• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for March 2023

Papa Klementi XI (Albani), një bibliofil me sqimë dhe themeluesi i Seksionit Oriental të Bibliotekës Apostolike të Vatikanit

March 18, 2023 by s p

(Melsen Kafilaj-Royal Institute of Philosophy Fellow)

C:\Users\Admin\Desktop\crop_box.jpg

  Papa Klementit XI (Albani) realizuar nga piktori i tij zyrtar, Pietro Nelli (1672-1740)

Papa Klementi XI (1649-1721) është Papa i katërt me origjinë shqiptare, i fundit prej tyre në rend kronologjik dhe një prej Papëve më të shkëlqyer e më të kulturuar të këtij geni, i ulur në Fronin e Shën Pjetrit.I edukuar me gjuhët klasike Greqishte e Vjetër dhe Latinisht (ka zëra që njihte edhe Hebraishten, por mbetet për tu konfirmuar si fakt) dhe Doktor në Të Drejtë Kanonike dhe atë Civile, Albani do të edukohej edhe në Akademinë Mbretërore të Mbretëreshës Kristinë të Suedisë (1626-1689) duke u mëkuar me kulturën humaniste, njohuritë shkencore por edhe frëngjishten, gjuhën intelektuale të kohës të cilën do ta përvetësonte dhe shkruante në mënyrë mjaft elegante.Aq e vërtetë është kjo saqë letrat e kompozuara prej tij dhe korrespondencat në këtë gjuhë bashkëkohësit do ti cilësonin si vepra arti.

Kardinal Albani krahas dhuntive të jashtëzakonshme intelektuale që zotëronte ishte gjithashtu edhe një bibliofil me sqimë.Sqimë kjo e rrënjosur jo vetëm prej familjes së tij (Xhaxhai, Kardinal Annibale Albani kishte shërbyer edhe si Prefekt i Bibliotekës së Vatikanit) por edhe e kultivuar gjatë kohës së studimit pranë Akademisë së Mbretëreshës Kristinë. Kështu psh, në një rast fatlum do të ishte pikërisht këshilla e Giovanni Francesco Albanit, ajo e cila do të sillte për pasojë që Papa Aleksandri VIII (Pietro Vito Ottoboni) ti blinte Mbretëreshës Kristinë në vitin 1689 Librarinë Mbretërore dhe dorëshkrimet e saj të rralla.Është fat i madh që kjo bibliotekë u ble në këtë kohë, pasi nëse nuk do të kishte ndodhur kështu atë do ta kishin përpirë gjuhët e flakëve që ra në Pallatin Mbretëror të Stokholmit në vitin 1697 dhe këto thesare të paçmueshme diturore do të ishin bërë shkrumb e hi. Theksojmë se ishte pikërisht ky Papë që e vlerësonte së tepërmi zgjuarsinë dhe këshillat e Albanit, i cili e ngriti këtë të fundit në statusin e Kardinalit.

Këtë “mani” për librat dhe dorëshkrimet e rralla Albani do ta dëshmonte edhe gjatë qëndrimit të tij në krye të Papatit si Papa Klementi XI (Albani) përgjatë viteve 1700-1721.Këshilla e Mbretit Solomon “Kërkoje Dijen edhe nëse duket sikur humbet” do të zbatohej ad litteram prej këtij Pape Humanist.Momenti i duhur do të vinte me pikasjen prej tij në Kolegjin Maronit të Romës të një të riu libanez, pinjoll i një familjeje dijetarësh me emrin Jozef Simeon Asemani (Yūsuf Shamʿūn Assemani, 1687-1768) Tek Asemani, Papa Klementi XI shqoi të njëjtin pasion dhe etje për dijen që kishte edhe ai vet.Asemani ende pa dalë prej bankave të këtij Kolegji kishte spikatur me kulturën dhe erudicionin e tij duke shkruar 3 libra; Mbi Gramatikën Siriane, Logjikën dhe Teologjinë.Gjithashtu ai ishte poliglot dhe fliste disa gjuhë të huaja (Sipas disa burimeve rezulton se ai zotëronte mbi 30 të tilla.)

C:\Users\Admin\Desktop\1325952361_clement11coa-450x429.jpg

                                       Stema e Papa Klementit XI (Albani)

Pas diplomimit, Asemani do të thirrej prej Papa Klementit XI për tu marr me Indeksimin e Dorëshkrimeve Orientale (Disa prej të cilave sjellë në Romë në vitin 1707 me kërkesë të vet Papës në fjalë prej të vëllait, Elias Asemani). Ndërsa në vitin 1710 ai u emërua zyrtarisht si përkthyes dhe skrib i Gjuhëve Orientale (Scriptor Orientalis) në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit (kjo e fundit e themeluar në vitin 1447 prej Papa Nicholas V). Siç informohemi edhe prej dijetarit libanez, Nasser Gemayel po këtë vit Asemani do të merrte edhe doktoratën në Filosofi dhe Teologji dhe do të shugurohej prift ndërsa një vit më vonë autorizimin prej Papës për të kaluar nga Kisha Maronite në atë Latine.Krahas të qënit Këshilltar i Komisionit për Reformimin e Librave Liturgjik të Kishave Lindore, Papa Klementi XI do ti besonte dhe ngarkonte në vitin 1715 Asemanit një prej misioneve jetike sipas tij; gjetjen e sa më tepër Dorëshkrimeve Orientale.Burimet financiare do të ishin të pakursyera. Kështu gjatë viteve 1715-1717 Asemani do të udhëtonte nëpër Palestinë, Egjipt, Siri dhe Liban në kërkim të këtyre thesareve të çmuara.Çmimet për çdo dorëshkrim të blerë do të ishin mjaft tërheqëse dhe kjo është arsyeja sipas Profesorit të Universitetit Princeton, Anthony Grafton që Asemani do të kishte sukses në këtë mision.Sipas Enciklopedisë Britanike, Enciklopedisë Katolike dhe vet Bibliotekës Apostolike numri i Dorëshkrimeve Orientale të gjetura gjatë kësaj periudhe ishte rreth 150 të tilla.

C:\Users\Admin\Desktop\BAVOA.144_0144_m.jpg

                                    Yūsuf Shamʿūn Assemani (1687-1768)

Do të ishte pikërisht ky koleksion prej 150 veprash të siguruara prej Asemanit dhe të financuara prej Papa Klementit XI ajo që do të formonte Seksionin Oriental dhe pagëzonte këtë të fundit si themeluesin e tij (Bibliotheca Orientalis Clementino-Vaticana).Asemani, një dijetar prolifik (shkroi rreth 56 vepra dhe la mjaft dorëshkrime të pabotuara), vepra madhore e të cilit është: “Bibliotheca Orientalis Clementino-Vaticana: in qua manuscriptos codices Syriacos, Arabicos, Persicos, Turcicos, Hebraicos, Samaritanos, Armenicos, Aethiopicos, Graecos, Aegypticos, Ibericos et Malabaricos” (1719-1728), 9.Vol ose i ashtuquajturi ndryshe “Katalogu Asemani” do të dërgohej gjithashtu edhe prej Papa Klementit XIII përgjatë viteve 1735-1738 me të njëjtin mision dije-mbledhës, falë të cilit Seksionit Oriental do ti shtoheshin edhe 2000 vepra të tjera, midis të tjerash edhe dorëshkrimi “Codex Assemanius”(Ass), blerë në Jerusalem në vitin 1736.(Sot i dixhitalizuar në këtë Bibliotekë dhe me emërtimin MSS Vat.slav.3).Kjo nismë e Papa Klementit XI dhe e mishëruesit të saj Asemanit kanë rëndësi themelore jo vetëm për karakterin ndërtues, pasurues dhe konservues të një Biblioteke specifike por gjithashtu edhe rëndësi historike; Kjo nismë përbën një fazë të rëndësishme të Orientalizmit Europian në fillim të Shek.18-të.

C:\Users\Admin\Desktop\Assemani-1-629x1024.png

Asemani (në qendër) së bashku me dijetarët e tjerë, duke i treguar Papa Klementit XI (përballë) Dorëshkrimet e Gjetura Orientale © Biblioteca Apostolica Vaticana 

Filed Under: Politike Tagged With: Melsen Kafilaj

THE NEWTON GRAPHIC (1975) / “NJERIU DHE LËVIZJA” — EKSPOZITA FOTOGRAFIKE E GJON MILIT NË MUZEUN E SHKENCAVE TË BOSTONIT

March 18, 2023 by s p


Gjon Mili — Foto : Leonard McCombe, 1948)
Gjon Mili — Foto : Leonard McCombe, 1948)

“The Newton Graphic” ka botuar, të mërkurën e 29 janarit 1975, në faqen n°22, një shkrim rreth ekspozitës fotografike të Gjon Milit në Muzeun e Shkencave të Bostonit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Ekspozita fotografike “Njeriu dhe Lëvizja” në Muzeun e Shkencave

Burimi : The Newton Graphic, e mërkurë, 29 janar 1975, f.22
Burimi : The Newton Graphic, e mërkurë, 29 janar 1975, f.22

Një fotograf i cili është njohur për katër dekada si mjeshtër në kapjen e esencës së lëvizjes, tani po ekspozon momentet kryesore të karrierës së tij në Galerinë Washburn në Muzeun e Shkencave të Bostonit.

Gjon Mili, i lindur në Shqipëri dhe fotografi i parë për revistën “Life” për 34 nga 36 vitet e saj, përdor deri në kufijtë e tij aftësinë e jashtëzakonshme të një blici stroboskopik për të kristalizuar rrjedhën e lëvizjes në një pamje të mprehtë, e cila të lë pa frymë. Të kapur nga shkrepja e një drite që zgjat vetëm një pjesë të vogël të sekondës, sportistët e patinazhit artistik, atletët dhe njerëzit e zakonshëm në lëvizje tregojnë të gjithë hirin e pavetëdijshëm të trupit të njeriut.

Mili e kaloi fëmijërinë e tij në jug të Rumanisë dhe erdhi në Shtetet e Bashkuara në 1923 për të ndjekur studimet në institutin e Teknologjisë në Massachusetts, ku u diplomua për inxhinieri elektrike. Ai vazhdoi studimet e larta në “Westinghouse Electric and Manufacturing Company” dhe më pas u bë inxhinier në fushën kërkimore në “Westinghouse Lamp Division”.

Magjepsja e Milit me mundësitë e fotografisë stroboskopike u rrit, ai i kushtoi shumë e më shumë kohë përsosjes së procedurave dhe aftësisë së tij. Në vitin 1938, fotografia u bë profesioni i tij me kohë të plotë. Ai përmend lidhjen e tij të gjatë në M.I.T., me profesorin Harold E. Edgerton, të cilin e takoi në vitin 1937 dhe e konsideron si një forcë kryesore motivuese në karrierën e tij.

Mili përdor një sërë teknikash për të prodhuar fotografitë e tij befasuese. Duke përdorur një ndezje (shkrepje) të vetme drite nga strobe (blici), ai është në gjendje të ngrijë një moment lëvizjeje në filmin e tij. Duke përdorur një blic dhe ekspozim të shumëfishtë, Mili regjistron një sërë lëvizjesh që kombinohen për të bërë një “lëvizje të plotë” të vetme. Nëpërmjet kësaj teknike, për shembull, një vajzë që kapërcen litarin shihet brenda një rrjete me gjurmë të bardha që prodhojnë rrotullimet e litarit.

Një qasje tjetër që ka dhënë efekte interesante për Milin është fotografimi i një subjekti të palëvizshëm, ndërkohë që vendos kamerën përgjatë tij. Imazhi i përsëritur që parakalon përgjatë fotografisë që rezulton jep një ndjenjë efektive simetrie.

Në studimin e tij të lëvizjes, Mili e ka drejtuar kamerën e tij drejt pjesëmarrësve në të gjitha artet e performancës dhe një listë e subjekteve të tij lexohet si kush është kush. Por ai nuk e kufizoi veten vetëm në teatër – një detyrë e vitit 1973 nga Time, Inc. e çoi në Teatër. Seancat dëgjimore të Watergate, ku ai kaloi katër muaj dhe përdori afro 200 filma duke fotografuar dëshmitarët.

Disa nga fotografitë e pazakonta që dolën nga kjo detyrë mund të shihen në “Life’s The year in pictures” — 1973.

Në të gjithë punën e tij, Mili kërkon të kapë me kamerën (aparatin) e tij momente shumë të përkohshme për syrin e njeriut. Ekspozita në Muzeun e Shkencës, e titulluar “Njeriu dhe Lëvizja”, na jep një vështrim intrigues të këtyre pamjeve. Fotografitë do të qëndrojnë në Muze deri më 31 mars.

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurenc Bebja

MUZIKË QË PIKON NGA GISHTËRINJTË E FËMIJËVE…

March 17, 2023 by s p

Visar Zhiti /

Koncert recital në Teatrin e Kolegjit në Oglesby, Chicago.

E mrekullueshme mbrëmja muzikore e koncertit recital të fëmijëve shqiptarë në SHBA, Edicioni i 10-të i AMA-s në Teatrin “Cultural Center – Illinois Valley College Oglesby…”Më shumë se projektorët e skenës ndrisnin fytyrat e vogëlusheve dhe vogëlushëve. Muzika sikur nuk rridhte nga pianoja, por pikonte nga gishtrinjtë e tyre. Veprimtarinë e organizonte Shoqata “Uskana”, emri i vjetër ilir i Kërçovës dhe të gjithë artistët, nxënës dhe studentë, prej andej ishin, edhe mësuesit dhe pedagogët e tyre, profesorë të muzikës, edhe rektori  prej andej ishte. Kërçova! Sa të bashkuar në shtetin Illinois, jo vetëm me gjuhën dhe traditat, por me dashurinë midis tyre. Kisha vajtur me dy miqtë e mi, me Taipin, “Coach” dhe Doktor Xhabirin, shkruan dhe poezi, kërçovarë të dy.

Fjalën e hapjes së recitalit e mbajti Lirim Neziri – PhD dhe përshëndeti Kryetari i Shoqatës “Uskana” Dr. Luan Elezi, MD. Dhe ngjiteshin me radhë në skenë fëmijët, shih, ç’emra me dritë, si me peizazhe shqiptare: Hana, Vesa, Selvie, Endrit, Alma, Andrra, si ëndërr ishte, Dren, Albina, Bubulina, Besarta, por dhe Bekim, Shpëtim, edhe Xhemail, Adem, Eliona, Leona, Ariana, Laert… Himni Kombëtar në fillim, pastaj dhe Bach, “Toccata in D Minor”, Feim Ibrahimi “Rrjedh në këngë dhe ligjërime”, popullore shqiptare, daullja e Tropojës, “River Flows in You”, klarinetë, Cyrille Rose, Prof. Ismail Mehmeti – një leksion të shkurtër me klarinetë për Kabanë, kërkoi të vinte në skenë dhe një pianist, albumi “Agoj” nga Vasil Sofokli Tole, çifteli, lule, Beethoven “Moonlight”…  mes duartrokitjeve u ndanë çertifikatat. Nga Kêrçova janë vërtet apo nga…? Është puna e Profesor Afrim Shabanit e gjithë kjo… “Recitali AMA edhe një herë dëshmoi misionin e vet në përmbushjen e zhvillimit dhe ruajtjes së vlerave kulturore të traditës sonë, folklorit në përgjithësi si pjesë e artit të përgjithshëm botëror… – lexova prapë në libretin e Koncertit. – Ndaj artistët tanë demonstruan shkathtësi dhe dije… Përtej kësaj, virtuozët tanë dëshmuan edhe një herë se e njohin dhe e luajnë shkëlqyeshëm edhe muzikën klasike, edhe atë moderne…”. Se mos janë nga Parisi, nga Çikago? “…Për të gjitha këto tufa mrekullishë përzemërsisht falenderime para së gjithash nxënësve, prindërve dhe atyre që ndihmuan në përgatitjen, organizimin… – vinte zëri nga skena, – faleminderit të pranishmëve…” Dhe u tha se mes “mysafirëve” ishin dhe luftëtari i njohur në radhët e UÇK~së, sot zv. drejtor i agjensionit të mërgatës në Maqedoninë e Veriut, z. Izmit Nura, Konsulli gjeneral këtu në Chicago, Petrit Musliun, dhe nga Tirana poeti dhe diplomati dhe…

Ç’donte të më dhuronte ashtu luftëtari i UÇK-së? Tani libra, veç me libra… botime të reja shqip të Shkupit… Dhe pastaj darka e shtruar nga biznesmenë kërçovarë. Kur kthehshim natën, rrugët e Chicagos po më dukeshin si pentagrame dhe dritat si nota muzikore me hënën Betohveniane në xhama. Dhe po bisedonim për mrekullinë e fëmijëve tanë, sa virtuozë, të bukur të gjithë, folën shqip, kënduan shqip, i perqafuam shqip, ata të gjithë ishin të shkëlqyer dhe në anglisht, është gjuha e shkollës, e jetës së tyre, por dhe shqipja, edhe pse e një populli të pakët, është gjuhë e vjetër, pasuri e mbarë njerëzimit, ndër 10-11 gjuhët më të rëndësishme në botë, sipas shkencëtarëve-linguistikë dhe ata që duhet ta ruajnë më shumë këtë thesar, që e kanë detyrë, jemi ne, shqiptarët. Dhe pastaj po dëgjoja prapë për “Uskanën”, sa e kishte ndihmuar luftën e Kosovës dhe çështjen kombëtare, e lidhur me kongresmenë dhe senatorë amerikanë, së pari e lidhur me vetveten, po rimëkëmbej pas pandemisë globale, por kujdes, ka dhe pandemi të tjera, përçarjet, mbyllja, prapaskenat, egoizmat banale dhe korrupsioni, degët e përgjumura që i zgjon interesi i vobektë, ju jeni shembull i hapjes dhe i perkushtimit, me kulturë dhe koncerti sonte prandaj quhej “Ama”, thashë unë, që do të thotë burim, mëmësi, të mos harrohen trojet amë… Atdheu t’i mbajë hapur dyert për bijtë dhe bijat e ikur dhe për bijtë e bijat e tyre, që shkollohen në universitetet e njohura nëpër metropolet e shkencës, të kulturës dhe sociologjisë, ata nuk janë braktisje dhe harrim, por zgjerim i atdheut, janë copa të gjalla Shqipërie nëpër botë që do të sjellin botë në dheun amë… kështu thoshte im bir, Atjoni, kur ishte student në Milano, ndërkohë dhe anëtar i Parlamentit Rinor Europian (E.Y.P). Pallatet po më ngjanin si piano të mëdha nate. Ishim mbushur me muzikë përmallimi dhe dashurie…

Filed Under: Opinion Tagged With: Visar Zhiti

VATRA PROMOVON “DIPLOMACIA NDËRKOMBËTARE DHE ÇËSHTJA E KOSOVËS 1997-1999” MË 25 MARS 2023

March 17, 2023 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA do të promovojnë librin “Diplomacia Ndërkombëtare dhe Çështja e Kosovës 1997-1999” të historianit Dr. Lulzim Nika më 25 Mars 2023, ditën e Shtunë ora 11 Am në Selinë Qendrore të Federatës Vatra në adresën: 2437 Southern Blvd, The Bronx, NY 10458.Ftohet komuniteti dhe mediat të marrin pjesë.

Filed Under: Opinion

Mbi pedagogjinë: konfliktet mbi dijen dhe marrëdhëniet e pushtetit

March 17, 2023 by s p

Viliem Kurtulaj/

Kur një ligjërim institucionalizohet në shoqëri, ai tenton të prodhojë të vërteta për të gjithë shoqërinë dhe çdo e vërtetë shoqërohet me pushtet. Ndërsa komunikimi dhe diskursi zhvillohen në procesin arsimor, një lloj pushteti ushtrohet, sepse pushteti mund të prodhohet kudo, në çdo kohë, në çdo pikë të çdo marrëdhënieje. Një institucion arsimor supozohet të jetë një vend dhe hapësirë ku dija mësohet dhe prodhohet, dhe ku zbulohen e zhvillohen talentet, interesat dhe prirjet e nxënësve dhe studentëve. Për të qenë i tillë, institucioni arsimor duhet të jetë një vend lirie ku ushtrimet e pushtetit nuk mund të vendosin kufizime apo limite për aktorët e përfshirë (nxënësit/studentët apo mësuesit/pedagogët). Prandaj, është e rëndësishme të kuptohet se si marrëdhëniet e pushtetit ndikojnë në procesin e krijimit dhe transmetimit të dijeve/njohurive, si dhe mbi vetë aktorët në institucionet arsimore.
Sipas Michael W. Apple, si brenda, ashtu dhe jashtë institucionit arsimor, ka konflikte të theksuara mbi dijen dhe marrëdhëniet e pushtetit. Procesi arsimor në institucion duhet të konsiderohet si pjesë e botës së përvojës. Apple pretendon se nuk ka asnjë autoritet tekstual, asnjë grup përfundimtar faktesh që është i ndarë nga konteksti i marrëdhënieve të pushtetit. Shkollat dhe universitetet janë pjesë integrale e një sistemi të ndërlikuar dhe të ndërthurur që u ofron legjitimitet grupeve shoqërore dhe lejon rikrijimin, mirëmbajtjen dhe ndërtimin e vazhdueshëm të ideologjive sociale dhe kulturore. Procesi pedagogjik përmban në mënyrë të pashmangshme marrëdhënie pushteti. Në institucionet arsimore, pushteti ushtrohet nga çdo pjesëmarrës, si dhe nga vetë dija që qarkullon dhe shpërndahet atje. Apple e sheh arsimin si të ndërlidhur me të paktën tre elementë: kulturën, qeverinë dhe ekonominë. Për rrjedhojë, procesi arsimor zhvillohet në një mjedis ku ushtrimi i pushtetit është i pranishëm.
Pavarësisht nga mënyra e mësimdhënies, është e rëndësishme që mësuesi apo pedagogu të mos e konceptojë nxënësin apo studentin si objekt, sepse, siç thotë Apple, nëse një mësues e trajton një nxënës vërtetë si “memec”, ai/ajo mund të bëhet me të vërtetë i tillë. Për më tepër, procesi i të nxënit në klasë ka gjasa të ndikohet edhe nga marrëdhënie të tjera pushteti jashtë klasës që lidhen me strukturën shoqërore, siç janë konteksti simbolik dhe rrethanat materiale. Sipas kësaj qasjeje, në klasë, pedagogjia duhet të dallojë pozicionet e ndryshme shoqërore dhe repertorët kulturorë, si dhe marrëdhëniet e pushtetit ndërmjet tyre. Si rezultat, Apple sugjeron që metodat e komunikimit dhe format e kontrollit në klasë duhet të shihen si një marrëdhënie dialektike midis ideologjisë dhe mjedisit material dhe ekonomik.
Në librin e tyre “Reproduction in Education, Society and Culture”, Bourdieu dhe Passeron dalin në konkluzion se autoriteti që buron nga njohuritë e bazuara në shkollë është jo vetëm shumë subjektiv, por edhe reflektues i një pushteti ose autoriteti kulturor në punë. Një studiues tjetër, Paul Willis, e koncepton pedagogjinë si një instrument që luan një rol shpesh të mistifikuar në artikulimet e instrumentalizmit dhe ekspresivizmit. Sipas tij, autonomitë e mbetura arsimore, si dhe shpresat e tyre për përfshirje në praktikat dhe iniciativat emancipuese, duhet të formohen mbi bazat e marrëdhënieve të prodhimit dhe konsumit. Përhapja dhe përvetësimi i dijeve në shkollë nuk është një proces linear, neutral, teknik ose mekanik. Përkundrazi, është proces shumë më kompleks i cili ngërthen pushtet gjithashtu. Fiske nënvizon se dituria nuk është kurrë neutrale, ajo nuk ekziston kurrë në një marrëdhënie empiriste apo objektive me të vërtetën. Dija është pushtet, dhe qarkullimi i dijes është pjesë e shpërndarjes shoqërore të pushtetit. Lidhur me dijet/njohuritë e shpërndara në shkollë, do të ishte naive që kurrikula e shkollës të konsiderohej si dije/njohuri neutrale.

Filed Under: Sociale Tagged With: Viliem Kurtulaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT