• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for July 2023

Fotoreportazh nga mbarimi i vitit shkollor 2022/23 të LAPSH-it “Naim Frashëri” për kantonin e Cyrihut/Zvicër

July 3, 2023 by s p

Naser Ulaj: “Kurrë nuk do të ndalemi për të mirën e gjuhës shqipe”

Nxënësit që diplomuan ishin: Fleta Faton Shabani, Adisa Bekim Munishi, Blend Besim Svarça, Dijona Florim Lika, Lorik Hysen Voci, Xheneta Shpëtim Demiri, Erza Jeton Sylaj, Liza Hajredin Kuçi, Rina Astrit Shala, Shkurte Rexhep Arifi, Dardan Selajdin Sejdiu, Fatjana Samir Susuri, Hana Përparim Sabriu, Ariana Enver Hoxhaj, Ajmane Halim Hajdari, Eda Fidaim Saiti, Diana Shpejtim Hoxha, Elson Bajram Byyqi, Drilon Besnik Beqiri, Viola Jakup Shabani, Xheneta Besnik Jakupi, Arneta Halit Shala, Mirlind Bekri Tërnava, Erona Qenan Serifi, Florian Abidin Bajrami, Mal Regjep Krasniqi dhe Yll Faton Budeci.

Rümlang, 03 korrik

Teksti, Dashnim HEBIBI

Foto, Lulzim HASI

Puna e madhe që ka bërë LAPSH-i në Cyrih dhe në nivel Zvicre në përgjithësi, gjatë këtyre 30 viteve dihet thuajse nga të gjithë mërgimtarët tanë, por edhe në atdheun tonë. Nuk do të ndalem kësaj here për të përshkruar punën e shenjt që e kanë bërë mësuesit në kuadër të LAPSH-it, sepse do të duhej shumë e shumë për të shkruar apo edhe kemi shkruar e ku do të ishte më së miri të kemi ndoj monografi edhe ate të ndarë në pjesën një, dy e kështu me radhë, ku po shpresoj, se do të bëhet së shpejti për kantonin e Cyrihut, pas një bashkëbisedimi që e patëm me të parin e shkollës plotësuese shqipe për këtë kanton, z.Naser Ulaj. E thash këtë, sepse jemi mësuar të lexojmë nëpër qytete të ndryshme të Zvicrës, aktivitete të organizuara nga LAPSH-i në Cyrih edhe ate manifestime me mbi 1.000 bashkatdhetarë të pranishëm. Janë zërat e fëmijëve tanë, që po rriten e edukohen në shtetin zviceran, por pa e harruar gjuhën e të parëve, duke i kënduar flamurit kombëtarë, gjuhës shqipe e dëshmorëve të kombit. Dihet, se nuk është e lehtë të jesh mësues në këto shkolla plotësuese shqipe, por falë shtetit zviceran, që i ka mundësuar të gjitha kushtet për mësim, lehtësohet angazhimi i mësuesve. Por, natyrisht, mësuesit, kanë dëshirë, që në klasat e tyre të shohin numër më të madh të nxënësve, sepse edhe atmosfera e mësimit do të ishte më ndryshe. Pavarësisht kësaj, apo shkakut, shkolla plotësuese shqipe „Naim Frashëri“ në Zvicër, ka kontribuar shumë, për ruajtjen e gjuhës shqipe brez pas brezi. Kjo punë e madhe e mësuesve është për të përmendur dhe nderuar nga shtetet tona dhe për ti motivuar edhe më shumë mësuesit tanë që me shumë mundi po kontribuojnë në gjeneratat e reja që po lindin e rriten në mërgim. Kisha edhe shumë për të thënë në kuadër të këtij reportazhi për shkollën plotësuese shqipe „Naim Frashëri“ në Cyrih e në nivel Zvicre edhe ate duke e argumentuar me fakte, por e kam thënë edhe ate disa herë më herët nëpër shkrimet e mia, se mësuesit e kësaj shkolle duhet respektuar edhe më shumë, duhet nderuar pafundësisht si dhe duhet përkrahur për një punë të madhe me shumë sakrificë që e bëjnë. Të ndalemi në ngjarjen e shënuar të së shtunës, me 1 korrik, në diskotekën „Rinora 4“ në Rümlang të Cyrihut, u mbajt një manifestim festiv e shumë modest, për ndarjen e diplomave për nxënësit e shkollës plotësuese shqipe „Naim Frashëri“ për kantonin e Cyrihut. Ishin mbledhur prindër, nxënës, mësues duke bashkëbiseduar mes veti dhe duke e pritur që të filloj edhe ky manifestim. Buzëqeshja dhe krenaria e fëmijëve nuk mungonte, ata mezi se pritnin që të marrin diplomën.

Ndërsa në sytë e kryetarit të LAPSH-it për Cyrih, z.Naser Ulaj, mësuesve dhe gjithë stafit, shihej një mallëngjim dhe një mburrje.

„Shkoi edhe ky vit shkollor i gjuhës shqipe në kuadër të LAPSH-it „Naim Frashëri“ për kantonin e Cyrihut. Nuk ishte edhe i lehtë. Kishte shumë punë si zakonisht edhe ate me përgjegjësi të madhe. Ju falënderoj që keni gjetur kohë për t`na nderuar. Falënderoj gjithë mësuesit, stafin, prindërit dhe të gjithë ata që na kanë ndihmuar, që ta kalojmë këtë vit me sukses. Ndërsa nxënësve, që tashmë e kanë përfunduar shkollën plotësuese shqipe e do të marrin edhe diploma, ju uroj suksese dhe gjitha të mirat. Sot, është një program modest, duam ti nderojmë nxënësit me diploma. Që të kenë dokument, se e kanë të kryer shkollën plotësuese shqipe. I duhet në të ardhmen. Të gjithë prindërit na falënderojnë për punën që kemi bërë dhe për diplomën që u japim fëmijëve në përfundim të shkollës. Ka raste, që prindërit na kanë thënë, se kjo diplomë i ka ndihmuar edhe në punë fëmijëve, sepse shumë firma prestigjioze në Zvicër, duan punëtorë që e flasin mirë edhe gjuhën shqipe, sepse kanë klientelë shqiptare. Kemi punuar shumë si staf dhe nuk do të ndalemi kurrë për të mirën e gjuhës shqipe. I drejtohemi të gjithë prindërve shqiptarë që jetojnë e veprojnë në kantonin e Cyrihut, që ti dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën plotësuese shqipe „Naim Frashëri“. Besojmë shumë, që në të ardhmen, do të kemi mbështetje më të madhe nga institucionet tona nga dy shtetet shqiptare, që shkolla plotësuese shqipe të jetë edhe më e suksesshme, duke e ditur, se numri i mërgimtarëve është shumë i madh në Cyrih e në gjithë Zvicrën. Profesionalizmi dhe vullneti jonë ishte dhe do të jetë të punojmë, por natyrisht, se me përkrahjen e të tjerëve, do të jemi edhe më të suksesshëm. E dijmë të gjithë, se çfarë rëndësie ka ruajtja e gjuhës shqipe. Nuk do të ndalem në këtë drejtim. Ju uroj të gjithë nxënësve suksese, prindërve një faleminderit nga zemra për mbështetjen që na kanë dhënë, të gjithë mëseseve, mësuesve dhe të gjithë atyreve që kanë kontribuar për shkollën plotësuese shqipe. Pushime të mbara e do të shihemi pas pushimeve verore”, këto dhe shumë fjalë të tjera na i tha, z.Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it “Naim Frashëri” për kantonin e Cyrihut i cili edhe pse fliste me ne, ai mundohej që ti përshëndes të gjithë që vinin dhe menjëherë, iu drejtua të gjithë prindërve, duke i folur dhe uruar mirëseardhje dhe modestia e tij shihej, kur edhe i servonte pije freskuese prindërve, musafirëve edhe fëmijëve. Është parë dhe shihej modestia e tij që e ka në shpirt. Manifestimi filloi në orën 14.30 duke e hapur programin kryetari i LAPSH-it „Naim Frashëri“ në Cyrih, z.Naser Ulaj, me një përshëndetje të përzemër për të gjithë të pranishmit dhe duke i uruar suksese fëmijëve që do të marrin diplomat dhe duke falënderuar të gjithë stafin e tij, prindërve dhe të gjithë atyreve që kanë dhënë kontribut për shkollën shqipe prej fillimit e deri më sot. Programi filloi me disa poezi nga nxënësit që ishin prezent e që nderoheshin me diploma, poezi për Adem Jasharin, gjuhën shqipe, mësueses dhe një recital ku u përfshin 27 nxënës që morën diploma. Në këtë takim ishte edhe z.Nexhat Maloku, ish kryetar i LAPSH-it në nivel Zvicre me të cilin patëm rastin të bashkëbisedojmë edhe më hollësisht për gjendjen e shkollës plotësuese shqipe „Naim Frashëri“ në përgjithësi në Zvicër. Z.Maloku ndër të tjera tha: „Kemi punuar me shumë mundi me të gjithë mësuesit dhe prindërit e duke falënderuar pafundësisht edhe shtetin zviceran, që ta ruajmë gjuhën shqipe. Puna jonë ishte e madhe me shumë përkushtim edhe ate me përgjegjësi ua them. Kanë dalur gjenerata e gjenerata me diploma të shkollës plotësuese shqipe „Naim Frashëri“, ne presim edhe në të ardhmen, që të punojmë të gjithë edhe më shumë, që të kontribuojmë për gjuhën tonë shqipe“. Z.Naser Ulaj, së bashku me stafin e tij, kishin vendosur, që t`më nderojnë me një respekt shumë të veçant, „Anëtar nderi“ të shkollës plotësuese shqipe „Naim Frashëri“ për kantonin e Cyrihut për punën që kam bërë si gazetarë, redaktorë, editor dhe shpesh si moderator, me një fjalë përkrahës i shkollës plotësuese shqipe, por edhe si mësues për një kohë. Me që nuk pam ndoj pjestarë apo shkrues të ndoj mediumi shqiptarë në këtë eveniment shumë të rëndësishëm, apo lirisht mundet të thuhet ndër më të rëndësishmit, sepse po ndahen diploma për nxënës që po kryejnë shkollën plotësuese shqipe, mu desht ti shkruaj disa fjalë, duke e kujtuar edhe profesionin tim shumë fisnik në gazetari profesionale. Larg modestisë sime, më duhet përshkrimi real me ate që pash, pa i ikur edhe emocioneve.

Menjëherë, pasi mu nda mirënjohja “Anëtar nderi” nga duart e një punëtori të madh të shkollës plotësuese shqipe z.Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për kantonin Cyrih, para të pranishmëve, ndër të tjera i thash disa fjalë.

“Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”. Eruditi Faik Konica botoi këtë fjalë në gazetën “Dielli” të Bostonit, më 1930. Përshëndetje i nderuar z. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për Cyrih, të respektuar mësues, nxënës të dashur, prindër, bashkëkombas të pranishëm i nderuar Përparim Avdili kryetar i Partisë Liberale për qarkun 9 të Cyrihut njëherit deputet në kuvendin komunal të Cyrihut si dhe z. Nexhat Maloku ish kryetar i LAPSH-it për Zvicër. Përbësë, sot është një ditë e veçant, një eveniment shumë i rëndësishëm, sepse nxënësit e shkollës plotësuese shqipe po marin dëftesat e notave, diplomimi i tyre në shkollën plotësuese shqipe. Këto 27 shqiponja që kanë lindur në Zvicër do ta ruajnë gjuhën shqipe brez pas brezi. Urime! Puna e shenjt e mësuesit është pjesë e historisë, prandaj, z. Ulaj së bashku me mësuese e mësues, si dhe me gjithë stafin e LAPSH-it për Cyrih do të nderoheni për jetë për punën e madhe që e keni bërë e po e bëni. Nuk jam ndal e as që do të ndalem për shkollën plotësuese shqipe “Naim Frashëri”, njëherë si gazetarë, redaktorë, editor, moderatorë por edhe si mësues i shkollës plotësuese shqipe “Naim Frashëri” këtu në Zvicër. Ju falendëroj pafundësisht, për nderin që ma bëtë të jem anëtar nderi. Ku jam nderuar edhe me mirënjohje edhe ate edhe nga shkolla plotësuese shqipe “Naim Frashëri” në Cyrih, por edhe para disa viteve në nivel Zvicre. Mirënjohje, që do ti ruaj me shumë dashamirësi.

Ta ruajmë e ta mbështesim pa pardon LAPSH-in në Cyrih e gjithë Zvicrën sepse ishte e do të mbetet institucioni më i rëndësishëm që bashkon të gjithë shqiptarët pa dallim krahine, bindje fetare apo politike.

Kushdo që është munduar nëse ka diku, apo mundohet të pengoj këtë punë të madhe që ka bërë e po bënë LAPSH-i në gjithë Zvicrën, me dashje apo me qëllime të caktuara është në rrugën e gabuar. Zoti ju bekoftë e të punojmë të gjithë edhe më shumë që ta ruajmë gjuhën tonë sa të embël e të veçant. Të gezon fakti, që sot ditë e shtune, në njërën nga diskotekat më të njohura tek ne shqiptarët në Zvicer, “ Rinora 4”, ku me mijëra e mijëra mbrëmje rinore janë organizuar, duke u kënduar kënga shqipe, duke vallëzuar shqip, ka hapur dyert për shkollën shqipe edhe ate për shumë herë. Respekt për pronarët e diskotekës, njëherit bëmirësit, miqtë e mi, Habibi, Flamuri e Shabani. Falënderojmë për shumë herë edhe ate për jetë, shtetin zviceran, atdheun e dytë të shqiptarëve, që na ka mundësuar që ta ruajmë e mësojmë gjuhën tonë. Urime! Pushime të mbara të nderuar të pranishëm në atdhe, meqë, po afrohen edhe pushimet verore. Isha e do të jem afër jush, sepse na bashkon qëllimi, të ruajmë gjuhën tonë, traditën dhe kulturën shqiptare.

Z.Ulaj, lexoi edhe një telegram përshëndetës të Konsullit të Republikës së Kosovës në Cyrih, z.Sami Kastrati, ku ndër të tjera kishte shkruar:”

“Me gjithë dëshirën dhe vullnetin, që të jem së bashku me Ju dhe të gjithë nxënësit që të festojmë në ceremoninë e diplomimit, nuk do të kem mundësi që të jem i pranishëm, pasiqë ndodhem në pushim vjetor.

Unë do të isha i lumtur që t’ju mirëpres në Konsullatë Juve dhe të gjithë nxënësit e diplomuar nga dita e martë e javës që po vjen, në një kohë që ju përshtatet të gjithë Juve

Ju lutem, dërgoni në emrin tim urimet më të sinqerta të gjithë të diplomuarëve dhe një falenderim të veçantë të gjithë prindërve. Me shumë respekt, Sami Kastrati. Duhet përmendur, se z.Kastrati, thuajse në çdo takim të organizuar nga LAPSH-i ka marrur pjesë duke vlerësuar edhe punën e madhe që po bëhet, për të mësuar e ruajtur gjuhën shqipe. Mësuesja, zonja Remzije Shabani, ku edhe e moderoi këtë manifestim festiv, filloi edhe duke i përmendur emrat e nxënësve që do të marrin diploma dhe të mësueseve e mësuesve të tyre. Çdo nxënës, pasi merrte diplomën nga duart e kryetarit të LAPSH-it për kantonin Cyrih, z.Naser Ulaj, merrte edhe një lule si dhe i bëhej foto nga z.Lulzim Hasi që u përkujdes edhe kësaj here me foto e duke regjistruar edhe me kamerë këtë ngjarje të veçant.

Nxënësit që diplomuan ishin:

Fleta Faton Shabani, Adisa Bekim Munishi, Blend Besim Svarça, Dijona Florim Lika, Lorik Hysen Voci, Xheneta Shpëtim Demiri, Erza Jeton Sylaj, Liza Hajredin Kuçi, Rina Astrit Shala, Shkurte Rexhep Arifi, Dardan Selajdin Sejdiu, Fatjana Samir Susuri, Hana Përparim Sabriu, Ariana Enver Hoxhaj, Ajmane Halim Hajdari, Eda Fidaim Saiti, Diana Shpejtim Hoxha, Elson Bajram Byyqi, Drilon Besnik Beqiri, Viola Jakup Shabani, Xheneta Besnik Jakupi, Arneta Halit Shala, Mirlind Bekri Tërnava, Erona Qenan Serifi, Florian Abidin Bajrami, Mal Regjep Krasniqi dhe Yll Faton Budeci. Të gjithë nxënësit me mësueset e mësuesit, prindër, por edhe me stafin e shkollës plotësuese shqipe “Naim Frashëri” për kantonin Cyrih si dhe me ish kryetarin e LAPSH-it për Zvicër, z.Nexhat Maloku bënë edhe foto kujtimi. Ishin momente të papërshkrueshme.

Mu për këtë morëm edhe një prononcim nga z.Përparim Sabriu, një veprimtar i dalluar i kauzës sonë kombëtare nga rrethina e Strugës, që jeton dhe vepron në Bylah të Cyrihut, ku është edhe prind i nxënëses Hana Sabriu 14 vjeçe, që sot diplomoi në shkollën plotësuese shqipe “Naim Frashëri” në Cyrih i cili ndër të tjera na tha:

“Përgëzoj punën e madhe që ka bërë z.Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për Cyrih njëherit edhe mësues, pastaj mësuesen e vajzës sime, zonjën Aferdita Veliu dhe gjithë stafin e mësuesve, se vërtet kanë punuar shumë. Kam marrë pjesë në çdo manifestim që kanë organizuar dhe nuk është e lehtë të bëhet e gjithë ajo punë e madhe. Sinqerisht, duhet ti përkrahim edhe më shumë gjithë stafin e LAPSH-it, sepse kontributi i tyre për të ruajtur gjuhën shqipe është i veçant. Jam edhe me emocione dhe shumë i lumtur, që vajza ime Hana e ka edhe diplomën e mbarimit të shkollës plotësuese shqipe në Zvicër me vulë të LAPSH-it. Vajza ime thuajse në çdo progam që ka mbajt LAPSH-i për Cyrih është angazhuar me poezi por edhe duke luajtur me violin. Shumë suksese edhe në të ardhmen dhe iu kisha drejtuar të gjithë prindërve, ti dërgojnë fëmijët në shkollën plotësuese shqipe”. Ndërsa, nxënësja Hana Sabriu që mori diplomën e shkollës plotësuese shqipe na tha: “ Shumë e lumtur jam. Nuk di se si ta përshkruaj gëzimin tim. Falënderoj prindërit e mi shumë, që më kanë dhënë mundësi të mësoj në shkollën plotësuese shqipe. Faleminderit mësueses sime, gjithë shoqeve e shokëve dhe mësuesve të tjerë. Kemi kaluar shumë mirë dhe nuk do ti harroj kurrë. Kam mësuar shumë dhe jam krenare që edhe pse e lindur e rritur në Zvicër mbi të gjitha jam shqiptare dhe gjuhën e të parëve nuk do ta harroj. Do ta trashëgojmë brez pas brezi, sepse këtë e kam të mësuar edhe nga gjyshërit e prindërit e mi. Mësuesja dhe mësuesit me shumë shpirt na kanë mësuar. U jam falënderues pafundësisht. Nëse më lejohet, do t`ju kisha drejtuar të gjithë fëmijëve të tjerë, të gjejnë mundësi e të shkojnë në shkollën shqipe. Vërtet do të mësoni shumë”. Në përfundim z. Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për Cyrih, mbylli ceremoninë, uroi, edhe një herë, mësuesit dhe gjithë stafin, si dhe fëmijët për përfundimin me sukses të vitit shkollor, si dhe ftoi ata së bashku me të rriturit për të bërë një foto kujtimi. Në fund të këtij reportazhi, që kish dashur të shkruaj edhe më gjatë, por duke e kuptuar edhe kohën e lexuesve, do ta përfundoj me këto fjalë. Sikur ta lëmë një plagë në trupin tonë pa mjekim, çka do të bëhej?

Prandaj, plag e madhe e kombit është që nëse nuk do të angazhohemi të gjithë për të mirën e shkollës plotësuese shqipe “Naim Frashëri” dhe jo vetëm të rrijmë nga këndi i kritikave jo profesionale dhe të inateve personale. Ruajtja e gjuhës shqipe në mërgim është sfidë e madhe dhe e vërtet.

Fatkeqësi është që të mos bashkëpunojmë në këto gjëra serioze dhe ataku i shoqërisë është edhe atëherë, që këto gjëra shumë të ndieshme e serioze nuk merren seriozisht. Shpresojmë shumë dhe duke e pa angazhimin me shumë sakrificë të z.Naser Ulaj dhe stafit të tij, shkolla plotësuese shqipe “Naim Frashëri” do të jetë edhe më e suksesshme. Duke ia dëshiruar më të mirën dhe duke ia afruar edhe në të ardhmen bashkëpunimin, të gjithë së bashku e duke e falënderuar për jetë shtetin zviceran, gjuha shqipe do të jehoj brez pas brezi. Z.Ulaj së bashku me stafin tuaj, urime, ju jeni ata që meritoni mirënjohje për punën e shenjt që po e bëni, ruajtjen e gjuhës shqipe. Jeto shkollë plotësuese shqipe “Naim Frashëri”! Gjithë ate që deshta ta them e ka thënë, Naim Frashëri, rilindas i përjetshëm, përfaqësues i shquar i lëvizjes kombëtare.

GJUHA JONË

Vëllezër shqipëtarë!

Të prekim urtësinë,

Të zëm’ udhën e mbarë,

Të ngjallim Shqipërinë.

Shqipëria ka qënë

Edhe po do të jetë,

Po sot në ditët tënë

Të metë të mos ketë.

E ka nderuar zoti

Gjithënjë Shqipërinë,

Ish fort mirë qëmoti,

Do bëhet dhe taninë.

Sa ishte trimëria

N’atë kohë të vjetrë,

Kish emrë Shqipëria,

Sa s’kish nonjë vënt tjetrë.

Sa burra kordhëtarë

Ka nxjerrë Shqipëria

Më pastaj e më parë,

Q’i shkruan istoria!

Ajo ish koh’ e zjarrtë

Dhe kish mundime tepër,

Po sot pëndë dhe kartë

Na duhet, nukë tjetër.

O burra, shqipëtarë,

Të marrim dituritë,

Se s’është koh’e parë,

Tani lipsetë dritë.

Të shkruajm’ gjuhën tënë,

Kombinë ta ndritojmë,

Gjithë ç’është e ç’ka qënë

Ngadalëzë ta msojmë.

pa shihni ç’gjuh’ e mirë!

Sa shije ka e hije,

ç’e bukur’edh’e lirë,

Si gjuhë perëndie.

Shum’e bardhë kjo ditë

Për gjithë shqipëtarët,

Do na sjellë një dritë,

Që s’e kishin të parët.

Kjo dritë do na bjerë

Të gjitha mirësitë

Dhe gjithë do t’i ngrerë

Dëmet e marrëzitë.

Si lum kush zë të mbjellë,

Lum kush vë këtë pemë!

Se kjo ka për të pjellë,

S’mbulohetë me remë.

Filed Under: Kronike

Fat apo sukses?

July 3, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Nuk mund të ketë krijim nga asgjëja. Mrekullia nuk i dha njerëzimit Demokracinë, por, rruga e gjatë dhe e vështirë, si në lashtësi, edhe sot. Që nga Homeri (vitet 700 pes), ne vërejmë se perënditë dhe njerëzit merrnin vendime duke u mbledhur e kuvenduar në vende të caktuara, kuvende në shesh a në sallë. Por koncepti i parlamentit nuk shfaqet për herë të parë tek Homeri. por ekzistonte që në epokën e Trojës, dhe nga Troja, edhe më larg.

Ekzistojnë gjurmë të zjarrit 700.000 deri 1.000.000 vjet më parë në shpellën e Petralonës, ku u gjet edhe kafka 700.000 vjeçare e Arkantropit. Ka tregues të përdorimit të zjarrit nga njeriu para 1.7 milion vjetësh. Nuk është çudi që njeriu e kishte zbuluar atë, që kur zjarri u shfaq në natyrë. E mundshme është që zjarri të ishte zbuluar edhe më herët, kur njeriu rrëmbeu nga kurioziteti një degë që po digjej. Nëse pranojmë se zjarri ka qenë në shërbim të njeriut për gjithmonë, sa kohë do të duhej që shpikjet si qeramika, apo epokat e metaleve të fillonin?

Gjithashtu. 50.000 vjet më parë, Neandertalët mund të ndiznin një zjarr duke goditur gurin me gur për të krijuar shkëndija, fakt që i habit shkencëtarët, të cilët i kanë nënvlerësuar vazhdimisht njerëzit primitivë. Diodorus Siculus tregon për priftërinjtë egjiptianë:

“Kur një herë në mal bubullima goditi një pemë dhe pyllit aty pranë iu vu zjarri, Hephaestus gjatë dimrit u afrua dhe e shijoi shumë nxehtësinë. Dhe kur zjarri ishte gati të shuhej, ai e mbante atë duke i hedhur vazhdimisht dru, pastaj ftoi njerëz të tjerë të shijonin përfitimet që vinin prej tij”. Meqenëse ajo që shkaktoi zjarrin ishte bubullima, nuk mund të konsiderohet rastësi që në mitologji ishte Zeusi, perëndia, arma e të cilit ishte bubullima, ai që e ndëshkoi Prometeun që ua solli zjarrin njerëzve. Me sa duket, miti antik kodon një incident aktual, i cili përshkruhet i deshifruar në historinë e priftërinjve egjiptianë.

Fat apo sukses? Ashtu si shpikjet më të rëndësishme në historinë e njeriut, metalurgjia duket se ka ndodhur krejt rastësisht. Sipas pikëpamjeve mbizotëruese, shpikja e metaleve lidhet me zjarret e mëdha të pyjeve, konkretisht në vende me mineral bakri sipërfaqësor. Pas zjarreve në këto zona u formuan masa të forta bakri. Këtë pikëpamje e mbështet edhe Straboni. Pra, metalet dhe përpunimi i tyre mund të ishin zbuluar shumë më herët se krijimi i epokave.

A jemi vërtet më të zgjuar se njerëzit primitivë? Shkencëtarët besojnë se paraardhësit tanë gjuetarë-mbledhës kishin një tru më të madh se fermeri dhe rrjedhimisht më të madh se njeriu modern. Kjo është për shkak se ata duhej të bënin shumicën e gjërave vetë, të kishin një kujtesë të mirë dhe të ishin gjithmonë vigjilentë. Më vonë njerëzit, edhe për shkak të specializimit, bënë jetë më të thjeshtë. Kjo sjell në mendje ndryshimin midis njeriut në fshat dhe atij në qytet: fshatari merret vetëm me punët e bujqësisë dhe nuk interesohet për tema të tjera, ndërsa njeriu i qytetit ka një shpirt më të shqetësuar.

Edhe Cro Magnon, forma e hershme e njeriut modern gjatë periudhës 46.000 – 13.000 pes, kishte një tru më të madh se njeriu i sotëm; 1.514 centimetra kub krahasuar me 1.350 cm3 të njeriut. Kjo do të thotë që ose Cro-Magnon ishte më i zgjuar se ne, ose madhësia e trurit nuk është proporcional me inteligjencën.

Të gjithë janë të vetëdijshëm për Teorinë e Përzgjedhjes Natyrore të Darvinit. Por nëse e kombinojmë këtë teori me faktin se katastrofat natyrore gjatë rrjedhës së historisë njerëzore prekën kryesisht grupet që kishin zhvilluar qytetërimin – siç shkruan Platoni te Critias –

“Njerëzit që mbijetuan pas çdo katastrofe ishin analfabetët dhe më pak të zhvilliar”.

Pra, ka shumë të ngjarë që ne të mos jemi njerëzit më të zgjuar që kanë ecur ndonjëherë në tokë.

Në jetë, faktori më i rëndësishëm është fati. Fati është ai që i bëri kushtet të favorshme në mënyrë që kërcimi teknologjik i tre shekujve të kaluar të ishte i realizueshëm. Me një paqëndrueshmëri klimatike ose gjeologjike në kohë të gabuar, ne mund të kishim qenë ende në Mesjetën feudale.

Filed Under: Fejton Tagged With: Astrit Lulushi

Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake udhëheqësit ushtarakë amerikanë në KFOR

July 3, 2023 by s p

Me rastin e përfundimit të mandatit të tyre, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake: kolonelin Chris M Mabis dhe nënkolonelin Jared B. Sheets, për udhëheqjen dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për garantimin e sigurisë, paqes dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë shërbimit të tyre në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë.

Ajo poashtu i ka ndarë Mirënjohje Presidenciale togeres Ryann Laky nga Shtabi i Gardës Kombëtare të Indianës, për kontributin e saj në ndërlidhjen dhe bashkëpunimin me policinë e Kosovës si dhe fuqizimin e grave në sektorin e sigurisë.

Pasi që ka falënderuar të tre ushtarakët amerikanë dhe gjithë ushtarë e KFOR-it për angazhimin e tyre për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke rrezikuar edhe jetën e tyre, Presidentja Osmani theksoi se lidershipi i tyre ka luajtur rol thelbësor në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon në një kohë të ndjeshme.

“Populli i Kosovës është përherë falënderues ndaj kontributit të pazëvendësueshëm dhe të çmuar të Ushtrisë amerikane dhe ushtrive të tjera aleate për paqen dhe stabilitetin. Marrëdhëniet tona me SHBA-të janë ekzistenciale dhe nuk do të ndalemi në angazhimin për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës”, ka theksuar Presidentja Osmani në këtë ceremoni.

Ndërkaq ushtarakët amerikanë falënderuan Presidenten Osmani për nderimin, duke shfaqur shpresën që paqja dhe stabilitetit të jenë afatgjate në Kosovë, njësoj sikurse edhe raportet me SHBA-të.

Filed Under: Rajon

SI HIRI S’DO TRETET / NË AVAZE CULE DO MBETET

July 3, 2023 by s p

Midis dy treshave ( 1973-2023)-50 vjetë në festivalet e Gjirokastrës, Milto Gjiçali fyelltari orgjinal i avazeve të Pilurit dhe krejt jugut të Shqipërisë, si shpendi i shqipes ,fluturon mes tingujve të tij si kali i legjendës për ti dhënë kohës dhe dheut të tij motivet e jetës nga prehistoria në modernitetin e sotëm..

Me trupin e gjatë dhe flokët e zeza pa thinja ai në majat e erës së Gjonadhes, karshi detit, duket se i drejtohet pavdeksisë. Vetëm kur ulet pranë gotës së rakisë duket që është tokësor dhe konsumon sa ushaim dhe këngë.

Ishin vitet 70- të të shekullit të kaluar kur në vatrën e kulturës në Pilur pranë një fizarmoniçisti të” marrë” , djaloshi 23 vjeç po mundohej me turbullimin e avazit nën urdhërat “ luftarak” të Lefter Çipës të shoqëronte këngën” Gushë bardha moj mes hollë”.

Ishte karantinë e vërtetë për të por me sukses qiellor. Dhe bashkë me mjeshtrin e dyares Margarit Kongjinin dhe fyelltarin kaba Arqile Lapën shtruan tingujt ergjele në shekuj , në orkestrinën baritore orgjinale të Pilurit dhe do të shoqëronin dhjetra e dhjetra avaze kënge.

Një vit më vonë trioja e tyre do të “ korrte” suksesin e parë dhe të përjetshëm me këngën “ Tundu bejkë e bardhë tundu!”.

Sokakët e Gjirokastrës dhe krejt trojet e mëmëdheut do te merrnin këtë këngë e këto avaze për të ngrohur shpirtin dhe mjekuar plagët e kohës.

Në Janari i vitit 2023 unë thërras në telefon Milto Gjiçali për të pirë një kafe .

Pasi e shoqëruam atë edhe me “bisht“, unë i them Miltos:-Milto sa vjet u bënë që kur kënduat Bejkën e Bardhë në Gjirokastër?

Duke bërë llogarit përtypur si krerët e tufës kur i shton më thotë:- Pse ma bën këtë pyetje kur ti i ke bërë para meje llogarit apo ke ndonjë mendim të ri në mëndje?- Po!- i thashë. Në 50-të vjetorin e Bejkës do të këndojmë me fyell “ Konovakën”.

U mendua pak dhe më tha:

– Çfarë ta shpuri në mëndje Konovakën kur atë emër e kemi haruar dhe ne që shkojmë me bagëti?

– Koha dhe nevoja për ti rikthyer emrat simbolikë orgjinal që kemi patur ne si pilurjotë dhe krejt vëndi , se na denatyruan me këta emrat e rinj pa kuptim dhe pa simbolikë.

-Po , më thotë do të vij por kam pak merak buzën se më thahet shpesh.

Do te rregullojmë edhe buzën me Lenën e këngës i them por më parë të shtrojmë motivin. Dhe motivi u bë , Miltua e shoqëroi këngën më të re por jetëgjatë “KONOVAKA”.

Ndoshta mund të jetë rast unikal që Milto Gjiçalit pa tre gjëra nuk i rihet dhe nuk mund të jetojë pa to:

1-Kënga dhe fyelli në buzë

2- Rakia dhe miqësia në shtëpi dhe lokal

3- Bujaria dhe qerasia( bile kjo e fundit mund të futet në librin gines) Miltua s’ikën dot pa paguar.

Rrugës kur ktheheshim nga festuvali i Gjirokastrës në të gdhirë të datës 26 Qershor rreth orës 3-re të mëngjezit, pas asaj darke të mrekullueshme që djemtë e Lefter Çipës i shtruan grupit të Pilurit dhe prezencës së fjalëve të ngrohta të kryetarit të Bashkisë Gjirokastër , Flamur Golemit, në makinën time së bashku me Florika Thanasin ,Agron Krekun, Foto Lekën, Miltua na mbajti pa gjumë me këngët e tija dhe ligjërimin e Florikës,

Miltua është karakolli i kënglës pilurjote që do të thëras zërat e këngës në kohëra dhe do të flerë në shtratin e tingujve dhe legjendës.

Nga Kristo Çipa

Filed Under: Kronike Tagged With: Kristo Cipa

Bashkëpunimi ekonomik Kosovë – Shqipëri

July 3, 2023 by s p

Dr. Msci.ecc. Vlora Obertinca/

Sa e bukur ishte parada e parakalimit të shqiptarëve në New York para disa ditëve. Shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, gjithandej kah janë, të gjithë së bashku paraqesin me të vërtetë një diasporë për të qenë krenarë. Secili shqiptarë që dilte e fliste ishte më i suksesshëm se tjetri. Ata falë punës së tyre të palodhshme kanë arritur të krijojnë një jetë stabile financiare në perëndim deri në Amerikën e largët. Të gjithë këta shqiptarë do t’a bënin punën e njejtë në atëdhe po t’u ipej rasti, e rasti jipet atëherë kur shteti i krijon kushtet ekonomike duke i garantuar investimet e tyre.

Ne kemi dy shtete shqiptare në Ballkan me dy Kryeministra par excellence, karizmatik e të mençur sa të duash, te cilët po shkelqejnë dhe po na bëjnë krenarë me aftesitë e tyre në skenën politike kombëtare dhe ndërkombëtare. Si lum ne që i kemi dy koka gjeniale në krye të dy shteteve tona, të cilat po të bëheshin bashkë me mençurinë dhe kreativitetin e tyre do të krijonin parajsë jetese në Ballkanin Perëndimor.

Takimet në mes të dy qeverive shqiptare nuk po mungojnë ndonëse, do të ishte mirë sikur bashkëpunimet të thelloheshin edhe më tepër në sektorin ekonomik dhe financiar. E them këtë sepse, ekonomia e fortë e një shteti është alfa dhe omega për plasimin e atij shteti në ranglisten e shteteve të zhvilluara ekonomikisht në botë, gjë që nuk është e lehtë.

Investimet në portin e Durrësit dhe Vlorës tanimë kanë filluar dhe, do të ishte mirë sikur edhe Kosova të fillonte me investimet e saja në turizmin malor në Brezovicë deri te malet e Rugovës, në mënyrë që shtetet shqiptare të bëhen lidere në turizmin veror dhe atë dimëror në rajon. Në njërën anë kemi detë, e në anën tjetër kemi mal. Shqiptarët brenda ditës mund të shijojnë verë në dimër, skijim në mal dhe qëndrim në detë – e ku ka më mirë se kjo ?! Por athua, a mund të jemi më kreativ në ide për rritjen dhe intensifikimin e këtyre investimeve në nivele qeveritare ndërshqiptare ?

Sigurisht që po.

Tregu i kapitalit mungon në Shqipëri dhe Kosovë, jo pse nuk kemi resurse strategjike por pse nuk kemi iniciativa dhe ide konkrete për jetësimin e tyre. Zhvillimi i tregut të kapitalit është qenësor për ngritjen e rejtingut kreditor të të dy shteteve shqiptare.

Mendojë se, Shqipëria do të duhej t’i emetojë letrat me vlerë mbi projektet e saja kapitale në bregdet si ajo e Durrës Marina apo Vlora Marina. Këto letra me vlerë që i garanton shteti shqiptarë do te duhej që, pjesërisht të investojë në to edhe shteti i Kosovës dhe diaspora mbarë shqiptare. Nga ana tjetër do të duhej që, qeveria e Kosovës te intensifikojë projektin e turizmit dimëror në Brezovicë dhe të emetojë gjithashtu letra me vlerë mbi këtë projekt kapital dhe , qeveria e Shqipërisë të investojë gjithashtu në letrat me vlerë të Kosovës së bashku me diasporën shqiptare dhe pse jo edhe investorët e huaj. Kjo do të thotë se, shtetet shqiptaro- shqiptare bëhen pronar kryesor të ndersjelltë të kapitali të tyre , duke e mbështetur fuqishëm kapitalin e investuar me të gjithë mekanizmat ligjorë, garancat shtetërore, si dhe me risigurime ndërkombëtare nga kompanitë prominente botërore të specializuara në lëmin e risigurimeve.

Kështu paratë do sillen dhe mbesin në atëdhe, kapitali do të qarkullon në trojet shqiptare, do të rritet GDP-ja dhe mirëqenia e përgjithshme e popullit, si dhe do të shmanget ekzodi i të rinjëve shqiptarë në perëndim, sepse pagat do të rriten në nivel me ato të perëndimit dhe vendet e punës do të jenë të mjaftueshme. Madje, mund të hapet rruga edhe për rikthimin e të gjitha shqiptarëve të interesuar nga diaspora për të jetuar dhe prosperuar ekonomikisht në vendlindje.

Duke garantuar stabilitet financiar nëpërmjet të operimit të letrave me vlerë në tregun e hapur, Shqipëria dhe Kosova në te ardhmen e afërt mund të emetojnë edhe EURO – Bondin shqiptarë

në tregun financiar perëndimor dhe të konkurojnë si dy tregje financiare te përbashkëta nën ombrellën e një politike monetare të përbashkët dhe të suksesshme. Kështu promovohet Kosova dhe Shqipëria si shtete stabile ekonomikisht dhe financiarisht ku mbi të gjitha mbretëron ligji, dhe si të tilla do të jenë atraktive për tërheqjen e investorëve të huaj në sektorët strategjik të turizmit malor – detar, dhe jo vetëm.

Duke punuar në fuqizimin e tregut financiar nëpërmjet të emetimit të letrave me vlerë dhe operacionalizimit të tyre efikas, qeveritë shqiptare mund të stabilizojnë dhe te fiksojnë normat e interesit për tërë tregun financiar, të mbajnë nën kontroll inflacionin, si dhe të injektojnë buxhetin qeveritar sa herë që ka nevojë. E pas këtyre hapave është e lehtë të themelohet dhe menagjohet tregu i kapitalit dhe bursa e cila i mungon shteteve tona.

Keshtu lidhen, fuqizohen dhe faktorizohen më shumë shtete tona dhe populli ynë në rajon.

Të dashur Kryeminstra Rama dhe Kurti , ju lutem filloni me reforma ekonomike të përbashkëta, koherente dhe te sinkronizuara sepse, edhe ideja e amnestisë fiskale do të inkorporohet më lehtë kur, Banka Qendrore e Kosovës dhe Shqipërisë bëjnë bashkarisht politika monetare zhvillimore të avancuara meqë ju takon sepse, janë boshti i rrotullimeve financiare shtetërore dhe mbi të gjitha këshilltare financiare kyqe të qeverisë.

Bashkimi e bënë fuqinë dhe guri i rëndë peshon në vend të vet !

Dr. Msci.ecc. Vlora Obertinca

Eksperte e tregjeve financiare,

Doktor shkence në lidership

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 43
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT