• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for April 2023

“ESKADRONËT E VDEKJES”, NJË VEPËR QË GËRRYEN NDËRGJEGJEN EVRARË SERBE

April 29, 2023 by s p

Bardhyl Mahmuti del në terrenin serb dhe atje gërmon të vërtetën mbi krimet e kryera në Kosovë nga ana e “eskadronëve të vdekjes”. Atje zbulon, përmes gojës së vet pjesëtarëve të formacioneve ushtarake e policore serbe, që kishin qenë dëshmitarë të maskarave, por edhe të intelektualëve e gazetarëve serbë, se lajmi mbi të vërtetën ishte viktima e parë e çdo lufte, por për të vërtetën duhej luftuar me mjetet që i ofron kurajoja njerëzore. Jo çdo kush mund të luftoj për të vërtetën, andaj edhe ky roman, duke vendosur në qendër të rrëfimit një gazetar serb, ka dashur të inkurajoj shoqërinë serbe që të jetë më e zëshme në denoncimin e krimeve që i kishin kryer bashkëvendësit e tyre.

Shkruan Mehmet PRISHTINA

Romani “ESKADRONËT E VDEKJES” (Kronikë e një kasaphane), i autorit Bardhyl Mahmuti, është një vepër që flet për dy anët e tmerrit në Kosovë – në njërën anë tregohet egërsia e anës jonjerëzore të forcave pushtuese serbe, kurse në anën tjetër nxirret në shesh ndërgjegja dhe humania e segmenteve të caktuara të shoqërisë serbe (disa gazetarëve, ushtarëve, veprimtarëve etj.) për të dëshmuar mbi të vërtetën e krimeve që kanë kryer forcat ushtarakee policore serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në qendër të fabulës së romanit është gazetari Mifi L, që është edhe rrëfyesi kryesor në vetën e parë, përmes të cilit shpalosen nëntë rrathët e ferrit dantesk, aq pjesë sa ka edhe romani, nëpër të cilët kishte kaluar ai dhe bashkëmendimtarët e tij.

Në letërsinë shqipe, romani “ESKADRONËT E VDEKJES” (Kronikë e një kasaphane), i autorit Bardhyl Mahmuti i shtohet atyre pak veprave artistike që me kaq plasticitet ka zbërthyer natyrën e brendshme të njeriut përballë egërsisë që e rrethon, madje edhe atëherë kur ajo egërsi vjen edhe nga njerëzit e një kombi. E veçanta e kësaj vepre qëndron në dokumentaritetin e ngjarjeve të ndërthurrura mjeshtrisht sipas një arkitekture të menduar mirë letrare, ku personazhet dhe ngjarjet kanë një marrëdhënie reale me botën përreth.

Gazetari Mifi L jo vetëm që është dëshmitar i shumë tmerreve që kishin ndodhur në Kosovë, por ai bëhet edhe protagonist e një kalvari të mundimshëm që përjeton ai, si pasojë e qëndrimeve të drejta profesionale e humane kundrejt fshehjes së krimeve që mundoheshin ta bëjnë autoritetet politike, ushtarake e policore të Serbisë. Ai kishte botuar dhjetëra shkrime, sidomos në mediat ndërkombëtare, përmes të cilëve denonconte hapur dimensionet shtazareke të krimeve serbe në Kosovë.

Fabula e romani është ndërtuar pikërisht mbi këtë temë dhe për ta lehtësuar komunkimin me ngjarjet dhe personazhet, autori ka zgjedhur rrëfimin në vetën e parë, i cili realizohet përmes gojës së vet gazetarit Mifi L. i cili përpos që shpalos dëshmitë e ushtarëve serbë që kishin marrë pjesë në krimet në Kosovë, ai nxjerr në pah pasojat e kësaj dëshmie që përjetoi në formë torturash të tmerrshme që ia kishin shkaktuar oficerët e “Beretave të Kuqe” në një vilë malore në afërsi të Vranjës (në fshatin Bela Voda). Kjo për faktin se gazetari Mifi L kishte shkruar pikërisht për monstruozitetet e këtij formacioni paramilitar, i cili ndonëse vepronte në kuadër të forcave të rregullta serbe, shquhej për aksione tepër të egra e barbare ndaj civilëve shqiptarë, ku nuk kurseheshin as foshnjet, as gratë shtazëna, as pleqtë, të cilët ose përfundonin në bajonetat e “Beretave të Kuqe” , ose bëheshin shkrumb e hi trupat e tyre.

Gazetari Mifi L. në shkrimet e tij kishte publikuar edhe dëshmi mbi djegin e e kufomava në shkritoren e aluminit në Maçkatica të komunës së Surdulicës, por edhe në shkritore të tjera në Serbi e Kosovë. Djegien e kufomave, në këto shkritore, siç e mësojmë në roman, e kishin kryer “Beretat e kuqe”, formacion ky që më vonë u fuzionua dhe u transferua në një njësit të posaçëm në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Të shkuhej për gjithë këto krime ishte guxim dhe kurajo e madhe, por ishte edhe një sprovë e madhe morale për t’u ballafaquar me vdekjen qoftë edhe atëherë kur gazetari Mifi L. refuzon kategorikisht të përgënjeshtroj ato që kishte shkruar si kusht për t’u liruar nga ndjekja penale, që nënkuptonte dhjetëra vite burg.

Fshehja e gjurmëve të krimeve në Kosovë, përbënte një prej shtyllave kryesore të doktrinës fashizoide të Serbisë, por një përpjekje e tillë ishte treguar e passukseshme sepse ishin organizatat ndërkombëtare dhe gazetarët e guximshëm, si Mifi L, që e kishin denoncuar këtë doktrinë. Për të ilustruar këtë, autori sjell edhe një reagim të

Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e cila përmes Zëvendësprokurorit të Përgjithshëm të kësaj gjykate, Grejham Blluit, demaskonte përpjekjet e Serbisë për të fshehur gjurmët e krimeve: “Dëshmitë për ekzistencën e planit dhe të qëllimit për asgjësimin e gjurmëve të krimeve të kryera kundër shqiptarëve në Kosovë, janë dëshmi e ekzistencës paraprake të planit dhe të qëllimit për t’i kryer këto krime”, thuhej në reagimin e Gjykatës Peknale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Ky ishte krimi i dyfisht që bënte Serbia, duke zhvarrosur trupat e shqiptarëve të vrarë dhe duke varrosur në varreza masive në Serbi. Por romani i Bardhyl Mahmutit na mëson se gjaku i viktimave të pafajshme nuk mund të fshihet aq lehtë, siç kishin menduar ideatorët e holokaustit serb. E gjithë fabula e kësaj vepre është e thurrur mbi këtë bosht tematik. Përkundër masave kamufluese që kishte ndërmarrë regjimi i Millosheviqit serb, e vërtata për krimet serbe megjithatë nuk mund të mbahej e izoluar, e aq më pak e pa publikuar. Kjo e vërtetë del nga dheu, atë nuk mund ta mbaj toka, por edhe shumë puse, të mbushur me viktima, që e kishin pasur të ndaluar të jetojnë, sepse kështu ishte planifikuar nga strategët e vdekjes në Beograd. Të gjitha këto quheshin “spastrim i vendluftimeve”.

Në këtë roman shohim se të vërtetën mbi krimin nuk e mban dheu, por e nxjerr mbi sipërfaqe. Kjo e vërtetë flet me gojën e atyre që ndërgjegja i vret për tmerret që kishin shkaktuar në Kosovë. Janë disa personazhe, që flasin në cilësinë e pjesëmarrësve në krimet e luftës në Kosovës, siç është Rade një ushtar që kishte luftuar në Kosovë, i cili në pamundësi për të bartur peshën e fajita mbi atë që kishte ndodhur në Kosovë, kishte bërë vetëvrasës. Në një komunkim me gazetarin Mifi L. këtij të fundit i kishte treguar për një bashkëbisedim që kishte pasur me psikiarin e tij:

“…të vrarët më rrinë pezull në shpirt. Sidomos ata që i kemi zhvarrosur, të cilëve ua kemi tretur eshtrat dhe i kemi lënë pa varr. E di se çfarë më tha ajo shtazë e gjallë? “Të vuash për të vdekurit është e pakuptimtë, prandaj hiqe mendjen prej tyre! Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët!”… Nuk munda ta duroja më tepër! U ngrita nga karrigia dhe, para se t’ia përplasja derën, i thashë se ata nuk kanë vdekur, por i kemi vrarë në shtëpitë e tyre”.

Në roman shpaloset edhe një dimension tjetër i stategjisë pushtuese të Serbisë, e cila ishte intensifikuar përmes një lufte të pistë dezinformuese. Këtë e kuptojmë edhe nga rrëfimet e vet ushtarëve që kishin marrë pjesë në krime, por pa e ditur të vërtetën se çka kishte ndodhur. Atyre iu kishin thënë se “terroristët shqiptarë” kishin maskaruar gra e fëmijë serbë dhe të nxitur nga etja për hakmarrje, ata iu kishin vërsulur vendbanimeve shqiptare në Kosovë, ku kishin kryer krimet më monstruoze.

Për të shpjeguar efektet e kësaj lufte të pistë dezinformuese, autori sjell rrëfimin e një ushtari serb, që kishte qenë në njësitin tankist, si pararojë e maskarave që i kishin kyer forcat ushtarake e policore serbe nëpër shtëpitë e shqiptarëve.

“Megjithatë, unë godisja pareshtur me tank në drejtim të fshatrave shqiptare, sepse më ishte thënë që civilët ishin larguar dhe se në shtëpi kishte vetëm terroristë, që kishin vrarë dhe djegur civilë serbë… Më vonë kuptova të vërtetën…”

Dhe e vërteta ishte tepër e vrazhdë, sepse ajo po kamuflohej për të krijuar alibinë e masakrave, ndonëse ushtarët serbë më vonë e kishin kuptuar se kishin qenë të manipuluar, se cak i sulmeve të tyre nuk kishin qenë pjesëtarët e uniformuar të UÇK-së, por civilët e pambrijtur shqiptarë.

Më vonë gjithashtu u kuptua se edhe masakrën në kafeterinë “Panda” në Pejë, ku kishin mbetur të vrarë dhe të plagosur disa të rinj serbë, nuk e kishin kryer shqiptarët, por pjesëtarët e “Beretave të Kuqe” me urdhër nga lart.

Më vonë, sç e mësojmë nga ky roman, u kuptua se edhe bombat që hidheshin mbi kolonat e civilëve që po iknin, por edhe mbi burgun e Dubravës, nuk vinin nga avionët e NATO-s, siç ishte thënë në kuzhina propagandistike të Bograadit, por nga avionët serbë, të cilët ishin të strehuar në aeroportin e nëndheshëm të Goleshit.

Bardhyl Mahmuti del në terrenin serb dhe atje gërmon të vërtetën mbi krimet e kryera në Kosovë nga ana e “eskadronëve të vdekjes”. Atje zbulon, përmes gojës së vet pjesëtarëve të formacioneve ushtarake e policore serbe, që kishin qenë dëshmitarë të maskarave, por edhe të intelektualëve e gazetarëve serbë, se lajmi mbi të vërtetën ishte viktima e parë e çdo lufte, por për të vërtetën duhej luftuar me mjetet që i ofron kurajoja njerëzore. Jo çdo kush mund të luftoj për të vërtetën, andaj edhe ky roman, duke vendosur në qendër të rrëfimit një gazetar serb, ka dashur të inkurajoj shoqërinë serbe që të jetë më e zëshme në denoncimin e krimeve që i kishin kryer bashkëvendësit e tyre. Dhe kjo, besoj që do ta ketë efektin më të madh, nëse ky roman përkthehet në gjuhën serbe, sepse ai i dedikohet pikërisht serbëve dhe sidomos atyre që kanë nevojë që të mësojnë të vërtetën lakuriqe që ka ndodhur. Serbët kanë nevojë të ballfaqohen me të keqen që e kanë në mesin e tyre dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse shumica prej tyre e ndjek shembullin e gazetarit Mifi L. dhe disa kolegëve të tij.

Prishtinë, 27. O4. 2023

Filed Under: Sociale

“Kujtesa e gurëve”, një perlë në “Panteonin e harruar”

April 29, 2023 by s p

Gëzim Gjyrezi/

“Kujtesa e gurëve” është një dokumentar që i kushtohet skulptorit dhe arkitektit durrësak Andrea Alesi, që ka punuar në shekullin e 15 dhe 16 në Kroaci. Ai madje në gurin e varrit të tij ka gdhendur që më 1503 “Këtu prehet Andrea Alesi, epirot nga Durrësi”, çka është një rast i rrallë në krijimtarinë e artistëve me origjinë shqiptare apo shqiptarë që punuan dhe krijuan në Itali, në Slloveni dhe në Kroaci.
Nxitjen për të shkruar një skenar për jetën dhe krijimtarinë e Andrea Alesit e kam marrë nga studimet e Prof. Ramadan Sokolit dhe Prof. Shyqyri Nimanit, të cilët unë do t’i quaja themele të betonta në historinë e panjohur të personaliteteve shqiptare. Natyrisht studimet e tyre unë i kam plotësuar me të dhëna dhe informacione nga autorët më të rinj. Këto informacione për Andrea Alesin dhe të tjerë unë i kam përfshirë në një cikël shkrimesh me titull: “Panteoni i harruar”. Ato do të jenë bazë e disa dokumentarëve. E si të tillë në këtë cikël janë Kërpaçio, Bazaiti, Mikeli i Vlorës, Albani dhe Durazzo. Me këtë rast desha të them se përpjekjet e Prof. Sokolit apo Prof. Nimanit, pra studimet tyre dhe botimet janë kryer në mënyrë private, pa asnjë ndihmë nga shteti. Edhe përpjekjet e kineastit Petro Latri nuk kanë gjetur mbështetjen e duhur nga shteti. Nuk e di se çdo të ndodhë me dokumentarin tonë. Dokumentari vërtetë është mbështetur nga Ministria e Kulturës. Është realizuar nga regjisori i merituar Ylli Pepo dhe një staf i tërë mjeshtërish të dokumentarit, si: Xhemal Reçi, Lorina Pepo, Gjergji Pano. Deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga Ministria e Arsimit, e cila mund të ndikojë të futen në tekstet e reja të historisë së shkollave të mesme. Po kështu nuk kemi parë ndonjë reagim nga Akademia e Shkencave, nga Akademia e Arteve apo nga shkolla e mesme artistike “Jordan Misja”. Më vjen keq, por do ta them se në atë cikël shkrimesh dhe pretendimesh për të realizuar dokumentare të tjerë vendin kryesor do ta zënë studiuesit e huaj. Instituti Albanologjisë, Akademia e Shkencave apo Akademia e Arteve nuk kanë bërë po thuaj asgjë. Andrea Alesin unë do ta quaj një perlë në “Panteonin e harruar”, por që nga viti kur lindi e deri në dy-tri vitet e fundit Alesi dhe të tjerë kanë qenë po thuaj të humbur. Ne shkruajmë shumë për luftërat e popullit shqiptar për liri e pavarësi si në periudhën e pushtimit osman, italian, gjerman, por nuk kemi pasur një faqe të shkruar për personalitetet që kontribuan në artin e Rilindjes Veneciane, Italiane e Europiane.
10 faqet e shkruara nga Prof. Ramadan Sokoli dhe Shyqyri Nimani natyrisht nuk janë të mjaftueshme për t’u lexuar nga një popullsi shqiptare që arrin mbase në 7 milionë shqiptare. Librat e tyre nuk i kalojnë të 300 faqet.
Do të thosha se , ashtu siç u nominua Prof. Ramadan Sokoli “Nderi i kombit”, duhet të nominohet edhe Prof. Shyqyri Nimani, pavarësisht se ai jeton e punon në Prishtinë. Ai është shqiptar me një kontribut të paçmuar nga institucionet shtetërore në Shqipëri.
Andrea Alesi, epiroti nga Durrësi, siç e thekson edhe ai vetë, është larguar me familjen e tij kur ai ishte rreth 10 vjeç dhe janë vendosur në Zadar. Arsyet mund të kenë qenë dy: së pari, Zadari ndryshe nga qytetet e tjera kroate që janë themeluar nga kolonët grekë, Zadari është themeluar nga fiset ilire të liburnëve; së dyti, një termet i fuqishëm e shkatërroi pothuaj fare Zadarin. Kështu u hap një punë e madhe për të vobektit dhe emigrantët. Po kështu marrëdhëniet që kishte Zadari me qytetet e tjera, si: Spliti, Trogiri Shibeniku, u jepnin shpresë dhe kurajë banoreve për të gjetur punë
Për zbulimin e këtij personaliteti, që ka jetuar në shekullin e 15 dhe madje shumë larg, zbulues ishte vetë Andrea Alesi. Andrea Alesi u ka dhënë nëpërmjet gurit të daltuar studiuesve kroatë një informacion të gjerë kush është Alesi, opusin që krijoi Alesi dhe rëndësinë e krijimeve të tij.
Opusi i krijimtarisë së Andrea Alesit shtrihet në Split, në Zadar, në Shiberik, në Trogir të Splitit, në ishullin e bukur Rab të Kroacisë, në Ancona të Italisë, si dhe ishullin Shën Tremiti në jug të Italisë.
I pari që shkroi për madhështinë e Andrea Alesit ka qenë historiani, shkrimtari, politikani dhe ushtaraku Ivan Kukuljeviç në vitin 1859, i cili është monumentalizuar në bronz për kontributin që ka dhënë në historinë dhe historinë e artit në Kroaci
Në librin e tij “Fjalori i artit në Jugosllavi” Kukuljeviç shkruan se Andrea Alesi ishte në radhën e parë të artisteve dalmatinë. “Krijimet e Alesit janë monumente madhështore më të cilat do të krenohej çdo popull.” Monumentet e realizuara nga Alesi ruhen edhe sot. Është ligji kroat që mbron monumentet, polici si dhe vetë populli që respekton artin.
Studiuesit e tjerë të jetës dhe krijimtarisë së Andre Alesit janë të shumtë. Kruno Prijatel në studimet e tij na jep një të dhënë që Andrea Alesi nuk i ka shkëputur lidhjet me qytetin e tij të lindjes. Cvito Fishkoviç është një autor tjetër i disa studimeve të krijimtarisë së Andrea Alesit. Ivo Babiç, Emil Hilje, Tonia Andric, Meri Kunçiç, Luka Mjeda dhe Andre Mutnjkoviç.
Do të dëshiroja të theksoja diçka që ju dhe pjesëmarrësit në prezantim të dokumentarit do të shikoni nëpërmjet sekuencave të filmit.
Profesori i Universitetit të Zadarit, Emil Hilje ka gjetur edhe shkrimet e kohës në pergamen, në lëkurë bagëtie. Ai sjell një të vërtetë për Andrea Alesin. Ndonëse Andrea Alesi ka punuar për shumë vite me një skulptor famoz të kohës, Giorg Shibeniku apo Giorg Dalmati në dokumentet e kohës përmendet vetëm Alesi, si arkitekt i Splitit. Nuk është gjetur as edhe ndonjë dokument ku të përmendet Giorg Shibeniku ose Giorg Dalmati.
Studiuesja tjetër, Tonia Andriç, me të cilën kam pasur disa komunikime nëpërmjet via email, më shkruante se Andre Alesi me punët që realizonte arriti të bëhej i pasur, të kishte studion e krijimeve të tij ku kishte punësuar nxënës dhe punëtorë, si dhe hyri në shoqërinë e lartë të Splitit.
Ai nuk vuante të gjente punë. Ishin të pasurit, noterët, avokatët klerikët që i afronin punë. Jo vetëm kaq, po janë gjetur edhe dokumente të konflikteve gjyqësore të Alesit me Papiliç etj. për probleme arkitekture dhe ndërtimi
Jeta e Alesit fillon nga një varfëri e plotë. Puna e parë që filloi në moshë të mitur ka qenë e gurëthyesit. Nëse do të keni rastin të shihni Zadarin, Splitin dhe qytete të tjera të bregut dalmat, në Mesjetë do të shihni rrugë dhe ndërtesa me gurë të latuar.
Këtu ai mësoi të daltojë gurin për ndërtim si dhe të daltojë gurin me motive floreale gjeometrike, e nuk mungojnë simbolet e fuqisë me kokat e luanëve.
Andrea Alesi spikati që në rininë e tij të hershme për nga talenti dhe fuqia për të thyer gurin.
Ishte skulptori Giorg Shibeniku që e ndoqi nga afër dhe e afroi për disa vite të punonin së bashku. Edhe kur ai krijoi studion e tij përsëri nuk u ndanë. Shibeniku, i cili është edhe me i madh në moshë e kishte shpesh herë syrin tek Alesi.
Disa nga mrekullitë e Andrea Alesit janë dhjetëra portrete në katedralen e Shibenikut, do të shikoni edhe pageimoren e katedrales së Trogirit. Hyrja në katedrale është realizuar nga mjeshtër Radovani për të cilin profesor Nimani aludon të jetë shqiptar. Ne krahun e majtë të katedrales është relievi i pagëzimit të Krishtit në krahët e Shën Marisë, si dhe Shën Jeronimi. Vërtetë është një vepër arti e financuar për qëllime religjioni, por do të shihni se sa reale janë të gjitha portretet. Kjo katedrale është e mbrojtur nga Unesko. Andrea Alesi i është rikthyer disa herë portretit të Shën Jeronimit, dijetarit për të cilin Prof. Ramadan Sokoli thekson se është me origjinë ilire. E ka realizuar tetë herë. Një nga krijimet ndodhet në muzeun shtetëror në Oksford të Anglisë. Thuhet se është autoportret i Andrea Alesit.
Emri e Andrea Alesit ishte përhapur në shumë qytete të Kroacisë. Studiuesja kroate Meri Kunçiç, e cila bën pjesë në sekuenca të dokumentarit tregon se Andrea Alesi ishte i ftuar për të punuar edhe në ishullin turistik të kohës Rab që ishte më së paku gjashtë orë lundrim nga Zadari.
Kollan de Cernotis i kërkoi Alesit të ndërtojë kapelën në kishën e Shën Ungjillorit. Po kështu një pasanik tjetër nga Rabi, Nikollë Skafa i kërkoi të ndërtojë kapelën. Po kështu Jan skafa dhe Zudeniko Zudeniko.
Familja e pasur Nimira, i kërkoi të zbukurojë hyrjen në pallatin Nimira.
Emri i Andrea Alesit i kaloi kufijtë detarë të Adriatikut deri në Ankona dhe në Shën Tremiti në jug të Italisë.
Loggia dei Mercanti i kërkoi të zbukurojë fasadën e ndërtesës së dhomës së tregtisë. Ka punuar mbi gjashtë vjet dhe ka konkurruar denjësisht artistët italianë. Kjo fasade është filmuar me mjeshtëri nga videoproducer Adriatik Bërdaku
Dokumentari është 25 minuta. Ndër të tjera në sekuenca të dokumentarit do të gjeni edhe opinione të arkitektit të mirënjohur kroat Andrea Mutnjakoviç dhe mjeshtrit fotograf Luka Mjeda
Andrea Mutnjakoviç është arkitekti i bibliotekës së madhe të Prishtinës që ruan karakterin kombëtar të ndërtesës qytetare në Kosovë. Fotografi Luka Mjeda, me origjinë të largët nga fshati Mjedë i Shkodrës, nuk e ka humbur gjuhën shqipe ndonëse ka lindur në Zagreb rreth 70 vjet më parë. Arkitekti dhe mjeshtri fotograf sapo kanë botuar librin për Andrea Alesi. Një kroat dhe një kroato-shqiptar kanë dhënë një kontribut të çmuar në historinë një guri të çmuar në gjerdanin e “Panteoni i harruar”.

Filed Under: Kulture Tagged With: gezim gjyrezi

Atë e Albë

April 29, 2023 by s p

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Astrit Lulushi/

Përpara të gjithëve ishin pellazgët, me qytetet Atikë e Albë. Pastaj erdhën Thezeu dhe Romuli, të cilët kishin shumë veçori të përbashkëta, thotë Plutarku. Të dy, të lindur jashtë martese, kishin reputacionin e të ardhurve nga perënditë. Të dy vepruan me fuqinë e trupit dhe mendjes; njëri bëri që Athina të banohej dhe tjetri ndërtoi Romën. Dhe nga fundi i jetës të dy qeshën me të madhe, nëse mund t’i marrim historitë e tyre si udhërrëfyes drejt së vërtetës.

Prejardhja e Thezeut, filloi me Erëtheun dhe banorët e parë të Atikës. Nga ana e nënës, ai ishte pasardhës i Pelopës. Sepse Pelops ishte më i fuqishmi nga të gjithë mbretërit e Peloponezit, jo aq për nga pasuria sesa nga numri i madh i fëmijëve që kishte. Njëri prej tyre quhej Pittheus, gjyshi i Thezeut. Ai ishte guvernator i qytetit të vogël të Troezanës (Trojezënës) dhe kishte reputacionin e një njeriu me dijen dhe mençurinë më të madhe të kohës së tij. Pittheu shquhej kryesisht për maksima të thella, kishte shkruar edhe një libër. Ashtu si Hesiodi që mori famën me poemat. Në fakt, midis tyre është një që ia atribuojnë Pittheut. Por një miku i mjafton një çmim i përcaktuar, siç e përmend edhe Aristoteli. Edhe Euripidi, duke e quajtur Hipolitin “dijetar i Pittheut të shenjtë”, tregon mendimin që bota kishte për të.

Pse qyteti i Romës, një emër kaq i madh në lavdi dhe i famë në gojën e të gjithë njerëzve, u quajt kështu? Autorët e lashtë nuk janë dakord me arsyen.

Disa janë të mendimit se pellazgët, duke u endur në pjesën më të madhe të botës së banueshme dhe duke nënshtruar shumë kombe, u fiksuan këtu dhe e quajtën qytetin Romë. Të tjerë thonë se me rënien e Trojës, disa pak që shpëtuan u hodhën në det. Të shtyrë nga erërat, ata mbërritën në brigjet italiane dhe arritën të ankoroheshin në grykën e lumit Tiber. Gratë të lodhura nga deti, i dogjën anijet pa pyetur burrat, dhe e quajtën bregun Toskanë (toka nga kishin ardhur); qytetin që ngritën për të jetuar e quajtën Romë (të rrojmë).

Me këtë akt burrat në fillim u zemëruan, por pasi e panë vendin shumë të mirë dhe njerëzit të sjellshëm, u qetësuan. Nga kjo ka zbritur zakoni në Romë që gratë të përshëndesin të afërmit dhe burrat e tyre me puthje; sepse këto gra, pasi kishin djegur anijet, përdorën puthjet për të qetësuar burrat e tyre.

Disa thonë se Roma, bija e Telefit, ishte e martuar me Askanin, djalin e Eneas. Të tjerë thonë se qytetin e ndërtoi Romani, i biri i Uliksit dhe Circes. Ka edhe nga që thonë se qyteti u krijua nga Romus, mbret i latinëve, pasi dëboi tirrenët, të cilët kishin ardhur nga Thesalia. Edhe ata autorë, të cilët thonë se Romuli i dha emrin qytetit, ndryshojnë në lidhje me lindjen dhe familjen e tij. Romuli ishte djali i Eneas dhe Dexithes, dhe bashkë me vëllain e tij Remin, në fillimet e tyre, u transportuan në Itali, thotë një legjendë. Duke qenë në lumë, kur filloi përmbytja, të gjitha anijet u shkatëruan, përveç asaj ku ndodheshin dy vëllezërit, të cilët u ulën butësisht në një breg. Të dy u shpëtuan dhe prej tyre vendi u quajt Romë.

Disa thonë se Roma, vajzë trojane, ishte martuar me Latinin, djalin e Telemakut dhe u bë nëna e Romulit; të tjerët japin thjesht fabula të origjinës së tij. Tarchetius, mbreti i Albës, kishte parë një vegim i çuditshëm. Kur e pyeti orakullin e Tethit në Toskanë për shpjegim, ai mori përgjigjen, se me një virgjëreshë do të lindte një djalë, i cili do bëhej shumë i njohur – i shquar për trimëri, pasuri dhe forcën e trupit – me emrin Romul.

Photo:https://commons.m.wikimedia.org/…/File:The-Old-City-Of…

Filed Under: Reportazh Tagged With: Astrit Lulushi

Më 29 prill 1932, në Peshtan të Tepelenës ka lindur poeti disident Trifon Xhagjika (1932-1963)

April 29, 2023 by s p

Muzeu Historik Kombëtar/

Në Muzeun Historik Kombëtar janë të ekspozuara katër dorëshkrime origjinale të tij. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe në vijim tek “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë. Studioi në pedagogjiken e Elbasanit (1947). Në vitin 1951 filloi punë si shef redaksie në Revistën “Pionieri”. Më 1954 mbaroi Shkollën e Bashkuar në degën Artileri Kundërajrore. Ka punuar në Degën e Rregulloreve në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjatë viteve që shërbeu si oficer, Trifon Xhagjika ka botuar cikle me poezi në shtypin e kohës, në revistën “Nëntori”, “Letrari i ri”, “Zëri i Rinisë” etj. Më 1959 boton librin e tij të parë “Gjurmët”. Trifon Xhagjika “rebeloi” shumë shpejt, sepse donte lirinë dhe poezinë. Fillon të bjerë në konflikt të hapur me regjimin diktatorial dhe më 6 dhjetor 1963, dënohet për tradhëti, vepra terroriste dhe agjitacion e propagandë. Gjyqi e dënoi me vdekje, ndërsa Trifoni në sallë recitoi poezinë e tij “Atdheu është lakuriq”. Trifon Xhagjikën e pushkatuan më 23 dhjetor 1962, në moshën 31 vjeçare. Mbas rënies së diktaturës janë botuar librat e tij “Atdheu është lakuriq” (1994) si dhe një përmbledhje me poezi (2002). Gjithashtu, Trifon Xhagjika ka lënë në dorëshkrim librin “Stina mendimi”. Poeti i pushkatuar, Trifon Xhagjika, mund të konsiderohet si një meteor drite në poezinë shqipe. Në vitin 1994, Trifon Xhagjika është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Martir i Demokracisë” me motivacionin: “Disident politik dhe letrar, kundërshtar i hapur i diktaturës komuniste, dënuar me vdekje dhe pushkatuar prej saj”. Kohët e fundit në fshatin e tij të lindjes, në Peshtan të Tepelenës ëshët vendosur një bust në kujtim të veprës dhe jetës së tij.

Filed Under: ESSE

1432 FËMIJË VIKTIMA TË GJENOCIDIT SERB AKOMA PA MEMORIAL

April 29, 2023 by s p

New York-Leonora Laçi/

Mungesa e një memoriali, mungesa e një vendi perkujtimor për ato viktima të pafajshme është e pafalshme nga shteti i Kosovës. Dhe kjo është një thirrje publike drejtuar qeverisë së Kosovës që për nga axhenda e saj mbi kujtesen historike kombëtare i ngjanë shteti simoter Shqipërisë që perkujtimin e ka vetëm në data kalendarike, por vetëm kaq. Në Kosovë ende mbetet në letër memoriali i fëmijëve viktima të regjimit sllav.

 Për këtë dhe shumë të tjera u diskutua mbrëm si homazh në Federaten PanShqiptare Vatra-New York me dr.Nusret Pllanen dhe bashkëpuntorin e tij Ma.Agim Aliçkaj. Ku të dy të pandashëm punojnë për të njëjtën kauze, kauzen e mos harreses së kaluarës, për rikujtesë.

Vrasjet e këtyre fëmijëve të pafajshëm është kryekeput vrasja e së ardhmes së një populli. Serbet kanë dashur t’i vrasin të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptarve.

Libri me titull “Fëmijët Shqiptarë në Kosovë – Viktima të Gjenocidit Shtetëror të Serbisë” i autorëve Hanëmshahe Ilazi dhe Nusret Pllana sjell dëshmi mbi vrasjet nga forcat serbe të 1432 fëmijëve shqiptarë në Kosovë, në periudhën 1981-1999.

 Ky libër iu shtua koleksionit për Kosovën në Bibliotekën e Kongresit në Washington po ashtu u promovua në Houston, Dallas, New York, e për të vazhduar në Detroit, ku u pritën mjaft ngrohtë nga komuniteti shqiptar në këto vende.

Sa i takon promovimit që u zhvillua në New York në ambientet e Vatres pati një interes të lartë pjesëmarrjeje. Aktiviteti u moderua nga editori i gazetës Dielli z.Sokol Paja, dhe u përshëndet nga Kryetari z.Ilmi Berisha, fjala iu dha dhe Imam Elez Osmani. U shfaqen dy video të shkurtëra mbi librin dhe reportazhi nga Zëri i Amerikës ku dy veprimtarët z.Pllana me z.Aliçkaj i bënë librat e tyre pjesë të Bibliotekes  së Kongresit në Washington. Në fjalën dhënë për Zërin e Amerikës aktivisti Aliçkaj thotë se propaganda serbe duhet të luftohet me lobim në Washington. Ai si pjesë e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, një organizatë lobiste që për dekada me radhë është angazhuar për çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Thotë se:-“Çështja jonë është aq e drejtë, saqë me 5 ose 2 për qind të parave që i shpenzon Serbia ne mund të arrijmë rezultate trefish më të mëdha. Por ata janë shumë të angazhuar dhe kanë shfrytëzuar këtë periudhën e vakuumit, që ne jemi tërhequr pak. Janë shumë agresiv në Uashington”.

Autori Pllana bën thirrje për më shumë mbështetje nga institucionet në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat sipas tij nuk po bëjnë mjaftueshëm që këto krime të mos harrohen. “Asnjë shtatore, asnjë përmendore, asnjë obelisk. Këtë nuk do ta bënte asnjë racë në botë. Për fat të keq del se ne shqiptarët i kem tri defekte të mëdha, harresën e kujtesës historike, bajraktarizmin dhe servilizmin ndaj të huajve”, përmbyll ai.

Të gjithë u perlotem teksa shifnim ato filiza të rinj që i pritet endrra në mes. Të emocionuar folen dhe autori librit z.Pllana dhe bashkëpuntori i tij z.Aliçkaj që kanë më shumë se një vit që bashkëpunojnë për drejtësi dhe vetëm drejtësi. Misioni i tyre vazhdon, ashtu siç vazhdon dhe i imi për të mbështetur kauza të tilla.

Profesori Pllana na solli një copëz nga takimi që kishte pasur me amabasadorin William Walker ku i kishte shprehur, citoj :”Po gëzohem që kam nderin të kem këtë libër aq më tepër që këta fëmijë i keni pasqyruar me foto duke shmangur paraqitjen e fotove të masakruar, dhe për ato që s’kanë pasur foto janë vendosur lule”. Sepse ato ishin vertetë lule.

Në një takim të veçantë Profesori Nusret Pllana në emër të shoqatës”Yjet që nuk vdesin”i jep mirënjohje Joseph DioGuardi, Shirley DioGuardi, Ma.Agim Alickajt, z.Florim Krasniqi dhe z.Tome Mrijaj me motivin: “Për kontributin dhënë çështjes kombëtare në përgjithësi dhe zbardhjen e gjenocidit serb mbi shqiptarët në veçanti”.

Filed Under: Mergata

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT