• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2023

Fenomeni Luiz…

March 23, 2023 by s p

Aleksander Rena/

New York

Big Brother si në çdo cep të globit është një emision i sajuar nga elita dhe i trashëguar tek po ata televizione të cilët ndjekin vijën udhërëfyese të elitës në fjalë. “Top-Channel.tv” është një televizion që u hap në sensin Kombëtar dhe i kaloi përmasat e tij, duke dal në aspektin ndërkombëtar, pra elita, futi duart thellë tek ky televizion pasi ndrroi jetë i ndjeri Tani i Topit. Të vetmet emisione kulturore, historike dhe që i’a vlen t’i ndjekësh janë: “Gjurmë Shqiptare” e Marin Memës dhe “Inside Story” e skupeve denoncuese të gjithçkaje ndodh sot në Shqipëri. Ndërsa “Big Brother” është një emision degjenerues, i cili i mëson shqiptarët të çdo brezi, se si të luftojnë njëri tjetrin me kurthe dhe intriga. Asgjë më shumë se kaq, siç ka ndodhur ndër vite, dekada e shekuj tek shqiptarët, ku më i besuari është shitur apo është blerë vetëm për disa të holla apo lavdi shterpë të një titulli letre që thellë thellë, ka qenë për të fshirë menderen. Shikoni se çfarë ndodh, fenomeni Luiz sot tejkalon përmasat e shikueshmërisë me 4.4 miliard banorë në të gjithë planetin. Këtë shikueshmëri nuk e ka as Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga themelimi i Kushtetutës së parë Amerikane. E pse ndodh kjo? Sepse, shqiptarët gjejnë vetëveten kur shohin lojrat e Big Brother, të Luizit apo të kujtdo tjeter që thurrin plane dhe intriga për shoqi-shoqin. Kjo nuk sjell kulturë, as edukatë, as parime në shoqëri. Kjo sjell një sistem utopik antivlerash, që Faik Konica e ka thënë shumë bukur në një ndër citatet e tij: E keqja e shqiptarit, vjen po nga vetë shqiptari. Nuk dua të demoralizoj askënd me këtë që po shkruaj, por dreqi t’a haj, pse jemi kaq negativë për njëri tjetrin këtë nuk e kuptoj?! Pyetje e cila e gjen përgjigjen vetëvetiu brenda. Kur bën bashkë dy shqiptarë, duhet me therr një tufë me bagëti; thoshte Bismarku. E pra bota na njeh më mirë se e njohim ne veten tonë. Kjo e thënë ndryshe; dy shqiptarë nuk janë bërë kurrë bashkë, qoftë për luftë apo për paqe. E ndërsa për kurthe, intriga, pazare kafenesh dhe zili ndaj njëri tjetrit, jemi bërë tog të gjithë. Ne jemi një popull që respektojmë më shumë kafenet se sa kultet fetare. Ne jemi një popull që nuk falemi tek Zoti i gjithësisë por tek Imami, Prifti, kamarjeria e lokaleve apo shalët e sekretareve. Ne jemi një popull që nuk respektojmë babë dhe nënë, madje i vrasim ata nga pak e përditë, por që respektojmë çdo njeri tjetër që na del përpara jashtë shtëpisë. Ne nuk duam as motra dhe as vëllezër, madje kur bëjmë të flasim në telefon me Ta, duket sikur do japim e do marrim borxh tek njëri tjetri, e ndërsa një i jashtëm po të na kërkojë diçka, ne i falim shpirtin. Ne jemi po ata që në emigracion mundohemi t’a shklyejmë njëri tjetrin si ata qentë e rrugës dhe kur vijmë në Shqipëri apo kur dalim nëpër televizione flasim për “mirë” në emër të “Diasporës”, Diasporës së pjerdhur që nuk ka egzistuar kurrë! Ne jemi po prap ata që themi Greku, Serbi, Turku na i ka fajet, por kur vjen shqiptari nga Dardania, Ilirida apo gjetkë, i’a fusim sa krahu me çmimet dhe arrogancën tonë. U munduan e gjithë Perëndimi të na bëjnë njerëz të kulturuar, por ne ndoqëm rrugën e Anadollit, të Bolshevizmit dhe të gjithë kulisave të errëta që fillojnë nga Lindja e Mesme dhe përfundojnë në Ballkan. Ne jemi po ata që në gen, gjak dhe damar, mbjellim vrerë, cinizëm, arrogancë, zili, antivlerë dhe intriga pafund dhe harrojmë se jeta është një dhe e shkurtër. E pra, askush nuk i ka mbijetuar errësirës dhe aq më pak shqiptari. Por mesa duket shqiptari errësirën e ka të ngulitur thellë në shpirt dhe të shkruar në ballë. Prandaj ne e njohim njëri tjetrin shumë mirë që nga fytyra. Kjo tregon se jemi unik në llojin tonë dhe fenomene të tilla si loja e Big Brother apo e Luiz Ejllit, na ngjizin, na sjellin identitetin tonë racorë. Geni dhe gjaku jonë është vetëm një fenomen lojë larg dhe asgjë më shumë se kaq. Andaj ne si Komb nuk kemi as vizion për të ardhmen, sepse të shkuarën dhe të tashmen e mbajmë fort të lidhur në gërmadhat e së keqes!

Filed Under: Fejton

Tokë, yje dhe qiell

March 23, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

“Herët a vonë, shumica e njerëzve arrijnë të kuptojnë se edhe ajo që ata nuk mund ta besojnë mund të jetë e vërtetë.” — Platoni. Historitë e kulturave indigjene në mbarë botën tregojnë se paraardhësit e tyre erdhën nga yjet. Vendasit, në çdo vend, tregojnë se paraardhësit e tyre ishin “Njerëz të Qiellit” dhe “Qenie të Yjeve”. Tekstet egjiptiane flasin për “sjellësit e dijes” që vijnë nga Sahu dhe Sopdi (Orioni dhe Sirius). Ndërtuesit e Teotihuacanës në Meksikë i përshkruajnë perënditë e tyre si të zbritur nga qiejt (Hyjnorë, Yje dhe Illyrë) Legjendat e Puma Punkut në Bolivi portretizojnë paraardhësit e tyre si të ardhur nga yjet. Sumerianet, Majat, Inkanet, Zhang Zhungët para-tibetianë dhe shumë kultura të tjera, të gjithë shprehin të njëjtën histori në mënyra të ndryshme në gjuhë të ndryshme – paraardhësit e tyre erdhën nga yjet, qielli, duke sjellë të përparuara diturinë dhe dhuntinë e qytetërimit. Shumë prej këtyre kulturave ishin shumë të ndara si gjeografikisht ashtu edhe kronologjikisht, megjithatë historitë e krijimit të tyre janë jashtëzakonisht të ngjashme dhe, në shumë raste, në thelb identike.Çfarë mund ta shpjegojë këtë? Pyetje të tilla nuk janë bërë kurrë në literaturën e disponueshme botërore. Lexuesi i këtij shekulli (XXI) ndeshet me dilema të tilla, por ndryshe nga paraardhësit, sot po i bënë sfidë mendimit të mykur të shkencës shêrbëtore të politikës.Mendja njerëzore nuk është në gjendje ta kuptojë universin. “Ne jemi si një fëmijë i vogël që hyn në një bibliotekë të madhe,“, thotë Einsteini, “ku muret janë të mbuluara deri në tavan me libra në shumë gjuhë të ndryshme. Fëmija e di se dikush duhet t’i ketë shkruar këto libra. Nuk dihet kush dhe si. Nuk i kupton gjuhët në të cilat janë shkruar. Por fëmija shënon një plan të caktuar në renditjen e librave, një rend misterioz që nuk e kupton, por e percepton zbehtë”.Universi është kaq i madh sa që edhe pse mund të flasim dhe të shkruajmë numrin, ai mbetet një koncept; intelektet tona nuk mund ta kuptojnë.Drita udhëton 300,000 kilometra në sekondë, gjë që duket mjaft e shpejtë. Nëse udhëtoni me shpejtësinë e dritës, mund të rrethoni ekuatorin e tokës 7.5 herë në vetëm një sekondë. Një vit dritë është distanca që kalon drita në një vit, rreth 9.5 trilion kilometra. Duke vënë re se shpejtësia e dritës është kaq e shpejtë, ju vendosni të udhëtoni me shpejtësinë e dritës deri në skajin e universit të vëzhgueshëm, vetëm për të parë se atje nuk është fundi i universit. Kjo është një ide e mirë, por për të arritur destinacionin tuaj, edhe me shpejtësinë e dritës, udhëtimi do të marrë më shumë se 46 miliardë vjet.Të dhënat nga Teleskopi Hubble kanë zbuluar se ka qindra miliarda galaktika në universin e vëzhgueshëm. Në fillim të vitit 2020, një njoftim i jashtëzakonshëm erdhi nga studiuesit që shqyrtonin të dhënat nga sondazhi i Fushës së Thellë eXtreme. Ekspertët përfunduan një analizë dhe ajo që ata gjetën është dërrmuese. Në vend të 200 miliardë galaktikave të vlerësuara më parë në universin e vëzhgueshëm, ka të ngjarë të ketë më shumë se dhjetë trilion galaktika. Për ta vendosur këtë në një lloj këndvështrimi, nëse mbani një kokërr të vetme rëre në gjatësinë e krahut kundër qiellit të natës, pjesa e vogël e qiellit që fsheh ajo përmban më shumë se 100,000 galaktika – jo 100,000 yje, 100,000 galaktika. Këto galaktika variojnë në madhësi nga galaktikat xhuxh me “vetëm” disa miliardë yje deri te galaktikat gjigante me 100 trilion yje. “Kozmosi është gjithçka që është ose ka qenë ose do të jetë ndonjëherë. Soditjet tona më të dobëta për Kozmosin na trazojnë—ka një ndjesi shpimi gjilpërash në shtyllën kurrizore, një kapje në zë, një ndjesi e dobët, si një kujtim i largët, i rënies nga një lartësi. Ne e dimë se po i afrohemi mistereve më të mëdha”, thotë Carl Sagan. Pafundësia e pakuptueshme e universit frymëzon. Në fund të fundit, ne përgjithësisht mendojmë për çdo jetë jashtëtokësore po aq ekzistuese sa ne, në një planet që rrotullohet rreth një ylli në një distancë ku jeta siç e njohim ne mund të lulëzojë.Që nga mesi i vitit 2017, Observatori Hapësinor Kepler kishte identifikuar ekzistencën e rreth 4496 yjeve kandidatë për ekzoplanete dhe 3750 ekzoplanete të konfirmuara, domethënë planete që ekzistojnë jashtë sistemit tonë diellor, që rrotullohen rreth yjeve të tjerë në galaktikën e Rrugës së Qumështit.Shumë shkencëtarë thonë se jeta është mjaft e zakonshme në univers.Por është misterioze për t’u pranuar, dhe, ‘populli qeveris’ është hipokrizi. Është kulmi i arrogancës të besosh se jemi vetëm. “Universi po bashkohet me lloje të ndryshme të formave të jetës”, thotë Michio Kaku, dhe dyshon nëse raca njerëzore është forma më inteligjente e jetës.Shkrimtari i famshëm britanik Arthur C. Clarke formuloi tre fjalë të urta të lidhura me parashikimin, të njohura si tre ligjet e Klarkut, i treti prej të cilëve formulohet si më poshtë: “Çdo teknologji mjaft e avancuar nuk dallohet nga magjia”.Është njësoj sikur të thuash se çdo teknologji e dallueshme nga magjia është e pamjaftueshme për të avancuar.

Filed Under: ESSE

VATRA URON BESIMTARËT MYSLIMANË PËR MUAJIN E BEKUAR TË RAMAZANIT

March 23, 2023 by s p

Të nderuar vëllezër e motra të besimit Myslimanë

Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës Dielli, të Kryesisë së Vatrës, Këshillit të Vatrës e të gjithë vatranëve ju uroj: Agjërim të lehtë e të pranuar prej Zotit fuqiplotë. Krijuesi i gjithësisë shpërbleftë çdo vepër tuajën të mirë, çdo lutje e përshpirtshmëri në këtë muaj të shenjtë sakrificash e shpërblimesh hyjnore.Kjo kohë e shenjtë sjelltë mbarësi për të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë dhe familjet e tyre kudo ku veprojnë e punojnë.

Me gëzim dhe nderim

Kryetari i Vatrës

Elmi Berisha

Filed Under: Opinion

23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…

March 22, 2023 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Neser eshte 88 vjetori i vdekjes se aktorit me te famshem me origjine shqiptare… dhe nje nga zerat ikonike te teatrit boteror te gjysmes se pare te shekullit XX …ALEKSANDER MOISIU.Sipas Erika dhe Klaus Man “vetem nje aktor gjenial si Moisiu bashkonte pikellimin e Hamletit me sharmin e Romeos…”Apo sipas Maks Brodit: “Hamlet është shkruajtur për Moisiun, dhe Moisiu ishte lindur unik për të interpretuar Princin e Danimarkës.”Gjenia e Moisiut vuri ne “krize” edhe “Unazen e Iflandit”, çmimin me prestigjoz gjerman per aktorin me te madh te botes gjermanike… Dhe kjo ndodhi ne diten e varrimit e varrimit te tij, 88 vjet me pare ne 23 mars 1935…Iffland-i la trashëgimi një nga unazat e tij, që të përcillej nga aktori më i mirë gjerman, që do ta zëvendësonte, atij, që ai do ta konsideronte si zëvendësuesin e tij në artin dramatik. Kjo traditë vazhdoi dhe unaza kaloi nëpër duart e shtatë aktorëve të famshëm për të përfunduar në gishtin e Albert Basserman (1867 – 1952), si një lloj vlerësimi artistik.Albert Bassermann, ishte mbajtesi i kesaj unaze … Ishte 68 vjec ne kohen e vdekjes se Moisiut dhe ishte ne kohen qe duhet te zgjidhte pasardhesin…Atij i përkiste kujdesi delikat që të linte trashëgimi unazën e Iffland-it. Cili do të ishte fatlumi i zgjedhur ?Disa emra qarkullonin…Dy zgjedhjet e tij te meparshme Alexander Girardi dhe Max Pallenberg kishin vdekur…Por Albert Bassermann në momentin e vendosjes së arkivolit, hodhi unazën e famshme mbi trupin e të ndjerit Moisi…– Skena gjermane vdiq ! – tha ai. Unë nuk do t’ia jap askujt këtë unazë…Drejtori i Burgtheater, Hermann Röbbeling e mori unazen nga arkivoli duke thene se ajo i jepet vetem aktorit me te mire qe eshte gjalle…Kjo ngjarje beri qe unaza e Iflandit te harrohej per 11 vjet…Bassermani kurre nuk e mbajti ne gishtin e tij kete unaze dhe ne vitin 1938 emigroi ne Amerike…Edhe kur u kthye ne Viene ne vitin 1946, ai refuzoi ta rimerrte unazen…Basserman mendonte qe Moisiu ishte nje hebre i teatrit gjerman..Askush nuk e dinte origjinen e tij te vertete… bile as miqte e tij te ngushte si Franz Kafka apo Stefan Cvajg. Ata e konsideronin hebre, edhe si nje deshire te vleresimit te tyre te madh ndaj Moisiut…e donin ta kishin te “tyren”…Gjatë terë jetës Moisiu pati telashe me përkatesinë nacionale dhe me vendlindjen, sado që nga biografia e tij diheshin edhe për njerën edhe për tjetrën. Më në fund, për ta bërë publike, e sigurisht i shtyrë edhe nga atdhedashuria, Mosiu i drejtohet Kosullatës Shqiptare për pranimin e shtetësisë shqiptare. Disa javë para vdekjes, i vjen lajmi zyrtar nga Tirana për pranimin e shtetesise shqiptare. Por vetëm me kusht që artisti të bëhej shef ceremonie në oborrin mbretëror të Zogut. Moisiu, lolo i oborrit te Ahmet Zogut!? Çfarë ironie! Moisiu, gjithashtu, kishte kërkuar edhe shtetësinë italiane, për çka flet takimi njëorësh me Benito Musolinin më 20 prill të vitit 1934, ku u bisedua edhe për çështje të tjera kulturore në Itali. Për Duçen, Moisiu ishte artisti i madh emigrant i Italisë. Sipas autorit Shaper, lajmi për nënshtetesinë italiane i vjen disa orë para vdekjes, ku ai i thote gruas së vet “Molto tardi ! Molto tardi”, pra “Shumë vonë, shume vonë!”Ishte kjo aresyeja qe arkivoli i tij u mbulua me flamurin Italian…

Filed Under: Kulture

VATRA I PËRGJIGJET ADI KRASTËS

March 22, 2023 by s p

I nderuar z. Krasta,

Në cilësinë e kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, po ju drejtohem me këtë letër si përgjigjie dhe reagim ndaj disa pretendimeve të pabaza që u thanë në TV “Syri” në emisionin tuaj “A show” Krasta të datës 21.03.2023.Z. Krasta, Që nga zgjedhja ime në krye të Vatrës mund të konstatoj me mburrje se ka filluar një dinamikë e re e menaxhimit, zhvillimit dhe rritës së organizatës më të vjetër dhe më prestigjioze të komunitetit shqiptar që jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në trendet e kohës moderne, në rrethana të tjera politike, socio-ekonomike dhe dinamikës së globalizmit, ne vazhdojmë me mburrje rrugën e themeluesve të kësaj organizate Nolit dhe Konicës duke punuar në interes të komunitetit tonë në SHBA dhe duke mbështetur fuqishëm Shqipërinë, Kosovën dhe të gjitha trojet etnike ku jetojnë shqiptarët. Ne veprojmë në suaza të legjislacionit të SHBA-ve dhe Kanunores së Vatrës, duke i respektuar në përpikmëri. Kam kënaqësinë të ju informoj se që nga ardhja ime në krye të Vatrës ka një interesim dhe dinamikë të jashtëzakonshme të komunitetit tonë në SHBA për angazhime dhe aktivitete në interes të komunitetit tonë por edhe në interesin nacional të shqiptarëve kudo që janë. Janë themeluar tetë degë të reja, këto ditë do të themelohen edhe të tjera, janë kyqur mjaft të rinjë e të reja me pregaditje arsimore dhe ekspertizë të jashtëzakonshme, e në veçanti më gëzon fakti i angazhimit të madh të femrave shqiptare gjithandej SHBA-ve, shumë nga ato me grada akademike dhe me influencë të madhe në qarqet akademike, diplomatike dhe në opinionin publik në SHBA. Pretendimet e njerëzve pa peshë se “gjoja kemi informacione se Vatra do të nënshkruaj marrëveshje politike dhe për interesa ekonomike me Edvin Ramën” është një shpifje, e pavërtetë dhe tendencioze. Federata Panshqiptare “Vatra” ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me pëlqimin e të gjitha grupeve politike në Kuvendin e shtetit të Kosovës, si institucion që reflekton vullnetin politik të popullit të Kosovës. Asnjë “lloj marrëveshje” nuk është bërë me asnjë institucion në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë të punojmë me institucionet legjitime në Shqipëri, Kosovë, me të zgjedhurit shqiptarë në institucionet e Republikës së Maqedonisë Veriore, Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës. Ne nuk ndërhyjmë dhe nuk anojmë politikisht në proceset elektorale kudo dhe kurdo që organizohen ato në trojet etnike. Ne jemi organizatë me koncept nacional dhe atdhetar dhe do jemi gjithmonë pranë institucioneve të Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve etnike shqiptare gjithmonë në mbrojtje, avansim dhe prosperitet të gjithmbarshëm të kombit tonë. Angazhimet tona në institucionet e shtetit amerikan duke filluar nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit, Senati dhe Kongresi i SHBA-ve janë të përditshme, permanente dhe tejet efikase në interesin kombëtar të të gjithë shqiptarëve. Kemi raporte dhe marrëdhënie të shkelqyeshme me të dy përfaqësitë diplomatike të SHBA-ve në Tiranë dhe Prishtinë. Në Prishtinë edhe kemi bërë aktivitete të përbashkëta që tregon për respektin dhe besimin që gëzon “Vatra” dhe lidershipi i saj te institucionet amerikane. Demokratizimi i mëtejmë i shtetit shqiptar, forcimi i shtetit ligjor dhe zhvillimi ekonomik mbeten angazhim permanent dhe është mision i Vatrës, mbështetja për shtetin e Kosovës në përmbylljen e etapës së fundit të shtetësisë dhe proceseve integruese është obligim dhe imperativ i veprimtarisë së organizatës sonë, gjithmonë me fokus të posaqëm për fatin dhe avansimin e pozitës dhe rolit të shqiptarëve në trojet etnike. Unë personalisht dhe “Vatra” nuk do të ndalemi së punuari për avansimin dhe zhvillimin e gjithmbarshëm të kombit tonë. Nuk ka person, grupacion, mjet, presion por as propagandë që na zmbraps nga ky mision.

Me konsideratë,

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”,

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT