• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

Këshilli i Ambasadorve Shqiptarë kërkon dialog dhe njohje reciproke Kosovë-Serbi

March 2, 2022 by s p

Kënaqësi të kishim mes nesh Ambasadorin e Republikës së Kosovës Sh.T.Z. Skënder Durmishi me të cilin patëm një shkëmbim të vyer opinionesh dhe informacionesh në lidhje me marrëdhinet midis Shqipërisë dhe Kosovës.Ambasadori Skënder F. Durmishi shpalosi fakte të progresit të Kosovës pas shpalljes se pavarsisë saj si dhe për sfidat me të cilat ajo përballet drejt objektivit strategjik të integrimin euro-atlantik, si dhe njohjen e mëtejshme në arenën ndërkombëtare.Kosova si shtet i pavarur e sovran, po dëshmon për një qasje demokratike, e cila sa vjen dhe konsolidohet.Bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, po njeh arritje, në vecanti lidhur me zbatueshmërinë e marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive.Këshilli i Ambasadorve Shqiptarë beson se përfaqësimi i njëzëshëm i Kosovës dhe koordinimi me partnerët strategjikë, do të mundësojë edhe finalizimin e suksesshëm të dialogut të ndërmjetësuar me Serbinë – njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.

Filed Under: Politike

Kuvendi i Vatrës në New York, Kuvend bashkimi e forcimi

March 2, 2022 by s p

Nga Tony Sufaj/

Kuvendi i Përgjithshëm Zgjedhor i VATRËS i mbajtur në New York ishte një ndër Kuvendet më të suksesshme për vendimet që u morën dhe objektivat që u vendosën për të ardhmen. Vatra po forcohet dhe bashkohet çdo ditë e më shumë. Vatra me degët e reja dhe anëtarët e rinj po krijon një traditë të shkëlqyer dhe shpresë për çdo shqiptar dhe në trojet etnike. Me daljen nga pandemia globale, Vatra Toronto do të forcohet edhe më tej duke përfaqësuar shqiptarët më të suksesshëm e patriotë në Kanada. Në vlerësimin tim Kuvendi i New Yorkut ishte me arritje historike pasi Kanunorja e re forcon Vatrën dhe e ruan nga problematikat që e kanë shoqëruar ndër vite. I shpreh mirënjohje delegatëve të Kuvendit, Komisionit, dhe çdo vatrani për punën e shkëlqyer për të mirën e Vatrës e komunitetit tonë. Uroj kryetarin Berisha për fitoren dhe për projektin patriotik për të udhëhequr Vatrën në shekullin 21. Vlerësoj Alfons Grishajn, Agim Rexhën, Besim Malotën e Tasim Rukon për bisedat e gjata dhe projektet përbashkëta për Vatrën. E falënderoj në mënyrë të veçantë Editorin Sokol Paja për pritjen në Vatër dhe punën kolosale në transformimin e Diellit dhe rritjen e gazetës në cilësi. Dielli është Pasqyra e Vatrës dhe e tillë duhet mbështetur, dashuria e Konicës dhe Nolit për Atdhe të na bashkojë sa më shumë rreth Vatrës dhe jo të na përçajë, frytet punës duken qartë në Vatër e Diell dhe Dielli i Vatrës ndriçon më shumë se kurrë. Kush nuk don Vatrën dhe vatranet nuk don të mirën e kombit tonë, Vatrën e Diellin, historinë tonë, identitetin e trashëgiminë e shqiptarëve të Amerikës dhe Kanadasë. Vatra Toronto ka projekte të fuqishme për shtrirje në komunitetin tonë në Toronto, Montreal dhe Quebek dhe shtim të anëtarëve me fokus të rinjtë dhe elementin femëror. Zoti e bekoftë Vatrën dhe të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Unë nga zemra bëj thirrje që të gjithë Shqiptarët nga gjithë bota të kemi një Vatër të fuqishme me shumë vlera. Fryma patriotike e Konicës & Nolit mos të humbet kurrë por ajo të rritet dita ditës.

*Kryetar i Degës së Vatrës Toronto-Kanada.Tony Sufaj 🇦🇱🇨🇦

Filed Under: Vatra

KUVENDI  I  LEZHES, “INSTITUCIONI” KU BESA E BURRAVE, BASHKOI  SHQIPTARËT NË  FE DHE ATDHE, NDERTOI THEMELET E NJË  SHTETI UNIK  SHQIPTAR…

March 2, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ

https://i1.wp.com/balkansnews.net/wp-content/uploads/2019/03/53264627_830950133908194_5181853801828581376_n.png?resize=628%2C369

Pikturë që i kushtohet Kuvendit të Lezhës

578 Vite më parë, me 2 mars të vitit 1444 zhvillohet  Kuvendi i Lezhes. Në këtë kuvend të parët tanë , Arbërit, lidhën Besen, besen e Zotit e burrave (shqiptar) në mes njeri – tjetrit , dhe ketë besë ja “dorzuan” prijesit legjendar Gjergj Kastriotit –Skenderbe..  Kuvendi nuk ishte “thjeshtë” një bashkim burrash , për të lidhur besen e për të luftuar së bashku kunder armikut turko-osman , i cili u kishte pushtuar trojet, burgos lirinë, dhunua besimin dhe u rrezikonte ekzistencën.  Në këtë kuvend  për herë të parë Gjergj Kastrioti Skendërbe kishte arritur të bëjë bashkimin në  një kuvend të gjithë prijësat , princët dhe principatat shqiptare, bashkimi dhe Beslidhja e këtij Kuvendi bëri të mundur themelimin e një shteti unik e etnik Arbënor-Shqiptar. Vlen të kujtohet se  mbas  humbjes së koalicionit ndërballkanik në betejen e Fush-Kosoves në vitin 1389, (kundër invazioneve turko-osmane), vetëm nga trojet Arbnore  kishin dhënë jetën rreth 4000 luftetar trima me në krye  prijesin Teodor  Muzaka. Mbas këtij viti fatëzi trojet shqiptare “dalngadal” ishin pushtuar e coptuar nga ushtritë turke. Gjatë pushtimit turqit kishin vrarë  e prerë prijësit e njohur shqiptarë , kishin grabitur, shpronsuar e tjetersuar prona e pasuri , si dhe  kishin marrë pengje njerëzore të familjeve e fiseve themel të Arberisë. Njëra nga familjet më të goditura ashpërsisht nga pushtuesi turk , kishte qenë edhe familja e Gjon Kastriotit , të cilit perveç të zezave të tjera  i kishin marrë peng edhe djalin e vogël Gjergjin.. Vitet kaluan dhe atëhere kur perandoria aziatike  turke-osmane kishte shpresuar më shumë se kurrë, se Arberisë ja kishte mbytur shpirtin Arbënor-kristian , dhe pinjollin e familjes së lavdishme të Kastrioteve -Gjergjin e kishte “transformuar” (“me alkimin e saj” të shkollimit , titujve e gradave ushtarake) në një shpatë të “çelnikt” të Islamit , kishte ardhur ora e së vertetes. Siç dihet kjo orë kishte “trokitur me 3 nentor 1443 në betejen e Nishit (të Kosoves), kur Gjergj Kastriotin e kishte thirrur gjaku i të pareve… Me 28 nentor (1443) në Krujen e bekuar kishte valëvitur të lirë , e drejt qiellit flamurin Arbënor , atë flamur që kemi edhe sot. Gëzimi dhe sukseset e Shqiptareve nuk kishin të treguar , por edhe tërbimi i Sulltan Muratit nuk njihte kufi… Ndaj për të perballuar këto kohë të veshtira  prijesi legjendare i Arberisë Gjergj Kastrioti  e kishte kuptuar se Arbërit do ti ndihmonte , perveç fuqisë tyre, Zotit edhe bashkimi… Ndaj u bëri thirrje të gjithë princërve e prijësve që me daten 2 mars 1444 , të mblidheshin në një kuvend bese e bashkimi, ku si vend ishte zgjedhur Lezha (ndonse nën pretektoratin e Venedikut që “dridhej”..), ndersa si “seli” kuvendi do të kishte  Katedralen e Shenkollit.. Sipas shkrimeve të asaje kohe e më vonë , në Kuvendin e Lezhës kishin marrë pjesë perfaqesues të të gjitha principatave dhe krahinave shqiptare , ku më të shquarit ishin:  Gjergj Kastrioti  , Gjergj Araniti  , Andrea Topia me dy djemt e tij , Kominin dhe Muzakën dhe nipin e tij Tanushin , Gjergj Stres Balsha (nipi i Skenderbeut nga motra Jella) , Nikoll Dukagjini , Pal Dukagjini , Gjin  Muzaka , Teodor Muzaka (i riu) dhe disa pjestarë të kësaj familje , Lekë  Zaharia , Pjeter  Spani  , Lekë Dushmani  etjerë , por edhe perfaqesues të Venedikut , dhe  Stefan (Gojçini) Cernojeviç  (me dy djemt e tij Gjergjin e Gjonin), që perfaqesonte “berthamen” e Malit Zi (të mëvonshem). Kuvendi i  Lezhes mori disa vendime historike , si : Formimin e “Lidhjes  Shqiptare “ (ndonjë historian e quan lidhja e popujve shqiptarë ), ku per ta ruajtur këtë lidhje burrat e kuvendit dhanë BESEN ,ndaj kjo lidhje njihet edhe si BESLIDHJA e Lezhes. Në kuvendin e Lezhes u krijua një aleancë e madhe politike e ushtarake , në krye  të ciles u zgjodh Gjergj Kastrioti , që “emrohet”edhe  komandanti  suprem i  ushtrisë mbrojtese të Arberisë. Në kuvend u krijua arka e finances , ku secili kontribuonte sipas nje kuote të miratuar.. Gjithashtu ishte urdhëruar rikthimi i të gjithë arbërve (që kishin “perqafuar” besimin islam të pushtuesit..) në besimin kristian… Per të gjitha vendimet e Kuvendit të Lezhes që u miratuan , kuvendarët u betuan me dorë në Ungjill.. Kisha kartedrale e Shenkollit ishte dëshmitrarja dhe “garantja” para Zotit per respektimin e kësaj  beslidhje , që me  programin e bashkimit dhe veprimit të të gjitha principatave shqiptare, kuvendi i  2 marsit 1444 krijojë per herë parë të berthamen e një shteti të bashkuar Arbër-Shqiptar.. Në këtë shtet që do të “konsolidohej” nën udheheqjen e të madhit Skenderbe bënte pjesë (në mesin e shek.XV) edhe Dardania (Kosova)… Kuvendi i Lezhes dhe programi i saj kishin një jehonë të madhe kombetare dhe nderkombetare. Mbas  kësaj beslidhje  u shenuan edhe fitoret e para të rendësishme të betejave luftarake kundër ushtrive osmane… Nga këto suksese  lavdiplotë mendova të kujtoj ndër të parat  beteja, (fill pas Beslidhjes së Lezhës) të fituar nga ushtria trime arbënore e udhëhequr  nga Gjergj Kastrioti, në fushen e Torviollit (Dibër) me 29 qershor 1444. Gjergj Kastrioti  me ushtrinë e tij do ta shpartallonte   plotësisht  ushtrinë  turke-osmane  të  përbërë nga 25.000 ushtarë e oficerë të udhehequr nga Ali Pasha, një ndër komandantet më të shquar osaman… Ali Pasha kishte lënë në fushen e betejes  më shumë se gjysmen e ushtrisë së tij… Cilësoj  se si Gjrgj Kastrioti -Skenderbeu dhe Ali Pasha ishin të “vlersuar”si ndër komandantë më të zotët të perandorisë , ndaj  Marin Barleti, shkruan se u ndeshen luanët me luanë…Theksojmë se në ushtrinë “Skenderbegëjane” shquhen mjaft luftetarë trima nga “Malesia” , ku dallojnë edhe emrat dy kapidanëve “malësor” Nikollë Berisha dhe  Gjergj Kuka… Fitoret e ushtrisë së Arberisë të bashkuar nuk rreshten per më shumë se një çerek shekulli , ndaj fama e lavdia e komandantit legjendarë Gjergj Kastrioti mori dhenat e botes , madje  shpesh fama e tij merrte trajta hyjnore ,që me siguri i kishte pasur , pasi pa një shpirtë me një bekim të tillë do të kishte qenë e pamundur t’i bëhej ballë  ushtrisë të stermadhe të perandorisë turke-osmane , e cila  po të mos ishte ndalur në trojet arbënore , ajo do të kishte marshuar mbi Europen kristiane që dridhej shpesh nga frika… Gjithsesi Kuvendi i Lezhës  sot i perket historisë , por asaj historie me të cilen duhet të krenohemi në përjetësi ,sepse rreth gjashtë shekuj më parë , kemi qenë ndër të parët në Europë që kemi ditur të bashkojmë të gjitha forcat dhe trojet tona , dhe të krijojmë berthamen e një shteti unik , ku vetëm kështu të bashkuar kemi fituar…Ndaj ky është mesazhi kryesorë që nuk duhet ta harrojmë  as sot as mot…

BIBLIOGRAFI :

1.Gennaro Francione ,”Skenderbeu një hero Modern” ,fq30-31 , 189-190.

2.Dhimiter  Frangu , “Veprat e lavdishme  të Skenderbeut “ ,fq47 ,51-54 ,189.

3.Tajar  Zavalani ,” Histori e Shqiperisë”, fq.120-121.

4.At  Marin Sirdani , “Skanderbegu  mbas gojdhanave” ,fq.21-22 , 87-88.

Frang  Bardhi  ,”Skenderbeu”…

6.Serge  Metais ,”Histori e shqiptareve nga Iliret deri te pavaresia e Koseoves “,fq.244.

7.Edwin  Jacques ,”SHQIPTARET…” ,fq.204-205.

8.Marin  Barleti  ,”Historia e Skenderbeut…”

9.Virgjil  Kule , Gjergj Kastrioti Skënderbeu  -Kryqtari i fundit , fq.55-56.

10.Zhan  Klod Faveirial , “Historia më e vjeter e Shqiperisë” ,fq.283. 

11.Fan S. Noli ,Histori e Skenderbeut ,fq.34-35. 

Datë 02 mars 2022

Filed Under: Histori

NGRITJA E PAMUNDUR DHE HEROIZMI I PAFUND I VOLODYMIR ZELENSKY-IT

March 2, 2022 by s p

Si komediani ukrainas i kthyer në president, fitoi kontrollin e diçkaje, që asnjë ushtri nuk mund ta pushtojë, rrëfimin.

Nga Michael Idov. *

Përktheu, Rafael Floqi

Ndërsa po shkruaj këto radhë, Volodymyr Zelensky, lideri kombëtar më i pamundshëm në botë, sot mund të jetë thjesht më i popullarizuari në botë. Tashmë të gjithë e dinë skicën surreale të historisë së jetës së tij: që nga një komedian u bë i famshëm me një portret të një presidenti tw vërtetë, pastaj madje qw e kapërcen atë.

Zëri i dikurshëm ukrainas i Paddington Bear, ylli i një dyzine komedish të dobëta dhe një të mire, ai fillimisht ia nguli sytë Trumpit gjatë telefonatës së tyre “perfekte” – nëse ju kujtohet, ai qe 45 vjeçari u përpoq t’ia kushtëzonin ndihmën për Ukrainën me një “favor të vogël, “d.m.th një hetim ndaj Bidenëve, dhe u fajësua për problemet e tij – dhe tani po sheh si Putini i ka rrethuar rrugët e kryeqytetit të tij.

Një pjesë e madhe e rezonancës globale të Zelenskit është se ai duket se po i përshtatet një tipi që të gjithë e njohin në mbarë botën, sepse, falë mijëvjeçarëve të persekutimit, ky lloj ekziston në mbarë botën: një burrë i urtë hebre. Ideja që një prej tyre (prej nesh, duhet të them), të bëhet një ikonë e kohës së luftës është në vetvete një shaka e përsosur çifute. Ai është si Woody Allen në Bananas, është si Dustin Hoffman në Ishtar, apo si Ben Stiller në Tropic Thunder. Por se ndryshe ky është në jetën reale. Dhe rrezikon vdekjen e vërtetë.

Historia e vërtetë e ngritjes së 44-vjeçarit Zelensky është pak më e ndërlikuar dhe flet më shumë për rrëmujën kulturore tepër të çrregullt që ekziston midis Rusisë dhe Ukrainës, sesa për ndonjë stereotip të lehtë. Rrënjët e tij të biznesit dhe komedisë qëndrojnë në KVN, një fenomen i vjetër i showbizit rus, titulli i të cilit është një akronim sovjetik të mykur – “Klubi për të gëzuarit dhe të shkathëtit”. KVN është një koncept i çuditshëm, por pa dyshim origjinal: Imagjinoni sikur komedia e skeçit të funksiononte si një sport profesionist, me ekipet e qytetit që luftojnë njëra-tjetrën për një vend në ligën kryesore dhe ndeshjet kryesore të transmetuara në televizion.

Trupa e Zelensky-t, e quajtur Tremujori 95, interpretoi në Kryvyi Rih-një qytet ukrainas-por performoi në rusisht, gjë që më pas konsiderohej jo vetëm normale, por edhe e pritshme. Ai ishte kapiten i ekipit (me pseudonimin “Vovan”). Pasi Tremujori 95 u shfaq në televizionin rus, Zelensky dhe dy partnerët, Sergei dhe Boris Shefir, formuan një kompani prodhimi me të njëjtin emër. Studioja e tyre prodhoi dhjetëra shfaqje dhe evente për tregjet e të dy vendeve, duke përfshirë “Dancing with the Stars” ukrainas, të cilën vetë Zelensky e fitoi në 2006 (dhe po, kjo do të ishte sikur Simon Cowell të fitonte America’s Got Talent).

Përafërsisht në të njëjtën kohë, Zelensky filloi të prodhonte, bashkë-shkruante dhe ndonjëherë të luante në komedi ruse të lehta, shumica e tyre të drejtuara nga një regjisor i arsimuar në SHBA, i quajtur Marius Vaysberg. E para është përfaqësuese titullohet: “Dashuria në qytet” e vitit 2009, rreth tre miqve që jetojnë në Nju Jork kur një mallkim nga një zanë magjike (e luajtur, në një moment përfshirjeje ose homofobie ose të dyjave, nga ylli fantastik i popit Filipp Kirkorov) që largohet. Por ata ishin të pafuqishëm derisa gjetën dashurinë e vërtetë-politikën.

Edhe kur iu kthye drejt politikës, Zelensky nuk e la saktësisht karrierën e tij të komedisë në prapavijë. Komedia e tij e fundit dhe me gjasë e fundit e Vaysberg, I, You, He, She, doli në kinema në të njëjtin muaj kur ai u bë president – sigurisht një premierë historike. Çuditërisht, në disa prej këtyre filmave rusë, Zelensky punoi me njerëzit që tani de facto uronin vdekjen e tij: si regjisori ashtu edhe bashkë-ylli i tij në “An Office Romance“, Sarik Andreasyan dhe Marat Basharov,të cilët kanë brohoritur publikisht pushtimin e Ukrainës. Shërbëtori I Popullit qe, sitcom-i i 2015-ës që e bëri Zelensky një figurë të vërtetë publike, ishte një përmirësim i madh në krahasim me punët e tij të tjera. Ishte një satirë e filmuar mirë dhe e përzemërt e politikës ukrainase, që guxonte të imagjinonte një njeri thelbësisht të denjë për sallat e pushtetit (mendoni z. Smith shkon në Kiev). Interesante, Zelensky ende luajti rolin e tij në rusisht. Ai u largua nga Tremujori 95 për të kandiduar për postin, por e quajti partinë e tij “Shërbëtor i Popullit” pas serisë, duke siguruar një vazhdimësi jashtëzakonisht të qetë nga KVN në politikë; kjo ishte edhe kur ai më në fund ndërroi edhe gjuhët.

Fitorja dërrmuese e Zelensky në vitin 2019 kundër presidentit Petro Poroshenko dukej si çudia më e egër e komplotit që mund të imagjinohej. Në fakt, gjërat mund të kishin qenë akoma më të çmendura: Krahas tij në të njëjtat zgjedhje kandidoi, një nga këngëtaret më të mira të rock-ut të Ukrainës, Slava Vakarchuk e grupit Okean Elzy, e cila ndryshe nga Zelensky nuk performoi kurrë në rusisht. Vakarchuk nuk ishte thjesht një kandidate e besueshme, por zgjedhja e parë për një pjesë të madhe të të rinjve përparimtarë, të cilët e shihnin centrizmin e Zelenskyt si një Plan B, gati i papranueshëm. Frika ishte – si për ironi – se ai do të ishte shumë komod me Rusinë.

Si president, rekordi i brendshëm i Zelensky në kohë paqeje ishte i tillë. Disa nga kolegët e tij të Tremujorit 95 e ndoqën atë në qeveri, gjë që ngriti vetullat e publikut. Duke premtuar se do të luftonte korrupsionin, ai kishte në vend të kësaj, në gjykimin e Qendrës Wilson shenja dyvjeçare dalluese e presidencës së tij, “ndërtoi një pushtet vertikal informal që ishte larg çdo parimi të qeverisjes së mirë apo sundimit të ligjit”. Ai i kapërceu kufijtë e pushtetit presidencial në demokraci, duke ndaluar drejtpërdrejt tri rrjete televizive jo miqësore. Ndërsa forcat ruse u grumbulluan në kufij, ai luajti një lojë të turbullt në menaxhimit të pritshmërive që dukej se po i frustronte të gjithë. Deri më 21 shkurt 2022, kryeredaktorja e Kyiv Independent e quante Zelenskin “mediokër dëshpërues” në një shkrim të zemëruar: “Gjestet, për të,” shkroi ajo, “janë më të rëndësishme se sa pasojat”.

Dy ditë më vonë, Rusia e pushtoi Ukrainën.

Papritur, gjestet e duhura nuk ishin thjesht të mirëpritura, por thelbësore. Vetëm disa orë pas luftës, ishte krejt e qartë se, ndërsa rusët mund ta mposhtnin Ukrainën ushtarakisht, ukrainasit kishin rrëmbyer kontrollin e fortë mbi një diçka që asnjë ushtri nuk mund t’ja hiqte: narrativën. Me fjalë të tjera, ata arritën epërsi të patejkalueshme me meme. Fraza “Vendosni disa fara luledielli në xhepat tuaj” nuk ka nevojë  më për shpjegim. Djemtë e rastësishëm që ndërpresin transmetimet e drejtpërdrejta u bënë yje viralë. Marka ukrainase e humorit sfidues, fatalist, të ndyrë të shëndetshëm, u kthyer përsëri te shteti dhe te kozakët e që të dyja, kanë pushtuar tani botën. Duket se ka një lidhje të drejtpërdrejtë nga përgjigja mitike e Zaporozhianëve të vitit 1676 që iu drejtuan sulltanit turk (“Nga toka dhe nga deti do të luftojmë me ty. Q… nënën tënde”) ashtu si ata që iu drejtuan “Anijes luftarake ruse, shko q…. veten”. Dhe në krye të të gjithave këtyre qëndron vetë Zelensky. Asnjë burrë nuk ka kaluar dot nga shakatë në legjendë kaq shpejt.

U deshën tri deklarata, secila një pikë kthese. I pari ishte fjalimi në prag të luftës, i mbajtur, edhe një herë, në rusisht dhe që synonte popullin rus. “Ju është thënë se unë do të bombardoj Donbasin”, tha Zelensky, duke kundërshtuar justifikimin zyrtar të Kremlinit për sulmin. “Çfarë të bombardoj? Stadiumin ku unë dhe djemtë vendas bënim tifo për ekipin tonë në Euro 2012? Apo lokalin ku u dehëm  kur humbën? Luhansk-un, ku jeton nëna e mikut tim më të mirë?

Ai kontrolloi me emër arenën, rrugën ku qëndronte lokali, vetë lokalin; ai po sillej si prind i një fëmije të rrëmbyer në një film, duke iu drejtuar rrëmbyesit në lajmet televizive dhe duke thënë vazhdimisht emrin e fëmijës. Ishte një lojë e dyfishtë tepër e zgjuar e Zelenskyt dhe ai e dinte qartë se kjo taktikë ishte një lloj klisheje hollivudiane dhe e përdori atë si për qëllimin e saj të drejtpërdrejtë (humanizimin e ukrainasve) ashtu edhe për qëllimin e tij të quajtjes së (Putinit si një vrasës serial).

Komunikimi i dytë që ndryshoi lojën ishte përgjigja e tij e shkurtër dhe menjëherë legjendare ndaj amerikanëve që u ofruan për ta evakuar nga kryeqyteti: “Kam nevojë për municion, jo për një udhëtim”. E treta ishte edhe më e thjeshtë. Ishte një video modeste e kamerës së përparme e xhiruar në rrugët e natës të Kievit, anëtarët e kabinetit duke e përqafuar si një pozitë sfiduese, me një mesazh për Ukrainën dhe botën: “Ne jemi ende këtu”.

Memifikimi i Zelenskit është dërrmues në të qenët i menjëhershëm. Ka punë të Captain Ukraine me Photoshop që vendosi në kokën e në trupin e Chris Evans. Foto të panumërta në kontrast me të, me një xhaketë zjarrfikseje dhe jelek antiplumb, si Ted Cruz që rrotullon valixhen e tij nëpër aeroport, ose si Trump me veshjen e tij të golfit. Madje edhe vetë Trumpi, me sa duket mik i Putinit, po lavdëron Zelenskin tani, duke bërë që një vëzhgues të vërë në dukje se “tani presidenti i Ukrainës është njeriu më burrëror… ja pra si gjerat e fiksuara ndryshojnë”.

Një nëngrup interesant i këtij miti të menjëhershëm e riformulon Zelenskyn. si gangster: Videoja “Ne jemi akoma këtu” u bë edhe më e popullarizuar me instrumentin e shtuar nga “Shook Ones” nga Mobb Deep bumping në sfond. Portretet e tij me një ngjitëse të shtuar “tekste eksplicite” shtohen. Të shtunën, Jeremy Renner u bë trend në Twitter për të vetmen arsye që njerëzit vendosën se ai dukej mjaftueshëm si njeriu që do ta luante atë në filmin e pashmangshëm. (Unë nuk e shoh atë).

Natyrisht, kjo është mënyra se si ne përballemi me traumën e të paimagjinueshmes. Tifozllëku ndaj Zelenskyt si një hakmarrës është e njëjta taktikë shkëputjeje e shëndetshme që ka bërë, në kulmin e pandemisë COVID-19, që shndërroi në perëndi seksi Fauci dhe (më vjen keq t’jus kujtoj) Cuomo-n. Ne jemi krijesa të thjeshta dhe ku s’shkon mendja.

Por ka edhe një avantazh të sëmurë në të. Kjo është hera e parë në jetën time që po shkruaj për presidentin e një vendi, duke shpresuar se ai nuk do të vritet derisa ta mbaroj shkrimin. Periudha aktuale e adhurimit të Zelenskyt është e ndryshme nga terheqja  jonë normale ndaj një politikani, sepse këtë herë duam që ajo të funksionojë edhe si një magji mbrojtëse. Ne po bëjmë një idhull pop, nga një njeri që mund të sakrifikojë jetën e tij, ndërsa ne flasim, nëse jo live në transmetim, atëherë diçka shumë më afër. Ne po bëjmë nderime shakasë si izolim ndaj një të vërtete më të frikshme: Zelensky nuk është një superhero, as një meme, as një enë për fantazitë tona hakmarrëse kundër Putinit. Ai është një njeri që u ngrit mbi këtë rast. Gjithçka që mund të bëjmë në të vërtetë është ta shikojmë atë dhe të shpresojmë që, nëse jemi thirrur për një detyrë të tillë të paimagjinueshme, dhe që ne brenda vetes ta bëjmë të njëjtën gjë.

• MICHAEL IDOV (@michaelidov në Twitter) është një regjisor dhe skenarist qe jeton ne Los Angeles, ish-kryeredaktor i GQ Rusia

Filed Under: ESSE

Fjalimi i Presidentes von der Leyen në Seancën Plenare të Parlamentit Evropian lidhur me agresionin rus kundër Ukrainës

March 1, 2022 by s p

Bruksel, 1 mars 2022, Zonja Presidente, Të nderuar Deputetë,

Lufta është kthyer në Evropë. Pothuajse tridhjetë vjet pas luftërave Ballkanike dhe më se gjysmë shekulli pasi trupat sovjetike kishin marshuar në Pragë dhe Budapest, sirenat e mbrojtjes civile u dëgjuan sërish në zemër të një kryeqyteti evropian. Mijëra njerëz që ikin nga bombat, u strehuan në stacione nëntokësore – duke mbajtur duart, duke qarë heshturazi, duke bërë përpjekje për të ngritur disponimin. Automjetet u rreshtuan drejt kufijve perëndimorë të Ukrainës, e kur shumë prej tyre shpenzuan karburantin, njerëzit morën fëmijët dhe çantat e shpinës dhe ecën për dhjetëra kilometra drejt Bashkimit tonë Evropian. Ata kërkuan strehë brenda kufijve tanë, sepse vendi i tyre nuk ishte më i sigurt. Sepse brenda Ukrainës, ka filluar numërimi i tmerrshëm i vdekjeve. Burra, gra dhe fëmijë po vdesin, edhe një herë, sepse një udhëheqës i huaj, Presidenti Putin, ka vendosur që vendi i tyre, Ukraina, të mos ketë të drejtë të ekzistojë.

Të nderuar Deputetë,

Ky është moment i së vërtetës për Evropën. Më lejoni të citoj editorialin e një gazete ukrainase, Kyiv Independent, botuar pak orë para fillimit të pushtimit: “Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën. Është përplasje e dy botëve, dy grupeve të vlerave të ndara në pole.’ Kanë shumë të drejtë. Kjo vërtet është përplasje mes sundimit të së drejtës dhe sundimit të armës; midis demokracive dhe autokracive; mes rendit të ndërtuar mbi rregulla dhe një bote agresioni krejtësisht të zhveshur. Mënyra se si ne reagojmë sot ndaj asaj që po bën Rusia do të përcaktojë të ardhmen e sistemit ndërkombëtar. Fati i Ukrainës është në rrezik, por edhe vetë fati ynë qëndron në fije peri. Ne duhet të shfaqim fuqinë që qëndron në demokracitë tona, fuqinë e njerëzve që zgjedhin rrugët e tyre të pavarura, lirisht dhe në mënyrë demokratike.

Sot, ky Bashkim prej gati gjysmë miliardë njerëzish është mobilizuar për Ukrainën. Populli i Evropës po demonstron përpara ambasadave ruse në të gjithë Bashkimin tonë. Shumë prej tyre i kanë hapur shtëpitë e tyre për ukrainasit – që ikin nga bombat e Putinit. Dhe më lejoni të falënderoj veçanërisht Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Hungarinë, për mirëpritjen e këtyre grave, burrave dhe fëmijëve. Evropa do të jetë aty për ta, jo vetëm në këto ditë të para, por edhe në javët dhe muajt në vijim. Kjo është arsyeja pse po propozojmë të aktivizojmë mekanizmin e mbrojtjes së përkohshme për t’u ofruar status të sigurt si dhe qasje në shkolla, kujdes mjekësor dhe punësim. Ata i meritojnë këto. Ne e dimë se ky është vetëm fillimi. Më shumë ukrainas do të kenë nevojë për mbrojtjen dhe solidaritetin tonë. Ne jemi dhe do të jemi aty për ta.

Unioni ynë po demonstron unitetin e qëllimtë, gjë që më bën krenare. Me shpejtësinë e dritës, Bashkimi Evropian ka miratuar tri valë sanksionesh të rënda kundër sistemit financiar të Rusisë, industrive të saj të teknologjisë së lartë dhe elitës së saj të korruptuar. Kjo është pakoja më e madhe e sanksioneve në historinë e Bashkimit tonë. Nuk kemi vendosur me aq lehtësi këto masa, por mendojmë se duhet të veprojmë. Këto sanksione do të dëmtojnë rëndë ekonominë ruse dhe Kremlinin. Ne po shkëputim bankat kryesore ruse nga rrjeti SWIFT. Po ashtu kemi ndaluar transaksionet e bankës qendrore të Rusisë, institucionit të vetëm financiar më të rëndësishëm në Rusi. Kjo paralizon miliarda rezerva valutore, duke mbyllur rubinetin e luftës së Putinit.

Së dyti, po shënjestrojmë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë ruse. Ne po e bëjmë të pamundur që Rusia të avancojë rafineritë e saj të naftës; të riparojë e modernizojë flotën e saj ajrore; si dhe që të ketë qasje në shumë teknologji të rëndësishme, që i nevojiten për të ndërtuar një të ardhme të begatë. Ne kemi mbyllur qiellin tonë për avionët rusë, duke përfshirë avionët privatë të oligarkëve. Që të mos kemi paqartësi: Ne do të ngrijmë edhe pasuritë e tjera të tyre

– qofshin jahte apo makina të shtrenjta, prona luksoze.

Së treti, në një tjetër hap të paprecedentë, po i pezullojmë lejet e makinerisë propagandistike të Kremlinit. Kompanitë shtetërore Russia Today dhe Sputnik, si dhe filialet e tyre, nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për të arsyetuar luftën e Putinit dhe për të përçarë Bashkimin tonë. Këto janë veprime të paprecedentë nga Bashkimi Evropian dhe partnerët tanë, si reagim ndaj një agresioni të paprecedentë nga Rusia. Secili prej këtyre hapave është koordinuar ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Norvegjia, por edhe p.sh. Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia. Që nga kjo ditë, më se 30 vende – që përfaqësojnë më se gjysmën e ekonomisë botërore – kanë vendosur gjithashtu sanksione dhe kontrolle të eksporteve mbi Rusinë. Nëse Putini ka synuar të përçante BE-në, të dobësonte NATO-n dhe të thyente komunitetin ndërkombëtar, ka arritur pikërisht të kundërtën.

Të nderuar Deputetë,

Jam plotësisht e vetëdijshme se këto sanksione do të kenë një kosto edhe për ekonominë tonë. Unë e di këtë dhe dua t’u flas sinqerisht njerëzve të Evropës. Kemi përjetuar tashmë dy vite të pandemisë. Të gjithë ne uruam që të fokusoheshim në rimëkëmbjen tonë ekonomike. Por besoj se njerëzit e Evropës e kuptojnë shumë mirë se ne duhet të ngrihemi kundër këtij agresioni mizor. Po, mbrojtja e lirisë sonë ka një çmim. Por ky është një moment përcaktues. Dhe ky është çmim që ne jemi të gatshëm ta paguajmë. Sepse liria është e paçmuar.

Investimet tona sot do të na bëjnë më të pavarur nesër. Po mendoj para së gjithash për sigurinë tonë energjetike. Thjesht nuk mund të mbështetemi kaq shumë tek një furnizues që na kërcënon në mënyrë të qartë. Kjo është arsyeja pse kemi kontaktuar furnizues të tjerë globalë. Dhe ata janë përgjigjur. Norvegjia tashmë po vepron. Në janar kemi pasur furnizim rekord me gaz të lëngshëm natyror. Ne po ndërtojmë terminale të reja të GLN-së dhe po punojmë në ndërlidhjen e tyre. Por në planin afatgjatë, është kalimi ynë tek burimet e ripërtërishme dhe hidrogjen ai që do të na bëjë vërtet të pavarur. Duhet të përshpejtojmë tranzicionin e gjelbër. Sepse çdo kilovat-orë energji elektrike që Evropa prodhon nga energjia diellore, era, hidrocentralet dhe biomasa, redukton varësinë tonë nga gazi rus dhe importet e tjera të energjisë. Ky është investim strategjik. E mbi të gjitha, më pak varësi do të thotë edhe më pak para për llogaritë e luftës së Kremlinit.

Kur jemi të vendosur, Evropa mund t’i përgjigjet sfidës. E njëjta vlen edhe për mbrojtjen.  Siguria dhe mbrojtja evropiane ka evoluar më shumë në gjashtë ditët e fundit sesa në dy dekadat e fundit. Shumica e shteteve anëtare kanë premtuar dërgesa të pajisjeve ushtarake në Ukrainë. Gjermania ka njoftuar se do të përmbushë objektivin prej 2% të NATO-s sa më shpejt të jetë e mundur. Ndërsa Bashkimi ynë, për herë të parë ndonjëherë, po përdor buxhetin evropian për të blerë dhe dorëzuar armë në një vend që po sulmohet. 500 milionë euro nga Fondi Evropian i Paqes, për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës. Si dërgesë e parë, ne do t’i përgjigjemi kësaj me të paktën 500 milionë euro nga buxheti i BE-së për t’u marrë me pasojat humanitare të kësaj lufte tragjike, si brenda vendit ashtu edhe për refugjatët.

Të nderuar Deputetë,

Ky është një moment vendimtar për Bashkimin tonë. Ne nuk mund ta marrim si të mirëqenë sigurinë tonë dhe mbrojtjen e njerëzve. Ne duhet të ngrihemi e të qëndrojmë drejt. Ne duhet të investojmë në të. Ne duhet të mbajmë pjesën tonë të duhur të përgjegjësisë.

Kjo krizë po ndryshon Evropën. Por, edhe Rusia ka arritur tek udhëkryqi. Veprimet e Kremlinit po dëmtojnë rëndë interesat afatgjata të Rusisë dhe popullit të saj. Përditë, më shumë rusë po e kuptojnë këtë. Ata tashmë po marshojnë për paqe dhe liri. Dhe si i përgjigjet Kremlini kësaj? Duke arrestuar mijëra qytetarë. Por, përfundimisht, rrugëtimi për paqe dhe liri nuk mund të heshtet. Ekziston një Rusi tjetër përtej tankeve të Putinit. Ne shtrijmë dorën tonë të miqësisë ndaj kësaj Rusie tjetër.

Të nderuar Deputetë,

Në këto ditë, Ukraina e pavarur po përballet me orën e saj më të errët. Në të njëjtën kohë, populli ukrainas po mban lart pishtarin e lirisë për të gjithë ne. Ata po shfaqin guxim të jashtëzakonshëm. Ata po mbrojnë jetën e tyre. Por ata po luftojnë edhe për vlerat universale dhe janë të gatshëm të vdesin për to. Presidenti Zelenskyy dhe populli ukrainas janë vërtet frymëzim. Kur folëm për herë të fundit, ai më tregoi përsëri për ëndrrën e popullit të tij për t’u bashkuar me Unionin tonë. Sot, BE-ja dhe Ukraina janë tashmë më afër se kurrë. Gjithsesi që ka rrugë të gjatë për t’u kaluar. Ne duhet t’i japim fund kësaj lufte. Dhe ne duhet të flasim për hapat e ardhshëm. Por jam e sigurt: Askush në këtë hemisferë nuk mund të dyshojë se një popull që qëndron me kaq guxim për vlerat tona evropiane, i përket familjes sonë evropiane.

Rroftë Evropa. Dhe rroftë Ukraina e lirë dhe e pavarur. My z vamy. Slava Ukraini.

SPEECH/22/1483

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT