• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2023

Humanizmi dhe vlerat e tij nuk vdesin kurrë…!

June 5, 2023 by s p

nga Jozef Radi/

Fjala e mbajtur te Vatra mbi librat “Pertej Harrimit” dhe “William Shakespeare”

Të nderuar miq,

Së pari ju falenderoj të gjithëve për kët pjesmarrje të përzgjedhur dhe cilësore me të cilën ju na keni nderuar në përkujtimin e figurës së Abdulla Ramit.

Shpesh, Shqipëria jonë e vogël ka prodhuar figura dhe ngjarje më të mëdha se fuqia e saj, e një prej këtyre njerëzve që më ka habitur e mahnitur, në kushtet e heshtjes së plotë, ka qenë edhe figura e Abdulla Ramit. Para shtatë vitesh, unë po edhe pjesa dërrmuese e shqiptarëve, nuk kishim asnjë koncept sado të vakët se kush ishte Abdullah Rami! Dmth e gjithë vepra dhe kontributet e këtij njeriu ishin shuar, ishin harruar, ishin shkelur, ishin dhunuar dhe si ata çelësat e fatit ishte hedhur në mes të detit, për mos t’u gjetur kurrë më. Pra, e gjithë vepra dhe kontributi intelektual i Abdulla Ramit ishin ai çelësi i hedhur në detë. dhe ky çelës do të vazhdonte të ishte në fund të detit, sikur një mbesë e tij, ajo që ai e kishte pagëzuar me emrin në ditën e lindjes, me një kurajo të jashtzakonshme dhe me një përkushtim të rrallë në historinë e kërkimeve mbi jetën e paraardhësve, ka vendosur që t’i shkojë deri në fund kërkimit të gjurmëve të gjyshit të vet… dhe kështu ajo fillon të grumbullojë materiale dhe histori të rrëfyera përgjat një periudhe katër vjeçare për të parë se cili është vërtet gjyshi i saj, cili është formati i këtij njeriu që ajo e njihte kryesisht prej të thënave të nënës së saj… Pra, një vajzë hyn thellë detit të harrimit për të gjetur të vërtetën e gjyshit të saj, për të cilin nuk i flet askush, veç nënës së saj…

Ajo që të trondit dhe më pas kapërcen përmasat e çdo përfytyrimi është se hap pas hapi ajo zbulon mjaft gjëra që e trondisin së thelli, dhe jo vetëm e shtyjnë të jetë kokforte për t’i shkuar deri në fund qëllimit të saj, ku ajo jo vetëm do të gjejë se kush ishte vërtet gjyshi i saj, por edhe të heqë e të pastrojë me kujdes gjithë baltën dhe pluhurin që është hedhur mbi gjyshin e saj… edhe të nisë të ngrejë edhe monumentin e një njeriu që bota kishte vendosur ta harronte.

Pikërisht në këtë çast do të takohesha me figurën e Abdulla Ramit dhe ky ishte kulmi magjik ku zonja Xhomaqi Godo do të më ofronte dashamirësisht edhe çelësat për t’u futur në të vërtetën e gjyshit të saj tashmë të humbur, por jo të shlyer si mendonin kundërshtarët e tij…

Për t’i hedhur një sy punës së saj disavjeçare më duhej tashmë të shfletoja krejt një vepër… Prej asaj dite, me zonjën Xhomaqi-Godo kemi një lidhje, e cila vazhdon edhe sot e me siguri do të vazhdojë edhe më tej e më gjatë.

Jam mahnitur me punën e zonjës Godo, e cila ka kryer atë cikël që quhet Ringjallja e Njeriut. Ermira Xhomaqi Godo, e ringjalli gjyshin e saj: Abdulla Ramin. Një akt që të prek në shpirt, sepse siç e theksoi edhe zoti Rexha, që bëri një itinerar relativisht të plotë të rrugëtimit të jetës dhe veprës së këtij Njeriu, është rrugtimi i një intelektuali të kompletuar, që e do thellësisht vendin e vet dhe pranon gjithçka që mund t’i jepet si ndëshkim nga pushteti, vetëm në emër të dashurisë për vendin e vet.

Abdulla Rami është pjesë e një bashkësie të madhe intelektualësh që u shkolluan jashtë Shqipërisë, në universitetet më të mira të Europës, në vitet ’30. Ata erdhën në Shqipëri si idealistë, për t’i dhënë dorën vendit të tyre që të ishte pjesë e Europës. Pikërisht kjo shtresë, kjo klasë intelektuale, që do ta kishte lakmi çdo vend i botës, pëson njëherit dramën edhe tragjedinë më të madhe në histori dhe e vërteta e saj ende s’është as e thënë as e shkruar si duhet, e në këtë botë ka pak njerëz si Ermira Xhomaqi, që u shkojnë deri në fund çeshtjeve të mëdha si kjo e së vërtetës së intelektualit Abdulla Rami…

Këtu përballë jush, janë sot dy libra, ku është puna këmbëngulëse një mbese për të mbrritur tek e vërteta e gjyshit të saj, e shtrirë në gjashtë vite. Kjo është një përpjekje titanike, për të mos lënë që gjyshi i saj të harrohet!

Ajo çka është më interesantja e këtij rrugëtimi të saj ëshët se Diktatori dhe Intelektuali si kurban i tij, janë për çudi edhe prej një zone, edhe shokë të dikurshëm të Liceut të Korçës, edhe të një Universiteti si ai i Monpeljesë në Francë, pra me të njëjtën mundësi për t’i shërbyer vendit të tyre. Diktatori zgjedh një jetë aventureske, i regjistruar në Universitetin e Monpeljesë, ku nuk figuron asnjë provim i dhënë prej tij, edhe pse regjistrimi vazhdon të jetë i përvitshëm, edhe pagesa e bursës që bën shteti shqiptar në adresë të tij është e plotë, derisa një ditë, ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj, në vitin 1934, ia ndërpret bursën, shpërblimin e padenjë ndaj një studenti që nuk e donte shkollën, e çka vite më vonë atij do t’i kushtonte jo vetëm burgun po edhe vdekjen.

E ndërsa Abdulla Rami vazhdon studimet edhe me energjitë e veta mbaron universitetin. Kemi kështu një përballje disi të çuditshme, mes njeriut që i shërben atdheut, e që shkollohet ashtu si duhet dhe shkon të kryejë me devotshmëri shërbimin ndaj atdheut… dhe Diktatorit që nuk jep asnjë provim dhe dikush e përzgjedh që ai të ngjitet në majën më të lartë të piramidës së shtetit shqiptar… i cili ndëshkimin më të parë ua bën pikërisht atyre shokëve të vet të dikurshëm, njerëzve skrupolozë në studime, dy figurave që do të shfaqen dinjitetshëm në jurisprudencën shqiptare: Abdulla Ramit dhe Abaz Omarit, (të cilin diktatori e kishte edhe të afërm), që i gropos edhe vendos t’i zhdukë përfundimisht edhe pse s’i kanë bërë asnjë të keqe kujt, thjesht pse përballë tij ata kanë dëshmuar vlerat e tyre… Këto dy figura dhe ajo e diktatorit krijojnë edhe imazhin e një kohe që po vinte: Shqipëria ka vendosur të nderojë injorantët dhe injorancën, njerëz që s’kanë energji për të përfunduar një shkollë apo studimet e t’i shërbejnë atdheut të tyre dhe të mos vlerësojnë e nderojnë njeriun që i përkushtohet studimeve edhe atdheut, një taksë që populli shqiptar vazhdon t’ua paguajë prej 80 vitesh udhëheqësve të tij… dhe taksë relativisht e rëndë.

Dëshiroj të them edhe pak fjalë edhe për veprën e Hugoit mbi “William Shakespeare” që e theksuan edhe zotërinjtë Paja dhe Rexha, por unë desha të nënvizoj edhe një fakt: Hygonë e përzënë nga Parisi dhe ai detyrohet të jetojë në ezil, i izoluar në një ishull të Anglisë, së bashku me familjen, ku çdo mëngjes ai do të shihte Lindjen e Diellit, si një nga kënaqësitë e rralla të tij.

Kjo vepër vjen si rezultat e një kërkese që i biri i Hugoit, Fransua, i kërkon të atit që t’i shkruajë parathënin e përkthimit të disa veprave të Shekspirit prej tij… kështu Hugoi merr përsipër ta shkruajë atë parathënie, e cila zgjati disa kohë dhe u shfaq si libër më vete dhe jo thjesht si parathënie, kështu erdhi edhe kjo kryevepër e Hygoit e lidhur me Shekspirin, pra një Gjeni që shkruan n’emër të një tjetër Gjeniu… Por ajo që i jep aureolën ardhjes në shqip së kësaj vepre, është diçka tjetër… Në shqip kanë kontribuar shumë përkthyes të njohur për veprën e Hugoit, por veprën e tij “William Shakespeare” askush s’ka pasur guxim ta prekë me dorë… sepse në shqip ajo do të kishte një histori tejet të veçantë.

Kët vepër mbi Shekspirin e merr përsipër një i burgosur politik, i cili mbas 20 vitesh në burgun e Burrelit, do ta sjellë në shqip Shekspirin e Hugoit!

Abdulla Rami, tashmë i interrnuar në Gosë të Kavajës, n’atë të përditshëm e tij të rëndomtë prej bujku, për të mos e lëshuar vlerën e tij intelektuale, të zhytesh në humnerën ku kishte hedhur regjimi do të merrte krahas copës se bukës, nji kokrre qepë, kavanozit të kosit, një cope lapsi, edhe Shekspirin e Hygoit si pjesë e pandashme e së përditshmes së tij… një e përditshme këmbëngulëse ku ai përkthen duke na lënë një sasi të madhe dorëshkrimesh të kësaj vepre, ku krahas asaj çka shkruhet në vepër, ai lë edhe gjurma të jetës e të shqetësimeve të veta, gjurma të gjendjeve të tij emocionale dhe kjo në prag të vdekjes së tij…

Rami vdiq herët! Ai nuk jetoj dot më shumë se dhjetë vite mbas daljes së tij nga burgu, por më e rëndësishmja e tij mbetet vepra e Hugoit, të cilën zonja Xhomaqi Godo, mbasi kreu së pari veprën “Përtej Harrimit” mori përsipër ta kthejë edhe këtë vepër në lartësitë e Hugoit dhe Shekspirit po edhe në lartësitë e figurës së Ramit, ku ajo zgjedh të bëhet ndërmjetëse e një brezi të ikur në padrejtësi të pësuara dhe një brez të mëvonë, duke na dëshmuar se humanizmi dhe vlerat e tij nuk vdesin kurrë sepse, si Hygoi, si Shekspiri, si Rami po edhe vetë zonja Godo, janë përfaqësues të humanizmit, dhe se humanizmi është boshti në të cilin vërtitet bota dhe ditën që bota të mos vërtitet rreth humanizmit ne jemi të marrë fund! Ideja që Shekspiri dhe Hugoi kanë pasë edhe ata problemet e tyre me shtetet përkatëse, dhe se Rami ka pasur probleme edhe më të thella brenda shtetit shqiptar të diktaturës, bëhen një trinom që i lidh sëbashku këto tri figura, dhe se të tre vijnë nga kushtet e ashpra të ndëshkimeve të vlerave të intelektualëve dhe dy të parët i përkasin gjenive të njerëzimit, kurse Rami një ndjekës e përhapës i rrugës së tyre.

E quaj paksa të tepërt që unë të vazhdoj e të them gjera mjaft interesante që kam marrë prej këtyre veprave, por ndjehem falenderues për këtë ftesë edhe këtë prezantim të këtij trinomi në një tempull të hershëm të intelektualizmit siç është Vatra, në themele të së cilës janë Konica e Noli dhe aty të nderohet një figurë si ajo e Abdulla Ramit, e cila lidhet me figura si ajo e Hugoit dhe Shekspirtit.

E konsideroj se është niveli më i lartë, që Vatra duhet ta ketë gjithnjë në konsideratë, me shembuj të këtij niveli për ta pasur at lartësinë e historisë së saj të famëshme… Falenderoj zonjën Xhomaqi-Godo, për gjithë punën e saj po edhe për gjithë sakrificat e saj të jashtëzakonshme në ringjalljen e një intelektuali të rrallë si Abdulla Rami, që fati e desh të ishte edhe gjyshi i saj. Ajo sot nuk ka realizuar vetëm një amanet të pashkruar, po ka realizuar edhe një pjesë të vetes së saj si intelektuale, si Njeri pse jo edhe si shkrimtare….

Ju falenderoj për durimin në ndjekje të fjalës sime…

Fjalë e mbajtur në 27 maj 2023, në Vatër në prani të një auditori tejet të veçantë e të përzgjedhur…

Filed Under: Komente Tagged With: Jozef Radi

Shoqata “Iliria” në Saint Louis organizoi festën e abetares dhe mbylljen e vitit shkollor

June 5, 2023 by s p

Besian Gjika/

Ditën e shtunë, në datë 3 qershor 2023, në zyrën e shoqatës Iliria në Saint Louis u zhvillua festa e abetares dhe mbyllja e vitit shkollor. Kjo festë është shumë e rëndësishme për fëmijët dhe vetëvetiu përmban emocion. Ishte shumë e lehtë ta dalloje atë tek secili prej tyre teksa pëshpërisnin si zogj të vegjël vjershat të cilat u kishte shpërndarë mësuesja për t’i mësuar.

Aktiviteti u drejtua me shumë elegancë e thjeshtësi nga anëtarja e shoqstës znj. Nexhi Sula. Për të pranishmit në fillim u luajt e këndua himni kombëtar shqiptar dhe pas tij fjalën e parë për të pranishmit e mbajti kryetari i shoqatës, z. Besian Gjika. Pasi bëri një përmbledhje të përgjithshme të mbarëvatjes së shkollës shqipe dhe projekteve të shoqatës në këto dy vite që prej fillimit të saj në gusht të vitit 2021, theksoi rëndësinë dhe seriozitetin që duhet të kenë të gjitha angazhimet që kanë të bëjnë me fëmijët. Pas hapjes së shkollës dhe krijimit të ekipeve sportive, bordi drejtues do të fokusohet të realizojë brenda këtij viti krijimin e një bibloteke me libra të ndryshëm mësimor dhe letrar duke u dhënë më tepër mundësi nxënësve të ekspozohen me leximin në gjuhën shqipe. Në fund të fjalës së tij falenderoi të katër trajnerët e futbollit që janë angazhuar me fëmijët që prej vitit të kaluar dhe në veçanti mësuesen e shkollës shqipe znjsh. Rafaela Hajdini e cila e vetme arriti këtë vit shkollor të përgatiste programin për klasën e parë dhe të dytë, sëbashku me mësimdhënien. Më tej fjalën e mori nënkryetari z. Xhevat Dullovi njëkohësisht edhe prind i një nxënëse. Ai bëri një rezyme të punës gjatë këtyre dy viteve ku ndër të tjera, theksoi edhe përfitimin që marrin të gjithë fëmijët nga mësimi i gjuhës shqipe në shkollë duke u bazuar në shëmbuj konkretë. Duke qenë vetë nga Kosova, ai tregoi edhe peripecitë e kaluara në mësimin e shqipes në kohën kur Kosova ishte nën sundimin serb dhe fjalë inkurajuese për të gjithë prindërit që të mbështesin këtë nismë sa të çmuar dhe po aq të rëndësishme për brezat në vazhdim. Një fjalë falenderuese dhe përshëndetëse për prindërit dhe të ftuarit beri në fund edhe mësuese Rafaela. Fjala saj u prit me shumë ngrohtësi dhe respekt nga të pranishmit duke marrë duartrokitje të shumta.

Aktiviteti vazhdoi me recitimet e nxënësve të përgatitura me shumë kujdes nga mësuesja. Në fillim u bënë recitime në grup dhe më pas në mënyrë individuale duke përfshirë të gjithë gërmat e alfabetit. Emocionet e recitimit ndiheshin në fillim tek nxënësit por me kalimin e kohës treguan siguri dhe pas përfundimit të programit në fytyrat e tyre të çiltërta dallohej qartësisht gëzimi.

Për nxënësit Pastiçeria Bello kishte përgatitur një tortë speciale me gërmat e alfabeti sëbashku me embëlsira të tjera e pije freskuese ndaj gjejmë rastin ta falenderojmë nga zemra pronarin e saj z. Arben Bello për të gjitha dhuratat që bën sa herë shoqata ka aktivitete.

Në fund bordi drejtues falenderon me shumë konsideratë të gjithë prindërit që i sjellin fëmijët në shkollë dhe mbështesin kauzat kombëtare sëbashku me të gjithë dhuruesit bashkëpatrotë prej të cilëve bëhet e mundur edhe funksionimi i shoqatës dhe programeve të tjera.

Filed Under: Kronike Tagged With: Besian Gjika

Mijëra shqiptarë morën pjesë në ditën e trashëgimisë shqiptare në Westchester

June 5, 2023 by s p

Nga Beqir Sina/

Në “Kensico Dam Plaza”, Qendra “Nënë Tereza” e Famullisë “Zoja e Shkodrës” dhe zyra e Parqeve të Qarkut Westchester organizuan festivalin në nder të trashëgimisë kulturore shqiptare në Amerikë.

Ky festival vjetor si për çdo vjet mbahet nën kujdesin e veçantë të Dom Pjeter Popaj famullitarit të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, ndërkohë që festivali i trashëgimisë shqiptare shfaqet si një pasuri dhe identitet i pastër kombëtar shqiptar, traditë e moçme shqiptare, kulturë, muzikë, këngë e valle shqiptare të gërshetuara me sport si garat në futboll, volejboll, shah e lojëra të tjera, kuzhinë shqiptare me një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe.

Dita e Trashëgimisë Shqiptare, u mbajt të dielën 4 qershor nga mesdreka (ora 11:00) deri në orën e e para të mbrëmjes (ora 19:00) në parkun argëtues “Kensico Dam Plaza” në Valhalla konteja e Westchester – New York.

Aktiviteti vjetor mbahet në kuadër të festivaleve komunitare, të kontesë Westchester “Ditës të Trashëgimisë Kulturore”, ku bënë pjesë edhe trashëgimia kulturore shqiptare në Amerikë.

E diela e parë e qershorit në parkun rekreativ “Kensico Dam Plaza” në Valhalla konteja e Westchester – New York, është një ditë për komunitetin shqiptar të kujtojë trashëgiminë kombëtare shqiptare, ku të gjitha vlerat e saj materiale dhe shpirtërore bëhen një së bashku për t’ua përcjellë brezave si dëshmi të identitetit tonë kulturor në diasporë.

Famullitari Dom Pjetër Popaj në fjalën e rastin vlerësoi “Ditën e Trashëgimisë Shqiptare” në New York, për traditën që ruan, për vlerat që trashëgon dhe mbi të gjitha për kënaqësitë dhe krenarinë që i fal çdo të pranishmi : ”Dita e trashëgimisë shqiptare, tha ai është kthyer në një festival mbarëkombëtar shqiptar që ruan dhe përjetëson kulturën shqiptare në Amerikë”.

Duke shprehur një kënaqësi të jashtëzakonshme, ai tha se “Ky festival jo vetëm për ne që e dimë se çfarë është tradita shqiptare, por edhe për të huajt që vijnë për të vizituar, janë të gjithë të impresionuar për një ditë kaq të madhe që ja dedikojmë “Ditës së Trashëgimisë Shqiptare, ditës tonë. Ditë në të cilën ne nderojmë të gjithë personat që e kanë organizuar këtë ditë të madhe, në krye me zotin Fran Çotaj e të gjithë ata që kanë ndihmuar në sistemin e parkut. Përfshirë, autoritetet lokale të Westchester County, dhe parqeve të cilët janë të pranishëm të na urojnë në këtë ditë”.

Dom Pjeter Popaj, u shpreh :”Të gjithë e shohin komunitetin shqiptar, si një popull që e do Zotin në qiell, dhe kombin shqiptar mbi tokë. Dhëntë Zoti që dita e traditës shqiptare të jetë e gjallë në mendjen e zëmrat e popullit tonë, Ta falenderojmë Zotin për këtë ditë të madhe dhe të jemi krenar që jemi Shqiptar.”

Më tej ai tha se “Për të hyrë në historinë e popullit shqiptar, është një nga popujt më të lasht të Europës, megjithëse ka vuajtur nga sundimi i të huajve në shekuj. Por pa marrë parasysh se çfarë vështirësish se çfarë okupimesh, populli shqiptar prapë e ka ruajtur kulturën traditën dhe identitetin tonë kombëtar, sikurse shqiptar.”

Duke folur për asimilimin e egër në Diasporë, dhe ruajtjen e kultivimin e kulturës e traditës shqiptare, famullitari Dom Pjetër Popaj, tha se: “Edhe këtu në Amerikë, megjithëse, i kemi të gjitha të mirat, kemi edhe një “sulm- një luftë” atë që mundet të jetë , është asimilimi. Por, prapëseprapë shqiptari nuk e harron rranxën e vet , nuk e harron trungun e vet dhe indetitetin e vet. Dhashtë Zoti! sikurse na, për çdo vjet me e mbajt gjallë këtë kulturë dhe këtë traditë , ta përcjellim te gjeneratat e reja që vijnë pas nesh të bëjnë të njëjtën gjë”.

Në fund ai solli edhe bekimin e “Tokës së Shenjët” për Shqiptarët: “Sot sapo kam ardhë nga “Toka e Shenjtë” me atë hir dhe bekim që merr çdo shtegtar që udhëton atje – Me atë vijmë dhe ju përshëndesim : Zoti u Bekoft! Gëzuar Dita e Traditës tonë Shqiptare”

Në këtë aktivitet morën pjesë mijëra shqiptarë nga Nju Jorku dhe Zona Tri-Shtetëshit, shqiptar të të gjitha moshave me familjet dhe miqtë e tyre, në këtë festival të madh, të festojnë kulturën tonë shqiptare.

Mark Gjonaj dhe personalitetet e njohura të komunitetit e vlerësuan këtë aktivitet si për nga pjesëmarrja, por edhe mesazhet që përcjell për shqiptarët në mbarë trevat shqipfolëse.

Ky festival kulturor si e quajnë amerikanët, është padyshim edhe një nga aktivitet më masive të komunitetit shqiptar, në cilin përfshihet kuzhina tradicionale shqiptare, pijet alkoolike(verë dhe raki) nga vendlindja, koncerte më këngë e kërcim popullor nga Shqipëria, Kosova, dhe trojet shqiptare, dhe një sërë aktivitetesh sportive (futboll, volejboll, shah, çiklizëm, vrapim etj).

Drejtuesi kryesor i veprimtarisë artistike dhe kulturore është Fran Çotaj bashkë me koreografe Agjelina Nika “Mjeshtër i Madh” udhëheqëse artistike e Grupit Rozafati.

Festivali “Dita e Trashëgimisë Shqiptare” në Kensico Dam Plaza , këtë vit u shoqërua me performancën live nga këngëtarja e njohur Liria Dedvukaj, dhe Valdet Luka, në orkestrimin muzikor të DJ Edi, ndërsa fëmijët performuan me kostumet e bukura folklorike kërcime tradicionale shqiptare nga të gjitha trevat.

Ky festival kulturor për më shumë se shtatë orë shfaqi në natyrën e bukur të këtij parku gjatë gjithë ditës në skenën e madhe të parkut dhe sheshin para digës, këngë e vallëzime nga grupi “Rozafati” me koreografe “Mjeshtren e Madhe” Angelina Nika, nga Qendra Kulturore “Nëna Tereze” e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”. Në, ndërkohë, që në sheshin e parkingut, ambulantët ishin ata që tregtojnë vepra arti, orendi zbukurimi, veshje popullore, bluza me stampime shqiponjën me dy krena, simbole kombëtare me ngjyrat kuq e zi, dhe shërbejnë me artikuj të kinkalerisë, aksesor me simbolet kombëtare, si dhe qebabtoret me ushqime etnike të çastit.

Ky i ashtuquajtur festival përfshinë gjithashtu, në fushat e gjelbërta kënde me lojra nga më të dashurat për fëmijë, lojra me balona, dhe pikturë të fytyrës e krahëve me shqiponja dhe flamurin kuq e zi.

Të gjitha ambientet e parkut dhe për rreth fushës së gjelbërt në Kensico Dam Plaza në Valhalla, si gjithmonë janë në dispozicion për të pranishmit.

Drejtori Ekzekutivi i kontesë Westchester George Latimer ka thënë: “Komuniteti shqiptar si një komunitet, kontesë Westchester County, me këto aktivitete kulturore, sportive dhe argëtuese po përpiqet të nxisë diversitetin, barazinë dhe përfshirjen sa më shumë në jetën tonë komunitare. Ku shqiptarët i kushtojnë një vlerë të madhe familjeve dhe trashëgimisë së tyre etnike, nga vendorigjina e tyre. Shqiptarët vijnë për çdo vit të kalojnë kohë të bukur me të dashurit e tyre dhe të mësojnë fëmijët e tyre, të lindur në Amerikë për kulturën e traditën e bukur shqiptare.”

Komisionerja e Parqeve të Qarkut Westchester, Kathy O’Connor, thotë :”Kensico Dam Plaza është mjedisi i përsosur që kultura e Shqiptarëve në Amerikë, të gjallërohet përmes lojës së futbollit, volejbollit, muzikës, kërcimit dhe aktiviteteve kulturore për të të gjitha moshave.”

Festivali Dita e Trashëgimisë Shqiptare në Kensico Dam Plaza – Westchester, mbahet çdo javë të parë të qershorit, organizuar nga Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”, në kujdesin e famulllisë, famullitarit Dom Pjetër Popaj.

(Photo credit Mark Shkreli)

Filed Under: Kulture Tagged With: Beqir Sina

Ismail Qemal Vlora ngriti Flamurin Kombëtar në mes të Staten Island, Nju Jork

June 5, 2023 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në një të shtunë të bukur dhe historike në ishullin e Staten Island, New York, u mblodhën shqiptarët në ceremoninë zyrtare dhe festive në pagezimin e një rruge me emrin e burrështetasit të madh Ismail Qemalit. Ati i Pavarësisë së shtetit shqiptar u përjetësua në një rrugë në Sea View e cila pritet me “Father Capoddano” Bulevard.

Ndërsa shihja nga skena oqeanin, dallgët e tij dukej sikur sillnin këngën labe aq të njohur si: Cili je ti more burrë që na vjen nga Shqipëria/ Une jam Ismail Qemali/ mbrapa më vjen historia.

Të vish si Diasporë gjer në këtë ditë historike më duhet të pohoj si anëtare e grupit organizativ se nuk ka qenë aq e lehtë sa duket për nismëtarët atdhetarë si z. Naser Nika dhe

Dr. Bari Ceka, doktori i 27 mijë pacientëve, Këshilltarin e Bashkisë së Nju Jorkut David Carr. Ata bashkë me grupin organizativ ia arritën qëllimit, sepse emëruesi i përbashkët tek të gjithë shqiptarët dhe bij shqiptarësh është dashuria për Atdhe e për Flamur! Kur dëgjova se Ismail Qemal Vlora do të vendosej pranë Father Capoddano” Bulevard këu në Amerikë u magjepsa dhe lotova: sepse historitë për Atdheun janë si dy pika uji kudo në botë. Prifti At Capoddano u vra në një fushë beteje në Vietnam duke mbrojtur marinsat e Shteteve të Bashkuara. Në betejë dhe nën zjarr, u jepte kurajo nën stres të madh dhe në fund e vranë dhe vdiq me ta. Të dy burrat e mëdhenj At Capodanno me origjinë Italian dhe Ismail Bej Vlora vdiqën për trojet e tyre!

Programi artistik me përgatitje dhe udhëheqës nga z. Qemal Zylo u moderua plot profesionalizëm, kulturë, elekuencë në shqip dhe në anglisht nga zonja simpatike, gazetarja e njohur Kozeta Turishta dhe artisti plot të ardhme Bledar Maqellara.

Ceremoninë dhe këtë ditë historike e bekoi Imam Tahir Kukaj i cili është zgjedhur si përfaqësuesi kryesor i detyrave islame në policinë e Nju Jorkut ose siç njihet ndryshe NYPD Muslim Chaplin.

Përshëndetën Kryegjyshi Botëror i sektit të Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Dy Hymnet Kombëtare: Amerikan dhe Shqiptar u interpretuan në shqip nga sopranoja e shquar Dëshira Ahmeti Kerliu që ka debutuar me koncerte në skena të ndryshme të botës dhe drejtuese e programit artistik për Alba Life. Hymni Amerikan u interpretua nga Dea Kërliu nxënëse në La Guardia një nga shkollat më të njohura në botë për art dhe muzikë. Hymnet u shoqëruan me parakalimin e punonjësve te polisicë së NY-ut, American Albanian Law Enforcement Association, me president z. Elton Shametaj.

Në fillim përshëndeten nismëtarët si z. Naser Nika dhe Dr. Bari Ceka, Këta dy zotërinj bënë të mundur që kësaj rruge në Staten Island, New York t’i vendoset emri: ISMAIL QEMALI.

I ftuar i nderit ishte Nipi i Ismail Qemalit që kishte ardhur nga larg Qamil Vlora i cili u mirëprit me plot emocion nga pjesëmarrësit.

Pjesëmarrësit i përshëndetën gjithashtu Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Washington Floreta Faber, Z. David Carr këshilltari i shtetit të Nju Jorkut i cili bëri të mundur ligjerisht t’i vendoset emri kësaj rruge, Kryetari i Bashkisë së Prishtinës arkitekt Përparim Rama, Vito Fosella President i Staten Island.

Në emër të Vatrës përshëndeti Z. Elmi Berisha Kryetari i Federatës PanShqiptare Vatra, organizates më të Vjetër shqiptare dhe më jetë gjatë.

Z. Dritan Matraku, kryetari i Shoqatës Bijtë e Shqipes përshëndeti në emër të saj.

Diskutante të tjerë ishin Kozeta Zylo, Dr. Paulin Marku.

Z. David Carr iu dha mirënjohje kryetarëve të Komunave Malishevë e Skënderaj, Ekrem Kastrati e Fadil Nura. Njëkohësisht u vlerësuan si Dr. Bahri Ceka, Përparim Rama, Shpetim Qorraj, Hekuran Duka, Faik Nika, Kastriot Blakaj, Dash Miftari, Agim Kotaj, Ruki Hajdari e shumë të tjerë.

Ndër personalitetet e shquara ishin Xhim Xhema, kryetar shoqatash, aktivistë të shumtë, media si gazeta Dielli me editor Sokol Paja, Botuesi i gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami së bashku me bashkëshorten e tij menageren e gazetës zonjën e nderuar Gena Bajrami.

Politikanë të shumtë morën pjesë dhe përshëndetën si: Kongresistja Nicole Malliotakis, Prokurori i Qarkut të Richmond County z.Michael E. McMahon, znj.Kamilla Hanks, Sam Pirozzolo etj.

Vito Fosella Presidenti i Staten Island vendosi partneritet mes Staten Island dhe Komunës së Prishtinës. Zoti Fosella nderoi z. Përparim Rama me Proklamatë vlerësimi.

Përshëndetje e veçantë erdhi nga kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti.

Aktorët e mirënjohur shqiptare si Shaban Lajqi, Tom Gjergji, Agim Rugova, interpretuan “Shpallja e Pavarësisë”, në nderim të figurës së ndritur të Kombit Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi.

Të pranishmit u argëtuan me një program të pasur të nxënësve të Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit si me këngën “Do të rrojë Shqipëria dhe me, Vallja e Tropojes, Vallja e Tiranës, Vallja e Bariut përgatitur nga mësueset e shkollës, nxënës të talentuar dhe stafi si: znj. Elona Shkreta, Entela Muda, Anxhela Alushaj, Fatlinda Gashi, Gela Bulku, Mehrije Shala, Kade Lajqi, Edona Gjidija, Erlinda Shala dhe Kaltrina Gecaj.

Me duartrokitje u mirëpritën Ansambli Autokton Rugova.

Zbulimi i emrit të rrugës Ismail Qemali ishte momenti i shumëpritur nga të gjithë dhe me emocion të papërshkrueshëm shihnim të shkruar emrin e Atit të Pavarësisë ISMAIL QEMALI.

Të pranishmit u argëtuan me artistët shqiptarë si: Entela Ilirjani e cila përshëndeti dhe në emër të superyllit shqiptar Ylli Baka. Artistët interpretuan plot pasion dhe dashuri këngë nga trevat shqiptare. Ata ishin: Valbona Peraj, Agim Gërbeshi, Entela Ilirjani, Ilsi Ademi, Arbërije Hadërgjonaj, Agron Maqellara, Valdet Luka, Dëshira dhe Arian Kërliu, Besim Murriqi, Flamuri Bicaku, Rati, Hejdi Mehmeti, Greta Tafa, Sead Asllani, Evelina Shabani, nën shoqërimin e

DJ Fati Doda.

Ne u gëzuam së bashku dhe kaluam një ditë të paharruar si motra dhe vëllezër shqiptarë, këtu ku na kanë hedhur fatet në emigracion dhe që na lidh të gjithëve së bashku Kombi dhe Gjuha Shqipe, “Ashti i Kombit”. Na mblodhi në këtë folezë të argjendtë shqiptare Ismail Qemal VLORA Ati i Pavarësisë së Kombit Shqiptar.

Duke pare emrin e rrugës “Ismail Bej Vlorës” s’mund të më hiqeshin nga mendja fjalimi i Atit të Pavarësisë në Ditën e Shpalljes së saj në Vlorë si dhe vargjet e popullit për Vlorën aty ku u ngrit Flamuri si: “Vlorën edhe Vlorën thelp e kam në zemër/ Ditën e kam Dritë, natën e kam Ëndërr.

Zoti e bekofte Amerikën që na jep mundësi të pashoqe dhe të krenohemi për shtepinë tonë të dytë!

Ta gëzojmë Rrugën “Ismail Qemali” në Amerikë!

Ceremonia u filmua nga TV “Alba Life” themeluar nga Qemal Zylo me bashkëpunëtorët gzetarin e njohur Valon Gërbeshi, Valon Dervishi dhe u morën intervista nga zonjusha simpatike Kendra Duli që do të transmetohen së shpejti në kanalet televizive.

3 Qershor, 2023

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kozeta Zylo

Refleksion mbi metodën e edukimit

June 5, 2023 by s p

Ndriçim Kulla/

Në shumicën dërmuese të mandateve, klasa drejtuese e nxitur nga vetë struktura e qenësishme e prirjeve të saj më favorizuese, parapëlqen një model edukativ të orientuar kah rezultateve ekonomike të arritura brenda një periudhe afatshkurtër. Aspirata për të kthyer në sokratike shkollat fillore dhe të mesme nuk është aspak utopike, as nuk kërkon aftësi të jashtëzakonshme në mësim-dhënie. Ajo është absolutisht e mundshme për çdonjërin prej komuniteti të studimit që respekton inteligjencën e të rinjëve të vet dhe mëtimet e një demokracie vitale. Ndërkohë që sot gjërat po përkeqësohen me të shpejtë, “aq sa mund të themi se jemi në prag të kolapsit të idealit sokratik”, pasi demokracitë e të gjithë botës janë duke nënvleftësuar, e për rrjedhim anashkaluar, llojin e njeriut që ai formon, me dije e kapacitete për të cilat shoqëria e sotme ka dëshpërimisht nevojë. Ky është konstatimi alarmist i Nussbaumit, prej të cilit burojnë edhe premisat e projektit të saj pedagogjik. Tre janë shtyllat e tij. Së pari, spikatja e aktivitetit sokratik në promovimin e kapaciteteve të çdo njeriu për t’u vetë-gjykuar dhe për t’u vetë-qartësuar, duke favorizuar një kulturë publike, të hapur dhe më reflektive, ku pjesëmarrësit të jenë më pak të ndikuar se sa janë sot nga të tjerët, nga autoritetet dhe “vala e momentit”. Së dyti, kapaciteti për të menduar si “qytetar të botës”, sipas të cilit çdo qytetari “të kultivuar” i kërkohet jo vetëm të dashurojë rrënjët e veta, por të njohë edhe ato të të tjerëve, për të kapërcyer pengesat që ato krijojnë nëpërmjet ç’dekodifikimit të problemeve që qenie njerëzore të ndryshme nga ne, jetojnë brenda traditave të tyre. Pra, në thelb, një “qytetarësi” bote me frymëzim aristotelik. Së treti, kultivimi i të ashtuquajturit “imagjinatë simpatike” ose e emërtuar ndryshe “kopetencë e tretë”. Çdo qytetar nuk mund t’i referohet në mënyrë pozitive kompleksitetit të asaj që e rrethon duke u bazuar vetëm tek logjika dhe dija e fakteve (që gjithsesi, janë të domosdoshme). Kopetenca e tretë e çdo qytetari, e ndërlidhur ngushtësisht me dy të parat është “imagjinata narative”, që do të thotë kapaciteti për të menduar në “rrobën”, (ose në veten) e një personi tjetër, për të qenë lexues inteligjentë të historisë së tij, për t’i kuptuar kështu emocionet, pritshmëritë dhe dëshirat. Kërkimi i një empatie dhe simpatie të tillë është pjesë thelbësore e konceptimeve më të mira të edukimit ndaj demokracisë. Nga kjo buron edhe ai roli parësor që ky projekt pedagogjik i jep studimit të lëndëve të shkencave humane si çelësi i parë për hapjen e mendjes kah kuptimit të “tjetrit”, aq të rëndësishëm për të kuptuar edhe vet veten tonë. Propozimi pluralist dhe kozmopolit i Nussbaumit, i konsideruar ndryshe edhe si një sistem etiko-politik, i bazuar në konceptin kompleks të “qytetarisë liberale”, është mjaft i pëlqyer pikërisht sepse i hedh rrënjët e veta në kulturën klasike. Nuk bëhet fjalë për një recetë, por për një refleksion mbi metodën e edukimit, ku protagonist kryesor është bota klasike. Në sintezë, mund të themi se ky model është një orvajtje pedagogjike për t’i vendosur leksionet e autorëve të klasiçizmit në shërbim të mësimdhënies. Rizbulimi i klasikëve në themel nënkupton pashmangshmërinë e një formimi humanist mbi bazën e filozofisë. Të rinjtë kanë aq shumë nevoje për të, sidomos kur edukimi i tyre po rrezikon të qendërzohet kah aspektit tekniko-shkencor, duke mënjanuar pikërisht artin, letërsinë dhe filozofinë, pasi ato arrijnë të japin vetëm kopetenca të përgjithshme, jo specifike. Për këtë arsye, përbri dijeve të shkencës dhe teknikës rekomandohet një rritje e dijeve filozofiko-humaniste të bazuara në modelin sokratik, i cili nuk formon një dije të parafabrikuar, por kapacitetin për të pyetur dhe argumentuar në formë autonome, pa iu bindur gjykimeve jo kritike. Një edukim i prirur në një kah të tillë është sot mjaft urgjent, jo vetëm për të plotësuar apo ekulibruar tekniçizmin apo specializimin kudo-mbizotërues, por kryesisht për të na ndihmuar të bashkëjetojmë në një botë gjithnjë e më komplekse. Është një orientim pragmatist ky model i propozuar nga Nussbaum, ndaj jo më kot librat dhe teoritë e saj kanë ndikuar, përtej skenës së debateve intelektuale bashkëkohore, edhe praktikat e mjaft qeverive të ndryshme, deri dhe në politikat ndërkombëtare. Sidomos e shquar është “teoria e kapaciteteve” e ideuar prej saj në fillim të viteve 80-të së bashku me çmimin Nobel për ekonominë Amartia Sen, një teori kjo që është kthyer në një paradigmë mjaft të ndjekur e të brendësuar në shumë sisteme perëndimore të zhvillimit. Ideja qëndrore qëndron në mendimin e zhvillimit të një vendi jo të reduktuar vetëm tek rritja ekonomike ose tek të ardhurat personale, por të interpretuar në termat e shtrirjes së lirive thelbësore të çdo individi. Prej këtej, rrjedhin edhe pasojat politike që mund të ketë ideja e një welfare-i të qëndërsuar në paradigmën e kapaciteteve dhe mbi edukimin si burim të drejtësisë shoqërore. Për Nussbaum, ideali sokratik i këndvështruar si praktikë sociale, konfirmohet si një ideal i një fuqie të madhe inovative, i aftë të vihet përballë e të kundërshtojë modelet e qenderzuara tek parësia e fitimit, si rruga e vetme për sigurimin e rritjes ekonomike të një vendi. Bëhet e qartë se sot ekziston një dikotomi modelesh zhvillimi, ku përparësia duhet t’i jepet modelit të qendërzuat tek kultura humaniste, të orientuar kah “ndërtimit” të mendjeve të hapura ndaj bukurisë, imagjinatës dhe empatisë (të gjithë cilësorë të rëndësishëm në pedagogjinë e re që ofron Mussbaum), krahasuar me modelet e orientuara kryesisht kah një kulture tekniko-shkencore, të fokalizuar mbi premisën e mbrojtjes së një mentaliteti të prirur drejt produktivitetit. Pasuria e vërtetë njerëzore, nuk qëndron, pra, vetëm tek P.B.B por gjetkë, në të gjitha mundësitë e realizimit të projekteve të jetës që individët kanë arsye të zgjedhin e të ndjekin falë kapaciteteve që zotërojnë. Janë motivacionet motori i kërkimit të kapaciteteve dhe baza e piramidës së tyre është pikërisht vlerësimi i personave dhe i kapacitetit të tyre formativ të kompozuar nga dimensionet e përcaktuara nga autorja, të tilla si: jeta, shëndeti, fiziku, integriteti, ndjenjat, arsyeja praktike, përkatësia, lidhja dhe kontrolli i ambjentit. Në këtë kuptim, të krijosh kapacitete do të thotë të krijosh demokraci, d.m.th. një formim dhe një edukim autentik politik në të cilin ethosi i qytetarësisë formësohet përmes emocioneve të vetë njerëzve. Është pikërisht kjo e ashtuquajtura “terapi e pasioneve” ajo që i bën aktive kapacitetet, është imagjinata e trajtuar si pushtet, janë ndjenjat ato që i japin një trup vital. Pa ekzistencën e një edukimi estetik, perceptiv dhe emotiv (një tip edukimi ky deri tani i anashkaluar), nuk mund të ndërtohet asnjë ind social i fortë, i drejtë dhe i qëndrueshëm shoqëror, kësisoj as edhe një lidhje demokratike midis qytetarëve, e endur me fijet e drejtësisë dhe të pathosit që arrin ta shtrijë hapësirën e qytetarësisë nga lokalja më e ngushtë tek ajo mbarëbotërorja. Nisur nga këto parime, edukimi “sokratik” i një jete dinjitoze sot do të nënkuptonte të vendosësh premisat e një edukimi demokratik në brendësi të një paradigme alternative me atë të rritjes ekonomike. Kjo është pedagogjia, kjo dhe teoria e modelit që duhet të zgjidhim për një zhvillim në perspektivë të qëndrueshëm ekonomik, politik e demokratik.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • 53
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT