• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for October 2022

NË SHËRBIM TË ZOTIT DHE ATDHEUT  

October 9, 2022 by s p

Nga Frank Shkreli/

A person standing at a podium

Description automatically generated with medium confidence

Ditën e Shtunë, 8 Tetor, 2022, në ora 10 të mengjesit, në Qendren Kulturore “Nenë Tereza”, zhvilloi punimet Simpoziumi Shkencor kushtuar 50 Vjetorit të Famullisë Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield të shtetit Michigan, afër Detroitit. Një ndër folësit e ftuar, për këtë rast, ishte dhe kolegu ynë Frank Shkreli, mik i vjetër i Dom Prekë Ndrevashjt, nga vitet kur Dom Preka kujdesej për refugjatët politikë shqiptarë në Itali, 1960-ave- e në fillim të 1970-ave. 

“Shkëlqesia juaj Ipeshkëvijë, klerikë të dashur, të nderuar pjesëmarrës në këtë tubim historik, përkujtimor. U përshëndes të gjithë ju, që për 50-vjet, në këtë tokë e vend të bekuar, kini vazhduar me përkushtim e dashuri, të jeni të bashkuar në shërbim të Zotit, të Kishës dhe të Kombit.

Përshëndes Këshillin e kishës, mbarë famullinë Zoja Pajtore e Shqiptarëve, por mbi të gjithë dhe veçmas përulem para Dom Ndue Gjergjit – prijsit tuaj fetar, i cili përveçse e ka drejtuar këtë kishë me një për-shpirtshmëri të dalluar fetare – ai, së bashku me ju, e ka ngritur këtë faltore – jo vetëm në nivelin e një qendre ku njerëzit luten, kërkojnë ngushëllime shpirtërore dhe festojnë – por e ka rritur këtë qendër edhe në rrafshin e një enti të rëndësishëm kulturor e kombëtar.

Ajo që e ben këtë kremtim të këtij 50-vjetori edhe më të madhnueshëm dhe të përmallshëm, është edhe kujtimi i të gjithë atyre që kanë qenë këtu ç’prej fillimit — e nuk janë më — përfshir edhe mikun dhe të dashtunin tonë të përbashkët, Dom Prekë Ndrevashajn, themeluesin e kësaj kishe — njërin prej atyre klerikëve i cili ishte dëshmitar i martirëve të Kishës dhe të Kombit të cilët derdhën gjakun e pafajshëm nën torturat më shtazarake të regjimit sllavo- komunisto-enverist në Shqipëri, por që me ndihmën e të Madhit Zot, ai vet i shpëtoi atij ferri.

Për fatin e këtij komuniteti, Dom Preka, si themeluesi i kësaj kishe dhe Dom Ndou drejtuesi dhe famullitari aktual, kanë pasqyruar dhe pasqyrojnë dy shtylla të Kishës dhe të shqiptarizmit, jo vetëm në mërgim, por edhe më tej. Një apostollat i vërtetë fetar e kombëtar i këtyre dy burrave të Kishës dhe të Kombit!

Nën udhëheqjen e Dom Ndue Gjergjit, Kisha Pajtore e Shqiptarëve vazhdon misionin e saj origjinal fetar e kombëtar – për t’i shërbyer në radhë të parë Zotit, besimtarëve, kulturës shqiptare dhe interesave kombëtare, këtu në Amerikën tonë të largët.

Me këtë rast, pra, meritat dhe falënderimet i shkojnë me siguri edhe këtij komuniteti katolik shqiptaro-amerikanësh, të cilët –si të parët tanë,së bashku me klerikët tanë gjatë historisë, i janë përmbajtur trinomit: Fe, Atdhe e Përparim.  Siç ishte traditë në malet tona dikur, së bashku me priftin, me fratin, por edhe me jezuitin, të parët tanë kanë përballuar shumë vështirsi, jo vetëm duke ndihmuar kishën, por kanë dhënë edhe jetën – në mbrojtje të Fesë e të Atdheut, sidomos gjatë komunizmit të pa fe.  I njëjti angazhim e përkushtim vazhdon edhe sot këtu në Amerikën e bekuar, ky vend që na ka falë lirinë, na ka dhënë strehimin dhe mundësitë për një jetë më të mirë, në bashkim me Zotin dhe në dashuri me të afërmin.  Fatbardhësisht, sot në

Amerikë nuk kemi nevojë të mbrojmë as fenë as Atdheun, me pushkë. Por, me mënyra të tjera, siç e kanë treguar shqiptarët e Amerikës të të gjitha feve, duke ndihmuar, bujarisht, xhamitë, teqetë, kishat katolike dhe ortodokse shqiptare, gjatë shekullit të kaluar e deri më sot.  

Kam ndjekur me interesim gjatë viteve,festivalet dhe organizimet kombëtare e kulturore,  përfshir Festivalin Kulturor muajin që kaloi të organizuar nga Kisha Pajtore e Shqiptarëve.  Ishte vërtetë një manifestim dhe pasqyrim i dinamizmit të kësaj famullie që frymëzon komunitetin shqiptaro-amerikan në veçanti, por edhe shqiptarët në trojet tona në Ballkanin Perëndimor, në përgjithësi. Një ndërmarrje kjo, e cila ruan identitetin, ose të pakën ngadalëson shkombëtarizimin e këtij komuniteti në këtë oqean të madh që e quajmë Amerikë –një kishë –një votër ku strehohen ndjenjat, zakonet tona bujare, gjuha, kultura dhe traditat shqiptare.

Prandaj, marrim pjesë në këtë tubim — në këtë 50-vjetor — që festojmë sot me krenari njerëzore si shqiptaro-amerikanë të lirë dhe me falënderime ndaj të Madhit Zot për bekimet e tija dhuruar këtij komuniteti.  Falënderojmë Zotin tonë të përbashkët, se megjithë planet djallëzore prej një gjysëm shekulli të komunizmit ateist të Enver Hoxhës për të zhdukur përgjithmonë nderin, fenë, traditat, identitetin kombëtar dhe historinë ndër shqiptarët, ky takim sot me një pjesëmarrje të shqiptarëve, pa dallim, nga të gjitha trojet dhe fetë – të krishterë e myslimanë së bashku si gjithmonë më parë — vazhdon të dërgojë një mesazh të fortë se me vullnetin e mirë të gjithë neve, megjithë problemet e sotëme dhe të nesërme me të cilat përballet Kombi ynë — i Madhi Zot ka me i mbajtë shqiptarët, Kosovën dhe “Shqypninë më kambë, me nder e me lumni”, ka porositur At Gjergj Fishta). 

Për nga natyra, përvjetorët shënohen dhe shërbejnë si një kujtesë!  Në 50-vjetorin e Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve kujtojmë themeluesin e saj, Dom Prekë Ndrevashaj.  E kujtojmë Dom Prekën, jo vetëm si klerik dhe si atdhetar e humanitar, por edhe si udhëheqës largpamës, i cili me besimin dhe me patriotizmin e tij dijti të frymëzojë shqiptarët e këtij komuniteti drejtë së ardhmes.  Të asaj të ardhme që është sot Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve, me Dom Ndue Gjergjin në krye. Kjo kishë kur udhëhiqej nga Dom Prekë Ndrevashaj e tashti nga Dom Ndou i ka dhenë dhe vazhdon t’i japë edhe sot këtij komuniteti, Kombit dhe Kishës Katolike shqiptare, në përgjithësi, shpresë e frymëzim.

Ndonëse këtë viti jemi në përvjetorin e kujtimit të Nanës tonë Shën Terezes –dua të përshëndes me respekt një pjesëmarrës në këtë përvjetor, Dr. Dom Lush Gjergjin, biografin e madh të Nenë Terezës, i njohur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht – por mbi të gjitha dhe mikun e të gjithë neve. Jemi krenarë me ju, Dom Lush! 

Nenë Tereza, kujdesej për të gjithë të varfërit pa dallim – Ajo nuk pyeste – para se të kujdesej për dike – nëse ishte katolik, mysliman, ortodoks ose ateist i pa fe, a po prej cilës krahinë ishte. Edhe Dom Preka ishte besnik ndaj këtyre parimeve fetare dhe kombëtare tradicionale për ne — bashkjetesës fetare ndër shqiptarët. Por, ai ishte besnik edhe ndaj parimit se edhe kundërshtarit i duhen njohur vlerat, meritat, të drejtat politike dhe liria e fjalës. Si i tillë, Dom Preka kishte një respekt të madh për Zërin e Amerikës — ku unë kam punuar për tre dekada — siç ve në dukje edhe autori Zef Përgega në librin e tij, “Kristale Dukagjini”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Dom Prekës. 

Të nderuar pjesëmarrës — Është meritë e kësaj kishe – themeluesit të saj Dom Prekë Ndrevashajt dhe e famullitarit aktual, Dom Ndue Gjergjit – që ndonëse Kisha Pajtore e Shqiptarëve — në thelb dhe në temel — është një qëndër e krishtërë katolike – kjo ka qenë, është dhe jam i bindur se do të mbetet një qëndër ku, përveç fjalës së Zotit, predikohen me zemër e me shpirt ndjenjat e shqiptarizmës, bashkjetesës fetare, vlerave të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, për të gjithë shqiptarët kudo gjënden dhe pa dallim.

Disa prej nesh, e njohëm Dom Prekën në kohën kur kishim më së shumti nevojë për të: në kulmin e luftës së ftohtë midis komunizmit terrorist të lindjes dhe demokracisë perëndimore. Në një kohë kur disa të rinjë malësorë të brezit tim dhe të Dr. Gjekë Gjelaj, aktivistit të njohur të kësaj famullie për dekada — në atë kohë – prej Dom Prekës, mendja na ishte ndriçue drejt vlerave të demokracisë perëndimore, megjithse nuk i njihnim ende aq mirë. Gjatë qëndrimit tonë në kampet e Italisë, në Dom Prekë Ndrevashajn, ne gjetëm një burr dukagjinas, një klerik dhe një patriot, i cili me ndjesitë e tij njerëzore dhe fetare, na ndihmoi rrugëve të botës, pa asnjë interes as dobi personale. Në personin e Dom Prekës, ne gjetëm Patriotin e shquar të idealeve për një Shqipëri e Kosovë me Zotin, të përparuara, në qytetërimin perëndimor – besim ky që pasqyrohej gjithmonë në vlerat, veprat dhe fjalët e tija. Pa Dom Prekë Ndrevashaj dhe klerikëve të tjerë shqiptarë të tre feve– megjithse kanë kaluar 50-vjet – dyshoj se komuniteti shqiptar në Amerikë do të ishte ky që është sot, në shumë pikëpamje.    

Dom Ndue, u përgëzoj Ju dhe famullinë që, njëkohësisht, kujtoni e përjetoni trashëgiminë e mikut tonë të përbashkët – mikut të shumë shqiptarëve, pa dallim feje a krahine. Sepse kështu nderoni veten dhe trashëgiminë e Dom Prekës me të cilën pasurohet shpirti i kësaj famullie e i këtij komuniteti, ndërsa rritet bujaria Juaj dhe begatohet Kisha edhe shpirti i Kombit.

Me festimin e 50-vjetorit dhe me kujtimin e themeluesit të Famullisë Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Dom Prekë Ndrevashaj, ju po kujtoni të shkuarën por, njëkohësisht, Ju po ndërtoni të ardhmen. 50-vjetori i themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve – është një përvjetor i art – golden anniversary – që ve në dukje trashëgiminë fetare dhe kombëtare, lenë pas nga Dom Prekë Ndrevashaj, por që shënon dhe kremton gjithashtu arrijtjet dhe sukseset e udhëheqsit aktual të kësaj famullie Dom Ndue Gjergjit dhe antarëve dhe Këshillit të përkushtuar të kësaj famullie, gjatë viteve.

Më në fund, Zonja dhe Zotëri — Urimet e mia më të përzemërta për këtë jubile historik.  Uroj që të vazhdoni, lumnisht, në veprimtarinë tuaj fetare dhe atdhetare – si përherë, në dobi të Kishës, identitetit dhe vlerave të Kombit – për Fe, Atdhe e Përparim – duke u përgëzuar të gjithë ju — me fjalët e mikut të ngusht të Dom Prekës, bashkpuntor i ngusht i të Madhit Ernest Koliqit me rastin e themelimit, “Për këtë veprimtari frytdhënse, duke ju uruar vazhdim të mbarë në këtë ndërmarrje të nisun me kaq zell e vullnet”, 50-vjetë më parë.  Ashtuqë, në fund të udhtimit tonë mbi këtë planet, secili prej nesh të mund të thotë me At Gjergj Fishtën: “Po vdes i kënaqur përse gjithë jetën teme ia kam kushtuar Fesë dhe Atdheut…”.

Po e mbyll këtë fjalë modeste, të përndershmit fetarë dhe të nderuarit e mijë vëllëzër e motra, të gjithë sa jeni, në shërbim të Zotit dhe të Atdheut, duke ju dëshiruar, bekimet e të Madhit Zot, sot dhe përgjithmonë! Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kombin Shqiptar, ndër shekuj! Zoti e bekoftë famullinë tuaj, Zoja Pajtore e Shqiptarëve, sot në këtë 50-vjetor, dhe gjithmonë!

Ju falënderoj nga zemra për ftesën dhe për durimin!”

Frank Shkreli*

*Në pamundësi për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore, fjala e autorit u lexua nga Huana Kurti – protagoniste e protestës së parë anti-komuniste në

mbarë Shqipërinë – për rrëximin e bustit të diktatorit komunist sovjetik, Stalin.

Disa foto nga Festivali (shtator, 2022) i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Southfield të Miçigenit

May be an image of 3 people, people standing and outdoors

May be an image of one or more people, people standing, outdoors and crowd

Nga e djathta, Imam Vehbi Ismajli, Dom Jak Gardini, Dom Prekë Ndrevashaj(themeluesi I Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve) dhe Padër Andre Nargaj – Dom Jak Gardini me kombësi italiane, nxënës i Dom Ndre Mjedës kakaluar një dekadë në burgjet e regjimit terrorist të Enver Hoxhës. Me porosi të Dom Prekë Ndrevashaj, Dom Gardini – të cilin e kam njohur në kampin e refugjatëve politikë në Trieste (1969) — mundësoi largimin tim nga ai kamp, për ndryshe, autoritetet italiane do më kishin këthyer nga kisha ardhur, siç ndodhi me shumë bashkombas tanë, në fillim të viteve 1970-ave. I përjetëshëm qoftë kujtimi i këtyre dy burrave fetarë e humanistë.  Këta dhe të tjerë udhëheqës fetarë shqiptarë në Amerikë, gjatë shekullit të kaluar, përfshir edhe Baba Rexhepin, Mons. Dr. Zef Oroshin dhe para tyre të Madhin Fan Nolin, kanë venë bazat e një bashkpunimi dhe bashkjetese fetare të pashoqtë në Shtetet e Bashkuara. Pasqyrim i vërtetë i kësaj bashkjetese shembullore vazhdon të jetë edhe Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve – në këtë 50-vjetor — në Southfield të Detroitit, nën udhëheqjen e Dom Ndue Gjergjit.

                                 See the source image     See the source imageBaba Rexhepi i Qendrës Bektashiane në Detroit dhe Dom Prekë Ndrevashaj, dy klerikë të dalluar ndër shqiptarë dhe dy burra të përkushtuar ndaj ndaj Fesë dhe Atdheut!

May be an image of 1 person

Dokumentar, Dom Prek Ndrevashaj, Kisha Zoja Pajtore, Zef Pergea, Marash Mirashi

Famullitari i Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve, Dom Ndue Gjergji me Papa Françeskun

Filed Under: Opinion

Solemnisht u promovua në Borås të Suedisë libri mbi historinë, kulturën dhe traditën shqiptare ”Shqiptarët një popull i lashtë në Europë”, në suedisht

October 9, 2022 by s p

Sokol Demaku/

Në prezencën e shumë miqëve, artdashësve, popeteve, shkrimtarëve, punetorëve politiko – kulturor të qytetit Borås por edhe nga qytete tjera suedeze sot në sallën madhështore të Qendres rekreative Anelundsvilla në Borås u bë promovimi i librit ”Shqiptarët një popull i lashtë në Europë” të cilën kohë më parë e nxorri në dritë Qendra Kulturore Shqiptare Migjeni me seli po në këtë qytet suedez dhe e punuar nga ana e anëtarëve të kësaj Qendre.

Të pranishmit me një fjalë hyrse kushtuar 111 vjetorit të lindjes së poetit të mjerimit Migjeni emrin e të cilit e mban Qendra Kulturore Shqiptare i përshendeti Hamit Gurguri, ndërsa për jetën dhe vepren e Migjenit foli poeti dhe shkrimtari e pedagogu i njohur në Suedi Rizash Sheqiri. Edhe anëtar te grupit punues Bahtir Latifi, Anxhela Ziso, Qerime Gurguri, Gladiola Jorbus paraqiten mendimet e tyre për punen e berë në këtë projekt madhor për shqiptarët.

Kjo ishte sepse QKSH ”Migjeni” cdo vit në muajin tetor organizon sesion letrat kushtuar poetit të mjerimit Migjenit emrin e të cilit e mban kjo Qendës e në kuader të këtij sesioni sot u bë edhe prezentimi i këtij libri i cili do jetë një udherrefyes për lexuesit skandinav pasi që libri është botua në gjuhën suedeze dhe do të shpërndahet në bibiloteka, shoqata dhe ente kulturore e shkolla për lexim në mënyrë që lexuesi të merr më shumë informacione dhe të njihet me historin, kulturëm, traditën, gjeografin, religjionet, kuzhinën, turizmin shqiptar.

Libri është punua në iniciativën e anëtarëve të Qendres Kulturore Shqiptare ”Migjeni” në Borås të Suedisë, duke parë të arsyeshme se mungonte një informacion i mirëfillt për shqiptarët, gjuhën shqipe dhe trojet shqiptare në Skandinavi.

Që në 2021 ishte formua grupi punues nga anëtar të QKSH Migjeni me banim në qytete të ndrushme suedeze në mënyrë që përfshirja në hartimin dhe punimin e librit të jetë sa më e gjerë me një përfshirje të autorëve nga të gjitha trojet shqiptare me banim në Suedi.

Qëllimi ishte që në ketë projekt të përfisheshin edhe subjekte nga vendlindja por nuk u arrit kjo, e pse nuk e dim, por ne ja arritëm që libri të dal në dritë dhe ky libër është pritur mjaft mirë nga lexuesi dhe se ka bërë jehonë.

Në lokalin pitoresk dhe atraktiv Anelundsvilla në Borås ishin të pranishëm miq të QKSH Migjeni, artëdashës të kulturës librit dhe letërsisë shqipe, miq suedez adhurues të kulturë shqipe, të cilët me një intersim të madhe pritën fjalën e rastit të poetit, shkrimtarit dhe perkthyesit Rizah Sheqiri, pastaj prezentimin e punës së bërë të QKSH Migjeni nga ana e Hamit Gurguri, angazhimin e grupit ne realizimin e projektit të prezentuar nga Bahtir Latifi, pastaj preznetimin veq e veq te secilit anëtar grupi në lamin e tij të punës që është përfshirë në libër.

U tha se libri është përgatitur edhe në gjuhën shqipe dhe se ka dal nga shtypi dhe pritet që së shpejti të shpërndahet tek lexuesi cka është një kënaqesi e veqant për autorët e librtit.

Filed Under: Fejton

Kryeministri Kurti: NATO-ja mbetet aleanca e vendeve që kanë synim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në nivel global

October 9, 2022 by s p

Prishtinë, 9 tetor 2022

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë dhe ishte folës në seminarin e 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën  “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme.

Në hyrje të fjalës së tij, kryeministri Kurti tha se NATO-ja, si një organizatë e dizajnuar për të promovuar vlerat demokratike, për të ndërtuar besimin dhe për të parandaluar konfliktet, vazhdon të mbetet aleanca e vendeve që kanë synim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në nivel global.

Në ambientin e sotëm global të sigurisë, vlerat demokratike dhe shoqëria njerëzore janë duke u sfiduar seriozisht nga shpërfaqja e ideve të vjetra por jo të vdekura siç janë hegjemonizmi dhe fashizmi, u shpreh kryeministri Kurti.

“Politika ekspansioniste dhe militariste e Federatës Ruse, tendenca kineze për hegjemoni ushtarake regjionale dhe hegjemoni ekonomike globale, përpjekja iraniane për ndryshim te ekuilibrit të forcave në Lindjen e mesme si dhe kërcënimi militarist i Koresë së Veriut ndaj Lindjes së largët, janë treguesit më të mirë se sa serioze dhe e brishtë është situata e sigurisë në nivel global”, veçoi ai.

Para të pranishmëve të shumtë në këtë Seminar, kryeministri Kurti përmendi edhe Ballkanin perëndimor si regjion me shumë probleme të pazgjidhura,  duke thënë se jo vetëm që nuk është imun por është tejet i cenueshëm në aspektin e stabilitetit dhe sigurisë. Lidershipi politik i Serbisë, siç potencoi ai, ka maksimizuar mundësinë që i ka dhënë ndryshimi i ambientit strategjik të sigurisë, për të shtyrë përpara interesin e saj parësor për një Serbi si homogjeni regjionale.

Republika e Kosovës është shumë e qartë në orientimin e saj politik dhe strategjik drejt integrimit në strukturat euro-atlantike. Në këtë aspekt, kryeministri tha se Qeveria e Republikës së Kosovës ndër prioritetet e saj kryesore ka promovimin e vlerave demokratike, angazhimin diplomatik për përafrim me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, si dhe ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s.

Në këtë frymë, kryeministri veçoi se në vitin 2022 ka ndarë buxhet prej 102 milionësh për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kjo shifër, siç deklaroi ai, shënon rritje prej 52% të kësaj linje buxhetore në krahasim me vitin e kaluar dhe synojmë që brenda mandatit të kësaj qeverie të arrijmë përqindjen prej 2% të GDP që është një standard i pashkruar për vendet e NATO-s.

Për më tepër, Qeveria e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e përkushtuar për të kompletuar aspektin ligjor për të mundësuar zhvillimin e FSK-së në përputhje me ushtritë e vendeve të NATO-s.

Kryeministri Kurti përmendi angazhimin  e Forcës së  Sigurisë së Kosovës në ndërtimin dhe fuqizimin e saj përmes trajnimeve të ndryshme dhe nën mbikëqyrjen e parterëve të NATO-s, duke veçuar pjesëmarrjen në ushtrimin “Defender Europe 21” dhe bashkëzbarkimin FSK-së me njësitë e Gardës Kombëtare të Iowas-s në lindjen e mesme.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe në veçanti institucionet e mbrojtjes dhe sigurisë, do të vazhdojnë të zhvillohen, modernizohen dhe përgatiten bashkë me partnerët tanë të NATO-s me synim që në një të ardhme të afërt, vendi ynë të anëtarësohet në NATO dhe të jap kontribut në promovimin e vlerave demokratike dhe paqen e sigurinë në botë.

Filed Under: Rajon

Enigma pertej oqeanit

October 9, 2022 by s p

Nga Albano Kolonjari (SHBA)/

“Me ne fund, dikush u kujtua edhe per mua”, thote Bashkim Muhedni, teksa na uron mirseardhjen. Ne Bronx, ulur ne klubin, “Portofino” ku te gjithe e njohin me emerin “Baci”, Muhedini, na tregon historine e tij, momentet brilante dhe ato te hidhura.  Pesha e viteve mbi supe  ne keto caste nuk ekziston. Rikthimi ne jeten e tij sportive, e ka gjalleruar, e ndersa duart i dridhen nga emocionet, ne syte tij  lotet jane grumbulluar dhe jane gati te “shperthejne”. Nuk e di perse, por ndersa flisnim per karrieren e tij sportive mu kujtua nje shprehje e filmit “Nje nate pa drite” kushtuar Migjenit :”…pashe nje lule qe u vysh para kohe…”.  Dhe ne fakt karriera brilante  e Bashkim Muhedint do te venitej (vyshkej) para kohe.  Shkaku?  Muhedini ishte ne ate kete kohe dhendri i Beqir Ballukut.  Ish drejtuesi i larte i PPSH ne vitin 1974  do te shpallej “armik i popullit dhe Partise” dhe per rrjedhoje Muhedini nuk mund te mbronte porten e Partizanit dhe Kombetares Shqiptare. 18 vjec ishte Bashkim Muhedini kur veshi per here te pare bluzen e ekipit te pare te Partizanit. Tete vjet me vone, ndersa ishte numri nje jo vetem e portes se kuqe por edhe Kombetares Shqiptare, Muhedini detyrohet te vare dorashkat ne gozhde. Ishte vetem 26 vjec…

“Kam lindur ne Tepelene, ne vitin 1949” thote Baci, “por me origjine jam nga Frasheri. Vij nga nje familje e madhe. Ne ishim 6 vellezer dhe tre motra. Vellezerit me te medhje ishin partizane. Pas luftes ata u vendosen ne Tirane, dhe me morren me vete. Isha vetem 3 vjec kur zbrita per here te pare ne Kryeqytet.  Futbollin e kam filluar qe femije ne moshen 8 vjece, kam luajtur te Fusha e zeze, te Fusha e Shallvareve, te Liqeni deri sa vajta ne Shkollen Skenderbeg. Ne shkolle fillimisht u aktivizova me basketboll, dhe me pas serisht me futbollin.  Traineri im i pare ka qene Ismet Mece. Ne ate kohe luanim ne Spartakiaden e Tiranes. Por ai qe me shtyu te luaja ishte Bejkush Birce, i cili ishte petagog i edukimit fizik ne Shkollen Skenderbej. Te Partizani me kane drejtua Refik Resmja, Rexhep Spahiu,  Loro Borici, Kolec Kraja etij. Por me shume jam dretuar nga i madhi Loro Borici, te cilin e kisha trainer edhe ne ekipin Kombetar.

Partizani dje

Ishte nje periudhe e veshtire tek Partizani. Skuadra kishte ngelur vetem me Mikel Jankun. Me morren nga te rinjte dhe me quan ne ekipin  e pare. Isha reth 17-18 vjec. Ishte nder te luaje per Partizanin sepse ishte nje nga ekipet me te mira ne Shqiperi. Por ne vend  kishte shume ekipe cilesore si Tirana, Dinamo, Vllaznia dhe Flamurtari. Cdo bluze eshte e rende per ate qe e vesh, por bluza e Partizanit, kishte dicka te vecante. Te kuqte ishin ekipi me popullor ne Shqiperi. Ishte sezoni 1969-1970.  Aktivizimin e pare kryej ne Kupen  e Shqiperise. Trainer ishte Refik Resmja. Mesa mbaj mend nuk donte ta aktivizonte  Mikel Jankun sepse ishte i grumbulluar me Kombetaren.  Ne takimin me Luftetarin Refiku aktivizoi Fatmir Lelen qe ne kete kohe ishte portier i dyte me Partizanin, rezultati ishte 2-0 per ne. Ne pjesen e dyte i madhi Resmja me beson porten. Por 90 minuteshi  i pare erdhi ne ndeshje me 17 Nentorin (Tirana sot). Ishte nje ndeshje qe nuk mund ta harroj skuadra luajti shume mire dhe ne fituam 3-0. Po kete vit fitojme edhe Kupen e Shqiperise.

Mikel Janku

Mikeli me ka ndihmuar shume. Kishte raste qe nuk bente stervitje vete dhe vinte me ndihmonte mua. Per mua eshte “profesori” qe me mesoi gjithcka qe kishte mundesi. Te zije vendin e Mikel Jankut ne porte ishte shume e veshtire. Fjale pak dhe pune shume. Jam i nderuar qe e kam njohur dhe kam punuar me te.

Tre Skenderbegas “Gardiane” te Partizanit

“Po te isha une ne porte nuk do te ishte Perlati”, thote me te qeshur Bashkim Muhedini.  Kur me hoqen mua, e moren Perlatin nga ekipi i te rinjeve, ku ishte portier i dyte. Ne nje ndeshje miqesore me Kinezet ai u aktivizua ne 45 minutat e dyta, duke treguar aftesite e tij, dhe ne kete menyre ai fitoi bluzen me numrin 1. Perlati ishte nje portier shume i mire. Une isha shume i kenaqur qe me zevendesoi nje Skenderbegas dhe tradita e mbrojtjes se portes vazhdoi.  Mikel Janku, une dhe Musta kemi dale nga shkolla Skenderbej. Po te ishte kjo shkolle tradita do te vazhdonte dhe Partizani do te kishte portiere cilesore. Nje nga elementet e sportit eshte disiplina e larte dhe kete disipline e fitoje ne shkollen e oficereve. Perlati per kohen ishte portier me i mire dhe cilesite e tij e tregoi se me Partizanin ashtu edhe me ekipin Kombetar. Ai po i tregon aftesite e tij tashme edhe ne fushen e traingut dhe elementi I ri duhet te mesoje sa me shume nga Perlati”.

Ylli im e ka emerin Panajot Pano.

Panajot Panon e kam patur shume mik. E Kam njohur familjarisht. Per vlerat e tij si njeri ishte i pakrahasueshem dhe sportist shume i  madh. Duhet shume pune per te bere nje futbollist si Panajoti. Ai me ka ndihmuar shume. Kur me thirren ne Kombetare, per here te pare, me morri me vete. Mbaj mend qe ishim grumbulluar ne malin e Dajtit. Panajoti me morri ne dhomen e tij, po keshtu veproi  edhe kur u grumbulluam ne Vlore. Me ndihmonte , me jepte keshilla, si te punoja, me fliste per futbollin dhe pasionin per te:”O nise rrugen, ose mos e nis fare, se rruga nuk lihet pergjysem”, me thoshte. Me te drejte eshte cilesuar “Mbreti” i futbollit shqiptar

Loro Borici

Loro Borici eshte pa dyshim trainer me i madh i futbollit shqiptar. Fale aftesive te tij ne arritem te fitonim Kupen Ballkanike me Partizanin ne vitin 1970. Ishte nje njeri i shkelqyer. Du ate them se Loro Borici eshte figura me komplekse e futbollit shqiptar. Ate e donin dhe e respektonin kudo qe ishte dhe gezonte nje popullaritet te madh. Kam pasur fatin e madh ta kem trainer tek Partizani dhe ne ekipin Kombetar.

Partizani Kampion i Ballkanit

Fitimi i titullit Kampion Ballkani me Partizanin eshte kujtimi me i bukur i jetes time sportive. Ne kishim fituar Kupen e Shqiperise. Pas fitimit te ketij trofeu na njoftojne se do te marrim pjese ne Kupen Ballkanike. Mbaj mend qe ne grup kishim ekipin jugosllav Sllaboda dhe Universitatea e Krajoves Rumani. Ne ate kohe udhetonim me autobus. Udhetimi nga Tirana ne Tuzla zgjati tre dite, dhe gjate rruges na u prish autobuzi yne, dhe ne Tuzla vajtem me autobuzat e linjes. Per te pare ndeshjen kishin ardhur shume kosovare. Ne kalojme te paret ne avantazh me ane te te madhit Pano. Ishte nje super gjuajtje e Panajotit nga 30-35 metra. Sllaboda barazoi rezulatin ne pjesen e dyte dhe ndeshja e pare me ta perfundoi ne barazim 1-1. Duhet te kete qene muaji maj i vitit 1970, kur luajtem ne “Qemal Stafa” me ekipin e njohur rumun Universitatea. Kemi fituar 1-0 me gol te Agim Jankut, me nje gjuajtje direkt nga goditja e kendit.  Nje eurogol per nga menyra e realizimit. “Kembeshpejti” Janku shenon edhe ne ndeshjen e kthimit ne Rumani. Partizani fiton edhe kete ndeshje 1-0. Ishim ne krye te grupi me pese pike. Ndeshjen e fundit qe zhvilluam ne Tirane me Sllabota humbasim 1-2, kalojme te paret ne avantazh me ane te Panajot Panos, me nje gol tipik si ai i ndeshjes se pare. Gjyqtari ne kete takim, pas nje nderhyrje qe bera ndaj nje sulmuesi jugosllav na ndershkon me 11 metersh dhe ata barazojne 1-1. Ne pjesen e dyte Sllaboda shenon golin e dyte, por pavaresisht humbjes ne kualifikohemi per ne finale. Perballe kishim nje nga ekipet me te mira bullgare ne kete kohe Beroe Stara Zagora. Ndeshja e pare luhet ne bullgari. Loro Borici na udhezoi te luanim me nje mbrojtje te ngjeshur dhe te aplikonim kundersulmin e shpjete. Ishte nje ndeshje e madhe. Besoj se ne stadium kane qene 30-35 mije tifoze bullgare. Ne pjesen e pare Sabah Bizi, ben qe stadium te heshte. Partizani kalon ne avantazh 0-1. Bullgaret barazojne ne pjesen e dyte 1-1. Ndeshja e kthimit ne Tirane nuk u zhvillua pasi bullgaret nuk e paraqiten. Ne kete menyre Partizani ne perberje te te cilit ishin futbolliste si”Panajot Pano, Bizi, Janku, Lin  Shllaku, Cani, Balluku, Berisha, Ziu, Cako, Shandro etj u shpall Kampion Ballkani.

Partizani sot!

Nuk i kam shkeputur lidhjet me Partizanin. Kur vete ne Tirane, takoj ish lojtare dhe drejtues aktual te Partizanit, dhe bisedoj me ta per cdo problem.  Shkaterimi i te kuqve filloi qe ne kohen qe drejtimin e moren Italianet. Me vone, kur njerezit pretendojne te marrin nje thele te madhe ngelin pa gje. Partizani ngeli pa koke dhe u braktis.  Partizani ashtu se edhe te gjitha klubet ne Shqiperi nuk kane ndonje organizim te mirfillte, sic kane te gjitha klubet Europiane apo edhe  ketu ne SHBA.  Sot ne Shqiperi ka nevoje per nje riorganizim te strukturave te klubeve. Kjo jo vetem qe nuk po behet, por klube me emer si Partizani dhe Dinamo po shkaterohen vetem e vetem se ato jane krijur vite me pare nga ministrite perkatese. Nuk e ka bota dhe nuk duhet ta kemi as ne. Kjo eshte e gabuar. Psh Amerika ka futbollin amerikan, mos valle duhet ta kemi edhe ne sepse e ka bota. Ne menyre absolute jo.  Oficeret dhe policet ne ate kohe kane paguar para per te mbajtur ekipin. Por edhe sot ka oficere, dhe police. Edhe ata e pelqejne futbollin, edhe ata e kane nje ekip. Nuk prish pune emeri. Partizani, Dinamo, Tirana, Vllaznia, Flamurtari jane ekipe madhore te Shqiperise. Jane ekipe te cilat njihen ne Europe, dhe kane shkruar historine e futbollit shqiptar. Dhe keto ekipe shteti shqiptar duhet ti shpalle “Monumet kulture”. Gjithsesi me vjen mire qe Partizani, u ngjit ne kategorine e pare, dhe uroj qe te kthehet ne gjirin e skuadrave me te mira, sepse eshte elita e futbollit shqiptar. Nje aresye tjeter per te cilen Partizani dhe Dinamo nuk duhet te shkaterohen eshte fakti qe popullsia e Tiranes eshte sot rreth 1 milion banore dhe ka shume te rinj qe duan te luajne futboll dhe te jene pjese e ketyre klubeve.

Debutimi me bluzen kuqezi.

Ndeshjen e pare nderkombetare e kam luajtur ne Rumani me ekipin Shpresa. Luanin perballe Greqise. Rezultati ishte 2-0 per helenet. Ne porte ishte Koco Dinella. Terreni ishte i veshtire dhe Dinella nuk ishte ne formen e tij me te mire.  Loro Borici me thote:” zhvishu dhe te behu gati, do te futesh ne fushe” . Ne fillim hezitova. Ishin 10 minutat e fundit te takimit:”cfare mund te bej”, i them,” nuk kam bere as nxehmjen e duhur, pastaj edhe rezulati eshte 2-0 per ta”. Por ne keto moment hidhet Ramiz Pregjja:”Futu ti se kjo eshte ndeshja e pare per ty. Futu dhe provo veten”.

Ndeshjen e pare me Kombetaren e kam luajtur perballe Gjermanise Lindore ne Karlsruhe ne vitin 1971. Gjermanet fituan me rezultain 2-0. Kjo ndeshje ka ngelur gjate ne kujtesen time. Gjermanet ishin superiore. Kam pritur aq topa ne kete ndeshje, aq sa mu duk sikur takimi perfundoi 12-0 per gjermanet. Pak muaj me vone fitojme me Turqine ne Tirane 3-0 dhe kjo ishte fitorja e pare dhe e vetme me bluzen e perfaqesueses Shqiptare.  

Enigma

Ne websajdet e futbollit emeri i Bashkim Muhedint figuron si portier i Partizanit deri ne vitin 1975. Por vete Bashkimi thote qe:”une kam qene pjese e Partizanit deri ne vitin 1976. Une qendrova ne klub por isha i pezulluar, dhe nuk mund te aktivizohesha. Mund te them qe Partizani ne kete moment nuk kishte nje portier te qendrueshem. Mbaj mend qe ata hoqen Arian Hoxhen sepse pesoi 4 gola. Qirko nuk mund te luante tek Partizani..Ne ndeshjen me Flamurtarin aktivizohem dhe fitojme 1-0. Takimin e ardhshem e kishim me Dinamon. Po te fitonim ate takim, fitonim edhe titullin Kampion. Perpara ndeshjes me komunikojne vendimin e FSHF perjashtimin nga klubi i Partizanit. Vite me vone mesova se pas vendimit te FSHF qendronte Hysni Kapo. Dhendri i tij Mehdi Bushati, kishte luajtur per Dinamon dhe ishte nje prej drejtueseve te sportit shqiptar. Ishte ai qe i kishte kujtuar Hysni Kapos se kush isha..Dhe Bushati me nje gur vrau dy zojgj, mua me hoqen perfundimisht nga klubi i Partizanit dhe Dinamo fitoi titullin Kampion.

Pertje Oqeanit.

Bashkim Muhedini eshte gjithmone ne ndikje te futbollit. Pak vite me pare Baci, drejton ne New York, ekipin e NYC Albania, e cila ka ne perberje futbolliste jo profesionale, te moshes mbi 30 vjec. NYC Albania aderon ne Ligen Cosmapolitane, (Cosmopolitan Soccer League).  Pas nje sezoni te mire, Muhedini, pas mosmareveshjeve me stafin drejtues jep doreheqjen nga drejtimi i skuadres. Por kjo nuk eshte hera e pare qe ish-portieri i Partizanit drejton nje skuader futbolli. Pas perjashtimit nga Klubi i Partizanit, per aresye politike, Muhedini punon fillimisht mesues ne Zall Bastar te Tiranes. “Kam drejtuar skuadren e Permetit, per pese vjet. Pas viteve 90-te ne Tirane ne perpjekje per te bere dicka, mora nje ekip femijesh”, thote Muhedini. “Futbollin e ndjek sepse e kam pasion. Por nuk jam me kete futboll qe luhet sot ne Shqiperi. Tek ekipet shqiptare mungon pasioni, dhe po nuk pate pasion nuk mund te luash futboll. Sot ata qe sponsorizojne futbollin japin shuma te medha per futbolliste e tyre, por ata njekohesisht kane vrare pasionin per futbollin, pasi shpesh jane ata qe luajne ne tavolina. Kur luaja une, Pano, Bizi, Janku, Lin Shllaku, etj, jo vetem qe ishim te apasionuar mbas futbollit, por kishim nje shpirt te larte gare, sacrifice, kishim besim tek vetja dhe i sherbenim kolektivitetit. Sot eshte e veshtire te gjesh nje ekip te tille ne Shqiperi”.

Kombetarja?. Vite me pare per te pare Perfaqesuesen ketu ne USA une dhe miq e mi kemi paguar shuma te medha, per ta pare ndeshjen ne Tv. Ka nje ndryshim shume te madh midis Kombetares se djeshme dhe asaj te sotme. Lojtaret qe grumbullohen aktualisht me Kombetare shumica luajne dhe streviten jashte me trainere me professional se traineret shqiptare. Kushtet stervitore, regjimi dhe organizimi jane te shkelqyera.  Nga te gjitha anet jane me superior. Por ne fushen e lojes ata me shume luajne ne menyre individuale, luajne me veperime personale, per te treguar se une jam ky. Aty nuk ka kohe, qe te tregosh se kush je, ate tregoje ne stervitje jo ne fushe. Ata duhet te japin me shume nga vlerat e tyre qe te arrihet rezultati. Duhet te luaje ne menyre kolektive dhe sakrifikojne me shume per bluzen e ekipit Kombetar, ashtu sic bente i thjeshti Pano me shoke”.

Na kane harruar.

MTRS dhe FSHF duhet te punojne se bashku, dhe te perpilojne nje ligj, nga ii cili te gjithe ish futbolliste e Kombetares perpra viteve 90-te te kene te drejten te marrin pension. Ne fund te fundit ne ishim lojtare “profesioniste” qe pagueshim nga shteti dhe Ministria duhet ten a jape pensionin qe na takon. Behet fjale per rreth 25-30 ish futbollite te ekipit kombetar”Thote Muhedini.

Ndeshjet e Muhedinit me ekipin Kombetar. .

1.12.06.1971KarlsruheWest Germany–Albania2:0QE-4
2.14.11.1971TiranaAlbania–Turkey3:0QE-4
3.21.06.1972HelsinkiFinland–Albania1:0QW-10
4.29.10.1972BucharestRomania–Albania2:0QW-10
5.06.05.1973TiranaAlbania–Romania1:4QW-10
6.03.11.1973TiranaAlbania–East Germany1:4QW-10
7.08.11.1973TiranaAlbania–China1:1

Filed Under: Sport

“NËNË TEREZA, MALLI DHE DHIMBJA PËR ATDHEUN”

October 8, 2022 by s p

Dr. Paulin Marku/

“Nënë Tereza” lindi më, 26 gusht 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997. Gjate misionit të saj religjioz arriti të shërbejë nëpër vende të ndryshme dhe fitoi zemrat e popujve të shumtë. Veprimtaria e saj e gjerë ndër popuj të vuajtur dhe të uritur, të sëmurë e të braktisur, të rinj e të vjetër që e bëri të njohur dhe të mirëpritur në shumë, e shumë shtete të ndryshme. Profili i lartë i Nënë Terezës, çmimi Nobel i Paqes është një vlerë dhe kontribut i rëndësishëm në shoqërinë mbarë botërore, ku padyshim për popullin shqiptar mbetet një përfaqësuese e denjë, e cila nuk ka harruar kurrë origjinën shqiptare dhe interesin për atdheun. Mund të thuhet se temat dhe diskutimet për të hulumtuar për jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës janë të pafundme, ku disa prej tyre janë trajtuar me seriozitet nga përfaqësues religjioz e akademik. Por, shumë prej nesh kemi gjithmonë kureshtjen për të ditur për veprimtarinë e saj fetare, raportet e saj me përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtare, si dhe në lidhje me vendlindjen e me familjarët. Prandaj, kjo është edhe arsyeja kryesore që humanistja e madhe, Nobel i Paqes dhe shenjtore nga Vatikani do të ngjall interes për t’u thelluar edhe më tepër në misionin e saj.

Profilin e lartë të Nënë Terezës e gjejmë të trajtuar që nga fëmijëria e saj, misioni religjioz në Indi dhe në shumë vende të ndryshme të botës, si dhe marrëdhënieve me përfaqësues të lartë të Vatikanit, Papa Gjon Pali II, Benedikti XVI, deri tek Papa Franqesku. Vlen që të citoj një thënie mjaft domethënëse të Nënë Terezës,“Jeta është vetëm një dhe unë dua ta shpenzoj duke mbjell dashuri deri në ditën e fundit të jetës time që do të marr frymë, kur në të vdesim do të marrim me vete vetëm valixhen e bamirësisë dhe unë do të kërkoj ta mbush sa të kem mundësi”. 

Nënë Tereza na jep mundësinë të njohim nga afër dhe të hyjmë në jetën e njeriut të urtë e të dashur që falë lutjeve, sakrificave dhe ndihmave për popuj të ndryshëm hyri në zemrën e secilit . Kjo është një dhunti e Zotit që pa sponsor, pa propagandë televizive dhe mediatike apo lobim të kishës katolike, ajo arriti të ketë impakt pozitiv në mbarë boten. E them botërore sepse veprimtaria e Nënë Terezës ishte e atillë dhe gjithashtu po aq e gjerë dhe e ndjeshme për shtresa të ndryshme sociale-ekonomike dhe kulturore, tek fëmijët, pleqtë, të sëmurë, të varfrit, nëpër popuj të dhunuar dhe të frustruar nga luftëra të ndryshme, si dhe për përpjekjet e vazhdueshme që të ngrejë raporte, jo vetëm shpirtërore e religjioze por edhe institucionale në mbarë boten. Por, në lidhje me marrëdhëniet e saj me familjaret dhe atdheun gjatë regjimit komunist në Shqipëri, mbeten një sfide e madhe, të cilës iu refuzua kërkesa për të vizituar familjaret. 

Shqipëria e regjimit komunist filloi kalvarin e luftës së pandalshme kundër ideologjisë fetare me 6 shkurt të vitit 1967. Komunizmi urdhëroi mbylljen e institucioneve fetare (kisha e xhamia). Për popullin shqiptar regjimi ishte i ashpër dhe pasojat qenë të mëdha në Shqipëri, përfshirë dhe besimet fetare. Regjimi përdorte forma të ndryshme nga më të dhimbshmet, nëpërmjet torturave deri në eliminimin fizik, persekutimeve, internimeve familjare, dhe, po aq e ashpër dhe me komunitetet fetare,  në mënyrë që të ndalohej plotësisht liria e besimit fetarë. Këto pasoja të rënda  ndikuan edhe për shqiptarët që ndodheshin jashtë vendit, pasi iu mohohej e drejta për të vizituar të afërmit në Shqipëri. Po ashtu, pasojat e regjimit ishin të rënda edhe për Nena Terezën e cila kishte në Shqipëri nënë e motrën dhe nuk arriti t’i vizitonte për së gjalli. Njeriu i urtë dhe i dashur që u mirëprit me respekt dhe dashuri në shumë vende të botës, jo vetëm nuk gjeti mikpritje në Shqipëri por saj iu mohua  kërkesa që të vizitonte familjaret. Shqipëria ishte shpallur me kushtetutë shtet ateist. Në dekretin nr. 5912, të korrikut të viti 1979, citoj, “personat që paraqesin rrezik për sistemin shoqëror socialist të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë mund të internohen në mënyre arbitrare dhe për një kohë të papërcaktuar pa asnjë proces gjyqësor. Vendimi për këto dënime do të merrej nga gjykatat por nga organet administrative lokale. Pra, kushdo mund të ishte pre e sistemit dhe mund të dënohej nga organet drejtuese administrative lokale, pa dalë përpara një trupe gjykatësish edhe pse shërbëtore të sistemit komunist.  

Përballjet e shqiptareve me regjimin ishin të vazhdueshme me vrasje e dhunë fizike-psikologjike, përsekutime e internime, përfshirë edhe përfaqësuesit fetarë. Përballjet ishin po aq të ashpra dhe të dhimbshme dhe për klerikët katolik në Shqipëri. Regjimi do të rezultonte i ashpër edhe për Nënë Terezën. Malli dhe dhimbja për familjen dhe atdheun u shtua  më shumë me 12 korrik 1972, kur i vdiq nëna Drane dhe do të varrosej në Tiranë. Nënë Tereza e pati të pamundur të hidhte një grusht dhe mbi varrin e nënës saj të shtrenjtë, si dhe të motrës, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte refuzuar kërkesën për të hyrë në Shqipëri. 

Gjatë kësaj periudhe, Nënë Tereza shfaqte interes të vazhduar për të vizituar trojet shqiptare dhe arriti të shkonte në Prizren në vitin 1970, pas 8 vitesh 1978 vizitoi vendlindjen e saj, Shkupin dhe në vitin 1980 vizitoi Prishtinën ku u prit edhe aty me ngrohtësi e dashuri nga bashkatdhetarët shqiptarë.    

Pas vdekjes të diktatorit Enver Hoxha, 11 prill 1985 i cili qëndroi në krye të tiranisë tij për 41 vite, ka disa sinjale sikur po zbutej persekutimi ndaj fesë.  Hapja e Evropës lindore dhe njëfarë liberalizimi të politikes së jashtme, ngjallte shpresa tek nënë Tereza se një dite do të vizitonte edhe Shqipërinë. Në gjysmën e dytë të viteve 80-të, dukej sikur diçka po lëvizte edhe pse me ritme të ngadalta. Kështu, pas vdekjes së Enver Hoxhes qeveria bënte ndonjë lëshim dhe mundësoi lirimin e ndonjë kleriku dhe lejoi udhëtimin  ndonjë përfaqësuesi religjioz për në Shqipëri. Ajo që kishte pritur gjatë dhe lutej vazhdimisht për popullin shqiptarë dukej sikur po ngjallte shpresën që një ditë edhe humanistja shqiptare do të vizitonte shtetin ateist të izoluar nga regjimi komunist. Me ndërhyrje të ndryshme edhe të autoriteteve ndërkombëtare, Nënë Tereza arriti të shkelë në Shqipëri, më 15 gusht të vitit 1989 që shënon një prej ngjarjeve më të rëndësishme gjate regjimit komunist në Shqipëri. Ajo ishte e mbushur me mall dhe me dhimbje, e cila nuk kishte patur mundësi të vizitonte familjarët për së gjalli dhe as të merrte pjese në varrimin e nënës dhe motrës që prehej në paqen e amshuar në varrezat e Tiranës. Vizita e Nënë Terezës në Shqipëri ishte me karakter privat por u ndoq me interes nga autoritetet e larta shtetërore dhe lëvizjet e saja ishin të monitoruara nga sigurimi. Pasi takimet me autoritete te larta, si në rastin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe me Kryetaren e Frontit Demokratik, Nexhmije Hoxha dhe ndalesa në varrin e diktatorit Enver Hoxha, ngjallen kureshtje dhe interes të madh në qarqet kombëtare e ndërkombëtare.  

Studiues, Markus Peters në librin e tij “Përballjet e kishës katolike në Shqipëri 1919-1996” e cilëson qëndrimin e Nënës Tereza si një diplomate të mprehtë. Ai shprehet se, edhe pse vizita ishte me karakter privat, Nënë Tereza pranoi të takonte autoritete shtetërore: Ministrin e Jashtëm, Reis Malile; Kryetaren e Frontit Demokratik, Nexhmije Hoxha; si dhe vizitoi edhe varrin e diktatorit Enver Hoxha, edhe pse ky i fundit i kishte refuzuar e privuar çdo tentative për të hyrë në Shqipëri. Nënë Tereza do të pohonte: “Jam thellësisht e prekur dhe shpreh mirënjohjen time të thellë viktimave e martirëve të Kombit që kanë dhënë jetën për Çlirimin e Kombit”. Një përkufizim i thelle dhe domethënëse që linte hapësire për interpretim.

Në këtë periudhe, Nënë Tereza ishte në një moshë relativisht të thyer por me një përvojë të madhe humanizmi në spektrin global.  Ajo udhëhoqi me pasion e përkushtim “Komunitetin e Dashurisë”, i përberë prej me shumë se 3500 vetë pjese e misionit, të shpërndarë në 470 shtëpi, nëpër vende të ndryshme, për më shumë se 95 shtete të botës, por me një peng në zemër që lutej vazhdimisht që të arrinte të hapte qendrat e saj edhe në Shqipëri. Përpjekjet e saj ishin të vazhdueshme. Më, 2 mars 1991 ajo u rikthye në Shqipëri dhe zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të qeverise shqiptare. Në takimin që pati me Presidentin Ramiz Alia ajo i kërkoi drejtpërdrejt që të hapte qendrat e saj në Shqipëri. Përgjigjja ishte e prerë dhe justifikohej se kushtetuta nuk e lejonte atë, ndaj e kishte të pamundur realizimin e kësaj kërkese. Por me urtësinë e saj, Nënë Tereza pohonte se nëse  ekzistonte vullneti dhe dëshira e mirë mundet që të ndërrohet kushtetuta. Edhe pse kërkesa iu refuzua, ajo nuk hoqi dorë për të hapur qendrat e saj dhe në Shqipëri. Shumë shpejt do të hapej qendrat në Shqipëri. Dy qendrat e para u hapen në Tirane dhe në Shkodër. Në vitin 1993 u hapen disa qendra “Komuniteti  Dashurisë”, dy në Tiranë dhe nga një në Shkodër, Puke, Durrës, Elbasan, Korçe, etj… . 

Hapja e qendrave dhe vendosja e pluralizmit në Shqipëri ishte mundësi e mirë edhe për Vatikanin që të ndërtonte ura bashkëpunimi me vendin ateist që gjatë regjimit komunist kishte mbyllur kisha e xhamia dhe arrestuar e internuar klerikë te ndryshëm duke ndaluar me ligj lirinë e besimit fetar. Më 25 prill të vitit 1993, Papa Gjon Pali II-të, së bashku me Nënë Terezën vizitojnë Shqipërinë. Nga katedralja e Shkodrës papa shprehej: “Atdheu i saj është këtu. Edhe në kohët e izolimit të plotë të Shqipërisë, kjo rregulltare e përvujtme ishte ajo qe e përçonte emrin e atdheut në mbarë botën. Në personin e Nënë Terezës, Shqipëria është nderuar gjithmonë.  

Nënë Terezës u nda nga jeta, më 5 shtator 1997 por falë punës, përkushtimit dhe dashurisë që kishte për njerëzit, arriti të kishte famë botërore. Ajo nderohet me respekt the konsideratë të thellë anë e mbanë globit. Po ashtu, Vatikani ndihej krenarë për veprimtarinë e bamirësisë së saj,  ndaj hapi dhe procesin e lumturimit, i cili u finalizua me sukses me 19 tetor 2003. Nënë Tereza u shpall e lume dhe në homelinë e rastit së lumturimit, Gjon Pali II pohonte “Madhështinë e saj e shikojmë në aftësinë për të dhënë pa marrë asgjë, për të dhuruar deri në dhimbje, gjithë jetën e saj ishte një Ungjill i gjallë. 

Për t’u pasuar më pas me shenjtërimin e kanonizuar, më 4 shtator 2016 në sheshin Shën Pjetri në Vatikan, celebruar nga papa Franqesku.  

Për Nënë Terezën janë shkruar dhe, padyshim, që do të shkruhen edhe libra te tjerë pasi veprimtaria dhe kontributi i saj është jashtëzakonisht i madh. Për vete faktin se ajo u gjend pranë njerëzve të vuajtur dhe të dhunuar, të uritur e të sëmure. Nëna Tereza ndoqi me mall dhe me dhimbje gjendjen në atdhe, 

Siç e pohonte Nënë Tereza “Për të promovuar paqe në botë ,shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde”.

Filed Under: Opinion Tagged With: Paulin Marku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT