• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for January 2022

KRYETARI I VATRËS U TAKUA ME MINISTRIN E MBROJTJES SË KOSOVËS ARMEND MEHAJ

January 27, 2022 by s p

Mërgata jonë në SHBA me “Vatrën” në krye, si dhe mërgata jonë kudo në Botë, janë forca dhe energjia jonë e pazëvendësueshme. Me kënaqësi të veçantë sot prita kryetarin e Federates Panshqiptare “Vatra”, z. Elmi Berisha, të shoqeruar nga drejtori gjeneral ekzekutiv i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, z. Naim Dedushaj.Me këtë rast, diskutuam për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me komunitetin shqiptaro-amerikan në përgjithësi dhe me Federatën Panshqiptare “Vatra”, në vecanti, si organizata me e vjetër për mbrojtjen e interesave tona kombëtare.Takimi ishte në frymën e diskutimeve në vazhdimësi që kemi zhvilluar edhe gjatë vizitës sime të mëhershme te “Vatra” në New York” – shkruan Ministri Mehaj.

Filed Under: Politike

US Ambassador Jeffrey Hovenier and Vatra President Elmi Berisha had a phone conversation today in Prishtina, Kosovo

January 27, 2022 by s p

Thursday – US Ambassador Jeffrey Hovenier and Vatra President Elmi Berisha had a phone conversation today in Prishtina, Kosovo. The call comes after their meeting last month in New York.

Mr. Berisha officially extended his congratulations to the Ambassador along with wishes for success in his new endeavor.

Vatra President reiterated the importance of a close cooperation with regard to the developments in Prishtina.

Mr. Berisha expressed appreciation that Ambassador Hovenier can draw on the wealth of experience that he has gained in the region during his foreign service postings.

Both agreed to work closely and in a spirit of mutual trust in different areas of Albanian-American investments in Kosovo.

Importantly, on the call, Mr. Berisha reinforced the commitment that the Pan-Albanian Federation of America Vatra is on the same page with the policies of US Department of State.

Filed Under: Featured Tagged With: Jeffrey Hovenier

KJO DITË E GJITHË PËR TË KUJTUAR

January 27, 2022 by s p

POEMË NGA VISAR ZHITI


(Botuar shumë herë brenda dhe jashtë vendit,
marrë nga libri “La notte è la mia patria”, Itali, 2018)

– Çdo Solomoni, të persekutuar
a mbret, ligjvënës a mjek, poet e mik, kujdo qoftë tjetër, edhe pa këtë emër, bashkëvuajtës dhe i përndjekur, edhe në harrime… –

1.
Kjo ditë e gjithë për të kujtuar…

Por tmerri është më i madh, nuk e nxë dot kjo ditë,
del përtej. Kanë mbetur nëpër ajër klithma pa gojë
            dhe lotë pa sy,
të përziera me shiun që nuk bie, por rri pezull
si një ankth. Dhe dhëmbja e mëpastajme
si lodrat e fëmijëve pa fëmijët,
                  të shkelura, të thyera.

Urtësi pleqsh të flakura tej si borsalinat e tyre të çara
dhe heshtje e zezë si një qen këmbëthyer,
gjysma macesh, copra pasqyrash, flatra zogjsh e librash…
I vërvit era andej-këndej apo kujtesa e çoroditur.

    Në rrugën e zbrazët një këpucë gruaje e hedhur,
si zemër e shtrembëruar, e kuqerremtë si gjak i tharë…
dhe një djalë me pranga,
                            fantazmë që e arrestojnë çdo ditë…

Ku po e çonin  jetën? Ku?

Shpejt, shpejt, shpejt, ec, lëviz! Ju – andej harrimit,
këtej harrimit – ju.
Shtyhuni! Të nisen makinat? Ku? Ku? Dhe urdhërat
kanë mbetur nëpër natë, në natën që s’ka yje,
                  por tela me gjëmba.
Në natën e fundit, ku nuk zbardh më…                                                             

Brenda natës ka prapë natë,
    minierat e zeza të ferrit…                                   

2.
Nga lart na vijnë fatkeqësitë, por jo nga Qielli.
Nga Golgota e dënimit
                  ku ngjitemi vetë,
të shtyrë nga djalli që gjithmonë mbetet poshtë,
                            në terr
dhe i ushqen rrënjët e së keqes
me egoizmin helmues,
me ambicjet vrastare,
që bëhen çmenduri kolektive. Doktrinë e krimit…
Po unë dua ditën time të harresës…

3.

Avitem për andej, kaloj në kohë
i lemerisur,
ndal mes dënimit, shpirt
dhe i largët,
plagë që vetëm dhëmb, dot nuk pëshpëris: të kishit shkuar
në vendin tim, dikur, nuk do ju përzinin,
do ju prisnin nëpër shtëpitë e varfëra, do ju mbronin,
edhe pse të pushtuar
                              nga vrasësit e përbashkët. Bukën
dhe frikën me ju do ta ndanin. Se ndodhi vërtet,
si nuk ndodhi?

Qëndresa dhe nderi si në librat tuaj të lashtë…

Dua dhe unë ditën time të harresës…

Se pastaj u vësulën mbi ne shumë më keq,
      Na vranë tanët

dhe pastaj të vrarë na mbyllën burgjeve dhe punonim
në minierat e ferrit si skllevër…

Djalli po hakmerrej.

4.
Popull i zgjedhur, po Zoti na zgjedh dhe ne,
s’e dimë pse, për të vuajtuar,
                se vuajtja na e bëka më të mënçur botën
e martirizimi të shenjtë. I duhen të ardhmes si drita…

Të ecësh pas një Krishti prej ere, me dishepujt
                                  e shenjtët
e përhapur gjithandej.
Në vend të breroreve të tyre përshfaqen
pllanga të dritave të projektorëve në burgje e në kufi,
mbi fytyrën e atij që do të zbraseshin plumbat
si breshër i mortjes.

I gjatë rreshti i të dënuarve, shumë i gjatë,                                                                 
dhe rreshti i ushtarëve po ashtu, ende më i gjatë…                         
gjysma në të shkuarën                                                                                     
dhe gjysma në të ardhmen

dhe thashë, nuk mjafton një ditë për të kujtuar…                                                                             

5.
Dua dhe unë ditën time të harresës,
Të gjithëve u duhet një ditë tepër, jo vetëm të vrarëve…

Çizme të mëdha diktature
kanë bllokuar horizontet, njëra
si e hitlertë, e zezë
                            dhe tjetra
si e stalintë, e kuqe…

Alarm! Po ecën historia, jo kundërhistoria si përbindësh!

Midis tyre këpucë të kalbura, që ecin vetë pa këmbë.
Mos janë këpucët e vuajtjes, të durimit të padurueshëm,
të frikës së shndërruar në guxim paranojak? Ja,

dalin nga rrethimi, poshtë telave me gjëmba, ku
po shkoni, mijëra këpucë,
se si jeni,
              gojë ulërimash të vrara,
nuk ju nxë dot asnjë kujtesë,
                                pirgje leckash të gjalla, por krimi                                         
është më i madh, ohu-u, sa i madh! Dhe sa e pakët
ndjenja e atyre që kryejnë krime, më e vogël                                                             
se guriçka brenda në njërën nga këpucët e vdekura.
Ja, ja, dhe këpucët e mia aty, as këpucë nuk ishin,
copa çizmesh të çara në minierat e ferrit…
Dhe unë, i zbathur, me këmbët e përgjakura,
                            me dobësitë sikur të ishte thembra e Akilit,
me një shigjetë fatkeqësie të ngulur, që s’duket,

jo, jo, nuk dua të marr këpucë jetime të të tjerëve.
Dhe në m’u bindshin, teksa endem mes tyre
dhe kërkoj të miat. Por një amanet të fshehtë
                mund ta marr,
i kujdoqoftë, është i njeriut,
teksa i mbush me elegji
                            këpucët e nxira të netëve
                    dhe këpucët
e zbardhura të ditëve…

6.
Ndërgjegjen e botës nuk e mbyt dot të gjithë
                        gazi i kobshëm
i furrave të së keqes.
Ky hi i hidhur jete s’është nga zjarri prometean,
nuk bën genocid zjarri                                             

dhe nuk marroset pas ndonjë doktrine.

Është i zjarrit tjetër të djallit
Që të fut të ftohtin e vdekjes. Kolla e krimit
          u përhaq gjithandej, te rrugët e dyert,                                                                           
kolliten shkallët, dritaret, shpresa, automatiku i zi,                                           
deliret, pemët, librat, zhgënjimet, pendesa, stinët,
                ëndrrat kolliten në ëndrra të sëmura…

Dhe ai sapun makabër, i nxjerrë nga të gjallët,
              si mund t’i lajë duart e mëkatit?

Dua dhe unë ditën time të harresës,

Të gjithëve u duhet një ditë tepër, jo vetëm të vrarëve,
edhe vrasëse,
                  që të pendohen…

7.
M’u mor fryma, errësirë… Më sillni një rreze të thyer,
diçka që feks, një pikël drite
sa loti.

Ç’janë këto vezullime? Mijëra unaza
të mijëra gishtrinjve të prerë, 
                                në atë shiun e ngrirë që nuk bie…                                                                   

Po ora, ku është ora e njeriut, vajti vonë për kthimin                                                               
ku s’do të mbërrihet dot asnjëherë.                                                 
Kërkëllijnë skeletet,                                                                                                                     

çohen nga balta e asgjësë dhe kërkojnë mishin                                                                                                         
që ua zhvatën,                                     
duan pyllin e djegur të flokëve. Ditën e hapur të syve,
kohën e pajetuar. Kujtesën prapë. Përsëri. Gjithmonë.
                      Pa kujtesë bota bëhet vetëm një kafkë.

Pse heshtin fjalët, po kalben
                                          bashkë me buzët e kohës,                                                                             
puthja e mortjes mbulon brigjet                                                                                 
dhe mijëra e mijëra këpucë bosh mbushen me shi
dhe ecin mbrapsht, nga dita e sotme e kujtesëz
                          i aviten fillimit,
ditës së parë të krimit… këpucë Buhenvaldi,
Aushvici, Dahau… nga gulagët në laogai… në Spaç,
Burrel, Qafë Bari… në burgjet pa emër të botës.
Fundosen në gropën ku kanë hedhur të gjallë
                      njerëzimin,
se qoftë dhe vetëm një njeri,
                                      ai është njerëzimi i gjithë.

8.
Skeletet me koska mermeri                                                                           

ulërijnë për atë pjesë jete
                të pakryer                                                                                 
më fort se sirenat ngjethëse
të atyre trenave të egër                                                 
që s’ndalnin asgjëkundi,
                      veçse në stacionin e fundit të fundit.                                   
Autoburgje dhe kamionë internimesh…
Le të bien epidemitë përreth, masakrat, ka prapë stacione,
                                      është ai i ndërgjegjes së popujve,                                                   
stacion tjetër i fantazmave…
                              Stacioni i tmerrshëm i kujtesës…                                                                                   
Ja, erdhën nga prapa diellit. Stacioni i fundit                                                                                                           
                          i mallkimeve.

Po i mëshirës, i faljes? Stacione gërmadhë, që…

Ju – andej harrimit,
këtej harrimit – ju. Në mes ndarja
  si një e çarë fatale e tokës.

S’ka më rreshta, as rregull,
                          turma mëkatesh, histori e shqyer
nga bishat që s’kanë histori, veç atë të daljes
            nga shpellat,

gjëmojnë hapat e shurdhëta të akuzave të gjërave,
se ç’lëviz poshtë dheut të huaj, hapen vetë varret masive,
                                                          dal dhe unë.

E si të mos jem hebre, kur kam holokaustin tim?

Dhe gjerman i dënuar jam, polak, rus hungarez,
          rumun, edhe palestinez, etj, etj, afrikan, aziatik,
amerikan, kryqi është njëlloj kudo,
jam shqiptar në Kosovë, dal nga gropa e përbashkët…
E ti je unë… Kohë s’kam dhe aq që të ringjallem,
vërtitem në vorbulla gjyqesh,                                     
jo në atë të fundit,               

kërkoj ashtu si pallton time të kalbur – kujtesë,
vetëm një ditë, e ç’i duhet më shumë një fantazme?

Parandjenjat rendin me motorë të zinj rrugëve të natës.

Mbi një fron era shfleton fletët
e një Kurani vëllazërie…

Pallton time e ka vrasësi im, është ftohtë                                             
dhe atij i duhet fati im,
                                    ky i më pastajmi, i pasluftës,
                            i rënies së perandorisë të së keqes.

Palltoja e fatit shndërrohet në metal të ndryshkur,
              e ngrirë mes erërave
ashtu si këpucët e zbrazëta në bregun e një lumi,
                  që nuk harron. Ku i pashë, në ç’makth?

Të jetë art aluçinant? Pse ka më pas kësaj? Shpirti
                                  gjithmonë është lakuriq në qiell.

Dhe një ditë kujtese për të gjithë…

9.
A mjafton një ditë për të kujtuar, i nxë dot të gjitha…?

Dua ditën time të harresës… Ja, vjen agu i ditës tjetër
me një diell kryecopëtuar. Nuk mjafton as kjo ditë,
                                                          aq më pak një jetë.

As harresa nuk mjafton, s’mundet, nuk e përpin dot                                                                           
të tërën, nuk mjafton as vdekja.

T’i kujtojmë të vrarët tanë… Vrasja e tyre na kujton
që nuk i mbrojtëm dot, por të mos rivriten me harresë…

Të vrarët nuk kanë vdekjen e tyre,
prandaj ata nuk vdesin kurrë.

Kurse vrasësit, ah vrasësit, ata janë të pa edukuar,..

Po kjo është pak, pu-pu sa pak që mund të thuhet
                                              e s’ka pike rëndësi për ta.
Të egër janë, të tmerrshëm, pa shpirt, asgjë s’kanë
                                    që të mund t’u shkojë në Qiell.
Në baltën e ferrit do të mbeten duke e bërë baltën
            edhe më të keqe…

Mëshirë dhe lutje. Edhe për armikun. Ta duam,
            aq sa na do, më thua ti…

Me drejtësi në fillim edhe për ata.
            Pastaj për vete të duam
më shumë, të mos jemi si ata, kemi lindur që të duam,
pa dashuri nuk ka jetë…
                      durim dhe paqe!

Edhe baltën ta shpëtojmë,
ta bëjmë siç ka qenë,
baltë krijuese, të jetës, e artit
                                  të njeriut…

10.
Koha pa kohë, e gjithkohëshmja… ecën
                            me hapat
e zbathura të një Krishti.

U riktheve, Bir? Po unë që përjetoj një lamtumirë
                        që s’mbaron,

që lëkundet si dorë e këputur,
                          ja, u zvogëlua
prej largësisë,
u bë si ajo dorëza prej argjëndi,
që hebrenjtë e quajnë yad, që
me gishtin e zgjatur të saj
                lexojnë librat e shenjtë.

Prekini plagët e mia
                      dhe dora
do ju shndërrohet në argjend…

Si penë që dua të shkruaj,
u bë lamtumira,
si çelës i shtëpisë tënde
qoftë ora e kthimit,
                                  e ke varur
në qafë si një fëmijë,
që mos të të humbë gjatë lojës, se e gjitha lojë qënkërka,
                                        Biri im,
në tokë dhe në Qiell.

Dot nuk e kujtoj të gjithën, vuaj,
dhe të harroj të gjithën
nuk mundem dot, vuaj.

Kujtesë-harresë… harresë-kujtesë… janë ditët e mia,

Kujtoj nga ato që duhen harruar,
                                harroj nga ato që duhen kujtuar,
Ç’po shkrin kështu mbi Ungjillin tim, çasti?

Pika të nxehta kohe
pikon kujtesa prej dylli e qiririt
                                  që ndeza
me shkëndijëzën time
mes qerpikëve të pambrojtur,
                      prandaj dhe mërgoi nëpër yjet e largët.

Qiriri im i fundit.

…datë e harruar…

—————————————
* E risjellim me rastin e 27 Janarit,
DITËS SË KUJTESES.

Filed Under: LETERSI

Dorët

January 27, 2022 by s p


Astrit Lulushi/

Dorianët quheshi njerëz që pranonin e jepnin dhurata. Ata janë kahasuar edhe me hebrenjtë si popull i zgjedhur që mbajti një besëlidhje me Perëndinë dhe iu caktua një Tokë e Shenjtë. Për të arritur në këtë përfundim, antropologu Edward Hall mbështetet në versionin e mitit nga Herodoti i cili thotë se banorët nuk u quajtën “grekë” derisa Dorët arritën në Peloponez.
Një episod tjetër, dhe ndoshta i harruar në historinë e studimeve, është përpjekja për të theksuar etimologjinë e emrit Dorian me kuptimin e ‘dorës’. Kjo, nga ana tjetër, lidhet me një interpretim të simbolit të famshëm në mburojat spartane, që kishte kuptimin e një dore me gishtin e madh të shtrirë, dhe jo atë të shkronjës fillestare të emrit Lacedaimon. Duke pasur parasysh origjinën e legjendës së mburojës spartane, ka pasur përpjekje për të sugjeruar se emri e Dorëve mund të jetë menduar si një konfuzion midis shkronjës L për Lacedaimon dhe imazhit të dorës.
Kur Dorianët morën Greqinë, rreth viteve 1200 pes ata zbritën nga malet e Epirit dhe Maqedonisë. Ishte periudhë e turbullt, thatësira ​​afatgjatë dhe ndoshta sulmet nga njerëzit e detit kishin bërë kërdinë në rajon. Regjimi mikenas, i rënduar nga tërmetet, u shemb. Nëse Dorianët ishin përgjegjës për rënien përfundimtare apo morën kontrollin e vendit që e gjetën të paqeverisur, për këtë historianët janë të pavendosur. E sigurt është se shumë gjëra ndryshuan pas ardhjes së tyre. Popullsia u zvogëlua në mënyrë dramatike për shkak të fatkeqësive të përmendura më sipër.
Tiryns, një kështjellë mikene, u braktis pas rënies së epokës së bronzit.
Shumica e qendrave urbane u braktisën (Mikena në Peloponez dhe Knossos në Kretë u banuan për 100 vjet të tjera). Teba u ribanua mjaft shpejt dhe Athina (për arsye të panjohura) mbeti e paprekur nga të ardhurit (athinasit e periudhës klasike mburreshin për këtë), po ashtu edhe kolonitë mikene në Azinë e Vogël, si Mileti.
Pra, gradualisht u shfaqën qendra të reja urbane; Sparta në Lakoni, Eretria (Lefkandi), Chalkis në ishullin Eubea, dhe harta e Greqisë historike filloi të formohej.
Edhe administrata ndryshoi. Nuk kishte më një mbretëri dhe pallate të vetme. Çdo qytet i pavarur drejtohej nga një njeriu, por institucioni Demos (ose Damos), grumbullimi i qytetarëve, mbeti në përdorim. Demos-i në këtë periudhë ishte një tubim ku mund të bisedonin vetëm të pasurit dhe të rëndësishmit, por gradualisht evoluoi në Demos për të gjithë qytetarët.
Struktura shoqërore dhe feja mbetën afërsisht të njëjta; shoqëria mbeti patriarkale, perënditë olimpike adhuroheshin ende, por megaroni miken (ku mbaheshin ceremonitë fetare gjatë periudhës mikene) evoluoi në tempujt e periudhës historike. Edhe një gjë, ritualet e varrimit u kthyen në epokën para-mikenase; djegia e të vdekurve pushoi dhe varret ishin individuale, jo më varre familjare.
Shkrimi u zhduk për gati 400 vjet. Ai u kthye në rajon rreth vitit 750 pes, si një version i përmirësuar i atij fenikas.
Ekonomia nuk kishte fare puls për shekuj…
Arti gjithashtu ndryshoi në mënyrë dramatike. Artifaktet elegante mikene (sidomos ato me vlerë) ua lanë vendin atyre shumë më pak artistike të periudhës protogjeometrike. Megjithatë, kjo qeramikë më pak artistike ishte e cilësisë më të mirë, pasi ishte e lustruar dhe e bëri të zgjasë pothuajse e paprekur deri në ditët tona.
Kjo qeramikë e avancuar, e vërejtur nga tregtarët fenikas, filloi të eksportohej dhe kështu ekonomia, pasuria dhe më në fund qytetërimi klasik u kthyen në rajon.
Gjithashtu, zbritja e Dorëve nga veriu, nga malet e Epirit e Maqedonisë, dhe krijimi i etnosit grek prej tyre, bëri që historianët këto vende të origjinës t’i quanin greke.

Filed Under: ESSE

TREGIM / NJERIU QË HUMBI GRUAN NË AMERIKË

January 27, 2022 by s p

C:\Users\Agim\Desktop\Documents\1_files\Scan_20211208 (5).jpg

Nga Agim Xh. Dëshnica/

Berti, mësues nga Tirana, u njoh me Elsën në Korçë, në një mbledhje kushtuar shkrimtarit Foqion Postoli. Djaloshi në çastin kur e pa, u mahnit  nga pamja e saj, nga sytë, flokët e derdhur mbi supe dhe mënyra si fliste, por mbi të gjitha, nga  urtësia  e saj. Nuk thonë më kot: „Ja korçare, ja hiç fare!“ Elsa qe lindur  e rritur në lagjen me rrugica, diku afër qendrës së qytetit romantik, ku sipas romanit “Çupat e Vançit”, gratë nën harqet e portave, me fshesë në dorë, merrnin në gojë gjithë dynjanë. Por Elsa qe krejt ndryshe, e mençur e sjellshme dhe mesuese me kulturë. Gjyshi i saj para lufte, pati qenë tregtar i njohur me tre dyqane, njëri me orendi shtëpiake, tjetri me basme, i treti me opinga e këpucë për burra e gra. Mbi portat e hekurta të dyqaneve, lexohej: “Gaqo T. Vançi dhe djemtë.”

 Kur u hapën kufijtë, të dy krahë për krahë, morën rrugën drejt Sofjes me autobusin turk ”Izmir-sat”. Ndërsa po udhëtonin me trenin E-3, Sofje -Bukuresht, papritur vargu i gjatë i vagonëve, u ndal në stacionin e qytetit Ruse plot me turq, para urës mbi Danub. Berti pa e zgjatur, nxitoi për te dyqanet pranë platformës së hekurudhës. Teksa po mundohej më kot të merrej vesh rusisht me dy shitëse turke për “Vodkë” polake, treni pa u ndjerë u nis dhe ia mori gruan.

“Më la! – mendoi i turbulluar. – Si i bëhet tani? Ku mund ta gjej 

Elsën?” Nga ky ankth i doli gjumi. I gëzuar si fëmijë vuri re, se ndodhej në shtrat. Hodhi sytë përqark. Jashtë pesë dritareve dielli i tetorit shkëlqente si në ditë korriku, i zbardhte edhe më grilat e brishta prej plastmasi. Në tavan rrathë të ngjashëm me pjata të bardha porcelani, të kapura njera me tjetrën, tregonin se ndodhej në vilën e drunjtë  E-61, në Medford mbi Boston. Elsa  flinte e nuk ndihej. Pra, e vërteta qe pak si ndryshe.  

**

Pas kthimit nga Bukureshti, Berti dhe Elsa u larguan nga atdheu, në fillim të tetorit, kur mijëvjeçari i dytë po i qasej fundit. Nga Rinasi u ngjitën në qiell mbi Adriatik, me ajrorin A-3,  të kompanisë Al-Italia. Përmes dritareve ovale së larti shikonin me trishtim fushat, pyjet e malet. U bëhej sikur atje, poshtë gjithçka lëvizte  për nga jugu. Pas dy orësh, zbritën në aeroportin e Milanos. Nga larg shikuan vetëm çati, dritare, pemë e stylla. Të ngujuar rreth  tre -katër orë brenda nëpër salla dhe korridore, qytetin e artit e soditën disa herë, vetëm në fotografitë me ngjyra të varura nëpër mure. Duhej të prisnin, herë ulur, herë duke ecur poshtë e lartë, deri sa, më në fund, me ajrorin e madh Boing Al–Italia- fluturuan mbi Atlantik. Në qiell shijuan pije me ngjyra  dhe ushqime të lehta në pjata  e gota plasmasi, të servirura nga stjuardesa përherë të qeshura, por jo aq të bukura, siç tregojnë reklamat. Hanin e pinin udhëtarët tanë, tok me të tjerët, si në restorantin e hotel Drinit. Lexuan revista në italisht, ndërsa filmin në televizor nuk po e kuptonin. Hera – herës hidhnin sytë jashtë dritares, nga dukeshin, aty-këtu, nën re si në hartë, Italia,  Spanja, Portogalia, detet si liqene dhe vargmalet. Lëvizja e ajrorit tregohej edhe në tabelat elekronike të vendosura lart. Tej mbi oqean, ku thuhet se ndahet dita me natën, befas dritaret u mbyllën. Ata, së bashku me udhëtarët e tjerë, pasi kishin hequr brezat e sigurisë, kthyen vështrimin në ekranin e televizorit. Tani siguria shprehej tek besimi ndaj Zotit, dashuria për jetën, tek fluturimi i qetë i ajrorit Boing, tek mendja, sytë dhe duart e aviatorëve. Mbresa që nuk shuhen, ishte zëri  i ngrohtë i kapitenit në radio, i cili njoftoi se po i afroheshin tokës amerikane, shfaqja e Bostont, midis drurëve, ujërave në bregdet, lumejve e liqenëve! Pastaj zbritja  e avionit, takimi butë i rrotave në pistë, lëvizja me ndalë e Boingut drejt kullës me tre kate të Logan Aeroportit. Së fundi, frenimi, fikja e motorëve dhe shpërthimi i duartrokitjeve të pasgjerëve të çliruar nga brezat e sigurisë. Më tej,  hyrja në portat që hapeshin e mbylleshin vetiu, korridoret lëvizës, shkallët rrëshqitëse, sallat e gjera dhe doganierët.

Pas kontrollit e vulosjes së pasaportave, u takuan përmallshëm me birin e tyre. Sapo dolën  në rrugë, u hasën me sherifin shtatlart të “steit polis” me qortime për veturën e parkuar gabim. Djali i doli përpara e foli me një anglishte të pastër: 

-Më falni, sër! Jam shqiptar, ndërsa këta janë prindët e mi! Jam paksa i hutuar. Kemi shumë vjet që s’jemi parë.

Oficeri elegant, me kapele republikane, i pa të posaardhurit, u mendua  pak dhe i nderoi:    

– Uellkom in Amerika!- u tha i qeshur.   

Berti dhe Elsa të lodhur me çanta ndër duar, ato fjalë i morën vesh  nga sjellja e fisnke e ofierit, ndaj i buzëqeshën duke ulur paksa ballin.  Kur hipën në veturë, e mblodhën veten dhe u gëzuan.   

Përshtypjet e para ishin rrugët e gjera e të pastra, automobilët e shumtë, ndërtesat e larta pranë oqeanit, kulla me xhama blu Xho Henkok dhe pak më larg Prudenshëlli madhështor; gjelbërimi, lumenjtë dhe urat.…Vendi, ku do të banonin, me emrin Medford, në atë muzg me perëndim të purpurtë “uajlld uestern”, u kujtonte Mangalemin dhe Goricën e Beratit. 

Qysh atëherë kaloi shpejt një vit i mbushur me habi të këndshme, jo si ato të Kristofor Kolombit, në kohëra të hershme. Pra, ata të dy, Berti dhe Elsa, nuk patën fatin t’i zbulonin të parët indigjenët e kulturës së lashtë indiane me kalorësit trima mbi kuaj të shpejtë, pupla, harqe, shigjeta e tenda me majë e sokëllima yahoo! Ata zbuluan një popull tjetër, me kombësi e raca nga më të ndryshmet, me kapele dhe bluxhinse ala-amerikane, ndër vetura, autobusë e trena të zhurmshëm, që nxitonin në autostrada, mbi ura, nëpër tunele, nën ujë e nën kullat qiellçarse të reja. Vështronin shpesh qiellin e pastër dhe gjurmët e bardha, që linin pas ajrorët e mëdhenj të kompanive Panamerikan, Lufthansa, Al-Italia etj. Shikonin hera – herës në ëndërr Tiranën, sheshin Skënderbej me shatërvane dhe zgjuheshin…

   **                            

Hejmarketi është qendra, më e lashta e Bostonit, ku përbri

kishave e ndërtesave të larta, ngrihet kulla e orës së qytetit, e ngjashme pak me Sahatin  e Xhamisë Et’hem Bej në Tiranë. Kulla shërben edhe si hotel për turistët. Në parkun e gjelbërt shtatoret e bronxta të guvernatorëve të vjetër heshtin nën hije mbi këmbësore mermeri, a rrafsh me tokën, apo ulur në fronat e pushimit. Të shtunave këtu vërshojnë turistë të shumtë. I sheh tek ulen pranë shtatoreve dhe dalin në fotografi me ta. Pastaj, njëri pas tjetrit,ecin më tej drejt  përmendores “Holokaust”, me shtatë  kulla të larta të krijuara me tuba hekuri dhe të veshura me xhama të trashë, ku janë gdhendur kumte  dëshmitarësh dhe numrat që mbanin viktimat në kampet Majdenek, Ausviç,  Sabibor, Belzek, Kelmno, etj.

 Në sheshin ngjitur dëgjohen kitarat spanjolle, fyejt  e ëmbël bolivianë dhe bubullimat e  tambureve afrikanë. Në stadiumin e vogël në trajtë gjysmërrethi, matanë rrugës kryesore, nga  kombësi  të ndryshme jepen shfaqje me këngë e valle. Në anën veriore ngjitet Hanovër Strit, një rrugë e pastër, që përshkon tejpërtej zonën North End, dëgjohen këngë napoletane, violina milaneze, pihet kafe ekspres dhe shijohet akullorja  italiane me çokolatë.

Në pazarin e zhurmshëm si gjithë pazaret, tregtarë bullafiqë, kryesisht me prejardhje latine, bërtasin sa u merr fyti: “Dallar beg! Bak e beg! Dallar, dallar!”, ndryshe nga sjellja e urtë e shitseve në supermarketet marramendëse, si Stop end Shop, Uollgrins, Failins, Bixhejs, Target, Best Baj, Homdipod, Big. Kej Marti,  etj.

 ***

  Një të shtunë, aty nga mesdita, Berti me kapele “Boston”, Elsa me çantë në sup, me autobusin 90, mbërritën në Esembli Skuer (Sheshin i Mbledhjeve”), në B-K.Marti. Ky dyqan i madh ndodhet mbi Boston, në zonën e Samervillit. Aty shiten mallra gjithëfarësh, ushqime e pije, veshmbathje e mobilje, pajisje sportive, mjete shkolle, si dhe aparate elektronikë. 

Elsa, pa u thelluar shumë, tha:

– Mbarojmë punë këtu, pastaj me autobusin 92, shkojmë për pazar në  Hejmarket! 

– Si të thuash ti, ashtu do të bëj edhe unë! Ti na solle këtu, ti do të urdhërosh! Boll urdhërova në Shqipëri!

Portat kryesore kanë të shkruar “in,” hyrje, dhe ‘exit,” dalje. Me këto shenja Bertit i pëlqente të sajonte në shqip: “Hyr” e  “Ik!” Ndërmjet dy portave, brenda qëndron në këmbë një burrë i moshuar, i shkurtër, i shëndoshë e faqesimite, me kapele “Patriot”. Herë pas here u hedh një sy të shpejtë faturave. Kur porta “exit” lëshon tingullin ring-ring, blerësit kthehen të shqetësuar. Njeriu me kapele, duke buzëqeshur e zgjidh çështjen aty për aty. Si duket, arkëtarja  s’ka  shuar  sinjalin e mbrojtjes nga vjedhësit!

Bertit iu kujtua një dyqan ushqimesh me vetëshërbim, që u hap në Tiranë, në rrugën e Kavajës, për eksperiment gjatë diktaturës. Me shportë në dorë merrje lirshëm atje nga raftet mallrat ushqimore. Pasi mbaroje punë, duhej t’i afroheshe arkëtares nëpër një  kalim të ngushtë. Porta nuk kishte as ring-ring, as pi-pi-pi. Pa kaluar shumë kohë, ai shërbim tregtar i përparuar u mbyll e nuk u hap më. Ç’kishte ndodhur? U përfol se dyqani me vetshërbim pati dalë me humbje, Arkëtarja e gjorë u dënua për shkak të mungesës së ring-ringut. Më tej u vazhdua me tolona. Njerëzit prisnin në radhë, duke lexuar gazetën, kurse në mesnatë rrinin rreth zjarreve të vegjël, që ndiznin në trotuare.

Kur hyn në “B-K.Marti”, duhet të vësh syze dielli për shkak të neonëve me shkëlqim të fortë. Të verbon pastërtia e bardhësia e dyshemesë, e rruginave me rafte e varëse të ngarkura me mallra. Pa le, dëgjon edhe muzikë klasike, të qeta ose moderne. Mallrat e zgjedhura  i vendos në karrocë dore metalike, ku edhe mund të hipësh fëmijët e vegjël. Ka edhe mjete me motor elektrik, me të cilët bredh rreth e rrotull tok me sendet e blera. Vetëm, kur do të paguash, çmallesh me radhët tona, përjashto ata që paguajnë me kartë bankare në makinat elektronike, që flasin si njerëz, madje në fund të thonë: “Thenk ju for shoping!” Edhe këtu nuk mungon parulla me dy krahë, a reklama “Baj uan, get uan fri !” – Bli një më parë, tjetrën e ke të lirë!”, e ngjashme me thirrjet në pazaret e vjetër të Elbasanit, të Tiranës e të Shkodrës: “Sot me pare, nesër pa pare!”

Sapo hyri, Elsa u nda e humbi në pyllin e dendur me fustane, bluza, këmisha, funde, bizhame, çorape, etj. 

Berti ia mbajti për në repartin e elektronikës. “Oh, çfarë nuk paska këtu! – fliste me vete. – Radio, manjetofonë, televizorë, kamera, kompjuter, printera, aparate fotografikë, Sharp, Filips, Soni, Leksmark, Kodak… Njëri më i mirë se tjetri!” 

Iu kujtua dita, kur për herë të parë bleu me autorizim televizorin bardhë e zi, Samsung, të montuar në Durrës si s’ka më mirë, me pjesë të importuara nga Koreja. 

“M’u deshën atëherë, – mendoi ai, – 4200 lekë të reja borxh, që do të thoshte të dimëroje si ariu në strofull, plot gjashtë muaj. Televizori kishte vetëm katër kanale, nga të cilët punonte vetëm një, ai i Tiranës. Kurse këtu një televizor me ngjyra Filips apo Soni blihet me punën e një a dy ditëve të zakonshme. Kurse programeve nuk u gjendet  as maja e as fundi.”

*                     

Berti i hutuar pas mallrave dhe kujtimeve, nuk vuri re se koha po rrëshqiste. Deshi t’u hidhte një sy mobiljeve, por ndërroi mendje. Duhej të shkonin në Hejmarket. Ndaj i ra tërthorë dyqanit të madh dhe vuri re i habitur se qe ngatërruar nëpër veshjet e brendshme të grave. U tërhoq djathtas dhe doli prapë atje, prej nga kishte ardhur, sërish përballë televizorëve viganë me ngjyra, ku nëpër ekrane përplaseshin si bizontë lojtarët e fuqishëm me kaska të futbollit amerikan. Iu bë se ishte ulur te shkallët me stola të butë, në stadiumin shumëngjyrësh  në Park-uej.

– Ju lutem, ku është dalja? – pyeti një vajzë  flokëverdhë e faqegurabie  me uniformë të kuqe. 

 – Shkoni drejt dhe merrni djathtas! – iu përgjigj ajo. 

 – Thenk ju!

Berti eci shpejt e shpejt në atë drejtim, duke parë përbri rreshtat e rrobave të grave. Si duket, Elsa kishte humbur në atë pyll me veshje, si Liza në botën e çudirave. Ndërkohë, ai u gjend para portës “exit”, por Elsën s’po e shihte gjëkundi! Hodhi sytë në rruginat e drejta, por më kot! Brodhi  brenda  e përqark portave, thuajse një orë, për ta gjetur, e përsëri s’ia zunë sytë! I nevrikosur doli në rrugë. Eci poshtë e lart nëpër trotuar dhe së fundi hyri në kabinën e pritjes pranë tabelës “stop!”, tek vinin në minuta të përpikta autobusët 90 e 92. Atje ishin ulur katër plaka amerikane me flokë të verdhë bukle-bukle e me veshje vajzash. Në qafë mbanin rruaza bardhë e blu, ndërsa në gishtrinjtë e duarëve – unaza floriri me diamante. Flisnin pa pushim, duke e ndërprerë njëra – tjetrën. Berti kapte tek – tuk ndonjë fjalë të tyre në atë bisedë të shpejtë. Atë kohë në kthesë u shfaq një autobus. Para “stopit” ai ndaloi, pa e fikur motorin. U hap porta e parë.

– Bas 92! – thirri shoferja. 

Berti kishte vënë re se në Amerikë autobusët drejtohehen nga burra e gra të moshave të ndryshme. Shoferët janë me uniforma blu, disa të qeshur, disa hijerëndë e pa fjalë, disa të hollë, disa të trashë, të gjatë e të shkurtër, të rruar, me mjekër e mustaqe, madje edhe pleq, por të shkathët. Thuhet se në ditë të shtuna e të diela, si shoferë punojnë edhe studentë,  nëpunës e punëtorë, të pajisur  me patenta. 

    Njëherë në Nju Jork, pasi kishte ecur në këmbë nëpër rrugën e drejtë, numër 10, ai hipi në autobusin e linjës Bronx-Manhaten dhe zuri vend në ndenjësen pranë shoferit. Duke vrarë mendjen, lidhi  disa fjalë anglisht:

   – Unë kërkoj treni Boston! – tha.

  – Nga jeni ju?

  – Albania!

  – Vërtet? Jua gjej unë stacionin.  

   – Po ju  lindur këtu? – e pyeti Berti shoferin. 

   – Jes! Në Nju Jork! Në rrugën Broduej. Dikur kam qenë kampion në boks.

   – Boks! A, a,  gud sport!

    Ishkampioni qeshi.

    Boksier unë!- ia ktheu Berti, duke lëvizur grushtet mbi gjoks.

   – Ou men!

Pastaj  shoferi nisi t’i  tregonte vendet që përshkonte autobusi.

Berti dëgjonte, por shumë fjalë s’i merrte vesh, megjithatë tundte kokën

kot së koti.     

 -Të pëlqen Amerika ?

 – Jes! Veri najs! (Po, është shumë e bukur!)

*                                     

    Ndërkaq, plakat hipën ngadalë në autobusin 92 dhe zunë vend në  krahun pranë shoferes. Berti hipi pas tyre si me mëdyshje, vështroi edhe një herë përtej xhamave supermarketin, dhe e vërejti shoferen si i hutuar. Ishte e re, flokëverdhë, e qeshur  dhe e hijëshme. 

-Iskjuz mi, – nisi t’i fliste me një anglishte të çalë, –  unë humbi grua! Mund zbriti dhe shofi prapë te dera dyqani?

Shoferja qeshi.  Në kor qeshën edhe plakat.

– Okej!

Berti kërceu poshtë dhe u fut te “in-i”, pa nga larg sallat pa mbarim, dhe doli nëpër “exit”. “Nuk është gjë! – tha me vete. – S’ka Elsë këtu!“ U kthye me nxitim. Hipi përsëri në autobus,  hodhi 15 centë te arka dhe u ul përballë plakave. Për të larguar mërzinë, vendosi të vazhdonte bisedën e nisur.

– Grua nuk gjetur! Humbi grua ime! 

 Katër femrat e plakura me bukle u kukurisën, teksa atobusi bëri përpara. Rrugës, grupi katërsh i grave të moshuara nisi një bashkëfjalim gazmor me shoferen. Asnjëra nuk e pyeti Bertin nga ishte, ç’punë bënte e ku banonte. Fjalët që thoshnin, siç kuptohej, qenë aq të këndshme sa për pak shoferja  desh kaloi një udhëkryq, kur semafori ishte ndezur tek e kuqja. Frenimi qe i fortë dhe, ndonëse  udhëtaret plaka u epën përpara, arritën të mbaheshin për bukuri. Fjalët u prenë, dëgjohej vetëm motori i fuqishëm, kur makina e gjatë  çante drejt qendrës së qytetit…

Berti u hodh e tha:

– Unë humbi grua ime, po unë tjetër gjej… 

Kaq u desh. Biseda u ringjall më e fuqishme me hahaha e hihihi!

Në një “stop” hipën dy gra të kolme, rreth të dyzetave, me tipare sllavesh, pa shumë ondulacione. Paguan dhe u ulën përbri Bertit, të vetmit burrë në autobus, me kapele blu “Boston.” Nga pamja ai i mori ato për ruse.

– Vi ruskie? – i pyeti.  

– Da, S Maskvi!

Në atë kohë ndërhynë plakat me të qeshur, e u folën ruseve për gruan e tij që   kishte humbur në supermarket.

Ato ua kthyen me një anglishte të bukur dhe pastaj,  të shtata së bashku, ia plasën gazit. Një nga moskovitet iu kthye Bertit në anglisht:

– No problem, çenxh dhe uajf! ( S’ka rëndësi! Ndërroje gruan!)

– Jes! Oçen harasho!- iu përgjigj Berti në dy gjuhë, duke e vështruar rusen drejt në sy, midis të qeshurave, si në pijetore. 

Në çdo “stop” zbriste nga një plakë. Në ndalesën e parafundit u larguan edhe ruset. Asnjëra nuk e përshëndeti Bertin, veç shoferen.   Autobusi 92, i mbushur me udhëtarë të tjerë, ndiqte udhën e zakonshme. Shoferja shtrëngonte timonin dhe shihte me kujdes sinjalet. Pra, shakaja kishte marrë fund me aq. Por, shqiptari me kapele amerikane “Boston”, diçka bluante me mend.      

Ja, rruga e gjerë, vetura poshtë e lart, kulla e orës së qytetit,  ndërtesat e larta dhe pazari i madh!  

Pranë tabelës “stop” autobusi i shpejtë ndaloi.

– Hajmarket ! – thirri shoferja.

 Berti u ngrit dhe eci drejt daljes, duke u mbajtur nëpër tubat e emaluar. Para se të vinte këmbët në shkallët e autobusit, i foli  flokëverdhës afër veshit  me anglishten e vet.

– Unë ndërroi grua,  marr tjetër, si ju! 

 Shoferja  qeshi dhe thirri si të ishte përmendur:

– O, maj gad!

Berti  kërceu në trotuar, ngriti dorën dhe ia tundi shoferes. 

Autobusi u nis me zhurmë.

*

Berti brodhi rreth e qark nëpër pazar, mbushi  qeset plot me fruta e zarzavate dhe u kthye në shtëpi. Elsën e gjeti në kuzhinë tek  mundohej më kot të hiqte nga një shishe qelqi tapën e sertë. Filloi në mes tyre një bashkëfjalim paksa i zhurmshëm:

– Ç’u bëre, ku humbe, ku e ke mendjen?! Plasa duke të kërkuar!

– Po ti? Mbete rrugëve! U harrove kafeneve! Të mbetën sytë te fustanet e grave! 

Berti mbahej si burrë dhe bënte sikur nuk dëgjonte çfarë sajonte e shoqja. Kur gjakrat u ftohën pak, e pyeti: 

– Ujë mineral na paske blerë? Po bidonat në frigorifer nuk të mjaftojnë? 

– Hapi sytë! Shikoje mirë se ç’është! 

– Ou! Vodka Polake! 

– E mora për ty!  

– Polakët vdesin për këtë të shkretë pije….

Pas tri javësh, Berti dhe Elsa do të shkonin prapë në Hejmarket. Rastisën shoferen bionde simpatike me autobusin 92. Ndërsa kalonin përbri  saj, Berti iu afrua dhe i tha:

– Mem! Aj faund maj uajf!  (Zonjushë! E gjeta gruan!)

Ajo hodhi sytë drejt  tyre, u kujtua dhe ia ktheu buzagaz:

– Sikur në gjithë Bostonin të kërkonit, si ledin tuaj nuk do të mund  të  gjenit tjetër!  

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 53
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT