Gjinokastër. Atje nanat e motrat t’ona, derdhin lot rrëkaj, qajnë e vajtojnë djelmt, vëllaznit, burrat dhe prindët e tyne të vramë prej dorës së shqiptarit.Sa dhimbë e madhe! Sa mjerim i thellë! Sa humbje e kobshme për Vendin t’onë!Vllavrasjen, qi korr viktima dit për dit tash në Shqipni, nuk mundemi t’a quejmë kryengritje, as nuk mund t’a krahasojmë me lëvizjet tjera revolusjonare qi kanë ndodhun në Shqipni, pse ato lëvizje shquhen e dallohen për qëllimet e nalta qi i kanë frymëzue. Dihet mirë se kryengritjet e mëdhaja qi kanë ndodhun në Shqipni gjatë pushtimit otoman, kishin për qëllim të fundit shpëtimin e Shqipnis nga robnija e huej. Kryefjala qi shprehte aspiratat e trimave t’onët, ajo qi tregonte zjarmin qi i hidhte në përpjekje për epopenat e përmenduna, ishte lakonike, por plot kuptim: Ja Vdekje Ja Liri.Herojt e atyne kryengritjeve, me këtë kryefjalë në buzë, në zemër dhe në shpirt, luftuen dhe u vranë për t’i a mbërrijtun Ditës së madhnueshme qi kremtojmë na sot. Na përgjunjemi para kujtimit të mallëngjyeshëm të këtyne Dëshmorve të mëdhaj të Liris kombëtare. Ata, me vetmohimin e tyne, na lan nji shembull që duhet të jetë drita qi të na drejtojë neve trashiguesave të fitores së tyne. Të vritemi vetèm për Shqipini dhe për të drejta të saja.Karakteristikat e lëvizjesKarakteristika e lëvizjes që na prunì gjendjen anarshike të sotshme, në fillim të luftës kundra pushtuesit italjan, ishte gati si e të gjitha kryengritjevet kombëtare: luftë pa kushte kundra pushtuesit për t’a shporrun prej tokës Shqiptare… Por, ky program veprimi, qi pasqyronte besnikisht vendimin e krejt Kombit t’onë, u shkëmbye me intrigat dhe me gishtin e huej, në nji luftë ideologjike u degjenerue në nji luftë klasash. Ma vonë, ky degjenerim mbërrini deri në bashkimin e Shqypes së lavdishme dy krenësh të Popullit Shqiptar me nji yllë të kuq të huej dhe përshëndetjen burrnore t’onën, me grushtin e çuem kundra bashkimit të vëllaznimit kombëtar.Po ajo lëvizja që ka sjellë anarshin e tashme, luftoi shpatat e Liktorit mbi Flamurin Kombëtar, Simbol i Lavdishëm i Luftarve për Liri. Këto impozime të pushtuesit nuk i duronte asnji shqiptar. Mirëpo, po ata qi luftuen këto sheja t’impozueme Simbolit t’onë, lejuen qi, mbi Flamurin e Skanderbegut, të veheshin shêja të tjera, gjith’ashtu të hueja. Detyra e tyne ishte të mos i tolerojshin këto impozime qi, nën nji tjetër trajtë i kishin luftue ata vetë. Ky tolerim cenoi ndjenjat patriotike. E, Shqiptari, âsht ruejtës besnik i zakoneve dhe i traditave konservatore të mbajtuna me shekuj. Shqiptari, prandej âsht dhe mbetet atdhetar.Ky gabim fatal, si edhe aj i fillimit të luftës ideologjike, kallun ndër né me dredhi e mjeshtri të madhe prej të huejvet i dha shkas hapjes së antagonizmit ndërmjet Shqiptarve, shkaktoi përçarjen dhe, ma në fund, vllavrasjen.Ka ardhë koha për ndreqien e gabimeve.Tash âsht koha qi gabimet të ndreqen.Asht koha që, gremina e hapun në mes nesh, ajo qi na ndau dhe qi me thellësinë e saj po thith Rininë t’onë të pa rritun mirë, të mbushet me çdo kusht, me çdo fli. Për këtë qëllim duhet të bindemi pikë së parit se anarshija e sodit nuk âsht në të mirë të popullit shqiptar. Asht bindje e plotë e jeme se gjendja kaotike qi mbretnon në Vendin t’onë, po ia shkurton jeten krejt popullit, po edhe do t’a dënojë të vdesë, në qoftë se do të vazhdohet. Kjo politikë e madhe e Shqipnis së vogël, âsht gabim; pse, kahdo qi t’ia mbajë fitorja, Fuqinat e Mëdhaja do të kërkojnë të na gjejnë si nji Shtet i rregullt dhe i rëndëshëm.Po të jetë se do të vashdojë anarshija e sotshme bashkë me paralizimin e çdo auktoriteti qeveritar, kush do t’interesohet për fatin e nji popullsije prej dy milion e pesqind mij frymësh qi do të mbetej në mes të katër udhëve, pa shtëpi, pa bukë, pa zjarm, pa dritë, e çveshun dhe e zbathun, dhe pa asnji shpresë për ditën e nesërme?A asht n’interesen e Shqipnis qi nji të treten e popullsisë t’a lamë të vdesi kështu? A shpëton Shqipnija tue e zgjanue anarshinë në çdo kand t’Atdheut? A asht në dobi të popullit t’onë qi populli të mbetet në mëshirën e çdo njeriu qi kà mbi sup pushkën e qi me forcën e saj kërkon t’ushqehet në kurriz të katundarit? A i sigurojmë fshatarit nji jetë mâ të mirë, tue e detyrue qi të shgrehi pendën, të mos mbjelli tokën dhe ma në fund, t’i vejë zjarmin mos mbjelli tokën dhe mârrë malet?Në qoftë se nji grusht njerëz, qi kanë besimin e gabuem, se me terrorizëm, me vrasje e me presje, mund t’a sundojnë vendin dhe se me grykën e kobures mund të pushojnë çdo zâ kundërshtimi, unë them se ata bajnë krimin mâ të madh mbasi faktet dhe ngjarjet e përditëshme na tregojnë se besimi i tyne nuk kà asnji themel.Duhet të dihet nji herë e përgjithmonë se nji organizatë e ushtrueme prej nji pakice e mbajtun me terrorizëm, nuk mundet t’a sundojë vendin, ashtu si nuk kanë mund me sundue askund.Ç’na mêson eksperienca?Eksperjenca e kryengritjeve na provon se sundimi me terrorizëm âsht sundimi mâ i mënimë. Pra i destinuem të shduket mbrenda pak kohe. Por, mjerisht, plagët e hapuna prej këtij regjimi tmerri, nuk mbyllen aq shpejt, se gjaku kërkon gjak dhe tragjedija e këtij gjaku të derdhun nuk mbaron mbrenda njij afati të caktuem.Për të dokumentue fatalitetin e veprës së organizatës terroriste, e cila mundohet t’a mbajë nën kthetrat e saj Vendin t’onë, mjafton të kujtojmë bilancin përfundimtar të periudhës së shkueme: shgatrrimi dhe djegja e katundeve dhe e qyteteve… Mjerimi i pashembëllt i popullsisë së pafajshme t’atyne vendeve, të mbetun për jetë pa strehë, pa bukë, pa asnji përkrahje… Urrejtje pasjonale kundra njeni tjetrit dhe pushkatime, vrasje mizore në mënyrën mâ trathtare… Shgatrrimi i plotë i elitës së vendit dhe marrja në qafë e djelmënis së gabueme.Po pse u banë të gjitha këto shëmtime, të gjitha këto fatkeqësina katastrofale?Për asgja pozitive. Për asgja shqiptare.Pikërisht kjo gjendje alarmuese dhe e padurueshme, na detyroi t’i bindemi nevojës imperative të formimit të nji Qeverije kombëtare, e cila përpara Kòmbit dhe përpara historisë, ka marrë barrën e randë të normalizojë gjendjen dhe të vendosë rend e rregull.Zotimi i dhanun Popullit do té realizohet.Zotimin e madh qi i kemi bamë Popullit, me anën e programit t’onë, do të mundohemi t’a realizojmë, pse në tanësinë e veprimit t’onë, nuk kemi asnji qëllim tjetër përveç naltësimit t’Atdheut dhe t’atdhedashunis. Prandej ndjekim parimin e pushimit të vllavrasjes dhe ate të sigurimit të bashkimit total të Kombit.Sot, kur po ju uroj përvjetorin e indipendencës s’onë, un si Kryetar i Qeveris, po ju zotohem edhe nji herë se do të përpiqemi me të tana fuqinat qi Shqipnija të shpëtojë nga kaosi.Eksperjenca e dy javëve qeverimi më dha të kuptoj se Kombi nuk ka vendos të shuhet dhe se do të rrojë.Ja ky asht vendimi unanim i krejt Kombit. Un po e shqiptoj kët vendim edhe n’emnin e shejtënis së kësaj dite të madhe. Po i bâj thirrje Rinisë Shqiptare, Popullit, Fuqivet t’Armatosuna kombëtare, Ushtrisë, Gjindarmëris, nëpunsave, profesorave dhe mësuesave tue u kërkue bashkimin dhe bashkëpunimin e përzemërt dhe të pakursyeshëm, për t’a shpëtue Shqipninë nga anarshija, për të mëkambë e për të forcue Shtetin t’onë të lirë qi porsa âsht ngjallun rishtas.Jam i sigurtë se thirrjes s’eme, qi buron nga nji patriotizëm e zjarrtë për shpëtimin dhe naltësimin e Kombit, për mprojtjen e të drejtave sovrane të Kombit, do t’i përgjegjen të gjithë.Me kët besim të patundun ju ftòj të brohorisim:Rrnoftë Shqipnija Indipendente!Rrnoftë Populli Shqiptar!U përjetsoftë kujtimi i Herojve të Kombit!****************************************Rexhep Mitrovica kryeministroi ne Tirane nga 4 nëntori i vitit 1943, deri më 18 korrik të vitit 1944) ******** *************Foto e Regjencës Shqiptare:Nga e majta në të djathtë Fuad Dibra, Mihal Zallari, Mehdi Frashëri, padër Anton Harapi, Rexhep Mitrovica dhe Vehbi Frashëri.Marrë nga Rexhep Shahu.

Filed Under: Histori Tagged With: Rexhep Mitrovica

“Dielli” special i Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar u nis për në vatrat Kuq e Zi

November 26, 2021 by s p

Sokol Paja/

Gazeta “Dielli” si Organi Zyrtar i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA mori rrugën për në çdo cep e në çdo skaj të mërgatës shqiptare që jeton e vepron në Amerikë dhe Kanada. “Dielli” special i Pavarësisë dhe Flamurit Kombëtar u nis për në vatrat Kuq e Zi, aty ku flitet shqip, mësohet shqip, këndohet shqip dhe gëzohet shqip.Ky është numri im i parë i Diellit special si Kryeditor i gazetës me rastin e festave të Nëntorit.U shpreh vlerësim të posaçëm, falenderim të përzemërt dhe mirënjohje të veçantë të gjithë bashkëpunëtorëve të këtij numri të jashtëzakonshëm: Akademik Beqir Meta, Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, Prof. Dr. Musa Ahmeti, Prof. Dr. Ardian Ndreca, Prof. As. Dr. Bernard Zotaj(Mjeshtër i Madh), Prof. As. Dr. Jonela Spaho, Prof. As. Dr. Rudina Mita, Dr. Paulin Marku, Dr. Naim Musliu, Dr. Besim Muhadri, Dalip Greca, Eugjen Merlika, Rafael Floqi, Zef Ujkaj, Ndue Bacaj, e pena të tjera të spikatura në Diasporë. Gazeta po rritet çdo ditë falë mbështetjes e vëmëndjes suaj. Bashkëpunimi i Diellit me botën akademike shqiptare e ka kthyer gazetën në një qendër të fuqishme të mendimit kritik, atdhedashurie, informimi, edukimi, shkencor dhe informativ.Jam i privilegjuar që bashkëpunojnë me “Diellin” mendjet më të mprehta, penat më të shkëlqyera dhe më të arrira të botës shqiptare që nga “Zëri i Amerikës”, mediat prestigjioze në Tiranë e Prishtinë, Akademikë, kërkues shkencorë në Fakultete dhe Njësi Kërkimi, analistë e kritikë letrarë, përkthyes, poetë, historianë, diplomatë, personalitete të shkencës, ekspertë të ekonomisë, turizmit, arkivistikës dhe kibernetikës, veprimtarë, humanistë e patriotë që na bëjnë të ndihemi krenarë nga sukseset dhe veprat e mira.Gazeta “Dielli” ka në fokus komunitetin shqiptar në Amerikë, Kanada e kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarë që me suksesin e tyre lartësojnë e krenojnë kombin tonë. Gazeta “Dielli” ka në themel historinë, kulturën, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, data, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar. Qëllimi i gazetës është informimi i saktë, promovimi i talenteve dhe personaliteteve të botës shqiptare në mërgatë, promovimi i suksesit dhe thithja e mendimit intelektual në gazetën Dielli, ruajtja e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës dhe Kanadasë, gjithashtu të jetë si një urë lidhëse mes shqiptarëve të mërguar dhe Atdheut mëmë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqipfolëse.Faleminderit dhe mirënjohje për të gjithë ju që mbështesni gazetën më të vjetër të botës shqiptare, gazetën “Dielli” që nga 15 Shkurti i vitit 1909. GËZUAR 109 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË DHE FESTËN E FLAMURIT KOMBËTAR

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

ALBANOLOGJIA DHE HISTORIA E SHQIPËRISË SIPAS MEDIEVISTIT KROAT – MILAN von SUFFLAY

November 25, 2021 by s p

Portret i Milan Sufflay nga viti 1931
Doreshkrim autograf i Milan von Sufflay-t
Leter origjinale autograf i Milan von Sufflay-t nga Tirana, viti 1931

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studiues, Budapest

Në fondin e Ministrisë së Arsimit, [fondi 295, dosja 85, f. 1-43, viti 1931], nga ana e prof. dr. Musa Ahmetit u zbulua përmbajtja e vëllimit të tretë të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, aq shumë të përfolur, i cili shkaktoi edhe debate e polemika të shumta te studiuesit, historianët, por edhe te gazetarët. – Në Biblioteken Kombëtare Hungareze të Budapestit, “Szechenyi,” ruhet një letërkëmbim i Milan Shuflajt me dr. Ludvig Talocin dhe Jozef Bajzen, në një vëllim prej 219 letrash [ose 462 faqe] të pabotuar dhe të panjohura deri më sot. – Në bazë të studimeve dhe analizave të posaçme, të bëra pas hulumtimit dhe zbulimit të lëndës arkivore, Shuflaj, paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi gjatë periudhës së mesjetës, duke mbrojtur teorinë se kjo kulturë ishte më e afërt me Bizantin dhe Dalmatët, se sa me sllavët e ngulur në Ballkan dhe se kishte një traditë të pasur që nga kohët më të lashta.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studiues, Budapest

Paanshmëria, korrektësia dhe simpatia e madhe ndaj popullit shqiptar, lidhjet e afërta me Shqipërinë, pranimi dhe argumentimi në mënyrë shkencore i tezës së prejardhjes së drejtpërdrejtë të shqiptarëve nga ilirët, si dhe autoktonia e tyre në trojet shqiptare, ishin shkaqe që e shtynë Beogradin për të organizuar vrasjen e Milan Shuflajt më 18 shkurt të vitit 1931. Menjëherë pas atentatit, policia konfiskoi të gjitha dorëshkrimet që ndodheshin në apartamentin e tij. Një pjesë e mirë nga këto dorëshkrime mesa duket kanë humbur përgjithmonë, sepse edhe sot e kësaj dite nuk u gjendet ndonjë gjurmë. Jehona e vrasjes ishte  e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” (Romë), “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia”, “Vullneti i Popullit” (Tiranë), etj. Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Lumo Skendo, Faik Konica, si dhe organizatat “Ligue Internationale des Droits des L’Homme”, “Federation Universitaire Internationale”, etj. Interesimin e Shuflajt për shqiptarët dhe Shqipërinë e ndeshim që në fillim të karrierës së tij shkencore, kur, duke hulumtuar e mbledhur dokumenta nëpër arkivat e Dalmacisë, për “Codex diplomaticus” të Tadija Smiçiklasit, zbulon materiale burimore shumë interesante, të pabotuara, që i takonin mesjetës shqiptare. Kjo periudhë, në atë kohë ishte e pahulumtuar fare dhe zgjon interes të jashtëzakonshëm tek studiuesi i ri, interesim ky që e preokupon aq shumë, sa bëhet qëllim kryesor i veprimtarisë shkencore për gjithë jetën e tij. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, nga pena e dr. Milan Shuflajt dolën studime të jashtëzakonshme me vlera të larta shkencore në fushën e albanologjisë. E tillë është vepra monumentale “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, të cilën e boton së bashku me Ludvig Thallocin dhe Konstantin Jireçekun. Materialin e mbledhur, dr. Shuflaj e sistemonte dhe e përcillte me komente të ndryshme, kështuqë në të shumtën këto komente, paraqesin diskutime me vlerë të lartë shkencore dhe mund të shfrytëzohen si studime të veçanta. Punën për përgatitjen e botimit të kësaj kryevepre e ka vazhduar edhe më tutje. 

Në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës, ruhen regestat për vëllimin e

 tretë të “Acta Albaniae…”

Në shtypin periodik si dhe studime të veçanta në Kroaci, Shqipëri, Kosovë, Greqi, Austri, Itali, Hungari por, edhe gjetiu, është shkruar se është gjetur vëllimi i tretë i cili ishte i gatshëm për botim. Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe. Dr. Milan Shuflaj nuk kishte arritur ta përgatiste për botim vëllimin e tretë, ashtu siç është shkruar e pohuar deri tani. Në dorëshkrimet e tij, të cilat ruhen ne Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, një pjesë e këtyre dokumenteve, janë të shpërndara nëpër kuti të ndryshme. Kjo është e tëra që është zbuluar pas hulumtimeve të bëra, e jo dorëshkrimi komplet i vëllimit të tretë, siç pohohet tani. Pra dr. Milan Shuflaj nuk e kishte shkruar e as që e kishte përgatitur për botim vëllimin e tretë. Pohimet e mësipërme, u vërtetuan, kur në Arkivin Qendror Shtetëror të Tiranës, në fondin e Ministrisë së Arsimit, [fondi 295, dosja 85, f. 1-43, viti 1931], nga ana e dr. Musa Ahmetit u zbulua përmbajtja e vëllimit të tretë të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, aq shumë të përfolur, i cili shkaktoi edhe debate e polemika të shumta te studiuesit, historianët, por edhe te gazetarët. Duke studiuar dorëshkrimet e Sufflay-t, por edhe burimet tjera arkivore mund të themi se se “disa prej veprave më të rëndësishme të këtij studiuesi, që janë konsideruar të botuara, në fakt kanë qenë vetëm pjesërisht të botuara.” Këtu mund të përmenden: “Biologjia e fisit shqiptar” (1915), “Historia e Shqipërisë së Veriut” (1924), “Kadastri i Shkodrës” (1926), “Historia e Shqipërisë – prospekt” (1930), në anën tjetër, disa studime monografike të vëllimëshme, pothuajse të përfunduara, edhe sot kësaj dite nuk janë botuar, përkatësisht ato janë “të papërmendura dhe të pacituara në burime dhe literaturë të albanologëve dhe historianëve shqiptarë dhe të huaj si p.sh. “Statuti, ipeshkvia dhe qyteti i Durrësit,” “Biografi e Pal Engjëllit dhe e Pal Dushmanit të Krajës,” “Statuti i Drishtit,” “Familjet fisnike shqiptare në mesjetë,” “Qytete të tjera mesjetare shqiptare – Shkodra, Tivari, Shasi, Bajeza (Balezzio), Danja, Medua, Ulqini etj,” “Fiset, vëllazëritë, emrat dhe mbiemrat tek shqiptarët në mesjetë,” “Mbi emigrimin e shqiptarëve,” “Familja dhe fshati shqiptar në mesjetë,” “Armët dhe ushtarët shqiptarë në mesjetë,” “Harta gjeografike të Shqipërisë dhe të Ballkanit Jugor,” “Shin Sergji e Baku në Bunë” “Shin Gjoni Vladimiri,” etj. Shuflaj, kishte përgatitur, ashtu si edhe në dy vëllimet e mëparshme, tashmë të botuara, “regestat” [sinopsin] e dokumenteve që duhej të futeshin në vëllimin e tretë. Informacionet për ekzistencën e këtyre dokumentave M. Sufflay i kishte nxjerrë nga botimet e ndryshme të korpuseve burimore me autorë Baronius, Cerone, Eubel, Farlati, Fermendžin, Gelcich, Hopf, Iorga, Ljubić, Makušev, Marinesco, Pastor, Thalloczy, Theiner, Waddingo, që kishte arritur t’i konsultonte gjatë përgatitjes së dy vëllimeve të para të Acta Albaniae. Nga këto botime ai kishte mbledhur jo vetëm të dhënat për përmbajtjen e dokumentave, por edhe për vendndodhjen e tyre. Shënimet mbi dokumentat i grupon sipas arkivave dhe bibliotekave ku ato ndodheshin si në Arkivin e Venedikut (450 dokumente nga vitet 1407-1451), Arkivin e Vatikanit (113 dokumente nga vitet 1405-1451), Arkivin e Napolit (20 dokumente, nga vitet 1402-1451), Arkivin e Barcelonës (12 dokumente nga vitet 1447-1451), Arkivin e Ankonës (8 nga vitet 1412-1439), Museo Civico të Venedikut (2 nga viti 1420), etj. Është interesant fakti, që në përmbajtjen e vëllimit të tretë, M. Sufflay nuk kishte futur dokumentat nga Arkivi i Barcelonës të cilat i kishin përshkruar për llogari të tij disa scribes spanjollë, dhe që ky ia kishte huazuar akademikut serb në Beograd, Jovan Radoniq, për konsultim për një studim. Ky i fundit i botoi ato në vitin 1942, pas vdekjes së M. Sufflay. M. Sufflay i kishte kërkuar me këmbëngulje që Radoniq t’ia kthente dokumentat nga arkivi i Barcelonës, e megjithatë ai i kishte mbajtur ato, edhe pse i kishte premtuar Sufflay-t se do t’ia kthente.

Zbulimet më të reja nga Arkivi Shtetëror i Dubrovnikut

Shuflaj, kishte lënë pa përfshirë këtu edhe disa dokumente nga Arkivat e Dubrovnikut dhe Kotorrit. Një gjë të tillë, e ka pohuar vetë, në një letër të zbuluar kohë më parë në Arkivin e Dubrovnikut. Në letër, e cila mban datën e 9 janarit të vitit 1931, ai kërkon t’i mundësohet studimi i dokumentave që ruhen në këtë arkiv, sepse po përgatitej të botonte vëllimin e tretë të: “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. Me këtë rast, nga vetë dora e Shuflajt, kemi një të dhënë shumë të rëndësishme, se vëllimi i tretë po pregatitej, dhe se nuk ishte shkruar akoma. Përveç kësaj letre, në Arkivin e Dubrovnikut, është zbuluar edhe proçesverbali i bërë nga arkivi për studimet që bëri Milan Shufalj atje, deri me 17 shkurt, d.m.th. një ditë para se të vritej. Ky proçesverbal, është i një rëndësie të dorës së parë, sepse aty janë shënuar me saktësi dhe pedantëri të gjitha vëllimet, dokumentat dhe dorëshkrimet që ka shfrytëzaur Shuflaj gjatë kërkimeve shkencore në këtë arkiv. Kjo, është një lehtësi e jashtëzakonshme për të bërë rikonstruimin e gjithë asaj që Shuflaj studioi dhe përshkroi për vëllimin e tretë të kryeveprës së tij “Acta Albaniae…” Gjatë punës kërkimore, M. Shuflaj kishte studiuar dokumentat deri në përfundim të vitit 1451, vit ky që llogaritej edhe si kufiri i fundit për vëllimin e tretë të veprës së tij.

Biblioteka Kombëtare Hungareze e Budapestit, “Szechenyi,”ruan një korrespondencë të Shuflajt me Thallocin dhe Jozef Bajzën për studimet e mesjetës shqiptare

Në Biblioteken Kombëtare Hungareze të Budapestit, “Szechenyi,” ruhet një letërkëmbim i Milan Shuflajt me dr. Ludvig Talocin dhe Jozef Bajzen, në një vëllim prej 219 letrash [ose 462 faqe] të pabotuar dhe të panjohura deri më sot. Këto letra trajtojnë problematikën mesjetare shqiptare; botimet e ndryshme si dhe vazhdimin e studimit dhe hulumtimit nëpër arkiva të ndryshme të Evropës. Letërkëmbimi është në gjuhën hungareze, i shkruar nga vetë Shuflaj, autograf, kryesisht me dorë, ndërsa një numër i vogël faqesh janë të daktilografuara. Ky letërkëmbim, përfshin periudhën e viteve 1908-1915. E veçanta e këtij letërkëmbimi është se aty, në mënyrë shumë të hapur, pasqyrohen qëlimet dhe planet afatgjata të Milan Shuflajt për studime të themelta në fushën e albanologjisë, duke përfshirë edhe përgatitjen e një historie 8 [tetë] vëllimshme të Shqipërisë, nga lashtësia deri te shpallja e pavarësisë, në vitin 1912. 

Qëndrimi i Milan Shuflajt në Shqipëri dhe marrëveshja për vazhdimin e studimeve 

në fushën e albanologjisë me mbretin dhe qeverinë shqiptare

Qeveria shqiptare, duke treguar respekt dhe nderim të veçantë, për shkencëtarin dhe albanologun e njohur kroat me famë botërore, e fton në fund të vitit 1930, që të vizitojë Shqipërinë. Kjo ftesë bëhet menjëherë pasi “Kaiserliche Akademie der Wissenschaften in Wien” i kishte propozuar dr. Shuflajt të vazhdojë botimin e vëllimit të tretë, të “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. I pritur me nderimet më të larta shtetërore, që nga mbreti Zog, kryeministri, ministri i kulturës dhe më në fund nga anëtarët e Parlamentit shqiptar, dr. Milan Shuflajt i njihet, dhe në një farë mënyre i shpërblehet gjithë mundi që kishte bërë në hulumtimet dhe kërkimet shkencore në fushën e albanologjisë dhe veçanërisht në studimin dhe botimin e dokumentave mesjetare të cilat deri në atë kohë pothuajse ishin të panjohura fare. I shoqëruar nga intelektualë dhe politikanë shqiptarë, studiuesi i madh kroat viziton arkiva të ndryshme kishtare, biblioteka, pika arkeologjike dhe njihet për së afërmi me kulturën dhe traditën shqiptare, për të cilën kishte shkruar aq shumë. I impresionuar nga mbishkrimet dhe dokumentat e shumta mesjetare, ai kërkon që pjesa më e madhe e tyre të fotografohen ose të përshkruhen që më vonë, kur të kthehej në Zagreb, t’i studionte me themel dhe të nxirrte konkludime të rëndësishme shkencore. Për fat të keq, një gjë të tillë nuk arriti ta bënte kurrë, sepse u vra nga dora kriminale e policisë serbe. Në mbrëmjen e 18 shkurtit të viti 1931, aty rreth orës 20, Milan Shuflajt i zihet pusi në rrugën “Dalmatinska” nr. 6, (në Zagreb) dhe goditet për vdekje. Vdiq të nesërmen, më 19 shkurt, nga plagët e rënda. Vrasësit ishin Branko Zwerger, Lubomir Bellosheviqi dhe Stevo Veçerina. Ata kishin marrë urdhër nga Beogradi që ta likuidonin dr. Shuflajn. 

Shteti shqiptar, heq të gjitha shpenzimet që do të bëheshin për botimet e “Acta Albaniae…” dhe të një historie të Shqipërisë disa-vëllimëshe

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, më 16 janar 1931, dr. Shuflaj mban një fjalim në Parlamentin shqiptar, ku në mënyrë të hollësishme elaboron punën rreth botimit të vëllimeve në vazhdim të “Acta Albaniae”, si dhe të “Historisë së Shqipërisë”. Për këtë gjë, Parlamenti shqiptar e urdhëron ministrin e arsimit që nga buxheti i shtetit të paguante në llogari të dr. Milan Shuflajt, në “Banque Commerciale de Bâle á Zurich”, shumën prej 75.000, frangash ari, që sot është e barabartë me disa miliona dollarë. Metoda e shqyrtimit shkencor, paanshmëria, korrektësia, pedantëria, analizat dhe studimet e nduarduarshme, qofshin ato paleografike, diplomatike, onomastike, toponomastike apo të tjera, edhe sot e kësaj dite janë të patejkaluara. Një gjë të tillë, ia mundësonte kultura e gjerë, njohja e gjuhëve të shumta, vullneti dhe këmbëngulja që e vërteta çdo herë të ngadhnjejë, edhe në ato raste kur ajo është në favor të të dobtëve dhe kur ajo nuk u pëlqen të fortëve. Edhepse është shkruar se dr. Milan Shuflaj nuk ka shkruar shumë, e vërteta është krejt ndryshe. Punimet dhe studimet e tij janë të shpërndara nëpër gazeta dhe revista të kohës, por edhe ato të botuara si në libra të veçantë. Ata i njohin vetëm një numër i vogël specialistësh dhe studiuesish, ndërsa masa e gjerë e lexuesve nuk kanë njohuri për ekzistencën e tyre. Sipas disa informacione të fundit, opusi krijues i Shuflajt, duke llogaritur gjithçka që ka botuar gjatë kohës që ishte gjallë, arrin në më shumë se tre mijë zëra bibliografikë.

Shuflaj paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi në mesjetë, me 

një traditë të vazhduar që nga antikiteti

Në bazë të studimeve dhe analizave të posaçme, të bëra pas hulumtimit dhe zbulimit të lëndës arkivore, Shuflaj, paraqet kulturën shqiptare në një shkallë të lartë zhvillimi gjatë periudhës së mesjetës, duke mbrojtur teorinë se kjo kulturë ishte më e afërt me Bizantin dhe Dalmatët, se sa me sllavët e ngulur në Ballkan dhe se kishte një traditë të pasur që nga kohët më të lashta. Kontributi i tij në këtë drejtim është i argumentuar dhe ka themele të forta shkencore. Në trajtimin e çështjes së ngritjes së dinastëve shqiptarë në Shqipërinë e Veriut dhe problemin e gjenezës së tyre, kontributi i dr. Shuflajt është se e zbërthen atë në atë mënyrë, që duke gjetur lidhje të ndryshme farefisnore, të gjakut apo martesore me bujarët fqinj, malazes, kroatë, grekë, maqedonas, bullgarë apo serbë, vë në pah një ndikim të caktuar në organizimin e strukturës shtetërore shqiptare dhe në institucionet e tjera që kishin një traditë të gjatë në këto treva. Krahas kësaj ai trajton edhe problemin e institucionit të notariatit, të cilin e analizon që nga zanafilla e tij nëpër qytet bregdetare shqiptare, duke tërhequr një paralele në mes zhvillimit të këtij institucioni në Italinë veriore dhe Dalmaci në njërën anë dhe në Italinë jugore dhe në trojet shqiptare në anën tjetër, studim ky, që deri tani ka mbetur i vetmi në këtë lëmi. Duke analizuar njësitë politike dhe ato territoriale-gjeografike, sipas të dhënave burimore arkivore, dr. Shuflaj e shqyrton problemin e gërshetimit të elementeve perëndimorë dhe lindorë në nomenklaturën topografike të Shqipërisë, duke tejkaluar kështu tezat e vjetëruara dhe të njëanshme gjoja “shkencore”, mbi influencën eskluzive të Perëndimit apo Lindjes në trevën e Ballkanit, duke arritur kështu në përfundim të ri shkencor, sipas të cilit në këtë hapësirë gjeografike kemi të bëjmë me influenca të gërshetuara pa ndonjë dallim të favorizuar në llogari të njërit apo tjetrit ndikim.  Prejardhjen ilire të shqipes e të shqiptarëve, Shuflaj e dëshmon me argumente shkencore ndër të tjera edhe me praninë e emrave të vendeve, krahinave dhe vëllazërive të cilat i trajton si emra ilirë, e që mund të zbërthehen me brumin gjuhësor të shqipes. Në anën tjetër shpreh mendimin se shqipja është një idiomë e ilirishtes dhe fazë e re e një të folmeje të moçme ilire, ngase shqiptarët jetojnë aty, ku në kohë të lashta kanë jetuar ilirët dhe ishin në këto treva, pa asnjë dyshim, para dyndjes së sllavëve. Edhe në studimet e tjera të dr. Milan Shuflajt bie në sy pasuria e madhe e materialit burimor faktologjik, por disi kanë mbetur anash pa u analizuar dhe shqyrtuar sa duhet, faktorët ekonomikë dhe shoqërorë dhe ndikimi i tyre. Historia e shqiptarëve është për të kryesisht historia e një etniteti etnokulturor të dalluar, me rrënjë të lashta autoktone e vazhdimësi të pandërprerë, me një aftësi të jashtëzakonshme rigjeneruese e cila paraqet thelbin autentik të historisë së Ballkanit në përgjithësi, e asaj shqiptare në veçanti. 

Kush ishte Milan von Sufflay?

Millan Shuflaj ka lindur në vitin 1879, në Lepoglavë të Kroacisë. Shkollën fillore e mbaron në vendlindje, ndërsa Gjimnazin Klasik në Zagreb, ku laureohet si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Studion shkencat shoqërore në Universitetin e Zagrebit. Doktoron në vitin 1901. Menjëherë pas doktoratës, Shuflaj i futet punës për sistematizimin, mbledhjen dhe përshkrimin e dokumentave mesjetare nga arkivet e qyteteve bregdetare dalmatinase për “Codex Diplomaticus”. Këtu ishin kontaktet e para të studiuesit të ri me lëndën e vëllimshme dhe të pahulumtuar fare, që i takonte Shqipërisë. Në vitin 1902, Shuflaj mbron me sukses provimin për profesor në shkencat ndihmëse të historisë, në Universitetin e Zagrebit. Në vitet 1902/3 specializohet në Vjenë, në Österreichische Institut für Geschichtsforschung, në fushat e paleografisë latine, diplomacisë, kronologjisë dhe notariatin, tek profesorët: O. Redlicha dhe A. Dopscha. Në këtë vit, regjistron tek prof. K. Jireçeku, “Studimet albanologjike në Kolegjin e Vjenës”, të cilat nuk ka arritur t`i përfundojë. Në vitet 1904-1908, dr. Shuflaj punon si asistent në bibliotekën kombëtare Szeczeny, të Budapestit. Këtu thellon njohuritë në fushën e ballkanologjisë dhe sidomos albanologjisë. Vendos kontakte të shumta me intelektualë dhe shkencëtarë me famë botërore, kontakte këto që do t’i shfrytëzojë më vonë, gjatë gjithë punës së tij shkencore. Në Budapest, Shuflaj botoi në revista dhe gazeta të ndryshme, një numër të madh punimesh shkencore me vlera të jashtëzakonshme. Në revistën Szazdok, boton dy punime për mesjetën kroate, ku me argumente shkencore tregon se dokumentet e Rabit të shek. XI dhe XII, për mbretin kroat Zvonimir, ishin falsifikat. Kjo gjë më vonë do t’i kushtojë shumë, sepse do të shpallet tradhtar i popullit kroat, dhe studentët e tij do t’ia bojkotojnë leksionet! Në vitin 1908, emërohet profesor i rregullt për shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Së bashku me Talocin dhe Jireçekun, në vitin 1913 dhe 1918, boton në dy vëllime kryeveprën “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”. Në vitin 1918, me kërkesën e tij pensionohet, e pastaj boton pjesën e tretë të Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar ta shkruante në tetë vëllime, me titull: “Die kirchenzustände im vortürkischen Albanien. Die ortodoxe Durchbruchszone im katolischen Damme”, për të vazhduar, pastaj në vitin 1920 me romanin me temë nga mesjeta shqiptare, “Konstantin Balsha”, të firmosur me pseudonimin Alba Limi. Në dhjetor të vitit 1920, burgoset. Dënohet me tre vjet e gjysmë burg të cilat i bën në Mitrovicën e Sremit. Në vitin 1924, boton në të përditshmen e Zagrebit, “Obzor”, romanin fantastiko-shkencor: “Na Pacifiku 2255 – metagenetički roman u četri knjige”. Po në këtë vit boton edhe: “Städte und Burgen Albaniens hauptsächlich während des Mittelalters”, dhe “Povjest sjevernih Arbansa”. Pë të botuar pastaj në vitin 1925 studimin: “Srbi i Arbanasi, njohova simbioza u srednjem vijeku”. Në vitin 1928 botoi librin me ese: “Hrvatska u svijetlu svjetske historije i politike”. Po këtë vit, emërohet profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit. Për shkak se nuk kishte pasaportë, detyrohet ta refuzojë këtë emërim. Problemet me policinë, janë pjesë përbërëse e jetës së dr. Shuflajt. Sipas disa të dhënave më të reja, të zbuluara në Arkivin Shtetëror Kroat në Zagreb, dr. Milan Shuflaj është njëri ndër shkencëtarët e rrallë në botë, që është vëzhguar në çdo hap nga policia, e jo vetëm ai, por edhe personat me të cilët kontaktonte, duke përfshirë këtu edhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe të gjërë. Një mbikqyrje e tillë ka filluar në fund të vitit 1922, gjë që mund të dëshmohet nga dokumentet arkivore. Fillimisht është vëzhguar vetëm ditën, ndërsa më vonë 24 orë pa ndërprerje. Me raportet nga mbikëqyrja, njoftohej drejtpërsëdrejti kryeministri, Petar Zhivkoviq, e më vonë pasardhësi i tij, Milorad Srshkiqi në Beograd dhe vetë mbreti, në mënyrë që të kishin parasysh veprimtarinë dhe lëvizjet e shkencëtarit të madh. Në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozon dr. Shuflajt që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të ”Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vëllimet III-V. Këtë inisiativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj që të hiqte shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme. Dr. Milan Shuflaj ftohet të vizitojë Shqipërinë. Pas shumë peripecish rreth pajisjes me pasaportë, ai arrin në Shqipëri më 12 janar të vitit 1931. Vritet nga dora e kriminelëve serbë më 18 shkurt të vitit 1931, një ditë pas kthimit nga Shqipëria, duke lënë pas shumë studime të papërfunduara, në dorëshkrim, një pjesë e mirë e të cilave ruhet në Arkivin Shtetëror të Kroacisë në Zagreb. 

Filed Under: Featured Tagged With: Musa Ahmeti

Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike

November 25, 2021 by s p

AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPERISE


Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike i organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, së bashku me institucionet e tjera (shih programin) do të zhvillojë punimet në hotel Plaza në datat 25, 26 dhe 27 nëntor. Ndërsa sot më 24 nëntor është bërë pritja e pjesëmarrësve dhe takimet e grupeve të punës në hotel Plaza, çelja e kuvendit do të bëhet më 25 nëntor në orën 9.00 në sallën Queen Geraldine, hotel “Plaza”, nga Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi. Përshëndesin Kryetarja e Kuvendit znj. Lindita Nikolla dhe drejtuesit e institucioneve të larta të vendit. Në emër të albanologëve të huaj do të përshëndesë Lucia Nadin (Itali)Gjatë zhvillimit të punimeve të këtij kuvendi do të mbahen tri seanca plenare në datat 25, 26 dhe 27 nëntor, pastaj do të vazhdohet për tri ditë resht me dy seanca paralele të pasditeve rreth katër temave themelore : histori, gjuhësi, antropologji dhe studime letrare. Nga datat 25 deri më 27 nëntor 2021 Tirana do të bëhet qendra e diskutimeve dhe e arritjeve më të fundit në fushën e shkencave albanologjike me pjesëmarrjen e emrave më të shquar të shkencave albanologjike nga vendi dhe nga bota. Kanë mbërritur sot në Tiranë albanologët më të njohur nga vende të ndryshme të Botës si Pierre Cabanes, Francë; Lucia Nadin,Itali: Jose Manuel Floristan, Spanjë; Peter Schreiner, Gjermani; Maria Tereza Morelli, Itali; Irene Sawicka, Poloni; Leonardo Maria Savoia, Itali, etjPrej vitit 1972, kohë kur u mbajt në Tiranë Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Ilire, i cili bëri një bilanc të plotë të të gjitha arritjeve që ishin shënuar deri në atë kohë në fushë të historisë së shqiptarëve, prejardhjes së tyre, të gjuhës shqipe, duke treguar vijimësinë iliro-shqiptare përmes argumenteve historikë, arkeologjikë dhe gjuhësorë, e deri më sot, gati 50 vjet më vonë nuk ka pasur një aktivitet të këtyre përmasave që e kthejnë Tiranën në qendër të studimeve albanologjike. Këtë vit, pra në vitin 2021 Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës organizojnë Kuvendin e Studimeve Albanologjike për ta ridimensionuar kuptimin dhe përmbajtjen e albanologjisë dhe disiplinave të saj :vijimësia iliro-shqiptare, shqipja si gjuhë indoeuropiane dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët motra të kësa familjeje, trashëgimia e shqiptarëve në trojet etnike do të pasurohen në këtë Kuvend edhe me vështrime nga disiplina e antropologjisë, etnomuzikës dhe përmes analizave që mbështeten në teoritë moderne e që do të hedhin një dritë të re për origjinën, gjuhën, kulturën dhe qytetërimin shqiptar në trojet e veta. Kuvendi ka komitetin organizues dhe atë shkencor si dhe ka edhe një bord nderi të cilit i prin shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare dhe mjaft personalitete të tjera shqiptare dhe të huaja. Kuvendi do t’ zhvillojë punimet në hotel Plaza. Do të mbahen tri seanca plenare në datat 25, 26 dhe 27 nëntor, pastaj do të vazhdohet për tri ditë resht me dy seanca paralele të pasditeve rreth katër temave themelore : histori, gjuhësi, antropologji dhe studime letrare. Do të referojnë rreth 182 studiues shqiptarë dhe të huaj.Një tjetër vlerë e Kuvendit është se synon të krijojë rrjetin e shkollave, qendrave dhe individëve që merren me albanologji në të gjithë botën. Do të krijojë mundësinë që albanologët e ftuar dhe organizatorët shqiptarë të dëgjojnë njëri-tjetrin. Do të qartësojë gjendjen e albanologjisë sot dhe ndryshimet që kanë ndodhur nga një kohë në tjetrën. Do të konfirmojë arritjet e albanologjisë te ne dhe do të bëjë një bilanc krahasues me albanologjinë në qendrat e tjera dhe me vetveten në të shkuarën. Do të verifikojë e rikonfirmojë tezat bazë të albanologjisë si strategji shkencore për të ardhmen.Mbështetur në ligj Akademia e Shkencave të Shqipërisë po luan rolin e saj që të drejtojë dhe të orientojë kërkimin shkencor në vendin tonë duke zgjeruar marrëdhëniet e saj dhe duke përfshirë në strukturat e saj dijetarët më të mirë shqiptarë brenda e jashtë vendit. Pas suksesit të Konferencës Ndërkombëtare të Nanoteknologjisë, Kuvendi i studimeve albanologjike shënon një hap të ri në hullinë e veprimtarive të mëparshme të këtij institucioni. Duke përbashkuar arritjet më të mira të qendrave dhe studimeve albanologjike si ato të Palermos, Kozencës, Mynihut, Regensburgut Vjenës si dhe pas viteve 1999 arritjet dhe zhvillimin e dukshëm të studimeve albanologjike në Republikën e Kosovës, dija shqiptare e albanologjisë për të vënë një kufi të qartë mes shkencës albanologjike dhe pseudoshkencës .Kuvendi i studimeve albanologjike shënon gjithashtu edhe një shkallë të re në vështrimin e dukurive të historisë, arkologjisë, gjuhësisë, antropologjisë e letërsisë sepse tani qendrat e Studimeve albanologjike të Tiranës dhe Prishtinës janë pasuruar me dijetarë të rinj që sjellin në këtë anë të dijes shqiptare teoritë moderne të vështrimit të dukurive tradicionale albanologjike.I. Komiteti organizues: Akad. Skënder Gjinushi, bashkëkryetar;Akad. Mehmet Kraja, bashkëkryetar;Prof. dr. Artan Hoxha, anëtar;Akad. Marenglen Verli, anëtar;Prof. dr. Skënder Topi, anëtar;Prof. dr. Suzana Golemi, anëtar;Akad. Eqrem Basha, anëtar;Akad. Ali Aliu, anëtar;Akad. Kujtim Shala, anëtar;Prof. dr. Lindita Rugova, anëtar;Prof. dr. Hysen Matoshi, anëtar.II. Komiteti shkencor: Akad. Pëllumb Xhufi, bashkëkryetar (ASHSH);Akad. Eqrem Basha, bashkëkryetar (ASHAK);Akad. Ethem Likaj, anëtar;Akad. Sabri Hamiti, anëtar;Akad. Kujtim Shala, anëtar;Akad. Jusuf Bajraktari, anëtar;Prof. dr. Neritan Ceka, anëtar;Prof. dr. Sabri Laçi, anëtar;Prof. dr. Valter Memisha, anëtar;Akad. Shaban Sinani, anëtar;Akad. asoc. Kristina Jorgaqi, anëtar.III. Bordi i nderit:Akad. Ismail Kadare, bashkëkryetar;Akad. Francesco Altimari, bashkëkryetar;Akad. Rexhep Ismajli, bashkëkryetar; Akad. Luan Starova, bashkëkryetar;Akad. Rexhep Qosja, bashkëkryetar;Akad. Muzafer Korkuti, anëtar;Akad. Edi Shukriu, anëtar;Akad. Peter Schreiner, anëtar;Akad. Johannes Koder, anëtar;Akad. Peter Bartl, anëtar;Akad. Titos Jochalas, anëtar;Akad. Pierre Cabannes, anëtar;Prof. dr. Brian Joseph, anëtar;Prof. dr. Alexander Rusakov, anëtar;Prof. dr. Irena Sawicka, anëtar;Prof. dr. Lucia Nadin, anëtar;Prof. dr. Petya Assenova, anëtar;Akad. Răzvan Theodorescu, anëtar;Prof. dr. Noel Malcolm, anëtar;Prof. dr. Aleksandër Meksi, anëtar;Prof. dr. Zheng Engbo, anëtar.Institucione mbështetëse:Akademia e Studimeve AlbanologjikeUniversiteti i TiranësUniversiteti i ElbasanitUniversiteti i ShkodrësUniversiteti i PrishtinësInstituti Albanologjike PrishtinëInstituti i Historisë, Prishtinë

Filed Under: Featured Tagged With: Akademia e Shkencave e Shqiprise

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT