Shkruan Mëhill Velaj/
Në vazhdën e aktiviteteve kulturore të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë, në bashkëpunim me Shoqatën “Bijtë e Shqipes”, në lokalet e kësaj shoqate në Filadelfia, u bë përurimi i librit “Zjarri arbëror i pashuar të prof. Bexhet Asanit. Të dy kryetarët Bujar Gjoka me stafin e tij si nikoqirë dhe kryetari Mëhill Velaj që në orët e para të mëngjesit të ditës së dielë (22 maj 2022), po bënin përgatitjet për të pritur sa më mirë mysafirët e shumtë nga Nju Jorku, Kenerika, Pensilvania dhe Nju Xherzi.
Përurimin e hapi prof. Mëhill Velaj, me një përshëndetje të ngrohtë vëllazërore. Të pranishmit sipas traditës kryetari Bujar Gjoka i uroi mirëseardhjen motrave, vëllezërve, mikeshave e miqve të cilët kishin ardhur nga të katër shtetet e Amerikës. Në përurim mori pjesë edhe kryetari i Akademisë z. Skënder Kodra si dhe këta anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë: Mëhill Velaj, Iliriana Sulkuqi, Adnan Mehmeti, Arjeta Ferlushkaj, Besim Muhadri, Bexhet Asani, Sabije Dervishi Veseli, Ramiz Mujaj, Vlashi Fili, Llazar Vero, Hys Hasa, Ibadete Humolli Teta, Pal Ndrecaj, Fjorela Çela Forde. Vlen të theksohet se interesimi i lexuesve ishte shumë i madh dhe se në përurim morën pjesë edhe nëna me fëmijë.
Në fillim e mori fjalën presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë z. Adnan Mehmeti: Të nderuar anëtarë të kryesisë së Shoqatës “Bijtë e Shqipes”!
Të dashur anëtarë të shoqatës së shkrimtarëve!
I nderuar miku ynë shkrimtari i mirënjohur Bexhet Asani!
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në bashkëpunim me Shoqatën “Bijtë e Shqipes” organizon një aktivitet të veçantë për promovimin e veprës së autorit Bexhet Asani.
Jam shumë i lumtur që jam në mesin tuaj, ku kam shumë miq. Për mjaft autorë shqiptarë që banojnë në Amerikë apo dhe në trojet amtare e kanë një ëndërr të bukur promovimin e një vepre letrare në këtë qytet, në kujdesin e kësaj Shoqate që sot drejtohet nga z. Bujar Gjoka.
Unë kam patur rastin që të udhëtoj shpesh nëpër Amerikë, të kontaktoj shumë shqiptarë mes të cilëve dhe mjaft shkrimtarë. Po e them sot me mjaft sinqeritet se në Filadelfia mes jush me një emër mjaft simbolik “Bijtë e Shqipes” ndihem mjaft mirë. Ndihemi mirë edhe me bibilotekën mjaft të pasur që keni duke përfshirë dhe arkivin e profesorit të ndjerë Petër Prifti, që për ne mbetet frymëzim i përjetshëm.
Zonja dhe zotrinj,
Le të vijmë te vlerat që përcjell libri. Duke e lexuar e rilexuar nuk e fsheha emocionin që më dha vepra. Së pari nga gëzimi i suksesit të një anëtari të devotshëm të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Ai ka punuar me të për një kohë mjaft të gjatë aq sa mund të themi se ky është “Libri i jetës”. Vetë metafora e titullit na dërgon në një trevë mjaft të begatë për gjuhën shqipe që mbetet edhe sot e kësaj dite një thesar i kulturës sonë kombëtare.
Brenda këtij libri janë gjurmët historike, janë përpjekjet që bëhen atje për të ruajtur kulturën shqiptare që edhe tani pas 550 viteve është kaq e gjallë, kaq e spikatur. Kalojnë njëri pas tjetrit në këtë libër njerëz të shquar të kulturës arbëreshe si poetë, piktorë, këngëtarë, valltarë, studiues, profesorë. Pa rënë në përsëritje të veprave të tjera me këtë karakter ai na jep të dhëna më shumë për personalitete arbëreshë. E për këtë duket se ka bërë një punë mjaft të madhe kërkimore në arkiva, në vepra të tjera e sidomos në rrugëtimin e tij në këto treva duke na dhënë edhe disa reportazhe mjaft të realizuar.
Do të thoja me plot gojë që një pjesë të suksesit të librit ai ia ka besuar dhe fotografive të marra në këto treva ku shkëlqen madhështia e kostumeve popullore arbëreshe. Leximi dhe studimi i kësaj vepre nga lexuesit e sidomos nga shkrimtarët shqiptaro-amerikanë është një obligim mjaft i madh. Është për t’u përshëdetur ky promovim që mund të vazhdojë edhe në qendra të tjera që të bëhen sa më të njohura vlerat e këtij libri.
Faleminderi miku i letrave shqipe Bexhet Asani! Suksese për librin!
E në këto çaste festive urimet ndjekin njëri-tjetrin. Faleminderit nikoqirë dhe bashkëatdhetarë për këtë organizim kaq të bukur! Nga krijimet modeste të Shoqatës sonë, për bibliotekën tuaj të pasur, po ju sjellim dhe monografinë e Shoqatës së Shkrimtarëve, si dhe numrin më të ri të revistës “Pena”. Le të marrë jetë me shkrimet e shkrimtarëve anembanë Amerikës, e të lexohet edhe në Filadelfian historike.
Në këtë atmosferë kaq mbresëlënëse z. Bujar Gjoka fton ish nxënësen e shkollës s[ Shoqatës “Bijtë e shqipes” – Gjuha jonë” Selma Çelën. E cila recitoi poezinë e babait të saj Bujar Çela:
Zjarri I pashuar
(Kushtuar prof Bexhet Asanit)
Ju motra vëllezër, a s’më thoni,
Këtu, ne sot, kush na mblodhi,
Një burrë fisnik nga Zagraçani,
Profesor Bexhet Asani.
Miq dhe shokë ç’ më zuri rruga,
Të shkoja, andej nga Struga.
Ulur nën hijen e një mani,
Ballë për ballë, Bexhet Asani.
Dhe e solla këtu, midis nesh,
Të na flas për popullin arbëresh.
Dhe për kryeheroin e Atdheut,
Lavdisë veprës së Skënderbeut!
Ti, moj, nëna e Zagraçanit,
Hallall qumështi yt për djalin!
Që pennn nuk ia ndan vatanit,
Fillon qe me kohen e Arberit.
Ndaj dhe “Bijtë e shqipes” sot,
Respekt nga thellësia e zemrës,
Njëzëri urojmë suksese plot,
Për ty, o pishtari, i penës!