• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2022

Serbisë duhet t’i merren privilegjet e të qenit kujdestar arbitrar i vujatjeve serbe në Ballkan

September 11, 2022 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Është koha që pikërisht amerikanët të organizojnë një konferencë ndëkombëtare e cila do t’i vendoste parametrat bazë për shtetësinë e Kosovës, qëndrueshmëria e së cilës nuk do të mund të varej nga fqinjët e saj, e më së paku nga Serbia. Kësaj të fundit duhet t’i merren privilegjet e të qenit kujdestar arbitrar i vujatjeve serbe në Ballkan, sepse jo vetëm serbët, por edhe kombet e tjera, përfshi edhe shqiptarët, jetojnë në disa shtete. Nëse Serbisë i lejohen këto privilegje, atëherë mbetet e hapur Kutia e Pandorës që Ballkani asnjëherë të mos gjej qetësi.

Nëse i referohemi mjediave të Beogradit, Presidenti serb Vuçiq ka marrë nga dy këshilltarët e Macron dhe Scholz, gjatë vizitës së tyre në Serbi, një propozim për një kornizë krejtësisht të re për bisedimet në Bruksel, e cila, siç ka thënë Vuçiq, duhet të çojë tek zgjidhja përfundimtare me Republikën e Kosovës.

Por në anën tjetër, zgjidhja përfundimtare duket të jetë një makth për Vuçiqin, pasi që ai edhe pas takimit me delegacionin evropian përsëriti qëndrimin se kurrë nuk do ta njeh shtetin e Kosovës.

Pas angazhimit shtesë të diplomatëve nga Parisi dhe Berlini, si mbështetje të negociatorit Lajçkak, procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka gjasa të hyjë në një faze të re, me një qasje pak a shumë të ndryshme. Kjo edhe për faktin se, siç tha Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, shtetet e Quint-it – Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe SHBA-ja – po krijojnë një zë të përbashkët lidhur me këtë proces. Sipas Janjiqit Quint-i mund të jetë duke përgatitur një konferencë ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë.

Pavarësia e Kosovës, si projekt i inicuar nga forcat liridashëse e përparimtare të Kosovës dhe i ndihmuar nga SHBA, BE e NATO, vazhdon të jetë temë dilemash e bisedimesh në Beograd dhe përderisa është kështu zgjidhja përfundimtare, të cilën po e kërkojnë kaq shumë ndërkombëtarët, nuk mund të arrihet pa një vetëdijësim të klasës politike, proces ky mjaft i ngadalshëm.

Se ky proces vështirë po ecë në Beograd, tregon edhe një analizë e Grupit ndërkombëtar të krizave, i cili qysh në vitin 2006 tërhiqte vërejtjen se “Serbia duhet të inkurajohet që të angazhohet në projektin për pavarësinë e Kosovës dhe të nxjerr përfitimet më të mëdha të mundshme për interesat e saj afatgjate dhe për minoritetin serb në Kosovë, nga ky proces, por duke ia bërë të qartë se nuk e ka të drejtën e vetos mbi vendimin e bashkësisë ndërkombëtare për statusin e Kosovës”.

Pra, Kosova, sipas diskursit serb, edhe pse ka shpallur pavarësinë para 15 viteve, sërish nuk mund të quhet një shtet i përfunduar, sepse kjo po varet nga krerët e Beogradit të cilët gjatë bisedimeve me ndërkombëtarët e paraqesin Kosovën sikur të ishte problem i brendshëm i Serbisë.

Nga kjo grackë serbe nuk kishin mundur të shpëtonin edhe politikanët e Kosovës që udhëhoqën dialogun me Serbinë, të cilët pranuan të rinegocojnë për statusin e Kosovës. Pasojat e këtij keqmenaxhimi të dialogut, po vërehen sot kur Kosova është e detyruar të bisedojë me Beogradin për statusin e serbëve lokal sikur ata të ishin shtetas të Serbisë e jo të Kosovës. Kjo ka ndikuar që edhe diplomatët perendimorë të jenë të kujdeshëm dhe hezitues, duke ndjekur inercinë e dikursit serb sipas të cilit Kosova ka ende punë për të bërë deri sa të bëhet shtet funksional. Me fjalë të tjera, Kosova bëhet shtet funksional vetëm atëherë kur do të formojë Asociacionin e e komunave me shumicë serbe, një kërkesë kjo që u përsërit edhe nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, gjatë vizitës në Kosovë e cila tha se “është koha për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë”, ndërkohë që kryeministri Kurti është kundërpërgjigjur duke thënë se Kosova nuk mund të pranojë formimin një “asociacioni njëetnik”.

Komuniteti ndërkombëtar, në anën tjetër, vazhdimisht përsërit se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

Kohët e fundit në mediat serbe ka qarkulluar edhe një ofertë perëndimore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës sipas modelit të dy Gjermanive. Këtë e ka konfirmuar edhe njëri nga bashkëpunëtorët e Vuçiqit, Milovan Drecun sipas të cilit “Duket se oferta perëndimore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës do të jetë modeli i dy Gjermanive me krijimin e Asociacionit, por, me kompetenca ndryshe nga ajo e marrëveshjes”.

Modeli i dy gjermanive që ofrohet për të rregulluar raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka hasur në miratimin e klasës politike të Kosovës, por as të vëzhguesve ndërkombëtarë. Javë më parë studiuesja e komunikimit Suzana Starikov ka komentuar raportimet e gazetës serbe “Danas”, duke iu referuar disa burimeve diplomatike, se Perëndimi mund të aplikojë modelin e dy Gjermanive për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi. Ajo ka thënë se i duhet thënë jo kësaj ideje që ia mohon shtetësinë Kosovës.

“Ajo që autorët e këtij modeli, siç raportohet, Gjermania dhe Franca po kërkojnë nga Kosova, është të mohojë shtetësinë e vet dhe madje të turpërohet nga ajo. Serbia nuk duhet të parandalojë direkt anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, por i dërguari i Kosovës në OKB nuk duhet ta quajë veten ambasador. Përgjigja për këtë? JO! NEIN! JO!”. Strikov e ka quajtur model cinik që mohon historinë. Ajo ka shkruar se ndarja mes Kosovës dhe Serbisë nuk është e njëjtë sikur ndodhi ndarja e Kosovës nga Shqipëria. “Pavarësisht nga fakti që ky “model” në të vërtetë paraqet status quo-në si “progres” në njohjen e Kosovës nga Serbia është gjithashtu cinike në mohimin e historisë”.

Përderisa Qeveria e Kosovës mirëpret “përkushtimin shtesë të dy shteteve të rëndësishme të Bashkimit Evropian” – Gjermanisë dhe Francës – në arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, me “njohjen reciproke në qendër”, autoritetet në Serbi nuk e komentuan publikisht angazhimin shtesë të Gjermanisë dhe Francës në dialog.

Në zhargonin diplomatik ndërkombëtar është futur edhe sintagma “kërkesa maksimaliste”, e cila është bërë pengesë për arritjen e kompromisit në mes të Kosovës dhe Serbis, e që i atribuohet qëndrimeve ekstreme të Beogradit dhe Prishtinës. Ndonëse një sintagmë e tillë godet më tepër Kosovën, ajo megjithatë nuk është bërë pengesë të përdoret nga diplomatët si një instrument për të amortizuar pakënaqësitë eventuale gjatë procesit të dialogiut. Se kjo është kështu vëreteton edhe qëndrimi i diplomacisë amerikane, sipas së cilës kërkersat e ashtuquajtura maksimaliste nga të dyja palët do të duhej të pësojnë “hekurosje”, sidomos pas letrës së para disa muajve të Antony Blinken, i cili kishte adresuar disa detyra që duhet t’i kryejnë Prishtina dhe Beogradi, të përmbledhura në tri çështje kruciale: njohja reciproke, respektimi i të drejtave të minoriteteve (aludohet në statusin e serbëve), përfshi edhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore që kanë të bëjnë me ta (aludohet në statusin e tokës përreth Manastirit të Deçanit) si dhe çështja e të pagjeturve ( aludohet në detyrimet e autoriteteve serbe për identifikimin e vendndodhjeve të varrezave masive me shqiptarë të ekzekutuar).

Prej të gjitha këtyre çështjeve, statusi i serbëve mbetet “thembër Akli” për politikën e Kosovës. Nga mënyra si është trajtuar deri më tani kjo çështje, sidomos në vitet e mëhershme, Kosova ka demonstruar një qëndrim defanziv, duke pranuar gjithçka që është servirur në tryezën e bisedimeve. Si rezultat i këtyre qëndrimeve është projektuar edhe narrativi i Beogradit mbi statusin e mjerueshëm të serbëve të Kosovës i cili me patjetër duhet përmirësuar, paçka se Pakoja e Ahtisarit kishte ofruar garanca shtesë për minoritetin serb në Kosovë, përfshi edhe ulëset e garantuara në Parlament, madje edhe përtej konventave ndërkombëtare.

Tani çka i mbetet të ndërmerr Qeveria Kurti që të gjitha gjërat të biejnë në vendin e vet, pa shkaktuar ndonjë pakënaqësi te njëra palë, apo te tjetra. Me fjalë të tjera, çak duhet të bëjë Qeveria e z. Kurti që, në njërën anë, të plotësohen disa ambicje të Serbisë por me kush që të ruhet sovraniteti i Kosovës, dhe në anën tjetër, të demonstrohet politika e vendimarrjes autonome kosovare por pa i prishur raportet me amerikanët.

Këto dhe pyetje tjera të vështira, Qeveri e Kosovës duhet t’i shqyrtojë me miqtë amerikanë, duke kërkuar nga ata garanca shtesë për dy çështje tepër të rëndësishme: që Kosova të bëjë kompromis deri në kufinjt e moscenimit të sovranitetit të saj dhe të kërkoj reciprocitet në mes të drejtave të shqiptarëve në Jug të Serbisë dhe serbëve në Kosovë.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi nuk ka pasur një emërues të përbashkët në qendrat kryesore vendimmarrëse botërore, për faktin se Washingtoni ka një qasje tjetër ndaj këtij procesi, duke imponuar zgjidhje të shpejt dhe gjithpërfshirëse, ndërkohë që Brukseli dhe disa kancelari evropiane këtë proces e shohin ende të papërfunduar, për të cilin ka ende punë për t’u bërë.

Si përfundim, ajo çka mund të përshkruhet dhe përmblidhet me pak fjalë situata aktuale nëpër të cilën po kalon Kosova, si pasojë e çështjeve të pazgjidhura me Serbinë, është fakti se ka ardhur koha që shtetësia e Kosovës duhet të kalojë në fazën e konsolidimit, por kjo nuk mund të arrihet pa ndihmën e amerikanëve dhe NATO-s. Prandaj është koha që pikërisht amerikanët të organizojnë një konferencë ndëkombëtare e cila do t’i vendoste parametrat bazë për shtetësinë e Kosovës, qëndrueshmëria e së cilës nuk do të mund të varej nga fqinjët e saj, e më së paku nga Serbia. Kësaj të fundit duhet t’i merren privilegjet e të qenit kujdestar arbitrar i vujatjeve serbe në Ballkan, sepse jo vetëm serbët, por edhe kombet e tjera, përfshi edhe shqiptarët, jetojnë në disa shtete. Nëse Serbisë i lejohen këto privilegje, atëherë mbetet e hapur Kutia e Pandorës që Ballkani asnjëherë të mos gjej qetësi.

Prishtinë, 10 shtator 2022

Filed Under: Mergata

TRI VEPRA STUDIMORE NGA SHKUPI DO TË PROMOVOHEN NË VATËR MË 22 SHTATOR

September 11, 2022 by s p

Më 22 Shtator 2022, ditën e enjte, në orën 7 PM në Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” në NewYork, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, do të bëjë promovimin e disa titujve studimotë shumë të rëndësishëm për historinë tonë kombëtare.

Me këtë rast, për herë të parë do të promovohet vepra “Shkupi, vetë historia e Kosovës”, një ngjarje ekskluzive për shqiptarët e Amerikës. Vepra e autorëve Skender Asani, Mehmet Prishtina dhe Albert Rama, vjen si raport i diplomatëve italianë të kohës dhe është dëshmia më e fuqishme dhe më e freskët e pranisë dhe e autoktonisë shqiptare në Shkup.

Libri “Bisedime mbi -Historin bujqësore të Shqipnis-“ që do ta promovojmë, i autorit Eqrem Bej Vlora, përgatitur për botim nga Albert Ramaj e Skender Asani, paraqet vlerat e mendimit intelektual shqiptar mbi problematika që ishin më pak të trajtuara në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, siç ishte, bie fjala, çështja e tokës dhe sidomos menaxhimi i saj në pikëpamje agroteknike.

Vepra tjetër voluminoze dyvëllimëshe është “Propozime për drejtshkrimin”, e cila promovohet me rastin e shënimit të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, që paraqet një jubile të madh të gjuhës sonë standarde. Vepra që vjen përmes një bashkëpunimi me Shoqatën e Gjuhësisë Shqiptare, përmbledh gati të gjitha këshillat, sugjerimet, vërejtjet dhe kritikat për gjuhën standarde, gjithë kjo e thënë me gjuhë të argumentuar shkencore dhe me dashamirësi për ta përkryer standardin gjuhësor.

Ky aktivitet i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, zhvillohet në kuadër të “Javës Kulturore në SHBA” në datat 20-25 shtator 2022.

Filed Under: Kulture

MEETING WITH NEW YORK GOVERNOR KATHY HOCHUL

September 11, 2022 by s p

On Wednesday evening, Governor Kathy Hochul met with members and representatives of the Albanian community at Patsy’s Pizzeria in East Harlem. Patsy’s Pizza is a premier pizza chain of our compatriot Frank Brija.

The meeting reinforced the Governor’s commitment to ensure that the Albanian community has a seat at the table. The Pan Albanian Federation of America Vatra stands firmly in support of her collaborative approach to governing.

Vatra President Elmi Berisha thanked Governor Hochul for the Kosovo Independence Day ceremony, which is expected to be a continual event by the community. Earlier this year, the commemoration of the 14th Anniversary of Kosovo’s Independence Day marked the first time the Governor’s Office through its Bronx Representative at the time Sophia Zayas jointly with local elected officials hosted the event in the Bronx.

In keeping with the making-history theme, Kathy Hochul is New York’s first female Governor. Prior to winning state-wide office, Kathy was elected to and served at the U.S. House of Representatives as a Western New York Democrat in Congress from 2011 to 2013. Hochul has served as Lieutenant Governor of New York State from 2015 to 2021.

At the end of July, Governor Hochul visited with the members and representatives of the Albanian community. In her address, she acknowledged the “great Albanian community of over 100,000”, its respectable traditions and prominent figures, many of whom escaped the harsh realities of their home country like her own ancestors. Putting it in the context of the “American dream’, Governor Hochul said that the presence of communities like this strengthen our resolve to reach for bigger goals.

The July event, held on the newly dedicated Gjergj Kastrioti Skendyerbeu Street in the Bronx, was covered by Dielli.

Filed Under: Kronike Tagged With: Elmi Berisha, Rafaela Prifti

KOSOVA ME AMERIKËN, KUJTON 11 SHTATORIN 2001…

September 11, 2022 by s p

-Para 21 viteve – 11 Shtator 2001: Populli i Kosovës manifestime solidariteti me popullin amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër SHBA-ve: Amerikë, ne jemi me ty…/

-Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte telegram: Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi/

-Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministri Albin Kurti, e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Alyson Grunder dhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë me lule tek pllaka përkujtimore “Kosova kujton”, me rastin e 21-vjetorit të sulmeve terroriste në SHBA/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 11 Shtator 2022/ Kosova solidarizohej fuqishëm me Amerikën e goditur nga sulmet terroriste të para 21 viteve – 11 Shtatorit 2001.

Atëherë media raportonte se, e gjithë Prishtina ishte në Sheshin Nëna Terezë në shenjë solidariteti me Popullin Amerikan dhe duke dënuar sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Amerikë, ne jemi me ty – ishte motoja kryesore e pankartave.

Shumë nga qytetarët, që kishin dalë në sheshe e rrugë për të përkrahur Popullin Amerikan dhe për të protestuar kundër terrorizmit që i goditi SHBA-të, ishin mbështjellë me Flamurin Amerikan.

Manifestime solidariteti dhe protesta kundër terrorizmit u mbajtën edhe në qytetet tjera të Kosovës si në Ferizaj, Prizren, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Gjilan etj. Pjesëmarrja e popullatës edhe në këto qytete ishte e madhe.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndodhej për një vizitë në Kanada, me rastin e sulmeve kundër SHBA-ve, Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, i dërgonte këtë telegram:

I nderuari President,

Me rastin e sulmit mbi Qendrën Tregtare në Nju Jork dhe mbi Pentagonin, drejtuar kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj, pranoni simpatinë time dhe të Popullit të Kosovës, i cili këtë tragjedi po e jeton me dhembje dhe në zi.

E dënojmë këtë sulm dhe jemi të bindur se të gjithë ata që bëjnë akte terrori dhe horrori kundër civilëve dhe fuqisë Tuaj dhe kundër njerëzimit, duhet të ndalen.

Në këto momente të rënda, jemi së bashku me Ju dhe me Popullin Amerikan, që së bashku me aleatët Tuaj ia sollët lirinë Kosovës.

Jemi të bindur se Ju do të mendoni një strategji të re të mbrojtjes për SHBA-të dhe për miqtë Tuaj e për botën e lirë demokratike.

Juaji sinqerisht,

Dr.Ibrahim Rugova

GAZETA  RILINDJA ME KRYETITULLIN NË BALLINË “SULM TERRORIST NË SHBA”  NË TË GJITHA FAQET E SAJ – E TËRA I KUSHTOHEJ NGJARJES TRONDITËSE DHE ZHVILLIMEVE E REAGIMEVE PAS SAJ

Në 11 Shtator 2001 Televizioni i Kosovës dhe televizionet e tjera nacionale e lokale janë kyçur drejtpërdrejt në rrjetin amerikan CNN me përkthim simultan për të përcjellë raportimet për sulmet terroriste në Amerikë.

Poashtu gazetat e përditshme të Kosovës shkruanin gjerësisht.

Gazeta  tradicionale e Kosovës “Rilindja” me kryetitullin në ballinë “Sulm terrorist në SHBA” dhe me dënim të fuqishëm të sulmit e me shumë mesazhe solidarizimi me Shtetin e Popullin Amerikan botonte shkrime e fotografi në të gjitha faqet e saj – e tëra i kushtohej ngjarjes tronditëse dhe zhvillimeve e reagimeve pas saj.

Gazeta “Bota Sot” në gjerësinë e tërë faqes së parë kishte titullin “Seri aktesh terroriste kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, supozohet për mijëra të vrarë”.

Gazeta “Koha Ditore” në faqen e parë shkruante në kryetitull “Në Nju Jork sulmohet civilizimi botëror”.

Gazeta “Zëri” në ballinë kishte titullin kryesor “Sulm terrorist kundër Amerikës”.

Gazeta “Kosova Sot”  kryetitull kishte “Terrroristët sulmojnë Amerikën”.

Të gjitha gazetatat e Kosovës botonin shumë shkrime e fotografi në ballina e faqe të brendshme.

PRESIDENTJA OSMANI: KOSOVA SË BASHKU ME MIQTË DHE ALEATËT, ME SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS

Sot, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Kryeministri Albin Kurti, e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve, Alyson Grunder dhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla-Schwarz, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë me lule tek pllaka përkujtimore “Kosova kujton”, me rastin e 21-vjetorit të sulmeve terroriste në SHBA. Në 11 Shtator 2019 në Kosovë është zbuluar obelisku i ngritur në oborrin e Qeverisë  kushtuar viktimave të  sulmit të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e plotë e Presidentes Osmani:

Sot me 11 shtator së bashku me kryeministrin. Zv/kryeministren dhe po ashtu me zëvendës ambasadoren e SHBA-ve i bashkohemi gjithë popullit amerikan për të ndarë dhimbjen për më shumë se 3000 mijë jetë të humbura në një betejë e cila edhe njëherë u dëshmua të jetë betejë vlerash.

Me 11 shtator 2001 shtetasit amerikanë, qytetarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin nën një ndër sulmet terroriste më të tmerrshme në historinë e njerëzimit, por atë ditë nuk u atakua vetëm amerika, u atakuam të gjithë ne që besojmë në po të njëjtat vlera, në vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Që nga ai vit e tutje, populli i Kosovës çdo ditë ka qëndruar me popullin amerikan, i kemi bashkuar forcat në mbrojtjen të këtyre vlerave, i kemi bashkuar forcat në luftim të terrorizmit dhe edhe Kosova është dëshmuar të jetë shembull në mbrojtjen e po këtyre vlerave.

Prandaj, do të  vazhdojmë të qëndrojmë së bashku me miqtë dhe aleatët tanë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu siç SHBA-të kanë qëndruar pranë nesh në çdo moment dhe në çdo hap të historisë sonë.

Faleminderit! 

KRYEMINISTRI KURTI: POPULLI I KOSOVËS QËNDRON PRANË POPULLIT AMERIKAN

Prononcimi i plotë për media i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

Me 11 Shtator të vitit 2001, bota u trondit nga lajmi dhe shokua nga pamjet e sulmeve terroriste të cilat vranë 2977 qytetarë dhe në këtë mënyrë shënuan sulmin më të tmerrshëm terrorist i cili ndryshoi gjithë botën. 

Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshmuan edhe pas 11 Shtatorit se janë komb i njerëzve të lirë e të barabartë dhe se nuk bëjnë kompromis me vlerat e tyre. 21 vjet më vonë, ne nderojmë kujtimin për viktimat dhe shprehim dhembshurinë e solidaritetin tonë për atë ngjarje të rëndë dhe për familjet dhe gjithë kombin amerikan. 

Me Presidenten e Republikës dhe zëvendësambasadoren amerikane vendosëm lule të freskëta, këtu në memorialin që kujton këtë ngjarje dhe na e përkujton që mos ta harrojmë kurrë se liria dhe demokracia duhet të mbrohen përherë sepse ato vazhdimisht janë në rrezik. U prehshin në paqe të gjitha viktimat dhe jetoftë përgjithmonë miqësia dhe partneriteti midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  

Filed Under: Rajon

Liria e Demokracia gjithmonë do të fitojnë e ndëshkojnë terrorizmin!

September 11, 2022 by s p

Bujar Leskaj/

21 vite më parë, në 11 shtator 2001, bota ndryshoi përgjithmonë. SHBA u vunë në shënjestër të një sulmi terrorist të pabesë nga organizata terroriste Al Kaeda.

Dëme të pallogaritshme në jetë njerëzore, ekonomi, shoqëri…

Terrorizmi atë ditë shkaktoi viktima të shumta, të cilat edhe sot, 21 vite më pas bota i kujton.

Nën rrënojat e Kullave Binjake viktimat ishin njerëz nga mbi gjashtëdhjetë kombe, të cilat bashkuan gjithë botën, në krah të SHBA kundër terroristëve që sulmojnë pa llogaritur viktimat, moshën, kombësinë e tyre.

Sulmi terrorist, jo vetëm që nuk ia arriti të gjunjëzojë SHBA dhe botën perëndimore, por bëri krejt të kundërtën; bashkoi e fuqizoi të gjitha zemrat e lirisë dhe të demokracisë në një të vetme përballë kësaj të keqeje të madhe.

Terrorizmi atë ditë goditi, por terrorizmi asnjëherë nuk mund të fitojë mbi Lirinë, mbi Demokracinë, asnjëherë nuk ngelet e as nuk do të ngelet i pandëshkuar!

Dhe ndëshkimi i SHBA dhe aleatëve të saj kundër terrorizmit ishte dhe vazhdon të jetë shembullor!

Kryeterroristët Bin Laden,Ayman al-Zawahiri, i cili u eleminua këtë vit nga SHBA me dron në Afganistan dhe shumë terroristë të tjerë , diktatorë apo organizata përgjegjëse për krimet kundër njerëzimit, tashmë i përkasin të shkuarës!

SHBA, e vendosur në luftën e saj kundër terrorizmit ka përcjellë mesazhin se të gjithë ata që kërcënojnë SHBA dhe botën perëndimore gjithmonë marrin dënimin e merituar, pavarësisht se sa kohë mund të marrë, pavarësisht se ku e si fshihen.

11 shtatori shërben si ditë reflektimi dhe kujtese për të gjithë njerëzit, por edhe për të kuptuar se sa të rrezikuara janë vlerat perëndimore, vlerat e lirisë e demokracisë, të tolerancës e të bashkëjetesës nga sulmet e terroristëve islamikë.

Ky përvjetor, është ditë përkujtimi jo vetëm për viktimat, por edhe vëmendje dhe vigjilence për kërcënimin e botës së lirë nga terroristët e të gjitha llojeve.

Njëkohësisht kjo ditë është mësim për të gjithë botën progresiste perëndimore, e cila ndan të njëjtat vlera humanitare e demokratike me SHBA dhe BE.

Dhe, padyshim, në luftën kundër kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së vlerave, të jetës, Lirisë e demokracisë nën lidershipin e SHBA do të jetë gjithmonë edhe Shqipëria, në kuadrin e NATO-s.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 47
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT