• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

AMANTIA – QYTETI RËZELLITËS I CIVILIZIMIT TË LASHTË

November 15, 2021 by s p

Besnik Imeri

        Qyteti i lashtë i Amantias, përveç fortifikimit dhe të vendbanimit në kreshtën e kodrës në fshatin Plloçë, zotëronte edhe një territor të gjërë që nga pikëpamja gjeografike ishte mjaft i larmishëm, male, pllaja, kodra të buta, lugina dhe fusha të vogla si ajo e Brusnjes, por edhe të mëdha në pjesën fundore të luginës së Shushicës. Në këtë territor tejet të favorshëm amantët kanë ushtruar njëkohësisht bujqësinë dhe blegtorinë por edhe zejtarinë. Blegtoria, nisur edhe nga territori malor dhe kodrinor mendoj se duhet të ketë qënë në vendin e parë, kullotat verore mbi malin e Kudhësit dhe deri në Matohasanaj janë alternuar me kullotat dimërore në kodrat midis Mavrovës, Amonicës, Kaninës, si dhe vargut kodrinor që fillon në Peshkëpi deri në Selenicë. Mendohet se në mbrojtje të këtij territori kanë qënë edhe fortifikime të tjera si: Olympe, Matohasanaj, Amonica, Hadëraj, Treblova, Kanina (Thronioni), Armeni e deri tek Nymfeu, Selenica e sotme. Një përshkrim të këtij territori që zotëronin amantinën e ka bërë edhe Pjer Kabana: 

“Shtrirja territoriale e shtetit të amantëve, që përfshinte luginat e mesme të Shushicës e Vjosës dhe gjithë zonën malore që i ndan e që shkon deri në afërsi të Vlorës (Aulona antike), deri në fortesën e Matohasanajt, në kontakt me Kaoninë, i përshtatej më mirë një shteti të tipit të etnosit ose koinomit, se sa polisit. Territori i tij bashkon njëherazi toka bujqësore dhe zona të mëdha malore të përshtatshme për rritjen e gjësë së gjallë, zona verore dhe zona dimërore në kufijtë detarë.”

        Përpjekjen e parë për të lokalizuar  Amantinë e gjejmë tek vepra e Pukëvilit. Sipas tij, rrënojat e Amantisë gjinden pranë fshatit Nivicë të Kurveleshit. I një mendje me Pukëvilin është edhe V.M.Lik. Edhe ai vizitoi rrënojat e Nivicës, dhe pa atje mbeturinat e qytetit të lashtë të Amantisë. Ndërsa në fshatin Plloçë, i pari që e ka identifikuar në këtë vend, ka qënë E.Izambert: Në vitin 1861 Izamberti tregon se arriti në fshatin Plloçë, dhe se rrënojat që shihen rreth kodrës, i përkasin qytetit të Amantisë…ai shënonte muret e akropolit, prej të cilit  kishin mbetur vetëm themelet, dhe se, nën këmbët e mureve rrethues, shihen gjurmë të shumta varresh të skalitur në shkëmb. Ai kishte parë edhe një mur me 14 kontraforte, mbeturinat e qemereve të një porte dyfishe dhe 11 shkallë të një stadiumi antik…Gërmadhat e Plloçës si vend i qytetit  Amantia, i njohu edhe gjeografi Guido Kora në vitin 1875…Monumentet arkeologjike të fshatit Plloçë i vizitoi edhe K.Paçi, i cili pasi shqyrtoi edhe burimet e shkruara antike, e vendosi Amantinë në rrënojat e Plloçës…Si mbështetje për lokalizimin e Amantisë në Plloçë, shërbeu edhe kulti i përhapur i Zeusit të Dodonës, të vrejtur tek monedhat, i cili, sipas Paçit shtrihej në të gjithë anën perëndimore të gadishullit deri në Shkodër…

Gjatë Luftës së Parë Botërore, në Plloçë, erdhi edhe arkeologu B.Paçe. Ai u shpreh gjithashtu për identifikimin e Amantias në rrënojat e Plloçës, duke shtuar se midis monedhave të gjetura aty me shumicë janë monedhat e Amanties…Lokalizimin e Amantisë me rrënojat e fshatit Plloçë e ka pranuar edhe L.M.Ugolini nisur, përveç të tjerash, edhe nga gjetja vetëm në Plloçë e një numri të madh monedhash prej bronzi me legjendën AMAN – TΩN, nga zbulimi i një tok monumentesh arkeologjike, dhe, më në fund, nga ruajtja e emrit të lashtë Amantie në trajtën e sotme Amonicë, në një fshat pranë Plloçës.”

        Në mënyrë përfundimtare lokalizimin e Amantias së lashtë në kreshtat e kodrës të fshatit Plloçë e kanë bërë arkeologët shqiptarë Hasan Ceka dhe Skënder Anamali: “Më në fund, provën më të qartë, na e japin monedhat me legjendën AMAN – TΩN, të cilat në Plloçë gjinden me shumicë, kurse në qëndrat arkeologjike fqinjë, ose mungojnë ose janë të rralla.”

        Por Paçe, Ugolini (indirekt) dhe Ago Agaj hedhin dyshime se, qyteti i Amanties nuk ndodhet tek fortifikimi i kreshtës shkëmbore pranë fshatit Plloçë, por poshtë në fushë midis tri fortifikimeve: atij të Plloçës, Amonicës dhe Mavrovës. Ndjekim së pari, Ugolinin.

“Të bollshme janë mbetjet arkeologjike që gjenden në perëndim të fshatit Ploçë, në një largësi më së shumti dy orë (bëhet fjalë për ecje më këmbë ose me kalë). Në qytet (që vendasit e quajnë “gjutet”), lokalitet që gjëndet rreth një orë rrugë në perëndim të Plloçës, gjenden të shpërndara aty-këtu nëpër tokë blloqe kuadratikë, të të njëjtit tip me të cilat janë ndërtuar muret e Plloçës. Sipas gjithë gjasave, ato i përkisnin murit mbrojtës ose ndërtesave të mëdha të këtij “qyteti”. Ka blloqe të tjera të të njëjtit tip, të shpërndara nëpër tokë në qafë të Bosit (mund të jetë qafa e Buallarit), që gjendet pranë po këtij vendi. Gjithashtu në qytet, në pronat e Hazbi Nurçes gjenden shumë mbetje tullash dhe tjegullash të lashta, gjurmë të mureve me blloqe të mëdha dhe varre në formë arke me pllaka të mëdha. Pak më në perëndim, drejt përroit Brumis, në truallin e zotërinjve Sulejmani, gjenden tre tuma të mëdha, të grupuara së bashku.”

        Pra Ugolini përshkruan dy vende, të cilat janë në perëndim të Plloçës, me diferencë nga njeri tjetri larg Plloçës prej një ore. Me të drejtë na lind pyetja, se, nëqoftëse e para ishte Olympe, atëhere kjo e dyta, me diferencë një orë nga Plloça është  “Fusha e Brusnjës” në fshatin Vajzë, të cilën e përshkruan mjaft mirë Ago Agaj, duke dhënë edhe mendimin se në Brusnje duhej të ishtë Amantia e vërtetë,  ndërsa kalatë e Mavrovës (Olympes), Amonicës dhe fortifikimi në kreshtën e Plloçës ishin në mbrojtje të saj. Por nuk përjashtohet mundësia, që në rastin e dytë, Ugolinimund ta kishte fjalën për kalanë e Amonicës. Për lokalizimin e tij duhen identifikuar personat dhe pronat e tyre, që përmend Ugolini.

       Ndjekim Agon: “Rrëzën e fushës së Brusnjes, në fshatin Ploçë, populli e quante “rrëza e Qytetit”, duke nënkuptuar se dikur aty mund të kishte qënë një qytet i vjetër dhe i famshëm. Këto tri kala, të Ploçës, të Amonicës dhe të Mavrovës përbëjnë një zinxhir mbrojtës të qytetit të “Fushë Brusnjes”, e cila ndodhet në mes dhe e ruajtur mirë nga çdo anë dhe ku duhet të ketë qënë Amantia e Vjetër…Aty është gjetur një unazë floriri e trashë me gur të kuq të errët, në të cilën ishte gdhendur me një zotësi të pashoqe një grua me hushtë dhe kandar në duar (Perëndesha e Drejtësisë Mat)…”

          QYTETËRIMI I AMANTIES

        Hasan Ceka, babai i arkeologjisë shqiptare dhe Skënder Anamali, një nga katërshtyllat e kësaj godine madhështore, tregojnë se Amantia u bë qytet i zhvilluar në shek. të IV p.e.s.: “Një dëshmi…japin monedhat e gjetura në Plloçë të cilat i përkasin shek. IV p.e.sonë. Midis tyre më të shumta janë monedhat e Dyrrahut, Korkyrës, Korinthit, Epirit dhe maqedonisë…Në fund të shek. IV Amantia filloi të kishte marrëdhënie tregtare edhe me Apulinë…”       

        Duhet të themi se, sipas arkeologëve Luigi Maria Ugolini, Izambert, B.Paçe, K.Paç dhe  drejtuesve të ekspeditës arkeologjike të saj, Hasan Ceka dhe Skënder Anamali, Amantia ka qënë një qytet i zhvilluar, pasi në të janë zbuluar monumente të rëndësishme arkeologjike si: mbetjet e një tempulli, stadiumi, mure madhështore, objekte arqitektonike, shtatore, relieve, mbishkrime në gur, ndërtesa, gjimnazi, dhe, si një gjë e rrallë, varret monumentale, një ekonomi dhe tregti e zhvilluar deri tek prerja e monedhave, një demokraci e zhvilluar dhe struktura shtetërore moderne për kohën, një jetë e pasur shpirtërore dhe një adhurimi i veçantë i perëndive pellazge të Dodonës dhe Olimpit, sidomos të kryeperëndisë së tij, Zeusit, dhe Afroditës etj; ku sipas Ugolinit Amantia duhet të ishte i rëndësishëm me një zhvillim të madh dhe i lulëzuar, i pajisur me shtatore, i pasur me ndërtesa të zbukuruara me mermer të gdhendur, si dhe i veçantë ndër qytetet e Ilirisë dhe Epirit.

       B.Paçe ka kumtuar për një mbishkrim dhe për një reliev të gjetur në Plloçë, si dhe për teprica muresh me  teknikë shumë primitive…Muret që rrethojnë kreshtën e kodrës ku ndodhet qyteti antik i Amantias, me një gjatësi të përgjithshme prej rreth 2100 m vendosin brenda tyre një sipërfaqe prej 18 ha. Muret kanë një trashësi nga 1.8 deri në 3 m dhe janë të tre tipeve: poligonal, trapezoidal dhe kuadratik izodomik. Fortifikimi ka pasur pesë porta, kullat janë të rralla dhe duhet të jenë ndërtuar në kohë të vonshme në periudhën e lulëzimit të këtij qyteti në shek. III dhe të II p.e.s. Dallues dhe veçori e mureve të këtij fortifikimi janë  kontrafortet, që në pjesën perëndimore të tij në bashkëpunim me kullat shoqërojnë një portë kryesore të hyrjes në qytet. Qyteti duhet të ketë pasur katër porta.

         Akropoli, si të gjithë sivllezërit e tij në qytetet e Epirit dhe Ilirisë, është ngritur në fillimet e jetës së vendbanimit apo qytetit, muret e tij, në pjesë të veçanta, janë ngritur me blloqe gurësh të mëdhenj të përmasave 2.60 m x 1.75 m x 0.90 m. Në to mungojnë kullat, ndërsa porta në pjesën juglindore është e veçantë me portikë dhe harqe zbukurues. Nëpërmjet një qafe, që ndodhet në rrëzë të kreshtës së tij, në pjesën jugperëndimore të tij, akropoli lidhet me një tempull të lashtë, i verifikuar si tempulli i Afroditës, dhe në kohë të mëvonshme, edhe me stadiumin dhe gjimnazin në pjesën lindore të tij.

        Luigi Maria Ugolini në librin e vet “Shqipëria e Lashtë” për qytetërimin dhe lulëzimin e Amanties pohon: “Grupi i rrënojave të lashta…tregon se qyteti të cilit ato i përkasin (Amanties) duhet të ishte i rëndësishëm. Një hamendësim i tillë merr peshë nëse gjykohet që qyteti ishte i lulëzuar, i pajisur me shtatore, i pasur me ndërtesa të zbukuruara me mermer të gdhendur, dhe pse larg qëndrave me përhapje më të madhe kulturore, nën ndikimin e të cilave ai jetonte: Athina, Roma dhe, më vonë, Bizanti. Prandaj tek unë lindi menjëherë dëshira për të ditur, se cilit prej qyteteve të lashta…mund t’i përkisnin ato rrënoja që unë i kam kundruar me admirim…arrita në përfundimin se ato duhet t’i përkisnin qytetit të lashtë të Amantias, kujtimet historike të të cilit i kemi tek Cezari në lidhje me luftën civile, por edhe tek Ciceroni.”

  1. Muret e qytetit

        Për të pasqyruar këtë qytetërim të Amanties, nuk mund të mos e fillojmë nga muret madhështore të saj. Përsa këtë po i drejtohemi një prej shtyllave të arkeologjisë shqiptare, eksploruesit të saj, Skënder Anamalit, i cili në Kuvendin e I-rë të Studimeve Ilire, shtator 1972, nëpërmjet fakteve, pa e përmendur shprehimisht, hedh dritë mbi origjinën pellazgjike të këtij fortifikimi kaon. Ai na thotë se, akropoli i Amanties ka blloqe gurësh me përmasa: 2.60 m X 1.75 m X 0.90 m, dhe në vijim: “E.Izamberti për muret e akropolit të Amanties shkruante (më 1861) se nuk kanë mbetur – veçse themelet, pjesërisht helenike ose maqedone dhe pjesërisht nga juglindja prej gurësh të mëdhenj çiklopikë të vënë mbi shkëmbin e prerë -…B.Paçe u mjaftua të shkruajë në lidhje me muret e akropolit, se maja shkëmbore e Plloçës kurorëzohej me mbeturina muresh të një teknike shumë të vrazhdë…botanisti A.Baldaçi i vizitoi rrënojat e lashta të Plloçës. Dy herë, në vitet 1892 e 1894, ai u ndal në “shkëmbin e madh mbi të cilin ngrihen nga ato rrënime të ashtuquajtura pellazgjike…

IMG_20210926_112056

Trakt muri pellazgjik. Amantia-Vlorë. (Foto.Shtator 2021)

         …Nga akropoli i Amanties është ruajtur një copë mur që është, një shembull shumë i bukur i përdorimit të blloqeve poligonalë: shkëmbi, dhe muri sipër tij, formojnë një tërësi monolite. Mbi shkëmbin e skalitur me faqe të sheshuara janë vendosur blloqe gurësh poligonalë, me përmasa mesatate të puthitura mirë. Janë ruajtur tetë rradhë gurësh. Muri zgjatet këtu rreth 28 m. dhe ka një lartësi të ruajtur prej 8 m. Në këtë pjesë muri është ruajtur dhe një lug për kullimin e ujrave, i punuar në një bllok të vogël, i cili del pak jashtë. Kësaj faqeje muri i përket edhe një copë mur ku janë të përdorura me mjeshtëri, blloqe gurësh trapezoidalë…Lidhja e murit me shkëmbin këtu është bërë, duke sheshuar faqen e sipërme të këtij të fundit (shih foton më poshtë)…

Description: Image result for images for amantia antike

Trakt muri poligonal. Amantia-Vlorë

Në skajin perëndimor të kësaj faqeje, në disa pjesë të murit janë ruajtur disa blloqe gurësh të mëdhenj: Një blok është 2.30 m i gjatë, 1.25m i gjerë dhe 0.88 m i trashë; një tjetër është 2.60 m i gjatë, 1.75 m i gjerë dhe 0.90 m i trashë…Ajo që bie në sy gjatë gjurmimit dhe studimit të mureve të akropolit të Amanties, është në përgjithësi, uniteti i tyre. Pavarësisht nga trajta e blloqeve paralelopipedi, poligonalë apo trapezoidalë, muri ka qënë ngritur në një kohë dhe ndërtuar me të njëjtën teknikë. Këta janë po ata ndërtues vendas që punuan edhe në ndërtimet e tjera të qytetit të tyre…

Në Amantie kemi teknikën e zakonshme të përdorur në përgjithësi, në ndërtimin e mureve në qytete e kalatë ilire, duke filluar nga shek. IV p.e.s.” 

Description: Skeda:Paloeochristian Basilica and the Temple of Aphrodite. Amantia,  Albania 01.jpg - Wikipedia

  Rrënojat e tempullit të Afërditës në Amantia.

         Arkeologu Skënder Anamali e vendos, përfundimisht, kohën e ndërtimit të kalasë së Amanties në  shek. e IV p.e.s. Pra, në antikitet, duke mos i lënë asnjë mundësi mureve të akropolit për një periudhë më të hershme të ndërtimit të tyre. Madje, çuditërisht, të gjitha muret e këtij fortifikimi i vendos në të njëjtën periudhë kohore ndërtimi. Gjë që duket pak e pamundur. Por ai me guxim thotë, se këtë fortifikim, këto mure, godina banimi dhe publike, stadiumin me gjimnazin, si dhe objektet e kultit, i kanë ngritur dhe ndërtuar vendasit.

          Me fjalë të tjera, Izamberti, Baldaçi pohojnë drejtëpërsëdrejti se, akropolin e Amanties e kanë ndërtuar pellazgët, ndërsa B.Paçe duke folur për për teprica muresh me  teknikë shumë primitive, le të kuptohet se ato kanë qënë mure pellazgjikë. Në të njëjtën kohë, Anamali na tregon se, Ugolini dhe K.Paçi i janë shmangur mureve të lashta të akropolit të Amanties. Ata-thotë Anamali-nuk i përshkruajnë muret rrethuese, të cilat kalojnë përqark majës shkëmbore të Ploçës, dhe që ruhen mjaft mirë në pika të ndryshme. Gjithashtu, as edhe monumentet, të cilat para tyre i kishte njoftuar E.Izamberti.

Ndjekim Anamalin: 

“Monumentet arkeologjike të fshatit Plloçë i studioi edhe Karl Paçi (Patch), i cili mbasi i shqyrtoi edhe burimet e shkruara antike e vendosi Amantinë në rrënojat e Plloçës…Është interesante të thuhet se arkeologët, që erdhën në këtë fshat, Paçi e të tjerë, nuk i përshkruajnë muret rrethues të cilët kalojnë përqark majës shkëmbore të Plloçës dhe që ruhen mjaft mirë në pika të ndryshme, as edhe monumentet të cilat, para tyre i kishte sinjalizuar E.Izamberti. K.Paçi dhe më vonë Ugolini u tërhoqën më tepër pas monumenteve të shpërndara në fshat, nëpër shtëpitë dhe oborret. K.Paçi duke gjetur në Plloçë monumente të ndryshme arkeologjike, skulptura, mbishkrime, etj…”

        Në plotësim të këtij konstatimi të Anamalit japim një përshkrim të Ugolinit (i bërë në vitin 1924) për rrënojat e Amanties: 

“Fshati i sotëm (i Plloçës) është në pjesën më të madhe i mbyllur në perimetrin e mureve të epokës greko-romake, të cilat, të përbëra prej paralelopidë gëlqerorë në përmasa më të mëdha apo më të vogla, mbronin qytetin e lashtë, ose më mirë akropolin, që gjendet mbi majën e rrëpirtë të kodrës. Brenda në fshat gjenden dendur rrënojat e qytetit të lashtë. Mund të thuhet se çdo shtëpizë ruan në muret e jashtëme copa skulpturore të lashta, që vihen si zbukurim i shtëpisë, sipas një zakoni mjaft të përhapur në Shqipërinë Jugore. Kam parë trungje shtatoresh, disa edhe me punim të kënaqshëm apo të mirë; stela me paraqitje figurative; voluta kapitelesh; friza të hijshëm me gjethe palmash ose me dredhka akanti; motive të tjera arkitekturore, etj.”

        Nga përshkrimi i mësipërm i Ugolinit mësojmë: Së pari, për kohën e ndërtimit të mureve të qytetit, siç i quan Ugolini, të periudhës greko-romake, gjë që është e vërtetë, pasi në këtë periudhë (helenistike) midis shekujve të IV dhe të III p.e.s qyteti i Amanties u zhvillua dhe lulëzoi. Vetë tipi, përmasat dhe teknika e ndërtimit të mureve të këtij qyteti i përkasin kësaj periudhe. Por këtu duhen përjashtuar trakte të veçanta të blloqeve të gurëve të mureve të akropolit, të cilat i përkasin një periudhe mjaft më të hershme, asaj pellazgjike, gjë që Ugolini nuk e përmend. Së dyti, për një masakër arkitekturore të objekteve arkeologjike të vendosura në mure shtëpish, ku nuk përjashtohet mundësia edhe e dëmtimit të tyre. Ne mund të pyesim, se ku ndodhen sot këto objekte: janë dëmtuar apo janë grabitur?!

        Ne shtrojmë edhe pyetjen tjetër: Përse nuk kanë dashur ata (Paçi dhe Ugolini) të flasin për muret e lashta të akropolit? Apo ndoshta ju shmangën, pasi ato mund t’ju imponoheshin që të arrinin në  përfundimin (e padëshirueshëm) mbi origjinën pellazgjike të këtyre mureve?!! Apo ndoshta, ‘të babëzitur’ për të marrë ose për të blerë objekte arkeologjike, skulptura, shtatore, mbishkrime, etj, nuk u ra ndër ment të vrojtonin muret e akropolit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Besnik Imeri

Në Kosovë 38 komunat zgjodhën kryetarët, 21 në balotazh të dielën e 14 Nëntorit 2021

November 15, 2021 by s p

-Në Zgjedhjet Lokale 2021 të dielën e 14 Nëntorit në 21 nga gjithësej 38 komunat e Kosovës u votua  në balotazh-raundin e dytë për zgjedhjen e kryetarëve, pasi të dielën e 17 Tetorit 2021 në garën per kryetarë vetëm në 17 komuna u përcaktuan fituesit që në raundin e parë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 15 Nëntor 2021/ Të dielën e 14 Nëntorit 2021 në 21 nga gjithësej 38 komunat e Kosovës u votua  për zgjedhjen e kryetarëve në balotazhin – raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, pas votimeve të dielën e 17 Tetorit 2021,  kur në 17 komuna u përcaktuan fituesit që në raundin e parë.

Votimet e balotazhit për 21 kryetarë komunash u zhvilluan në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Vushtrri, Podujevë, Gllogoc, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Shtime, Viti, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot.

Në votimet e balotazhit Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi në 5 komuna – rikthehet me kryetar në komunën e kryeqytetit Prishtinë, me fitoren e kandidatit të saj Përparim Rama, përballë Arben Vitisë – kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje – partiisë që qeverisë Kosovën, e cila në asnjë komunë nuk arriti rezultatin mbi 50% të votave që e kishte në zgjedhjet parlamentare të 14 Shkurtit 2021, prandaj në asnjë komunë kandidatët e saj nuk u zgjodhën kryetarë që në raundin e parë.

Kandidatët tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës që fituan balotazhin janë: Ilir Ferati në Istog, Burim Berisha në Fushë Kosovë, Ruzhdi Shehu në Junik, Sokol Haliti në Viti.

Në balotazhin për kryetarë 5 komuna i fitoi edhe Partia Demokratike e Kosovës: Në Prizren me Shaqir Totajn, në Vushtrri me Ferit Idrizin, në Gllogoc me Ramiz Lladrovcin, në Dragash me Shaban Shabanin, në Kaçanik me Besim Ilazin.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar në 4 komuna: Në Gjilan me Alban Hysenin, në Podujevë me Shpejtim Bulliqin, në Kamenicë me Kadri Rahimajn, në Shtime me Qemajl Aliun. 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës fitoi garën e balotazhit për kryetarë në 3 komuna: Në Gjakovë me Ardian Gjinin,  në Klinë me Zenun Elezajn dhe në Rahovec me Smajl Latifin.

Nisma Social Demokrate fitoi në 1 komunë: Në Malishevë me Ekrem Kastratin.

Iniciativa Qytetare për Obiliqin fitoi garën në komunën e Obiliqit me kandidatin Xhafer Gashi.

Në Mamushë komunën e vetme të Kosovës të banuar me shumicë nga komuniteti turk fitoi partia e këtij komuniteti KDTP  me kandidatin Abdulhadi Krasniq.

Në komunën e Kllokotit garën e raundit të dytë e fitoi kandidati Vladan Bogdanoviç  nga Lista Serbe, e cila në raundin e parë fitoi edhe në 9 komunat tjera me shumicë serbe të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet preliminare të balotazhit pas votimeve me pjesëmarrje 37,85% të qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa ende nuk janë numëruar votat me kusht dhe të ardhura me postë nga diaspora.

Në 17 Tetor – raundin e parë të zgjedhjeve lokale Partia Demokratike e Kosovës ka fituar garën për kryetarë në 4 komuna: Në Mitrovicën e Jugut me Bedri Hamzën, në Ferizaj me Agim Aliun, në Skenderaj me Fadil Nurën, në Hanin e Elezit me Mehmet Ballazin.

Në raundin e parë  kryetarë komunash janë zgjedhur 2 kandidatë të Lidhjes Demokratike e Kosovës: Gazmend Mahaxheri në Pejë dhe Imri Ahmeti në Lipjan.

Poashtu në  2 komuna fitoi garën për kryetarë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës: Në Suharekë me Bali Muharremajn dhe në Deçan me Bashkim Ramosajn.

Zgjedhjet Lokale 2021 në Kosovë janë të tetat në liri – pas hyrjes shpëtimtare të forcës më të madhe ushtarake planetare – NATO-s prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Qershorin e vitit 1999.

Në Kosovën e lirë zgjedhjet e para për pushtetin lokal janë mbajtur në 28 Tetor të vitit 2000.

Zgjedhjet lokale të 15 Nëntorit 2009 ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurtin historik 2008.

Nga gjithësej 38 komunat e Republikës së Kosovës 27 janë me shumicë shqiptare dhe më e madhja është e kryeqytetit, Prishtinës.

Ndërsa, 10 komuna, kryesisht nga më të voglat, janë me shumicë serbe,  5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit special të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.

Një komunë – Mamusha është e banuar me shumicë nga komuniteti turk, që është një nga minoritetet tjera në Kosovë. 

Në zgjedhjet lokale të 17 Tetorit në Kosovë garonin  32  parti politike, 1 koalicion zgjedhor, 33 iniciativa qytetare, 23 kandidatë të pavarur.

Numri i kandidatëve për kryetarë të komunave ishte 166 (meshkuj 152, femra 14). Numri i kandidatëve për kuvende komunale ishte 5 198 (meshkuj 3 261, femra 1 937), ndërsa numri i përgjithshëm i ulsëve në kuvende komunale është 1 002. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar ishte 5 364  (meshkuj 3 413, femra 1 951).

Lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila  është shpërndarë në vendvotime në ditën e zgjedhjeve më 17 Tetor, përmbante 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën në 14 Shkurt 2021.

 Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë: 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.

Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.

Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen në regjistrim edhe të serbëve në Kosovën veriore. Në Mitrovicën e veriut dhe tre komunat tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan serbët kanë refuzuar regjistrimin e popullsisë.

Në 4 komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe e ku ka edhe lagje e fshatra shqiptare për zgjedhjet lokale të 17 Tetorit 2021 numri në listën e qytetarëve me të drejtë vote për Mitrovicën e veriut ishte 17 721, për Leposaviçin 12 707, për Zveçanin 6 879 dhe për Zubin Potokun  6 443.

Filed Under: Politike

“XHUBLETA PASAPORTË E IDENTITETIT KULTUROR KOMBËTAR”

November 15, 2021 by s p

Mbresa nga simpoziumi shkencor; Shoqata kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” godet përsësi.


Nga Ramazan Çeka/


Në ambientet e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër u zhvillua simpoziumi kulturoro – shkencor i shumë munguar me temë: “Xhubleta pasaportë e identitetit kulturor kombëtar”, organizar nga Shoqata Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare”, i cili u vlerësua si një organizim sa dinjitoz aq edhe institucional deri në përfeksion, që nga impakti i parë e deri në përshëndetjen e fundit, aq sa me plot gojë mund të thuet se arriti të sfidojë edhe vetë institucionet përkatëse, që nga ato vendore e deri tek ato më të larta shtetërore, të cilat edhe pse ishin të ftuara, ra në sy mungesa e tyre. Në këtë simpozium morën pjesë, studiues, etnolog, përfaqsues institucionesh dhe dashamirës të kësaj pasurie me vlera unike në botë. Të pranishme ishin edhe mediat lokale e jo vetëm, të cilat e transmetuan aktivitetin për opinionin publik si një arritje dhe sukses i përmasave kombëtare. Serioziteti i këtij aktiviteti u reflekta në programin e ngjeshur sa shkencor aq edhe artistik, të përgaditura me një kujdes të veçantë nga kryetarja e Shoqatës Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” znj. Rita Shkurtaj në bashkëpunim me Drejtoreshën e Biblotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër, znj. Valbona Bërdica, e cila mbajti edhe fjalën përshëndetëse të shoqëruar me një punë kërkimore rreth xhubletës me fakte e referenca sa kulturore aq shkencore, të përshtatura për tematikën kuptimplotë mbi këtë pasuri kombëtare. Në vazhdim për të pranishmit u shfaq dokumentari me të njëjtin titull “Xhubleta pasaportë e identitetit kulturor kombëtar”, i cili përcolli një mesazh mjaft domethënës dhe shumë konkret, si një përgjigje e saktë për të gjitha pikpyetjet pse xhubleta duhet të vlerësohet si pasaportë identiteti kulturor kombëtar. Të pranishmit i përshëndeti Kryetarja e Shoqatës “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” znj. Rita Shkurtaj, e cila në fjalën e saj tha: “Të nderuar pjesmarrës, të nderuar përfaqsues të institucioneve shtetërore dhe përkatsive vendore, të nderuar studiues, etnologë dhe ju dashamirës të xhubletës, mirë se keni ardhur! Në emër të shoqatës kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” dua të falenderoj secilin prej jush këtu të pranishëm, për nderimin dhe vlerësimin e kësaj pasurie të përbashkët kulturore me vlera tejet të mëdha shpirtërore. Gjej rastin t’i shpreh mirënjohje të plotë Universitetit “Luigj Gurakuqi” për mbështetjen dhe veçanarisht Drejtoreshës së Biblotekës znj. Valbona Bërdica, për bashkëpunimin më shumë se institucional në realizimin e këtij simpoziumi kulturoro – shkencor.
“Xhubleta pasaportë e identitetit kulturor kombëtar”. Pse kjo temë?
Siç u pasqyrua edhe nga dokumentari xhubleta në vetvete është identitet për ata që e mbartin. Është vlerë për të gjithë ne që e kemi. Është kulturë dhe obligim që secili prej nesh ta vlersojmë. Është dinjiteti i të parëve tanë, ndaj ta nderojmë, dhe ta mbrojmë pasi ajo është një detyrë që na përket të gjithëve”. Qëllimi i këtij simpoziumi ishte jo vetëm vlerësimi fiziko kulturor i xhubletës, por edhe nxitja për një bashkëpunim ndërkrahinor në ruajtjen dhe kultivimin e kësaj veshje tek brezat e rinj, si dhe ndërgjegjsimi institucional si një thirrje emergjente, për të ringjallur tekniken e të punuarit të kësaj veshje, krijimin e grupeve folklorike, si dhe ndërmarrjen e një sërë aktivitetesh artistike me fokus xhubleten, si e vetmja mënyrë për ta mbrojtur këtë veshje nga asimilimi i pa mëshirshëm kulturor, nga ku do të krijohen edhe ura rezistente për nxitjen e turizmit kulturor. Ky simpozium ka edhe një tjetër detyrë sa humane aq edhe institucionale, duke filluar nga vetë shoqata, e cila tashmë është e veshur me petkun juridik, e deri tek institucionet më të larta shtetërore të që ta mbrojmë këtë veshje nga cilido që guxon ta tjetërsojë, të abuzojë apo ta shpërfytyroi për përfitime personale origjinalitetin e saj në opinionin publik. Ne sot jemi të vetëdishëm që disponojmë pasuri shpirtërore që bota na e ka zili; si gjuha, flamuri, historia, kultura, ku secila prej tyre është e skalitur mbi xhubleten, ndaj le t’i tregojmë edhe Botës çfarë përfaqson kjo veshje për ne. Çdo kumtese e shkruar me mëndje dhe e peshuar me zemrat e pjesëmarrësve të paraqitura në këtë simpozium, një pjesë e të cilave u demostrua, janë padyshim një shërbim ndaj etnokulturës shqiptare, ku do të përmblidhen në një libër të shkruar, i cili së shpejti do vijë në dorë të lexuesit, si një manual vlerash për xhubleten dhe dukuritë fiziko shpirtërore të saj. Në vazhdim kryetarja znj. Rita Shkurtaj, në emër të shoqatës falenderoi të pranishmit, si dhe ata të cilët bashkë financuan për realizimin e këtij simpoziumi, që me dëshirën e tyre mbeten anonim, me urimin “paçin të gjithë bekimin që nënlokia me xhubletë jepte për bijt e vet”. Në vijim, në mungesë të përfaqsuesve të Bashkisë Shkodër për të pranishmit iu dha fjala studiuesit Prelë Milani, për të folur për xhubletën pultake që kjo bashki ka në juridiksion. Një kumtesë mjaft e arrirë për nga ana shkencore e qartësuar me detaje e të dhëna krahasuese, nëpërmjet të cilave sipas tij identifikohet kjo tipologji xhublete. Ajo që e bëri akoma më dinjitoz këtë sipozium, ishte gërshetimi i pamjeve filmike në monitor, duke i bërë kumtesat edhe më konkrete nën kujdesin e montazhierit të talentuar Armando Rrustemi, si dhe një program i shkurtër artistik, ku për të pranishmit performoi me lahutë rapsodi malsor Pretash Nilaj këngën: “Lahuta e Malsisë”,e cila mori mjaft duartrokitje. Me shumë interes u mirprit dhe kumtesa e përfaqësuesit të Komunës së Tuzit dhe Malësisë së Madhe nën Malin e Zi, i ardhur enkas nga Amerika e largët Prof. Gjon Frani Ivezaj, i cili atë dashamirsinë dhe krenarinë e tij si bir i xhubletës e shprehte me një vlerësim dhe respekt maksimal. Pastaj kumtesa e rradhës ishte ajo e përfaqësuesit të Bashkisë Pukë z.Alban Doçaj, i cili solli në vëmëndje vlerat dhe veçoritë e tipologjisë së xhubletës së Pukës të zbërthyer deri edhe me detaje. Për të kuptuar peshën dhe karakterin shpirtëror e zakonor të xhubletës, me shumë ndjenjë u recitua nga Fatjona Gjerkaj, poezia e Hilë Mosit “Hotjanja”. Pastaj programi vahdoi me një përshëndetje nga përfaqësuesi i Bashkisë Lezhë z.Renaldo Xhani. Vallja e logut interpretuar nga grupi artistik “Jehona e Kelmemit” ishte edhe përshëndetja që mbushi me entuziazëm dhe kënaqsi të pranishmit, nën interpretimin me çifteli të rapsodit kelmendas z.Pretash Nilaj. Aktiviteti u mbyll me një kokteil tepër bujar, plot art e shije, të përgatitur nga punishtja “Goja Goditëse” Shkodër, ku u dha mundësi të pranishmëve të shkëmbejnë biseda dhe të pozojnë foto me njëri-tjetrin, si kujtime të një dite të paharruar nga ky aktivitet.
Nëntor 2021

Filed Under: Kulture Tagged With: Ramazan Ceka

Prof. Dr. Rifat Frashëri ( 1862 – 15 NENTOR 1934)“Ministri” i pare i Shendetesise se shtetit shqiptar

November 15, 2021 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Prof. Dr. Rifat Frashëri, mikrobiolog e virolog i shquar bashkautor me kolegë të Institutit Paster në Paris, i disa zbulimeve të rëndësishme për shëndetësinë botërore në fushën e virologjisë dhe të vaksinave, sidomos kundër epidemive të Lisë dhe të Tërbimit.Në Kongresin e Lushnjës më 23 janar 1920, Prof. Dr. Rifat Frashëri u emërua në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Shëndetësisë shqiptare (pararendëse kjo e një ministrie të mirëfilltë shendetesie). Ai njihet si shkencëtar dhe akademik me emër në Europë, në Universitetet turke e franceze. Ishte patriot i shquar, mik dhe i afërt me vëllezërit Frashëri. Vdiq në Shqipëri, 87 vjet me pare, me 15 nëntor 1934.Prof. Dr. Rifat Frashëri lindi në vitin 1862, rridhte nga frashërllinjtë e shquar të Dangëllisë Përmetit. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin në Gallatasaray dhe fakultetin e Mjekësisë të Stambollit në vitin 1888 u emërua mjek në spitalin ushtarak të Shkodrës, ku punoi deri në vitin 1897 dhe tregoi aftësi të mëdha profesionale gjatë epidemisë së lisë në Tuz.Mendohet që në vitin 1897 ai u kthye si mikrobiolog në Institutin Bakteriologjik të Stambollit ku, bashkëpunoi me bakteriologun francez Maurice Nicolle, specialist në “Pasteur Institute”, për prodhimin e vaksinës kundër lisë. Në vitin 1899 emërohet nëndrejtor e pas disa vjetësh drejtor i Institutit Bakteriologjik të Stambollit, kryeqytet e Perandorisë Osmane.Pikërisht në këtë kohë, një punë e thellë studimore dhe një bashkëpunim i frytshëm me bakteriologun francez Prof. Paul Remlinger i shpuri ata në një nga zbulimet më të mëdha të mikrobiologjisë dhe mjekësisë botërore të kohës, në zbulimin se tërbimi në kafshë e njerëz shkaktohej nga një “virus filtrues”, një zbulim që e bëri emrin e tij të pavdekshëm në historinë e mjekësisë dhe mikrobiologjisë botërore.Zbulimin e tyre ata e njoftuan në një mbledhje të Shoqatës së biologjisë (Societe de biologie) në Paris dhe e botuan në vitin 1903, në “Aktet” e kësaj shoqate. Pas shpikjes së parë shkencëtari shqiptar Rifat Frashri u emërua profesor në Universitetin e Stambollit.Në vitin 1903, vetëm 5 vjet pas zbulimit të te parit virus, shkaktar të një sëmundjeje infektive te kafshët (virusi i aftës epizootike) nga Friedrich Loeffler dhe Paul Frosch dhe tre vjet pas zbulimit të virusit të etheve të verdha, në Institutin Bakteriologjik të Stambollit Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger zbuluan të parin virus që shkaktonte sëmundje në njerëz e në kafshë, virusi i tërbimit.Zbulimi ishte rezultat i një kërkimi të planifikuar për të vërtetuar një hipotezë paraprake të zbuluesve (mbi mundësinë e ekzistencës së një shkaktari të tillë), që u ngrit duke u bazuar në faktin që deri në atë kohë kësaj sëmundjeje të studiuar relativisht mirë nga pikëpamja klinike, anatomopatologjike, mikrobiologjike dhe imunologjike, nuk kishte qenë e mundur t’i gjendej shkaktari.Zbulimi nxiti kërkime intensive edhe për gjetjen e shkaktarëve të tjerë viralë të sëmundjeve infektive të njeriut. Zbuluesit Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger krahas Walter Reed etj, hodhën themelet e virologjisë mjekësore. Zbulimi u krye në Institutin Bakteriologjik të Stambollit. Mungesa e një mjedisi shkencor të standardit të kohës në këtë Institut nxjerr më në pah madhështinë e zbulimit, njohuritë dhe aftësitë e zbuluesve Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger.Me këtë zbulim shkenca shqiptare për herë të parë në historinë e shkencës moderne del në ballin më të përparuar të kërkimit shkencor eksperimental e dha një kontribut udhëhapës, në zhvillimin e mikrobiologjisë.Shkencëtari jetonte me hallet e mëmëdheut, punoi gjate e me pasion për zgjimin kombëtar. Që në moshën 16-vjeçare u caktuar sekretar i Kuvendit të mbledhur në Frashër nga Abdyl Frashëri dhe në vazhdimësi mbajti lidhje e bashkëpunoi me patriotë të shquar të Rilindjes, sidomos me Naim dhe Sami Frashërin. Në kohën e emërimit në universitet profesori intensifikoi veprimtarinë e tij patriotike kombëtare e shtoi. Ai u zgjodh dhe kreu për mjaft kohë detyrën e kryetarit të organizatës patriotike shqiptare “Bashkimi” në Stamboll.Shkencëtari shqiptar përbuzi kërkesën e autoriteteve turke për të marrë pjesë në një komision që do të shkonte në Shqipëri për pengimin e shpalljes së pavarësisë, duke i thënë hapur, ballë për ballë Talhat Pashës (kryeministër) se ai vetë ishte gjak shqiptari dhe se do t’i nxiste shqiptarët për të shpallur pavarësinë. Për këtë veprimtari patriotike Prof. Dr. Rifat Frashëri, në vitin 1913, u përjashtua nga Universiteti i Stambollit.Për disa kohë mbeti i papunë. Më pas u dërgua në një gjendje gjysmë internimi në Tripolisë (Turqi) e më vonë si kryetar i bashkisë së atij qyteti. Pas Luftës së Parë Botërore, qëndroi pak kohë në Stamboll e në vitin 1920 me ftesën e qeverisë shqiptare erdhi në Shqipëri dhe u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Shëndetësisë ( me atributet e nje Ministri te koheve te sotme) post që e mbajti deri sa doli në pension.Zbulimi i Rifat Frashërit është një nga kontributet më të mëdha të shkencës shqiptare në zhvillimin e shkencës botërore. Karriera shkencore e R. Frashërit u ndërpre herët, për shkak të ndjekjeve nga autoritetet turke. Edhe me kthimin në Atdhe, ai nuk gjeti kusht të përshtatshëm pune në fushën e mikrobiologjisë, ndërsa projekti i tij për një qendër shqiptare të kërkimeve mjekësore, mbeti vetëm një ëndërr e bukur gjatë gjithë jetës së tij.Ministri i Shendetesise Leonard Solis ne korrik te vitit 2000 e nderon Prof. Dr. Rifat Frasherin me “Mirenjohje” per Kontributin e tij ne shendetesi.Ne dijenine time nuk di qe emrin e madh te Dr. Rifat Frasherit ta kete ndonje institucion shendetesor ose te pakten nje rruge ne Shqiperi te mbaje emrin e tij…Vazhdojme “mekatin” e perhershem te mosvleresimit te figurave te medha te kombit…

Filed Under: Histori Tagged With: Saimir Kadiu

SHBA-Kosovë, Presidentja Osmani merr ftesë nga Presidenti Biden për Samitin për Demokraci

November 15, 2021 by s p


PRISHTINË, 15 Nëntor 2021­-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë zyrtare nga Presidenti i ShBA-ve, Joseph Biden për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci, i cili do të mbahet më 9-10 dhjetor.“Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt ndërtimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetarë ta përmbush potencialin e vet”, ka bërë të ditur Presidentja në deklaratën e dërguar.
Më tej, Presidentja ka potencuar se ftesa ka ardhur pas takimeve që pati javën e kaluar në Washington.


“Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Washington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden. Republika e Kosovës është shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci. Si e tillë është model për rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë tanë ndërkombëtar – ku rol prijatarë kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Në Samitin e Demokracisë, Presidentja ka theksuar se do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat e Kosovës.
“Jam e lumtur që në emër të Republikës së Kosovës do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat që i kemi, si dhe do të angazhohemi bashkërisht që gjatë 12- muajve të ardhshëm ta zbatojmë një plan ambicioz për fuqizimin e mëtejmë të demokracisë sonë të re në mënyrë që qytetarët tanë t`i ndjejnë përfitimet e një udhëheqjeje demokratike të bazuar në sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe gjithëpërfshirje shoqërore”, është shprehur Presidentja Osmani.

Filed Under: Featured

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 37
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT