• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2023

Naum Prifti përherë midis nesh

June 19, 2023 by s p

Prof. Eleni Karamitri/

Me dhimbje të thellë mësova largimin nga kjo jete të të Nderuarit, shkrimtarit të njohur Naum Prifti. E vërteta është se, të gjithë jemi në udhë për t’u larguar nga kjo botë, po të lumtur janë ata, sikurse Naum Prifti, që jetojnë përtej kohëve, me portretin fisnik dhe me veprat që lënë pas. Hapësira që lë në familje, në krijimtarinë letrare shqipe dhe në shoqëri, do na sjellë kurdoherë kujtimin e tij të paharruar, me fjalën e mençur dhe humorin elegant që e karakterizonte.

Shkrimtari Naum Prifti, me besimin ndaj Zotit, me mirësinë njerëzore që e karakterizonte, me talentin e tij, është njeriu i respektuar për shqiptarët dhe të njohurit e tij kudo që jetojnë. Dashamirësia për të gjithë të afërmit, kolegët e shoqërinë, dimensionet dalluese njerëzore të sjelljes dhe komunikimit, optimizmi që përçove kurdoherë pavarësisht rrethanave, do të të mbajnë gjallë, i dashur Naum, në mendjet dhe në zemrat e të gjithëve, me të cilët ti ndave jetën tënde dhe lëvrove krijimtarinë.

Në shenjë dashurie dhe respekti shpreh ngushëllimet më të ndiera dhe të sinqerta !

Zoti iu dhëntë forcë e kurajo bashkëshortes, Rinës dhe vajzave, Loretës, Julikës dhe Elës, për humbjen e babait të dashur.

Pushofsh në Paqe !!!

Filed Under: Kulture

NJË KUJTIM PËR SAMI FRASHËRIN

June 19, 2023 by s p

Mid’hat Frashëri/

(Me rastin e 119 vjetorit te vdekjes, 18 qershor 1904)

N’Eren-Qoj, një nga fshatrat e bukur të Stambollit nga an’ e Ysqydarit, është një udh’ e gjerë afër stacionit t’udhës së hekurt, një udhë që vete nga deti e gjer në Merdiven-Qoj. Copa e kësaj udhe, q’është m’anë të poshtme të fshatit, është anosur me dy rradhë repe të mëdhenj, që hedhin një hije të hollë mbi pluhurin e trashë, që mbulon rrugën në verë dhe mbi baltën ngjitëse në dimër.

Duke ardhur nga deti dhe duke u ngjitur drejt veriut, udha ka një vajsimë të lehtë; më të dy anët shtëpi të bukura, brenda në kopshte dhe në vreshta, mbajnë ndënjësit e fatshëm të kryeqytetit një gjindje, që do dhe kërkon zbavitjen dhe që nuk lë t’i shkojë as ndonjë rasje për t’i dhënë udhë dëfrimit.

Kjo udhë, si shkon rajet e hekurt, zgjatet, prapë ashtu e gjerë, po drurët e anës zhduken dhe shtëpitë bëhen më të rralla; ca më tutje, duke kthyer pak më të mëngjër, kryqëzohet me një udhë tjetër që vjen nga Koz-Gataku e vete në Gjoz-Tepe. Këtu vendi formon një shesh të lartë; ca më tej, tek kryqëzohen udhët, duket xhamia e Sahrai-Xhedid; më tutje duken ca varre, varre të vjetër dhe të rinj, që gjithë tok, kanë bërë një katër kindje të gjatë.

Nga ky vend ka një pamje të bukur mbi Çamllixhe-në. Nga veriu, përmbi dhe prapa Merdiven-Qojit, unjen pëqinjt’ e gjelbër të bregut kaq të hijshëm dhe të dëgjuar të Çamllixhe-së. Sado që shumë herë kam mbetur i çuditur përpara kësaj bukurie t’atij pëqiri veshur në bar e në drurë dhe stolisur me shtëpi të hijshme, gjithnjë kam gjetur një shije të re n’atë pamje. Po tani mendja jonë s’ka prehjen e duhur për të ndier shijen e kësaj bukurie.

– Këtu, në këta varre kemi dy shqiptarë: Tahsim Hoxha dhe Sami beu. Të parit, për fat të keq nuk dimë, ku i dergjen eshtrat , sa për të dytin, ky çip dhé ia mban të mbeturat e vdirshme, nën këtë pirg balte fle gjumin e përjetshëm, – i them shokut që kam pranë.

Një grusht dhé mbulon një njeri të gjallë, plot vullnet, tërë shpresë dhe dëshirë! Një pushim i thellë tani ka zënë vendin e asaj mendjeje gjithnjë në lëvrim dhe në punë. Rrojti një herë dhe tani më s’është.

***

Më kujtohet gjithnjë një vjershë persisht, që e këndonte Sami beu me një zë të mallëngjyer:

Der gurbet egjër myrq bigjired damen-i men

Aja qi qyned kabr qi duzed qefen-i men

Tabut-i-mera der xhoj-i bylend pyzarid

Ta bad byred buj mera der vatan-i men

Shumë herë këtë vjershë e pasonte një psherëtimë, që Sami beu pothuaj se e kish për vete të tij, aq përshtypje të madhe dhe të veçantë bënte.

Si sot po e shoh: Sami beu, kur shkruante, e kish zakon që rrinte këmbë-kryq mbi një shilte të unjët; përpara mbante një fron t’unjët, ku ishin radhitur të hapura librat; libra dhe harta të hapura kish dhe më të dy anët, më të mëngjër e më të djathtë. Shkruante kurdoherë me një rregull dhe me një durim të çuditshëm, duke u ngritur gjithnjë fort herët në mëngjes.

Nganjëherë në mes të shkrimit ngrinte kokën nga karta, që mbante në dorë, se zakon’ e kish të shkruante pa pështetur kartën gjëkund dhe shkruante pastër, me një shkrim të bukur, pa fare prishje dhe ndreqje ; ahere, syt’ e zinj, që i jepnin aq bukuri fytyrës, i ngrinte, psherëtinte dhe një vjershë i delte nga goja me një zë t’unjët; veç asaj vjershe persisht, shpesh thosh dhe të tjera persisht a arabisht.

Po ish dhe një tjetër, vjershë frëngjisht, për të cilën kish një dashje të posaçme, apo dy vjersha të Viktor Hygoit:

Pourquoi devant mes yeux revenez-vous sans cesse,

O jours de mon enfance et de mon allegresse?

Ç’ishin hidhërimet dhe shpresat e djalërisë, që kujtonte Sami beu? Në ç’shpresa, në ç’projekte pritmi, në ç’ëndërrime të djalërisë kthente sytë dhe shikonte? Ç’ishin këto shpresa që s’ishin mbaruar, që kishin pritur më kot?

Kot kemi bërë shumë herë këto pyetje me veten tonë! Po Sami beu s’i kish të shumta fjalët. Atë që di është se çfarë do që të kishin qenë shpresat, ëndërrimet dhe hidhërimet e tij, ay ish gjithnjë plot durim dhe kurrë s’e njohu dëshpërimin.

Prapë ia shoh të dy syt’ e zinj plot mendime dhe ëmbëlsi, të shkëlqyeshëm, ballët e zbuluar; më të rrallë i dilte ndonjë fjalë hidhërimi nga goja, një psherëtitje e hollë; ahere pandehnja se dëshpërimi ia shtrëngonte zëmrën, po kjo pandehje shuhej shpejt, duke parë durimin me të cilin punonte, shpresat dhe projektet që bënte… Ahere më dukej se kurrë ndonjëherë dëshpërimin nuk ia njohu zëmra dhe mendja. Edhe kështu vajti gjer n’orë të fundit.

Nga një njeri plot mendje dhe punë, tani ky pirg i vogël ka mbetur!

Stamboll, 7 gusht 1910

Marrë nga: Instituti i Studimeve Historike Lumo Skendo

Filed Under: Histori

New York : Shkolla Shqipe “Mëso Shqip” festoi në Staten Island me një koncert fund-vitin Shkollor 2023

June 19, 2023 by s p

Nga Beqir SINA/

Shkolla Shqipe “Mëso Shqip” në Staten Island një krenari kombëtare në New York.

Slideshow: Shkolla Shqipe “Mëso Shqip” koncert në mbyllje të shkollës për këtë vit

Staten Island NYC : Të shtunën më 17 Qershor 2023, në sallën e teatrit të shkollës publike P.S. “George L. Egbert “- IS 2 në Staten Island – Nju Jork, u mblodhën fëmijë, prindër e mësues për të festuar mbylljen e suksesëshme të vitit shkollor 2022/2023.

Festa e fëmijëve shqiptar u mbajt në një prej lagjeve më të populluara me shqiptar – në Staten Island – Nju Jork, ndërsa morën pjesë dhjetra fëmijë, prindër , mësues e veprimtar të komunitetit në festën e bukur të mbylljes së vitit shkollor, të shkollës së gjuhës shqipe në këtë qytet, e cila funksionon nën kujdesin e tri shoqatave Ulqini, Ana e Malit dhe Kraja.

Aktiviteti u mbajt në teatrin e shkollës publike P.S. “George L. Egbert “, aty ku Shkolla Shqipe “Mëso Shqip” jep mësim plotësues falas për fëmijët e komunitetit shqiptar një herë në javë.

Ky koncert festiv i veçant ishte një aktivitet i fëmijëve shqiptar, një festë me të vërtet e bukur, ku pothuajse të gjithë fëmijët e Shkollës Shqipe “ Mëso Shqip”, për më shumë se një orë kanë kënduar e vallëzuar, recituar vargje nga poetet shqiptarë, dhe tekstet e librave.

Në ndërkohë që gjatë preformancave në skenën e teatrit të kësaj shkolle nëpërmjet duartrokitjeve të prindërve të tyre, mësuesve , drejtuesve të shoqatave, bashkëmoshatarve, krijuan emocione të shumta në mbylljen e këtij viti shkollor.

Shkolla Shqipe “ Mëso Shqip “ e hapur vitet e fundit në Staten Island, ka më shumë se 240 nxënës të regjistruar, ajo u ngrtitë me kontributin e prindërve, mësuesve dhe drejtuesve të këtij komuniteti nga vendorigjina e tyre Kraja ( Samih Kanaqi), Ulqini( Xhemo Lanica) dhe Ana e Malit( ish kryetari Safet Llolla & kryetari Albert Salaj).

Kjo shkollë me mësim plotësues ka një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe të fëmijëve shqiptar, dhe është shkolla më e madhja në komunitetin shqiptar në Amerikë, që u mëson fëmijëve shqiptar gjuhën shqipe këngë e valle shqiptare.

Linda Sukaliqi, njëra prej mësuesve të kësaj shkolle, ka thënë se “Shkolla Shqipe “Mëso shqip” kur e nisi rrugën e saj regjistroj gati 50 nxënës, ndërsa, sot ajo numëron mbi 240 nxënës.: “E gjithë kjo punë kaq e madhe u realizua duke falenderuar mesueset, kordinatoret e 3 shoqatave: “Kraja” “Ana e Malit” dhe “Ulqini”, biznesmenve të suksesshëm, si dhe prindërve vullnetarë që gjithmonë gjenden pranë nesh për të ndihmuar në çdo aktivitet që shkolla realizon.”thotë ajo.

Me dëshirën dhe përkushtimin që i karakterizon, stafi i mësuesve, dhe kujdestarve vullnetarë të kësaj shkolle, u organizua edhe festa për Fund-Vitin shkollor tek Shkolla “Mëso Shqip” në Staten Island Nju Jork.

Koncerti festiv u hap me këndimin nga të gjitha grupet dhe pjesëmarrësve Himni Kombëtar i SHBA & Himni Kombëtar Shqiptar

Ndërsa mirëseardhjen me një përshëndetje rasti ja uruan fëmijëve për këtë festë, dhe prindërve e mësuesve tre përfaqsueset e të trija shoqatave : Melinda Gjeloshi, Venera Gjenashi & Tina Lula

Zoti Samih Kanaqi, kryetar i Shoqatës Kraja, në përshëndetjen e tij pos faleminderimeve, për mësuesit, nxënësit e prindërit e tyre, gazetarët prezent dha lajmin se Shkolla Shqipe “ Mëso Shqip” në Staten Island do të jetë falas, falë kontributit të donatoreve.

Ai tha se : “Bashkëpunimi me shoqatat e tjera është shumë i mirë dhe frytdhënës. Dëshmi e gjallë është rihapja e Shkollës Shqipe “Mëso shqip” ku u bëmë tok tri shoqata: “ Ana e Malit”, Ulqini” , “Kraja” dhe bëmë gjënë më të bukur dhe me shumë vlerë siç është Shkolla Shqipe “Mëso shqip”. Po ashtu në bashkëpunim më këto shoqata organizuam dhe disa evente të tjera, masive në komunitet si ajo me rastin e 28 Nëntorit, 17 Shkurtit, festa e Nënës dhe e Mësuesit dhe së fundi piknikun madhështor.”

Por, tha ai ne kështu të bashkuar edhe më tutje do vazhdojmë të bashkëpunojmë si tri motra, ashtu siç na ka hije dhe do bëjmë gjëra edhe më të bukura se bashku. Bashkëpunim kemi edhe me shoqatat e tjera shqiptare që veprojnë këtu në Amerikë.

“ Me këtë rast dua t’i falëndroj të gjithë ata që po kontribuojnë në mënyrë të vazhdushme që kjo shkollë të funksionojë pa pengesa dhe me sukses, dhe ne të kemi sa më shumë aktivitete të suksesshme në komunitet” tha Kanaqi.

.

Pas fjalimeve përshëndetse nisi koncerti me një program të pasur artistik, koncert që vazhdojë me festën e fëmijëve, me recitime poezish nga Leona Avdiu & Deen Lesheviqi dhe një performancë vokale me titull : “Mora fjalë” nga Namirah Peroviq

Grupi “Barbana” me mësuese në mësimin e këngëve e valleve shqiptare, të kësaj shkolle Nadia Hoxha dhe Hanna Demiri, që funksionon në kuadrin e Shkollës Shqip “ Mëso Shqip”, solli tri valle nga grup mosha të ndryshme : Vallja e Rugovës nga grupi I femijëve 4 deri ne 6 vjeç, “ Vallja Shota e Anes se Malit” grupmosha 7 deri ne 9 vjeç, “Vallja e Ulqinit” me femijet e grupmoshes 10 deri në 13 vjeç, dhe grupi i valleve te grupmoshave 14 deri 21 vjeç me këngën e Elvana Gjatës “Kuq e zi”

Gjatë preformacave të fëmijve u krijuan emocione të forta deri sa ngritën në këmbë disa herë pjesëmarrësit e shumtë, duke kënduar e vallëzuar, duartrokitur grupet e vallëtarve të fëmijëve, nga Shkolla Shqipe “Mëso Shqip”.

Recitim i poezisë “Shkronjat Shqipe” – Nurjena Peroviq, Anisa Ceka & Erina Gjokaj, Recital poezie : Alfabeti I Gjuhes Shqipe grupmosha 7 deri ne nente vjeç, Recital poezie : Rilinda Bardhi & Arvin Kallaba, Recitali poezie : “ Pse? O Mami shqip s’më flet” Ariana Cuca , Zyra Kuroviq & Ella Lula, Recital poezie : Adriana Kollari, Xhuliana Bogdani, Aliesandra Nikezi, Briella Tahiri, Ava Kallaba , Sofia Jahoviq, Adnan Paleviq, & Loriana Abdullahu, u duartrokitën më shumë.

Me çertifikata Mirënjohje, dhe buqeta me lule të freskta u nderuan aktivistet e këtij komuniteti Melinda Gjeloshi , Venera Gjenashi( nën kryetare e Shoqatës Kraja) & Tina Lula, Arlinda Sukaliq (mësuese e gjuhës), Merita Gjokaj ( mësuese e gjuhës) Hana Demir (mësuese vallëzimi) dhe Nadia Hoxha (mësuese vallëzimi).

Në mbyllje të këtij aktiviteti me përmasa të mëdha, grupet e grupmoshave të valltarve, mesueset, kordinatoret e 3 shoqatave: “Kraja” “Ana e Malit” dhe “Ulqini” si dhe prindërve vullnetarë që gjithmonë gjenden pranë kësaj shkolle për të ndihmuar në çdo aktivitet që shkolla realizon, sollën një emocion të fuqishëm tek të pranishmit duke u ngjitur në skenë dhe kënduar së bashku me pjesëmarrësit nën tingujt e këngës “Kuq e Zi” të Flori & Elvana Gjatës.

Shkolla shqipe “Mëso shqip” në Staten Island, me këtë aktivitet të nxënësve të kesaj shkolle që u përgatitit me shumë perkushtim dhe dashuri me rastin e festave të fundvitit nga mësueset e përkushtuara të gjuhës dhe vallëzimit tradicional shqip, e ktheu në një ditë feste, në këtë komunitet ku fëmijët për më shumë se një orë, në teatrin e shkollës publike P.S. “George L. Egbert “- IS 2 Staten Island – Nju Jork, kënduan, recituan dhe vallëzuan shqip. Një krenari kombëtare në New York. Kjo festë shënoi dhe fundvitin e këtij sesioni i cili ka punuar me shumë përkushtim që të mbajë gjallë identitetin kombëtar shqiptar në Amerikë!

Filed Under: Emigracion

Pikniku i 3-të i fundvitit shkollor nga Shkolla Shqipe Dy-Gjuhësore “Children of the Eagle”

June 19, 2023 by s p

Drita Gjongecaj

17 Qershor, 2023/

Në mbyllje të edhe një viti tjetër shkollor, nxënësit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle”, prindër e mësues kaluan një ditë festive nën peisazhin e bukur dhe ambientet e Saxon Woods Park në Westchester, NY.

Ata që gëzonin më shumë ishin natyrisht fëmijët. Ata luanin në grupe në këndin e lojërave (playground) që vetë parku ofron, si dhe me lojëra të tjera të organizuara në grupe. Ajo që i entuziazmoi më shumë fëmijët ishin vizatimet e figurave të ndryshme në fytyrë (face painting) sipas preferencës së tyre. Ishte pikërisht Prof. Mirjana Lukic, drejtuese e procesit mësimor në “Children of the Eagle”, njëkohësisht Pedagoge në dy kolegje prestigjoze që përgatitin mësuesit e ardhshëm në New York, ajo që me shumë thjeshtësi dhe durim “vizatoi” fytyrat e bukura engjëllore të më të vegjëlve.

Fëmijëve iu ndanë edhe certifikatat e përfundimit të programit vjetor të gjuhës shqipe dhe historisë e kulturës kombëtare. Për më tepër, atyre iu shpërndanë edhe lodra të ndryshme përfshi canta shkolle apo makina llogaritëse (calculators) që së shpejti do t’i përdorin në vitin e ri shkollor.

Të rriturit gëzuan nën tingujt e muzikës dhe shkëmbyen biseda të ndryshme. Në mes tyre dallonin mësuesit jo vetëm nga shkolla shqipe por edhe nga shkolla publike të New Yorkut, si dhe të tjerë që janë në procesin e certifikimit në profesionin e mësuesisë.

Midis nesh ishte edhe Albanian Culture TV që për mbi 25 vjet ka ndjekur dhe pasqyruar jetën e komunitetit tonë në NY e më gjerë dhe që arsimimit i kushton vemendje të vecantë.

Gjejmë rastin të falenderojmë me mirënjohje Organizatën AAWO Motrat Qiriazi, si dhe z. Tush Musaj, aktivist dhe suportues i shkollave shqipe, për partneritetin dhe mbështetjen në organizmin me sukses të piknikut të tretë vjetor të fundvitit shkollor 2023.

Padyshim, falenderimi më i madh mbetet për mësuesit e Shkollës Shqipe “Children of the Eagle” që punojnë gjatë gjithë vitit me përkushtim me nxënës të moshave të ndryshme. Falë punës së tyre, identiteti ruhet, dhe gjuha, kultura, traditat përcillen brez pas brezi.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Drita Gjongecaj

VIGANI I ÇËSHTJES KOMBËTARE

June 19, 2023 by s p

Prof. Xhafer Beqiraj/

(Në ceremoninë e 80-vjetorit të lindjes së Profesor Ukshin Hotit)

Të flasësh për përsonalitetin shumëpërmasësh të Ukshin Hotit, është e pamundur që ta përmbledhësh biografinë e tij në një shkrim si ky. Në të vërtetë, do të duheshin ditë e ditë të tëra për të përshkruar jetën dhe veprën e këtij vigani atdhetar. Andaj, sa është privilegj për ne të flasim për të, po aq e vështirë dhe me përgjegjësi, sepse nuk do të arrijmë t’i themi të gjitha për jetën dhe për bëmat e mëdha dhe heroike të profesor Ukshin Hotit.

Ukshin Hoti lindi më 17 qershor 1943 në Krushë të Madhe. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin e tij, ndërsa shkollën normale e përfundoi në Prizren dhe në Prishtinë. Më pas vazhdoi studimet në Zagreb në Fakultetin e Shkencave Politike, kurse studimet pasuniversitare i kreu në Beograd, drejtimi i Marrëdhënieve Politike dhe Ekonomike Ndërkombëtare. Në vitet 1977-1978 kryen studimet pasuniversitare në Universitetin e Çikagos, të Harvardit dhe të Uashingtonit dhe ishte ndër të parët studentë të këtij rajoni që fitoi të drejtën të jetë pjesë e programit fullbrajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Që nga fillimi i viteve ’70-ta e gjer në rënien e tij në burg më 1981, ka ushtruar disa funksione me peshë të veçantë politike, akademike e arsimore. Ka qenë anëtar i të gjitha forumeve federale të ish-Jugosllavisë që merreshin me politikë ndërkombëtare. Ai ishte sekretar për Marrëdhënie me Jashtë i Kosovës dhe anëtar i forumeve federative, republikane dhe krahinore që merreshin me politikë të jashtme në ish-Jugosllavi.

Në Kosovë, përpos funksioneve politike, ka qenë edhe ligjërues në Fakultetin Juridik dhe në Fakultetin Filozofik. Ishte i pari politikan që vuri themelet e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me SHBA-në, me Shqipërinë e me vende të tjera perëndimore. Në vitin 1981 ishte njëri ndër të paktë politikanë e intelektualë që e përkrahu hapur Republikën e Kosovës. Qëndrimi i tij kombëtar e demokratik në vitin 1981 ishte një shembull i papërsëritshëm për proceset demokratike në hapësirën e Europës Lindore komuniste. Në atë kohë, Kosova bashkë me Poloninë filloi të lëvizte drejt dritës, drejt një të ardhmeje të natyrshme demokratike që u takonte edhe popujve të kësaj pjese të Europës. Por shteti komunist jugosllav, me ndihmën ish-komunistëve të atëhershëm të Kosovës që ishin në pushtet, nuk ngurroi ta dënojë Ukshin Hotin me nëntë vjet burg. Pas daljes nga burgu, shteti komunist e izoloi plotësisht. Ndonëse ishte i braktisur prej të gjithëve, sulmi ndaj tij filloi edhe në pikën më të ndjeshme të njeriut. Natyrisht, ky ishte një mësim i kursit famëkeq dhe të pashembullt të shtetit serbo-sllav, ku nuk mungonin as shqiptarët e mjerë. I lodhur më 1990, Ukshin Hoti vendos të shkojë në Lubjanë. Atje punon në revistën “Alternativa” dhe “Republika”. Më vonë nxjerr revistën “Demokracia autentike”, të cilën e drejton vetë. Por pas një kohe të shkurtër ia bllokojnë revistën përmes financave. I papunë kthehet në Kosovë. Studentët e Universitetit të Prishtinës, duke e njohur se kush ishte profesor Ukshin Hoti, bëjnë të pamundurën që atë ta kenë përsëri në katedër, andaj i mbështetur nga ta, pranohet më në fund në fakultet ku kishte qenë edhe më parë.

Më 1993 e kryen edhe dënimin e dytë për shkak se e kishte thyer kordonin e policisë speciale serbe te Bërryli i Nagafcit me disa qindra bashkatdhetarë. Policia speciale serbe nuk kishte dashur t‘i lejonte ata që t‘u bënin homazhe dëshmorëve të demokracisë të rënë më 27 janar 1990 në Brestofc. Në prag të zgjedhjes së tij kryetar i UNIKOMB-it arrestohet sërish, e kësaj radhe dënohet me pesë vjet burg, gjithnjë me arsyetime tashmë të njohura të shtetit kriminal serb.

Lufta në Kosovë e zë Ukshin Hotin në burg. Më 16 maj të vitit 1999 ai është parë për herë të fundit nga shokët e burgut në Dubravë dhe po këtë ditë, pra, një ditë përpara se të përfundojë vuajtjen e dënimit, një ditë përpara se të mbushë pesë vjet burg. Ukshin Hoti është nxjerrë prej andej me dy përcjellës. Që nga 16 maji askush nuk di asgjë për fatin e këtij njeriu të madh të kombit.

Profesor Ushin Hoti, siç theksuam që në fillim, është personalitet shumëpërmasësh e shumë kompleks, sepse vetë jeta dhe veprimtaria e tij, si te askush tjetër, shpërfaq një figurë kombëtare e intelektuale të pakundshoq, duke filluar që nga mosha rinore e deri në përjetësi, sepse ai e mundi edhe vdekjen.

Ukshin Hoti nga burgu më 1998 shkruante: “E besoj se nuk është në natyrën e njeriut dhe as të kombit të pajtohet me statusin e robit. Jam plotësisht i vetëdijshëm se ajo – UÇK-ja – solli me vete jo vetëm ndikimin rrënjësor në realitetin politik shqiptar dhe jashtëshqiptar, ndryshimin e tyre, por edhe shumë të panjohura në vetë atë realitet dhe në ambientin ku është vendosur. Me gjithë keqardhjen e sinqertë për viktimat dhe konsekuencat e luftës, kam besim të plotë se UÇK-ja, ashtu siç doli në skenë, në mënyrë dinjitoze dhe efikase do të dijë ta përmbushë misionin e vet, duke e mundur edhe luftën si të tillë, ose së paku, t’i kontribuojë edhe këtij qëllimi, me karakter universal, gjithënjerëzor dhe fisnik.” (Ky paragraf nga z. Selami Hoti).

Profesori universitar, shkrimtari, politikani, filozofi i përmasave kombëtare, europiane e më gjerë, zëri i ndërgjegjes kombëtare shqiptare – profesor Ukshin Hoti – është tribun i kombit dhe si i tillë do të jetë përjetësisht. Veprat e tij janë e do të jenë diell e hënë për ne, sepse na rezatojnë ditën e na ndriçojnë natën. Veprat e tij, përveç shumë shkrimeve të tjera, janë “Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare”, “Bisedë përmes hekurash” dhe “Lufta e Ftohtë dhe Detanti”.

* * *

Ka 24 vjet që e përkujtojmë jetën dhe veprën e profesor Ukshin Hotit vit për vit, por deri më tani, as Akademitë e Shkencave tona, as Institutet, as institucionet e tjera nuk kanë marrë mundin të hartojnë deri më tani, qoftë edhe një monografi shkencore për jetën dhe veprimtarinë e këtij vigani të çështjes kombëtare. Kështu që propozoj të hartohet një monografi për profesor Ukshin Hotin nga Universiteti ynë – emrin e të cilit e mban me krenari.

(…)

Lavdi jetës dhe veprës së pavdekshme të Profesor Ukshin Hotit!

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • 25
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT