• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2022

28 PRILL 1912-2022; 110 VJETORI I THEMELIMIT TË VATRËS / ATDHETARI QË DHA FRYMËN E FUNDIT NË DITËTHEMELIMIN E VATRËS,28 PRILL

April 28, 2022 by s p

…NJOLLA E KRIMINELIT MBI BALLIN E ATDHETARIT 

ARSHI PIPA: Vdiq Flamurtari i moçëm!/ Si rrojti: vdiq me nder/ I pastër, i devoçëm,/E pa u përkulë nji herë./… Ndër qela- u sos t’Burrelit,/Me dhunën e tradhëtarit,/Me njoll’n e  kriminelit/ Mbi ballin e atdhetarit/…

NGA DALIP GRECA*

ATDHETARI QË DHA FRYMËN E FUNDIT NË DITËTHEMELIMIN E VATRËS,28 PRILL

       Me 28 prill 1955 pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit të orëve të para të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish kryetar i Shoqatës atdhetare”Besa Besën”,kryetar i shoqatës “Arsimi”, bashkthemelues i Vatrës, nënkryetar i saj, shoqërues i dorëzimit të Imzot Nolit Prift, deputet në Parlamentin shqiptar, nën/prefekt në Himarë dhe Bilisht, kryetar i Bashkisë së Korçës, një ndër themeltarët e Vatrës, menaxheri i parë i Diellit si gazetë e Vatrës, dhe krah i djathtë i Nolit në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Kristo Kirka.  

Shpirti i atdhetarit u shua në ditën e themelimit të Vatrës, me 28 prill, si për të dëshmuar se jeta e tij prej martiri ishte pazgjidhshmërisht e lidhur me Vatrën kombtare, së cilës ai dhe patriotët e tjerë i dhanë përjetësinë.

        Jeta e atdhetarit u shua në burgun politik të Burrelit, një ndër më të egrit e diktaturës komuniste. Atdhetarit të orëve të para edhe sot nuk i janë gjetur eshtrat. Nuk ka varr. Vatrani që kishte vënë jetën në themelet e atdhetarizmit ndëshkohej në mënyrën më çnjerëzore. Cili komb tjetër i ka ndëshkuar atdhetarët në mënyrë kaq kriminale?
      Kristo Kirka pat ardhë në Amerikë që më 1905. Ai qe një ndër atdhetarët që iu përkushtua kombit dhe ishte me fat që pat miqësi e aktivitet të përbashkët me Sotir Pecin, Fan S. Nolin, Faik Konicën, Kristo Floqin,Koço Kotën, Elio Tromarën e të tjerë patriotë, që përbëjnë elitën e diasporës në SHBA. Që më 1906 iu përgjigj thirrjes së Sotir Pecit për të ndihmuar gazetën”Kombi” ,e para gazetë e shqiptarëve të Amerikës, dhe jo vetëm dhuroi, por edhe mblodhi ndihma për të.Kur Noli iu bashklua Pecit si redaktor i Kombi-t, Kristo Kirka, e shoqëroi në Natick dhe u bëri thirrje të ndihnin Kombin, që të vazhdonte botimin. I pari dhuroi kursimet e veta Kirka dhe pas tij Kol Tromara, Andrea Pani, Ilo Tromara, Sotir Noka, Ilo Zdruli dhe shumë të tjerë. Noli i falenderoi me fjalë zemre.Kur Noli do të themelonte shoqatën Besa-Besë, Kirka ishte pjesë e shoqatës.
      Kur Noli do të dorëzohej prift, Kristo Kirka ishte në komisionin dëshmus të ortodoksëve shqiptarë pranë Kishës Ruse në Nju Jork, së bashku me Sotir Pecin, Vangjel Miller, Spiridon e Gaqo Dushi , Kol Rodhe e të tjerë patriotë korcarë, që i dhanë shpirt lëvizjes kombtare në SHBA.
Më 1908 Kristo Kirka është zgjedhur kryetar i Shoqërisë Besa-Besën, detyrë që duket se e ka mbajtë dhe më 1910, ç’ka e dëshmon një letër e Faik Konitzës, e 11 shkurtit të atij viti,kur kryente detyrën e editorit të Diellit dhe i drejtohej me mesazhin falenderues:”Shoqërisë Besa-Besën, kryetarit të palodhur të saj Kristo Kirka,pleqësisë së nxehtë, kurdoherë gati të bëjë detyrën e saj…”.

  Kristo Kirka kontribuonte paralelisht në disa shoqata, që vepronin atë kohë në SHBA. Me 1911 ai kryente detyrën e arkëtarit të Shoqërisë teatrale”Lahuta” që e kishte qendrën në Cochituate në Massachusetts. Ishte dhe kontributi i tij që kjo shoqatë kulturore vuri me sukses në skenë dramën”Vdekja e Pirros”(1910), shkruar nga Mihal Grameno dhe komedinë “Një gjyq në Rekë” të Kristo Floqit më 1911.

Ndërkohë, kontributi i tij në shoqatat “Besa-Besë” dhe “Arsimi” ishte parësor. Ai ishte në krahun përparimtar në debatet që paten shpërthyer në Shoqatën Besa-Besë në vitet 190-1911, ku debatohej se ç’krah duhej të merrte shoqata, atë të Austro-Hungarisë apo të Turqisë që po gremisej.Dielli shkruantë në numrin e 9 nëntorit 1911se Kristo Kirka kishte triumfuar me kritikat e rrepta kundër përçarsve.

 Qëndrimin e tij pro Austro-Hungarisë, Kirka e shfaq edhe në një takim në prag të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, ai denoncoi krimet serbe në Kosovë dhe shprehu përkrahje për Austrinë, e cila duke çliruar tokat shqiptare të Kosovës martire, do të fitojë përgjithnjë dashurinë dhe mirënjohjen e kombit shqiptar.

Për Kirkën, dy fqinjët tanë, grekët në Jugë dhe serbët në Veri, ishin armiqtë tanë, që rrezikojnë ekzistencën e Kombit të lashtë shqiptar. Në një miting të madh, organizuar me 2 shkurt 1913, ku shqiptarët protestuan kundër masakrave dhe barbarive greke në jug të Shqipërisë. Demonstrata u organizua nga Shoqëria”Arsimi” e Korçës, ku Kirka ishte në bordin drejtues, dhe kishte qenë kryetar i saj. Edhe Vatra ishte pjesë e organizimit të kësaj demonstrate.Në krye të mitingut ishte Kristo Kirka. Dielli, në kronikën e vet përshkruse, ka përcjellë pjesë nga fjalimi i kryetarit Kirka,i cili ngriti lart vlerat e qytetit të tij të lindjes, Korçës, si djep i Shqiptarisë, ku u ngrit e para shkollë shqipe, ku u botuan të parat gazeta shqip, të parat shtypshkronja. Ai tha se do të ishte një çnderim i madh nëse Korça mbetej jashtë kufijve të shtetit shqiptar.

 Kirka firmosi telegramin e mitingut të madh të Bostonit, drejtuar ministrit të Jashtëm britanik, Sir Edward Grey. Në të shkruhej” Mijëra shqiptarë të krishterë protestojnë kundër masakrave që po bën ushtëria greke nër burrat dhe gratë në Korçë dhe fshatarve rrotull, si dhe kundër pothua 80 fshatrave cilët i përmbysnë rrotull Devollit. Një telegram i tillë iu dërgua dhe qeverisë së përkohshme shqiptare. Në arkivin e familjes Kirka, ruhet dhe telegrami, që atë Kohë Kristo Kirka mori nga delegatët shqiptarë, që ndodheshin atë kohë në Londër. 

Gazeta Dielli e 27 Shkurtit 1913 e ka përcjellë tekstin e atij telegrami:” I nderçmi atdhetar; Ju përhirojmë për atdhesinë që çfaqni.Korçarët, kurdoherë atdhetarë, u çfaqnë në këto çaste kritke të zotët të luftojnë për të drejtat e tyre.Me sa na mundet, u përpoqmë dhe përpiqemi që Korça, një nga më të bukurat xhevaire të kurorës shqiptare, t’i mbetet Shqipërisë dhe mundim t’ju sigurojmë që do t’i shpëtojë nga thonjtë armiqëve…”

Vatra, me patriotë të tillë si Kristo Kirka, shpëtoi Korçën dhe Gjirokastrën nga thonjtë e grekëve. Eshtë e njohur deklarata e Venizellosit se ishte Vatra ajo që ia hoqi nga duart Vorio Epirin.

 Sipas Diellit të 2 majit 1913, në një tjetër miting të madh, shqiptarët e Amerikës protestuan fuqishëm kundër vendimeve të Konferencës së Londrës.Menaxheri i gazetës”Dielli” Kristo Kirka, denoncoi grabitjen e tokave shqiptare me vendime të ndërkombëtareve. Kirka ngre lart luftën e trimave shqiptar të Kosovës me gjeneralin popullor Isa Boletini dhe e mbylli fjalimin me vargjet e poezisë”Oso Kuka”.
Kristo Kirka ishte delegat në të gjitha takimet themeluse të Federatës “Vatra” dhe në mbledhjen themeluse ai u zgjodh menaxher i Diellit. E kreu edhe detyrën e kryetarit të degës së Vatrës nr 1 për Bostonin, që në themelimin e degës, ndërkohë u zgjodh nënkryetar dhe kreu edhe detyrën e kryetarit.
Atdhetari i përkushtuar gjatë të gjithë kohës ishte në krye të veprimtarive antigreke që organizonin shqiptarët e Amerikës. Madje në mitingun madhështor të 2 shkurtit 1913, në “Phoenix Hall” në Boston, organizuar nga Shoqëria Korçare “Arsimi” me përkrahjen e “Vatrës” ai ishte drejtus i mitingut kundër barabarizmave greke në jug të Shqipërisë.
Kristo Kirka sipas gazetës Dielli , 2 maj 1913, ishte në krye të një mitingu të organizuar në Boston në mbrojtje të kufijëve të Shqipërisë, si reagim kundër vendimeve coptuse të Konferencës së Londrës.
            Më 1914, atdhetari i palodhur, ndodhet në Rumani dhe me delegacionin e shqiptarëve të Rumanisë shkon në Durrës dhe urojnë dhe mbështesin Princ Vidin. Po atë vit Kristo Kirkën e gjejmë në Korçë, i emëruar përgjegjës për punët publike. Gjatë përpjekjeve të grekëve për të aneksuar Korçën, Kristo Kirka ishte në krah të Themistokli Gërmenjit, me detyrë përgjegjës për mbrojtjen e postblloqeve të qytetit nga sulmet e andartëve grekë.Pas hyrjes së grekëve në Korçë, Kristo Kirka me atdhetarë të tjerë detyrohen të lënë vendin. Rikthehet sërish në radhët e Vatrës duke u bërë si më parë një përkrahës i zjarrtë i Nolit.

    Në janar 1921,Këshilli i Vatrës e ngarkon Kristo Kirkën përfaqësues të posaçëm të Vatrës në Shqipëri.Duke qenë një figurë që gëzonte besim në popull ai u zgjodh deputet i Korçës në Parlamentin Shqiptar për katër vite.Më 1924 Qeveria e Nolit e dërgoi konsull në Boston.
      Në vitin 1933 rikthehet në Shqipëri, edhe pse ishte kundërshtar i monarkisë, për atdhetarizëm emërohet nënprefekt në Himarë dhe më pas në Bilisht.Ishte i fundit kryetar bashkie i Korçës para instalimit të diktaturës komuniste, para ardhjes në pushtet të komunistëve.Refuzoi ftesën për të marrë pjesë në Kongresin e Përmetit. Sapo komunistët hynë në Korçë, arrestohet nga njësiti guerril; e lirojnë pas një jave. Pas dy muajsh e propozojnë për kryetar fronti për shkak të popullaritetit që kishte; por sërish refuzon, duke paraqitë si shkak moshën e mahde. Me 12 maj 1946 arrestohet dhe dënohet me 20 vjet burg. Arrestohet vatrani që kishte lënë Amerikën për të bërë Shqipërinë! Atdhetarizmi shpërblehet me burg! Pas 9 vitesh vuajtjesh në burgun e tmerrshëm të Burrelit, dha shpirt, por trupi i tij nuk iu kthye familjarëve.Martiri mbeti pa varr!
Poeti antikomunist, Arshi Pipa,bashkëvuajtës me Kristo Kirkën, do të shkruante aso kohe  elegjinë përjetësuse”Elegji për atdhetarin Kristo Kirka”. Në vargje shpërthen dhimbja për atdhetarin dhe mllefi për diktaturën, që i mohoi dhe varrin:

Vdiq Flamurtari i moçëm!
Si rrojti: vdiq me nder.
I pastër, i devoçëm,
E pa u përkulë nji herë.

Ndër qela- u sos t’Burrelit,
Me dhunën e tradhëtarit,
Me njoll’n e  kriminelit
Mbi ballin e atdhetarit

A u pezmatu, a u-lodh
Se ashtu u-shpërblye i pafati?
Se fëmija pranë s’ju ndodh
Se vorr, as vorr, nuk pati?

Nuk fali, nuk mallkoi.
Por kur fjala ju-pre
Ndigjuem qysh thellë ankoi:
“Për Flamur!…për Atdhe…!

(Arshi Pipa- Libri i Burgut)

VATRA, SHTETI I MUNGUAR SHQIPTAR

Federata Pan shqiptare e Amerikës Vatra dha gjithëçka për të shpëtuar Shqipërinë, madje sakrifikoi jetët e drejtuesëve të saj..Siç ka shkruar Faik Konica, një ndër shtyllat e Federatës, sekretari i Komisionit të  bashkimit të shoqërive që vepronin në SHBA më  1912,- “Vatra” mori përsipër të veprojë  në vend të shtetit të vdekur shqiptar.”

 “Vatra” e shqiptarëve të Amerikës ka bërë punë të mëdha për Shqipërinë: Emëroi dhe financoi delegatët e Shqipërisë në Evropë dhe Uashington, që i shërbyen çështjes kombëtare në  çastet më të vështira gjatë Luftës së Parë  Botërore e më pas.

 Ishin harxhet e Vatrës ato që financuan jo vetëm diplomatët shqiptarë, por edhe miq të Shqipërisë si dhe agjensi të huaja të specializuara që punuan në ato vite për të propaganduar çështjen kombëtare shqiptare. Protestat e shumta, telegramet dhe deklaratat e organizuara nga Vatra në SHBA për mbrojtjen e çështjes shqiptare pranë kancelarive, konferencave, forumeve ndërkombëtare, qenë  jetike për kombin.

Ishte Vatra ajo që me 3 qershor 1917 nisi fushatën e lobimit për mbrojtjen e pavarsisv së Shqipërisë nën moton”Për shpëtimin e Shqipërisë”, ku u mblodhën 150 mijë dollar. Pa kaluar tre vjet nisi fushata tjetër në ndihmë të qeverisë shqiptare “Huaja Kombëtare”, ku mblodhën më shumë se 198.000.00 dollarë amerikanë, që për kohën ishin shuma të mëdha, ndërkohë që punëtorët a pakualifikuar s’arrinin të merrnin më shumë se 5-7 dollarë në javë.

Një kontribut i çmuar i Vatrës ishte ai për zgjimin e kombit dhe ndriçimin e vetëdijes kombëtare.“Dielli” dhe Federatës “Vatra”, zgjuan nga plogështia shekullore jo vetëm shqiptarët e Amerikës, por edhe ata të Shqipërisë.Ndihma që dha” Vatra” për arsimimin e shqiptarëve dhe kulturën kombëtare, janë të pamohushme. Më shumë se 200 mijë tekste shkollore për shkollat shqiptare i sponsorizoi “Vatra”,ndërkohë që nxiti botimin dhe përkthimin e dhjetëra veprave letrare, përkrahu materialisht dërgimin e studentëve shqiptarë në shkollat amerikane etj. Nga diaspora e Amerikës Shqipëria fitoi edhe Kishën Autoqefale Orthodokse, që u bë një nga shtyllat e forcimit të shtetit.

Pas Luftës së Parë  Botërore, si dhe në prag të Luftës së Dytë  Botërore, shumë prej vatranëve patriotë iu përgjigjën zërit të Atdheut,  lanë Amerikën për t’i shërbyer Shqipërisë. Disa prej tyre u ndëshkuan nga diktatura komuniste që u instalua në Shqipëri, pa qenë  fajtorë e pa u gjykuar si të atillë. Atdhetarët e orëve të para ranë në kurthin e diktaturës,e  cila shumëzoi me zero kontributin atdhetar dhe sakrificat e mëdha që ata kishin bërë për Shqipërinë.

Është jashtë çdo logjike që atdhetarizmi të shpërblehet me plumba apo me burgime të rënda. Ajo “Vatër” që i kishte paraprirë formimit të shtetit të munguar shqiptar, ajo VATER, që mbrojti Shqipërinë përmes Amerikës në Konferencën e Paqes, merrte shpërblimin e dhunshëm duke u hequr të drejtën për të jetuar vatranëve patriotë, vetëm e vetëm pse nuk kishin pranuar idologjinë vëllavrasëse komuniste. Tre nga delegatët themeltarë të Vatrës; që së bashku me komisionin e bashkimit, sollën krijimin e Federatës; Kolë Rodhja, Kristo Kirka dhe Koço Kosta, u ndëshkuan prej diktaturës vetëm pse nuk u bënë bashkëpunëtorë të saj. Kryetari i Vatrës Kol Tromari, komandanti i Trupave vullnetare të Vatrës Aqif Përmeti, Editori i Diellit Bahri Omari u pushkatua pa iu provuar asnjë lloj fajësie, Aqile Tasi, që për tetë vjet kishte qenë zyrtar e kryetar i Vatrës si dhe editor i Diellit, dhe pat lënë Amerikën për të pranuar detyrën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë e për të kontribuar në shtypin shqiptar, u dërgua në burgun e Burrelit duke u shpërblyer në mënyrën më çnjerëzore për atdhetarizmin e tij, siç kishte ndodhë edhe me Kristo Kirkën.

PARADOKSI- VATRANËT U SHPËRBLYEN ME PLUMBA 

Çfaj kishte bërë Kolë Tromara, kryetari i Vatrës më  1917 dhe 1918, që i kishte dhënë  Shqipërisë gjithëçka kishte të shtrenjtë, deri edhe jeten? Po Bahri Omari, editor i Diellit, Aqif Përmeti, menaxher i Diellit, komandant i Trupava Vullnetare të Vatrës që la Amerikën për të mbrojtë Shqipërinë nga barbaritë e grekëve?  Përse u ndëshkua Ali Kuçi, ai vatrani që u printe dhurusve për çështjen shqiptare duke dhuruar më shumë se të gjithë për shpëtimin e Shqipërisë nën thirrjen e imzot Nolit:”Jepni për Nënën”? Shpirti i tij u shua në qelitë e errëta të Beratit.U mbeti ndër duar hetuesve komunist gjatë torturave çnjerzore në qelitë e vdekjes! Edhe vatranë të tjerë: Ish kryetari i Vatrës dhe editor i Diellit Aqile Tasi,Koço Kota, Kristo Floqi, Kol Rodhe, Kol Kuqali, Andon Frashëri, do të plaseshin në burgjet e diktaturës.

        Vatranët që kishin ndezur ëndërrën për mëvetësinë e Shqipërisë dhe kishin iluminuar shpirtrat e shqiptarëve për të ringjallur kombin e motit të  madh të Skënderbeut, u martirizuan për të mos e tradhëtuar idealin kombëtar. Në memorien e historisë ata do të mbeten martirë të iedaleve kombëtare. 

PA KOMENT-LETRA E KRISTO KIRKËS PËR MID’HAT FRASHËRIN

Boston Mass, 27 prill, 1920

Z. Mid’hat Frashëri,

Delegat i Vatrës.

40 Rue de l’Artois

Paris, Francë

Muarëm letrën tuaj me datë 21 Mars

Për dr. Adhamidin, përsa na shkruani, u habitmë, se nuk dimë gjësendi dhe nuk kemi dëgjuar gjë. Do ish mirë po të kini më tepër dritë, të na bëni të njohur.

      Sa për politikën që mban Dielli dhe të cilën e gjeni Italo-file vimë t’ju themi se Dielli nuk ka mbajtur politikë të tillë, por munt disa nga artikujt e tij t’ju duken si të tillë. Redaksia e Diellit si dhe neve, ju lutemi tepër që hera-herën të na shkruani nga një raport, i cili të botohet në gazetë dhe të shfaqni politikën tonë. Kësisoj Dielli të shkelë mbi ato gjurmë, se pa mos patur një dritë të tillë, gazeta nga ndonjë herë munt të gabohet pa dashur. Me raporte më të dendur dhe më të gjatë, Vatra dhe Dielli, ndritohen mjaft dhe dinë të punojnë më mirë.

   Nga një kabllo që muarmë me datë 20 prill nga dr. Mihal Turtulli, delegati i Vatrës, muarëm dhe demicjen e tij(dorëheqjen), si delegate i Vatrës. Kjo na hidhëroi tepër se nuk dimë shkaket që doktori jep dorëheqjen.Duket që e gjen të tepërt që Vatra të ketë delegatë sot kur qeveria ka të sajët.

  Nuk dimë edhe se si gjykoni juve mbi këtë çështje, duhet delegatët e Vatrës të qëndrojnë edhe në Paris apo duhet të veprojnë në Shqipëri, ku ka fushë veprimi më të gjërë dhe është  nevoja për ta?

    Më 17 të këtij muaji, ju dërguam një kabllo, siç ju dërguam dhe delegatëve të tjerë të Vatrës, ku ju thoshim se duhet në këto raste të jeni të bashkuar dhe në harmoni me delegacjen zyrtare të Qeverisë sonë. E gjetmë të arsyeshme se një mosbashkëpunim dhe një përçarje na duket në këto kohëra është tepër i rrezikshëm.

    Në raportin financial të zotit Mehmet Konica me datë 22 nëntor, 1919 vemë re si ai ju ka dërguar për broshurën ”Shqiptarët dhe sllavët” franga 2910.20(dy mijë e nëntëqind e dhjetë). Gjithashtu u ka dërguar për rrogë franga 3.095.20(tri mijë e nëntëdhjetë e pesë e 20) për rrogën dhe harxhe. Vatra u ka dërguar së këtejmi në Midi-Clarence, Svicre, më 13 dhjetor 1919  franga 10.000(Dhjetemijë). Me që Kuvendi i Vatrës i përmotshëm po afrohet, dëshirojmë që të kemi një raport financial për këto të holla dhe për rrogën tuaj , që kështu dhe hesapet e mvarura t’i mbyllim dhe t’ia paraqitim Kuvendit. Shpresojmë të na dërgoni këtë raport përpara 15 Qershorit që vjen.

         Ju përshëndosh atdhetarisht dhe mbetem juaji me besë

                Kristo Kirka

Zëvendës/Kryetar i Vatrës

Arkivi Qendror I Shtetit

Fondi 35, dosja 38,fletet 142-143


Diçiturat e fotografive:

 1-Kristo. Kirka 17 Janar  1883- 28 Prill 1955

2- Fan S. Noli, Sotir Peci, Kristo Kirka, Boston 1908

3-Imzot Noli, shoqeruar nga Kristo Kirka, Korçe, 11 dhjetor 1921

5-Kristo Kirka dhe ambasadori amerika Grant Hugh, qershor 1938 ne Hoçisht, Korçe.

4- Kristo Kirka, Konsull ne Nju Jork, 1925..

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, Kristo Kirka

Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright

April 28, 2022 by s p

Washington DC, 27 prill 2022/


Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, bashkë me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, dhe ish presidenten Atifete Jahjaga, morën pjesë sot në ceremoninë e varrimit të ish-Sekretares së Shtetit të SHBA-së, znj. Madeleine Albright, në ambientin historik të Katedrales Kombëtare në Washington.Në kuadër të ceremonisë, Kryeministri dhe Presidentja patën rast të takoheshin me Sekretarin e Shtetit, z. Antony Blinken, ish-Presidentin e SHBA-së, z.Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit, znj. Hillary Clinton, ish-Zëvëndëspresidentin e SHBA-së, z. Albert Gore, ish-Sekretarët e Shtetit, znj. Condoleezza Rice dhe z. John Kerry dhe ish-kongresistin Eliot Engel.

Filed Under: ESSE

PERKUJTOJME SHQIPTAREN E MADHE ZONJA LUME M. JUKA, E CILA U LARGUA NGA KJO JETE DY VJET ME PARE

April 28, 2022 by s p

Nga Eduard M. Dilo/


Ishte Zoja Lume M. Juka, profesoreshë e nderuar, dhe një shembëll patriotizmi, motër në shpirt dhe bashkëpunëtorja si dhe mike e afërt e Nanës Teresë, Shejtores që jetoi në kohën që jetojmë.Krejt bota shqiptare dhe Kombi ynë humbi një intelektuale, një grua të rrallë, aq sa të huajt këtu në N.Y. kur bisedonin me të, e pyesnin plot kureshtje, kuriozitet e habi : ” na duket sikur takuam e biseduam me Nanën Teresë; ju lutem kush jeni ju, si e keni emrin?”. Ajo me thjeshtësinë, qetësinë, butësine, miresinë dhe dritën që reflektonte në ata sytë e saj plot embëlsi, u pergjigjej:” Jam Shqipetare, ashtu si ishte dhe Nana Teresë, ngjaj si duket me të, se jemi nga një vend, e duke qenë për shumë kohë pranë Saj kam -si duket – diçka të marrur prej Saj!”Zoti e kish sjellë që unë të bisedoja e takohesha shpesh. Kur e takoja dëgjoja mrekullitë e dala nga goja dhe zemra e kesaj Zonje, që nuk nderon vetëm Shkodrën që e lindi, por krejt Kombin tonë. E kompletuar me një kulturë që do t’a kish zili gjithkush( zoteronte 7 gjuhë të huaja), por ishte aq e thjeshtë, e pervuajtur sa dhe e ditur; ishte vetë MIRESIA, si ka qenë motra e saj, Shkencetarja Shqiptare Prof. Dr. Safete S. Juka, apo vellezerit e saj, Burhan e Fiqiret. Gjithë keta intelektualë klasi! U nda nga jeta, duke lenë mbrapa vetëm shembëll e drite-dritësie. Gjithë jetën ja perkushtoi me zemër e shpirt vetëm Kombit,Ishte pjesmarrëse kudo dhe kurdoherë në gjithë aktivitetet veshur hijshëm me kostum Kombëtar, ( kostum i ruajtur në familje mbi 200 vjet) si dhe Flamur të mah në dorë. Ajo paraprinte parakalimet dhe përcillte e predikonte me urtësi e mirësi veç dashurinë e pa kufi që kish per Atdhenë. Ishte e thjeshtë dhe tepër modeste, kurrë nuk beri diçka për tu dukur e rënë në sy, por veç bente atë që ja thosh zemra e shpirti mbrujtur e edukuar në familje vetëm me ndjenje atdhetare. “ Patriotizmin dhe dashurinë për Kombin e quante detyrë , dhe nuk kerkoi kurrë shpërblim e përfitim prej tij”. Bota shqiptare ka humbur keshtu një nga intelektualet e pakta që ka patur në gjirin e vet, ka humbur një personalitet të lartë të kulturës, dijeve dhe patriotizmës.

Filed Under: Sociale Tagged With: Eduard dilo, Lume JUKA

NËNË TEREZA NË AMERIKË

April 28, 2022 by s p

Aktivitete kushtuar Shenjtëreshës shqiptare.

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Ky vit shënon 25-vjetorin e kalimit në amshim të Nënë Terezës (5 Shtator, 1997) në moshën 87 vjeçare. Duket se janë në plan një mori aktivitetesh, anë e mbanë botës, për të shënuar këtë përvjetor, përfshir botën shqiptare, përfshir komunitetien shqipotaro-amerikan.  Disa prej veprimtarive në kujtim të Nenë Terezës, kanë filluar këto ditë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Këtyre aktiviteteve u ka prirë Dr. Profesor Gëzim Alpion i Universitetit Birmingham të Anglisë, anëtar i Departamentit të Sociologjisë që nga viti 2002.  Profesori Alpion — biograf i njohur, ndërkombtarisht, i jetës dhe veprimtarisë së Nënë Terezës — është autor i dy librave në gjuhën anglisht mbi Nënë Terezën, përfshir librin botuar kohët e fundit, “Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj”–  Frank Shkreli: Nënë Tereza- Shenjtëresha dhe kombi i saj e autorit Dr. Gëzim Alpion | Gazeta Telegraf – Përveç librave, Profesor Alpion është i njohur gjithashtu edhe për kumtesat e tija të shumta — në anglisht dhe shqip –anë e mbanë botës, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës.  Profesori Alpion më kishte njoftuar kohë më parë për turneun e tij në Shtetet e Bashkuara – vërtetë një dhuratë për publikun amerikan dhe shqiptaro-amerikan për të mësuar më shumë nga biografi i njohur në anglisht i Nënës tonë Tereze mbi jetën e kësaj figure të madhe të kombit shqiptar.

Profesori Alpion e filloi turneun e tij në Amerikë, kushtuar Nenë Terezës dhe librit më të fundit të tij, “Mother Teresa: The Saint and Her Nation”, me 26 Prill në Washington, fillimisht, me një intervistë dhënë Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe — Dr. Alpion: Brezi i ri në Shqipëri dhe Kosovë po ballafaqohet me një shpirt materialist (zeriamerikes.com)

Në intervistën e tij me gazetarën e VOA-s Menada Zaimi, Profesori i Universitetit Birmingham të Anglisë, Dr. Gëzim Alpion tha, ndër të tjera, se brezi i ri në Shqipëri dhe Kosovë po ballafaqohet me një shpirt materialist. Ai shtoi se ky shpirt, i cili është në kundërshtim me atë që kishte shprehur Nënë Tereza në jetën e saj, duhet kuptuar se nga po vjen, theksoi ai për Zërin e Amerikës. “Ne shqiptarët kemi një figurë, një shenjtëreshë si Nënë Tereza për të treguar se në jetë ka diçka që është më e rëndësishme se ana materiale. Ana shpirtërore është gjithnjë frymëzuese. Unë shpresoj që Nënë Tereza do të vazhdojë të frymëzojë shqiptarët në Ballkan në mënyrë që ne të mësojmë se si të jemi më pranë atyre që janë në nevojë”, nënvijoi Dr. Gëzim Alpion në intervistën e tij me VOA-n shqip.

Zoti Alpion shtoi për Zërin e Amerikës në shqip, se Nënë Tereza nuk duhet të shihet vetëm si një figurë që duhet studiuar vetëm nga teologët por edhe nga sociologët, studiuesit e çështjeve të grave dhe atyre gjinore. Sipas Dr. Gëzim Alpion, studimi nga shumë fusha të tjera akademike do të hidhte më shumë dritë në aspektin shumë dimensional të figurës së Nënë Terezës, citon Zëri i Amerikës në portalin e vet, Prof. Alpion.

Pas intervistës me Zërin e Amerikës, Dr. Alpion ishte ftuar nga Universiteti Georgetown, i njohur si ndër më mirët dhe më të njohurit në Amerikë dhe në botë — një takim ky i organizuar falë Entit të Studimeve Katolike të universiteti të njohur jezuit në kryeqytetin amerikan.  

Graphical user interface

Description automatically generated

Njoftimi i kumtesës së Profesorit Alpion në Universitetin Georgetown, Washington, DC

Pas kumtesës në Universitetin Georgetown, Profesori Alpion u nis për në Boston, më sakt drejt një universiteti tjetër me nam e zë, në Amerikë dhe në botë, Universitetit Harvard, për të mbajtur një kumtesë edhe atje për librin e tij më të fundit: “Nenë Tereza: Shënjtëresha dhe Kombi i Saj”, kësaj radhe organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.

                              Text

Description automatically generated Njoftimi nga Universiteti Harvard për ligjëratën e Profesor Dr. Gëzim Alpion mbi jetën shumë dimensionale të Nënë Terezës

Dr. Alpion do të flasë në Harvard University, me 27 prill — në një ligjëratë e organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit.  Takimi do të mbahet në sallën “Harvard Hall 201”, në orën 6:00 të mbasdites.

Stema e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Harvardit
Icon

Description automatically generated

Nga Bostoni, Profesori dhe studiuesi i njohur dhe biografi i Shën Nenë Terezës do niset për Nju Jork, metropolin e Amerikës dhe të botës, por edhe të komunitetit të madh shqiptaro-amerikan, ku të shtunën me 30 prill, në ora 3:30 pas dreke, do të paraqesë librin e tij më të fundit: “Nënë Tereza: Shenjtorja dhe kombi i saj”, në mjediset e Federatës Vatra, në Bronx New York, i ftuar nga Federata Pan-Shqiptare Vatra, organizata më e vjetër dhe më e madhe e shqiptarëve të Amerikës

Shape

Description automatically generated with low confidence

– e themeluar nga Fan Noli dhe Faik Konica – e që sivjet feston 110-vjetorin e themelimit të saj nga këta dy gjigantë të Kombit shqiptar.

Me ligjëratën e tij në VATËR, këtë të shtunë, me sa jam i informuar unë, studiuesi Alpion, të pakën siç duket deri tani, i mbyllë kumtesat e këtij turneu, mjaft të suksesshëm,  në Shtetet e Bashkuara, kushtuar promovimit të librit në anglisht: “Mother Teresa: The Saint and Her Nation” (Nenë Tereza: Shënjëtresha dhe Kombi i Saj). Por, këtu në Amerikë, nuk mbarojnë aktivitetet e tjera kushtuar Nenë Terezës në komunitetin shqiptaro-amerikan.

May be an image of 1 person, outdoors and monument

“Shën Tereza” bashkon shqiptarët në Kishën Zoja e Shkodrës më 3 Maj 2022

Ndërkaq, Kisha Katolike shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale të Nju Jorkut me statujën (në përfundim e sipër, duke pritur inaugurimin zyrtar) të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe – gjithashtu ka njoftuar (si më posht) se “Qendra Nëna Tereze e Kishës Katolike Zoja e Shkodrës”, në bashkpunim me Federatën Pan-Shqiptare Vatra dhe me Gazetën Shqiptaro-Amerikane, Illyria, organizojnë, javën që vjen, gjithashtu një simpozium me rastin e 25-vjetorit të ndarjes nga kjo jetë të Shën Nënë Terezës. Ja dhe njoftimi për këtë

seminar, që do të zhvillohet javën që vjen, kushtuar Nenë Terezës shqiptare, organizuar nga tri organizata përfaqsuese të komunitetit shqiptaro-amerikan, Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës, Federata Pan-Shqiptare Vatra dhe gazeta shqiptaro-amerikane, Illyria.Graphical user interface, text

Description automatically generated

Ndërsa në Detroit të shtetit Miçigan me 24 prill, në ambientet e Qendres kulturore “Nene Tereza” të Kishës Zoja Pajtore, sipas portalit të saj, u mbajt një aktivitet i gjerë letrar për promovimin e dy librave të  autorit e biografit të mirënjohur i jetës dhe veprimtarisë së Nenë Terezës, i mirënjohuri, Dom Lush Gjergji: “Albanian people in my heart”, me nje permbledhje bisedash me Nënë Terezën dhe “Shën Jeronimi Ilir”, si përkthyes dhe dijetar i Kishës. U promovua gjithashtu edhe libri i Ines Angeli Murzaku, “Mother Teresa, Saint of the Peripheries”, ku i ftuar nderi ishte shkrimtari dhe poeti disident, Visar Zhiti. Edhe Zonja Edlira Zhiti, bashkëshortja e Visarit, përshëndeti dhe foli rreth një libri të saj kushtuar Nënë Terezes. Të ftuar ishin edhe kryetarët e Shoqatave atdhetare në Michigan.  Edhe ky ishte gjithashtu një takim i shqiptarëve të Amerikës, pa dallim, rreth Nenë Terezës, ndër ngjarjet e kësaj jave kushtuar Shënjtëreshës shqiptare, e që tregojnë një gjallëri aktivitetesh të komunitetit shqiptaro-amerikan, por edhe “Anën shpirtërore (të Nenë Terezës) që është gjithnjë frymëzuese”, për shqiptarët, siç u shpreh studiuesi dhe biografi Dr. Gëzim Alpion në intervistën dhënë Zërit të Amerikës me këtë rast. Foto nga portali i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Detroit. 

            Dom Lush Gjergji duke folur në aktivitetin kushtuar Nenë Terezës, organizuar nga Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Detroit

                 A person standing at a podium

Description automatically generated with low confidenceShkrimtari dhe Disidenti anti-komunist Z. Visar Zhiti duke mbajtur kumtesën kushtuar Nenë Terezës në Kishëpn Katiolike Shqiptare, Zoja Pajtore e Shqiptarëve në shtetin Miçigan

Foto e disa pjesëmarrësve në aktivitetin e Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Miçigan

Përgatitur nga Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, NËNË TEREZA NË AMERIKË

Mark Gjonaj organizoi Iftar vëllazëror në Qëndrën Islame Shqiptaro Amerikane në Queens

April 28, 2022 by s p

Mu në çastet e muzgut të bukur pranveror të dielës së fundit të prillit, në hapsirat e Qëndrës Islame Shqiptaro Amerikane në Queens, në një atmosferë të përshpirtëruar dhe vëllezërore, u mbajt iftari solemn me rastin e muajit të bekuar të Ramazanit. Mikëpritësi i iftarit ishte themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, kurse organizatori i tij ishte politikani, aktivisti dhe filantropi i shquar shqiptar, Mark Gjonaj. Në iftar morën pjesë një numër i konsiderueshëm i përfaqësuesve të shoqatave shqiptare, figurave të shquara të komunitetit shqiptarë, nga intelektualët, afaristët, si dhe antarët dhe besimtarët e rregullt të Qendrës. Fjalën përshëndetëse e mbajti Imami i Qendrës, Edin Gjoni, i cili përzemërsisht përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi për ardhjen e tyre. Ai në veçanti falënderoi mikpritesin e iftarit, z. Arbër Hajdarin dhe organizatorin, Mark Gjonaj, duke i uruar të dy ata për kontributin e tyre të lartë të cilin ata parreshtur e japin në shërbim të kombit. Ai, ndër të tjera tha:“Nuk ka kënaqësi më të madhe sesa kur sofrën (tryezën) e ndajmë së bashku me fqinjët dhe miqtë, sidomos në këtë muaj të begatë. Muaji i Ramazanit është muaj në të cilin përpiqemi t’i afrohemi Zotit. Kjo vërtetë arrihet me zbatimin e riteve dhe adhurimeve fetare, por gjithashtu edhe duke iu afruar zemrës së tjetrit. Prandaj, ky është muaj i miqësisë, dashurisë, ndjeshmërisë dhe respektit reciprok ndaj të tjerëve. Iftari është një rast i shkëlqyeshëm për ta realizuar një gjë të tillë. E nuk e thonë kot, “një nga rrugët të cilat na çojnë te zemra e tjetrit kalon pikërisht nëpër stomak”. Prandaj, unë sot falënderoj në veçanti Arbërin dhe Markun që na mblodhën sonte këtu dhe na mundësuan që të ushqehemi në nivele të shumta të qenies sonë, trupore, emocionale dhe ato shpirtërore.” Pas fjalës hyrëse, fjalën e ka marë Mark Gjonaj. Ai tha se, është një bekim i vërtetë kur mblidhemi së bashku “to brake bread together”. Prandaj edhe tek shqiptarët tradicionalisht vlen thënia, “shtëpia i takon Zotit dhe mikut.” Ai theksoi, se Ramazani është muaj në të cilin neve i japim një kuptim të vërtetë jetës. Se jeta e jonë nuk guxon të jetë vetëm akumulim i të mirave materiale, por duhet të jetë shumë më tepër se kaq. Në ata momentet e fundit të jetës tonë, çdo njëri prej nesh duhet ti bëjë pyetje vetes: “A e lëmë këtë vend më mirë seç e kam gjetur? Dhë në ç’masë kam kontribuar për ta lënë në gjendje më të mirë?” Arbër Hajdari është një prej atyre i cili ka kontribuar dhe kontribuon shumë për ta lënë këtë botë më mirë seç e kishte gjetur. Së bashku me vullnetarët e vet ka ndërtuar pesëqind shtëpi dhe qindra të tjerëve punon për t’ia siguruar ushqimin, dhe ka arritë atë që askush më parë nuk ka arritë ta bëjë. Prandaj, një duartrokitje për Arbër Hajdarin.” Më tej, Arbër Hajdari iu drejtua të pranishëmve duke i bërë të njohur se puna e tyre ka filluar me datën 24 shtator 2015, që njëherazi kishte rastisur të jetë dita e festes së Bajramit. Pra, “një ditë që mendonim ta kalonim ndryshe dhe të fillojmë të veprojmë diçka ndryshe” tha Hajdari. Kësaj nisme janë përgjigjur një numër i madh njerëzish. Sot Fundjava ka qendrën në Tiranë dhe në ka degët në çdo qytet. Ajo numron 13,000 vullnetarë në krejt vendin. Megjithatë, “çfarëdo që të jetë bërë” theksoi ai “nuk është unë që kam bërë ndonjë gjë. Kontributi më i madh ka qenë kontributi juaj. Në të vërtetë, puna që është bërë ëhtë shpërblim i qëllimit të pastër që keni pas për të bërë një punë mirë. Në momentin kur të humbet pastëritia e këtij qëllimi kjo punë do të shkatërrohet më shpejt se çfarë është krijuar.” Ai shtoi se bëmirësia nuk ëshët vetëm ndihma materiale. Bëmirësi është çdo fjalë mirë dhe buzëqeshje e cila sjellë shpresën se situata do të bëhet më mirë. Hajdaraj në fund uroi që Zoti t’ia pranojë gjithë agjërueseve këtë muaj, që t’ia pranojë lutjet e tyre. Ai shtoi, “më bëhet zemra mal sa herë që vijë këtu, sepse çdoherë ju shohë gjithëve bashkë dhe akoma më të fortë. Ju falëminderit!”Pas kësaj Hajdari iu përgjigj pyetjeve dhe komenteve të të pranishmëve kurehtarë, me ç’rast foli për projektet e rradhës së Fundjavës Ndryshe, si dhe për përfitimet Fundjavës nga sistemet tjera bëmirëse, konkretisht ata Amerikane. Më në fund studiuesi Dr.Paulin Marku e përmbylli me konstatimin se Arbër Hajdari falë punës së madhe që e bën ai nuk është thjeshtë një djalë 28 vjeçar, por në veprimtari dhe pedagogji tregon se është një burrë, kaluar burrërinë. Ai përgëzoi atë, stafin e tij dhe të gjithë donatorët arrijnë që të këthejnë buzëqeshjen tek të sëmurit, lumturinë te fëmijët dhe të vjetrit që kanë nevoja për ilaçe dhe ndihma mjeksore. Ramazani qoftë i bekuar dhe të pranuara qofshin lutjet tuaja! Ju falenderit për ftesë.” Pas iftarit të shijëshëm i cili u përgatit nga duart e vyera të pronarit të “Tratoria Ora”, Ramo Besit, Imam Edin Gjoni bëri lutjen e pas-ushqimit. Ai tha, Falëmnderit Zotit i cili na mundësoi çfarë të hamë dhe të pijmë. dhe që na mblodhi sonte këtu në këtë iftarë të begatë. Paqja, mëshira, mirësitë dhe bekimet e Zotit qofshin mbi zemrat bujare që e kanë shtruar këtë iftar, mbi miqtë të nderuar që e kanë ngrënë këtë iftar, mbi duartë e vyeshme që e kanë përgatitur dhe mbi gjithë që gjinden në këtë vend. O Zot i jonë, të falëmnderojmë për këtë faltore, Xhami, në të cilën na mblodhe, për shtëpitë, familjet, miqtë tonë dhe shokët të cilët na i dhurove dhe me ta na nderove, e sidomos për të pranishmit tonë sonte këtu. O Zot i jonë, kur të kemi ushqim, na i kujto ata që të uritur janë, Kur të kemi shtëpi, na mundëso t’i kujtojmë ata që kulm mbi kokë nuk kanë, Kur të kemi punën, na kujto ata që pa punë janë, Kur në mirëqenie të jetojmë, na mundëso t’i kujtojmë ata që vuajnë, Kur të jemi në shoqëri të miqëve dhe dashamirëve, na mundëso ti kujtojmë ata që të vetuar janë. Kur ti kujtojmë ata, na mundëso që ta zhdukim egoizmin tonë, ta ngrejmë ndjeshmërinë tonë, dhe jepna mundësinë që t’i ndihmojmë atyre – me fjalë dhe vepër – ta kenë atë që nuk e kanë, e që e neve e quajmë për mirëqenie të sigurtë dhe të patjetërsueshme. Ngase qëllimi i këtij muaji të bekuar të Ramazanit është që të afrohemi Ty, duke veshur veten tonë me cilësitë dhe tipare e mëshirës, bujarisë, altruizmit dhe dashurisë. Duke e gëzuar këtë ushqim sonte, të lutemi që të na japësh shëndet dhe force të vazhdojmë më tutje në këtë drejtim dhe të jetëjmë dhe punojmë ashtu që Madhëria e jote të jetë e kënaqur me ne. O Zot, bekoji dhe begatoji familjet tona, komunitetitm tonë, vendlindejn dhe atëdheun tonë, dhe këtë tokë për të cilen e lidhe fatin tonë SHBA. Amin!

Filed Under: Opinion Tagged With: edin gjoni, Qëndrën Islame Shqiptaro Amerikane në Queens

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT