• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

TIRANA, PRISHTINA DHE SHKUPI DREJT NJË STRATEGJIE TË PËRBASHKËT NË FUSHËN E ALBANOLOGJISË

November 14, 2021 by s p

Takimi i sotëm në Shkup është përpjekja më serioze e vendosjes së bashkëpunimit dhe koordinimit shkencor në fushën e albanologjisë në korniza të mirëfillta institucionale.

Shkup, 14 nëntor – Pas Shkodrës, Shkupi sot në vigjilje të “Ditëve të Alfabetit”mblodhi albanologët shqiptarë në përpjekjen për të miratuar një strategji të përbashkët bashkëpunimi.
Prof dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH, prof.dr. Luan Përzhita, rektor i ASA (Tiranë) dhe prof.dr. Hysne Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik (Prishtinë) u dakorduan që të finalizojnë përgatitjet për një takim përmbyllës në Tiranë, më 15 dhjetor, në kuadër të Ditëve të Albanologjisë, ku do të nënshshkruhet Memorandumi i bashkëpunimit në mes të tri qendrave tona albanologjike. 

Bashkëpunimi institucional në fushën e albanologjisë është i domosdoshëm për arsye se sfidat janë të shumta kurse ato mund të tejkalohen vetëm me një bashkërendim të mirëfilltë të projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta, u konstatua në këtë takim që u mbajt në ITSHKSH, në Shkup

Abanologjia si fushë nuk është e pa lëruar, por është mjaft  e copëzuar, falë qasjes së gabuar ndaj saj, ku për pasojë ka ndodhur që për një temë a figurë të njëjtë të organizohen konferenca të shumta albanologjike në Tiranë e Prishtinë.  Kjo është edhe arsye që në të ardhmen të evitohen këto dobësi dhe të përqendrohen kuadrot e albanologjisë në ato aktivitete e projekte që do të jenë fryt i një bashkërendimi paraprak.

Në takimin e sotëm në Shkup u dakordua shpallja e një kalendari të aktiviteteve të përbashkëta për vitin e ardhshëm, kurse si pikë kryesore në atë kalendar do të jetë shënimi i 50 vjetorit të Kongresit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.

Albanologjia e mijëvjeçarit të ri- do të jetë sfida kryesore e qendrave tona albanologjike në Tiranë, Shkup e Prishtinë dhe, siç u tha në këtë takim, ITSHKSH është një tregues i ndryshimeve të qasjes ndaj albanologjisë, i cili po luan një rol të rëndësishëm në adaptimin e albanologjisë kushteve e rrethanave të reja globalizuese. Në këtë drejtim u përmend Konferenca e Ballkanologjisë e cila organizohet tash e  pesë vite, në të cilën, siç potencoi drejtori Asani, ITSHKSH është dëshmuar me projekte konkrete në adaptimin e studimeve albanologjike fushave të tjera të përafërta, siç është Ballkanologjia, ku me pjesëmarrjen e tyre kanë qenë aktiv studiues të ndryshëm nga rajoni dhe Evropa. Prandaj, me të drejtë, siç u nënvizua në këtë takim, ITSHKSH po cilësohet si qendra e studimeve ballkanologjike në gjuhën shqipe gjithë rajonin.

  Takimi i sotëm në Shkup është përpjekja më serioze e vendosjes së bashkëpunimit dhe koordinimit shkencor në fushën e albanologjisë në korniza të mirëfillta institucionale.

Filed Under: Mergata

“KONGRESI I MANASTIRIT (14-22 NËNTOR 1908) UNIFIKOI ALFABETIN E GJUHËS SHQIPE DHE “ASFALTOI” RRUGËT E KOMUNIKIMIT TË SHQIPTARËVE ME EUROPËN PERENDIMORE

November 14, 2021 by s p

Nga  Ndue  BACAJ/

Kongresi  i  Manastirit , është ngjarja më e rendesishme  në historin e rilindjes  të kombit tonë pas kater shekujsh e gjysem erresire otomane , erresirë që gati na kishte fshirë nga harta e Europes së ciles  i perkisnim që në agimin e jetes mbi keto troje. Historia e të pareve tanë ishte “shkruar” jo vetem me pushke ,por edhe me pend. Ndaj pa gjuhen tonë të shkruar do të ishim memec e ndoshta pa identitet. Gjuha jonë (e shkruar) na  bënë krenar  me Historine tonë qindra e mijera vjeçare ,ku ngjarjet ,datat ,heronjet  martiret e deri edhe shenjetoret janë  të shumtë në themelet e ketyre trojeve Europerendimore,por  ne  po kujtojme vetem simbolin me sinjifikativ të  kesaje  krenarie e lavdie , Heroin  tonë Kombetarë Gjergj Kastrioti Skenderbeu, që luftoi e mbrojti jo vetem Arberinë e shekullit XV ,por edhe Europen e qytetrimin e saj.. Historia e shkrimit shqip është shumë e hershme sa vetë jeta  mbi keto troje ,por mjerisht stuhitë e shterngatat  ,që  goditen trevat tona  ndër shekuj  kanë “arritur të fshijnë“ apo mjegullojnë jo pak nga kjo faqe e lavdishme e të pareve tanë…është pikrisht kjo aresyeja që ne i referohemi shkrimit shqip mjafte vone, duke  e  filluar me formulen shqip të pagzimit të vitit 1462 të Pal Egjellit nga Drishti i Shkodres ,ish Kryeipeshkevi i Durresit , per të vazhduar me Mesharin e Gjon Buzukut të vitit 1555 e më vonë me  shkrimet e veprat e  Budit , Pjeter Bogdanit , e deri tek Rilandasit tanë të Shekullit XIX me në krye vellezerit Frasheri (Naim, Abdyl e Sami ) e tjer…Gjithsesi per të treguar diçka nga historia shumë më e hershme e shkrimit shqip ne po sjellim në kujtes gjuhtarin dhe etnologun e njohur francez , të vlersuar botërisht  Robert d’Angely (1893- 1966) i cili në vepren e tij historike “ENIGMA” ndër të tjera shkruan :”Nuk jemi larg të vertetes ,nëse  ketu do të shprehemi që shumë të paktë  janë dijetaret , të cilet  realisht e kanë kuptuar rendesinë e madhe dhe shtrirjen e gjerë të pellazgëve (para-ardhës të Ilireve, N.B.) në antikitet  dhe në parahistorinë më të larget. Pellazget janë ata ,që duke ngritur  gjuhen pellazge ,e cila mbijeton në shqipen e sotme ,në gjuhen e liturgjisë dhe të mistereve të gjithë të lashteve të të gjitha epokave  dhe në të gjitha shtrirjet  ,perhapen pothuaj në të gjitha vendet  që njiheshin deri ateherë prej tyre mesimin dhe dijen me shkrim me anë të shkronjave  të quajtura  pellazge…Nëse gjuhët greke dhe latine , megjithë shkelqimin  që ato kanë pasur  nuk do të kishin  mundur per shkak të elementit  drejtues  dhe të elites ,ta zevendesojnë  pellazgjishten  per tu bërë gjuhet litrugjike të botes  së krishterë , si të klerit në kisha dhe të murgjve  neper manastire , është e sigurtë se ato do të ishin zhdukur  plotësisht  nga faqja e tokes  , dhe do të kishte qenë gjuha pellazge  ose shqipe , që do të kishte vazhduar gjithnjë..”1. Ndersa gjuhtari dhe albanologu i madh shqiptare  Eqerem Çabej do të pohonte vazhdimisht se në arkivat e Vatikanit duhej të kishte shkrime shqip shumë më të hershme se ato që njohim.. Studiuesi i zellshem Prof.Dr. Musa Ahmeti në vitin 2003  njoftonte  se në Arkivat e Vatikanit ishte zbuluar  ekzistenca e një libri të shkruar shqip në vitin 1210 ( në dorshkrim pasi akoma nuk ishte shpikur makina e shkrimit). Per ketë libër shqip , Dr. Ahmeti nder te tjera shkruan: “…Kemi pasur fatin të kishin në dorë një vellim të lidhur me kapertina të forta druri…vellimi i tëri është në pergamen me dimensionet 28 x 39.5 cm.  Kompelt “libri” është i ruajtur shumë bukur e pa demtime…Dorshkrimi është autograf i shkruar nga një dorë … Ndersa  në faqen 208 në fundë  të dorshkrimit  autori  ka firmosur vet me emrin e tij Teodor Shkodrani ,duke shkruar : “ Me ndihmen dhe deshiren  e fort të lumturit Zot e perfundova  në vitin 1210 ,diten e 9 marsit…”  Libri  208 faqesh është i ndare në tre  kapituj  ,mbi teologjin, filozofin dhe historisë.. Shkronjat jane komplet latine  dhe gjuha kuptohet “lehtesisht” nga gjuhtaret shqiptare. (Autori i kesaje “zbulese” ka premtuar edhe botimin e librit në të ardhmen).2.  Natyrisht me vlera është edhe një raport që Mbretit të Frances  Filipe De  Valois ja dergonte në vitin 1332  Domenikani  Brokardus (Brocardus) ,ku ndër të tjera i shkruante “…Sidoqoftë shqiptaret e Veriut kanë një gjuhë krejt të ndryshme nga ajo e Latineve , por ata perdorin   shkronjat  LATINE në librat e tyre…”(Mjerisht nuk kemi asgjë nga keto libra..) Gjithsesi pushtimi i gjatë otoman  i  cili kishte ndarë në sanxhaqe ,vilajete , pashalleqe e tjerë  teritorin shqiptarë ,kishte influencuar me dashje apo pa dashje  të ndahej disi edhe gjuha e shkruar, e per rrjedhoje edhe alfabeti i perdorur ,që per hire të vertetes duhet thenë ,se në Jugun e  Shqiperise perdoreshin dy alfabete ,ai turko-arab ,dhe ai  grek me shkronja cirilike. Ndersa në Shqiperinë e Veriut  perdorej alfabeti  turko-arab me bekimin e shtetit ,dhe pa bekimin e tij ,por me nje njefarë “tolerance” të imponuar edhe nga qendresa e shqiptareve ,perdorej edhe  alfabeti latin (kryesisht nga kleri dhe komuniteti katolik).. Gjatë gjithë ketyre viteve e shekujve  nga patriot e intelektual shqiptarë kishte pasur perpjekje per unifikimin e një alfabeti per të gjithë shqiptaret, ndaj “trashigojmë” (per histori ) alfabete e abetare të ndryshme ,por që nuk ishte e lehtë të  zbatoheshin e aq me pakë të unifikoheshin në atë kohë. Pikrisht  per të unifikuar Alfabetin shqip keto perpjekje u bënë me të qensishme  ateherë kur  perandoria   shumë-shekullore Otomane kishte filluar të lekundej, gjë që u  pa qartë pas  nenshkrimit të armpushimit  në mes sajë dhe Rusise me 31 janarë 1878 në Edrene, duke sjellur traktatin e Shen Stefanit të 3 marsit (1878), e per rrjellojë kongresin famkeq të Berlinit ,që deshtë të na lënë  pa një shtet e pa Atdhe..  Por fatësisht   kjo nuk ndodhi edhe falë organizimit më të lartë me trajta shtetrore të LIDHJES SË PRIZRENIT (10 QERSHOR) 1878.  Pas tronditjes nga luftrat e jashtme e ato brendeshme  të Stambollit , filloi të “zbatohej” një politike disi më liberale ,kjo e konfirmuar në fillimet e vitit 1908,kur erdhen në pushtet Xhonturqit.  Duke shfrytezuar  ketë klimë  më të favorshme , Patriotë e intelektualë shqiptarë ,që në muajin gusht 1908 kishin planifikuar një kongres mbarkombetare i cili do të zhvillohej  nga  datat  14  deri 22 nentor të  vitit 1908 ,me inisiativen e shoqerisë “BASHKIMI” në qytetin historik të Manastirit ( sot nën Maqedoni me emrin Bitola) , ku siç dihet u mblodhen perfaqesues nga të gjitha trevat shqiptare dhe shoqeritë jashtë trojeve tona , si ato të Sofjes , Bukureshtit ,Stambollit, Konstances , Amerikes, Egjyptit , Italisë e tjer… Programi i kongresit kishte në themel filozofinë  : “Jo me pushkë e barut ,por me pendë e letra”..

Me 14 nentorë i ishin pergjegjur  thirrjes  rreth 400 shqiptarë ,ku 150 nga keta u konsideruan delegat ,dhe në bazë të kriterev 52 kishin  të drejte vote . Fillimisht mbledhja   zgjodhi  kryetare të kongresit Mit’hat  Frasherin  dhe nenkryetar  perfaqesuesin e shoqerise Biblike Gjergj Qiriazin. Në ketë kongres merrnin pjesë shume patriot e veprimtare të njohur  si : Gjergj Fishta , Nikollë Kaçorri , Ndre Mjeda , Gjergj Qiriazi , Mit’hat  Frasheri ,Hil  Mosi , Mati Logoreci, Thoma Avrami , Sotir Peci , Shahin Kolonja ,Luigj Gurakuqi , Adam Shkaba , Bajo e Çerciz  Topulli , Mihal Grameno , Fehmi Zavalani , Dhimiter Mole , Nysret Vrioni , Rrok Berisha , Leonidha Naço , Dhimitraq Buda , Akil Eftimi , Shefqet Frasheri , Refik Toptani , Gligor Cilka , Emin Shkupi , Hafiz Ibrahimi (nga Shkupi) , Ramiz Daci ,Xhemal Beu (nga Ohri ) , Fahri Frasheri nga  Resna e tjer..3. Duhet thenë per hirë të vertetes se autoritete turke  nuk e penguan kongresin , madje  diten e parë pershendeti edhe Prefekti i Manastirit ,me një  politike më liberale që kishin proklamua Xhonturqit.4.  Pas tre diteve diskutime  u vendos të zgjedhet komisioni i Alfabetit . Komisioni  kishte në perberje 11 antare  me kryetar  At Gjergj Fishten, 5, dhe antarë:  Mit’hat Frasherin , Luigj  Gurakuqin ,Gjergj Qiriazin , Ndre Mjeden ,Grigor Cilken, Taqi Buden , Shahin Kolonjen , Sotir  Pecin , Bajo Topullin  e  Nysret Vrionin. 

Pas shumë  diskutimesh në mes disa alfabeteve të shoqerive shqiptare u vendos me shumice të miratoheshin dy alfabete , ai Latin  me disa permirsime , dhe Alfabeti i Stambollit (edhe ky me bazë shkronjat latine), por që ky ishte më i veshtirë në  perdorim, gjë që nxorri fitues dalngadal Alfabetin që kemi sot me 36 shkronja…  Duhet theksuar  se  vezhguese  në ketë kongres kishte qënë edhe misionaria amerikane Fineas  Kenedi  , e cili shkruente se  ketu u mbajten shumë kumtesa , por ajo e  potetit  Gjergj Fishta  nga Shkodra ishte më e mira dhe  i  beri degjuesit tu rridhnin lotet. Një hoxhë u prek aq shumë sa që  rendi ta perqafonte para gjithë të pranishmve..6. Sipas disa burimeve, hoxha që përqafoi Gjergj Fishten ishte kleriku patriot Hafiz Ali Korça, pjesëmarrës në kongresin e Manastirit.7.  Per kumtesen apo ligjeraten e Fishtes studiuesi dhe  historiani Italian Gaetano Petrotta  shkruante :”Si gojtarë shkelqeu mbi të gjithë  gojtearet shqiptare, ku foli per më sa një ore e gjysem, në mes mahnitjes dhe të admirimit të të pranishmeve.”8. Alfabeti  (fitues N.B.) i Bashkimit ,i projektuar nga Fishta ,permbledhte  veçoritë me pozitive  të alfabeteve ekzistues  dhe kongresi  e pranoi atë si alfabetin e shqipes.. 9.. Një  e veçantë  që vlen të thuhet ishte edhe  pjesemarrja e të vetmes  delegate grua, Parashqevi  Qiriazi  që vinte nga shkolla  e vajzave Korçë …Vlen të kujtohet  se Alfabeti latin kishte qënë i njohur e kultivuar në Shqiperi e veçanarisht  në trojet e Veriut (në Gegni), prej shekujsh.  Theksojmë ketu  ekzistencen e shkollave  shqipe  në Velje të Mirdites në vitin 1632,  në Pllanë në vitin 1638 ,  në Troshan e Kurbin në vitin 1639 , në Shkoder në vitin 1698 ,ku jepen edhe emrat e mesuesve Gjon Shqiptari ,Filip Shkodrani e Dhimiter Dhermiu,10,  e tjer . Per të vijuar me  Shkollat në trojet e Malesisë së Madhe , si  Shkolla  e Rrjollit e vitit 1671, shkollat në  Hot (Brigje) ,Katund të Kastratit  , Grudë e tjer në vitin 1675  ,të cilat  vertetohen nga letrat e Pjeter Bogdanit ,ish  Kryepeshkevi i Shkodres e më gjerë gjatë  gjysmes së dytë të shekullit XVII…11.  Nga keto shkolla mesojmë edhe  emrat e mesuesve , nevojat dhe numrin e nxenesve që shpesh e kalonin numrin 40, e më gjerë.

Shkolla të “tilla shqipe” gjindeshin në shekullin e XVIII edhe në Shqiperinë e mesme e të Jugut si ajo e Voskopojes (Moskopojes ) …në vitin 1720 ..e veçanarisht nga viti 1744 që ishte themeluar një  “Akademi e Re” në të cilen mesohej : Filozofi , Logjikë , Matematike , Fizike, Ekonomi e Financë 12, por atje dominonin alfabetet turko-arabë dhe  Grekë.. Në Shkoder në vitin 1836 shkruhet se ka pasur 12 shkolla shqipe ,madje në vitin 1840  gjinden shkolla shqipe edhe në Prizren ,Pejë e Gjakovë…Perseri në Shkoder  në vitin 1855 konfirmohet  hapja e një shkolle nga Franceskanet ,që më vonë u  quajt ILIRICUM… Në vitin 1861 (Shkoder)  Franceskanet themelojnë edhe  Seminarin e tyre  në të cilin mesohej edhe gjuha shqipe ,pastaj me 1877 kolegji i Shkodres numronte 400 student  ,të cilet perfitonin edhe aftesi teknike ,tregtare e më gjërë…13. Per të ardhur në 7 marsin e  vitit 1887 në hapjen e shkolles shqipe në Korçë (në fakt në ketë shkollë mesohej Turqisht e  Shqip e pas një viti edhe Greqisht).. ashtu siç mesohej në shkollat në Gegni Shqip e Italisht..Vlen të kujtohet se shkolla zejesh  gjejmë edhe më heret në trojet tona  si në Rrjoll , Podgorë ,qytet Shkoder e tjerë në vitet 1416-1417 ,pra në kohen e pushtimeve  venedike.14. Madje në dokumentet e kohes behet fjalë edhe per një  shkolle të lartë që shkruhet  Universiteti i Durrësit ( shekulli i XIV..).   Gjithsesi edhe pas kongresit të Manastirit  që perfundoi me daten 22 nentore 1908 ,Alfabeti që kemi sot kaloi pengesa e veshtirsi të natyrave të ndryshme shtetrore e shoqerore ku per ketë po kujtojmë  se Xhonturqit në vitin 1909 filluan të pendohen per lejimin e gjuhes shqipe në shkolla e veçanarisht per  alfabetin me shkronja  latine ,ndaj perveç  masave shtetrore u  munduan të aktivizojnë shtresa shoqerore afer tyre per të kundershtuar alfabetin latin , dhe mbrojtjen e atij turko-arab. Shoqeria reaksionare  MAHFELI ,me mbeshtetjen e Qeverisë turke shtypi dhe shperndau  abetaret e para me shkronja arabe . Por  Stambolli tashma nuk mund të ndalte “marshimin “ e alfabetit me germa latine…pasi shqiptaret do ta mbronin me çdo çmim. Kujtojmë se  në shkurt  të vitit 1910  në Elbasan u organizua një miting  proteste ku muaren pjesë shtatë mijë njerzë  kunder shkronjave të huaja per gjuhen shqipe.   Me 27 shkurt (1910)  Korça do të zhvillonte një manifestin proteste  me 12 mijë veta  në mbrojtje të alfabetit latin.  Në Berat u organizua  mitingu më i madh ku merrnin  pjesë 15 mijë vetë  në shenjë proteste kunder shkronjave arabe ,me këtë rast në sheshin e qytetit  u dogjen abetare shqiptare me germa arabe të derguara nga Stambolli.. Krahina e Kolonjes organizon një protest të veçant , ku 1500 vetë dalin  me kostume kombetare , në mbrojtje të Alfabetit te kongresit të Manastirit.. Në mbrojtje të alfabetit  shqip me germa latine u soldarizuan thuajse të gjitha krahinat e tjera  të Shqiperisë ,që nga Permeti ,Tepelena  e deri në Konicë të Çameris e tjer.. Per hirë te vertetes duhet thene se në Shkoder Stambolli kishte arritur që fanatik të tij  t’i  organizonte per një manifestim në perkrahje të shkronjave arabe ,por ky manifestim deshtoi falë kunderpergjegjes së Malesoreve të Malesise Madhe e më gjërë të cilet paralajmruan një  kunder-protestë prej 60 mijë pjesemarresish , pra shume më të madhe e të fuqishme  në mbrojtje të Alfabetit shqip të miratuar nga Kongresi i Manastirit. Në muajin mars  1910  u thirrë edhe kongresi i dytë i Manastirit , ku u vendos  që të vazhdohej perdorimi i alfabetit tashma kombetarë ,dhe protestat kunder veprimeve të qeverise xhonturke që kerkonte të ndalonte këtë alfabet…15.  Kongresi i Manastirit  perveç alfabetit  kishte miratuar edhe një program kombetare prej 18 pikash ,që kishin karakter  politik ,ekonomik ,kulturore e shoqerore..që “avanconin” ndergjegjen kombetare shqiptare per një autonomi substanciale..16. Është interesant të kujtohet se kur erdhi në krye të shtetit të ri Turk ,Mustafa Qemal Ataturku pas vitit 1922 , një ndër reformat civilizuese të tij ishte edhe futja  në shkollat turke e shkronjave Latine , duke nxjerrë jashtë perdorimit alfabetin e vjeter…17.  Duke perfunduar dua të theksoj se Alfabeti që kemi sot me germa latine  jo vetem ka rikonfirmuar  qenien tonë arsimore e kulturore  pranë Europes Perendimore ,por  ka mundesuar komunikimin tonë me të shkruar e të lexuar me ate pjesë të Europes e Botes  së ciles i perkasim , dhe per të cilen punuan e u sakrifikuan breza të tërë, shqiptaresh..Nje studiues e historian francez duke shkruar  per Alfabetin e miratuar në kongresin e Manastirit në një liber kushtuar historise sonë) shkruan :” Shqiptaret mesuan keshtu  se rrënjët e tyre në Ballkan ishin  të thella  , se të paret e tyre  u kishin bërë ballë turqve , bullgareve e serbëve , se në lashtesi qytetrimi i tyre mund të matej me atë të grekeve  dhe se , madje  mund  të  ishte mbase më i vjeter se ai…18.

E natyrisht një vend  nderi e lavdie në perjetsi zënë edhe  pjesemarresit e Kongresit të Manastirit…që na orientuan perfundimisht  nga Perendimi…, pra andej nga lindë e perendon dielli per ne siç thoshte nje rilindas  i madh….

REFERENCAT :

1. Robert d’Angeli,“ENIGMA” , ,fq.138-139, botime “Toena”1998.

2.Prof.Dr.Musa Ahmeti, ”FJALA” Suplemnet Kulturologjik i gazetes  “Tema” , 7-8  Shtator 2003. 

3. Sh.Demiraj , K.Prifti “Kongresi i Manastirit” , fq.73-74 .  + Gazeta “Rilindja  Demokratike “ dt.14 nentor 2008. 

4. Serge Metais “HISTORI E SHQIPTAREVE , nga Iliret deri tek pavaresia e  Kosoves”, fq.46, Sh.B.”55”, Tiranë 2006.

5.Po Aty  Serge  Metais , po aty , fq.46.

6. Edwin Jacques, “SHQIPTARET, histori e popullit shqiptar  nga lashtesia  deri ne ditet e sotme,  fq.342-343 . + Gazeta “55” dt.06 nentor 2008.

7.At Daniel Gjeçaj, Jeta dhe Vepra , fq.57, Botime Franceskane , Shkodër 2007.

8.Gaetano Petrotta, “Popolo ,Lingua e Letteratura Albanese “,fq.355..

9.“Gjergj  Fishta ,Jeta dhe Vepra “ Vehbi Bala , fq.11.

10.Edwin  Jacques, po aty, ,fq.313-314.

11. Pjeter  Bogdani, LETRA E DOKUMENTE ….(Perg. nga Odette  Marcquet):Letra, 153 ,dt.20.XI.1671 , letra 157 ,viti 1672 ,letra 180, dok.1. dt.25.VI.1675, Sh.B.”At Gjrgj Fishta”, Shkodër 1997.

12.Edwin  Jacques, po aty, fq.315.

13.Edwin  Jacques, po aty,  fq.314.

14.Regjistri i Kadastres dhe Koncensioneve…1416 – 1417 ,fq.61.

15.Edwin  Jacques, po aty, fq.352 .

16.Akte te Rilindjes  Kombetare Shqiptare ,1878 – 1912 ,pergadit nga Akademia e Shkencave te …Shqiperise , Instituti i Historise ,fq.191 – 192 .

17.Atenagora Profet i Bashkimit , Dom Lush Gjergji , fq.99-101.

18.Serge Metais , po aty, fq.50.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ndue Bacaj

ARBËRESHËT E ITALISË, NJË GUR KUJTESE NË PESHOREN E NDËRGJEGJJES SONË

November 14, 2021 by s p

Prandaj edhe përpjekja jonë si studiues në kuadër të ITSHKSH është e orientuar drejt mobilizimit shkencor për një ndërgjegjësim më të madh kombëtar në ruajtjen e identitetit dhe traditës së lashtë arbëreshe, një objektiv ky që do të shpërfaqet gjatë ditëve në vijim në  kuadër të Ditëve të Alfabetit që fillojnë sot dhe përfundojnë më 22 nëntor. Shpresojmë që në këtë mënyrë arbëreshët e Italisë, me gjithë potencialin tyre kulturor, në të ardhmen të jenë një gur kujtese në peshoren e ndërgjegjes sonë.

Nga Skender ASANI

Më shumë se 600 vjetë, menjëherë pas vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu,  në Itali  jeton një komunitet shqiptar i ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, si dhe nga arvanitasit e Greqisë, kryesisht nga zona e Peloponezit, Epirit, dhe ishujt e Jonit. 

Arbëreshët e Italisë sot paraqesin një subtrakt kulturor e tradicional mjaft specifik në saje të ruajtjes me dashuri e fanatizëm të gjuhës, kulturës, besimit, mënyrës së jetesës, dokeve, e zakoneve.

Ata e ruajtën me plot dashuri edhe emërtimin arbëresh, duke e bërë këtë emërtim edhe pjesë zyrtare të administratës vendore.

Deri më tani janë bërë shumë studime dhe janë organizuar një sërë konferencash shkencore, të cilat kanë hedhur dritë mbi profilin kolektiv e individual të arbëreshëve dhe këmbënguljen e tyre për të ruajtur identitetin dhe prejardhjen në një ambient të huaj. Dhe një nga pyetjet më të shpeshta që bëhet aktualisht në qarqet shkencore është se si është e mundur që një komunitet i ardhur nga jashtë të ruajë identitetin e tij gjuhësor e kulturor. Për rrjedhojë ka ardhur vetvetiu edhe përgjigja se ka qenë krenaria  për vendin e origjinës, që u bë edhe motivi kryesor i letërsisë arbëreshe, pastaj kompaktësia e jetesës së përbashkët në vendin ku u vendosën, ato që ndikuan në ruajtjen e identitetit të arbëreshëve. Kjo përpjekje shekullore për t’u dukur ndryshe nga të tjerët, bëri që arbëreshët të identifikoheshin lehtësisht nga vendasit për shkak të gjuhës së veçantë që përdornin në komunikimin e tyre të përditshëm.

Të vendosur në Jug të Italisë, kryesisht në Kalabri, Sicili dhe në disa zona të tjera, arbëreshët patën një favor vet ambientin rural që ndikoi në mosndikimin e madh të kulturës italiane në jetën e tyre të përditshme. Prandaj ne sot kemi katunde të tëra arbëreshe, ku koloriti gjuhësor i arbërishtes përbën shenjën dalluese në tabela rrugësh dhe institucionesh.

Por ky realitet nuk është gjithkund i pranishëm dhe sidomos në zonat urbane ku u vendosën arbëreshët e ku kontaktet me vendasit ishin më të mëdha. Kjo ndikoi që përgjatë dekadave e shekujve, arbëreshët nuk mundën t’i shpëtojnë asimilimit dhe tani sipas një statistike që është bërë nga hulumtimet shkencore rezulton që  rreth 30 lokalitete arbëreshe janë asimiluar dhe e kanë humbur gjuhën dhe identitetin e origjinës duke u integruar në atë italiane. 

Prandaj ky është edhe motivi qendror që sivjet ITSHKSH në kuadër të Ditëve të Alfabetit të trajtojë pikërisht çështjet identitare që lidhen me letërsisë, gjuhën dhe traditën arbëreshe, si një përpjekje për të reflektuar në ndërgjegjet tona për një mobilizim më të madh në shpëtimin e këtij komuniteti nga kthetrat  asimilimit. Kjo edhe për faktin se aktualisht  në të gjithë Italinë njihen zyrtarisht 50 komunitete arbëreshe, në të cilat jetojnë si rezidentë rreth 100.000 shqiptarë të Italisë. Prej tyre më të dalluara janë disa qarqe apo regjione, ku arbëreshët janë vendosur më masovikisht siç janë  Kalabria, me rreth 60.000 banorë, të vendosur në 30 komuna dhe 3 qendra më të vogla banimi, kryesisht në provincën e Kozencës. Një komunitet i madh është vendosur në ishullin e Sicilisë, pranë Palermos, por edhe në zonat tjera ku arbëreshët jan të shpërndarë dhe nuk janë kompakt si në Kalabri dhe n Sicili.

Nëse i hedhim një sy hartës demografike, do të shohim se komunitetet arbëreshe më të mëdha për nga numri i popullsisë dhe territorit janë Piana degli Albanese (Hora Arbëresh) në Palermo, Spezzano Albanese, San Demetrio Corone (Shën Mitri), San Giorgio (Mbuzat), San Sofia d’Epiro (Shën Sofia e Epirit), Vaccarizzo (Vakarici) në provincën e Kozencës, San Marzano di San Giuseppe në Taranto etj.

Ndërkaq komunitete të konsiderueshme arbëreshë gjenden edhe në qendrat e mëdha të metropolit në Itali, si në Milano, Torino, Napoli, Bari, Cosenza, Crotone dhe Palermo. Gjithashtu, komunitete arbëresh që mbijetojnë fort dhe mbajnë akoma të gjallë gjuhën, traditat dhe kulturën e jetesës të vendit të tyre të origjinës gjenden edhe në SHBA, Kanada, Argjentinë dhe Brazil, si rrjedhojë e emigrimeve kryesisht në fund të shek. XIX e fillim të shekullit XX.

Neve si studiues na takon të hedhim më shumë dritë mbi specifikat e mbijetesës arbëreshe nëpër shekuj. Na takon të zbërthejmë edhe më tepër vitalitetin e arbëreshëve, të cilët,  për më shumë se 6 shekuj e ruajtën identitetin e tyre nëpërmjet përdorimit të gjuhës shqipe, traditave, zakoneve, kulturës e mënyrës së jetesës, besimit e riteve fetare etj.

Vetëm duke e studiuar më hollësisht këtë komunitet, siç do të veprojmë edhe në ditët në vijim, përmes kumtesave e kontributeve shkencore, do të nxjerrim si përfundim se arbëreshët e Italisë paraqesin një nga rastet unikale në botë në ruajtjen e vetëdijes dhe krenarisë së tyre kombëtare, në saje të përkushtimit që treguan  poetët, gjuhëtarët dhe muzikologët arbëreshë. Ky kontribut kolosal i tyre ka ndikuar që në truallin arbëreshë të kryhen eksplorime të shumta gjuhësore, folklorike e etnografike edhe nga studiues shqiptarë e të huaj, të cilët dëshmuan për begatinë identitare që ruajtën arbëreshët, që ishte edhe një hallkë e fortë lidhëse në mes të truallit të origjinës dhe arealit kulturor evropian. Prandaj jo rastësisht romantizmi evropian së pari trokiti në dyert  poetëve arbëreshë, siç ishte rasti me Jeronim de Radën dhe me poemat e tij të famshme “Këngët e Milosaos”, “Serafina Topia” etj.

ITSHKSH me plot vetëdije iu ka  qasë temës bosht që lidhet me letërsisë, gjuhën dhe traditën arbëreshe me qëllim të sensibilizimit të opinionit shkencor dhe jo vetëm, që ky komunitet i ynë të shpëtojë nga tendencat e asimilimit që po ndodhin si rezultat i kontaktit me vendasit por edhe i globalizimit në çdo aspekt të veprimtarisë njerëzore.

Insituti ynë para dy vitesh realizoi një vizitë studimore në disa vendbanime arbëreshe të Kalabrisë dhe studiuesit  tanë janë kthyer me mbresa të thella nga këto treva të cilat dëshmojnë për një prezencë mjaft vitale të elementit arbëresh. Nga kjo vizitë përpos mbresave të pashlyera, na mbeti vragë në shpirt edhe tendenca gjithnjë e në rritje e asimilimit të arbëreshëve, që po vjen si rezultat i problemeve ekonomike dhe të zhvillimeve të diferencuara Jug -Veri, ku nevoja për punësim drejt Veriut të Italisë apo vendeve të tjera, po e bën të veten dhe për pasojë elementi arbëreshë dalngadalë po shkrihet në ambientet e mëdha urbane të Italisë. Kjo ikje e tyre drejt Veriut të zhvilluar  ka sjellë si rrezik permanent fenomenin e braktisjes së vendbanimeve historike të arbëreshëve. 

Mospërdorimi i gjuhës në komunikimin e  përditshëm është hapi i parë drejt asimilimit dhe humbjes së identitetit arbëresh. Fatkeqësisht me një fenomen të tillë u ballafaquan edhe shqiptarët katolikë të Shkupit, tash  e disa dekada më parë dhe tani na kanë mbetur vetëm disa fotografi dhe kujtime nga ata, për të dëshmuar se në Shkup dikur, para një shekulli, kishim një komunitet aktiv që ishte zëri më autentik i prezencës shqiptare këtu.

Prandaj edhe përpjekja jonë si studiues në kuadër të ITSHKSH është e orientuar drejt mobilizimit shkencor për një ndërgjegjësim më të madh kombëtar në ruajtjen e identitetit dhe traditës së lashtë arbëreshe, një objektiv ky që do të shpërfaqet gjatë ditëve në vijim në  kuadër të Ditëve të Alfabetit që fillojnë sot dhe përfundojnë më 22 nëntor. Shpresojmë që në këtë mënyrë arbëreshët e Italisë, me gjithë potencialin tyre kulturor, në të ardhmen të jenë një gur kujtese në peshoren e ndërgjegjes sonë.

(Fjalë rasti në hapje të manifestimit tradicional “Ditët e Alfabetit”)

Filed Under: Politike Tagged With: Skender Asani

SENATI KËRKON MË SHUMË TRANSPARENCË DHE QARTËSI NGA PRESIDENTI BAJDËN

November 14, 2021 by s p

Nga Frank Shkreli

See the source image

Javën që kaloi, Kryetari i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Punët e Jashtme, Senatori Bob Menendez dhe disa kolegë të tij i dërguan një letër Presidentit Xho Bajdën duke i kërkuar Presidentit të Shteteve të Bashkuara më shumë transparencë dhe qartësi për “Takimin e lartë të Demokracive” — takimi i parë në nivel botëror i këtij lloji — që do mbahet virtualisht, më 9-10 Dhjetor.  The Summit for Democracy – United States Department of State  Ndonëse lista e rreth 100-vendeve që thuhet se janë ftuar për të marrë pjesë, Republika e Kosovës nuk ishte njëra prej atyre shteteve të ftuara, të pakën deri fund javën që kaloi, kur Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi se tani, “Kosova pritet të marr pjesë në takimin e lartë për demokraci që do të organizohet nga presidenti amerikan, më 9 dhe 10 dhjetor. Burime të Zërit të Amerikës konfirmuan pjesëmarrjen e Kosovës në këtë takim dhe sipas tyre, kjo u bë e ditur pas takimeve që presidentja Vjosa Osmani zhvilloi me zyrtarë amerikanë në Uashington”, sipas portalit ë VOA-s. 

Media të ndryshme në Kosovë dhe në diasporë njoftuan takimin që Presidentja e Republikës së Kosovës, Z.nja Osmani pati të ënjtën në Washington me Nën-Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Z.njën Victoria Nuland.  Njoftohet se në atë takim u riafirmua përkushtimi i vazhdueshëm i dy vendeve për këtë partneritet të fortë, si dhe u theksua angazhimi i palëkundur ndaj “vlerave të përbashkëta”.  Presidentja Osmani tha se “Kosova është ndër vendet më demokratike në botë, një burim i vërtetë shprese në rajon dhe më gjerë, si dhe një histori e vërtetë suksesi e politikës së jashtme të SHBA-ve”. Ajo shtoi se Kosova është një “shëmbëlltyrë e vlerave amerikane”, sipas informacionit të shpërndarë për mediat nga zyra e Presidencës së Republikës së Kosovës. Ndërsa, sipas të njëjtit burim, Nën-Sekretarja amerikane Victoria Nuland shprehu mirënjohjen e saj të thellë për Presidenten Osmani dhe për “rolin instrumental të Kosovës në ofrimin e strehimit të përkohëshëm për refugjatët afganë dhe tha se kjo është edhe një shfaqje e përkushtimit të Kosovës ndaj kësaj miqësie dhe partneriteti të gjatë”. Zonja Nuland theksoi se “administrata e re amerikane është e përkushtuar për paqën, stabilitetin dhe zhvillim në Kosovë dhe gjithë në rajonin, si dhe për mbështetjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Presidencës së Kosovës për takimin Osmani-Nuland në Departamentin e Shtetit, të ënjtën që kaloi.

Bravo, Presidentes Vjosa Osmani, por çfarë ndodhi, në të vërtetë, në këtë ndërkohë. Megjithëse mungesa nga lista dhe as përfshirja më në fund e Republikës së Kosovës në listen e vendeve të ftuara në “Takimin e lartë për Demokracinë”, të organizuar nga Presidenti Bajdën nuk përmendet në deklaratën e Presidencës së Kosovës për takimin me Victoria Nuland, nuk ka asnjë dyshim se ky subjekt duhet të ketë qenë çeshtja kryesore e takimit midis këtyre dy zonjave. Një takim ky, që siç duket nuk ishte qenë në agjendën origjinale të vizitës së Presidentes së Kosovës në Washington, por që sipas të gjitha gjasave, pas disa trysnive, të brendshme dhe të jashtme,  përfundoi me një “YES” për pjesëmarrjen e Kosovës në “Takimin e lartë të Demokracive”, muajin që vjen.

Por, para këtij takimi dhe pasi Washingtoni zyrtar, në këtë ndërkohë, “ndryshoi mendjen” sa i përket pjesmarrjes së Kosovës në këtë takim muajin që vjen, Kryetari i Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Z. Bob Menendez dhe shtatë senatorë të tjerë i dërguan një letër Presidentit Bajdën, me të cilën i kërkojnë atij “transparencë dhe qartësi”, në lidhje “me kriteret që janë përdorur për të vendosur se cilat vende janë ftuar të marrin pjesë në “Takimin e Lartë të Demokracive”. 11-08-21 Dems Letter to Biden re Summit for Democracies.pdf (senate.gov)  Duke thekësuar mëtej në letër se, “Ke ftojmë, dërgon një mesazh të fortë mbi vlerat dhe praktikat në të cilat besojmë se çfarë përbën një shtet demokratik”, i kanë shkruar senatorët Presidentit Bajdën, duke shtuar se, “Elementi përcaktues i çdo sistemi demokratik është pjesëmarrja e plotë e të gjithë qytetarëve, ndërsa shoqëria civile anë e mbanë  botës, luan një rol përbërës në organizimin e qytetarëve për të marrë pjesë në qeverisjen e tyre”, thuhet në letrën e senatorëve amerikanë dërguar Presidentit amerikan.   “Takimi i ardhshëm për Demokraci përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të nxitur aleatët tanë që tu bashkohen përpjekjeve tona për ta vendosur demokracinë në qendër të marrëdhënieve ndërkombëtare. Përparimi i parimeve demokratike dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut është me të vërtetë në interes të të gjithë aleatëve tanë”, thanë, ndër të tjera, senatorët amerikanë. “Është detyrë e Shteteve të Bashkuara të jenë shëmbëll i këtij vetë-reflektimi dhe përkushtimi duke qenë të vetdijshëm për mundësinë unike të demokracisë për të identifikuar dhe pranuar dobësitë dhe të metat e saj dhe, njëkohësisht, e aftë për t’i përballur ato sfida. në mënyrë transparente”.

Ndonëse, as letra e senatorëve amerikanë drejtuar Presidentit Bajdën nuk përmend specifikisht Republikën e Kosovës për mungesën e saj nga lista origjinale e vendeve demokratike të ftuara në “Takimin e Lartë të Demokracive”, siç duket 2-3 jav;t e fundit, ka patur disa prapaskena që ishin në lëvizje për të përfshir edhe Republikën e Kosovës në listën e vendeve të ftuara në “Takimin e Lartë të Demokracive”. Përveç thirrjeve nga Kosova javët e fundit– përfshir grupet jo-qeveritare të atij vendi, opozitën dhe vezhguesit e pavarur në atë vend – edhe këtu në Amerikë pati reagime dhe përpjekje për të bindur administratën e Presidentit Bajdën që të përfshij edhe Kosovën në listën e vendeve të ftuara në takimin e demokracive, muajin që vjen. Një ndër organizatat lobiste ishte Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e udhëhequr nga ish-Kongresmeni me origjinë abëreshe, Xho DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi.  Në portalin e tyre ata njoftojnë miqtë dhe mbështetsit për letrën e Kryetarit të Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Z. Menendez dhe kolegëve të tij, drejtuar Presidentit Bajdën, duke thenë se ata kishin “alarmuar” Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit, që kryesohet nga Z. Menendez, duke shprehur shqetësimin e tyre se, “Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ishin ftuar ndërsa Kosova jo,” në “Takimin e Lartë të Demokracive”, thuhet në portalin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane. “Ne thekësuam”, në komunkimin me Komisionin e Senatit, thuhet në njoftimin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, “se veçanërisht Shqipëria është shumë mbrapa Kosovës sa i përket demokracisë, sidomos kur të merret parasysh përparimi dramatik që është bërë nën adminsitratën e Kryeminsitrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani”.

Nuk ka dyshim se letra e Senatorit Menendez si Kryetar i Komisionit të fuqishëm për Punët e Jashtme të Senatit amerikan dhe takimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, Z.njës Vjosa Osmani javën që kaloi me Nën-Sekretaren e Shtetit, Z.njën Victoria Nuland, patën efektin e duhur për të bindur admnistratën e Z. Bajdën të “ndërrojë mendje” ashtuqë edhe Kosova të përfshihet në listën e vendeve të ftuara në “Takimin e Lartë të Demokracive” nga Presidenti Xho Bajdën.  Zyrtarët amerikanë citohen të kenë thenë se lista e vendeve të ftuara në takimin botëror muajin që vjen nuk nënkupton se janë të ftuara vetëm vendet që, tradicionalisht, konsiderohen si demokratike, por temat e takimit do të jenë zhvillimi dhe forcimi i mëtejshëm i demokracisë në botë.  Po të ishte se vetëm vendet vendet, tradicionalisht, demokratike të jenë ftuar në takim, Shqipëria dhe Kosova nuk do të ftoheshin, pasi as njëra as tjetra, nuk janë në nivelin e duhur të demorkacisë. Për- kundrazi, konsiderohen ende si vende “pjesërisht të lira”.  Por, lind pyetja se pse Republika e Kosovës u la jashtë listës origjinale të vendeve të ftuara në “Takimin e Lartë të Demokracive” dhe kush, si dhe pse luajti rolin e standardit të dyfishtë në krahasim të “demokracisë” së Kosovës me “demokracitë” e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, e madje edhe Serbisë.  Për fat që kemi një degë të tretë të qeverisë, atë legjislative – Kongresin e Shteteve të Bashkuara – që ngulë këmbë të dijë të vërtetën, jo vetëm për vetë antarët e Kongresit por edhe për publikun amerikan – se cilat janë kriteret e administratës Bajdën që vendosën se cilat vende u ftuan e cilat jo dhe pse për një takim të tillë botëror. 

Megjithëse, jam dakort me përfshirjen e Shqipërisë dhe të Kosovës në këtë takim botëror për demokracinë, diçka brenda meje më thotë se nuk është e drejtë që shtetet autoritare të Ballkanit Perëndimor dhe të tjera si ato, anë e mbanë botës, që s’kanë asgjë të përbashkët me demokracinë e vërtetë perëndimore, të konsiderohen në të njëjtin nivel si vendet vërtetë demokratike që zbatojnë dhe mbrojnë demokracinë e vërtetë, për veten dhe për të tjerët. Kjo është edhe arsyeja se pse Senatorët kërkojnë qartësi dhe transparencë në këtë proces, pasi ftesa nga ana e Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në një takim të tillë botëror, sipas ligjvënsve amerikanë, “dërgon një mesazh të fortë mbi vlerat dhe praktikat në të cilat ne besojmë dhe se çfarë përbën një shtet demokratik”.

Frank Shkreli

A couple of women shaking hands

Description automatically generated with medium confidence

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me Zëvëndës Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara, Victoria Nuland në Departmentin Amerikan të Shtetit në Washington javën që kaloi.

Filed Under: Featured Tagged With: Frank shkreli

SHKOLLA SHQIPE “SCANDERBEG” NË PARMA TË ITALISË

November 14, 2021 by s p

Sokol  PAJA/

Erlinda Pjeci, drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma të Italisë dhe mësuese pranë kësaj shkolle, rrëfen për “Diellin” e Vatrës në New York historinë e themelimit të shkollës, organizimin e mësimit shqip në Parma, bashkëpunimin prindër-nxënës, ndikimin e pandemisë në mësimin shqip, dhe sfidën për të ruajtur gjuhën, traditën dhe kulturën kombëtare shqiptare në Itali. “Themelimi i Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma erdhi si një dëshirë e madhe që kishin shqiptarët për t’i mësuar gjuhën amë fëmijëve të tyre, ndërsa shkolla fillimet e saj i ka që në vitin 2009” shpjegon për “Diellin” Erlinda Pjeci, drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg”. “Mësimi në shkollën tonë zhvillohet të shtunën në orën 15:00. Mes shumë viteve sakrificë stafi i mësuesve në shkollën tonë vazhdon të japë kontributin vullnetar në shërbim të komunitetit shqiptar” saktëson drejtuesja Pjeci. Mësuesit e angazhuar pranë shkollës shqipe “Scanderbeg” në Parma të Italisë janë: Durim Lika në lëndën Histori- Gjeografi, Elvira Lashi- Muzikë, Traditë, Mimoza Cerri- Letërsi, Sabrije Kulla- Gjuhë Shqipe, Zamira Shkurti- Abetare, Nertila Celmeta- Abetare, Erlinda Pjeci- Abetare, Elona Marika- Mësuesja e artit. Në këtë shkollë kanë kontribuar edhe mësues të tjerë ndër vite të cilët edhe pse nuk janë më pjesë e stafit të shkollës kanë dhënë një kontribut në zhvillimin dhe ruajtjen e gjuhës amtare. “Për të njohur kulturën, historinë dhe vlerat e Shqipërisë duhet t’ia përcjellim gjuhën amtare të trashëguar brez pas brezi, fëmijëve tanë. Gjuha ,është ajo  e cila i bashkon ata me gjakun e tyre” shpjegon për “Diellin” e Vatrës në New York, Erlinda Pjeci, drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg”.  Sipas drejtueses Pjeci bashkëpunimi prind- nxënës është padyshim çelësi i arritjes së suksesit në objektivin e gjuhës shqipe. Prindi ka rolin më të rëndësishëm në këtë proçes. Është ai i cili duhet t’ia ushqejë fëmijës dashurinë për rrënjët nga vijnë, t’i flasë në shqip, t’i japë kohë fëmijës që të dëgjojë, të mësojë dhe të flasë shqip kur ata janë gati. Pra, mbill sot, korr mot. Vetëm atëherë nxënësi është i përgjegjshëm dhe ka dëshirë të mësojë më tepër gjuhën shqipe, arsyeton drejtuesja e shkollës Pjeci. “Në fillimet e pandemisë padyshim ne si shkollë hasëm vështirësi. Mësimi në prezencë ishte e pamundur. Për këtë sfida më e madhe ishte mësimi online. Duke parë vështirësitë që hasën edhe mësuesit e sistemit shkollor italian,  na frikësoi jo pak. Por me ndihmën e kolegut tonë Durim Lika, i cili ofroi seminare për të na mësuar platformat e Google Meet, Power point, si edhe ambientet e punës së tij për të qenë pranë nesh për ndonjë vështirësi teknike, e kaluam shumë shpejt. Sfidë tjetër ishte ajo, se si ne mund t’i bënim nxënësit të merrnin pjesë me dëshirë në mësimin online. Për këtë përveç librave në dispozicion gjetëm teknika, metoda duke i gërshetuar së bashku. Pjesëmarrja e lartë e nxënësve na lumturonte. Kjo tregonte që ne kishim gjetur rrugën e duhur. Suksesi që ne patëm vjet, si edhe numri i madh i  nxënësve të regjistruar që banojnë jashtë Parmës, na dha shtysë edhe për këtë vit shkollor që mësimin ta bënim online” kujton vështirësitë e mësimit shqip në kohë pandemie drejtuesja Erlinda Pjeci. Më tej ajo shton se: “Vështirësitë e fëmijëve dy gjuhësh janë: Shqiptimi i tingujve të shkronjave shqipe që ata nuk i dëgjojnë në gjuhën italiane. Tingujt që janë të ngjashëm midis dy gjuhëve por që shkruhen ndryshe” sqaron për “Diellin” e Vatrës drejtuesja e shkollës Erlinda Pjeci. Zonja Pjeci ka mbaruar  studimet e larta në Universitetin e Elbasanit dega Cikël i Ulët. Pas studimeve ajo u vendos në qytetin e Parmës ku shumë shpejt filloi të japë kontributin e saj vullnetar në mësimdhënie pranë shkollës shqipe “Scanderbeg”. Duke pasur një dashuri shumë të madhe për fëmijët dhe formimin e lartë profesional, profesionin e ushtron me shumë përgjegjshmëri, përkushtim dhe shumë pasion. Në përfundim të bisedës drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma të Italisë, Erlinda Pjeci uroi Festën e Pavarësisë për të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë dhe në mbarë trojet shqipfolëse.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT