• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for May 2023

“MOS MA PREK HASAN PRISHTINËN!”

May 3, 2023 by s p

Një inisiativë absurde për ndryshimin e emrit të Universitetit “Hasan Prishtina” po qarkullon këtyre ditëve dhe e gjithë kjo po ndodhë kur arsimi ynë në vend se t’i nënshtrohet reformave të njëmendta, ai po dhunohet me inisiativa që nuk kanë kurrfarë arsyetimi logjik. Në kohën kur është themeluar Universiteti i Kosovës, para 53 viteve, atëherë nuk ka mundur të quhet Hasan Prishtina, por kjo u bë e mundur kur bashkë me lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë, erdhi edhe mundësia që të vendosim vet se si do t’i emërtojmë institucionet tona. Prandaj riemërtimi Universitetit të Prishtinës në Universitetin “Hasan Prishtina”, përveç që ngërthen në vetvete simbolikën e vet emrit të kolosit tonë kombëtar, shpreh edhe vullnetin e profesorëve, studentëve dhe shoqërisë që Kosova të ketë një universitet që shpreh aspiratat shtetndërtuese të Hasan Prishtinës. Si i tillë ky universitet do të bëhet shenja dalluese e shtetësisë së Kosovës, kurse emri që mban, do të jetë udhërrëfyes i zhvillimit tonë politik, ekonomik, social e kulturor.

Universiteti “Hasan Prishtina” duhet të kursehet nga këto ide bizare që nuk kanë kurrfarë koherence me logjikën e shëndoshë. Ky universitet tash më është një brend i njohur edhe në saje të emrit që mban, prandaj të gjithë ata që guxojnë të mendojnë për ndonjë ndryshim, i kanë hyrë një aventure pa krye.

Duke kundërshtuar me forcë ndryshimin e emrit, ne kërkojmë nga studentët, nga profesorët dhe gjithë shoqëria që Universiteti “Hasan Prishtina” të mbrohet nga ata që mendojnë se historia e këtij universiteti fillon atëherë kur dikush bëhet rektor. Rektorët shkojnë e vijnë, por emri është i shenjtë dhe i pandryshueshëm, prandaj mbani duart sa më larg nga Hasan Prishtina të gjithë ju që guxoni ta hiqni emrin e tij nga Universiteti i krenarisë sonë kombëtare e shtetërore.

“MOS MA PREK HASAN PRISHTINËN!”

Fondacioni “Hasan Prishtina”,

drejtori Mehmet Prishtina

Filed Under: Ekonomi

TÁLLJE ME …TALLAVÁ

May 3, 2023 by s p

Frano Kulli/

Kolona muzikore, me motive orientale e me spërdredhje çengijash e shfaqur si gjetja e fushatës së sivjetme të Partisë së pushtetit, që në zhargonin e vulgut njihet me emrin tallava u pasua me kundërrreagimin e përkuljes së gishtit të mesit e të ngritur përpjetë prej palës tjetër respektive kundërshtuese.Të dyja qasjet u drejtohen zgjedhësve, si shije të parapëlqyera prej tyre, thonë. Të dy palët përbetohen se kështu e duan zgjedhësit, pra kështu e do njerzia shqiptare. Edhe pse, si kategori estetike, njëra formë e mostruar si edhe tjetra, emërtohen e shëmtuara e për këtë janë mjaftueshmërisht të vetëdijshëm të dy prijësit. Sidomos i gjithpushtetëshmi i udhëheqësve që, siç është e ditur vjen nga bota e artit. Por…populli, njerëzia pra që i zgjedh ata, kështu e dashka, na thonë. E ndaj janë improvizuar e kuruar me kujdes prej njërës edhe prej tjetrës palë. Si formë e shije e parapëlqyer e popullit !!

Thua të jetë me të vërtetë kështu ?!

Njëri prej të dy kuptimeve të foljes tall, prej së cilës e merr kuptimin edhe emri tallje, sipas fjalorit të gjuhës shqipe, është: e gënjej dikë me fjalë, e mbaj me shpresa e me premtime, e vë në gjumë… Dhe sa më e hollë tallja, pra sa më e gjetur dhe inteligjente fraza tallëse dhe sa më e lëmuar ajo të jetë, aq më ndikuese dhe e efektëshme ajo është; aq më shumë ndikim ajo ka në “përgjumjen” e të tallurit. Sepse, duke qenë e tillë ajo përcillet tek i talluri si një e vërtetë dhe jo ashtu siç ajo është. Zakonisht tallësit janë njerëz të mençur e veçanërisht të artikuluar. (Edhe zevzekë, sigurisht, që s’e kanë për gjë t’i bien në qafë tjetrit).Udhëheqësit suprem të këtyre dhjetë viteve të fundit në Shqipëri, zotit Edi Rama, kjo formë, pra tallja i ka funksionuar me sukses. Falë edhe aftësisë së tij të dallueshme artikuluese, të cilën, sipas meje, shpesh herë ia nënçmojnë me të padrejtë, tallja i është çmuar si zotësi e për këtë është shpërblyer. Dhe jo pak, po me pushtet gati…monarkik. Do vite më parë kur ai doli në mejdanin e votëmbledhësit me tepsi e timon, pa përmendur se çka bërë nga ato gjëra që kishte premtuar në kohëpushtetërimin e mëparshëm katërvjeçar pa bërë premtime të reja, votëdhënësit e besuan, ia mbushën torbën me vota e ia rrasën edhe më thellë në kokë kurorën e mbretërimit sundimtar. Tallja me zgjedhësit , sidomos në dy a tri fushatat e fundit elektorale, tek ne është bërë rutinë; një e dhënë prioritare për të qenë politikan i suksesshëm në Shqipëri. Atje ku ta pranojnë me kënaqësi talljen, s’është më e nevojëshme ta mprehësh mendjen…. Ndoshta edhe për arsyen se herën e mëparëshme tallja nuk ka qenë kaq ashiqare, se e ke ka pasë një thelb të kërkesës: ma jepni mua timonin, ta drejtoj i vetëm makinën e pushtetit e jo me të tjerë nëpër këmbë dhe do të provononi …një udhëtim të sigurtë drejt vetë lumturisë. Dhe ia besuan timonin, në mos për tjetër, me ia dhënë edhe mundësinë e një sprove të re. Ani pse sprova doli e “shpuar” në të gjitha anët. Në vend të premtimit të gjelbrimit të rrafshtë qytetës u rritën përpjetë qiellgërryeset, në vend të drejtësisë së reformuar u shpartallua edhe ajo e pakta sa ç’ishte; u burgosën katundarë për një kësollë pa leje, teksa “djegësat me leje” të mbetjeve urbane kapërdijnë miliona edhe mbuluar me heshtjen e drejtësisë së reformuar. Në vend të demokracisë më të përparuar u rrënua opozicioni e u bë si teneqe e shpuar me njëqind vrima. Sigurisht për mëkatet e veta e të prijësave të saj, por edhe me bekimin e tij e me të shtymen (shtytjen) e tij me sa i “hangri krahu”, me kombëtarë e me ndërkombëtarë, me miq e jo miq, me dreqin e me të birin. Deri tek ajo pamja e posterit sa…i gjithë opozicioni përfaqësohet me të zezën e përposhtëme të prijësve të tij. Ani pse ,në të vërtetë, kundërshtia opozitare vlon; asaj i shton zjarr përditë qeverisja skandaloze, që rrokullis teposhtë prosperitetin e të ardhmen tonë.

Kurse kjo tallavája lodron si një tallje që s’ndalet . Një tallje aspak e zgjuar dhe si e tillë edhe më poshtnuese për ne njerëzinë mbarë. Thua me të vërtetë këtë meritojmë ?! Përsëri ?…

Filed Under: ESSE Tagged With: Frano Kulli

NJË PORTRET ORIGJINAL I GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEUT NGA VITI 5 NËNTORI I VITIT 1465

May 3, 2023 by s p

Në dorëshkrimin e Kodikut Mss. T. 496 me titull “De Romanorum Magistratibus” i 5 nëntorit 1465 janë dy ilustrime cilësore dhe tepër të rëndësishme për historinë e mesjetës shqiptare në përgjithësi dhe për Gj. K. Skenderbeun në veçanti. Sipas një studiuesi shqiptar këto “dy ilustrime mjaft domethënëse me tematikë arbërore” gjenden në faqen parë të Kodikut 1r dhe në faqen e fundit f. 32r, të cilat janë të punuara me mjeshtri dhe profesinalizëm të lartë. Është mëse e dukshme që autori, e ka parë me sytë e tij Gjergj Kastriotin Skenderbeun dhe ne mendojmë se nuk qëndron pohimi se “portreti i Skendeebut është kopje nga një dorëshkrim tjetër!” Miniatura në f. 1r siç e vëren një studiues shqiptar është e “një prifti dominikan që i dhuron” dorëshkrimin e kodikut “një princi shqiptar” që ne mendojmë se ky pohim nuk qëndron nëse shikojmë me kujdes miniaturën, duke studiuar veshjen e pranuesit të dorëshkrimit të Kdoikut. Duke ndjekur ngjarjet historike dhe duke analizuar faktet e datat rreth këtij dorëshkrimi, ne arrijmë në përfundim se në miniaturë është Gherardo di Giovanni Maffei nga Volterra (1398–1466) dhe jo “një e një princ shqiptar!”

Dr. Musa Ahmeti
Center for Albanian Studies
Budapest

Studimet dhe hulumtimet shkencore për epokën e Skënderbeut, në arkiva e biblioteka shtetërore e private, muze e koleksione të ndryshme vazhdojnë të japin rezultate të reja në fusha dhe lëme të ndryshme të historiografisë. Jo vetëm me fitoret e tij për mbrojtjen e krishtërimit nga perandoria osmane, por edhe me personalitetin e tij, Skënderbeu ka vulosur jo vetëm kulturën dhe historiografinë e kohës së tij, por edhe atë të periudhave pasardhëse, gjë që vërehet në larminë dhe pasurinë e padefinuar akoma të dokumenteve, dorëshkrimeve dhe veprave të shkruara për të anembanë Evropës e më gjërë. Jeta dhe vepra e Skënderbeut është përdorur kryesisht si shembull frymëzues për shumë popuj të tjerë, të cilët të ndodhur në robëri, qoftë nën sundimin turk apo edhe nën sundime të tjera, luftuan gjatë shekujve për liri dhe çlirim kombëtar. Duke pasur pothuajse gjithmonë një mision të tillë, sigurisht që me kalimin e kohës, figura e Skënderbeut ka pësuar edhe transformime në përputhje me politikat e caktuara të promovuesve të figurës së tij. Si rezultat miti i krijuar për Skënderbeun në raste të caktuara është kaq i larmishëm saqë të duket sikur figura e Skënderbeut jeton diku midis ëndrrës për liri dhe imagjinatës. Nga një këndvështrim i tillë, dokumentet më të hershme që janë më afër realitetit kohor, kanë një vlerë tepër të rëndësishme dhe të veçnatë për historiografinë, sepse ato na sjellin më afër të vërtetën, duke na larguar nga pasaktësitë, shtrembërimet dhe idealizimet e tepruara që në raste të caktuara shkojnë deri në ekstreme të skajshme.
Në disa raste, përpjekjet e historianëve për çmitizimin e figurës së Gj. K. Skenderbeut kanë bërë që ajo të kalojë nga një skajshmëri në tjetrën, duke mos i përballuar kohës dhe të vërtetës shkencore-historike. Në këtë kuadër vlen të përmendet edhe njëherë pohimi i F. Nolit “Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave: të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit. Kjo do të thotë se në fillim, ai është ngritur në qiell prej admiruesve të tij; pastaj është dërrmuar në mënyrë të pamëshirshme prej kritikuesve të tij; dhe, më në fund, është nxjerrë përsëri në shesh, nga varri, me durim, me mundim dhe me mëshirë është vënë në vendin që i takonte prej historianëve të arsyeshëm, që s’kanë qenë verbuar as prej fanatizmit të admiruesve të heroit, as prej tërbimit të kritikuesve të tij.”
Studiuesët dhe historianët shqiptarë por edhe të huaj, gjatë gjithë kohës, kanë hamendësuar në lidhje me portretin autentik të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, duke mos pasur në dorë, qoftë edhe një të tillë, origjinal nga koha kur jetoi heroi kombëtar shqiptar.
Shpresat për të gjetur një portet autentik të kohës, shpesh kanë bërë që disa historianë të bëjnë vlerësime të gabuara për portrete të ndryshme, origjina e të cilave ishte e dyshimtë. Megjithatë, përfundimisht, kësaj radhe kemi në dorë një portret origjinal, autentik, të kohës, kur jetoi Gj. K. Skenderbeu, nga 5 nëntori 1465, i cili ruhet në një dorëshkrim autograf, të një autori anonim, në Londër.
Ne nuk kemi arritur të sigurojmë informacione për origjinën e tij të mëhershme, pronarin ose pronarët, vendin ku është shkruar, kohën ose mënyrën se si kishte arritur ky dorëshkrim në Londër, etj, [të cilat shpresojmë se do bëhen në të ardhmen gjatë studimeve dhe kërkimve të reja derisa po përgatitet për botim dorëshkrimi komplet], përkundër përpjekve të shumta, jo vetëm tonat por edhe të kolegëve e studiuesve të tjerë. [Me këtë rast u shpreh konsideratat dhe mirënjohjen time edhe studiuesve shqiptarë: dr. K. Naska, Sh. Sinani dhe E. Lala të cilët më ndihmuan me të dhëna dhe informacione të ndryshme, qoftë nga Biblioteka Mbretërore e Belgjikës, ajo e Vjenës dhe BAV dhe DPA].
Në katalogun: “Rare Books and Early Mss. Davis et Orioli” që njëherazi është përshkrimi i parë i njohur deri me sot për dorëshkrimin ku ndodhet portreti i Skenderbeut, nuk jepen informacione dhe hollësi të tjera, por përshkruhet si “vepër anonime në latinisht për priftërinjtë, magjistrat dhe zyrtarët romanë, dorëshkrim i iluminuar në vellum, me një shkrim të bukur kursiv humanist” duke lënë të pazgjidhur historinë dhe rrugën që ka kaluar ky dorëshkrim deri sa ka arritur në Londër.
British Library disponon një komplet të plotë të katalogjeve që kanë bërë, Davis dhe Orioli. Në këtë katalog, në zërin 166, në faqen 13, nën numrin rendor 43, janë të dhënat për dorëshkrimin ku ruhet portreti i Gjergj Kastritotit Skenderbeut dhe poshtë, në të djathë është i shënuar edhe çmimi fillestar prej £750.
Davis dhe Orioli e kishin identifikuar tekstin e dorëshkrimit në gjuhën latine me autor Domenico Fiocchi (Andreas Dominicus Floccus). Domenico Fiocchi ishte nxënës i Emanuel Krisolorës. Më vonë bëhet jurist dhe humanist i njohur, për t’u emëruar kanonik i Firencës në vitin 1427 dhe më vonë edhe sekretar i papës Eugeni IV. Vdes në Firence në vitin 1452. Është autor i shumë veprave, të cilat kryesisht u botuan post mortum; ndërkohë që ka lënë shumë dorëshkrime të cilat edhe sot e kësaj dite janë të pabotuara.
Autorët e katalogut Davis dhe Orioli kanë gabuar rëndë kur dorëshkrimin ku ruhet portreti i Gjergj Kastritotit Skenderbeut dhe një të dytë, atë që mban datën 14 gusht 1465, dhe që sot ruhet në Bibliotekën Muzeut të Victorias dhe Albertit, në Londër, ia atribuojnë Domenico Fiocchi (Andreas Dominicus Floccus) si vepra të tij. Një gjë e tillë është e pamundur dhe jo logjike, ngase D. Fiocchi kishte vdekur në vitin 1452, ndërsa të dy dorëshkrimet autografë, janë nga gjysma e dytë e vitit 1465, përkatësisht, 14 gushti dhe 5 nëntori. Si duket një ngatërresë e tilla ka ndodhur, kur Davis dhe Orioli pohojnë se D. Fiocchi “kishte shkruar këtë tekst para vitit 1443 me pseudonimin ‘Lucius Fenestella dhe u botua (me këtë emër) në vitin 1475.” [Një gabim të ngjashëm bën edhe dr. Sh. Sinani, duke u mbështetur te Davis dhe Orioli].
Ne kemi bërë një krahasim të dorëshkrimeve të Domenico Fiocchi (Andreas Dominicus Floccus) që ruhen në Biblioteken Apostolike të Vatikanit, me dy dorëshkrimet që i atribuohen atij, dhe jemi të bindur se nuk janë të të njëtit autor, ngase dy dorëshkrimet që ruhen në Londër, janë identike si për nga shkurtesat, kaligrafia, shenjat e interpunktimit, inicialet dhe paraqitja paleografike, gjë që nuk mund të thuhet për dorëshkrimet e Fiocchi-t. Pas këtyre analizave dhe krahasimeve të bëra, ne mendojmë, se dorëshkrimet e Londrës, assesi nuk mund t’i atribuohen Fiocchi-t, por ato janë me autor anonim.
Dorëshkrimi i Londrës në gjendjen e sotme, është i lidhur me kopertina kartoni të forta, ngjyrë kafe të errët, me një nuancë vishnje, ndërsa kurrizi është prej lëkure, ngjyrë kafe të çelët. Katër faqet e para dhe të fundit janë boshe, ngase janë vënë në kohën e mëvonëshme dhe u takojnë kopertinave kur është bërë lidhja e re, aty nga fundi i shekullit XIX.
Dorëshkrimi është shkruar në pergamen të butë e fin, ku vërehen vijat e rreshtave të secilës fletë. I tërë dorëshkrimi është i shkruar me ngjyrë kafe nga një dorë e vetme. Ka një paginim, lart në të djathtë, që fillon nga f. 1r dhe vazhdon deri në f. 32,v pra gjithsej 64 faqe.
Dorëshkrimi ka dimensione: 30.8 x 20.6 cm, ndërsa dimensionet e shkrimit në faqet e Kodikut janë 20 x 11.9 cm. Është në gjendje të mirë, edhe pse lartë në të djathë, është pak i dëmtuar nga lagështira. Shkrimi është humanist kursiv-italik i kohës, me shkurtesa të shumta gjë e zakonshme për kohën kur u shkrua, gjysma e dytë e shekullit të XV.
Faqja e parë e dorëshkrimit është e ilustruar, përkatësisht iniciali [nistorja] i parë, por edhe këndet e tërë faqes 1r, me motive floreale, të praruara në flori, ndërsa inicialet e tjera janë më të vogla dhe zakonisht janë me dy ngjyra blu e errët dhe e kuqe. Dorëshkrimi është datuar nga vetë autori dhe mban datën 5 nëntor 1465, e cila ndodhet në rreshtin e fundit të faqes 32v.
Portreti i Gjergj Kastriotit Skenderbeut nga 5 nëntori i vitit 1465, ndodhet në f. 32r dhe ka dimensione: horizontalisht 17.6 cm dhe vertikalisht 15.9 cm [17.6 x 15.9 cm].
Portreti është i rrethuar me nje dekoracion floreal, ndërsa në qendër ndodhet Gjergj Kastrioti Skenderbeu, i kthyer në profil, djathtas, me shikim në anën e djathtë. Është me mustaqe dhe mjekër të gjatë, të zbardhur dhe me flokë të shkurtëra. Në kokë mban një kapelë venedikase të lartë, të ashtuquajtur “alla Carmagnola” nga lëkura e kafshëve, me një shirit të gravuar poshtë, pa ndonjë dekorim të veçantë apo ndonjë shënim tjetër. Në qafë, vërehet jaka e një këmishe të bardhë mëndafshi. Të veshur ka një pelerine mëndafshi venedikase, të stilizuar me punime dore qëndisje, të zbukuruar me fije floriri, i vënë në rreth nga dy rradhë gjethesh.
Në brendi, prapa kokës së Gj. K. Skënderbeut dhe para fytyrës, në nivelin e hundës, ndodhen dy iniciale. Ai prapa kokës është një “E” ndërsa ai para fytyrës është një “V” [këto iniciale janë deshifruar fillimisht në katalogun: “Rare Books and Early Mss. Davis et Orioli” kopjen e të cilit pati mirësinë të na e dërgojë historiani anglez, dr. Noel Malcolm, të cilin e falënderojmë për këtë, dhe për ndihmën e kontributin tjetër si dhe për informacione dhe të dhëna rreth dorëshkrimit], të cilat supozohet të lexohen si: “E = Epirotarum /Epirota?/ dhe V = Victor.”
Portreti i Gj. K. Skenderbeut nga dorëshkrimi i Londërs, është krahasuar me portretet e mëvonshme të Gjergj Kastritotit Skenderbeut dhe ngjashmërinë më të madhe e ka me portretin që është botuar te vepra e Marin Barletit, “Historia de Vita et Gestis Scanderbegi Epirotarum Principis” Romë, 1506-1508, f. 4v, si dhe me medalionin e Zagrebit, fotografinë e të cilit ne e kemi botuar para disa kohësh në këtë gazetë, [ky medalion është prej bronzi me dimensione: 95 x 97 mm dhe peshon 169.96 gr, është punuar në Venedik në vitin 1449], dhe me skulpturën e Skenderbeut që ruhet në katedralen e Shibenikut, vepër e mjeshtrit shqiptar, Ndre Lleshit, te cilin po ashtu e kemi botuar ne, në këtë gazetë [paraqitja është ballore, me një kthim të lehtë djathtas. Skenderbeu, në kokë mban një kapelë venedikase të rrumbullakët, me thyerje para. Mjekren e ka të gjatë, shikim e fortë, përpara, ndërsa hundën karakteristike, shqiponjë. Ka dimensione: gjatësi: 39.7cm dhe gjerësi: 28.9cm].
Pra përfudnimisht, nuk kemi nevojë të imagjinojmë ose përftyrojmë një portret të Gjergj Kastriotit Skenderbeut nga koha e tij; nuk kemi nevojë të lëshohemi në paragjykime dhe hipoteza se kush portret është më afër kohës dhe epokës se heroit tonë kombëtar, sepse tashi kemi në dorë një tillë, gjë që nuk përjashton mundësinë të ekzistojnë edhe të tjerë, p.sh, siç tregon pohimi i Makiavelit nga viti 1467, se “sapo mbarova stemën e Skenderbeut, i bëra edhe një portret” [BAV].

FOTOT:

1 -Ilustrimi 1 – Potreti i Gj. K. Senderbeut

2 -Medalioni i Gj. K. Skenderbeut nga viti 1449 qe ruhet ne Zagreb

3 -F. 1r e Kodikut ku ruhet portreti i Gj. K. Skenderbeut

4 -F. 32r e doreshkrimit ku ndohet portreti i Gj. K. Skenderbeut

Filed Under: Opinion Tagged With: Musa Ahmeti

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe katër kryetarët të komunave Junik, Shtime, Pejë dhe Gjilan, u pritën në Nju Jork, nga veprimtari Harry Bajraktari

May 2, 2023 by s p

Nga Beqir SINA/

Slideshow : https://youtu.be/D91bC8fuyrg

New York City : Gjatë qendrimit në Nju Jork, në vazhdim të një vizite disa ditore në SHBA, delegacioni nga Kosova, me në krye Elbert Krasniqin, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Gazmend Muhaxheri, Kryetari i Komunës së Pejës, Alban Hyseni, Kryetari i Komunës së Gjilan, Qemajl Aliu, Kryetari i Komunës Shtime, dhe Ruzhdi Shehu, Kryetari i Komunës Junik, bashkë me stafet e tyre politike, zhvilloi një takim në lokalin “Allora” në Manhattan – NYC, me disa pjestar të komunitetit shqiptar, me ftesë të veprimtarit Harry Bajraktari.

Në këtë pritje për nder të mysafirve të nderuar nga Kosova, ishin të ftuar edhe dy përfaqësuesit diplomatik, të, të dy shteteve tona, Kosovës, dhe Shqiprisë, shefi i Misionit të Përherëshm të Shqipërisë, në OKB, Ambasador Ferit Hoxha, dhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, në SHBA, Ambasador Blerim Reka, z. Mark Gjonaj, Kryetar i KKD-së & njëkohësisht ish-këshilltar i Bashkisë së New York-ut, zoti Haxhi Dauti, Kryetar i Këshillit Shqiptar Amerikan, Vedat Gashi ish kandidat për kongresist, biznesmeni i suksesshem Rustem Geci, dhe veprimtar të tjerë të komunitetit.

Vizita e këtij delegacioni nga pushteti vendor në SHBA, nisi në fillim të javës me takime zyrtare në Uashington, ku Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, tha se kishte diskutuar për qeverisjen lokale, zhvillimin ekonomik lokal, rezultatet dhe sfidat në transformimin dhe digjitalizimin local në Kosovë.

Në pritjen, që u dha mbrëm në Nju Jork, nga veprimtari i dalluar Harry Bajraktari, u diskutua gjërësisht për veriun e Kosovës, dhe përfundimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale në pjesën veriore të Kosovës. “Zgjedhje, të cilat tha Ministri Krasniqi, u mbajtën konform Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, ndërkohë, që ato janë në procesin e konstituimit të organeve të reja komunale”.

Po ashtu në pritjen në Nju Jork, me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, dhe katër kryetarët të komunave Junik, Shtime, Pejë dhe Gjilan, u diskutua gjerësisht mbi sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova sot, duke u ndalur respektivisht në ikjen e profesionistëve, dhe të rinjëve, punësimin, mënyrën e rritjes së pagave, reformën në drejtësinë, si dhe forcimin e mbrojtejs së shtetit të Kosovës. Gjithashtu, u fol edhe për modelume për investimet e diasporës nga Amerika, si dhe u diskutua pëciptazi edhe për rifillimin e dialogut Prishtinë – Beograd.

Mikëpritësi, i këtij takimi aktivisti i njohur Harry Bajraktari, mbas fjalës së mirëseardhjes shpjegoi rëndësinë e madhe këtyre takimeve, në SHBA, me politikanët dhe udhëheqësit lokal nga Kosova, që vinë në vizita në SHBA, dhe gjejnë rastin të takohen edhe me komunitetin shqiptar, për të diskutuar dhe ngritur më lart, tha ai “nëpërmjet kontributit historik të shqiptarve të Amerikës, forcojmë miqësinë dhe marrëdhëniet mes SHBA,& Shqiperise e Kosoves, rrisim lidhjet me Uashingtonin dhe Nju Jorkun”.

Harry Bajraktari, në cilësinë e mikëpritësit të këtij takimi, faleminderojë përzëmërsisht për prezencën e tyre në këtë pritje, mysafirët e nderuar nga Kosova, si dhe të dy ambasadorët e të dy shteteve tona, Ambasador Blerim Reka, Konsull i Përgjithshëm i Republikës śë Kosovës, dhe Ambasador, Ferit Hoxha shefi i Misionit të Përherëshëm të Shqipërisë në OKB.

Ai tha : “Diplomatët tanë janë ata që po e përfaqësojnë denjësisht diplomacinë tonë në Nju Jork, dhe Uashington, madje, tha Bajraktari, Ambasadori Hoxha, në Këshillin e Sigurimit ka përfaqësuar edhe Kosovën, njësojë sikur Kosova do të kishte qenë anëtare e Këshillit të Sigurimit”.

Zoti Bajraktari, në vazhdim të fjalës së tij preku me shumë shqetësim fenomenin e largimit të shqiptarve, nga Kosova dhe Shqipëria, trevat shqiptare, të cilat tha ai është kthyer në një trend të “hidhët”, që duhet punuar nga të dy shtetet tona, qeveritë e Prishtinës dhe Tiranës, që të ndalet ky trend emigrimi I mërgatës.

“Megjithse, Kosova sot nuk ka qenë ndonjëher më mirë, tha Bajraktari, por mendoj unë tha ai, ajo (qeveria Kurti), duhet të punojë më shumë për t’i dhënë më shumë qytetarëve të saj mirëqënje, barazi ligjore, të zhvillojë ekonominë dhe rrisi punësimin dinjitoz të kosovarve. T’ju krijojë atyre një jetë më të sigurt për të ardhmen e familjeve dhe fëmijve të tyre, që ata të mos e lëshojnë më Kosovën.”

Duke folur për rolin dhe kontributin e diasporës, për vendorigjinën e tyre, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Diasporës, z. Mark Gjonaj, tha se dihet se ai është historik.

“Vendorigjina jonë e ka nderuar këtë diasporë për gjithçka që ajo ka bërë në të mirë të vendit të tyre, dhe diaspora ja ka kthyer me kontributin e saj. Por, sot kjo diaspor është koha që diaspora ka aq shumë nevojë për vendorigjinën e saj, aqsa ka nevojë edhe vedlindja e tyre për diasporën”, tha ai.

Gjonaj, u shpreh po ashtu se :“ Diaspora, është diçka e shenjët, ajo është që nuk njeh kufinjët shqiptaro-shqiptar, sepse, në se ndahemi mes njëritjetrit, simbas shteteve, krahinave, bindjeve tona, përkatësive, at’here theksojë Kryetari i Këshillit Kombëtar të Diasporës, z. Mark Gjonaj, është shumë e dëmshme për diasporën, por, edhe Shqipërinë, Kosovën dhe trojet shqiptare.”

Z.Elbert Krasniqi, Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në fjalën e tij foli për sfidat me të cilat është duke u ballafaquar Kosova, ndërsa tregoi sukseset e shtetit të Kosovës dhe bëri thirrje për investime të diasporës për zhvillimin e Kosovës.

“Sigurisht, që Kosova sot ka shumë sfida,” tha ai, duke përmendur se një prej atyre sfidave që po merr një kohë të kosiderueshme, është dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit: “Jemi të ndërgjegjëshëm dhe në një moment vendimtar “ose ne e kemi “fajë”, ose ne jemi në rrugë të drejtë. Unë si ministër i kësaj qêverie me besimin më të plot te Kryeministri Kurti, mund të them se ai është në rrugë të drejtë, duke vepruar edhe në harmoni edhe me miqt tanë.”

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, foli edhe për interesin e qytetarvë të Republikës së Kosovës, duke e pranuar se veriu I saj është në një situatë krejt tjetër.

“Atje në pjesën veriore sapo i përfunduam suksesshëm zgjedhjet lokale të cilat u mbajtën konform Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe është duke u zhvilluar procesi I konstituimit të organeve të reja komunale. Sigurisht, që ne i fituam zgjedhjet, fituam katër kryetar duke treguar se ne si qeveri dhe si shtet tani mundë të tregojmë, që ne nuk shantazhohemi as nga Beogradi, por as edhe nga organet ilagale që veprojnë në veri, ku çdo qytetar duhet të jetë për të respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Ndërsa, duke folur për pushtetin lokal të cilin ai e drejton në kabinetin e qeverisë Kurti, Ministri Krasniqi, nënvizojë se për ti çuar përpara disa procese shumë të rëndësishme, në komunat e Kosovës, duhet të jemi koshijent se Kryetari është figura kryesore, ku qytetarët mund të drejtohen, ngase Kryeministri nuk mundet të takohet çdo ditë.

Mirëpo, sidoqoft këto ditë do të fillojë një proces i ri i dialogue, ku ne si ministri shpresojmë se do të jet një proces i mirëkordinuar per të marr vendime, gjithmon në interes të qytetarve dhe stabilitetit të Kosovës. “Unë mendojë, tha ai se Kryetarët e komunave kan gjithmon të drejt, sepse janë ata që përfaqësojnë një numër të konsiderueshëm të qytetarëve, ata janë shqetësimet e hallet e qytetarëve.”

Ministri foli edhe për regjistrimin i cili pritet të fillojë në shtator.

:”Pasi të përfundojmë censuesin, që është planifikuar për në shtator do të fillojmë edhe një finalizim të programeve. Por së parit duhet me ditë sa qytetar janë dhe si jan të ndarë në bazë komunash, dhe në bazë të këtyre rezultateve të këtij censusi, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, të cilën unë e drejtojë do të planifikojë edhe decentralizmin financiar dhe mbështetjen e tyre financiare”.

Z.Gazmend Muhaxheri Kryetari i Komunës së Pejës, foli për mbështetjen financiare që pritet të jepet nga qeveria.

Ai foli në mënyrë eskluzive për çështjet e infrastrukturës, në komunën e Pejës, sepse tha kryetari Muhaxheri, “Nëse pushteti qëndror e “zgjidh kuletën” me buxhetin e saj për komunat, atëhere sigurisht që do të kemi edhe më shumë zhvillimin e saj dhe Komunës, tonë, që do të thotë të kemi lëvizje më të madhe të njerëzve dhe bizneseve në mes fqinjëve tanë, sidomos ato me Malin e zi, me të cilin ne si komunë kemi lidhje të drejtpërdrejt infrastukturore. Prandaj, tha ai ne duhet të krijojmë mundësi që në të ardhmen dhe të fokusohemi edhe më shumë drejt fuqizimit të zhvillimit ekonomik, të komunave, punësimin e mirëqenjen, rritjen e pagave për të minimizuar edhe atë plagën e “pashërueshme” të ikjes nga vendi i tyre, të qytetarve tanë, në emigrim”.

Ndërsa,z.Alban Hyseni Kryetari i Komunës së Gjilanit, deklaroi se e kaluara duhet t’í hapë rrugën së ardhmes së Kosovës, e jo të bëhet ajo pengesë e së ardhmes.

Z.Qemajl Aliu Kryetari i Komunës Shtime, foli moi mënyrat sesi mund të “shërohen” plagët e dhimbëshme të largimit të qytetarëve nga Kosova, duke marrë si shembull e profesionin e tij të doktori, më të sëmurin, ” duke e filluar gjithçka nga zanafilla tha ai e jo nga plaga”.

Z. Ruzhdi Shehu, Kryetari i Komunës Junik, mori se shembull të “artë” kontributin e disaporës, shqiptare në Amerikë, sidomos me lobimin dhe investimet në Kosovë, dhe veçojë investimet e Harri Bajraktarit e Rustem Gecit.

Ai theksoi se bashkëpunimi me lobistët e shquar, aktivistët dhe organizatat patriotike në mërgatës këtu në SHBA, është i domosdoshëm dhe primar , sidomos në komunat tona që kemi nja pjes të mirë të mërgimtarve nëpër botë: “ Qeveria e Kosovës duhet të punojë më shumë që të rritet fuqia dhe mbështetja e mërgatës në dobi të çështjes së Kosovës, dhe mirëqënies së popullit në Kosovës” tha ai.

Në diskutime u përfshinë, edhe shefi i Misionit të Përherëshm të Shqipërisë, në OKB, Ambasador Ferit Hoxha, Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, në SHBA, Ambasador Blerim Reka, zoti Haxhi Dauti, Kryetar i Këshillit Shqiptar Amerikan, biznesmeni i suksesshem Rustem Geci, politikani Vedat Gashi dhe veprimtar të tjerë të komunitetit.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Beqir Sina

ME ORIGJINË NGA VUKLI I KELMËNDIT TË MALËSISË SË MADHE NË KARRIGËN E GJYKATËSIT NË AMERIKË

May 2, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli

Në shkrimet e mia modeste në të kaluarën – duke shënuar raste suksesi në fushë të ndryshme të jetës tonë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jam përpjekur të pasqyroj individë me preardhje shqiptare që e kanë dalluar vetën në fusha të ndryshme si në politikë, ekonomi, financa, arsim, kulturë e tregti, e të tjera. Vazhdimisht, kam bërë thirrje dhe vazhdoj të inkurajoj — në atë mënyrën tëme – sa më shumë rininë shqiptaro-amerikane, të shkolluar në këtë vend që të angazhohen sa më shumë në të gjitha aspektet e jetës amerikane, sidomos në ekonomi, politikë e drejtësi. Për fat të mirë, komuniteti shqiptaro-amerikan ka një numër të konsiderueshëm histori suksesi në të gjitha fushat, përfshir edhe avoketën të diplomuar, në rritje e sipër, në universitetet më të njohura amerikane dhe të angazhuar në sistemin e drejtësisë të këtij vendi. Disa herë kam pasqyruar edhe fillimet sado të rralla – disa të suksesshme e disa jo aq të suksesshme – të shqiptaro-amerikanëve në përpjekjet e tyre për t’u angazhuar në proceset e politikës amerikane, në nivel vendor, shtetëror dhe federal. Unë jam i bindur se është vetëm fillimi dhe është një fillim që premton, kur të merret parasysh numri i madh i shqiptarëve që kanë kërkuar strehim këtu në Shtetet e Bashkuara pas shembjes së komunizmit dhe çlirimit të Kosovës. Këtu në Shtetet e Bashkuara, diaspora e tre dekadave të fundit, përbëhet nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga mbarë trojet shqiptare, që për fat të keq dhe si rrjedhojë e politikave dështuese në dy shtetet shqiptare, numri i shqiptarëve që po largohen nga vendlindja për në botën perëndimore, po rritet gjithnjë, edhe këtu në Amerikën e largët. Shumë prej tyre, kanë përfunduar në punë të shumë të mira dhe po konkurojnë me më të mirët në Amerikë, për të dhenë kontributin e tyre për zhvillimin e komunitetit tonë dhe të shoqërisë ku jetojnë.

Megjithë një komunitetet të madh, pra dhe shumë të përgatitur shqiptaro-amerikan — nga pikëpamja e arsimit të lartë dhe zotërimit të gjuhës anglisht — gjatë gjithë kësaj kohe, nuk kisha dijeni për ndonjë rast që një shqiptaro-amerikan të jetë zgjedhur në detyrën e gjykatsit, të pakën në këtë rajonin veri-lindor të Shteteve të Bashkuara ku jeton shumica e shqiptarëve në Amerikë. Jam shumë i kënaqur të njoftoj lexuesit se, më në fund, mund të themi me krenari se kemi një gjykatës shqiptaro-amerikan i zgjedhur me vota dërmuese, nga zgjedhësit e zonës Pleasantville të rajonit Westchester të shtetit Nju Jork.  Me 3 Prill, 2023 bëri betimin John (Gjon) Vukeli, i zgjedhur nga votuesit e Westchesterit në Nju Jork me 21 Mars, 2023, si gjykatës në Pleasantville – me sa dimë, i pari shqiptaro-amerikan në një detyrë të tillë të lartë të drejtësisë, të pakën në këto anë.  Zgjedhja e tij në detyrën e gjykatsit këtu në Amerikë, besoj se shënon vetëm fillimin e shqiptaro-amerikanëve, që zgjedhin këtë fushë të veprimtarisë së tyre – si gjykatës në sistemin amerikan të drejtësisë në nivel të ndryshme rajonale.

Gjykatsi i ri i posa zgjedhur shqiptaro-amerikan, John (Gjon) Vukelj rrjedh nga një familje e njohur anti-komuniste nga Vukli i Kelmendit të Malësisë së Madhe – asaj diasporës anti-komuniste shqiptare të arratisur nga regjimi komunist enverist.  Familja e Sokol Dedës, babait të gjykatsit të ri shqiptaro-amerikan, nuk qe pajtuar me regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe si pasojë familja e tij e pësoi shumë keq sa që është detyrua të arratisej nga vendlindja për të shpëtuar jetën e vet dhe të familjes së tij, ndërkohë që familja e Sokol Dedës është vendosur në Bronks të Nju Jorkut, si shumë bashkathdetarë të tjerë refugjatë politikë nga malet tona — më shumë se një shekull më parë — për të kërkuar lirinë dhe të drejtat bazë të njeriut. 

Në fjalimin e tij me rastin e betimit në detyrën e re, Gjykatsi shqiptaro-amerikan me origjinë nga Vukli i Malësisë së Madhe, duke pasur parasysh historinë dhe vuajtjet e familjes nën komunizëm në Shqipërinë e pas Luftës së dytë botërore, shprehu krenarinë për origjinën e tij nga Kelmendi i Malësisë së Madhe dhe mirënjohje  për strehimin që Amerika i kishte ofruar  familjes së tij dhe dhe për mundësitë që ky vend i ka ofruar atij për të arritur karrierë që gëzon sot si gjkatës I zgjedhur. Ndër të tjera, gjykatsi shqiptaro-amerikan, John (Gjon) Vukli https://www.youtube.com/watch?v=bX3VG2hRtIY – foli, shkurtimisht, për jetën, karrierën dhe për familjen e tij të vuajtur dhe të përsekutuar nga komunizmi:  “Mësimet më të rëndësishme që mund të nxjerr nga kjo përvojë e fushatës politike është se ne jetojmë në një vend të mrekullueshëm. Ne, si individë, nuk jemi dakort për çdo gjë, por mendoj se të gjithë ne dëshirojmë të kemi të njëjtat gjëra, të drejta dhe mundësi të barabarta në jetë.  Fushata për këtë detyrë, më ndihmoi të kuptoj se nëqoftse i trajton njerëzit me respekt edhe ata do të respektojnë ty. E gjithë kjo përvojë do të jetë e vlefshme për mua ndërsa filloj dtyrën e re si gjykatës”, theksoi John Vukelj gjatë fjalimit, pasi bëri betimin në detyrën e re. Ai u tha të pranishëmve se kishte edhe diçka tjetër për të ndarë me ta dhe me të tjerë që mund të jetojnë jasht komunitetit, ku ai do të shërbejë si gjykatës. “Kam edhe diçka tjetër për të ndarë me ju”, vazhdoi ai.

Krenar se është shqiptar — “E kam fjalën për komunitetin shqiptaro-amerikan. Nuk e di nëse ka pasur gjykatës shqiptarë amerikanë më parë, qoftë këtu në Nju Jork, qoftë anë e mbanë Shteteve të Bashkuara. Ndoshta, po, ndoshta jo. Por, unë jam shumë i vetdijshëm për mbështetjen që kam marrë nga komuniteti shqiptaro-amerikan ç’prej kohës që kam njoftuar vendimin për të shpallur kandidaturën time për gjykatës të kësaj zone adminstrative. Komuniteti shqiptaro-amerikan ishte plot krenari për kandidaturën time dhe unë gjithashtu, si pjestar i këtij komuniteti, jam krenar që jam shqiptar”, theksoi ai në fjalën e tij përshëndetse pas betimit. Gjykatsi i ri ndau me të pranishmit disa të dhëna mbi origjinën dhe historinë e familjes së tij: “Prindërit e mi kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara. Vëllëzrit e mi dhe unë kemi lindur këtu në Shtetet e Bashkuara. Në familjen tonë kemi folur shqip, kemi dëgjuar muzikë shqiptare dhe kemi marrë pjesë në një grup kërcimtarësh pranë Kishës Katolike shqiptare në Nju Jork. Duke u rritur në këtë vend, mësuam për persekutimet ndaj përindërve të mi, familjes dhe popullit tonë në Shqipëri. Mësuam për vështirsitë me të cilat prindërit e mi dhe paraadhësit tanë ishin përballur, gjë që I detyroi të arratiseshin nga vendi i të parëve për tu vendosur në Shtetet e Bashkuara.  Kjo histori padrejtësish, vuajtjesh dhe persekutimesh të prindërve dhe të para-ardhësve tanë, më ka ndihmuar të përvetësoj një përspektivë në jetë dhe më ka nxitur për të vazhduar studimet në degën e drejtësisë. Unë dhe vëllëzrit e mi jemi përballur me sfidat, me të cilat përballen të gjithë ata të brezit të parë emigrantësh në këtë vend, përfshir sfidën se si të, “nderosh Atdheun e të parëve, dhe njëkohësisht, të bëhesh pjesë e këtij vendi të adaptuar? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje më ishte bërë e qartë që në fillim nga prindërit e mi shumë të mençur”, u tha Z. Vukelji pjestarëve në ceremoninë e betimit të tij. “Ata depërtuan atë mjegullën që i rrethonte, duke na dhenë ne fëmijve të tyre, këshillat dhe vlerat më të mira amerikane: studjo shumë, pastaj edhe pak më shumë, shumë më shumë e ashtu me radhë… Sot mendoj për babain tim, Sokol Deda Vukli. Jam i sigurt se ai është duke shikuar nga lartë dhe jam i bindur se e ndjenë veten shumë krenar në këtë ditë ditë…”, tha ai. 

Më në fund, gjykatsi i ri shqiptaro-amerikan John (Gjon) Vukli, bir i Sokol Dedës — i një familjeje fisnkie e bujare, por edhe trime e patriotike nga Vukli i Kelmendit kreshnik të Malësisë së Madhe, që nuk u përkul kurrë para padrejtësive, falënderoi të gjithë ata që votuan për të, ndërsa shprehu krenarinë e tij me rezultatet e votimeve në favor të tij.  Me këtë rast, ai shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij të thellë për ndihmën e familjes, miqëve, komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi, përfshir dhe personelin e gjykatës ku do punojë ai për punën e tyre, ndërsa u zotua se do t’i shërbejë me përkushtim komunitetit Pleasantville të rajonit administrativo-juridik Westchester të shtetit Nju Jork. Si një hap i parë në këtë drejtim, ai ka vendosur që angazhimet dhe premtimet që u ka dhënë votuesve gjatë fushatës elektorale, të vazhdojnë të jenë të postuara në portalin e tij, si një kujtesë për votuesit se cilat ishin premtimet e tija dhe nëse dhe si do t’i zbatojë ato premtime gjatë mandatit të tij në detyrën e re. Përgjegjësi ndaj votuesve dhe respekt për mbështjen e tyre, bazuar në premtimet e bëra!

Një hap i parë por i rëndësishëm për gjykatsin e ri shqiptaro-amerikan drejt një karriere të frutshme e të suksesshme. Urime shqiptaro-amerikanit John (Gjon) Vuklit dhe përparime të shpejta atij në nivele edhe më të larta në fushën e drejtësisë dhe të gjykatave shtetërore e federale në Shtetet e Bashkuara. Lartë e më lartë!

Frank Shkreli

                            A person with a beard and mustache

Description automatically generated with low confidenceGjykatsi shqiptaro-amerikan John (Gjon) Vukli me origjinë nga Kelmendi i Malësisë së Madhe

Prindërit e gjykatsit të ri shqiptaro-amerikan John Vukli.  Nëna Gjystja dhe i ndjeri babai Sokol Deda Vukli, nga Vukli i Kelmendit të Malësisë së Madhe, i Lahutës dhe i Xhubletës — Sokol Deda Vukel – VENDIT TIM – kendon Vasel Shkreli – YouTube – Kangë me lahutë nga lahutari shqiptaro-amerikan, Vasel Shkreli kushtuar Sokol Dedës dhe familjes së tij.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 55
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT