• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2022

PËRSE PUTINI DUHET T’A HUMBASË LUFTËN N’UKRAINË SIMBAS JONATHAN LITTELL-it

June 30, 2022 by s p

Përktheu: Eugjen Merlika /

Prej një farë kohe dëgjohet të përsëritet prej shumë kujt një refren shumë I rrezikshëm: ukrainasit po e teprojnë, NATO rrezikon shumë, më mirë të mendojmë për inflaksionin, duhet të mbajmë parasysh Putinin. Formulimi më i hapur vjen nga goja e Henry Kissinger, i cili muajin e shkuar në Davos pohoi se Ukraina duhet të pranojë të lëshojë pjesë të territorit të saj, nëse nuk dëshiron që të rrezikohet “një luftë e re (e NATO-s) kundër Rusisë”.

Në Gjermani, ku qeveria e Olaf Scholz-it tërheq këmbët zvarrë në dhënien e armëve të premtuara Ukrainës, një pjesë e klasës politike duket e bindur se zgjidhja e vartësisë energjitike të Vëndit kundrejt Rusisë nuk është ajo e shkëputjes , një herë e përgjithmonë, e në mënyrë të dhimbëshme, por ajo e të nbyllurit sy e të kthimit dalë ngadalë për të kënaqur komoditetet e tyre të rrezikuar. Emmanuel Macron, nga ana e tij është vënë në krye të këtij tarafi: “Nuk duhet të poshtërohet Rusia”, ka theksuar së fundi, më parë se të merrte trenin për Kyiv. Çfarë gabimi tragjik! E çfarë shenjë dobësie e mungese vështrimi strategjik, që Vladimir Putini nuk do të ngurojë për asnjë çast t’a shfrytëzojë me të gjithë mjetet që zotëron. Simbas asaj që i deklaronte një miliarder rus, i afërt me Kremlinin, gazetares britanike Cattherine Belton, Putini “është i bindur se shpejt Perëndimi do të lodhet…. e që me, kalimin e kohës, fitorja do të jetë e tij”. 

Për të shpejtuar kapitullimin tonë, Putini nuk nguron të përdorë të gjithë mjetet që ka në dorë: trysninë më të madhe mbi furnizimet e gazit e të naftës, nëpërmjet prerjesh mjeshtërisht të mbarështuara, destabilizim të Ballkanit e kërcënim për mungesën e grurit që shpejt do të shfaqet në një katastrofë njerëzore n’Afrikë, me rrezikun e një tjetër vale të re mërguese. Për të mos folur, natyrisht, për gogolin bërthamor, që është i gatshëm gjithmonë t’a valëvisë, sikur t’ishte i gatshëm të tërhiqte gjithë botën, përfshirë Rusinë, drejt asgjësimit, kur janë në lojë ambicjet e tij dhe mbijetesa e tij vetiake.

ILUZIONE E GËNJESHTRA

Mbasi ka kaluar befasia fillestare, e shkaktuar nga kundërveprimi i shpejtë e i bashkërenduar përballë mësymjes së Ukrainës, sot Putini synon përsëri tek kohët e gjata, tek dasitë ndërmjet  Vëndeve evropiane, por veçanërisht mbi dobësinë tonë e mbi paftësinë tonë të plotë, së paku në Evropën Perëndimore, për të depërtuar në përfytyresën perandorake ruse. Për Putinin, por edhe për ministrin e tij, Lavrov, gënjeshtra është në zemrën e formimit të tij dhe përfaqëson një mjet të natyrshëm të punës. Bashkëbisedimi nuk vlen për tjetër gjë veçse për të bërë të ecin përpara ushtarët, më parë se të kthehet në fuqinë mizore në çastin e duhur. Një bisedim ose një marrëveshje – si ajo e Minskut në 2015, që duhej t’i kishte dhënë fund kundërshtisë në Donbas – nuk është tjetër veçse një kurth për të ngrirë një pushtim, në pritje të një çasti të përshtatëshëm për të kaluar në pushtime të rinj. Kështu funksionon. Vetëm të përfytyrohet, siç bën Kissingeri, se mund të kthehet në gjëndjen para luftës është një çmënduri e mirëfilltë. Të mendohet se mund të bindet Putini të ulet në një tryezë bisedimesh në mirëbesim e që të jetë i gatshëm të respektojë (qoftë edhe për njëherë!) termat e marrëveshjes, është një hamëndje krejtësisht qesharake. Nëse  nuk do të ishim treguar aq të pafuqishëm, aq të frikësuar, aq të verbër, nëse do të kishim armatosur Ukrainën që nga 2015, ose të kishim dërguar trupa të NATO-s në territorin e saj, qoftë edhe me titullin e këshilltarëve ushtarakë, kurrë Putini – që kupton vetëm një ligj të vetëm, atë të më të fuqishmit – nuk do të ishte futur në këtë luftë. Nëse do t’i lihet të korrë qoftë edhe një dobi sado të vogël nga lufta në zhvillim, nuk do të bëjmë tjetër veçse të vendosim parakushtet për të ardhëshmen.

TURPI EVROPIAN

Të mirëpresim me kënaqësi ndërrimin e mendimit të Macronit e të Scholzit, që më së fundi kanë kuptuar se nuk mund të pengojnë kandidaturën ukrainase në Bashkimin Evropian. Ndërkaq mbetet fakti se iluzionet e shpresat e kota kundrejt Putinit është vështirë se vdesin. Prej dhjetëvjeçarësh tashmë një pjesë e Evropës, duke filluar nga Gjermania, i ka besuar sigurinë e saj energjitike Moskës, duke mos mbajtur parasysh bekueshëm paralajmërimet e shkencëtarëve mbi klimën dhe duke hedhur poshtë çdo porosi për të lënë mbas krahëve lëndët e djegëshme. Sa kohë e shpërdoruar, e gjitha në dobi të Rusisë. Që nga fillimi i luftës, Rusia ka arkëtuar 93 miliardë euro nga eksportimi i gazit e i naftës, të marra kryesisht nga Bashkimi evropian. Shifra është e barabartë me dy herë e gjysëm 37 miliardët që Shtetet e Bashkuara i kanë premtuar  Ukrainës. Tani shkulim flokët sepse çmimet në stacionet e naftës i kalojnë dy eurot për litër e mundohemi të gjejmë rrugëdalje. Është një turp, një skandal. Dhe në Ukrainë benzina kushton shtrenjtë dhe rradhët para stacioneve të furnizimit janë bërë të pafundme. Por asnjë nuk ankohet. Ajo që kërkojnë ukrainasit nuk është karburanti me çmim të ulët, por armë e municione për të përzënë mësyemësit, për të shliruar qytetet e tyre e për të rimarrë territoret e tyre. Kanë të drejtë. Me mësymjen e Ukrainës Putini përmbysi fushën e shahut të rendit të përgjithshhëm të vendosur më 1945. në mbasluftën e dytë: është naive të shpresohet se mund të ngjiten përsëri copat e thyera. Përpara botës Putini e bashkëpuntorët e tij hungërojnë pa pushim, është mënyra e tyre e të vepruarit, por ndërmjet tyre studiojnë me vëmëndje raportet e forcave për të shfrytëzuar ftohtësisht pasojat.

Kur ukrainasit, në sajë të qëndresës së tyre këmbëngulëse, kanë ndaluar sulmin rus mbi Kiev, Putini ka tërhequr trupat, duke zbuluar para botës të gjithë tmerrin e kryer nga ushtria e tij “e çlirimit” mbi civilët e Buchas, Motyzhynit e sa e sa qyteteve të tjera. Kur Mikolaivi u ngrit për të ndaluar sulmin që vinte nga Krimeja në drejtim të Odesës, Putini u detyrua të heqë dorë  për çastin nga synimi i tij për të përvehtësuar portin e njohur në Detin e Zi. Tashti, më së fundi i vetëdijshëm për dobësitë e ushtrisë së tij të stërvitur keq e të brejtur nga korrupsioni, përballë forcave ukrainase të mbifrymëzuara e të pajisura nga Perëndimi, përqëndron gjithë përpjekjet mbi Donbasin, duke përdorur aviacionin dhe artilerinë e rëndë për të rrëzuar për tokë të gjithë qytetet, njëri mbas tjetrit: e vetmja mënyrë që i mbetet për të bërë luftën. Por edhe këtu ai duhet të ndalohet, përfundimisht e të përzihet. Premtimi amerikan e britanik për të furnizuar hedhëse raketash me rreze të gjatë veprimi përfaqëson hapin e parë në drejtimin e duhur. Por duhet bërë shumë më tepër. Putini është një njeri i shekullit të njëzetenjëjtë, që ka shpërthyer një luftë të shekullit të njëzetë për t’arritur synime të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Për të që, që sot krahasohet me Pjetrin e Madh, bashkëngjitja e plotë e Ukrainës është një çështje qenësore  që s’ka aspak të bëjë me paditë e kllapishme të tij kundër NATO-s. Për të Ukraina nuk duhet të jetë më, pikë. Nuk do të jetë asnjë lëshim, asnjë hapje diplomatike, asnjë kompromis “i arsyeshëm” nga ana e jonë, që t’a pengojnë të sendërtojë synimet e tij, ose që të shpëtojë tërësinë territoriale, politike dhe ekonomike të Ukrainës, ose të s’ardhmes së saj evropiane. T’i kërkohet Ukrainës të lëshojë armët e të trajtojë një Minsk 3, 4 ose 5, do të thotë të përgatitet terreni për një mësyemje të re të Ukrainës mbs ndonjë viti, duke i lejuar Putinit kohën e nevojshme për të riorganizuar ushtrinë e tij e për të grumbulluar përsëri njerëz, armë e municione. E nëse vdes ndërkaq, por regjimi mbijeton, pasuessi i tij do t’i ndjekë gjurmët e tij.

Më 9 maj në Strasburg, Emmanuel Macroni, duke hamendësuar negociata të mundëshme me Rusinë, ka kujtuar traktatin e Versajës që në 1918, me poshtërimin e Gjermanisë, “kishte shkretuar rrugën e paqes”. Qe sigurisht e vërtetë kundrejt Republikës së Weimarit, që përfaqësoi një përpjekje të guximëshme demokratike. Por Macroni, me sa duket, nuk ka kuptuar deri në fund çastin historik që po jetojmë tani. Nëse ka patur një 1918 për Moskën, ai ka qënë 1991. Në vazhdim, si në Gjermani mbas dështimit të Weimarit në vitet Tridhjetë, pushteti fashist e revanshist, për më tepër thellësisht i korruptuar u ngulit përfundimisht në Rusi, duke përvehtësuar gjithë ekonominë e Vëndit në dobi krejtësisht të tij, duke i dhënë beleg botës demokratike dhe rendit mbi të cilin është themeluar paqeja dhe siguria e jonë e përbashkët. Sot nuk është më 1918, por 1939. E si për Rajhun e Tretë të Hitlerit, ecja drejt paqes, shpejt a vonë do të kërkojë përmbysjen e përgjithëshme të regjimit të Putinit, që nuk i përgjigjet më Rusisë e popullit të saj, për inat të asaj që mendon “Perëndimi kolektiv”. Vetëm një Rusi e lirë, demokratike dhe e qeverisur nga qytetarët e saj, jo nga një klikë mafioze e dehur nga ideale mesianike, mund të rihyjë në kuvendin e kombeve dhe të bëhet një antar i bashkësisë perëndimore plotësisht, siç kanë arritur të bëhen , mbas 1945, Gjermania dhe Japonia.

THYERJA E NEVOJSHME

Për polakët, Vëndet balltike dhe Vëndet e Evropës qëndrore, ky shllim është aq i dukshëm sa që nuk humbin rast për t’a ripohuar me të gjithë forcat e tyre. Amerikanët e kanë kuptuar më së fundi, e veprojnë në këtë drejtim në marrëveshje me britanikët. Dhe vetë finlandezët e suedezët kanë braktisur nga mbrëmja në mëngjez, 80 vite asnjanësie për të kërkuar strehë nën çadrën e NATO-s, siguria e tyre e vetme përballë piksynimeve të çmëndura të regjimit rus. Ndërsa n’Evropën perëndimore, qeveritarët tanë, prej kohësh robër të ideologjive të tyre, të zhytur në përtacinë intelektuale e në kapitjen morale të shtëna nga një paqe shumë e gjatë, duken përjetësisht të tunduar nga kompromisi. Kompromisi është shpesh i nevojshëm, por në këtë gjëndje do të ishte një katastrofë për ëndrrën evropiane dhe nuk do të sillte asgjë tjetër veç se të nxitëte ambicjet e Putinit. Vetëm thyerja ushtarake e plotë e forcave ruse n’Ukrainë mund t’i kthejë një pamje sigurie kontinentit. E vetëm mbi bazën e një mundjeje të Rusisë mund të bisedohet në tryeza e të nënëshkruhen marrëveshje që do të kenë ndonjë farë mundësie të zbuloheshin jetëgjata. Pa një fitore të qartë e të pastër të Ukrainës, e gjithë diplomacia nuk do të prodhojë tjetër veç lloqesh të kota, ose kapitullimin. “Nuk duhet poshtëruar Rusia”. Prej njëzet vitesh nga kjo anë, sa më shumë bëhen akrobaci për të kënaqur Rusinë, ose së paku për të mbarështuar marrëdhëniet me Vëndin, aq më shumë Putini padit Perëndimin se don t’a poshtërojë, pikërisht ai që din t’a përpunojë poshtërimin e bashkëbiseduesve të tij si një shkencë të saktë. Është me të vërtetë e habitëshme prirja për t’i u huajtur lojës së tij mjerane. Në të vërtetë Putini poshtërohet vetvetiu, me dëshirën e tij për t’u ulur ndërmjet të mëdhenjve të botës, pa respektuar as rregullat më parake; duke përçmuar e dhunuar të drejtat e popujve kur i leverdis atij, siç është parë në Çeçeni, në Gjeorgji, në Siri, e sot n’Ukrainë; duke shpërthyer një luftë me një ushtri të tretur, të paaftë, të vjetëruar e për më shumë të plaçkitur e të urtësuar nga gjeneralët e tij. Nëse me të vërtetë ka inatin me neve, nëse e ka deri në vdekje, ne nuk jemi aspak të detyruar t’i kërkojmë falje: kemi detyrë t’i japim një mësim të mirë e t’a dërgojmë në vëndin e vet, nje vënd që e ka zgjedhur me vullnetin e tij.

“Corriere della Sera” , 22 qershor 2022   Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

Qytetarët e Kosovës, evropianët e vetëm pa liberalizim të vizave

June 30, 2022 by s p

Deklaratë e përbashkët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe Komisionit për Integrim Evropian të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe Komisioni për Integrim Evropian të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nëpërmjet kësaj deklarate të përbashkët e konsiderojnë të dëmshme dhe në kundërshtim me frymën e solidaritetit dhe unitetit evropian tendencën që liberalizimi i vizave dhe heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës të diskutohet jashtë vendimit të Komisionit Evropian të vitit 2018, ku është konkluduar se Kosova ka përmbushur kushtet dhe kriteret për heqjen e regjimit të vizave. 

Më datë 27 qershor 2022 është mbajtur mbledhja e komisioneve ndërparlamentare “Politika e Zgjerimit të BE-së, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia”, e organizuar nga Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, z. David McAllister, në bashkëpunim me Njësinë e Dialogut Legjislativ të Drejtorisë për Marrëdhëniet me Parlamentet Kombëtare, ku përveç deputetëve të PE-së, morën pjesë edhe deputetë nga parlamentet kombëtare të shumë shteteve anëtare të BE-së, por edhe të vendeve kandidate dhe atyre të kandidatëve potencialë.

Në këtë mbledhje, Komisioneri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, z. Olivér Várhelyi, në fjalën e tij deklaroi që Kosova është në pritje të liberalizimit të vizave dhe se duhet ecur përpara me këtë çështje, ku pos tjerash citoi: “Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës që së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”.

Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe Komisioni Parlamentar për Integrim Evropian kundërshtojnë çfarëdo udhërrëfyesi, hapa shtesë apo rivlerësim të kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët. Për më tepër, deklarata e Komisionerit të BE-së është në kundërthënie të plotë me Raportin e fundit të publikuar të Komisionit Evropian, në vitin 2018, në të cilin raport është rikonfirmuar që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret sa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Shfrytëzojmë nga rasti që të paraqesim nevojën urgjente që të bëhet heqja e regjimit të vizave pa vonesë dhe që jemi të gatshëm të adresojmë çfarëdo pyetje që mund të ngritet drejt realizimit të shpejtë dhe urgjent të rekomandimit të Komisionit Evropian të vitit 2018 për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si evropianët e vetëm që nuk e gëzojnë këtë të drejtë.

Filed Under: Politike

FAMILJA BALAJ FESTOI SHËN PJETRIN E SHËN PALIN, HOMAZH E PËRKUJTIM PËR GJERGJIN, PJETRIN E ZEF BALËN

June 30, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 28 Qershor 2022 – Familja Balaj, farefisi, kumbarët, miqtë dhe dashamirësit e familjes festuan festën e dy shenjtorëve më të rëndësishëm të Kishës Katolike Shën Pjetrin e Shën Palin. Në një ceremoni sa festive dhe fetare, darka fisnike e familjes Balaj u kthye në një homazh nderimi, përkujtimi e vlerësimi për Gjon Balaj, Gjelosh Balaj, Pjetër Balaj, Gjergj Balaj e Zef Balaj që u ndanë shumë shpejt nga jeta tokësore. Familja e miqtë i kujtuan me lutje, dhimbje e shumë dashuri pjesëtarët që munguan më shumë se kurrë në këtë festë traditë të familjes që nga Mëziu i Pukës e deri në New York. David Balaj, Valentin Balaj, Ndue Balaj dhe Anton Balaj, në fjalën e mirëseardhjes falenderuan pjesëmarrësit dhe u ndalën në momente të veçanta lutje, përshpirtshmërie e falenderimi për veprat e mira, dashurinë e respektin që kanë lënë pas Gjoni, Gjeloshi, Pjetri, Gjergji e Zefi. Nën bekimin e Dom Nikolin Pergjinit, lutja dhe uratët vazhduan për shpirtrat në parajsë të familjarëve Balaj që mungonin fizikisht por jo shpirtërisht në tryzën bujare të familjes. Largimi në një kohë të shpejtë i Pjetër Balaj, Gjergj Balaj e Zef Balaj ka lënë shumë dhimbje e trishtim te të gjithë familjarët. Në krye të Tavolinës ishte zonja Lina, bashkëshortja e Zefit dhe motra e tij Mirja, djemtë e nipër e mbesa. Një mungesë e madhe që nuk e zëvendëson asgjë. Përkujtimi dhe lutjet janë një lehtësim për shpirtin që vuan mungesën e të ikurve tanë në amshim. Në mjediset familjare të “Tesoro D’Italia”, tri gjenerata të familjes Balaj festuan deri në mbrëmje vonë një festë fetare e familjare e kthyer në një traditë të veçantë si shenjë bashkimi të familjes e falenderimi ndaj Zotit për të mirat, sukseset dhe bekimet mbi familjen Balaj. “E kemi amanet prej babës me e vazhdu përgjithmonë organizimin dhe festimin e kësaj feste. Kjo është një festë fetare dhe familjare ku ne falenderojmë Zotin për krejt ç’ka na ka dhanë dhe ndajmë kohën dhe gëzimin me njëri-tjetrin si një familje e pa ndame dhe e bekume prej Zotit” – u shpreh djali i Zef Balës, David Balaj për Gazetën Dielli të Vatrës. Vëllezërit Balaj në rrëfimet e tyre kanë treguar se 70 vite më parë në 28-29 Qershorin e largët të vitit 1951, familja pasi ka kremtuar Shenjtët në vendlindje, në Mëzi të Pukës,edhe pse e rrethuar, ka arritur që ta çajë atë dhe ka marrë rrugën e vështirë të arratisjes. Familja e madhe BALAJ, kurrë nuk ka heqë dorë nga festimi i festës së Dy Shenjtëve, edhe në vendlindje, edhe në Kosovë kur u arratisën për t’i shpëtuar përndjekjes komuniste, edhe në Itali ku qëndruan pak kohë, ndërsa në Amerikë festimi ka qenë përherë masiv, me shumë pjesëmarrës. Kisha Katolike e kremton festën e shën Pjetrit e Palit Apostujt çdo vit me 28-29 qershor. Dy Shenjtorët-Apostuj janë Pajtorë të qytetit të Romës. Darka e familjes Balaj ishte një festë e vërtetë fetare e familjare ç’ka tregon rujtjen e traditave shqiptare e fetare në Amerikë por edhe dëshmi e vazhdimësisë fisnike të falenderimit ndaj Zotit e njëri-tjetrin për jetën që jetojnë e çastet që ndajmë çdo ditë me njëri-tjetrin.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja, Zef Balaj

Çeshtja Çame si çështje prioritare kombëtare

June 30, 2022 by s p

Shpëtim Axhami/

Çeshtja Çame, një çeshtje prioritare kombëtare që duhet të zgjidhet përfundimisht.

Mbushen 78-vjet nga masakra e shtetit grek mbi shqiptarët e çamërisë, që i detyroj ato të shpërngulen duke lënë pronat dhe varrezat e të parëve të tyre.

Kjo mbetet një prej masakrave më mizore të shekullit XX-të bërë mbi civilët e pafajshëm.

Qeveria Shqiptare duhet që Çeshtjen Çame ta trajtoj si një çeshtje kombëtare priroritare në çdo tryeze me palën greke ku diskutohen marrëveshje dhe negociata me ta.

Çeshtja e Çamërisë nuk duhet anashkaluar e trajtohet si një çeshtje e thjeshtë vetëm për të patur marrëdhënie të mira me Greqinë apo pse jo edhë për pêrfitime politike momentale.

Kjo çeshtje duhet të ngrihet e të diskutohet në nivele të larta të diplomacisë dhe institucioneve nderkombëtare Euro-Atlantike për ta njohur dhe për ta shtruar për zgjidhje atë.

Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri.🇦🇱

Filed Under: Analiza

Polifoni e zërave njerëzorë

June 30, 2022 by s p

Agim Baçi/

(Shënime për përmbledhjen “Vepra poetike” e Martin Camajt)

Poezia e Martin Camajt shket mes akullit dhe zjarrit duke kërkuar që të rrokim dashurinë, dridhjen, trishtimin dhe këngën njëkohësisht. Eshtë zë prej kohës që kurrë s’ndalet e që e merr njeriun përdore duke e shëtitur në viset e admirueshëm të së bukurës dhe mallit.

E gjithë poezia e tij është një udhëtim drejt njeriut dhe vendlindjes. Të gjitha stacionet e tjera të përkohësisë janë thjesht për të mbushur atë tren të duhur, që bart shumëçka për të patur së fundmi një grafikë të gjithë shfaqjes së tij letrare, ku ezkistojnë gjithë ngjyrat e duhura për ta pikturuar fytyrën e njeriut që dëshirojmë të njohim.

Nuk mundesh ta kuptosh Camajn përmes krahasimit, edhe pse thuajse i gjen aty gjithë zërat e mëparshëm të poezisë shqipe apo bashkëkohësve të tij botërorë. Ai është zëri origjinal pa prishur dhe pa mbytur meloditë e mëparshme poetike. Duket si një sfidë me gjithçka, por varg pas vargu kupton se është veç dashuri për gjithçka. Gjuha e tij bart gjithë shpirtin e gegnishtes, të cilën e sjell si një violinë, me telat e gjithë dashurisë së mundshme. Si gurgdhendës Camaj ndërton kullën e tij të fjalëve – një kullë ku shtretërit janë me fjalë zemre dhe mall prej mëmëdheut.

Poeti të lë të kuptosh se e di shumë mirë se cilët emra e fytyra mbeten përherë për ta udhëzuar njeriun, ndaj dhe vjen e vesh kostumin e rojtarit të fjalës, të fytryrës së përhershme të njeriut që ka nevojë për të skalitur gjithçka që deshi. Jo si mungesë. Jo si protestë. Por si dashuri për atë që mundi dhe për atë që deshi ta kishte gjithnjë pranë vetes.

ROJTARI I MUZEUT NACIONAL

Ndër bebza ka gdhendun fytyra

Guri rilindësish

Varg mbi lëpiza si mbas kohe.

Në rrugë i digjen në tru

Fytyrat çdo mbrëmje

Me rrezet e sprapsme

Ndër qelqe dritaresh.

S’dallon as faqen e malit përballë

E ec tue prekë me shkop.

A thue i verbët? (Martin Camaj, “Vepra poetike”, Onufri 2017, f.321)

Martin Camaj noton lirshëm në lumin e mendimit të tij për botën, femrën, tjetrin, mungesën dhe praninë. E fut veten në hullinë e atyre që e rrok njeriun që nga udha më e hershme, e ia hap shtegun edhe për të nesëmren. E ndërkaq, për të kuptuar gruan me gjithë dëshirat dhe ëndrrat e saj, zgjedh Dranen. Më prozat poetike nis të udhëtojë në kohë dhe hapësirë, të ketë ligjet e dheut nga ky mësoi gjuhën e nanës e gjer në udhëtimin për të cilën ka nevojë njeriu – në udhëtimin për t’u njohur me veten dhe botën. Vargjet apo proza poetike e Camajt vjen përmes një ledhatimi fjalësh, a thua se gjithçka e bukur është bërë për gjuhën dhe mendjen e tij.

NJI SHPIRT

Gjithmon’ heshton e veç kur t’pyesin flet.

Bota shqimin kur ndër sy ta ngul

E me i kallxue shpirtin e mshefun pret

Ti ballin ul.

Ballin e ul, jeton n’vedi si vjollca

E mshefun n’çuba, ku njeri s’kalon.

Por prujtunija t’del në gjak ndër mollza

E shpirtin t’zblon:

Nji bot’ t’mbulueme nën nji gjoks, të ri,

Ku andrra bredhin si re t’bardha n’qiell,

Ku vllajt e luleve presin n’vetmi

Me i nxe nji diell. (Martin Camaj, “Vepra poetike”, Onufri 2017, f.625)

Filed Under: LETERSI

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT