• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

JANË YJET QË MË ZËNË RRUGEN NË JUG…

August 25, 2023 by s p

– Është poeti Sulejman Mato

që shkruan ashtu. –

Nga Visar Zhiti

Ndonjëherê mjafton dhe një varg për ta kuptuar poetin, si shkruan dhe çfarë ndjen, nga është dhe ç’gjë qiellore e ndjell, teksa te ndonjë tjetër mund të jenë të tepërta libra të tërë, ku s’kupton ç’thotë dhe si ka rënë gabimisht në grackën e poezisë si këmba e një keqbërësi…Poeti Sulejman Mato me atë varg na vetëzbulohet, rruga e tij humbet për në jug, është një lloj kthimi i ëndërrt, pra është nga andej, ku moria e yjeve i del përpara, po ç’janë ato xixëllima si portokallet e rivierës a ullinjtë mbi një gjumë të bardhë prej deleje, se mos janë stërkala mornicash të një dashurie?…

Ka mbi 60 vjet që Sulejman Mato shkruan dhe unë shfletoj antologjinë e jetës së tij me gati 600 faqe poezi.

“Nesër do të vij” titullohet.

Dhe kjo e nesërme mua më del e djeshme. Isha nxënës në Lushnjë, ku pas baltrave nisnin fshatrat e internimeve, me një tërheqje ankthëruese dhe me një diell të madh, të kuqerremtë, që perëndonte në thellësi të shinave të trenit, që më dukej se mua nuk do më merrte kurrë e nuk shkonte asgjëkundi. Andej shëtisnim çdo pasdite dhe flisnim për librat e rinj me poezi. I lexonim të gjithë ç’dilnin. Poeti Faslli Haliti, që e kishim dhe mësues, jo të letërsisë, por të vizatimit, rrinte me ne, na ishte bërë mecenat shpirtëror dhe shok.

– E si ju duk Sulejman Mato? – na pyeti, se ishte botuar libri i tij i parë me poezi, “Shtegu i blertë”.

Liriku ynë, eseniniani Sherif Bali, më i madh nga ne, gjimnazist, por me “biografi të keqe”, e kishin shpallur “kulak” gjyshin e tij, më recitoi këto vargje, i kishte mësuar përmendësh:

Fryn veriu i vendlindjes,

solli fjalët e hardhisë:

– “Unë si ti nuk jam larguar,

po jam rritur pranë shtëpisë.”

Fryn veriu i vendlindjes,

foli gjuh’ e fletëve:

– “Ne përjetë do gjelbërojmë,

se kemi rrënjët në dhé.”…

(Faqja 15)

Ishin të Sulejman Matos, pra, duhej të ishte poet i mirë, Sherifi ynë nuk gabonte. I besoja, ndoshta nga që dhe unë se ç’kisha në biografi, “një kleçkë” siç thuhej atëhere, edhe pse s’kisha ende biografi, por im atë s’kishte qenë partizan dhe s’ishte komunist, madje kishte qenë kundër, eh, na i tregonte anash e anash e bënte humur. Pra, s’ishte ndonjë hatá siç na e bënin në shkollë. Po ja, mund të mos të të lejojnë të shkosh në shkollë të lartë si vëllezërit e tu e si Sherifi, mund të mos të të japin të drejtën e botimit, etj, etj. Ishte herët ta mendoje burgun… por kjo s’më pengoi të mēsoja poezi permendësh. Edhe vargjet e Sulejmanit dhe i di dhe sot e kësaj dite….

Fryn veriu i vendlindjes,

mora letër prej shtëpisë:

– “Unë këtej nuk do largohem,

unë s’do vij të rroj me ty…”

Fryn veriu i vendlindjes,

m’u dogj zemëra ne gji…

Lulëzim në kopësht pranvera…

– “Kthehu, djalo në shtëpi!”.

(Faqja 15)

Sa mall kishte kjo poezi! Si De Radiane. Me reflekse drithëruese mbi ujrat joniane. Dhe një thjeshtësi që më habiste…

Po edhe vetë Sulejman Mato ashtu ishte si poezia e tij. I hollë, kaçurrels, fytyrë gjatoshe, vështrim-butë, i vëmendshëm, me favoritet liberale.

E pashë kur çova poezitë e para për botim në revistën “Nëntori”, ku ishte redaktor. Më priti mirë, ngrohtë, ma hoqi shpejt druajtjen, që në fakt nuk m’u hoq kurrë. Dija të skuqesha në atë botë të paturpshme, pavarësisht se do ma përflisnin skuqjen…

Një zyrë më tej kishte qenë prozatori Faik Ballanca, që do të vriste veten. Edhe ai më kishte pritur mirë, do t’ma botonte nje tregim, po të shkurtohej, por unë nuk pranova.

Por poezitë dolën. Më lumturuan. Nja tre kishte zgjedhur Sula, njëra si uitmaniane, po ky varg mos është shtuar, që të mos kishte probleme me ata më lart? Ja, dhe një poezi për Homerin, do të ma përplasin në gjyq si hermetike dhe armiqësore, aktekspertizuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve e quajtën metaforë kundër socializmit, etj, etj.

Pas Plenumit të 4-t të Partisë, (në ditar e kisha shkruar “pleh-num”), ku u dënuan vitet e ashtuquajtura të liberalizmit, por dhe poezi e poetë, u çuan libra në fabrikë të letrës për t’u ricikluar në letër të bardhe si një mendje pa kujtesë, e shpëlarë dhe u futën burgjeve shkrimtarë e artistë, Sulejman Maton e hoqën nga revista “Nentori”, Faslli Halitin tonë e çuan në një kooperativë bujqësore, punonte me shat fushave apo shkruante parrulla mureve, por nuk iu nda shpirti nga ata që e dhunuan, siç e pohon dhe poeti tjetër, edhe ai i dënuar, Sadik Bejko.

Do ta takoja dhe një herë më pas Sulejman Maton, në Kukës, para arrestimitt tim, kur unë isha mësues fshati. Ai kishte ardhur me poetin që e doja, Fatos Arapi, se do të shkonin në Kosovë, ishin të ftuar. Një shok imi, veteriner, Xhevdet Bashllari, kishte raki të mirë dhe ca mish të pjekur, që mezi gjendej, të mbështjellë me gazetë. Shkuam në hotel dhe ftuam Fatos Arapin dhe Sulejman Maton për darkë, ta pinim shishen e rakisë bashkarisht. Mrekulli, pranuan. Dhe unë thirra vrap mikun tim, që kur ishim studentë, poetin Agim Spahiu, se këto takime kështu ishin të rralla dhe ngjarje për ne. Fatos Arapi na tha që të mbylleshim në dhomën e tyre në hotel, se poshtë në restorant mund të binim në sy jo për mirë. Me të drejtë. Ata të nesërmen do të dilnin jashtë shtetit…

E kujtoj atë natë, bisedën e ngrohtë, kthe gotat e vogla të rakise, rromuze tē mëdha, Sula i përzemërt gjithnjë e më shumë, na trajtonte si të barabartë, profesor Fatosi më i kujdesshëm, i përzemërt po aq, fytyrëpastër, në gjykime shkonte më tej standartit, mund të shkonte dhe më shumë, por nuk e të pronte as në raki, e bezdiste personazhi pozitiv, etj, të nesërmen bëmë dhe foto para hotelit dhe me shoqëruesit e tyre, që do t’i çonin deri në kufi, do të rrinin aty deri sa andej nga pala jugosllave t’i shihnin që kishin ardhur me veturë, sa drithëruese dhe e mistershme ajo fjalë: kufi! Profesor Fatosi u kujdes që të bënim dhe një foto para bustit të heroinës Shote Galica, i kam ende në albumin tim të atëhershëm, por që s’e kam hapur më….

Shfletoj poezitë e antologjisë. “Nesër do të vij”. Sulejmani beson te e nesërmja dhe te poezia. E gjithë jeta e tij është aty, deti, era e jugut të tij, nëna, nëna përsëri, yjet që përzjehen me portokallet, dëshmorët dhe Prishtina, zogjtë dhe shiu i cicërimave, familja, miqtë, rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës dhe ngritja e popullit:

Në çastet e fundit m’u duk sikur më pa

Me një pamje dinake,

me një buzëqeshje cinike,

– “Dhe ti, o Brut!?” – u duk sikur më tha.

– “Po, Cesar!” – i thashë unë

me kënaqësi të përmbajtur.

(Faqja 252)

Po ca që s’përmbajnë dot pakënaqësinë? Atë emër e kanë në gjak si sëmundje të sheqerit. Vazhdoj shfletimin, avitet një si zymti, shfaqet ironia diku, prapë Kosova, Gjeneva, treni për në Milano, dritarja fërgëlluese, etj, etj, por gjithsesi poezia e Sulejman Matos mbetet po ajo, si në fillimet e saj, pa ndryshuar me ndryshimet e kohëve, të sistemeve, ka ruajtur sistemin e poezisë së tij, me thjeshtësinë e sinqertë, e qartë si dera e shtëpise në vendlindje, e tharë nga malli, me prarime hëne, pa magjepsje, pa ndikime, me rima e strofa më së shumti, me ritëm si këngët e jugut, por pa përsosjen, sikur nuk e duron dot atë, do, si të thuash, atë shtrembërim të dhembshëm të trungut hollak të hardhive, gjethnajën e ndjesive… si dallgët e njëjta në breg, pavarësisht se anijet në det janë modernizuar, krocerat e turistëve janë bërë më luksoze apo flotat e nëndetëset komandohen dhe nga Inteligjeca Artificiale. Po pulëbardhat kanë mbetur po ashtu e Itaka është poezia drejt së cilës udhëtohet, qoftë dhe pambërritshëm…

Po sjell këtu dhe imazhet e dy ballinave nga librat e shumtë të Sulejman Matos, mora nga fb i tij dhe një foto rinie, ku ai ka dalë në Sarandë me shokun e tij, poetin Viktor Qurku, që pasi e çuan në çmendinë pas atij Plenumit famëkeq të 4-t të Partisë, e helmuan mjekët me gjilpërat e Sigurimit të Shtetit, pastaj gjeta dhe një foto tjetër, kemi dalë në Ulqin, është dhe poeti nga Kosova, Prof. Agim Vinca dhe një Zonjë, që tani s’e kuptoj cila është, pranë kam poetin Pano Taçi, bashkëvuajtës imi, ka qenë partizan, por e burgosën se donte të arratisej, të shkonte në SHBA te gjyshi, ashtu i kaloi jeta, burgjeve dhe internimeve, Sulejmani ka shkruar dhe një tregim për të, ndërsa imazhi i fundit është prapë një ballinë libri i Sulejman Matos, “Kujtime të kohës me Kadarenē”, ka re a mjegull, një si pezullì dhe humnerë qiellore, shpinat e dy siluetave të dy burrave me borsalinë, nuk janë të Realizmit Socialist, njeri me bastun aristokratik në dorë, nuk më duken si protagonistë të librit, gjithmonë ëndrra për të qenë të tjerë, as rruga për në jug nuk është e zënë me yje. Dhe perifrazova titullin e antologjisë, e ktheva në pyetje dhe për veten: nesër si do të vish?…

Filed Under: LETERSI

P. Camillo Libardi (1863-1943) dhe dokumente për historinë e Shqipërisë

August 25, 2023 by s p

Shqipëria, veçanërisht pjesa veriore e vendit, ka qenë vijimësisht një tokë misionare dhe posaçërisht këtë veprimtari e kanë mbajtur gjallë në krye të herës përgjatë mesjetës murgjit benediktinë, që u pasuan mandej nga etërit domenikanë dhe ata françeskanë e që ishin kryesisht italianë. Me pushtimin osman, benediktinët dhe domenikanët e lëshuan vendin dhe veprimtaria misionare mbeti në duart e françeskanëve, të cilët deri me mbërritjen e jezuitëve në fund të gjysmës së parë të shekullit XIX, ishin pothuajse të vetmit që mbajtën mbi shpatulla barrën e vështirë të veprimtarisë misionare. Pikërisht për këtë fakt, një histori misioneve françeskane këndej Adriatikut, do të kishte qenë tejet interesante në shumë apekte, qoftë në pikëpamje historike, sociale, fetare por edhe ndërkulturore.

Një ndër misionarët françeskanë i cili jetoi për 45 vjet radhazi në Shqipëri, ishte edhe P. Camillo Libardi O.F.M. Ai lindi në Levico (Trento), më 7 dhjetor të vitit 1863. Veshi petkun françeskan më 5 mars 1880 dhe u shugurua meshtar më 2 janar të vitit 1887. Më 5 prill 1888 u paraqit në Romë nën thirrjen e Kongregatës së Propagandës Fide, e cila e dërgoi misionar në Shqipëri. Shërbeu gjatë gjithë kohës në dioqezën e Pultit deri në vitin 1932. Kjo veprimtari misionare baritore ka qenë për të e për shumë kënd si ai, një jetë e vështirë për shkak se i duheshin orë të tëra për të mbërritur tek familjet të cilat jetonin pothuajse në një gjendje primitive e të shpërndara anë e kënd grykave të humbura të luginës së Drinit poshtë kreshtave të Bjeshkëve të Nemuna, mes izolimit total prej qytetërimit dhe për më tepër nën persekutimin e ashpër të sundimit osman. Njëzetë e tetë katunde me rreth 400 shtëpi e rreth 3500 shpirtra, të Dioqezës së Pultit, të gjithë katolikë, jetonin në pavarësinë e ruajtur përmes institucionit juridik dokësor vendor të Kanunit të Lekë Dukagjinit. Personaliteti i tij i fortë, inteligjenca e spikatur dhe mbi të gjitha energjia dhe vullneti i tij i jashtëzakonshëm për t’iu gjendur pranë besimtarëve të grigjës që i ishte besuar, qe mbi të gjitha shtysa e jashtëzakoshme e karizmës françeskane që përcolli frati françeskan përgjatë gjithë misionit të tij. Libardi do të vërente se natyra e egër e shqiptarit të këtyre anëve ishte e tillë jo aq prej karakterit të tij, sa prej mungesës së thuajse të plotë të institucioneve të qeverimit. Shala, Shoshi, Thethi e Nikaj ishin zhytur në gjakmarrje. Vetëm në vitin e parë të apostullimit të P. Libardi-t, pati 43 vrasje. Bash për këtë arsye ai mori nismën për të mbledhur e bërë bashkë krerët e fiseve për tre ditë radhazi dhe me 5 qershor u 1890 u arrit një marrëveshje mes tyre që të kishte besë mes sosh, së paku për të mbajtur të sigurt rrugëkalimin mes këtyre zonave që shkonte për në Fushë Kosovë, marrëveshje e cila mbeti në fuqi deri në vitin 1894. Shpërthimi i kryengritjes në Veri të vendit gjatë vitit 1911 dhe sidomos ofensiva e Shefqet Turgut Pashës mbi Malësinë e Madhe, Dukagjinin dhe Mirditën si dhe sjellja e dyfishtë e Kral Nikollës, bëri që me nismën e P. Libardi-t më 17 korrik 1911 të arrihej një marrëveshtje tjetër mes krerëve të dy besimeve në kështjellën e Drishtit, marrëveshje e cila iu konfirmua edhe Valiut të Shkodrës, i cili madje i ofroi P. Camillo-s, Zyrën e Mydyrrit të Dukagjinit si dhe dekorimin prej qeverisë osmane, zyrë dhe nderim të cilat frati i përvujtë i refuzoi. Shfaqja e një personaliteti të tillë do të ishte edhe një arsye e fortë që ai të propozohej edhe si një ndër tre kandidatët e mundshëm për fronin ipeshkvor të dioqezës së Pultit, detyrë të cilën ai e refuzoi duke gjetur si shkak moshën e tij të re. Në vitin 1907 Shenjtëria e tij Papa Piu X e dekoroi me medaljen e mirënjohjes për veprën e tij misionare. Me Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912, ai qe zgjedhur drejtor i Kryqit të Kuq Shqiptar në nënprekefturën e Dukagjinit ku pat hapur në vitin 1926 edhe një qendër ambulante misionare në famullinë e Shoshit. Pas kryengritjes së Dukagjinit dhe përgjakjes që i bëri Ahmet Zogu kësaj krahine, me këshillimin e dikasterit roman për veprimtarinë misionare: Propagandës Fide, P. Libardi në vitin 1932 e lëshoi misionin e tij aq shumë të dashur në Shqipëri, mbas plot 45 vjetësh dhe u rikthye në vendlindjen e tij në Trento në Itali.

Duhet thënë se P. Libardi përjetoi konkretish ngjarjet e rëndësishme që rrodhën në Shqipëri në kapërcyll të shekujve XIX-XX, duke i ndjekur me kujdes e vëmendje ato, si dhe duke mbështetur me të gjitha format dhe mënyrat patriotët shqiptarë gjatë dhe pas Shpalljes së Pavarësisë. Në atë kontekst historik ai njohu nga afër Luigj Gurakuqin, At Gjergj Fishtën O.F.M., Ernest Koliqin, Bajram Currin, Muharrem Bajraktarin, Gjon Marka Gjonin, Dom Lazër Shantojën, Rexhep Shalën, Imzot Luigj Bumçin, At Bernardin Shllakun O.F.M., Imzot Lazër Mjedën, Musa Juka, Gjon Gazullin etj. Dëshmia më e mirë e kësaj pamjeje do të ishte libri i tij në dy pjesë I primi moti patriottici albanesi nel 1910 – 1911 – 1912: specie nei Dukagini (1935), vepër të cilën Albanisches Institut e ka përgatitur në gjuhën shqipe dhe pret ta botojë së shpejti. Në vitet e fundit të jetës Libardi qe emëruar “Cavalliere della Corona d’Italia” si dhe anëtar i Komisionit Adriatik për Studimet Shqiptare [Commissione Adriatica per gli Studi Albanesi]. Më 22 dhjetor 1942 u shtrua në infermieri në Trento ku edhe ndërroi jetë më 26 shkurt 1943.

P. Camillo Libardi botoi tri vepra: I primi moti patriottici albanesi nel 1910-1911-1912: specie nei Dukagini. (1935); Il missionario Albanese sul campo di battaglia, ovvero ricordi della vita di p. Alberto Cracchi O. M. vescovo di Pulati in Albania. (1935); Come si è fatto re d’Albania Ahmet Zogu (1940); Si u bë mbret u Shqipërisë Ahmet Zogu. Tiranë, 2012. Pikërisht në kohën e pushtimit italian (1939-1943), studiuesi dalmato-italian Giuseppe Praga, kishte ideuar dhe përshkruar “projektin” e mundshëm të botimit të serisë “Monumenta Albaniae Historica”, pjesë e së cilës me sa shihet do të ishte edhe vepra e Libardi-t e lënë dorëshkrim Sylva documentorum et Albaniam pertinentium. I-III, frut i një punë të madhe e të lodhshme e plot durim në arkivat dhe bibliotekat e ndryshme italiane si në Arkivin e Shtetit në Venezia, bibliotekën “Lucca” të Napolit etj. Njoftimin e parë tërthorazi lidhur me këtë vepër e marrim në vitin 1942 nga revista “Hylli i dritës”, në një artikull të At Bernardin Palaj dhe të At Rrok Gurashit, të cilët theksojnë se “…po paraqesim gjygjin e koleksionistit mà të madhit t’akteve të këtij Djoçezi (Pultit, shënimi ynë), P. Kamil Libardit i cili pështetë në dorëshkrime të pabotuem qi aj e quen Sylva documentorum spectantium.” Në vitin 1942, në një artikull me titull: “L’Albania e le missioni italiane nella prima metà del secolo XVII in base a documenti ineditti”, të botuar në; Rivista d’Albania, Anno 3. Fasc. IV. XXI, Roma, Dicembre 1942, f. 226 – 248., studiuesja italiane Ferdinanda Granata theksonte se për misionet italiane në Shqipëri në gjysmën e parë të shekullit të XVII, ajo ishte bazuar në pjesën më të madhe mbi burimet e mbledhura nga P. Libardi, vepër të cilën e citon vazhdimisht përgjatë studimit të saj, nga dy vëllimet përkatëse dorëshkrim. Periudha e Luftës së Dytë Botërore solli peripeci të shumta që njihen tashmë, të cilat sikurse dihet patën pasojat e veta dhe dorëshkrimi i P. Camillo-s humbi gjurmët dhe për pasojë mbeti i panjohur, përkatësisht i pabotuar. Prej vitit të largët 1942, çështjen në fjalë e rimerr kalimthi edhe studiuesi diplomatisti i mirënjohur i dokumenteve për Shqipërinë Injac Zamputti, i cili u mjaftua vetëm me citimet dhe përkthimin e një dokumenti të transkriptuar, bazuar në artikullin e Granata-s, ngaqë atij për fat të keq nuk i jepej e drejta e kërkimeve jashtë vendit (shih: Relacione e dokumente për historinë e Shqipërisë 1610- 1650, St. Gallen-Prishtinë 2018. f. 12. Mbas tij Dom Gjergj Gjergji-Gashi në bibliografinë që i paraprin hyrjes së librit të tij (Vatikani dhe Arbëria: (Acta Albaniae vaticana) 1700-1922. Tiranë, Onufri, 1998. f. 44), dhe disa autorë të tjerë të parëndësishëm. Është interesant të cekim se citimi i Gjergj Gjergj-Gashit është i ndryshëm nga ai që citon Granata, Zamputti: Sylva Documentorum I-III (Storia della Mirdita Catolia e l`attività dei misionari italiani in questa Provincia albanese, martiri…). Arsyen e citimit të ndryshëm ende nuk dimë. Një gjë që duhet cekur është se ky është citimi i fundit nga aspekti kohor që u bë për dorëshkrimin e Sylva-s të Camillo Libardi-t. Edhe Hans Krahe e përmend këtë dorëshkrim në “Bibliographie der Jahre 1947 und 1948“, duke iu referuar Fernanda Granata-s, por me këtë emër: L`Albania e la Missioni italiani nella prima meta des secole XVII in base a documenti inediti, RivAlb 1942, Dokumentation des P. Camillo Libardi da Levico in drei Bänden, por sipas nesh duhet gjurmuar më gjërësisht lidhur me argumentin në fjalë. Por duke qenë këtu nuk do të mund të anashkalonim një tjetër argument shtesë i cili mendojmë se nuk duhet anashkaluar. Bëhet fjalë për veprën Orbis Seraphicus, përgatitur nga Dominicus de Gubernatis e cila është një vepër tejet interesante për historinë shqiptare, vëllimit i parë i së cilës u botua në vitin 1682 në Romë, e që i kushtohet gjërësisht historinë së misioneve françeskane dhe veçmas natyrisht edhe atyre në trojet shqiptare. Këtë vepër tashmë Albanisches Institut e ka gati për shtyp, ngjizur që në krye të herës si një projekt editorial i përzgjedhur me pjesë nga ato vëllime që kanë të bëjnë me historinë shqiptare. Nga ky botim i Orbis, do të shihet shumë qartë se shumë gjëra aty janë tejet të rëndësishme për historinë shqiptare por që janë publikuara më parë në Itali, e që për fat të keq vetëm një pjesë tejet e vogël e botës shqiptare i ka njohur ato. Disa prej këtyre publikimeve pretendohen si risi të “zbuluara”, sikurse kjo ka ndodhur tash së fundmi me një botim të Giancinto da Sospello, ndërkohë që relacioni i sipërpërmendur është botuar prej më shumë se një shekulli, madje pjesërisht e kishte publikuar atë edhe studiuesi ynë i vyer Injac Zamputti.

Do të rikthehemi sërish tek P. Camillo Libardi dhe vepra Orbis Seraphicus, që deri më tani nuk ishin të njohur, me rastin e botimit të pritshëm sikurse e përmendëm. Vëllimi i fundit i Orbis Seraphicus ishte bërë gati për shtyp nga P. Antonio Maria De Turre, por mbeti në dorëshkrim i pabotuar. Këtë dorëshkrim e gjeti P. Aniceto Chiappini më 1941, i cili mbasi e përgatiti vyeshëm për shtyp e botoi në vitin 1945. Është pikërisht ky vëllim i Orbis Seraphicus, i cili të dhëna mjaft interesante për Camillo Libardi-n dhe Sylva-n. Sylva, sikurse dihet, ishte dorëzuar për shtyp në vitin 1939 në “Centro di Studi per l’Albania”, ndërkohë Orbis (vëllimi i fundit), u zbulua në vitin 1941 dhe u deshën katër vjet deri sa u botua më 1945. Përgatitësi i tekstit të faqeve që i kushtohen misioneve françeskane në Shqipëri duhet ta ketë pasur në dorë dorëshkrimin e Libardi-t, për arsye sepse e citon plot pesë herë veprën në fjalë të Libardi-t Sylva. Mënyra se si bëhet citimi në Orbis na bind në mënyrë të padyshimtë se Chiappini i kishte në dorë së paku dy vëllimet e Sylva-s të Libardi-t edhe pas vdekjes së Libardi-t. Marrim si shembull faqen 40, citimin me numer 3 të Orbis, citim në të cilin shkruhet kështu: Camillus Libardi O.F.M., Sylva documentorum spectantium ad Albaniam, Burgi Ausurgi 1939, Vol. I, fol. 623. Pra, vëllimi i parë dhe folja apo dokumenti 623 nga dorëshkrimi i Libardit. Burgi Aussurgi është Borgo Valsugana në Trento dhe më këtë na bën me dije se prej Trento-s Libardi i dërgoi këto dorëshkrime për shtyp më 1939. Në citimin e sipërpërmendur flitet edhe për dorëshkrimet e marra nga kuvendi i Shën Mëhillit (St. Michaelis) në Venedik sikurse ai i P. Angeli de Bergamo (fol. 3-55), Secunda relatio, usque ad an. 1646 est anonyma, i treti P. Cherubini de Vallebona (fol. 87-209) i katërti P. Leonis a Cittadella, ku flitet gjërësisht për meshtarin D. Georgio Jurich (fol. 211-349). Sequitur (fol. 35 etj., e që janë marrë po ashtu nga Sylva. Në faqen 40 gjejmë po ashtu të dhëna interesante për P. Josephum Ubeveteri, ku shkruhet kështu sikurse shihet nga shënimi në fudfaqe me numër 6 në këtë faqe e që janë të dhëna të marra nga Sylva documentorum I. Kur shkruhet për P. Francesco Mª. da Lecce në faqet 42-43, sidomos fusnota numër 5 është interesante se këtu është shënuar vëllimi II i Sylva-s: Ex C. Libardi, Sylva documentorum, II, fol. 630 et 651-651. Janë këto fakte të sjella drejpërdrejt e që i bje se Chiappini kishte në dorë të dy vëllimet dorëshkrim të veprës, madje ky është edhe vendi ku shënohen për herë të parë dhe në mënyrë shumë të saktë dokumentet e Sylva-s së Libardit.

Donato Martucci në artikullin: «Il sogno di un’opera monumentale: Fonti per la storia d’Albania”, ka provuar që të gjejë veprat e Libardi-t dhe ka hulumtuar në arkivin në “Centro di Studi per l’Albania”, ku edhe ka hasur vetëm në letërkëmbimin shumë interesant mes p. Camillo Libardi-Benini-Pellati, pa mundur dot të gjejë edhe ai dorëshkrimet e vëllimeve të shumëpërfolura. Nga letërkëmbimin mes Camillo Libardi me Cancelliere Francesco Pellati dhe Zenone Benini nga “Centro di Studi per l`Albania” të cilin më parë e kishte publikuar Donato Martucci, vërehet shumë qartë se Libardi kishte dërguar për botim tri vepra voluminoze më datën 1.09.1939 në “Centro di Studi per l’Albania” dhe nga kjo ditë, kanë humbur të gjitha gjurmët e këtyre dorëshkrimeve. Dëshminë e mbërritjes së veprave në këtë adresë e pohon vetë Pellati më 23.11.1939. Ndonjëherë është menduar se vëllimet e “Sylva documentorum” të Libardi-t mund të jenë botuar pjesërisht me shkurtime edhe në veprën e tij “Il missionario Albanese sul campo di battaglia”, por ky hamendësim nuk qëndron, sepse letërkëmbimi Libardi-Pellati dëshmon se këto vepra volumonize me dokumente arkivore ishin krejt tjetër punë, sepse është fjala për një periudhë kohore prej pesë vitesh më vonë nga botimit të këtij libri.

Kishim dijeni se këtë dorëshkrim e kishte kërkuar shumë edhe P. Daniel Gjeçaj O.F.M., dhe P. Zef Pllumi O.F.M. Kërkimet në ish-Centri Studi per l’Albania në Romë qenë edhe ato pa rezultat. Kërkimeve tona të shumta të bëra në Shqipëri; në Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Institutit të Historisë dhe Bibliotekën Kombëtare në Tiranë; Bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër dhe Bibliotekën Françeskane po në Shkodër nuk dhanë rezultat. Në vitin 2016, në Milano në një takim mes Albert Ramajt e Kastriot Markut, gjatë bisedës ra fjala edhe për Camillo Libardi-n dhe odisenë e dorëshkrimeve të e tij, përçka ishim të mirëinformuar. Duhej bërë diçka. Këtë hap mori Albert Ramaj dhe me sukses gjeti në Trento manuskriptin e panjohur deri më tani. Më në fund u drejtuam në Trento, vendlindja dhe njëkohësisht vendpushimi në amshim i fratit françeskan. Pas konsultimit të “Catalogo dei manoscritti della Fondazione “Biblioteca San Bernardino” dei Padri Francescani di Trento” përgatitur nga P. Remo Stenico O.F.M, në të cilin në mes 1389 dorëshkimeve u gjetën edhe tre dorëshkrimet e P. Libardi-t (nr. 386-389), prej të cilave vëllimi i dytë i I primi moti patriottici albanesi nel 1910-1911-1912 dhe Il missionario Albanese sul campo di battaglia, ovvero ricordi della vita di p. Alberto Cracchi O. M. vescovo di Pulati in Albania. Mbas komunikimit me p. Gian Carlo Colombo O.F.M. dhe Italo Franceschini-n, drejtorin e arkivit trentin të Fondazione della “Biblioteca San Bernardino”, në muajin korrik 2016, pasi u verifikua në arkivin e bibliotekës na u konfirmua prania e tre dorëshkrimeve të P. Libardi-t, dy prej të cilave tashmë ishin botuar në të gjallë të P. Camillo-s dhe një vëllim i Sylva documentorum spectantium ad missionem Pulatensem [Albania] me numër vendi MS 386. Vëllimi i mësipërm përmban 257 faqe gjithsej, në format të madh shkruar me shkrim dore të lexueshëm qartë. Vëllimi i kushtohet Zojës Rruzare dhe Shën Antonit të Padovës. Më pas autori ia kushton sërish vëllimin si mirënjohje P. Lovro Mihačević, asokohe Provincial i Provincës Françeskane të Shqipërisë, kushtim i cili shënohet në Shosh më 8. 1. 1908. Pra me gjasë ky është caku i kufirit kohor kur duhet të ketë përfunduar trankriptimi i dokumenteve të këtij vëllimi. Përmbajtja e lëndës së vëllimit është e ndarë në 6 kapituj. Punën e transkriptimit të mundimshëm të dorëshkrimit e bëri me shumë përkushtim dhe kompetencë Cezarin Toma, ndërsa fazën e redaktimit përfundimtar e realizoi Donato Martucci. Në këtë libër lexuesit dhe studiuesit do të gjejnë shkrimin bashkangjitur të përgatitur nga Donato Martucci i cili na paraqet edhe letërkëmbimin e C. Libardi-t. Këto letra sjellin të dhëna tejet domethënëse, të cilat përplotësojnë mjaft mirë kuadrin e përgjithët të punës së bërë prej p. Libardi-t.

Nisur nga përmbajtja e vëllimit si dhe nga historiku i veprës së dorëshkruar që përshkruam më sipër, çështja që shtrohet tani është nëse ky vëllim ka qenë vëllim i vetëm, apo kanë qenë edhe 2 vëllime të tjera sikurse na thotë vetë Libardi përmes korespondencës së tij, e mbas tij Ferdinada Granata dhe Gjergj Gashi? Nga ana tjetër a mos është ngatërruar qënia e dy dorëshkrimeve të botuara në të njëjtin fond dhe ato janë marrë si tre vëllime me dokumente? Fakti që ajo (Granata) citon edhe një vëllim tjetër, do të thotë se duhet të kenë ekzistuar 3 vëllime. Pse janë ndarë dy vëllimet e tjera nga ky të cilin e gjetëm? Mos përfaqëson ky vëllim një fazë fillestare të punës apo mos është një vëllim krejt tjetër i ndryshëm nga 3-vëllimshi tjetër? Nga të dhëna të tjera, krejt të reja që së fundmi na kanë rënë në duar përgjatë kërkimeve sistematike lidhur me argumentin në fjalë, jemi entuziastë se do e njoftojmë së shpejti lexuesin me lajme të mira. Bazuar në përmbajtjen e këtij vëllimi mendojmë se çështja mbetet ende e hapur për kërkime të metejshme, deri në gjetjen e tre vëllimeve të tjera tashmë të konfirmuara si të tilla. Gjetja e tyre është në udhë të mbarë, gjë që do të përbënte pa dyshim një ngjarje e cila do të duhej të pasohej me botimin sa më parë të tyre, me të gjithë elementët e duhur diplomatikë dhe filologjikë të tekstit sikurse e meriton një botim i tillë.

Me shpresën se edhe vëllimet e tjera të (pjesa I dhe II e “Sylva-s”), punë jetësore kjo e p. Libardi-t, e cila urojmë të mos ketë humbur, ftojmë studiuesit dhe lexuesit specialistë dhe jo vetëm, që ta bëjnë pjesë të fondit të tyre kulturor këtë vepër të çmuar, duke u premtuar se me të shtënë në dorë vëllimet e munguara do i nxjerrim në dritë pa humbur kohë. Ndërkohë menjëherë pas botimit të traskribimit të këtij dorëshkrimi, do të vijohet puna me botimin e përkthimi të tij në gjuhën shqipe, i cili tanimë është pothuajse i gatshëm në fazën redaktoriale. Në fund po shtojmë se financimin e këtij projekti e botimi e ka bërë Albert Ramaj.

Kastriot Marku, Albert Ramaj dhe Cezarin Toma

May be an illustration of book and text

See Insights and Ads

Create Ad

All reactions:

11

Filed Under: Politike

MONOGRAFIA E PARË KRITIKE PËR SHKENCËN ROMANTIKE SERBE TË SHEKULLIT XIX

August 24, 2023 by s p

Shkruan: Prof. dr. Begzad Baliu/

Dr. Nuhi Veselaj, “Injorimi dhe dëshmimi me pahir i gjuhës shqipe, si kriter i së vërtetës. Shkas vepra e z. Milojević (1866 -1873) dhe epranët e pasuesit e tij”, Botoi “Era”, Prishtinë, 2023.

Prej vitesh dija albanologjike ka theksuar disa veçori të romantizmit serb dhe burimet e miteve të tyre, të cilat jo njëherë janë bërë sinonim i luftërave, grindjeve ballkanike dhe madje gjenocidit serb ndaj popujve fqinj. Prej vitesh ndërkaq, ka theksuar dhe ka fajësuar një paradigmë shkencore të ndikimit të saj edhe në botimet shkencore europiane dhe më tej, shkollën antropogjeografike të Jovan Cvijiçit, e cila megjithëse nuk përkon me shkencën serbe të shekullit XIX, sepse si shkollë dhe metodë ka nisur në fillim të shekullit XX, ajo në të vërtetë mitet serbe i ka përdorur dhe ju ka dhënë karakter shkencor edhe gjatë gjithë shekullit XX e fillimit të shekullit XXI.

Shkenca shqiptare dhe dija albanologjike në përgjithësi, disa herë nga autorë shqiptarë e të huaj, i ka dhënë përgjigje shtrirjes së koncepteve mitike serbe në hapësirën shqiptare në përgjithësi dhe në hapësirën e Kosovës në veçanti. Mjafton të kujtojmë këtu studimet polemizuese të Norbert Joklit, Milan Shuflait, Eqrem Çabejt, Selman Rizës, Idriz Ajetit, Rexhep Qosjes, Selami Pulahes, Ali Hadrit, Mark Krasniqit etj., të shquara në rrafshin antropo-gjeografik, antropologjik, linguistik, historik, publicistik etj., për të kuptuar përmasën shumështresore të kësaj mbrojtjeje kombëtare ndaj një politike largvajtëse në shkencën serbe.

Nuk kemi pasur ndërkaq tekste, qofshin ato thjesht deskriptove, artikuj, studime, vepra, analiza apo sinteza të studiuesve shqiptarë për mendimin shkencor të studiuesve serbë të shekullit XIX, të cilët, me gjasë nën ndikimin e mendimit shkencor austro-hungarez dhe ende larg ndikimit të shkollës politike ruse, bënë kërkime edhe në Sanxhakun e Nishit e të Novi Pazarit, në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, por në veprat e tyre, megjithatë, sikur shprehet profesori ynë Nuhi Veselaj, “me pahirë”, lanë të shkruara edhe disa aspekte të jetës materiale e shpirtërore të shqiptarëve, me interes për trashëgiminë e tyre edhe në kohën tonë.

Studiuesi dhe shkrimtari Nuhi Veselaj (1933) është njëri prej linguistëve, shkrimtarëve, edukatorëve dhe pjesëtarëve të Lëvizjes kombëtare, i cili me jetën e tij, me punën e tij e me krijimtarinë e tij, është përpjekur që t’i kontribuojë shkencës shqiptare, kulturës shqiptare, shkollës shqipe dhe vlerave kombëtare përgjithësisht. Në vendlindje bëri mësimet fillore, ndërsa Shkollën Normale e përfundoi në Gjakovë. Më 1963 autori ynë i takon gjeneratës së parë të studentëve, të cilët mbarojnë studimet në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Me gjithë vështirësitë sociale dhe ekonomike, politike e të sigurisë, ai vazhdoi studimet pasuniversitare dhe në vitin 1980 në Universitetin e Prishtinës merr gradën shkencore magjistër i shkencave filologjike, me një temë mbi gjuhën e shkrimtarit kombëtar Aleksandër Stavre Drenova – Asdreni. Po këtu, kur ndryshimet ligjore dhe politike i hapin rrugë, më 1992, mbron tezën e doktoratës. Më shumë se dy dekada, i përndjekur dhe i penguar që të merret me kërkime shkencore, ai u detyrua të punojë në institucione prodhimi, duke kryer detyrën e përkthyesit. Megjithatë, gjatë kësaj kohe, ai nuk u ndal së shkruari edhe tekst letrare duke dëshmuar njëkohësisht edhe cilësi të tjera njohëse në fushë të kulturës së popujve të tjerë që jetonin apo jetojnë në Kosovë.

I theksova disa prej elementeve biografike të tij, për të përgatitur lexuesin e kësaj vepre me përmbajtje shumështresore dhe shumëdimensionale në rrafshin nacional dhe krahasues me popujt tjerë në Kosovë.

Monografia e studiuesit dr. Nuhi Veselaj me titull Injorimi dhe dëshmimi me pahir i gjuhës shqipe si kriter i së vërtetës, shkas vepra e z. Milojević (1866 -1873) dhe epranët e pasuesit e tij, është shkrua duke e pasur si shkas veprën e M. Vemić, Etnička karta dela Stare Srbije, botim i Institutit Gjeografik “J. Cvijić”, SANU, Beograd (2005), hartuar sipas veprës së M. S. Milojević Putopis dela Prave Stare Srbije (1866-1873), me vlerësim të akademik Vladimir Stojančević, ku ndër të tjera, mbështetur në konstatimet e tyre, e në veprat origjinale të Milojeviqit, si dhe në burime të tjera, para studiuesve imponohen këto dy konstatime e qëndrime, të cilat autori i ka verifikuar me kujdes dhe me kompetencë:

– në radhë të parë, nga hartat, përkatësisht nga regjistrat sipas tri zonave regjistruese në tërë hapësirën e një pjese të ‘Serbisë së vërtetë’, d.m.th. kryesisht të Kosovës së sotme, në fshatra e qytete, me dhjetëra vite para Luftës serbo-turke (1876-1878), shihet që serbët ishin 90% shumicë kundrejt shqiptarëve pakicë dhe

– në radhë të dytë, ky Udhëpërshkrim (Putopis) në historio-gjeografinë serbe, si me thënë, pothuaj 143 vite ishte shpërfillur e mohuar pa të drejtë, nga shkenca e politika zyrtare serbe.

Veprën trivëllimshe në fjalë, përkatësisht lëndën nga vepra e Vemiqit rreth marrëdhënieve ndëretnike shqiptaro-serbe me theks në aspektin historiko-gjuhësor studiuesi ynë e ka vështruar në shtatë krerë. Por, ne po e hapim këtë Parashtresë me një fragment nga Parathënia e veprës III të Milojeviqit, për shkak se ky pasues si asnjë tjetër, përfaqëson rrethanat historike të botimit të saj dhe disa veçori specifike që përfaqëson ajo, si me përmbajtjen nacionaliste ashtu edhe me lëshimet e rastit, apo kintributin me pahir në të mirë shkipëve e gjuhës së tyre, të cilat e dëshmojnë të kundërtën e dëshiruar për gjendjen në teren.

Për këtë libër nuk ka dashur me më ndihmue Shoqata e Dijetarëve Serbë për mungesë mjetesh, andaj do ta botoj me harxhime vetjake, duke shpresuar që publiku ynë serb sinqerisht do të më shpërblejë. Kjo vepër është dorëzuar në shtyp para katër vitesh, por për shkak të shumë punëve nga dy vitet e kaluara dhe për shkak të angazhimit në kufi, vetëm tash është gati. Gjatë angazhimit tim në kufi më kanë humbur dy tabakë të dorëshkrimit, ndërsa shënime nuk kam për t’i kompensuar, andaj (vepra) do të dalë jo e plotë, sidomos mbi Prizrenin. Përveç kësaj nuk kam kohë t’i përmirësoj gabimet e shtypit, andaj lus lexuesit e lexueset e nderuara, që ku t’i vërejnë gabimet, korrigjimet le t’i bëjnë vetë, ngase kur të botohet tërë Udhëpërshkrimi nga pjesa e Serbisë së Vërtetë, që përbëhet prej 12 vëllimesh, në librin e fundit do të vendoset si shtojcë: Regjistri i korrigjimeve .

Beograd, më Pashkë 1877. M. S. Milojević’

Vepra e udhëpërshkruesit M. S. Milojeviq dhe e botuar në shek. XIX, dikur është projektuar për interesa të nacionalizimit serb, ndërsa së fundi u ribotua nga M. Vemić, me qëllim të ruajtjes së kujtimit të miteve serbe për pushtime të reja, sjell njëkohësisht edhe një pasqyrë të raporteve politiko-shoqërore serbo-shqiptare, sidomos nga fillimi i shekullit XIX. Këtyre qëllimeve i shërbeu edhe intelektuali entuziast i kohës Milosh S. Milojević. I shkolluar në institucionet shkencore ruse dhe në Kishën Pravosllave Serbe, Milojeviç u dërgua në të ashtuquajturën Serbi të Vjetër, me udhëzime për të përshkruar gjendjen fetare, gjeografike, kulturore dhe etno-historike të kësaj hapësire e të popujve që jetonin atje. Prej variantit të parë, në të vërtetë prej dokumentit bazë, nuk është vështirë të shihet se përshkruesi ishte i përgatitur për të kryer këtë mision, por prej botimit të tri vëllimeve të para (nga 12 të supozuara sa thotë se i kishte në dorëshkrim). Nëse botimi i parë në dy vëllime (sveske) e kishte bërë me titull “Putopis, dela Prave Stare Srbije” (Udhëpërshkrim nga një pjesë e Serbisë së Vërtetë, të Vjetër, në vitin 1871, 1872 dhe qe vlerësuar si vepër e përshtatshme propagandistike para fillimit të Krizës Lindore (1877-1878), vëllimin e tretë të përgatitur më 1873, do ta botojë më 1877, gjatë luftës, gjithsesi me qëllim propagandistik ‘të ruajtjes së kujtimit të të parëve për tokat e vjetra’, ku ishin gjoja shumicë!

Do theksuar që në fillim se autori i veprës gjatë luftërave ruso-turke ishte komandant i vullnetarëve rusë dhe nxënësve të tij serbë. Pavarësisht vlerësimit të parë dhe pavarësisht nderimit të autorit, si luftëtarë kombëtar, vepra e tij do të mbahet nën rrogoz, me gjasë për dy arsye të ndryshme: e para, për shkak se ndonjërit prej studiuesve serbë, me gjasë do t’i shkoj përdore t’i shoh gabimet e Milojeviqit, me rastin e regjistrimit së më të plotë të popullatës, duke përdorur konstruksione të rrezikshme nacionale dhe kritika kundër drejtimit të shtetit gjatë luftës; si dhe e dyta, për shkak se në gjysmën e dytë të shekullit XX, një vepër si kjo, i prishte punë regjimit serb jo vetëm në raport me shqiptarët po edhe me pakicat fare inekzistente, të cilat sado që të ishin, me të qenit e tyre, përmbysnin numrin edhe ashtu modest të serbëve në Kosovë e rrethinë.

Vetëm së fundi, në rrjedhë të propagandës kundër Kosovës, në vitin 2005, pra në fillim të shekulli XXI, me porosi të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, si dhe të Kishës Serbe, hartografi Mirçeta Vemiq, njëri prej studiuesve më të pasionuar të mesjetës serbe në Kosovë dhe njërit prej pasionantëve të shkencës propagandistike kishtare serbe, e nxori nga pluhuri i raftave të kishës serbe këtë vepër, me shpresë se mund të mashtronte edhe më tej opinionin serbë dhe madje duke e botuar edhe në gjuhën angleze, edhe lexuesin ndërkombëtar, se si Kosova para Krizës Lindore paska qenë e banuar jo më pak se me 90% me serbë, kur realiteti ishte i kundërt! Do theksuar fakti se jo rastësisht Memiq, veprën e tij e titulloi “Etnička karta dela Stare Srbije prema Putopisa, M. S. Milojevića 1871-1873 godine (Harta etnike e një pjese të Serbisë së Vjetër, sipas veprës “Udhëpërshkrime” të M. S. Milojevic 1871-1873, sepse kështu, duke i dhënë titullin e ri dhe duke e përpunuar atë brenda kornizave bashkëkohore të shkencës së hartografisë, Vemiq shpresonte se do ta bindë me gënjeshtra opinionin shkencor vendor dhe atë ndërkombëtar.

Rileximi, përkatësisht leximi kritik, e qasja metodologjike shkencore, autorit tonë Nuhi Veselaj i ka dhënë mundësinë që të nxjerr në pah jo vetëm të pavërtetat shkencore po edhe sjelljen e një pasqyre të re reale të hartës etnike të shoqëruar me të dhëna bindëse gjuhësore, kulturore, fetare e faktografike. Këto parime të ngritura në metodë kritike-shkencore autori ynë i ka ngritur që në Hyrje të veprës dhe i ka ruajtur edhe në diskutimet e mëtejme në të gjithë kapitujt tjerë. Të gjithë kapitujt kanë karakter monografik më vete, madje mund të botoheshin jo vetëm si studime më vete, po mund të hapeshin diskutimet e dokumentet krahasuese, e të botoheshin edhe si vepra më vete.

Studimi i Profesor Nuhi Veselajt hapet me përshkrimin e veprës: Harta etnike e Serbisë së vjetër sipas “Udhëpërshjkrimit” të M. Milojeviçit 1871-1873, për të vazhduar më tej me diskutimin e nocioneve dhe termave të përdorur në këtë dorëshkrim, duke cekur mungesën e kritereve shkencore të dijes së sotme moderne me rastin e ribotimit, karakterin e tejkaluar të strukturës gjuhësore, rrafshin semantik dhe natyrën terminologjike të përdorimit të sotëm të tyre në një botim bashkëkohorë çfarë synon Vemiqi etj. Më tej Profesor Veselaj bën një krahasim të këtyre të dhënave nga udhëpërshkrimi me të vërtetën e numrit të etnive reale dhe kështu arrin në pasqyrimin e numrit real të popullsisë sipas etnive.

Autori ynë Nuhi Veselaj për arsye metodologjike jep të dhënat deskriptive, duke i ndarë në tri zona regjistruese: në Zonën e Kadillëkut të Kurshumlisë, Zonën apo Nahitë e Kosovës Qendrore dhe Zonën e Dukagjinit. Megjithëse në një format modest, Prof. Veselaj ndalet e diskuton ndonjëherë edhe për çështje të tjera, sikur janë ojkonimet, toponimet e etnonimet e shfaqura në një hapësirë më të gjerë brenda Serbisë Qendrore, sikur është vendbanimi Arbanashke, i cili përcakton jo thjesht një vendbanim të ri, po një trashëgimi etnike mesjetare të kësaj zone. Emërtime etnike të kësaj natyre, si ojkonime, toponime e sidomos oronime, janë të pranishme në gjithë Serbinë, Kosovën, Malin e Zi e Maqedoninë.

Mbështetur në leximin shkencor, përshkrimin kritik dhe diskutimin intelektual e gjithëpërfshirës, Profesor Nuhi Veselaj e përmbyll këtë hulumtim me tri konstatime:

a) e para, inicialja identifikuese e etnitetit serbë, në të vërtetë përfshin tërë etnicitetin ortodoksks në serbë, edhe pse në të vërtetë një shumicë e tyre ishin shqipfolës;

b) e dyta, para vitit 1878, qyteti i Kurshumlisë dhe 24 fshatrave përreth nuk kishte pothuajse asnjë banor serb, ndërsa pas vitit 1878, fati i këtyre banorëve vetëm mund të merret me mend; dhe

c) e treta, ai sjell një të dhënë mjaft interesante të studiuesit Jovo Bajiq, se “kjo zonë rreth Kopaonikut paska qenë Zonë ushtarake e Turqisë, prandaj në atë zonë nuk kishte fshatra serbe (ortodokse), por vetëm fshatra të banuara me shkipë e çerkezë” (2018).

E shohim me interes këtu të theksojmë se të gjitha të dhënat, përveç me burimet historike, etno-gjeografike dhe etno-kulturore, përcillen edhe me shembuj e përbërës gjuhësorë të terrenit dhe atyre të literaturës dokumentare.

Nëse në kapitullin e parë paraqitja e temës më shumë ka karakter deskriptiv dhe shumëdimensional e përgjithësues, në kapitullin e dytë që mban titullin Injorimi, por edhe dëshmimi me pahir i shqiptarëve dhe i gjuhës shqipe në jetën e përbashkët shqiptaro-serbe në Kosovë dhe më gjerë, çështjet paraqiten më të thelluara dhe diskutimet më sintetike. Problemi i diskutimit përqendrohet në çështjet kulturore, përkatësisht etnike. Fjala është për një periudhë historike, kur problemet etnike në Ballkan, që në krahasim me popujt tjerë të Europës janë mjaft të vonuara, shfaqen mjaft të ndërlikuara, qoftë në kontekstin gjuhësor, qoftë në kontekstin fetar, qoftë në kontekstin etnik. Në këtë rast janë mjaft me interes nëntitujt dhe çështjet e trajtuara brenda nëntemave, sikur është ai për injorimin, por edhe dëshmimin me pahir për poturët e gjuhën e tyre 1866/67, të cilët në viset potenciale serbe, ¬nuk ishin as serbë as turq, po ishin rrënjësisht shqiptarë. Po kështu mund të thuhet edhe për nëntemën dëshmi rreth ekzistimit të ortodoksëve, por edhe të poturëve shqiptarë gjithandej në viset potenciale serbe para vitit 1866, mbështetur në dëshmitë e bardit të lëvizjes kombëtare serbe Vuk Karaxhiqi dhe dëshmitë e udhëpërshkruesit serb M. S. Milojeviq. Referencë me interes e këtij kapitulli del shoqëruesi i tij Mixha Zymber, që të kujton edhe shoqëruesit e udhëpërshkruesve të tjerë të kësaj natyre gjatë shekullit XIX e XX, mbase edhe një paradigmë kjo e ‘lëshimeve me pahir’ të Milojeviqit, për praninë e shqiptarëve në këto tërthore nën maskën kulturore, fetare, gjysmetnike dhe gjeografike. Dëshmi e etnicitetit të tyre historik, e gjuhës së tyre, e kulturës së tyre mjaft të formuar dhe të përqendruar, e sedentaritetit të tyre brenda territoreve historike dhe etnike në këtë hapësirë është edhe mënyra se si ata u mbajtën gjallë, mënyra se si ata e ruajtën gjuhën e tyre, mënyra se si ata nderuan familjen, etninë, gjuhën dhe kombin, përtej besimit fetar edhe atëherë kur brenda familjes, lagjes apo krahinës bashkëjetonin vëllezër të dy besimeve fetare: mysliman e të krishterë ortodoksë.

Kapitulli i tretë i veprës së Profesor Nuhi Veselajt me titull përshkrues e largvajtës Injorimi dhe dëshmimi me pahir i gjuhës shqipe si kriter i së vërtetës. Shkas vepra e z. Milojević (1866 -1873) dhe epranët e pasuesit e tij, është pothuajse plotësisht i çliruar prej natyrës e përbërësve historikë, gjeografikë, kulturorë e etnikë. Autori i këtij kapitulli është përcaktuar që etnonimet historike serbe e shqiptare t’i trajtojë vetëm brenda formatit gjuhësor, madje edhe atëherë kur ato përplotësohen me ndonjë përbërës të karakterit etno-gjeografik, historik e kulturor. Kapitulli i tretë me titull Rreth reflektimit kontaminues të koncepteve të termave: *shklavë (sclav/us) e *sherb/ë (serv/us) si etni dhe shkizmë (scissm) si dukuri në gjuhën shqipe”, është artikuluar në tri pjesë: në pjesën e parë është trajtuar problemi i kuptimsisë dhe etimologjisë së trajtë-fjalëve të termave ndërkombëtarë skizmë (shkizmë) dhe sllavë (skllavë e serb (shërb-); në të dytin problemi i njësisë leksikore shkja / shkizmë, në kontaminimet semantike, në disa burime të shqipes, kryesisht të hershme leksikografike dhe aktuale; ndërsa në të tretin, janë sjellë diskutime për çështje të imponuara gjuhësore nga Fjalori i Mehmet Elezit lidhur me termat shka e shkizmë.

Në rastin e parë, shtrirja semantike dhe etimologjike e trajtë-fjalëve skizmë (shkizmë) dhe sllavë (skllavë e serb (shërb-), janë parë në kontekstin ndërkombëtare, madje që nga mesjeta dhe është krahasuar me gjuhën shqipe po edhe me gjuhë të tjera të rajonit. Në latinishte e greqishte, -thekson autori, – “të ardhurit e tillë quheshin skllavë –/(l.*schlavus/gr. *sklavos) me kuptim bujkrobë ose serb. robovi), në gjuhën shqipe trajta fillimisht ishte shklavë, ndërkohë si gjuhë e gjallë atëherë pësoi ndryshime, pa kuptim pezhorativ, shkjav, shkja, shka – shkje /shkije –shqe,.

Në rastin e dytë, çështja e shtrirjes vertikale dhe horizontale e etnonimit përkatësisht fjalës a termit shkja / shkizmë është parë brenda burimeve dokumentare dhe letrare e sidomos leksikografike në literaturën shqiptare, që nga Fjalori i Frang Bardhit (1635), Kuvendi i Arbrit (1703), Fjalori i K. Kristoforodhit, Fjalori i Bashkimit e deri te Fjalori i M. Elezit (2006), si dhe derivatet e kësaj fjale në frazeologjinë shqiptare. Serbët, thekson autori “quheshin: lat. servus gr. servos, që në shqipe forma fillimisht e kishte rrënjëfjalën: *sherb/ë (me kuptim jopejorativ shërbyes). Krahaso, servire servus te Bardhi e Pjetër Budi, sherbej me shërbye / shërbyes sherbëtyrë, Servi / servijan, ndërsa të Bogdani: shërbi / sherbyes, gjithsesi jo në me kuptim pejorativ. Gjithsesi në shqipe fjala serb kishte kuptim jonjëetnik dhe joperojativ, ngase ashtu quheshin ortodoksët ose shkizmatikët shqiptarë, që banonin në Servi, përkatësisht Shërbi”.

Së fundi, autori, kësaj fjale, këtij termi a këtij etnonimi i është qasur kryesisht brenda frazeologjisë, teksteve popullore dhe madje urimeve, mallkimeve e teksteve folklorike, për t’ju kthyer edhe njëherë strukturës gramatikore a fjalëformuese të tij. Në studimin tonë, thekson Profesor Veselaj, “të tria këto trajta: shkllav (sclav), sherb serb (serv) dhe shkizmë (scissm) në ndonjë mënyrë kanë pasur ndërndikim në latinishten (vulgare ose jo), por po, sidomos në serbishte, në formësimin e trajtave përkatëse, të cilat “në mos nën ndikimin e shqipes gjithsesi janë formësuar nën praninë e drejtpërdrejtë të gjuhës shqipe, andaj rreth kësaj dukurie në dy nënkrerët e fundit të këtij kreu kemi dhënë mjaft prova që mund të diskutohen, por jo, assesi, nuk mund të mohohen”.

Në kapitullin e katërt është diskutuar tema, e cila përshkruhet në mënyrë deksriptive, që në titull: Injorimi i gjuhës shqipe në Arbëri gjatë periudhës së sundimit osman, raporti turko-shqiptar/sllavo-shka dhe pasojat fatale ndaj shqipfolësve nga shkizma e re. Ose, me sa pasoja mbijetoi shqipja nga presionet e autoqefalive shqiptarofobe ortodokse dhe nga turko-islamizimi fanatik osman”. Çështjet janë trajtuar në dy nënkapituj, sado edhe vetëm prej titullit mund të shihet se fjala është për më shumë nëntema, për më shumë çështje dhe për më shumë përbërës të karakterit historikë, socialë, politikë, qytetërues, gjuhësor, e madje edhe material e shpirtëror.

Në plan të parë është diskutuar mbi gjendjen shpirtërore, materiale e qytetëruese të popullit shqiptar në prag e pas pushtimit nga Perandoria e Osmanëve, duke e vënë theksin në ndarjen e tyre në dy ritet e krishtera dhe tani me ofrimin e ritit të tretë, apo fesë islame.

Në nënkreun e parë janë diskutuar tri çështje: raporti arbër/shqiptar dhe shkizma fatale ideo-fetare ndodhur gjatë sundimit osman, identifikimi dhe shtrirja gjeografike e Arbërisë, pasivizimi i termit arbër dhe nxjerrja kokë e termave me konotacion konfrontues nga turk e shka në shqiptar/shka dhe përftimi e përkufizimi i fjalës-termit shqiptar në raport me shka; ndërsa në nënkapitullin e dytë janë sjellë elemente të karakterit historikë, gjeografikë, gjuhësorë e kulturorë të prejardhjes së fjalë-termit shqiptar, ceken disa hipoteza të kohës, të cilat i konsideron të lehtërrëzueshme, po dallon tri jo lehtë të rrëzueshme. Të mbështetur thekson semantikën e foljes shqip me shqipe, të cilën e shtron në sistemin eptimor foljor e emëror.

Gjithsesi ky kapitull hapet me çështjet që kanë të bëjnë me karakterin historik të kohës, përkatësisht me rrethanat historike të periudhës së dytë të Mesjetës, në të cilën shqiptarët hyjnë pa atë forcë koherente të tyre dhe me gjuhën shqipe, pa atë forcë fetare e integruese me të cilën hynë fqinjët, si: serbët, bullgarët, grekët etj. Populli shqiptar, i ndarë në fise, forcë pothuajse të vetme kohezive kishte gjuhën, po edhe ajo, sikurse dihet, u ndalua më 31 maj 1779, me dekretin e Sulltanit të Perandorisë Osmane. Me këtë vendim gjuha shqipe u dëmtua, por megjithatë u ruajt vetëm brenda hapësirave familjare myslimane e katolike, por në proveniencën e Shqiptarisë së besimit ortodoks u ruajt jo vetëm deri në kufi me grekët po edhe me sllavët, ndërsa ata në brendi të autoqefalive shqiptarofobe, pothuajse plotësisht u asimiluan.

A është e rastit që shqiptarët e mërguar në Itali bashkë me organizimin kishtar ortodoks të proveniencës perëndimore ruajtën gjuhën në një vend të tretë, ndërsa shqiptarët ortodoksë në Jug dhe në Verilindje të trojeve shqiptare pothuajse u asimiluan, përveç atyre që kaluan në besimin islam?!

Lidhur me atë që z. Nuhi e quan shkizmë të re fatkeqe, po shtojmë ne se sot, historia, gjuha, kultura shqiptare, letërsia shqiptare ruan dhe njeh disa botime të proveniencës katolike që nga shekulli XV, por nuk njeh shkaku i shkizmës së re pothuajse asnjë tekst të librit shqip në provenienecën ortodokse, sado dihet lulëzimi i kësaj kulture sidomos gjatë shekullit XVIII, kur vetëm gjatë periudhës së viteve 1750-1770 kishte një lulëzim të madh të literaturës ortodokse në gjuhën shqipe, duke përfshirë edhe dy përkthime të plota të Biblës. Ndërkaq, pas dekretit të 31 majit 1779, që mund të quhet dita më e zezë në kulturën shqiptare të shkrimit shqip dhe të identitetit shqiptar, nuk mund të mos besohet se me censurë e pa të, janë zhdukur me qindra vepra e dorëshkrime në gjuhën shqipe. U desh të vinte viti 1827, kur edhe u botua Dhjata së Re e Korfuzit, për t’i orientuar të huajt në mësimin dhe krahasimin e gjuhës shqipe. Një hulumtim i kësaj gjendjeje në jug të trojeve shqiptare, përkatësisht në kufi me grekët, besoj mund të dëshmoj edhe për raportin e gjuhës dhe kulturës shqiptare me sllavët këtej në Veri dhe Veri-Lindje, në të cilën shqiptarët, me gjasë, vetëm nën ndikimin e latinitetit perëndimor ruajtën gjuhën, por pranuan besimin e ri islam, i cili jo vetëm ju jepte privilegje ekonomike dhe sociale, por ju mundësonte edhe ruajtjen e gjuhës brenda familjes dhe si shqiptar joshën dhe shqipfolësit kristianë.

Në këtë ose para kësaj periudhë prej pesë shekujsh, shkruan autori, vetëm Skënderbeut i shkoi për dore të bashkonte shqipfolësit e të gjitha besimeve, fiseve dhe krahinave etnografike. Prandaj, pas vdekjes së tij, pësuan të gjithë, duke u shpërngulur drejt Lindjes dhe Perëndimit: ortodoksët e jugut unitë drejt Italisë së Jugut, Egjiptit dhe madje drejt Odesës: katolikët drejt Italisë, Kroacisë dhe përgjithësisht Europës, ndërsa muslimanët drejt Qendrës së Perandorisë. Në këto rrethana u aspërsua edhe shkizma, si term, si besim, si virtyt dhe si koncept i raportit brenda shqiptarëve. Mbi këto paradigma të karakterit historik, gjeografik, fetar, social, kulturor e gjuhësor, autori i kësaj vepre përmbyll një hipotezë tij rreth etnonimit shqiptar “e përftuar nga trajtë-foljet: shqip me shqipe, bazë për emërtimin e gjuhës shqipe dhe të emrit etnik shqiptar, por përmedet edhe trashëgimia e pazhdukur krejtësisht nga miti i Zotit –Zeus, nga shkipi, shkopi apo “skeptri mitologjik i tij”.

Kapitulli i pestë mund të quhet i veçantë brenda kësaj vepre dhe madje mund të quhet vepër brenda veprës, jo vetëm për shkak të përmasës shumështresore të metodës së hulumtimit, po për shkak të hapësirës së hulumtimit. Në kapitullin e pestë, me titull: Feja ortodokse si shkak-pasojë në përcaktimin e kombësisë së shkive në përgjithësi dhe atyre të fshatit Reçan të Therandës në veçanti, objekt studimi bëhet një vendbanim i fëmijërisë dhe rinisë së autorit, ndërsa lëndë për diskutim edhe përvoja e tij. Lënda e këtij kapitulli është ndarë në gjashtë nënkapituj.

Në këtë kapitull është sjellë një paraqitje pothuajse deskriptove. Janë me mjaft interes të dhënat që sjell autori mbi raportet serbo–shqiptare, të cilat ai i quan si raporte normale të bashkëjetesës shqiptaro-muslimane / shqiptaro- ortodokse, gjatë shekullit XX, me theks të veçantë gjatë kthesave apo ngjarjeve të mëdha historike, sikur janë periudhat e pushtimeve të huaja apo periudhave të konflikteve të brendshme, si dhe gjatë viteve të ndërhyrjes së politikave shoviniste serbe të Beogradit. Sidoqoftë ata megjithatë nuk kanë bërë një jetë të vështirë dhe pothuajse të padenjë shpirtërore brenda bashkësisë së tyre, me vëllezërit e një gjuhe e gjaku deri te lufta e fundit. Në këtë rast autori sjell faktin se serbët e fshatit Reçan, deri në luftën e fundit, asnjëherë nuk patën mosmarrëveshje me shqiptarët e besimit mysliman. Vetëm në luftën e fundit 1999-2000, propagandës serbe i shkoi përdore që të ndizte urrejtjen ndërmjet tyre dhe pas përndjekjes së shqiptarëve dy herë nga fshati, pas humbjes së luftës ushtria serbë-jugosllave, i mori me vete familjet serbo-ortodokse dhe i degdisi nëpër Serbi.

Është me shumë interes tregimi për raportet këtij fshati me shtetin serb në kontekst me një varr-muranë kenotaf, pa eshtra, para luftërave ballkanike ishte nën mbrojtjen e Familjes së Ukë Mehmetit. Kenotafi, një varr shekullor, ka legjendën e tij, kujdestarët historik të tij, historinë e ndërhyrjes nga pushteti dhe madje fundin dhe përvetësimin e dhunshëm nga shteti serb. Serbët e fshatit as që kanë pasur ndonjë ndërlidhjeje trashëguese me te. Pas kësaj paraqitjeje të brendshme të një familjeje shqiptare të besimit islam, në vazhdim sillen të dhëna dhe diskutime shumë konstruktive mbi disa paqartësi rreth përvetësimit të Varr-muranës, kult i fshatit, dhe riemërtimin e tij si kishë serbe, më 1926 i ishte dhënë formë kishëze, ndërsa është ndërtuar e afreske e ikonizuar në vitin 1956- 58, dhe së fundi është regjistruara nën mbrojtjen shtetërore, në vitin 1990. I nxitur nga politizimi dhe përvetësimi serb i saj, autori sjell të dhëna të gjëra mbi këtë pasuri prej një shekulli, duke dhënë shembuj të ndryshëm, sidomos të traditës familjare, duke filluar nga privatësia shekullore e tokës ku ishte vendosur objekti, deri te fati i saj pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë kapitull të strukturuar në gjashtë nënkapituj, fillimisht sillet një përshkrim detajues për fshatin Reçan të Therandës(Suharekës) dhe vihet theksi në të ashtuquajturën Kartë të Dushanit, botuar në Beograd më 1862, pastaj sillen përbërës dokumentarë dhe të kujtesës mbi disa paqartësi rreth prejardhjes paraislame ritokristiane të familjes Veselaj, për ta përmbyllur me një portret të pleqnarit Mehmet Reçani.

Në kapitullin e gjashtë autori sjellë dëshmi dhe referenca rreth popullimit të viseve të sotme shqiptare, ndihmuar nga personalitetet e mëdha që e kanë ndryshuar rrjedhën e historisë europiane e aziatike si: Diokliciani, Konstatini i Madh dhe Justiniani. Autori sjellë dy përbërësit më të rëndësishëm të etnisë shqiptare, emrin e popullit dhe gjuhës shqipe, duke e formuluar kapitullin: Gjuha shqipe si promotor i zgjimit dhe rritës së Shqiptarisë, përkundër nacional-shovinizmit serbomadh dhe vatrave të tjera penguese, që është shtjelluar në katër nënkrerë. Diskutimi në këtë rrjedhë hapet me një varg argumentesh rreth diferencimit e përkimt të etnogjenezës shqiptare e serbe, mbështetur kryesisht në burimet bashkëkohore serbe, për të vazhduar me argumente të periudhës mesjetarë, të botuara deri në shekullin XIX, të cilat dëshmojnë vijimësinë e shqiptarëve dhe bashkëpraninë e tyre si të krishterë shumicë me të krishterë të tjerë në Kosovë.

Megjithëse të një nënkapitulli më vete, po i kësaj natyre, tani më i hapur është edhe teksti mbi bashkëpraninë dhe kontributin e shqiptarëve në bashkëjetesë me turq, serbë, grekë e të tjerë, si dhe mospërfillja gjithandej e tyre ndaj aspiratave etnike të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Diskutimet e mbështetura në një literaturë të gjerë dhe relevante për historinë, gjuhën, besimin dhe kulturën shqiptare, nxjerrin në krye gjuhën shqipe si një prej forcave të brendshme më kohezive në jetën shqiptare. Në një rrethanë të vështirë historike ndërkombëtare gjatë fillimit të shekullit XX, kur një lëkundje kombesh po hapëronin në histori, është gjuha shqipe ajo që doli në plan të parë. Më parë se sa të shquhej populli dhe besimi fetar i tij, më parë se sa të shquhen institucionet e karakterit kombëtar, u shqua pasuria historike e gjuhës shqipe dhe mundësitë që përmes saj të përkthehen veprat e përmasave botërore, sikur ishte Bibla.

Parë në tërësinë e saj, ky kapitull është përgjigje studiuesve serbë, të cilët mbështetur në përvojën e studimeve historike, në shkollat nacionale të shekullit XIX dhe XX dhe madje në shkollat europiane, përpiqen të gjejnë strehën më të vogël për të sulmuar etnogjenezën e popullit shqiptar. Në këtë linjë personalitetesh hyn edhe Milojeviqi, ndërsa në këtë kolanë hyjnë edhe veprat Odlomci e Udhëpërshkrimi i tij. Këtë traditë të përvetësimit të historisë e vazhdojnë edhe sot individët, grupet dhe madje institucionet e caktuara akademike. Ata vërtetë nuk mund të arsyetojnë gjuhën e tyre si paraardhëse të shqipes, por megjithatë gjurmët lashto-shqiptare përpiqen t’i nxjerrin si trashëgimi sllave! Një legjendë më vete dhe një kullë mitike ata kanë ngritur për periudhën mesjetare, duke ngatërruar hapësirat, besimet, trashëgiminë fetare e kulturore, gjuhën, identitetet etj. Të vetëdijshëm për ndërhyrje të kësaj natyre nga provenienca serbe, greke dhe madje italiane rilindësit tanë, jo rastësisht zgjodhën gjuhën, si shtyllën e parë të identitetit kombëtar dhe kombin si pararojë fetare e shtetërore, sipas motos: Feja e shqiptarit është shqiptaria! (Vaso Pasha), të cilën autori e modifikon: Fe që Zotynë e bekon, Shqiptaria feja jonë, kur janë të tolerueshme në këtë nënhije skeptike të gjitha fetë e besimtarëve shqiptarë.

Kapitulli i fundit i kësaj monografie në të cilën suksesshëm bashkohen analiza, sinteza, polemika, diskutimi shumplanësh, sjellë në plan të parë trajtesën Injorimi i gjuhës shqipe dhe kontributi me pahir i z. Milojevic në e për gjuhën shqipe, e cila është ndarë në katër nënkrerë.

Nuk e vlerësuam rastësisht këtë vepër gjerësisht dhe nuk e nderuam për shkaqe subjektive. Prej vitesh kemi lexuar artikuj përgjithësues të historiografisë serbe, prej vitesh kemi lexuar vëllime me dokumente politikanësh e diplomatësh serbë dhe madje prej vitesh kemi lexuar vëllime dokumentare, kryesisht udhëpërshkruesish serbë në tokat shqiptare, por deri më tash nuk kemi pasur mundësi dhe nuk kemi gjetur një studim kaq të thelluar e kaq komplementar në raport me një vepër të një studiuesi serb. Për më tej, monografia e Profesor Nuhi Veselajt nuk merret thjesht me kundërshtimin e përshkrimeve të Milojeviqit dhe analizave të tij, përkundrazi, ai i diskuton gjithanshëm përshkrimet e Milojeviqit në gjysmën e dytë të shekullit XIX duke gjetur në atë përshkrim te veprat e tij pikërisht gjurmët e trashëgimisë shqiptare dhe i diskuton analizat e Milojeviqit, duke u mbështetur në pasaktësinë dhe njëanshmërinë e përfundimeve të tij. Në këtë proces, janë pikërisht të “vërtetat e shënuara me pahir” ato që e dominojnë kontributin e Milojeviqit për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, e të cilat përplotësohen nga aspekti logjik, gjuhësor, historik, etno-gjeografik e kulturor nga penda e profesor Veselajt.

Le t’i theksojmë vetëm disa prej atyre, të cilat janë me interes jo vetëm për këtë kapitull po edhe për librin e kulturën përgjithësisht:

a) përplotësimin e dromcave historike të Milojeviqit me të dhëna të reja, qofshin ato referenca të proveniencës Lindore qofshin ato të proveniencës Perëndimore;

b) diskutimin e etimologjive të autorit dhe botuesit me metoda bashkëkohore të dijes së sotme albanologjike, ballkanike dhe përgjithësisht linguistike;

c) identifikimin e teksteve shqipe të Milojeviqit dhe sjelljen e teksteve folklorike, etno-kulturore të vendlindjes, një shembull prioritar i trashëgimisë kulturore fetare në Kosovë, në raport me trashëgiminë serbe. Në të vërtetë autori bënë paraqitjen origjinale me përkthim origjinal nga autori Millojeviq i dy ‘vjershave ngucakeqe’ dhe të një kënge (Kanga e kumonës), e cila jepet në origjinal në gjuhën shqipe;

d) në mënyrë të veçantë si një dokument më vete të natyrës gjuhësore paraqitet Fjalorthit shqip-serbisht të vitit 1873, me përmasë të vogël, por me interes jo të vogël sociolinguistik, kulturor e etnik.

Sifjalorthin shqip –serbisht, sikur e quan autori këtë korpus leksikografik, është një prej kapitujve më të rëndësishëm, më sistematik dhe madje më thelbësor i kësaj vepre. Paraqitja deskriptive e tij, sinteza tabelare, komentet e gjithanshme dhe madje, vërejtjet, për mangësitë e tij, për të cilat ishte i vetëdijshëm me kohë edhe Milojeviq, përplotësimet në gjuhën shqipe dhe serbokroate, komentet në rubrikën e shënimeve, shënimet grafike etj., e bëjnë këtë kapitull të rëndësishëm edhe për studimet e ardhshme në fushë të leksikografisë, dialektologjisë historike, etimologjisë, sociolinguistikës e historisë së gjuhës shqipe e serbishte përgjithësisht. Këtij korpusi leksikor, përkatësisht studimit krahasues të tij brenda marrëdhënieve gjuhësore shqiptaro-serbe, shpresoj t’i kthehem edhe unë në një studim tjetër. Sado modest të quhet ky korpus leksikore prej 339 fjalësh, disa dhjetëra shprehje e frazeologji popullore, toponime etj., me këto të dhëna autori, me apo pa dëshirën e tij, ju ka lënë një trashëgimi të pasur studimeve albanologjike, të cilat në të ardhmen do të vlerësohen dhe respektohen si një shërbim i mirë dijes shqiptare, në ato përmasa të cilat disa studiues të tjerë të proveniencës sllave dhe madje europiane nuk ja kanë arritur, përkundër dëshirës së mirë që kishin. Ky kontribut me gjasë është rrjedhojë e mospërkrahjes së Shoqatës së Dijetarëve Serbë, për botimin e këtyre materialeve. Ne sot mund të themi kështu, sepse ndoshta, pikërisht pse Milojeviqi me pahir bëri këtë punë në të mirë të shqipes e serbishtes, andaj nuk e pati përkrahjen nga forcat e errëta për botimin e veprës, forca këto që në asnjë rast me rastin e ribotimit të veprës nuk po e shënojnë me qëllim këtë sifjalorth. Ishte me fat Nuhi Veselaj që e pati fotokopjuar lëndën e sifjalorthit atë version që rastësisht pati dalë edhe më këtë lëndë., dhe më nuk po përsëritet.

Këtu po e sjellim vetëm një listë fjalësh, shprehjesh e trajtash leksikore me interes, kuptohet jo në origjinal e çirilicë, por nga punimi i Veselajt, me qëllim dhe në këtë mënyrë të mësohet sadokudo për përmbajtjen e fjalorthit:

Cjap, Dru, Flakë, Thëngjillt (i), Kërcell, Kërc, Natë, Dreq, Dimër, Me shtrakatë! (thurë, kërrabzue), Shenjtë (i), Rus? (i tmerrshëm), Rrip (brez), Purtekë, Frikësoj (përulem) (N’besë tande!) Njeri, Burrë (djalë), Grua, Vajzë, Me pa (shih), Ari-u, Afër, Ballë, Baltë (dhe, vendi), Me pjekë, But (kofshë) ose butë (emër njeriu), Varfër (të), Vapë, Vjehërr, (vgis-heri?), Shok (mik), Begatë (të), Vesh (veshë, me veshë), Viç (*vit, njëvitshe), Ju, Gjashtë, gjashtë, Gardh, Gati, Gjarpër, Dhëmb, Emër, Asht (eshtër), Zonjë (grua), Thëngjill (thingill, djegie pa flakë), Me hangër, me ngrënë), Ka, Kalë (hipur në kalë), Kush, Kurm (trup), Krimb, Krye, Dru (Lis) Madh (më i), Mal (bjeshkë) /mall Zi (i), Marrë (i), Martesë, Mes, Gomar (magjar), Mish (muskul), Mot (vit), Nuse, Vjehërr (njeri), Merr vesh (di), Rrush, Zotni (sifer), sefer/ arab. i nderuar(!), Posi/ si, Me mbytë, turp(?), / Ujë Fashna (shami), Armë, Armik (djall), Verdhë (e), Fitore, Ngushtë, Gjel, Grigjë, Egër (të), (egërsisht), Argjend, Qen, Korb, Kudhët (i) (farkim), Haraç (xhymryk?) Gjerë(i), Larg, Këndoj, Mend, Lepur, Mik, Mollë, Mort, Paqe, Pemë, Me grabitë, me u ropë, me robërue, Sipër (mbi), Shëndet, Shenjtë (i) Shenjti-, Shin, Shërbëtor, Shigjeta, Turp, Tra, Faqe (fytyrë), Hark, Të kam pa(rë), Me mendue (ka menduor?!), Rino! (lind), Shkruaj (e qëndis), Me rrëmihë, (vezirmo?!), Parmend, Bir, Bijë, Fëmijë (voc e djalë), Meshkull, Femën, Borë, Shi, Gur, Ujë, Drithë /dritë, Dërrasë (pllakë), Lugë, Thikë, Shtrat (tshtruemt), Tshtyemt, Shtëpi, Diell, Akull, Pokjo (qeknej!), Me vrapue (vrik), Me kalërue (hipur në kalë), Dhen (dele), Dhija, Dhëndërr, Ëndërr, Dasmë, Me dhënë, Kam porositë (me porositë), Kësulë, Një (nja), Dy, Perëndi, Zot, Erë, Së shpejti, pak më herët?, Më shpejt, Me fejue /cucën(??), Dorë, Këmbë, Gisht, Pëllamb (shpresë???), Hardhi (vresht), Flok, Mjekërr, Zverk (qafë), Shpatë (Çiad??), Këmishë, Mërtek (thupër), Derr, Lum, Kodër, Bjeshkë, Det, Dardhë, Udhë, Urë, Bardh, Kuq, Gjak, Bojëgjake (bojna), Verdhë (e), Hasëm (armik), Orum (grek), Brekë, Rosë, Patë, Pulë, Djall, Vdekur (i), (njeri i dektë!), Venë, Groshë, Kaza (nahi), Mera (kullotë), Peshk, Urreje (i lantë!), Me u la (u lava), Drekë, Darkë, Me v(n)u / ka nder?, Me lavrue (laroj!), Kam mbjellë /me pjellë, Shumë (boll), Farë, Zjarr, Bini (qitni), (dru), Ndiz zjarr, Me pi, (krua me u krue), Qengj (dhen), Berr (dash), Arushë, (ari), Ujk, Dhelpra, Dren, Kaprolle (drenushë), Grykë (fyt), Me u pajtue, (e mpetuor ! -financ.) Robtë (gjinja shpis), Gardh, Dosa, Lopë, Shkëmb, Këmbës/or, Muaj, Kjo javë ose e djelë, E ve (grua pa burrë), Plakë, plak, Kokë, Tërmet, (Trem(b)et dheu!), Dhe /vendi, Ditë Mirë (i), (i qetë) Mirëdita! Gjysma, Fytyrë (faqe), Penë, Dru (kaçubë, pajë), Derë, Shkallë, Gabim, Më fal të më falish, Të më falësh, Shtëpi e mbuluar, E m/buluar/a?, Majëmali (Qafë), Jona? çat??, Me këndue, këndo, Mos qani, T’shtina! (shtëna!! (me pushkë??), U gëzuam, Gëzoni, Rrofshi e qofshi, Trim njeri, i përunjët, i poshtëm (poshtër), Mendtar, Ma fal zot (zotni) (unë kam gabuar), Faj, E drejta (drejt), Tredhë (me), me shky herdhe?, Ai Tçava (kokën!), prish me luftue, luftuar, Ne, Yni, Ju, Ata, Im (imja), Jotja, I atij, Juaji, Lyej shtëpinë (kam lyer), Fushë, Arë (ari!), Vreshta, Diell, agim, e djelë, U ngrys?, u ndrit? Prift, Kishë, Vijë Krua /çeshme, Rrahje, breshër, shushlak (mbetje), Letër (libër), Kos (qumësht), Mirë, Keq, Me djegë (digje), Baltë, Qen, këlysh, Pus, Bukë, Hidhërim (pret/zi), Brez (shokë), Pamartuar (i) (beqar), i lagët, Këpucë, Të ngrysurit (pa frymëzim), Tubim (kuvend), U bë falja, Me u pajtue (U fatua!), Koha, Kec (një kec), Gjuhë Shqa (shka), Shqijana (shkina), Tëmbëlit, Djathë, Gjizë, Gozhdë (peronë), Me mbathë me patkua, Për të mirë! (shëndet!), Të bëftë mirë! (shëndet), Kam çarë dru ose thërrmuar gurë, Pëllumb, Ndritu (u ndije!), Vezë /voja /veja, Tegërt, Fëllanza, Kam fituar, Kam fluturuar, Klloçkë, Sëmunë (i), Shëndosh, Ethe, Dhallë??? (/mushtrelikë ortodokse )/musht Punambarë! Mbarëpaç Qerre (kerr), Natën e mirë, U trashëgofsh, me të mira (përfitim), Gëzuar (i), Na ka zbardhë (me punë), Hënë, Hyll, Gomar, Babai i gomarit, gomar, Kalë (i kuq), – dori Kali vranç, Kali i bardhë- gjok, Plumb, Copë, Rëndë, Kohë e rëndë /zaman/ose shekull, Na ruajtë zoti, i vjetër, Stapanj ose feja e vjetër, Pe, Lule, e lale (lalelalje), Bilbil (zog), Bilbili (zogu) na këndon, Tym, Shpend, Arrë, Fe, Lakra e laknor, Mulli, Miell, Mbret, perandor, Princ, mbret Shtëpi /etj./

Megjithëse i dorëzuar në shtyp në vitin 1873, studiuesi serb arriti ta botonte vetëm në vitin 1877. Ndërkohë Profesor Veselaj dhe studiuesit e tjerë të albanologjisë presin të ribotohet në origjinal dhe i plotë, madje nëse gjenden dorëshkrimet, për të cilat flet Milojeviqi, të botohen edhe ato çka është obligim i vetë Akademisë dhe shtetit serb, pa marrë parasysh nëse edhe në vëllimet e pabotuara do të dilte edhe ndonjë kontribut sado i vogël me pahir në të mirë të raportit të historisë së gjuhës shqipe dhe të asaj serbe të para 150 vitesh.

Vepra e Profesor Nuhi Veselajt Injorimi dhe dëshmimi me pahir i gjuhës shqipe si kriter i së vërtetës, shkas vepra e z. Milojević (1866 -1873) dhe epranët e pasuesit e tij, përmbyllet me një sintezë të gjerë, brenda të cilës mesazhet e tij janë mjaft bindëse, ndërsa ne mendojmë se janë jo vetëm bindëse po edhe inicuese e nxitëse për diskutimin e veprave të shumë studiuesve, publicistëve e udhëpërshkruesve serbë për hapësirën shqiptare. Shpresojmë se autori i kësaj vepre edhe pas letërlibërtimit të këtij punim do të vazhdojë me monografi të tjera të kësaj natyre.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Begzad Baliu

Birthday Wishes to President Clinton from Vatra

August 24, 2023 by s p

On August 19th a birthday wish was electronically sent to President Clinton by VATRA’s Chairman Elmi Berisha as follows:

Dear President Clinton,

On behalf of the Vatra members, I wish you a very happy birthday!

A new birthday for you means a whole new year for the Albanian community to show the gratitude and appreciation for your commitment to defend the freedom and liberties against the oppression and tyranny.

As the Albanian expression goes “Edhe 100!” (One hundred more years!)

Elmi Berisha

President

Pan-Albanian Federation of America Vatra

In response, President Clinton sent a kind message to Mr. Elmi Berisha.

Filed Under: Politike Tagged With: Elmi Berisha

Bacon

August 24, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Francis Bacon ishte filozof dhe burrë shteti që shërbeu nën Mbretin James I të Anglisë. Ai njihet për avancimin e metodës shkencore dhe si babai i empirizmit, duke argumentuar për njohuritë shkencore të bazuara në vëzhgim të kujdesshëm dhe arsyetim induktiv.

Në 1603, Francis Bacon, i lindur në Londër, ishte dyzet e tre vjeç: një avokat i trajnuar dhe filozof amator, politikisht ambicioz, e shkrimtar, vazhdimisht në borxhe.

Ai i kishte shërbyer Elizabeth I të Anglisë me besnikëri në gjykatë, pa shumë mirënjohje në këmbim. Por tani Elizabeth kishte vdekur në moshën gjashtëdhjetë e nëntë vjeç dhe kurora e saj do t’i shkonte kushëririt të saj të parë, i hequr dy herë: James VI i Skocisë, James I i Anglisë.

Francis Bacon shpresonte për gjëra më të mira nga mbreti i ri, por për momentin nuk kishte ndonjë pozitë të veçantë në oborrin anglez. I detyruar të ishte i durueshëm, ai filloi të punonte në një projekt filozofik që e kishte në mendje prej disa vitesh – një studim të njohurive njerëzore që ai synonte ta quante “Për aftësinë dhe përparimin e të mësuarit”.

Shakespeare në atë kohë drejtonte një grup teatral. Thuhet se Bakon shkruante inkonjito dramat dhe ia dërgonte Shakespearit; ky pasi e paguante Bacon, i vinte në skenë sikur i kishte shkruar vetë. Dhe u bë i famshëm. Të tjerë e kundështojnë këtë ide. Ata e pranojnë se Shakespear kishte qenë tregtar në Stratford, shkoi në Londër dhe pas disa vitesh u kthye si shkrimtar i famshëm.

Projekti i Bacon ishte jashtëzakonisht ambicioz. Ai vendosi të klasifikojë të gjithë mësimin në degët e duhura dhe të parashtrojë të gjitha pengesat e mundshme për të kuptuarit. Bakon dënoi ato që i quajti tre ‘shqetësimet’ e të mësuarit, të cilat përfshinin ‘imagjinata të kota’, kërkime të tilla si astrologjia dhe alkimia që nuk kishin bazë në faktin aktual; Pastaj ndau të gjitha njohuritë në tre degë dhe sugjeroi që filozofia natyrore duhet të zinte vendin kryesor. Shkenca, projekti i të kuptuarit të universit, ishte ndjekja më e rëndësishme që njeriu mund të ndërmerrte. Studimi i historisë (“gjithçka që ka ndodhur”) dhe i poezisë (shkrime imagjinative) zunë vendet e dyta dhe të treta.

Për një kohë, Bacon nuk i zgjeroi këto ide. Avancimi i të mësuarit u hap me një përkushtim të plotë ndaj James I:

‘Jam prekur – po dhe i pushtuar – me një çudi të skajshme për ato virtytet dhe aftësitë tuaja … madhështia e kapacitetit tuaj, besnikëria e kujtesës suaj , shpejtësia e të kuptuarit tuaj, depërtimi i gjykimit tuaj, dhe lehtësia dhe rregulli i elokucionit tuaj …. Që nga koha e Krishtit nuk ka pasur asnjë mbret apo monark të përkohshëm që të jetë i mësuar kaq në të gjithë literaturën dhe erudicionin, hyjnor dhe njerëzore’.

Ky përkushtim shpejt dha fryt. Në 1607 atij iu dha një pozicion që e kishte lakmuar për vite me radhë, dhe gjatë dekadës së ardhshme derdhi energjitë e tij në përgjegjësitë e tij qeveritare.

Becon nuk u kthye në filozofinë natyrore deri pas emërimit të tij në postin edhe më të lartë të kancelarit në vitin 1618. Tani që kishte luftuar për në majën e grumbullit të pisllëkut politik, ai shpalli synimet e tij për të shkruar një vepër me shtrirje edhe më të madhe – një sistem i ri, i plotë filozofie që do t’i formësonte mendjet e njerëzve dhe do t’i drejtonte ata në të vërteta të reja.

Projekti ishte jashtëzakonisht ambicioz. Becom vendosi të klasifikojë të gjithë mësimin në degët e duhura dhe të parashtrojë të gjitha pengesat e mundshme për të kuptuarit. Ai i dënoi ato që i quajti tre ‘shqetësimet’ e të mësuarit, të cilat përfshinin ‘imagjinata të kota’, kërkime të tilla si astrologjia dhe alkimia që nuk kishin bazë në faktin aktual; pastaj ndau të gjitha njohuritë në tre degë dhe sugjeroi që filozofia natyrore duhet të zinte vendin kryesor. Shkenca, projekti i të kuptuarit të universit, ishte ndjekja më e rëndësishme që njeriu mund të ndërmerrte. Studimi i historisë (“gjithçka që ka ndodhur”) dhe i poezisë (shkrime imagjinative) zuri vendet e dyta dhe të treta.

Instaurimi i Madh: Themelimi i Madh, ishte një metodë e re të menduarit, dhe pastaj me anë të qiririt tregon rrugën; duke filluar siç bën me përvojën e renditur dhe të tretur, jo të ngatërruar apo të çrregullt, dhe prej saj nxjirren aksiomat, dhe nga aksiomat e vendosura përsëri eksperimente të reja.

Me fjalë të tjera, filozofi natyror duhet së pari të krijojë një ide se si funksionon bota: ‘ndezja e qiririt’. Së dyti, ai duhet të testojë idenë kundër realitetit fizik. Vetëm atëherë, si hap i fundit, ai duhet ‘të nxjerrë aksioma’, duke dalë me një teori që mund të pretendohet se mbart të vërtetën.

Hipotezë, eksperiment, përfundim: Bacon sapo kishte gjurmuar skicat e metodës shkencore.

Natyrisht, nuk ishte zhvilluar plotësisht. Por pjesa II e Instaurimit të Madh të Bacon ishte një sfidë e qartë për të menduarit deduktiv të korpusit Aristotelian. Bacon madje e quajti atë Novum organum (“Mjete të reja”), sipas traktateve logjike të Aristotelit të titulluar Organon. Në kopertinën e Novum organum, Bacon vendosi një anije – metoda e tij e re induktive – duke lundruar triumfalisht përtej Shtyllave të Herkulit, shtyllat mitologjike që shënuan shtrirjen më të largët të udhëtimit të Herkulit drejt ‘perëndimit të largët’. Identifikuar nga më të lashtët. Autorët si kep në të dyja anët e ngushticës së Gjibraltarit, Shtyllat përfaqësonin kufijtë më të jashtëm të botës antike, shtrirjen më të madhe të mënyrës së vjetër të dijes.

Vetëm një vit pas publikimit të Novum organum, Francis Bacon u akuzua nga armiqtë e tij në gjykatë për marrje ryshfeti. Dhe megjithëse tha se kishte ‘duar të pastra dhe zemër të pastër’, ai nuk ishte në gjendje t’i hidhte poshtë akuzat. Ai u hoq nga kancelari, u urdhërua të paguante një gjobë dhe u burgos për një kohë të shkurtër në Kullën e Londrës; edhe pse James I në fund e anuloi gjobën e tij dhe e fali atë, era ishte hequr tërësisht nga velat e tij. Ai vdiq pesë vjet më vonë nga pneumonia, pa iu afruar përfundimit të Instaurimit të Madh.

Por Novum organum vazhdoi të formësonte praktikën e shkencës të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Në 1662, Mbreti Charles II i dha një kartë mbretërore Shoqërisë Mbretërore të Londrës për Përmirësimin e Njohurive Natyrore, një mbledhje e filozofëve natyrorë që ishin të përkushtuar ndaj metodës eksperimentale të shkencës; ata ishin të gjithë studentë të Novum organum, besimtarë të metodave Baconian. Poeti Abraham Cowley, vetë një shkencëtar amator entuziast, shkroi letrën përkushtuese të Shoqërisë Mbretërore; ishte e gjitha në lavdërim të Francis Bacon, i cili kishte përmbysur autoritetin e lashtë me ‘arsye të vërtetë’.

Foto: britannica.com

May be an image of 1 person

See Insights and Ads

Create Ad

Filed Under: Fejton Tagged With: Astrit Lulushi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT