• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2022

DIELLI ME SHQIPTARËT NË GREQI, GJUHA DHE MËSIMI SHQIP NË KATERINI

February 21, 2022 by s p

Majlinda Lipi mësuese e gjuhës shqipe në Katerini të Greqisë në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës në New York Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Katerini, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare të Greqisë.

KURSI I MËSIMIT PLOTËSUES NË QYTETIN E KATERINIT (GREQI)

Kursi i Mësimit Plotësues në qytetin e Katerinit (Greqi) funksionin prej tre vjetësh dhe për herë të parë në këtë qytet. Është një nga kurset e shumta që mësuesit vullnetarë anëtarë të Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi kanë hapur për t`u krijuar mundësinë fëmijëve të emigrantëve shqiptarë mësimin falas të gjuhës shqipe. Pas anëtarësimit në LMSHG, fillova edhe unë si gjithë kolegët e mi përpjekjet për çeljen e kursit të parë të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në qytetin e Katerinit.U mundova që me çdo kusht fëmijët e emigrantëve shqiptarë të këtij qyteti, të kishin mundësinë të mësonin të shkruanin dhe të lexonin gjuhën tonë të bukur shqipe, që është plot gjallëri e jetë, ashtu siç e cilëson dhe Naimi”Gjuhë Perëndije”. Pas shumë mundimesh më në fund arrita të hap kursin dhe të kem grupin e parë të nxënësve të mi në diasporë, ku nxënësja më e vogël ishte vajza ime aso kohe vetëm 5 vjeç. Për të 3-tin vit radhazi Kursi i Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në qytetin e Katerinit, është kthyer në një koshere të vogël që gumëzhin nga zërat e gjithë fëmijëve që dëshirojnë të mësojnë gjuhën shqipe, gjuhën e të parëve të tyre, gjuhën më të bukur në botë. Mësimi zhvillohet në fundjavë prej 2 deri në 3 orë dhe me fëmijë të moshës nga 6 deri në 12 vjet.Janë kryesisht fëmijë që i përkasin brezit të tretë të emigrantëve. Janë fëmijë që për herë të parë flasin dhe shkruajnë shqip. Vitin e parë të mësimit kursi i çeli dyert në një mjedis modest. Fëmijët dhe prindërit pasi u njohën dhe me atë ç`ka ofronte ky kurs , vazhduan mësimin normalisht. Kur unë mendova se gjithçka po ecte mjaft mirë dhe vazhdonin ende kërkesat për regjistrim ndodhi diçka tjetër ajo që ne  nuk e prisnim, pandemia. E ndodhur në këto kushte dhe duke mos dashur të shuaj atë zjarrin e vogël që u ndez, duke mos dashur në asnjë mënyrë që atë që ndërtova me kaq mund ta hedh në erë, bisedova me prindërit për të vazhduar mësimin.

SI PRITET MËSIMI SHQIP NË KATERINI

Siç e theksova dhe më lart për kursin tonë është viti i tretë që ne zhvillojmë mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Por mund të them që është pritur mjaft mirë, por jo në nivelet që ne do të dëshironim. Duke qenë se numri i fëmijëve që marrin pjesë është mjaft i vogël në krahasim me numrin e fëmijëve të emigrantëve që ka ky qytet. Ajo ç`ka mua më ka bërë përshtypje, është që në vitin kur kursi ishte në fillimet e tij, një çift shqiptarësh të rritur në Greqi dëshironin shumë që fëmija i tyre të mësonte gjuhën, traditat dhe zakonet e shqiptarëve, gjë që vetë ata si çift bashkëshortësh nuk e kishin pasur atë mundësi duke qenë se kishin erdhur shumë të vegjël në Greqi. Por kjo gjendje vihet re jo vetëm në qytetin tonë, por në gjithë Greqinë, është një situatë që shqetëson të gjithë mësimdhënësit e gjuhës shqipe. Të shpresojmë që në vitet e tjera të kemi një rritje të kënaqshme të numrit të nxënësve. Por pavarësisht kësaj, unë do të theksoja kënaqësinë që ndjen cdo mësues kur sheh rezultatin e punës së tij. Që në hapat e parë të çeljes së kursit unë e kam dokumentuar ecurinë e kursit me foto dhe video të punës së fëmijëve (sigurisht me miratimin e prindërve).Këtë e kam bërë më shumë për të parë vetë ecurinë e fëmijëve dhe me vonë për t`u treguar atyre hapat e tyre të parë në mësimin e gjuhës shqipe. Në këtë rast do ta krahasoja mësuesin me atë prindin e dhembshur që sheh me gëzim foshnjën e tij kur hedh hapat e parë, kur fillon të belbëzojë dhe kjo është një kënaqësi që nuk ka çmim. Është një kënaqësi që fashit çdo përpjekje dhe vështirësi që ke kaluar për të hapur një kurs të gjuhës shqipe në mërgim.

ORGANIZIMI I KURSIT SHQIP, KURRIKULA, TË VEÇANTAT E MËSIMIT SHQIP

Siç e theksova dhe më lart, fëmijët e kursit i përkasin moshës nga 6 deri në 12 vjet. Mësimi në këto momente zhvillohet online në dy klasa, klasa e parë që është dhe klasa e Abetares siç i themi zakonisht me fëmijët dhe klasa e dytë. Duke qenë se fëmijët i përkasin moshave të ndryshme edhe zhvillimi i mësimit ka vështirësitë e veta. Ajo që doja unë të theksoja është fakti që, pavarësisht moshës të gjithë fëmijët e njohin pak ose aspak gjuhën shqipe.

1-Pra për të gjithë fëmijët ne synojmë njohjen sa më të mirë të tingujve, të shkronjave dhe një artikulim sa më të pastër të tyre.

2-Synojmë që fëmijët të kenë aftësinë që të shkruajnë dhe të flasin bukur gjuhën shqipe.

3-Synojmë që të zhvillojmë tek fëmija kompetencën e të shprehurit dhe të komunikimit në gjuhën shqipe.

4-Synojmë gjithashtu që të ruajmë dhe të zhvillojmë identitetin kombëtar, përçimin e vlerave tona kombëtare tek fëmijët.

Por si realizohet kjo? Është vetë mësuesi ai që, duke u bazuar tek nxënësi, mundohet të bëjë një gërshetim, një ndërthurje, të lojës me detyrën. Është mësuesi që është arkitekt i orës së mësimit, është ai piktori që i jep ngjyra tablosë së tij për ta bërë sa më të bukur, sa më tërheqëse për nxënësin. Me fëmijët e kursit tim unë kam bërë një ndarje në tre grupe :

-fëmijë që kuptojnë dhe flasin shqip

-fëmijë që kuptojnë por nuk flasin shqip

-fëmijë që as kuptojnë dhe as flasin shqip

Pra kemi një grup të madh të themi me këto tre nëngrupe. Secili do përkujdesjen e duhur në bazë të moshës dhe të asaj ç`ka di. Pra mësuesi mundohet ta bëjë një orë mësimi sa më produktive, sa më të bukur, sa më argëtuese, mundohet të sjellë tek zgjoi ato bletët e vogla. Mësuesit e Diasporës punojnë shumë, jo vetëm gjatë orës së mësimit në rolin e mësimdhënësit, por një punë e vështirë është gjithashtu edhe afrimi i fëmijëve në kurset e gjuhës shqipe. Në dallim nga mësuesit në Shqipëri që problemin e mjediseve apo edhe numrit të nxënësve e kanë të zgjidhur dhe i përkushtohen vetëm procesit të mësimdhënies, mësuesit e DIASPORËS, mësuesit e Greqisë, janë ata që luftojnë me të gjitha format dhe mënyrat , për mundësimin e klasave nga autoritetet lokale, afrimin e nxënësve në këto kurse dhe gjithashtu më e rëndësishmja, për të krijuar dhe zhvilluar një mësim sa më të mirë dhe duke iu përshtatur gjithmonë mundësive dhe kapacitetit të fëmijës për të kuptuar dhe folur shqip.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR

Shqiptarët kudo që janë kanë qëllim ruajtjen e gjuhës sonë, prandaj edhe kërkohet angazhim nga se ruhet kombi ynë që është edhe themel i godinës sonë shtetërore. Sa më i fortë që të jetë themeli, aq më shumë qëndron godina. Humbja e gjuhës vë në pikëpyetje edhe identitetin kombëtar.Janë këto disa nga fjalët e një profesorit tim të dikurshëm që nuk i kam harruar kurrë dhe sot që jam në mërgim mendoj se janë më të vlefshme se kurrë. Për të inkurajuar mësimin e gjuhës shqipe tek fëmijët e diasporës, të gjithë bashkë ne mësues, prindër e të afërm duhet të përpiqemi të zgjojmë interesin për gjuhën shqipe. Të synojmë që të ruajmë dhe të zhvillojmë identitetin kombëtar, përçimin e vlerave tona kombëtare tek fëmijët. Rëndësia e mësimit të gjuhës shqipe është jo vetëm e madhe, por e domosdoshme për të gjithë shqiptarët kudo që jemi, sepse jo vetëm pasurohemi me dijet dhe shprehjet e bukurise së gjuhës shqipe, por edhe e lartësojmë nivelin kulturor e njëkohësisht i mbrojmë dhe i forcojmë rrënjët e krenarinë e qenësisë shqiptare.

BASHKËPUNIMI PRINDËR NXËNËS DHE E ARDHMJA E KURSIT SHQIP

Siç e theksova dhe më lart interesi nga ana e prindërve për mësimin e gjuhës shqipe nuk është në nivelin që duhet. Unë do të përqëndrohesha më tepër tek prindërit e fëmijëve që unë kam. Janë familje që kanë vite që janë integruar në shoqërinë vendase, por janë besnikë të mendimit që të integrohesh sa më shpejt në një shoqëri të huaj nuk do të thotë të flasësh vetëm gjuhën e vendit mikpritës dhe të harrosh gjuhën e vendit tënd.Te prindërit e fëmijëve kam gjetur mundësinë e një bashkëpunimi të mirë, të realizimit sa më të mirë të atij trinomit prind –mësues- nxënës që do na ndihmojë për një ecuri të mirë të nxënësve në mësimin e gjuhës shqipe. Ajo çka doja unë të theksoja është fakti që, fëmijët e familjeve që flasin gjuhën shqipe në shtëpi kanë një ecuri mjaft të mirë dhe e kundërta. Sepse mendoj se, në rradhë të parë është prindi ai timonieri që i jep drejtimin anijes, ai që duhet të ndikojë edhe më tepër, ai që duhet të insistojë që fëmija i tij të mësojë shqip, të mësojë gjuhën dhe traditat e vendit nga vjen. Fëmijët tanë në Greqi janë me rezultate mjaft të mira në shkollë, kanë aftësi të shumta në këngë, vizatim apo dhe në fusha të tjera. Dhe të gjithë prindërit së bashku me mësuesit duhet të dinë ti koordinojnë të gjitha këto edhe për mësimin e gjuhës shqipe. Lind pyetja: Çfarë duhet të ndryshojë për të siguruar vazhdimësinë e mësimeve, tek brezi i dytë e i treti në vijim? Është diskutuar mjaft herë nga të gjithë kolegët e mi, që nuk mjafton vetëm dëshira dhe puna e mësuesve të gjuhës shqipe për vazhdimësinë e kurseve. Hallka më e rëndësishme për mendimin tim është bashkëpunimi i prindërve me mësuesit.Në radhë të parë me dëshirën për të çuar fëmijët në kurset e gjuhës shqipe që nuk janë të pakta në ditët e sotme. Janë prindërit ata që duhet t`u krijojnë mundësinë fëmijëve për të mësuar gjuhën shqipe, gjuhën mëmë, pasi dihet që gjuha mëmë është bazë për mësimin e të gjitha gjuhëve të tjera.

SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË

Pandemia…Përveç të gjitha problemeve që hasen tek kurset e gjuhës shqipe, mësuesve u është dashur të kapërcejnë edhe një barrierë tjetër, siç është pandemia. Duke u përqëndruar tek kursi im gjatë këtyre viteve, mund të them që vështirësirë kanë qenë të konsiderueshme. Do të doja të ndalesha pak më gjatë këtu. Siç e theksova dhe më lart vitin e parë të mësimit, kursi i gjuhës shqipe filloi në kushte normale, por me fillimin e papritur të pandemisë u detyruam të punonim online.U munduam të gjenim mënyra sa më të thjeshta në përdorim nga prindërit, gjithashtu dhe efikase në procesin e mësimit. Si fillim, duke qenë se rrjetet sociale janë sot gjithmonë e më të përdorura u munduam t`i shfrytëzonim për vazhdimin e mësimit. Sot vazhdojmë të punojmë përsëri online nëpërmjet platformave të ndryshme. Mësimi online është mjaft  i vështirë për fëmijët, pasi mos harrojmë që na duhet t`u mësojmë gjuhën shqipe fëmijëve që janë lindur dhe rritur në Greqi, fëmijë dygjuhësh me probleme të shumta në aspektin e kuptimit të gjuhës, të artikulimit të saktë dhe të qartë të tingujve.Puna në klasë të krijon mundësi më të madhe që ti ndihmosh nxënësit për një artikulim sa më të pastër dhe të qartë të shkronjave dhe të fjalëve. Dhe çështja më e rëndësishme për t`u diskutuar për mësimin online është edhe teknologjia. Jemi të vetëdijshëm që jo të gjitha familjet i kanë mundësitë për një përdorim sa më të mirë të teknologjisë. Pavarësisht të gjitha vështirësive që sapo përmenda, do të shtoja që nxënësit e kursit kanë punuar gjatë periudhës së pandemisë me librat shkollorë dhe Fjalorin Shqip-Greqisht të dhuruar nga Qendra e Botimeve për Diasporën. Por puna jonë nuk ndalet vetëm tek tekstet , ne mundohemi të shfrytëzojme çdo platformë e çdo mënyrë që na duket e vlefshme për mësimin e fëmijëve. Zhvillimi i mësimit plotësues të gjuhës shqipe kryhet në fundjavë, por mësuesi punon gjatë gjithë javës për të nxjerrë një orë mësimi sa me efektive, pse jo edhe duke dërguar gjatë javës tek fëmijët video me këngë apo me filma, gjëagjëza nga yootub në gjuhën shqipe për fëmijët. Megjithëse në kohë pandemie fëmijët e Kursit të Gjuhës Shqipe Katerini janë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet festive që janë zhvilluar online nga LMSHG.Kanë qenë përkrah moshatarëve të tyre nga të gjitha qytetet e Greqisë duke recituar e kënduar në gjuhën shqipe.Festa e 7-Marsit ditës së mësuesit, festa e flamurit tone kombëtar, festa e Pavarësisë së Kosovës, festa e ditës së gjuhës amtare ka bërë bashkë dhe në një zë të gjithë bijtë e vegjël të shqipes.

KUSH ËSHTË MAJLINDA LIPI?

Kam lindur dhe jam rritur në qytetin ku u lindën serenatat, në Korçë. Në një qytet në formë zemre, ku kitarat netëve marrohen (ashtu siç e përshkruan edhe poeti i madh korçar S.Rusi. Kam mbaruar studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Fakultetin e Mësuesisë në Universitetin “Fan S.Noli” në Korçë. Gjithashtu jam diplomuar në Master në Mësimdhënie po në Universitetin e Korçës.Çdo gjë e kam të lidhur me qytetin tim të lindjes Korçën. Lojrat e fëmijërisë në rrugicat me kalldrëm, vitet e bukura të adoleshencës , edhe studimet e mia janë të lidhura ngushtë me të. Gjithë jeta ime ka qenë ai qytet që për mua do mbetet gjithmonë magjik. Prej 11-vjetësh jam larguar prej tij, por ai kurrë prej meje.Madhështia dhe bukuria e tij më kanë shoqëruar kudo. Gjithmonë kam pasur mall për vendlindjen. Dhe duke u mbështetur tek folklori ynë i artë do të doja të citoja këto vargje të popullit tonë: Po dëgjon zogu i shqiptarit/amanetin e mërgimtarit/ngado të vini e ngado të shkoni/vendlindjen kurrë mos e harroni. Gjatë viteve që kam jetuar jashtë Shqipërisë jam angazhuar në Lidhjen e Mësuesve Shqiptarë në Greqi fillimisht si anëtare dhe sot bëj pjesë midis shumë kolegëve të mi të nderuar në Këshillin Drejtues të LSHMG-së. Jam pjesë e mësuesve që bëjnë pjesë në regjistrin shtetëror të mësuesve të Diasporës,  miratuar nga Ministria e Diasporës së Shqipërisë. Pandemia pati ndikim të madh në jetën e gjithsecilit prej nesh , por na ofroi edhe mundësinë për ndjekjen e mjaft programeve studimi online që u zhvilluan nga universitetet e Athinës dhe të Selanikut. Kam marrë pjesë në mjaft seminare online në fushën e mësimdhënies, për  teknikat bashkëkohore të mësimdhënies, të organizuara nga kolegët tanë shqiptarë në mbarë botën, nga kolegët e Italisë, të Anglisë, të Amerikës. Gjithashtu kam marrë pjesë dhe në mjaft seminare të zhvilluara në shtetin grek që i perkasin përsëri fushës së mësimdhënies. Aktualisht vazhdoj studimet në Institutin e Formimit Profesional në qytetin e Katerinit(Ινστιτούτα Επαγγελματικής Κατάρτισης Kατερινη) përsëri në fushën e mësimdhënies.

Filed Under: Analiza

ZËRI I BUJAR QAMILIT NDERON KOMBIN 

February 21, 2022 by s p

Këngëtari i madh Bujar Qamili vlerësohet me titullin e Lartë “Nderi i Kombit”.

Nga Ramazan Çeka/

K’ndo Bujar me t’bukrin za, 

Se largohen ret’ nga qielli, 

Thot bilbili nuk k’ndoj ma, 

Ma kalon Bujar Qamili. 

   Këto vargje i shkëputa nga strofa e një kënge, tekstin e së cilës e kam shkruar disa vite më parë kushtuar këngëtarit të madh Bujar Qamili. Sa herë zë pendën me dorë dhe vendosi të shkruaj për të madhin e të mëdhenjëve, për zëëmblin, bilbilin e Shkodrës, këngëtarin Bujar Qamili, asnjëherë nuk ndjehem i plotësuar në atë çfarë dua të paraqes për lexuesit kur është publicistikë, por veçanërisht kur thur vargje kushtuar zërit të tij, këngës së tij, artit të tij. Për mua është një sfidë më vete duke ditur pritshmëritë e artëdashësve të tij, nivelin e këngëve që tashmë janë një album me vlerë, ku shpërthen aroma e këngës së bukur qytetare shkodrane. Janë të shumta shkrimet dhe tekstet e dedikuara këtij kollosi bashkëkohor me të cilin mburremi, krenohemi dhe vlerësohemi si qyteti i djepit të kulturës dhe sërish e ndjej se nuk është thënë sa duhet. 

   Të njëjtat gjëra po diskutonim me një grup miqsh të Bujarit edhe gjatë udhëtimit tonë nga Shkodra për në Tiranë, ku na dukej vetja si dasmorë të motivuar nga entuziazmi i kësaj dite të shënuar për Bujarin aq sa, pothuajse askujt nuk i ra në sy fakti, se gjatë gjithë rrugës na shoqëroi një mot me shi të dendur. 

   Me të mbërritur në Pallatin e Brigadave, ku Presidenti i Republikës z. Ilir Meta kishte përgaditur një pritje ekselente enkas për të, entuziazmi arriti kulmin, aq sa Ai të recitonte vargjet e një kënge kushtuar Bujarit. Në të vërtetë kjo është edhe një nga arsyet që më ka motivuar për të shkruar edhe për këtë rast, ndaj me plot të drejtë mund të them se me këtë vlerësim të akorduar nga z. Ilir Meta, Bujar Qamili ka prekur majat e sukseseve të tij. 

   Sot Bujar Qamili, bilbili i djepit të kulturës u vlerësua me titullin më të lartë “Nderi i Kombit” dhe vetë Presidenti i Republikës, gjatë një ceremonie madhështore të organizuar në Pallatin e Brigadave, u shpreh me fjalët: “Nuk besoj të ketë shqiptar në çdo trevë ku flitet dhe këndohet shqip, që të mos ketë dëgjuar dhe kënduar të paktën një këngë të artistit të madh dhe shumë të dashur, Bujar Qamili. Për mbi katër dekada në skenë, me zërin magjik dhe interpretimin e jashtëzakonshëm, ai është kthyer në simbolin e këngës popullore shkodrane dhe shqiptare, duke fituar zemrat dhe duartrokitjet e zjarrta të publikut, për t’u bërë me repertorin e tij të magjishëm, pjesë e gëzimeve në familjet dhe vatrat shqiptare. Në vlerësim të kontributit të vyer dhe të rëndësishëm, në ruajtjen, kultivimin dhe përhapjen e këngëve popullore, duke e shtuar dashurinë dhe krenarinë për vlerat e jashtëzakonshme kombëtare dhe kulturore, e çmova sot Bujar Qamilin me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. 

“Nuk k’ndoj ma thotë bilbili, 

Ma kalon Bujar Qamili.” 

   Dhe me të vërtetë do ta quajmë një vlerësim mëse të merituar, këtë nderim që i bëhet në emër të Kombit, pasi këngëtari i madh Bujar Qamili për një gjysëm shekulli ka dhënë një kontribut tepër të çmuar në ruajtjen dhe kultivimin e këngës popullore shqiptare e në veçanti asaj shkodrane. Ai është një ndër këngëtarët më të mëdhenj të shekullit, i cili me zërin e tij ka arritur të bëjë për vete Kombin Shqiptar. Falë  dhuntisë, punës, pasionit  dhe përkushtimit ndaj këngës ndër vite, ka akumuluar në karrieren e tij një mori vlerësimesh e çmimesh të fituara si interpretues i këngës popullore, duke e sjellë atë para publikut jo vetëm me një repertor shumë të pasur, por edhe me një performancë brilante. 

   Ai, në jetën e tij artistike e sociale është ndër të rrallët artistë që është vlerësuar si misionar i paqes për interpretimin dhe kultivimin e artit muzikor shqiptar, duke e bërë atë urë komunikimi jo vetëm në hapësirën shqipfolëse, por edhe me kombe e kultura të tjera. 

   Bujar Qamili është një këngëtar i freskët dhe tepër i dashur, i cili që në moshë të re i këndoi popullit të vet, i këndoi qytetit të tij, i këndoi dashurisë dhe rinisë. Ai, që fare i ri, që në debutimet e para, arriti të fitojë dashurinë dhe admirimin e publikut shkodran dhe mbarë artëdashësve shqiptarë. Me zërin e tij brilant arriti ta lartësojë këngën popullore, këtë trashëgimi të kulturës shqiptare, në skajet më të largëta në të pesë kontinentet e botës ku ka shqiptarë. 

   Bujar Qamili është fitues i shumë çmimeve dhe trofeve në konkurse e veprimtari kulturore e artistike. Ai është pëfaqësues i Shqipërisë në disa Festivale Ndërkombëtare dhe pjesëmarrës në shumë koncerte në Radio Televizionin Shqiptar. Bujar Qamili gjatë karrierës së tij artistike ka realizuar shtatë koncerte recitale në Tiranë e në Shkodër, ku sallat e mbushura plot kanë dhënë vlerësimin e tyre me ovacione e duartrokitje të pafund. 

   Ai ka organizuar disa koncerte bamirësie brenda  dhe jashtë vendit për njerëzit në nevojë, aty ku arti shëron, lumturon dhe jep jetë, si në Shtëpinë e Fëmijës e në Shtëpinë e të Moshuarëve, për të ardhur tek disa koncerte madhështore gjatë periudhës së pandemisë në mes të qytetit, ku triumfoi me koncertin madhështor “Dhuratë për Shkodren”, një sfidë ndaj së keqes që kërcënonte njerëzimin, por edhe një zë shprese e optimizmi për ta mposhtur atë. Ai u ndoq nga qindra qytetarë të të gjitha moshave që e duartrokitnin nga dritaret e ballkonet e pallateve, që këndonin bashkë me të dhe që i tregonin atij se e donin dhe e vlerësonin pikërisht se ai, me këngët e tij, me këngët e qytetit të tyre, ua bënte më të lehtë situatën që ishte krijuar duke i motivuar që ta kalonin sa më lehtë.

   Ky këngëtar i madh shquhet edhe për bashkëpunime e kontribut të lartë në evidentimin dhe inkurajimin e zërave të rinj, e talenteve që Shkodrës nuk i kanë munguar kurrë, duke bërë që kënga e bukur popullore të jetojë e të lulëzojë brez pas brezi. 

   Bujar Qamili është padyshim një gurrë e pashterrshme me fondin e tij të pasur muzikor edhe në lëmin etnokulturor. Ai është një thesar me vlera të vyera kombëtare, me të cilat shqiptarët ruajnë dhe trashëgojnë gjuhën, muzikën dhe dashurinë për Kombin. 

   Ndihem me shumë fat që në repertorin e tij spikasin një mori këngësh mjaft të vlerësuara të bashkëpunimit tonë, por mbi të gjitha për faktin se këngëtari Bujar Qamili është edhe miku im më i afërt. 

   Përtej karrierës artistike ai mbetet një qytetar model, njeri dinjitoz dhe artist mjaft i dashur, çka e dëshmoi edhe gjatë tryezës së shtruar me këtë rast në lokalin “Kaon” në Tiranë me pjesëmarrjen e familjes dhe miqve të tij të shumtë: Agron Çela, Edmond Ndou, Zija Vukaj, Engjell Ndocaj, Ben Tafili, Ramazan Çeka, Jetmir Barbullushi, Bardhyl Hysa, Gazmend Kraja, Mukades Çanga, Adnan Bala, Mateus Frroku, Shkëlqim Hajdari, Dritan Ylli, Gani Muçmeraj, Skender Kaziu, Jahir e Ilmije Hasani, Dule Malindi, Klinsman Llazani e shumë të tjerë dhe ku pjesëmarrja e Presidentit të Republikës z. Ilir Meta ishte qershia mbi tortë e gëzimit të Bujar Qamilit dhe ku me modestinë e tij brilante tregoi edhe njëherë se ai, këngëtari Bujar Qamili, “Mjeshtër i Madh” i Këngës dhe “Nderi i Kombit” për kontributin e pashoq, mbetet po i njëjti shkodran karizmatik, bujar dhe dashamirës ndaj kolegëve, miqve dhe artëdashësve të shumtë që vërshuan me telefonata dhe mesazhe për ta uruar në këtë ditë të shënuar. 

   Në emër të të gjithë artëdashësve shqiptarë, anë e mbanë botës, qytetarëve të Shkodrës dhe miqve tanë të përbashkët gjej rastin t’i uroj nga zemra e mbash me shëndet e me suksese të mëtejshme titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

   Shkurt 2022

Filed Under: Kronike

JETA NË KAMP-BURGUN E SPAÇIT, NJË RRUGËTIM I KUJTESËS NGA RRËFIMET TEK VIZATIMI

February 21, 2022 by s p


Tri dekada pas mbylljes së kampit të Spaçit, kur koha po fshin pak nga pak shumë gjurmë jete aty, Fondacioni “Konrad Adenauer” dhe Kujto. al, realizojnë një projekt të ri, që ndërthur artin me punën kërkimore dhe synon të memorizojë vizualisht ditët dhe veprimtarinë e të burgosurve përmes një serie skicash. Ekspozitë me grafika ” Jeta e të burgosurve në kamp-burgun e Spaçit” ishte nji prej aktiviteteve që tërhoqën vëmendejn e gjerë të publikut, mbrëmjen e të dielës me 20 shkurt në Tiranë, në kuadër të “Ditëve të Kujtesës 2022” dhe lajmëron vijimin e një projekti të gjatë me këtë temë. Skicat grafike, janë realizuar nga artistja Ina Elezi dhe zbërthejnë momentet kyçe te jetës në Spaç, bazuar ne rrefimet e detajuara te ish te burgosurve qe i mbijetuan atij ferri te regjimit komunist. “Te kthenim ne imazhe, rrefimet e dhjetra te burgosurve politike te regjimit komunist qe vuajten ferrin ne burgun e Spaçit, ka qene prej tre vitesh nje ide ngacmuese qe u kthye nga muaji ne muaj ne nje projekt te mirefillte. Bashke me koleget e Kujto.al, e titulluam thjeshte “Jeta e te burgosurve ne kamp-burgun e Spacit” dhe fale mbeshtetjes se Konrad – Adenauer- Stiftung Albanien kjo ide u be realitet”, thotë Admirina Peçi, ideatore dhe drejtuese e këtij proejkti. Ajo vecon bashkëpunimin me artisten Elezi, si një zgjedhje e mirëmenduar për të përfshirë në këtë temë nëj artiste të re, e cila gjengjuhën e duhur që të ftuar në këtë proces të domosdoshëm njohjeje brezin e saj që nuk e jetuan periudhën e diktaturës. “Është një eksperiencë e vëçantë, puna në bashkëpunim me nëj artiste si Ina, e cila i qaset kësaj teme dhe përfshihet emocionalisht në ngjarje historike që kanë ndodhur në një epokë, kur ajo nuk kisha lindur ende, por që falë rrëfimeve të detajuara dhe kujtesës fotografike të disa prej dëshmitarëve, ajo arrin të nxjerrë nga kujtesa e tyre dhe të skicojë momente kyçe të jetës. e shohim shumë të rëndësishëm këtë projekt të Kujto.al, që vijon punën që po bëjmë prej 3 vitesh, për të krijuar hartën dixhitale të gjithë vendeve të vuajtjes në Shqipëri. “Harta e Kujtesës.al” po pasurohet tashmë nga viti në vit me imazhe, fotografi, skica e dëshmi mbi jetën në seicilin prej këtyre vendeve të vuajtjes, duke memorizuar kështu për brezat e ardhshem imazhe të vyera të një historie që nuk duhet të harrohet”. Projekti i jetës së të burgopsurve ën kampburgune Spaçit, do te vijoje deri ne realizimin e mbi 50 skicave grafike, dhe krijimin e nje video, permes te ciles te vizualizohen aspektet kyce te jetes se perditshme, punes se detyruar ne miniere, ndeshkimeve te shumta dhe vuajtjet e te burgosurve politikë aty.

Filed Under: Politike

BRONX MARKS 14th ANNIVERSARY OF KOSOVO INDEPENDENCE DAY

February 21, 2022 by s p

by Rafaela Prifti/

The 2022 celebration of Kosovo Independence Day in the Bronx displayed the affinity and support of New York Governor’s and Bronx Borough President’s office for the Albanian community. Prior to the event, New York Acting Secretary of State Robert J. Rodriguez and Bronx Borough President Vanessa Gibson jointly invited the community to the February 17th celebration.

The ceremony marked both the start of a tradition of the Bronx Borough celebrating the annual event as well as a continuation of the legacy of building up the bonds with the community. That was emphasized in a statement released by the Acting Secretary of State Robert J. Rodriguez prior to the event: “On behalf of Governor Kathy Hochul, the State of New York is pleased to celebrate the 14th Annual Kosovo Independence Day. Throughout the history of New York, our state has welcomed people from all over the world. On this Kosovo Independence Day, we will continue this tradition by recognizing the distinct contributions Kosovars offer to our communities, helping to add to the rich and diverse fabric of our Empire State. Congratulations and Happy Independence Day!”

The ceremony was well attended by state officials, representatives, distinguished guests, members of the diplomatic corps, community leaders and dignitaries. Among them, Head of Kosovo’s General Consulate Frymezim Isufaj delivered the welcoming remarks. The U.S. representative of New York’s 15th congressional district and co-Chair of the Congressional Albanian Issues Caucus, Ritchie Torres greeted the gathering. The address by the career diplomat Ambassador William Walker, highly regarded in the community for his role in exposing the atrocities committed on the Kosovo Albanian population at the hands of the Serbian regime before the outbreak of the war, brought back for the participants the very moment when Kosovo’s parliament proclaimed the country’s independence in 2008.

Fourteen years later, Bronx Borough President Vanessa Gibson proclaimed “February 17th – a day of celebration, of recognition and a celebration of survival – as the Bronx Day of Kosovo’s Independence.” In partnership with the New York State, she presented Ambassador Frymëzim Isufaj with a proclamation and recognized the 2022 honorees for their contribution to the Borough and New York state in areas of healthcare, journalism and community activism: Dr. Sulejman Celaj, Dr. Eleonora Gashi, Rafaela Prifti, Esad Rizai. A posthumous tribute was presented to Ali A. Rizai with a National Hero citation.

I asked the Acting Secretary of State Rodriguez for his perspective on the celebration this year and in the future. He said that “it presents an important opportunity to recognize the work that’s done among the Kosovo community, and also helps to build those ties and celebrate them. Obviously today is the 14th annual event and next year will be the 15th anniversary, but it is an important one for the New York State for recognizing one of its many different, diverse communities. It is a good opportunity to connect and celebrate. Our goal is to connect and support our immigrant communities. The office of New Americans is critical to that. I look forward to making sure that we don’t forget anyone in our conversation about making New York as diverse and as vibrant as we can amongst all of our new American communities.

Mr. Rodriguez noted that the message to the Albanian community is that “we know you are here, we love your contributions to our communities and to our life. We will continue to celebrate it and to help all the Albanians continue to build their businesses, thrive and support their communities in every way now and in the future.”

The ceremony concluded with the symbolic act of raising the Kosovo flag at Grand Concourse and 161 Street seemingly spreading across the 4,610 miles distance between the borough of the Bronx and the Republic of Kosovo.

Filed Under: Analiza

NJË SHTËPI MUZE PËR SHKRIMTARIN YMER ELSHANI

February 21, 2022 by s p

Teuta Elshani, vajza e shkrimtarit, poetit, prozatorit dhe kritikut letrar, Ymer Elshani rrëfen për Diellin e Vatrës në New York nismën për ndërtimin e “Shtëpia Muze Ymer Elshani”. Në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit Sokol Paja, Teuta Elshani rrëfen jetën tragjike të babait të saj Ymer Elshanit, detaje nga projekti dhe mbështetja nga mërgata shqiptare, e sidomos vizioni i saj që shtëpia të rinovohet dhe të hapet për vizitorët, si një dëshmi lufte dhe në nderim të shkrimtarit. Ajo e sheh si një muze që do të vizitohet veçanërisht nga brezat e rinj për të mësuar mbi jetën e Ymer Elshanit, fatin tragjik, si dhe çmimin e lirisë e si lufta nuk i kurseu as fëmijët, as shkrimtarin e tyre. 

POETI, PROZATORI DHE KRITIKU LETRAR YMER ELSHANI

Poeti, prozatori dhe kritiku letrar, Ymer Elshani, u lind në fshatin Korroticë e Ulët të Drenasit (Kosovë), më 14 qershor 1948. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Shkollën normale dhe Fakultetin filozofik, Dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe, i kreu në Prishtinë. Po aty, më 1978, magjistroi në lëmin e poezisë për fëmijë. Punoi në arsim që nga viti 1968, si mësues, profesor, e më vonë edhe si drejtor i gjimnazit “Skënderbeu” të Drenasit.  Pas demonstrative të vitit 1981 në Drenas, Ymerin e përjashtuan nga puna si përgjegjës për demonstrata dhe ia ndaluan botimet letrare. Deri ne vitin 1985 mbetet pa punë, dhe mirret me bujqësi, për të mbajtur familjen. Gjatë kësaj kohe shkrimtari u mishëru shumë me natyrën, gjë që reflektohet edhe në shkrimet që shkroi gjatë kësaj kohe. Vitet e fundit të jetës me tërë qenien u zotua për pavarësimin e shkollës shqipe, në rolin pedagog i arsimit. Shkonte në çdo shkollë fillore të komunës. Hospitonte në orë, udhëzonte dhe përpiqej për mirëvajtjen dhe përparimin e arsimit. 

FATI TRAGJIK I YMER ELSHANIT

Pastaj dihet fati tragjik i Ymer Elshanit, këtij krijuesi të talentuar për fëmijë. Fati i tij është unik në gjithë rruzullin tokësor. Të hulumtosh gjithë kronikat e popujve të çdo kontinenti nuk mund të gjesh histori më të dhimbshme e më çnjerëzore, më kriminale e më makabre. Është historia-simbol e nënë Kosovës, e masakrës serbe mbi të. Gjatë kohës së luftës, Ymeri me familje ishin dëbuar nga fshati i tij dhe ishin vendosur në Polek të Vjetër të Drenasit. Më 17 prill 1999, strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit, ku kishte fëmijë, gra, vajza, mbi 50 civile. Atë mbrëmje policët serbë kishin hyrë në shtëpi dhe kishin nxjerrë Ymer Elshanin dhe Sinan Muçollin. Sapo i kishin nxjerrë jashtë, ishin dëgjuar krismat e automatikëve, të cilët ua kishin shuar jetën mizorisht. Pas kësaj policia kishte hedhur bombë dhe breshëri plumbash në dhomën me civilë, ku mbetën të vdekur pesëdhjetë e tre vetë. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshortja e Ymer Elshanit, Nafija (45 vjeçe) me të katër bijtë: Ardianin (25), Miranin (20), Kujtimin (15) dhe Nderimin (10), si dhe kunata, Shukrija. Të nesërmen, në një shtëpi afër, vritet edhe nëna e Ymer Elshanit. Shpëtoi vetëm vajza e tij, Teuta, e cila në atë kohë ishte studente në Prishtinë. Kështu u ndërpre, pa precedent, jeta e një krijuesi të talentuar, e një pende të fuqishme të letërsisë sonë për fëmijë. Pas vetes la 22 vepra (poezi, prozë, romane, etj).

SHTËPIA MUZE KU JETOI DHE PUNOI SHKRIMTARI YMER ELSHANI

Nisma ime quhet “Të mbrojmë shtëpinë e poetit”. Misioni i kësaj nisme është rinovimi i shtëpisë ku jetoi dhe punoi shkrimtari Ymer Elshani. Shtëpia ishte shënjestruar për t’u djegur gjatë luftës dhe ende duken gjurmët e flakës që kishte filluar, por pa sukses. Shtëpia vazhdon të jetë e mbyllur që nga paslufta dhe është në gjendje të rënduar. Prandaj është momenti i fundit për të ndërhyrë për ta mbrojtur atë. Vizioni im është që shtëpia të rinovohet dhe të hapet për vizitorët, si një dëshmi lufte dhe në nderim të shkrimtarit. E shoh si një muze që do të vizitohet veçanërisht nga brezat e rinj për të mësuar mbi jetën e Ymer Elshanit, fatin tragjik, si dhe çmimin e lirisë e si lufta nuk i kurseu as fëmijët, as shkrimtarin e tyre. Projekti tash ka filluar nga një grup vullnetar arkitektësh, dhe qëllimi është që këtë vit, duke filluar nga prilli, të ndërmerren hapat e parë për një intervenim urgjent, që të parandalohet dëmtimi i mëtutjeshëm. Në shtëpi poeti i kishte lënë të gjitha dorëshkrimet, aty është dhoma e punës e tij, makina e shkrimit, orendi, rrobat e familjes. Plani eshte që të gjitha gjërat që i kanë shpëtuar luftës dhe kohës të konservohen si pjesë e shtëpisë muze.

SHTËPIA NË MBROJTJE INSTITUCIONALE DHE NISMA PËR FONDIN

Kërkesën për vendosjen e shtëpisë në mbrojtje institucionale e kam filluar në vitin 2019. Fillimisht idenë ia kam paraqitur kryetarit të Drenasit, pasiqë prona është në këtë komunë, më pas kam nisur takimet në ministrinë e kulturës, për 3 vite rresht. Por deri tani pa sukses në hapa konkret. Kështu që vendosa ta filloj vetë këtë mision. Për shkak të interesimit të miqve dhe familjarëve për të ndihmuar, në dhjetor 2021 hapa një fond online për të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë. Fondi thirret “Shtëpia Muze Ymer Elshani”, në faqen online GoFundMe. Po ashtu vlen të theksohet angazhimi nga Mërgata në SHBA, në veçanti veprimtari Skënder Karaçica, i cili ka krijuar një këshilli drejtues për sensibilizimin e kësaj nisme në të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët. Me këtë rast, dua t’i falënderoj të gjithë për mbështetjen, qoftë përmes shpërndarjes së nismës në rrjetet sociale, por edhe me ndihmë materiale. Gjithashtu dëshiroj të bëj thirrje te institucionet përkatëse të qeverisë dhe te komuna e Drenasit që të bëhen pjesë e kësaj nisme, për nder të shkrimtarit, për hir të historisë e brezave të rinj, ta trajtojnë këtë shtëpi si një dëshmi tjeter e luftës, për t’i treguar botës se deri ku shkoi gjenocidi serb në Kosovë. Mbetem me shpresë se do të kemi mbështetjen e institucioneve, përndryshe ne si familje do të mundohemi ta ruajmë me forcat tona, per aq sa mundemi. 

           KUSH ËSHTË TEUTA ELSHANI?

Vajza e vetme e shkrimtarit Ymer Elshani, e lindur në Korroticë të Ulët. Kimiste e dimplomuar nga Universiteti i Prishtinës. Gjatë kohës së luftës u gjenda në Prishtinë dhe nga aty si shumë shqiptarë, u dëbuam për në Maqedoni, në mars 1999. Sa isha në kampet refugjate në Maqedoni, mora lajmin e kobshme se familja ime (babi, nëna, 4 vëllëzer, gjyshja dhe gruaja e axhës) ishin vrarë. Aty mora vendim të largohesh për në SHBA, më një qëllim të mundja dhimbjen dhe të punoj për t’i botuar dorëshkrimet e prindit që kisha dëgjuar se kanë shpëtuar nga lufta. Në SHBA u vendosa në Atlanta, në gusht 1999. Arrita të gjej punë në një laborator privat dhe aty fillova karrierën si inxhiniere e kimisë. Mbrenda disa viteve botova të gjitha dorëshkrimet e Ymer Elshanit, ku vëllezerit e Ymerit në Kosovë (Zymber dhe Arifi) i bënin gati për shtyp, e unë in financoja, plotë 11 vepra. Poashtu, këtu në SHBA kam krijuar familjen time, 4 fëmijë (Ejona, Era, Mirana, Ardiani), dhe vazhdoj të jem e lidhur me Kosovë dhe të promovoj veprat e Ymer Elshanit. Si dhe tash kohëve të fundit, kam filluar edhe nismën për ta rinovuar dhe kthyer në muze shtepinë e prindit.

VEPRIMTARIA LETRARE E YMER ELSHANIT

Me krijimtari letrare Ymer Elshani u mor qysh si nxënës i shkollës fillore, që në moshën 10-vjeçare. Librin e parë “Anija e miqësisë” e botoi në moshën 19 vjeçar, si normalist në Prishtinë. Gjatë gjithë jetës së vet Ymer Elshani shkroi dhe botoi në periodikun letrar në Kosovë dhe Maqedoni, kryesisht poezi, tregime, drama e romane për fëmijë. Nga viti 1967 e deri më 17 prill 1999, kur u vra mizorisht nga barbarët serbo-sllavë, botoi një varg librash artistikë (4 vëllime me poezi për fëmijë, 5 vëllime me tregime, 2 romane për fëmijë). Pas luftës, vajza Teuta me vëllezërit e Ymerit, ia botuan të gjitha dorëshkrimet (6 vepra me poezi, 4 vepra me tregime, 1 roman, dhe temën e magjistraturës) . Në vitin 2019, me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe shtëpisë botuese ”MESHARI” në Prishtinë, u botua vepra letrare  e plotë e Ymer Elshanit, kompleti në 11 vëllime.  

VJERSHA PËR FËMIJË:

1. Anija e miqësisë (vjersha). Pionieri, Prishtinë 1967

2. Çka ëndërrojnë lulet (vjersha). Rilindja, Prishtinë 1971

3. Unaza magjike (vjersha). Rilindja, Prishtinë 1980

4. Kalorësi i bardhë (poemë). Rilindja, Prishtinë 1987

5. Ylli ëndërrimtar (vjersha). Rilindja, Prishtinë 2000

6. Përralla për ylberin (poemë). ROZAFA, Prishtinë 2000

7. Zogu i lirisë (vjersha). ZEF SEREMBE, Prishtinë 2001

8. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha). GUTENBERG, Prishtinë 2003

9. Le të vijë në Sharr pranvera (poema).ROZAFA, Prishtinë 2002

10. Kur vallëzojnë Buzëqeshjet (përzgjedhje poezish), Faik Konica 2021.

TREGIME PËR FËMIJË:

1. Loti udhëtar (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1972

2. Ishulli i lumturisë (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1973

3. Guri i çmueshëm (tregime). RILINDJA, Prishtinë, 1977; OSCE 1999

4. Plaku me violinë (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1984

5. Përjetimet e bardhoshit (tregime). RILINDJA, Prishtinë 1989

6. Vajza e diellit (tregime). RILINDJA, Prishtinë 2000

7. Njohja e trimave (tregime e përralla). ROZAFA, Prishtinë 2000

8. Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura). ASDRENI, Sh. 2000

9. Flokargjendta (tregime të zgjedhura). ROZAFA, Prishtinë 2004

ROMANE PËR FËMIJË:

1. Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman). RILINDJA, Prishtinë 1971, 1979, 1987

(romani u botua nga ShB “NAIM FRASHERI”, Tiranë 1987)

2. Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman). RILINDJA, Prishtinë 1975

3. Udhëtimet e Xhuxhimaxhuxhit (roman). Prishtinë 2008

PUNIM STUDIMOR (TEMA E MAGJISTRATURËS):

1. Aspekte të poezisë sonë për fëmijë (1945-1976). ANDENA, Prishtinë 2013

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 45
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT