• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for June 2023

Bisedë me stërnipin e Ismail Bej Vlorës, z. Qamil Ismail Vlora

June 27, 2023 by s p

Ati i Pavarësisë së Kombit Shqiptar Ismail Bej Vlora u përjetësua dhe në Amerikë në vendin më demokratik të botës. Një nga rrugët kryesore në Staten Island, New York u pagëzua me emrin e madh të Ismail Qemalit.

Në këtë ceremoni madhështore ishte i ftuar dhe nipi i Ismail Bej Vlorës Qamil Ismail Vlora.

Ju ftoj të ndiqni bisedën!

Ju jeni një prej pinjollëve të familjes së madhe kombëtare të Ismail Qemal Bej Vlorës. Çfarë peshe keni mbi supe duke qenë pasardhës i tij?

Mendoj se të jesh pasardhës i një figure historike, siç është figura e Ismail Qemal Bej Vlorës, figurë e lidhur pazgjidhshmërisht me ngjarjen më të madhe të shqiptarëve, pikërisht atë të Shpalljes së Pavarësisë apo Ditës së Flamurit, më shumë se krenari është një peshë e rëndë, por që nuk të lodh, përkundrazi, edhe pse në momente të shkurtra apo të rralla, të jep një kënaqësi krejtësisht të veçantë, siç ishte edhe kënaqësia e papërshkrueshme e momentit kur, rrethuar nga qindra shqiptarë që jetojnë në Amerikë, por edhe shtetas amerikanë dashamirës të Shqipërisë, emri i Tij u zbulua i shkruar mbi pllakën që do mbetet në breza në një nga rrugët e New York-ut.

Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me regjimin komunist, pasi është fatkeqësi që pasardhësit e Ismail Qemal Bej Vlorës u lanë në hije dhe, për të qenë e sinqertë, nuk dinim ku ishit edhe pse prindërit tanë, nën zë, na tregonin se Ismail Qemal Bej Vlora kishte lënë 9 fëmijë?

Historia e familjes sime, përgjatë regjimit komunist, është një histori e gjatë dhe shumë e komplikuar në vetvete. Por, e thënë shkurt, ajo është një marrëdhënie mosbashkëpunimi midis familjarëve të mi dhe regjimit komunist, të cilët u distancuan në mënyrë të hapur kundrejt sistemit që po instalohej në Shqipëri, pasi ata nuk kishin asgjë të përbashkët me ideologjinë komuniste dhe nuk miratonin veprimet që ai sistem po zbatonte në Shqipëri, që në ditët e para të pasluftës.

Pikërisht, për këtë distancim apo refuzim për të qenë pjesë e atij sistemi, gjyshi im, Qamil Bej Vlora, djali i Ismail Qemal Bej Vlorës (emrin e të cilit unë mbaj) u arrestua, me akuzën «sabotator i pushtetit» pasi nuk kishte dorëzuar, në afatin e duhur, një revolver. Sigurisht ky ishte thjesht një pretekst për të ligjëruar veprimin e tyre pasi, në të vërtetë, ishte goditja që ata kërkonin t’i jepnin atij dhe familjes Vlora. Më pas, për të njëjtat arsye, pra të mosbashkëpunimit, në mënyra dhe forma të ndryshme, u persekutua gjithë familja jonë përgjatë gjithë periudhës së diktaturës komuniste. Njëkohësisht, paralelisht persekutimit të familjes, u shtrembërua edhe historia familjare e Ismail Qemalit, protagonistit të Shpalljes së Pavarësisë. Ajo tregohej jashtë mase e cunguar, si për prejardhjen e tij ashtu edhe për familjen që ai krijoi vetë, duke u martuar me Kleoniqi Surmelin, me të cilën pati plot 9 fëmijë, disa prej të cilëve ishin edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, që e mbështetën dhe e ndihmuan në rrugëtimin drejt Pavarësisë e më pas deri në ditët e fundit të jetës.

Ku keni jetuar dhe cilat janë disa nga kujtimet tuaja në shkollë, miqësia apo diskriminimi që keni ndjerë në bangat e shkollës?

Unë kam lindur dhe jetuar në Tiranë, ku ndoqa edhe periudhën e shkollimit. Nuk mund të them se në periudhën shkollore ka pasur diskriminim ndaj nesh. Thjesht, edhe pse e parë nga jashtë mund të duket jo e rëndë, karshi nesh u ndoq një politikë indiferentizmi dhe mosvlerësimi. Ishte gjetur një mënyrë për të na luftuar në heshtje, duke mos na dhënë hapësirën që meritonim, duke na penguar në dëshirat tona, pasionet, rrugën studimore që do dëshironim, etj., gjëra që, në të kundërt, u krijoheshin, shpesh edhe pa meritë, fëmijëve që u përkisnin klasës së tyre. Unë vetë, duke patur pasion matematikën, kam mundur, edhe pse me vështirësi, të merrja pjesë në disa olimpiada kombëtare, ku edhe kam fituar çmime, por mendoj se nuk më jepnin vlerësimin që meritoja.

Pse ju detyruan të ndryshonit mbiemrin Vlora dhe pse Ismail Qemal Bej Vlora në kohën e diktaturës njihej vetëm si Ismail Qemali?

Historia e ndryshimit të mbiemrit të familjes sime është një histori e gjatë, e komplikuar dhe e mirëmenduar. Neve nuk na detyruan ta ndryshonim mbiemrin. Thjesht dhe në mënyrën më arbitrare na e ndryshuan atë. Në Bashkinë e Tiranës është akoma rregjistri i vitit 1946 ku, më 30 tetor të po atij viti, një komision i posaçëm, pa pyetur e pa lajmëruar askënd dhe pa shënuar asnjë motivacion, në fletën ku ishte e rregjistruar familja, mbi të katër personat e familjes që ishin të rregjistruar, përkatësisht gjyshi im, gjyshja, babai dhe xhaxhai, kanë ndërhyrë duke vendosur një vizë mbi mbiemrin ekzistues Vlora dhe duke shënuar përbri tij mbiemrin e ri: Ismaili, të zgjedhur prej tyre. Pra familja ime nga Vlora, mbiemër që e kishin trashëguar brez pas brezi, u gjet, pa e ditur as vetë, me një mbiemër të ri. Ky ishte një veprim mjaft i qartë dhe i mirëmenduar. Në atë kohë gjyshi im, bashkë me dy djemtë e tij, ishin të vetmit meshkuj që jetonin në Shqipëri dhe që kishin mbiemrin Vlora. Pra duke iu hequr këtë mbiemër, aq të njohur, autorët mendonin që, në këtë mënyrë, do ta zhduknin atë.

Kjo gjë vihet re qartë edhe në formën e emrit që përdorën ndaj Njeriut që Shpalli Pavarësinë. Ai u prezantua në historiografinë shqiptare thjesht si Ismail Qemali, pa titullin Bej dhe pa mbiemrin familjar, me qëllim që ta ngulitnin në kujtesën e re kombëtare të shkëputur nga historia e familjes së tij. Mbiemri Vlora, me aq kontribut në historinë tonë, filloi pak nga pak të lihej në harresë aq sa edhe sot, fatkeqësisht, dihet fare pak për paraardhësit e Ismail Qemal Bej Vlorës, themeluesit të shtetit tonë shqiptar, dhe për prejardhjen e tij.

Na tregoni ju lutem diçka për gjyshin tuaj, Qamil Bej Vlorën, djalin e Ismail Qemal Bej Vlorës.

Gjyshi im ishte djali dhe fëmija më i vogël i Ismail Qemalit. Ai lindi në Stamboll, më 14 dhjetor 1895. Si djalë i Ismail Qemalit atij iu desh të përballej me vështirësi të ndryshme që në fëmijëri. Ishte pikërisht koha kur Ismail Qemali kishte dalë hapur kundër politikës së Sulltan Hamidit II-të, gjë që e detyroi të arratisej nga Turqia në vitin 1900, duke marrë me vete vetëm një pjesë të familjes. Gjyshi im atë kohë ishte vetëm 5-vjeçar dhe mbeti në Stamboll bashkë me nënën e tij dhe dy vëllezërit e mëdhenj të cilët, shumë shpejt, u arrestuan dhe u internuan larg Stambollit. Kështu ai e kaloi fëmijërinë vetëm me nënën e tij dhe larg babait, për plot 8 vjet. Kur Ismail Qemali u kthye përsëri në Stamboll, në vitin 1908, gjyshi im ishte 13-vjeçar. Në ato vitet e para, kur familja u ribashkua, ai nuk i ndahej babait të tij mirëpo, në rrugëtimin e tij në shërbim të çështjes kombëtare, Ismail Qemalit i duhej shpesh të qëndronte larg familjes. Më pas, gjatë periudhës së Pavarësisë, kur Ismail Qemali ishte në Vlorë, gjyshi im u vendos në Francë ku edhe mbaroi studimet. U kthye në Shqipëri në shkurt 1919, kur, bashkë me dy vellezër, Et’hem beun dhe Qazim beun, shoqëruan trupin e pa jetë të babait të tyre nga Perugia e Italisë në Vlorë.

Gjatë qëndrimit në Vlorë u njoh me vajzën e Ahmet Aga Dyrmishit, Ylvien dhe nga martesa e tyre lindën dy djem: Ismail Qemal (im at) dhe Xhevdet. Më pas gjyshi u vendos në Tiranë, bashkë me familjen, dhe u punësua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai kishte studiuar në Europë dhe fliste shumë gjuhë të huaja. Në Ministrinë e Jashtme nga nënpunës i thjeshtë arriti të emërohej Sekretar i Parë i asaj ministrie dhe të dekorohej fare i ri me urdhrin e Skënderbeut dhe atë të Legjionit të Nderit të Francës. Mirëpo edhe ajo periudhë e “qetë” familjare do ndërpritej më 1932 kur, i dyshuar si pjesëmarrës në “Organizatën e Fshehtë të Vlorës”, e cila mendohej se kishte për qëllim rrëzimin e monarkisë, u arratis nga Shqipëria (bashkë me familjen) dhe u vendos në Francë. Pas largimit të Mbretit Zog u kthye sërish në Shqipëri dhe u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit.

Pas luftës, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, refuzoi bashkëpunimin me atë regjim gjë që i kushtoi përndjekjen. Më 10 dhjetor të vitit 1946, me akuzën “sabotator i pushtetit”, pasi, siç thashë edhe më sipër, nuk kishte dorëzuar brenda afatit një revolver që kishte në zotërim, u arrestua dhe u dënua me një vit burg. Në Arkivin e Ministrisë së Brendëshme janë akoma dokumentat që dëshmojnë mbi arrestimin e gjyshit tim, akuzat, masa e dënimit, etj. sidhe disa dokumenta të tjera që dëshmojnë se si Sigurimi i Shtetit ndiqte të gjitha lëvizjet e tij, me kë takohej, ku shkonte, etj. Gjatë vuajtjes së dënimit gjyshi im u prek nga turbekulozi dhe, pasi doli nga burgu, u kurua për pak kohë në senatoriumin e Tiranës ku edhe ndërroi jetë më 15 dhjetor 1950, në moshën 55-vjeçare.

Që nga ajo kohë familja ime u konsiderua si kundërshtare e atij regjimi ndaj edhe pasojat u ndjenë tek të gjithë ne, deri në vitin 1990, kur në vendin tonë morri fund regjimi komunist.

Çdo të thoshte për babain tuaj të pagëzohej me emrin e madh të Ismail Qemal Bej Vlorës?

Im at ishte i pari djalë që lindi në familje pas vdekjes së Ismail Qemalit. Lindi në Vlorë më 26 Korrik 1920, ndërkohë që Ismail Qemali kishte vdekur në janar të vitit 1919. Pra im atë pati nderin të trashëgonte emrin e tij duke u quajtur edhe ai Ismail Qemal, pra dy emra, siç përdorej në gjerësisht në atë kohë. Mendoj se të trashëgosh emrin e një personaliteti të njohur është, përveç kënaqësisë apo nderim, edhe një përgjegjësi mjaft e madhe. Im atë, në kohën kur në Shqipëri u instalua regjimi komunist, ishte një i ri 24 vjeçar. Studimet i kishte kryer në Francë dhe njihte disa gjuhë të huaja. Duke mos bërë asnjë lloj kompromisi me regjimin që u instalua në Shqipëri, veprim që, në radhë të parë do cënonte dinjitetin e tij por, për pasojë, edhe atë çka ai pikërisht përmes këtij emri përfaqësonte, jo vetëm që u ndie i nderuar me emrin që ishte pagëzuar por e lartësoi edhe më shumë atë.

Edhe pse në një periudhë të jetës së tij, fatkeqësisht të gjatë, e privuan të përdorte zyrtarisht mbiemrin e tij, nuk e ndaluan dot ta përdorte në jetën e tij private dhe vetë ai nuk linte rast pa e evidentuar atë. Në të gjithë korrespondencën që im atë mbante me kushërinjtë e tij që jetonin jashtë Shqipërisë, korrespondencë e shpeshtë dhe e ngjeshur për kohën, mbi zarf ai do vendoste emrin e tij të plotë: Ismail Qemal Vlora dhe, në po të njëjtën formë, i vinin të gjitha letrat. Gjithashtu edhe në ato pak raste kur i duhej të drejtonte ndonjë kërkesë zyrtare vendoste gjithmonë emrin e plotë. Pra, duke menduar kohën ku ai jetoi, ai veprim ishte një sfidë ndaj asaj padrejtësie që i kishin bërë.

Në vitin e fundit të jetës, 1990, pas disa përpjekjeve për të rimarrë mbiemrin e familjes, im atë arriti të bënte korrigjimin e duhur dhe të shumëpritur. Kështu edhe pse gjatë rrugëtimit të tij iu desh të njihte edhe atë padrejtësi sa dashakeqëse aq edhe absurde, ai u largua nga kjo jetë me atë mbiemër të nderuar që kishte patur fatin të lindte.

Ismail Bej Vlora ka lënë thesar të paçmuar për kombin. Ju keni dokumenta apo diçka tjetër?

Në peripecitë e shumta që kaloi vetë Ismail Qemali, e më pas gjithë familja e tij, sidomos pjesa e familjes që mbeti në Shqipëri, shumë dokumenta apo sende që i përkisnin vetë Ismail Qemalit, por edhe paraardhësve të tij, fatkeqësisht, humbën. Pjesa më e madhe e trashëgimisë familjare ndodhej në Vlorë, trashëgimi që u sekuestrua gjatë regjimit komunist. Vetë Ismail Qemali, kur u arratis nga Turqia më 1900-ën, u dënua me vdekje në mungesë dhe me sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij. Po ashtu edhe më 1912-ën, ku u nis për të shpallur pavarësinë ai la në Stamboll gjithshka që kishte. Dokumentat personale të Ismail Qemalit, ato që mundën të shpëtonin, i kishte djali i tij, Qazim Beu, i cili u vendos në Strugë, ku edhe vdiq në vitin 1953. Dokumentat që ai kishte me vete duhet të kishin një rëndësi të madhe kombëtare pasi ai kishte shoqëruar të atin kudo në 20-vjeçarin e fundit të jetës. Qazim Beu jetonte i vetëm në qytetin e Strugës, kështu që nuk dihet fati që pësuan ato dokumenta aq të çmuara që ai kishte me vete.

Sot ne kemi shumë pak kujtime por, në gjithë këtë histori, ajo çka është më e rëndësishme është Vepra e Tij. Ajo mbeti për t’i shërbyer një kombi të tërë.

Le të hidhemi në ditën e inagurimit të rrugës «Ismail Qemali» në Staten Island, e inicuar nga z.Naser Nika, Dr.Bari Ceka dhe mbështetur nga të gjithë ne, ishte një ditë historike për Diasporën, Kombin dhe natyrisht edhe për ju. Si e mirëpritët dhe e përjetuat këtë lajm, këtë ditë historike ku fjala juaj mbetet shumë mbresëlënëse?

Kur mësova, nëpërmjet Internetit, se në Staten Island po bëheshin përpjekje që një rruge t’i vinin emrin «Ismail Qemali», sigurisht ndjeva një kënaqësi të madhe, pasi këto veprime tregojnë respektin, mirënjohjen dhe dashurinë që populli ka ndaj atyre burrave që luftuan e sakrifikuan për të krijuar shtetin shqiptar, atë që ne gëzojmë sot.

Pasi hyra në kontakt me një nga inisiatorët e këtij projekti të madh, z.Naser Nika, i cili me mjaft dashamirësi më sqaroi gjithcka që lidhej me këtë projekt, pra idenë, propozimin, miratimin e deri vendin ku do vendosej emri i tij, mendova të bëja përpjekjet e duhura për të qenë i pranishëm në atë eveniment.

Ajo ditë do mbetet thellë në kujtesën time, për pjesëmarrjen e madhe, personalitetet e shumta që e nderuan, për të gjithë ata që përshëndetën, për mënyrën e organizimit dhe për çdo detaj me të cilat ishte ndërtuar ajo ceremoni. Ndaj unë përfitoj të përsëris këtu falenderimet e mia dhe ato të familjes sime për të gjithë ju që menduat, u përpoqët dhe bëtë të mundur realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm, jo aq për ne se sa për brezat që do vijnë.

Sigurisht një falenderim i veçantë shkon për dy inisiatorët e këtij projekti, z.Naser Nika dhe Dr.Bari Ceka si edhe për z.David M.Carr, anëtar i këshillit bashkiak të New York-ut, për mbështetjen që i dha projektit të tyre. Po ashtu një falenderim të veçantë për miqtë e nderuar amerikanë që ishin pjesë e asaj dite të shënuar për të gjithë ne, si edhe të gjithë të pranishmëve që u mblodhën aty për të qenë prezent e për ta bërë më të bukur e më emocionuese atë ditë.

Dhe së fundi një falenderim po aq të veçantë edhe për ju, për fjalën tuaj përshëndetëse, plotë emocion e atdhedashuri dhe për këtë bisedën tonë…

Duke ju uruar çdo mbarësi, uroj gjithashtu që të kemi sa më shumë raste të tilla për t’u mbledhur e për t’u takuar sërish…

22 Qershor, 2023

Staten Island, New York

Filed Under: Opinion Tagged With: Keze Kozeta Zylo

Ministri Sveçla priti në takim tre policët e rrëmbyer nga Serbia, beteja jonë ligjore për këtë rast vazhdon

June 27, 2023 by s p

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla bashkë me menaxhmentin e Policisë së Kosovës ka pritur sot në takim tre zyrtarët policorë kufitar z. Rifat Zeka, z. Beqir Sefi dhe z. Mustafë Shema, të cilët ishin kidnapuar nga njësitet policore-ushtarake të Serbisë, brenda territorit të Republikës së Kosovës, në kohën kur ata ishin në detyrë zyrtare.

Që të tre zyrtarëve policorë në seancën e sotme gjyqësore në Kralevë i’u është konfirmuar aktakuza dhe janë liruar me procedurë të rregullt, çka nënkupton se ndaj të njëjtëve do të vijojnë thirrjet dhe përndjekjet nga Serbia.

Gjendja e tyre shëndetësore fizike është relativisht e mirë por me vullnet të fortë dhe kurajë për të vazhduar detyrën në mbrojtje të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

Ministri Sveçla shprehi mbështetjen e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës duke theksuar përkushtimin që ky rast i paprecedentë i Serbisë të mos kalojë pa përgjegjësi. Ky rast i montuar ndaj pjesëtarëve të Policisë duhet të mbyllet pa kushte dhe në tërësi. Serbia duhet të gjykohet për agresionin e saj.

Filed Under: Rajon

Kryeministri Kurti bisedoi me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken

June 27, 2023 by s p

26 qershor 2023/

Sot pasdite, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati kënaqësinë të zhvillojë një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken.

Kryeministri Kurti e falënderoi Sekretarin Blinken për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme të ShBA-ve për Republikën e Kosovës, si dhe e informoi atë për të arriturat e Kosovës në fushat e ekonomisë, demokracisë e të sundimit të ligjit.

U diskutua për dialogun me zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell për deeskalim dhe normalizim, me ç’rast kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Blinken për takimin bilateral të së enjtes së javës së kaluar, që nuk u bë edhe trilateral për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë.

Kryeministri Kurti dhe Sekretari Blinken bashkëbiseduan për gjendjen në katër komunat veriore të Kosovës, për zgjedhjet e reja që duhen paraprirë nga sundimi i ligjit, për ekstremistët e dhunshëm që sulmuan ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës e gazetarët, për tri nënkryetaret serbe në Leposaviq, Zveçan e veri të Mitrovicës, për konfiskimin e armatimit e municionit të shumtë në një veturë me targa të Beogradit, për nevojën për zbatim të plotë, të sekuencuar drejt e pa kushte të Marrëveshjes Bazike të Brukselit, si dhe për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia në Leposaviq por pasi që atyre iu ngrit aktakuza e për çfarë Departamenti i Shtetit Amerikan i pari kërkoi lirim të menjëhershëm e pa kushte.

Të dy u pajtuan që të mbeten në komunikim të rregullt e të dendur në funksion të paqes e sigurisë në Kosovë e drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Filed Under: Ekonomi

Rrok Zojzi, “babai” i etnografisë institucionale shqiptare

June 27, 2023 by s p

Stefan Çapaliku/

Rrok Zojzi lindi në Shkodër më 1910 dhe vdiq në Tiranë më 1995. Ai është etnografi më i madh që ka nxjerrë ndonjëherë Shqipëria. E nisi karrierën e tij të hershme si alpinist dhe shkroj artikujt e parë te revista “Hylli i Dritës”. Prej vitit 1947 e deri më 1976 që u në krye të Sektorit të Etnografisë. Historianët e etnografisë shqiptare e konsiderojnë Zojzin si babanë e etnografisë institucionale shqiptare. Ai u mor me studimin, mbledhjen dhe arkivimin e kulturës tradicionale shqiptare, e cila sot përbën fondin më të pasur të kësaj gjinie. Nën drejtimin e tij u krijuan pjesa dërmuese e muzeve etnografikë në të gjithë Shqipërinë. Fushat e kërkimit, ushtruar nga Zojzi, prekin thuajse të gjithë gamën e kulturës tradicionale. Kontribut të vazhdueshëm Zojzi dha në mësimdhënie dhe në publicizimin e dijes etnografike në median e kohës.

Filed Under: Kulture

“Albanologjia dje, sot dhe nesër”

June 27, 2023 by s p

Akademia e Studimeve Albanologjike/

Prof.asoc.dr. Edmond Malaj mori pjesë në konferencën “Albanologjia dje, sot dhe nesër” në Prishtinë, me ligjëratën “Kontributi i Peter Bartl-it për historinë e Kishës Katolike në trojet shqiptare gjatë periudhës osmane”. Kumtesa përqendrohet kryesisht tek pesë vëllimet me titull “Albania Sacra”. Vëllimet e “Albania Sacra”, krahas historisë kishtare, janë burim informacioni edhe për ndonjë aspekt të kulturës popullore të atyre trevave, për gjendjen ekonomike të popullsisë, situatat politike në shekujt e ndryshëm, gjendjen e të krishterëve dhe për islamizimin, lëvizjet migratore në vend, për lëvizjen kryengritëse kundër osmanëve dhe për masat e marra nga organet e perandorisë, si dhe për marrëdhënie të tjera të popullsisë së krishterë katolike me sunduesit osmanë. Duhet të kemi parasysh që periudha osmane për trojet shqiptare, edhe pse është e pasur me dokumente që ndodhen nëpër arkiva të ndryshme nuk është e ezauruar si historishkrim, shumë pika janë ende të errëta dhe mbetet jashtëzakonisht shumë për t’u bërë akoma. Për kompletimin e kësaj periudhe një rëndësi të jashtëzakonshme përbën edhe Historia e Kishës Katolike për shekujt respektivë.

Tek këto vëllime, renditja e dioqezave është bërë sipas viteve të botimit të tyre. Ato janë botuar në harkun kohor të 14 viteve. Vëllimet fillojnë secili me nga një hyrje në gjuhën gjermane dhe mbarojnë me nga një seri dokumentesh origjinale që janë raportime dhe relacione vizitash ipeshkëvnore. Përsa i përket harkut kohor të dokumenteve, mund të themi që tek Vëllimi I: Dioqeza e Lezhës, dokumentet fillojnë në vitin 1629 me Relacionin e ipeshkvit të Lezhës Benedetto Orsini dhe mbarojnë në vitin 1912 me Relacionin e vizitës baritore të ipeshkvit të Lezhës Luigj Bumçi.

Tek vëllimi II: Arqidioqeza e Durrësit, dokumentet fillojnë në vitin 1640 me Relacionin e Nikollë Mekajshit, ipeshkvit të Stefaniakës dhe të Bendës drejtuar kardinalit Cinzio Aldobrandini dhe mbarojnë në vitin 1912 me relacionin e vizitës baritore të Preng Bardhit (Primo Bianchi). Tek vëllimi III: Dioqeza e Sapës, dokumentet fillojnë në vitin 1610, me vizitën baritore që Marin Bici, arqipeshkvi i Tivarit bën në këtë dioqezë dhe mbarojnë në vitin 1914 me relacionin e Gjergj Kolecit (Giorgio Koleci). Në vëllimin IV: Ipeshkëvia e Pultit, dokumentet fillojnë në vitin 1628 dhe mbarojnë në vitin 1909, afërsisht 300 faqe. Tek vëllimi V: Dioqeza e Shkodrës, dokumentet fillojnë po me Relacionin e Marin Bicit, arqipeshkvit të Tivarit në vitin 1s610 dhe mbarojnë më datë 9 gusht 1911 me raportimin e Jak Sereqit drejtuar Kardinalit Girolamo Gotti, prefektit të Propaganda Fides. 139 dokumente.

Peter Bartl me këto vëllime ka vendosur një gurë tjetër të rëndësishëm themeli në lidhje me historitë e këtyre dioqezave. Nëpër këto relacione klerikët katolikë shkruanin çdo gjë që kishte rëndësi për famullitë e vizituara. Ata përveç se merreshin me gjendjen e kishave, të klerit dhe të numrit të besimtarëve, nuk linin pa përshkruar edhe gjendjen ekonomike të krahinave në fjalë. Marrëdhëniet e këtyre banorëve që kishin me sunduesit osmanë ishin gjithashtu edhe një aspekt tjetër që përshkruhej në mënyrë të detajuar nëpër relacione. Ata ishin të vëmendshëm ndaj abuzimeve të të gjitha llojeve që përfaqësuesit e pushtetit osman u shkaktonin këtyre krahinave. Pra, duke lexuar këto relacione që janë dëshmi okulare të asaj kohe, arrijmë të kemi një pasqyrë mjaft të qartë të situatës që ka ekzistuar sidomos në shekujt XVII, XVIII, XIX të Periudhës Osmane.

Por kontributi i Peter Bartl-it nuk fillon tek “Albania Sacra”. Krahas artikujve të shumtë, disa të dhëna mund t’i gjejmë dhe tek monografitë e tij, si për shembull, tek “Ballkani Perëndimor midis monarkisë spanjolle dhe Perandorisë Osmane” (Der Westbalkan zwischen spanischer Mornarchie und osmanischem Reich); “Myslimanët shqiptarë në Lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912)” (Die albanischen Muslime zur Ziet der nationalen Unabhängigkeitsbewegung), dhe ndonjë të dhënë ka edhe tek “Shqipëtarët – Nga Mesjeta deri në ditët tona” (Albanien: vom Mittelalter bis zur Gegenwart),

Si përfudnim mund të themi që Peter Bartl është një ndër historianët më të censhëm që bota evropiane perëndimorë, sidomos ajo gjermanishtfolëse, ka nxjerrë qoftë për historinë e trojeve shqiptare nën sundimin osman, qoftë për historinë e Kishës Katolike gjatë kësaj periudhe.

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 6
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • …
  • 57
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT