• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2022

NGA PËRURIMI I LIBRIT “ZJARRI ARBËROR I PASHUAR” NË FILADELFIA

May 30, 2022 by s p

Shkruan Mëhill Velaj/

        Në vazhdën e aktiviteteve kulturore të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë, në bashkëpunim me Shoqatën “Bijtë e Shqipes”, në lokalet e kësaj shoqate në Filadelfia, u  bë përurimi i librit “Zjarri arbëror i pashuar të prof. Bexhet Asanit. Të dy kryetarët Bujar Gjoka me stafin e tij si nikoqirë dhe kryetari Mëhill Velaj që në orët e para të mëngjesit të ditës së dielë (22 maj 2022), po bënin përgatitjet për të pritur sa më mirë mysafirët e shumtë nga Nju Jorku, Kenerika, Pensilvania dhe Nju Xherzi.

           Përurimin e hapi prof. Mëhill Velaj, me një përshëndetje të ngrohtë vëllazërore. Të pranishmit sipas traditës kryetari Bujar Gjoka i uroi mirëseardhjen motrave, vëllezërve, mikeshave e miqve të cilët kishin ardhur nga të katër shtetet e Amerikës. Në përurim mori pjesë edhe kryetari i Akademisë z. Skënder Kodra si dhe këta anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë: Mëhill Velaj, Iliriana Sulkuqi, Adnan Mehmeti, Arjeta Ferlushkaj, Besim Muhadri, Bexhet Asani, Sabije Dervishi Veseli, Ramiz Mujaj, Vlashi Fili, Llazar Vero, Hys Hasa,  Ibadete Humolli Teta, Pal Ndrecaj, Fjorela Çela Forde. Vlen të theksohet se interesimi i lexuesve ishte shumë i madh dhe se në përurim morën pjesë edhe nëna me fëmijë.

               Në fillim e mori fjalën presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë z. Adnan Mehmeti: Të nderuar anëtarë të kryesisë së Shoqatës “Bijtë e Shqipes”!

Të dashur anëtarë të shoqatës së shkrimtarëve!

I nderuar miku ynë shkrimtari i mirënjohur Bexhet Asani!

            Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në bashkëpunim me Shoqatën “Bijtë e Shqipes” organizon një aktivitet të veçantë për promovimin e veprës së autorit Bexhet Asani.

Jam shumë i lumtur që jam në mesin tuaj, ku kam shumë miq. Për mjaft autorë shqiptarë që banojnë në Amerikë apo dhe në trojet amtare e kanë një ëndërr të bukur promovimin e një vepre letrare në këtë qytet, në kujdesin e kësaj Shoqate që sot drejtohet nga z. Bujar Gjoka. 

Unë kam patur rastin që të udhëtoj shpesh nëpër Amerikë, të kontaktoj shumë shqiptarë mes të cilëve dhe mjaft shkrimtarë.  Po e them sot me mjaft sinqeritet se në Filadelfia mes jush me një emër mjaft simbolik “Bijtë e Shqipes” ndihem mjaft mirë. Ndihemi mirë edhe me bibilotekën mjaft të pasur që keni duke përfshirë dhe arkivin e profesorit të ndjerë Petër Prifti, që për ne mbetet frymëzim i përjetshëm.

Zonja dhe zotrinj,

          Le të vijmë te vlerat që përcjell libri. Duke e lexuar e rilexuar nuk e fsheha emocionin që më dha vepra. Së pari nga gëzimi i suksesit të një anëtari të devotshëm të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Ai ka punuar me të për një kohë mjaft të gjatë aq sa mund të themi se ky është “Libri i jetës”. Vetë metafora e titullit na dërgon në një trevë mjaft të begatë për gjuhën shqipe që mbetet edhe sot e kësaj dite një thesar i kulturës sonë kombëtare.

         Brenda këtij libri janë gjurmët historike, janë përpjekjet që bëhen atje për të ruajtur kulturën shqiptare që edhe tani pas 550 viteve është kaq e gjallë, kaq e spikatur. Kalojnë njëri pas tjetrit në këtë libër njerëz të shquar të kulturës arbëreshe si poetë, piktorë, këngëtarë, valltarë, studiues, profesorë. Pa rënë në përsëritje të veprave të tjera me këtë karakter ai na jep të dhëna më shumë për personalitete arbëreshë. E për këtë duket se ka bërë një punë mjaft të madhe kërkimore në arkiva, në vepra të tjera e sidomos në rrugëtimin e tij në këto treva duke na dhënë edhe disa reportazhe mjaft të realizuar.

         Do të thoja me plot gojë që një pjesë të suksesit të librit ai ia ka besuar dhe fotografive të marra në këto treva ku shkëlqen madhështia e kostumeve popullore arbëreshe.  Leximi dhe studimi i kësaj vepre nga lexuesit e sidomos nga shkrimtarët shqiptaro-amerikanë është një obligim mjaft i madh. Është për t’u përshëdetur ky promovim që mund të vazhdojë edhe në qendra të tjera që të bëhen sa më të njohura vlerat e këtij libri.

Faleminderi miku i letrave shqipe Bexhet Asani! Suksese për librin!

E në këto çaste festive urimet ndjekin njëri-tjetrin. Faleminderit nikoqirë dhe bashkëatdhetarë për këtë organizim kaq të bukur! Nga krijimet modeste të Shoqatës sonë, për bibliotekën tuaj të pasur, po ju sjellim dhe monografinë e Shoqatës së Shkrimtarëve, si dhe numrin më të ri të revistës “Pena”. Le të marrë jetë me shkrimet e shkrimtarëve anembanë Amerikës, e të lexohet edhe në Filadelfian historike.

               Në këtë atmosferë kaq mbresëlënëse z. Bujar Gjoka fton ish nxënësen e shkollës s[ Shoqatës “Bijtë e shqipes” – Gjuha jonë” Selma Çelën. E cila recitoi poezinë e babait të saj  Bujar Çela:

           Zjarri I pashuar  

(Kushtuar prof Bexhet Asanit)

Ju motra vëllezër, a s’më thoni,

Këtu, ne sot, kush na mblodhi,

Një burrë fisnik nga Zagraçani,

Profesor Bexhet Asani.

Miq dhe shokë ç’ më zuri rruga, 

Të shkoja, andej nga Struga.

Ulur nën hijen e një mani,

Ballë për ballë, Bexhet Asani.

Dhe e solla këtu, midis nesh,

Të na flas për popullin arbëresh.

Dhe për kryeheroin e Atdheut,

 Lavdisë veprës së Skënderbeut!

Ti, moj, nëna e Zagraçanit,

Hallall qumështi yt për djalin!

Që pennn nuk ia ndan vatanit,

Fillon qe me kohen e Arberit.

Ndaj dhe “Bijtë e shqipes” sot,

Respekt nga thellësia e zemrës, 

Njëzëri urojmë suksese plot,

Për ty,  o  pishtari,  i penës!

Filed Under: Kulture Tagged With: Mehill Velaj

NJË DRAMË E RE PËR GJERGJ KASTRIOTIN – SKËNDERBEUN E PANJOHUR DHE E PA INDEKSUAR NË BIBLIOGRAFINË PËR TË

May 30, 2022 by s p

Frontespici i drames per Skenderbeun nga viti 1737
Faqja 33 nga drama e vitit 1737, fundi i aktit te trete ku eshte shenuar emri i autorit te tekstit, Francesco Magnani
Faqja 19 nga drama e vitit 1737, fundi i aktit te dyte ku eshte shenuar emri i autorit te tekstit, Giuseppe Pesenti
Faqja 9 nga drama e vitit 1737, fundi i aktit te pare ku eshte shenuar emri i autorit te tekstit, Ottaviano Diodati
Faqe 8, nga drama e vitit 1737 ku jane shenuar emrat e aktoreve

Deri në mesin e shekullit XVIII u shkruan disa drama, tragjedi dhe komedi, një pjesë e mirë e të cilave janë të njohura për studiuesit dhe publikun e gjerë, por, njëkohësisht, ka mjaft tituj të botuar nga fusha e dramaturgjisë, të cilët kanë mbetur nën pluhurin e harresës, përkundër faktit se si vlera janë në nivel me të tjerat, në mos më lart. –  Subjekti i dramës është ndërtuar mbi bazën e burimeve dokumentare të njohura të kohës dhe botimeve më të rëndësishme të autorëve eminentë, siç ishin: Odoricus Raynaldus (1646); Abraham Bzovius (1627), Henricus Spondanus (1641), Ioannes Leunclavius (1588), Paolo Giovio (1531) dhe Giovanno Sagredo (1673) që do të thotë se drama kërkon t’u mbetet besnike të vërtetave historike që njiheshin në atë kohë për Skënderbeun. 

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Krijimet artistike për nga vëllimi nuk mbetet pas krijimtarisë tjetër, asaj historike, publicistike dhe filozofike, për jetën, veprën dhe figurën e Gjergj Kastriotit Skëndërbeut. Duke qenë se jeta e tij ishte plot sfida, dramatizëm dhe konflikte në fushëbetejë dhe jetë private, tërhoqi që në shekullin XVII vëmendjen e dramaturgëve për krijmet e tyre sa reale aq edhe fantastike, në të cilat shquhet veçanërisht simbolike domethënëse dhe fabule me plot kolorit e porosi përmbajtësore. 

Deri në mesin e shekullit XVIII, u shkruan disa drama, tragjedi dhe komedi, një pjesë e mirë e të cilave janë të njohura për studiuesit dhe publikun e gjërë, por, njëkohësisht, ka mjaft tituj të botuar, nga fusha e dramaturgjisë, të cilët kanë mbetur nën pluhurin e harresës, përkundër faktit se si vlera janë në nivel më të tjerat në mos më lartë.

Në këtë kuadër është edhe drama në tre akte e botuar në Modena të Italisë në vitin 1737, e cila nuk shënohet në asnjë bibliografi të Gjergj Kastritoit Skënderbeut, por as nuk përmendet fare nga studiuesit tonë e të huaj.

Në anën tjetër, përmendet një dramë tjetër, e botuar po në Modena të Italisë, në vititn 1770 e cila nuk ka asgjë të përbashkët me dramën për të cilën ne po shkruajmë, pos ndoshta që është e ndikuar nga libri i viti 1737.

Drama nga viti 1737, me titull “Aleksandri zot i Shqipërsië. Vepër akademike për t’u shfaqur në Teatrin e Madh Dukal, në ditën shumë të lumtur të lindjes të shkëlqesisë së tij, princ të Modenës, hartuar, recituar dhe kushtuar madhërisë së tij, Rinaldos I, dukës së Modenës, Rexhios, Mirandolës etj. Nga zotërinjt konviktor të kolegjit të fisnikëve” (Titulli në origjinal italisht mund të lexohet te ilustrimi i frontespicit që po botojmë) është në gjendje shumë të mirë. Ka kopertona kartoni të forta të kohës. Pas faqes së frontespicit, është një faqe boshe dhe menjëherë në shtatë faqet në vijim është argumenti. Në faqen tetë janë të shënuar personazhet e dramës dhe emrat e aurtorëve të cilët kanë interpretuar këtë dramë. Teksti i dramës ka 47 faqe. Drama ka tre akte. Akti parë f. 1-9 dhe ka si autorë Ottaviano Dodatin. Në f. 10 është kënga e parë, ndërsa në f. 11-19 është akti i dytë me autorëGiuseppe Pesentin; f. 20 është kënga e dytë, ndërsa në f. 21-33 është akti i tretë me autorë Francesco Magnanin, f. 34-35 është kënga e tretë dhe në f. 36-47 janë ballot për të tre aktet e dramës. Pra siç vërehet drama është e shkruar nga tre autorë të ndryshëm përkatësisht secili nga tre aktet e dramës ka autorin e tij.

Vepra „Aleksandri, zot i Shqipërisë“, siç mund të kuptohet edhe nga vetë titulli ishte një aksion akademik për t’u paraqitur në teatrin e madh dukal në ditën e vitit të ri të sundimtarit, princit të Modenës, Rinaldos I, i cili ishte njëkohësisht dukë i Modenës, Reggios dhe Mirandolës. Kjo vepër u shkrua, u recitua dhe iu kushtua këtij sundimtari nga konviktorët e kolegjit të fisnikëve (signori convittori del collegio de’ nobili) në Modenë, dhe u botua në vitin 1737 nga Bartolomeo Soliani, botuesi dukal, me lejen e autoriteteve përkatëse. 

Subjekti i veprës parashtrohet në formën e argumentit në pesë faqet e para të botimit. Për të kuptuar më mirë audiencën të cilës i drejtohej kjo dramë dhe njohurive paraprake të saj në lidhje me Skënderbeun, po e sjellim të gjithë subjektin të përkthyer me besnikëri në shqip. 

“Gjergji, zoti i Shqipërisë e më vonë mbret i Epirit, i dhënë peng nga i ati bashkë me tre vëllëzërit e tij më të mëdhenj për paqe te Murati II, u bë zot i madh [Gransignore] i turqve. Duke parë te djaloshi një elegancë të mrekullueshme dhe një karakter luftëtari, ai e veçoi nga vëllëzërit e tjerë dhe ashtu si djalin e tij e stërviti në ligjin muhamedan dhe në të gjitha artet kalorsiake. Duke parë pastaj gjithmonë e më shumë gjallërinë dhe shkathtësinë e tij në përdorimin e armëve, e gradoi në një moshë akoma të re, kur ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç si komandat të ushtrive të tij. Për shkak të fitoreve të sjella prej tij, ia ndryshoi emrin nga Gjergj në Skanderbe, që në gjuhën tonë do të thotë Aleksandër, emër me të cilin do të quhej gjithmonë më vonë për shkak të trimërisë së tij të pamposhtur. Kur vdiq babai i tij [Skenderbeut], Murati pushtoi shtetet e Shqipërisë dhe pasi helmoi vëllëzërit e Aleksandrit, i premtoi atij, që në momentin e përshtashëm do ta rivendoste në principatat e tij, duke e mbajtur ndërkohë pranë vetes për ta përdorur për pushtime të tjera. Aleksandri, i tmerruar nga vdekja e vëllëzërve dhe duke dalluar shpirtin jobesnik të otomanit, vendosi që të shpallte hapur fenë e vërtetë. U arratis me shumë zgjuarsi dhe mjeshtri nga duart e tiranit dhe me uniformë turke u fut në Krujë, kryeqytet i shteteve të tij, dhe vrau të gjithë turqit që kishin pushtuar tokat e tij. I goditur thellë në shpirt nga ky fakt, Murati II, zemërohet dhe nuk mendohet gjatë për një hakmarrje të shpejtë, por dërgoi njërën pas tjetrës dy ushtri të mëdha për të sulmuar Krujën. Të dyja u shpartalluan nga Aleksandri i fortë dhe nga të dy gjeneralët e ushtrisë turke, njëri mbeti i vrarë dhe tjetri u zu rob. I sigurt se do t’ia dilte me planin e tij, Murati II shkoi vetë personalisht me 160 mijë ushtarë dhe me një numër të jashtëzakonshëm artilerie në atë rrethim [të Krujës, në vitin 1450]. Pasi e kishte provuar edhe me dredhi edhe me forcë, por pa sukses që ta pushtonte [Krujën], vdiq i pushtuar nga zemrimi dhe inati.”

Subjekti i dramës është ndërtuar mbi bazën e burimeve dokumentare të njohura të kohës dhe botimeve më të rëndësishme të autorëve eminentë, siç ishin: Odoricus Raynaldus (1646); Abraham Bzovius (1627), Henricus Spondanus (1641), Ioannes Leunclavius (1588), Paolo Giovio (1531) dhe Giovanno Sagredo (1673) që do të thotë se drama kërkon t’i mbetet besnike të vërtetave historike që njiheshin në atë kohë për Skënderbeun. Shënimet për autorët e cituar i gjejmë në f. 7 të dramës. Megjithatë siç do ta shohim më poshtë nga zgjedhja e emrave të personazheve dhe nga sfondi skenik në të cilën zhvillohen ngjarjet, bëhet një aludim i qartë për një lidhje të drejtpërdrejtë midis Skënderbeut dhe Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, gjë që autorët kanë arritur me mjaft mjeshtri ta realizojnë.

Personazhet kryesorë në këtë dramë janë Aleksandri, zoti i Shqipërisë, Murati, perandori i turqve (sulltani), Araniti, Spani, princër në Shqipëri, Ernesti, Gjeneral i Aleksandrit, Osman aga, Selimi, ambasadori i Muratit dhe i burgosuri Ahmet pasha. Skena zhvillohet në një fushë mes dy ushtrive të Aleksandrit dhe të Muratit. 

Lidhja me antikitetin bëhet nëpërmjet hënës, e cila mbizotëron skenën para lojës së aktorëve. Skena përshkruhet në detaje në botim duke shpjeguar kuptimin e hënës në të dhe në të njëjtën kohë duke aluduar për Aleksandrin e Madh. Në antikitet, me tre figura të ndryshme njihej Perëndesha Ekate, ose Hënën, në varësi të zonave të ndryshme në të cilat ajo jetonte dhe me tre emra e dallonin atë: Proserpina në ferr, Çintia në qiell dhe Diana në tokë. Tre kërcimet e para në skenë i referohen këtyre tre figurave, duke pritur në adhurim që kësaj perëndeshe të ëndërruar t’i përulen edhe turqit e paraqitur në këtë aksion. Në të parin kërcim, në një fushë plot me gjemba në mes të të cilës është një mal me kratere gati për t’u hapur, paraqitet froni i Proserpinës, që adhurohet nga katër bujq dhe gra të tjera që herë mbledhin lule e herë ngjiten në mal. Kur krateri tymues i malit hapet, gratë largohen duke vrapuar sepse që andej del Plutoni me suitën e tij dhe rrëmben Proserpinën, i cili pastaj feston bashkë me suitën e tij për rrëmbimin e suksesshëm. 

Pas kësaj paraqitje skenike del në skenë Aleksandri, Araniti dhe Spani të cilët diskutojnë me njëri-tjetrin për vlerat në luftë e në fitore dhe nga dialogu i tyre mësojmë të gjithë kontekstin historik në të cilën është vendosur drama. 

Aleksandri fillon i pari me dialogun e tij, dhe që në fillim autorët vënë në gojë të Aleksandrit vargje të tilla plot adhurim për grekët e lashtë 

“Se dal valor vien la vittoria, o Prenci,

Ell’è per noi decisa, han vinto i Greci”

Nga goja e Aleksandrit mësojmë të gjithë kontekstin historik në të cilën zhvillohen ngjarjet e dramës: Murati do të kthehet me ushtri dhe do të tentojë të pushtojë Epirin dhe Arbërinë. Këto dy të fundit në gojën e tij dalin si dy gjëra krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Po kështu, Aleksandri thekson vendin e veçantë që zë “la costante mia Croja” në zemrën e tij, dashuri kjo që do të vihet në sprovë në kulmin e kësaj drame. 

Nga goja e Aranitit dëgjuesit njihen më mirë me forcën dhe karakterin e Aleksandrit, sepse ai i drejtohet plot lëvdata dhe këshilla Aleksandrit, duke i rikujtuar ligësinë e Muratit dhe natyrën e tij mashtruese. Me pak fjalë, ai e përgatit dëgjuesin/lexuesin e vëmendshëm edhe për skenarin e dramës, por pa zbuluar atë që do të përbëjë kulmin e saj. Në gojën e Spanit, autorët e dramës kanë vënë sukseset e turqve dhe e paralajmëron Skënderbeun për fuqinë e madhe të turqve të cilët kanë pushtuar Afrikën, Azinë dhe madje edhe Evropën po të mos ishte Aleksandri. 

Ndërkohë që këto personazhe zbulojnë jo vetëm kontekstin historik të dramës por edhe anën personale të saj, kur Araniti merr vesh që turqit kanë sulmuar Serbinë dhe që Irena, vajza e tij dhe gruaja e ardhshme e Aleksandrit, mund të ketë rënë robinë në duart e Muratit. Ndryshimi i emrit të gruas së Skënderbeut nga Donika në Irena mendojmë se është bërë me qëllim për arsye stilistike, për të treguar që në fund të fundit kjo dramë është një krijim artistik dhe që në planin personal nuk i qëndron besnike realitetit të dokumentuar. Një mesazh i tillë është i rëndësishëm për të mos lënë vend për konfuzion në lidhje me robërinë e gruas së Skënderbeut. 

Nëpërmjet ambasadorit Selim të sulltanit, organizohet një takim i Muratit me Skënderbeun, dialogu mes të cilëve zhvillohet në pjesën e dytë të dramës, ose në të ashtuquajturin ‘aksion të dytë’. 

Pjesa e dytë hapet me një dialog midis Ernestit, gjeneralit të Aleksandrit dhe Ahmetit, komandantit të burgosur të Muratit, dhe në këtë dialog lajmërohet ardhja e Muratit dhe humbja e ushtrive të tij të mëparshme. Nga goja e Ahmetit del një valë akuzash për Muratin, gjë që krijon një urrejtje e skajshme për të, parë edhe nga këndvështrimi i njerëzve të tij: 

“Ma il feroce Amurat si non ragiona,

Uomo di sangue amante, e violento”

Pasi futen në skenë Aleksandri, Murati, Araniti, Spani dhe Osmani, fillon të rritet tensioni dramatik. Fillimisht Aleksandri bën një gjest kalorsiak duke shpëtuar Ahmetin nga shpata e Muratit që i zemëruar për disfatën e komandantit të tij kërkon ta vrasë atë në prani të të gjithëve, duke shprehur përçmim për ata që humbin si dhe duke i trajtuar vartësit e tij si objekte pa vlerë. Pas kësaj, Murati i kujton Aleksandrit fuqinë e madhe të perandorisë së tij, dhe që ai sundon gjithë ‘Qiellin’: Evropën, Afrikën dhe Azinë, dhe i ofron Aleksandrit që të kthehet tek ai e të zërë përsëri vend mes sundimtarëve të tij. Ai i rrëfen dashurinë e madhe që ushqen për Aleksandrin, duke i kujtuar atij që e ka rritur dhe edukuar si djalin e tij, dhe që ka pasur për të plane po kaq të mëdha sa për djalin e tij. Pastaj i ankohet që Aleksandri është treguar i pabesë dhe i është kthyer në armikun më të rreptë. Kur Aleksandri i kujton të gjitha vrasjet që ka bërë, e ndër to edhe atë të vëllezërve të tij, Murati justifikohet që të gjitha janë bërë për hir të pushtetit, madje edhe ajo e vëllezërve të tij është bërë për t’i siguruar pushtet Aleksandrit: 

“I tuoi prima di te nati Fratelli

Su te dovean regnar: con lor lo stile

Seguji degli Octoman: con la lor morte

Dell’Albania ti fei Signor, al primo

Di lor dovuta: ingrato! Sol per farti

Regnar gli uccisi…”

Aleksandri i përgjigjet që më mirë do të kishte preferuar skllavërinë sesa vdekjen e njerëzve të tij, dhe me moralin që shpreh ngrihet në rangun e kalorësit evropian: 

“A noi non piace di regnar con colpa,

ne sopra il sangue altrui di gire al trono,

Questa la gloria sia degli Ottomani,

E di chi siegue l’arabi Impostore.”

Pas një debati të gjatë e plot me fyerje nga ana e Muratit, ku megjithatë Murati e sheh që Aleksandri nuk ka ndërmend të lëshojë pe e të pranojë privilegjet e ofruara nga ana e tij, autorët e rrisin dramacitetin e veprës me anë të një shantazhi nga ana e Muratit: Nëse nuk dorëzon Krujën, do të vrasë Irenën, i pohon ai tërë inat.

“Qual più cara ti sia Croja, od Irene”

Skena mbyllet me personazhe dhe valle të kërcyera nga tragjeditë e Euripidit: Ifigjeninë, Orestin te tempulli me altarin e Dianës, Piladi që e shpëton Orestin në momentin kur Ifigjenia kishte ngritur dorën për ta vrarë vëllain e saj që nuk e njihte. 

Pjesa e tretë hapet me ankthin e fisnikëve shqiptarë: Aranitit, Spanit dhe Aleksandrit për vendimin që duhet të marrë Aleksandri. Araniti, babai i Irenës vendos më në fund që më mirë të sakrifikohet Irena sesa Aleksandri dhe Kruja, duke i kërkuar që të marrë hak për Irenën: 

“Ella morrà più lieta, e più contenta

In pensar, che tu vivi, e che un dì puoi

Far sua vendetta…”

Po kështu, edhe Spani i thotë që vetëm ai, Aleksandri, mund ta shpëtojë Shqipërinë, dhe ta mbrojë të gjithë Evropën, kështu që nuk duhet ta sakrifikojë veten. 

Provokimit të Muratit, për Aleksandin, se cila kishte më shumë peshë brenda zemrës së tij, mbretëria apo dashuria, Kruja apo Irena 

“Quale centro al tuo core abbia più forza

Se il Regno, o pur l’amor, se Croja, o Irene”

Araniti i përgjigjet më shumë forcë, që lavdia është e para “La gloria è il primo” dhe që vajza e tij nuk ishte akoma gruaja e Aleksandrit, e për këtë ai nuk duhet të ndihej i detyruar për ta shpëtuar atë. Përkundër këshillave të fisnikëve shqiptarë, Aleksandri vendos që të dorëzohet te Murati me qëllim që të shpëtojë edhe Irenën edhe Krujën, sipas një marrëveshje të bërë me sulltanin osman. Menjëherë pas kësaj është një veprim shumë dramatik, kur Murati pranon që Skënderbeu ishte për të më i rëndësishëm se Kruja dhe se Irena:

“ … Più di Croja, e Irene

Tu mi sei caro…”

Ndërkohë që Ahmeti tenton të vrasë Muratin, dhe Aleksandri shfaq një tjetër gjest kalorësiak duke e shpëtuar Muratin nga shpata e Ahmetit, Ernesti lajmëron që Irena është liruar dhe që është e sigurt brenda mureve të Krujës. Në të njëjtën kohë vjen edhe lajmi që Roma i ka dërguar Aleksandrit skeptrin, diademën dhe titullin e madh e të shenjtë të mbretit të Epirit. Për Muratin, të gjitha këto lajme janë një goditje e padurueshme që i shkaktojnë vdekje të menjëhershme. 

Duke qenë se kjo dramë është kompozuar për dukën e Modenës, Reggios dhe të Mirandolës, nga konviktorët e kolegjit të fisnikëve, të gjithë aktorët që marrin pjesë në luajtjen e saj janë fisnikë gjë që vihet re edhe nga titujt që mbajnë dhe ata janë pjestarë të rretheve të larta kulturore dhe intelektuale të kohës. 

Emrat e aktorëve që kanë luajtur në këtë dramë i gjejmë të shënuar në faqen 8 të librit dhe janë: 

  1. Francesco Giusepe Magnani Modenese principe di Lettere, e Decano del Collegio – në rolin e Aleksandrit (përkatësisht Skënderbeut); 
  2. Francesco Marescalchi Bolognese Accademico di Lettere, e d’Armi – në rolin e Muratit (Imperadore de’ Turchi); 
  3. Giammaria Riminaldo Ferrarese, Accademia di Lettere – në rolin e Aranitit; 
  4. Alessandro Lupi Bergamasco, Accademia di Lettere – në rolin Spanit; 
  5. D. Carlo Leonardi Navarese – në rolin e Ernestit (Gjeneral i Aleksandrit);
  6. Giuseppe Calori Modenese – në rolin e Osmanit (Agà de’ Giannizzeri);
  7. Giovanni Zameccari Bolognese – në rolin e  Selimit (ambasador i Muratit); 
  8. Marchese Gaetano Meli Lupi di Soragna Parmigiano N. V. – në rolin e Ahmetit (Bassà i burgosur). 

Pra siç vërehet janë tetë aktorë që vijnë nga gjashtë qytete të ndryshme italiane, respektivisht janë dy aktorë nga Modena, dy nga Bolonja dhe një aktor Ferrara, një nga Bergamo, një nga Novarra dhe një nga Parma. 

Publiku, siç mund të merret lehtë me mend, ka qenë i zgjedhur nga shtresat më të larta të Modenës, Reggios dhe të Mirandolës.

Filed Under: Histori Tagged With: Musa Ahmeti

MEMORIAL DAY

May 30, 2022 by s p

MEMORIAL DAY – Ndërsa amerikanët brenda dhe jashtë vendit respektojnë Ditën e Përkujtimit, ne nderojmë dhe kujtojmë të gjithë ata burra dhe gra të guximshëm që kanë dhënë jetën në shërbim të vendit tonë. Qofshin kujtimi dhe sakrificat e tyre gjithnjë të paharrueshme.As Americans at home and abroad observe #MemorialDay, we honor and remember all the brave men and women who have died in service to our country. May their memory and sacrifices never be forgotten.U.S. Embassy-Tirana

Filed Under: Featured

“GIFT FOUNDATION”, NJË MUNDËSI PËR ZHVILLIMIN E MJEKSISË NË SHQIPËRI DHE KOSOVË

May 30, 2022 by s p

Stela Bermema, Mastër në Universitetin Columbia në fushën e Administrimit Shëndetësor, Drejtore e Lidhjeve, Bashkëpunimeve Strategjike dhe Medies Sociale pranë Fondacionit GIVE (Gift Project for Global Cardiovascular Health) në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës Sokol Paja, rrëfen projektet për zhvillimin e shëndetësisë në Kosovë e Shqipëri dhe mbi të gjitha përpjekjet e domosdoshme për reformimin e ligjeve në sistemin shëndetësor përsa i përket përdorimit të pajisjeve që rrisin mundësinë për të shpëtuar jetën të pacientët. “GIFT FOUNDATION”, NJË MUNDËSI PËR ZHVILLIMIN E MJEKSISË NË SHQIPËRI DHE KOSOVËGIFT Foundation (Gift Project for Global Cardiovascular Health) lindi si një ide falë vizitës së Dr.Jose Wiley dhe Dr. Sulejman Çelaj në Shqipëri gjatë një konference mjeksore në Tiranë në Nëntor të vitit 2018 ku ata ishin të ftuar të nderit si kardiologë me zë në SHBA. Dr Çelaj mbi të gjitha përveç shkëlqimit profesional dhe shpirtit të tij human në çdo drejtim, ai ka fituar dhe merituar tituj të shumtë të nderit mbi të gjitha titullin e çmuar si Kalorës i Urdhërit të Skenderbeut dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta. Dr. Wiley dhe pse Amerikan, ai ka një admirim të veçantë për populllin shqiptar dhe vërtetë aspiron të ndihmoj sa më tepër në fushën e shëndetësisë në Shqipëri dhe Kosovë. Gjatë vizitës së tyre në Shqipëri ata u takuan me një trajnere nga Anglia (Svetlana Nela) që përformonte RKP (Reanimimi Kardiopulmonar ose CPR) me disa studentë të shkollave të mesme në Tiranë. Të impresionuar nga ky projekt edukativ dhe vision-plotë, ata u interesuan më tepër për të edhe në të njëjten kohë u informuan për mungesën e DAJ (Defibrilatoreve të Automatizuar të Jashtëm ose AEDs Automated External Defibrilators) dhe fatkeqësisht mosgjendjes së tyre në vende publike në Shqipëri dhe Kosovë. RISI TË DOMOSDOSHME NË SHËNDETËSINË PUBLIKEMbas vizitës në Tiranë të dy mjekët përveç miqësisë së krijuar gjatë viteve profesionale së bashku, ata u bënë dhe mentorët e mi. Vendosëm të bashkëpunojmë për këtë çështje të rëndësishme për të realizuar konkretisht planin tonë duke sjellur një risi të vyer në shëndetësinë publike. Personalisht, i kam dedikuar gjithë jetën time profesionale fushës së shëndetësisë si dhe jam diplomuar me Master në Administrimin Shëndetësor nga Universiteti Columbia këtu në NY. Falë babait tim Dr.Bujar Bermema, që modestisht duhet ta them ka qenë një nga mjekët më të mirë në vend për rreth 30 vjet, me është ushqyer dashuria dhe pasioni për të ndihmuar njerëzit. Prindërit e mi kanë qenë shtylla e jetës time dhe frymëzimi im në çdo askpekt të jetës profesionale dhe filantropiste. Ndaj, të tre vendosëm të themelonim fondacionin GIVE duke vënë në plan lobimin për ndryshimin e ligjit si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Ndryshim i të cilit do lejonte gjeneratat e reja të përdornin AEDs në rast nevoje për të shpëtuar jetë, pra projekti ynë Kids Save Lives Kosovo 2022. Kto pajisje (AEDs) kaq të vogla në përmasa por tepër të sofistikuara kanë fuqinë të shumëfishojnë shansin për të shpëtuar jetë deri 4-5 herë më tepër nëse ushtrohen së bashku me CPR në rast të një arresti kardiak. NDRYSHIMET LIGJORE TË DOMOSDOSHMENë bashkëpunim me organizatën KRS (Kosovo Resuscitation Society), Albanian Resuscitation Council (ARC), Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Shëndetësisë në Kosovë synojmë që këtë Qershor të trajnojmë fëmijët e shkollave (Prishtinë e disa qytete të tjera) mbi RKP. Nëpërmjet fondeve të mbledhura nga industria e pajisjeve mjekësore dhe fondet e mbledhura nga bujaria e publikut të thjeshtë, patriotëve e profesionistëve, ne kemi arritur që të blejmë për të dhuruar 20 AEDs me vlerë $40000 si dhe disa manikina për trajnim RKP për Kosovën. Siç e përmenda më parë, legjislacioni sot për sot është i paplotë, i cili nuk mbron përdorimin dhe ushtrimin e difibrilatoreve nga “bystanders” (publiku i thjeshtë). Kjo gjë duhet të ndryshojë sa më shpejt. Sot për sot në Kosovë ka vetëm 3 DAJs (me sa jemi të informuar) dhe para një viti ishte vetëm një që ndodhej në Aeroportin e Prishtinës. Ky fakt është vërtetë alarmues, prandaj pjesë e kontributit tonë si fondacion nuk janë thjeshtë pajisjet që po dhurojmë apo trajnimi dhe edukimi mbi RKP që po i ofrojmë fëmijëve për një javë në Kosovë, por mbi të gjitha janë dy projekt-ligjet që kemi përpiluar dhe ia kemi prezantuar Ministrit të Shëndetësisë Prof. Dr. Rifat Latifit. Dy projekt-ligjet tona (mund ti gjeni tek faqja jonë http://xn--cdaaa.mdgive.org/publications) janë të bazuara në nevojën e implementimit të AEDs nëpër vende publike sidomos të populluara (siç janë shkollat, stadiumet, qendrat tregëtare etj). I kemi bashkangjitur kauzen e Samaritanit të mirë që mbron qytetarin kur ushtron RKP me DAJ/AED. PROJEKTLIGJI QË SYNON NDËRHYRJE NË KURRIKULAT ARSIMOREProjektligji i dytë është shkruar dhe bazuar nga nevoja për të implementuar në programin shkollor si lendë e detyruar Trajnimin mbi RKP (Reanimimi Kardiopulmonar). Të dy ligjet të gërshetuara ngushtë me njëri- tjetrin ofrojnë mundësinë e plotësimit të vizionit tonë: Të krijojmë një gjeneratë të re jetë-shpëtuesish në Kosovë dhe në Shqipëri. Misioni jonë do fillojë në 6 Qershor falë mbështetjes dhe mikëpritjes të veçantë nga Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe stafi i tij i mrekullueshëm që po na ndihmojnë me organizimin në Kosovë. Prezantimin e misionit tonë zyrtarisht e kemi bërë gjatë një intervistë në televizionin RTK në tetor të 2021 dhe mbasi datat u vendosën patëm fatin të lançojmë logon e projektit tonë në një billboard gjigand në Sheshin Times Square në NYC në 15 Maj 2022. Ky është projekti ynë i parë i cili ka qenë i planifikuar të kryej përpara pandemisë por fatkeqësisht çdo projekt dhe udhëtim paraparak u pezullua disa herë faj situatës. Dëshira e madhe për kuaza të tilla për të ndihmuar bashkatdhetarët tonë është gjithmonë prezente tek ne, por na duhet përkrahja nga gjithë shqiptarët në vendlindje dhe diasporë si dhe nga pushtetarët që kanë të njëjtin vizion me ne.NJË THIRRJE PËR MBËSHTETJE TË GJITHË SHQIPTARËVEU kërkoj të gjithë shqiptarëve ku do që ndodhen të bashkohen me ne, e të përkrahin çështjen tonë për një reformim imediat të ligjeve të parapermendura në mënyrë që të krijojmë së bashku një kulturë dhe gjeneratë të re jetë-shpëtuesish. Për çdo shqiptar që është i interesuar direkt informacionet më të detajuara gjenden në: http://xn--cdaaa.mdgive.org/ ku veprojmë fuqishëm në të gjitha platformat e mediave sociale si Facebook Tëitter Instagram TikTok @givekosovo. Çdo ditë ne bashkëndajmë informacion cilësor dhe sasior mbi veprimtaritë tona çka e bën edhe më të rëndësishëm kontaktin me çdo shqiptar përgjatë veprimtarive e projekteve tona. KUSH ËSHTË STELA BERMEMA?After completing studies at John Carroll University with a Bachelor degree in Primed/Biology, Stela was a molecular biotechnologist at the prestigious Cleveland Clinic, and went on to work for 15 years as a top performing expert sales and marketing representative in pharmaceuticals specializing in the Cardiovascular arena. Her passion for Global Cardiovascular Health has been a guiding force throughout her career and it remains a continued motivation to make impactful contributions to underserved communities in her homeland of Tirana, Albania and her fellow brothers and sisters of the small but great country of Kosovo. Ms. Bermema was also a member of the Executive Board for a non-profit International Women’s Club that organizes a myriad of charity and fundraising events to benefit the community and empower its members. She has been a key, communicative contact for medical professionals, stakeholders, and the communities she worked with throughout her career.

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

SHKOLLA SHQIPE NË MONTHEY-CHABLAIS NË ZVICËR

May 30, 2022 by s p


Ganimete (Jakupi) Demiri) mësuesja e parë e “Shkollës Shqipe Monthey-Chablais” pranë LAPSH-it në Zvicër, në një bashkëbisedim me Editorin e Diellit të Vatrës në New York Sokol Paja, rrëfen organizimin e mësimit shqip në Shkollën Shqipe Monthey-Chablais, aktivitetet patriotike, kulturore dhe edukative pranë kësaj shkolle, sfidat për ruajtjen e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar në mërgatën shqiptare të Zvicrës.


HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE MONTHEY-CHABLAIS NË MONTHEY, ZVICËR


Shkolla jonë u formua me iniciativën e z. Zenun Shalës dhe anëtarëve të tjerë të kryesisë: Dukagjin Ramosaj, Yllka Shehu dhe Valentina Ramaj Ramosaj. Mësuese e parë e “Shkollës Shqipe Monthey-Chablais” pranë LAPSH-it ka qenë Ganimete Jakupi Demiri. Në fillimet e hapjes së shkollës shqipe numri nxënësve ka qenë mjaft i madh, nxënësit mësojnë: gjuhën dhe letërsinë shqipe, kulturën, historinë, artin me një fjalë gjithçka që lidhet me ne si popull shqiptar. Sfidat e të ardhmes mund të jenë të ndryshme: Ambienti (hapësira) shkollore, materiali shkollor, pamundësia për të vizituar vendet e ndryshme për të cilat mësojmë teorikisht si dhe më mosvijimi i nxënësve mësimin shqip. Shkolla ka filluar mësimin nga muaji shtator 2020, komuna e Monte-së (Monthey) ka mundësuar mbajtjen e mësimit në njërën prej shkollave të saj, fillimisht ka pasur 18 nxënës, mësimi është mbajtur dhe mbahet çdo të mërkure pasdite.

ORGANIZIMI I MËSIMIT SHQIP NË MONTHEY, ZVICËR


Organizimi i mësimit plotësues shqip zakonisht organizohet përmes këshillit të shkollës dhe këshillit të prindërve në bashkëpunim, kurrikula është e përgatitur nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) në Zvicër dhe duke u përmbajtur pikave referuese ndjekim procesin edukativo-arsimor të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Të veçantat e shkollës sonë janë: Shkolla është e hapur për çdo fëmijë shqiptarë apo edhe të huaj që ka dëshirë të mësojë gjuhën dhe kulturën shqiptare, t’i motivojmë fëmijët në ruajtjen e traditave shekullore, të kuptojnë fëmijët se gjuha amtare është çelësi kryesor i sukseseve për të mësuar edhe gjuhë të tjera.


GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR


Gjuha shqipe si formë e identitetit kombëtar – padyshim që gjuha si mjet komunikimi dhe identifikimi e dallon një person, popull nga të tjerët “Kur një komb e humb gjuhën, ai ka humbur edhe veten e tij”, andaj ditë e më shumë duhet t’i kushtojmë rëndësi të veçantë gjuhës, fëmijëve t’i flasim shqip, mos ta humbim gjuhën, traditat dhe kulturën tonë kombëtare e cila është ruajtur me fanatizëm ndër breza me shekuj të tërë. Shkolla shqipe është vandtakim i përbashkët si i fëmijëve ashtu edhe të rriturve ku mund të merren njoftime, vendime, aktivitete dhe të bëhen marrëveshje të rëndësishme.


BASHKËPUNIMI PRINDËR NXËNËS DHE E ARDHMJA E SHKOLLËS SHQIPE


Bashkëpunimi prindër – nxënës dhe mësues është gjithnjë i hapur ku në çendër të vëmendjes është parësore arritja, suksesi i nxënësit…Aktualisht nuk kemi binjakëzim me ndonjë shkollë mbase të ardhmen do të ketë ndryshime, gjithnjë e më shumë jemi duke u përpjekur për t’u hapur sa më shumë shkolla shqipe dhe padyshim do të kemi zgjerim në tërë regjionin, shtetin e Zvicrës. Shkolla jonë u bënë thirrje të gjithë prindërve, bashkatdhetarëve tonë për regjistrimin e fëmijëve në shkollat shqipe, regjistrimet fillojnë nga muaji qershor.


SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË


Fatmirësisht ne edhe gjatë kohës së pandemisë në shkollën tonë mësimin e kemi vijuar në objektet shkollore kuptohet duke iu përmbajtur rregullave të caktuara me kujdes të shtuar. Vështirësitë e fëmijëve me dy gjuhë – mendoj se në njërën anë kanë përparësitë e njohjes së dy gjuhëve dhe në anën tjetër kanë vështirësitë e zotërimit të dy gjuhëve, por nëse një fëmijë që nga fëmijëria fletë mirë gjuhën amtare, aftësitë e tij për të zënë gjuhë të tjera janë shumë më të lehta.


GJUHA SHQIPE SI TRASHËGIMI SHPIRTËRORE DHE IDENTITARE KOMBËTARE


Gjuha shqipe si trashëgimi shpirtërore dhe identitare kombëtare – gjuha shqipe deri më tani “Është dëshmuar se është argumenti më i mirë prijës, i fuqisë krijuese, i pasurisë shpirtërorë dhe emocionale të popullit tonë”, ndërsa gjuha si identitare kombëtare padyshim që është thesari më i çmuar i popullit tonë me një biografi plot sakrifica duke pasur parasysh që çdoherë kemi qenë të rrezikuar nga armiqtë të cilët kanë dashur të na asimilonin si popull, kemi një histori të lashtë të artit, kulturës dhe traditave të cilat na bëjnë të ndryshojmë nga popujt tjerë. “Kur një popull e nderon gjuhën, ai ka nderuar atdheun e tij” – Dritëro Agolli.


KUSH ËSHTË GANIMETE (JAKUPI) DEMIRI)?


Ganimete (Jakupi) Demiri) vjen nga komuna e Viti-së, ka studiuar në degën “Edukim dhe mësuesi”, në vendlindje ka punuar 6 vite si mësuese, ndërsa nga viti 2015 jeton në Zvicër. Këtu punon prej 2vitesh me fëmijët shqiptarë, merret me shkrime të ndryshme si: Shkolla Shqipe Monthey-Chablais, Aforizma, poezi, prozë dhe artikuj të ndryshëm, merret me aktivitete të ndryshme të cilat organizohen nga bashkatdhetarët poashtu edhe nga zviceranët ku gjithnjë është e interesuar të jetë sa më shumë e integruar në shtetin zviceran.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT