• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

Kryeministri Kurti: Kosova, do të rrijë vertikalisht si Republikë e pavarur dhe demokratike

October 24, 2022 by s p

Prishtinë, 24 tetor 2022

Fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Kuvend, për Strategjinë e Sigurisë së Kosovës:

I nderuari Kryetar i Kuvendit z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë,
I nderuar Kabinet Qeveritar,
Të dashur qytetarë të Republikës,

Jam i nderuar që sot para jush të prezantoj Strategjinë e Sigurisë së Kosovës, të dytën me radhë që nga shpallja e pavarësisë së Republikës sonë.

Kjo është strategjia ombrellë e sektorit të sigurisë e cila njeh rreziqet, kërcënimet dhe sfidat për sigurinë e Republikës së Kosovës, dhe njëkohësisht paraqet mundësinë dhe vizionin për të ardhmen tonë. Kjo strategji do të prodhojë plane dhe dokumente tjera të cilat ndërlidhen me sigurinë kombëtare, me sigurinë publike, mbrojtjen dhe diplomacinë, e që janë të domosdoshme për të orientuar, funksionalizuar dhe zhvilluar arkitekturën tonë të sigurisë.

Kjo strategji është hartuar në bashkëpunim dhe konsultim të ngushtë me të gjitha institucionet shtetërore. Ajo i është nënshtruar procesit të konsultimit të brendshëm e të jashtëm, përfshirë edhe me përfaqësitë e shteteve të Quint-it, por edhe shteteve të tjera mike, sikurse që është konsultuar edhe me akademinë.

Falënderoj veçanërisht të gjithë nëpunësit e angazhuar në kuadër të institucioneve tona, që kanë dhënë kontributin e tyre për hartimin e kësaj strategjie.

Ky dokument paraqet objektivat strategjike të ndërlidhura me interesat jetike shtetërore, siç janë: mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial, ruajtja e rendit kushtetues dhe sigurisë publike, siguria njerëzore e zhvillimi shoqëror, si dhe integrimi në strukturat euro-atlantike e në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.

Synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës, por edhe të rajonit tonë.

Të nderuar deputetë,

Gjatë qeverisjes sonë i kemi dhënë vëmendje të veçantë institucioneve të sigurisë, me politika të qarta dhe veprime konkrete karshi tyre. E kemi rritur për 52% buxhetin për Forcën e Sigurisë së Kosovës, nga 63 milionë sa ishte në vitin e kaluar në rreth 102 milionë për vitin 2022. Qeveria jonë ka ndarë buxhetin më të lartë në historinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e përafruar atë si shifër, dhe duke e synuar natyrisht kriterin e vendeve të NATO-s, prej 2% të bruto produktit vendor.

Ky buxhet me lartësinë e tij, është vendosje e një standardi të ri për trajtimin që Qeveria e Kosovës i bën dhe duhet t’i bëj në të ardhmen forcave të saj të armatosura dhe çështjeve të sigurisë. Me këtë buxhet ne kemi treguar seriozitetin me të cilin e shohim sigurinë në vend, ruajtjen e sovranitetit tonë dhe ngritjen e kapaciteteve të plota ushtarake që po realizohet përmes procesit të transformimit të FSK-së në ushtri moderne.

Buxhetit të rritur për ushtrinë, po i shtohen çdo ditë edhe mjetet e dhuruara nga qytetarë shqiptarë gjithandej botës, në Fondin e Sigurisë. E për këtë, do të doja ta shfrytëzojë rastin që nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ta falënderojë secilën e secilin që ka kontribuar për Fondin e Sigurisë deri më tani. Gjithashtu inkurajoj çdonjërin që ka mundësi financiare dhe vullnet patriotik, të kontribuojë edhe më tutje në këtë Fond të Sigurisë.

Krahas rritjes së buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe krijimit të Fondit të Sigurisë, kemi përshpejtuar blerjet ushtarake dhe blerjet e tjera që lidhen me fuqizimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes dhe të sigurisë. Kemi krijuar linja të reja të furnizimit me sisteme të armatimit, në mënyrë të drejtpërdrejtë shtet me shtet, duke shkurtuar kohën e furnizimit dhe duke ulur ndjeshëm koston financiare.

Kemi themeluar një grup punues me anëtarë të nivelit të lartë, me qëllim intensifikimin e punës për anëtarësim në NATO, për çka kemi gjetur një mirëkuptim shtesë nga vendet mike. Për këtë, ne synojmë anëtarësim sa më të shpejtë në Partneritetin për Paqe, përveçse edhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë të sigurisë.     

Njëkohësisht, po punojmë për aplikimin e Kosovës për statusin kandidat dhe po zbatojmë reformat e nevojshme për të lehtësuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Kemi krijuar mekanizma të ri për më shumë koordinim të punëve në mes të institucioneve të sigurisë duke bashkuar kapacitetet dhe rritur efikasitetin e veprimit. 

Prandaj, miratimi i Strategjisë së Sigurisë së Kosovës u jep drejtim institucioneve tona në përpjekjet për unifikimin e politikave dhe të qëndrimeve të cilat ndërlidhën me interesat shtetërore të sigurisë, e për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe në paqe.

Ashtu siç ka ditur të çlirohet dhe të pavarësohet Kosova, ajo do të dijë edhe do të rrijë vertikalisht si Republikë e pavarur dhe demokratike. 

Filed Under: Opinion

Presidentja Osmani priti në takim përfaqësues të shqiptarëve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci: Regjistrimi masiv nënkupton fuqizim politik dhe institucional

October 24, 2022 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim përfaqësues institucional e politik të shqiptarëve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci. Temë qendrore e këtij takimi ishte procesi i regjistrimit të popullsisë në komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

Presidentja Osmani ka bërë thirrje që shqiptarët t’i përgjigjen masivisht regjistrimit të popullsisë, i cili është i hapur deri në fund të këtij muaji. Sipas Presidentes Osmani, pjesëmarrja sa më masive në regjistrim është masë kundrejt politikës shoviniste të Serbisë, e cila po përpiqet të realizojë spastrim etnik nëpërmjet masave administrative.

Presidentja nënvizoi se regjistrimi masiv nënkupton fuqizim politik dhe institucional të shqiptarëve. Se këndejmi, Presidentja ofroi mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe të përfaqësive tona diplomatike për të bërë thirrje për regjistrim tek të gjithë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që jetojnë në Kosovë apo në vende të tjera.

Për këtë frymë, Presidentja Osmani ka bërë thirrje për unifikimin e faktorit shqiptar për çështjet prioritare me të cilat ballafaqohen shqiptarët për t`i eliminuar pengesat që po i bën Serbia në procesin e regjistrimit.

Tutje, Presidentja Osmani ka theksuar se në të gjitha takimet me përfaqësues ndërkombëtar në vazhdimësi ka ngritur problemet me të cilat përballen shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, si pasojë e politikës së Qeverisë së Serbisë, duke synuar ndërkombëtarizimin e kërkesave për të drejtat e shqiptarëve.

Në këtë kontekst, ka potencuar rëndësinë e bashkëveprimit në mes institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve shqiptarë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci për trajtimin e të gjitha problemeve me të cilat përballen shqiptarët.

Filed Under: Politike

Këshilltarët e gabuar të diplomacisë sonë kulturore

October 24, 2022 by s p

Ata që e kanë këshilluar Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës që të mbyllen qendrat kulturore në mëgrim, i kanë bërë një shërbim shumë të keq çështjes sonë kombëtare, sidomos në ato shtete ku gjuha dhe arsimi shqip janë më të rrezikuar. Askush nuk do ta besonte para disa viteve se një ditë do të jemi dëshmitarë të lajmeve të tilla ku mërgata jonë do të trajtohet si një jetim që ka mbetur në mëshirën e burokratëve të pashpirt që dërgojnë këshilla të gabuara në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Është e tepërt të numërohen meritat e mërgatës sonë në shumë procese të rëndësishme nëpër të cilat kaloi Kosova dhe gjithë bota shqiptare në përgjithësi. Por për mërgatën vazhdimisht flitet si për një pjesë të largët të trupit tonë, të cilën e thërrasim në ndihmë vetëm kur jemi keq. Atëherë kur nuk jemi mirë ekonomikisht, kërkojmë mbëshetje nga diaspora. Të mos flasim kur nuk jemi mirë politikisht. Vazhdimisht mërgatën e trajtojmë si një gomë rezerve, pa të cilën nuk guxojmë të nisemi në një rrugëtim të gjatë. Pra, mërgata jeton me ne dhe në ne, por nuk ia japim hakun që ka, sepse disi nuk duam ta pranojmë publikisht për rolin që ka ajo në jetën tonë të përditshme – private dhe institucionale.

Kur jemi te institucionet, mërgata herë trajtohet si “kuletë rezervë” që plotëson buxhetet e munguara shtetërore, herë si “makinë elektorale” që siguron kontigjent votuesish për të krijuar shumicë parlamentare, por asnjëherë si pjesë e pandarë e zhvillimit tonë si shtet dhe si shoqëri.

Historikisht, mërgata ka qenë motori lëvizës i të gjitha ideve çlirmtare, prandaj si e tillë ajo ka shkruar faqet më të lavdishme të historisë kombëtare. Pavarësia e Shqipërisë u “gatua” në mërgim dhe u finalizua pas përpjekjeve titanike të ideologëve tanë që vepruan në Stambollë, Selanik, Vjenë, Bukuresht, Sofje, Kajro, Romë, Gjenevë, Washington, Nju Jork, Boston etj. Ky rol i mërgatës mbeti i pandryshuar deri në momentin kur shtetet tona kombëtare u pavarësuan dhe u konsoliduan, por nuk duhet harruar se disa segmente të veprimtarisë kulturore e arsimore të diasprës sonë vazhdojnë të jenë të domosdoshme edhe në ditët e sotme. Kjo na imponohet sidomos në ato shtete ku fëmijët shqiptarë ballafaqohen me sfidat e shumta të integrimit, ku rreziku i asimilimit paraqet problem real jo vetëm për prindërit, por edhe për shtetet prej nga vijnë mërgimtarët tanë.

Për të parandaluar këtë murtajë asimiluese në mërgatë, një rol të padiskutueshëm e kanë luajtur qendrat kulturore, klubet dhe shoqatat e mërgimtarëve tanë, përmes së cilave janë amortizuar goditjet që vijnë nga ndikimet e kulturave e civilizimeve të huaja. Të ndodhur në këto rrethana të pa favorshme, shumë veprimtarë të mërgatës sonë janë detyruar të punojnë edhe vullnetarisht që shqipja të mos shndërrohet në gjuhë të huaj për fëmijët tanë në Europë, Amerikë, Australi, Turqi e gjetiu.

Por, kohët e fundit jemi dëshmitarë të një tendence negative që godet drejtpërdrejt mërgatën tonë, pasi që, siç është paralajmëruar, Qeveria jonë nuk do të mbështesë më qendrat kulturore në mërgatë.

Siç është e njohur, Në Zvicër Qendra Kulturore është mbyllur më herët, kurse në Suedi dhe në Stamboll nga 1 Mars 2020 nuk kane drejtorë të Qendrave Kulturore te Kosoves dhe qeveria nuk ka ndare buxhet per aktivitetin e tyre dhe me këtë ato de facto janë të mbyllura pasi qe nuk kane aktivitete.

Një veprim i tillë, përpos që është i pakuptimt, ai është edhe tepër i dëmshëm dhe me pasoja të rënda për të ardhmen e mërgatës sonë. Madje vet Donika Gërvalla, minister e Jashtme dhe e Diasporës më mire se kushdoi tjetër e di rolin e këtyre aqendrave kulturore në mërgatë, andaj ajo e para do të duhej të refuzonte këto këshilla aspak të qëlluara.

Në vend se institucionet tona të fuqizojnë mbështetjen për këto themelata në diasporë dhe të inkurajojnë njerëzit tanë që nuk kanë kursyer asgjë që të jenë në shëbim të arsimit dhe kulturës shqiptare në shtetet e ndryshme, ato e bëjnë të kundërtën: Ministria e Diaspores së Kosovës u mbyll dhe iu bashkangjit Ministrisë së Jashtme, në Shqiperi u mbyll Ministria e Shtetit për Diasporen, Qendrat Kulturore të Kosoves qe i kishte Kosova ne Zvicer, Suedi dhe në Stamboll nuk jane funksionale që nga 1 Mars 2020. Dhe me këtë po shuajnë shpresat që rinia jonë e mërguar, sidomos kuadrot me diploma e ekspertësh, një ditë ta ndjejnë veten pjesë e proceseve politike, shoqërore e ekonomike në Kosovë.

Ata që e kanë këshilluar keq Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës që të mbyllen qendrat kulturore në megrim, i kanë bërë një shërbim shumë të dëmshëm çështjes sonë kombëtare, sidomos në ato shtete ku gjuha dhe arsimi shqip janë më të rrezikuar. Një shqiptar (ka kursant nga mosha 9 deri në moshën 83), bie fjala, në Stamboll, tash e tutje do të jetë i privuar nga mundësia e ndjekjes së kursit në gjuhës shqipe, për arsye se ndonjë burokrati në Prishtinë i është tekur që ta shuaj Qendrën Kulturore në Stamboll dhe për pasojë të mbyll një dritare ku Qamil Bytyçi për çdo ditë sillte frymën shqipe të gjuhës dhe kulturës sonë.

Edhe përkundër faktit se në rastin e Turqisë kemi marrëveshje bilaterale ndershtetërore për hapjen e qendrave kulturore ne këtë shtet dhe anasjelltas !

Ai ka tre vjet që nuk merr rrogë por mbi baza vullnetare vazhdon të jep mësim në ambientet e Qendres Kulturore të Kosoves dhe gjithandej në Stamboll ku ka shqiptarë duke bërë mijëra kilometra udhë.

Askush nuk do ta besonte para disa viteve se një ditë do të jemi dëshmitarë të lajmeve të tilla ku mërgata jonë do të trajtohet si një jetim që ka mbetur në mëshirën e burokratëve të pashpirt që dërgojnë këshilla të gabuara në Ministrinë e Jashtme dhe të Diasporës.

Prishtinë, 23 tetor 2022

Filed Under: Emigracion

NJERIU I PYLLIT

October 24, 2022 by s p

Prof. Dr. Ylli Pango

Pyllin e bënë të parët. Mes tyre ai: I pari. Aty…kur asokohe nuk kishte veçse dhe, gëlqere, shkurre koti. Bënë dhe liqerin. (Lasgushçe). Qyteti u bë me mushkëri.

Me Park të madh. Me liqen

…Nuk ka as edhe një mikro-foto. Jo

më statujë a bust të atij që e rriti. E mbrojti

Nuk e kujton njeri. Se ai nuk dinte ç’ishte pylli. Dmth kish studiuar pylltari, dinte të mbarështonte pyje, të “lindte” pyje për të tjerë…Për fēmijë me prindër e të moshuar. Për sportista e ëndërrimtarë podiumesh. Për të dashuruarit e për dashnorët se pyllin e bëri dhe për ata. Ata ishin stolia e pyllit. E pylli streha e tyre e dashurisë.

…Ai diti e bëri shumë. Por prapë…nuk dinte tamam ç’ishte pylli. Nuk ja diti “vlerën”. Andaj sot atje, në pyll, në park, buzë liqeni, nuk ka as edhe një foto, kujtim, shënim për të…More as edhe një gjurmë të tij. Se ai nuk diti të vidhte pyje, t’i shiste, tu kafshonte copa.

…Copa?!…Është fjala për ata që filluan ta kafshojnë pyllin. I pari ngriti në cep të pyllit një lokal. Pak pemë kafshoi. Lekë hëngri shumë. Pastaj e bëri pallat… Pastaj dy.( diku u lut, dha diçka në kēmbim…lek…). U prenë edhe ca drurë të tjerë(“..e mo ka pylli plot…ca pemë u prenë. Pastaj ja u mbollën fidanë. Për 50 vjet i ke gati)

Pastaj i dyti kafshoi më thellë. Kish kafshim më të thellë, thonë stomatologët….Ngriti hotel. I treti…bëri një kompleks….Gjigand…

…Ca nga ca…Po avancohej drejt zemrës së pyllit. Po për zemrën ka bypass. U bënë ca fusha e ca korsi që i vinin rrotull zemrës së pyllit. Kur zemra të pushonte së rrahuri, parashikohej të hiqeshin dhe bypasset. (Me plan çdo gjë). Dhe në vend të zemrës do ngrihej një kompleks i madh ndërtesash në formë Zemre.Zemër artificiale. Do

eci shkenca pra…

Njerëzit që kishin shtëpi pranë pyllit( dhe thellë e më thellë)shtoheshin. Quheshin njerëz të pyllit.

Ndryshe nga njerëzit e pyjeve të së shkuarës, këta ishin më të qytetëruarit..Dmth më të pasurit. Jetonin në shtëpi pylli.

…Pastaj pylli i pallateve, hoteleve, shtëpive e hēngri krejt pyllin e drurëve.

Gjithsesi njerezit që jetonin aty, përsëri quheshin të pyllit. Jo për histori. Po se jetonin në shtëpi të pyllit. Të pyllit tē gurtë të pallateve, hoteleve, shtëpive…

…P.S Ja pra dhe një arsye tjetër që nuk gjejmë dot një gjurmë të krijuesit të pyllit në pyll. Ku kishte vend mes gurëve për atë që mbolli pyllin e gjelbër

( Nuk ēshtë më mes të gjallëve. Këtyre që harrojnë. Emrin e tij, do u a them një herë tjetër)

(Nga CIKLI: Po ndodh, por ju nuk doni të shihni)

Filed Under: ESSE

LUTJE PËR DUART E VËLLAIT

October 24, 2022 by s p

– Ilirjanit, in memoriam –

Nga Visar Zhiti

C:\Users\User\Downloads\IMG_0333 (1).jpg

Duart vëllazërore flasin… ato janë përherë në marrëdhënie me ne… krijojnë botë…  

Thënë thjeshtë si në një bisedë përkujtimore, ato janë të dashura dhe kështu duhet të jenë, kanë një siguri dhe besë dhe janë mbështetetje, së pari shpirtërore dhe kështu duhet të jetë, ato si flatra tani kanë dalë nga i njëjti bark i shenjtë, prandaj janë dhe si të tuat, shtesë në relitetet e tua…

Teksa kujtoj tim vëlla, Ilirjanin, shoku i parë i fëminisë, mbrojtësi dhe këshilluesi, pedant si vëlla më i madh, dy vjet e pak më shumë se unë, që më dha librin e parë, etj, pastaj dhe shokët e tij në gjimnaz u bënë dhe shokë të mi, por jeta e goditi ashpër duke mos i dhënë atë që meritonte, ndër gjimnazistët më të mirë, jo vetëm në Lushnjë, ku jetonim, por në Shqipëri, e thoshin pedagogët e tij dhe nuk e lejuan të shkonte në universitet, shkak biografia politike e familjes, pas ushtrisë nisi studimet e larta me korrespondencë për ekonomi-financë, edhe ajo iu ndërpre me forcimin e luftës së klasave, edhe vëllait tjetër të madh, i çuan të punojnë në fermë me kazmë e në ndërtim, të bëjnë mure,  mure të jetës së tyre, ndërsa mua, mësues në një fshat të Kukësit, do t’më burgosnin për poezitë e mia, i quajtën të trishta dhe hermetike, kundër Realizmit Socialist dhe realitetit socialist, por dua të them se as në burg nuk m’u ndanë duart vëllazërore, më sillnin ç’mundnin, ndonjë ushqim për të mbijetuar në ferr dhe libra, libra, të kisha botën e tyre që të lidhnin aq sa mundej me botën, të kisha emocion dhe ëndërr…

Ishin duart vëllazërore që i morën fshehurazi nga burgu poezitë e mia dhe i bashkuan me të tjerat që kisha lënë, i ruanin me fanatizëm dhe më prisnin…  

Dhe para sysh më del vegimi i vizatimit “Duar që luten” i piktorit të madh gjerman të Rilindjes – Albrecht Durer (1471-1528) dhe rrëfimi që bënte për të Prof. Klodi Stralla, që lexova këto ditë. 

“Familja Dürer, e përbërë nga 18 fëmijë, jetonte në një fshat të vogël afër Nurembergut. Dy nga fëmijët, Alberti dhe Albrechti, kishin treguar talent të madh artistik për vizatim që kur ishin të vegjël. Kur arritën në moshë shkolle iu lutën të atit t’i dërgonte në Akademinë e Arteve të Bukura, por ai me punën që bënte për të mbajtur familjen e madhe, nuk ishte në gjendje ekonomike të përballonte shkollimin e tyre.

Por vëllezërit nuk u dorëzuan, Dëshira për të ndjekur Akademinë ishte aq e fortë sa bënë pakt mes tyre. Njëri nga të dy do të shkonte të punonte në minierë për të paguar studimet e tjetrit dhe kur të mbaronte periudha e studimit, këtë do ta bënte edhe tjetri. Po cili nga të dy? Fatin ia lanë ta vendosë rrotullimi i një monedhe – kokë apo pil? Fati e dënoi Albertin në ferrin e minierës në favor të vëllait të tij më të madh që mund të shkonte në Nuremberg dhe të realizonte ëndrrën…”

Dhe mua fati si vëlla më i vogël më dërgoi në minierën e Spaçit me pranga në duar, kam punuar si skllav nën tokë në terr dhe kam shkruar fshehurazi poezi, edhe për duart, pa ditur gjë atëhere për Duar mahnitëse të Albrecht Dürer-it, që u bë i famshëm dhe me të ardhura nga  puna si piktor dhe i tha vëllait të vogël, që i erdhi radha ta linte minierën dhe të shkonte ai tani në Akademinë e Pikturës. 

“Ishte tepër vonë për të, – shkruan Profesor Klodi Stralla, – vitet e kaluara në minierë kishin dëmtuar në mënyrë të pariparueshme duart që nuk ishin më në gjendje… Albrecht Dürer, për t’i bërë homazh vëllait të tij, kompozoi duart e vëllait… 

Dhe unë po sjell këtu një nga poezitë e mia të burgut, është për duart, jo vetëm të miat, por për çdo dorë vëllai në vuajtje:  

GISHTËRINJTË SI GJARPËRINJ?

Janë lodhur duart e mia, 

një jetë të tërë m’i kanë gënjyer duart.

Shpejt e shpejt m’i rritën 

dhe mundësitë m’i zvogëluan 

                                   si dorashka të grisura 

                                   që s’të nxënë më.

M’i shkelën duart 

me çizmet e injorancës 

(skuqin plagët si unaza gishtave).

M’i trembën duart.

Asgjëkund nuk zgjaten duart e mia, 

s’përqafojnë asgjë.

Kanë harruar të ledhatojnë, 

të këndojnë, të shpikin.

                              Duart e mia u marrosën!

Kam frikë se gishtat do më bëhen 

                                          koka gjarpërinjsh, 

do t’vërsulen mbi të tjerët si të tjerët.

Do helmojnë trupin e jetës, duart, 

        që t’i shpëtoj duart, 

            vë kokën time mbi to dhe mendohem.

Unë dua që dhe gjarpërinjtë 

t’i shgjarpërizojmë, 

t’i bëjmë gishta të blertë të natyrës.

Ta shkulim rrezikun, 

        t’ia heqim dhëmbin e helmët!

Fati të bëhet 

dorë dashurie 

e bardhë, lakuriqe, e ngrohtë, 

të zgjatet drejt teje, 

të kërkojë dorën tënde, 

ta marrë dhe ta puthë

(thonjtë të jenë veçse petale jete, 

që s’shkunden.)

Çdo njeri t’i ketë të tijat 

duart e gjithë botës.

22. III. ’85

Ja, dhe një strofë tjetër nga një poezi tjetër:

Dikush ble dorashka 

në këtë mbrëmje të ftohtë 

në qytetin me drita indiferente 

që dinë të digjen, 

por dhimbje s’dinë të ndiejnë.

Dikush ble dorashka, 

të bëra prej lëkurës sime.

Dhe këto poezi të rrezikshme për atëhere, i ruanin në familjen time, kujdeseshin prindërit, por për më shumë siguri, se në apartament nuk i dihej,  Ilirijani i çoi në shtëpinë e motrës, kishte një kopësht, i futën në një arkë dhe hapën një gropë dhe i mbuluan duke pritur kohë tjetër…

Shumëçka e kam treguar në burgologjinë time, në dy librat “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, ku Ilirjani do të ishte dhe personazh. Ja disa copëza::

TË NDIHMOSH NJË MËSUES, QË ËSHTË DHE POET:

– Ty po ta tregoj të parit, sapo e shkrova, – më tha Faslli Haliti, me të cilin jo vetëm na qe forcuar miqësia, por na ishte bërë dhe       e domosdoshme deri në mërzi. Më zgjati fletët e një poeme, “Dielli dhe rrëkerat”, – lexoje, – tha. Fillim pasditeje dhe ai dukej sikur sapo kishte dalë gjallë nga një makth ose do të shkonte drejt tij. 

E mbarova rrugës, duke ecur. Fletët më dridheshin.

– E guximshme dhe goditëse. Të shtang, – thashë.

– E kam shkruar nga pozitat e së mirës, – u ngazëllye Faslliu mësuesmërisht.

– E fortë, – thashë unë.  

Dhe vërtet, për shkak të kësaj poeme filluan mbledhjet e zymta të Partisë me letrarët e Lushnjës, unë isha i ikur, student në Shkodër, kritika për nxirje të realitetit, por poema nuk është kundër socializmit dhe udhëheqësit të saj, drejton klasa punëtore te ne, ç’është ai shi që bie ashtu si në kapitalizëm?! Mos u ul, rri në këmbë, i tha sekretari i parë Faslliut në mbledhjen që zgjati nja 9 orë, deri pas mesnate. 

Im vëlla, Ilirjani, e kishte marrë vesh më parë komplotin që po i kurdisej atij, ia tregoi Bujari, gjoja disa shokë të tij gjimnazistë ishin shqetësuar për atë poemë revizioniste dhe kishin shkruar një letër, të cilën, thoshin, e kishte përgatitur më parë ai kritiku i njohur… Shkojnë e lajmërojnë Faslliun, që u alarmua dhe u nis vrik për në Tiranë, në Komitetin Qendror, kështu tregoi më pas, takoi Ramiz Alinë, i cili, për çudi, e priti mirë dhe e qetësoi, ndërkaq, me t’u kthyer, prapë mbledhje, poeti u dëbua në fshat, që të njohë jetën, të mësojë nga kooperativistët, të mblidhte dhe ai bar bashkë me ta, pleh kimik, organik, të prashiste. 

Kur të merr malli të shkruash, ç’bën? E pyeti im atë, që e njihte këtë dhembje, të qenët i ndaluar, madje përgjithmonë.

  Asgjë, lyej derën, iu përgjigj pikëllueshëm ai. 

DOSJA E DIKURSHME…

Po shfletoja. Gjyqi, dialogët e rëndë. I dija, nuk i harroja dot. GJYKATA E LARTË, hë, ç’thanë kur bëra apelimin… atëherë në shekullin e shkuar, jo se besoja në drejtësi a në zbutje të tyre, por doja t’i shihja deri në fund sa të këqij ishin dhe si i shkelnin edhe ligjet e tyre. Ethja për t’i njohur e… 

Vajti im vëlla, Iliriani, madje i kundërshtoi dhe e kërcënuan se mund ta dënonin edhe atë. Pa ta shoh ç’kanë shkruar, qenka e gjatë:

TAKIMI I PARË NË BURG: 

Në një nga ditët e mëpastajme më morën nga qelia dhe më lanë vetëm në ajrosje. Aty te muri i madh. Do të më pushkatonin kështu, apo do të më nxirrnin në fotografi prapë për dosjen e dënimit? Dhe atëherë, kur më vunë pas murit, dyshova se mos aparati fotografik ishte ndonjë lloj arme. Prisja plumbin me atë “trak” të thatë e të shterpët që do të fiksonte fytyrën time të dënuar, një herë përballë e pastaj në profil.

Këtu ose më tej në mur, u hap një sportel dhe përtej pashë… tim vëlla. Ah, portreti i tij si në një kornizë të rëndë, gropë e ngritur lart. Edhe ai ashtu si unë, me një polic anash.

– O-o-o-o-o! – u mahnita. – Ti, Ilirjan?

– Bo-bo, sa qenke fryrë, si të kanë bërë… shëndoshur, – e ktheu fjalën me dëshpërim im vëlla. – Si je?

– Ja, më ka fryrë asgjëja, dergjja. Pushim këtu. Më dënuan 10 vjet. Po ju si jeni?

– Na ka forcuar të gjithëve halli yt. Sëmundjet e mamasë, zemra e saj, tensioni i babait kaluan në dorë të dytë. Çdo e keqe ka të mirën e vet, – buzëqeshi për mua hidhur. – Si e kalove këtë kohë?

– Flisni për gjëra të tjera, – ndërhyri polici i tij.

– Kaloi, – thashë shpejt e shpejt, – gjallë.

– Jo biseda të tilla, ju thamë, – tani ndërhyri polici im. – Do ta ndërpresim takimin. Na vjen keq.

Im vëlla po çapëlente sytë për të më parë sa më tepër e të mbushej me mua, ashtu si unë me të. Atyre u mungoja veç unë, mua më mungonin të gjithë. Përveçse vëllezër, ishim edhe shokë dhe gjithmonë flisnim kundër regjimit, shumë më tepër se me miqtë e ngushtë, të përbashkët. Por tani goditja ishte humnerore. 

– Të kam sjellë dhe libra, por… Gjakftohtësia…

– Takimi mbaroi, – thanë policët, që përsëriteshin një andej dhe tjetri në këtë anë të murit si në një pasqyrë barbare. S’mundëm të shtrëngonim duart vëlla me vëlla para se të mbyllej ajo zgavër magjike në mur. Tragjedia ime ishte e vërtetë. Unë e kisha humbur botën dhe njerëzit e mi do të më shfaqeshin pas vrimave dhe hekurave gjithnjë e më pak, gjithnjë e më rrallë…

DASMA LARG E ILIRJANIT, NJË KËNGË:

Rende për në depon e ushqimeve, nxore pakon e madhe të llokumeve nga thesi yt, e ruaje për këtë ditë, e diel dasme, e shqeve me duart e harbuara, i dhe një rojës së burgosur të depos, pa i thënë asgjë, dhe e mbajte frymën te Valeri. “Dua një këngë, – i the i ngashëryer, (Sot po martohet im vëlla…) – merre dhe një llokume tjetër.” “Shkojmë te Sherifi?” I dhe llokumen e urimit. Po këto të tjerat? T’i hamë të gjitha. Ashtu kokë më kokë të tre, pas murit para shkallëve të korridorit të zyrave të riedukimit. 

– Ejani, – tha këngëtari, – futemi në atë që gjoja është dhoma e kulturës. M’i kanë lënë mua çelësat, ngaqë di t’i bie fizarmonikës, – dhe, me të mbyllur derën, i hodhi rripat e atij instrumenti krahëve. Sikur dyfishoi krahërorin e vet. Zbrazi frymë. Se si t’u duk, si në një torturë. Fluturoi lehtë gishtat nëpër tastierë, tinguj, një melodi, kaq e ëmbël… muaj mjalti… kështu kishe lexuar nëpër libra, të porsamartuarit shkojnë e mbyllen në një dhomë hoteli, shohin shiun nga xhamat, pyllin, veturat, çifte kuajsh e s’dalin fare, bëjnë dashuri natë e ditë. Në diktatura s’lejohet. Zëri i këngëtarit të rrëqethi. Ajrin e shndërroi në cicërima gjithë flatrime zogjsh, që s’dihet se si ikën. Po i këndonte dashurisë, zëri forcohej, malli bashkë me të, por jo me tone të larta, jo, jo, nuk duhej të dëgjohej jashtë, një ngjirje mahnitëse sikur zëri të qe fërkuar në kurrize dritash në botën e tejme, me qytete të gjallësh. Kënga ecte e lumtur nëpër këmbësore, anash vitrinave llamburitëse, po, po, kishte prapë të tilla, ku rrotulloheshin veshje grash me shkëndijime të befta, fustane të ujvarta, çizme me majë të hollë sa takat – me t’i veshur duhej të vallëzoje vetvetiu – magnetofonë që përsëritnin këtë këngë, krehra, lëviznin vetë mbi floknaja muzgjesh, të kuq buzësh, mund të shkruaje xhamave me të: “Të dua”, por papritur fjala e kuqe shndërrohej në vazhdë gjaku. Këngëtari kishte anuar kokën e rëndë mbi fizarmonikë, e ngriti dhe buzëqeshi. Nisi të këndonte anglisht këngën e vet, atë që kishte kompozuar me mend në qelitë e Buu-uh- rrr-bbrrr-e-e-l-i-i-t-t, “When I am dead, my dear!”. “Është poezi e Kristina Rosetit”, – tha shpejt dhe zëri i tij nisi të ndizte qirinj, flakët e të cilëve, nga shkaku i lotëve, ngjanin si brerore të rubinta. Pastaj solli bregun e detit, dallgët që kërkonin të shuanin një emër të shkruar mbi rërën e lagur, emër vajze, i së fejuarës së këngëtarit – detin, detin të kesh rival në dashuri. – Dhe “Këngën e nënës, – iu lutët ju, – do ta këndosh?” “Patjetër!” Të ecësh krah për krah me nënën, nën borërimën e dhembshme të moshës, njeriu plaket, e ka dramën e vet, të bukur e madhështore. Pse shpiken dënime të tjera? Ah, zëri shtrihej, donte të mbulonte gjithësinë, pastaj hovte, hidhej nga njëri yll në tjetrin dhe vishej me argjend, po, po, e gjete, këngëtari ynë ka zë të argjendtë me gdhendje pikëllimi dhe t’u nëpërmendën servise fisnikësh, korniza, shandanë, pasqyra, bastunë dhe pena pranë një telefoni të zi, të mbledhur kutullaç si një kotele. Ti je supersticioz, macet e zeza s’ke qejf të të dalin përpara. Po është mace shtëpie! U ngrit dhe iku te pragu i dasmës, ku dëgjohej kënga. Si ta ruajmë këtë zë? Është yni!

Shfryu fizarmonika ose ai, a të dy bashkë një brengë, aq të madhe tani, teksa Sherifi e la mbi tryezën e pluhurosur. Buzëqeshi dhembshëm. “S’mund të bëja dot më shumë, kaq mundesha”, – dukej sikur thoshte. “Po ti bëre shumë, falemnderit, më dhe këngën, atë që s’duhej të mungonte tek unë sot. Të jam mirënjohës përgjithmonë.”

    DUART VËLLAZËRORE. 

Kam mall t’i shtrëngoj sërish, po ku t’i gjej?

Kur ra perandoria komuniste, Ilirjani bashkë me Shpëtimin dhanë provimet e ndërprera dhe u diplomuan. 

Ilirijani iu përkushtua demokracisë, u bë veprimtar i saj dhe punoi në një Bankë dhe në vitin e rëndë ’97 e ruajtën nga vjedhjet e banadave me maska.

Erdhën në Tiranë. Ilirjani punoi dhe në Ministrinë e Financave… Dashamirës i librit si përherë, lexues profesionist, do të thosha, shkonte përurimeve të botimeve të reja, tani shokët e mi ishin bërë dhe të tij dhe iu rikthye dëshira e poezisë, siç duket për të mposhtuar sado pak vrazhdësinë që i kishte dhënë jeta,  vonë, duke qenë dhe gjysh, e kapi trilli të botonte, nxori përmbledhjen “Zili do ta kisha dhe një murg”, vazhdonte të shkruante sentenca, tregime, etj, Obsesioni i tij mbeteshin Kosova dhe Çamëria, shkoi nëpër Dardani, Prizren dhe Prishtinë e merrte pjesë në manifestimet në kufirin e Jugut.

Duart e tij tani kishin dëshirë të kapnin Flamurin dhe ta valëvisnin. Duar vëllazërore… dhe unë ruaj vegimin e largët të duarve që luten…

C:\Users\User\Downloads\IMG_0266 (6).jpg

Ilirjan Zhiti

Filed Under: LETERSI Tagged With: Visar Zhiti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT