• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

HISTORIA E SHQIPTARËVE GJATË SHEKULLIT XX

November 19, 2021 by s p

LEDIA DUSHKU/

Tre janë drejtimet kryesore, të cilat i konsideroj edhe si anë të forta të pjesës së shkruaj prej meje, njëkohësisht edhe të studimit në tërësi: qasja metodike e përmbajtësore, baza burimore; stili i shkrimit dhe i transmetimit.Nga pikëpamja metodike, pjesët janë konceptuar duke përdorur jo vetëm qasjen faktologjike, por edhe teorinë, infiltrimin e analizës me objektivitetin shkencor, metodat krahasuese dhe parimet themelore të shkrimit të historisë bashkëkohore. Ato janë organizuar në përputhje me të tre nivele analize, të cilat i shkojnë për shtat teorisë së rradhëve që vijnë e zgjerohen duke ushtruar ndikim mbi rrethin më të ulët, atë paraardhës: së pari niveli individual i vendimmarrjes, ku ndikon personaliteti, perceptimet dhe aktiviteti i aktorëve/figurave që kanë formësuar historinë e shqiptarëve; së dyti niveli shtetëror, nivel që lidhet me faktorët dhe grupet e brendshme të interesit dhe në tërësi me atë që përcaktohet si interes kombëtar dhe, së fundmi niveli sistematik, që ka të bëjë drejtpërsëdrejti me faktorët e jashtëm që në rastin konkret lidhen me politikën e Fuqive të Mëdha e në një një rrafsh më të ulët me atë të shteteve ballkanike. Qasja metodike dhe veçoritë e zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare në fillim të shek. XX, kanë qenë përcaktuese në qasjen strukturore, çka ka ndikuar që zhvillimet në botën shqiptare, të mos shihen të shkëputura por detyrimisht në ndërthurje me kontekstin ballkanik dhe zhvillimet e ndikimet e politikës së Fuqive të Mëdha. Si shembuj për të konkretizuar këtë natyrë trajtimi, mund të ndaj me ju sythet: Fillimi i Luftës së Parë Ballkanike dhe pozicionimi i shqiptarëve; Çështja shqiptare dhe Fuqitë e Adriatikut; Drejt Pavarësisë: Kuvendi Kombëtar i Vlorës dhe vendimet e tij. Në formën e radhëve koncentrikë fillimisht është analizuar situata politike në Ballkan, Lufta e Parë Ballkanike, qëndrimi dual i shqiptarëve karshi saj, politika e Fuqive të Mëdha në tërësi dhe ajo e Fuqive të Adriatikut në veçanti, për të kaluar më pas në hapin final atë të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Për herë të parë janë vendosur në një rrafsh trajtimi iniciativat e elitës politike shqiptare, fatkeqësisht të pavarura nga njëra tjetra (të Syrja e Eqrem Vlorës, të shoqërisë së Zezë për Shpëtim në Shkup dhe të Ismail Qemal Vlorës) për mbajtjen e një kuvendi kombëtar, si shenjë reagimi në kuadrin e Luftës së Parë Ballkanike. Ashtu sikurse ka ndodhur shpesh herë në historinë e Shqipërisë, rastësia i bëri bashkë të tre iniciativat, të cilat u finalizuan suksesshëm me Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Në funksion të analizës në nivelin sintetik, trajtimi i qëndrimeve të elitës politike shqiptare në marrëdhënie me fqinjët dhe Fuqitë e Mëdha, ka marrë vëmendje në pjesët e shkruara. Të tilla janë marrëdhëniet e dy aktorëve filoaustriakë Syrja dhe Eqrem Vlorës me Perandorinë Dualiste në prag të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, apo ato të Esat Pashë Toptanit me Greqinë për të siguruar mbështetje në krijimin e Pleqësisë së Shqipërisë së Mesme, këto të fundit përbëjnë një risi në një studimim kolektiv. Ato janë paraqitur me detaje dhe plotësuar me analizën përkatëse. Politika brendshme e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës është trajtuar jo vetëm në kuadrin e narrativës por edhe si një qasje teorike, që lidhet me fillesat e procesit të deosmanizimit, proces i cili ka marrë vëmendje në të tre vëllimet. Shpallja e Pavarësisë dhe themelimi i shtetit shqiptar i vendosi institucionet dhe organizimin e tyre në një realitet të ri politik, juridik dhe administrativ, të ndryshëm nga ai ku ato kishin vepruar deri në atë moment. Mendoj se nuk ishte rastësi përqëndrimi i vëmendje së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës në çështje thelbësore të qeverisjes, ku dallohet sendërtimi i sistemeve laike të centralizuara, krijimi i një force të armatosur kombëtare dhe themelimi i institucioneve qendrore ekonomike. Këto aspekte shënojnë hapa në një proces të gjatë e të mundimshëm shtetfomimi dhe deosmanizimi, nëpër të cilin do të kalonin shqiptarët. Pavarësisht nga vullneti i treguar dhe masat e marra, këto përpjekje rezultuan të parakohshme dhe ndërmarrje jo të lehta. Arsyet janë paraqitur në studim dhe ato kanë të bëjnë si me situatën politike të kohës, mungesën e unitetit të klasës politike shqiptare, prapambetjen e shoqërisë shqiptare, mungesën e një jete të organizuar mbi institucionet kombëtare, mungesën e kultivimit të shqipes si një gjuhë e shkruar, pamjaftueshmërinë e infrastrukturës materiale dhe njerëzore. Tradita dhe trashëgimia që sistemi perandorak shtetëror osman kishte krijuar në sjelljen, në të jetuarit, në ndjesinë dhe në psikologjinë e shqiptarëve, ishte e vështirë të zhdukej brenda një kohe kaq të shkurtër. Përshtatja e shqiptarëve me procesin e zëvendësimit apo të ndryshimit të traditave, ideve, sistemit të kultit, organizimit ekleziastik dhe marrëdhënia që ata do të ndërtonin me shtetin e tyre, do të ishte një proces i gjatë dhe i vështirë. Aspekti i fundit që plotëson anën përmbajtësore të pjesës së shkruar prej meje, i përket sythit “Lëvizja Vorio-Epirote” dhe tërheqja e ushtrisë greke nga Shqipëria e Jugut, pjesë e kapitullit të tretë. Evoluimi i politikës greke për të zotëruar me çdo kusht territoret e pushtuara në Shqipërinë e Jugut dhe ndikimi i politikës së Të Mëdhenjve në të është bërë në funksion të analizës së gjithë procesit nga pushtimi i këtyre territoreve deri në nënshkrimin e Protokollit të Korfuzit, në maj të 1914. Risi përbën edhe fakti se krahas qëndrimeve të faktorit politik në Shqipëri dhe Greqi, janë paraqitur e krahasuar edhe qëndrimi i opinionit publik shqiptar e grek në lidhje me të . Nga pikëpamja e bazës burimore, studimi është mbështetur në një bibliografi të pasur. Është synuar një ndërthurje e kujdesshme midis dokumentacionit shqiptar të hulumtuar në Arkivin Qendror të Republikës së Shqipërisë (AQSh) dhe Arkivin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (AMEPJ) si edhe atij të huaj ku dallohen dokumentet e arkivave austro-hungareze, franceze, britanike, italiane e greke, një pjesë e të cilëve janë shfrytëzuar imtësisht për herë të parë. Janë shfrytëzuar me kujdes literatura historike shqiptare dhe e huaj, e re dhe e vjetër në kohë, pa lënë mënjanë edhe kujtimet e protagonistëve dhe shtypit të kohës. Baza e pasur burimore përbën një premisë të qënësishme që përfundimet e studimit t’i qëndrojnë kohës.Aspekti i fundit ka të bëjë me stilin e shkrimit dhe transmetimit. Autorët dhe redaktori shkencorë ia kanë dalë ta paraqesin në tërësi studimin me një gjuhë sa të ftohtë e shkencore, po aq edhe shprehëse për aftësinë komunikuese në rrëfim dhe analizë, pa anatemuar askënd. Stili i transmetimit ndjek linjën shkak pasojë duke i dhënë qartësi dhe kuptueshmëri studimit, çka bën që ai të jetë i perceptueshëm jo vetëm për rrethet akademike, por edhe për opinionin publik të apasionuar pas historisë dhe studentët. Ledia DushkuNëntor 2021

Filed Under: Featured Tagged With: Ledia Dushku

Vetëvrasje…

November 19, 2021 by s p

Leon Mirakaj/

Shpërtheu në mëmëdhe.“Duam dënimin me vdekje”. Sa lehtë!Harrohet krimi, dhimbja e familjes, viktima e njomë.Sytë gjithë gjak të shoqërisë impotente kthehen nga vrasësi. “Në litar!”. “T’i presim kokën!”. “Ta tredhim e pastaj ta vrasim!”. Asnjë pikë refleksioni mbi çfarë ndodhi e çfarë ndodh përditë.Duam gjak.Gjithë frustrimi i jetës, i të përditshmes,dështimi i gjithë shoqërisë na kthen në atë që është më e thjeshtë për t’u bërë. Te xhelati. A thua kjo zgjidh gjithçka apo kthen në jetë djalin e shkretë?!A thua kjo e sjell prapë në gjirin e familjes së shkatërruar nga dhimbja. Vallë kjo gjë a do ndalojë krime të tjera!?Çdo reagim i familjes do qe i justifikuar. Ata i kuptoj.Shoqërinë dhe mekanizmat e saj, jo.Në fakt është ky problemi!Kjo shoqëri nuk ka mekanizma mbrojtës karshi krimit e as di ta përballojë atë për konseguencë.Nuk lexova një koment ku të thuhej: ”Ligji duhet të veprojë”. Nuk kanë besim te ligji.Tolerancë për të kuptuar pse ndodhi, në ç’ambient është rritur viktima dhe krimineli. Asfare!Në lajme ndoqa sekuenca të shtëpisë ku banonte autori i krimit. Është gati e pamundur që një qenie njerëzore e rritur e që jeton aty të mos jetë potencial krimi. Më shumë se varfëri! Mizerie!Degradim!E gjitha para syve të një shteti që duhet, pikërisht për këtë katergori, të jetë social e i kujdesshëm. Para syve të një shoqërie që bie nga retë edhe pse, mizerjen e ka dy hapa larg. Artikulime dhimbjesh e “analizë” njerëzish, gjitonësh që janë retroanalfabetë. Një tmerr i rrethuar me llum. Një llum që prodhon krim në çdo cep pallati a semafor, i gjithi i ndriçuar nga llampa e një fallciteti baresh e retorantesh, bisnesesh të ngritura mbi krim. Krim që glorifikohet kur të kalon para hundës me makina lluksoze a kur e sheh në podiume e tavolina mediash, duke dhënë mend e moral. Në të kundërt, njerëzit janë gati të çojnë në satër hallkën më dobët të sajë, më mjerane, që kapet e përdoret si: ”luftë efikase ndaj krimit nga shteti e shoqëria”.Vrasësi kishte kohë që bërtiste: ”Jam unë ai që vras e do vras. Më shpëtoni. Më fusni diku që të shpëtoj. Një çmendinë për mua. Në burg veç, më hiqni nga kjo çmendinë ku jetoj”. Po ne zgjedhim mënyrën më të thjeshtë. Mbyllim veshët. Kokën nga ana tjetër. Pastrojmë deri te lesa e shtëpisë. Plehrat e pastruara të dhomës i hedhim te rruga e të tërëve, sepse është e të tërëve pra, jo e jona. E jemi të qetë. Në fakt, jo tamam të tillë.Një cep syri e një hoje truri e mbajmë të zgjuar. Duhet patjetër të zëmë në faj dikë e veç fajin e përbashkët, atë që na bën të jemi qytetarë të përgjegjshëm për gjithçka që ndodh mes nesh, ta ndiejmë sa më larg. “U gjet krimineli. Urraaa!Ja ky është mostra. Fëlliqërsira. Plehu i shoqërisë”. Ai pleh që hedhim në rrugën e përbashkët kur pastrojmë.Për ata që duan xhelatin me sëpatë a bëjnë meme me litar nëqafë, dua t’u them:”Më gjeni një statistikë të vetme ku vrasja e një krimineli ka ulur kriminalitetin në një vend.Një të vetme.E kundërta është e vërtetë.Një shoqëri e shëndoshë, nuk lë jashtë dere askënd nga pjesëtarët e saj, nuk i fshin ata e pastaj t’i hedhë në rrugë, por është përgjegjëse për çdo veprim, sepse çdo veprim bie edhe mbi të, një shoqëri e tillë i ka të gjitha shancet të shërojë veten pa ndier instiktet ancestrale të shpellës që ta sundojnë.Nëse do mbajmë kokën mënjanë për çdo padrejtësi, sado e vogël të jetë, duke mos e parë si tonën, si të përbashkët, si pjesë të dobësisë, por edhe si mundësi për ta shëruar, do vazhdojmë pafund të prodhojmë vrasës e vrasje. Mundësitë për të qenë spektatorë të makabriteteve të tilla do jenë gjithmonë e më të mëdha. Ndërgjegjësimi i të qenit shoqëri solidariteti, bashkëpunimi, indiferenca civile e hedhur tutje, dashuria për njëri-tjetrin, mendoj se është zgjidhja e vetme.Janë pastaj, ligjet e zbatuara drejt të kësaj shoqërie që, atë që quhet krim fiziologjik ta izolojnë sipas arsyes që ligji mban në vetvete. Ligje të vëna nga qytetarë që paktin social do ta shihnin si gjënë më të shenjë. Në qiell, aty ku mendoj se ndodhet tashmë shpirti i vogëlushit të vrarë barbarisht, është Ai që do gjykojë e do e marrë pranë vetes.Këtu në tokë, jemi ne që duhet të paqtojmë shpirtrat e mendjet e munduara, të zhytura në mizerjen që së bashku krijojmë e që, vetëm së bashku mund ta largojmë.Pa sëpata, litarë e plumba. Pa fshehur dobësitë tona, duke vrarë dikë si shpagim, por t’i referohemi e të mundim të keqen veç me ndërgjegje të lartë e me ligje, që mendjet e shpirtrat e ngritura në nivele qytatarësh pra, Njerëzish të denjë, prodhojnë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Leon Mirakaj

JETA SI NJË SPROVË E MADHE…

November 18, 2021 by s p

GAZMEND AGA/

Semundjet mendore jane epidemia e ketij shekulli dhe rasti i fundit i vrasjes se 8 vjecarit eshte maja e ajsbergut. Femije e gra te dhunuara, tentativa per vetevrasje dhe sulme te papritura ndaj njerezve jane vec disa nga fatkeqesite qe po ndodhin.Ne perendim ka evidentim te ketij problemi dhe shifrat duken shume me te medha se sa vendet ne zhvillim, ku fatkeqesisht nuk eshte se eshte sh me mire, por mungon evidentimi dhe trajtimi.Njerez te mire, mos nguroni te shkoni te psikologu ne raste tronditjesh psikologjike. Nese ai ju referon te psikiatri mos kini ngurim ta ndiqni deri ne fund kurimin tuaj. Nese keni nje te aferm qe ka nevoje per kete trajtim, keshillojeni, perpiquni ta bindni qe te shkoje. Nese nuk shkon dhe shikoni qe situata po del jashte kontrollit dergojini me force policore te trajtohen.Te semurin mendor eshte e veshtire ta gjykojme vellezer dhe motra. Burgu ose psikiatria jane zgjidhjet e vetme pasi kalohen te gjitha hapat e mesiperm.Edhe fetarisht, pasi robi humbet arsyen nuk eshte me i pergjegjshem per ato qe ben. I mbetet pergjegjesia te afermeve te tij per ta trajtuar problemin.Rasti makaber ka disa fajtore;Sistemi gjyqesor qe e ka lejuar te lire, njerezit perreth nese nuk jane perpjekur ta trajtojne, si dhe institucionet vendore qe nuk e kane adresuar ne instanca te tjera.Nuk eshte e lehte ne kushtet e Shqiperise, por duhet te thyejme tabute ne lidhje me trajtimet e problemeve te shendetit mendor. Njeriu me i dobet eshte ai qe ruan me fanatizem profilin e nje njeriu te forte nderkohe qe ka probleme.Jemi te dobet dhe cdo problem qe na godet mund te lere plage shpirterore dhe psikologjike te ne.Le te shtojme adhurimin, aktivitetin fizik dhe social. Le te ushqejme shpirtin me besim, zemren me dashuri dhe trurin me lexim. Le ta ndajme dhimbjen dhe gezimin se bashku. Le te gezohemi me ate qe kemi dhe te ndihmojme ata qe s‘kane. Le ta ruajme folene familjare, institucionin e fisit, lagjes dhe komunitetit.Djali 8 vjecar eshte plage per te gjithe ne sot dhe jeta e te afermeve te tij do jete kthyer ne sprove te madhe. Zoti i dhente durim atyre dhe gjithe popullit shqiptar. Sot duhet te jemi me prane njeri tjetrit.

Filed Under: Komente Tagged With: Gazmend Aga

Ndërron jetë shkrimtari i shquar shqiptar FADIL KRAJA

November 18, 2021 by s p

Zija Vukaj/

Sot u nda nga jeta një nga përfaqësuesit më të denjë të letërsisë shqiptare, dramaturgu, poeti, romancieri dhe tregimtari Fadil Kraja. Jeta e këtij artisti të madh të artit të fjalës ishte një vazhdë e ndritur në kulturën tonë kombëtare dhe vepra e tij mbetet një trashëgimi e çmuar e vlerave tona shpirtërore. Ai e filloi rrugën e vet të krijimit si poet, për ta vazhduar si autor tregimesh e romanesh dhe për t’u kurorëzuar si një nga ikonat e dramaturgjisë shqiptare, duke u bërë një nga patriarkët e kësaj gjinie në letërsinë e kombit tonë. Vepra e tij frymëzoi breza të tërë njerëzish, shkrimtarësh e artistësh. Skenat e teatrove shqiptarë qenë dëshmitare të emocioneve, ndjenjave dhe ideve që buruan nga opusi dramatik i këtij autori me vlera të larta estetike dhe frymë të thellë kombëtare. Me kohë Fadil Kraja u bë një nga artistët më popullorë e të dashur për lexuesin dhe publikun shqiptar brenda dhe jashtë kufijve të atdheut, deri në diasporën e largët. Ikja e figurave të tilla krijon një dhimbje të natyrshme për të gjithë ata që njohën personin, veprën dhe kontributin e tij. Veprimtaria e tij krijuese shtrihet në të gjitha gjinitë, zhanret dhe llojet letrare. Kështu kemi Vëllimet poetike: “Kënga ime””Melodi malësore””Jehona malesh” Vëllimet me tregime”Kandidatja e fundit”“Ndodhitë e Nereidës””Fajin e kishte Besa”Romanet“Britma e një gruaje”“Pengu i diellit”“Balada e nënës”DramaKa shkruar mbi 50 drama dhe komedi të suksesshme të shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë, si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diasporë. Mes tyre përmenden:”Fisheku në pajë”, i cili vetem ne Shkodër u shfaq rreth 500 herë”Sinjalet e natës””Shpartallimi””Baca i Gjetajve””Gjaku i Arbërit””Djem të mbarë””Çështja e Blertës””Flamur në dasëm””Rozafa””Kur flasin zemrat””Luani i shtëpisë””Çështje familjare”“Njerëz të ditëve tona”“Mos më shkim hisen e diellit”“Jorgani”“Ditari i një mësuesi”“Dopio gjashta”,“Dy jet딓Midis dy dhimbjeve”“Surpriza”“Martesë me internet”“Nata e fundit”,Fadil Kraja ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me trupën virtuoze të aktorëve të Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, sidomos me Serafin Fankon regjisori i suksesshëm i “Fisheku në pajë”, me të cilin e bashkoi puna, gëzimet dhe emocionet, përkushtimet dhe sukseset e skenës. Veprat e tij janë luajtur nga aktorë të mrekullueshëm të skenës së teatrit të Shkodrës si Ndrekë Luca, Tinka Kurti, Ndrekë Prela, Lec Bushati, Vitore Nino, Bep Shiroka, Ymer Bala, Elez Kadrija, Rikard Ljarja, çifti Bruno Shllaku e Paskualina Gruda, si dhe shumë aktorë të trupave profesioniste të Tiranës, Korçës, Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe trupës prestigjioze të PrishtinësFadil Kraja është fitues i dhjetëra çmimeve letrare e sidomos në dramaturgji.Ai është Laureat i Çmimit të Republikës.Kontributi i tij është çmuar edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, i cili i ka dhënë titullin e lartë “Mjeshtër i madh”.Presidenti i Republikës, Ilir Meta me rastin e 70 vjetorit të themelimit të trupës profesioniste të Teatrit “Migjeni” në Shkodër, e dekoroi shkrimtarin dhe dramaturgun Fadil Kraja me Urdhrin e Kalorësit të Flamurit.Në emrin tim dhe në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shkodër u shpreh familjarëve dhe të afërmve të tij ngushëllime të sinqerta.Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij!0People reached0Engagements–Distribution scoreBoost postLikeCommentShare

Filed Under: Kronike Tagged With: Fadil Kraja, Zija Vukaj

Nje Akt Formal Dhe Domethenia e Tij Ligjore

November 18, 2021 by s p

Rafaela Prifti/

“Degët e Vatrës janë bashkim vullnetar i bazuar në interesimin e të gjithë anëtarëve si të atyre të ardhur me kohë edhe të të rinjve,” thotë anëtari i Këshillit të Vatrës dhe kryetari i Degës së Rigdewood, Bashkim Musabelliu. Nismëtarja Monda Hamitaj, anëtarët dhe kryesia e kësaj dege, e cila u formua në korrik, ishin në selinë e Vatrës të dielën për të nënshkruar marrëveshjen e pranimit me qendrën, sic përcaktohet në aktet nënkanunore të organizatës. Në një vështrim të shpejtë, aty kishte anëtarë dhe titullarë nga dega e Manhattan-it dhe Queens-it. Të ardhur nga qytete të Shqipërisë si Pogradeci, Korca, Shkodra, përpara shumë kohe ose pak viteve, ata gjeografikisht jetojnë në lagjet e një qyteti apo edhe në shtetet pranë Nju Jorkut, por në Vatër vijnë dhe mblidhen për të gjetur dicka tjetër, sepse këtu ata janë të gjithë Vatran.

Si avokat dhe si anëtar Këshilli për më shumë se një dekadë e gjysmë në Vatër, Musabelliu e sqaron dhe e vlerëson lidhjen e kontratës, ashtu sic është paraparë nga hartuesit e Kanunores për dy arsye. E para se shkeljet dhe anashkalimet statutore e dobësojnë subjekin dhe së dyti sepse vetë formalizimi është procedure që përforcon aktet nënkanunore. “Në baze të tyre, – thotë avokati Musabelliu, – “dega jonë është krijuar për llogati dhe në funksion të organizatës Vatra.”

Zyrtarimi i një dege është më shumë se një akt formal sepse konsolidon themelin ligjor të Federatës dhe nënkupton një pakt pranimi nga secili Vatran që anëtarësohet në të.

Hap pas hapi, ai e paraqet kodin procedurial të formimit të degës: “Kanunorja parashikon që komisioni nismëtar kur arrin në konkluzion se ka arritur numrin e nevojshëm dhe në përputhje me vullnetin e anëtarësisë vë në dijeni Kryetarin e Federatës dhe nëpërmjet tij gjithë kryesinë. Kur arrihet dakortësia caktohet data e formimit ku qendra dërgon përfaqësuesin e saj për të vëzhguar procesin e formimit. Kur mbledhja formuese del me sukses përfaqësuesi i qendrës raporton në qendër pra te kryetari i cili cakton datën e legalizimit të deges ku ftohen grupi nismëtar po të deshiroj dhe anëtarësia, të jenë të pranishëm në nënshkrimin e kontratës.”

Akti i nënshkrimit të pranimit në emër të Vatrës nga Kryetari Elmi Berisha shënoi njëherit edhe momentin e anëtaresimit në degën e Ridgewood të z. Bahri Borici, ish-bashkiaku i Shkodrës.

Ylli Dosku, Sekretar dhe koordinator i degës me qendrën dhe me gazetën Dielli si edhe anëtar i Këshillit të Vatrës, ndihet mirë midis atyre që ai i quan “miq vatranë”. Ai thotë se u ndje mirë të dielën për shkak të “atmosferës shumë vëllazërore” të pritjes “së degës sonë në Federatë.”

Sic parashikohet në Kanunore, dega do ketë zgjedhje cdo dy vjet dhe nuk do ketë kryetar të përhershëm. Meqë dega Ridgewood u formua në korrik por u formalizua në nëntor, Bashkimi tha se shtyrja u diktua nga rrethana jashtë kontrollit tonë; babai i tij ndërroi jetë atë muaj, në gusht shumica e anëtareve ishin me pushime, dhe kështu data e zyrtarizimit u caktua në 14 nentor,

Meqë Ridgewood është në Queens dhe ekziston dega Queens, atëhere, e pyeta se në cilën degë do duhej të drejtohej për shembull, një banor i zonës së Astoria-s. Musabelliu tha se cdo degë mbulon një territor të caktuar dhe se në fillimet e Vatrës degët emëroheshin me numra. “Dega duhet të plotësoj kriteret apo kushtet e parashtruara në Kanunore. Të tilla janë numri me 15 anëtarë dhe pranimi i programit të Vatrës,” sqaron ai. “Secili anëtar ka të drejtë të ketë dhe të shpreh lirisht mendimet e tij si dhe qëndrimin personal për cështje politike, këto janë personale. Por në fund, Dega i qëndron dhe është një me Qendrën, kur vjen fjala të mbrojtja e interesave kombëtare dhe platformën mbarëshqiptare.”

Për anëtarët e rinj por edhe ata ekzistues, kryetari i degës thotë se “emigrantët e ardhur këtu duan të shërbejnë dhe ndihen pjesë e komunitetit. Për më tepër, ata duan të kenë identitetin e tyre në diasporë. Ata bëhen pjesë e Vatrës sepse në platformën e saj gjejnë shprehjen e interesave mbarëkombëtare.”

Ridgewood është një lagje rezidenciale rreth pesë kilomentra katrore që shtrihet në territorin e Queens dhe Brooklyn, dy njësi administrative të qytetit Nju Jork, në verilindje të Amerikës.

Filed Under: Vatra Tagged With: Rafaela Prifti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT