• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2022

UKRAINA – KUJT IU DESH LUFTA?

June 1, 2022 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

“Rusia pa Ukrainën, pushon të jetë perandori, ndërsa me një Ukrainë, në fillim proruse, pastaj të nënshtruar, automatikisht bëhet perandori”– Zbignjev Bzhezhinski  

Me rënien e murit të Berlinit në nëntor të vitit 1989, u shpërbë edhe Bashkimi Sovjetik. Doli prej tij një Rusi e pakonsoliduar. Në vitin 1991 Traktati i Varshavës (Pakti i Varshavës) u shpërbë, por jo edhe NATO-ja. Pas këtyre proceseve historike, në rrethana të reja pasojnë do procese të tjera:

– NATO-ja fillon të shtrihet në lindje të Evropës, duke i përfshirë në radhët e veta ish-shtetet, anëtare të Traktatit të Varshavës, që e përbënin kampin socialist;

– Moska mendon se me shtrirjen e NATO-s në lindje të kontinentit, ShBA-ja synon t’u afrohet kufijve të Rusisë, përkatësisht ta rrethojë atë;

– Kryetari i Rusisë, Vladimir Putin (1952-) synon t’ia rikthejë Rusisë autoritetin që kishte dikur Bashkimi Sovjetik, e që konsiderohej si një prej dy superfuqive globale;

Ndaj shteteve ku ka minoritet rus, Moska ndërmerr veprime ushtarake:

1. Në nëntor të vitit 1990 shpërthen konflikti në Pridnestrovie (Transnistria) të Moldavisë, i njohur si luftë moldavo-ruse, 1991-1992; 

2. Në vitin 2008 Rusia ndërhyn ushtarakisht kundër Gjeorgjisë. Pushton Osetinë Jugore dhe Abhazinë. Më 26 gusht 2008, Rusia njeh pavarësinë e Abhazisë dhe të Osetisë Jugore, e cila po ashtu u shkëput nga Gjeorgjia; 

3. Në vitin 2014 Rusia pushton gadishullin e Krimesë, e anekson atë dhe ia bashkëngjit Rusisë. Deri atëherë, Krimea ishte pjesë e Ukrainës;  

4. Në prill të viti 2014 fillon konflikti në dy rajonet e Ukrainës lindore, Donjeck dhe  Lugansk, që bashkërisht quhen Donbas*. Moska i mbështet separatistët prorusë. Në gusht të vitit 2014 Rusia ndërhyn edhe ushtarakisht dhe këto dy rajone i shpall republika të pavarura. Që nga viti 2014, këto dy rajone gjithnjë më tepër i kontrollonte Rusai. Në pranverë të vitit 2014 u krijuan të ashtuquajturat Republika Popullore e Donjeckut dhe Republika Popullore e Luganskës. Në këto rajone ka qenë tejet e zhvilluar industria e qymyrit dhe e çelikut. Para agresionit rus në Ukrainë, Dombasi ka pasur gjashtë deri shtatë milionë banorë.

*   *   *

Pushtimet e sipërthëna, shpeshherë Moska i ka arsyetuar me çlirimin e Kosovës në vitin 1999 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të mbështetur nga ShBA-ja.

Shënim: 

1. Në fund të vitit 2013, në sheshin Majdan të Kievit shpërthyen protesta masive kundër kryetarit prorus të Ukrainës, Viktor Janukoviç (Viktor Yanukovych, 1950-) që njihen  si revolucioni Euromajdan. Janukoviçi ra. Erdhën në pushtet politikanët properëndimorë, në krye me Petro Poroshenkon (1965-) dhe Arsenie Jacenjuk (1974-) – ushtrues detyre i kryeministrit në vitet 2014-20116. Pushtetarët e rinj të Ukrainës e kufizojnë të drejtën e përdorimit të gjuhës ruse në Dombas. 

2. Zbignjev Bzhezhinski (Zbigniew Kazimierz Brzezinski, Varshavë, 1928 – Fols Çerç, Virgjinia, ShBA, 2017) – politolog polak-amerikan dhe gjeostrateg (strateg i gjeopolitikës), këshilltar i presidentit Lindon Xhonson (Lyndon Baines Johnson, 1908-1973) dhe këshilltar për siguri kombëtare i presidentit Xhimi Karter (James Earl “Jimmy” Carter, Jr., 1924 -).   

*   *   *

Sulmi i Rusisë ndaj Krimesë është shembulli më tipik i agresionit gjatë kohës së paqes në Evropë, që nga koha kur Gjermania naziste e pushtoi Sudetin në vitin 1938. Ishte e pafalshme shpërfillja e leksionit të Munihut, kur kryeministri britanik Artur Nevil Çemberlen (Arthur Neville Chamberlain, 1869-1940) dhe kryeministri francez Eduard Daladie (Ḗdouard Daladier, 1884-1970) e qetësonin diktatorin gjerman Adolf Hitlerin (1889-1945), duke lëshuar pe para kërkesave të tij në Çekosllovaki. Kur Çemberleni është kthyer nga Munihu në Londër, Uinston Çerçili (Winston Churchill, 1874-1965) i ka thënë: “Keni mundur të zgjidhni midis luftës dhe turpit. Ju paskeni zgjedhur turpin. Tani priteni luftën”.     

*   *   *

Në vitin 1994 Ukraina i dorëzoi armët bërthamore të veta. Tërësinë tokësore të saj do ta garantonin ShBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia. 

Në vitet 2010-2014 Ukraina kishte një qeveri proruse. Pas rënies së kryetarit prorus Viktor Janukoviç, vijnë në fuqi pushtetarë dhe qeveritarë properëndimorë. Në zgjedhjet e fundit, në Ukrainë erdhi në pushtet Volodimir Zelenski, njeri me prejardhje hebraike. Ky ishte properëndimor dhe synonte ta anëtarësojë Ukrainën në organizmat euroatlantikë. 

Për Moskën, ardhja në pushtet në Ukrainë, e një personi me prejardhje hebraike, është skenar i paramenduar nga Uashingtoni, me qëllim që ky vend të anëtarësohet në NATO.

Agresionin në Ukrainë, Moska e arsyeton duke thënë: “Rusia ndërhyn ushtarakisht, për ta parandaluar anëtarësimin e këtij vendi në NATO”. 

A është e arsyeshme të shkaktohet një luftë apo një tragjedi e këtyre përmasave, me dhjetëra mijë të vrarë dhe të plagosur, midis tyre edhe fëmijë, me fëmijë të mbetur bonjakë, me zhvendosje dhe shpërngulje të popullsisë, me dëme të mëdha materiale, me qytete të rrënuara, me infrastrukturë të shkatërruar – për t’u anëtarësuar në NATO?!

Apo do të kishte qenë më e arsyeshme që Ukraina, midis Perëndimit, në një anë dhe Rusisë, në anën tjetër – të kishte mbetur asnjanëse. 

Mariupoli u rrafshua prej raketave të ariut të veriut, ndërsa qytetarët e kontinentit përcjellin këngët e Eurovisionit dhe shikojnë ndeshjet e futbollit të Ligës së kampionëve.     

        Moska nuk e ka analizuar drejt dhe saktë reagimin e ShBA-së, të NATO-s dhe të shteteve, anëtare të BE-së që do të pasonte pas sulmit rus në Ukrainë. Moska nuk e ka pritur një reagim kaq të ashpër të Perëndimit ndaj invadimit rus në Ukrainë. 

Ndërhyja ushtarake e Rusisë në Ukrainë:

– cenoi autoritetin e ShBA-së, si superfuqi globale;

– cenoi autoritetin e NATO-s, si dhe 

– vuri në dyshim prestigjin e BE-së.

Por, Uashingtoni dhe Brukseli nuk i lejuan dhe nuk i mundësuan Rusisë të luajë, të shpërfillë dhe të nëpërkëmbë autoritetin dhe epërsinë politike, ekonomike dhe ushtarake të botës perëndimore.      

Nga invadimi i Rusinë në Ukrainë, mund të konstatohet:

– Ushtria e Ukrainës rezultoi e përgatitur për luftë dhe për t’i bërë ballë një fuqie të madhe;

– Populli ukrainas rezultoi si popull atdhetar, patriotik, i gatshëm për të mbrojtur pavarësinë e vendit, dinjitetin dhe identitetin kombëtar; 

– Potenciali ushtarak i Rusisë, rezultoi shumë më i dobët se ajo që kishte menduar bota;

– Ukrainën e kanë mbështetur dhe vazhdojnë ta mbështesin me të gjitha mjetet, ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar;

– ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar nuk varen nga gazi natyror dhe nga nafta ruse. 

*   *   *

Lidhur me agresionin e Rusisë në Ukrainë, u duk sikur në radhët e NATO-s dhe të BE-së, mbizotëroi një unitet i plotë. Por, kohezioni i këtij uniteti midis Fuqive të Mëdha të Perëndimit, mbase është i diskutueshëm:

– Lufta në Ukrainë, pavarësisht nga shkaqet dhe preteksti, nuk mirëpritet nga Gjermania dhe Franca;

– Gjermania varet nga gazi natyror dhe nga nafta ruse, për dallim nga Mbretëria e Bashkuar apo ShBA-ja, të cilat në këtë pikëpamje, pothuajse fare nuk varen.

Duhet shtuar se 27 % të naftës dhe 40 % të gazit natyror, vendet e BE-së e sigurojnë prej Rusisë. 

*   *   *

Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës çrregullon proceset ekonomike në shkallë globale, për arsye se Rusia i eksporton Evropës dhe vendeve të tjera gaz natyror, naftë, qymyr, grurë etj.   Çrregullimi i ekonomisë gjermane, si pasojë e mungesës së gazit natyror dhe të naftës ruse, çrregullon ekonominë botërore, për arsye se Gjermania është fuqi e katërt ekonomike në botë. Ukraina është një prej hambarëve të Evropës dhe më gjerë, për arsye se është një prej eksportuesve më të mëdha të grurit apo të lulediellit. Çrregullimi i ekonomisë botërore, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, mund të shkaktojë ngritje çmimesh të artikujve ushqimorë si dhe uri në përmasa globale. 

Gjermania, e sidomos Franca janë për një Evropë, me më pak Amerikë në të. Këto dy Fuqi të Mëdha të kontinentit të vjetër janë për një Evropë më të pavarur nga ShBA-ja. Në anën tjetër, Uashingtoni thotë se pa Amerikën, Evropa nuk mund të mbrohet nga rreziku rus. Pa Amerikën, as Ukraina nuk do të mund t’i bënte ballë sulmit rus.      

Volodimir Zelenski (Volodymyr Zelenskyy, 1978-) duket sikur është i vetëdijshëm se politika e tij e pabaraspeshuar midis Perëndimit, në një anë dhe Rusisë, në anën tjetër, u mor si pretekst nga Moska për të kryer agresion ndaj Ukrainës. ShBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar vërtet i dërgojnë Ukrainës armë, artikuj ushqimorë, mjete financiare dhe barna, por është Ukraina ajo e cila agresionit rus i bën ballë me gjak.

*   *   *

Paqja midis Ukrainës dhe Rusisë do të arrihet vetëm atëherë kur të thotë Uashingtoni. Është utopi dhe iluzion të mendohet se mund të arrihet paqe midis palëve ndërluftuese, pa pëlqimin dhe pa miratimin e Amerikës. Zvarritja apo zgjatja e luftës në Ukrainë nuk shkon në favor të Rusisë. Çdo ditë e luftës shkon në dëm të saj. Vazhdimi i luftës në Ukrainë i shkakton Rusisë shpenzime të mëdha dhe e dobëson atë. Është akt i pamoralshëm dhe johuman të thuhet se vazhdimi i luftës shkon në favor të Amerikës.  

Nga embargoja e vendeve të Perëndimit ndaj Rusisë, humbin të dyja palët. Humbin si Rusia, ashtu edhe shumë vende të kontinentit. Pra humbja është e ndërsjellë. As Perëndimi mund të gjejë rrugë alternative më të volitshme për t’u furnizuar me gaz natyror apo me naftë, as Rusia ka ku e shet më mirë se në Perëndim gazin natyror, naftën, qymyrin dhe grurin.    

Sanksionet që i janë vendosur Rusisë janë të papërballueshme për Moskën. Askush s’e di se kur do të hiqen ato. Heqjen e sanksioneve dhe të embargos ndaj Rusisë, ShBA-ja do ta kushtëzojë duke i kërkuar asaj: 

– T’i tërheqë trupat ushtarake nga tërë territori i Ukrainës;

– T’i paguajë Ukrainës reparacion lufte;

– Të përgjigjet për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit; mbi 4000 civilë janë vrarë; ndërsa 4730 të tjerë janë plagosur; ndër të vrarët dhe të plagosurit ka edhe shumë fëmijë.  

*   *   *

Evropa sot, s’ka filozofë dhe shkrimtarë të mëdhenj si dikur, që do ta ngrinin zërin e protestës kundër agresionit rus dhe ndërthurjes së interesave të Fuqive të Mëdha apo të perandorive. Brenda në Rusi ka diktaturë dhe tirani, kështu që për ekspeditën pushtuese të Vladimir Putinit askush s’guxon të mendojë ndryshe. 

*   *   *

Politika e Gjermanisë dhe e Francës ndaj Rusisë në tri dekadat e fundit, i ka shërbyer Moskës për t’u militarizuar dhe për t’i pushtuar viset, zonat apo rajonet e banuara me rusë, të shteteve përreth. Ish-kancelari gjerman Gerhard Shreder (Gerhard Schröder, 1944-) ka qenë shumë i afërt me Putinin. Ai ishte kancelar në vitet 1995-2005. E afërt me Putinin ka qenë edhe ish-kancelarja gjermane Angela Merkel (1954-). Ajo shpesh është takuar me Putinin. Mbase rregullisht kanë komunikuar edhe në forma të tjera. Kontakte të shpeshta me Putinin ka pasur edhe presidenti i Francës Emanuel Makron (Emmanuel Macron, 1977-). I afërt me kryetarin rus ka qenë edhe ish-kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni (Silvio Berlusconi, 1936-). Para pushtimeve dhe agresioneve të Putinit, Shrederi, Merkeli dhe Makroni i kanë mbyllur sytë. Me fjalë të tjera, agresioni rus në Ukrainë është edhe pasojë e politikës indiferente të Berlinit dhe të Parisit ndaj hegjemonizmit dhe ekspansionizmit rus në fqinjësi. Ukraina sot e paguan çmimin e pasivitetit të Fuqive të Perëndimit. Perandoria e Putinit dhe përmasat e aventurizmit të tij nuk frenohen me politikën e baraspeshës të Angela Merkelit.  

Shënim: Gerhard Shreder, për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore i angazhoi forcat ushtarake gjermane gjatë ndërhyrjes së NATO-s, kundër ushtrisë jugosllave, në vitin 1999. Me këtë rast ai deklaroi: ”Gjenocidit në Jugosllavi nuk mund t’i përgjigjemi me pacifizëm. Gjermania medoemos t’i mbrojë shqiptarët etnikë, viktima të dëbimit, të përdhunimit dhe të vrasjeve”. Por, më 24 prill 2017 Gerhard Shrederi shkoi në Beograd për të mbështetur Aleksandar Vuçiqin (1970-) gjatë fushatës parazgjedhore. 

*   *   *

Pas përfundimit të luftës në Ukrainë, nuk duket i mundur një takim ndërmjet presidentit amerikan Xhozef “Xho” Bajden, i Riu (Joseph Robinette Biden, Jr., 1942-) dhe Vladimir Putinit. Do të ishte e udhës që me Putinin të mos takohet asnjë kryetar apo kryeministër i cilitdo shtet, anëtar i NATO-s apo i BE-së. Ai duhet të izolohet nga çdo vend i Perëndimit. Për krimet e kryera të ushtrisë ruso-çeçene në Ukraninë, Putini do të duhej të përballet me drejtësinë ndërkombëtare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.       

*   *   *

Lufta çlirimtare e Ukrainës kundër agresionit rus gjithsesi duhet të mbështetet, por nuk është e njerëzishme që kjo të bëhet deri në ukrainasin e fundit. Duhet të kërkohen rrugët që kjo luftë të ndalet sa më parë. Është e pamundur të jenë shterur shtigjet që shpijnë në paqe. Kur të mëdhenjtë ndeshen, pëson bari. Në këtë rast nuk pëson bari, por vriten njerëz. 

*   *   *

Ka kohë që Moska synon ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor. Serbinë e ka satelite politike historike. Në Bosnjë dhe Hercegovinë e ka Republikën Serbe të udhëhequr nga prorusi Millorad Dodik (1959-). në Mal të Zi e ka një kolonë të pestë të përbërë prej malazezëve proserbë dhe prorusë. qarqe proruse ka pasur edhe në Maqedoninë e Veriut. Ish-kryeministri Nikolla Gruevski (1970-) fare nuk ishte properëndimor. Nuk u vendos rastësisht në Hungarinë e kryeministrit Viktor Orban (1963-), të afërt me Moskën. 

*   *   *

Agresionin rus ndaj Ukrainës, shqiptarët e dënuan në shkallë kombi, duke mbështetur njëherazi luftën çlirimtare të popullit ukrainas. Dënimin e invadimit rus dhe luftën çlirimtare të ukrainasve, Kosova në asnjë çast nuk e ndërlidhi me mbylljen e statusit politik të vet. Shqiptarët, në shkallë kombi, në asnjë mënyrë nuk duan të përfitojnë në kurriz të tragjedisë së të tjerëve. Lidhur me ekspansionin e Rusisë ndaj fqinjit të saj – Ukrainës, shqiptarët u rreshtuan në anën e drejtë të historisë. 

Serbia ndërkaq, gjakderdhjen në Ukrainë e ka ndërlidhur dhe vazhdon ta ndërlidhë me aspiratat e veta hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste ndaj Kosovës. Serbia është ndër vendet e rralla të Evropës e cila nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. 

Serbi! Është johumane të bësh llogaritje për aspiratat e tua anakronike ndaj Kosovës, duke tentuar të përfitosh nga tragjedia e popullit martir të Ukrainës. Ku e ke inteligjencien, Serbi?!     

Fuqitë e Mëdha të Perëndimit duhet të pushojnë ta ledhatojnë dhe ta përkëdhelin Serbinë. Në dy dekadat e fundit në Serbi kanë bërë investime të mëdha: Gjermania, Franca, Italia, ShBA-ja. Katër fuqitë e sipërthëna të Perëndimit duhet t’u japin fund investimeve ekonomike në Serbi. I mjaftojnë Serbisë investimet nga Rusia, nga Kina, nga Turqia dhe nga ndonjë vend arab.

Ndaj Serbisë proruse, Perëndimi duhet të marrë masa të caktuara:

– t’i vihen Serbisë sanksione; 

– të përjashtohet Serbia nga Këshilli i Evropës;

– dyert e BE-së, t’i mbyllen Serbisë përgjithmonë.

Qendrat filoserbe të BE-së, ka kohë që tentojnë ta bindin Serbinë t’i vërë sanksione Rusisë. Këto qendra, influente, lodhen kot. Serbia është me Rusinë, sot e mot. Ajo është përçuese historike e interesit rus në gadishull dhe e tillë do të mbetet. Ajo dëshiron t’i përkasë zonës ruse të interesit dhe sferës ruse të ndikimit. Deklaratat e kryekriminelit të rajonit Aleksandar Vuçiqit se midis Rusisë dhe Perëndimit, Serbia dëshiron të qëndrojë asnjanëse – janë gënjeshtër e kulluar. Serbia militarizohet me armë ruse dhe kineze.         

*   *   *

Miliona njerëz vijnë nga bota në Evropë, ndërsa qendrat filoserbe të BE-së nuk janë në gjendje që Kosovës demokratike t’ia njohin liberalizimin e vizave. Turp! Angela Merkeli e cila gjashtëmbëdhjetë vjet ishte timonierja kryesore e BE-së, nuk ia doli ta mbyllte statusin e Kosovës. Evropë! Kosova është dhimbja e përjetshme e një kombi të tërë, e kombit që ia dha Evropës kryezotin e mesjetës, Gjergj Kastriotin (1405-1468) dhe botës – nobelisten, Të Shenjtën Nënë Terezë (Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, 1910-1907). 

ShBA-ja, një ditë e më parë duhet ta pranojë Kosovën në NATO dhe të ushtrojë ndikim për ta pranuar në Këshillin e Evropës, përkatësisht në BE.

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

“RASTI SIMON MIRAKAJ” – PASQYRË E NJË POLITIKE TË PAMORALSHME DHE TË KORRUPTUAR

June 1, 2022 by s p

Nga Frank ShkreliA person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Pa dashur të futem në hollësi se si e tek ndodhi  “rasti” Simon Mirakaj i ditëve të fundit — përfundimi është se dy “demokratë”, Gazment Bardhi e Enkelejd Alibeaj, në bashkpunim me socialistin Taulant Balla, rrëxuan kandidaturën e Z. Simon Mirakaj si anëtar të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944÷1991, (AIDSSH)  – me pretendimin se kandidatura e tij ishte nënshkruar nga Sali Berisha.

Siç dihet, Simon Mirakaj rrjedhë nga njëra prej familjeve më të njohura dhe më të vuajturat nën regjimin komunist të Enver Hoxhës. Vetë Simoni ka vuajtur burgjet dhe kampet e internimit për gati një gjysëm shekulli – pothuaj rritë e plakur në internim, larg nga vendlindja e tij.

Për Simonin, vëllain e tij Sokolin dhe mbarë familjen Mirakaj – të internuar e të burgosur,  në disa zona të Shqipërisë, por edhe për ata anëtarë të familjes Mirakaj të arratisur në perëndim, përfshir babain, të parin e familjes, të ndjerin Palë Bib Mirakaj, të cilin e kam njohur si një prej burrave më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan — gëzimet në jetën e tyre familjare ishin të paka dhe mjerimet në internim sikur nuk mbaronin kurrë. 

Madje as në ditët e sotëme, 30-vjet “post-komunizëm”, fatkëqësitë po e ndjekin Simonin. Duket sikur njollosja e familjes Mirakaj nga regjimi i Enver Hoxhës, po e ndjekë atë edhe sot.  Siç tregon edhe rasti i fundit që ka të bëjë me një rast përjashtimi politik të ditëve të fundit.  Simon Mirakaj po persekutohet për herë të dytë, 32 vite pas “rënies” së diktaturës, e cila e internoi dhe e burgosi për pothuaj një gjysëm shekulli. Sipas lajmeve, deputeti socialist, Taulant Balla pranoi kërkesën e “demokratit” Gazment Bardhit, me miratimin e “demokratit” tjetër, Enkelejd Alibeaj, për të rrëzuar kandidaturën e Simon Mirakajt si anëtar i (AIDSSH).

E gjetën pretekstin e rastit për të përjashtuar një ish-të përndjekur të komunizmit, duke mos votuar emrin e Simon Mirakajt, si anëtar të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944÷1991.

 Fajin e ka Saliu! Sali Berisha, në kompetencën e tij si deputet paska nënshkruar rekomandimin e kandidaturës së Simon Mirakajt për anëtar të Autoritetit të Dosjeve. Por për inatin dhe urrejtjen që kanë këta djema ndaj Z. Berisha, sipas gjykimit të tyre, Simon Mirakaj duhet të “paguaj”, se Berisha është “non grata”.  Kush më mirë se Simoni, një ish- i përndjekur për tu përdorur si anëtar i një klase të shoqërisë, për të cilët as qeveria as shteti nuk çajnë fort kokën për ta as për familjet ose sakfrificat e tyre – për të dërguar një mesazh më domethënës.  Ky regjim dhe këta përfaqsues të Kuvendit shqiptar e përdorën rastin e Simon Mirakës për t’u “futur lepurin në bark” të tjerëve, duke i paralajmëruar të gjithë se po të merreni me Sali Berishën, as bukë nuk do hani – duke i hedhur në rrugë të madhe, pa punë.  Do hani bar!  Kriteri, pra, për refuzimin e kandidaturës së Z.Mirakaj si anëtar i (AIDSSH), ku ka punuar për 5 vitet e fundit, ishte nënshkrimi i Sali Berishës në mbështetje të Z. Mirakaj, krejtësisht brenda të drejtës së tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë– Jo more, jo, ata nuk e morën këtë vendim kundër Z. Mirakaj, me premisën se ai nuk mund të bënte punën, por sepse e mbështeti Sali Berisha.  

Në një program televiziv, Z. Mirakaj tha se ai vet vlerëson lirinë mbi të gjitha duke u shprehur se, “E kam për nder që ka firmosur lideri historik i PD, Sali Berisha. Liria (ime) i ka rrënjët hershëm tek Kryengritja e Malësisë së Madhe, Kryengritja e Postribës, më pas revolta e Spaçit, familjet e internuara, të syrgjynosurit nëpër burgje.”, ka thenë Simon Mirakaj, në një reagim në televizion.   

Z. Mirakaj njihet si një ish i internuar i regjimit komunist në Shqipëri, i cili jetoi në internim për 44 vite. I ati i tij është arratisur nga Shqipëria pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist, ndërsa familjarë të tjerë janë pushkatuar për shkak të mospajtimit dhe rezistencës së tyre ndaj komunizmit.

Mënyra se si u morën përfaqsuesit e kësaj klase politike me votën kundër kandidataturës së Simon Mirakajt, një i përndjekur dhe i internuar i regjimit komunist, më kujton një thenje të Vladimir Leninit, të cilin po e parafrazoj të ketë thenë se, ne duhet të veprojmë, të flasim e të shkruajmë me një gjuhë që përhap sa më shumë urrejtje, neveritje dhe përbuzje në popull, sidomos ndaj atyre që nuk pajtohen me ne.  

Nxënës të mirë të Leninit janë – përafqsuesit e klasës politike e tranzicionit “post-komunist”, në Shqipëri!  Fatkeqësisht, jo vetëm shpresa e humbur për demokracinë atë vend, por më duket si një gjeneratë e humbur, nga pikëpamja politike, për të ardhmen e Shqipërisë dhe të kombit!

          See the source image.A person in a suit

Description automatically generated with low confidence . All images

         Taulant Balla                 Enkelejd Alibeaj                Gazment Bardhi

Shikoni fytyrat e këtyre tre liderve të rinjë politikë.  Këta nuk janë përfaqësues të elitës së vjetër post-komuniste. Mund të jem gabim, por në vitin 1990 – me shembjen e Murit të Berlinit — këta duhet të kenë qenë në shkollë të mesme, ndoshta.  Me fjalë të tjera jo të regjur në komunizëm si disa të tjerë, por fatkeqsisht sot sillen si komunistë pa librezë, ndërsa me fjalë dhe vepra përhapin urrejte, neveritje dhe përbuzje, sidomos ndaj aytre që nuk pajtohen me ta.  Sali Berisha me të drejtë ose pa të drejtë, është i zoti të mbrojë veten prej këtyre politikanëve të rinjë, por pyetja është kush e mbron Z. Simon Mirakaj  dhe shumë të tjerë si ai, ish-të përndjekurit dhe ish-të internuarit e regjimit komunist. Si nuk del një nga këta polikanët e ri “modernë”, që e quajnë veten, “pro-perëndimorë” e veçanërisht “ pro-amerikanë” e të pyes, more çfarë përfaqësie kanë ish-të përndjekurit e regjimit të Enver Hoxhës në qeveritë shqiptare dhe në entet shtetërore në përgjithësi, këto 30-vitet e fundit. Sa sish ka sot në qeverinë aktuale???!!! Çfarë mundë të bëjmë që qeveria të duket sa më përfaqsuese që të jetë e mundur, duke mos përjashtuar asnjë grup, siç janë të përndjekurit e komunizmit.

Po diplomatët perëndimorë në Tiranë, shohin gjë se çfarë po ndodhë me këtë shtresë të shoqërisë shqiptare, krejtësisht të përjashtuar nga jeta politike e vendit.  A është kjo vlerë perëndimore të mbyllni sytë ndaj përjashtimit të 50% të popullsisë së një vendi nga jeta politike.  Do lejohej një gjë e tillë në cilindo vend anëtarë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, që ju përfaqësoni në Tiranë, siç ndodhë në Shqipëri?  Pse tolerohet deri në këtë shkallë, keqtrajtimi dhe përjashtimi nga jeta politike e vendit e ish të përndjekurve politikë të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.  Është detyrë e juaj , të nderuar përfaqsues të Perëndimit demokratik, që një vend aleat si Shqipëria të jetë edhe një aleatë vlerash që ndajmë me atë vend, për ndryshe cili është ndryshimi midis këtij regjimi dhe ish-regjimit të Enver Hoxhës që ka burgosur, internuar, ose në një mënyrë ose një tjetër përjashtonte më shumë se gjymën e popullsisë nga jeta politike dhe shoqërore.

Për Simon Mirakaj si dhe për shumë e shumë të tjerë, kundërshtarë të komunizmit, të përjashtuar atëherë, të përjashtuar edhe sot. Për ta, situata nuk ka ndryshuar shumë.

Ç’na duhet të festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare, kur në Shqipëri edhe sot pas 30-vjet tranzicion kemi të bëjmë me regjime që me dashje ose pa dashje kanë përjashtuar dhe izoluar gjysmën e popullësisë nga pjesëmarrja në jetën e vendit. Në rastin e Simon Mirakajt, i internuar dhe i persekutuar, vetëm e vetëm se babai Palë Bib Mirakaj ishte shtetas amerikan, madje një shtetas shembullor amerikan.  Sjellja zyrtare e tre përfaqsuesve të klasës aktuale politike ndaj emrimit të Simon Mirakaj për anëtar të (AIDSSH)  — djalit të një shtetasi amerikan — për nga mënyra se si u zhvillua ditët e fundit – vetëm e vetëm se mendon ndryshe — është absolutisht e papranueshme.  Kjo nuk është vlerë amerikane! 

 Simon Mirakaj është mësuar të vuaj persekutimet dhe përjashtimet. Ai di edhe të mbijetojë.  Me ndihmën e Zotit, Simoni do të dijë edhe të triumfojë mbi të keqen. Fatkeqësia është se me një klasë politike si kjo aktualja – moralisht e korruptuar dhe ideologjikisht e hutuar –por kam drojë se Shqipëria nuk do të mund të triumfojë mbi të keqën e trashëgimisë së regjimit të Enver Hoxhës dhe nostalgjikëve të tij.

Frank Shkreli

See the source image Z. Simon Mirakaj duke folur me rastin e promovimit të tre vëllimeve të autorit, “Demokracia nuk pret”, 11, Shtator, 2028 në Tiranë.   Uroj që Z. Mirakaj dhe mijëra ish-të përndjekur e të burgosur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ndonëse gjithnjë të përjashtuar dhe të lënë pas dore, të mos humbasin besimin në demokracinë dhe vlerat e verteta të lirisë dhe demokracisë perëndimore.  

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

THE CHICAGO TRIBUNE (1919) / KONFERENCA E PAQES NË PARIS – KUR HALIL PASHË ALIZOTI I SHKRUANTE WOODROW WILSON-IT

June 1, 2022 by s p


Conférence de paix de Paris en janvier 1919 à Versailles. Photo12/Ann Ronan Library/AFP
Conférence de paix de Paris en janvier 1919 à Versailles. Photo12/Ann Ronan Library/AFP

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 1 Qershor 2022

“The Chicago Tribune” ka botuar, të shtunën e 7 qershorit 1919, në faqen n°2, shkresën e Halil Pashë Alizotit (delegat i shqiptarëve të Turqisë në Konferencën e Paqes në Paris) drejtuar asokohe presidentit amerikan Woodrow Wilson, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Delegatët shqiptarë i kërkojnë ndihmë Wilson-it

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Zoti President,

Kohët e fundit shtypi ka thënë se Konferenca synonte t’i jepte Italisë një mandat për Shqipërinë; kemi nderin t’ju kujtojmë se për këtë çështje kemi dërguar një memorandum të datës 15 prill, për të shprehur dëshirën unanime të popullit shqiptar për t’i besuar Kombit Amerikan kujdesin për udhëheqjen e Atdheut në hapat e parë të jetës së tij politike.

Dëshira e popullit shqiptar përputhet absolutisht me parimin e pranuar nga Antanta, e cila deklaronte se do të merrte në konsideratë pikëpamjet e popullit shqiptar për të përcaktuar Fuqinë të cilës duhet t’i besonte drejtimin e tij.

Padyshim që populli shqiptar nuk mund të jetë aderues i italianëve, duke qenë se kjo do të ishte kundër zhvillimit të lirë të tyre dhe do të ngrinte pikëpyetje serioze për ekzistencën e tyre kombëtare. Ne shpresojmë sinqerisht që konferenca në dashamirësinë e saj të lartë, të marrë një vendim në favor të vendit tonë, që të sigurojë pavarësinë dhe rritjen e tij pa pengesë në rrugën e përparimit, nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara.

Ne mbetemi sinqerisht tuajit,

Presidenti i Delegacionit Shqiptar :

Halil Pasha (Halil Pashë Alizoti)

Filed Under: Featured Tagged With: Aurenc Bebja

PIKNIKU TRADICIONAL I SHOQATËS KRAJA NË NEW YORK MBLEDH KRAJANËT NË NJË SOFER

June 1, 2022 by s p

Hysen Kraja/

Shoqata Kraja me seli në New York edhe një her dëshmoj se është kampione e komunitetit shqiptar ne New York reth organizimeve të aktiviteteve kulturore.Pikniku tradicional mlodhi mbi një mijë krajan në FDR State Park, Yorktown Hights, NY duke tejkaluar çdo pritëshmeri.Ky aktivitet që numëron plot 30 vite traditë dëshmonë përkushtimin e krajanve për ruajtjen e vlerave të tyre kulturore e kombëtare e që ruhen me fanatizëm dhe plotë krenari.Shoqata Kraja tashmë është një tregim suksesi por edhe një model se se gjithçka është e mundur kur interresat e komunitetit janë i vetmi prioritet.Po sa hynë në park dëgjon tingujt e muzikës shqipe, shikon kostume popullore, flamuj kuq e zi që valviten gjith andej e që të japin një krenari te pa përshkruëshme që më shum se kurrë e lartësojnë slloganin “O sa mir me qenë shqiptar”DJ Jasmin Kanaqi kujdeset për muzikën ku dominojnë këng popullore shumica nga repertuari i këngetarve nga Kraja.Mjafton vetëm një shetitje në park dhe të shikosh me qindra e qindra fëmi se si argtohën me njëri tjetrin por edhe komunikojnë shqip, vallzojnë e këndojnë shqip, fryt ky i një investimi masiv i familjeve krajane për të ruajtur gjuhën, kulturën por edhe lidhjet më njëri tjetrin.Kryetari i Shoqatës zotri Samih Kanaqi shprehet i kënaqur me pjesmarrjen dhe organizimin duke falenderu komunitetin krajan për perkrahje të vazhdueshme dhe besim të plotë në projektet e Shoqatës.Organizimi i një pikniku madheshtor si ky i Krajës kerkon mundë e sakrificë por antarët e shoqatës vulllnetarisht japin maksimumin duke u kujdesur që çdo vit organizimi i piknikut të ngritet në nivele më të larta.Ajo që më jep më shum kurajo janë të vegjlit tanë që kanë nje mundësi të mirë të njihën dhe të komunikojnë me njëri tjetrin, krijojnë lidhje shoqërije që do zgjasin një jetë të tërë perfundon zotri Kanaqi.Në sy të biejn fëmi të të gjitha moshave qe vallzojnë valle popullore, fëmi që gravitojnë nga projekti i vallëzimit edhe mësimit të gjuhës shqipe. Ky projekt javorë që Shoqata Kraja mban në Staten Island është nën mbikqyrjen e zonjës Venera Gjenashi njëherit eshe nën kryetar e Shoqatës. Fëmijët e ndarë në grup mosha mësojnë këngë dhe valle shqipe të udhëhequr nga instruktoret Nadia Hoxha dhe Hana Demiri.I njëjti program ofron edhe orë mësimi të gjuhës shqipe ku mësueset Linda Sukaliqi dhe Merita Gjokaj vullnetarisht për çdo javë edukojnë me qindra fëmij me dije dhe frymë kombëtare.Safet Doçi sëbashku me dhjetra bashkëpuntor kishte mbi supe pergaditjen e ushqimeve tradicionale e për të gjith të pranishmit. Zotri Doçi shprehet për gazetën Dielli se konaku i krajanve gjithmonë ka qenë i mikut dhe ketë traditë e vazhdojmë edhe sot. Të gjitha ushqimet dhe pijet freskuese i kemi falas sepse të gjith janë mysafir. Bujaria dhe mikëpritja është ajo që i veçon familjet krajane dhe këtë duam të ju trashigiojmë brezave të ardhëshëm perfundon zoti Doçi.Nuk munguan as aktivitetet sportive dhe lojrave popullore nën udhëheqjen e Agim Canës, Skender Perës, Lulzim Popit, Bekim Berjashit dhe Adnan Hutit me bashkëpuntor.Në finalen e madhe të futbollit u takuan Ostrosi – Besi ku fitues doli ekipi i Ostrosit me rezulltatin minimal 1:0Ndërsa në finalen e volejbollit për femra ekipi i Ostrosit mposhti ekipin e Skjes me rezultatin 2:1Për organizimin e futbollit për fëmi u angazhua futbollisti i mirnjohur krajan zotri Bledi Bardhi.Si përfundim ishte një ditë kushtuar familjës, komunitetit dhe traditës.Një ditë që i ka rrenjët thellë në atëdhe dashuri e kultivim vlerash.Krajanët edhe një here treguan se dinë më së miri të bejnë me të mirën e që tashmë kanë një gurëthemel të fuqishëm për ardhmërin e tyre duke fituar betejat ditore e duke mbajtur asimilimin larg në horizont.

Filed Under: Komunitet Tagged With: hysen kraja

EU in Kosovo: All children should be treated equally

June 1, 2022 by s p

PRISTINA, 1 June 2022 – “All children, regardless of their ethnicity, race, gender, religion, needs and abilities, or social background, should be treated equally,” said today the EU Ambassador in Kosovo, Ambassador Tomas Szunyog, at the occasion of the International Children’s Day.
“This is particularly relevant when it comes to education,” he stressed.
Quality education of children with special needs and different abilities remains a challenge for all education systems that aim to offer equal opportunities to all children, including in Kosovo.
“In line with the positive provisions of the Kosovo Law on Education in Municipalities, it is crucial to continue building an inclusive and non-discriminatory education system, whereby all children would be extended the same opportunity to develop, cherish their identities in a multi-ethnic environment, and become fully integrated members of the society,” said Szunyog.
“It is regrettable that we continue to witness systematic segregation of children in some educational institutions in Kosovo, which mostly affects children from Kosovo Roma, Ashkali, and Egyptian communities.”
The EU continues to contribute to the development of inclusive education in Kosovo. From 2007 to 2022 it has invested more than EUR 85 million in improving the quality of primary, secondary, and higher education, education infrastructure, support for the education of children from non-majority communities, teacher training, and vocational education.
In addition, between 2014 and 2021 Kosovo has benefited from more than EUR 12,5 million through the EU’s ERASMUS+ programme that offers mobility and cooperation opportunities in higher, adult and vocational education and training.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT