• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for November 2021

LAHUTA, VEGËL MUZIKORE AUTOKTONE E TROJEVE ILIRO-SHQIPTARE

November 6, 2021 by s p

Nga Ndue  BACAJ

HYRJE:

Nga fundi i vitit 2018 , nga media të ndryshme shqiptare “lajmrohej” se Lahuten na e “moren” serbët , pasi UNESKO paska regjistruar Këndimin me Lahutë si vlerë kulturore  të Beogradit.. Fillimsht dua të them se për mua ky ishte një lajm mjaftë i  trishtueshëm , pasi na kumton  “humbjen zyrtare” para botës , të autoktonisë së Lahutës jo thjeshtë si vegël muzikore shqiptare , por mbi të gjitha si vlerë “shpirtërore” me të cilën ne kemi percjellur nga njeri brez në tjetrin , historinë shumë-shekullore të trmërisë, urtësisë , krenarisë dhe atdhedashurisë. Ne malësorët me ketë rast kemi humbur prapë më shumë se shqiptarët e tjerë , pasi Lahuta është vegla autoktone e trashigimisë heroiko-historike e Malësisë së Madhe ku edhe sot ka të ruajtur djepin e saj të lindjes  , perkundjes  dhe  rritjes , së bashku me malësorët dhe historinë e tyre ndër shekuj… Lahuta ndër mote e shekuj në shtepiat malësore ka qendruar gjithnjë pranë pushkës , ajo ka qenë edhe lapsi e fletorja  me të cilen janë shkruar , kënduar , trashiguar e frymëzuar  malësorët… Tu “vjedhësh” malësorve (dhe iliro-shqiptarëve në pergjithsi) lahuten , do të thotë tu “vjedhësh” historinë më të qensishme , eposin e kreshnikëve  në “trajta homerike”… Këngët e kreshnikëve janë tipike Iliro-Shqiptare , ato i perkasin kohës shumë më të hershme se dyndjeve sllave e aq më pak kohës së pushtimeve osmane. Njeri nga njohësit , mbledhësit dhe pergatitësit e Visareve të Kombit (At Bernardin Palaj) do të shkruante: Nuk duhet me miratue teoritë e ndryshme sipas të cilave këngët e kreshnikëve i perkasin kohës së dyndjeve sllave apo kohës së perandorisë osmane…. Shpirti rapsodive është thjeshtë shqiptar, pse paraqet qartë të gjitha karakteristikat e shqiptarit e vetëm të  shqiptarit: besa e zanavet , orëvet dhe kreshnikëvet ; burrnija e trimnija e tyre edhe me anmiq… bestynitë e popullit tonë , doket , miku , dashtunia e ndera e familjes , trimnija e ndera e gravet etjerë, shprehen ndër kangë në mënyrë të gjallë e janë ngjyrat e ndryshme , me të cillat rapsodët (kupto lahutarët N.B.) e maleve tona paraqesin fëtyrat e herojve…1.  “Konkretisht” Zanat e Orët e vendit , kur shofin , se sllavi  don me kapërcye Danubin , kerkojnë njerin që me i pri çetës e me i ba ball…2.  Siç dihet  emrat e ketyre prijësve kreshnik gjinden në këngët e eposit të kreshnikëve. Asht vu re se kangët e kreshnikëvet këndohen gjithmonë e vetëm me lahutë…3.  

PAK HISTORI NGA AUTOKTONIA E LAHUTËS ILIRO-SHQIPTARE ! 

Lahuta si vegël muzikore popullore autoktone, është në dukje një vegël primitive dhe e thjeshtë, pasi perbëhet nga nji kupëz e drujtë në trajtë vezake e mbulueme me lëkurë… dhe ka një bisht jo fort të gjatë.  Në vend të kordhave ka nji toje qimesh kali , që rregullohet nëpër një çile të vetme…I bihet me një hark… (i lidhur me qime kali…).4.  Në trojet e Malësisë Madhe per “lindjen” e Lahutës ka qenë trashiguar një gojëdhënë interesante , që nga të moshuar malësor konsiderohej shumë e hershme ,  thuhej se është qindra apo mijëra-vjeçare , dhe është trashiguar si “amanet” nga njeri brez në tjetrin bashkë me lahuten… Gojëdhënen e lindjes së lahutës e kam degjuar  që kur isha femij , rreth gjysëm shekulli më perpara , dhe nëse nuk do të delte në dritë lajmi trishtues i “vjedhjes” së autoktonisë së lahutës  , në kujtesen time kjo gojëdhënë ndoshta do të kishte mbetur e “fjetur” pergjithmon… Para se të citoj gojëdhënën dua të them se për mua kjo ndonse gojëdhënë është shumë  dometheënëse dhe autoktone (së bashku me lahuten), pasi gojdhëna nuk është trashiguar , dëgjuar e as ruajtur veçse në trojet Iliro-Shqiptare të Malësisë Madhe.

GOJDHËNA: “Në kohë shumë të hershme , kur njerzit si pjata per ushqim apo si enë per të pirë ujë a diçka tjetër perdornin kupa druri të gdhendura nga ata vetë. Një ditë një kupë druri e till thuajse  po u ndahej pergjysëm , dhe ata njerzë që ndodheshin larg shtepisë tyre u duhej ta perdornin atë… Në këto kushte lindi nevoja e ruajtes të pandarë krejtësisht të kupës, që u nevoitej per momentin,  mirpo u mungonte matriali lidhës. Njeri nga më të shkathtit shkoi e mori disa qyme nga bishti i kalit tij , (kali siç dihet ka qenë kafsha e parë e zbutur nga njeriu) , keto qyme ai i bashkoi,  dhe me këto lidhi fort  kupen e drurit duke mos e lejuar që ajo të ndahej më tej.. Mbasi kupa keshtu e lidhur përmes funksionoi  , njerzit filluan të “këndojnë”. Në ketë kohë duke kaluar kupa nga një dorë në tjetren duke e terhequr me të “ferkuar”, nga tuba e qimeve të kalit që e mbante të lidhur dikush vuri re se ferkimi i qimeve , që lidhnin kupen jepte një lloj tingulli të lehtë të pelqyeshëm. Në ketë kohë dikush nga ata  provoj “ferkimin” e qellimshëm me dorë e deri me thupra druri të lidhëses së qymeve.  Por keto “ferkime” ose nuk sillnin tingujt të majftueshëm , ose demtonin tuben e qymeve. Per ti shkuar kësaj “prove” deri në fund  u provua , që në një thuper thanukle të perkulur si hark të lidhet një tubë qyme të  bishtit të kalit. Tubat e qymeve të harkut të thupres  u ferkuan me ato të kupës. Tingujt që jepte ky ferkim fillimisht ishin më të qensishëm , por ferkimi i qymeve shtonte “forcën” e ferkimit duke sjellur edhe demtimin e qymeve. Kjo “punë” nuk u la me kaq , por më vonë u mendua të provohej lyerja e tybëve të qymeve me një matrial rreshqitës siç ishte rrëshina e drurëve (kryesisht e pishave)… Kjo gjë ndonse  funksionoi , por perseri tingujt ishin shumë të dobët per tu dëgjuar… Duke “vrojtuar eksperiencen” e zmadhimit të zërave në ambiente të mbyllura  , u mendua të mbështillej apo mbulohej kupa me lëkur të regjur kafshësh  , duke i lenë në mes vrima që të deportonin tingujt , të clët do të “zmadhoheshin” në kupen e mbyllur nën lëkur. Kjo gjetje funksionoi , por lindi nevoja e një mbajtëse të kupës gjatë perdorimit , gjë që ju shtua “kupës”. Majtësja apo shtesa e drurit që ju bë kupës  do të sherbente më vonë edhe si vend ku do të lidhej maja e njëres tubë të qymeve të kalit , që më pas kjo do të modifikohej nga një kunj i futur  në majen e mbajtëses apo shtesës së  kupës , duke e terhequr (shternguar) tuben e qymeve me anen e rrotullimit të kujit , gjë që shtonte ndjeshem tingujt që nxirrte kjo vegël e re muzikore (popullore) , që shpiksit e saj Iliro-Shqiptarët do ta quanin Laud (laudrim , lavdrim). Pasi me këtë vegël muzikore autentike të tyre do të shoqëronin nga njeri shekull në tjetrin , historinë e lavdrueshme të jetës e veprave të tyre  me këngët e trimërisë , urtësisë , bukurisë , hijeshisë , dashurisë , krenarisë e mbi të gjitha atdhedashurisë… Simbol i lavdrimit të këtyre veprave  me të cilat krenoheshin shqiptarët (kryesisht të veriut të Shqiperisë Etnike) , mbas shekujsh arriten kulmin me  këngët e  Eposit të Kreshikëve , që këndohen me lahutë , apo siç i thonë edhe sot të vjetrit në Malësi me laudë , pra me veglen muzikore që laudron … lavdron… Është interesant se druri më i pershtatshëm per Lahutë ka qënë që  fillim  ai i manit , dhe ndonjëherë edhe ai i vishnjes , nderkohë në lahutë gëdhendëshin simbole lokale apo kombëtare , deri ato të “vona”të Skënderbeut (“koka e dhisë”) ,  shqiponja  dykrenore e flamurit kombëtar e tjerë… (Vlenë të thuhet se fjala lavdrim apo laudrim , në hershmërinë e saj  rrjell nga fjala latine, Laudetus -Lavdua si psh  “Laudetus  Gesus  Christos”-Lavdu Jezu Krishti ,megjithse sipas të gjitha “gjasave” Lahuta ka “lindur” shumë para Krishtit…).5.  Këtë gojëdhënë mendoj se na e “verteton” edhe gjeografi dhe historiani i madh grek Straboni (lindi në vitin 63 para Krishit dhe vdiq rreth vitit 20 pas Krishtit , autori  i vepres “Geographica”-Gjeografia i perbër nga 17 libra ), i  cili duke pershkruar doket iliro-dardane thotë se ata , ndonse doket i kanë plotësisht të “egra”  gjithnjë e kanë kultivuar  muzikën dhe kanë perdorur instrumente me frymë dhe me harqe… (Strabonis , libri VII ,5.) , ku Lahuta ka qënë ndër veglat muzikore (me harqe) më të hershme që kanë perdorur Ilirët…  Ndersa Ilirologu , arkeologu dhe albanologu i shquar Aleksander Stipçeviq (1930-2015) , e perforcon autoktoninë e Lahutës iliro-shqiptare ,kur shkruan : “…Të kënduarit e këngëve epike me lahutë – aq karakteristik për popujt e sotëm të Ballkanit – ka gjithashtu rrënjët e veta të thella në të kënduarit e rapsodëve Ilirë për veprat heroike  të të parëve. Në një kontinuitet të pashkëputur jeton  në shumë vise të Ballkanit deri sot melosi popullor ilir , si dhe instrumentet në të cilat muzikantët ilirë kanë ekzekutuar meloditë e tyre.”.6.  Muzikologu dhe studiuesi i njohur shqiptar Ramadan Sokoli  e pershkruan lahutën  si vegël muzikore të Shqiperisë “veriore”,  me një kordë prej qimesh kali, të cilës i bihet me hark …. Ndërsa në Shqipërinë jugore , llahutë quhet një vegël tjetër e gjinisë kordofone, e pajisur me katër palë tela, të cilëve u bihet me pendëz. Pra,pavarësisht nga emri i përbashkët, kemi të bëjmë me dy vegla të ndryshme si për ndërtimin e tyre,a shtu edhe për mënyrën e përdorimit,  veçoritë e tingëllimit, prejardhjen ose historikun e tyre etj….Lahuta përdoret në ato krahina të Shqipërisë Veriore ku këndohen këngët e kreshnikëve, domethënë nëpër trevat mbi lumin Drin. Nepërmjet shtegëtimeve blegtorale të malsorëve tanë kjo vegël ka zbritur deri në jugun e Lezhës. Kurse nepër krahinën e Matit e të Dibrës nga njëra anë deri në rrethin e Krujës e nepër malësitë e Tiranës , nga ana tjetër përdoret një variant i lahutës (“laurija”) me dy,tre ose katër tela,të cilët nxjerrin tinguj nëpërmjet fërkimit me hark. Një studiues , etnograf dhe klerik shqiptar  e pershkruan  mrekullisht rendësinë  e instrumenteve të muzikës popullore (folklorike) , në mes tyre edhe lahuten kur shkruan : “..Malesori kur merzitet kap fyellin, zymaren apo  lahuten dhe i bie duke e percjell me kangë të permallshme. Kendon diten në maje të ndonjë krepi , ose në hije të ahit. I bahet se dielli ka ngel kah e ndie , se zogjtë janë grumbullua rreth tij si të marrun mendësh , se krojet e gurrat kanë ndalue e nuk qesin ujë per mos me ba  zhurmë… se shkembinjtë kanë ngreh kryet  prej habijet , ndersa hëna dhe yjet e nates i duket se e degjojnë me kënaqesi..”.7.  Lahuta veçmas si vegel muzikore popullore e tradites , ka qene “shoqeruese” e malesorve  edhe në raste luftrash .  Një gjë të tillë e pohon edhe  armiku numër një i trojeve shqiptare të Malësisë Madhe e më gjërë Kral  Nikolla  i Malit te Zi , i  cili në poemen e tij “Kryengritja e  Malsorvet “ (Malisosrki  Ustanak) të vitit 1911 , nga e  cila citoj:

“…Kelmendasit …luftojnë rreptë … ,

Gjysa e ketij bajraku kanë  lahutat mbas shpine , 

 Për me kendue gjatë luftimit ,

Lumnit e veta të fitimit …”.8.

Unë dhe asnjë shqiptar apo ndërkombëtar nuk besoj që e mendon se Kral Nikolla (Petroviç- Krali i Malit të Zi) , ju a ka pasur me hile serbëve (vëllezërve të vet shkije) , kur në keto vargje  artistike e mbi të gjitha historike , tregon se lahuta ishte shok i pandar mbas pushkës ndër malësorët e Malësisë Madhe (me këtë rast i kelmendasve) , ku kjo vegël muzikore dhe këndimi me të ishin autoktone iliro-shqiptare…

SERBËT…dhe… LAHUTA 

Serbo-sllavët siç dihet janë jabanxhi të zbritur së voni si turma të mjerimit nga Uralet . Autorët e njohur të asaj kohe në veprat e tyre na tregojnë saktesisht se sllavët , kanë filluar të “prekin” trojet ilire në fundin e shek.VI e fillimt të shek.VII (mbas Krishtit), per të vijuar me luftra e tmerre deri në shek.IX , kur edhe u ngulen në disa troje ilire…

Historiani i madh bizantin , i njohur si Prokopi i Çezaresë (i lindur në Çezare të Palestines,fundi i shek.V- fillimi i shek.VI ,pas Krishtit), ishte bashkohës i perandorit të njohur me origjinë ilire JUSTINIANIT. Është autor i tre veprave (Historia e luftrave , Mbi ndertimet dhe Historia e fshehtë). Në librin e tij të VII  (Historia e luftrave) ndër të tjera shkruan : “Në vitet 549 -550 (mbas Krishtit) Skllavenët (Sllavët) ,… kaluan per herë të parë lumin Ister…Komandanti i ushtrisë romake në Iliri dhe Thraki hyri në luftë të ashper me ketë ushtri dhe megjithse ajo ishte e ndarë në dy pjesë , romaket u thyen per shkak të sulmit të tyre të papritur , disa prej tyre u vranë , disa të tjer iken në rremujë…Skllavenët i vunë perpara… pas kesaj ata filluan të grabisin pa frikë të gjitha keto vende , në Thraki, edhe në Iliri…Në keto kohë një turmë e madhe Skllavenë (Sllavesh) u derdh në Iliri dhe bëri atje tmerre të paparashikuara… Në kohen e kësaj dyndje grabitqare… Skllavenët u kthyen me gjithë palçken në vendin e tyre…Ndersa ushtria (romake) me urdher të perandorit u ndalua në Iliri , afer qytetit Ulpiana për shkak të kryengritjes së banorëve prej mosmarrveshjeve  që i shtynë të krishterët të luftojnë kundër njeri tjetrit (libri VIII). (Qyteti Iliro-Dradan i Ulpianes ,sot ndodhet ne fokusin e arkeologeve , afer Prishtines, N.B.). Perandori Ilir , Justiniani në keto kohë e shikoi vehten disi të “dobtë” në organizimet ushtarake , dhe për ketë nisi një punë të madhe ndertuese e rindertues të qyteteve dhe kështjellave ,veçanarisht në trojet Ilire… (libri IV).9.  Ndersa historiani  me prejardhje nga Egjypti që u vendos në Konstandinopojë në Kohen e perandorit Herakli (610-641 , pas Krishtit) , Theofilakt  Simokata , autor i veprës “Historitë botërore “ , tregon se si skllavenët (sllavët) arriten të marrin qytetin e Singedonit (Beogradin e sotëm). Këtë luftë Simokata  e pershkrun në librin VI  të kësaj vepre nga e cila citojmë: “ Hagani nga ana e tij kerkoi nga perandori që të vazhdoj paqja. Por meqense perandori nuk i dha rëndesi fjalëve të barbarit , ky menjëherë filloi persëri luften . Hagani urdhëroi  skllavenët  të ndertonin  shumë anije që të mund të kalohej Istri. Por banorët e Signedonit me sulme të menjëhershme  shkatërruan atë që kishin ndertuar skllavenët dhe me zjarr bënë  që të dështonin perpjekjet e tyre  per të ndertuar mjete lundruese.  Si rrjedhim i kësaj , barbarët rrethuan Singedonin. Qyteti arriti në një gjendje shumë të keqe dhe kishte shpresa shumë të pakta per shpëtim.  Por në ditën e shtatë Hagani  urdhëroi barbarët  të lënë rrethimin dhe të vinin tek ai. Barbarët kur dëgjuan këtë e  lanë qytetin  , por pasi moren per çlirimin  dymijë dareika ari , rrobe dhe një tryezë të stolisur  me ar. Hagani pas kësaj kaloi pesë parasangë (stade) e vendosi lëmin pranë Sirmit , dhe i  detyroi shumë skllavenët të nxirrnin lëndë  për të pergatitur anije , me të cilat do të kalonin lumin e quajtur Sao…”. Thonë se Prisku iu pergjigj  Haganit si më poshtë : “O njeri , ti kryen padrejtësi kundrejt qytetit Signedon. Ti , pasi rrëzove muret , i detyrove qytetarët  fatëkeq  që të shperngulen . Ki mëshirë pë qytetin , i cili shumë herë ka qenë shkretuar  nga ti. Vëri kufi lakmisë sate…”. Por Hagani i zemëruar i nderpreu fjalën  dhe iu këcënua  se do të shkatërronte edhe shumë qytete të tjera… Kurse Prisku  pasi thirri Guduinin dhe i dha  ushtri romake , e urdhëroi  që ti shkonte në ndihmë Singedonit. Dhe kështu Guduini  lundroi në drejtim të këtij qyteti. Dy lumenj rrethojnë Signedonin –Sao dhe Drao (Sava dhe Drava N.B.)…. Por me që nuk i qëndruan dot sulmit të romakëve barbarët u vunë në ikje. Dhe kështu Prisku  shpetoi qytetin fatkeq…10.   Kjo luftë në mes  romakëve dhe skllavenëve (sllavëve) , i perket vitit 593 , por që kjo luftë nuk mbaron ketu pasi skllavenët ndermarrin luftra të tjera kundër Signedonit (Beogradit të sotëm) , deri sa shekuj më vonë e pushtojnë dhe e tjetersojnë thuajse plotësisht. I citova autoret e më siperm antik , per të treguar se kur Lahuta si vegël autoktone muzikore e Ilirëve , kishte shekuj që perdorej dhe me tingujt e saj të “ëmbël e të hillur” , shoqeronte e “trashigonte” jetën dhe historinë e banorëve Ilir në trojet e veta etnike , sllavo-serbët (apo skllavenët siç quhen nga autorët antik) endeshin akoma  në kushtet e mbijetesë në Uralet e egra ku edhe janë autokton. Poeti kombëtar At Gjergj Fishta në “Iliaden” e tij shqiptare Lahuta e Malcisë e pershkruan mrekullisht  se kush dhe ku ishin sllavo-serbët jabanxhi në Ballkan  dhe Ilirët vendali në trojet e tyre etnike , me vargjet e Lahutës të Malcisë:

“……. E atjè larg , po, kah Urali,
Nëpër atò breshta të larta,
Sillej Shkjau, si shkerbé mali,
Tue kerkue per molla t’ tharta,
Kur  m’kto vise të Ballkanit
Të Parët tonë, Pellazgtë e motit
Gjân e gjallë kullotshin planit,
Qétë i ngitshin m’fushë të Zotit.
Kishin frone e ligje të mara,
E giatë shtegut  t’qytetnimit
Ishin shtý atà larg përpara
Që  m’prendverë te rruzullimit.
Prej kah fill zên rriba e Verit
E m’Vezuv t’veshun  n’gjineshtra:
Prej kaukazit m’Shkam  Doverit,
Kû rri Albjona e pjekë gjinjeshtra,
Fis mâ t’ vjeter kund nuk ká
Se âsht  ky  fisi  n’zâ  i Shqyptarit,
Ne mes t’cillit punët e mdhá
Per Europë zunë  t’enden s’pari…”.11.

Jo më kot At Gjergj Fishta vepren e tij madhore, Iliaden Shqiptare e ka titulluar Lahuta e Malcisë. Fishta me lahutë në dorë xuni postin në krye të oxhakut . Prej këndej , në dritën e pishësh lotuese në vend të elektrikut , ai tërhoqi vemendjen e të mëdhajve e të vogjëlve , të burrave e të granisë , të shkollarit e të analfabetit , të fshatarit të thjeshtë e të qytetarit dinak, të vetit e të huejit. Të gjithë, pa dallim hapën veshtë dhe e ndigjuen me gojë hapët . E prejse këndoi shqip e këndoi për Shqiptarë , nuk pat si t’i harrojë- as s’kishte si t’i qesë në harresë – elementët përbasë të shoqnisë  së kohës , as botkuptimin e njaj shoqnie të vjetër , sa të vjetra ishin trashigimet ilire…12.  Lahuta e Malcisë, si dhe vendosja e shumicës së ngjarje historike e heroike të atdhetarisë së shqiptarëve në Malësinë e Madhe nga At Gjergj Fishta , nuk ka qenë e rastësishme… At Gjergj Fishta si një ndër mendjet më të ndritura , ditura dhe patriotike të shqiptarisë i ka dhënë jetë kryevepres tij “Lahuta e Malcisë” pikrisht në trojet e  autoktonisë së Lahutës , dhe tingujve të saj që shoqruan ndër shekuj trimerinë , urtësinë , bujarinë , besnikrinë dhe atdhedashurinë e malësorëve shqiptar. Është me vlera të cilësohet se Prof.dr. Zymer Ujkan Neziri (nga Rep. e Kosovës) prej vitesh ka kryer një punë voluminoze dhe cilësore , duke pergatitur 15 vëllime të Eposit të Kreshnikëve , të kënduara me Lahutë nga lahutarët më në zë të Malësisë Madhe e më gjërë. Në ketë punë voluminoze që pati filluar në vitin 2012 , e ndjej vehten “të privilegjuar”  pasi kam dhanë edhe unë një kontribut të vogël (para vepres së madhe të Profesor Nezirit)  së bashku me mikun tim Sytki Ndrecaj (në atë kohë N/Prefekt) që na mbeshteti  në ditët e ketij “rrugëtimi” në Malësi… Profesor Zymer Neziri (së bashku me bashkëpuntorët e tij)  , realizoi mrekullisht 15 vëllimet e Eposit të Kreshnikëve , vëllime që i promovoi me sukses kombëtarisht dhe nderkombëtarisht gjatë vitit 2016. Kjo punë cilësore e voluminoze tashma është njohur edhe nga UNESKO , për të cilën jam jo pak i “habitur”  se si ky institucion botëror i njohjes dhe ruajtjes së trashigimisë  së vlerave të kombeve e popujve , ka arritur të njohë mrekullinë e  kendimit me Lahutë (Eposin e Kreshnikëve)  si autoktone shqiptare  , dhe pas kësaj edhe këndimin “thjeshtë” me lahutë (gusla siç i thonë serbët), si autoktone serbe të Beogradit…

NË NGJASIM TË NJË EPILOGU

Shkjetë jabanxhi si kojshi  të shqiptarëve tash më shumë se dhjetë shekuj , dashje pa dashje kanë marrë nga doket , zakonet , por edhe muzika e fqinjëve autokton shqiptar. Si shembull për ketë mendova të marrë kendimin me lahutë. Më kujtohet se në vitet shtatëdhjetë të shekullit njëzetë çdo ditë të diel , në mos gaboj rreth orës dhjetë apo njëmbëdhjetë pa njëçerek , degjonim te ish radio “Titogradi” një kengë me lahutë të kenduar shkjenisht nga një shkja. Kënga zgjaste plot njëçerek ore , dhe ne si malësor (pa menduar më gjatë) na pelqente kjo këngë me lahutë , pavaresisht se nuk dinin se çfar “thoshte” kënga. Kjo sigurisht vinte nga mungesa e transmetimit të këngëve tradicionale  me lahutë në radio-Tirana apo radio-Shkodra , të cilat edhe kur transmetojshin (këngë me lahutë) ishin të “shkurtëra” dhe ishin thuajse  këngë per partinë (P), për E.H-në e njeriun e “ri” që kishte pjellë dreqi i kuq , gjëra që në vend të na e knaqëshin veshin na e “shurdhonin..”. Sot në pluralizem me “gjysëm”demokraci , kur me taksat tona vijojmë të paguajmë “si frangu pulen”  Ministrinë e (anti)kulturës dhe taborrin akademik e me tituj profesor e doktor , duhej që vlerat tona të historisë , kultures , artit  e trashigimisë jo vetëm të ruheshin si sytë e ballit , por edhe të prezentoheshin denjësisht para Botës dhe institucioneve të saja , si trashigimi autoktone e kombit shqiptar… E jo ti lihen “mediokritetit” , rastësisë apo ma për dreq…dashakeqsisë… Sidoqoftë Lahutën dhe këndimin me lahutë mund të na e “kopjojnë” fqinjët , por kurr nuk do të munden të na e tjetersojnë… se siç thotë një “fjalë” e urtë popullore ; E drejta mund të vonoj , por kurr nuk mund të harroj”. 

Referencat:

1.Visaret e kombit , këngë kreshnikësh e legjenda , vll.II , fq.XI , pergatitur nga At Brnardin Palaj dhe At Donat Kurti , botime Franceskane  , Shkodër 2007. 

2.At Bernardin Palaj ,OFM , Bota e  maleve shqiptare-dokumente historike , zakone doke  dhe tradita , fq.107 , botime franceskane , Shkodër 2018. 

3.At Bernardin Palaj OFM, po aty… fq.106. 

4.At Bernardin Palaj OFM, po aty… fq.106. 

5.Gojdhënë e mbledhur nga unë autori i ketij shkrimi N.B. 

6.Aleksandër Stipçeviq ; ILIRËT, historia , jeta , kultura , simbolet e kombit, fq.250 , botime Toena-Tiranë 2002. 

7.At  Gjon Karma , Kerkime ndër malet e Veriut ,fq.261.

8.Botim special i rev. “Leka”me me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqiperisë , 1937 , fq.29(631). 

9.Iliret dhe Iliria te Autorët Antikë , Akademia e Shkencave të Shqiperisë, Instituti i Arkeologjisë , fq.435-438,  Pergatitur nga Selim Islami (redaktor pergjegjes) , Frano Prendi ,Hasan Ceka ,Skender Anamali -Botimet Toena ,Tiranë 2002. 

10.Iliret dhe Iliria te Autorët Antikë , po aty ,fq.479-480. 

11.At  Gjergj Fishat , Lahuta e Malcisë , fq.105 , Romë 1991). 

12.Parathenia e Lahutës së Malësisë të At Gjergj Fishtës ,fq.XXVII , botim i tretë  ,Romë 1991.

Filed Under: Kulture Tagged With: Ndue Bacaj

“E kam në zemër popullin tem Shqiptar”

November 6, 2021 by s p

Don Lush Gjergji

Bisedat me Shën Nënën Tereze, DRITA, 2019;

Conversazioni con Madre Teresa, Velar – Edizioni Dottrinari, 2021

(111 – vjetori i lindjes, pesë vjetori i shenjtërimit)

Gonxhe Bojaxhiu u lind në Shkup më 27 gusht 1910, atëherë kryeqyteti i Vilajetit të Kosovës, nga prindërit shqiptarë katolikë Kolë Bojaxhiu dhe Drane, lindur Bernaj – Bojaxhiu, me prejardhje nga Prizreni dhe Novosella e Gjakovës. 

Ajo është fryti më i bukur i krishterimit lashtësor dhe martir, prej kohës së Shën Palit dhe nxënësve të tij, në popullin tonë dikur ilir dhe arbëror, sot shqiptar.

Jemi ndër popujt e rrallë, që kemi “mozaikun e feve”, krishterimit dhe islamizmin, gjithnjë të hapur për dialog ndërfetar, duke jetuar dhe vepruar vëllazërisht dhe bashkarisht, si shqiptarë dhe besimtarë monoteistë, model për botën e sotme,  me këtë vëllazëri të dyfishtë. 

Pas 16 veprave kushtuar jetës dhe veprës së Shën Nënës Tereze, ja edhe botimi im i 17 -të, me titull ”E kam në zemër popullin tem Shqiptar”. Pse ky libër i ri për Shën Nënën Tereze?

Çka pashë, dëgjova, përjetova për së afërmi me Nënën Tereze, atë po ua dhuroj edhe juve, që të jeni disi “pjesëmarrës” në këtë risi dhe mrekulli të shekulli XX, edhe më tepër, të shumë shekujve, të njerëzimit dhe krishterimit.

Ky botim është shumë burimor, i rrallë, mjaft i dalluar, një lloj “Ungjilli sipas Nënës Tereze”, apo “Ungjiili i pestë”, sepse botohen si tërësi: 7 intervista të saja ekskluzive, 6 më mua dhe një me Mons. Nikollë Minit, pesë vizitat e saja në Kosovë (1970, 1978, 1980, 1982, 1986), fjala e rastit të Nënës Tereze nga “Katedra e Paqes” dhe përshtypjet, përjetimet, përvojat e mia me të gjatë gjithë këtyre viteve, 1969 – 1997.

Çfarë risie sjell ky libër? Atë që Shën Nëna Tereze ka thënë në kohë dhe në hapësira të ndryshme; atë që ajo na ka lënë si testament – amanet shpirtëror; atë që ajo ka dhënë e mbjellë në ndërgjegje, shpirt, mendje, zemër dhe në jetën tonë, që të jemi bijtë dhe bijat shpirtërore të Nënës sonë të madhe.

Prandaj, dëshira ime është kjo: mbarë populli Shqiptar, por edhe popujt dhe vendet tjera, që sa ajo ishte e gjallë dhe ndër ne, nuk kanë pasur mundësi ta shohin, dëgjonin, përjetonin për së afërmi, tani nëpërmjet teksteve, fotografive, dorëshkrimeve burimore, leximeve dhe meditimeve, ta njohim Shenjtëreshën e Jetës dhe të Dashurisë, Bijën, Motrën, Nënën tonë, tashmë edhe Nënën e mbarë njerëzimit, me këto synime dhe qëllime:

  • Për ta njohur atë si vërtet ishte dhe është, sidomos në lidhje me Popullin dhe Kishën tonë;
  • Për ta nderuar dhe falënderuar për dëshmi të mrekullueshme të historisë, lashtësisë, autoktonisë sonë ilire, arbërore dhe shqiptare, që na ngriti edhe ne në piedestalin e Nobelizmit dhe të Shenjtërisë; veçmas me ata të vuajtjes, pësimit, mjerimit, vetmisë, mungesës së kujdesit dhe të dashurisë;
  • Për ta dashur dhe imituar,  në mirësi dhe dashuri, së paku në rrethe tona personale, familjare dhe shoqërore, apo si do të na thoshte ajo me gojën dhe zemrën e saj: “jepe pjesën më të mirë të vetvetes” dhe “vepra të vogla me dashuri të madhe”;
  • Për të krijuar kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, shtylla këto pa të cilat jeta s’ka kuptim: “Pa dashuri dhe flijim, jeta s’ka kuptim”; “Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”; “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.
  • Për ta mësuar artin e jetës dhe të dashurisë, apo për t’i përngjarë Nënës së madhe, sipas parimi: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi edhe ne”.
  • Për t’iu lutur dhe kërkuar ndihmën dhe ndërmjetësimin e saj te Zoti, për të tashmen dhe të ardhmen tonë sa më të mirë dhe të lumtur.
  • Me një fjalë: unë atë po ia kthej Kishës dhe Popullit tonë Shqiptar,  në një mënyrë edhe mbarë Kishës katolike dhe botës, sidomos të varfërve ndër më të varfër, të gërbulurve, atyre që janë në buzë të vdekjes, “Nënën time Tereze” duke e paraqitur dhe mishëruar në fjalë, porosi, takime, afrime, bashkime, mendime, porosi, fotografi, dorëshkrime, që çdo njeri i mendjes së hapur, zemrës së mirë, në Shenjtëreshën tonë ta ketë një model jete dhe veprimi, një frymëzim feje dhe dashuri, një ndërmjetëse të fortë dhe të dashur për hapat tanë jetësor në të tashmen dhe në të ardhmen.
  • Kjo trashëgimi, dhuratë, si shpërblim flijimi dhe martirizimi shekullor, si dëshmi e krishterimit ndër ne, të Ungjillit dhe traditës tonë, duhet gjithnjë të përkujtohet dhe kurrë mos të harrohet.

Risitë e jetës dhe veprës së Nënës Tereze

  1. Nënë e dashurisë universale, si është Zoti krijues  dhe shpëtimtar i çdo njeriut; si është jeta, dhuratë dhe mundësi për çdo njeri; si është dashuri, burimi gëzimi, lumturie dhe  pavdekësie, amshimi. 

Gjithnjë kam studiuar dhe hulumtuar për rrënjët, burimin, zanafillën e këtij përkushtime dhe dashurie kaq prekëse dhe tërheqëse për mbarë botën. Përfundimi im është ky: janë dy burime unike që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë gjithë botës:
• tradita dhe përvoja kombëtare ilire, arbërore dhe  shqiptare, që mbështetet në këtë parime të shenjta dhe domethënëse: “Bukë, krip dhe zemër”, dhe: “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”;” Mirë së të ka pru Zoti!”…
• si dhe përvoja dhe jeta e dashurisë së krishterë në familje dhe në bashkësi famullitare, kur Jezusi identifikohet me çdo njeri: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjlit, e bëtë për mua” (Mt 25, 40).
• Ajo ishte Dashuria në veprim, siç e kam definuar unë, që ka dy burime të pashtershme për Nënën Tereze: Zotin – Dashuri dhe vëllain apo motrën Njeri. Askush në historinë e njerëzimit, as në atë të krishterimit, nuk kishte nisur dhe zbatuar një vepër të tillë pa kurrfarë përjashtimi kombëtar, fetar, gjinor, kastor, shoqëror, dhe vetëm ajo kishte arritur që t’i bashkonte të gjithë, hinduistët, budistët, myslimanët, të krishterët, ateistët, agnostikët, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.

  1. Kontemplative – aktive, gjithnjë dhe gjithçka  me Zotin, për Zotin, si dhe me njeriun dhe për njeriun, pa i ndarë apo përjashtuar kurrë nga jeta dhe veprimtaria. Ky “dualizëm” – Zoti dhe Njeriu apo Njeriu dhe Zoti – kanë krijuar te Nëna Tereze harmoninë e mrekullueshme nëpërmes fesë dhe dashurisë gjithnjë në kërkim dhe në veprim. 

Papa Françesku për Nënën Tereze në Shkup ndër të tjera tha :  “Uri për bukë, uri për vëllazëri, uri për Zotin. Si e njihte kaq mirë Nëna Tereze këtë uri, ajo që ka dashur që jetën e saj ta themelonte në dy shtylla: Jezusi i mishëruar në Eukaristi dhe Jezusi i mishëruar në të varfër. Dashuri që marrim dhe dashuri që dhurojmë. Dy shtylla të pandashme që e kanë karakterizuar ecjen e saj, e kanë lëvizur, edhe ajo me dëshirë për ta shuar etjen dhe urinë e Tij. Ka shkuar te Zotëria dhe në të njëjtën kohë ka shkuar te vëllai i nënçmuar, i padashur, i vetmuar dhe harruar; ka shkuar te vëllai dhe e ka gjetur fytyrën e Krishtit… “ (Shkup, 7 maj 2019).

  1. Shenjtëresha e Jetës dhe Dashurisë: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”; sidomos mbrojtjen e jetës së fëmijëve të pa lindur, njerëzve të dëbuar dhe të përjashtuar, të varfërve ndër më të varfër, të gërbulurve, të moshuarve, të atyre që gjithnjë pësojnë dhe fare nuk jetojnë, por vuajnë dhe pësojnë. Jeta pa dashuri është vetëm barrë, peshë, kryq, sepse kuptimi i jetës dhe veprimtarisë është Dashuria.
  2. Vuajtja bekim e jo mallkim, duke ia gjetur kuptimin në vuajtjen e motivuar dhe të ofruar, në bashkë-ndarje me Jezusin dhe me çdo njeri. Solidariteti, edhe më tepër, dashuria në veprim është mjekimi universale për çdo të keqe në botë.

Ajo thoshte kështu: ”Të varfrit na japin ne shumë më tepër, na dhurojnë mundësinë që konkretisht ta duam dhe ta shërbejmë Jezusin i cili pëson në ta. Ata na japin falënderimin… Paqja do të vijë në botë nëpërmjet të varfërve. Të varfrit janë të detyruar të jenë të tillë, ndërsa ne jemi të varfra për dashuri ndaj Jezu Krishtit dhe për t’i kuptuar deri në fund ata që nuk kanë asgjë duke jetuar si ata dhe me ata… Jepni duart tuaja për shërbim të varfërve, zemrën tuaj për t’i dashur të varfrit. Dashuria e vërtetë është gjithmonë flijim dhe dhurim”.

  1. Dhurim falas dhe në tërësi, si risia e pestë e Nënës Tereze, me dashuri dhe për dashuri, me hare dhe me falënderim. Ajo shpeshherë thoshte kështu: “Nëse nuk mund të bësh asgjë për të tjerët, atëherë së paku buzëqeshu, sepse kjo nuk të kushton asgjë, por jep shumë. Gëzimi duhet të jetë një ndër thesaret e jetës sonë… Kështu më thoshte Nëna Loke: ”Gonxhe Gjyli, bija ime, ose bëje këtë punë me zemër, ose mos e bëj aspak!” 

Dhe vazhdon kështu: ”Unë ju kam thënë motrave përgjegjëse për bashkësitë tona: Bota është plot mjerime, vuajtje, pikëllime. Ne duhet të dalim në botë për ta pakësuar vuajtjen, për të qenë rrezja e Dashurisë së Zotit. Ata që vuajnë duhet të gjejnë në ne Ungjillin ngushëllues… Çdoherë kur e takoni Jezu Krishtin në të varfër, buzëqeshini. Nëse nuk doni t’i buzëqesheni Jezusit në të varfër, më mirë mos dilni fare ose kthehuni së shpejti në kuvend…”.

Shën Nëna Tereze lutu për Popullin tonë Shqiptar dhe për botën mbarë!      

                                                                                                                             Don Lush Gjergji

Veprat e Don Lush Gjergji-t kushtuar Nënës Tereze:

  • Nëna jonë Tereze, shqip, 1980; 1990; kroatisht, 1982; 1990; sllovenisht , 1983; italisht, 1983; 1985, 1988;  frëngjisht, 1985; spanjollisht, 1988, 2016; hungarisht, 1990; anglisht, 1992.
  • Lule për Nënën, shqip, 1986; italisht, 1987.
  • Dashuria në vepër: Nëna Tereze, shqip, 1992; kroatisht, 1995.
  • Gonxhja jonë – Nëna  e botës, 1998.
  • Madre della carità, italisht, 1990, ribotohet për çdo vit; anglisht, 1991; 2010; frëngjisht, 1993; spanjolisht, 1993, 2010; polakisht, 1994; gjermanisht, 1995; shqip, 2000; 2010; kroatisht, 2007; sllovenisht 2009.
  • Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, Poezi dhe Uratë, zgjodhi: Dr. don Lush Gjergji, 1998; 2000.
  • Vivere, amare, testimoniare, La spiritualità  di Madre Teresa, dy vëllime, italisht, 1995, ribotohet për çdo vit;  anglisht, 1998; polakisht, 1999; shqip, 2016.
  • Živjeti s Kristom, kroatisht, 1997.
  • Ljubiti s Marijom, kroatisht, 1997.
  • Svjedočiti s Crkvom, kroatisht, 1998.
  • Zraka Božje Ljubavi, kroatisht, 1998.
  • Madre Teresa, L’amore in azione, italisht, 2002; 2003, 2007; 2009; polakisht, 2002; 2003; litvuanisht, 2003; anglisht 2008; 2010; shqip, 1992; 2010.
  • Bog ljubi danas preko nas, kroatisht, 2003, sllovenisht, 2009.
  • Nëna Tereze, Shenjtëresha e Dashurisë, shqip, 2010; italisht, 2010; anglisht, 2010; polakisht, 2010; rumanisht, 2010.
  • Jeta, Dashuria, Dëshmia. Përshpirtëria e Nënës Tereze, 2016
  • Shenjtëresha e Dashurisë. Prej Shën Palit te Shën Nëna Tereze, italisht, shqip, kroatisht, 2017.
  • E kam në zemër popullim tem Shqiptar, 2019.

Filed Under: Kulture Tagged With: don Lush Gjergji

U PROMOVUA NË AKADEMINË E SHKENCAVE TË SHQIPËRISË “BANDA KOMBËTARE VATRA – NJË HISTORI UNIKE SHQIPTARO-AMERIKANE”

November 6, 2021 by s p

Dielli/

U promovua në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë “Banda Kombëtare Vatra – Një histori unike shqiptaro-amerikane” e Akademik Vasil Toles. Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha u shpreh: “I nderuar Akademik Skënder Gjinushi, i nderuar Akademik Vasil Tole, të nderuar Anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të nderuar pjesëmarrës, miq e të ftuar: Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve, të shqiptaro-amerikanëve dhe në emrin tim personal ju dërgoj urimet më të përzemërta e përgëzimet tona me rastin e promovimit të librit studimor të Akademik Vasil Tole: “BANDA KOMBËTARE VATRA- NJË HISTORI UNIKE SHQIPTARO-AMERIKANE ”. Ky është një kontribut i jashtëzakonshëm studimor që paraqet rolin e Vatrës në shërbim të çështjes kombëtare. Banda e Vatrës, e krijuar nga Profesor Thoma Nassi, është e njohur për misionin e saj në Shqipëri dhe kontributin e lartë që vjen e shpalosur më së miri nëpërmjet Profesor Toles. Për të parën herë, historia e Bandës Kombëtare Vatra e fragmentarizuar nëpër shkrime gazetash, dokumente arkivore, leterkëmbime etj botohet e dokumentuar në një libër studimor me vlera të larta shkencore. Ky studim na gëzon dhe na bën krenar të gjithëve ne. Përgëzime dhe faleminderit nga zemra Akademik Vasil Toles dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për këtë aktivitet të lartë shkencor e patriotik. Me konsideratë e respekt të veçantë për të gjithë JU” përfundoi fjalën e tij kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha. Akademik Vasil Tole u shpreh në promovim: “Besoj se u thanë të gjitha ato konsiderata që duheshin të thuheshin për vlerat dhe rëndësinë e Bandës Kombëtare Vatra dhe të themeluesit të saj Thoma Nassi, të cilat ky studim i kishte marrë përsipër ti trajtonte. Si autor i librit jam shumë falenderues, duke filluar me Akademinë e Shkencave që e çmoi e para këtë studim duke e botuar atë si dhe për të gjitha ata që më mundësuan me ndihmesën e tyre, sado modeste, shkrimin e këtij libri. Se cilët janë i gjeni tek pjesa e Falenderimeve në fillim të librit. Jam falenderues për të gjithë ju që sot bëtë të mundur promovimin e tij, duke filluar me kumtuesit: prof. dr. Zana Shuteriqi, muzikologia jonë e njohur e cila më ka qendruar afër prej kohës kur më drejtoi në studimet e doktoraturës në fillim të viteve 1990, e deri më sot; dirigjentin kapiten Altin Babameton dhe Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura që vazhdon traditën e Bandës Kombëtare Vatra duke mos e lënë të shuhet zjarrin që vatranët ndezën në vatrën e muzikës në Shqipëri; historianin ushtara prof.as dr. Zaho Golemi dhe Kristaq Ballin dhe dardharët për atdhedashurinë e tyre emblematike për vendin. Jam shumë falenderues në mënyrë të veçantë për përshëndetjet e ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo nga Federata VATRA prej kryetarit të saj z. Elmi Berisha dhe prej familjarëve të familjes Nassi dhe Tsika, përkatësisht z. Joy Bartlet dhe Pol Tsika, për të cilat ndihmoi familjari i tyre në Shqipëri z. Arian Cika, prezent në sallë. Faleminderit gjithashtu për dr. Mikaela Minga për drejtimin e këtij aktiviteti. Jam falenderues edhe për ju të dashur të pranishëm. Përfaqësues dhe drejtues të institucioneve të rëndësishme të shtetit shqiptar, deputete të Kuvendit të Shqipërisë, të ministrive dhe institucioneve të tjera të rëndësishme. Për prezencën në sallë të ushtarakëve tanë. Se ishte ushtria shqiptare ajo që e bëri pjesë të saj Bandën Kombëtare Vatra dhe drejtuesin Thoma Nassi duke i trajtuar ata me dinjitet si ushtarakë artistë, me ligj të veçantë dhe që sot pranë saj zhvillon veprimtarinë e saj Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura të RSH; Për përfaqësuesin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Hirësi Astin, se vatranët e Bandës Kombëtare ishin njëherazi edhe atdhetarë edhe besimtarë, të bekuar nga mësimet dhe drejtimi i Peshkop Fan S. Nolit. Për ju qytetarë amerikanë që jini sot këtu, duke na kujtuar se vatranët ishin dhe mbeten urë e patundur e marrëdhënieve të forta shqiptaro-amerikane dhe nxitës së vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në vitin 1922 e deri më sot. Për ju kolegë akademikë dhe profesorë që më nderoni me pjesëmarrjen Tuaj dhe njëherazi më frymëzoni mua dhe dhjetra e qindra të tjerë me kontributin që jepni në fushat tuaja të ekspertizës përmes botimeve, studimeve, leksioneve dhe veprimtarisë suaj publike; Për gjithë ju të pranishëm të tjerë, familjarë të pjestarëve të Bandës Kombëtare Vatra, miq e shokë të mij të jetës e të punës, artistë e dashamirës të muzikës, qytetarë e studente që më kini nderuar pa masë me pjesëmarrjen Tuaj” përfundoi Akademik Vasil Tole.

Filed Under: Featured Tagged With: Vasil Tole

Dega e Vatrës në Manhattan do të mbledhë Kryesinë më 4 Dhjetor 2021

November 5, 2021 by s p


Dega e Vatrës në Manhattan do të mbledh Kryesinë më 4 Dhjetor 2021 ora 5 pm në Selinë Qendrore të Vatrës. Ky takim do të jetë në kuadër të ristrukturimit dhe përgatitjes për Kuvendin Kombëtar vitin e ardhshëm. Në këtë takim do marrin pjesë autoritet më të larta drejtuese të Vatrës dhe do të plotësohet dega me anëtarësime të reja. Temë kryesore e mbledhjes do të jetë situate politike në Shqipëri, shqiptarët në trojet shqipfolëse, sfidat dhe e ardhmja e Degës së Vatrës Manhattan Branch.

Filed Under: Vatra

Letërsia shqiptare bëhet e pranishme në faqet e revistës letrare më prestigjioze në Rumani

November 5, 2021 by s p

“Historia e letërsisë shqipe nga zanafilla deri në ditët e sotme” në rumanisht , shkruar nga Dr. Luan Topçiu vazhdon të marrë vlerësime entuziaste në qarqet më të larta letrare dhe universitare. Pas promovimit të sukseshëm të librit voluminoz në Parlamentin e Rumanisë dhe në Bibliotekën e Qarkut të qytetit të Konstancës, një emisioni të posaçëm në Televizionin Kombëtar Rumun (TVR1), kushtuar botimit të kësaj vepre, kanë dalë artikuj  vlerësues  që janë botuar në revistat letrare të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. Më poshtë po japim artikullin që ka dalë së fundi në gazetën më të rëndësishme letrare të Rumanisë “România literară” (Rumania letrare), shkruar nga shkrimtari, kritiku dhe profesori universitar Dr. Adrian Lesenciuc, njëkohësisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, filiali Brașovă. Përmes këtij shkrimi letërsia shqiptare bëhet e pranishme në faqet e revistës  letrare më prestigjioze në Rumani. (Redaksia)

Prof. Dr. Adrian Lesenciuc

Përkime rumuno-shqiptare në “Historinë e letërsisë shqipe”, shkruar nga Luan Topçiu

Historitë letrare zakonisht shkruhen në gjuhët rrënjase. Fakti që “Historia e letërsisë shqipe që nga zanafilla e deri më sot” e shkruar nga Luan Topçiu është botuar në rumanisht, tregon, nga njëra anë, nderimin e autorit për këtë gjuhë, dhe nga ana tjetër, mund të shihet si një mundësi për të nënvizuar përkimet dhe afëritë kulturore rumuno-shqiptare. Luan Topçiu është shkrimtar, përkthyes, profesor dhe diplomat i njohur shqiptar, i lindur në vitin 1962 në Pogradec, doktor i shkencave i Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Bukureshtit me temën “Ndjenja e mallit në letërsinë e lavruar dhe popullore rumune dhe shqiptare.“, laureat në vitin 2018 i Çmimit Kombëtar për Përkthimin më të mirë etj. Lidhur me afëritë e letërsisë rumune me atë shqiptare, do të ndalem pak më gjatë. Një analizë më të gjerë për “Historinë e Letërsisë Shqipe nga zanafilla deri në ditët e sotme” e kam botuar para do kohësh në numrin 459 të revistës “Tribuna”, prandaj në këtë shkrim dua të ndalem tek marrëdhëniet kulturore midis këtyre kulturave dhe roli i trojeve rumune në formësimin e kësaj letërsie.

“Historia e letërsisë shqipe” specifikon aspekte që karakterizojnë të dyja letërsitë, nga të cilat përcaktuese është ushqyerja nga gurrat e pasura popullore, nga kulturat kryesisht rurale, përmes gjuhëve që kanë një substrat të përbashkët. Për më tepër, të dy letërsitë u zhvilluan në mënyrë të dallueshme, por jo shumë të ndryshme, duke theksuar se ajo shqiptare nuk ishte e organizuar rreth disa shkollave, rrymave apo drejtimeve, por rreth disa personaliteteve të rëndësishme. Nga tekstet e para, ato në gjuhën latine të Marin Barletit (1450-1512), autorit të veprës së njohur Rrethimi i Shkodrës (1504), vihen në pah raportet ndërmjet hapësirave kulturore rumune dhe shqiptare (shih letërkëmbimin e Skënderbeut me Vladisllavin e II e invokuar në historinë e parë të heroit shqiptar, botuar më 1505 nga Marin Barleti). Deri në veprën e parë në shqip, Meshari i Gjon Buzukut (1555), ka tekste të shumta të shkruara në këtë gjuhë, më e vjetra që riprodhon formulën e pagëzimit, të zbuluar nga Nicolae Iorga në Codex Angels (1462). Letërsia e vjetër shqipe u zhvillua si në kufijtë e Shqipërisë së sotme ashtu edhe në Itali, veçanërisht në jug, në vendbanimet e themeluara nga komuniteti arbëresh, por edhe në treva të tjera: Kosovë, Maqedoni, Greqi, kryeqyteti i Perandorisë Osmane dhe në qytete të mëdha osmane, në Trevat Rumune etj. Një rast që ilustron më së miri është rasti i Dora d’Istria-s (Elena Gjikës), autore e veprës së parë për komunitetin shqiptar në Rumani, e njohur si në Europën Perëndimore ashtu edhe në Moskë. Letërsia e Rilindjes Kombëtare shqiptare vjen me emra të rëndësishëm, si me poetin kombëtar Naim Frashëri (1846-1900), një romantik i vonshëm, si dhe Mihai Eminescu, vepra e të cilit është botuar thuajse tërësisht në Bukuresht, një  personalitet letrar i shquar “që ka venë bazat e gjuhës shqipe letrare” (f.220), me vëllain e tij, Sami Frashëri (1850-1904), rilindas i shquar, dijetar i madh, shkrimtar, publicist dhe ideologu kryesor i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, i njohur në literaturën e huaj si Shemseddin Sami, me Naum Veqilharxhin (1797-1846), i cili jetoi në Brăila, pjesëmarrës në Revolucionin rumun të vitit 1821, autor i abetares së parë të shqipes  më 1844, me Kostandin Kristoforidhin (1826-1895), përkthyes i Biblës në shqip, autor i një gramatike dhe një fjalori shqip-greqisht etj. Pas shpalljes së pavarësisë, më 28 nëntor 1912, letërsia shqipe solli prurje me emra me peshë të veçantë, reformatorë të drejtimeve të ndryshme në letërsi, ndër syresh Gjergj Fishta (1871-1940), i njohur si “Homeri i shqiptarëve” ose Ernest Koliqi (1903-1975), themeluesi i prozës moderne shqiptare. Në historinë e letërsisë shqipe, një kapitull i veçantë u kushtohet shkrimtarëve shqiptarë të formuar në trevat rumune, të cilët paraqesin aspekte biografike dhe artistike të përbashkëta: formimi në trevat rumune, ndikimi nga letërsia rumune, importimi i një matrice të re kulturore, por të adaptueshme për hapësirën kulturore shqiptare dhe, në mënyrë implicite, prania e disa veçorive stilistike që vërtetojnë afëritë e dy letërsive: Asdreni (1972-1947), autori i tekstit të himnit kombëtar, më i ngjashmi me poetët rumunë, Lasgush Poradeci (1899- 1987), “poeti më i thellë” i gjuhës shqipe (f.320) ose Mitrush Kuteli (1907-1967), prozator dhe përkthyes i shquar. Pas Luftës së Dytë Botërore, me instalimin e komunizmit, letërsia shqipe u detyrua të kashtosej me marksizëm-leninizmin dhe realizmin socialist (shumë shkrimtarë u vranë ose u burgosën dhe iu nënshtruan torturave të paimagjinueshme nga regjimi i Hoxhës). Shkrimet e para të rëndësishme i takojnë Mehmet Myftiut, Petro Markos dhe Ismail Kadaresë në prozë, Dritëro Agollit dhe Fatos Arapit në poezi. Letërsia bashkëkohore, e njohur veçanërisht përmes majës Ismail Kadaresë, është një letërsi që kërkon rikuperimin e funksionit estetik, një ripozicionim në raport me ideologjitë dhe që propozon emra të mëdhenj, si Visar Zhiti apo Fatos Kongoli, por edhe një letërsi të re në të cilën dallohen emrat si Agron Tufa dhe shumë të tjerë, apo autorë nga mërgimi shqiptar si Ornela Vorpsi etj. Realizimi i këtij projekti madhor të një letërsie shqipe, të zhveshur nga ideologjia, që arrin të rikuperojë letërsinë jashtëzakonisht të pasur, të pabotuar dhe të ndaluar gjatë viteve komuniste, është një arritje e jashtëzakonshme e personalitetit kompleks të kulturës Luan Topçiu, i cili shërben në të njëjtën masë të dyja letërsive.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • 59
  • …
  • 66
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT