• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for February 2023

ASOCIACIONI I PROPOZUAR E SHNDËRRON KOSOVËN NË FUÇI BARUTI 

February 7, 2023 by s p

Xhelal Zejneli/

Më 19 prill 2013, Kosova dhe Serbia arritën në Bruksel atë që u quajt Marrëveshje e parë e parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve. Një pjesë e kësaj marrëveshjeje i kushtohet formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i njohur shkurtimisht si AKS. Bazuar në këtë marrëveshje, asociacioni do të ishte një strukturë e komunave me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e veriut, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Ranillug dhe Partesh. 

Më 25 gusht 2015, Kosova dhe Serbia u pajtuan mbi Parimet e përgjithshme/elementet kryesore të AKS-së. Marrëveshja përcaktoi kornizën ligjore, objektivat, strukturën organizative, marrëdhëniet me autoritetet qendrore, zotësinë juridike si dhe dispozitat e përgjithshme dhe përfundimtare të Asociacionit.

*   *   *

Më 31 tetor 2015, kryetarja e Kosovës i paraqiti kërkesë Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për ta vlerësuar përputhshmërinë e parimeve të përgjithshme / të elementeve kryesore të AKS-së me frymën e Kushtetutës së Kosovës. Gjykata konstatoi se parimet nuk janë në përputhje të plotë me Kushtetutën. 

*   *   *

S’ka shqiptar në botë që e pranon një asociacion të këtillë që krijon në Kosovë shtet brenda shtetit. Por shumë shqiptarë e kanë mbyllur gojën ngase pas këtij projekti – thellësisht antishqiptar – qëndron Amerika. Po të mos ishte Gabriel Eskobari diplomat amerikan, i madh e i vogël, do të çohej kundër tij dhe do të shpallej person i padëshiruar, d.m.th. persona non grata.    

*   *   *

Më 2 dhe shkurt të viti në vazhdim, lidhur me Kosovën Kuvendi i Serbisë mbajti mbledhje. Kundër paktit me Kosovën, në sallë pati do protesta. Këto “protesta” nuk janë veçse skenar i shtetit serb dhe i Vuçiqit, në mënyrë që Serbia ta forcojë pozicionin e vet përballë Kosovës dhe Fuqive perëndimore. “Propozimin për asociacionin ne nuk mund ta pranojmë. A s’e shihni se çfarë rezistence ka ndër përfaqësuesit e popullit”. Disa mediume perëndimore shkruan: “Vuçiqi, prej heroit, u shndërrua në tradhtar”. Fuqitë perëndimore nuk duhet të brengosen gjithaq për kriminelin e Ballkanit. I përkëdhelur nga të gjitha anët, nga Perëndimi dhe Lindja, ai për popullin e vet s’ka sesi të mos jetë hero. Për “protestat” serbe në Kuvendin e Serbisë, kanë dhënë lajme edhe disa mediume shqiptare. Serbët janë specialistë për skenarë të tilla. Gjithmonë në politikë kërkohet maksimumi i maksimumit që të fitohet sa më shumë.  

*   *   *

Gabriel Eskobari thotë: “Asociacioni do të bëhet, me Albin Kurtin ose pa të”. Ky diplomat amerikan e di fort mirë se kryeministri Albin Kurti përfaqëson shumicën e vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Oponentët e tij bashkë morën më pak vota se ky vetë. Me këtë qëndrim, Eskobari shkel parimet themelore të demokracisë. Z. Eskobar! Çfarë vlere do të kishte një asociacion pa nënshkrimin e Albin Kurtit?! Çdo nënshkrues tjetër do të ishte një rahmanmorinë dhe asgjë tjetër. Të tillët i ka mohuar historia deri në jetë të jetëve. Në botën shqiptare, të tillët janë shndërruar në metaforë të tradhtisë së lartë. 

*   *   *

Në tetor të vitit 1913, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit e caktoi princin gjerman Vilhelm Vid (Wilhelm Wied, 1876-1945) në krye të shtetit shqiptar. Një dërgatë e kryesuar nga Esat pashë Toptani (1863-1920) ku bënin pjesë edhe Milto Shavari, Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917), Xhemil bej Vlora (1878-1936), Spiro Jorgo Koleka (1879/1880–1940), Jusuf Hamzaraj, Shefqet Vërlaci (1878-1946), Elefter Nosi i njohur më shumë si Lef Nosi (1877-1946), Ahmet Hastopalli (1894-?), Gjon Çoba (1874-1943), Sami bej Vrioni (1870-1947), Hysen bej Vrioni (1881-1944), Islam bej Vrioni (1865-1941), Abdyl Ypi (1878-1920), Mihal Turtulli (1847-1935), Eqrem Vlora (1885-1964), Hasan Prishtina (1873-1933) – e dërguar nga KNK-ja shkoi më 21 shkurt 1914 në Nojvid (Neuwied), për t’i ofruar zyrtarisht Vilhelm Vidit fronin e Shqipërisë. Ai erdhi në Shqipëri më 7 mars 1914, në një situatë të ndërlikuar kombëtare dhe ndërkombëtare. Më 22 janar 1914 Ismail Qemali (1844-1919) kishte dhënë dorëheqje. 

Në historinë e Shqipërisë hyri dhe mbeti ai që shpalli pavarësinë, ndërsa Esat Toptani u shndërrua në metaforë të tradhtisë së lartë. 

*   *   *

Para ca ditësh, ambasadori i ShBA-së në Beograd Kristofer Hill (Christopher Robert Hill, 1952- ) u tha serbëve se ShBA-ja do të modernizojë ushtrinë serbe. Po si do të ruhet paqja në rajon po qe se Serbia armatoset nga të katër anët. Sikur nuk mjaftuaka armatimi i saj nga Rusia dhe nga Kina, e tani u dashka të armatosej edhe nga Amerika.  

Amerikë! Mos harro se qindra mijë dhe miliona shqiptarë flamurin amerikan e kanë valuar nëpër shtëpitë e veta, në tregtizat e veta, në restorante, në ndërmarrjet prodhuese, nëpër zyrat e institucioneve, publike dhe private. 

Amerikë! Mos harro se shqiptarët, në veçanti këta të Kosovës, janë deklaruar dhe janë përcaktuar si populli më proamerikan në botë dhe për këtë kanë krijuar armiq ndaj vetes ndër shumë popuj të botës. 

*   *   *

U tha diku se ShBA-ja paskësh kërkuar që BE-ja të mos e shqyrtojë çështjen e anëtarësimit të Kosovës në forumet e Unionit, derisa ajo të mos e nënshkruajë asociacionin. Amerikë, deri tani kërkesa të tilla ka paraqitur Moska dhe jo Uashingtoni. Mos na zhgënje Amerikë, mos na lë në baltë! Kurën e kurës s’keni për t’i pasur aleatë serbët e pabesë. Serbia, historikisht ka qenë satelite politike e Rusisë, përçuese e interesit rus në rajon. E tillë do të mbetet. 

*   *   *

Para një dite, d.m.th. më 2 apo më 3 shkurt të vitit në vazhdim, Vuçiqi e quajti Kosovën “shtet i rrejshëm” dhe shtoi se “kurrë nuk dëshiron ta shohë Kosovën anëtare të OKB-së”. Në një anë e quan Kosovën shtet i rrejshëm, kurse në anën tjetër kërkon asociacion. Në një anë thotë se kurrë nuk dëshiron ta shohë Kosovën në OKB, në anën tjetër mirëpret projektin më të ri për asociacionin. Ç’paradoks?! Këndej e mirëpret asociacionin, kurse në anën tjetër, në kushtetutën e Serbisë thotë se “Kosova dhe Metohia është e Serbisë”. 

*   *   *

Kosova u shpall e pavarur si shtet shumetnik. Me këtë projekt ajo po shndërrohet në shtet dyetnik. Në Kosovë nuk jetojnë vetëm serbë. Aty jetojnë edhe bashkësi etnike të tjera. Jetojnë boshnjakë, romë, ashkali, turq, malazias, kroatë etj. Të gjithë i gëzojnë të drejtat e tyre, si në asnjë vend të BE-së.  

I madh e vogël e dinë se asociacioni i këtillë nuk është asgjë tjetër përpos shtet brenda shtetit. Është dodik republikë dhe shkuar asaj. Ky krijesë fantomike e shndërron Kosovën në shtet jofunksional. Ky asociacion sakaq do t’i krijojë edhe organet e tij ekzekutive, të gjitha organet ekzekutive. Madje ky asociacion do të jetë shumë më i favorizua se Kosova vetë. Shumë shpejt serbët e Kosovës, me ndihmën e Beogradit dhe të Moskës, do ta formojnë edhe ushtrinë e vet. Njësoj si në Republikën Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës. Dhe s’ka kush u del para. S’ka kush i ndal. Prononcimet e Fuqive perëndimore: “Nuk do të lejojmë që në Kosovë të krijohet një dodik republikë, janë gjepura”. Republika Serbe e BH-së, jo vetëm që e formoi ushtrinë e vet, por para rreth një muaji ajo organizoi një paradë ushtarake mu në sheshin e Sarajevës. Fuqitë perëndimore nuk reaguan pothuajse fare. 

Republika Serbe e BH-së e udhëhequr nga miku i Putinit, Millorad Dodiku, çdo ditë deklaron se do ta shkëpusë atë dhe do të bëhet shtet më vete. Me fjalë të tjera, do t’ia bashkëngjit Serbisë. E njëjta do të ndodhë edhe me asociacionin e serbëve në Kosovë. Dhe askush s’ka për t’i ndalur. 

*    *    *

Të gjitha këto që u thanë më sipër i dinë mirë të gjithë udhëheqësit e të gjitha partive politike të Kosovës. Por ata e kanë kyçur gojën. Çështja e asociacionit nuk është çështje e Albin Kurit. Kjo punë s’ka të bëjë me të. Kjo është çështje që ka të bëjë me shtetin e Kosovës, me qytetarët e saj. Me shtetin ku 93% e popullatës janë shqiptarë, ndërsa vetëm 3% janë serbë. Kjo s’është punë e Albin Kurtit, është çështje kombëtare, çështje e kombit shqiptar. 

Të gjithë udhëheqësit politikë të të gjitha partive politike të Kosovës duhet të bëhen një dhe të deklarojnë me shkrim se shqiptarët nuk pranojnë që në Kosovë të formohet shtet brenda shtetit.

*   *   *

Po qe se kalon ky farë asociacioni, asnjë shqiptar nuk ka asnjëfarë të drejte morale të shkojë tre varri i Adem Jasharit të vendosë lule dhe kurora. Sidomos nuk kanë të drejtë morale të bëjnë homazh te varri i tij udhëheqësit politikë, politikanët, intelektualët, demagogët, oportunistët, konformistët dhe pseudoatdhetarët.    

*   *   *

Ka kohë që Fuqitë perëndimore e kushtëzojnë Kosovën. Liberalizimi i vizave për Kosovën zvarritet pikërisht për kalkulimet e sipërthëna. Po qe se Kosova për liberalizim vizash u dashka të japë territor, kur mos u liberalizofshin ato. 

Në vitin 2015 u nënshkrua në Vjenë marrëveshja e demarkacionit të kufirit midis Kosovës dhe Malit të Zi. Në shkëmbim të liberalizimit të vizave, Kosova i fali Malit të Zi 8.000 hektarë tokë. Çfarë pune djallëzore! territor për viza. Një gjë e tillë s’është parë në historinë botës. Sikur s’i mjaftonin Malit të Zi, që me ndihmën e Fuqive të Mëdha evropiane ia mori Shqipërisë Hotin, Grudën, Plavën, Gucinë, Ulqinin, Tivarin, Tuzin, malësinë etj. Tani iu dashkan edhe mijëra hektarë të tjerë toka shqiptare. 

Në vitin 2009 u arrit marrëveshja e demarkacionit midis Kosovës dhe Maqedonisë. Dhjetëra hektarë tokë të Kosovës kalojnë nën administrimin e Maqedonisë. Marrëveshja u lejon banorëve të Kosovës që t’i punojnë tokat e tyre. Si e këtillë, marrëveshja hapte rrugën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy shteteve.

Sikundër duket nga sa më sipër, Kosova ka qenë e shantazhuar nga të gjitha anët. Deri kur shantazhe dhe trysni mbi një popull paqedashës, punëtor dhe të ndershëm?! Dhe përse?! 

*   *   *

A e kanë parasysh Gjermania, Austria, Italia dhe ShBA-ja faktin se formimi dhe ekzistimi  në Ballkan i një shtetit shqiptar të konsoliduar, të zhvilluar dhe demokratik është interes strategjik i tyre?! Rrjedhimisht, ngritja e një Kosove të konsoliduar, të zhvilluar dhe demokratike është interes strategjik i Fuqive perëndimore. Për të pasur një Kosovë të fortë, Berlini dhe Uashingtoni duhet ta ndalin Serbinë. Fuqitë perëndimore po e bëjnë të kundërtën. E pabesueshme?! 

*   *   *

Për çfarë Ballkani të Hapur, do flasësh pas kësaj, pas këtij shteti brenda shtetit, Ti kryeministër i Shqipërisë – z. Edi Ramë?! Për ç’miqësi me Vuçiqin mund të flasësh pas kësaj?!  

*   *   *

E vetmja që synonte të bënte Mefistofeli me Faustin ishte t’ia blinte shpirtin. Por ky ia ktheu: “Mefisto, çdo gjë mund të të jap, por të ta shesë shpirtin kurrë”. Edhe të vegjlit kanë pak shpirt. As të pafuqishmit s’janë pa të. Ëndrra e robit për liri, kurrë s’është shuar. Po të kishte qenë ndryshe, nocioni liri s’do të kishte ekzistuar, as mbijetuar. 

Eskobar, je duke bërë punë pa punë! Ti nuk e di historinë. Pirolla të qoftë! 

Shqiptarët nuk kërkojnë kurrfarë drejtësie të veçantë, ngase ndaj tyre nuk është bërë kurrfarë padrejtësie e posaçme, por padrejtësi e përgjithshme, padrejtësi historike. 

Kosovë, të vjen pas historia. 

*   *   *

Sidoqoftë Amerikë, shpresat tona janë te ti! 

Xhelal Zejneli 

Filed Under: Fejton

GJASHTË KUSHTET E KRYEMINISTRIT KURTI JANË TË ARSYESHME

February 7, 2023 by s p

Kërcnimet e diplomatëve perëndimorë për të krijuar Asociacion të pastër etnik janë të padrejta, jodiplomatike, jodemokratike, të parealizueshme dhe të papranueshme për Kosovën.

Nga MSc. Agim Aliçkaj

Propozimi prej 6 pikash i kryeministrit Albin Kurti i paraqitur në Kuvendin e Kosovës për asociacionin e pastër etnik serb është i drejtë, i ndershëm, parimor dhe vizionar. Ju shërben interesave të Kosovës, Evropës dhe Amerikës. Do të ishte i mirë dhe për Serbinë sikur të ishte shtet normal. Serbia ka qenë dhe mbetet shtet shovinist, racist, fashist dhe hegjemonist. Komb i sëmurë me shumicë me urrejtje për shqiptarët dhe kombet e tjera për rreth.         

         Të gjitha pikat janë qenësore, por reciprociteti ka rëndësi të veçantë. Realisht, prej bisedimeve të Ahtisarit e deri sot, gabimi më i madh i Kosovës është lejimi i Serbisë të përzihet në punët e brendshme pa i konsideruar të drejtat e popullit shqiptar në Serbi. Për asociacion dhe të drejta minoritare duhet biseduar vetëm me minoritetin serb të Kosovës, në prezencën ndërkombëtare dhe askend tjetër. Në dialogun me Serbinë duhet të merren parasysh vetëm çështjet ndërmjet vendeve fqinje. Për çdo gjë tjetër vetëm me reciprocitet.

         Ulurimat për më shumë të drejta për pakicën serbe janë të pabaza. Parimi i vetëvendosjes është bërë cirkus. Çdokush mund të kërkojë autonomi ose bashkim me një vend fqinj për çfarëdo arsye! Synimi i Serbisë është i qartë, të shkatërrojë Kosovën dhe të dominojë Ballkanin Perëndimor. Shëmtitë dhe kërkesat e Serbisë janë të pafundme. Iluzionet e diplomatëve perëndimorë janë tronditëse. Kërcnimet e tyre për ta krijuar Asociacion të pastër etnik janë të padrejta, jodiplomatike, jodemokratike, të parealizueshme dhe të papranueshme për Kosovën.

         Në ditët e ardhshme presioni ndërkombëtar por edhe serb me trazira në veri mund të shtohet. Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani nuk kanë zgjidhje tjetër veçse t’i bëjnë ballë këtij presioni të padrejtë dhe joparimor. Njësitë speciale, policina dhe ushtrina të vëhen në gjëndje gadishmërie. Ata e kanë përkrahjen e popullit shumicë të Kosovës, Trojeve Etnike Shqiptare dhe më shumë se 90% të Mërgatës anë e kënd botës. Nëse lëshojnë pe do ta humbin mbështetjen e popullit por edhe respektin e atyre që janë duke iu bërë presion. 

         Diplomatët perëndimorë kanë synimet e tyre për interesa gjeopolitike, që ta nxjerrin Serbinë nga sfera e interesit ruse duke bërë lëshime në kurriz të Kosovës. Për ta është e rëndësishme vetëm që konflikti të mos eskalojë në një luftë të rrezikshme në Ballkan dhe Evropë. Atyre nuk ju interesojnë fare problemet me të cilat do të ballafaqohet Kosova me shekuj në të ardhmen dhe kush do ta kontrollojë Ujmanin apo Trepçën.        

         Zyrtarët ndërkombëtarë vijnë e shkojnë. Ka arsye për të shpresuar dhe besuar se kur të binden se Serbia nuk mund të dalë nga kthetrat e Rusisë, do të ndryshojnë qëndrimin e tyre të padrejtë, që bie ndesh me vlerat e tyre të shpallura me zell. Ata u vonuan shumë, Rusia arriti të hyjë dhe të kontrollojë Serbinë. Sigurisht, kjo nuk është në mendjen e sundimtarëve serbë, por edhe nëse duan, nuk mund të shkëputen nga Rusia. Në parim, diplomatët perëndimorë duhet të mbështesin të drejtën e Kosovës për të ekzistuar në mënyrë të pavarur dhe sovrane.

         Qëndrimet e opozitës së Kosovës, qeverisë së Shqipërisë dhe përkrahësve të tyre në media janë të mjerueshme. Nuk është mirë që të shpallën ende tradhtarë, sepse ndoshta kthehen kah interesi i shtetit të tyre. Por kur shihen deklaratat dhe veprimet e tyre, nuk mund të mos krijohet përshtypja se ata po përpiqen për “bashkim” me Serbinë në vend që të kërkojnë bashkim me Shqipërinë, ndërkohë që kryeministri i vendit amë Edi Rama, synon bashkimin me Serbinë duke e nënshtruar Kosovën. Nëse vazhdojnë kështu, mund ta harrojnë ardhjen në pushtet për një kohë të gjatë.     

         Askush nuk mund ta shtypë vullnetin e popullit të Kosovës për demokraci, drejtësi, liri dhe pavarësi.

         Familja, kombi dhe shteti, janë mbi të gjitha!

Filed Under: Analiza

VACE ZELA ( 7 prill 1939 – 6 SHKURT 2014)

February 7, 2023 by s p

Saimir Z. Kadiu/

9 vjet me pare u shua ne Bazel te Zvicres madheshtia e interpretimit te kenges shqiptare…

Celia Cruz eshte mbreteresha e muzikes salsa… dhe me madhja e Botes Latine …

Umm Kulthum kulmi i interpretimit te kenges ne boten arabe…

Claudia Shulzhenko dhe Isabella Yurieva majat me te larta ne kengen ruse…

Edith Piaff me e famshmja e interpretimit ne kengen franceze…

Marinela apo Maria Faranduri talentet me te medha ne muziken greke

Mina ende pa rivale ne muziken italiane ashtu si dhe Amália Rodrigues dhe Cesária Évora ne muziken portugeze….

Pa dyshim ne keto nivele eshte edhe Vacja jone e madhe dhe e paharruar…

Filed Under: Kulture

NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP

February 7, 2023 by s p

Emira Selimi, aktiviste në qytetin e Shkupit, në një rrëfim për Diellin e Vatrës në New York, dhënë Editorit Sokol Paja, shpjegon me detaje përpjekjet për ndërtimin e bibliotekës në qytetin e alfabetit shqip dhe thirrjen për diasporën që të ndihmojë në këtë nismë në dobi të popullsisë shqiptare në Manastir, gjuhës, historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.

LIBRA PËR MANASTIRIN

Ideja lindi kur unë fillova të hulumtoj për shqiptarët ortodoks atje, konkretisht familjen Qiriazi. Më pas kisha kuriozitet për shqiptarët atje që kanë mbetur, ne kishim informacion se aty kanë mbetur 5% shqiptarët, por unë zbulova propaganden maqedone atje, 2% ishin vetëm ato shqiptarë me mbiemra të shqipëruar, ndërsa pjesa më e madhe e shqiptarëve atje i kanë mbiemrat e sllavizuar, nenkupton në Manastir mund të jesh gjithçka vetëm shqiptar jo. Shqiptarët atje e flasin shqipen me shumë pengesa, kjo si pasojë e literatures shqiptare, përposë presioneve të vazhdueshme që kemi berë të ketë një shkollë të mesme shqipe kjo kurrë nuk është realizuar. Shqiptarët kishin vetëm një shkollë fillore ku mësonin Goce Dellçev, tani edhe ajo po boshatiset nga shqiptarët. Fëmijët tani regjistrohen në shkollat maqedone dhe mësojnë edhe Alfabetin në atë cirilik.

TË MBROJMË SHQIPTARËT E MANASTIRIT NGA ASIMILIMI

Shqiptarët në Manastir po asimilohen, ato çdo ditë e më shumë po rrezikohen dhe askush nuk i mbron dhe nuk i kujton ato. Kanë nevojë për përkrahje. Shqiptarët nuk janë as 5% dhe as 2% por janë mbi 15% ato i kanë detyruar të asimilohen me pa dëshirë duke ua ndryshuar mbiemrat. Duke i sllavizuar me prapashtesat ( ski) por dhe duke i turqizuar.

NJË BIBLIOTEKË PËR QYTETIN E ALFABETIT SHQIP

Biblioteka shqiptare në Manastir do formohet në katin e parë të muzeut të alfabetit, aty ku janë shitur pllaka më parë. Aty më nuk do të shiten pllaka, por as nuk do shfrytëzohet muzeu ynë i alfabetit për tregti, por ajo pjesë do mbushet me libra shqip. Manastirasit aty do lexojnë dhe do e ruajnë gjuhën shqipe. Kërkoj ndihmë nga gjithë shqiptarët që të mos më lënë vetëm në këtë betejë shumë të vështirë.

NJË PËRPJEKJE PËR TË RIKTHYER MANASTIRIN

Për herë të parë të gjithë shqiptarët u ngritën në këmbë për qytetin e alfabetit. Momenti kur morën vesh se në çfarë situate jetojnë shqiptarët atje të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë u emocionuan, vazhdimisht më kanë pyetur si mundet? Manastirin e detyruan të heshte për ta folur të vërtetën. Politikanët e shitën dhe e tradhtuan, bën pazare me qytetin më të rëndësishëm të kombit shqiptar. I mbyllën perdet dhe e falën Manastirin.Por Shqipëria dhe Kosova sot po e rikthejnë.

NEVOJA E MBËSHTETJES INSTITUCIONALE

Asnjë institucion nuk më ka ndimuar, përposë dy Komunave ajo e Gostivarit dhe Çairit që më dhanë mbështetje me libra. Ministrat e Arsimit me vite të tëra kanë qënë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe kurrë nuk e hapën një shkollë shqipe në Manastir. Ato e tradhtuan Manastirin, ato i tradhtuan shqiptarët. Dhe është tejet normale se as nuk do më mbeshtesin tashi. Përkundrazi kanë dashur të më pengojnë por nuk kanë mundur se kam pasur mbështetjen maksimale nga Shqipëria dhe Kosova.

NJË LUTJE DHE THIRRJE PËR DIASPORËN

Kam një lutje për diasporën, kati përdhesë në muzeun e alfabetit aty ku po themelohet edhe biblioteka është në gjendje mjerimi, pasiqë aty deri para dy vitëve një maqedonas ka shitur pllaka për dysheme. Kam nevojë për mbështetjen tuaj për rinovimin e saj. Ju lutem kur të vini në vendlindje ejani dhe vizitojeni qytetin e alfabetit pasiq qyteti me historinë më me peshë shqiptare e tradhtuan të gjithë, e falën tek sllavët, ju lutem më ndimoni ta rikthejmë, duke vizituar shpesh dhe duke e folur shqipen nëpër qendren e Manastirit ju tregojmë atyre se nëse e kanë falur politikanët jo edhe shqiptarët.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

Hapja e shkollave të para shqipe në vitet 1941 – 1944, ngjarje e rëndësishme, kyçe në historinë e Kosovës

February 7, 2023 by s p

Veprimtari te “Bijtë e shqipes” në Philadelphia kushtuar kësaj ngjarje me rëndësi kombëtare

Nga dr. Sadik Elshani

Më 15 shkurt të këtij viti Kosova shënon 15 vjetorin e pavarësisë së saj. Ishte ky një rrugëtim i gjatë vuajtjesh, sakrificash, përpjekjesh e luftërash për liri e pavarësi. Është ky kurorëzimi i të gjitha këtyre përpjekjeve qe ben breza të tërë shqiptarësh. Lista me emrat e atyre që luftuan me pushkë e penë është e gjatë, ngjarjet qe çuan deri në fitoren përfundimtare janë të shumta. Por, njëra nga ngjarjet më të rëndësishmë në historinë e Kosovës pa të cilën vështirë që do të arrihej pavarësia, është hapaja e shkollave të para shqipe në Kosovë në vitet 1941 – 1944.

Hapja e shkollave shqipe në Kosovë 82 vite më parë është faqe e ndritur dhe e lavdishme atdhedashurie e arsimit tonë kombëtar, është njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Figurë kyçe, ai që e ndërmori këtë mision për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare (“Tokat e Lirueme”), ka qenë intelektuali, studiusi, publicist dhe shkrimtari i njohur, Ernest Koliqi (1903 – 1975), i cili në atë kohë (1941) ka qenë ministër i Arsimit në Shqipëri. Me këtë mision të jashtëzakonshëm shkollor ai e kishte ngarkuar intelektualin dhe pedagogun gjirokastrit, Ali Hashorva. Ishte ky mision arsimor, atdhetar e vizionar që mishëronte programin e madh të Rilindjes sonë Kombëtare, perhapjen e diturisë e perparimit, zgjimin dhe ngritjen e ndërgjegjes kombetare te shqiptarët. Ky ishte misioni më i rëndësishëm, më atdhetar që ka ndërmarrë ndonjëherë ndonjë qeveri shqiptare për shqiptarët që mbetën jashtë kufijve shteterorë

Veprimtari te “Bijtë e shqipes” për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë

Në kuadër të festimeve të 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovëe e për të shënuar këtë ngjarje të rëndësishmë për Kosovën e gjithë shqiptarët, shoqata “Bijtë e shqipes” ditën e shtunë, 4 shkurt, organizoi një veprimtari dinjitoze. (Kjo ishte një nga tri veprimtaritë që shoqata jonë do ta shënojë pavarësinë e Kosovës: më 17 shkurt do të organizohet ceremonia e ngritjes së flamurit të Kosovës në Bashkinë e Philadelphias, ndërsa më 18 shkurt do të organizohet Mbrëmja Festive me darkë e muzikë shqiptare). Për t’i dhënë një pamje festive e për ta bërë më të afërt këtë veprimtari në një tavolinë ishin vendosur fotografitë e Ernest Koliqit, Ali Hashorvës, mësuesit Hilmi Duli, nga Shkodra, si dhe një foto e vitit 1943 e bërë në shkollën e Suharekës, ku zoti Hilmi ka qenë mësues për tri vite. Veprimtarinë e hapi kryetari i shoqatës, z. Bujar Gjoka i cili i përshëndet të pranishmit, duke i njoftuar për programin që ishte planifikuar për këtë takim. Pastaj fjalën ia dha z. Sadik Elshani, i cili ishte angazhuar për organizimin e kësaj veprimtarie. Ai me këtë rast kishte përgatitur materialin me titull: “Hapja e shkollave të para shqipe në kosovë në vitet 1941 – 1944, mision i shenjtë kombëtar”. Në fillim ai foli për rëndësinë e këtij misioni, fjalë që u cekën pak më lartë në këtë shkrim dhe pastaj i njoftoi të pranishmit për gjendjen e rëndë të shqiptarëve nën regjimin e egër serb, ku dhuna ishte bërë pjesë e përditshme, e pandarë e jetës së tyre. Dhuna ushtrohej në të gjitha mënyrat fizike e shpirtërore, vetëm e vetëm për ta bërë jetën e shqiptarëve sa më të mjerushme dhe për t’i detyruar ata që t’i braktisnin trojet e tyre e të shpërnguleshin në Turqi, ndërsa në vend të tyre t’i sillnin kolonët serbë e malazezë. Nuk kishte shkolla në gjuhën shqipe, sepse përdorimi i gjuhës shqipe ishte i ndaluar në jetën publike si dhe në administratë. Shkurt, shqiptarëve u mohohej çdo e drejtë njerëzore dhe lista e vuajtjeve të tyre ishte e pafund. Në kujtesën e shqiptarëve të Kosovës kjo periudhë e errët dhe e egër njihet si “Koha e Serbisë”.

Fundi i “Kohës së Serbisë” dhe ardhja e “Kohës së Shqipnisë”

Në vazhdim të fjalës së tij z. Elshani foli për fundin e “Kohës së Serbisë” dhe ardhjen e “Kohës së Shqipnisë”, siç njihet në Kosovë periudha e viteve 1941 – 1924: “Kohës së Serbise” i erdhi fundi, Jugosllavia e Kralit kapitulloi dhe u pushtua nga Gjermania e Italia. Pas 30 viteve nën sundimin e egër serb, tani Kosova dhe trojet tjera shqiptare në ish Jugosllavi iu bashkuan Dheut Mëmë, shqiptarët po merrnin frymë pak më lehtë. U hapën shkollat shqipe, u vendos administrata në gjuhën shqipe, me nëpunës shqiptarë, me prefektë e nënprefektë shqiptarë. Përsëri po valonte Flamuri Kuq e Zi! Thirrjes së ministrit të Arsimit, Ernest Koliqi, iu përgjigjen qindra mësues atdhetarë dhe shkuan vullnetarisht për të punuar në Kosovë dhe trojet tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Ishin këta mësues të rinj me plot energji rinore, entuziazëm, mësues që kishin kryer Normalen e Elbasanit. E gjetën Kosovën ashtu siç e kishin paramenduar: kreshnike, kështjellë burrërie e trimërie, djep të shqiptarizmit. Edhe pse po ballafaqoheshin me shumë probleme e vështirësi të mëdha, sepse ishin shkolla që po hapeshin për herë të parë, ata punuan me vetëmohim të papërshkrueshëm, pa u ndalur ditë e natë. Mësonin fëmijët që ishin të etur për dituri, mësonin edhe të rriturit, sepse në atë kohë popullsia e Kosovës ishte mbi 90% analfabete. Edhe populli i Kosovës i priti mesuesit me dashuri vëllazerore, respekt e mirënjohje te thellë e të pakufishme për misionin e tyre të shenjtë kombëtar.

Ardhja e mësuesve nga Shqipëria, hapja e shkollave shqipe në Kosovë

Këta mesues u bën pishtarë të arsimit shqip në Kosovë. Në vitin shkollor 1941 – 1942 u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze te ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941 u hap Shkolla Normale në Prishtinë. Në fillim në këtë mision u angazhuan 80 mësues.  Në mesin e këtyre mësuesve kishte edhe mjaft të rinj nga Kosova që ishin shkolluar në Shqipëri,por nuk kishin mundur të ktheheshin më parë në Kosovë. Ky numer më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin shkollor 1943 – 1944 ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës. Këto shkolla u bën vatra të diturisë dhe atdhedashurisë. Tani nxënësit e Kosovës po mësonin për herë te parë historinë tonë kombëtare, po mësonin për ilirët, Skenderbeun, Lidhjen e Prizrenit, Ismail Qemalin. Po mësonin vjershat e Naimit, Cajupit, At Gjergj Fishtes, Dom Ndre Mjedes, Asdrenit – vjersha që me dashuri i këndonin atdheut, gjuhës shqipe, i thurnin himne Shqiperise. Përveç njohurive që po merrnin për gjuhën, letërsinë, kulturën, historinë shqiptare, ata po brumoseshin edhe me ndjenjat e atdhedashurisë e krenarisë sonë kombëtare. Për herë të parë e kanë parë flamurin kuqezi duke u valvitur përpara syve të tyre, e kane kënduar Himnin e Flamurit, me shumë dashuri i kanë kënduar këngët atdhetare: “Për Mëmëdhenë”, “Dalëngadalë po vjen behari”, etj. Përveç punës me përkushtim me nxënësit, ata përmes kurseve të ndryshme përgatiten edhe mësuesit e parë shqiptarë, të cilët më vonë do ta vazhdonin këtë mision. Pas vitit 1944 një pjesë e këtyre mësuesve u largua nga Kosova, ndërsa pjesa dërmuese u largua më 1948 kur u prishën marrëdhëniet shqiptaro – jugosllave. Por, disa qëndruan edhe pas vitit 1948 dhe tërë jetën e kaluan në Kosovë. Mehmet Gjevori (1910 – 2007), Tajar Hatipi (1918 – 1977), Stathi Kostari, Gjakush Çapari e shumë të tjerë e panë të nevojshme që të qëndronin në Kosovë dhe ta vazhdonin këtë mision, duke u bërë bartësit kryesorë të zhvillimit të arsimit shqip, veprimtarisë botuese e publicistike, hartimit të teksteve shkollore, etj. Periudha 1941 – 1944 njihet në Kosovë si “Koha e Shqipnisë”, sepse shkollat, administrata ishin të gjitha në gjuhën shqipe, nëpunësit dhe drejtuesit e pushtetit vendor ishin shqiptarë. Kuptohet, vendi ishte i pushtuar nga Italia e më vonë Gjermania. Pushtues të mirë nuk ka, por sa i përket të drejtave dhe lirive të tyre, për shqiptarët e Kosovës, “Koha e Shqipnisë” as që mund të krahasohet me kohën e egër e barbare, “Kohën e Serbisë”.

Z. Hilmi Duli, mësuesi shkodran i Suharekës

Zoti Sadik Elshani të pranishmëve u foli edhe për shkollën e Suharekës/Therandës, sepse ishte rritur me rrëfimet për ate kohë: “Në Suharekën time (tani Theranda) mësues ka qenë zotni Hilmi Duli (Raxhimi), nga Shkodra. Të gjithë ish nxënësit e tij, gjithë qytetarët e Suharekës që e kanë njohur atë, gjithmonë e kujtonin me shumë mall, me shumë dashuri e respekt. Edhe pse Shqipëria e para viteve të 90-ta të shekullit të kaluar ishte e mbyllur hermetikisht, suharekasit kurrë nuk i kanë ndërprerë lidhjet me mësuesin e tyre të dashur. Dikush e kontaktonte përmes ndonjë letre, dikush i dërgonte të fala përmes familjarëve qe i kishin në Shqipëri, dikush i dërgonte të fala përmes pjestarëve të grupeve sportive e artistike që e vizitonin Kosovën, ndersa disa, pak nga ata qe kishin patur rastin ta vizitonin Shqipërinë, gjithësesi janë munduar që ta takonin mësuesin e tyre të dashur, të nderuarin Hilmi Duli. Pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri, kur u hapën edhe kufijtë, atëherë shumë ish nxënës kanë shkuar për ta vizituar mësuesin e tyre të parë, mësuesin e parë shqiptar të Suharekës. Këto lidhje, takime janë duke vazhduar edhe sot me familjarët e mësues Hilmiut. Janë këto lidhje shumë të forta, sepse janë farkuar në një kohë të jashtëzakonshme, në “Kohën e Shqipnisë”

Lidhjet me familjen e z. Hilmi Duli vazhdojnë edhe sot

Unë personalisht pëermes Facebook-ut kam lidhje me vajzën e mësuesit Hilmi, zonjën Ylbere Raxhimi – Troshani dhe djalin e tij, Zyhdiun. Për veprimtarinë tonë i kërkova zonjës Ylbere që të na dërgonte disa përshtypje të babait të tyre për ato vite të kaluara në Suharekë. Për kënaqësinë time, pa vonuar shumë, zonja Ylbere më dërgon shumë më shumë materiale se që kisha pritur. Të gjitha këto materiale u lexuan në veprimtarinë tonë në formë të shkurtuar, për të kursyer kohën u lexuan vetëm ato pjesët më të rëndësishme. Në fillim zonja Ylbere, duke m’u drejtuar mua na dërgoi këtë përshëndetje: “I nderuari z. Sadik! Së pari të falenderojmë për kontributin tuaj shumë të madh në misionin për lartësimin e shqipes sonë të dashur. Falë gjakut të derdhur në shekuj, sakrificave të mëdha, punës së palodhur, pendës së Rilindasve, mësuesve të gjuhës shqipe dhe shoqatës “Bijtë e shqipes”, që ju drejtoni, na bëni të ndjeheni krenar. (Për momentin shoqatën e drejton kryetari, z. Bujar Gjoka, – SE). Ne fëmijët e Hilmi Dulit (Raxhimi) ndjehemi të privilegjuar që shoqata juaj, “Bijtë e shqipes” do të organizojë një veprimtari për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë në vitet 1941 – 1944”. Pastaj më njofton për materialet që na ka dërguar dhe na uron shëndet e suksese në punën tonë në shërbim të kombit.

Nga kujtimet e mësues, z. Hilmi Duli

Unë nuk e kam ditur që zoti Hilmi i kishte shkruar kujtimet e tij për ato vite të kaluara në Kosovë, prandaj kjo për mua ishte një befasi e këndshme. Këto kujtime mësuesi i nderuar i kishte hedhë në letër në shkurt të vitit 1981 në Shkodër, me titull: “Kujtime të kalueme”. Në fillim tregon për ndjenjën e simpatisë e dëshirën për të parë tokën e Kosovës, sepse në lagjën e tij, “Rusi i vogel” kishte parë shumë kosovarë që ishin shpërngulur pas Luftës së Parë Botërore. Ai në vitin 1924 i kishte parë Shote dhe Azem Galicën duke ecur rrugëve të Shkodrës. Pastaj pas shumë vitesh ai kishte pasur edhe shumë shokë nga Kosova në Normalen e Elbasanit me të cilët kishte lidhur një shoqëri të ngushtë. Më tutje ai shkruan: “Edhe mue m’u rinue dishira për të parë Kosovën dhe vllaznit kosovarë, për këtë shfaqa dishirën, e cila m’u realizue, pse posa mbaroi viti shkolluer (‘40 – 41) më njoftuen se duhet të nisesha për Kosovë, për të hapë kurset verore, për përgatitjen e nxënësve për vitin shkolluer 1941/1942. Gjithë gëzim pregatitemi, takohemi me shokë, bisedojmë të entuziazmuem që do të shohim Kosovën”. Dhe pastaj tregon për rrugëtimin e tyre drejt Kosovës, ndaljen në Prizren dhe vizitën që i bëjnë qytetit; vazhdimin e rrugës drejt Prishtinës dhe punën që e bëjnë gjatë muajve të verës për përgatitjen e kursistëve.

Puna si kryemësues në shkollën e Suharekës

Në vitin shkollor 1941 – 1942 zoti Hilmi caktohet si kryemësues në Suharekë. Tregon pastaj për vështirësitë që ka hasur në fillim, sepse duhej të kryheshin shumë punë për rregullimin e shkollës, por me ndihmën e qytetarëve  të Suharekës këto vështirësi tejkalohen dhe shkolla bëhet gati për ta vazhduar punën. Për punën e shkollës, z. Hilmi shkruan: “Gjatë zhvillimti të mësimeve vishin prindë për të pa e për të ndigjue mësimin në gjuhën e tyre amtare. Në këtë shkollë filluen mësimet edhe për të rritur (rininë e Suharekës), emnat e të cilve nuk i mbaj mend, por ndoqën me rregull mësimet, natyrisht me vështirësi, sepse shërbeheshim vetëm me nji kamil me vaj-guri. Puna vazhdoi pothuej gjatë gjithë vitit shkolluer. Kam pasë mbetë shumë i kënaqun me ata djem”. Përveç mësimit zoti Hilmi është angazhuar edhe për edukimin atdhetar të qytetarëve të Suharekës: “Me rastin e 28 Nandorit 1941 u ngarkova që të mbajshëm nji bisedë para popullit. Për këtë u pregatita duke shenjue disa data historike dhe punën që bënë patriotët shqiptarë si mbrenda dhe jashtë atdheut për të arritë në shpalljen e pavarësisë duke theksuar natyrisht luftat e përbashkëta të të gjitha krahinave veriore e jugore, që nga Mitrovica e deri në Janinë”. 

Në kujtimet e tij z. Hilmi rrëfen edhe për shfaqjet artistike shkollore me përmbajtje të shëndoshë kombëtare e pikniqet në vendet përreth Suharekës që organizoheshin me nxënësit e shkollës. Për respektin që tregonte populli i Sharekës për të, shkruan: “Dua të tregoj dhe respektin që kish ndaj meje jo vetëm populli i Suharekës, por edhe i gjithë fshatrave përreth. Nuk kish festë në ndonjë fshat që të mos ftohesha si nji njeri i afërt i tyre. Edhe kur therej pastermi i dimrit do të dërgojshin ftesë për të shkue në darkë”

Koha e ndarjes, për t’u mos u takuar më kurrë.

 Por, vjen edhe koha kur mësuesi Hilmi detyrohet që të largohet nga Suhareka, për të mos patur mundëesi për t’u kthyer ndonjëherë tjetër: “Tri vjet janë kenë të gjata, por më janë dukë shumë të shkurta, pse kur u largova vitin e fundit më dukej se nuk isha ngi me popullin kosovar. Po afrohej fundi i vitit shkollor 1943/1944, sikur me na ndi zemra që do të ndahemi pqr shumë kohë. Mblidheshim mbas dreke me të rij e pleq dhe rrijshim pranë shkollës ose në fidanishte ku kalojshim 2 – 3 orë tue bisedue.

Më 29 qershuer tue ndejtë një mbasdreke në fidanishte ndigjojmë një zhurmë aeroplanash, ngrejmë kryet përpjetë shofim aeroplanat, të cilët mitraluen rrugën që nga Qafë – Dula deri në Suharekë e më pastaj në rrugë të Prizrenit mitraluen makina civile, ku vranë disa njerëz. Të nesërmen unë dojshem me ba një program të vogël shkolluer, por me këshillën e pleqve e ndalova dhe më datën 30 qershor 1944 i ndava diftesat. U ndava me fëmijët tue u përqafue përmallshëm e bile tue qa si me ma ndie zemra se nuk do të kthehesha më në atë shkollë e me ndejtë me atë popull që nu do të më harrohet der isa të vdes”. Vërtet një ndarje mjaft emocionale, të tilla ishin edhe kujtimet për z. Hilmi Duli, mësuesin e dashur të suharekasve. Kujtime që nuk u zbehën dhe nuk do të zbehën kurrë.

Përveç kujtimeve të babait, zonja Ylbere na ka dërguar edhe listën e 54 nxënësve të gjeneratës së parë të klasës së parë të vitit shkollor 1941/1942.; disa kujtime të ish nxënësit, dr. Nuhi Veselaj, si dhe letërkëmbimin me z. Destan Bajraktari, ish nxënës në vitin 1941/1942 dhe të zonjës Naxhije Doçi, e bija e z. Destan. Destan Bajraktari, nga Suhareka, ka qenë profesor i gjuhës shqipe, shkrimtar, mbledhës i folklorit, atdhetar, i përndjekur dhe i burgosur politik. Ndërsa vajza e tij, Naxhija, është profesoreshë e gjuhës shqipe, poete dhe veprimtare e çështjes kombëtare. 

E falenderojmë nga zemra zonjën Ylbere dhe familjen e z. Hilmi Duli për dërgimin e këture materialeve kaq të vlera, si dhe për punën fisnike të babait të tyre për edukimin arsimor e atdhetar të nxënësve dhe popullsise së Suharekës e të Kosovës! Këto materiale na i bën të afërta e të dashura ato vite të largëta e të lavdishme, ndërsa veprimtarinë tonë e bën më të pasur e më të llojllojshme. Kuvendi i Komunës së Suharekës në vitin 2001 e ka shpallur z. Hilmi Duli “Qytetar Nderi”, për kontributin e dhënë në lëmin e arsimit.

“Rrëfime për Kosovën” – shkollat, një dokumentar i realizuar bukur

Veprimtaria vazhdoi me shfaqjen e një dokumentari për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë në vitet 1941 – 1944. Ky dokumentar i përgatitur nga Grupi Koha, është pjesë e ciklit “Rrëfime për Kosovën. Dokumentari paraqet në mënyrë kronologjike të gjitha zhvillimet për hapjen e shkollave shqipe, paraqet mjaft fakte e dokumente të kohës, fotografi si dhe intervista me shumë dëshmitarë: ish nxënës dhe veprimtarë të asja periudhe. Me intervista parqiten: Don Lush Gjergji, akademikët, Mark Krasniqi e Mehmet Halimi, kritiku letrar, Vehap Shita, Vahide Hoxha e shumë të tjerë. Gati të gjithë të pranishmit në këtë veprimtari po dëgjonin për herë të parë për këto ngjarje të asja periudhe historike të Kosovës. Veprimtaria u mbyll me koktelin tonë tradicional. Edhe gjatë koktelit biseda vazhdoi me pyetje e përgjigje për t’i sqaruar apo plotësuar  ngjarjet që u paraqiten në atë dokumentar.

Le të jetë kjo veprimtari modeste një shprehje mirënjohjeje e falenderimi për të gjithë ata titullarë, arsimtarë, administratorë, nxënës e prindër që u angazhuan në këtë Mision të Shenjtë e Historik Kombëtar – mision qëiI ringjalli shpresat e shqiptarëve të Kosovës dhe e mbajti të ndezur zjarrin e atdhedashurisë, e hodhi farën e arsimit shqip në Kosovë. Ju faleminderit përjetë!

Philadelphia, më 5 shkurt 2023

Sadik Elshani ëstë anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Filed Under: Rajon Tagged With: Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • 39
  • …
  • 49
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT