• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

“NJË I PAGDHENDUR ME AFTËSI PËR KUADËR PARTIE”

January 5, 2022 by s p

 Nga Ramdan Pasmaçiu

C:\Users\Agim\Desktop\R.jpg

        1938- 2021           

Atëherë, qysh një vit e gjysmë më parë, isha drejtor i shkollës 8-vjeçare të Paftalit në Shpirag. Pata lënë punën në Tiranë si gazetar dhe kisha shkuar atje gjoja me dëshirë. Ishte lëshuar porosia që shkrimtarët të qarkullonin, të linin zyrat në qendër e të venin në bazë, nëpër rrethe, për të jetuar deri në tre vjet gju më gju me popullin. Kështu, do të nxiteshin më fort nga jeta e gjallë, për të pasqyruar në krijimtarinë letrare hovin e pandalshëm të masave në ndërtimin e socializmit.

Ishte mes i qershorit 1967. Moti – i bukur e i freskët. Papritur, ia mbërriti tek unë një inspektor i arsimit me xhips. Më tha se të nesërmen, në orën nëntë paradite, duhej të ndodhesha patjetër në komitetin e partisë. Më vajti mendja se mos do të më komunikonin që më kishin lënë të lirë për t’u kthyer në Tiranë. E, pra, asnjë lloj lajmi s’mund të më gëzonte më shumë.

Prita me zor të gdhinte nata. U nisa me të zbardhur më këmbë drejt Beratit. Ishte një rrugë dy orë e ca e gjatë, nëpër shkurre, përrenj e qafa shkëmbore. U paraqita në komitet pa vajtur ora nëntë. Nëpunësi i rojes më tregoi se më prisnin në zyrën e sekretarit të dytë. Tek ngjisja shkallët, u binda se s’kishin të më jepnin lajm tjetër, vetëm atë që parandjeja: Byroja e partisë e rrethit, pasi kishte marrë një kërkesë të dytë nga redaksia e gazetës, qe mbledhur dhe kish vendosur të më lejonte të kthehesha në Tiranë. Kjo do të ishte! S’mbetej më pikë dyshimi! S’e dija se po shkoja për lesh e do të dilja i qethur! Më thanë se kishin konsideratë për mua, ndaj do të më dërgonin për ta kaluar muajin korrik në aksionin e rinisë të shkollave të mesme, në fermën “Partizani”. Dhe shtuan se ashtu, duke qenë në mes të rinjsh, kisha rast të frymëzohesha nga vrulli i tyre revolucionar. Më ra si bombë ai komunikim. Megjithatë, e ndrydha përbrenda befasimin e pakënaqësinë. Si mund të kundërshtoja! Të më shpallnin njeri që nuk mirëpret detyrën e ngarkuar nga partia!?

– Dakord! – u thashë. 

Njëri nga sekretarët, që kishte punuar më tepër se dhjetë vjet në organet e ministrisë së punëve të brendshme, një lëkurëhollë, fytyrëverdhë, që të linte përshtypjen se nuk kishte parë kurrë dritë dielli, e që në dhjetor do të vdiste nga një kancer në mëlçi, u ngrit e më rrahu supet.

– Je djalë i mirë ti! – më tha. – Je i formuar politikisht e ideologjikisht! Je me perspektivë!

Në ditën e në orën e caktuar u gjenda te sheshi përballë kinemasë “22 Tetori”. Atje qe renditur brigada e nxënësve aksionistë. Dhe pas brigadës – nja pesë autobusë rrangallë nga ata të shërbimit urban, por të larë nga pluhuri e të stolisur me banderola rreth e rrotull.

Komandant i aksionit do të ishte një djalë rreth të tridhjetave, që paskësh qenë brigadier në një kooperativë të largët bujqësore! Pati kryer me kohë 7- vjeçaren dhe sapo kish mbaruar një kurs tremujor partie. S’ia kishin dhënë ende vendin e ri të punës. Detyra e komandantit në atë aksion do të ishte si njëfarë prove, si njëfarë mbrojtje diplome. Tregonin se qenkësh i flaktë e me cilësi organizative! Jepte shpresa për kuadër në sektorët e partisë. E quanin Sefer. Kish ca sy të vecërr e të bardhë, shpues e mjaft të lëvizshëm. Leshrat – të rrallë e të zbërdhulët. Qafën e gushën – të kuqe. Dhe vetullat mezi i shquheshin.

Erdhi çasti e u nisëm. Unë isha në autobusin e parë. Aksionistët ia kishin marrë këngës popullore beratase “Ç’u ngjita përpjetë kalasë!” Ishte vërtet një prej këngëve më të bukura qytetare. Kulmin e shpërthimit të ndjenjave e arrinte te refreni: 

      “O-of, o-of, aman, medet!

      Dhe në vdeksha, dheu s’më tret!”

Bija përmbys pas asaj kënge. Kur e dëgjoja në Tiranë, në emisionet e radios, më vlonte gjoksi e përlotesha. Ajo këngë më ndizte një mall të patreguar për vendlindjen. Të rinjtë sikur me kast e kishin zgjedhur, që të më mbushnin zemrën mua! Fillova të këndoja edhe vetë, por as me zë, as me buzë, vetëm me mend. Doja të ruaja njëfarë largësie prej tyre. Ishte hera e parë që ndodhesha me ta. Përballë kisha Seferin. Qe ulur mbi kapakun e motorit dhe seç po bisedonte me shoferin. Sa mbaroi me të e u kthye, pashë se qe nxirë në fytyrë e i lëvizte syri i majtë. Përplasi paksa buzët dhe shtriu krahët para me pëllëmbët të përmbysura. 

– Pushoni, mor jahu! – gërthiti. – Pu – sho – ni! Dasmë kemi këtu!? Harruat që jemi aksionistë, domethënë!? Këngë revolucionare të këndojmë, këngë të punës!

Aksionistët heshtën për pak, sa për t’ia dëgjuar fjalët. Pastaj vazhduan:

       “Plot me lot ç’m’u mbush shamija,

        me xhananin kur u ndashë!…”

Ai u tërbua. Më shikoi në sy, si të më kërkonte ndihmë. Iu qasa në vesh.

– Ke të drejtë, – i thashë, – por uji që derdhet s’ndalet dot me këmbë! Lëri ta mbarojnë!

Po Seferi nuk më dëgjoi. Kapi çastin kur një nxënës imitonte orkestrën me bulçi, ngriti grushtat lart dhe ia dha:

– Rroftë partia e punës!

– Urraaa! – brohoritën nxënësit aksionistë.

– Edhe një herë, domethënë!

– Urraaa!

Pastaj, për çudi, vazhdoi prapë kënga e kalasë:

     “Do vete t’i them satëme,

       hiqe prej meje sevdanë!”

Komandanti u skandalizua. S’po mbushej dot me frymë. Desha ta qetësoja. Iu afrova përsëri në rrëzë të veshit:

– S’ndalet uji me këmbë! Të thashë! Lëri!

Ai shfryu dhe hoqi dorë. Por, me të mbaruar ata, si të trembej se mos ia zinin radhën me ndonjë këngë tjetër si ajo e para, filloi të këndonte me ngut:

      “Me Enverin, me partinë,

        socializmit do t’ia mbërrijmë…”

Ishin ca vargje bajate, që herë përdoreshin për brohoritje e herë këndoheshin, si shoqërim i një valleje të thatë, nëpër sheshe mitingjesh. S’kishte kurrfarë figure vallja, veç përngjasimin e sjelljes rrotull të kalit në lëmë. 

Befas komandanti i aksionit thirri:

– Të gjithë, mor jahu! Të gjithë bashkë!

Atëherë ia nisën edhe aksionistët. Madjé, ai që kish imituar orkestrën me bulçi, u ngrit nga vendi tek qe ulur dhe, teksa autobusi ecte, ia mori valles i vetëm në rruginën midis sediljeve. Të tjerët tashmë, jo veç këndonin, po edhe i mbanin ritmin e kërcimit, duke përplasur pëllëmbët. Seferi arriti majën e entusiazmit. Vazhdoi të këndonte më këmbë dhe i qeshur, duke lëvizur me shkathtësi ata sytë e vecërr sa majtas – djathtas, po edhe duke i hedhur nga unë, si të më lëvdonte aftësitë që kishte për ta bërë rininë për vete. Më tej çonte grushtet lart, duke lëshuar thirrma:

– Jepini, shokë! Jepini, shoqe! Ju lumtë, domethënë!

Por, papritur, autobusit i del para një gomar dhe shoferi frenon me forcë. Ai i bulçive që kish marrë vallen, u rrëzua me hundë në mes të rruginës. Veç, edhe më keq e pësoi komandanti. Ai ra me kurriz e këmbëpërpjetë mbi kapakun e motorit që kish pas shpine, u tregoi aksionistëve shojet e këpucëve, e koka iu përplas pas xhamit të përparmë.

– Djalli e mori! – tha si u ngrit e duke e mbajtur kokën me dorë. – Ç’qe kjo, mor jahu! – Pastaj iu kthye shoferit: – Nuk e shikon rrugën ti, domethënë!?

– E pati fajin gomari, jo unë! Shyqyr që s’e shtypa, thuaj! Shyqyr edhe që na shpëtoi xhami pa thyer! 

– Mirë e ke, po gungës time në kokë, mor jahu, si do t’ia bëjmë?

Kënga ishte ndërprerë me kohë si me thikë. Tanimë aksionistët qenë grumbulluar përreth Seferit e sa s’po i zinin frymën. Me të dëgjuar për gungën, filluan të thërrisnin pa radhë:

– T’i vëmë qepë e kripë, se ulet menjëherë! Kush ka një çikë qepë e kripë?

– Një pesëleksh duhet, një pesëleksh! Kush ka një pesëleksh për kokën e komandantit, se i është bërë një gungë sa një vezë?

– Kam vetë, kam vetë, domethënë! 

Ai e nxori nga xhepi, e vuri sipër fryrjes dhe nisi ta shtypte.

Njëri e pyeti:

– T’ia marrim një këngeje tjetër tani, apo ta lëmë?

– Komandanti ka hall, e ti dashke të këndosh! – ia pritën disa.

Seferi foli për të gjithë e me gjallëri, por pa e hequr dorën nga gunga:

– Këndoni, këndoni! Pse jo! Edhe dhjetë herë të rrëzohemi, prapë duhet të ngrihemi! – ka thënë Lenini, domethënë!

Se kush filloi:

       “Mora mandolinën, dola në sokak…”

Të tjerët e pasuan:

      “Ç’ke, moj vajzë e vogël, pse më bën merak?…”

Seferit sa s’i dolën sytë. Pyeti me rrëmbim dhe i ngrysur:

– Mor jahu! Ç’porosi ju dhashë qysh sèfte!? Pse nuk bindeni!? Apo doni, domethënë, që ta përjashtoj ndonjërin nga aksioni?

E ndjeva se duhej të ndërhyja.

– Atë këngën e mandolinës do ta këndojmë atje, në kohën e lirë! – thashë. – Se edhe mua më pëlqen shumë. Kurse tani njerëzit në rrugë duhet ta kuptojnë edhe nga këngët se ç’jemi e ku vemi! Ndaj, pse të mos marrim, ndonjë këngë të zjarrtë, që i shkon rinisë aksioniste!

Të rinjtë ia nisën në çast:

      “Malet me blerim mbuluar,

        plot me bukuri…”

Mandej, gjer në mbërritje gjithçka shkoi mirë. Dhe Seferi, megjithqë gunga nuk i qe ulur edhe aq, ishte qetësuar e zbutur disi dhe përpiqej të buzëqeshte. Veçse, buzëqeshja e tij dukej e zbarët, pa kripë e pa shije, e shpëlarë.

Kur zbritëm në fermë, ishte koha që hahej dreka, po drekë për aksionistët nuk u shtrua. S’kishin ardhur ende kazanët, por, ama, kuzhinieri ishte në gatishmëri. Bilé, edhe me përparëse e kësulë të bardhë. U përhap fjala që secili ta shtynte si ta shtynte gjer në darkë.

Mensa ishte një si kasolle e madhe, e gjatë, e ngritur mbi furka dhe e mbuluar me kashtë. Edhe fjetoret ishin të mbuluara me kashtë. Edhe dyshekët të mbushur me kashtë. Edhe jastëkët – me kashtë. Të gjitha – me kashtë. Vetëm batanijet s’ishin prej kashte, por leshi e pambuku dhe të vjetra e me një erë të keqe. 

Disa të rinj deshën të pinin ujë, po s’kishte. S’pati ardhur autoboti. Veç, etja nuk durohej. Dielli digjte dhe bënte vapë e madhe. 

– Çfarë është kjo kështu! – u ankuan nja dy.

Komandanti i aksionit i dëgjoi e ua ktheu:

– Partizanët, mor jahu, kanë luftuar ditë të tëra pa ujë! Ju të mos rezistoni dot pak orë! Janë vështirësi të fillimit këto, vështirësi të rritjes. Do të kapërcehen, domethënë!

Dikur u dëgjua uturima e autobotit. Pas tij, si të ishte i rimorkjuar, vinte një zetor, tek qenë hedhur kazanët. Nëpër atë rrugë të pashtruar e me gropa, ata përplaseshin çast më çast dhe zhurma e tyre përshkonte fushën dhe shkonte gjer matanë shtratit të lumit Devoll. Aksionistët e djegur për ujë u sulën tek autoboti. Por Seferi u gjend përsëri në krye të detyrës.

– Largohuni! – thirri. – Ku janë komandatët e kompanive? Komandantët e togave ku janë? – Ata i dolën sakaq përpara. – Hë, mor jahu, ç’bëni ju!? Vërini forcat në rresht! Të gjithë të pinë me rregull! Por në fillim të bëhet furnizimi i kuzhinës, domethënë! 

Ndërkaq, sytë e të rinjve dalluan kënaqësinë në fytyrën e dhjamur të kuzhinierit, që kishte afruar me vrap bidonat.

– E ka mirë prefesori! – tha ai për Seferin.

Ky u prek në sedër, se ia ulën postin:

– S’jam profesor, mor jahu, po komandanti, domethenë!

Kuzhinieri vazhdoi buzagaz: 

– E ka mirë shoku komandant! Po nuk u furnizua më parë kuzhina, me se do të ziejnë fasulet?

Kështu, u bë e njohur edhe menyja e darkës, e një darke korriku. Megjithatë, ajo u rrokullis si u rrokullis, se gatimi qe bërë me mend, në formën e një supeje pa yndyrë. Kokrrat e fasuleve duhej t’i kërkoje gjatë me lugë.  Lëngu i bollshëm i domateve të tharta e shtynte më lehtë bukën poshtë. Kësisoj, edhe unë hëngra me oreks. Isha jo veç pa drekë, po edhe pa mëngjes. Pra, tashmë mund të flija rehat. Kashta s’do të më bënte përshtypje, se s’kisha ndryshim nga të tjerët. S’qeshë i lindur e i rritur në pupla. Në fund të fundit, aksion ishte atje e jo turizëm. Po ku ta dija se ajo natë do të më kalonte pothuaj pa gjumë! Pesë minuta, pasi u shtriva në dyshek, ndjeva të më kruhej trupi. Ndërkohë, dëgjova zëra të shqetësuar. Pak e nga pak, zhurma e zërave sa vinte e shtohej. Seferi, që flinte pranë meje, u zgjua si nga një ëndërr e keqe. 

– Ç’është!? – më pyeti i tronditur nëpër errësirë. 

– Po dalin nga fjetoret, më duket! Se ç’kanë! – i thashë. 

Ai brofi më këmbë, veshi pantallonat dhe u zhduk përjashta duke vrapuar.

– Ku shkoni, mor jahu!? – sokëlliu. – Kthehuni prapa! Nëpër fjetore, domethënë!                                                                

– Ç’të kthehemi! Na grinë tartabiqet! – përgjigjeshin të rinjtë në atë gjysmëterr, ku mezì sa arrinte drita e dobët e një llampe të varur te një shtyllë e drunjtë dhe e shtrembër pranë mensës.

– S’e kemi vënë kollaj gjakun!

– S’erdhëm këtu, t’ua falim tartabiqeve!

– Mjaft! – bërtiti Seferi i nervozuar. – Ku janë komandantët e kompanive? Komandantët e togave ku janë, mor jahu!?

– Këtu jemi! – ia kthyen. – Por u thonë tartabiqe atyre! S’kemi ç’u bëjmë!

Ai shtriu buzët i çuditur.

– S’e marr vesh, domethënë! – tha. – Unë kam gjysmë ore që fle dhe s’më kanë ngrënë fare, mor jahu!

Njëri nga të prapmit ia priti:

– Mbase ke gjak të hidhur ti! S’afrohen në gjak të hidhur ata!

Disa qeshën. Komandanti u fye. 

– Kush foli? Të dalë këtu ai që foli, domethënë!

Ndërkaq ia mbërritën vajzat.

– Na mbytën tartabiqet! – thërrisnin!

Po Seferi s’u vuri vesh. Ai prapë sokëllinte:

– Këtu, këtu të dalë ai që foli, mor jahu! Do të shohim, po nuk e përjashtova nga aksioni, domethënë!

Isha në krah të Seferit. Tani të rinjtë heshtnin. Asnjë prej tyre nuk qeshte. As nga djemtë e as nga vajzat. Ndërsa unë me zor përmbahesha të mos qeshja. Sa shumë “mor jahu” e “domethënë” kishte! Po edhe me ato që thoshte, sikur e paralajmëronte atë djalin të mos dilte! Kuptova se jo veç ishte i nxituar e i vrazhdë, po edhe pa kulturë qytetare e pak i trashë. Krijonte gjendje të ndera dhe vetëhumbiste në to. S’qe për komandant aksioni ai! Çudi si e kishin vënë! Qysh do t’ia bëja me të! Të kish edhe ndonja dy – tre mësues në aksion, ndryshe do të ndihesha. Po ashtu, i vetëm…

E pashë tek u fut në turmën e të rinjve.

– Ti fole, mor jahu? Ti? Ti tjetri? As ti, domethënë?

Ishte një këmbëngulje mushke. Ai qe i bindur se më kishte nga pas. Po si mund ta ndiqja në marrëzitë e tij! Qeshë larguar paksa dhe kisha ndezur një cigare. Gjersa që natën e parë i lejonte vetes aq acarim me aksionistët, vaj – medet si do të shkonin punët më tej! 

Kur ktheu kokën dhe më pa tutje, e ndjeu se nuk po më pëlqente ajo që po bënte. U ndal.

– Mos kujtoni, mor jahu, se ma hodhët! – i tha turmës. – Do të vazhdojmë nesër, domethënë!

E ndërsa u nis drejt meje, turma u ndez. Njëri ia priti:

– Ç’nesër, shoku komandant! Sonte si do të bëhet? Ku do të flemë sonte?

Të gjithë:

– Sonte, sonte! 

Një tjetër:

– Dhe mos e nxirr me ne inatin e tartabiqeve! S’kemi ardhur këtu të zihemi për të bardhat e laraskës, po për të punuar!

Seferi i mbërtheu këmbët në vend gjithë kërcënim, e teksa askush s’foli më, m’u afrua i tronditur. Syri i majtë përsëri i hapej e i mbyllej me vrik, frap – frap! Dukej, ishte një tik i tij nervor.

– Si të veprojmë, mor jahu? – më pyeti. E kuptova se donte mendim  për atë që i kish fyer gjakun.

– Lëre! – i thashë. – Një shakà ishte! S’vete t’i qepesh pas me gurë në trastë! –  Dhe i përkëdhela sedrën: – Je kuadër!

– Keni shumë të drejtë, – ma ktheu, – kuadër jam, por edhe pa diciplinë, nuk bëhet, domethënë! Mungesa e diciplinës të çon në anarshi! – ka thënë shoku Enver, mor jahu!

– Ashtu, ashtu! – vazhdova. – Por i vetëm do ta kesh vështirë. Duhet të mbash afër shtabin dhe ta vësh në lëvizje! Ja, edhe për sonte, se ku do të flenë, të ketë një vendim shtabi!

Dhe ai thirri të rinjtë e shtabit. E ata u treguan të vendosur. Të gjithë thanë se nga ferma nuk ishin marrë masat. Kjo qe dukur qysh se kishin ardhur. Asnjë parrullë mirëseardhjeje! Asnjë përshëndetje! Madjé, asnjë pritës, veç kuzhinieri! Po edhe as bukë e as ujë! Dhe batanijet – të palara. Binin erë myk, si edhe dyshekët! Duheshin edhe tartabiqet, që të mos flinin dot! Por a mund të punohej pa gjumë!? Gjumi ishte kryesori! Pra, ç’ish ai mosinteresim!? Ç’ish ai indiferentizëm!? As tualete të veçanta për vajzat s’kishte! As banja! S’e dinin se do të vinin njerëz aty e jo bagëti!? Ç’bëhej ashtu!? Sabotohej aksioni!? Të thirreshin menjëherë drejtori i fermës e sekretari i partisë dhe të jepnin llogari! Përndryshe, do të largoheshin qysh atë natë!

– Po daleni! – ua ktheu Seferi. – Ç’janë gjithë këto!? Qysh porosit partia, domethënë? Të parët në sakrifica, të fundit në pretendime! Të sakrifikojmë pak, mor jahu! 

– Jo, more, shoku komandant! Ata të flenë në shtëpitë e tyre rehat dhe ne, që na pret fusha me të zbardhur, ta gdhijmë jashtë!?

– Po partizanët në male, në dimër, në dëborë, në shi, domethënë…

– S’jemi në luftë këtu, po në aksion! – e ndërpreu një vajzë e shtabit. – Qysh tani t’i zgjojmë nga gjumi ata, që nuk e kanë vrarë mendjen për ne!

Seferi s’kishte se nga të lëvizte.

– Mirë, mor jahu! – tha. – Po dëgjoj zërin e masës, siç na edukon udhëheqësi ynë i dashur, domethënë, me mësimet e tij largpamëse!

Vajzat i lanë të flinin mbi tryezat e mensës, djemtë – nëpër bar, rrëzë pemëve, dhe ngritën kuzhinierin t’u tregonte shtëpinë e drejtorit.

– Ai rri në qytet! – ua ktheu.

– Na pri, pra, për te sekretari i partisë!

– Po ç’më ngatërroni mua! Pse më fusni në belà! Jua tregoj që këtu dhe e gjeni kollaj! Shkoni drejt e drejt dhe do të dilni te një si breg. Ka ca mullarë tek ai bregu. Lërini mullarët në të djathtë dhe…

– Mjaft! – i thanë. – Do të vish me ne! Mbaroi!

E vunë përpara.

… Trokitën te shtëpia e sekretarit. Doli. Ia numëruan të gjitha.

– Bre, bre! – ia bëri ai. – Po mua më raportuan se çdo gjë është në rregull! Nejse! Do të vij vetë nesër atje! Shkoni!

– Nuk shkojmë, jo! Aksionistët janë jashtë! Ju presin tani! Juve dhe drejtorin! Njoftojeni me telefon!

– Bre, bre! Po qenkeni barut, bre! Pritmëni pak! – Ai u kthye brenda. Jashtë arrinte zëri i tij: – Alo, merr makinën, bre, dhe hajde, se na presin ata, aksionistët! E, e, sonte! Sonte, po çë! Ika unë përpara!

Atë natë në qendrën e aksionit u bë zallamahi. Pyetjet e të rinjve për drejtorin e sekretarin e partisë ishin si gozhdë e i mbërthyen me shpatulla në mur. Veç kërkesave që ngriti shtabi, të tjerët shtuan edhe pse nuk qe bërë ndriçimi. Pse ishte lënë gjithçka e zhytur në terr! Mensa me aq pak drita dhe sheshi vetëm me një llampë – varur në shtyllën e shtrembër!

Pastaj thanë të tërhiqeshin menjëherë të gjithë dyshekët e të gjitha batanijet dhe të zëvendësoheshin me të lara. Të ngriheshin një orë e më parë tualete e banja për vajzat, depozitë uji me rubineta për larjen e fytyrës e të duarve, që të mos plaste ndonjë epidemi! Në qoftë se nuk pranonin t’i bënin këto,  do ta linin aksionin, do të ktheheshin në çast më këmbë në Berat dhe ata t’i përgjigjeshin vetë komitetit të partisë të rrethit!

– Unë, për hesapin tim, bre, ju bëj lutje të na falni, se s’kemi eksperiencë në këtë drejtim! E para herë që na vijnë vullnetarë si ju këtu, bre! Po, nejse! Batanijet do t’jua këmbejmë qysh nesër në mëngjes me të lara në teknikum. Iku kjo, u bë! Dyshekët i nxjerrim në diell e u hedhim ca flit. Për disa orë, bre, tartabiqet asgjësohen. Iku dhe kjo, u bë! Ja, edhe ndriçimin e realizojmë! Blejmë ca llampa, bre, ca tel, ngulim ca shtylla aty – këtu, sjellim elektriçistin dhe… Iku edhe kjo! U bë! Po kështu, bre, depozitën e ujit e kemi në dorë. Marrim nja dy – tri fuçira, i ngrejmë mbi një si mur gjysmë metri, a tre çerek metri të lartë, i themi hidraulikut t’i lidhë me një sulinë, siç thatë ju, bre, t’i vëjë sulinës ca rubineta, siç thatë ju, dhe iku, u bë edhe kjo! Po për nevojtoret e për banjat e vajzave, bre, qysh do t’ia bëjmë? Hë, mo, shoku drejtor!

– Atë e kam zgjidhur. Nesër janë të përfunduara me eternit. Por, një herë në javë do t’ju sjellim edhe film këtu. Do t’ju vëmë edhe qendër zëri me radio! E siguroj te kinemaja e qytetit qendrën e zërit. Do t’ju sjellim edhe ca kutira shahu. Mirë?

Ishte ora tre pas mesnate. Më pesë e njëzet bëhej ditë. Me zotimet e sekretarit e të drejtorit, u duk se ajo mbledhje ia arriti qëllimit. Të gjithë u shtrinë përsëri të merrnin, së paku, një sy gjumë. Tani edhe unë isha jashtë me nxënësit. Do të flija ulur, mbështetur me shpinë pas trungut të një plepi. Kurse Seferi u fut rishtas te kasollja e vogël, që ishte e posaçme për ne. Vërtet atij, o s’i afroheshin tartabiqet, o ai s’i ndjente. Mjaft nga djemtë nuk i zuri gjumi si me çelës. Ata vazhduan të bisedonin ngadalë, madjé edhe duke hedhur romuze e duke u shkrirë së qeshuri. “Marrim ca tel, bre, ca llampa! Iku dhe kjo! U bë!” – thoshte njëri. “Pusho, mor jahu, se do flemë, domethënë!” – ia kthente tjetri. “Ç’të flesh, bre! Tani po zbardh! Çohu të luajmë, se kanë ardhur kutitë e shahut!” Dikush andej nga fundi këndonte lehtë: “O, ç’po vjen ky lumi me utrimë!…” “Pusho, or qyp! – e qortuan disa. – Prapë me këngë sazesh ti! Zër, ore, një nga ato me “urra”, se jemi në aksion këtu, s’jemi në dasmë!” Dikur, duket, se kush bëri shenjë nga unë. Isha symbyllur. “Po fle, po fle! – u dëgjua një zë i ulët nga ata që kisha afër. – Por mos kini merak nga ai! Është ndryshe fare! Është në krahun tonë!”

Nuk mora vesh se kur më zuri gjumi, e as se si ia mbërriti aq shpejt koha e zgjimit. Goditjet e Seferit mbi çangën, që lajmëronte të çoheshim, sikur më binin mbi kokën e rënduar. Ndihesha i këputur, por jo i mërzitur. Të rinjtë më kishin dhënë humor.

– Në rresht, në rresht, mor jahu! – bërtiste Seferi para autobotit, tek aksionistët u mblodhën të lanin sytë. – Në rresht, në rresht, domethënë! – bërtiste ai edhe më pas, para hyrjes në mensë. 

Mëngjesi: një gotë çaj me një lugë sheqer, një fletë e hollë dhe e thatë djathi me domate te vogla, dy patate të ziera, bukë nja dyqind gramë dhe kripë. Kjo ishte e bollshme, veç e zezë dhe me baltë të gjelbër.

Jashtë mensës prisnin shoqëruesit e aksionistëve, që do të shpërndanin veglat e do të tregonin punën. Ishin shumica gra. Përgjithësisht të zbathura e me fytyrat të përzhitura nga dielli, me shami të bardha lidhur flokët, me pantallona doku të arnuara e fustane basmeje sipër. Kishte midis tyre edhe burra të parruar e të pakrehur, por këta qenë më të paktë. Si gratë, si burrat, do të bënin edhe matjen e punës së të rinjve aksionistë me ca këmbaleca dërrase në formë trekëndshash, që mbanin në dorë. Rruga do të ishte jo fort e shkurtër. Dhe puna – në diell. Do të shkuleshin rrënjë zarzavatesh të vjela e barishtesh të egra, ferra e gjembaçë nga kanalet kulluese dhe do të mblidheshin në pirgje të mëdha, tek do të shkonte t’i merrte zetori.

– Një kompani do të thellojë e zgjerojë kanalin e madh vaditës! – tha një brigadier.

Sa dëgjuan fjalën kanal, të rinjtë ia morën këngës:                                                                                                                                                                                                                                                                 

       “Ik e ik e s’ka të sosur ky kanali i Myzeqesë!…”

– Ashtu, mor jahu! Ashtu, më ju lumtë, domethënë! – thirri Seferi i entusiazmuar dhe dha komandën e nisjes.

Dita e parë nuk shkoi mirë. Flamuri i emulacionit nuk u ngul në asnjë kompani. Aksionistëve u merreshin mendt e mezì mbaheshin më këmbë. Nata e gdhirë pothuaj pa gjumë, dielli përvëlues, etja e ethshme për ujë, ua prenë gjunjët qysh pa afruar mesdita. Dhe kur ktheheshin në qendër, nuk flisnin, i hidhnin hapat zvarrë. Shëmbëllenin me ushtarë që vinin nga ndonjë front lufte, tek ishin shpartalluar. Megjithatë, u gjallëruan papritur dhe qeshën me të madhe, kur panë se para mensës qe vënë parrulla: “Mirë se erdhët, të dashur shokë aksionistë!” Ishte si çorba pas pilafit. “Bre, bre, – tha njëri, – iku dhe kjo, u bë!” “Hahaha!” – ia dhanë gjithë të tjerët. “O po, ujë, se u dogj lumi!” – thirri dikush. “Ku është depozita? Ku është autoboti?” – pyetën disa. Si s’vunë re asgjë nga këto, u sulën me rrëmujë drejt kuzhinës, të shuanin etjen. Por, komandanti i aksionit u preu rrugën:

– Prapësohuni! – ulëriti. – Prapësohuni, mor jahu! Ku janë komandantët e kompanive? Komandantët e togave ku janë?

Dhe urdhëroi rreshtimin e brigadës. Pastaj doli në krye dhe, i errët pus, tha me zë të lartë se nuk do të lejonte anarshi. Ai, si komandant, ishte shumë i pakënaqur nga ai fillim i dështuar. 

– Dhe mos harroni! Shoku Enver ka thënë se dita e mirë duket që në mëngjes! 

Të gjitha thëniet ai ia vishte o Enver Hoxhës, o Leninit!

Më pas tha se nuk do të arrinin kurrë suksese, nëse nuk do të kishin rregull e diciplinë. Dhe tregoi se Lenini i madh theksonte në veprat e veta të pavdekshme që aksioni, pa rregullin e diciplinën, është si mulliri pa ujë. Prandaj ai do ta mbante timonin shtrënguar mirë, që të mos bëheshin si këmbët e dhisë. Ta dinin se aty nuk kishin ardhur për t’u shullërë në diell, po për ta derdhur djersën çurg si revolucionarë të vërtetë! Kush nuk donte ta kuptonte këtë, le t’ua hypte opingave dhe le të vinte majat nga thembrat, se rrugën të hapur e kishte! S’e mbante njeri me zor. 

Ai u zgjat e u zgjat. Përdori të tjera fjalë e shprehje të vrazhdta, duke u bashkëngjitur shumë mor jahu, shumë domethënë dhe shumë citate, gjoja, të Enverit e të Leninit. Aksionistët e dëgjonin të rreshtuar e të heshtur, të lodhur e të etur, me diellin mbi kokë. Dikur nuk duruan dot më. E ndërprenë me britma:

“Duam ujë!”

“Na dogji dielli!

“S’rrimë dot në këmbë!”

Seferi filloi të vështronte egër sa andej – këtej.

– Mua më prisni fjalën, domethënë!? Mua, komandantit, mor jahu!?

Brigada tashmë zhurmëronte. Gjendja po merrte pamjen e një greve. Iu afrova Seferit.

– Janë pa gjumë! Janë të lodhur shumë! S’kanë pirë ende ujë! U përvëluan në diell! – i thashë majë buzëve. – Lëri të lirë!

– Hajt, shpërndahuni, mor jahu! Të lirë, domethënë! – thirri ai. E ndërsa të rinjtë u sulën përsëri drejt mensës, u kthye nga unë e më çuçuriti:

– Më thotë mendja se këtu ka shumë djem e vajza nga familje të deklasuara. Me njollë në biografi, domethënë. Ata e shkaktojnë turbullirën. Pra, vepron dora e armikut, mor jahu, duket! Shoku Enver ka thënë të jemi vigjilentë në shtëpi, në rrugë, në punë e kudo, domethënë! Prandaj ta forcojmë vigjilencën, mor jahu! T’i zbulojmë armiqtë, domethënë, dhe t’ua vëmë këmbët në një këpucë, siç ka thënë shoku Lenin! Të ndezim luftën e klasave dhe ta mbajmë gjallë, mor jahu! Përndryshe, do të na bëhet aksioni lesh e li, domethënë!

U binda se kisha të bëja me një të pagdhendur, me një shpirtzi, me një hajvan, me një derr. Vetëm pse e kishin përkëdhelur me një kurs tremujor partie dhe pse e kishin vënë komandant aksioni, ngrifej asisoj. Dhe shtyhej ta kërkonte armikun e klasës në mes vajzave e djemve të pafaj. Po t’i jepnin një pozitë tjetër më të lartë, me siguri do të dilte shpatëzhveshur sheshit, të vriste e të priste. Ndonëse bir fshati, i nëpërkëmbur e i gënjyer si gjithë fshatarët, qenkësh si ai evgjiti që, kur u bë mbret, vrau babanë!

Unë heshtja. Seferi tundte kokën.

– Belà e madhe na gjeti, mor jahu! Belà shumë e madhe, domethënë!

E vendosa. Pak e nga pak, do të tërhiqesha mënjanë. Kurrsesi s’duhej ta trashja me të! Larg prej tij! Sa më larg! 

Drekën mezì e shtyta. Le që ku hahej ajo! Përsëri fasule, po tani të trasha disi më shumë dhe makarona me vaj kikiriku, të qullta e të ngjitura, si një lloj llaçi që të pështirej. Ujë nëpër tavolina s’kishte, se mungonin gotat. Veç në kuzhinë. Në një tenxhere fusnin hundët njëri pas tjetrit dhjetë vetë. Se as depozita qe bërë e as auotoboti s’kishte ardhur prapë. Pas drekës aksionistët donin të shtriheshin, por batanijet i kishin marrë dhe të larat s’i kishin sjellë. As dyshekët s’i patën lëvizur vendit. Aty nga ora tetë e mbrëmjes erdhi me zetor edhe një thes me flit. Erdhi edhe sekretari i partisë. 

– Nesër vlon fliti! – tha. – S’do të ketë më tartabiqe sikur një, bre, deri tek dysheku i fundit! Iku edhe kjo, u bë, bitisi! Ja, kështu! Veç zemrën mos e prishni! Të gjitha do të bëhen! Me radhë!

Të rinjtë e kishin vënë në mes.

– Po sonte ku do të flemë? S’kemi as batanije! Ku janë batanijet? Na thatë që do t’i merrnit qysh në mëngjes në teknikum!

– Ashtu, bre, ashtu, por na e drodhën ata të teknikumit! Na gënjyen, pizevengët! Demek, qenka me leje ai shejtani, magazinieri, na thanë. Po edhe ju, bre, në tërë këtë të nxehtë që po bën, ç’u jepni kaq rëndësi batanijeve! Çuditem, vallahi! Nuk shikoni që po pëllcet derri nga vapa, bre!?

Sa tha kështu, u bë gjullurdi. Aksionistët filluan të flisnin përzierë e me zë të lartë, se ai e drejtori po i mashtronin. Kishin thënë se atë ditë do të plotësonin gjithë ç’ishte mangut. Pse nuk e mbanin fjalën? Pse talleshin? Apo i kujtonin fëmijë? Si guxonin t’i linin natën në tokë!? 

– Po daleni, bre, se nuk pritet lisi me një sëpatë! – ua ktheu sekretari. – Ja, sot vumë parrullën, prumë flitin… Nesër… Thashë, bre, me radhë do t’i bëjmë të gjitha! Njëherësh s’bëhen dot!

Atëherë, një tufë djemsh e vajzash iu qepën sekretarit. I thanë se do të shkonin të flinin te shtëpia e tij. Ai hodhi një hap prapa i tronditur e syhapur. Kasketa i ra në pluhur. Mbeti shtangur, por e nxori nga halli komandanti i aksionit.

– Ku shkoni ju, mor jahu!? Asnjë s’mund të largohet nga aksioni pa leje! Dhe lejen e kam vetë në dorë, domethënë!

Aksionistët e gdhinë edhe atë natë jashtë. Të nesërmen kërkuan t’u çoheshin dy bidona ujë të pijshëm në fushë nga ferma. Dhe puna vajti disi më mirë. Madjé, kompania e dytë meritoi flamurin e aksionit, se e realizoi planin gjashtëdhjetë e gjashtë përqind. Në sheshin para mensës atë ditë, në pritje të aksionistëve që ktheheshin nga fusha, qenë, veç drejtorit e sekretarit të partisë, edhe kryetari i bashkimeve profesionale, nja shtatë brigadiere e brigadierë, katërmbëdhjetë të rinj e të reja fshatare dhe tre arixhinj me mustaqe. I pari me def, i dyti me fizarmonikë dhe i treti me gërnetë. Të gjithëve u qeshte fytyra.

Sapo u dukën rreshtat e parë të djemve e vajzave, drejtori i fermës u bërtiti arixhinjve:

– Nisjani, more, ç’prisni!

Në çast defi, fizarmonika e gërneta buçitën në melodinë e valles “Qaj, Minushe, qaj Resulin!…” Të rinjtë e të rejat fshatare filluan të kërcenin duke tundur shamitë. Kryetarit të bashkimeve profesionale, një kokëtuli tullac, iu ndez gjaku.

– Hajde, o, ç’vete! Eh, or, eh! – thirri ai dhe hyri në valle. 

Sekretari i partisë i doli përpara komandantit të aksionit dhe i tha:

– Sot kemi menduar, bre, të organizojmë atë pritjen që, për mungesë eksperience, s’e organizuam dot, kur erdhët séfte. Se partia kështu na mëson, bre, t’i korrigjojmë gabimet, apo jo? Kësisoj, edhe kjo iku, u bë, bitisi! Po le të lahen të rinjtë, le të lahen! Le të hanë edhe drekën! Pastaj do të mbajmë edhe një fjalim! Pa edhe do të këndojmë e do të heqim valle plot! Qejf – hesapi! Tymi le të dalë!

Dhe ndërsa aksionistët laheshin, grupi i fermës këndonte këngën:

      “Kush punon në bujqësi, edhe moj…

        e fshin djersën me shami, edhe moj…”

Atë drekë ishin hequr fasulet dhe qenë zëvendësuar me sallatë domatesh me pak vaj luledielli. Vërtet përsëri s’kishte gjellë me mish, por, ama, pas sallatës, nuk mungonin bishtajat e ziera, bile edhe një hallvë, paçka se ajo qe e paktë, jo fort e ëmbël dhe të ngjitej në qiellzë! Po edhe kërkesat e aksionistëve s’ishin lënë në harresë. Qenë ngulur nja dy trarë në sheshin para mensës me nga një llampë në krye, qenë bërë dyshekët me flit e ishin nxjerrë në diell. Qenë larë bataniet nga gratë e fermës në lumë, nderur në zall e bërë pishë. Qenë shtruar edhe nja tri metra katrorë me çimento, tek do të ngriheshin tualetet e vajzave. Po edhe afër autobotit dukej një grumbull gurësh, me të cilët do të ndërtohej bazamenti i fuçive. Pra, ishte arritur diçka.

Pas drekës, sekretari i partisë u tha aksionistëve të uleshin këmbëkryq në shesh, se ishin të lodhur, dhe nisi të mbante me gojë fjalimin e mirëseardhjes:

– Të dashur shokë aksionistë! Ju uroj nga zemra thellë, bre, në emrin tim personal dhe në emër të organizatës bazë, dhe në emër të drejtorisë së fermës, dhe në emër të klasës punëtore të fermës, që ju lumshin këmbët, bre, dhe mirë se na erdhët! Ja, kështu, iku dhe kjo, u tha, bitisi! Në mes nevet, në fushat tona, bre, ju do të keni fatin të kaliteni më shumë, të bëheni revolucionarë më shumë, që nesër t’i shërbeni më shumë partisë, bre, kudo që ka nevojë. Ja, kështu, iku dhe kjo, u tha, bitisi. Siç thekson udhëheqësi ynë i madh dhe i shtrenjtë, ju, bre, jeni e ardhmja e Shqipërisë! Ja, kështu, iku dhe kjo, u tha, bitisi! Sot ju jetoni të lumtur, se kemi partinë, bre, kemi shokun Enver sa malet.

Kur fliste ai, të gjithë heshtnin. Atij, duket, nuk i pëlqente kjo heshtje. U ndal papritur dhe thirri:

“Rroftë partia e punës!”

“Urraaa!” – ia dha i pari Seferi, duke bërtitur: 

– Në këmbë, në këmbë, mor jahu!

Tërë sheshi u ngrit, duartrokiti dhe brohoriti.

Sekretari vazhdoi:

– Ja, kështu, iku dhe kjo! Ne, bre, do t’ju kemi si sytë e ballit, sa të rrini këtu, se jeni bijtë e popullit tonë të dashur heroik dhe se e keni me hakë, se fusha të lodh. Ne s’do të lejojmë që të dobësoheni! Ja, kështu, bre! Përkundrazi, do të marrim masa që të ngjalleni! Që të ktheheni në shtëpitë tuaja të shëndoshë si viça! Unë sot, bre, i autorizuar nga shokët komunistë dhe nga shoqet komuniste, ju bëj të ditur se organizata jonë e partisë ka vendosur që të hani gjellë me mish dy herë në javë. Po, po, bre, është e vërtetë, dy herë në javë! Të enjten në darkë dhe të dielën në drekë. Veç kësaj, ka vendosur, bre, që gjellë me mish të keni edhe në 10 korrik, me rastin e festës së ushtrisë! Atë ditë, bilez, do të keni prapë hallvë. Ja, kështu, bre! Iku edhe kjo! U tha, bitisi!

Seferi duartrokiti fort. Duartrokitën edhe aksionistët pas tij, por vakët dhe ulur.

– Në këmbë, mor jahu! – urdhëroi komandanti i aksionit, duke vazhduar duartrokitjen. – Në këmbë, domethënë!

Pas fjalimit, dalëngadalë çdo gjë u shua. Të rinjtë u shtrinë nëpër hije të çlodheshin. Sekretari i partisë e drejtori i fermës shumë të kënaqur, si zotër të një dasme që kishte mbaruar mirë, u sollën edhe ca në sheshin para mensës, duke shkëmbyer fjalë të ëmbla e buzëqeshje me Seferin, e u larguan.

Dhe koha tregoi se ishin burra e jo llafe. Të gjitha kërkesat e aksionistëve i plotësuan. Çesmat për larje – ditën e shtatë. Tualetet e vajzave – ditën e trembëdhjetë. Kutitë e shahut i sollën pas dy javësh. Tri kuti për dyqind e ca vetë, jo pak. Qendrën e zërit nuk e prunë dot, po se mos e kishin në dorë, e se mos prishte punë! Ndërsa për filmin s’mund të thuash se nuk bënë gjë. Vërtet u shfaq vetëm një film dhe pikërisht dy ditë përpara se të mbaronte aksioni, por, ama, ai qe tërheqës dhe la mbresa të thella. Ishte dokumentar, jo ëndrra në beze! Me pamje të ndryshme e të larmishme nga zhvillimi i bujqësisë në Republikën Popullore të Kinës. Kështu që, në marrëdhëniet fermë – aksionistë çdo gjë rrodhi qetë, se edhe me ushqimin punët nuk shkuan keq. Mishi nuk mungoi. U gatua tamam në ditët e caktuara. Paçkà se ishte i paktë, jo i majmë e me shumë kockë. Vetëm në një drekë ai mbante pak erë, po kjo nuk solli ndonjë dëm të madh. Një diaré, që nuk zgjati as dy – tri ditë. Megjithatë, të gjitha u shtynë si u shtynë. Veç urat e komandantit të aksionit, Seferit, dhe të rinjve s’u puqën që s’u puqën. Gjithçka shkoi thikë e brisk. Seferi e la shpejt shtabin nën hije. U bë vetë Ali, vetë kadi. Dhe ishte i prirur të vendoste në aksion me çdo mënyrë një diciplinë të rreptë ushtarake. Edhe hyrjen në mensë e bëri me rresht e me vrap. Dhe mbledhjet i ktheu në metodë pune. Një diçka e vogël t’i shkrepej – mbledhje! Para buke – mbledhje! Pas buke – mbledhje! Para gjumit – mbledhje! Edhe për syrin e mizës – mbledhje! I mërzitshëm e i paduruar! 

“Shoku Enver na mëson, mor jahu, – thoshte nëpër mbledhjet, – që t’ia vëmë tjetrit festen sipas kokës! Edhe ju këtë feste doni, domethënë, se jeni allahu na ruajtë! Po jua lëshove një çikë litarin, të kafshoni këmbët! Posi, posi, mor jahu!” 

Njëherë tjetër tha: 

“Lenini porosiste: Punë, punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë! Por ju, mor jahu, s’merrni vesh nga kjo! S’hani pykë! Jeni dembelë, domethënë! S’e keni realizuar asnjëherë planin qindpërqind!” 

Herë të tjera bëhej edhe më brutalë: 

– Mos i përvishni buzët, kur ju flas, mor jahu! Dhe mos kujtoni se keni më tepër kulturë, domethënë, se kur i kam dhënë unë ujë gomarit, ju i binit maces me lugë, ose s’kishit dalë akoma nga veza! Po juve aq jua pret dhe aq bëni, mor jahu! S’ka thënë kot shoku Enver që qypi bosh tingëllon më shumë, domethënë! 

Veç, aksionistët, o s’i vinin vesh dhe dukej sikur i thoshnin në heshtje “bjeri legenit ti, bjeri!”, o qeshnin të gjithë bashkë e me zë të lartë. Ai bërtiste: 

– Mjaft! Futini dhëmbët brenda! Mos m’u zgërdhini si Qosja i Nastradinit, mor jahu! Mos më bëni ekstradë këtu, domethënë!  

Rrallëherë ndonjëri edhe fërshëllente me dy gishtat nga pas kurrizit të shokut. E kjo ishte një gjendje vërtet e rëndë për Seferin. Ai tërbohej dhe shfaqej me tërë injorancën dhe egërsinë e vet:

– Jeni mushka, mor jahu! Jeni kokëgdhenj, domethënë! Po mos kujtoni se nuk e di unë që ka gisht armiku i klasës këtu! Do ta gjejmë armikun se s’bën dhe do të digjet ndonjëri patjetër! Do të shkojë i njomi me të thatin! Gjarpri nuk i tregon këmbët, ka thënë shoku Enver, mor jahu, por vigjilenca e proletariatit ia zbulon, si një e një që bëjnë dy, domethënë, dhe ia shtyp kokën!

Atëherë, dikush më i guximshëm andej nga fundi ia bëri si gjel. Seferi rrahu gjunjët me pëllëmbë dhe thirri duke kërcyer mbi njërën këmbë:

– Të dalë këtu përpara gjeli, ai që këndoi si gjel, domethënë! Menjëherë të dalë dhe do të shohë, mor jahu, po nuk i hodha prangat dhe po nuk e nisa në burg për sabotazh, domethënë! Ja, unë, unë që s’jua mbush syrin! Hajde, de, të dalë po them! Hë, pse nuk del? S’ia mban, hë? Por armiku gjendet, ka thënë Lenini, edhe në vrimën e miut të futet! Ja, kështu, mor jahu!

Midis aksionistëve ra heshtja. E ai vazhdoi triumfator:

– E shikoni që jeni frikacakë? Burracakë, domethënë!

E, pra, ai e kishte hallall drurin. Dhe unë, herë – herë, hahesha nga brenda se si nuk e shtronin në hu. Vërtet që shpesh arrinte puna në atë pikë, sa veç një shkëndijëz duhej. Vetëm një shenjë sado e vogël e imja, do t’i lëshonte të rinjtë mbi të si furtunë dhe do ta bënin pelte qyqarin. Por s’mund të arrija gjer atje, se e dija mirë që pastaj ata të sigurimit të shtetit do t’ia behnin aty me xhipsa e do të nxirrnin ujë të zi. I troshitur në këto mendime, ndihesha shumë i mërzitur. Nuk e kisha marrë me mend se do të vinte ora që Seferi, me gjithë që jepte shpresa për kuadër në sektorët e partisë, do ta pësonte edhe më keq se sa të rrihej.  Do të na bënte të shqyheshim gazit me lot me boshësinë e vet, me gomarllëkun e derrninë. Do të katandisej për t’i qarë hallin, i shkreti. Thesi i tij do të grisej dhe do të dukej se nuk kishte brenda përveçse krunde. Pra, me çfarë do të ndodhte, do të vetëhakmerrej për marrëzitë si jo më mirë. Do të ishte njësoj si ta shante veten para të gjithëve me zë të lartë: “Je gomar i tëri! Je një trung që s’merr vesh nga asgjë! Je një rrotë!” Po, po, kështu që ç’ke me atë punë! As më shumë e as më pak!

Dhe ja se si!

Roja i fermës, një plak i prapë e me gjysmë mendje, një pasdite na zë nja tre djem aksionistë, që paskëshin hyrë në parcelën e pjeshkëve, tek këpusnin dhe hanin kokrra të papjekura ende. U vë pushkën e u thotë të mos lëviznin, se i kishte kapur duke vjedhur, e do t’i çonte te komandanti i aksionit. Ai t’ua këndonte kulufruthin në sy të të gjithëve!

– Ecni përpara!

– Aman, na fal, se nuk e bëjmë më!

– Nuk fal kollaj unë, ecni!

– Mirë, po mos na ço kështu si bagëti te shokët, se na vjen turp! Na merr vetëm emrat!

Dhe ai teveqel e hëngri. Besoi se ata vërtet do t’i tregonin se si thirreshin. Nxori një bllok të fishkur nga xhepi dhe gjysmë lapsi kopjativ.

– Hajt, fol ti i pari, si ta thonë?

– Po lëre, lëre, falna kësaj radhe!

– Jo, nuk e lë hiç! Nuk ju fal hiç! Do të ma thuash emrin, apo do që të më kthehet mendja dhe t’ju vë si dhitë përpara, që të mos keni surrat të dilni në faqe të botës?

– Mirë, mirë, se ta them!

Plaku e lyejti majën e lapsit me pështymë dhe u bë gati të shkruante.

– Fol!

– Xhek e kam.

– Qysh Xhek!?

– E ja, kështu, Xhek! S’kam dal për të gënjyer këtu, se s’jam nga ata!

– Nuk të thashë që po më gënjen! – ia ktheu roja plak dhe shkruajti: – Xh… xh… ek! Xhek! Po llagapin?

– Lòndon!

– Llondòn, the!?

– Jo, Lòndon! 

– Mos e ke gjë racën nga Llondòni i Inglitérës ti!?

– E, që andej e kam! 

– Ashtu thuaj, de, se si allasojçe m’u duk ky llagap për një shqipo safi! Nejse! Llo…llo… jo! Lo… lo…lon… don! Domethënë, Xhek Londòni je ti?

– I tëri!

– Tjetri pas teje!

I dyti e paskësh TeodorDràjzer (po që plakut i erdhi për mbarë ta shënonte Theodhor Drajzéri! I treti qenkësh Hektor Malò!

Lë të lirë roja tre djemtë dhe vete gjen shpejt komandantin e aksionit. Kështu, kështu, i thotë. I dorëzon fletën e bllokut, ku kishte shënuar emrat e “hajdutëve” dhe kthehet në punë të vet. Xhindoset Seferi dhe sulet e i bie çangës me sa i ha krahu. “Mbledhje, mbledhje urgjente! – thërret. – Të gjithë në mbledhje!” Dhe kur sheshi para mensës mbushet plot, jep komandën për rreshtim e ia fillon:

– E dija unë, mor jahu, që do të na i nxinit faqen këtu. Në aksion, domethënë. Ja, sot tre nga radhët tuaja janë kapur duke vjedhur sheftelì të papjekura.

Ai shtoi se për vjedhësit, për dëmtuesit e pronës së përbashkët socialiste, siç thoshte shoku Enver, nuk ka mëshirë. Po ata të tre nuk qenkëshin vetëm vjedhës, mor jahu, por edhe armiq, domethënë, se donin t’i vinin aksionit njollën e zezë, ose vulën e turpit, siç theksonte Lenini në veprat e veta të pavdekshme. Prandaj, do t’u jepej dënimi i merituar. Si fillim, do t’u dorëzoheshin organeve kompetente për ndjekje të mëtejshme, se qenë sabotatorë dhe, me siguri, e kishin biografinë blozë.

– Dhe të mos kujtojnë se kësaj here do të na shpëtojnë! Iu zbuluan këmbët gjarprinjve, mor jahu! U zunë si hajduti në preshë! Dhe s’kishin nga t’ia mbanin! I dhanë emrat, se u gjendën para pushkës së vigjilencës së proletariatit. 

Ai tundi sipër kokës atë copëz flete të fishkur blloku dhe e afroi para syve që i përshkënditnin, njëri prej të cilëve tanimë i lëvrinte frap – frap.

– Ja, ku i kam! – tha e u ngref. Pastaj thirri sakaq: – Të dalë shpejt këtu, përpara të gjithëve, Xhek Londòni!

Për një çast tërë brigada e aksionistëve mbeti syhapur. Ai vazhdoi:

– Dhe të na tregojë, mor jahu, se si vidhet prona shoqërore, domethënë!
Atëherë sheshi sikur u përmend. Shpërtheu në të qeshura të papërmbajtura.

– Pushoni! Xhek Londònin dua! Këtu përpara e dua! – bërtiti Seferi. – Edhe Theodhor Drajzérin tok me të! Edhe Hektor Màlon! Këtu, këtu përpara i dua të tre! Menjëherë, domethënë! Nuk bëj shakà!

Kush e ndalte dot atë gaz! Aksionistët qeshnin me lot. Përplasnin duart, qëllonin gjunjët, qëllonin tokën. 

Seferit tanimë sa s’po i dilnin sytë. Ai asgjë s’po kuptonte. Ç’ishin ato të qeshura!

– Futini dhëmbët brenda, mor jahu! – sokëlliu. – Dhe Xhek Londònin, Theodhor Drajzérin e Hektor Màlon i dua këtu, domethënë! Këtu, tani, nuk bëj shaka, thashë! Dhe qetësi, po ju them! Qe – të – siii! O – aaa! 

Ai nuk po thërriste, nuk po bërtiste. Ai po ulërinte me sy të dalë jashtë. Ai po çmendej. Vërtet po çmendej. Iu afrova dhe e tërhoqa mënjanë. I tregova se ata që kërkonte nuk ishin të gjallë, po të vdekur, shkrimtarë të huaj, të mëdhenj, më famë botërore. I iku fryma. U bë dyllë. Nuk foli, por eci si i përhumbur drejt kasolles së vogël, tek flinim të dy. Ndërkohë, të qeshurat ishin tulatur.

Seferi atë natë, që ishte nata e fundit e aksionit, nuk doli nga kasollja. Nuk erdhi në mensë për të ngrënë darkën. Kur shkova ta shihja, më tha se i dhimbte koka dhe më kërkoi një aspirinë. As të nesërmen në mëngjes nuk u pa në mes të aksionistëve. Ata u nisën në punë pa komandantin.

Pasdreke, në mbyllje, nuk u bënë konkluzione e nuk u mbajt ndonjë fjalë rasti. Kur erdhën autobusët, ai zuri vend në atë të mbrapmin, por pa u ndjerë, si me bisht ndër shalë, se ç’komandant ishte tani, kur aksioni kishte mbaruar! Ngjante mu si ndonjë tullumbace e plasur.

Në udhë e sipër nga dritaret e autobusëve shpërthenin nëpër hapësirë këngët popullore qytetare beratase. Ndërsa ai shtirej sikur nuk i dëgjonte, mbështetur symbyllur pas xhamit te dritares. Ai, komandanti spaletashkulur, që ishte gjetur me aftësi për kuadër partie.

Athinë, Piré, 27 prill, 1996

Filed Under: Fejton

Libri shqip mori udhë përmes fjalëve të shenjta në 5 janar 1555

January 5, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi

U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë, për-se ata të mundë mernë s~ i naltë e i mujtunë e i për-mishëriershim anshtë Zot’ynë atyne qi t’a duonë ëm gjithë zemërë. U lus ënbas sodi m~ shpesh të uni ëm klishë, për-se ju kini me gjegjunë ordhëninë e t’inë Zot; e ate në ënbarofshi, Zot’ynë të ketë mishërier ënb§ jã, e ata qi u monduonë dierje tash, m~ mos u mondonjënë. E ju t’ini të zgjiedhunitë e t’inë Zot, e për-herrë Zot’ynë k~ me klenë me jã, ju tue ëndiekunë të dërejtënë e tue lanë të shtrenbënënë. E këta ju tue b~m, Zot’ynë ka(a) me shtuom ëndër jã, se të korëtë t’aj të ënglatetë dierje ën së vielash e të vielëtë dierje ën së ënbiellash. E u m~ duo të ënbaronj vepërënë t’eme, t’inë Zot tue pëlqyem. Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor V.dit. E se për fat në keshe kun ënbë ëndonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, ai qi të jetë m~ i ditëshim se u, ata faj e lus t’a trajtonjë ënde e mirë; për-se nukë çuditem se në paça fëjyem, këjo tue klenë m~ e para vepërë e fort e fështirë për të vepëruom ënbë gluhët t’anë. Për-se ata qi shtanponjinë kishnë të madhe fëdigë, e aqë nukë mundë qëllonjinë se faj të mos banjinë, për-se për-herrë ëndaj ‘ta nukë mundë jeshe, u tueënbajtunë një klishë, ënbë të dí anët më duhee me sherbyem. E tash u jam ënfalë gjithëve, e lutëni t’enë Zonë ende për muo.”

Filed Under: Kulture

FATURA E GRYKËSISË QË PO “VRET” SHQIPTARËT DHE GROPOSË SHQIPËRINË

January 5, 2022 by s p

Dr. Ndoj Mhilli

Sot kam vendos të ju flas shqiptarëve në lidhje me një fatur marramendëse, të çuditshme dhe të pabesueshme të zhvatjes së xhepave të shqiptarëve normal, në Sheshin Skënder Bej. Një gjë e tillë askund në botë nuk ndodh. Madje një faturë e tillë as një hoteli me 5 Yje si Plaza apo Rogner etj., nuk i shkon për shtat dhe as nuk justifikohet në asnjë llojë logjike ekonomike. Kësisoj krimi ekonomik ( spese kjo nuk është fatur, por zhvatje) nuk e di as nuk vepron, çuditerisht. Kryetari i Bashkzezës nuk e di, sepse po bën gati ndonje leje tjeter rrënimtare të qyteteit, pra një leje ndërtimi, që të rrit pasurinë e tij dhe lukunisë që e ndjek nga pas si qeni i Shën Rrokut, mbi kurrizin e popullit dhe veçanarisht të varfërve. Një pjesë sigurisht i shërben për piarin e tij (që të imitoj diktatorin duke bëre çdo ditë foto me fëmij, në një përpjekje pedofilie politike) dhe siç u pa për lukunin e këshillëtarëve të tij, të cilët me sa duket janë aq të “ditur”, saqë e kanë këshilluar që të gropos njëherë e përgjithmonë kryeqytetin e shqiptarëve nga pikëpamja infrastrukuturore dhe kulturore.

Të gjithë e dimë se varfëria lind nga korrupsioni, jo se ajo lind bashkë me qenien – njeriun, që të kuptohemi. Ndërkaq, për këtë nuk ka dijeni as Ministria e Financave, madje nuk e di as Kryetari i Shqipove, sepse s’ka si ta dij, sepse ka rënë në gjumë letargjik si gjithë klasa politike 30 – 108 vjeçare shqiptare. E dini ju pse heshtin të gjithe këta?

Heshtin, sepse ju shkon ne xhep përqindja e fitimit nga këto biznese të oligarkisë, në të vërtet të ndonjë aksh politikani. Biznesmen që më ngjajnë me vapmire me fytyra të pangopësisë, zhvatjes, rrënimit, pra vetë satanajt. Provojeni ju njerzit normal te këtij vendi të gjorë ta bëni një gjë të tillë, dhe do përballeni me pasoja aq shpejt sa as nuk e merrni me mend. Mirëpo, porblemi kryesore nuk është çmimi i faturës në vetvete, por dëmi dhe ajo që shkakton fatura mbi shoqërinë, sepse fatura të tilla ndeshim kudo dhe ngado.

Mirëpo është e pa pranueshme dhe e tmerrshme një faturë e tillë.

E dini pse? Sepse një i ri (qenia njerëzore) që me te drejten e Zoti dhe shanseve te barabarat do të festoj, me një rrog normale nuk e perballon dot, pra ai simbas kësaj logjike satanike nuk ka të drejtë të festoj në këtë shoqërinë tonë të zezë, të kalbur, hajdutë, zhvatës dhe çnjerëzorë. Kësisoj, duke qenë se e ka nevojë të domosdoshme dhe jetike të festoj si të gjithë njerëzit e tjerë, kjo fatur zhvatje do ta çoj ate, me sakt do ta detyroj të bëhet pjesë e botës së krimit, korrupsionit, pra të keqes, thjesht e vetëm për të qenë normal si të gjithë të tjeret.

Dihet se ne nuk jemi shoqëri e normalitetit, por, mjerisht e anormalitetit, prandaj si bënë më njeriu përshtypje as shetit, as popullit, as prostitutave politike të mediave, që paguehn, siç u pa,  me rroga marramendëse. Pra askujt. Me pak fjalë heshtja kaplonë të gjithë shoqerinë tonë për ballë të keqes. Shenjë kjo e apatisë, vdekjes së virtyteve dhe vlerave njerezore si dhe mungesës së dinjitetit njerëzor.

Ndër të tjera kjo fature si fenomen i përhapur kudo nëpër Shqipëri po i detyron shqiptarët të ikin nga sytë-këmbët nga ky vend, sepse ligji, rendi, drejtësia dhe barazia nuk ekzisojnë fare. Ky problem i vogël në dukje në thelb është problemi aq i madh dhe ekzistencial për një shoqëri, sa që buqet, mirëpo shtetarët tanë zagarë dhe hajdute pjesē e botës së krimit, të zhytur deri në fyt, këtë gjë as nuk e ndjejn as nuk e kanë fare problem. A dini pse ? Sepse ata dhe bota e krimit të oligarkisë rrënimtare, fëmijeve dhe familjeve të tyre ua mundesojnë të përballojnë atë dhe cdo lloj  fatur tjeter, sepse ua vjedhin popullit në fond e tendera publik, apo nëpërmjet drogës, pastrimit të parave dhe çdo vepre tjetër kriminale fitimprurëse. Pikërisht ketij modeli ne si shoqëri duhet ti japim fund me çdo kusht e çmim. Sidoqoftë, o shqiptar duhet ta dini se një gjë e tillë arrihet vetem me rrezimin me çdo kusht e çmim të këtij sistemi satanist dhe çnjerëzor, të pa shpirtë që kemi ndertuar ne si shoqëri mjerane.

Filed Under: ESSE

RADIOCORRIERE (1955) / DOKUMENTARI PËR SHQIPTARËT E KALABRISË : PËR KË BIENTE KAMBANA E SANT’ADRIANO-S?

January 5, 2022 by s p

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 5 Janar 2022


“Radiocorriere” ka botuar, me 19 mars 1955, në faqen n°6, një shkrim në lidhje me një dokumentar asokohe mbi shqiptarët e Kalabrisë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Për kë biente kambana?Një dokumentar nga Antonio Federici mbi shqiptarët e KalabrisëKisha mijëravjeçare e Sant’Adriano-s, tashmë gjysmë e rrënuar, ndodhet në Kalabri, pranë San Demetrio Corone, pra në zemër të rajonit shqiptar. Sipas një legjende të lashtë, kambana e Sant’Adrianos kishte një tingull, në kohë të tjera, që dëgjohej nga të gjithë shqiptarët, edhe përtej Adriatikut, në atdhe.
Sot ky tingull është shumë i dobët: shqiptarët e Kalabrisë ende rezistojnë, rreth Sant’Adrianos, në përpjekje për të ruajtur traditat e tyre, zakonet e tyre të lashta, por “përparimi” përparon dhe nuhat mbetjet e fundit të jetës së mirëfilltë dhe të vrazhdë shqiptare. Ndoshta është afër koha kur edhe kambana e Sant’Adrianos do të heshtë përgjithmonë.
Në fotot e mësipërme, nga e majta: kostumet e komuniteteve me origjinë shqiptare në Castrovillari dhe Lungro (Cosenza) – Majtas: Kisha e Sant’Adriano-s. – Djathtas: Vajza nga Lungro me kostumin e saj tradicional (Fotografi të Bruno Stefani-t).

Filed Under: Politike

A KISHTE RREGJENT EUROPA ME DUER PA NJOLLA GJAKU ?

January 5, 2022 by s p

ANTONHARAPIDSJ

At ANTON HARAPI 

                                     (1888 – 1946)Veper e Piktorit P. Sheldija

Përgatiti Fritz RADOVANI:

VETEM  NJI: AI ISHTE, AT ANTON HARAPI – SHQIPTAR

At Antoni nuk ka pranue me u largue nga Shqipnia dhe po kjé nevoja do të pranonte edhe vdekjen për të cilën, Ai vetë nuk dinte shkak. Por kishte kërkue nga gjenerali gjerman, “largimin e trupave të fundit të ushtrisë gjermane me datën 29 Nandor 1944 dhe jo, me 28 që kishin planifikue ata”, mbasi i kishte shpjegue që “nuk asht mirë me na njollosë Ditën e Festёs sё Flamurit, me ditën e okupacionit komunist të Atdheut!”. 

Komanda gjermane e ka pranue kërkesën e At Antonit dhe ushtarët e fundit gjerman janë largue nga Shkodra në mengjezin e datës 29 Nandor. Për këte veprim At Antoni kishte vue në dijeni atë natë edhe Cafo Begun. Të nesërmen ishte nisë për Shkoder, ndonse edhe Cafo Begu, e kishte ftue me qendrue aty ku do të strehohej ky vetë, por as Cafo Begut Ai, nuk i kishte pranue me qendrue andej mbasi, “nesër kanë me thanë, paska shkue At Antoni me ruejtë kryet tek serbët e malazezёt…”

Cafo Beg Ulqini e përfundonte bisedën me një konkluzion per At Antonin: “Shërbimi i At Antonit, për mosnjollosjen e Ditës së Madhe të Flamurit, asht shërbimi ma i madh që një Atdhetar si At Anton Harapi, mundet me i ba Atdheut të vet. Ka me ardhë një kohë që për këte vepër Ai do të zanë vendin që meriton në Historinë e Popullit Shqiptar!”.

At Anton Harapi OFM (Dosja1068) Asht le në Shirokë pranë Shkodres me 5 Janar 1888, dhe asht pushkatue në Tiranë, pranë lumit Lana me 20 Shkurt 1946. Një Françeskan i kulluem! Atdhetar i perkushtuem, dijetar e filozof pa ma të voglen kreni. Shkrimtar plot talent. 

Një predikatar i adhuruem nga rinia shkodrane, me cilsitë e një oratori të spikatun modern. Klerik me të gjitha virtytet e Paraardhësve të vet, në sherbim të “Atdheut e Fesë”! 

http://upload.wikimedia.org/wikipedia/sq/7/7d/Anton_Harapi.jpg

NDERIM  PËR  BINDJET  E  TË  TJERËVE 

1944

“MOS HARRONI JU,

QË UNË JAM SHQIPTAR !”

 “ÁT ANTON HARAPI O.F.M.

ASHT MENDJE DIALEKTIKE,

QI SHKRUEN KRYARTIKUJ ,

NDËR TË CILLTË DISA JANË KRYEVEPRA.

DIJA E THELL, ARSYETIMI I LIDHUN, ANALIZIMI I HOLL, STILI I PESHUEM, DALLOJNË GJITHË SHKRIMET E TIJA.

MUND TË JETË I THATË, I FTOFTË,

POR 

AI ASHT I DREJT’ E I PAFAJSHËM.”

                                                                                                  Don Kolec PRENNUSHI

(Hylli i Dritës, 1936, fq. 583.Shkoder) 

NDERIM  PËR  BINDJET  E  TË  TJERËVE

Më falni për guximin: Due të përballoj çeshtjen ma delikate në jetën Shqiptare. 

Kush e kishte zanë besë?.. Antagonizmi fetar qiti kryet dhe mizorisht u fut edhe ndër ateistët e ditës. Egërsitë e bame në Jug, midis djelmënisë shqiptare, vetëm pse muhamedanë e kristianë, janë fakte që nuk lanë me luejtë, por janë prova të tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombtare. 

Përsa di unë deri më sot, kjo çeshtje kurrë nuk kjé përballue kjartë e mirë, sa herë kjé kallë, menjëherë edhe kjé mbulue si gaca nën hi. T’i mbetët hatri kujt të duejë, unë due me e thanë mendimin tem haptas; marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik, e këta jo për besim, se sa për inat e për parti. Ndër çastët ma të vështirë të jetës sonë kombtare, njëmend se shpëtuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementa, porse në fund të punës mbeti një tharm, një fond rryme e partie, sa me të trembë e demoralizue. 

Tue prekë me dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementat fetarë ndër né? Ateistët me të gjithë skeptikët, indiferentët, natyralistët, aventurierët e oportunistët, thonë se jo: Né shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet, për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiptarizma! 

Këta shpresoj t’i përballoj njëherë tjetër, këtyne tash po u thom vetëm se Shqipnia nuk asht vend i pa Zot; e se shqiptarët as nuk janë, as nuk duhet të jenë të patënzonë.

Fjalën këte herë e kam me besimtarët e tre elementave.

Pa kontenstim né jemi një komb, një shtet e një popull me një shpirt, me një gjuhë e me një histori, e po të ishim edhe të një besimi, patëm me kenë edhe ma të bashkuem, ma homogjen, dhe as nuk patëm me bjerrë mund e kohë për t’u kuptue ndër shumë punë. Por fakti asht ky, se né jemi pra muslimanë, ortodoksë e katolikë, e si të tillë duem të rrojmë në një harmoni vllaznore. Unë thom se për këte punë nuk asht nevoja me shue besimet, pse po të duem, mund të rrojmë vllaznisht, sikurse kemi shembullin ndër sa shtete të tjera të qytetnueme.

Pra, tezën time e vé kësodore: Shqiptarët, po të jenë vërtetë të qytetnuem e nacionalistë të sinqertë, besues edhe përnjëmend në një Zot të vërtetë, nuk ka se si të mos rrojnë vllazënisht shoq me shoq; përkundrazi, derisa të mos kenë kulturën njerzore në shpirt, ndërgjegjen kolektive kombtare, e derisa t’u mungojë kultura fetare, ata kanë me kenë të damë e të përçamë, jo pse janë tri besimesh, por pse nuk kanë bazat e jetës shoqnore, kombtare e fetare. 

PENGIMI I MADH: FANATIZMI

Pengim i madh për jetën shoqnore, pra, për qetësinë e vllaznimit tonë, asht fanatizmi, i cili asht një turp për personin, turp për besimin të cilit i përket personi e turp për jetën shqiptare. Besimi që mbahet për pasion, pra me fanatizëm, nuk asht besim i arsyeshëm, as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër rrënon se sa trajton. 

Besimi në një Zot të vërtetë, Ati i të gjithë njerëzve, nuk do ta shtojë antagonizmin, por do ta pakësojë; besimi do ta zbusë njeriun për ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë prirjet e instiktit, ndër të cilat asht egoizmi, që don të justifikohet me shkakun e besimit. 

Këtu asht nevoja ta dalloj njeriun fanatik nga njeriu me karakter: Të dy ngulin kambë për një bindje të vetën, të dy tregojnë fuqinë e vullnesës deri në kulm, por me këte ndryshim, se njeriu me karakter ngul kambë për një parim të arsyeshëm, ndësa fanatiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye: Njeriu me karakter tregon një zotësi morale, ndërsa fanatiku dëshmon një dobësi personale, pse ai, edhe po ta shohë të paarsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti ta mundë pasionin dhe egoizmin; brutalisht mund të jetë i fortë, por njerëzisht asht i ligësht, karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtyn deri në vés e në egërsi. Fanatizmi asht antinjerëzor, prandej edhe antifetar e antishoqnor. 

Pra, për të rrojtë vllaznisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim.

Shqiptari mund të zbutet tue marrë kulturën vërtet njerëzore, kulturën e shpirtit, domethanë nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format e përshtatshme, mënyrët e hijshme, e në shpirt të rrijë i egër, por duhet të jetë edhe përnjëmend në veté, ashtu si mbahet e duket përjashta, atëherë ka me u ba i zoti të rrojë në harmoni me vllaznit e vet shqiptarë të çdo kondicioni shoqnor edhe të çdo besimi. 

Ngjitas me kulturën njerzore, shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha që ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë, pse besojnë të tjerët, ase për një çdo tjetër arsye të jashtme sot duhet të dijmë çka të besojmë dhe pse të besojmë lypet ta justifikojmë; nëmose para vetés, besimin tonë. Por nuk mjafton kaq: Besimin nuk do ta mbajmë as për etiketë, as për një gja vetëm teorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e besimit duhet të përftojnë në bindje të plotë, ndjesi të gjalla, lëvizje, shprehje, fjalë e punë, drejtue në një sistem jete. Kjo domethanë kulturë fetare. 

TË  RROJMË  SHOQNISHT  E  VLLAZNISHT

Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristjanë e muslimanë të jenë të gjithë Shenjtën e Peigamberë, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vllaznisht.

Pa kulturën njerëzore, nuk jemi pjekun të rrojmë si njerëz e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na formon për jetë, por ma tepër na pengon. 

Kam pa muslimanë dhe kristjanë që me vetmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë ramazanin e kreshmët, por prejse nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër, sado heroike, nuk shfaqin një madhni shpirtnore të cilën nuk e kanë, pse qëndresa e tyne, të shumtën e herës, bazohet, thjesht, në një zakon, në një traditë, në një moskuptim të jetës fetare që e zhvleftëson motivacionin edhe veprën e tyne.

Një kusht tjetër që rrjedh prej kulturës së shpirtit, asht nderimi për bindjet e të tjerëve. Po t’ia bajmë dignozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm, kemi për të gjetë këte fenomen të çuditshëm: Kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari im. Ky paravendim antishoqnor shfaqet jo vetëm në lamën fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore. 

Më ka ra rasti për vjetë e vjetë të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisma e shkoqitje çeshtjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se, me pak ndryshime e me forma ku ma shumë e ku ma pak egoiste, si ndër njerëz me shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush një mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenjë antagonizmi e luftimi. 

Shkakun e këtij fenomeni të paarsyeshëm prap e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e një tjetri, asht dobsi. Historia e djeshme e trysnia e sotshme na e vërtetojnë këte përbindësh të individualizmit egoistik. 

Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me një kokë, as nuk kërkohet të kemi të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por medoemos duhet t’ua njohim të tjerëve të drejtën e arsyetimit e të bindjes, por në atë mënyrë si kërkojmë që të tjerët të respektojnë mendimet tona. Do ta dijmë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë një rrugë a një parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem  të na përbuzë kush né edhe po t’ jemi gabim, ashtu as né mos të përbuzim askënd. Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonisë shoqnore midis shqiptarëve, qofshim edhe besimesh së asht në mbajtjen e sinqertë të parimit: Mos i ban kujt, shka nuk don me ta ba kush ty; banu të tjerëve si kërkon me ta ba ata ty. As në këte pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë. 

SHKAQET  E  DASISË

Mbasi vumë kushtet pa të cilat nuk ka si mbahet jeta shoqnore e fetare, vijmë ndër parime: E parimisht secili besim ka dogmat e veta, por dogmat nuk ndrrojnë, prandej, sikurse besimet janë të papërshkueshme me njeni-tjetrin për shkak të dogmave, ashtu besimtarët, në themel të dogmave, nuk kanë si afrohen e puqen njeni me tjetrin. 

E ja se dasia asht e detyrueshme, shqetësimi i domosdoshëm. Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht! Kështu arësyetojnë ata që besimet i kanë ferrë në sy! 

Problemi vërtetë asht i vështirë, por  zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parimet që janë: 1. Intoleranca dogmatike, 2. Toleranca shoqnore-qytetare, 3. Toleranca shoqnore-politike.

Nuk e kemi shqip fjalën tolerancë, por i afrohet kuptimit me bartë, me durue, si bie fjala na durojmë e bartim (kemi tolerancë) kur na fyejnë fëmijtë, i dejuni, i marri, i gabuemi, por nuk barim, as nuk durojmë kurrsesi (jemi intolerantë) kur ndokush me të mendueme na merr nderin. 

Parimisht lypet ta kemi e ta mbajmë intolerancën teorike-dogmatike, due me thanë që në punë të besimit secili ta mbajë bindjen për atë dogmë që ndërgjegja ia urdhnon për të drejtë, as mos të durojë t’i thotë tash zi e tash bardhë një parimi, të cilin e ka për ideal të parë.

Intolerancë! Fjalë e fortë, fjalë që nuk baret as nuk durohet, pse nuk ban as nuk duron as sa të zitë e thoit. Fjalë që me të parën përshtypje tregon fanatizëm, mentalitet të ngushtë, regres, mosafrim me kurrnjë mënyrë. Por edhe fjalë e sinqertë e arsyeshme, e drejtë: E vetmja fjalë e mënyrë për me zhvillue problemin shoqnor-fetar. 

Ja edhe arsyeja e thanies sime: Një besimtar, i cili lavdohet se besimi i tij asht i vërtetë, po nuk desh me mohue veten edhe besimin e vet kundrejt një çfardo kredoje tjetër, do të përgjegjet me një “jo” kategorike të preme. 

Indiferenti fetar, prejse ai vetë nuk mban kurrnjë besim përnjimend, thotë se besimet janë njënjë të vërtetë, si t’ ishin besimet etiketa e kostume të ndryshme, të cilat vlejnë njënjë për të plotësue një nevojë të jetës. Po kjé si njëna dogëm tjetra, edhe pse të kundërta, atëherë asht njënjë si e vërteta si e kundërta, atëherë Zoti asht “hartuesi” i gabimit, i rrênës, dhe i përçamjes. 

Duen me thanë se kjo intolerancë dogmatike nuk baret, nuk durohet në një shtet, në një popull, pse asht tepër refraktare, e ngushtë e fanatke. 

Lëne, e për njëherë ashtu po e zamë, edhe po i vemë për bazë të kundërtën, due me thanë tolerancën dogmatike. Në këte themel, bie fjala, Krishti kjé a s’ kjé Zot, Muhamedi kjé a s’ kjé Profeti i Zotit, në këte rast për mue do t’ ishte një për një; unë bart e toleroj të thohet në daç kështu, në daç ashtu: Si Krishti e Muhameti të kenë pasë punë me Zotin, si të kenë punë me djallin, si të kenë kenë hipokritë e mashtrues, si të kenë kenë të ndershëm e të drejtë. 

Kush nuk e sheh këte dobësi mendore a morale? Njeriu, të cilit i vjen era njeri, mosbindjen kurrë nuk e tregon për bindje dhe atë për çka asht i bindun se asht gabim, kurrë nuk e pranon për të vërtetë. Kjo nuk asht vetëm një detyrë e fetarit, por një detyrë e secilit njeri të ndershëm e të arsyeshëm. 

Në emën të së vërtetës, pra, e për hir të sinqeritetit: Luftë çdo gabimi, kudo që t’a gjejmë, edhe ndër kërkime shkencore, edhe ndër interpretimet e dogmave. 

Për këte intranzigjencë ideale, shpirtnore, teorike jemi të paditun na besimtarët, sidomos na katolikët, ndësa këte intolerancë e gjejmë edhe ndër njerzit e ditunisë, të artit e politikës, për shka u përket parimeve të tyne. Këta, e dijmë të gjithë, se as sa çon miza në krah nuk lëshojnë në sistemin e vet porsi bazë. 

Këte po e thomi në lamën parimore e ideale, pse mandej tjetër gja asht praktika si për shkencëtarë, e si për besimtarë. 

NJË  FORMË  E  INTOLERANCËS:  POLEMIKA

Në formën e intolerancës asht polemika, e cila po kjé serioze, ditunore, e paanshme, e bashme ndër sfera të nalta, vërtetë ndrit, nalton e trajton. Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion. Me nivel kulture njerzore e fetare që kemi, thom se polemika nuk asht për né. Edhe po patëm arsye e të drejtë në çeshtje,  kurrë nuk kemi arsye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shoqin, të përdorim rrênën, të falsifikojmë historinë, të shtijmë në punë motive të ulta, të polemizojmë me pasion. 

Tjetër mandej asht toleranca shoqnore, qytetare, praktike. Nëpër këte parim, na dallojmë kjartë se tjetër asht gabimi e tjetër gabuesi, tjetër asht përsoni e tjetër asht vepra: Personin e falim, veprën e gabueme e dënojmë; këté e mënijmë; atë e bartim, këté nuk e durojmë. Ky asht parim bazë që na shoqnon: Me kurrnjë gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët edhe të jenë të gabuem, afrim, dashni, vllaznim.

Natyra na mëson këte parim: Ajo me gjithë ndryshime e kontraste, e patrandshme  mban një harmoni të çuditshme; jeta njerzore na imponon: Si, bie fjala, ndër né të marrunit me ndoré, besa, mikpritja, kjé se shumë herë e mbrojmë si fajtorin si të pafajin. 

Këte shoqni që na mëson natyra, na imponon jeta; po njëkëte na urdhnon besimi, cilido të jetë. Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se një i njëjti Zot i vërtetë asht Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti i katolikëve. Në saje të një Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, na jemi vllazën, pse jemi të gjithë bijtë e një Zoti që na ka falë. Pra, Zoti i të gjithë néve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi një. Ja, pra, se kurrgja nuk vllaznon ma fort se Zoti.

Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë Shqiptarëve pa ndryshim. 

Në themel të këtij parimi rrjedh toleranca fetare, e cila mbështetet në kuptimin e kjartë: Muhamedani i biri i Zotit, kristjani i biri i Zotit, pra, vllazën; mbështetet ndër ndjesi të sinqerta : Porsi vllai për vllain të ndjejmë njeni për tjetrin; mbështetet në nderimin reciprok për bindjet fetare të shoqi-shoqit: Për kurrnjë arsye nuk kemi të drejtë të përbuzim kënd; porsi me të drejtë kërkojmë të na kuptojnë, ashtu kemi detyrë t’i kuptojmë të tjerët. Kjo tolerancë fetare kështu e naltueme deri në fisniki, sa asht e bukur, aq asht e vështirë. Kush e ushtron këte asht me të vërtetë i madh. Toleranca qytetare – shoqnore e gjenë plotësimin e zbatimin e vet në tolerancën shtetnore-politike. Statuti themeltar i njeh e i respekton njëpërnjë të tria besimet në Shqipni; shteti njëmend asht afetar, d.m.th. asnjanës, por jo antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnjë besim ma fort se për tjetrin; hartuesit e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit: Ata pranuen tri besimet në themel të barazimit të plotë; para shtetit e zyrtarëve të tij nuk ka as ndryshim, as pengim ndër të drejta të kurrnjë elementi; të gjitha ligjët, masat, vendimet dhe mënyrat zyrtare synojnë aty: Të forcohet e të sigurohet sa ma mirë qetësia fetare në Shqipni. E tanë puna mbetët ndër zyrtarët, sa ata punojnë apo jo me shpirtin e këtij parimi e me drejtësi. 

Pra, për me mbajtë qetësinë midis elementave fetarë: 1. Duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimeve. E vërteta nuk lot: Intoleranca teorike-dogmatike; 2. Duhet të kemi dashninë e sinqertë midis përsonave: Toleranca shoqnore-qytetare; 3. Duhet të mbahët drejtësia me ndërgjegje ndër ligjë e ndër zyrtarë: Toleranca shtetnore-politike. 

Arsyeja e këtyne udhëzimeve asht kjo: Na duhet të rrojmë së bashku, jo si përdhuni, por me vetëdashje; këte punë do të na e thotë mendja, do ta duejë vullnesa, do ta ndjejë shpirti; mendjes do t’i flasë e vërteta, vullnesën do ta vendosë e drejta, ndjesitë do t’i shtyjë dashunia. Toleranca qytetare asht një virtyt, për ushtrimin e të cilit krejt njeriu, ndër të gjitha fuqitë kryesore do të jetë i prekun e i tërhjekun. E tanë puna asht këtu: Me dijtë me kenë të zotët ta bartim shqiptarin, jo si të huej, por si vlla. 

Kështu, pra, nuk janë besimet ato që e shqetësojnë jetë vllaznore në Shqipni, por gabimet, pasionet e padrejtësia e besimtarëve shqiptarë janë ato që krijojnë çeshtjen fetare në vendin tonë. 

PENGESA  QË  DUHEN  KAPËRCYE 

E mjaft me teori. Kush don, ja ka marrë vesh me kaq, ja nuk ka me marrë vesh kurrë. Tash të vijmë tek praktika. E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë. Kështu që nuk mbetet kush shqiptar, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali as Bajram Curri pse janë muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse janë ortodoksë, as Gurakuqi as Ded Gjo’Luli, pse janë katolikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca rrënimtare!

Për të rrojtë vllaznisht na shqiptarët do t’i mbajmë, thamë, disa kushte, do t’i vendojmë disa parime, por edhe do t’i hjekim disa pengesa. 

1.Pengesa e parë, për shërimin e kësaj plage të kobshme që e shqetëson jetën ndër shqiptarët, asht gabimi i madh i disa udhëheqësve të cilët duen ta mbulojnë edhe ta mohojnë plagën, e cila, mjerisht, ekziston dhe do të shkojë në gangrenë po nuk u shërue me dorën e një kirurgu të aftë e të ndërgjegjshëm. Çka asht gabim e kalbësinë, fanatizëm e pus, ves e dobësi, lè të qitet në shesh, lè të thohet kjartë, pa ia shikue hatrin askujt. 

Pse ta mohojmë? Një pjesë e mirë, muhamedanë a kristjanë, ortodoksë e katolikë nuk shikohen me sy të mirë; një antagonizëm shoqnor qendron në mes tyne; ata nuk kanë mbërrijtë endè t’i rregullojnë relatat fetare, shoqnore e civile që do të kenë. 

Duhet ta pohojmë botnisht, se për mungesë kulture jemi këtu. Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: Ta njohim e ta ndiejmë sa duhet këte plagë shqiptare. 

2.Me e shikue hollë, aty ku duket se ndeshen muhamedanë e kristjanë, nuk hyjnë në lojë parimet dogmatike; ato populli nuk i din, as nuk i merr aq në kujdes; sigurisht as për hatër të Krishtit, as për hatër të Muhamedit sot nuk ban kush parti as nuk ngre ngatërresa. 

Shkaku i parë do të kërkohet ndër faktorë historikë, ndër tradicione mënie midis elementave; na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemërime kundrejt shoqi-shoqit; me këta lindim, me këta rritemi, me këta edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na çrranjosë. Do të kalojë edhe ndonjë brezni që muhamedani ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhdukë krejt idenë “kaurr”, ashtu për një predispozicion të bamë petk, si kristjani i sotëm edhe i nesërmi kenë e pa kenë për çdo punë që nuk i bie për shtat, ka me kujtue e me u ankue: Po më bahet e padrejtë pse jam ortodoks, pse jam katolik. Me atë masë që të marrim kulturën e shpirtit e të hjekim shkaqet e pretekstet, po me atë masë kanë me u dyndë edhe këto rê të helmueme. 

FAKTORI  PSIKOLOGJIK 

1.Edhe faktori psikologjik ka të bajë shumë me këte dasi shpirtënsh. Shqiptari si tip asht madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo kjo veti instiktive që kohët e kalueme ndihmoi shumë për me shpëtue shpirtin, gjuhën, zakonet e traditat tona, nëse kjé fat i madh asohere, sot, për jetën tonë kombtare mund të bahet rrezik i parë. Kam pa e shoh përditë shqiptarë edhe me kulturë, të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetës së vet, ata e dijnë fare mirë çka do me thanë jetë e përbashkët e jetë individuale, i kuptojnë kjartë kontrastet e sakrificat që lypen për me u kapë me jetën e vërtetë shoqnore, megjithëkëte, hir e pa hir, duen të bajnë të vetën; duen vetëm ata me kenë të mendshëm, ata gjela që këndojnë. E po gjetën injorantë, trashamanë, hipokritë, servilë, fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa dhimbje, pa shpirt, edhe ngrehen kapadainj, udhëheqës, pionjerë a shka po di unë. 

E ja klanet, partitë prej nga rrjedhin dasitë e kontrastet shoqnore: Hallet shqiptare. Këta njerëz të besueshëm, mandej, si ta kenë ba një grimë pozicion me taktikë vërtetë djallëzore, sa herë t’u nevojitet, mjaft ta prekin  apo sa ta çekin sustën e besimit, se janë gati një turmë për t’i ndjekë; e ja, se me njëherë qiti krye çeshtja e besimit ndër shqiptarë me mëni, me shpifje, me dasi, grindje e luftime. 

Ku asht faji? Sigurisht nuk asht zelli i besimit, por asht zekthi i egoizmit. Unë, së mbrami, nuk i ve faj fare muhamedanit apo kristjanit pse asht fanatik; ai nëmose asht i sinqertë; fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi, këtyne – po nuk patën vetë aq kulturë njerzore edhe fetare, sa me u dalë për vete e me ua dhanë të tjerëve – u do hjekë e drejta të mësojnë. Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar, i cili, që me sa macja e qeni, nuk e beson as Krishtin as Muhamedin, por formon klane për Dinin si për Fenë e Krishtit, jo pse i intereson Dini a Feja, por pse me atë formë – gjen kush e ndjek për me kenë ai në krye. Derisa të mos zbulohen e të mos qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm nuk ka qetësi në Shqipni!

INTELEKTUALË  TË  KACAGJELUEM 

  1. Prapë fjalën e kam me gjysmakët, intelektualët e kacagjeluem; Çeshtja e besimit ndër né nuk studjohet si duhet e sa duhet. Me një lehtësi të pandërgjegjëshme i bihet nëpër té, merret nëpër kambë, shahët e poshtnohet njeni a tjetri besim. Nuk do, nuk di ose nuk del kohë me e studjue thëmelisht çeshtjen e besimit, nuk ké të drejtë me folë, as me dhanë gjykim. Po fole në këte rast, ké qitë tharmin e shqetësimit, jé atentator i vllaznimit, i rrezikshëm për besimin e për shtetin; sikurse do t’ ishem unë mizor po të jepja receta baresh vetëm pse diku kam lexue diçka apo i kam pa ndër reklama fletoresh.
  2. Ambienti, dispozitat atavike të trashëgueme, shpirti refraktar, botkuptimi i ngushtë, rritja familjare mbrenda një rrethi plot paragjykime e sa shkaqe të tjera këso dore bajnë që, përgjithësisht, muhamedani shqiptar disi e ndjen veten ma afër muhamedanit, ashtu ortodoksi afron ortodoksin, katoliku katolikun; këte e sheh dhe e njeh ma shumë se të vetin, ndërsa atë tjetrin e mban si të huej. Nuk asht besimi që ia detyron këte sjellje, por asht shpirti i klanit antishoqnor i paformuem që e shtyn të rrojë me vllaznit e vet si me të huejtë. Fakti asht se jemi të formuem kështu; detyra e sejcilit asht të naltohemi mbi vetén e mbi klanin e rrethit tonë e të kapemi  në jetën e vërtetë shoqnore. Mos të më thotë kush se nuk asht e vërtetë, se unë jam tue e teprue; shkoni e hyni ndër shtëpia private, ndër rrethe intelektuale e dita me ditë keni me gjetë se po në ketë mënyrë e me këto dispozita bahen mbledhje të përzemërta, sajohen klane, vendosen punë edhe me randësi, as nuk po e çoj ma gjatë për mos me e zbulue të gjithë vobeksinë e shpirtit tonë të kufizuem. 

Mos t’i lavdohemi shoqi – shoqit për atdhetarizëm, për kulturë e për kontribute, as mos t’ ua vejmë kandarin mungesave e dobësive të njenit e të tjetrit element, pse sejcili element ka kontributet e veta e ka edhe dobësitë ndër besimtarët e vet; mos të lavdohet kush se porsi element asht ma shqiptar se tjetri! Superioriteti i besimtarëve, edhe në lamën atdhetare – kulturore, do të tregohet me fisnikinë e ndjesive, me naltësinë e jetës, me zemër të gjanë e me zotësi për ta mundë të keqen me të mirë. Nuk asht numri as pasunia që e ban superioritetin kulturor e kombtar, por personalitetet që me cilësitë e nalta morale e me zotësi ditunore janë ata, që bajnë pikën e gravitetit në një popull. Derisa të jenë kush që kujton se myslimanët shqiptarë janë Shqipnia, apo se:

  1. vetëm kristjanët janë nacionalistët e vërtetë, nuk kemi bashkim kombtar, nuk kemi jetë vllaznore, na jemi thikë e brisk. 
  2. Historia asht histori, dhe do të mbetet histori! Jeta e Krishtit e vepra e krishtënimit, si dhe jeta e Muhamedit e vepra e muhamedanizmit janë të dokumentueme botnisht. Na shqiptarët as nuk mund t’ ua hupim, as nuk mund t’ ua shtojmë dritën, as hijet dy besimeve. Ashtu edhe historia e ortodoksisë dhe e katoliçizmit nuk ka mbetun vetëm te né shqiptarët.  Prandej, historia ja mos të prekët aspak, ja nuk ka kush të drejtë t’a falsifikojë e t’a sajojë vetë, për pa shkaktue zemërime, shqetësime e polemika, që nuk ndërtojnë, por prishin e rrënojnë. 
  3.  Mos të rrijmë tue njehsue e tue theksue shka na dallon, por ma fort të ngrehim për shka na bashkon: Na bashkë e kemi një Zot në të cilin besojmë, kemi dhjetë urdhnimet që Ai na ka vue, kemi detyrë morale, shtetnore e kombtare të perbashkëta, kemi historinë, kemi idé, ndjesi, jetesë, zakone, kangë, festa, shpresë, shpirt, interesa, gjuhë e të tjera visare e nevojë, nëpër të cilat ne jemi një në mënyrë të pandashme. Në vend që të shikojmë në çka e ku të ndeshemi, të shikojshim e të anojshim  me kujdes në ate çka përpiqemi. Shumë puna e mirë pat me u ba, shumë qetësia pat me u gëzue! 

A nuk mund të përmbahemi pa e vu në veprim atë shpirtin kundërshtar që e kemi në palcë e në lëkurë? Ta kundërshtojmë terrorizmin, imoralitetin, luksin e alkoolin, vesin, dhunën, pasuninë e padrejtë etj., e jo, të kapemi për punë feje. Të na mbushet mendja mirë, se sikurse nuk janë fajtorë myslimanët pse janë shumicë në Shqipni, ashtu nuk kanë ma pak të drejtë kristianët, vetëm pse numri i tyne asht ma i vogël. 

TË HUEJT KURRË NUK E KANË DASHTË BASHKIMIN TONË

  1. Të huejt nuk e kanë dashtë vërtetë bashkimin e shqiptarëve; ata si njëherë përherë kanë veprue për të krijue e për të mbajtë në Shqipni një gjendje kaotike, përçamjesh e dasishë, që të dilnin në përfundim se shqiptarët nuk e kanë ndërgjegjën e përbashkët të kombësisë e të shtetit, nuk janë një popull, nuk e ndiejnë sa duhet nevojën e solidarësisë shoqnore! Me mënyra e taktika të ndryshme, për këte qellim shtinë në punë e përdorën sa herë edhe ndikimet fetare. 

Vetëm bindja intime e tanë popullit shqiptar në një drejtim të vetëm, tue u naltue  mbi të gjitha brêngat e vështirësitë tona të mbrendshme, vetëm ky hap fisnik do të mund ta përballojë mjaftueshëm këte sulm e këte rrezik. 

  1. Këte kontrast jete ndër né e ushqen fort edhe heterogjeniteti i familjes shqiptare. Derisa nana vetë të rritet me një mendësi antishoqnore e t’i rrisë fëmijët vetëm për katër muret e shtëpisë, derisa familja shqiptare mos të shpirtnohet vetë tue marrë poezinë e madhninë e jetës e grueja mos të ketë formue ndërgjegjen për misionin e naltë që ka në familje dhe në shoqni, shqiptarët kurrë nuk kanë për të kenë elementa të aftë për jetën e përbashkët, jo për shkak të besimit, por pse pa pasë edukatën familjare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, né nuk mund të jetojmë si na përket as si person, as si kolektivitet. 

Besimtarë, të çdo feje të jeni, në emën të besimit tuej po ju thom: Shtërngonju, se një mision i madh u endèt përpara. Ju për detyrë e ndërgjegje e për urdhën të Atij Zot që besoni, duhet ta shpëtoni Shqipninë, tue u tregue vërtetë vllazën, jo me forma e për dukë, por me bindje e me ndjesi, me sakrifica e me jetë të shkueme në themel të përpjekjeve vërtetë vllaznore. 

A e duem një Shqipni me të gjithë Shqiptarët? Të marrin fund njëherë e përgjithmonë fjalët e frazat: Muhamedanët refraktarë! Katolikët antishqiptarë! Ortodoksët grekomanë! Kemi pasë, po, mjerisht, muhamedanë, ortodoksë e katolikë të dobët, dhe kemi pasë e kemi muhamedanë, ortodoksë e katolikë vërtetë shqiptarë, të vërtetë e të mëdhej, por as muhamedani nuk ka arsye të rrijë sherbez, as kristiani nuk do të kujtojë veten të marrun nëpër kambë.

Me gjak të vét e shuguroi Lterin e Atdheut katoliku, ortodoksi e muhamedani: Gjeçovi e Gurakuqi, Çerçiz Topulli e Bajram Curri, Gërmenji e Negovani nuk kanë ndryshim, por janë një në mendim e një në vendim, në vepër e në vdekje. Ata e kryen detyrën e vet, tue e vulosun me gjak atë shka jemi: Vllazën të një gjaku!

Mirditasit e dukagjinasit, kosovari e dibrani, kurveleshasi e kolonjari,  për vjet e vjet hoqën keq me ruejtë të njëjtën gjuhë, të njëjtin shpirt, të njëjtat zakone shqiptare, ngase ata kjenë një në sakrificë e në drejtim, në saje të tyne trashëguem visarët tona kombtare. 

Me gjak e ndasi jemi ngopë. Kemi provue edhe se shka asht kthetra e huej. Jemi rysë tashma me të gjitha provat e egoizmit vetjak e kolektiv të partive, dhe kemi pa e prekë me dorë se një popull i përçamë me grindje të mbrendshme asht i gjykuem me mbarue. Rreziku që na rri mbi krye të bjerrim Shqipninë, idealet e interesat që na rrijnë përpara, gjamët e shpirtit shqiptar e aspiratat e të gjithëve për gjithshka asht për të mbarë e të mirë, vlerë e nderë për popullin e kombin, për historinë trashëgim të breznive shqiptare, janë arësye e shkaqe që na imponojnë të lidhemi e të mbahemi nji ballë i çeliktë pa ndryshim besimi, partie, krahine a privilegji. Do të ishte një tradhëti e naltë për brezninë tonë që tashti këtij blloku të çimentuem t’ia ndezim bombën e dasisë me shkëndinë e përçamjeve fetare.

Prite, Zot, që populli ynë besnik e fisnik, për shkak të besimit fetar mos ta ketë ma besimin shoqnor njëni me tjetrin; në vend që të bashkohet më një, të përçahët trish; jo, mos e thantë Zoti që shqiptarët besimtarë, në vend që t’i afrojë dashunia, t’i përçajë mënia, e po njata çka duhet të na afrojë, besimi në një Zot të vërtetë, të na shtijë grindjen e armiqësinë; jo, kurrnjë mos pritshim t’ ia mërrijmë asaj ditë, kur për shkak të dasive, të shkrihemi porsi krypa në uji e të zhduket prej fytyrës së dheut Vatra Shqiptare, mos të jehojë ma ndër kombe zani i Arbnorëve.

TË HEQIM DORË NGA ÇDO NDRYSHK ZEMRE 

Sot në këte krizë të tmerrshme besimtarëve të të tré elementave na përket, për hatër të Zotit e të Shqipnisë, të heqim çdo ndryshk zemre, t’i japim dorën shoqi – shoqit  e të vllaznohemi në Atë Zot që besojmë e në Atë Shqipni që e duem me gjithë zemër. 

E po e patën detyrë besimtarët një herë, kleri shqiptar, muhamedan, ortodoks e katolik, dhjetë herë ma tepër e ka detyrë të shtërngohët doradoras, e pa vonesë të dalë në lamën e luftimit për t’ ia shpëtue shqiptarit besimin në një Zot, shpresën në një Shqipni. 

A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé! 

Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer. 

Bashkimi i tré klerëve në ketë drejtim e veprim asht leva ma e fuqishme për të sigurue bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo, sot as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë. 

Të ngrihemi në kambë! Për një Zot të vërtetë për një Shqipni të lumtun, na jemi vllazën!”

Korçë, Korrik 1944. 

*Marrë nga libri: “Çashtja e elementavet fetarë në Shqipni”, Tiranë, 1944, fq. 5 – 22. 

**Shenim nga Fritz Radovani: Materiali i At Anton Harapit O.F.M., botue në vitin 1944, më asht      dhurue nga Prof. Ndue Zef Toma, i cili e ka redaktue, pa ndryshue asnjë fjalë nga origjinali. 

     Nënvizimet janë të Autorit, simbas origjinalit, për të cilin, Ju lutëm, të mos bani ndryshime. 

Melbourne, 4 Janar 2022.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT