• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2022

“Vatra”, pasqyra e identitetit tonë kombëtar

June 14, 2022 by s p

Prend NDOJA/

Vatra shqiptare në Amerikë në 110 vjetorin e krijesës në sherbim të atëdheut, kombit të lashtë europian, në sherbim të promovimit të identitetit kombëtar, lobues në mbrojtjen e pavarësisë së Shqiprisë, mbështetës të secilit bashkëkombas disident ndaj komunizmit e represionit serb, luftëtarë në hapjen e zhvillimin e demokracisë në Shqipëri, veprimtarë aktiv në m’vetësinë e Kosovës deri në pavarsinë e saj.

Në mbrëmjen e së dielës në një atmosferë të ngrohtë festive Federata Pan Shqiptare “Vatra” në Bronx New York, kremtoi 110 vjetorin e themelimit të saj. Veteranet e New Yorkut si gjithmonë edhe këtë ditë e treguan nivelin e lartë të zemër bardhesisë, respektit dhe mikpritjes ashtu siq ishte dikur në vatrat tona.

Madheshtisë festive ja shtoi gëzimin pjesëmarrja masive e komunitetit shqiptar në Amerikë, si dhe ardhja e vëllezërve tanë nga Shqipria dhe Kosova.

Mbi tërë hapsirën e “Vatres”, kulmonte një ndjenjë gëzimi që reflektonte qysh nga pamja e parë për mes perqafimesh dhe afërsisë vellazërore.

Me një respekt të veçantë ne veteranët e falenderuan Presidentin Ilir Meta, i cili si një Zot shtëpie i devotshëm na solli disa dekorime për përsonalitete me kontribute të çmuara në sherbim të kombit e si punëtorë të zellëshem të Vatres.

Ndigjuam dhe mësuam nga fjalët premtuse të Krytarit të komunes së Prishtinës Perparim Rama, i cili na mbushi me shpresë për më të mirën në orentimin e prespektivat që e presin Prishtinen dhe Kosovën.

Aty në prezencën e tij fitohej një bindje se emri i tij Përparim do të bëhet një simbol përparimesh dhe suksesesh për Prishtinën.

Ndërsa ylli e mediave shqiptare Blendi Fevizu mori shumë pak kohë në fjalën e tij, por tha shumë… tha aq sa njerëzit e penës i vuri në skenën e gjurmimeve për të sh’nderitur disa kënde të errta të cilat ai i veçoi me emër dhe fakte.

Sallën e zbukuruan djemt e vajzat e “Rozafatit” me këngët dhe vallet kombëtare.

Për pos të tjerëve në mes të New York-ut Nikaj – Mërturasi Gezim Nikaj na solli në muzikë atdheun, na solli Tropojën me jehonën e këngëve dhe valleve shqiptare.

Në këtë kremtim 110 vjetori, folëm të gjithë mes njeri- tjetrit duke kujtuar edhe përsonalitete nga VATRA të cilet sot nuk ndodhen mes nesh, festuam e gëzuam së bashku, aty ndamë nacionalizmin e shëndoshë kombëtar.

Zoti i bekoftë shqiptarët anë e kënd botës!

Filed Under: Interviste Tagged With: prend ndoja

Në Prizrenin e Besëlidhjes është mbajtur Sesion shkencor në nder të ish – Kryeministrit të Shqipërisë Etnike, Mustafa Kruja

June 14, 2022 by s p

Shkruan: Lekë Mrijaj/

Më 12 qershor 2022, në ambientet e hotel “Luxori” pikërisht në Prizrenin e Besëlidhjes Shqiptare, është mbajtur Sesioni shkencor dedikuar firmëtarit të Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë dhe Kryeministrit të Shqipërisë Etnike Mustafa Kruja njëkohësisht është trajtue tema: “Personaliteti shumplanësh i Mustafa Kruja dhe ndihmesa e tij themelore në jetën kulturore e politike të kombit shqiptarë me rastin e 135 vjetorit të lindjes (1887-2022)”.

Organizimi në fjalë i Sesionit është realizuar nën patronatin e Shoqatës së Intelektualëve ” Trojet e Arbërit” e cila kryesohet nga mr. sc. Nue Oroshi, kryetar dhe bashpuntorët e tij profesional, intelektual, krijues e studiues të lartë shkencor nga Kosova, Shqipëria dhe mergata shqiptare.

Ishte moderatorja e cili e hapi Sessionin shkencor ndaj e i ftoj të pranishmit qe në shënj nderi ta nderojnë himnin e flamurit kombëtar. Në vazhdim nga Fatime Kalimashi është deklamuar një recital poetik i Ernest Koliqit me titull: “Kanga e Kapidan Markut”.

Fjalën e hapjes s’bashku me kumtesën e tij e bëri, z. Eugen Merlika (nipi i Mustafa Merlika Kruja).

Me këngën “Thërret Prizreni mori Shkodër”, e rapsodit të mirënjohur, Mirak Ukaj është mbyll pjesa solemne e cila menjiherë i dha hapsirë referuesve për pjesën shkencore.

Në këtë Sesion pjesëmarrës ishin edhe shumë studiues të cilët u paraqitën me kumtesat e tyre para audiencës dhe bashkolegëve të tyre studiues siq ishin:

Sesioni Shkencor nisi me këto kumtesa:

Prof. Nexhmedin Spahiu me temën: “MUSTAFA KRUJA FIGURË E NDRITUR INTELEKTUALE DHE E PJEKUR DHE E PJEKUR POLITIKE E SHEK. XX,

DR. SC. QERIM LITA: “MUSTAFA KRUJA DHE TOKAT E LIRUARA”,

TOMË MRIJAJ: “DRITË FRAGMENTALE E JETËS DHE VEPRIMTARISË PATRIOTIKE DHE ENCIKLOPEDIKE E BURRSHTETASIT MUSTAFA MERLIKA KRUJA”,

DR. BEDIM MORINA: “MUSTAFA MERLIKA KRUJA POLITIKANI I SHQUAR DHE NËNSHKRUESI I PAVARSISË SË SHQIPËRISË”,

FAZLI HAJRIZI: “PERSONALITETI I MUSTAFA KRUJËS NË DRITËN E LETËRKËMBIMEVE”,

DR. ZOG ÇOÇAJ: “KONTRIBUTI I MUSTAFA KRUJËS PËR KOSOVËN”,

MR.SC. NUE OROSHI: “LETËRKËMBIMET NË MES TË MUSTAFA MERLIKA KRUJES DHE KAPEDANËVE TË MIRDITËS GJON MARKA GJONI DHE VËLLEZËRVE MARK DHE NUE GJON MARKU” etj.

Që të gjithë këta studiues shkencore të cilet morën pjesë në këtë Sesion përmes kumtesave të tyre lapidare dhanë një kontribut të çmuar karshi Kryeministrit të Shqiperisë Etnike, Mustafa Kruja. Sesioni shkencor është përcjellë edhe nga korospodenti i Zërit të Amerikës, Beqir Sina.

Krejt në fund, Sessionin e sotëm shkencor, suksesshem e shpalli të mbyllur studiuesi i mirënjohur dhe intelektuali, z. Tomë Mrijaj, dhe me një fjalë falenderuese i falënderoj pjesëmarrësit, panelistët për kontributin e tyre të çmuar dhe ashtu si përherë sikurse në të kaluarën, u premtua se kumtesat në fjalë do të botohen me një botim me një numër të veçantë nga Shoqata e Intelektualëve “Trojet e Arbërit”.

Filed Under: ESSE Tagged With: Leke Mrijaj

TEFË PALUSHI  I… TEFË ÇAPALIKUT

June 14, 2022 by s p

Frano Kulli

C:\Users\User\Desktop\Foto F (Paolo)\Frano_color_2 (2).jpg

Ma parë e ma dalë , më duhet të bëj me dije paraprakisht se emri Tefë është shkurtim i emrit Stefan e Shtjefen . Kështu thirret në Shkoder e rrethinat e Nenshkodres deri në Lezhë, ky emër , e do të tjerë si ky, prejardhja e të cilëve vjen prej emra shejtnish të besimit katolik përshtatë në shqip. Prej shumë e shumë kohësh kështu… E ceka shkurtazi këtë moment me sqarue, për ata të cilët është i nevojshëm ky sqarim , se me Tefa , pa pasë nevojë me i thirr mbiemrin , Shkodra e derisotme, të paktën , po edhe Shqipëria njeh kështu Shtjefen Palushin . Karikaturistin dhe komikun e madh , një emblemë e pangjashme me asnjë tjetër të qytetit të Shkodrës , po për më shumë se kaq një nukël (bërthamë) e opozitarizmit qytetës shqiptar , nën dhunën e përdhunës , përreth të cilit, në formën e anekdodave e barceletave përmblidhej e qarkullonte masandej i gjithë dufi kundërrregjim, në të shkuarën tonë të gjysmës së dytë të shekullit të XX-të . Qarkullonte nëpër fasho gazi dhe të qeshure, nëpërmjet ” buzëve të ngrira në gaz ” , siç do të nënvizonte një bashkëqytetari i Tefës , poeti hermetik Zef Zorba , që me të vetmin libër të tij la një gjurmë krejt të përvetçme në poezinë moderne shqipe . Humori , kjo lëndë krejt ” bio ” pa pasë nevojë për konservant . Edhe Stefan Çapaliku , një emër i spikatur sot në letrat shqipe , në Shkodren e tij , prej nga vjen , thirret Tefë. Në emër të gjyshit e të dy në emër të pajtorit të qytetit të Shkodrës , Shën Stefanit , Shën Shtjefnit . Kurse në mes të të dy Tefave të shkrimit tonë është kolana ” Imago e verbum “. Një kolanë librash monografikë i Çapalikut, që zë fill në vitin 2020 dhe vijon e plotësohet në harkun kohor të jo më shumë se dy viteve me ” Pjeter Gaci “, muzikanti , nyje e fortë e historisë së muzikës së kultivuar në Shqipëri , me ” Renzo Collura – një artist i humbur në Shqipëri ” , një piktor italian i gjendur në Shkodër e Shqipëri në mbarim të luftës së dytë , i  humbur për 6-7 dekada dhe i rigjetur prej gjurmëve artistike që paska pasë lënë në Shkodër e Durrës në atë pak kohë deri në deportimin në vendin e vet , në Itali , ” Serafin Fanko – felini i teatrit shqiptar ” dhe më i fundit ” Shtjefën Palushi më vete e me të tjerë-Tefa “. 

Kaq kohë kanë dashtë të shkruhen, por ky është vetëm momenti i hedhjes së lëndës në letër. Në mjaft pak kohë, vetëm dy vite e gjitha kjo. Po, përjetimi i gjithçkaje do të shkruhej është mjaft më e gjatë , e gjatë sa vetë mbamendja e qytetarit Çapaliku, mbamendja e iluminuar por dhe e begatuar e shkrimtarit  dhe puntorit të kulturës më të spikatur të Shkodrës së sotme , Çapaliku me dashuri të pafundme për qytetin e sidomos për atë pjesen e vet vezulluese që është e pakrahasueshme me asnjenin prej qyteteve tona. Dhe mbamendja , nëse e barazojmë me kujtesën i tejkalon kujfijtë e një personi e të përherëshmërisë së përkohëshme të tij së paku edhe me dy breza të tjerë përpara tij; të brezit paraardhës , atij të babës e të mëpërparshmit , atij të gjyshit. Me merakun për ta sfiduar pamëshirën e kohës që prodhon me teprí harresen. Dhe atij i duket se harresen për gjithçka vezullese të Shkodres , e kanë stimuluar sistematikisht me hormone djallëzie , udhëheqësítë e Shqipërisë. Ata s’e kanë dashtë kurrë e se duan vezullimin e Shkodres. Ata që ikin e ata që vijnë. Vezullimi i Shkodres iu vret sytë dhe , ndaj si kurë mbrojtëse përdorin syzet e errëta të harresës. Posë mjeteve të tjera të dhunëshme siç ka ndodhë në kohën e ndalimeve të mëdha dhe lirisë së kufizueme. Thua për këtë lajtmotiv vjen kjo ndalesë e Çapalikut ? Unë besoj se bash për këtë ai, ” tuj gërmu n’do rraqe t’vjetra ” e në biseda të kandëshme ban e na i sjell gangull këto relike të çmueshme të jetës sonë qytetëse. Në një formë  të re e stil të zhdërvjelltë përshtatshëm për receptorët e sotëm të leximit e shijimit.

Edhe pse nuk janë pjesë e kolanës ” Imago e Verbum ” , kisha me rreshtue këtu për nga lënda shkrimore dhe teknika e shkrimit gjithashtu edhe dy antologji ; ” Antologji e jetës ” me 150 barceleta të zgjedhura  dhe “antologji e vdekjes”, ku përfshihen poezi të zgjedhura me këtë motiv të autorëve të njëmendtë e fort të zëshëm shkodranë , po një syth i librit është edhe historia e Varrezës së Rr’majit , unikale në Shqipëri për zanafillën e saj , një shekull e gjysë më parë sikundërse kontemporane (bashkëkohore), gjithashtu.

I fundit për nga radha e shkrimit , vjen libri për Tefen , por i pari i të parëve për diçka tjetër më të madhe shumë. Sipas autorit kështu…

-Nuk më ka rrethue kurrë ndonjëherë ma parë një entuziasëm dhe solidaritet ma i madh në shkrimin e një libri se kësaj here. E kush nuk më asht ofrue për ndihmë  e kush nuk asht gëzue kur e mori vesh…- nënvizon ai në parathanien e librit . – Sikundërse pati edhe të tjerë, që me sjelljen e vet vertetuan proverbin e moçëm latin “Nemo propheta in patria” (Nuk ka profet në vendin e vet) , por që, nuk ia lëndon a lëkund aspak e nuk ia mpak adrenalinën e prodhuar në këtë çast shkrimor. Dhe unë besoj se nuk është një përshtypje e dosidoshme e s’ka sesi të jetë , për një autor të një dyzine me libra të të gjitha gjinive ; të poezisë , estetikës , dramaturgjisë , tregimit e romanit dhe , në dy më pezantet (më të peshueshmet) prej tyre, i mirëpritur e mjaft i njohur mbrenda dhe jashtë vendit, përkthyer e soditur në gjuhët më kryesore të Europës, jo vetëm frëngjisht, anglisht , gjermanisht e italisht, por edhe në ato sllave, në katër a pesë prej tyre.

2)

Nëqoftëse në gjithë krijimtarinë e vet të begatë letrare, S. Çapaliku i sjell letërsisë së sotme shqipe “magmën” e nëntokës së kujtesës qytetëse të përpunuar në laboratorin e vet krijues , të copave më pikante të jetës qytetëse shqiptare dhe kjo mund të thuhet me gojën plot për trilogjinë romaneske ” Secili çmendet simbas mënyrës së vet ” , po edhe për romanin ” Mbyllur për pushime ” dhe në mënyrë edhe më specifike për romanin më të ri, të sapodalë nga shtypshkronja , ” Një engjëll veshë me frak ” , për kolanën ” Imago e verbum ” mund të thuhet se ajo është destin-o (fati , e thëna) i plotësuar i dishirit të paepun për të rrëfyer jetën e një qyteti të rrallë ku reflektojnë të gjitha ngjyrat e ylberit, me shikimin vrojtues drejtuar gjithëherë nga perëndimi . Një mënyrë e veçantë , jo e zakonëshme rrëfimi , me të dy mjetet kryesore të rrëfimit ; me  fjalën dhe me pamjen , ku herë njëra dominon tjetren , po gjithëherë e dyta është komplementare e së parës ; fotoja, skica, grafika, faximile-ja plotëson të parën – fjalën . Fjalën e shkruar , natyrisht . (Se , jo më kot thoshin latinët “Scripta manent verba volant”) . Dhe tek libri për Tefën , autorit i vjen dhuratë tredimensionaliteti krijues i mjeshtrit, siç ai vetë i cilëson në kapitullin ” Fenomeni antroplogjik i quejtun Tefë : “Ma së pari kena Tefen karikaturist…Pra kena Tefen si artist i aftë për të ndërtue karaktere ; së dyti Tefa qe ilustrues i krijimtarisë së të tjerëve , pra një person që ia delte ma së miri të kryente aktin hermenutik të shndërrimit të një mediumi në një tjetër dhe së treti ; Tefë Palushi qe skenograf i papërsëritshëm…” Dhe ky deduksion autorit i vjen prej të dhënave të gjenit të Tefës të eksploruara me imtësi , të cilat , ai i sistemon sipas kritereve që përcakton punën hulumtuese të një njohësi të hollë të studimeve letrare e artistike, nën dritësimin që të jep estetika si çelës që hap dyer të harmonisë së elementëve artistikë. E që Çapaliku-akademik e njeh mirë, si rrallë kush tjetër.

3)

Diku tjetër, në këtë syth ai e cilëson Tefen një “homo urbanus”, pra njeri i qytetit , qytetar . Njeri i spikatur i qytetit . Dhe nuk është se vërehet ndonjë ngulmim a spikamë e Tefës për të hyrë në vëmendjen e qytetit. Besohet se vetë vëmendja e qytetit është ndalë vetvetishëm tek Tefa . Se vëmendja e hollë e atij qyteti , asesi nuk mund të ndalej dokudo e vend e pa vend. Ndalej se ai qe “burim i pashterrshëm i batutave , situatave humoristike , anekdodave dhe barceletave që lindnin dhe shpërndaheshin…te të tjerët “. Shpërndaheshin e thitheshin prej të tjerëve me një frymë e prap shpërndaheshin te të tjerë e të tjerë . Aq sa , barceleta të bukura e të pëlqyeshme fort ” që ishin mbi mesataren e inteligjencës , dilnin në Piacë e kërkonin autor “ i visheshin Tefës edhe kur nuk ishin të tijat . Dhuntia e talenti që Zoti ia kishte falë pa kursim ishin garánti për gjithsa ndodhte .

Tefa qe një bard – thekson diku tjetër Çapaliku – një intelektual i shqetësuem , një zadhanës , që në pamje të parë asht i bamë rrafsh me njerzit e tjerë të ” tavernës ” , por që në fakt krijon dhe gëzon të gjithë distancën e nevojëshme për të vëzhgue e mbajt qëndrim të ashpër ndaj botës. Një nënvizim , që të krijon asosacion të arsyeshëm , mendoj , me atë nënvizimin që bënte Lasgushi për Fishtën ; meditans e militans [ëndërrimtar dhe luftarak]. Që , besoj se s’ka kuptim tjetër përposë se është cilësia e do pak njerëzve gjení , që dhuntinë e dhanë prej Zotit jua dhurojnë njerëzve me dashni e përshpirtni të pafundme . Një shërbesë e mençme dhe e devotëshme , të cilën po e bën mirë edhe Tefë Çapaliku , për qytetin e vet të çmuar e të dashur , për qytetarinë , për kohën që jetojmë, si një dëshmitar besnik e fisnik i saj e sidomos për mbamendjen qytetëse që mos me e lanë me u bjerrë. Kërkesë kjo, në nevojë më shumë se kurrë sot, kur përposë se keqdashjes absurde të udhëheqësive tona ndaj kujtesës sonë që është vetë idenditeti ynë kombëtar , ajo kërcënohet edhe prej ” mortajës ” globaliste , e pamëshirëshme për fashitjen e shbërjen e tij. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Frano Kulli

AMERIKANIZMA NË SHËRBIM TË SHQIPTARIZMËS PETER ÇIKOS SHËMBULL I PËRBASHKIMIT TË SHQIPTARËVE 

June 14, 2022 by s p

Fjala në konferencën: “Vatra -110 Vjet në Shërbim të Atdheut dhe Komunitetit Shqiptar në Amerikë”

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Në historinë e saj 110-vjeçare, Federata Pan-Shqiptare Vatra, me të drejtë, krenohet me të kaluarën e saj në mbrojtje të interesave kombëtare, në përgjithësi. Krenare për aktivitetet e shumëta që ka organizuar dhe organizon.  

Kanë qenë dhe janë këto aktivitete që e kanë bërë Vatrën, vatër për të gjithë, përbashkuese, në përpjekjet e saj për idealin gjithnjë të pa realizuar – vëllazërimin dhe përbashkimin e shqiptarëve. Por, njëkohësisht, me vazhdimsinë e saj, Vatra edhe në moshën 110-vjeçare sot po i tregon botës shqiptare dhe shoqërisë amerikane, ku jetojmë, se megjith sfidat me të cilat përballet  komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe Kombi shqiptar në përgjithësi — organizime si ky përvjetor, tregojnë se shqiptarët janë të vetdijshëm të vlerave të veta historike, shpirtërore dhe identitare – që i ruajnë si trashëgimi e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.

Dëshiroj që në këtë 110-vjetor — shkurtimisht  — të nënvijoj rolin përbashkues të Federatës Pan-Shqiptare Vatra — në bashkpunim me diasporën anti-komuniste matanë oqeanit dhe me Arbëreshët e Italisë — duke marrë si shembull, festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe në Vatikan dhe në Romë, prillin e vitit 1968. Le të shërbejë ky si një mesazh i rëndësishëm simbolik, por jetik për brezin e sotëm të diasporës shqiptare këtu në Amerikë, për të bashkpunuar për realizimin e “përbashkimit vëllazëror”, në komunitetin shqiptaro-amerikan, si një porosi e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skenderbe. 

Kryesia e atëhershme e Vatrës me në krye Peter (Chicos) Çikos dhe qindra shqiptarë nga të gjitha anët e botës, ishin ftuar të merrnin pjesë në celebrimet  e organizuara në Romë dhe në Vatikan në prill të vitit 1968,  me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeu.  Për nga organizimi dhe pjesëmarrja mbarë shqiptare, ky tubim ka mbetur një veprimtari e paharrueshme dhe historike e diasporës, organizuar nga Arbëreshët e Italisë me ndihmën thelbësore dhe nën drejtimin e përfaqësuesve të diasporës së pas luftës, si Prof. Ernest Koliqi me bashkpuntorët e tij në Itali. 

Ishte pra prilli i vitit 1968, kulmi i luftës së ftohët. Më vonë atë vit, (në gusht) ish-Bashkimi Sovjetik do të pushtonte Çekosllovakinë dhe Shqipëria jonë e mjerë komuniste ishte zhytur në zjarrin vet-shkatërrues të lëvizjes më të turpshme të shekullit të kaluar për shqiptarët – të ashtuquajturit “revolucion kulturor” kinez –dhuratë nga Kina maoiste e që kishte për qëllim çkombtarizimin — zhdukjen e identitetit dhe të historisë së vërtetë të shqiptarëve – në lavdi të marksizëm-leninizmit ndërkombëtar.

Në këtë atmosferë të tensionuar kombëtare dhe ndërkombëtare, diaspora anti-komuniste në Evropë me Arbëreshët e Italisë dhe me Vatrën e Amerikës, vërshuan në Romë e Vatikan për t’i treguar botës me plot krenari dhe dinjitet– se pa marrë parasyshë se ç’po ndodhte në Shqipërinë e Enver Hoxhës në atë kohë – shqiptarët, si komb ishin të bashkuar rreth Fatosit të tyre trim, Gjergj Kastriotit-Skenderbe – në një frymë vëllazërimi e përbashkimi, pa dallim feje a krahine. 

“Gjaku arbënuer njofti nji triumf të papritun n’ato ditë”, do të komentonte krye-organizatori i celebrimeve të 500-vjetorit të Skenderbeut në Vatikan, Profesor Ernest Koliqi.   

Një rol të rëndësishëm – historik, mund të thuhet — në realizimin e këtij, “triumfi” arbëror, ka luajtur edhe kjo Vatër, 110-vjetorin e të cilës shënojmë sot.  Delegacioni i Vatrës në Vatikan, përbëhej nga ndër më të mirët e diasporës shqiptare anti-komuniste të asaj kohe – figura me emër në diasporë, por të urrejtur nga regjimi komunist në Atdhe. 

Ja si e përshkruante Ernest Koliqi praninë e vatranëve në festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Kryetrimit të shqiptarëve: “Nji tubë zojash të ndritshme e zotnijsh të zgjedhun, përfaqësoi — në rrethe arbëreshe e shqiptare – Federatën e mirënjohun që dikur aq hov i dha përpjekjeve për rilindje të Atdheut dhe sot mban naltë zanin e Shqipnisë në botën perëndimore. Hijet e madhnueshme të Nolit e të Faik Konicës na shfaqeshin para syve, tue vërejtë ndër rrjeshtat tonë kryesinë vatrane, të atyne dy Patriotëve të paharrueshëm, themeltarë të Shoqatës.  Kishim përshtypjen se drita e agimeve të reja të Rilindjes atë ditë po reshte mbi Bashkimin e Arbëreshëve me Shqiptarë. E bashkë me atë dritë, rrezja e bekimit të Perendisë”, do të shkruante Ernest Koliqi.  Pjesëmarrja e vatranëve në manifestimet përbashkuese të 500-vjetorit të Skenderbeut, Koliqi e ka cilësuar si një prani që ua, “shtoi shkëlqimin kremtimeve”.

Në vazhdim të temës së “përbashkimit”, në këtë 110-vjetor të Vatrës, dua të kujtoj një ish-Kryetar të Vatrës, një shembull të “përbashkimit të shqiptarëve” në diasporë, të ndjerin Peter Chicos. Jo me fjalët e mia pasi, fatkeqësisht, nuk e kam njohur, por bazuar në vlerësimet e të tjerëve.  

Me rastin e kalimit të tij në amshim të parakohëshëm, Gazeta Boston Globe shkruante, ndër të tjera, se Departamenti Amerikan i Shtetit, duke njohur aftësitë e Peter Çikos si udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan, sanksionoi në vitin 1968 disa simpoziume ndërkombëtare nën drejtimin e tij dhe të Federatës Pan-Shqiptare Vatra, me rastin e 500-vjetorit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skenderbe, në Romë, në Vatikan dhe në Nju Jork.

 “Atëherë, për herë të parë”, theksonte gazeta amerikane Boston Globe, “Në Katedralën e Shën Patrikut në Nju Jork, u mbajtën shërbimet ekumenike fetare Katolike, Ortodokse dhe Myslimane.”  Gazeta shënonte gjithashtu se Peter Çikos ishte pritur në Vatikan nga Papa Pali i VI me rastin e ceremonive kushtuar 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skendërbe në vitin 1968, ku ai kishte dhënë ndihmesën e tij në organizimin e manifestimeve madhështore me atë rast, në krye të një delegacioni mjaft të madh shqiptaro-amerikanësh, pa dallim feje a krahine, që mori pjesë në ato ceremoni.  Shqiptarët e mbledhur atje për të përkujtuar dhe nderuar Fatosin e tyre të Madh, por njëkohësisht, edhe për t’i shpalosur botës një dëshmi të pashoqtë identiteti dhe dinjiteti kombëtar, bashkpunimi dhe marrëveshje vëllazërore. 

Ernest Koliqi kishte krijuar një respekt të jashtzakonshëm për aftësitë organizuese, për gatishmërinë dhe prirjet e Peter Çhicos për të frymëzuar dhe bashkuar diasporën shqiptare në Amerikë dhe më gjërë.  “I lindun e i rritun në tokën amerikane dhe si i tillë i përjashtuem nga ndasitë që ligshtojnë botën shqiptare, ai drejtoi veprimtarinë e vet dhe të rrethit vatran në harmonizim të atyne forcave të shpërndara”, ka shkruar Koliqi në një editorial botuar në revistën Shëjzat, kushtuar jetës dhe veprimtarisë patriotike të Peter Genc Çikos. “Me dinamizëm amerikan, i përkrahun nga rrethi i vjetër si dhe nga dashamirë të ri, ia doli qëllimit në skaj. Ai organizoi në Boston e në New York manifestimet dhe organizimet ma të shkëlqyeshme që njofti diaspora shqiptare sot e kësaj dite. Mblodhi në nji ndjesi vëllaznore Vatranë, Arbëreshë e Shqiptarë të mërgatës, pa dallim besimesh e krahinash, kulturash e rrymash politike.” 

Ernest Koliqi e ka pagëzuar Peter Çikos, si “Unifikuesi”, në historinë e diasporës dhe të shqiptarëve, në përgjithësi. “Kjo i jep Atij të drejtën m’u quejtun në historinë e diasporës sonë, Çikos Unjisuesi, ose (Unifikatori) i gjakut të shprishur”, sipas Koliqit.  

Ndërsa një tjetër eksponent i mërgatës së atëhershme shqiptare, Tahir Kolgjini e ka kujtuar ish-Kryetarin e Vatrës si një njeri me “Sjellje simpatike, t’urtë, i cili krijoi marrëdhënie të përzemërta me grupet e ndryshme, pa ardhun ndesh me programet e tyne”. 

Muar pjesë në 500-vjetorin e përkujtimuer të Heroit Kombëtar në Romë. Shkoi edhe në gjirin e Arbëreshve në Itali, vizitoi vende të tjera të Evropës, rregulloi në mënyrë shembullore përkujtimin e Heroit tonë në Shtetet e Bashkueme”, e të tjera. Për të gjitha këto, sipas Tahir Kolgjinit, “Qëllimi i tij ishte për t’ia bamë të njohun botës se raca shqiptare ashtë e gjallë kulturalisht dhe fizikisht. Nderoi Vatrën, nderoi Diellin. Nderoi botën shqiptare. Nderoi edhe vetveten…Me pak fjalë, ngriti naltë sedrën kombëtare, tue mbajtun në kambë moralin e shqiptarëve, që ishin të dënuem me qëndrue larg Atdheut.”

Ndërsa Martin Camaj, një tjetër bashk-kohas i ish-Kryetarit të Vatrës, ka shkruar se e kishte njohur Peter Çikon si, “Një burrë të rrahun me jetë, realist, me cilësi të mbara e të nevojshme të një shqiptari të vendosun e krenar — për të ia pasë lakmi”.   Peter Genc Çikos, ka shkruar Martin Camaj, ishte ndër ata shqiptarë të cilët i, “Sollën nderimin emnit shqiptar në botën amerikane.”

Ishin këto ndjenja ndaj një shqiptaro- amerikani si Peter Çikos që i kishin lënë përshtypje të thella edhe albanalogut të njohur Italian, At Zef Valentinit.   “Me ‘të (Peter Chicos) në krye të Vatrës kishte hypë breznija e re e Shqiptarëve të Amerikës dhe ashtu kishte hyr përnjimend AMERIKANIZMA në shërbim të SHQIPTARIZMËS”, do të shkruante At Zef Valentini.

Ndërsa, Skendër H. Hasani në një shënim botuar në revistën Shëjzat të Ernest Koliqit ka shkruar se Peter Genc Çikos, si Kryetar i Vatrës por edhe si njeri dhe si shqiptaro-amerikan i brumosur dhe i ushqyer me më të mirat e dy kulturave tona – asaj shqiptare dhe amerikane – i tregoi, “Diasporës shqiptare se ç’rrugë duhet marrë e si mund të dëgjohet zëri i tyre në botë. Me urtësi e butësi, por me program të caktuar, ai bëri që të përtrihet me hov roli historik i Vatrës”, është shprehur ai ndër të tjera.

Unë, me qëllim solla në vëmendje, në këtë 110-vjetor rolin e ish-Kryetarit të Vatrës Peter Genc Chicos dhe vlerësimet e punës së tij si vatran dhe si shqiptaro-amerikan, e mbi të gjitha rolin e tij përbashkues që ai luante në Vatër dhe në komunitet – si një shembull, mundësisht, për t’u ndjekur e për t’u kopjuar nga brezi i ri.  Peter Genc Chicos kishte një përparsi të madhe si i lindur dhe i rritur në Amerikë, por me ndjenja të thella dhe dashuri për Shqipërinë. Ai nuk ishte as pjesë, as viktimë e ndasive që, historikisht, kanë ligështuar dhe po ligështojnë botën shqiptare edhe sot, jo vetëm në trojet tona, por edhe këtu në Amerikë.

Periudha e Peter Chicos si Kryetar i Vatrës ishte me të vërtetë — siç është shprehur dikur albanologu italian At Zef Valentini — një periudhë historike unifikuese e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Vatrës, një kohë kur në këtë komunitet, përnjimend kishte hyrë fryma e, “Amerikanizmës në shërbim të Shqiptarizmës”.

Prandaj, urimi im në këtë 110-vjetor të VATRËS është i thjeshtë dhe I realizueshëm: Uroj që fryma e Amerikanizmës së Peter Chicos të jetë gjithmonë në shërbim të Shqiptarizmës, me vatranë si ish-Kryetari i Vatrës dhe unifikuesi i shqiptarëve, i ndjeri Peter Chicos.

Peter Chicos ka ndërruar jetë tepër i ri, në korrik të vitit 1970, në moshën 51-vjeçare. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!

E Vatra rroftë e qoftë sot dhe për jetë të jetës! Ju falënderoj për durimin!

Frank Shkreli

*Fjala me rastin e 110-Vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare Vatra: Peter Chicos, shembull i përbashkimit shqiptar – “Amerikanizma në Shërbim të Shqiptarizmës”, Nju  Jork, 12 Qershor, 2022

KUSH ISHTE PETER CHICOS: Ishte fillim Korriku i vitit 1970 kur në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe më gjërë u përhap lajmi i zi se, papritmas, kishte ndërruar jetë nga një goditje në zemër, Peter Genc Chikos (Çikos), Kryetari i Federatës Pan-shqiptare, Vatra.  Si udhëheqës i organizatës më të madhe shqiptaro-amerikane, Peter Çikos ishte, natyrisht, i njohur në radhët e komunitetit shqiptar në Amerikë, por ishte gjithashtu i njohur edhe në komunitetin më të gjërë amerikan ku jetonte e vepronte, sidomos në qytetin Boston të shtetit Masaçusets.  

Gazeta e njohur amerikane Boston Globe kishte njoftuar vdekjen e para kohëshme, të Peter Çikos në moshën 51-vjeçare, duke venë në dukje arritjet në jetën dhe veprimtarinë e tij, përfshirë medaljet që kishte fituar si përfundim i heroizmit të tij në Luftën e dytë Botërore.  Shkruante për detyrat e ndryshme me rëndësi që kishte kryer në ushtrinë amerikane, përfshirë detyrën e oficerit zë inteligjencës ushtarake në stafin e Gjeneralit Dwight Eisenhower gjatë invadimit të Francës, si pjesëtar i Grupit të 6-të të Ushtrisë Amerikane, ndërsa ka shërbyer më vonë edhe si anëtar i Misionit për Kontrollin e Berlinit.  Ndërkohë që largohet me nderimet më të larta nga radhët e ushtrisë amerikane pas luftës, Peter Çikos me të kthyer në Boston ndihmoi në themelimin e Shoqatës së Veteranëve shqiptaro-amerikanë dhe fillon një jetë të re si civil, pa uniformën ushtarake.

Në një shënim nekrologjik, Gazeta Boston Globe shënonte se me të dalë nga ushtria, Peter Çikos vazhdoi veprimtarinë e tij në komunitetin shqiptaro-amerikan, bazuar në gjurmët që kishte lënë, si shembull babai i tij, Harris (Llambi) Çikos, njëri prej themeluesve të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe njëherazi Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, një organizatë patriotike shqiptare, siç e ka cilësuar Vatrën me atë rast gazeta Boston Globe.  Kjo gazetë ndër më të mëdhat e asaj kohe, por që edhe sot gëzon influencë në Amerikë, shkruante edhe për përpjekjet personale redaksionale të Peter Çikos në mbështetje të gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-shqiptare Vatra, si dhe për ndihmën financiare që ai jepte për botimin e gazetës që në atë kohë dilte një herë në javë. 

Frank Shkreli

Drejstuesit e seancave të Konferencës: “Vatra -110-Vjet në Shërbim të Atdheut dhe Komunitetit Shqiptar në Amerikë”

Inline image

A picture containing person, person, curtain, white

Description automatically generated

Peter (Chicos) Çikos ish-Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare, Vatra, 1969 duke folur në Hotelin “Americana” në Manhattan të Nju Jorkut në tubimin me rastin e 60-vjetorit të gazetës Dielli – Ish officer i inteligjencës ushtarake në stafin e Gjeneralit Dwight Eisenhower gjatë invadimit të Francës dhe pjesëtar i Grupit të VI të Ushtrisë Amerikane, ndërsa ka shërbyer më vonë edhe si anëtar i Misionit për Kontrollin e Berlinit i Përherëshëm qoftë kujtimi i tij!

A person in a suit

Description automatically generated with medium confidence
A group of people standing together

Description automatically generated with medium confidence

Peter Çikos me Z. Anthony Athanas në Romë/Vatikan, prill, 1968 – 500-vjetori i Gjergj Kastriotit -Skenderbe

A picture containing text, person, group, old

Description automatically generated

Peter Çikos, i dyti nga e majta, te varri i Faik Konicës me Mons. Zef Oroshin, Nikoll Shkoza, Prof.Ernest Koliqi, Ndue Gjomarkaj, Christo Thanas, Dr Ismail Vërlaci, Ing, Ago Agaj, Sejdi Bytyçi dhe Gjon Buçaj

Inline image

Drejtuesit e seancave

Filed Under: ESSE Tagged With: Frank shkreli

Vatra, shtëpia e përbashkët e shqiptarëve

June 14, 2022 by s p

Ambasador Ferit Hoxha/

I nderuar zoti President i Republikës,

I nderuar zoti Kryetar i Vatrës,

Të nderuar vatranë,

Është kënaqësi për mua të jemi së bashku me ju në kremtimin e kësaj dite të shënuar.

Jam i bindur, shumë të tjerë, të cilët ndonëse nuk janë fizikisht këtu, janë të pranishëm me shpirt e me mendje.

Plot 110 vjet me parë, në ndërtesën me numër 227, në rrugën Tremont të Bostonit, atdhetarë përfaqësues të shoqatave të ndryshme emigrantësh shqiptarë u bënë bashkë, në një kishë, në një vend të shenjtë, me një ide e me një synim, po ashtu të shenjtë: për të bashkuar zerin e forcat në mbrojtje të vlerave dhe identitetit shqiptar në diasporë.

Kështu lindi jo thjesht një shoqatë tjetër, jo thjesht një shoqatë me shumë, por një Federatë, Vatra, Organizata më të madhe përfaqësuese të shqiptarëve të Amerikës.

Fan Noli, Faik Konica e shumë patriotë të tjerë, shumë brezni atdhetarësh meritojnë respektin e përhershëm të të gjithë shqiptarëve në SHBA, në atdhe, e kudo tjetër në botë, për përpjekjet e parreshtuara dhe kontributin e vyer për të ndërtuar dhe forcuar komunitetin, për të formëzuar komunikimin e gjurmëlënien, për ta çuar përpara atë që i bashkonte të gjithë, shqiptarizmën. Kjo është ajo që kremtojmë sot.

Të dashur Vatranë,

Shumëcka ka ndodhur prej asaj kohe. Janë dy luftëra botërore dhe 77 vjet të mbushur me ngjarje të ndryshme, nga ato më traumatiket deri tek me shpresedhënëset.

Perandori kanë perënduar, shtete shumëkombëshe janë zhbërë, vende të reja janë krijuar, shoqëri të tëra janë cliruar. Amerika ka ndryshuar por ia ka dalë të bëhet e të mbetet fuqia e parë botërore, margaritari dhe garant i lirisë individuale;

Shqipëria është trasformuar rrënjësisht dhe komunizmi, nga i cili vuajti për rreth pesë dekada, është tashmë një endërr e keqe e tkurrur në simbolet e qëllimta historike e përkujtimore. Vetëm bunkerët e mbetur na kujtojnë se në atë vend marrëzia ishte dikur e mbrujtur me beton.

Kosova është tashmë shtet i pavarur në kërkim të së ardhmes së barabartë që meriton dhe, sot ne kremtojmë edhe ditën e clirimit nga mizoria serbe e Miloshevicit, përmes qendresës historike të UCK-së dhe ndërhyrjes vendimtare të NATO-s.

Shqiptarët në Maqëdoninë e Veriut kanë ditur të gjejnë dhe zënë vendin, të marrin e imponojnë respektin atje duke qenë kontribues të njëmendtë në zhvillimin e vendit të tyre.

Në Malin e Zi, vështirë të ketë symbol më domethenës sesa fakti që një anëtar i komunitetit, pavarësisht nga madhësia, është sot në krye të qeverisë.

E nëse më lejoni të përmend dhe një moment që është pjesë e përditësisë time, aspektin me unik në historinë tonë, Republika e Shqipërisë është sot presidente e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Nuk mund të ketë kontrast më domethënës: 110 vjet më parë ishin subjekt i hartave ku vizatoheshin kufinj pa praninë tonë, sot kemi në dore cekanin që sanksionon vendimet më të rëndësishme për paqen dhe sigurinë në botë.

E gjitha për të thënë se nga të dominuar historikisht, ta ndarë, të shtypur, të vuajtur, të prapambetur, të harruar, të lënë pas dorë, të nëpërkëmbur gjatë komunizmit dhe të coroditur gjatë tranzicionit, shqiptarët janë sot, pa asnjë dyshim, kombi që ka përparuar më shumë së askush tjetër në Ballkan në tridhjetë vitet e fundit. Nuk ka qenë e lehtë, nuk ka ardhur pa sakrifica, por perspektiva dhe synimet tona jonë të qarta, rrugëtimi i përcaktuar dhe, përfundimisht, fatet tona janë në duart tona, frut i gjykimeve dhe i vendimeve që marrim vetë.

Të dashur miq,

Në këto ndryshime madhore, një vend të vecantë ka pasur edhe komuniteti ynë jashtë vendit, e vecanërisht, këtu në Amerikë.

Dikur, atdhetarët tanë nuk lanë mundësi pa shfrytëzuar, me zerin dhe forcën e tyre, në favor të së ardhmes së shqiptarëve atëherë kur vihej në rrezik vetë ekzistenca e kombit tonë.

Para 23 vitesh djemtë e shqipes shkuan të luftojnë për clirimin e Kosovës.

Sot është e rëndësishme që të ndërtojmë sa më mirë mbi trashëgiminë dhe kontributin duke iu përshtatur kohës, ndryshimeve dhe evoliumit të nevojave.

Komuniteti ynë duhet të gjejë mënyrën dhe format për tu mirë organizuar, në një kapilaritet që i mundëson gjithkujt që dëshiron do të jetë kontribues, së pari për të drejtat e tyre në këtë vend, për të formëzuar një zë të fuqishëm, përfaqësues sepse vetëm ashtu mund të shumëfishojë mundësinë e ndikimit.

Sot ka rëndësi që zëri i komunitetit të dëgjohet në këshillin bashkiak të Nju Jorkut; të jetë pjesë e ligjbërjes në Albany dhe shpresoj, sa më shpejt edhe në kongresin amerikan.

Vetëm kështu kontributi bëhët konkret e të njemendtë. Vetëm kështu u bë e mundur që rrugë të qytetit të mbajnë emrat që na nderojnë, Noli e Skënderbeu. Vetëm kështu mund të kontribuohet më mirë edhe në mbajtjen e forcimin e marredhënieve të kombit tonë me Shtetet e Bashkuara.

Të dashur miq,

Në programin e paraqitur në kuvendin e fundit të Vartës është theksuar, me të drejtë, angazhimi për të freskuar e rinuar anëtarësinë e Federatës, duke u hapur ndaj brezit të ri por edhe ndaj ideve të reja, alternativave krijuese që nxisin, mbrojnë dhe përfaqësojnë vlerat tona më të mira kombëtare dhe që e forcojnë e cojnë më tej trashëgiminë 110 vjecare të Federatës.

Po ashtu, kam mirëpritur gatishmërinë e Kryesisë së re të Vatrës për të bashkëpunuar ngushtë me Qeveritë e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, si dhe me të gjithë përfaqësuesit shqiptarë të zgjedhur nga vota e lirë, për të mirën e të gjithë bashkëkombasve, në funksion të bashkërëndimit dhe bashkëpunimit për të mbështetur përpariminin ekonomik, arsimor e kulturor të kombit shqiptar.

Kombi ynë ka përqafuar lirinë, lirinë e mendimit, të veprimit, të zgjedhjes e të organizmit. Eshtë kësisoj shumë e rëndësishme që organizimi i komunitetit në SHBA, në cdo formë e mënyrë, t’i qendrojnë besnik parimit të ndërtimit të shtëpisë së përbashkët për shqiptarët e çdo besimi, të cdo mendimi, të çdo bindjeje politike.

Vetëm kështu do të mund të shkojmë, më shpejt e në mënyrë më të sigurt, atje ku e synonin e dëshironin te parët, ku e cuan pasardhesit, vetëm kështu Federata bwhet e mbetet Vatër e bashkimit të shqiptarëve për të mirën e përbashkët, përtej e mbi idetë, qendrimet, përkatësitë dhe debatin politik, në interes e në të mirën e shqiptarëve pa dallim.

Gezuar 110 vjetorin e Vatrës, e siç themi ne në Shqipëri, edhe 100 të tjera.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT