• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2022

KKAD MBAJTI TAKIMIN E FUNDVITIT 2022

December 31, 2022 by s p

Sektori për informim i KKAD

Mustafë Krasniqi

Ein Bild, das Text, verschieden, Regal, darstellend enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës (KKAD), mbajti takim në shenjë të fundit të  vitit, më 29 dhjetor 2022, në  ZOOM.  Takimi filloi me përshëndetje dhe me ngritje gotash për hir të festave të fundvitit! Ky ishte vit i sfidave dhe në të njëjtën kohë i sukseseve, u tha në takim!

Me rastin e hapjes së takimit, kryetari i KKAD-së, Dr. Vaxhid Sejdiu, i përshëndeti të pranishmit, që shfrytëzoi rastin të na informojë në lidhje me përpjekjet, pengesat dhe të arriturat e KKAD-së. Ai na njoftoi për takimin mbarëkombëtar, i cili ndodhi në Tiranë e Shkodër “Shqipja në Diasporë”, që u mbajt nga data 26-27 nëntor 2022 dhe përkrahjen reale nga të dyja shtetet tona, Shqipëria dhe Kosova, por pa e harruar edhe Maqedoninë e Veriut, pasi që edhe aty ka shumë shqiptarë dhe nxënës në mësimin plotësues, në Diasporë. U përmendën të arriturat, por edhe synimi për vitin tjetër, se si ta realizojmë plan-programin e këtij viti, duke filluar me manifestimin e festave kombëtare, mbajtjen e seminareve, Ditën e Mësuesit me logon “Lule për mësuesin 22”, ku morën pjesë mësimdhënësit nga mbarë diaspora shqiptare, përfaqësuesit institucional të tri shteteve, të Shqipërisë, Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Vendimi për shpalljen e 50-vjetorit të Kongresit Drejtshkrimor, vit jubilar, me moton “Viti i Gjuhës Shqipe”. Nisur nga mërgata, shqiptarët kudo që janë, shkrues, poetë e njerëz të shkencës, që së bashku me institucionet tona të punojmë për një diasporë të unifikuar, me qëllim të ruajtjes së gjuhës shqipe te fëmijët tanë mërgimtarë dhe kulturës kombëtare në Diasporë. Po ashtu, edhe takimi i fundit i këtij viti, Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD), së bashku me Qendrën e Botimeve për Diasporën (QBD), që u zhvillua një trajnim një-ditor në Zvicër, me mësues nga Bavaria e Gjermanisë, Austria dhe Zvicra. Ky takim u mbajt në vazhdën e aktiviteteve, në kuadër të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, të cilin përvjetor KKAD-ja e ka shpallur “Viti i gjuhës shqipe”.

Pas kryetarit të KKAD-së, dr. Vaxhid Sejdiu, fjalën e morën; Mustafë Krasniqi, Mira Shehu, Teuta Tabaku, Miradije Berisha, Dritan Mashi, Aurela Konduri, Anila Kadija, Musa Pali dhe Isuf Bytyçi, të cilët rikujtuan në mënyrë kronologjike ditët më të mira të punës së këtij këshilli dhe sfidat që kishin kaluar përgjatë këtyre viteve. Fillimisht si Këshill i Mësuesve Shqiptarë të Diasporës (KMSHD) u quajt dhe më vonë si  Këshill Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë, por pa e harruar misionin që kishim, me këtë emër fituan edhe VKM-në nga ana e qeverisë shqiptare, në të cilën thuhet: 

“Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës do të bëhet pjesë e konsultimeve dypalëshe, me dakordësim paraprak, midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, në funksion të marrëveshjeve për mësimdhënien në diasporë. Po ashtu që Mësuesit shqiptarë në Diasporë, me Këshillin Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, do ta kenë një mekanizëm në dhënien e opinioneve profesionale për arsimin shqip në Diasporë”.

Zotimi i Anëtarëve të KKAD-së, ishte që në vitin që vije 2023 do të na gjejë më të përgatitur dhe me angazhime të reja, ku u përcaktuan si prioritete tri propozime, që mbetën në mesin e janarit të diskutohet dhe në lidhje me to të merren vendime, për realizimin e tyre.

Po ashtu, mbetemi me shpresë se edhe Kosova do të na njohë sikur VKM-ja e Shqipërisë, me qëllim që bashkëkombësit dhe shoqatat, që ta ndihmojnë shkollën shqipe dhe mësimdhënësit ta kenë një adresë të vetme, sepse vetëm të bashkuar vijmë deri te unifikimi i Diasporës shqiptare. Ndërsa, z. Sejdiu shtoi duke thënë: Ky vit vërtet ishte sfidues, por që ka qenë vit i sukseseve për ne dhe KKAD-në! Ishte, sepse kemi pasur shumë takime institucionale, të cilat ishin në përkrahje, po ashtu arritëm të fitojmë përkrahje edhe nga shumë shoqata, mësimdhënës e prindër në botë, aty ku ka shqiptarë, që nga Amerika, Kanadaja, Anglia, Gjermania, Zvicra, Italia, Austria, Kroacia, Sllovenia e deri te Stambolli  etj.

Takimi u përmbyll me urime për Vitin e Ri 2023 dhe u ngritën gotat, për shëndetin mësuesve, të nxënësve dhe mbarë shqiptarëve, kudo që janë!

Filed Under: Interviste

Barbara –Jacques Prevert

December 31, 2022 by s p

A të kujtohet Barbara

Atë ditë mbi Brest binte shi pandërprerë

E ti ecje e qeshur

E shndritur, e ngazëlluar, e qullur

Nën shi

A të kujtohet Barbara

Mbi Brest binte shi pandërprerë 

Dhe të takova në rrugën e Siamit

Ti buzëqeshe

Edhe unë buzëqesha

Kujtoje Barbara

Ti që nuk të njihja

Dhe ti që nuk më njihje

Kujtoje Barbara

Kujtoje atë ditë

Mos harro

Një njeri i strehuar nën një portik

 E thirri emrin tënd

Barbara

E ti vrapove drejt tij nëpër shi

E qullur, e ngazëlluar, e shndritur

Dhe u hodhe në krahët e tij

Kujtoje atë Barbara

E mos u zemëro që po të them ti

Unë u them ti të gjithë atyre që i dua

Madje edhe atyre që veç një herë i kam parë

Unë u them ti të gjithë atyre që duhen

Madje edhe kur nuk i njoh

Kujtoje Barbara

Mos e harro

Atë shi të urtë e të lumtur

Në fytyrën tënde të lumtur

Mbi atë qytet të lumtur

Atë shi mbi det

Mbi arsenal

Mbi anijen Ouessant

Oh Barbara

Çfarë marrëzie lufta 

Ç’po ngjan tani me ty

Nën këtë shi prej hekuri

Prej zjarri, prej çeliku, prej gjaku

E ai që të shtrëngonte në krahët e tij

Dashurueshëm

A është i vdekur, i zhdukur apo ende është gjallë

Oh Barbara

Mbi Brest bie shi pandërprerë 

Ashtu siç binte përpara

Por, nuk është më njësoj dhe çdo gjë është shkatërruar

Është një shi i pikëllimit, i tmerrit e dëshpërimit

Nuk është më as stuhia

Prej hekuri, prej çeliku, prej gjaku

Janë thjesht retë

Që ngordhin si qentë

Qentë që zhduken

Në rrjedhën e ujërave të Brestit

E venë të kalben diku larg

Larg, shumë larg Brestit

Nga i cili s’ka mbetur më asgjë.

Përktheu nga frëngjishtja: Sadik Elshani

“Barbara”, një poezi evokative që evokon dashurinë, humbjen, kujtimet, është njëra ndër poezitë më të njohura të skenaristit e poetit të mrekullueshëm francez, Jacques Prevert (1900 – 1977). Hynë në radhën e poezive më të bukura të dashurisë të letërsisë franceze dhe asaj botërore. Është një poezi e shkruar në vargun e lirë, pa rima e pa strofa, me një gjuhë të thjeshtë, te rrjedhshme e të drejtpërdrejtë – tipike prevertiane. Përsëritja e fjalëve, shprehjeve e sidomos, epiteteve, sikur ia shton edhe më tepër muzikalitetin. Ngjarja është vendosur në dy kohëra në qytetin Brest të Francës: kohët para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë asaj lufte, në vitin 1944, qyteti gati i tëri është shkatërruar nga bombardimet e aleatëve mbi forcat gjermane. Në Brest kanë qenë të përqëndruara forcat detare gjermane, sidomos ka qenë qendër e nëndetëseve.

Pjesa e parë e kësaj poezie është ajo pjesa e lumtur e asaj jete të patrazuar para luftës. Një vajzë është duke ecur nëpër shi për ta takuar të dashurin e saj dhe rastësisht takohet me poetin në “Rrugën e Siamit”. Nuk njihen, por megjithatë i buzëqeshin njëri – tjetrit. Madje poeti as emrin nuk ia di,por e dëgjon nga i dashuri i saj që po e thërriste:Barbara! Zakonisht ditët me shi janë pak ca si të zymta që ngjallin atë ndjenjën e melankolisë. Por, atë ditë të rëndomtë e me shi, Preverti me magjinë e tij poetike e shndërron në një çast, ditë të lumtur. Ai shi dhe ai takim i dy dashnorëve nuk janë të rastësishëm në këtë poezi.

Pjesa e dytë është më e zymtë, më e trishtë, sepse tani mbi Brest nuk bie më ai “shiu i urtë e i lumtur”, por një shi tjetër, shiu “prej zjarri, prej çeliku, prej gjaku”. Në vend të pikave të shiut, tani bien bombat që shkatërrojnë çdo gjë. Kështu krijohet një kontrast që e forcon edhe më tepër porosinë e kësaj poezie kundër luftës e dhunës. Sikurse në poezitë e tjera të Prevertit, sidomos në atë me titull, “Gjethet e vdekura”, edhe në poezinë, “Barbar”, ndeshemi me motivin e fateve të njeriut, mbështjellur me atë velon e misterit, kujtimeve, kurreshtjes e dhimbjes: ç’ka ndodhur me Barbarën dhe të dashurin e saj në atë kasaphanë? Mund të ketë ndodhur çdo gjë, sepse lufta është marrëzi, është tmerr, është shkatërrim.

Preverti është poet i jetës së përditshme, çasteve të jetës, i poezive që na ngjajnë neve, siç shprehet vetë ai. Shpesh këto skena nga jeta e rëndomtë shërbejnë si një sfond për motive e tema shumë më serioze, si në poezinë, “Barbara”. Si shumë poezi të tjera të Prevertit, edhe kjo poezi u është nënshtruar notave muzikore dhe është bërë një këngë e bukur, kënduar nga këngëtarë shumë të njohur, si: Yves Montand. “Barbara” është poezi për dashurinë e kundër luftës.

Philadelphia, më 28 dhjetor 2022

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Kulture Tagged With: Sadik Elshani

Mbi vëllimin poetik “Lotus” të poetes Ermira Mitre

December 31, 2022 by s p

Dr. Yllka FILIPI

New Jersey, U.s.a

Vëllimi poetik “Lotus” i poetes Ermira Mitre plazmon të gjitha tragjeditë e un-it modern, i shkund e i shpërbën ato thellësive të ujërave të detit të vendlindjes, Durrësit, me dallgët dhe  shkumën e bardhë. 

     Ky shpërthim i fortë lirik i gjithë filozofisë jetësore kapërthen krejt strukturën e veprës, e guxon të gjenerojë trajtën dhe poliformën e qenies humane brenda të vetmit rreth ciklik ekzistencial. Vargjet e poetes janë kura metaforike shpirtërore drejt qasjes kah dhimbja e individit modern që synon qendërzimin e fuqisë shkatërruese të dramave të nxehta globale, e më pas thërrmijëzimin e tjetërsimin e fuqisë vepruese ciklike të të gjitha hallkave zinxhir të kësaj strukture komplekse deskriptive e tejet të thellë të qenies. Trëndafili i Shenjtë i Kopshteve Ujore të Nilit, kjo Lule e Vetmuar farat e së cilës ja dalin të mbijnë edhe pas një mijë vjetësh, ridimensionohet e derdh asht e diell në baltën e pellgjeve të zemrës.

     Struktura unazore zinxhir e vargjeve të thyera vegjeton rizomën e butë, tejet fleksibile nëntokësore të shpirtit të nënës, gruas, femrës e shenjtërisë së saj nën një kurbë të mbyllur molekulare në dimesionet e të menduarit dhe të të ndjerit si proces e produkt i vetmisë së un-it modern në trajtën e Lot-usit tashmë të risemantizuar. Mijëra unaza sulfonike të atomeve të dhimbjes vdesin e shkatërrohen brenda kësaj vene të imët në formë çadre lulesh(lotus-esh) e lotësh (lot-us-esh) të cilat rrjedhin brenda një kërcelli cilindrik meditativ duke gjeneruar aciklizim në gjeosferën shpirtërore, pra një lloj dalje dinjitoze nga kozmosi i dhimbjes (nëntoka, pellgu, vetmia mijëravjeçare) drejt lirisë e mbijetesës (lulja, sipërfaqja, horizonti) dhe kjo falë energjisë diellore dhe gravitetit që buron nga forca e madhështia e qenies e cila pasi akumulon, përmbys e hirëzon rëndesën e plagëve, ja del të ridimensionojë universin e mbushur me enigma. Simbolikisht hiri i dhimbjes ushqen rrënjët, teksa rrjedh në trajtë shkrirjeje e avullimi për të  vepruar si astrigjent e vazodilatator kurativ që finalisht ethet e Tokës së mbarsur me enigma, e Balta biblike që përpëlitet të mund të bien në qetësi, si një qytet në gjumë të paqtë. Ndërsa hulumton nëpër faqet e librit shërohet shpirti, dhimbja vdes e bëhet aciklike teksa e vërteta derdhet ndër sy.

     Risemantizimi i lumturisë njerëzore e cila nuk është gjë tjetër veçse gjurma e dalë organikisht nga molekulat e dhimbjes, limfatizon sythat e kuptimit më të vjetër ekzistencial, vetëpërmbushjes  shpirtërore, e cila arrihet pa buisjet e absurdit, thjesht e vetëm kur shpirti është në gjendje të lirë, duke u bërë kështu pjesë integrale  e bërthamës së universit letrar  të vëllimit poetik “Lotus”. Brengat e autores Ermira Mitre, zbërthyer nën dritën e intertekstualizmit poetik janë drama universale e qenies moderne të rrezikuar orë e çast nga ritmi i çrregullt i kohës që vrapon, apo boshësitë e të vetmit segment fryme prej rrugëtari që i dhurohet  elementit- kyç të dilemës së përbotshme të un-it me vdekjen, fatin, dhe vetminë. E strukur ndër uturimën e erërave autorja shndërrohet në thelbin e fortë nuciterian që mban farat në prag fundosjeje, (nuciter-in/ frutin nw formw arre tw lot-us-it), apo më tej në stomakun që bluan tragjeditë, teksa pi me Çarl Bukovskin… dhe e përpirë mendimesh, bëhet e padukshme… e lind në zemër të zambakut… Nelumbo Nucifera (lat./lotus) 

     E gjithë kjo amalgamë dridhjesh shpirtërore nelumbonaceaene vet’shndrit përkundër të gjitha inflamacioneve dramatike të kohërave të trazuara ku jetojmë, duke u bërë kështu perqasja lirike më dinjitoze dhe infiltrimi limfocitar më shprësëdhënës drejt rrjedhës vërshuese të spiralit të pafund të rrethit ciklik ekzistencial, të padiktuar tashmë nga koha dhe hapësira, por thjesht nga kjo  energji qarkulluse jetëdhenëse e cila i jep kurajo dhe forcë un-it poetik të guxojë të ngrihet sërish pas rënies, ashtu si Dielli në lindje duke ia besuar këtë gravitancë denjësisht të gjitha pritshmërive të  lexuesit universal.

Dr. Yllka FILIPI

New Jersey, U.s.a

Filed Under: LETERSI Tagged With: Yllka Filipi

Legjenda e gazetarisë botërore Barbara Walter vdiq në moshën 93 vjeçare

December 31, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Bota e gazetarisë Broadcast amerikane dhe në botë ka humbur sot një nga ikonat e gazetarisë, modelin e gruas së guximshme, legjendën e Televizioneve, pioneren e letrave.
Barbara Walters ishte një legjendë e vërtetë, ajo ishte një reportere e jashtëzakonshme që ka marrë intervistat më të rëndësishme të kohës që nga drejtues të shtetit, diktatorë, liderët e regjimeve deri tek personazhet më të famshëm te artit dhe ikonat e sportit.
Walters intervistoi një sërë liderësh botërorë, duke përfshirë Fidel Castro, Margaret Thatcher, Muammar Gaddafi, Saddam Hussein dhe çdo president dhe zonjë të parë të SHBA-së që nga Richard dhe Pat Nixon. Ajo fitoi 12 çmime Emmy, 11 prej tyre kur ishte në ABC News.
Edhe për mua në këto 26 vjet në Amerikë ka qenë modeli më i hyjshëm dhe më frymëzues.
Gjithmonë e shikoja me kërshëri modelin tim sidomos në programin: 20/20.
Barbara Walters ishte nga ato gazetare që shumë do të ecin në gjurmët e saj të ndritura, sepse është egzaktësisht si në thënien e saj të famshme:
“Suksesi mund t’ju bëjë të shkoni në një nga dy rrugët. Mund t’ju bëjë një Prima Donna – ose mund të zbutë skajet, të largojë pasiguritë dhe të lërë gjërat e këndshme të dalin në dritë.”
Ironi e fatit që ajo kaloi në amëshim para natës së Vitit të Ri.
Prehu në Paqe Barbara Walters!

Mirënjohja është kulturë , është fisnikëri

Ndërkohë me vdekjen e saj ne mësojmë se si mijëra gazetarë shprehin mirënjohjen për çfarë Barbara Walters iu dhuroi njerëzve në Amerikë dhe në botë.
Mirënjohja ëhtë kulturë, mirënjohja është fisnikëri.
Oprah Winfrey, një ikonë tjetër, një ndër gratë më të famshme në botë dhe më e pasur u shpreh për vdekjen e saj:
“Pa Barbara Walters nuk do të kisha qenë unë, as ndonjë grua tjetër që shihni në mbrëmje, mëngjes dhe ne lajmet e përditshme në TV. Ajo ishte me të vërtetë një Trailblazer. Unë e bëra audicionin tim të parë televiziv me atë në mendje gjatë gjithë kohës.
Mirënjohëse që ajo ishte një model kaq i fuqishëm dhe i hirshëm.
Mirënjohëse që e njoha. Mirënjohëse që kam ndjekur dritën e saj.
David Muir gazetar i shquar në World News në ABC u shpreh:
“Aq shpesh ne i përdorim fjalët – ikonë, legjendë, pionier – por Barbara Walters i kishte të gjitha këto – dhe ndoshta mbi të gjitha, Barbara Walters ishte e guximshme. Ajo hapi rrugën për kaq shumë nga ne. Ne mësuam prej saj dhe mbesim mendje hapur prej saj edhe sot e kësaj dite.
RIP, Barbara.

30 Dhjetor, 2022
Staten Island, New York

Filed Under: Interviste Tagged With: Keze Zylo

Pasqyrim real e profesional i kronologjisë së ngjarjeve gjatë luftës në Kosovë

December 31, 2022 by s p

Nga XHAVIT ÇITAKU

Förhandsgranskning av bild

Ta lexosh një libër të shkruar nga një ekspert e profesionist ushtarak, nuk do të thotë se kënaqesh vetëm me përmajtjen e tij, por njëkohësisht, padyshim, se do të mësosh shumë për një fushë që vetëm një numër i kufizuar njerëzish kanë dije e përgatitje shkollore- akademike për të. Këtë përshtypje e fitova në veprën e çmuar të shokut tim të gjeneratës Kolonel Kemail Shaqiri i titulluar “Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta në Kosovë”, të cilën ma dërgoi enkas nga Gjermania, ku jeton e krijon që disa vite. Ç’është e vërteta, ky libër është një kronologji ngjarjesh, të përshkruara nga dora e parë, nga një profsionist, nga një ushtarak, nga një strateg që është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë i luftës çlirimtare. Gjithëçka është e shkruar nga vendi i ngjarjes, nga zonat ushtarake. Ajo çfarë paraqitet në këtë libër askush nuk mund të thotë ndryshe e aq më pak të demantojë vetëm edhe një rrjeshtë të ndonjë ndodhie apo përfaqësimi në strukturat dhe hiearkin e UÇK-së, por edhe të bashkëpunimit edhe me qeverinë e Kosovës në Egzil dhe formacionet ushtarake të saj. Ç’është e vërteta, ai nuk bënë asgjë më tepër në këtë libër pos që e kryen një obligim atdhetar për të shpërfaq një kontribut dhe një veprimtari organizative e luftarake e zhvilluar gjatë luftës në Kosovë apo thënë më mirë përshkruan një pjesë të lavdimshme të historisë sonë dhe një luftë të suksesshme kundër okupatorit serb. Ky pasqyrim real e profesional i kronologjisë së ngjarjeve gjatë luftës në Kosovë do të shkruhet me shkronja të arta dhe do të lë gjurmë të pashlyer tek gjeneratat e reja se si u zhvilluan betejat dhe sa shumë sakrifikuan luftëtaret e lirisë në Zonën e Drenicës, të Dugagjinit, të Pashtrikut, Kosharës aty ku shkathtësia dhe profesionalizmi i Kemail Shaqirit erdhi në shprehje. Pa dyshim se rrëfimi i Betejës së Kosharës, Betejë kjo që theu njëherë e përgjithmonë kufirin shqiptaro- shqiptar do të mbetët përherë në kujtesën e secilit shiptar, ndërkaq ai që e lexon këtë libër do të mësoj se pa angazhimin e ushtarakëve profesional kjo gjë nuk do të mund të arrihej. 

Libri është i ndarë në pesë kapituj: Aktivitetet ushtarake 1991- 1998, Veprimet ushtarake 1998- 1999, Aktivitetet luftarake në Zonën Operative të Drenicës, Operacionet luftarake në Koshare dhe Pashtrik dhe angazhimi në Trupat Mbrojtjes së Koovës 1999- 2006.

Në kapitullin e parë Kolonel Kemail Shaqiri pasqyron veprimet e disa oficerëve shqiptarë që ishin të angazhuar në disa Republika të ish- Jugosllavisë, përkatësisht në ish- APJ-në. Që në fillim ai bënë me dije se oficerët, sidomos ata me grada të larta, e kishin të qartë se po i vie fundi rrënimit të themeleve të ish shtetit jugosllav dhe në këtë mënyrë kishin ardhur momentet për t’u përcaktuar se si të veprohet në rast të shpërthimit të luftës në këtë vend të brisht. Hapi i parë që është ndërmarrë nga Kemail Shaqiri dhe oficerët tjerë shqiptar ishte se ata dhanë dorëheqje nga armata serbosllave dhe më pas filloi organizimi i takimeve ndërmjet tyre si dhe hartimi i planeve operative luftarake që do të zbatoheshin në rast të fillimit të luftës në Kosovë. Pra, gjatë periudhës 1991- 1998 Kemaili ka qenë i angazhuar në Organizatën e Eprorëve Ushtarak në kuadër të Qeverisë së Kosovës në ekzil. Ka pasur rolin e koordinatorit për aktivitetet ushtarake në mes të qeverisë në ekzil dhe Organizatës së oficërve, deri në momentin kur Ahmet Krasniqi emërohet Minister i Mbrojtjes.

Dhjetë vjet pa i takuar prindërit dhe pa vizituar vendlindjen e tij të dashur

Në pranverë të vitit 1998 ai me një grup oficerësh udhëton për në Tiranë për t’u angazhuar në operacionet luftarake të UÇK-së. Me 22 qershor të po këtij viti me peripeci e vështirësi të shumta   me sukses e kalojnë kufirin dhe hyjnë në Kosovë dhe ai menjëherë inkuadrohet në luftë në Zonën e Dukagjinit. Me 10 korrik kalon në Zonën Operative të Drenicës dhe pas një kohe të shkurtër emërohet shef i Shtabit të Zonës. Para se të takonte Shtabin e ZOD, Kemaili kishte vizituar familjen në fshatin e tij të lindjes Tushilë. Siç e tregon në libër kishin kaluar mbi dhjetë vite që nuk kishte shkelur në tokën e Kosovës për shkak se ai kishte braktisur ish- armaatën dhe për këtë arsye ai mund të denohej me burg të gjatë e të rëndë nga Serbia fashiste. Emocionet me këtë rast ishin të mëdha, ndërsa përqafimi me babain ishte i përcjellë me lotë, buzëqeshje, dhe ashtu në heshtje shfryhej përmallimi i një dekade, ndaj një burri që ishte pjekur në uniformën ushtarake dhe që kishte ardhur që atë pjekuri, atë dije, atë profesionalizëm ta tregoj e ta zbatoj në mbrojtje të tokës dardane. Nuk mund t’i besonte syve të tij se ai gjendet në oborrin e tij. Gjithçka i dukej ndryshe. Edhe natyra, sipas tij kishte marrë pamje tjetërfare. Prekte çdo objekt, shikonte në të gjitha anët dhe sërish i dukej se është në ënderr. Bisedonte me babain, nënën, vëllazërit, motrën. Emocionet ishin drithëruese, rrëqëthëse. Përjetimi i përqafimit, shtrëngimit e ledhatimit si një ënderrë. I zgurdlluan fort sytë me shikim rreth vetit. Prapë nuk besonte se para tij  gjendet prindi me plis në kokë. I bardhë si bora. Sërish e ledhaton me forcë shpirtërore babain. Lotët dërdhen rrëke. E pazakont për një oficer karriere. Megjithatë, edhe ushtarakut i bie terri para syve e ligështohet emocionalisht dhe pa dashur lotët rrjedhin. Edhe kësaj mud t’i thuhet burrëri. Folte shumë se dëshironte të çmallej më me të dashurit e tij. Në atë gëzim shtëpije ishin prezent edhe kusherinjë që shprehnin admirimin e tyre se tash ushtrisë çlirimtare po i bashkohet edhe një oficerë i lartë, që do ia sjelli fitoren Kosovës nanë. Pas dy ditë çmalljeje, Kemaili paraqitet në Shtabin e ZOD dhe pas një kohe të shkurtër emërohet Shef i Shtabit të Zonës, pozitë kjo që nuk ishte adekuate me përgatitjen dhe përvojën e tij ushtarake. Mirëpo, siç thekson në libër, me rëndësi ishte që ai është njëri ndër udhëheqësit e asaj Zone dhe se kontributi i tij u dëshmua se ishte i madh dhe i pakontestueshëm. Thënë me gjuhën e fakteve, vetëm Ahmet Krasniqi, Minister i Mbrojtjes i Qeverisë në Egzil, ishte më i graduar e me përvoj më të madhe se sa Kemaili. Kjo gjë për të  ishtë diçka dytësore, diçka që nuk çonte peshë dhe këtë e bëjnë vetëm njerëzit e mëdhenjë, ata që para veti e interesit të përgjithshëm shohin shumë më larg se sa një pozitë, që megjithatë luante një rol të rëndësishëm për të arritur sukses më të madh në frontet e luftës.

Si u asgjasua punkti policor serb që ndjellte vdekje në Llaushë të Skenderajt?

Kolonel Kemail Shaqiri që në ditët e para të inkuadrimit në radhët e UÇK-së dëshmoi aftësinë e tij profesionale përballë një ushtrie shumë më të përgatitur dhe e avansuar në teknologjinë ushtarake. Ç’është e vërteta, në gusht të vitit 1998 ia kishte paraqitur dëshirën e tij Komandantit të Zonës së Drenicës, Sylejman Selimit për të ndërmarrë një aksion për asgjasimin e një pukti të madh ushtarako- policor serb në lagjën e Gecajve  në Fshatin Llaushë të Skenderajt. Tërë planin e veprimit dhe të zbatimit në terren Kemaili e kishte përgatitu vetë, për të cilën gjë punoi një javë për të mbledhur të dhënat për pozitat e armikut. Pasi kishte studiuar mirë hartën, rrethanat dhe situatën se çfarë veprimesh duhet të ndërmerren dhe çfarë taktike të veprimeve duhet të zhvillohen, ndërkaq ai më pas e skicoi planin në letër dhe bëri disa vizatime tërësisht në fshehtësi. Së këndejmi, me 26 gusht 1998 njësitet ishin përgatitur ashtu siç ishin urdhëruar nga strategu Kolonel Kemail Shaqiri, do të thotë, se cilat armë do të përdorën gjatë këtij aksioni, rëndësia e marrjes së pozicioneve, kush dhe si do të vepronte karshi pozicioneve të armikut etj. Ishte gjithëçka e qartë rreth kombinimit të armatimit mbi bazën e asaj se cilat pika të zjarrit do të sulmohen. Synimi kyq ishte pika e zjarrit në Lagjën e Gecajve, konkretrisht tek shtëpia e heroit Osman Geci, një lartësi prej 5oo metrash ku ishin të pozicionuar një grup policësh e paramilitarësh serb. Ishte ky një pozicion mjaft me rëndësi, sepse nga atje kontrolloheshin pika të tjera të shuma perreth dhe detyrë ishte asgjasimi i atij grupi. Dhe në këtë ditë njësitet që do të zbatonin këtë aksion u vunë në lëvizje në terren ku planifikohej sulmi. Pikërisht në ora njëzet e 30 minuta, pasi Koloneli kishte marrë konfirmimin si gjithëçka ishte në rregull, është dhënë urdhëri për sulm të furishëm nga të gjitha pikat e planifikuara, në të njëjtën kohë. Ishte një sulm i befasishëm dhe i shpejt sa që të sulmuarit tek pas dhjetë minutave kanë mundur të vijnë në vete dhe të kuptojnë se dikush po i sulmon pameshirshëm, thekson Kemail Shaqiri. Derisa ushtarët e UÇK-së dolën faqebardhë pa pësuar asnjë dëm, në anën e armikut u vranë shtatë policë e paramilitarë serb, një mitraloz kundërajror u nxorë nga lagja e Vojvodëve, një tank i tipit Transporte u bllokua tek xhamia e fshatit. Zbatimi i këtij sulmi u zbatua nga Xhevahir Geci, në bashkëpunim me Hisen Gecin dhe ushtarët e caktuar për atë pikë të zjarrit. Këtë aksion të suksesshëm e ka incizuar gazetari, publicisti e shkrimtari tashmë i ndjerë Tahir Desku, mirëpo se ku gjenden filmimet tashpërtash askush nuk e di. Sabit Geci “ Çopa”, luftetar i ditëve të para, pas u kthyen të gjitha njësitet me ushtarë të lumtur që e kishin  asgjasuar atë punkt famëkeq ndër të tjera kishte deklaruar: “ Me kajtë nanën, se kush para Kemail Shaqirit, nuk ka m’u ba Gjeneral në Kosovë, se çfarë aksioni brilant ka planifikue, organizue e udhëhequr”. Këtë pretendim të tij a e bazoi në faktin  se ishte prezent gjatë gjithë operacionit duke u mahnitur me atë përgatitje që kishte bërë dhe i cili rezultoi shumë i suksesshëm. Sado që këto fjalë miradije ishte kënaqësi t’i dëgjosh, për Kolonelin Shaqiri merita i takonte atyre ushtarëve sypatrembur që aksionin e nisën dhe e përfunduan me sukses të plot. Edhe pse të lodhur, të rraskapitur, e të uritur Kemail Shaqiri dhe ushtarët që kishin fituar një betejë të rëndësishme kundër armikut, morën urdhër për të vazhduar tutje në një pikë kyqe ku duhej që armiku të befasohej edhe herën tjetër. Në të vërtetë, disa ushtarë kishin “ përgatitur” disa mina antitankë për t’i vendosur diku përgjatë rrugës ku ata mendonin se do të kaloj armiku. Megjithatë, ato mina nuk ishin vendosur si duhet, ndaj ato i merr Kolonel Shaqiri dhe së bashku me Rexhep Selimin, luftëtar nga ditët e para të organizimit të UÇK-së, arrijnë në destinacionin e duhur me plot peripeci duke kaluar edhe afër fshatit Kijevë ku ishin të stacionuar forcat e armikut. Tek rreth orës 3 të mengjezit me ndihmën e katër ushtarëve të Brigadës 113 “ Mujë Krasniqi” u vendosën ato mina në aksin rrugor Likofc- Abri e Ulët. Edhe me këtë rast erdhi në shprehje vendosja e minave në atë formën e përsosur profesikonale dhe rreth orës 13 e 30 minuta të asaj dite vetëm kur është parë duke fluturuar në qiell në xhip landrover, në të cilin gjendeshin shtatë ushtarë të armikut, për të cilët edhe në spitalin e Mitrovicës është verifikuar se ata kishin vdekur nga ai eksplodim i fuqishëm.

Me një kondicion të papërshkruar, me një vullnet të çelikt dhe me një dëshirë të madhe për të qenë sa më të përgatitur ushtarët tanë, Kemail Shaqiri vazhdon vizitën nëpër të gjitha njësitet ushtarake të UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës, që përfshinte një hapësirë shumë më të gjerë se sa në të vërtetë ishte, duke i kontrolluar, urdhëruar, ndokund edhe kritikuar, këshilluar se si duhet vepruar në situata të mbrojtjes e sulmit kundër armikut, në marrjen e pozicioneve të rëndësishme në mënyrë që të paralizohet depërtimi i armikut etj. Më pas në këtë libër lexojm e mësojmë se si u zhvillua e u përfundua beteja e njohur në Rezallë të Re në të cilën për herë të parë hynë në funksion edhe një top i punuar nga mjeshtri Hajrë Gashi i kalibit 82mm. Granatimet nga forcat ushtarake të armikut ishin të fuqishme dhe të pandërprera, ndërsa topi i Hajrës fuste panik ndër ushtarët serbë edhe pse, dorën në zemët, ai nuk ishte aq preciz. Rol të rëndësishëm në përfundimin pa pasoja të kësaj lufte të pabarabart ka luajtur Hisen Geci, profesionist ushtarak. Ishte një betejë e rastësishme që gjithnjë ndodhin në luftërat e zhvilluara ndërmjet palëve të konfrontuara.

Përpilimi i strukturës organizative të zonës dhe brigadave

Për të funksionuar si duhet i tërë sistemi komandues dhe veprimtaria luftarake i një ushtrie, domosdo duhet patur parasysh strukturën organizative të zonës dhe brigadave, e cila mungonte fare kur Kolonel Kemail Shaqiri nisi aktivitetin e tij në Zonën operative të Drenicës. Së këndejmi, pas një dakordimi që kishte pasur me Shefin e SHP të UÇK-së, Kolonel Bislim Zyrapi, Kemaili kishte pranuar që të filloi punën për hartimin strukturës dhe formacioneve tipike ushtarake. Në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm kishte angazhuar Ylfete Spahiun dhe Ramadan Gashin që ishin të përshtatshëm dhe që kishin aftësi për të kontribuar në hartimin e këtyre dokumenteve në form të shkruar dhe që do të shërbenin për tërë UÇK-në. Hartimi i strukturës për tërë një ushtri nuk ishte i lehtë por duke marrë parasysh përvojën shumëvjeçare dhe përkushtimit të pandërprerë, u arritë që për tre ditë e netë të kryhet kjo punë shumë e vlefshme. Sigurisht se lodhja e madhe ishte prezente tek ky ekip, mirëpo situata shumë e nxhetë në terren e kërkonte edhe këtë sakrificë. Pas tre ditëve Kolonel Bislim Zyrapi erdhi në Likofc dhe mori një ekzemplar të strukturës organizative, për të cilën gjë u falenderua shumë për shkak se si profesionist ushtarak ai e dinte rëndësinë e strukturës së një formacioni ushtarak e sidomos në kushte lufte. Këto dokumente të çmuara më pas u shpërnan në të gjitha zonat operative dhe nga ai moment çdo aktivitet frymonte ndryshe. Po ashtu, në konsulltim me Komandantin e ZOD, Sylejma Selimi, ky strateg ushtarak përpiloj edhe dokumentet që kishin të bënin rreth detyrave që u takonin stafit të nivelit të lartë të Komandës së Zonës dhe komandantët e brigadave. Pra, ai hartoj aktemërimet e pozitave të larta në kirarkinë ushtarake dhe si do të dukeshin emërimet në këto pozita, për të cilën gjë ishte bërë një zgjidhje zyrtare që e kërkonte koha. Përveç kësaj, dokument shumë i rëndësishëm ishte edhe harta e punës, ndaj duke pasur parasysh se çdo ditë ishte në terren dhe skiconte situatën, e posaçërisht lëvizjen e forcave të armikut i kishte vendosur në hartën e punës, duke i freskuar, pothuajse, për çdo ditë. Për situatën në terren, kohë pas kohe, njohtohej edhe Komandanti i Zonës, Sylejman Selimi. Si Shef i Shtabit Kolonel Kemail Shaqiri ishte i ngarkuar shumë edhe në dhënien e këshillave, sugjerimeve, ndërrim të pozicioneve dhe ndërmarrje të veprimtarive luftarake aq më tepër kur kihet parasysh fakti se mbi 60 për qind e luftetarëve nuk e kishin të kryer shërbimin ushtarak dhe kësisoj nuk e kishin idenë se si organizohet një veprim luftarak.

Prezenca e profesionistit Kemail Shaqiri krijonte një ndjenjë sigurie tek populli dhe ushtarët

Pa fije dyshimi prezenca e oficerëve ushtarak e sidomos e një profesionisti me një karrierë të gjatë ushtarake siç ishte Kolonel Kemail Shaqiri në ZOD, tek populi dhe ushtarët krijonte një ndjenjë sigurie, ndjenjë kjo që ishte shprehur haptas edhe për këtë oficer të lartë. Ç’është e vërteta, prania e tyre  jepte shpresë në aspektin e psikologjisë ushtarake dhe duke qenë më të sigurt në veprimet luftarake e aq më tepër jepte kurajo tek ushtarët të cilët me besim të plot, me një siguri shumë më të madhe, me një guxim të papërshkruar merrnin pjesë në luftimet, pothuajse, të përditshme kundër armikut. Po ashtu edhe inkuadrimi i intelektualëve në këtë veprimtari të shenjtë Kemailit ia shtonte shpresën se ky obligim atdhetar që po kuptohet kaq shumë nga të gjitha shtresat e popullit, do të shpie drejt lirisë e nëpërkëmbur me shekuj. E permend emrin e prof. Ymer Halimit, që ishte ndër parët intelektual që ishte bërë pjesë e UÇK-së. Edhe Prof. Bedri Tahirin, shkrimtar, studiues, publicist e kishte takuar të veshur në uniformën ushtarake në fshatin Galicë, i cili ishte duke u angazhuar për akomodimin e popullatës që ishte e shtrënguar të largohej përkohësisht nga disa fshatra të Drenicës për shkak të bombardimeve të pandalshme që bënte artileria barbare serbe. Më pas numri i këtyre njerëzve të dijshëm e të guximshëm shtohej dita ditës, thekson autori në këtë vepër madhore.

Hajrë Gashi një figurë e ndritshme e luftës së shenjtë çlirimtare

Nga shumë personalitete ushtarake e ushtarë që i lavdëron dhe i dallon për guximin, aftësinë luftarake dhe sakrificën e dhënë për çlirimin e vendit, Kolonel Kemail Shaqiri vend të merituar në këtë libër i japë edhe Hajrë Gashit nga Rezalla e Re, Komuna e Skenderajt, i cili së bashku me katër djemë braktsi Gjermaninë dhe iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të vënë gurë në murin e gjatë të lirisë së popullit nga pushtuesi barbar serb. Si një merakli i madh i armëve dhe mjeshtër i hollë, ai arriti me sukses që të ndërtoi topin 82 mm dhe minahedhësinë 90 mm, që ndihmuan shumë në zbrapsjen e sulmeve të armikut në disa raste, që mund të quhen edhe të jashtëzakonshme. Po ashtu Hajrë Gashi kishte hapur edhe punëtorinë që shërbente për ndreqjen e armëve të prishura. Kontributi i tij i çmuar e me vlerë kombëtare, këtënjeri e ngriti në një figurë të ndritshme duke lëë emër në këtë luftë të shenjtë çlirimtare.

Përpjekje për të njollos  një epror që kishte avansuar në tërësi UÇK-në në pikëpamje organizative, të strukturës dhe pörgatutjeve e gatishmerisë luftarake

Kishte kaluar kohë e gjatë që Kemaili nuk e kishte takuar familjen, së këndejmi ai kishte biseduar me Komandantin e Zonës Sylejman Selimin se për disa ditë do të udhëtoj për në Zagreb të Kroacisë. Zatën edhe oficerë të tjerë e bënin një gjë të tillë. Mirëpo për këtë ushtarak sikur këto rregulla nuk  vlenin dhe pas largimit të tij të përkohshëm dhe të shkurtër filluan shpifje të pakripta se kinse ai kishte dezertuar nga lufta. Këto përpjekje për ta njollos këtë epror që kishte avansuar në tërësi UÇK-në në pikëpamje organizative, të strukturës dhe gatishmerisë luftarake ishin zëra të lig të lansuara nga njerëz ose gjeloz ose të tillë që nuk dëshironin të kuptonin se edhe Kemaili kishte absolutikisht të drejtë për ta takuar familjen e tij, aq më tepër duke marrë parasysh se lufta përpinë edhe eprorët, të moshuarit, të rinjt, luftetarët e të gjitha gjinive. Këto shpifje u demantuan shumë shpejt me faktin se Kolonel Kemail Shaqiri pas gjashtë ditësh ishte kthyer në Shqipëri e pas Betejës së Kosharës edhe në Kosovë duke dhënë kontributin e tij maksimal e të çmuar në çlirimin e vendit në Zonën Operative të Dukagjinit dhe në atë të Pashtrikut. Një shpifje tjetër ishte trilluar edhe në Shqipëri duke u munduar që të gënjëjnë aq pameshirshëm se kinse Kemaili kishte tentuar që “ dhunshëm” ta marrë pozitën e Komandantit të Operacionit në Koshare i emërtuar “ Shigjeta” për të cilën ishte caktuar Kolonel Rrustem Berisha. Këto gnjështra të paskrupullta ranë në ujë shumë shpejt, ngaqë jo që nuk ishin të vërteta ato thashetheme, por nuk përkonin fare me mënyrën e zjedhjes së strukturës komanduese. Po ashtu, Kemaili e Rrustemi njiheshin shumë herët, përkatësisht kur Rrustemi ishte kadet në shkollën teknike ushtarake në Zagreb, ndërkaq Kemaili ishte në shërbim të karrierës ushtarake. Zatën çdo kush që ka medyshje dhe mendim tjetërfare mund të drejtohet në adresën e qartë e ajo është Rrustem Berisha.

Ideja për të asgjasuar ushtarët serb në Fabrikën e municionit të gjuetisë nuk u realizua!

Pas një inspektimi që ia kishin bërë njësiteve të UÇK-së së bashku me Zëvendëskomandantin e zonës Sami Lushtakun, Kemaili të njëjtit ia kishte propzuar idenë që të sulmohet dhe asgjasohen ushtarët që ishin të stacionuar në Fabrikën e municionit të Gjuetisë në Skenderaj. Ai kishte kërkuar 100 ushtarë me përvojë e të guximshëm dhe një numër të caktuar minahedhës për të realizuar me sukses këtë plan shumë të rëndësishëm për shkak se ishte një nyje strategjike e kontrollit të një hapësire të gjerë nga këto forca pushtuese. Kishte këmbëngulur që kjo ide e tij të aprovohet me çdo kusht, mirëpo nuk kishte marrë përgjigje se a ka minahedhës çfarë ai po kërkonte dhe që ishin të domosdoshëm për të pasur sukses sulmi. Kërkesa e tij e kishte arsyen e vetë, e kishte shkakun e vetë sepse ato forca paraqitnin rrezik për popullatën e Skenderajt, duke ngulfatur çdo levizje dhe aktivitet në atë zonë të qytetit. Pritja e tij mbeti pa ndonjë përgjigje. Se kërkesa e Kolonel Kemail Shaqirit ishte e qëllua edhe në pikëpamje strategjike dëshmon e dhëna se nga kjo fabrikë u sulmua edhe familja e Komandantit legjendar Adem Jashari, paojat tragjike të së cilës i dimë të gjithë.      

Njëri ndër rolet kyq të Kolonel Kemail Shaqirit në Betejën e Kosharës!

Beteja e Kosharës është njëra ndër luftërat më të suksesshme dhe më të lavdishme në tërë historinë e çlirimit të Kosovës nga okupatori serb. Pa dyshim se për pjesëmarrësit e kësaj lufte janë thurrur rrëfime krenarie e trimërie sepse pas një pushtimi e sundimi shekullor serb këta heronjë të gjallë e të vrarë arritën që të thejnë kufirin shqiptaro- shqiptar dhe në këtë mënyrë tash në këtë pjesë të qendroj e valoj përgjithmonë flamuri i dy shteteve shqiptare. Fitorja kundër një armate shumëherë më e armatosur dhe shumëherë më e përgatitur si dhe përvojën që kishte fituar në luftërat në pjesë të tjera të ish- Jugosllavisë, nuk do të arrihej sikur të mos ishin inkuadruar epror të zot shqiptar që organizuan, planifikuan dhe udhëheqën me sukses këtë epope çlirimtare. Njëri ndër këtë strateg ishte edhe Kolonel Kemail Shaqiri, i cili kishte rolin e Komandantit të Operacionit të dt-3, pozitë këtë që e kishte pranuar nga Zëvendësministri i Mbrojtjes Fatmir Limaj, të cilin e kishte nënshkruar Shefi i Operacionit Bislim Zyrapi. Lidhur me këtë betejë Kolonel Kemail Shaqiri pasqyron në detaje përgatitjet që ishin bërë në qendra stërvitore në veri të Shqipërisë. Rol të madh kishte luajtur edhe autori i këtij libri, i cili me përvojën e tij i kishte kalitur shumë ushtarë për t’u ballafaquar me armikun, që i numëronte ditët e fundit të pushtimit në tokën Dardane. Ç’është e drejta,pas kthimit të tij nga një pushim i shkurtër 6 ditorë tek familja në Zagreb të Kroacisë, ai në tetor të vitit 1998  ishte kthyer në Tiranë dhe pas dështimit të dy tentimeve për të kaluar në Kosovë ishte i angazhuar në Ministrinë e Mbrojtjes, që e udhëhiqte Halil Bicaj, por gjithnjë në mendje kishte synimin për të hyrë në Kosovë në rastin e parë që i vinte. Mirëpo situata e krijuar nga një ofensivë e gjerë që ndërmori armiku, shumë oficerë e ushtarë ishin detyruar që të tërhiqen në pjesën e shtetit shqiptar.  Shi për këtë, Kemaili filloi të punojë me një entuziazëm të pashoq në trajnimin e oficerëve dhe ushtarëve për t’u përgatitur për luftë. Këtë punë të dobishme e të nevojshme e kreu në qendra të ndryshme stërvitore, si në Kalimash, Kolsh, Kukës, Vlanë, Cahan, Babinë, Papaj, në Viqidol të Tropojës, pastaj në Helshan e Burrel, në kohë të ndryshme. Gjatë këtyre stërvitjeve që ishin të inkuadruar edhe oficerë të tjerë, ai arriti që të përgadisë shumë ushtarë nga veprimet themeloe taktike në fushëbetejë si dhe në njohjen praktike të përdorimt të të gjitha armëve të këmbësorisë dhe për këë kontribut të madhe të dhënë në këtë drejtim shumë ushtarë e kujtojnë Kemailin si një kuadër më të shkolluar dhe më me përvojë ushtarake në radhët e UÇK-së Në të vërtetë, Operacioni në Koshare me emërtimin “ Shigjeta” ishte fryt i punës shtatë mujore nga të gjitha aspektet, ndërkaq esenca e përgatitjes së këtij opercioni të gjerë qendron në faktin se stafi i zgjedhur ishte mjaft profesional dhe me përvojë duke filluar nga Komandanti Rrustem Berisha, si njeri i profesionit dhe përvojës luftarake, gjë që ishte edhe një garancë e suksesit. Për shkak të vijës së gjerë të frontit e gjatë 60 kilometra, është dashur që të formohen tri Drejtime Taktike me strukturën e tyre komanduese. Komandant i Drejtimit Taktik numër 3, apo thënë më mirë të Zonës së Pashtrikut ishte Kolonel Kemail Shaqiri. Se roli i këtij ushtaraku ishte i madh në këtë ofensivë tregon se pos që ishte Komandant i Drejtimit Taktik numr 3, ai kryente edhe detyra shtesë siç ishte ajo e Komandantit të Kontrollit dhe komandimit në tërë vijën e frontit të operacionit “ Shigjeta” nga Rrasa e Kosharës e deri në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, në gjatësi prej afro 60 kilometra në vijë ajërore. Pra, Kolonel Kemail Shaqiri me thyerjen e kufirit shqiptaro- shqiptar përmbylli një kapitull të çmuar, i cili në historinë e çlirimit të Kosovës do të mbetët një emër i përveçëm për jetë e mot.

Pas përfundimit të luftës, Kemaili aktivizohet në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, duke punuar tre vjet radhazi si ligjerues në Akademinë e ksaj Trupe. Me urdhërin e Komandantit të TMK-së Gjeneral lejtant Agim Çeku, ai caktohet Shef i Qendrës Operative të SHP të TMK-së. Këtë pozitë e kryen me sukses të plot tre vite, për tÇu ngarkuar më pas si Këshilltar i Shefit të SHP të TMK-së për operacione Gjeneral Musë Jashari, ndërkaq si detyrë shtesë kreu detyrën e Komandantit të Kontrollit dhe Komandimit me Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Para se të lirohet nga detyrat dhe përgjegjësit në TMK, Kemail Shaqiri ishte bartësi kryesor i ceromonisë së varrimit të Presidentit Rugova. 

Dhe krejt në fund: Kolonel Kemail Shaqiri ka dhënë edhe vizionet e tij moderne se si duhet të zhvillohet e forcohet ushtria e Kosovës në të ardhmen.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT