• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for August 2023

MESSI I REKORDEVE ABSOLUTE

August 21, 2023 by s p

Albano Kolonjari/

Lionel Messi u vlerësua si “më i miri në botë” pasi shënoi golin e 10-të në shtatë ndeshje për të ndihmuar skuadrën e tij Inter Miami për të fituar trofeun e parë. 36-vjeçari argjentinas gjuajti në këndin e sipërm nga jashtë zonës për t’i dhënë epërsinë Miamit kundër Nashville SC në finalen e Leagues Cup. Fafa Picault barazoi në pjesën e dytë për ta çuar ndeshjen në penallti.
Miami vulosi një fitore 10-9 në gjuajtje, kur Drake Callender shpëtoi goditjen nga pika të portierit të Nashville, Elliot Panicco. Miami kishte rekordin më të keq në Major League Soccer këtë sezon përpara se sulmuesi fitues i Kupës së Botës Messi të arrinte muajin e kaluar së bashku me ish-bashkëlojtarët e Barcelonës, Jordi Alba dhe Sergio Busquets. Ata tani janë të pamposhtur në shtatë ndeshje në rrugën e tyre për të fituar Kupën e Ligës, një turne ku përfshihen klubet MLS dhe Mexican Liga MX.
Ky ishte trofeu i parë i klubit që nga formimi në vitin 2020. Ata gjithashtu kanë shansin për të arritur një tjetër finale kur të luajnë me Cincinnati në gjysmëfinalen e Kupës së Hapur të SHBA të mërkurën. Bashkëpronari David Beckham tha se ish-treshja e Barcelonës ishte e rëndësishme në ndryshimin e fatit të klubit: “Është si një film, i shikon këta lojtarë duke luajtur dhe emocionalisht, gjithçka rreth lojës së tyre është e bukur.”
Mesfushori i Spanjës Busquets shtoi: “Ekipi po rritet me hapa të mëdhenj dhe ne jemi shumë të lumtur. “Ne po bëjmë një ekip solid – dhe më pas kemi Leon, i cili bën ndryshimin sepse është më i miri në botë”.
Fitorja nënkuptonte gjithashtu shtatë herë fituesin e Topit të Artë, Messi – i cili u shpall lojtari më i mirë i turneut – tani ka fituar 44 trofe, më shumë se çdo lojtar tjetër.

Filed Under: Sport Tagged With: albano kolonjari

U nda nga jeta nga jeta gjuhëtari Bahri Beci anëtar i Akademisë së Shkencave dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

August 21, 2023 by s p

#AShSh

#InMemoriam

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë bashkësinë e shkencëtarëve albanologë, shqiptarë e të huaj; miqtë dhe kolegët e tij të shumtë brenda e jashtë vendit, për ndarjen nga jeta të akademikut Bahri Becit, personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike.

Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e saj të thella familjes e të afërmve, anëtarëve të Asamblesë – familjes shkencore të tij – bashkëpunëtorëve të shumtë, studiuesve dhe studentëve.

Bahri Beci u lind në Shkodër në vitin 1936, në një familje me tradita atdhetare. Menjëherë pas mbarimit të studimeve universitare (1958) u emërua kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, ku kreu detyra të rëndësishme drejtuese, si përgjegjës sektori e drejtues projektesh, sekretar shkencor dhe drejtor.

Në funksion të qëllimit të formimit të një brezi të ri studiuesish Bahri Beci u dërgua për specializim në Paris, ku mbrojti doktoratën me temën Le système vocalique et consonantique du parler de la ville du Shkodra / “Sistemi zanor dhe bashkëtingëllor i së folmes së qytetit të Shkodrës. Më pas, me kthimin në Tiranë, përfundoi disertacionin e shkallës së parë me studimin ”Të folmet e gegërishtes qendrore” dhe disertacionin e shkallës së dytë me studimin Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës.

Veprimtaria universitare e Bahri Becit shtrihet në disa vende, duke përfshirë Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris INALCO. Bahri Beci është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2008) dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe i redaksisë së Atlas Linguorum Europae (ALE).

Fusha kryesore e veprimtarisë shkencore-kërkimore të Bahri Becit ka qenë historia e dialekteve dhe nëndialekteve të shqipes. Brenda kësaj problematike vend qendror zunë studimet dialektologjike për të folmet veriperëndimore dhe qendrore të shqipes (Shkodër, Dibër).

Bahri Beci mori pjesë si delegat dhe nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit (1972) dhe është autor i dy studimeve monografike për proceset njësuese në formimin e shqipes letrare të sotme. Si studiues në gjuhësinë ballkanologjike Bahri Beci ka lënë gjurmë me kontributet për pozicionin e shqipes në lidhjen gjuhësore ndërballkanike.

Bahri Beci sintetizoi arritjet e punës së tij në vepra me karakter normativ. Vepra shkencore e Bahri Becit karakterizohet nga sinergjia e studiuesit në ekspeditë kërkimore dhe njëherësh në një proces formimi të thelluar bashkëkohor perëndimor.

Homazhet e lamtumirës për akad. Bahri Becin do të bëhen ditën e martë, 22 gusht 2023, nga ora 09.00-11.30, në Akademinë e Shkencave, salla “Aleks Buda, dhe në orën 12.00 përcjellja për në banesën e fundit.

www.akad.gov.al

Filed Under: Kronike Tagged With: Bahri Beci

Producenti televiziv Nazim Salihu i bashkohet Vatrës

August 21, 2023 by s p

Nazim Salihu, producent i emisionit televiziv “Noli Show” në Connecticut iu bashkua Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA. Gazetari dhe përkthyesi nga Lipjani i Kosovës që flet 7 gjuhë të huaja e ka dashur Vatrën që në vitet 90-të ku mbajtja e portretit të Fan Nolit në sallonin e tij, i shkaktoi sulme prej forcave serbe. Z.Salihu ka shfaqur dëshirë për të ndjekur nga afër çdo aktivitet të Vatrës dhe ekspozimin në media të trashëgimisë kombëtare shekullore të Vatrës e Diellit. Z.Salihu ka spikatur me punën e tij si gazetar e përkthyes në krizën e Maqedonisë dhe luftën e Kosovës ku ka qenë reporter, përkthyes e shoqërues i gazetarëve ndërkombëtarë e posaçërisht gazetarëve amerikanë. Vatra e Dielli i urojnë mirëseardhje dhe i shprehin falenderim për angazhimin në mbështetje të kauzës kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës.

Filed Under: Vatra Tagged With: Nazim Salihu

POETI JAKUP CERAJA PËR NËNË TEREZËN

August 21, 2023 by s p

Poezia e parë ndër shqiptarë kushtuar Nënë Terezës/

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag behind him

Description automatically generated with medium confidence

Sari bardheblu i Nënë Terezës, petku i Nënë Terezës dhe i Motrave Misionare të Dashurisë, është simbol i paqës, i bamirësisë, i thjeshtësisë në të gjithë botën. Kryqi, i qepur në shpatullën e majtë, simbolizon Jezusin në kryq si çelsi i zemrës së Misionareve të Dashurisë. Ngjyra e bardhë e sarit është simbol i së vërtetës dhe i pastërtisë, tre shiritat blu simbolizojnë tre kushtet e jetës rregulltare: varfërinë, bindjen dhe çiltërsinë e shërbimit të sinqertë, falas, për më të varfërit, kështu shpjegon faqja e internetit të Kongregatës së Motrave Misionare të Bamirësisë origjinën e veshjes rregulltare të Nënë Terezës dhe motrave të saja, thuhet në një njoftim të Radio Vatikanit, ndërsa thekson se ishte 17 gushti i vitit 1948 — 75-vjet më parë — kur Nënë Tereza veshi, për herë të parë, sarin e bardheblu me vijën e blu anash petkut të dallueshëm të njё jete tё re rregulltare, për të hyrë në botën e të varfërve.

Arsyen se pse Nënë Tereza kishte zgjedhur të veshte pikërisht këtë uniformë,e shpjegon motra Gertrude e “Misionarëve të Bamirësisë” të urdhërit të nenë Terezës:  “Nëna jonë Tereze”, kujton motra Getrude – “zgjodhi veshjen e saj dhe të motrave të saj ngjyrat bardhë e blu, sepse ngjyra e bardhë është simbol i pastrisë dhe i së vërtetës, ndërsa tre shiritat blu, simbolizojnë tre kushtet, që bëjnë rregulltaret: kushtin e varfërisë, të pastrisë, të dëgjesës”.  Për më tepër, ka shspjeguar ajo, Nenë tereza e zgjodhi këtë veshje 75-vite më parë, për t’u ngjarë grave që fshinin rrugët e që mbanin sari të ngjashme dhe përshtatshme edhe për klimën dhe atmosferën e varfërisë në Kalkutë.

Siç dihet tanimë, Shën Nënë Tereza është bërë një simbol universal, një figurë e dashur jo vetëm për besimtarët, por edhe për jobesimtarët dhe besimtarët e feve të ndryshme, anë e mbanë botës, sidomos në radhët e shqiptarëve, pa dallim feje a krahine. Është vështirë të thuhet numri i saktë, por dihet se për Nenë Terezën — fituesën e Çmimit Nobel dhe dekoratave të tjera ndërkombëtare, anë e mbanë botës — janë shkruar qindra libra, mijëra artikuj, filma dhe dokumentarë të llojllojshëm, në gjuhët kryesore të botës.

Unë nuk isha në dijeni të ndonjë poezie kushtuar Nenë Terezës, as në nivel kombëtar as ndërkombëtar, megjithse mund të ketë të tilla poezi në gjuhë të ndryshme – por ndërkohë, rastësisht ndesha në një poezi të poetit, shkrimtarit dhe atdhetarit nga Kosova, të ndjerit Jakup Ceraja – Poeti i sfidave të përherëshme dhe i atdhedashurisë — botuar me 18 gusht të vitit 1984, në revistën Drita, organ i Ipeshkvisë së Kosovës, dedikuar Nënë Terezës. Siç duket, i emocionuar dhe i frymëzuar shumë nga jeta e murgeshës shqiptare, poeti Jakup Ceraja ka përpiluar vjershën, e rrallë edhe për nga subjekti, me titull, thjeshtë: Nënë Tereza. Po e sjell për lexuesin e interesuar në këtë 75-vjetor të 17 gushtit të vitit 1948 — kur Nënë Tereza veshi, për herë të parë, sarin e bardheblu – petkun identifikues të saj dhe të motrave të Urdhrit fetar, themeluar prej saj.

                                          “Nënë Tereza”

                                       Nga Jakup Ceraja

Është një kengë e re shqiptare

që peshohet në një fjalë të madhe

e kënga quhet Nënë me germa të mëdha,

është një fjalë e vjetër shqiptare

që peshohet vetëm me këngë të madhe

e fjala quhet Nënë me germa të arta.

Nënë Terezë, o bijë e këtij trolli dëshmorësh

a matet largësia mes meje e Teje

nga këtu e në Indi

me kilometra e mile

kur me dashurinë e zemrës sate

thuret vargu im i ri

e me hirësinë e asaj fytyre

vargun vërtetë e bëj poezi

për njeriun, jo vetëm me emër

që beson në të vërtetën,

e kush beson në të vërtetën

beson në Dritë të patjetërsuashme

beson në ardhmëri të amshuashme,

ndaj dhe vargu për ty rrodhi vetë,

ndaj dhe kënga për ty s’mban ofshamë.

Ti Nëna jonë e madhe me dafinë në dorë,

vërtetë s’ke pushtet me polici e ushtri,

s’ke as banka me dollarë as arka me ar,

por atë që ke Ti në të gjakut damarë,

në gjuhën paqëtore e në sytë ngushëllues

nuk e ka asnjë pushtet i botës moderne

me ushtri e polici e teknollogji

se forca jote ushqehet prej Hyut

dhe i shërben njeriut që edhe buka i mungon.

Nënë Terezë, o Gonxhe e këtij populli të lashtë,

Ti motër me nënën time të ndjerë,

e cila kurrë nuk vuajti nga fanatizmi

pse e kuptoi me kohë ndasinë tragjike të njerëzve,

kishte dashuri më shumë se qumësht në gjinj

dhe me qumësht e dashuri më rriti mua

e u bëra njeri, më parë se poet,

-sa mirë,

dashurisë së saj sot i dhe krah Ti –

Ti që hyre e devotshme në çdo shtëpi!  — 

Nga Jakup Ceraja (18 gusht 1984)

e_bekuara_nene_tereza_shenjeto – Turismo Albania

Shën Nenë Tereza

No photo description available.

Poeti e shkrimtari Jakup Ceraja

Në një tubim para disa viteve, me rastin e 80-vjetorit të lindjes dhe 13-vjetorit të kalimit në amshim të poetit Jakup Ceraja kishin marrë pjesë edhe një numër personalitetetesh kulturore e politike të Kosovës, si veprimtarët e çeshtjes kombëtare,  Adem Demaçi dhe Dom Lush Gjergji, në përurimin e një pllake përkujtimore kushtuara poetit Jakup Cernaja në fshatin e tij të lindjes, Cerajë, të komunës së Mitrovicës, aty ku poeti ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij.  Dom Lushi, siç dihet është biografi zyrtar i jetës dhe veprimtarisë së Shën Nënë Terezës – me dhjetra libra e qindra artikuj – me atë rast, shpjegoi historinë e kësaj poezie të Jakup Cerajës, kushtuar Nënë Terezës.  Duke vlerësuar shumë punën, veprat dhe figurën e poetit Jakup Ceraja, veprimtari i çeshtjes kombëtare dhe kleriku i lartë i Kosovës, në atë tubim, ka shprehur respektin e madh që ai ruante për Jakup Cerajën. Duke thenë se vjersha e poetit Jakup Ceraja ishte e para poezi shkruar në Kosovë, kushtuar Nënë Terezës dhe shpjegoi pak histori në lidhje me këtë: “Dikur moti më erdhi një zarf nga Mitrovica dhe kur e hapa, vërejta një vjershë kushtuar Nënës Tereze, shkruar nga poeti Jakup Ceraja. Ishte poeti i parë këtu ndër ne në Kosovë që kishte shkruar një poezi për Nënën Tereze. Ai ka shkruar me përkushtim dhe në shkrimet e tija ka vetëm vlera të mirëfillta. Tani kur erdha për herë të parë këtu në fshatin e Jakupit, kuptova pse shkrimet dhe poezitë e tij ishin me aq domethënie e kuptim dhe kishin kaq shumë vlerë”, ka thënë, ndër të tjera, Dom Lush Gjegji, në lidhje me poezinë e parë ndër shqiptarë, kushtuar Nënë Terezës, të  poetit Jakup Ceraja nga Mitrovica e Dardanisë.

Frank Shkreli

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli

METODAT E ÇUBRILLOVIQIT PËR DËBIMIN E SHQIPTARËVE

August 21, 2023 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

– memorandumi famëkeq “Dëbimi i shqiptarëve” –

Memorandumin “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) akademiku dhe politikani serb Vasa Çubrilloviq e ka shkruar në vitin 1937 për qeverinë e kryeministrit të Mbretërisë së Jugosllavisë Millan Stojadinoviq (1888 – Buenos-Aires, 1961). 

Në këtë memorandum apo elaborat, Çubrilloviqi i propozon mënyrat e zgjidhjes së “problemit shqiptar” me pastrimin etnik total të Kosovës prej shqiptarëve. Memorandumin e sipërthënë, Çubrilloviqi ia paraqit qeverisë së Beogradit më 7 mars 1937. Ky program, i cili të lë mbresën e një varianti të zbutur të procesverbaleve të Konferencës naziste të Vanze-it (Wannsee) më 1942, parashikonte një fushatë energjike për të shpopulluar Kosovën nga banorët shqiptarë dhe për t’i zëvendësuar me kolonë serbë dhe malazezë. 

*   *   *

Shënim: Vasa Çubrilloviqi (1897-1990) ka qenë historian dhe politikan gjatë Mbretërisë së Jugosllavisë. Ka qenë pjesëtar i organizatës “Mlada Bosna”. Në vitin 1914 ka marrë pjesë në atentatin ndaj pretendentit të fronit Austro-Hungarez, arqidukës Franc Ferdinand (Archduke Franz Ferdinand, 1863 – Sarajevë, 1914). Ka qenë sekretar i Klubit Kulturor Serb* me seli në Beograd. Në vitet 1945-1950, në qeverinë e RPF të Jugosllavisë bëhet ministër i bujqësisë, më pas i pylltarisë. Më vonë bëhet dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1961 bëhet anëtar i rregullt i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve.

*    *    *

Memorandum të ngjashëm për “zgjidhjen” e çështjes së pakicave etnike në Jugosllavi, Çubrilloviqi hartoi edhe kah fundi i Luftës II Botësore për nevojat e pushtetit të ri komunist, duke i sqaruar atij se pikërisht tani është çasti i volitshëm për dëbimin e pakicave. Të njëjtën e bën edhe BRSS-ja (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike). Po këtë janë gati ta bëjnë edhe vendet e tjera të Evropës që kanë pakicë gjermane të konsiderueshme. 

Si duket, pushteti komunist i dëgjoi këshillat e Çubrilloviqit dhe në vitin 1945, nën akuzën se paskëshin qenë kolaboracionistë, dëboi nga Jugosllavia, kryesisht nga Vojvodina, rreth gjysmë milioni gjermanë apo Folksdojçerë. 

Ai thotë: “Mund të mbahet vetëm ai territor që është i banuar me popullin tënd. Është detyrë imperativë e shtetit të mos lejojë që territorin e tij me rëndësi strategjike ta kenë në dorë elementet e huaja, e që ndaj nesh janë armiqësore”. 

Çubrilloviqi e kritikon kolonizimin serb të deriatëhershëm të Kosovës, duke thënë se  ka qenë joefektiv. Propozon metoda më efektive të dëbimit fizik të popullsisë shqiptare dhe thotë: “Gabimi themelor i pjesëmarrësve përgjegjës ka qenë fakti se problemet etnike në Ballkanin e trazuar dhe të përgjakshëm kanë dashur t’i zgjidhin duke zbatuar metoda perëndimore”. Në vend të kësaj, propozon që problemi të zgjidhte në mënyrë ballkanike:

  “Është e pamundur që arnautët të luftohen vetëm me kolonizim gradual… E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet është forca brutale e një pushteti shtetëror të organizuar. Në këtë pikëpamje, ndaj tyre, ne gjithmonë kemi qenë në epërsi”. 

Çubrilloviqi i propozon mjetet e pastrimit etnik. Ai niset nga pikëpamja se e vetmja mënyrë efektive e zgjidhjes së çështjes shqiptare është “shpopullimi masiv i arnautëve”, d.m.th. shpërngulja masive apo dëbimi masiv i tyre. Për t’u realizuar shpërngulja masive, ai i propozon mjetet e trysnisë, si:

  Krijimi i psikozës – Kushti i parë i trysnisë për shpërnguljen apo për dëbimin e shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë apo në Jugosllavi është krijimi i psikozës. Për këtë arsye, së pari duhet gjetur agjitatorë të cilët do të agjitojnë për shpërngulje, duke e bërë për vete klerin shqiptar dhe njerëzit me ndikim të parisë, ose me para ose duke iu kanosur.

Trysnia e aparatit shtetëror – Mjet tjetër i parashikuar nga Çubrilloviqi është trysnia e aparatit shtetëror. Shteti, deri në skajshmëri duhet t’i shfrytëzojë ligjet në mënyrë që “sa më tepër ta vështirësojë ekzistencën e arnautëve te ne”. Për këtë qëllim ai i propozon qeverisë jugosllave: gjoba, burgosje, zbatim të pamëshirshëm të të gjitha rregullave policore, dënim të kontrabandës, dënim për prerjen e pyjeve, ndërsimin e qenve, punë angarie dhe çfarëdo mjeti tjetër që mund t’i përdorë një polici praktike. 

Përpos trysnive policore, Çubrilloviqi propozon edhe trysni ekonomike, si: mospranimi i tapive të vjetra; pezullimi i punës së kadastrave; caktimi i pamëshirshëm i tatimeve dhe i të gjitha borxheve – publike dhe private; sekuestrimi i kullotave shtetërore dhe i kullotave komunale; heqja e koncesioneve, e lejeve të punës për kafenetë, për tregtizat dhe për zanatet; sekuestrimi i lejeve monopoliste, largimi nga shërbimi shtetëror, nga shërbimi privat dhe nga ai  vetëqeverisës, etj. 

Për ta shtuar trysninë mbi popullatën shqiptare, ky akademik gjakpirës parashikon edhe masa sanitare, siç janë: zbatimi i dhunshëm i të gjitha dispozitave edhe nëpër shtëpitë e shqiptarëve; shembja e mureve si dhe e mureve rrethuese të larta përreth shtëpive; zbatimi i përpiktë i masave veterinare me të cilat do të parandalohej nxjerrja e bagëtisë në tregje, etj. 

Çubrilloviqi propozon po ashtu edhe trysni që kanë të bëjnë me ceremonitë apo me ritualet fetare, siç janë: përndjekja e klerikëve; prishja e varrezave; ndalimi i poligamisë dhe zbatimi i përpiktë i ligjit që vajzat të shkojnë në shkollë.

Sipas Çubrilloviqit, përpos trysnisë shtetërore, duhet të ushtrohet edhe trysnia private. Në këtë mes, mund të bëjë shumë edhe nisma private. Ai propozon që kolonëve serbë dhe malazezë t’u jepet armë dhe që në Kosovë të fillojë aksioni i çetnikëve. 

Në vijim, ky kriminel propozon që ndërmjet malazezëve dhe shqiptarëve në Metohi të shkaktohen konflikte. Të shkaktohen edhe rebelime lokale të cilat “me mjete efektive do të shuheshin në gjak”, jo aq me ushtri, sa me kolonët, me fiset malazeze dhe me çetnikët.

Një prej masave të këtij pseudo-akademiku është edhe djegia e vendbanimeve. Përveç mjeteve të lartpërmendura të trysnisë mbi popullsinë shqiptare civile, ai propozon edhe një mjet tjetër – djegien sekrete të fshatrave dhe të lagjeve të arnautëve nëpër qytete. Ai thotë se “këtë lloj trysnie, Serbia e ka përdorur në mënyrë tejet praktike pas viti 1878”. 

*   *   *

Për shkak të gjendjes ekonomike dhe rrethanave në politikën e jashtme, memorandumin e Çubrilloviqit, qeveria e Millan Stojadinoviqit nuk ka mundur ta zbatojë tërësisht. Jetësimin e tij e ndali lufta e prillit e viti 1941 dhe shkatërrimi i Mbretërisë së Jugosllavisë. Për këtë arsye, memorandumi mbeti në arkiva dhe për të, vite me radhë nuk ka ditur kush, përpos një numri të vogël njerëzish. 

Ide të ngjashme, përkatësisht plan që do t’i përfshinte të gjithë popujt josllavë të Jugosllavisë, në vitin 1944 Çubrilloviqi u ofroi edhe autoriteteve të reja komuniste. 

Plani u zbatua vetëm ndaj pakicës etnike gjermane, e cila u dëbua për një, për të sjellë në vend të tyre popullsinë sllave, kryesisht serbë dhe malazias.

Më vonë, Çubrilloviqi u bë anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Elaborati i tij “Dëbimi i shqiptarëve” (Iseljavanje Arnauta) u shlye nga biografia zyrtare e tij. Në biografinë e tij nuk përmendet as memorandumi i ngjashëm i mëvonshëm që iu prezantua autoriteteve komuniste.

Për memorandumin e Çubrilloviqit, opinioni ndërkombëtar mësoi për herë të parë në vitet ’60 të shekullit XX. Në këtë kohë, ky elaborat ra në duart e autoriteteve të Shqipërisë. Autoritetet jugosllave e mohuan ekzistimin e tij, por ai filloi të qarkullojë në radhët e historianëve, sidomos atyre kroatë.  

Për “Dëbimin e shqiptarëve” të Çubrilloviqit, opinioni në Jugosllavi mësoi për herë të parë kur disa pjesë të tij u publikuan në janar të viti 1988 në gazetën “Borba” të Beogradit. Pak më vonë, memorandumi i sipërthënë u publikua edhe në revistën “Start” të Zagrebit. 

Publikimi i memorandumit shkaktoi skandal në opinionin jugosllav, për arsye se me këtë dëmtohej jo vetëm reputacioni i Çubrilloviqit, por edhe i nobelistit Ivo Andriq (1892-1975), i cili në vitet ’30 të shekullit XX i ka mbështetur planet antishqiptare të historianit.

Më vonë, teksti shpesh është cituar si një prej dokumenteve themelore të ideologjisë serbomadhe të shekullit XX, përkatësisht si bazë e metodave që u përdorën gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë nga autoritetet serbe për pastrimin etnik të shqiptarëve, të boshnjakëve dhe të kroatëve. 

Disa autorë konsiderojnë se planin e Çubrilloviqit për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, Millosheviqi tentoi ta realizojë në vitin 1999 gjatë operacionit ”Patkoi”. Vojvoda i çetnikëve Voisllav Sheshel (1954- ) deklaronte zëshëm: “Shqiptarët do t’i dëbojmë përtej Bjeshkëve të Nemuna”. 

*   *   *

Shënim: Klubi Kulturor Serb ka qenë organizatë politike serbe me orientim patriotik dhe kombëtar. U formua në Mbretërinë e Jugosllavisë në vitin 1937. Gjatë Luftës II Botërore, ideologjia e saj paraqiste ideologjinë jozyrtare të Lëvizjes së Ravna Gorës, që ishte lëvizje çetnike. Klubi u formua prej intelektualëve të njohur. Shkas për formimin e kësaj organizate ka qenë “pozita gjithnjë më e pabarabartë e serbëve në shtetin jugosllav”. Kuvendi i parë i Klubit u mbajt në Beograd më 4 shkurt 1937. Një prej parullave të tij ka qenë: “Serbizëm i fuqishëm në Jugosllavi të fuqishme”. Klubi i lartpërmendur thotë: “Vetëm hapësira etnike serbe në Jugosllavi nuk është shënuar me kufij. Është koha që kjo të bëhet, meqë s’është bërë në vitin 1918. Hapësira serbe që do të shënohej me kufij, do të kishte kufij të ngjashëm me kufijtë e Serbisë së Madhe”. Anëtarët e Klubit ishin të pakënaqur me “shpërfilljen e identitetit serb në favor të kombit jugosllav” si dhe me krijimin e Banovinës së Kroacisë. Kryetar i Klubit ishte profesori dhe akademiku Sllobodan Jovanoviq (Novi-Sad, 1869 – Londër, 1958). Sekretar i Klubit ishte Vasa Çubrilloviqi. Në maj të vitit 1939, Klubi kishte rreth 500 anëtarë. Sllobodan Jovanoviqi ka qenë jurist, historian, letrar dhe politikan serb. Në vitet 1941-1942 ishte nënkryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë. Në vitet 1942-1943 ishte kryetar i Këshillit të Ministrave të Mbretërisë së Jugosllavisë në Londër. Në vitet 1897-1940 – profesor në Universitetin e Beogradit, kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe, rektor i Universitetit të Beogradit, profesor i të drejtës publike dhe dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Beograd.  

Shumë pikëpamje të Memorandumit famëkeq të viti 1986 të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve përputhen plotësisht me ato të Klubit Kulturor Serb. Ati shpirtëror i Memorandumit të ASShA-së të vitit 1986 ishte akademiku Dobrica Qosiq (1921-2014), i konsideruar pater patriae.

Akademikët serbë vendnumërojnë. Të verbuar me të ashtuquajturën çështje kombëtare serbe, ata ndodhen në anën e kundërt të demokracisë.     

Prof. Xhelal Zejneli

Filed Under: Histori Tagged With: Prof. Xhelal Zejneli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • 24
  • …
  • 56
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT