
SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË FTESË KOMUNITETIT NË PROMOVIMIN E LIBRIT TË IDRIZ ÇELAJ

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

by s p

Abdurahim Ashiku/
Kësaj here nuk kam arritë me ju kuptue mirë, bashkëqytetarët e mijë dibranë. Heshtja juaj me habit e më befason. Me pëlqen të mendoj se ashtu të zgjuar siç jeni prej natyre, po mendoni të flisni kur të jetë rasti, siç bën i mençuri në kuvend. Por rasti është tani, pasi nesër mund të jetë tepër vonë…
Dhe një shënim i gazetarit…”Kur bëra thirrjen “Po Dibrës! Jo Skavicës!
Ka vite që në opinjonin dibran, atë kombëtar dhe më gjërë , tema e diskutimit që bëhet gjithnjë e më shpesh është ajo për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, rreth një problemi jetik për luginën e Drinit të zi, për Dibrën dhe dibranët, për të shkuarën dhe të ardhmen e tyre. As më shumë e as më pak, përtej çdo retorike e sofizmash për çka qeveria jonë e sidomos Kryeministri i saj janë ekspertë të fushes, kjo është zhdukje e pellgut të Drinit, e arkeologjisë së pa studjuar të atyre trevave, zhdukje e historisë , asaj të lashtë , të kohës së Skenderbeut dhe të luftrave shekullore me serbët e pushtuesit e çdo kallëpi, zhdukje e ekonomisë dhe kulturës së atyre viseve, specifikisht heroike e punëtore gjithashtu, është në fjalë të fundit zhdukja e Dibrës, e trupit dhe e palcës së saj . Pas kësaj mbeten ca shkëmbinj e ca pyje që rreth 6 muaj në vit i zë bora, ku ndonjë çoban mund të kullosë ca dhi a dele dhe dhelprat të shëtisin nëpër shkrepa.
Edhe pse nuk banoj në Dibër e jam dhe unë një votues , kësaj radhe dua të them dy fjalë , të shpreh votën time kategorikisht kundër e ti bëj nja dy pyetje kryeministrit të vendit dhe le të më quaj edhe mua tru shplarë e që nuk jetoj me fatkeqësinë e Ukrainës. Por zakonet e të parëve kanë qenë, kur ke mort në shtëpi, mos shko të qash te komshiu. Europa dhe Amerika po e ndihmojnë dhe Ukraina po lufton dhe do të ja dalë vetë, ne u solidarizuam me të, folëm në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit dhe kaq mjafton për një popull të vogël si ky yni, që ka një ushtri dhe ekonomi krejt modeste, prandaj mos luani më me kartën e fatkeqësisë së saj . Po përse e mendoj të pa studjuar dhe në kufijtë e aventurës ngritjen e Digës së Skavicës dhe mbytjen e Dibrës. Le të analizojmë disa fakte .
Pak Histroik:
Ideja e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës është hedhur diku para nja 50 vitesh kur ndërtoheshin hidricentralet e kaskadës së Drinit. U bënë disa studime e llogaritje dhe u pa si një çështje e ndërlikuar dhe me pasoja të rënda ekonomike, jo rentabël, bile që cënonte edhe raportet me fqinjët e do të kishte impaktin e vet negativ. U la në sirtar dhe nuk u nxorr më prej atje . Tani ka disa vjet që po flitet me të madhe dhe propaganda e ka bombarduar aq shumë trurin e dibranëve që mendojnë se vërtetë do të ja kalojnë edhe Zvicrës. Kaq të bukura janë përrallat e gjyshes sa i kanë vënë në gjumë me sy hapur. Edhe pse e di se do te me quani nostalgjik , si dëshmitar i kohës kur ndërtoheshin hidrocentralet unë mendoj se qe krijuar një traditë , eksperiencë e stafe dhe me siguri një shtet i centralizuar si ai i kishte mundësitë për ta ndërtuar atë vepër. Por nuk e bëri si një vepër jo rentabël, pa përfitmin e nevojshëm ekonomik, me pasoja të rënda në shume plane e me që më shumë prishte se ndreqte punë.
Në vitin 1976 kur ndërtohej Fierza, një brigadë arsimtarësh dibranë u dërgua dy muaj për të punuar atje, isha edhe unë midis tyre. Rrugës për në Kukës ra një shi i dendur e që zgjati disa orë. Në Kolesjan rrëkeja rrëmbeu një mësues që po kthehej nga shkolla , e përplasi në një përrua dhe ai i shkreti i la fëmijët jetimë. Në darkë fjetëm në Kukës , pasi ishte e pa mundur ecja përpara. Fjetëm në Kuksin e ri pasi ai ishte ndërtuar ndërkohë. Me nja dy shokë bëmë vizitë në Kuksin e vjetër , ndërtesat ishin aty bosh, por nuk ishin përmbytur akoma. Rrugës në drejtim të Hasit dhe të Kamit të Tropojës, nëpër kodra ishin ngritur lagje e fshatra të tëra ku pritej te stabilizioheshin banorët e fshatrave që do ti mbulonte uji. Të gjitha gjërat ishin organizuar në mënyrë të rregullt , siç kërkon një vepër serioze. Ndërsa toka atëhere me kushtetutë konsiderohej pronë e shtetit.
Nuk kam dëgjuar asnjë masë të tillë të jetë marrë këto kohë për një vepër kaq të madhe dhe që prek jetën dhe ekonominë e një rrethi të madh siç është Dibra dhe që shpërngul nga trojet e tyre jo pak, por 35 fshatra, të cilat dikur ishin rreth më vete.
E dëgjova një herë një ministreshë që kur flet përkëdhelet dhe nuk meret vesh se ç’thotë, të spjegonte se “Kompania amerikane që është thirrur për këtë vepër ka eksperiencë në zgjidhjen e këtyre problemeve”. Po zonja Ministreshë, por ne të kemi votuar ty të na i zgjidhësh këto probleme , prandaj zgjidhi ose na ler rehat në shtëpitë tona, në trojet e të parëve tanë. Pa i zgjidhur , as një hap nuk duhet bërë përpara.
Problemi ekonomik:
Në trajtimin e problemit të pronave të dibranëve që mbyten dhe duhet të kompensohen qeveria luan me dy karta, të dyja në dëm të qytetarëve të atyre trevave.
Së pari , ata janë shumë më të pasur se dokumentacioni që posedojnë për pasurinë e tyre. Ata janë përballë qeverisë së tyre, që vetë e kanë zgjedhur e duhet ti arsyetojë e ti paisë me dokumentacion , ata nuk janë përballë ndonjë qeverie pushtuese. Në sitemin e mëparshëm , toka u konsiderua pronë e shtetit dhe u kolektivizua. Në vitet e demokracisë, dibranët pa zhurmë shkuan në kufijtë e të parëve dhe respektuan njeri tjetrin e të drejtën e pronës. Qeveritë që erdhën në radhë nuk u kujdesën që ti paisin me dokumenta pronësie qytetarët, u mjaftuan me ndonjë çerftifikate pronësie për disa dynym tokë arë. Por në gjithë Dibrën, sidomos në zonën që mendohet të zerë liqeni, qytetarët posedojnë edhe livadhe e kullota , zabele e pyje , vakëf e mal , troje e varre dhe të gjitha këto janë pronë e tyre, të gjitha duhet të evidentohen e të kompesohen .
Sëdyti, thuhet shpesh se do të kompensohen sipas çmimit të tregut. Po kush është çmimi i tregut? Një i tillë në Dibër mungon. Kjo sepse shumë banorë të atyre anëve kanë zbritur në qytete e rreth tyre për një jetë më të mirë. Ata në masë nuk e kanë shitur tokën. Në përgjithësi ua kanë lënë të afërmve të tyre në ruajtje, ose dikujt me ndonjë qera modeste. Ata e dinë vlerën e tokës , prandaj nuk e shesin, ajo është i vetmi mall që nuk prodhohet më. Ato që përmenden si çmim tregu për tokën në Dibër e që sipas llogaritjeve të anës së pushtetit konsiderojnë 1-1.5 Euro një m2 tokë të atij niveli, bëjnë spekullim flagrant e duket sikur tallen me njerëzit. Sipas kësaj logjike 1 m2 tokë kushton më pak se një bukë. Në llogjikën e ekonomisë së tregut çmimet nuk i cakton blerësi, por ai që shet, ai që i meret toka në këtë rast. Prandaj kjo kërkon uljen në tryezë me grupet e interesit e pronarët e ligjshëm. Në se ndokush kërkon çmimin e tregut , mbetet të meret parasyshë çmimi fillestar i blerjes së saj nga pronarët e ligjshëm. Në fshatin tim që është më shumë se 800m mbi nivelin e detit, janë ende gjallë dëshmitarët që tregojnë se kur një fshatar bleu në kohën e Monarkisë një copë tokë 5-6 dn. , pagoi 400 napolona ari. E po të llogaritet se lira dhe napoloni kishin rreth 7 gram një monedhë, i bie që hallexhiu pagoi rreth 3kg. flori për një copë arë. Ky është çmimi real i tregut. Ka dhe njerëz të arsyeshëm, siç pata rastin të dëgjoj një deputet të maxhoracës, i cili tha se fatura reale ekonomike e kësaj vepre kushton miliarda dollarë.
Po përfitimet nga ndërtimi i kësaj vepre cilat janë?
Gjatë këtyre ditëve , në përpjekje për të argumentuar nevojën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike , Kryeministri i vëndit bëri një deklaratë kuptimplotë.
Ai tha se me hidrocentralet që kemi trashëguar ne mbulojmë rreth 70 % të nevojave të vendit me energji elektrike. (Po, pasi në këto 30 vjetë nuk kemi ndërtuar ndonjë vepër që të ndikojë në prodhimin vendas të energjisë, veç ndonjë heci lokal pa ndonjë ndikim të dukshëm). Athere rezulton që reth 1/3-tën e kemi blerë sipas nevojave, rastit e stinës. Në se është fjala për 1/3 e nevojave, një qeveri që ecën me laps në dorë duhet ta menaxhojë situatën. Ajo mund të bëjë kujdes me shumë për kursimin e energjise në stinët me shi, ruajtjen , apo huazimin e saj të tjerëve , për ta marrë në momente kur ne kemi nevojë. Jam i informuar se kur kemi energji tepër ne e shesim atë lire, ndërsa kur na nevojitet e blejmë shtrenjtë. Kësaj në Dibër i thonë, shit qen e blej këlyshë. Pa dashur të bëj specialistin ka shumë mënyra alternative të prodhimit të energjisë , pa ndërmarrë veprime me karakter aventure , që përmbysin një rreth të tërë dhe një pjesë të rëndësishme të teritorit të vendit. Këto ditë pata rastin të lexoj një informacion mbi një investim rreth 200 miliard dollarë që vendet e BE, do të realizojnë në kuadër të një projekti për të marrë energji nga burimet e erës dhe panelat në pa mundësi tjetër, do ti vendosin në detë. Imagjinojeni Dibrën me shtrirjen gjeografike që zë gjysmën e pjesës lindore të vendit, nga kufiri shtetror me Maqedoninë në Gjoricë e deri në Kukës, atë luginë që përshkon Drini me bukurinë që natyra i ka dhënë . Gjatë gjithë këtij rrugëtimi disa km të gjatë në Drin derdhen lumenj e përrenj malorë dhe këta janë mundësi potenciale për prodhim të energjisë pa bërë atë përmbytje kataklizmike që bën diga që mendohet të bëhet mbi degën kryesore të Drinit , një nga lumejtë më të gjatë e më të rëndësishëm të vendit.
Por në se do të përdoreshin burimet e erës për prodhim të energjisë, mundesitë janë të pafundme. Imagjinoni shpatet e larta malore me dhjetra km të gjatë të Kërçinit, Deshatitit e Korabit, filloni në se doni nga gryka e Llangës e deri në Krej Lurë, në Qafë Bualli, Qaf Drajë e deri në Qaf Murrë ku ka shpate pa fund ku era dhe flladi nuk ndalen asnjë herë. Në to nuk ka nevojë të instalohen sisteme të ndërlikuara si ai i projektit të BE, që duhet të vendosë stativë me dhjetra a qindra metra të gjatë në thellësi te detit. Jo, ne natyra na i ka dhënë gati, janë ekonomike dhe ekologjike njëkohësisht. Në se vërtetë do të bëhet një investim serioz në këtë drejtim jo vetëm Dibra nuk ka nevojë të mbytet, por dhe do të kemi siguruar energji elektrike për vendin tonë dhe disa vende të Ballkanit. Kam bindjen se do të duhet një perqindje fare e vogël e asaj shume që është menduar të përdoret për të mbytur Dibrën dhe historinë e saj. Po kështu mundësia e vendosjes së paneleve diellore e burimeve të tjera alternative të sigurimit të energjisë në vend , janë të pafund në Dibër e në gjithë Shqiperinë pa bërë përmbytje kataklizmike siç bën diga e Skacicës.
Arkeologjia:
Dibra është një trevë e banuar herët dhe në kohen e ilirëve aty ishin Penestët. Kush ka kërshëri të mësojë më shumë mund të lexojë punimin e shkenctarit të mirnjohur dibran Adem Bunguri “Prehistoria e Dibrës”. Aty do të mësoni shumë të dhëna për lashtësinë e kësaj treve, por dhe një të vërtetë shumë të hidhur. Objektet arkeologjike në Diber janë studjuar në një masë fare të vogël që ka filluar pas vitit 1970-të. Kjo do të thotë se objektet arkeologjike në Dibër, në shumicën e tyre janë ende pa u studjuar. (1) Këto do të asgjesohen përgjithmonë. Dihet se njerëzit e parë u vendosën pranë lumejve ku kishin resurse për të banuar. Mendoni pak se Dibra dhe pellgu i Drinit janë më poshtë se shumë qytete të tjerë, më poshtë se Pogradeci, Struga e Ohri, Korça e Maliqi , sepse lumi buron prej andej dhe rrjedh poshtë gjatë luginës. Ka shumë gjëra për të studjuar dhe me këtë projekt ne do ti varrosim përgjithmonë ato, kemi varrosur historinë tonë , të lashtë e të re.
Gjatë zgjerimit të rrugës Bulqizë –Peshkopi, në Grazhdan, një fshat afër Peshkopisë, u zbuluan muret e një kalaje të lashtë që u identifikua se ishte qyteti i Uskanës. Aty është luftuar me Romakët dhe penestët në atë kohë nënë udhëheqjen e mbretit Gent, ndihmonin mbretin Perseu të Maqedonisë. Por romakët fituan dhe Maqedonia u mund. Historia është aty dhe ka nevojë të studjohet.
Duke gërmuar tokat e bukës në fshatin Muglicë të Okshtunit u gjetën disa enë balte që tregojnë se aty kanë banuar njerëz së paku që nga mesjeta e hershme. Kalldrëmet në Borovë, Okshtun e Lladymericë, qytezat ilire në gjithë Dibrën duhet të studjohen me vëmëndje, pasi deri sot pak profesionistë dhe ndonjë mësues amator janë marrë me këto punë.
Në zonën e pellgut të Drinit e në Dibër të poshtëme ka pëllëmbë e objekte arkeologjike. Një mjek amator që punonte dikur në ato anë, duke bërë xhiro për qef të vet, zbuloi një shpellë interesante. Kur atë e vëzhguan specialistët e fushës përkatëse, rezultoi të ishte një objekt arkeologjik i klasit të parë.
Në një emision televiziv të kohëve të fundit u tregua për një zbulim interesant në një shpellë që nuk është në breg të lumit, por në rrëzë të malit të Pratit, mbi fshatin Mazhicë te Grykës së Vogël. U gjetën mbetje njerëzore aty dhe pati shumë hamendësime e spekullime, por studimet shkencore të realizuara në një shtet të përparuar të Europës, vërtetuan se ato eshtra ishin të shekullit te II-III të erës tonë, pra 1700 apo 1800 vjet më parë aty kanë banuar njerëz. Shkenca sot e zbuloi këtë fakt, por duke mbytur pellgun e Drinit dhe fshatarat që banojnë aty, ne e kemi zhdukur perjetësisht mundësinë për ti studjuar ato.
Historia:
Historia e atyre anëve është e pasur, po shumë e pasur. Për këtë kanë shkruar shumë të tjerë dhe thjeshtë do të them disa fjalë. Është fakt historik se aty është vendlindja e Kastriotëve e për këtë flet fare qartë historiani Kristo Frashëri në “Historia e Dibres” (2012) (2). Ka dhe një muze historik për Kastriotët, tamam aty. Po ashtu ka dokumente të sakta se në atë zonë u zhvilluan shumë beteja e masakra nga perandoria turke. Aty nuk ka gurë pa njolla gjaku. Aty luftoi Skënderbeu me trimat e tij dhe nga 25 betejat historike qe zhvilloi me turqit , 19 i përkasin Dibrës (3). Është Skënderbeu që të gjithë fqinjët kërkojnë ta përvetësojnë, por ai mbetet shqiptar dhe pikërisht i kësaj ane ku edhe luftoi si luan për rreth 25 vjet. Kush ka shkuar në Romë dhe e ka parë atë, e din se në një nga sheshet kryesore të Romës ndodhet një përmendore e Skënderbeut mbi kalë, që ngjason me atë të Krujës, por është ndërtuar para saj. Në të është shkruar në gjuhën e tyre: ”Kushtuar Gjergj Kastiroti Skënderbut, heroit kombëtar të Shqiptarëve, mbrojtës i madh i krishtërimit dhe i qytetërimit Europian”. Ai shesh e ka emrin Piazza Albania dhe prej aty fillon një rrugë me emrin Via Tirana. Ata janë kujdesur për historinë tonë , pasi kështu bëjnë kombet e qytetëruar. Ndërsa ne jo, ne jemi gati ta mbysim përgjithmonë historinë tonë. Gjermanët e ruajnë Holokaustin edhe pse ai nuk ju bën nder atyre, por e ruajnë si një dëshmi historike. Ndërsa ne e groposim historinë tonë edhe kur ajo është e lavdishme. Popujt e tjerë i krijojnë heronjtë e tyre nga legjendat, i nxjerrin nga balta, kurse ne jemi të prirur ti baltosim e përmbysim tanët edhe kur janë figura reale historike. Kështu veprojnë vetëm kombet barbarë, jo ata të qytëruarit.
Në se do ti përmbahemi fabulës së “përrallës së Gjyshes” që u tregua kohët e fundit edhe në Peshkopi dhe që ja kalon edhe përrallave të Andersenit, sikur këto zona do të bëhen si Venecia dhe njerëzia do të lodhen duke shëtitur me gondola nëpër liqen, më lejoni të tregoj edhe unë “përrallën” time. Sa mirë do të ishte që të mos mbytet lugina e Drinit dhe të ruhet, siç do të ju thoshte një fetar me kulturë banorëve të Thethit në Shkodër “ruajeni këtë mrekulli të natyrës ashtu siç zoti e ka jeretisë”. Sa mirë do të ishte që kjo zonë të bëhej një park natyral me përmbajtje historike. Sa mirë do të ishte që në atë park të improvizoheshin të gjitha betejat dhe fitoret e Skënderbeut dhe të shqiptarëve në shekuj, por dhe shumë beteja të tjera. Mund të jetë aty selia e “Komitetit Kombëtar të Arrasit “ me atributet e një qeverie, ku drejtoi Elez Isufi si Kryetar . Atëhere po , do të shihni se si do mbushej me turistë ai vend e si do të gumzhinte ai park me dhjetra kilometra i gjatë. Por historia na tregon se dibranët nuk kanë luftuar vetëm me turqit. Atëhere ja vlen në këtë “muze” të ketë edhe një pavion për luftrat legjendare me serbët , me bullgarë, gjermanë , italianë e pushtues të çdo kallëpi. Këtë e ka sqaruar mirë ushtaraku Moisi Murra në librin e tij “ Dibra nga Antikiteti ne Monarki” ku thotë : “Nga viti 1444 kur shqiptarët nënë udhëheqjen e Skënderbeut nisën dhe fituan betejën e parë kundër turqëve osmanë, në Torvioll, Fushë të Kastriotit të Dibrës së poshtëme dhe deri në çlirimin e Dibrës nga pushtuesit nazi fashistë me 2 shtator 1944, dibranëve u është imponuar një luftë në çdo 10 vjet ” (4), pra gjatë pesë shekujve kanë zhvilluar mbi 50 luftëra të mëdha. Në se do të bëhej një vepër e tillë , turistëve do tu duheshin disa ditë për ta vizituar.Por që të bëhet kjo sigurish do rrugë të asfaltura, teleferikë, resorte e infrastrukturë tjetër nga ajo që është sot. Në atë park natyral mund të ngrihen teleferikë që njerëzia të shohë edhe Qafën e gëlqeres e të ngjitet edhe në Lan Lurë. Pse jo , më tej edhe një teleferik për te Liqenet e Lurës. Ndoshta ndonjë guximtarë do thoshte bëni dhe ndonjë pistë për të rrëqitur me ski, sepse ato zona nga bukuria nuk kanë gjë mangët nga Kolashini a Movrova, për veç dorës së njeriut që ka punuar më pak. Dikush mund të më thotë se duhen fonde. Unë ju siguroj se do te mjaftojne fondet e Digës dhe që ky investim mund të sjellë fitim më shumë se çdo hidrocentral, përfitime kulturore dhe ekonomike, pa shkaktuar asnjë dëm. Edhe Rruga e Arbërit për këtë qëllim u ndërtua, përndryshe ç’kuptim ka , ndërto rrugën dhe pastaj mbyt Dibrën? Me që i përmënda fqinjët të cilët kanë bërë masakra ç’njerezore në gjithë Dibren, ata kanë patur në qëllimet e tyre strategjike anën lindore të rrjedhës së Drinit dhe këtë objektiv e përmbush për mrekulli diga dhe liqeni që krijon ajo, i cili siç thotë Abdurahim Ashiku, e ndan Dibrën për mesi ashtu siç ndahet berri për penës së kurrizit (5). Ata përpiqeshin ti bindin dibranët se në se ju do të pranoni të bëheni me ne, ( me Serbinë, shën. im), ne do të ju ndërtojmë një hekurudhë gjatë bregut të Drinit që të dilni direkt në Prizeren. Ndërsa Elez Isufi u përgjigjej : “Në na ngucshi shumë , paska qenë thënë që ne të ngelim pa shtëpi dhe ju pa krye” (6 ).
Ky vend pëllëmbë e histori , pëllëmbë e heroizma , po projektohet të mbytet përgjithmonë . Kush do ta mbajë përgjegjësinë para historisë. Aktorët po e po , por edhe spektatorët kanë përgjegjësi të madhe historike. Burrat e dheut që luftuan e ranë në këto troje për ti mbrojtur ato, nuk do të falin askënd si ai që mori kazmën, ashtu edhe ai që heshti dhe lejuan të mbytet një trevë historike, nga më të lavdishmet në gjithë Shqipërinë, hambar drithi e djep historie dhe një perlë e natyrës e pa përsëritëshme në llojin e vet. Neroni , perandor i Romës, e dogji atë dhe hyri në histori. Roma e ndërtua e rindërtua, por turpi mbi Neronin ka mijëra vjet që rëndron. Nuk besoj se brezat e sotëm do ta mbajnë këtë barrë para historisë. Me gjithëse në pazar dibranët pyesin: “E ke tënden , apo ta ka lënë baba”.
Shkrmitari i njohur dibran Abdurahim Ashiku nga Athina thërret : “Është koha që të ngrihet zëri për mos mbytjen e Dibrës, bukurisë dhe historisë së lavdishme të luginës së Drinit ” (7 ).
Ekologjia dhe Klima
Vepra të tilla kanë ndikim të fuqishëm mbi klimën e rajonit e më gjërë. Ata i prishin ekujlibrat e natyrës dhe biodiversitetin e kafshëve e të bimëve dhe sjellin ndryshime klimatike që në shkallë globale rrezikojnë jetën në tokë. Prandaj bota sot është në këmbë dhe ka ndaluar ndërtimin e digave të larta e atje ku janë po i zmonton ato. Në SHBA, thotë Fazilete Gjika, janë zmontuar mbi 2000 diga të tilla.
Hidrocentrali i parë që është ngritur mbi rrjedhën e Drinit është ai i Spiles në teritorin e Maqedonisë, disa qindra metra larg kufirit tonë shtetror. Por edhe në teritorin shqiptar është ndjerë impakti i tij. Kush e njeh nga afër atë zonë e din fort mirë se në stinë të caktuara edhe në ditët me diell, Gjorica dhe pellgu i saj e fshatrat e Maqedonisë përballë, mbulohen nga një mjegull e dendur dhe vetëm nga pasditja mund të shohin ndonjë rreze dielli, bimët që rriteshin dikur me bollëk tani bëhen me vështirësi atje. Ndërsa fshatrat nga Shupenza e lartë dielli i ndriçon që në orët e para të mëngjezit e buqësia zhvillohet normalisht. Se çfarë impakti pati ky hidrocentarl mbi banorët shqiptarë që jetojnë në Maqedoni, po ja lë fjalën Argëtim Fidës , ish kryetar i Komunes ne Diber te madhe (cituar A.A.): “ Dibranët nga ndërtimi i liqenit artificial të Dibrës dhe hidrocentralit të Spiles nuk panë asgjë të mirë për këto 40 vjet, pos humbjes së 5000 hektarë të tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane. Sot të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria maqedone që nuk don të dijë në se këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose ShBA për të siguruar ekzistencën “ ( 8).
by s p

XHUBLETA
Gjashtë xhubletat e jetës tënde,
ku i çove grua?
Vallë i trete dhe i lave
me kripën e lotëve derdhur?!
Mos ndoshta djalli t’i gëzojë,
si gjashta rrethuar në ar gishtit tënd?!
Apo në diell i tere, i dogje, i vyshke,
si këmbanore të braktisura?!
Vallë mola t’i breu,
duke prit rradhën e të mirës,
rradhën e të mirës mas të mirës,
që nuk erdhi kurrë?!
Grise pra, damkën e gjashtës
mbi shpinën tënde grua!
Ngrihu dhe hidhi tej
gjashtë xhubletat e jetës tënde.
Hidhi…
Njësoj si teshat e të vdekunve.
DROMCA
Dromcat e shpirtit të tij,
shkëputen nga toka e më arrijnë.
Më kapin prej flokësh
e duan të më heqin xarrë.
M’u në fyt më fusin thonjtë
e më mekin frymën.
Uh! Nxirë e sterosur,
marr ngjyrën e duhmës së hukatjeve të tij,
mbi qelqin e syve të fikur.
Ah! Jam ulur mbi një kokë.
Rastësisht, padijeni, por pikërisht
në vertikalen time,
dergjet thellë koka e prerë…
Të dy jemi bërë si skaje drejtëze.
Tërheqim e tendosim
me dhunë njëri- tjetrin.
Ah! Më shemb kjo dijësi,
por s’kam ç’bëj,
do vazhdoj të ulem mbi kokën e tij.
Do kacafytemi gjatë mik,
ndaj, pak mëshirë..
Nuk është faji im,
që ti le kokën nën mua
e unë ulem mbi…
Ndaj, ma liro pak fytin.
Mblidhi dromcat e tua,
ngecur fijeve të mia
dhe më ler të frymojë.
Pak ajër mik… të lutem pak ajër!
Është koha ime…
BALTË DHE UJË
Ujis ngadalë, shtruar pa ngut,
kokat tuaja ngulur baltës së ngjeshur.
Nga koka rritet trupi apo prej trupit koka,
ku është rrënja dhe fara ku!?
Qetësisht malaks fytyrat tuaja verdhur meit
dhe shoh të zgjaten tërkuz vetëm flokët.
Po ku janë gjymtyrët, që nuk po e shqyejnë baltën
dhe të hedhin shtat si bimë dheu.
Ende pikëloj ujë, dhé e gjak,
që koka të rrisi trupin, e trupi kokës t’i bëj lak.
Nga balta në baltë, nga fryma në frymë,
bimë të harlisura e vyshkura jemi.
Po po, kaq pak…një kokë ngulur në baltë.
NËNVETJA
Nga nënvetja ime shpërthejnë rrënjë të forta,
tufëza të imta, zhardhokë gjithëfarsoj.
Dhe unë, me këmbet bëre hark, i rrethos si një gardh gjigand.
Nga brinjët dalin trungje e degë të harlisura,
që hedhin e hedhin shtat.
Ndërsa duart i bëj hark kurore,
ormisur gjethe e lule deri në qiell.
Nga nënvetja ime lind jeta, vetë dashuria,
e derdhur në forma njeriu,
e derdhur në forma dhembshurie.
by s p

PSE TE KERKOJ…?!!!
Çdo ditë
Të kërkoj
I shtyer nga ndjenja
Instikti më shtyjnë
Të çmallem
Me ty.
Brenga me pushton
Të vij tek Ti
Të gjej aty
Të mbetur
Pafajësisht
Në udhëkryq
Tash e sa kohë.
Gjyshi është
Me ty
Gjithherë
Në rrugë të jetës.
Nuk mbetësh
Kurrë në udhëkryq
Pa kahje
Adresë e vendbanim
Nga nisesh në rrugëtimin
Ku kthehesh
Në banim.
TOKA E RE
Me Faustin
Do të krijojmë
Tokë të re.
T’i zbrazim
Ujërat e Kënetës
Së Maliqit
E ujërat
E detit.
Do të bëjmë
Toka të reja
Pa matje gjeodezike
Pa kontest pronash
Të gjitha
Do të jenë
Toka
Në pronësi tona.
RASTETISJA
Rastisi edhe sot
Data ters.
U takuam shkurt
Rrënzë një shtëpie
Afër shtëpisë sonë.
Biseduam shkurt
Ti mbyllur në veturë
Une jashte saj.
Folëm me frigë
E gjestikulacion
Dronim urrejtjes.
Ne u çmallem
Nga malli i vjetër
Dhe brega e rënd
Qe ndalon takimet
Tona të përmallshme
Për inat kanunit
Ia thyem noçkën.
by s p

Gezim Zilja
Më 20 nëntor 2022 mbushen dy vjet që u nda nga jeta Koço Devole, ( 22.11.1945-08.11.2020) një nga personalitet e shquara humorit shqiptar: aktor i madh, karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Pak kush do të besonte sot se filmi “Gjuetia e fundit” me skenar e regji të Koço Devoles, është prodhuar në vitin 1992, vit kur ra diktatura në Shqipëri. Njerëzit nuk ngopeshin së pari figurën e Enver Hoxhës,të zhveshur nga gjithë ajo lavdi idiote, që i ishte imponuar shqiptarëve për 45 vjet me rradhë. Është një telekomedi që zgjat vetëm 46 minuta. Aty shqiptarët të detyruar t’i thoshnin këmbës dorë, e barit bukë, e panë diktatorin ashtu si ishte vërtetësisht: gjakatar, mizor, gënjeshtar, injorant dhe njëherazi qesharak. Merita e skenaristit qëndron, se ndërsa shikon filmin, njeriu qesh e qesh pa mbarim me personazhet sidomos ato të krijuara nga Vasillaq Vangjeli (diktatori), Koço Devole (Sillo), Marjana Kondi, (Nafija) , Mehdi Malko, (Xha Braho) etj. Qesh me njeriun, që për 45 vjet e mbajti vendin të rrethuar, të izoluar dhe në mjerim. Po thellë në shpirt ndërsa qesh, njeriu shqiptar ndjen ulërimën therrëse, që i vjen nga thellësia e shpirtit: Si është e mundur të kemi duruar një rregjim të tillë kriminal? Si është e mundur të kemi përplasur duart e të kemi buzëqeshur aq shumë për një tufë kriminelësh, që e zhytën vendin në mjerim e varfëri e i detyruan njerëzit të ktheheshin në qen gjahu për të kënaqur udhëheqësin? Të qeshësh kur të vjen të ulërish e kur thellë në zemër ndjen trishtim për vitet e kaluara dëm, të qeshësh ndërsa sheh veten tënde që edhe bukën e gojës ia fal ‘’i lumtur’’ shtypësve të tu, të qeshësh kur të varrosin së gjalli e nuk ngopen së poshtëruari… Për mua ky është art i mirëfilltë, maja e groteskut jo vetëm për temën që trajton. Ndërsa filmat “’Kapedani’’, ‘’Pallati 176’’ apo ‘’Shi në plazh’’ i sheh në të gjitha stacionet televizive kombëtare e lokale, kohë e pa kohë, ‘’Gjuetia e fundit’’ e ’’Sillo 2’’, shfaqen shumë rrallë. Nuk jam përkrahës i teorive konspirative, por mendoj se nuk është harresë mos dalja më shpesh në ekrane e filmave të Koço Devoles. Ka kohë që figura e diktatorit, nga disa media po mëtohet të jepet në përmasat e dikurshme si luftëtar, ideolog dhe filozof jo vetëm kombëtar por edhe ndërkombëtar. Korrente të caktuara me pushtet e para, duan të ndryshojnë historinë e të na mbushin mëndjen sidomos të rinjve se ajo kohë nuk ishte aq e keqe, se janë bërë gabime por ka patur edhe të mira se diktaturat duken të këqia por janë të nevojshme etj, etj. Mallakastra madje shpalli qytetar nderi, Mehmet Shehun, një nga kriminelët më të mëdhenjë të luftës së dytë botërore në Shqipëri. Anjë insitucion shtetëror e shoqëror nuk reagoi. Ka një dorë precise, që kontrollon e drejton këtë lloj propagande. Kjo ka të bëjë me një grup jo të vogël njerëzish, pasardhës të drejtpërdrejtë të diktaturës dhe figurave kryesore të saj, që qeverisin këto 30 vjet Shqipërinë. Nuk mund të pranojnë që vetë ata, baballarët e gjyshërit e tyre ishin kriminelë, ndryshe do t’u hiqnin dekoratat ‘’Hero i Popullit”, do të hapnin dosjet, do t’iu duhej t’i ndëshkonin, dënonin e të kërkonin falje publike. Mendoj që ishte taktikë e strategji e rafinuar tipike komuniste, që figurën e Koço Devoles e godisnin, përgojonin dhe e linin në harresë, herë pas here, diku në një cep. Gjatë viteve 1970-1977 Koçua është dërguar disa herë në punë të detyruar për “gabime” ideologjike në artin e skenës. Në vitin 1978 ai nis punën në Televizionin Shqiptar si redaktor, skenarist dhe regjisor i programeve artistike. Pothuaj 20 vjet më vonë më 1997, me marrjen e pushtetit nga socialistët drejtori i atëhershëm i RTSH-së e shkarkon si të paaftë. Koçua detyrohet të emigrojë me familjen në SHBA. Çfarë nuk shpikën e thanë për të! Iu qepën këmba-këmbës këtij krijuesi e aktori të madh, duke e lënë pa punë për shumë kohë kur ishte në kulmin e tij. Ndoshta sot do të kishim Sillo 3, Sillo 4, Sillo 5, për gjithë drejtuesit shqiptarë të demokracisë sikur të mos e mënjanonin. Tashmë shqiptarët janë bindur, që Shqipëria vazhdon të qeveriset nga sillot e soji e sorollopi i tyre. Koçua nuk është më. Po jeta e tij është një shkollë më vete për artin skenik e historinë. Një film dokumentar ashtu shpejt e shpejt për të është shumë pak. Rilindasit e rinjë vazhdojnë të tjetërsojnë qendrat e qyteteve e njëherazi të rrafshojnë kulturën, traditën, historinë, duke ngritur kulturën e betonit e ndërtesave që të marrin frymën, po perfeksionojnë e përjetësojnë shkollën e hajdutëve e të antishqiptarizmit. Kemi një monument të këndshëm të Ollgës ( Violeta Manushit) në Pogradec. Po ku e ku figura e saj me atë të Sillos. Nuk mendoj se nesër do të ketë një monument për Edi Ramën, Fatos Nanon, Sali Berishën, Lul Bashën apo Spiropalin e Dumën. Por për Koço Devolen dhe veprën e tij duhet të ketë madje në një nga sheshet më të dukshëm të kryeqytetit. Ai jo vetëm na dha figura dhe skenarë të papërsëritshëm por nga të parët me veprën e tij të pavdekshme “Gjahu i fundit” vrau frikën në fillimet e demokracisë. Edhe sa vjet duhet të presim të ngrihet një monument për të? Do pyesni: kush do e ngrejë monumentin?! Zamirët? Shefqetët? Nuk besoj. Pushtetarët? Kurrë! Piedestalët në Shqipëri mjerisht do të ngelen edhe për shumë kohë bosh, derisa shoqëria shqiptare të kuptojë e vlerësojë bijtë e saj të vërtetë. Sqarim për gjarprinjtë e hijenat, që helmojnë e kafshojnë orë e çast për tu nxirë jetën njerëzve të suksesshëm e të pafajshëm. Në 26 nëntor të vitit 2002, Koçua së bashku me një mikun e tij, kapet nga policia italiane. Akuza: transport i 3 kg. heroinë. Pas tetë muajsh më 24 korrik 2003 lirohet nga burgu italian dhe pas gjyqit në Gjykatën e Riminit merr pafajësinë e më pas dëmshpërblimin për muajt e burgut.