• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2022

DINASTIA SHQIPTARE KRUTA, NJË EMËR I NDERUAR SHQIPTAR NË ZARËN E MESJETËS

March 27, 2022 by s p

Studimi i historisë së familjeve fisnike shqiptare që kishin lënë atdheun dhe ishin vendosur në qytetet bregdetare të Adriatikut, paraqet një sfidë me shumë të papritura për studiuesin dhe historianin, me befasi të këndshme dhe me shtimin e kureshtjes për një njohje sa më të thellë e për disa që e kërkojnë identitetin te rrënjët historike madje edhe një lloj krenarie për të qenët pasardhës të tyre.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Për shumë nga këto familje as që dihet e as që është shkruar ndonjëherë. Pa të drejtë ato kanë mbetur të mbuluara me pluhurin e harresës, duke qëndruar në heshtje, duke pritur me shpresën e shekujve se një ditë do të shkunden pluhurat nga gjithë ato histori të mbyllura në arkiva e biblioteka, plot me fragmente ngjarjesh, por edhe titujsh fisnikërie e shkence, shkëlqim në hierarkinë kishtare, tregti e ekonomi, arte luftarake e njohje të shkëlqyeshme të së drejtës ndërkombëtare – avokati – e shumë e shumë sfera të tjera.

Arkivat e qyteteve të sotme dalmatinase, “Komunave” të dikurshme mesjetare, ruajnë me kujdes një lëndë burimore-dokumentare shumë të pasur dhe të vëllimshme për historinë e popullit shqiptar, por ka edhe një veçori tjetër se po në këto arkiva, ruhen dokumente, dorëshkrime, stema, gjenealogji dhe material tjetër shumë i vlefshëm për familje të shquara shqiptare me shtetësi të këtyre komunave, që ata shekuj më parë, por edhe sot, i konsideronte të tyret, krenohej me ta, e rrallë herë ndonjëri syresh shënon se kjo ose ajo familje ishte me origjinë shqiptare ose vinte nga Drishti, Shkodra, Lezha, Danja apo Sapa, Durrësi, Vlora apo Vregu… etj.

Në Arkivin Historik të qytetit të Zarës ruhen shumë dokumente jo vetëm për njërën prej kolonive më karakteristike dhe më në zë shqiptare – Arbneshin (Borgo Erizzo, Arbanasi) por edhe për familje fisnike të tjera shqiptare që jetuan në këtë qytet, si Albanese, Bardhi, Bruti, Dukagjini, Dushmani, Gjergji, Gjini, Kamsi, Kruta, Lindi, Mesili, Progoni, Skarpa, Skura, Spani, Shtjefni, Zguri, (ne i cituam sipas radhës alfabetike këto familje për të cilat ruhen dokumente pranë arkivit të cekur) etj.

Duke studiuar historinë e këtyre familje fisnike shqiptare, ne kësaj radhe jemi përqendruar te familja Kruta, për t’u njohur me historinë e saj, origjinën dhe pinjollët që bënë emër dhe u nderuan jo vetëm në Shqipëri por edhe në “atdheun e dytë” Zarën e “tyre të dashur” siç e shkruajnë ata vetë në dokumente të kohës.

Rreth origjinës dhe lashtësisë së kësaj familje fisnike shqiptare ekzistojnë disa të dhëna fragmentare. Më të sakta janë shënimet për vendndodhjen e saj në Shqipërinë e Veriut që i gjejmë në “Kadastrin e Shkodrës”. Aty shënohet se familja Kruta jeton në fshatin Kakariq dhe Krute.

Në Kakariq në vitin 1416 kryefamiljar është Gjergj Kruta, ndërsa në Krutë si kryefamiljarë shënohen: Gjergji, Toma e Pali. Në Krutë si kryeplak të fshatit në vitin 1440 gjejmë sipas dokumenteve Ndre Krutën. Përveç këtyre dy fshatrave në territorin e Shkodrës, Lezhës dhe Ulqinit hasim edhe disa toponime të tjera Kruta të cilat duhet të kanë lidhje me familjen e madhe Kruta.

Në Zarë, kjo familje për herë të parë sipas dokumenteve që ruhen në Arkivin Historik të këtij qyteti, përmendet në vitin 1474. Është Pal Kruta (në origjinal Paul Cruta Albanese) ai që posedon një shtëpi afër kishës françeskane në Zarë, e dhënë kjo e nxjerrë sipas regjistrit të familjeve fisnike që jetonin në këtë qytet.

Kurse disa vite më vonë sipas një testamenti të ruajtur gjejmë edhe Margaritën vajzën e Nikë Krutës e cila është trashëgimtarja kryesore e pasurive të paluajtshme. Ajo duhet të kujdeset, gjithnjë sipas testamentit, që një pjesë e pasurisë së të atit Nikës, të shkonte te kushërinjtë e parë në Krutë të Shqipërisë.

Në vitet në vijim trungu i familjes së Krutajve rritet dhe ata i gjejmë në profesione të ndryshme si p.sh. udhëheqës të njësitit ushtarak të qytetit. Të tillë janë Ujk Kruta, pastaj Vlashi dhe Pali, të cilët këtë funksion e trashëgojnë njëri pas tjetrit. Jak Kruta bën emër si kapiten i barkave të armatosura pranë njësive të marinës detare të Republikës së Shën Markut (barche armate centro Uscochi) që luftonin kusarët në Adriatik.

SIMON KRUTA

Një figurë interesante është Simon Kruta. Për këtë fisnik shqiptar shumë gjëra i mësojmë nga testamenti i tij që ruhet në Arkivin e qytetit të Zarës, i cili është shkruar më 9 janar të vitit 1626, sa ishte gjallë Simoni dhe gëzonte shëndet, fizik e psikik të mirë. Simoni ishte i biri i Jak Krutës të lartcekur dhe ishte me origjinë nga Kakariqi.

Sipas regjistrit të qytetarëve fisnikë të qytetit të Zarës të asaj kohe, Simoni Kruta ishte kapiten në një njësit elite të marinës detare të Venedikut dhe kishte shtëpinë e tij me një kopsht në qendër të qytetit, afër katedrales. Për zbatimin e dëshirës së tij të fundit (sipas testamentit) Simoni kishte përcaktuar kryedhjakun e kishës së Ninit, të mirënjohurin dhe shumë të nderuarin át Mate Utivensin.

Një pjesë e mirë e pasurisë së Simonit ishte e shpërndarë tek persona të ndryshëm kryesisht shqiptarë dhe zbatuesi i testamenti duhej të kujdesej që ato borxhe të shlyheshin dhe të shkonin te personat e cekur në testament sipas dëshirës së Simon Krutës.

Për ne është shumë i rëndësishëm ky fakt sepse mund t’i bëjmë një analizë pozitës ekonomike, jo vetëm të Simon Krutës dhe familjes së tij, por edhe të shqiptarëve që jetonin e vepronin në Zarë, por që nuk i gjemë në burime e dokumente të tjera. Domenik Leka, p.sh. tregtar shqiptar i cili jetonte në Zarë i detyrohej Simonit 150 dukate.

Kur ai të shlyente këtë borxh, paratë duhej t’i dhuroheshin Marjetës (vajzës së të ndjerit Dhimitër Malsorit edhe ky shqiptar nga Shkodra), që ishte bashkëshortja e Simonit. Ndërsa Mateu (që ishte kroat) i cili jetonte në Biograd (afër Zarës) duhej të paguante 40 reale që kishte marrë për të siguruar grurë dhe gjëra të tjera të domosdoshme për furnizimin e familjes e Simonit, por që nuk kishte bërë asnjë veprim edhe përkundër obligimeve të marra. 

Borxhin duhej t’ia kthente Marjetës. Këpucari shqiptar nga Drishti, Mate Pellushi duhej të shlyente borxhin prej pesë realësh për shkak se nuk kishte mbajtur premtimin për të punuar një çantë dhe tre palë këpucë burrash e një palë femrash. Kushëriri Jak Kruta (i riu) i cili jeton në Itali (nuk shënohet qyteti se ku jeton) duhet të shlyente borxhin prej 80 dukatesh, të cilat Simoni ia dhuron nipit Mhillit.

Vajzës Anjezës i le si trashëgim fermën me të tëra kafshët që ndodhet në Shën Filip e Jakob (San Filippo e Giacomo), e cila ishte dhënë me qira për tre vjet, Vuletë Kuzhinoviqit. Djalit, Ndreut, i len si trashëgim rrobat e tij të fisnikut dhe ato ushtarake.

Kurse armët që dispononte si ato luftarake personale dhe ato të trashëguara nga familjarët dhe të tjerat të marra si dhurata, një pjesë e të cilave ishin edhe të praruara në flori, duhej t’i ndanin së bashku i biri Ndreu dhe nipi Mhilli, që të dy pjesëtarë të njësive elite të marinës venedikase.

Si edhe në raste të tjera të testamenteve të shqiptarëve, edhe me këtë rast vihen re lidhje me atdheun – Shqipërinë – dhe pjesëtarët e familjes që jetonin. Simoni, tërë pasurinë e tij që ka në Shqipëri ia lë trashëgim të bijës, Marisë, e cila jeton atje në fshatin Kakariq, ku ka shtëpi, kopsht, disa ara dhe një vresht me hardhi rrushi.

Kurse gjithçka tjetër që ka krijuar ai vetë gjatë jetës së tij të ndershme, ia lë trashëgim të birit Ndreut. Në fund të testamentit është një shënim ku thuhet se bashkëshortja Marjeta trashëgon të gjitha të mirat e lartcekura, edhe pse ajo kur u martua me Simonin nuk kishte sjellë pajë, pasuri apo të mira tjera materiale (Nuk shënohen arsyet për një shënim të tillë, e as pozita ekonomike e Marjetës apo familjes saj e cila ishte nga Shkodra).

Nëse shikojmë me kujdes të dhënat nga testamenti i Simon Krutës, por edhe të tjera nga burimet arkivore, atëherë mund të kemi një renditje kronologjike të dhjetë brezave – përgjatë shekujve XV – XVII – nga viti 1476 kur përmendet për herë të parë Gjergj Kruta e deri në vitin 1693, si kufi i fundit i studimit dhe hulumtimit tonë në arkivin e qytetit të Zarës.

Në vijën gjenealogjike mashkullore janë Gjergji, Pali, Nika, Ujku, Vlashi, Pali (II), Jaku, Simoni, Ndreu dhe Françeksu, kurse një gjë e tillë nuk mund të ndiqet me siguri për linjën gjenealogjike femërore edhe pse shpesh përmenden në testamente apo raste të tjera.

MHILL KRUTA

Një emër tjetër që kishte reputacion të mirë si udhëheqës (guvernadur) ushtarak i distriktit të Zarës është Mhill Kruta që përveç funksionit të përmendur ushtronte edhe funksionin e gjyqtarit dhe administratorit të përgjithshëm për tërë distriktin. Në burimet arkivore të dhëna për të gjejmë që nga viti 1620 ku njëra pas tjetrës renditen sukseset, trimëritë, zotësitë dhe shkëlqimi në artin luftarak.

Ndërsa kulmin e karrierës së tij ushtarake Mhilli e arrin në vitet dyzet të shekullit XVII nën flamurin e Republikës së Shën Markut, ku guvernadur i njësiteve të armatosura të Zarës merr pjesë në luftën e Kandisë duke u shquar veçanërisht me njësitë e tij personale të ashtuquajturit Soldati Albanesi.

Në këtë njësit bënin pjesë: njësiti i kalorësve të lehtë dhe të shpejt shqiptarë, kalorësit klasikë dhe këmbësoria. Në disa raste ato quhen edhe: Cavalleria Albanese dhe Cappelletti. Ndërsa në shtator të vitit 1646, Mill Krutën si udhëheqës të njësisë elite shqiptare, sipas dokumenteve, e ndeshim në disa beteja të ashpra që u bënë në këtë kohë rreth qytetit të Zarës ku doli ngadhënjyes duke u shpërblyer ndër të tjera edhe me tituj nderi të kohës.

Një sukses të rëndësishëm si strateg ushtarak Mhilli tregoi nga 21 gushti deri më 15 shtator të vitit 1647, në mbrojtjen e qytetit të Shibenikut nga sulmet turke. Vlen të theksohet trimëria dhe zotësia që Mhilli së bashku me njësitë e tij treguan në mbrojtjen e lagjes së Shën Martinit të këtij qyteti, ku edhe pse të ekspozuar ndaj rrezikut të përhershëm ata dolën ngadhënjimtarë, por duke humbur 7 oficerë dhe rreth 40 pjesëtarë të njësitit të tij elitë.

Për një luftëtar guximtar dhe të suksesshëm është normale që të përfundojë jetën e tij në luftë. Kjo ndodhi edhe me Mëhill Krutën, i cili u vra në qytetin e Risanit afër Hercegnovit, më 12 shkurt të vitit 1649. Duke e nderuar dhe respektuar këtë personalitet dhe udhëheqës ushtarak shqiptar, në kronikat e kohës gjejmë këto shënime për Mhill Krutën: “uno dei’ migliori capi, e de’ più fruttuosi, che militassero in questa guerra in Dalmacia”.

Edhe pse emër i njohur i kohës së tij, ai është fare pak i njohur për ne: edhe më pak është e njohur jeta e tij private. Sipas testamentit të tij që ruhet në Arkivin Historik të Zarës (21 janar 1649) ai ishte i martuar me Marinë, një shqiptare nga Shkodra dhe kishte dy djem dhe një vajzë.

FRANÇESK KRUTA

Është shumë e vështirë të vendosësh se për cilin nga pjesëtarët e familjes fisnike shqiptare Kruta të shkruash. Dilemat janë të shumta, sepse pothuajse të gjithë meritojnë një vëmendje të veçantë, të gjithë meritojnë nder e respekt për veprimtarinë e tyre të shquar në fusha të ndryshme të jetës, por edhe njëkohësisht për kujdesin që tregojnë çdonjëri prej tyre për familjen e ngushtë e të gjerë si në Zarë ashtu edhe në Shqipëri.

Kësaj radhe, për shkak të dokumenteve të shumta por edhe burimeve të tjera jemi përcaktuar të shkruajmë vetëm për disa nga pjesëtarët e familjes Kruta që u shquan si ushtarakë dhe udhëheqës të zotë.

Njëri ndër më të shquarit, jo vetëm në Zarë, por edhe më gjerë, ishte Françesk Kruta, i biri i Leonardit nga Kakariqi, dukë e kalorës shumë i nderuar e i respektuar për kohën kur jetoi. Emrin e tij si kapiten i marinës venedikas e hasim në vitin 1669. Në shumë dokumente Franceskun e gjejmë si zbatues të testamenteve të ushtarëve të tij, kryesisht shqiptarë, por edhe kroatë, vllehë, italianë, etj.

Ashtu si dhe kushëriri i tij Mhilli edhe Françesku u shqua si strateg në luftën e Moresë. Në vitin 1687, guvernatori venedikas Antoni Zeno, njofton Senatin e venedikut për sulmin që iu bë qytetit të Duvnos, ku në mbrojtje të tij u shqua sidomos Françesk Kruta me njësinë e tij elite.

Në vitin 1684 ishte kapiten i anijes së flotës së marinës venedikase “Constanza Guerriera”, ku në afërsi të Palermos anija ju fundos e ai së bashku me 300 marinarët mezi shpëtoi gjallë. Në vitin 1689 në luftimet për Neretvën e Poshtme, Françesk Kruta ishte udhëheqës i 6.000 (gjashtë mijë) ushtarëve, kalorës e këmbësorë, të cilët ngadhënjyen mbi forcat turke të cilat ishin disa herë më të shumta në numër.

Pas kësaj fitoreje ai fitoi besimin e shumë të krishterëve, të cilët ai i shpërnguli dhe i vendosi në territorin nën sundimin venedikas që t’u shmangeshin plaçkitjeve dhe sulmeve të vazhdueshme turke. Sipas burimeve arkivore, Françesk Kruta drejtoi luftimet edhe në qytetet e Duvons, Livnës, Ljubushkos etj.

Në një kronikë të kohës e cila ruhet në dorëshkrim në Arkivin Historik të qytetit të Zarës (f. 190-191), autori át Gaspër Vinjaliqi sjell këtë dëshmi të vrasjes së Dukës e Kalorësit Françesk Kruta: “Me brigadën më me shumë se 5 mijë ushtarë me përbërje të përzier, shqiptarë, vllehë, kroatë dhe kalorësi venedikase, komandat Kruta depërtoi në thellësi të Bosnjës duke mbërritur deri në vijen: Berkoviq-Podban-Selashkiq në ndjekje të ushtrisë turke nga Oshtrovci deri në Banja Llukë.

Gjatë kësaj kohe ai tri herë zbrapsi sulmet e ushtrisë turke. Mirëpo, turqve u erdhi në ndihmë Pashai i Bosnjës me një numër shumë të madh ushtarësh turq, kalorësish e këmbësorësh, të cilët sulmuan ushtrinë e komandant Krutës nga të gjitha anët. Duke parë rrezikun e humbjes, njëri prej vartësve të Krutës me një pjesë të vllehëve u tërhoqën në pyllin e afërt, duke i kërkuar edhe Krutës të bënte të njëjtin veprim.

Por ky duke qenë kokëfortë dhe trim i pafrikshëm nuk e pranoi një gjë të tillë dhe u ndesh me ushtrinë turke në fushëbetejë, që ishte një rrafshinë buzë një mali, ku kishin ikur vllehët. Kalorsit turq me forca të shumta sulmuan kalorësit venedikas. Përveç të tjerëve, në betejë u vra edhe komandanti dhe zëvendësi i tij, të dy shqiptarë.

Vllehtë duke vërejtur nga larg largimin e ushtrisë turke si fitimtare, kthehen në fushëbetejë dhe së bashku me pjesën e kalorësve që kishin shpëtuar, marrin trupat e shokëve të tyre të vrarë, duke mos lejuar që turqit t’i marrin ato dhe t’i gjymtojnë. Ata i varrosin të vdekurit, kurse të plagosurve u ofruan ndihmën e çastit.

Duke mos dashur që turqit të marrin vesh se ishte vrarë komandanti i tyre, vllehët, e tërhoqën mënjanë trupin e Françesk Krutës, i prenë kokën, e mbështjollën në lëkurë dhe e morën me vete për ta sjellë në Zarë. Kokën e varrosën në kishën e Shën Françeskut në Zarë, siç shihet edhe nga epitafi i varrit të tij.

Sipas shënimeve në epitafin e varrit (ku është varrosur vetëm koka, sepse trupi ka mbetur në fushëbetejë) thuhet se Françesk Kruta u vra në fushëbetejë afër Uskopoljes në vitin 1693. Për shkak të rëndësisë si burim i dorës së parë, ne po sjellin tekstin e epitafit të varrit të Françesk Krutës që sot lexohet me mjaft vështirësi për shkak të dëmtimeve të kohës.

TEKSTI I EPITAFIT TË FRAÇESK KRUTËS LATINISHT:

FRANCISCI CRVTTE EQVITVM CROATOR[UM] DVCTORIS
AC INTER SEREN[ISSIMA]REIPVB[LICAE] CONDVCTOS
CAPVT HIC CONDITVR EXIMII MILITARIS INGENII SEDE[M]
AC LAVREATOS CINERES HOSPES VENERARE
INTER ARMA ET AD ARMA NATO TOTA VITA MILITA FUIT
TESTIBVS ITALIA GRETIA ET DALMAT[IA]
TANDEM ADVERSVS TVRCAS INTER VVSCOPIE MO[N]TES
IN PVGNA ET VICTORIA OÇVBVIT
RELIGIONI ET PRINCIPI QVIBVS VIXERAT FIDELITER DECESSIT
ET QVIB[]US OMN[EM] AETATE[M] MORTE[M] QVOQ[AE] FORTITER CONSECRAVIT
RAPVIT SORS SEPVLCRO CADAVER
SED TOTVS ORBIS ET TVMVLVS ET COELO IPSO CLAVDITVR
EMENDAVIT GLORIA FORTVNE INIVRIAM
STAT N. IM[M]ORTALIS HONOR VIRTVTIS SI NON CINERIS
NOLVIT TOTVS CONDI SEPVLCRO QVI TOTVS NO[N] MORITUR
QUIN. CV[M] VIRTUTE CADIT VITAM NON FINIT
ET MORS NON EXTITV[M] SED PRECLARV[M] OPVS EVADIT
ANNO DOMINI MDCXCIII

PËRKTHIMI SHQIP I EPITAFIT TË FRAÇESK KRUTËS:

Françesk Krutës Dukës e Kalorësit kroat
I renditur në mes të ushtarakëve të së shkëlqyerës Republikë
Këtu pushon koka e shquar për aftësi të jashtëzakonshme të artit luftarak
Me nderim vizitojmë hirin e shpirtit fitimtar
I lindur në luftë dhe tërë jeta e tij ishte luftë
Siç dëshmojnë Italia, Greqia e Dalmacia
Pastaj ka rënë në luftën dhe fitoren kundër turqve
Në kodrat e Uskopoljes
Besnik i sundimtarit të cilit i shërbeu me besnikëri tërë jetën derisa vdiq
Të cilit tërë jetën e tij ia përkushtoi me trimëri
Kufomën e tij varri ia rrëmbeu fatit
Tuma e varrit të tij e mbuluar është nga qielli siç e shikon e tërë bota
Fama ka vërshuar stuhitë e padrejta
Duke ju dhënë nderin e pavdekshmërisë jo hirit po virtytit
Nuk ka dashur në varr të fshihet sepse nuk ka vdekur i tëri
Sepse kush i virtytshëm vdes nuk e përfundon jetën
E vdekja nuk ka sjellur humbjen por lavdinë e veprës

Në vitin e Zotit 1693

Pllaka me epitafin për Françesk Krutën tani ndodhet në anën veriore të kishës së Shën Françeskut në Zarë, jo larg lterit (altarit) dhe është dëshmi e respektit të madh për të, sepse është e vendosur në një vend nderi si shenjë përkujtimi e nderi të përhershëm për veprën dhe trimërinë e këtij duke, e kalorësi shqiptar të shekullit XVII. Në këtë kishë janë varrosur figurat më të nderuara dhe luftëtarët më të shquar të rajonit.

Në përfundim të këtij shkrimi të shkurtër do të shtonim që historia e shqiptarëve në diasporë është një fushë që kërkon fokus të veçantë. Edhe pse shkrime të tilla të shkurtra sensibilizojnë opinionin e gjerë dhe studiuesit e mirëfilltë për pasurinë e arkivave në lidhje me shqiptarët, reputacionin dhe aktivitetin e tyre në diasporë, mbetet e nevojshme që studimet të thella shkencore të ndërmerren në këtë drejtim.

Familja Kruta me përfaqësuesit më të përmendur të saj që sollëm më lart është vetëm një ndër rastet e shumta të familjeve të tilla në Dalmaci. Të tilla familje me prejardhje shqiptare e me influencë lokale ka shumë dhe sa më shumë t’i studiojmë ato në mënyrë të mirëfilltë shkencore aq më shumë do të pasurojmë edhe botëkuptimin tonë për historinë e popullit shqiptar dhe të shkuarën e tij, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por kudo që janë ndodhur.

Filed Under: Histori

Eduard Grishaj, bardhësia e një shpirti inteligjent dhe origjinaliteti artistik

March 27, 2022 by s p

Dr. Ermira Ymeraj/

Për Edin, për njerëz të vetëdijshëm e me qytetari dhe me një rrugëtim të sigurte në fushën e studimeve, të ndërprerë tragjikisht është e denjë të mësojmë nga puna e tij dhe prej saj të nxjerrim besimin se Shkodra e kulturuar dhe rrethi i studiuesve ka përse ta kujtojë me krenari dhe mirënjohje emrin dhe kontributin studimor të Eduard Grishës.

Universiteti ynë dhe rrethi filologjik ku studioi Edi, humbi fizikisht djalin inteligjent dhe të kulturuar që shkencën e deshi deri në shtratin e një doktrine, kjo nisur nga efektiviteti dhe morali i studiuesit që ai përcolli ndër ne.

Shumica e studiuesve të grupit tonë fituan njohuri e aftësi dhe u kthyen në vendet e tyre të punës, pa shprehur energjitë e tyre. Ndërsa Edi, që nga 2010 ngjalli respekt për punën e tij studimore në rrethin e profesorëve dhe tonin, për seriozitetin e studimeve, për ngjalljen kulturore të qytetit, për avancimin në numër të studimeve në fletoret kulturore të studimeve letrare e historike. Atdhe i dytë për Edin ishte serioziteti në atë që studionte.

Mes mureve plot pengesa, dhe thepisjes nga kultura amatoreske, Edi dallohej, ai hyn tek ata studiues që ndërtonin skenën e tyre deri në një shfaqje të përkorë, ndryshe studimi i tij nuk merrte rrugën e botimit.

Besoj se këtë e mësova mirë se nga gjithë bashkëpunimet dhe rrugëtimi i përbashkët mbeti sot e kësaj dite te unë: Edi djali me zgjuarsinë e mendjes, qëndrueshmërinë dhe këmbënguljen ndaj përpjekjeve serioze dhe temperamentin e qetë.

E gjithë kjo e vendos Edin në atë rang njerëzish që të frymëzojnë e për të cilët respekti është vetëm një e dhënë, të dhënat e tjera janë se gjithçka çka Edi la dorëshkrim, do duhen t’i jepen lexuesit të çdokohshëm për vetë vlerat që ato mbartin, të cilat nuk mund të mungojnë, vetëm kështu gjurmët e tij, shijet e tija nuk do jenë dritëshkurtra, nuk do belbëzojnë sirtarëve se brenda atyre është ndjeshmëria e hollë, kujtesa e gjallë, bardhësia e një shpirti inteligjent dhe origjinaliteti artistik.

Ai zotëronte durimin për të përmbledhur e shënuar, atë e karakterizonte disiplina dhe reflektimi që ia forconte mprehtësinë dhe shijen për të zgjedhur se çfarë duhet të studionte.

Ja një fragment nga puna jonë e përbashkët: 

Tema e kumtesës: Përpjekjet e Profesor Arshi Pipës për të ndërkombëtarizuar poemën e De Radës “Këngët e Milosaos”.

Struktura e temës:

1. Vepra e Prof. Pipës në fushën e studimeve kritike. Kontribute në mendimin letrar shqiptar dhe në mendimin letrar universal. Publikime, pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare dhe manuskripte (… Dante dhe Montale. Vico. Manzoni. Paradigma Gramshi.) 

2. Arshi Pipa në funksion të promovimit të kulturës dhe letërsisë shqipe në perëndim. (Trilogjia Albanica; Përkthimi dhe botimi i Kronikë në gur të I. Kadaresë, Letërsia arbëreshe etj.)

3. Përpjekjet e Profesor Arshi Pipës për të ndërkombëtarizuar poemën e De Radës “Këngët e Milosaos”.

4. Konkluzione.

5. Bibliografia.

Ai shoshiste fjalët dhe frazat, refuzonte kompozimet e gjata ndjesore në studime, dhe kjo për shkencën është përparim e njëkohësisht luftë për të paqartët studiues. Në këtë mënyrë ishte i ndërtuar Edi dhe historia e tij si studiues, para së cilës guxova të marr mbi supe peshën e studimit të tij dhe t’ia sillja lexuesit me tërë përkujdesjen që ai kishte për studimin.

Orët e para nuk ishin të lehta për mu, ai ishte mjeshtri, këtë e kupton që në kapitullin e parë, lidhja ndërdisiplinore e studimit në fusha të ndryshme, prerja vertikale që i bën fenomenit të gjakmarrjes, idetë në lidhjen logjike të tyre deri në shprehjen e ndjenjave përmes letërsisë, më bënë të kuptoj peshën që kisha marrë përsipër. Përvoja e  kultura e tij e gjerë që zotëronte më lajkatuan imagjinatën sa shpesh humbja në lexim dhe nuk kujdesesha për sistemimin e lëndës kur lexoja thirrjen e Edit dhe shpjegimin e tij: 

Ku është gabuar? Pse ka dështuar shteti? Këto pyetje shtrohen me të drejtë, sepse është tepër e thjeshtë të konstatohet insuficienca shtetërore, por shumë e vështirë të kuptohet se ku fillon e ku mbaron gabimi. Deri më sot kemi kuptuar se kanuni rishfaqet sa herë që shteti është në krizë, ose kur ai nuk ekziston. Në këto periudha individi dhe bashkësia njerëzore ballafaqohen ose me shtetin depresiv, jofunksional ose me mos shtetin, ndërsa shoqëria njerëzore ka gjithnjë nevojë për organizim apo vetorganizim. Njerëzit kanë nevojë të qarkullojnë për nevoja nga më të ndryshmet vetjake, ekonomike, sociale. Përfytyroni për një çast vitin e mbrapshtë 1997, kur shteti nuk ruante dot as zyrat e veta, inventarin e vet, qytetarët qarkullonin mallrat, paratë, duke garantuar, shoqëruar e mbrojtur njeri-tjetrin.

Në fund mund të kuptosh se në brendësinë e një shpirti studios në rezistencë me sistemin, Edi është ai që nxjerr jo vetëm luhatjet e këtij sistemi, paragjykimet e prirjet e një populli po dhe karakterin e fizionominë e gjakmarrjes në letërsi përmes analizave të gjalla dhe gjykimeve origjinale të nxjerra nga këto analiza të pa diskutuara dhe të pa pranuara më parë.

Unë kisha një borxh shpirtëror ndaj Edit, ndaj që atje lart Ed më dëgjo: i përjetova vëzhgimet dhe opinionet e tuaja, të pashë të gjallë në gjeste përgjatë studimit, lutem të jesh i kënaqur nga përpjekja ime për të shkëlqyer siç e meriton edhe pas ikjes tënde.

Filed Under: Opinion

109 VJET NGA MASAKRA SERBE NË DARSINË TIME

March 27, 2022 by s p

Me 25 Mars 1913, 27 burra të pafajshëm u therën si bagtitë në thertore të improvizuar nga serbët në fshatin Gjuzaj-Darsi. Ndër ta dhe gjyshi i tim eti…Shih listën e emrave në fund të shkrimit…

Nga Dalip Greca

Me 25 Mars (1913-2022) u mbushën 109 vjet nga masakra serbe në Darsinë e Lushnjës (dikur, në ndarjen e vjetër administrative të viteve ’40- ‘50 të shekullit të kaluar e përfshinte Peqini).

Ngjarja tragjike tronditi Darsinë; konkretisht vendlindjen time- fshatin Gjuzaj.

Për këtë ngjarje ka shkruar studiuesi i ndjerë Harun Greca, kushëri dhe mentori im, në librin e tij”DARSIA”, të cilin e ruaj në bibliotekën familjare këtu në Nju Jork si një nga librat më të dashur. Po shkëpus një fragment:”Thikat ndritën në errësirë prej reflekseve të dritës…I therën në dy thertore,i hodhën kapicë mbi njeri-tjetrin…Era e rëndë e gjakut dhe rënkimet e të therurve trazuan qetësinë e shtirur të natës…Nga kjo masakër doli i gjallë vetëm Mustafa Xhyra,të cilin jo se e kursyen,por thikat e ngulura në qafë nuk ia morën dot jetën,ndoshta për të rrëfyer për të tjerët ato çaste të fundit për 27 burra të fshatit që u masakruan barbarisht nga serbët,dhe për t’i treguar botës mbarë se cilët ishin barbarët, cilët ishin ata që dhunonin e thernin pabesisht shqiptarët.”

     …Unë, për të parën herë e kam dëgjuar ngjarjen në vitin 1978 nga i vetmi burrë i mbijetuar në fshatin tim, i cili edhe pse u pre në qafë, arriti të shpëtojë dhe e përcolli ngjarjen me hollësi, pasi u shërua. Ai quhej Mustafa Xhyra, ishte i ardhur në fshatin tonë. Atë kohë unë isha përfshirë në aksionin e mbledhjes dhe interpretimit leksikor të toponimeve të zonës, detyrë e vënë nga kabineti pedagogjik i rrethit. Gjatë mbledhjes së toponimeve më ra në në sy edhe emërtimi toponomastik ”Ke t’thermit”. Duke e diskutuar me tim atë mësova historinë. Atij ia kishte treguar i ati. Në atë ngjarje tragjike ishte përfshirë edhe gjyshi i tij me kushërinj, i cili në kohën kur serbët po merrnin përdhunshëm çdo burrë që gjenin nëpër shtëpi apo në ara e arrestonin dhe e grumbullonin në qendër të fshatit. Ushtari serb që kishte shkuar tek gjyshi i tim eti që po punonte tokën me një pendë qe, i kishte parë në gjoks, mbi xhamdan një sahat të florinjtë me gjerdan po të florinjtë. Serbi ia kishte kërkuar që t’ia falte, gjyshi ia kishte refuzuar kërkesën :- Unë kokën e jap, por jo sahatin, ishte përgjigjë!

Natyrisht që serbët ia morën edhe sahatin edhe kokën. Ai vdiq bashkë me të tjerët i therur egërsisht, siç theren kafshët. Vetëm sllavët kanë zemër e shpirt të therin njerëz si kafshët.

Baba më rekomandoi që të shkoja dhe të takoja xha Mustafanë, burrin e moshuar, që kishte shpëtuar nga vdekja falë përkujdesjes së barinjëve që kishin kaluar aty pas masakrës me delet e tyre.

  Shkova dhe e takova xha Mustafanë tek Dardhat e Bardha. Kishte një kujtesë fenomenale, edhe pse po I afrohej një shekulli jetë. Fliste ngadalë dhe shtruar.

Ja ngjarja që më tregoi ai: Ushtria serbe që kishte arritë deri në Shqipërinë e mesme, pasi kishte kapërcyer lumin Shkumbin, marshonte drejt Myzeqesë me qëllim që të daljen në detin Adriatik. Ata kishin mbërritë në lartësitë e kodrave të Mollagjeçit,ku ishte vendosë shtabi i divizionit të tyre(historianët kanë identifikuar se bëhet fjalë për divizionin Morava), ndërkohë që kolona e ushtrisë turke që komandohej nga Xhavit Pasha, në tërheqje e sipër për ta lëshuar Shqipërinë, ndeshet me forcat serbe pikërisht në atë zone.

Dy fshatarë nga Gjuzaj, që banonin në zonën e luftës, në lagjen e sipërme të Çelëve, tek varrezat e fshatit, kapin pozicione  strategjike dhe u zënë pritë serbëve, duke luftuar për orë të tëra. Ata janë identifikuar si Dervish Zyber Çela dhe Mersin Selman Çela.Ushtria serbe arriti që t’i asgjësojë por pasi ata kishin vrarë disa prej serbëve që binin në pritë në rrugën e thellë tek varrezat e fshatit, në këmbët e kodrave.

Pas asgjesimit filloi reprezalja, rrethimi i tre lagjeve të fshatit nga ushtria dhe arrestimi i çdo burri që gjendej në fshat. Ndër të arrestuarit ishte dhe Mustafa Xhyra, plaku që më tregoi historinë interesante që ndodhi me të dhe të tjerët. Ai kujtonte se serbët të gjithë burrat që mblodhën tek”Boka e Bardhë” afër shtëpive të Mullalive-ndërmjet Gjuzaj dhe Jazxhiaj, i rreshtuan dhe filluan t’i masakronin me bajoneta. Binte një shi i rrëmbyshëm në kohën e ekzekutimit(therjes). Mustafai mbante mend goditjen dhe britmën e serbit  në gjuhën e vet sllave, që i nguli bajonetën në gushë dhe në pjesën anësore të qafës dhe s’kujtonte asgjë më shumë. Më pas ka ndjerë se si uji i shiut i hynte nga plaga e hapur prej bajonetës. Pastaj kishte rënë në kllapi. Dikur kujton edhe ulërimat e burrave të tjerë që thereshin.

Aty kishin kaluar barinj me dele që i kanë kontrolluar viktimat dhe kur e kanë ndjerë se Musatafai ishte gjallë, kanë therë një dash të madh dhe me lëkurën e tij të ngrohtë ia kanë mbështjellë plagët për t’i ndaluar rrjedhën e gjakut dhe e kanë transportuar në Peqin, ku i është dhënë ndihma mjeksore. Ai e shpëtoi.

     Unë mbaj mend se Xha Mustafai e kishte të ngritur, si tegel të salduar pjesën e qafës ku kishte pasë plagët, që ia kishin qepur në spital.

 Kisha tentuar disa herë që ta pëecillja ngjarjen tregjike të masakrës në shtypin e kohës, para ’90-tës, por asnjëherë nuk arrita ta botoja. Ngjarja tragjike mbeti e mbuluar dhe nuk u ekspozua kurrë. Arsyeja? Enigmë.

Kur erdhi demokracia ngjarja u përkujtua dhe një pllakë përkujtimore përcjell ngjarjen tragjike që u mori jetën 27 burrave të Gjuzajt.Aty është lista e të therurve.

        Për këtë masakër ka botuar shkrime përkujtimore edhe gazeta Dielli në Nju Jork. Ndërkohë që në rrafshin kombëtar vlen të përmendet emisionin i gazetarit Marin Mema në “Gjurmë Shqiptare” Top Channal, trasmetuar në korrik 2019.

Kush ishin 27 burrat e therur? 

Ja lista me emrat e shkruar në pllakën përkujtimore:

1-Adem Vallja 

2- Beqir Greca 

3-Caush Greca 

4-Dervish Çela 

5-Elmaz Çela 

6-Hasan Greca 

7-Islam Xhyra 

8-Islam Greca 

9-Idriz Çela 

10-Islam Alleshi 

11- Islam Vallja 

12-Murat Greca 

13 Mersin Çela 

14-Mustafa Xhyra-I mbejetuari I masakrës 

15- Mustafa Greca 

16-Nuredin Greca 

17-Qazim Xhyra 

18- Sulejman Greca 

19- Seit Greca 

20- Sulejman Xhyra

21- Sefer Xhyra

 22-Sako Xhyra 

23-Selam Çela 

24-Tahir Greca 

25- Xhaferr Greca 

26-Jaçe Greca 

27 Veli Xhyra.

Pushofshin në Paqe!

Filed Under: Politike

DIASPORA SHQIPTARE NË AMERIKË APEL PËR BASHKIM TË GJITHË SHQIPTARËVE NË ZGJEDHJET PËR KOMUNËN E ULQINIT

March 26, 2022 by s p

Të dashur vëllezër e motra, bashkëqytetarë të Ulqinit

Të nderuar anëtar të spektrit politik shqiptar në Ulqin

Si kurrë më parë po e përcjellim me vëmendje të posaçme procesin zgjedhor në Komunën e Ulqinit.  

Duke patur në mendje rëndësinë historike, kulturore, politike dhe ekonomike të komunës së Ulqinit për shqiptarët në Mal të Zi e jo vetëm, vullneti i shumicës së banorëve të Ulqinit është që partitë nacionale shqiptare do të duheshin të garonin në një platformë politike unike dhe të bashkuar në këtë fazë shumë të rëndësishme zgjedhore.

Edhe këtë radhë politikanët shqiptarë në Ulqin nuk e morën parasysh dëshirën e elektoratit por vazhduan me avazin e vjetër duke e ndarë votën shqiptare në koalicione të ndryshme jo në favor të votuesve shqiptarë që ata përfaqësojnë por vetëm për pozita dhe përfitime personale.


Flitet, pak edhe me të drejtë se shqiptarët në diasporë nuk mund të vendosin për fatin e bashkëvendasve tanë në vendlindje deri sa ata jetojnë jashtë vendit, por është e pamundur të qëndrojmë indiferent ndaj keqpërdorimit të votës shqiptare nga elita  politike shqiptare në Ulqin.

Mbase Mali i Zi nuk e bën të mundur që ne vullnetin tonë ta shprehim me anë të votës por ne na mbetet që të jemi kritik ndaj tyre dhe të shprehim pakënaqësinë tonë në këtë mënyrë. Është e pa pranueshme që të ndahet vota shqiptare, interesi shqiptar, e ardhmja e shqiptarëve në Ulqin.

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, këtë radhë entuziazmi i rinisë në këtë proces zgjedhor të jep shpresë për një të ardhme më të mirë, më të ndritur dhe më të begatë. Fakti se koalicionet parazgjedhore përbëhen nga dinosaur politik që në të kaluarën nuk kanë dhënë asnjë progres pozitiv për banorët e Ulqinit me rrethinë, ka gjasa se edhe ky “fillim i ri” do të mbetet vetëm zhgënjim i ri. Ju lutemi si vëllezër e motra: Vendosni të parin interesin e shqiptarëve tuaj, njerëzve tuaj, vendit ku ju dhe fëmijët tuaj projektoni ëndrrat dhe jetesën.

Pse duhet që shqiptarët të jenë ato që gjithmonë ndërtojnë ura për kombësitë e tjera ne rajon ndersa ato vetëm vendosin mure për shqiptarët?


Mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bën këtë apel të fortë te bashkëvendasit tanë: Votën tuaj hidheni te partitë nacionale shqiptare se vetëm aty mund të tregohet fuqia e votës sonë. Vota garanton të ardhmen tuaj, sigurinë tuaj, progresin e qytetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, social dhe politik.
Votoni për Ulqinin tonë historik dhe shumë të vlefshëm, për ju që punoni dhe jetoni aty, por edhe per ata që nuk pushuan kurrë duke i ndihmuar Ulqinit nga mërgata shqiptare në Amerikë e kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarët.

Pjesë e Apelit:

Mark Gjonaj – Former NYC Council Member

Federata Panshqiptare e Amerikës  Vatra

Albanian American Associacion Ulqini

Albanian American Community Associacion

Albanian American Council

Albanian American Common Sense Political Club

Albanian American Educators  Associacion

Albanian American Humanitarian Foundation

Albanian American National Organization – AANO

Albanian American PAC

Albanian American Puka Community Associacion

Albanian American Writers  Associacion

Albanian Business Network

Ansambli Folklorik Bashkimi Kombetar

APEN – Albanian Professional Entrepreneur Network

Albanian Community & resource center

AAACE

Bajraktari House Foundation

BashkeRia

Batalioni Atlantiku

Fondi Humanitar Trieshi

Fondacioni Humanitar shqiptaro-amerikan Trojet Tona

Fondacioni Plavë e Guci

Gazeta Dielli

Illyrian Business Organization

Komuniteti Hasan Prishtina Waterbury

Lukaj Foundation

Mother Teresa GolfOuting

Sons of Illyria – New York- New Jersey- Milwaukee

Shoqata Ana Malit

Shoqata Atdhetare Dibra

Shoqata Atdhetare Kraja

Shoqata Humanitare Open Hands Associacion

Shoqata Malesia e Madhe – New York

Shoqata Peja

Shoqata Rugova

Shoqata Shpresa

Shoqata Shqiptaro-Amerikane Skenderbej Inc

Apelit po i bashkohen nga momenti në moment edhe shumë organizata e shoqata shqiptare në të gjithë Amerikën.

Filed Under: Featured

Pushtimi i Ukrainës dhe fashizmi rus

March 26, 2022 by s p

Pushtimi i Ukrainës  me 24 shkurt nga Rusia të përkujton pushtimin e Polonisë nga Gjermania me 1 shtator 1939, që ishte fillimi i Luftës së Dytë Botërore, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me fashizmin rus me konceptin ideologjik të Perandorisë ruse,  kërcënim për fqinjët e saj dhe ndaj rendit të ri botëror.

Nail  Draga

Dështimi i ideologjisë komuniste dhe socializmit si rend shoqëror, filloi me rënien e Murit të Berlinit(9 nëntor 1989), duke pasuar me miratimin e pluralizmit politik(1990), ku kulmin e arriti me  shkatërrimin e   ish BRSS në vitin 1991. Ishte kjo një ngjarje me përmasa botërore , ku nga ajo perandori komuniste u pavarësuan republikat duke u pranuar ndërkombëtarisht. 

Në këtë kuadër edhe Republika e Ukrainës shpalli pavarësinë me 24 gusht 1991. Por, nga ajo kohë e deri  më tash ka kaluar shumë sfida duke mbeshtetur ambiciet perëndimore. Nuk ka dilemë se Rusia, nuk mund të pranojë një Ukrainë të fortë, të lidhur me Perëndimin e të jetë pjesë e NATO-s, por  të ketë qeveri e kryetar prorus. 

Por, Ukraina dallohet nga ish republikat tjera, të ish BRSS, sepse ajo është vendi me sipërfaqe ma të madhe në Europë, pas Rusinë europiane me 603.628 km2,  dhe më popullsi prej 44 milionë banorë! Pikërisht kjo sipërfaqe dhe popullsi, ku dominojnë ukrainasit me 76%, ndërsa rus ka 20%  si dhe me resurse të mëdha natyrore paraqet pengesë për politikën ekspansioniste ruse.

Ukrainasit-popull i protestave

Analistët e ndryshëm vlerësojnë  se ukrainasit janë popull i veçantë, madje e quajnë si „popull i  protestave“, sepse për këto tridhjetë vite kanë çuar  në rrezimin e katër presidentëve, me protesta të fuqishme, por edhe me viktima. Kujtojmë me këtë rast  vitin 2001  ku u zhvillua fushata e protestave me moton “Ukraina pa presidentin Kuçma”.

Në veçanti të opinioni ka mbetur në kujtesë “Revolucioni Portokalli”  në fund të vitit 2004,  ku në “Sheshin e Pavarësisë” qindra mijëra protestues u mblodhën në shesh dhe rrugët aty pranë dhe ngritën tenda për disa javë. Protestat ishin me moton  kundër mashtrimit zgjedhor nga presidenti ne fuqi,ku  çuan në një raund shtesë të zgjedhjeve presidenciale të urdhëruara nga Gjykata e Lartë e Ukrainës, të cilat u fituan nga kandidati i opozitës, Viktor Jushçenko. Ishte kjo fitorja spektakulare e opozitës! Më pas gjatë vitit 2009, Yulia Tymoshenko u propozua si kandidate për presidente e opozites duke mbledhur ne këtë shesh rreth 200,000 njerëz.

Në veçanti duhet cekur  protestat  antiruse dhe proeuropiane, te cilat filluan ne nëntorin e vitit 2013, të cilat me pas u kthyen në përleshje të dhunshme, qe perfunduan me vrasjen e 100 ukrainasve. Sheshi qendroi i pushtuar nga protestuesit gjatë gjithë ditës dhe natës, nga 1 dhjetori 2013 deri me 27 janar 2014.

Këto protesta ia arritën qellimit sepse   çuan ne rrëzimin e presidentit  Viktor Janukoviç dhe largimin e tij drejt Moskës, sepse ai ka refuzuar  hapjen e negociatave me BE-në, kunder vullnetit te popullit ukrainas, duke dëshmuar se ishte në favor të politikës pro ruse. 

Mashtrimi ukrainas  në vitin 1994

Kemi të bëjmë me marrëveshjen në mes SHBA-Britani e Madhe dhe Rusisë të cilët e binden Ukrainën që të dorëzpjë Rusisë armët bërthamore, me garancionin e tyre se do ta mbrojnë nëse sulmohet nga një vend tjetër. Por, pushtimi i Ukrainës nga Rusia nga data e 24 shkurtit 2022, dëshmon se ajo është mashtruar sepse nuk është respektuar marrëveshja e tillë. Madje ky pushtim të kujton sulmin e Hitlerit ndaj Polonisë me 1 shtator 1939, edhe pse një javë më parë ishte nënshkruar marrëveshja Ribentrop-Milotov, përkatësisht Hitler-Stalin, për mos sulmim ndaj Polonisë. 

Heshtja e ndërkombëtarëve

Duke pasur interesa të ndërsjella vendet europiane nga Rusia kanë importuar gazë, naftë dhe mallra të tjera, që ndikoj në forcimin e saj ekonomik duke investuar në armatim. Nga një pozitë superiore ndaj fqinjëve Rusia, sulmoi ushtarakisht Gruzinë(2008), duke ia shkëputur Abhazinë dhe Osetinë Jugore. Duke parë se faktori ndërkombëtar qendroi në heshtje ata nuk u ndalën sepse në vitin 2014, aneksuan Krimenë, si dhe i mbeshtetën   dy republikat e  të vetshpallura në regjionin e Donbasit(Luganski dhe Donjeck ) duke i pranuar së fundmi si shtete të pavaruara(21 shkurt 2022)! Ndërsa me 24 shkurt, ndodhi sulmi dhe pushtimi i Ukrainës, si shtet sovran, pas asnjë shkas, por me qellime ekspansioniste, sipas ideologjisë për shtetin e madh të Perandorisë ruse.

Sanksionet kundër Rusisë

Duke marrë parasysh se Ukraina nuk është në NATO, vendët e BE-ës por edhe të NATO-s, u zgjuan dhe reaguan mënjëherë duke  vendosur  sanksione të ndryshme ndaj Rusisë, ku dominojnë ata ekonomike, dilpomatike, finaciare  etj. Madje në këtë situatë kritike, presidenti i SHBA-ve ka deklaruar se në këtë moment kemi vetëm dy mundësi të veprojmë me sankasione ekonomike, apo të fillojmë luftën e tretë botërore. Nuk ka dilemë se për një vend nuk mund të fillohet lufta e tretë botërore, sepse do të kishte pasoja të mëdha, por, për momentin çdo gjë do mbesë në sanksione, si dhe furnizime të ndryshme për popullsinë e Ukrainës, për të përballuar pushtimin dhe organizuar rezistencën popullore.

Solidarizimi  me popullin ukrainas

Pamjet nga pushtimi i Ukrainës kanë ndikuar në ndërgjegjësimin e komunitetit ndërkombëtar, të cilët kanë organizuar protesta të ndryshme në shumë vende të botës, duke akuzuar pushtimin e një vendi të pavarur, që paraqet rastin e parë në Europë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Kemi  të bëjmë me fashizmin tipik si në kohën e Hitlerit, i cili si pasues modern ka Putinin. Bombardimi, shkatërrimi i objektëve të banimit, infrastrukturës, vrasja e popullsisë, shpërngulja e tyre dhe vendosja në vendët fqinje e më gjerë, dëshmojnë se kemi të bëjmë me një okupim klasik në kohën moderne. 

Në këtë aspekt, me përjashtim të Bjellorusisë dhe Serbisë, të gjitha vendet europiane, akuzojnë politikën ekspansioniste të Rusisë. Një politikë e tillë ka ndikuar jo vetëm në solidaritetin e popujve dhe vendeve europiane por edhe në unitetin e BE-së dhe të NATO-s, duke u bindur se kemi të bëjmë me agresion i cili është në kundërshtim me parimet ndërkombëtare kundër një shteti sovran.

Spastrimi etnik strategjia e politikës ruse 

Ajo çka është duke ndodhur në Ukrainë, nuk është luftë, por spastrim etnik të qytetëve sidomos  pranë Detit të Zi e Detit Azov ku qyteti i Mariupolit është rast i veçantë  kriminal ndaj popullsisë, sepse përmes tij lidhet territori toksor nga Krimea në drejtim të lindjës ku janë republikat e vetshpallura në regjionin e  Donbasit. 

Kemi të bëjmë me një situatë identike sikurse në BeH (1992-1995)dhe Kosovë(1998-1999) që vepronte ushtria serbe, duke rrethuar e granatuar qytetët, masakruar popullsinë e detyruar të shpërngulët, që ishte qellimi i politikës neofashiste  serbe, ku pamjet e prezantura në media e dëshmojnë një konstatim të tillë.

Nga pasojat e luftës bëhet me dije se  deri  më 23 mars, nga Ukraina janë larguar 3,5 milion banorë, ndërsa të zhvendosur brenda vendit janë  mbi 2 milion banorë.

Në pritje të marrëveshjës ndërkombëtare 

Pavarësisht se sa do të zgjatë okupimi i Ukrainës, përvoja e deri tashme dëshmon se do të kemi një marrëveshje ndërkombëtare për të përfunduar luftën dhe vendosjën e paqës në mes dy vendëve. Në këtë konferencë  përveç dy palëve do të marrin pjesë edhe shtete që do të jenë garant të marrëveshjes së arritur. Ndonëse deri me tash janë organizuar disa  takime nga përfaqësuesit e delegacionëve (Ukrainë –Rusi) njoftohet se pala ukrainase ka pranuar të të tërheq  nismën për tu bërë pjesëtarë të NATO-s, duke mbajtur pozitën neuatrale. Një deklarim i tillë duket se  është i pranueshëm edhe për palën ruse, por kontestuese do të mbesin statusi i Krimesë, që është aneksuar nga Rusia në vitin 2014, si  dhe dy republikat e vetshpalluara si të pavarura(2014) dhe të pranuara nga Rusia(21 shkurt 2022). 

Opinioni është njoftuar se Ukraina ka akuzuar Rusinë për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, e cila me 16 mars ka marrë vendim të përkohshëm duke urdhëruar Federatën Ruse që mënjëherë të ndërprejë operacionet ushtarake në territorin e Ukrainës. Duhet cekur se urdhëri për ndërprerjën e operacioneve ushtarake është masë e përkohshme gjyqësore deri në marrjen e vendimit definitiv për çështjen e ngritur në Gjykatë. Nuk ka dilemë se më pas do të trajtohet çështja e dëmshpërblimit si pasojë e krimeve të luftës  nga ushtria ruse në Ukrainë.

Pavarësisht se sa do të zgjasë lufta, Putini e ka të humbur luftën dhe ate do ta presë fati i Sllobodan Millosheviqit në përballje me gjykatat ndërkombëtare, sepse ka prova të mjaftueshme për krimet e kryera deri më tash. 

                     (23 mars 2022)

C:\Users\123456\Desktop\IMG-9cae1c8b4ecd37769b0c7b07f17700fa-V.jpg

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT