• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2023

Vrasje dhe mjerim në Pashallëkun e Prizrenit në shek.XIX nga turqit, kleri katolik kërkon ndihmë te ambasadorët e huaj

June 8, 2023 by s p

Përgatiti: Eneida Jaçaj/

Shqiptarët e krishterë në Pashallëkun e Prizrenit, dhe jo vetëm, kanë përjetuar vrasje, tortura, vjedhje, grabitje, mjerim, nga turqit muslimanë. Sipas Relacionit Sinoptik rreth ngjarjeve të ndodhura në Pashallëkun e Prizrenit, nga data 26 gusht 1866 deri me datën 6 mars 1868, të shkruar nga dëshmitari okular, Arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkup – Prizren, Dario Buçareli (Buçiarelli), dokument i cili është gjendur në Vatikan, dhe i përkthyer nga studiuesi Mark Palnikaj, masakrat ndaj popullsisë së krishterë, nuk vinin me urdhër të Sulltanit, Portës së Lartë, (kjo nuk do të thotë se Sulltani ishte mik i shqiptarëve, por është mirë që çdo dokument të zbardhet ashtu siç është shkruar nga dëshmitarët okularë), por nxiteshin nga përfaqësuesit e qeverisë turke dhe forca të tjera të errëta, si Kisha Ortodokse Serbe. Nëpunësit e pushtetit vendor, në emër të Sulltanit, mashtronin të krishterët se duhej të linin banesat e tyre. Midis banditëve turq, kishte edhe shqiptarë që ishin konvertuar në fenë muslimane, të cilët luftonin vëllezërit e tyre për disa rryshfete dhe ofiqe. Fytyra e shëmtuar në tregimin që paraqet Buçareli, është Nazif Pasha, i cili kishte arrestuar shumë të krishterë, dhe si këmbim për lirimin e tyre nga burgu, merrte rryshfete. Ndërsa gjeneralin Mahmund Hamdi Pashain, arqipeshkvi e veçonte si njeri të mirë, i mençur, i cili bënte gjithçka që të vendosej rendi dhe qetësia, që popujt me besime e kultura të ndryshme të Vilajetit të jetonin në harmoni të plotë. 

Kleri katolik i huaj luajti rol parësor në afrimin e vëllezërve shqiptarë, muslimanë apo të krishterë, duke vendosur paqen në vend. Pikërisht, kleriku Buçareli si Arqipeshkv i Shkupit, me qendër në Prizren, kërkoi ndihmë te ambasadorët e huaj në vend, në mënyrë që të ndërhynin duke marrë masa specifike për të vendosur rregullin dhe qetësinë në vend. Ndër të tjera, i dërgoi letra pa fund Portës së Lartë, faktorit të huaj ndërkombëtar, duke i informuar mbi gjendjen dhe u kërkoi që të merrnin masa për ndalimin e masakrave dhe vrasjeve ndaj të krishterëve. Për rolin e tij shumë të veçantë në vendosjen e paqes, përçimit të kulturës, përkushtimin e tij si një i krishterë i devotshëm, Buçareli mori vlerësime nga ambasadori austriak në Stamboll, i cili thoshte se Arqipeshkvi ishte një dëshmi e shkëlqyer e mbështetjes së fuqishme që të krishterët e atyre anëve gjejnë te madhëria e tij. “Kthimi i madhërisë suaj në Dioqezë është pritur prej katolikëve me brohorima, me atë ndjenjë kënaqësie shpirtërore që ngjall tek njerëzit e pafuqishëm prania e kryetarit të shumëdashur dhe mbrojtësit të tyre të natyrshëm”, ka thënë ai.

Letër ambasadave të huaja

Gjendja në vend kishte marrë tatëpjetën, kryengritësit po ushtronin dhunë dhe terror te të krishterët. Në këto kushte, i gjendur i pafuqishëm përballë një kasaphane të tillë, Buçarelli mendoi që t’i shkruante konsullatave të Austrisë e të Francës në Shkodër: “Të krishterët janë plot me vuajte dhe kryengritësit janë në kulmin e furisë së tërbimit e nga nevoja për mbijetesë të krishterët duhet të hyjnë në konfl ikt, të cilin po me kërkon me çdo kusht pala myslimane, që të kenë një motiv për t’i masakruar njerëzit, kështu, ju lutemi me këmbëngulje që sa më parë të keni mirësinë që të parandaloni një situatë të tillë të mundshme e të njoftonin ambasadën e ndritur që të ndërhyjë pranë Portës së Lartë, në mënyrë që me një ndërhyrje të tillë të shpëtohen jetët, e që të mund të emigrojnë këta të krishterët e Mirditës, që me shekuj kanë derdhë djersë e gjak për t’i shërbyer me besnikëri Sulltanit”.

Përfaqësuesit e pushtetit vendor mashtronin Portën e Lartë, ku masakrat mbi popullsinë e krishterë i cilësonin si skenare të sajuara nga vetë këta të fundit. Një rast tjetër, i cili dëshmon korrespondencën e arqipeshkvit me faktorin e huaj në vend, është ai kur një karabinier në kalë, i ardhur nga Gjakova, i kishte komunikuar një mikut të tij se dy fshatra të krishterë janë grabitur dhe djegur. Sapo mori vesh lajmin arqipeshkvi, shkoi tek I. R. konsull i Austrisë, që t’i bënte një pyetje shkëlqesisë së tij pashait, nëse u sulmuan nga turqit dy fshatrat e Doblibares, domethënë edhe Bradasani. Përgjigja që mori ishte kjo: “Nuk ka ardhur asnjë lajm në lidhje me ndonjë fakt të rëndësishëm. Kjo është vetëm një fjalë e përhapur, një thashetheme”. Pasi kërkoi, pastaj, arqipeshkvi informacione rreth asaj që kishte ndodhur, të cilit, meqë nuk iu tregua ky fakt me rëndësi, iu desh të shkruante dy raporte zyrtarisht, njërin konsullit austriak dhe tjetrin atij rus, që të mund të kishin baza që të mund të vepronin. 

Ndihma për të varfrit

Arqipeshkvi Imzot Dario Buçareli u është drejtuar ambasadorëve të huaj, jo vetëm për t’i informuar mbi gjendjen vrastare ndaj klerit katolik, por u ka kërkuar ndihmë edhe për fëmijët në nevojë, që nuk kanë patur ushqim mjaftueshëm dhe veshje. Ai iu drejtua Austrisë katolike, mbrojtësja e parë e katolicizmit në këto zona, dhe me një letër të datës 15 dhjetor të vitit 1866, me N° 176, i lutej I. R. konsullit të këtij kombi, në Shkodër, që ta dërgonte përmbajtjen e saj në qeverinë austriake, duke kërkuar që të kishte një ndihmë për këta të varfër të shkretë, sikurse tregohet më poshtë: “Me datën 15 dhjetor të vitit të kaluar, me anë të një letre me numër N°176, unë i kam kërkuar me anë të një kërkese madhërisë së tij perandorake apostolike tejet të nderuar një ndihmë në para në favor të të dëmtuarve të këtyre kohëve të fundit nga kryengritja e rebelëve dhe madhëria e tij e lavdëruar është denjuar që të marrë në konsideratë atë që i kam kërkuar, e kështu ka dhuruar një shumë prej 500 fi orintash në vlerë austriake, për një kambial prej lirash sterlina 37.9 P. e cila u shit për 4.100 pjastra turke, nga të cilat 1.600 ju, bashkë me personat që besoni se janë të përshtatshëm, do t’ua shpërndani me këtë qëllim të devotshëm të bamirësit të përshpirtshëm atyre që janë më shumë nevojtarë të dëmtuar nga rebelët dhe 2.500 me një njeri të sigurt, do t’ia dërgoni në një dërgesë (87) famullitarit të Pejës”. Gjithashtu, u ngrit një komision nga Porta e Lartë, për të vlerësuar dëmet që u ishin bërë të krishterëve. Arqipeshkvi u mundua të vendoste rend dhe qetësi, të merrnin fund vrasjet ndaj të krishterëve, por, përsëri, situata degjeneronte nga të pabesët.

Filed Under: Kronike Tagged With: Eneida Jacaj

I Ftuar  ne Festivalin e Usterit Pasardhesi i Skenderbeut Sheh Portretin Miniature te Gjergjit neManuskriptin e Harvard-it

June 8, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Gazetari dhe studiuesi Loris Castriota Scanderbegh, i cili ishte mysafir nderi i grupit arbëresh në Festivalin shqiptar të Usterit, e pati kërkuar shumë manuskriptin origjinal ku gjendet portreti i paraardhësit të tij heroik Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe e pa sot në Harvard përpara se të kthehej në Itali. Si pasardhës i derës së Kastriotasve dhe hulumtues i trungut gjenealogjik, Loris ndjen përgjegjësi për saktësinë e fakteve si edhe të dhënave dokumentuese të fisit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Trashëgimtari Loris Scanderbegh thotë se ai është provë e gjallë e ekzistencës së familjes së tij. “Në Puglia (Pulia) ka tri bashkësi arbëreshe: në San Marzano di San Giuseppe (provinca e Taranto-s) Shën Marcani i Arbëreshë, Chieuti-Qefti dhe Casalvecchio di Puglia-Kazallveci në Foggia, ndërsa në Italinë e Jugut ka disa qytete arbereshe, shumica e të cilave janë në Kalbri,” vëren Loris.

Një nga dokumentet që kishte me vete në Festivalin treditor 2023 të Usterit ishte proklamata e Republikës së Venecias që ia njeh djalit të tij rangun e fisnikërisë. Pasi përfundoi Festivali, gjatë vizitës në Katedralen Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit, të hënën, kur përmbyllej zyrtarisht qëndrimi në Amerikë, ky dokument ju dhurua arkivit në formë simbolike. Neka Doko, Përgjegjëse e Bibliotekës Memoriale Fan Noli u prezantoi vizitorëve Loris Castriota Skanderbegh dhe Kryebashkiakut të “Horës së Arbëreshëvet” Piana degli Albanesi nga Sicilia, Rosario Petta, koleksionin e botimeve dhe artifakteve për Skënderbeun që i përkasin këtij fondi.

Loris Scanderbegh (shkruar edhe Skanderbegh), me banim në Foggia, i cili e ndjek origjinën në 15 breza të familjes, ka dy vëllezër dhe dy djem, që përbën fakt se “pasardhësit vazhdojnë të ekzistojnë,” thotë ai. Ky është në formë të përmbledhur përshkrimi për historisë e paraardhësve nga Gjoni deri tek familja e tij:

“Me ftesë të Ferdinandit të Aragonës, Mbretit të Mbretërisë së Napolit, Gjoni, djali i Gjergjit, erdhi në Itali me nënën e tij, Donikën. Ai u vendos fillimisht në gadishullin e Garganos, si Zoti i feudeve të Monte Sant’ Angelo dhe San Giovanni Rotondo, që tani janë në provincën e Foggia-s, rajoni Puglia (Pulia). Pas disa vitesh, Gjoni dhe familja e tij shkuan në rajonin e Salentos, në provincën aktuale të Leces. Dhe nga ajo kohë, familja jeton në të njëjtën provincë.”

Midis titujve të fondit të Bibliotekës noliane në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston, Loris Castriota shfletoi albumin antologjik nga Fotaq Andrea “Skënderbeu, Heroi Kombëtar Shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës” (Zenit, 2017) ku përfshihen shkrime nga dyqind autorëve shqiptarë e të huaj dhe rreth 1000 ilustrime të një periudhe gjashtëshekullore 1414 – 2017. Një nga ilustrimet e shekullit 15-të paraqet portretin e riprodhur të Gjergjit, të cilin Loris e ka hasur së pari në një katalog të firmës së ankandeve Sothesby’s, në Londër. Kishte kërkuar aq shumë të gjente origjinalin dhe papritmas u hap mundësia për zbulimin e vendndodhjes së manuskriptit të shumëkërkuar. Meqenëse Neka Doko kishte njohuri të sakta për vendndodhjen e manuskripit, ajo i orientoi dhe ndihmoi të kryenin formalitetet e nevojshme për të hyrë në bibliotekën e Harvardit. Kjo është qendra më e njohur e librave të rralla dhe manuskripteve, e ngritur enkas për ruajtjen e koleksioneve antikuare.

Sot, pasardhësi i Kastriotëve në Harvard pa “fytyrën në miniaturë të Gjergjit” paraardhësit të tij heroik të përmasave legjendare në ilustrimin e paraqitur në manuskriptin De Romanorum magistratibus: 1465, Fenestella, L. (Lucius) 1452. Libri i shkruar në latinisht përshkruan ceremonitë e kohës për akordimin e titujve të fisnikërisë apo kalorësisë. Ndonëse emri i Gjergjit nuk përmendet, portreti i paraqitur në ilustrim është autentik. Meqenëse ka dy portrete të mëdha të kohës së Gjergjit në Firenze dhe një tjetër në Romë, është lehtësisht e dallueshme se është shembyllytra e fytyrës së tij, thotë pasardhësi Loris. Sipas të dhënave preliminare që mësoi në dhomën e bibliotekës sot, mendohet se vepra është kaluar në posedim të Harvardit në ankandin e Sothesby’s të vitit 1961 në Londër. Nisur nga tradita e shekullit XV, kur murgjërit e manastireve i shkruanin/riprodhonin me dorë librat, ka gjasa që kjo kopje t’i jetë dhuruar Gjergjit dhe si akt nderimi e vlerësimi për fisnikun të jetë vizatuar në faqet e fundit një portret i tij,” argumenton Loris. “Skënderbeu nuk ishte vetëm prijës e strateg ushtarak por edhe intelektual i shquar. Një fakt i njohur historik është se ai kishte një bibliotekë shumë të pasur. Kopja e librit të ruajtur në Harvard mund të ketë qenë në koleksionin e tij personal,” thotë Loris ndërsa pret në aeroport që të udhëtojë për Itali.

Për shumë e shumë pyetje të tjera në lidhje me procedurën e posedimit të koleksionit nga biblioteka e Harvardit dhe të tjera sqarime me rëndësi për manuskriptin, ai do të vazhdojë të komunikojë me studiues dhe kërkues që i njohu gjatë këtij kërkimi të shpejtë në qendrën e librave të rrallë në Harvard. “Pashë fytyrën e Gjergjit (dhe jo riprodhim) në atë faqe dhe ky ishte moment prekës për mua,” pohon Loris. Ai erdhi në Uster si trashëgimtar i Gjergj Kastriotit, si ruajtës dhe përcjellës i lidhjes sonë të gjakut por gjeti jehonën e historisë dhe ngrohtësisë familjare si edhe mbase krijoi mundësinë e një zbulimi të ardhshëm me rëndësi kombëtare.

Foto: Granting privilege of the Venetian nobility to Giovanni Castriota, son of Giorgio. The document, dated 25 September 1463, is in the Register of Privileges, second volume, sheet 67 recto, conserved in the State Archives of Venice. (Dokumenti i ruajtur ne arvikat e Shtetit te Venecias sipas te cilit Xhovani Kastriotit, birit te Gjergjit, i jepen privilegjet e fisnikerise veneciane, mban daten 25 shtator 1463, ne regjistrin e privilegjeve, vellimi 2, faqja 67 e protokolluar.)

Foto: De Romanorum magistratibus: 1465, Fenestella, L. (Lucius) 1452, Houghton Reading Room, Harvard Library, Loris Castriota Scanderbeg, gazetar

Filed Under: Komunitet

Nga konferenca shkencore ndërkombëtare mbajtur në Akademinë e Shkencave, kushtuar shkrimtarit dhe studiuesit Jakov Xoxa me rastin e 100-vjetorit e të lindjes

June 8, 2023 by s p

Blerina Suta: Mendimi teorik-letrar i Jakov Xoxës në tekste universitare

Suta: Ideja e veprës letrare si një të tërë unike, të organizuar nga ideja themelore, të organizuar pra nga qëndrimi i vetëm i njëjtë që mban shkrimtari ndaj jetës shoqërore, rreth së cilës grumbullohen mjetet gjuhësore (mjetet konkretizuese të tablove të jetës; mjetet individualizuese të karaktereve; mjetet tipizuese të karaktereve), na çon madje në thelbin aristotelian të së vërtetës artistike si forcë që krijon tensionin e duhur për të siguruar stilin kompakt të saj.

Suta: Teoria dhe kritika e realizmit socialist në shërbim të luftës pa kompromis të klasave që do të instalohet dhe do të vazhdojë në dhjetëvjeçarët e ardhshëm, rezulton cilësisht e ndryshme prej sugjestionit transformues që Jakov Xoxa mundohet t’i veshë funksionit të letërsisë, edhe kur përvetëson për rrafshin e kritikës letrare konceptin romantik të qëndrimit ndaj jetës, atë ëndërr të njeriut, që është e zonja të shtojë energjitë e njeriut në transformimin pozitiv të jetës, në transformimin revolucionar të jetës.

#AShSh

#JakovXoxa

#100vjetori

#konferencëshkencorendërkombëtare

Mendimi teorik-letrar i Jakov Xoxës në tekste universitare

Nga Blerina Suta

Universitá L’Orientale di Napoli

Botimi i manualit teoriko-letrar “Hyrje në shkencën e letërsisë” në Universitetin e Prishtinës në 1970 vjen si e “përshtatur” nga Jakov Xoxa, ribotim i variantit të Universitetit të Tiranës të 1967, me pak ndryshime të natyrës specifike. Ndonëse përgatitësi e paraqet si të ‘përshtatur’ këtë tekst hyrës në shkencën e letërsisë, ilustrimi i koncepteve teorike përmes autorëve të letërsisë shqipe, lejon të nënkuptosh se vepra bart një aks teorik dhe metodologjik, të cilin studiuesi (dhe shkrimtari Xoxa) e sheh në përputhje me konceptin e tij për artin dhe letërsinë.

Duke u ndalur vetëm në këtë variant të 1970 mund të pohojmë se konceptet që vijnë prej tij shënojnë një ngjarje të rëndësishme për specialistët e fushës së studimeve letrare, edhe pse periudha postkomuniste priret t’i anashkalojë fenomenet që i takojnë periudhës diktatoriale pa një analizë në perspektivë historike.

Konceptet më të rëndësishme që bart ky manual janë marrë nga tradita e marksizmit rus, të përfaqësuar nga idetë e Leninit dhe Plehanovit, si dhe nga ajo estetiko-materialiste e shekullit XIX të Gogolit dhe Bjelinskit.

Vija e hollë rreth të cilës mund të sendërtohet një trajtesë e tillë është dinamika e përafrimit të materialeve të përzgjedhura me analizën historiko-dialektike: pohimi për thelbin figurativ të artit, sipas të cilit figurat në art kanë një karakter emocional kryhet në përplotësim të konceptit të “realizmit”, koncept kyç i aksit teoriko-metodologjik të këtij manuali.

“Realizmi” kërkohet jo vetëm si funksion i krijimit artistik sipas frymës së kohës, por dhe i kritikës letrare që transformohet në ndërgjegje të realitetit dhe thuajse bart në mënyrë të gërshetuar apo madje zëvendëson dijet historiko-filozofike apo sociologjike.

Plazmimi i veçorive të artit sipas veçorive të jetës përgjatë gjithë prerjes metodologjike të tekstit, përcjell teorinë njohëse të Leninit për “rëndësinë shoqërore të letërsisë” dhe rrjedhimisht edhe karakterin konfliktual të kësaj teorie që rrjedh prej mitizimit të konceptit historik dhe sponsorizimit të një receptimi pasiv të tekstit letrar.

Por nga ana tjetër, ky manual ka vlerë për qëndrimi kritik sipas të cilit, vlera sociale e letërsisë (pra mendimi, historia që përçohet nga e vërteta artistike) hetohet nëpërmjet koncepteve që i brendashkruhen mjeteve diskursive të realizimit poetik të veprës.

Kështu, autori gjen hapësirën të flasë për natyrën gjuhësore te disa mjeteve specifike të sendërtimit të poetikës “realiste”, si partishmëria, tipikja, karakteri popullor, të cilat në metodën e realizmit socialist do të shihen tërësisht jashtë veprës.

Koncepti i i “partishmërisë” në letërsi që hasim në këtë manual ndërfutet në një rrafsh më të gjerë arsyetimi mbi karakterin ideologjik të artit dhe është larg interpretimit që do bartë koncepti i realizmit socialist për letrarët si ndihmës të partisë në edukimin komunist të njerëzve.

Partia, në konceptin teoriko-metodologjik të zgjedhur prej Xoxës, hetohet në hapësirën që i takon klasës sociale dhe ideologjisë që ajo përfaqëson dhe, në mënyrë specifike, partishmëria, si gjendje shpirtërore e një klase të caktuar, trajtohet si tregues i kalimit të ndërgjegjshëm të shkrimtarit në anën e lëvizjes përparimtare shoqërore.

Ngushtësisht i lidhur me konceptin e realizmit është kategoria e “tipikes”, të cilën Jakov Xoxa e përkufizon sipas manualit të Engelsit si “vërtetësi në dhënien e karaktereve tipike të marra në rrethana tipike”.

Duhet theksuar se, ndryshe prej lakimit të këtij koncepti, në teorinë e realizmit socialist, sipas të cilit “duhen vërejtur shumë njerëz të ngjashëm për të krijuar një tip të caktuar” (Fjalor Termash letrare, 1965), e vërteta dhe figura tipike në manualin e Xoxës përvijohet si shprehje e kompozimit të figurave, thellësisë së gjuhës artistike.

Edhe kur përmend tipiken, si cilësi pasqyruese e kushteve “shoqërore të shumë njerëzve”, autori kujdeset të theksojë natyrën e dyfishtë të së vërtetës artistike: nga njëra anë, shpreh jetën dhe, nga ana tjetër, qëndrimin ideo-emocional të shkrimtarit ndaj jetës.

Kështu, tipikja në këtë manual ndriçohet në optikën e mjeteve të fantazisë krijuese, pra të mundësive formale që e shohin mjetin specifik të letërsisë në hollësitë e të kompozuarit të figurave, dhe hollësitë e gjuhës artistike të veprës, që e pasqyrojnë karakterin siç është, tipik, por dhe të bymuar apo tkurrur.

Koncepti i tipikes si diçka që mund të ndeshet dhe mund të ngjasë, siç shprehet Xoxa duke iu referuar artikullit të Gorkit për “Onjeginin” dhe qartësimi i këtij koncepti për tipiken, si kërkim në faktet e jetësore të asaj çka është e ligjshme jo e rastit, sugjeron një koncept të së “ligjshmes” në rrafshin cilësor dhe logjik të së mundshmes aristoteliane.

Në funksion të “realizmit” proces i gjallë i njohjes (dhe jo abstrakt) përdoren dhe argumente për “karakterin popullor” të artit.

Në përvijimin e karakterit popullor të letërsisë, Xoxa ka zgjedhur ato përcaktime që e përvijojnë si funksion të tiparit formal dhe gjuhësor, falë figurave artistike, të kësaj kohe (të jetës së popullit, të udhëheqësve të tij, të gjuhës së tij, të vendeve, fushave, maleve të bukur shqiptarë, të zakoneve, të veçorive pozitive të masave popullore).

Kontradiktat e thella që vëren Lenini, në profilin letrar të Lev Tolstojit si pasqyrë e revolucionit rus, apo Balzakut që ka demaskuar atë sistem shoqëror, partizan i të cilës qe, shoqërohen gjithsesi nga arsyetimi për vlerën njohëse që bart realizmi i këtyre autorëve, falë gjenialitetit, cilësi që nuk mund të fshehë kurrë të vërtetën e jetës.

Së fundi, dhe ndoshta koncepti më i rëndësishëm që qarkullon në këtë vepër është ai i “formës”. Analizat e traditës materialiste të shekullit XIX, specifikisht të Gogolit dhe Bjelinskit, sjellin në këtë vepër një koncept të karakterit popullor të artit, si shprehje e “formës demokratike” e cila nuk është vetëm gjuha, që të jetë e kuptueshme dhe jo e rëndë, por duhet shikuar si forma në tërë kompleksitetin e saj.

Kompleksiteti, një cilësi e lidhur me teknikën e veprës letrare apo mënyrën e aftë të ndërtimit të saj, fiton tipare akoma më të qarta, kur krahas marrëdhënieve të veprës me botën jashtë saj (sipas konceptit të Leninit që i krahason marrëdhëniet mes komponentëve të veprës me lidhjet universale të jetës vetë – gjuha identifikohet me jetën vetë), propozohen si thelbësore marrëdhëniet brendashkruar veprës, si ai i rrafshit të personazhit (kur përmenden marrëdhënie reciproke të një karakteri me karakteret e tjera), apo ai i rrafshit të veprimit (kur shkrimtari bashkon fenomenet në mes të tyre në të tillë mënyrë që këto gjatë veprimeve të tyre reciproke të plotësojnë njëra tjetrën, të formësojnë njëra tjetrën).

Marrëdhëniet (lidhje të ndryshme komplekse) në vepër e orientojnë domethënien e saj drejt të vërtetës së kuptueshme dhe të përvetësueshme që vjen (ndryshe nga estetika e realizmit socialist) brendashkruar veprës si tërësi stilistike, një ndërtesë e përcaktuar, rezultat i idesë themelore e cila varet nga përmbajtja e veprës, e po kështu nga arti i gjuhës.

Ideja e veprës letrare si një të tërë unike, të organizuar nga ideja themelore, të organizuar pra nga qëndrimi i vetëm i njëjtë që mban shkrimtari ndaj jetës shoqërore, rreth së cilës grumbullohen mjetet gjuhësore (mjetet konkretizuese të tablove të jetës; mjetet individualizuese të karaktereve; mjetet tipizuese të karaktereve), na çon madje në thelbin aristotelian të së vërtetës artistike si forcë që krijon tensionin e duhur për të siguruar stilin kompakt të saj.

Si përfundim, teoria dhe kritika e realizmit socialist në shërbim të luftës pa kompromis të klasave që do të instalohet dhe do të vazhdojë në dhjetëvjeçarët e ardhshëm, rezulton cilësisht e ndryshme prej sugjestionit transformues që Jakov Xoxa mundohet t’i veshë funksionit të letërsisë, edhe kur përvetëson për rrafshin e kritikës letrare konceptin romantik të qëndrimit ndaj jetës, atë ëndërr të njeriut, që është e zonja të shtojë energjitë e njeriut në transformimin pozitiv të jetës, në transformimin revolucionar të jetës.

Zgjedhja ‘autoriale’ e çështjeve bazë të shkencës së letërsisë (që nga veçoritë e artit dhe të letërsisë deri tek ato më specifike që kanë të bëjnë me çështje të gjuhës dhe organizimit figurativ të saj në veprën letrare, me elementet e vjershërimit, të gjinive letrare), kryhet në kuadër të funksionit të ndryshimit revolucionar që letërsia do duhet të përcillte në shoqëri. Konstantja e ndryshimit kërkohet në kufijtë e jashtëm të klimës teoriko-kritike që prodhoi ortodoksia staliniste me modelin e censurës së ashpër të praktikës zhdanoviane të letërsisë, e cila vinte përmasën sociologjike të artit në shërbim të nevojave të partisë.

www.akad.gov.al

Filed Under: Uncategorized

“Kosova, shtet i xhudos”, Kryeministri Kurti: Majlinda, kampione në tatami, kampione në jetë dhe kampione përjetë

June 8, 2023 by s p

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në demonstrimin e xhudos nga Kampionia Olimpike e Xhudos, Majlinda Kelmendi, në sallën sportive “Minatori”, në Mitrovicë.

Në këtë aktivitet i cili zhvillohet në kuadër të programit “Kosova, shteti i xhudos” dhe ka për qëllim promovimin e vlerave dhe sportit të xhudos, kryeministri Albin Kurti shprehu kënaqësinë dhe nderin që në atë mes ishte e pranishme e arta e parë e Kosovës, Majlinda Kelmendi.

Rrugëtimi i Majlindës përgjatë karrierës së saj sportive sipas kryeministrit është shndërruar në simbol të shpresës dhe të përkushtimit në Republikën e Kosovës e anembanë botës, kështu duke u bërë sinonim i inspirimit dhe i suksesit për secilin prej nesh. Me këtë rast, ai konsideroi se virtytet e saj e bëjnë atë një kampione në tatami, kampione në jetë dhe kampione përjetë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri vlerësoi lart edhe kontributin e trajnerit të xhudos Driton Kuka, i cili që nga viti 2009 i ka sjell Kosovës mbi 200 medalje nga arenat ndërkombëtare sportive, 87 të arta, përfshirë edhe 3 medaljet e arta olimpike. Kësisoj, sporti i xhudos dhe Toni, Majlinda, Distria e Nora, janë pjesë e pandashme e historisë tonë kolektive për shtetndërtim, zhvillim e suksese, të cilat shërbyen si motiv që sot të iniciohet programi “Kosova, shtet i xhudos”.

Nën praninë e nxënësve të shkollave të ndryshme mitrovicase, kryeministri Kurti njoftoi këta ta fundit se me vitin e ri shkollor, do të fillojë integrimi i xhudos në orët mësimore, me ç’rast nxënësit do të fillojnë të ushtrojnë sportin e xhudos nëpër shkollat e tyre. Bindshëm ky vendim do të mundësoj që në secilën shkollë të identifikohen shumë talente të cilëve do të ju ofrohet mundësia të ndjekin rrugën e Majlindës drejt sukseseve kulminante.

Në fund, kryeministri përcolli falënderimet e tij për të artën Majlindë, zëvendësministren e Kulturës, Rinisë e Sportit, Daulina Osmani, nënkryetarin e komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri dhe për të gjithë të pranishmit.

Filed Under: Sport

KOSOVA NDERON ISMAIL KADARENË ME URDHRIN “HASAN PRISHTINA”

June 8, 2023 by s p

Vjosa Osmani/

“Mbledhja jonë në këtë sallë nga shqiptarë të të gjitha zonave të Ballkanit tregon këtë triumf të gjatë shekullor të kombit shqiptar. Nga një triumf i tillë asnjë komb nuk heqë dorë. Ky është një triumf për veten e vetë, për lirinë e vetë, për gëzimin e vetë, për të ardhmen e vetë. Me një fjalë është një triumf për atë që quhet qytetërim njerëzor universal i kësaj bote ku jetojmë.”

Me këto fjalë, shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, pranoi sot Urdhrin ‘Hasan Prishtina’, të cilin pata nderin t’ia ndajë në emër të popullit të Kosovës. Ky Urdhër i është ndarë për mjeshtërinë e jashtëzakonshme në artin e fjalës, shprehur gjithandej veprave të tij, për përkushtimin me të cilin e ka mbrojtur të drejtën e Kosovës, si dhe për vlerat letrare e intelektuale me të cilat është paraqitur nëpër botë dhe me të cilat e ka lartësuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT