• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for December 2022

SHEMBUJ SUKSESI DHE RISI NË MËSIMDHËNIEN E GJUHËS SHQIPE NË DIASPORË

December 2, 2022 by s p

Në aktivitetin “Shqipja në diasporë”, të mbajtur më 26 nëntor 2022 në Tiranë, me temën: “Shembuj suksesi dhe risi në mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë”.

Shkruan: Mustafë Krasniqi

”Takim i sotëm “Shqipja në diasporë” përpos që na inkurajon në misionin e mësuesit, na bënë edhe më të ndërgjegjshëm të ecim të bashkuar për ruajtjen e gjuhës shqipe. Por, ajo që duhet të na shqetësojë, është mosinteresimi i shumë mërgimtarëve shqiptarë për shkollën shqipe, të cilët nuk i çojnë fëmijët e tyre në klasat, ku mësohet gjuha e kultura shqiptare. Këta fëmijë,  pa fajin e tyre, kanë filluar ta belbëzojnë gjuhën mëmës, ndërsa në një të ardhme, rreziku është edhe më i madh, kur edhe mund të mos flasin fare  në gjuhën shqipe.

Këtë dukuri e preka qëllimisht, që ta kuptojmë realisht se kemi të bëjmë me një fenomen të shëmtuar, siç është asimilimi i heshtur. Pra, nëse ne (shteti dhe prindi) nuk e marrim seriozisht këtë fenomen, e ardhmja do të jetë e dhimbshme dhe me pasoja të mëdha, për kombin. Ngaqë numri i nxënësve që kemi, apo numri që do të shtohej tutje është një pikë ujë në lum, në krahasim me numrin e atyre që duhet ta vijojnë mësimin në gjuhën shqipe. Kjo na bënë ta pyesim vetën, së pari si individ, prind dhe si shtet, deri kur më me kaq shumë humbje e dhembje?!

Pavarësisht përpjekjeve që bëjmë për sensibilizimin dhe rritjen e numrit të nxënësve, ne si mërgatë nuk do të kemi suksese të dëshiruara për arritjen e qëllimit, misionit dhe vizionit, nëse nuk kemi bashkëpunim të ndërsjellë me institucionet tona. Dhe, pa këtë bashkëpunim gjithmonë do të mbetemi një numër simbolik, sa për të thënë, se funksionojnë shkollat shqipe në diasporë. Andaj, seriozisht duhet t’i qasemi këtij problemi, duke kërkuar përkrahjen e shtetit amë, por edhe shteti do të duhej të marrë  përsipër, seriozisht, organizimin dhe të na përkrahë e të na japë ndihmën e tij, meqë kështu shpëtojmë një pjesë të brezave të rinj që janë e do të jenë në mërgatë. Nëse duam të punojmë e veprojmë, suksesi nuk do të na  mungojë, por kushti i vetëm është, nëse vërtet jemi të vendosur e të bashkuar për këtë qëllim madhor.

Kur flasim për temën si shembuj suksesi dhe risi në mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë, së pari, duhet të kemi parasysh: sfidat, rrugëtimin, qëllimin, bashkëpunimin dhe sensibilizimin.

(Rrugëtimi, qëllimi, bashkëpunimi dhe sensibilizimi)

Gjatë rrugëtimit, ne si mësimdhënës duhet ta kemi si qëllim parësor, qasjen korrekte dhe të dimë se çfarë duam dhe çfarë synojmë, për të arritur deri te realizimi i vizionit dhe misionit tonë. Kështu mund  të marrim mbi vete përgjegjësitë që na takojnë, për një mësimdhënie të unifikuar e të koordinuar në funksionimin e mbrojtjes së gjuhës shqipe, të mbështetur në baza të forta didaktike, linguistike dhe ato shkencore. Prandaj kjo është rruga e bashkëpunimit profesional dhe organizues mes mësuesve dhe bashkëkombësve, të cilët jetojnë jashtë kufijve të trojeve shqiptare, dhe natyrshëm së bashku me institucionet tona përkatëse, si Ministria e Arsimit, Ministria Punëve të Jashtme, të të dyja shteteve do të bëheshim, faktor kyç për sensibilizimin e shkollës shqipe në diasporë. Po, kur flasim për këtë faktor sensibilizimi, rol të rëndësishëm, kanë edhe mediat, nëse ato na përkrahin  natyrshëm, duke e bërë detyrën e tyre, si mbështetje e përpjekjeve atdhetare. Po, mbi të gjitha shteti, të ketë parasysh dhe t’i ofrojë mundësinë mërgimtarit të jetë ligjërisht më afër atdheut dhe aspak të mos e injorojë.

(Si shembull, modeli dhe mësimdhënia)

Kur flasim për mësimdhënien duhet të kemi parasysh rrethanat, atje ku rriten fëmijët, por të dimë se   ç ‘ njohuri kanë ata,  si duhet ta përshtatim mësimdhënien natyrisht të mbështetur sipas korrikulës, kur kemi të bëjmë me nxënës që nuk e kanë të njëjtën moshë e janë në të njëjtën orë mësimi. 

Si shembull konkret ta marrim modelin e shkollës shqipe në Zvicër, e cila ka paraqitur suksese të dukshme profesionalisht, duke e shtuar  numrin e nxënësve dhe duke hapur klasa të reja. Këtë model e kemi edhe te “Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” në Bavari, të cilët rrugëtimin e vet e kanë filluar në bashkëpunim me prindërit, mësimdhënësit dhe me institucionet, konkretisht në koordinimin e ngushtë me konsullatat e dy shteteve tona në Mynih. Kështu “Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” në Bavari  është angazhuar, përpos rritjes së numrit të nxënësve edhe për hapjen e klasave të reja, por edhe për përgatitjen e mësimdhënësve, përmes takimeve profesionale dhe mbajtjes të seminareve.

Ein Bild, das Person, Boden, drinnen, Gruppe enthält.

Automatisch generierte Beschreibung

Po marrë si shembull takimin në Ausburg të Bavarisë, (të organizuar nga Fondacioni “Besa”) më 10 tetorit të këtij viti, ku  në prani të tri shoqatave të shkollës shqipe në Gjermani: të “Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë” (LAPSH) në Bavari, Organizatës së Akademikëve gjermano-shqiptare “ODA” në Hamburg dhe të Këshillit të Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”(KASH) në Nordrhein-Westfalen, u mbajt një takim pune, duke zbërthyer praktikisht atë që ishte dhe është e që mbetet, si: bashkëpunimi, shkëmbimin i përvojave etj. Nga ky takim u zbërthyen në mënyrë shkencore format e mësimdhënies, duke u nisur nga e drejtat thelbësore, që i takon një mësimdhënësi të gjuhës së dytë, siç dhe është gjuha shqipe në Gjermani, krahas gjuhëve tjera. Po ashtu u theksuan edhe format e inkuadrimit në rrjetin institucional të mësimdhënësit të gjuhëve të huaja, me të drejtën e pagës së ligjshme, si dhe forma praktike e mësimdhënies.

 Suksesi i mësimdhënësit është në orën e mësimit, por dhe në përcjelljen e seminareve, ku si shembull po japim takimin e 22 tetor, në prani të mësuesve të tri shteteve: Zvicër, Austri dhe të LAPSH në Bavari të Gjermanisë, ku u realizua seminari dy ditor me temën:  “Gjuha si pjesë përbërëse e identitetit të një kombi”, dhe  “Shkëmbimi i përvojave të mësimdhënësve.” Temat qenë këto:

1.  “Përdorimi i gjuhës letrare shqipe në shkollat shqipe”,

2. “Të mësojmë duke luajtur”,

3.  “Miqësia postare si njësi mësimore, si mjet komunikimi dhe rrjetëzimi”,

4. “Planifikimi ditor i mësuesit, proces drejt suksesit” dhe

5. “Gabimet drejtshkrimore dhe deformimi që po pëson gjuha shqipe”

Në secilin ligjërim u demonstrua praktikisht mësimdhënia me elementet e saj nxitëse, e në këtë kuptim përpos shkëmbimit të përvojave mes mësimdhënësve, u përdorën  edhe këto modele si: të mësuarit në natyrë, në kopshtin zoologjik, në bibliotekë etj. Të gjitha këto përvoja, praktika profesionale nga mësimdhënësit, kanë një qëllim të përbashkët,  se si ta joshim nxënësin për ta dashur gjuhën amtare. Por, kjo do edhe një motivim nga shteti; shteti të jetë përkrahës i mësimdhënësit dhe t’i ofrojë mundësinë që ai ta shfaqë me dashuri mësimdhënien, ngaqë puna vullnetare mund edhe të dështojë, pavarësisht dëshirës që e kanë mësimdhënësit.

Është edhe një veçori tjetër që na bie të sfidohemi në këtë rrugëtim, me vështirësitë e ndryshme, siç duhet të dimë si t’i gjejmë rrugët e të kuptuarit të mirëfilltë  dhe paditurisë së thellë:

Ne duhet të flasim për vështirësitë kur përballemi me probleme si   mos-pagesa  e mësimdhënësit sa duhet e si duhet, gjetja e lokalit në shkollë për mësimdhënie, kërkimi i nxënësve për ta plotësuar klasën, sipas rregullit, që ka të bëjë me numrin e nxënësve, të cilët duhet të jenë 12 a më shumë dhe kështu në vazhdën e këtyre vështirësive është mospërkrahja e mjaftueshme e bashkëkombësve dhe e shtetit. Ndërsa të kuptuarit mirëfilltë, është faktor i rëndësishëm, që bashkëkombësin, konkretisht prindin ta informojmë, që ai ta kuptojë drejt, se mësimi i gjuhës amtare, jo vetëm se nuk është pengesë për integrim dhe të mësuarit e gjuhës vendore, por është një sukses më i madh dhe ndihmesë e madhe kur njeriu e zotëron mirë gjuhën amtare, meqë edhe mësimi i gjuhëve të tjera është shumë më i mundshëm i dhe inatyrshëm. Në këtë kuptim edhe ndihmesa e  shtetit është shumë e mirëseardhur, e cila mund të bëhet përmes mekanizmave të vetë profesional, në bashkëpunim me mësimdhënësit.

Me keqardhje duhet të flasim edhe për një dukuri jo të këndshme, paditurinë e thellë. Fatkeqësisht, në rrugëtimin tonë të mësimdhënies, hasim njerëz të atillë, që e injorojnë me apo pa dashje angazhimin për shkollën shqipe, njerëz këta të cilët mbështeten në faktin, se ne jetojmë në një shtetet tjetër ku shqipja nuk na hyn në punë fare dhe që të dy këto fakte janë të dëmshme dhe të rrezikshme, të cilat dhe  po ndikojnë të kemi pak  të nxënës në shkollën shqipe. Por, ajo që është për keqardhje të madhe, duhet ta themi, se  ka prindër shqiptarë që fëmijët e vet i dërgojnë në klasat greke, ku edhe feja bënë punën e saj, pa u shqetësuar fare ata që fëmijëve t’ua mësojnë gjuhën shqipe e t’i dërgojnë në  shkollën shqipe. Kjo sipas mendimit tim e tejkalon të gjithë pritshmërinë. Por për, raste të tilla, duhet ta vrasë mendjen shoqëria dhe shteti.

  Në fund suksesi i mësimdhënësit dhe risitë në të ardhmen.

Natyrisht është e domosdoshme mbajtja e seminareve, licencimi i mësimdhënësve, relacioni prind mësues e nxënës, përkrahja institucionale. Megjithëkëtë, është shumë e nevojshme që shkollat shqipe të jenë  në fokus të mediave. Të gjitha këto, po t’i plotësoheshin komunitetit tonë atëherë bindshëm do të flisnim për rezultate të dukshme.

Qëllimisht nuk u ndala te profesionalizmi, por duke e ndërlidhur problemin me faktin real, besoj se natyrshëm duhet ta bëjmë me dije shtetin, se mërgata po ballafaqohet me asimilimin e fëmijëve. Shpresoj se shteti e merr seriozisht  këtë fakt, por gjithashtu edhe faktin tjetër, që ka të bëjë me të rinjtë, të cilët gjithnjë e shumë po ikin nga trevat shqiptare dhe po mërgojnë. Kështu, mjerisht, kemi të bëjmë me rrezikun e madh të asimilimit të një pjesë të madhe të popullit shqiptar. 

Krejt në fund thërras komunitetin shqiptarë të mërgatës dhe institucionet tona, që së bashku të punojmë për t’u mos u asimiluar fëmijët tanë mërgimtarë!

Filed Under: Ekonomi

SHOQATA “SKËNDERBEJ USA” NY-NJ NË FESTË

December 2, 2022 by s p

Veri Talushllari/

Edhe ushtarakët shqiptarë (në pension e të liruar), familjarë dhe miq të tyre, me banim në New York dhe New Jersey i janë bashkuar mjedisit festiv të Nëntorit, në Tiranë dhe në Prishtinë, në Vlorë dhe në Shkup, në Europë e kudo në botë ku jetojnë e punojnë shqiptarë.
Në një festë të bukur familjare e shoqërore, nën tingujt e orkestrës së këngëtarit Muharrem Borova e miqve të tij, zv. Presidentja e Shoqatës Dirka Xhakolli, pasi ftoi pjesëmarësit të nderojnë Himnin e Flamurit dhe Himnin e ShBAve, njoftoi për rezultatet e zgjedhjeve të reja për Kryesinë e Shoqatës.
Tashmë President Nderi i Shoqatës, Kapiten i Rangut të Parë(P), z. Bujar Hasani uroi për detyrën e re dhe ftoi të mbajë fjalën përshëndetëse Presidentin e sapozgjedhur, Prof. Assoc. Dr. Kol. (L) Gëzim Mustafaj.
Profesor Mustafaj bëri një sintezë të rrugës dhe luftës së popullit shqiptar duke evidentuar ngjarjet e mëdha të historisë sonë nga 28 Nëntori i Skënderbeut e i Ismail Qemal Vlorës, fitoren mbi nazifashizmin në krah të Bllokut Antifashist, ndryshimet demokratike në Shqipëri e deri te fitorja e UÇKsë në aleancë me NATOn mbi regjimin gjakatar serb dhe krijimin e shtetit të dytë shqiptar, Republikës së Kosovës. Ai përmendi faktin që 110 vjetori i pavarësisë i prin 110 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Shqiptare.
Dhe për gëzimin tonë, këto festa përkojnë edhe me 5 vjetorin e krijimit të Shoqatës sonë.
Me këtë rast u dhanë çertifikata mirënjohjeje për veprimtarë të saj, dhe në një moment të bukur u soll një tortë për datëlindjen dhe daljen në pension të z. Agim Pira, një nga veprimtarët më aktivë të Shoqatës dhe punës në komunitet.
Për lexuesin, “Association of SKËNDERBEJ USA” në Nju Jork, ka në radhët e saj ushtarakë në pension ose në lirim tashmë me banim në Nju Jork dhe
zonën verilindore të Nju Xhersit, familjarë të tyre, miq e dashamirës. E krijuar më 10 dhjetor 2017 dhe e miratuar nga Departamenti i Shtetit të NY në shkurt 2019, Shoqata jonë ka një historik të pasur veprimtarish.
Ne festojmë madhërisht Pavarësinë e Shqipërisë dhe Fitoren mbi Nazifashizmin, Ditën e Pavarsisë së ShBAve dhe përkujtojmë data e ngjarje historike të Atdheut tonë. Duke pasur një antarësi me nivel të lartë shkollimi dhe intelektual, Shoqata “SKËNDERBEJ USA” ka zhvilluar veprimtari shkencore e letrare, si Simpoziumi për 100 vjetorin e Kongresit Kombëtar të Lushnjës dhe Luftës së Vlorës, promovimin e librave me përmbajtje letrare apo studimore të botuara nga anëtarët e Shoqatës, ka përkujtuar Dëshmorët e luftrave për liri e pavarësi, apo të rënë në krye të detyrës viteve të fundit etj.
Në bashkëpunim me Shoqatat simotra të ushtarakëve në Shqipëri, kemi kontribuar me shkrime apo me pará për botime librash dhe shfaqje dokumentarësh për historikun e Ushtrisë shqiptare, që këtë vit shënon gjithashtu 110 vjetorin e krijimit më 4 dhjetor.
Kështu, në 5 vjetorin e krijimit të saj Shoqata “SKËNDERBEJ USA” NY, vjen me një bilanc të pasur veprimtarish, çka e bën të ligjshëm gëzimin dhe harenë në këtë festë të bukur të 110 vjetorit të Pavarsisë së Shqipërisë.
Dhe me urimin për më shumë veprimtari të pasura e të larmishme, festuesit shpërndahen në të pestë lagjet e Nju Jorkut dhe në Nju Xhersi, për t’u takuar, siç thuhet në moton e Shoqatës “Së bashku për punë të mira!”
NY, 30 Nëntor 2022.

Filed Under: Emigracion

Kalendar: Sot, 78 vjetori i lindjes së Presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova

December 2, 2022 by s p

 SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 PRISHTINË, 2 Dhjetor 2022/ Para 78 viteve,  në 2 Dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut, ka lindur Ibrahim Rugova, i cili kujtohet si Presidenti historik dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës.

Tradicionalisht, përfaqësues institucionalë e politikë dhe qytetarë  i bëjnë homazhe Presidentit historik dhe vizitojnë familjen e tij.

 Në veprimtaritë në Kosovë theksohet se  në lëvizjen për liri e pavarësi Rugova u bë simbol i rezistencës me përkrahjen e popullit, elitës intelektuale, patriotëve dhe të botës demokratike perëndimore.

Që para mëse tre dekadave, Rugova hapur përcaktonte pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për Kosovën shtet të pavarur. “Zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Shqipërisë e Serbisë dhe një administrim civil ndërkobëtar si fazë kalimtare”, theksonte e ritheksonte ai.

Rugova, derisa ishte kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, para 33 viteve – në 23 Dhjetor 1989 u bë themeluesi dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila më shumë se parti politike lindi si lëvizje gjithëpopullore për liri, pavarësi e demokraci.

Pas Deklaratës Kushtetuese të 2 Korrikut e Kushtetutës së 7 Shtatorit 1990, që shpallte Kosovën Republikë, si dhe Referendumit të 26 deri 30 Shtatorit 1991, në të cilin për Shtet Sovran dhe të Pavarur u deklaruan 99,87 përqind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 përqind, në 24 Maj 1992 Rugova në zgjedhjet e para pluraliste nacionale parlamentare e presidenciale u zgjodh Presdiednt i Republikës së Kosovës, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Po në vitin 1992 kur u votua në zgjedhjet e para pluraliste presidenciale e parlamentare, Rugova për herë të parë si President i parë i Kosovës Ditën e Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë – 28 Nëntorin e festoi në Vlorë në 80 vjetor. Nga Vlora dhe në festimet tjera e urimet nëpër vite të 28 Nëntorit Presidenti Rugova theksonte edhe mesazhin se Pavarësia e Kosovës është plotësim i Pavarësisë Shqiptare, “e cila u cungua pa vullnetin e shqiptarëve”.

“Në 28 Nëntor 1992 Presidenti Rugova qëndron në Vlorë në festimin e 80 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ai realizon takime me Presidentin Sali Berisha dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit shqiptar”, shkruaj nga faqe historie.

Në 80 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë – Ditën e Flamurit, në 28 Nëntor 1992, Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, uronte të gjithë shqiptarët në botë.

“Një  URIM I MADH në këtë kremtim jubilar për të gjithë shqiptarët edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në viset e tjera etnike dhe në diasporë, duke filluar nga Zelanda e Re, Australia, Evropa dhe Amerika, të cilët gjithmonë kanë qenë të lidhur me Shqipërinë dhe me trojet etnike shqiptare dhe me çështjen shqiptare”.

Ky ishte urimi i parë për 28 Nëntorin i Dr. Ibrahim Rugovës si President i Kosovës i zgjedhjeve të para pluraliste të 24 Majit 1992. Presidenti historik Rugova ka uruar në një deklaratë ekskluzive të botuar me titullin “Shqiptarët sot janë më të bashkuar se asnjëherë”  në 28 Nëntor 1992 në ballinën e gazetës së rezistencës “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha, që kishte nisë të dalë nga 18 Janari 1991, pjesë e lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor euroatlantik, e që sfidonte ndalimin e dhunshëm nga Serbia okupatore të gazetës Rilindja – të vetmes së përditshme shqipe në atë kohë në Kosovë.

I zgjedhur president i Kosovës në zgjedhjet e para pluraliste, Dr. Rugova pas vizitës në Shqipëri në Nëntor për festën e 80 vjetorit të Pavarësisë, në Dhjetor 1992 shkoi në Bruksel, ku takohet me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lorens Igëllberger, i cili i shpreh mirënjohje Pesidentit Rugova si lider i popullit shqiptar për kontributin e tij në ruajtjen e paqes në Kosovë. Sekretari Amerikan i Shtetit Igëllberger siguroi Presidentin Rugova se nga shqiptarët nuk kërkohet që të heqin dorë nga objektivi i tyre për të ardhmen e Kosovës.

Presidenti Rugova edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në Amerikë e në shtetet e Bashkimit Evropian, kudo, fliste për Pavarësinë e Kosovës si zgjidhja më e mirë dhe kompromisi i shqiptarëve.

Si gjithmonë, edhe në 4 Mars 2002, duke u inauguruar në Parlamentin e Kosovës President i pas zgjedhjeve të para nacionale të pasluftës, Rugova shprehej: “Çdo ditë ne të gjithë duhet të zgjohemi me një mendim të bukur: ‘Çfarë të mire mund të bëjmë sot për Kosovën?’”.

Pavarësia e Kosovës, në të mirë të gjithë qytetarëve të saj, dhe si i vetmi kompromis, theksohej e ritheksohej vazhdimisht nga Rugova.

 “I vetmi kompromis për Kosovën është pavarësia, dhe ky është optimumi i gjithë shqiptarëve në rajon”, theksonte shumë prerë  Ibrahim Rugova në  6 Tetor 2005, në takimin e parë  me Grupin Negociator, formimi i të cilit me përfaqësim nga maxhoranca e opozita dhe shoqëria civile ishte një moment me shumë rëndësi për unitetin në vend si dhe për bisedimet për statusin e Kosovës të udhëhequra nga i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, e pastaj edhe nga Treshja SHBA-BE-Rusi në angazhimet shtesë.

Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në intervistën e parë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë para 28 viteve fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”, derisa bisedonim gjatë ditën e enjëte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, si edhe në raste të tjera, falënderonte e vlerësonte shumë për informimin nga Kosova e për Kosovën.

“Falënderoj Agjencinë Telegrafike Shqiptare për informimin nga Kosova e për Kosovën. Edhe kjo që pata rastin të bisedoj për këtë agjenci, që reprezenton Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, është një hap në politikën globale, në integrimet shqiptare. Edhe ne bëjmë përpjekje që këtu në Kosovë përmes Qendrës sonë për Informim të kemi një agjenci të vogël, e cila raporton për situatën e përditshme në Kosovë. Duhet një bashkëpunim midis këtyre dy institucioneve dhe institucioneve të tjera në Kosovë dhe në Shqipëri”, theksonte Presidenti Rugova në intervistë.

Atë intervistë të parë me Presidentin e parë të Kosovës e zhvilloja në kohë të rënda të okupimit e dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës. “Një represion masiv në Kosovë ka rritur tensionet politike këtu dhe në rajon, ndaj është e domosdoshme prania ndërkombëtare”, e përshkruante situatën dhe e kërkonte zgjidhjen Presidenti Rugova.

Në intervistë, Presidenti Rugova tek fliste atëherë si për ëndërra parashikonte ngjarjet që pasuan, theksonte se “kishte kërkuar një mbrojtje për Kosovën para një viti e gjysmë, një protektorat ndërkombëtar civil, një administratë civile, që do të vendosej për një kohë në Kosovë, që të normalizohet jeta dhe më pas të bisedohej me serbët për ardhmërinë e Kosovës”. 
“Bisedimet shqiptaro-serbe duhet të zhvillohen në prani të një pale të tretë të autorizuar, që do të garantonte edhe dialogun edhe rezultatet e dialogut dhe që natyrisht do ta udhëhiqte atë. Kjo palë e tretë duhej të gjendej nga SHBA-të, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, theksonte Rugova. 
Ai besonte se mbrojtja ndërkombëtare në Kosovë do të mbërrinte. 

“Në planin ndërkombëtar ideja për mbrojtje ndërkombëtare në Kosovë shqyrtohet, do të thotë është marrë në konsiderim, dhe shikohen mundësitë si të aplikohet kjo dhe si të veprohet në këtë drejtim”, shprehej Presidenti Rugova.
Pyetjes se çfarë do të thotë politikë globale shqiptare dhe si mund të realizohet ajo në praktikë, në kushtet e ndarjes së shqiptarëve me shumë kufij, Presidenti Rugova iu përgjigj: “Kjo politikë do të shembë muret mes shqiptarëve”.

“Praktikisht mund të themi se politika globale shqiptare ka nisur të realizohet. Përkundër pengesave të shumta, që ka sidomos Kosova, sot kemi kontakte të ndryshme, bashkëpunim, qoftë në planin kulturor, në planin arsimor, në planin politik. E kam thënë disa herë, por vazhdimisht duhet të përsëriten gjërat, se për herë të parë ne shqiptarët po bashkëpunojmë në planin politik”, theksonte Presidenti historik i Kosovës. 
 “Në këtë politikë globale shqiptare respektohet vullneti politik i shqiptarëve të Kosovës, pastaj i shqiptarëve në Maqedoni, i shqiptarëve në Mal të Zi e në Preshevë, Bujanovc e Medvegjë. Do të thotë se kemi një vizion se ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim. Dhe, mund të them se politika globale shqiptare përditë është prezente dhe realizohet hap pas hapi, nuk është diçka abstrakte”, shprehej ai. 
Rugova vlerësonte se, “politikë globale është se sot Shqipëria më shumë se kurrë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në planin ndërkombëtar”. “Po ashtu, edhe Kosova me institucionet e saj, brenda dhe jashtë, e ndihmon Shqipërinë dhe në këtë plan ka një bashkëpunim, një mirëkuptim dhe një marrëveshje, që nuk e kemi pasur më parë ne shqiptarët”, vijonte ai. 

Në 11 Tetor 1991, në Prishtinë, ishte miratuar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova.  Deklarata kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Presidenti Rugova në intervistë vlerësonte se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, se “opcioni i parë ishte një Kosovë e pavarur e neutrale”, dhe “që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale”.

“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger.

 Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të 28 Nëntorit 2002, derisa në atë kohë kur isha kryeredaktor i gazetës historike në fund të dhjetorit 2002 zhvilloja intervistën ekskluzive për Rilindjen festive të Vitit të Ri.

Më pak se një muaj para përurimit të Shtëpisë së Pavarësisë në Prishtinë, Presidenti Rugova në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare kishte dalë me propozimin për simbolet shtetërore, për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës.

“Gjithsesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës”, thoshte Rugova në intervistën ekskluzive që zhvillova në prag të Vitit të Ri 2003 për gazetën Rilindja.

Mes pyetjeve që i bëra Presidentit Rugova, në bashkëbisedim, iu drejtova: “Kosova po bëhet edhe me simbolet shtetërore. Në Festën e Flamurit e të 90 vjetorit të Pavarësisë Shqiptare dolët me propozimin për Flamurin dhe për Himnin Shtetëror të Kosovës. Para pak ditësh, në 13 vjetorin e LDK-së, partisë që e udhëheqni Ju që nga fillimi si një lëvizje për liri, pavarësi e demokraci, përuruat edhe një monument, një shenjë shtetërore – Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës. Ju lutem të na flisni edhe për këto momente të rëndësishme në rrugën e bërjes së Kosovës shtet”.

Presidenti Rugova u përgjegj: “Gjithësesi ne duhet t’i kemi simbolet shtetërore si shtet i Kosovës. Siç e dini, flamurin qe sa vite unë e përdor edhe si stemë të Presidentit të Kosovës, pra si emblemë, edhe në komunikime ndërkombëtare zyrtare, po edhe të brendshme. Edhe flamurin shtetëror duhet ta kemi, flamur që shpreh specifikën e Kosovës. Tani shenjat kombëtare i përdor Shqipëria si shtet aktual.

Për himnin, do përkujtuar se është ajo kënga e dashur e 1912-tës, që e kanë kënduar të gjithë shqiptarët. Natyrisht do të ketë përpunim artistik, po them standarde artistike, po edhe standarde shtetërore. Për këto do të ndiqen procedurat, pra në konsultim me institucionet e Kosovës, me Parlamentin, me Qeverinë. Po edhe njerëzit le të diskutojnë, le t’i thonë hapur mendimet e veta. Por, besoj se shumica në Kosovë – e popullit, e intelegjencies, e klasës politike – janë dakord që të kemi simbolet tona. E kam marrë këtë si një inisiativë të Presidentit. Është në detyrën time t’i eci këto punë dhe besoj se së shpejti do të kryhen. Në këtë vazhdë ishte edhe përurimi i Shtëpisë së Pavarsisë. Dëshiruam të lëmë një monument, një traditë, atje ku janë krijuar institucionet e para të Republikës së Kosovës. Do të ketë një kompleks të Pavarësisë aty, që do të ketë objekte përcjellëse, ndërsa po ajo shtëpi nismëtare do të ruhet dhe do të ketë edhe karakter muzeal, po edhe aktiv. Do ta mbajmë gjallë atë kompleks. Pra, të krijojmë edhe një traditë. Ne kemi një traditë me Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit, pastaj në Shqipëri është Shtëpa e Pavarësisë në Vlorë, edhe këtu tash Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, që ka simbolikën e vet. Kemi edhe një shenjë të veprimit, sepse të gjithë, i gjithë populli i Kosovës, kemi kaluar nëpër atë shtëpi që ka qenë një shtëpi e shpresës, e pavarësisë, e lirisë dhe e demokracisë”.

Edhe tani dhe përjetshëm Flamuri i Dardanisë, i dizajnuar sipas idesë së Presidentit historik Rugova dhe Flamuri Kombëtar Shqiptar janë në të dy anët e Flamurit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Shtëpinë e Pavarësisë me emrin e Ibrahim Rugovës.

 Presidenti Rugova kaherë theksonte idenë për autostradën Shqipëri-Kosovë, Rrugën e Kombit, nëpër shtigjet e vjetra historike, derisa shprehej se, “nëpër vendin tim kalojnë rrugë të rëndësishme evropiane, sikur ishte rruga antike Via Egnatia”.

Me vendimin e Qeverisë kosovare, është emërtuar “Ibrahim Rugova” autostrada në Kosovë, e ndërtuar në vazhdim të autostradës në Shqipëri nga bregdeti shqiptar-Durrësi deri në portën kufitare në Morinë-Vërmicë, mes qytetit të Lidhjes së Prizrenit dhe Kukësit.

Në Tetorin e vitit 2005,  Presidenti Rugova në takim me projektuesit thoshte se se ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës tregon se, “ne jemi të aftë të bëjmë dhe mbajmë shtet, dhe se e meritojmë pavarësinë”.

 “Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e pavarësisë, të jemi një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë”, më thoshte Presidenti Rugova në një intervistë tjetër eksluzive në jubileun e 60 vjetorit të gazetës Rilindja, të 12 Shkurtit 2005, ku poashtu fliste edhe për autostradën dhe marrëdhëniet me Shqipërinë, edhe për garancitë e shtetit të Kosovës për pakicat kombëtare, për të gjithë qytetarët.

“Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët tanë”, theksonte Rugova në intervistën eksluzive që në ballinë të gazetës Rilindja kishte kryetitullin: “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.


“Njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, theksonte Rugova.

Ndërsa, i pyetur për marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, shembull për rajonin dhe se si e shihte të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet euroatlantike, Rugova thoshte:

“Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë-Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë”.

Me rastin e pritjes që më bëri dhe intervistës ekskluzive në prag të 12 Shkurtit 2005 – ditës së 60 vjetorit të gazetës Rilindja, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues e Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

 Më pak se një muaj para se të kaloi në amshim njeriu që bëri epokë, Presidenti historik Rugova – Presidenti i lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në ditën e përvjetorit të themelimit të LDK-së,  partisë-lëvizje, që e udhëhiqte që nga fillimi, regjistrova fjalët-mesazhin e tij, si një amanet, në Rezidencën në lagjen Velania të Prishtinës, në 23 Dhjetor 2005.
 “Objektivi kryesor është pavarësia e Kosovës. Do të punojmë në të gjitha segmentet që të jetë një pavarësi e qëndrueshme, që do t’u përgjigjet të gjithë qytetarëve të Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës”,  theksonte Presidenti Rugova në atë takim të fundvitit të tij të fundit, ku  paralajmëronte formimin edhe të dy ministrive të reja – të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Ibrahim Rugova u shua në 21 Janar 2006. Më shumë se gjysëm milioni njerëz u mblodhën në Prishtinë, gjithë bota nderoi në përcjelljen e fundit për Presidentin historik, i cili prehet në amshim në lagjen Velania te Bregu i Diellit, të kryeqytetit të Kosovës.

SHKRIME NGA ARKIVI:

KRYETARI I VATRËS, Z. ELMI BERISHA, NDEROI ME MIRËNJOHJE TË ARTË DR. IBRAHIM RUGOVËN (PAS VDEKJES)

Të Premten, 3 tetor 2020, Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA” z. Elmi Berisha ka nderuar Presidentin historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova (Pas vdekjes) me Medaljen e Artë të Vatrës.

       Në tekstin e Mirënjohjes shkruhet:

 Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” nderon me “Mirënjohjen e Artë” – Post Mortem – Presidentin e Parë Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova për kontributin e jashtzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, për udhëheqjen vizionare të Rezistencës të Kosovës për Liri dhe Demokraci, për ndërtimin e urave të miqësisë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Dr. Rugova ishte arkitekti i ndërtimit të shtetit dhe Pavarësisë së Kosovës.”

I pyetur nga gazeta Dielli, Kryetari Berisha, tha se ishte i privilegjuar që e ndau këtë nderim me familjen Rugova, i cili kishte një vlerësim të jashtzakonshëm për Vatrën. Z. Berisha tha se takimi me Zonjën e Parë të Kosovës, Fane Rugova dhe pjestarët e tjerë të familjes në Shtëpinë Historike të Presidentit, ishte i përzemërt dhe i mbushur me emocione.

– Ne biseduam dhe kujtuam miqësinë dhe bashkëpunimin për rreth tri dekada me Presidentin Rugova. Posaçërisht kujtuam kohën kur isha përfaqësues special i Presidentit Rugova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pranë Zyrës së Senatorit Republikan Bob Dole, – tha Kryetari Berisha.

Zonja Fane falenderoi Vatrën për nderimin që i bëri Presidentit Rugova.

   Ky nderim që iu bë Presidentit Historik nga Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” përkoi me 31 vjetorin e vizitës së Parë të Dr. Ibrahim Rugovës në Shtete e Bashkuara të Amerikës. Ishte Seminari kushtuar 300 Vjetorit të Pjetër Bogdanit, kur Dr. Rugova u ftua së bashku me ligjërus të tjerë në SHBA. 

Me 4 tetor të vitit 1989, Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Këshillit të Mirë”, sot “Zoja e Shkodrës” në Nju Jork, organizoi seminarin shkencor, në të cilin ishin të ftuar folës të zgjedhur dhe personalitete të njohura shqiptare në fushën e kulturës, të fesë dhe politikës Kombëtare të asaj periudhe, si : Profesor Arshi Pipa, At Danjel Gjeçaj, Dr. Ibrahim Rugova dhe Profesor Dr. Engjëll Sedaj (të ardhur nga Kosova), si dhe Profesor Martin Camaj, ardhur nga Gjermania. (Gazeta Dielli)

ME VATRANËT E SHBA NË SHTËPINË E PAVARËSISË SË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA

Në Prishtinë, verë – 16 Gusht 2016: President i Lirisë e Pavarësisë së Kosovës përjetësisht…Përgjithmonë mirënjohës, falënderues…Shkruajnë vatranët nga SHBA në librin e pafund që shkruhet përditë nga populli në shtëpinë e vogël të punëve të mëdha e historike, e cila prej vitesh është e emërtuar: Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Këtë shtëpi-muze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, e viziton nga mesdita e 16 gushtit 2016 delegacioni i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj, ku janë edhe Laura Rexhaj, Marjan Cubi – arkëtar i Vatrës, Dila Cubi, Fran Marku, Mhill Gjuraj, Pashk Maksuti, Mëhill Velaj dhe unë-korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli – organ i Vatrës, pasi të gjithë së bashku u pritëm me shumë nderim e respekt në Ipeshkvinë e Kosovës dhe në Katedralen “Nënë Tereza” nga Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, e me ftesën e tij ishim pjesëmarrës edhe në ceremoninë e promovimit të Pullës Postare “Shenjtërimi i Nënës Terezë”…

Në Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova së pari hymë në dhomën e vogël që ishte zyrë e Presidentit historik, pastaj në sallën ku priste delegacione më të mëdha e mbante konferenca për shtyp, në dhomëzen ku ishte teknika e komunikimeve me botën e për shpërndarjen e informacioneve, duke kaluar nëpër korridorin një pjesë e të cilit ishte byfe…Shumë vjet të kohës së lëvizjes e luftës për liri, pavarësi e demokraci, kam kaluar nëpër këtë shtëpi historike dhe në ditën e vizitës së Vatrës shqiptare nga SHBA flas edhe si ciceron…

“Kur Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur kjo shtëpi do jetë muze”, thoshte  Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova….  Këte e shumë momente tjera e zhvillime historike për shqiptarët e Kosovën, në këtë verë 2016, i përkujtojmë me Agimin-zv/kryetarin e Vatrës, mikun e bashkëpunëtorin e afërt të Presidentit historik Rugova, themeluesin e udhëheqësin e LDK-së në SHBA, derisa hyjmë në këtë shtëpi të ëndërrave e idealeve të mëdha, mbi portën e së cilës nga fundviti 2002 i 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë ishte vendosur mbishkrimi Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, e pastaj Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova…

Edhe të gjitha këto i biseduam e kujtuam me delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra derisa vizituam Shtëpinë e Pavarësisë së Kosovës e pastaj edhe derisa në ëmbëltoren e afërt ku pinte kafe Presidenti historik Rugova pinim kafe edhe ne…

22 Janar 2006: PIKËLLIM I MADH NË CERRCË, TEK MOLIKA E MBJELLË NGA IBRAHIM RUGOVA

– Nga Behlul Jashari –

     PRISHTINË, 22 Janar /ATSH/ – Pikëllim i madh ka rënë në vendlindjen e Presidentit Ibrahim Rugova, në Cerrcë të Istogut, te molika që ai kishte mbjellë në oborrin e shtëpisë, kur ishte tetë vjeç. Presidenti Rugova vdiq në moshën 61-vjeçare, molika vazhdon të rritet në vendlindjen e tij edhe pas 53 vjetëve.
     Rreth asaj molike u tubuan njerëzit e fshatit, sapo morën lajmin për vdekjen e Presidenti dhe si në një vend të bekuar qëndrojnë të bashkuar edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 30 orë nga lajmi i hidhur. 
     “Me duart e veta e pat mbjellë këtë molikë”, thotë xhaxhai i Ibrahim Rugovës, Ali Rustë Rugova, njeriu që e rriti dhe e shkolloi dhe që sot pret ngushëllime. “A ende e paske molikën time?”, e kishte pyetur Rugova i lumtur xhaxhain  në vizitën e fundit që i bëri vendlindjes.
     Në luftën e fundit, forcat serbe dogjën e rrënuan shtëpitë e familjes Rugova. Aliu tregon me dorë andej ku tani nuk ka më shtëpi dhe thotë: “Në këtë vend ka lindur Ibrahimi, këtu e kemi pasur truallin e shtëpisë”.
     Por historia e familjes Rugova është edhe më e hidhur. Vetëm një muaj pasi lindi, foshnja që e kishin quajtur Ibrahim, mbeti pa babanë: Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944, ndërsa më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë i pushkatuan babanë, Ukë Rugovën dhe gjyshin, Rustë Rugovën. Ky i fundit ishte luftëtar i njohur kundër grupeve çetnike që kishin depërtuar gjatë Luftës II Botërore në krahinën e Rugovës.
     “I kanë vra në Kullën e Popit. I vrau OZNA, UDB-ja. As sot nuk ua dimë eshtrat”, tregojnë njerëzit e familjes Rugova. Më e moshuara e Cerrcës, Rabë Rugova, mbi njëqind vjeçe, tregon edhe histori të tjera. “Uka, babai i Ibrahimit, ka pasë lindë pas gjashtë vajzave dhe ishte gëzim i madh për familjen e farefisin. Kur Ukën e vranë, për Ibrahimin u kujdes vëllau im, Aliu, si për djemtë e vet”.
     Në Cerrcë tregojnë se plaka Rabë shpesh çohet edhe natën dhe e puth fotografinë e të nipit, President i Kosovës. Tregojnë edhe histori të tjera. Tregojnë se tek i biri, Uka, Ibrahim Rugova ka përtërirë emrin e të atit, Ukës së vjetër. 
     Bashkë me të tjerët, pret ngushëllime edhe Ajet Hasanaj, shok i fëmijërisë dhe i shkollës i Ibrahim Rugovës. “Ibrahimi ishte i gjithë Kosovës”, flet ai me dhembje të madhe për humbjen e madhe. “Kosova do shkojë përpara edhe pas Rugovës, se ka veprën e tij të madhe. Ibrahim Rugova do mbetet përgjithmonë President i Pavarësisë së Kosovës”, thonë njerëzit në Cerrcë, në vendlindjen e Presidentit Rugova.
/pas/s.s./

Filed Under: Politike

Klevis VS Kastro: Një diskurs filozofik me artistin Kastro Zizo

December 2, 2022 by s p

Nga Artemisa Kastrioti, Nju Jork/



Kastro Zizo (Klevis Bega), është një ndër artistët shqiptarë më të kërkuar të industrisë së muzikës, showbizit dhe entertainment me famë botërore. Kastro vazhdon e pushton industrinë e muzikës shqiptare ndër vite, duke lënë gjurmë në festivalet më prestigjioze internacionale dhe kombëtare shqiptare si Kënga Magjike, Top Fest, Mikrofoni i Artë, Festivali i Këngës, etj, ku është shpërblyer me shumë çmime (Artisti më i mirë, Artisti i Vitit, Interpretimi më i mirë, Best Pop, Best Male Artist, Best Tendencë, Best Feat., etj).

Përveç një karrierë të suksesshme në muzikë, Kastro Zizo ka dëshmuar që është një aktor i fuqishëm me nivel të paarritshëm. Sot në Shqipëri janë të pakët ato artistë dhe aktorë të një niveli të paarritshëm si Kastro Zizo që i përkasin brezit të sotshëm të kualifikuar artistësh (bëhet fjalë pas brezit të papërsëritshëm të aktorëve të mëdhenj Robert Ndrenika, Timo Flloko, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, etj). Falë nivelit të lartë artistik dhe të krijimtarisë së tij, origjinalitetit, profesionalitetit, dhe inteligjencës, Kastro Zizo kapërceu ekranin dhe bëri popullor jo vetëm identitetin e tij artistik, por i hapi rrugë krijimit të zhanreve të reja së muzikës moderne shqiptare.

Momentalisht, Kastro Zizo është konkurent në Dance Albania, spektakli më i famshëm i kërcimit në Shqipëri nga Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu në TV Klan, me juri yjet e mirënjohura Ermal Mamaqi, Klaudia Pepa dhe Ilir Shaqiri.



Si e kuptoni ekzistencën njerëzore karshi identitetit? Në prizmin e ekzistencës së kohës – e tashmja, e kaluara dhe e ardhmja, apo sipas filozofisë eternaliste ku ngjarjet e ardhshme janë “tashmë atje/tani” dhe nuk ka rrjedhë të kohës? Domethënë e ardhmja a është duke u shkruar në ato momente (në të njëjtën kohë që po ndodh), apo mendon se çdo gjë ka kohën e vet të përcaktuar?

Kastro Zizo: Ekzistenca, apo ajo njerëzore karshi asaj që ne e quajmë identitet nuk është asgjë më shumë se një copëz e asaj që është një “Identitet masiv”. Identiteti jonë i krijuar si pasojë e pasqyrimit të realitetit objektiv ose më saktë të atij realiteti që po ne kemi krijuar. Një realitet i lidhur kushtimish me 5 shqisat tona.

Mikro realitetet e krijuara individualisht si pasojë e “nënshtrimit” fizik (dhimbje ndjesore, dashuria ndonjëherë, etj) bëjnë “pasurimin” e “realitetit të madh objektiv” duke hapur shkak pasoja të papërcaktuara më parë në rrjedhën që vetë realiteti tenton të jetë “rregullator”.

Në konceptin algjebrik ose vektorial të kohës ajo vjen si “pjellë” e mendimeve njerëzore. Edhe koha vjen dhe “prek” individualisht si pasojë e dukurive fizike të realitetit. Koha “riprodhohet” si “entitet” universal dhe individual. Në një mos prekje të një të tashme absolute, rrjedha, e ardhmja vjen dhe “kalon” në një cikël “pikë”. Pika kohore që në rrjedhën e saj vë në zbatim mendime të ekzistencave duke paracaktuar rrjedhën e eventeve. Koha si një koncept relativ “shkrihet” në atë rrjedhë hapësinore-kohore me burim mendimin dhe vetë ekzistencën njerëzore. Fatalisht në çdo milisekondë kohore të së “tashmes” e ardhmja është përcaktuar, por me fleksibilitetin për t’u ndryshuar në po atë milisekondë.

Energjia që secila “ndërgjegje objektive” jep, ka hapur dhe hap rrjedhë dhe fatin e asaj që ne e quajmë Botë. Mendimi jonë është realiteti dhe koha jonë. Ajo që ne jemi është si pasojë e energjisë së prodhuar në “grup” dhe na orjenton drejt fatit tonë. Energjia “stilon” njeriun dhe i përcakton “fatin”.

Teoria e personalitetit e Frojdit identifikon Id-in, superegon dhe egon. Në realitetin tuaj personal dhe artistik si i përcaktoni këto tre koncepte?

Kastro Zizo: Id percaktoj si ajo që bën “punët e pista” dhe shumë jetike mbi atë që ne e quajmë jetë. Në lidhjen e egos dhe superegos, ato janë aty fillimisht si trashëgimni gjenetike dhe si vazhdim, plastifikimi i të dyjave percakton të ardhmen time gjenetike. Në një shoqëri morale ose jo (koncepte të paracaktuara nga lloji i shoqërisë) krijon, strukturon egon dhe automatikisht ndikon në “realitetin masiv”.

Artistikisht ndihem i lirë në rregullat morale që superego mi ka “imponuar” por që në lirinë e fantazisë shkoj përtej duke krijuar mikro realitete dhe përcaktuar “fatin” tim artistik në atë që Unë dua të jap.

Cilat konsideroni si arritje dhe çfarë idesh dëshironi të realizoni?

Kastro Zizo: Nga ana njerëzore dhe ajo artistike arritjet e mia më të mëdha janë fëmijët e mi, Dankan, Nia dhe Dante. Kënaqësia personale në lidhje me këto arritje është shkrirje, bën dhe plotëson egon time dhe e rafinon duke e bërë më të “mirë” mbi atë etalonë matëse që ne kemi paracaktuar. Mes shumë ideve, dua të bëj një botë më të mirë në marrëdhënien energjitike që secili prej nesh ka me njëri-tjetrin. Dua të “vras egon” që Id-i “instiktivisht” të bëjë dhe “punët” që i thuhen dhe s’i bën vetë (shkrirjen e disa ndjesive, dashurisë pa paracaktime morale).

Për cilat gjëra jeni të ndërgjegjshmëm dhe të pandërgjegjshmëm në realitetin tuaj personal dhe atë artistik? Kjo nga ana individuale.

Kastro Zizo: Jam i ndërgjegjeshëm qe do vdes por do jem gjallë. Jam i pandërgjegjshë kur dashurinë e jap pa vlera e kushte dhe kjo me jep lumturi.

Po në aspektin kolektiv – pa/ndërgjegjshmëria që keni parë sipas përvojës tuaj nga shoqëria përreth artit?

Kastro Zizo: Arti duhet të jetë i pandërgjegjshëm se ndryshe estetikisht bën “pis” sytë dhe objektivisht reflekton tjetër gjë duke mos dhënë vetë qellimin e krijimit artistik.

Cilët faktorë sollën rilindjen tuaj personale dhe artistike?

Kastro Zizo: Dashuria për fëmijët e mi dhe bashkëudhëtaren time në jetë. Reflektimi që unë kisha mundësinë për të ndryshuar veten, botën dhe krijuar një realitet të ri.

Një personazh publik, a mund të jetë i sinqertë 100% ndaj egos (qenies) personale kur ushqen qenien artistike?

Kastro Zizo: Jo, e pamundur! Ndryshe nga njerëzit “normal” pesha dhe konjuktura që ka një personazh publik është kushtimisht e lidhur me shumë realitete të reja që e rrethojnë dhe i ndikojnë. Sinqeritetin artisti e ka vetëm kur nuk bën kompromis me veten dhe botën. Por kjo është e vështirë t’a bëj edhe kur izolohet në realitetin e vet, ku është plot me copëza të realitetit masiv.

Lufta dhe paqa midis dy qenieve (personale dhe artistike) – a ka balanc midis dy qenieve dhe a mund të triumfojnë të dyja në të njëjtën kohë?

Kastro Zizo: Mos balancimi i tyre bëjnë që të “dy” të kenë një bashkëjetesë në simbiozë me atë që ushqen njëri dhe tjetri. Fajet, peshat morale të njerit apo tjetrit bëjnë rrjedhën e dy realiteteve në një trup. Rrjedha dhe ndërthurja e tyre forcojnë pozitën mendore të qenies sime artistike. Mendoj që në këtë pikë, personalja dhe artistikja janë pjesë e një entiteti të vetëm që më bëjnë mua përballë pasqyrës por jo në realitetin objektiv.

Mund të shpjegoni evolimin e krijimtarisë tuaj artistike nëpërmjet projekteve, të cilat kanë qenë kulminante në rrugëtimin tuaj si artist dhe pse?

Kastro Zizo: Në vitin 2001 me grupin 2 Farm kënga “Lodhem” (Ia ke fut kot plako) erdhi si pasojë e një nevoje komerciale që gjërat dhe mendimet të shpreheshin dhe vinin më shpejt. Si një çunak me shumë energji për të ndryshuar botën, materiali erdhi për të plotësuar shumë ego. Pas disa vitesh në 2007 “Gjinkalla” do t’më “këndonte” në vesh për të shkruar e kompozuar të ardhmen time personale. Muzika nga viti në vit filloji të piqej dhe ndonjëherë të kërciste si një “kokoshkë” pa shumë vlera. Jam gjykues e paragjykues i madh i artit tim. Janë të shumta veprat muzikore që tregojnë atë që unë jam dhe të shumta ato që kam “vjedhur” nga ego të ndryshme.

Motivimi i vetes dhe rishpikja e saj – sa të rëndësishme janë dhe si ndikojnë sjelljen e njeriut? Si e keni rishpikuar veten tuaj?

Kastro Zizo: Fëmijët “pjella” jote është vetëm vazhdimi i qenies tënde dhe në mbivlerësimin e egos ne japim dhe shprehim dashuri pa kompromise. Në çdo moment mund të bëhet kjo dhe nga kushdo. Rishpikja ime ishte shumë e thjeshtë, dashuria…për veten dhe gjithë tjerët.

Vendosja e vetes në funksion të të tjerëve – a ndërpritet vetëvetja (jeta personale) kur vendoset njeriu në shërbim të tjerëve? Dhe a është kjo një akt hyjnor përtej humanizmit njerëzor (psh falja e dashurisë nga Zoti, mirëkuptimi shpirtëror duke i shërbyer të tjerëve)?

Kastro Zizo: Vendosja në sherbim dhe funksion të të tjerëve më bën që të hap hapësirat e mia energjitike dhe vetëvetja ime vetëm pasurohet. Frekuenca që lëshon ndienja, dashuria pa kushte apo imponime, pastron dhe sjell rrjedha të reja të realitetit. Nuk ka asgjë hyjnore në të bërit këtë… është detyrim universal që unë po e bëj me shumë dashuri.

Cilat janë disa nga eventet dhe aktivitetet organizuar nëpërmjet organizatës tuaj “E ardhmja ime, e tashmja ime”. Mund të na tregoni pak më tepër për themelimin, qëllimin dhe misionin e saj?

Kastro Zizo: “E ardhmja ime, e tashmja ime” është një organizatë jofitimprurëse (nonprofit organization) e themeluar në Tiranë, që me mundësitë e veta ka krijuar hapësira për të rinjtë. Është një shoqatë e re, 2 vjeçare që ka për qëllim mbështetjen dhe orjentimin e të rinjve drejt pasioneve dhe talenteve të tyre. Në realizimin e projekteve me këtë shoqatë kemi dashur të krijojmë një ambient mbështetës mbi çdo ide që të rinjtë kanë. Me projektin që mban të njëjtin emër me shoqatën, së fundmi, në shtator 2022 realizuam një seri “podcus-ësh natyror” me tematika për të ndërtuar e krijuar të ardhmen tonë sot.

Cila është trashëgimia që dëshironi të leni pas?

Kastro Zizo: Dua të le ndjesira të bukura që të ndikojnë në jetën e secilit.

Projekti juaj i fundit?

Kastro Zizo: Projeti i fundit vjen në fund të dhjetorit në Festivalin e RTSH me grupin 2 Farm. Projekti është një shuplakë e fortë e një sistemi diktatorial shpirtëror që te disa ndodh.

Cfarë do të thotë Oscar për karrierën e një aktori? Përvoja juaj në filmin “Pharmakon”?

Kastro Zizo: Oscar do të thotë një eksperiencë shumë e bukur që mentalisht e kam kaluar në vitin 2012, ku filmi “Pharmakon” përfaqësoi Shqipërinë. Filmi ka qenë ndër eksperiencat e mia më të bukura dhe ka ndikuar në bërjen e shumë materialeve artistike nga unë. Punova pranë emrave të mëdhenj në regji, produksion dhe aktorë. Një “punë” e bërë mirë dhe unë jam shumë krenar.

Filed Under: ESSE

Maya Aliçkaj: Koha është vlerësimi më i mirë i çdo gjëje

December 2, 2022 by s p

Intervistë me këngëtaren Maya Aliçkaj.

Intervistoi: Armend Preteni

Ashtu siç e ka edhe emrin këngëtarja e njohur e muzikës popullore Maya Aliçkaj ka pasur fatin e bardhë në rrugën e këngës krahas talentit dhe punës së zellshme ndër vite.

Në opusin e saj Maya numron disa albume si: “Lege- Lege”, “Guri i rëndë në vend të vetë”, “Baba me zemër të madhe”, “Djalë shqiptar” e shumë këngë tjera solo e bashkëpunime që e bëjnë atë një artiste të veçantë e cila nuk i harron vlerat e tabanit të origjinës vlonjate.

Si rallë herë në një intervistë këngëtarja Maya Aliçkaj përgjigjet në pyetjet e gazetarit Armend Preteni, rreth jetës dhe karrierës të cilat ju ftoj t’i lexoni në vijim…

“Këngë Tabani” mban titullin kënga e fundit që keni publikuar, sa jeni ndarë e kënaqur me finalizimin e projektit dhe si e mirëpriti publiku juaj besnik?

Maya Aliçkaj: E kam titulluar “Këngë Tabani” jo më kot, pasi në përgjithësi muzika ime është këngë popullore tabani por këto janë pak më tipike dhe kisha një kohë relativisht të gjatë që për publikun tim besnik nuk kisha sjell në treg ndonjë nga këto këngë fikse të tabanit. Për këtë arsye e titullova “Këngë Tabani” dhe fatmirësisht ka kaluar shumë mirë gjithqka. Jam shumë e kënaqur me realizimin së pari të audios dhe shumë e kënaqur gjithashtu me realizimin e videoklipit dhe me këtë rast falenderoj bashkëpuntorët e mi Genc Malaj të audios-kompozitorin dhe Edlira Bahollin regjisoren e videoklipit. Kënga është mirëpritur vërtetë shumë mirë nga publiku. Ato klikimet në Youtube janë një tregues por unë nuk është se e ndihmoj këngën në financë dhe gjëra tjera unë e lë të lirë pa e ndihmuar në reklamë etj. Në çdo koncert që shkoj këngën e këndojnë të gjithë dhe është shumë e pëlqyer.

Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji nga vendlindja?

Maya Aliçkaj: Në fukarallëk por ne si fëmijë nuk është se e ndjenim shumë atë pasi ushqimi më i mirë për fëmijën është dashuria dhe unë e kisha pa masë nga familja ime dhe nga të afërmit. Isha dhe fëmija i fundit dhe për këtë arsye isha pakë më e përkdhelur nga të tjerët. Andaj gjithqka e kujtoj me nostalgji por do të veqoja një moment që ka lidhje me profesionin tim: Isha shumë e vogël, pa vajtur në shkollë normal dhe mblidhja fëmijët para shtëpisë time në një arë ku mbillej grurë tanimë ishte korrur gruri. Derisa unë i vija fëmijët si spekatorë atje, improvizoja një mikrofon dhe dilja këndoja para tyre dhe bëja një spektakël tamam naiv të fëmijëve. Kjo më kujtohet për momentin.

A do të dëshironi që edhe djali juaj Jonas ta vazhdonte rrugën e nënës dhe të bëhej një artist në të ardhmen?

Maya Aliçkaj: Në të vëtetë më pëlqen arti, natyrisht skena është shtëpia ime andaj gjërat e bukura që përjetojmë natyrisht dëshiron t’i shikosh edhe te fëmija yt. Duke qenë se unë artin e dashuroj kaq shumë dhe kam marr kaq shumë emocione pozitive qoftë nga teatri qoftë nga kënga do të doja që dhe djali im Jonas të bëhej në artist por, por e them se kjo është thjesht një dëshirë, nuk do isha kurrë posesive që djali të bëhej pajtjetër artist, nëse ai do ta ketë dëshirën dhe talentin normal do ta ndihmoja.

A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?

Maya Aliçkaj: Po më ka ndodhur natyrisht që kam kthyer këngë të cilat kam menduar se nuk më janë përshtatur mua madje kam kthyer edhe këngë të cilat i kemi punuar por nuk më është mbushur mendja që do ishin shumë të pëlqyera për publikun andaj edhe i kam lënë përgjysmë.

A jeni vaksinuar kundër Covid-19 dhe a besoni se viti 2022 do jetë fundi i pandemisë COVID-19 dhe varianteve të saj?

Maya Aliçkaj: Jam vaksinuar në të vërtetë për domosdoshmëri.Nuk doja të vaksinohesha sepse gjatë gjithë kohës së Covid-19, faliminderit Zotit unë nuk u infektova asnjëherë nga ky virus por kur kisha një turne në Amerikë, ishte domosdoshmëri që unë të hyja në tokën amerikane e vaksinuar. Përndryshe që të mos futem më gjatë në shtjellimin e kësaj çështje sepse është relative nuk isha shumë e interesuar për ta marr vaksinën

Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?

Maya Aliçkaj: Për hirë të së vërtetës provokimet janë bërë në modë por unë kam tjetër rrugë. Unë në skenë përcjell te publiku im emocionin, energjinë time, dërgoj atë që përjetoj unë dhe këtë e kam edhe të lindur edhe të mësuar në Akademinë e Arteve që atë emocionin që përjetojmë në një këngë apo në një rol duhet ta përçojmë tek publiku dhe kjo ka qenë dhe është motoja ime, shpirtin çoj unë tek njerëzit. Pra tek unë nuk është puna e provokimit por për disa artistë ja që luan rol. Dhe këtë nuk e ka bërë vetëm skena por edhe bota virtuale.

Me cilin këngëtar/e nga estarda do të preferoje ta realizoje një bashkëpunim?

Maya Aliçkaj: Unë në vërtetë kam disa preferenca dhe jam në rrugë për t’i bërë këto bashkëpunime por pasi që unë jam pak supersicioze nuk do t’i them emrat tani. Për ato bashkëpunime që kam bërë ju i dini, janë këngëtarët më tipikë të estardës shqiptare si bilbili i jugut Petrit Lulo dhe bilbili i veriut Fatmira Breçani.

Sipas jush, ku është muzika shqipe sot, a jeni e kënaqur me standartin aktual, apo duhet ndryshime urgjente?

Maya Aliçkaj: Për mendimin tim muzika shqipe sot ka shumë evolim, ka shumë përparime por ka edhe shumë abuzime do të thoja. Natyrisht përkrah përparimeve dhe abuzimeve edhe kjo është një temë që duhet të flisja një ditë të tërë ndoshta për të treguar vërtetë mendimin tim për arsye se gjëja e parë që duhet të ketë këngëtari është zëri, thojnë italianët tre cilësi duhet të ketë një këngëtar zë, zë dhe vetëm zë andaj duke mos e pasur këtë dhunti disa po bëhen shumë të suksesshëm për shumë arsye të tjera por jo për atë që duhet e kjo është për të ardhur keq më të vërtetë por ndoshta koha është vlerësimi më i mirë i çdo gjëje dhe shpresoj që dalë-ngadalë këngëtarët ta bëjnë punën e këngëtarit dhe jo çdokush të bëhet këngëtar.

Cila është motoja që Maya Aliçkaj përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?

Maya Aliçkaj: Motoja ime është falni dashuri për njëri-tjetrin, të jetojmë në harmoni dhe kjo nuk është një gjë shumë e vështirë, në të vërtetë është gjëja më e thjeshtë për mendimin tim dhe për shpirtin tim. Nëse falni dashuri ajo ka brenda edhe sakrificën në çdo lloj mardhënie, andaj jeton më bukur duke falur dashuri.

Filed Under: Kulture Tagged With: maya alickaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT