• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Archives for September 2023

DIELLI ME SHQIPTARËT  NË AUSTRALI, GRUPI FOLKLORIK “NANË TEREZA”, TRASHËGIMI KULTURORE SHQIPTARE NË ADELAIDE TË AUSTRALISË

September 20, 2023 by s p

Flora Pecaj dhe Rafaela Mhillaj mësuese të këngëve e valle shqiptare në Adelaide të Australisë, rrëfejnë ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Adelaide të Australisë, nëpërmjet mësimit të këngëve e valleve shqiptare dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore. Me mësueset Flora Pecaj dhe Rafaela Mhillaj bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I KRIJIMIT TË GRUPIT FOLKLORIK “NANË TEREZA”

Krijimi i grupit Folklorik “Nanë Tereza” ka rigjallëruar jetën kulturore e artistike të shqiptarëve në Adelaide, Australi. Ky krup artistiko-kulturor ka ardhur pas krijimit të shoqatës patriotike “Nanë Tereza” në vitin 2015. Ideja për themelimit e grupit artistik ka lindur kur ne si komunitet bëheshim bashkë për të festuar festat kombëtare shqiptare dhe të gjithë vumë re se fëmijët nuk po merrnin pjesë me gëzim të plotë në festat tona e organizimet tona. Duhej gjetur diçka tërheqëse për fëmijët. Atëherë na lindi ideja që të bëjmë diçka për këta fëmijë si mundësi e mësimit të historisë sonë kombëtare, identitetit kulturor, gjuhës shqipe dhe të forcimit të një lidhje të fortë të gjeneratës së re të lindur në Australi më atdheun tonë. Investimi te dijet e fëmijëve dhe brumosja e fëmijëve më ndjenja patriotike janë një investim i madh jo vetëm për dashurinë e fëmijëve për atdheun e të parëve, por mbi të gjitha krijon një lidhje të shëndoshë, të fortë dhe të pa shkëputshme edhe për gjeneratat që vijnë pas nesh.

NË HAPAT E PARA…

Hapat e para të krijimit të grupit tonë artistik i kujtojmë më shumë respekt dhe nostalgji. Sakrificë, pasion dhe punë e madhe. Te mesha shqip që ishte një herë në muaj ne si mësuese i propuzuam Këshillit të Shoqatës “Nanë Tereza” idenë tonë për të marrë fëmijët për të kërcyer vallet shqiptare tradicionale dhe shoqata na mbështeti menjëherë. Falë këtij bashkëpunimi, kemi arritur sukses dhe traditë të shkëlqyer artistiko-patriotike. Pas krijimit të grupit filluam nga puna çdo të shtunë takimet ku edhe fëmijët e pranuan me shumë gëzim e interes të madh këtë iniciativë kulturore-patriotike-komunitare. Puna serioze dhe me përkushtim na është shpërblyer prej nxënësve që kanë arritur të krijojnë një atmosferë patriotike mbresëlënëse. Vallet e para të përgatitura prej grupi tonë artistik u prezantuan në festën e Shejterimit të Nënë Terezës ku fëmijët ishin shumë të gëzuar e të lumtur për atë çfarë prezantuan. Njerëzit na pritën jashtëzakonsht shumë mirë dhe kjo na motivoi edhe më shumë. Në këtë festë në përgatitëm recitime të thënieve të Nanës Terezë në gjuhën shqipe nga fëmijët. Grupi artistik folklorik në çdo kohë paraqet historinë, muzikologjinë e traditën tonë kombëtare. Këto i gërshetojmë të gjitha bashkë në krijimin e një atmosfere të zjarrtë patriotike.

ËNDËRROJMË TË SHKOJMË NË FESTIVALIN KOMBËTAR TË GJIROKASTRËS

Grupi Folklorik “Nanë Tereza” me rritjen e tij, me zgjerimin e tij, me krijimin e një profili të lartë profesional, synojmë që të përfaqësojmë shqiptarët e Australisë në Festivalin Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës. E kemi si ëndërr. Shpresojmë një ditë që ta realizojmë. Kam besim se puna me këto fëmijë, dëshira e pasioni i tyre, shpirti i tyre shqiptar do ta mbajnë gjallë shqiptarinë në Australi dhe mbi të gjitha do ta lidhë mërgatën tonë me shtetin tonë amë. Grupi ynë folklorik “Nanë Tereza” gëzon respekt edhe te popujt e tjerë në Adelaide. Përveç organizimeve tona fantastike për festën tonë kombëtare të flamurit e pavarësisë, grupi i valleve tona “Nanë Tereza” ka marrë pjesë në disa festa të ndryshme të komunitetit italian që jeton në Adelaide ku shfaqëm vlerat tona artistike kombëtare shqiptare përpara tyre, si dhe në festën e emigrantëve të cilën e Organizon Katedralja e Adelaides. Gjithashtu grupi ynë ka udhëtuar edhe në Melburne ku kemi bërë paraqitje dinjitoze përapar publikut australian e jo vetëm. Po ashtu kemi udhëtuar edhe në Camberra në festën e Ambasadave ku morëm duartrokitje e brohoritje të pafundme për përformancë të shkëlqyer artistike. Synimi i ynë është që në çdo festë të Flamurit kombëtar dhe në çdo përvjetor të Shenjtërimit të Nanë Terezës të bëjmë nga një valle të re të ndryshme nga ato të mëparshmet. Ne rritemi çdo ditë.

BASHKËPUNIMI ME KOMUNITETIN SHQIPTAR

Bashkëpunimi me komunitetin shqiptar është i kënaqshëm. Në çdo festim që bëjnë jemi të ftuar ku fëmijët marrin vlersimet maksimale për paraqitjet e tyre e për pasionin e tyre. Vlen të theksohet se ka ardhur gjithnjë e në rritje interesi e përbashkët. Edhe prindërit janë shumë të interesuar për fëmijët e tyre, pa dallim besimi e krahine i mbështesin dhe i inkurajojnë në programet kulturore artistike të grupit. Mbështetja e prindërve na ka lehtësuar shumë punë, fëmijët çdo herë e më shumë arrijnë nivele të shkëlqyera të përformancës dhe kjo për ne si mësuese na jep gëzim të madh e na shton dëshirën për të ecur përpara me këta fëmijë të mrekullueshëm. Kryesia e Shoqatës Katolike Shqiptare si dhe Kryesia e Komunitetit Shqiptar disa herë kanë dhënë dhurata simbolike në mbështetje të grupit. Ne u jemi mirënjohëse dhe falenderuese për çdo përkujdesje.   

BASHKËPUNIMI ME INSTITUCIONET SHTETËRORE AUSTRALIANE

Duke qenë grup artistik i ri, në momentin që po shkruajmë nuk kemi marrëdhënie zyrtare shtetërore apo aktmarrëveshje me institucione zyrtare. Këto do i shohim në vazhdim për ta institucionalizuar dhe rritur grupin dhe veprimtarinë tonë artisike e kulturore edhe në rang zyrtar. Marrëdhënien institucionale e mbulon Këshilli i Shoqatës i cili është ngarkuar me atë pjesë. Zyrtarë të ndryshëm australian sidomos ata vendorë e shohin me respekt dhe vlerësim punën tonë. Në festat tona janë ftuar gjithmonë dhe kanë marrë pjesë Guvernatori i South Australia, deputetë dhe ministra të ndryshëm australianë.  

KUSH JANË MËSUESET FLORA PECAJ DHE RAFAELA MHILLAJ?

Flora dhe Rafaela janë dy patriote të thjeshta shqiptare të rritura me kulturë dhe traditë shqiptare. Ato punojnë me një pasion të spikatur me fëmijët shqiptarë. Të angazhuara dhe të përkushtuara në punën e tyre më fëmijët, i kanë dhënë një energji e frymë të bukur patriotike mjedisit shqiptar  në Adelaide. Profesioniste dhe patriote, Flora dhe Rafaela janë frymëzim për komunitetin shqiptar, të devotshme dhe të thjeshta, puna e tyre patriotike spikat në mërgatën shqiptare të Australisë. Të lindura pej familjeve të thjeshta shqiptare që në fëmijërinë e tyre mungonin shum gjëra por kurrë ajo kryesorja dëshira për të jetuar ëndrrat e pasionet dhe për ti gëzuar ato. Disa nga këto dëshira ishte përçimi te brezat i dijeve e vlerave kombëtare. Vallet shqiptare, muzika shqip e kultura kombëtare ka qenë pasioni i tyre i madh. Dëshira për të kërcyer vallet e bukura shqiptare ju mbeti në zemër dhe në mendje edhe në rrugëtimin që jeta ju dhuroi. Puna e Florës dhe Rafaelës gëzon e bën të lumtur shumë fëmijë shqiptarë në Adelaide. Kënga shqipe, vallja shqipe, muzika shqip është një ushqim i pastër shpirtëror për fëmijët shqiptarë. Puna e këtyre dy patrioteve, është nektar shqiptarie. Në punën e përditshme si dy bija dhe nëna shqiptare mundohen ti trashëgojnë fëmijëve vlerat më të larta të historisë, traditës e kulturës shqiptare. Dashuria për atdheun dhe trashëgimia te brezat e rinj është motivi që i frymëzon ato çdo ditë në punën patriotike e kulturore në Adelaide të Australisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Flora Pecaj, Rafaela Mhillaj, Sokol Paja

MË 21 SHTATOR 2023, ISH-PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z.BEHGJET PACOLLI VIZITON VATRËN

September 19, 2023 by s p

Ish-presidenti i Republikës së Kosovës z. Behgjet Pacolli do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra ditën e Enjte më 21 Shtator 2023 në orën 12.30 pm.

Ai do të zhvillojë një bashkëbisedim në Selinë Qendrore të Vatrës me vatranët dhe komunitetin shqiptar në New York e më gjërë.

Ftohen mediat dhe komuniteti që të marrë pjesë.

Filed Under: Ekonomi

Fotoreportazh nga promovimi i tre librave (ribotim) të PhD.Dashnim HEBIBI

September 19, 2023 by s p

Përgaditi: Dahest Luma

Foto: Daut Luboja/

Në tre librat e rinj të Dashnim Hebibi, do të gjeni veten të pasqyruar në petk fisnikërie

“Si në shumë vepra të autorit Dashnim Hebibi, çështja e diasporës vazhdon të mbetet thelbi i shtjellimit brenda trungut të këtij libri. 

Kësaj radhe, vlerën dhe rëndësinë e saj, ai e pasqyron përmes këndvështrimit të një profili të lartë. E kam lexuar diku një thënie që dikur qarkullonte ndër oda kullash se familja shqiptare duhej të kishte gjashtë djem, dy prej tyre që të kujdeseshin për familjen, dy të tjerë për të migruar që ta mbanin familjen nanciarisht dhe dy të mbeturit të viheshin në dispozicion për të luftuar armikun. S’do mend që ti e gjenë veten te, të paktën, njëra nga këto tri kategori”, tha ndër të tjera, recensenti i tre librave, z.Jeton Arifi, M.A.

Winterthur, 17 shtator

Këtë reportazh e fillova me titull nga fjalët e PhD. Dashnim Hebibit kur ju drejtua të pranishmëve në promovimin e librave të tij (ribotim). Ku ka më shenjtëri se të jesh i pastërt shpirtërisht. Nuk është e lehtë ti bashkosh mbi 100 personalitete të diasporës sonë në një promovim libri. Në një koncert apo takim partie mundet, por në promovime librash, është e vështirë. Po ndalem edhe me disa fjalë të tjera që sot i lexova në profilin e tij në FB, ku ndër të tjera shkruan e të shpërndarë për të gjithë: „ Ti kesh gjithë ata veprimtarë në promovim libri, ditë e diell, të cilêt erdhën nga katër anët e Zvicrës, është shprehje e thellë respekti, të cilin mund ta marrë njeriu. Falemnderit secilit veç e veç që më nderuat dhe që më keni nderuar gjatë këtyre 24 vjetëve që kam vepruar në mërgim. 

“Librat janê gjurmët e një kulture a qytetërimi që më së shumti i rezistojnë kohës.”

Edhe pse nuk jam i pasur me të mira materiale, pasuria ime jeni ju, veprimtarë të dëshmuar. 113 veprimtarë në kauza të ndryshme kombëtare, ti kesh në promovimin e tre librave dhe të flasin fjalët më të mira për ty, duke e dëshmuar mirësinë, është pasuri e nivelit sipëror. Ju jam mirënjohës për jetë. 

Tash po e di se edhe unë paskam kontribuar deri diku. Nuk do të ndalemi së bashku edhe në të ardhmen. Shumë faleminderit për secilin që ishte prezent dhe për ata që kanë dashur të jenë, por nuk kanë mundur të vijnë! Prezenca juaj dhe nderimi që më bëtë, do më japë edhe më shumë forcë që të mos ndalem dhe ta ngris edhe më lart zërin e mërgimtarit. Zoti ju bekoftë!  „Librat janë thesari i deponuar i botës dhe trashëgimia më me vlerë e gjeneratave dhe popujve“.Prandaj, ishin bashkuar bashkëkombas nga të gjitha trevat shqiptare e nga e gjithë Zvicra, me datë 17.09.23, në Winterthur Kt. të Cyrihut për ta nderuar ate ngjarje kulturore si dhe gazetarin, poetin, publicistin, ambasadorin e paqes, doktorin e shkencave, Dashnim Hebibi.

Lirisht mundem ta them, si asnjëhere më parë, salla ishte e përmbushur, në mesin e tyre edhe shumë zonja, personalitete të larta, si përfaqësues nga Ambasada e Shqipërisë në Bern, z.Valon Gashi, përfaqësues nga Ambasada e Kosovës, z.Gjenis Haxhimehmeti, ish Konzulli I Republikës së Kosovës në Cyrih, z.Sali Sefa, ish Komandanti i UÇPMB, Z. Shefket Hasani, Zenel Neziri, kryetar nderi i SHH “Medvegja” në Zvicër i shoqëruar me veprimtarin e madh nga Medvegja, Sabit Abazi, i pari Shkollës Plotësuese Shqipe “Naim Frashëri” në kantonin e Cyrihut, z.Naser Ulaj, Hamzë Morina, ish kryetar i LAPSH-it në nivel Zvicre, Riza Demaj, koordinator i LAPSH-it për kt.Argau, Burhan Morina, studiues, Sami Pacolli veprimtarë e afarist, Agron Hoti veprimtar, Qemal Musliu, jurist, veprimtarë i njohur i kauzës sonë kombëtare dhe ish kryetar i Shoqatës “Atdheu” në Badragaz, Abaz Fejzullahi, kryetar i Bashkimit të Intelektualëve sqhqiptarë në Zvicër, z.Shefqet Cakolli, kryetar i SHKA “Dardania” në Winterthur, Prof.dr.Ylber Qusaj, veprimtarët Selami Huruglica, Fadil Hasani, Nderim Ibrahimi, Rafet Ademi, Përparim Sabriu, Sejdi Gega, studiues, Daut Luboja, Shaip Bajrami, Arif Osmani, Ridvan Rashiti, studiuesi z.Met Dura e shumë e shumë personalitete të tjera, publicistë, historian, shkrimtarë, kryetar shoqatash, mësues të shkollës plotësuese shqipe. 

Recenzenti i librave, z.Jeton Arifi që kishte ardhur nga Kosova, i cili është edhe Drejtor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi në Kosovë, e shumë e shumë veprimtarë. Dashnim Hebibi shumë prej të pranishmëve thonin, se ishte ai që i bashkoi të gjithë në këtë ditë libri. Vërtet ishte organizim brilant. Promovimin e moderoi, aktori, regjisori e skenografisti i njohur, që njihet tashmë edhe si Mosiu i diasporës shqiptare, z.Adem Kicaj. Pasi përmendi sukseset e Dashnim Hebibi, z.Kicaj ftoi në skenë vëllezërit Kuqi për një paraqitje me instrumentet e tyre me violin dhe qifteli, Arbnor dhe Rrezart Kuqi, dy artista të mrekullueshëm, që u rritën në skenat e mërgatës sonë dhe tani lirisht mundet të thuhet, se do ti shohim edhe nëpër skena të ndryshme europiane. Babai i tyre z.Jakup Kuqi ishte ai që merrte urata të shumta nga të pranishmit sepse vërtet shkëlqyen me paraqitjen e tyre. Ishte madhështore. Me instrumentalet e tyre të mrekullueshme me violin e qifteli ishin vëllezërit Kuqi, dy të rinjë që janë lindur e po rriten në diasporë, ku dëshmuan se mërgata shqiptare po e ruan gjuhën e traditën shqiptare. Më pastaj, kulmi ishte, kur e mori fjalën rreth librave, z.Jeton Arifi, recesenti i librit, kritiku letrar dhe një personalitet shumë i matur, studiues, që bëri që të gjithë që ishin të pranishëm ta përcjellin me shumë vëmendje. Ai ndër të tjera kishte përgatitur për tre librat, recensione,.

Ekstrakt nga recensioni i Librit ‘Vështrim Presidencial’ 

Komunitetet e shpërndara jashtë vendit të origjinës, jo gjithmonë ia kanë dalur të ruajnë identitetin e tyre kombëtar, duke u shkrirë në kulturën e vendit pritës. 

Diaspora shqiptare shquhet midis diasporave të popujve tjerë për lidhjen e shëndoshë që ka arritur ta mbajë me shtetin amë, kontributin që ka dhënë për forcimin e atdheut në aspekte të ndryshme dhe për ndikimin e vazhdueshëm që ajo vazhdon ta ketë në jetën ekonomike e politike të vendit të origjinës.

Si në shumë vepra të autorit Dashnim Hebibi, çështja e diasporës vazhdon të mbetet thelbi i shtjellimit brenda trungut të këtij libri. 

Kësaj radhe, vlerën dhe rëndësinë e saj, ai e pasqyron përmes këndvështrimit të një profili të lartë. Përmbajtja e tij është ndërtuar, kryesisht përmes intervistave të zhvilluara enkas për të, me presidentë dhe ish presidentë të Shqipërisë e Kosovës, të cilët kanë mbajtur këtë pozitë, qoftë edhe në cilësinë e ushtruesit të kësaj detyre gjatë tri dekadave të fundit.

Një bashkëbisedim i orientuar nga një seri pyetjesh të autorit me secilin prej tyre, e pasqyron para lexuesit vlerën e padiskutueshme të diasporës mbarëshqiptare, kudo që është e përqendruar ajo.

Në disa raste, autori, këtë thelb e nxjerr në vetën e tretë, duke u bërë zëri interpretues i mendimit e vlerësimit të një (ish) presidenti. 

Libri ‘Vështrim Presidencial mbi Diasporën Shqiptare’ nuk është voluminoz dhe vjen para lexuesit me një gjuhë të kapshme për këdo, madje edhe për një pjesë të gjeneratës së re të lindur në cilindo shtet pritës të diasporës shqiptare, të cilët mund të mos jenë shumë të familjarizuar me shqipen letrare.

Ekstrakt nga recensioni i Librit Lugina e Preshevës – Pjesë e Unit Kombëtar’

Libri i autorit Dashnim Hebibit, i titulluar ‘Lugina e Preshevës – Pjesë e Unit Kombëtar’, vjen para lexuesit në formë të një kronike të ilustruar, i cili përqendrohet rreth një ngjarjeje, sa emocionale e frymëzuese, aq edhe premtuese.

Autori, në faqet e para të këtij libri, lexuesit i sjell një hyrje në formë rrëfimi të një personazhi të mitur, brenda së cilit shpalosë peripecitë e depërtimit brenda turmës që kishte dalur të priste një burrështetës kaq gjatë të munguar. 

Këtë shkoqitje, ai e bën për t’a ndarë me lexuesin që nuk pati mundësinë të ishte pjesë e ngazëllimit, atë emocionin që lindi si produkt i atmosferës së krijuar nga vizita e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Bujar Nishani në trevat e shkëputura shqiptare. Përmes flamurit, që mbanë në duart e njoma, përpjekjes për të vënë kontakt fizik me një figurë shpresëdhënëse, bartësi i kësaj rrëfenje, roli i së cilës është ta fusë lexuesin brenda thelbit të këtij libri, dëshiron ta nxjerrë në pah etjen e stërmbledhur të qytetarit të një krahine shqiptare të rraskapitur nga pritja për t’u ndjerë pjesë e pandashme e etnikumit shqiptar. Autori, këtij libri i jep një dimension të veçantë, duke realizuar pesëdhjetë e katër intervista me njerëz, të cilët, qoftë për nga profesioni apo veprimtaria publike shquhen në Luginën e Preshevës, pa përjashtuar këtu edhe veprimtarë shqiptarë nga diaspora, të cilët jodomosdoshmërisht kanë prejardhje nga këto treva, por që kanë bashkëndjerë në vazhdimësi rrugëtimin e dhimbshëm të qytetarëve të Luginës së Preshevës për një jetë të dinjitetshme.

Ekstrakt nga recensioni i Librit “Atdheu portativ” 

LETËR E HAPUR MËRGIMTARIT 

Me shkrimin e recenzionit për këtë libër, do të ishte e pritshme të të ndihmoja, i dashur lexues, që ta kuptoje arsyen pse dhe për kë është shkruar ai. Megjithkëtë, duke pasur privilegjin e diskutimit të idesë dhe përmbajtjes së këtij libri me autorin, qysh para se të llonte puna e palodhshme dhe me shumë durim mbi të, si dhe duke qenë i vetëdijshëm që përmbajtja e këtij libri, në thelb, do të ishin copëzat e jetës së shumë mërgimtarëve, të cilëve u kushtohet i njëjti, qëllimshëm po thyej kriteret e këtij recenzioni, duke e zëvendësuar atë me një dedikim të drejtpërdrejtë për secilin shqiptar që doli nga porta e shtëpisë me sytë kah pragu i saj në drejtim të një vendi pa emër e me premtimin në heshtje ndaj vetes që kthimi do të ishte i shpejtë. Duke iu drejtuar mërgimtarit, në këtë recenzion, unë i as çdo bije të kombit, por që, për shkak të rrjedhës sintaksore të këtij teksti, po i shmangem përdorimit të të dy gjinive, gjë për të cilën, kërkoj mirëkuptimin tënd, bashkëkombësja ime e respektuar. Rrugëtimin e detyruar drejt mërgimit e morën shumë bashkëkombës para teje, disa për t’iu shmangur dhunës së papërballueshme të pushtuesit, e shumë të tjerë për të derdhur djersën që të tjerët e mbetur rreth vatrës të kishin mirëqenie të sigurtë. E kam lexuar diku një thënie që dikur qarkullonte ndër oda kullash se familja shqiptare duhej të kishte gjashtë djem, dy prej tyre që të kujdeseshin për familjen, dy të tjerë për të migruar që ta mbanin familjen nanciarisht dhe dy të mbeturit të viheshin në dispozicion për të luftuar armikun. S’do mend që ti e gjenë veten te, të paktën, njëra nga këto tri kategori. 

Faqet e këtij libri ngërthejnë brenda vetes përditshmërinë tënde, sado të rraskapitshme e të përmallueshme ta kesh. 

Ato janë të ilustruara me rrë met tua të pasqyruara sinqerisht, në kuadër të përgjigjeve që autori i këtij libri ka marrë prej teje në saje të një interviste individuale. Megjithë thjeshtësinë e vet, në kuptim të përmbajtjes me karakter kujtimesh, brenda faqeve të mbushura me përjetime të larmishme, të pasqyruara prej teje, lexuesi ndjen mallin që ti kishe kur le shtëpinë ku u linde, hapëron nëpër peripetitë që ti përjetove gjatë rrugëtimit të mundimshëm në drejtim të botës së premtuar, e cila t’u imponua si zgjedhje, pastaj ndjen lodhjen e përditshme mbi supet tua, e i gëzohet stinës së verës që të fton të vizitosh vendlindjen. 

Pikërisht në këtë dimension, të mbushur me thjeshtësi e sinqeritet, autori e sjell të shpalosur rolin e mërgimtarit, brenda të cilit, lexuesi e sheh të pasqyruar babain, vëllain, motrën, kushëririn … sepse është e pamundur që cilido lexues, të cilit i bie në duar ky libër, të mos ketë lidhje familjare me, të paktën, një të mërguar. 

Shtetet e Evropës e Amerikës, të cilat u bënë vendlindja e fëmijëve të tu, strehuan shumë shqiptarë mendjendritur e zemërbardhë në periudha të ndryshme kohore. Nga ky dhé i huaj, por mikpritës, një shekull më parë, dolën burra e gra që i dhanë shpirt e shpresë popullit se Shqipëria do bëhej, nga atje larg, para dy dekadash, u mobilizua i madh e i vogël për të mbrojtur Kosovën që po shembej. Ne nuk jemi i vetmi popull, të cilit iu desh ti nxirrte jashtë bijtë më të mirë, përmes të cilëve, në rrethana të skajshme, do të mund të rilindte gjithçka shqiptare. Bërthama e etnisë sonë e zhvendosur jashtë ku njve arbërorë, të cilën e simbolizon ti, vëlla i dashur, ishte garanca e vazhdimësisë së sojit tonë, nëse shfarosja e nisur do të mund të ndodhte. Ishe ti, dhe shumë të tjerë si ti, që e mbajtën shpresën gjallë dhe u kthyen me ballin lart, xhepat plot e gjoksin hekur, sa herë që u kërkua. Përtej historisë sonë të dhimbshme e krenare, të cilën, sa më shpesh ta kujtojmë, aq më mirë do të dimë ta ndërtojmë të ardhmen, vëmendje të pakursyer nga shteti amë meriton investimi në diasporën tonë mbarëkombëtare kudo nëpër botë. Ambasadori më i denjë e më efektiv i shqiptarisë je ti, miku im i mërguar, që duke qenë një fqi i sjellshëm me bashkëqytetarët ‘tu joshqiptarë, duke qenë koleg i respektueshëm në vendin e punës, duke qenë një klient i mirëkuptueshëm i shoqërisë që të ofron shërbime, e bën atdheun të duket më snik në sytë e botës. Mërgimi, si proces i lëvizjes së njerëzve nga vendlindja në një vend me më shumë perspektivë, i ka ndihmuar njerëzimit të shpërndajë heterogjenitetin e kulturave të pasura etnike, duke zvogëluar, kështu, ndryshimin midis popujve e duke e bërë botën një të vetme e të njëllojtë. Andaj, rrugëtimi yt jetësor, ajo që ti ke dhënë nga kultura jonë e ke marrë nga kulturat tjera brenda këtij cikli, ka lënë gjurmët e pashlyeshme në ngritjen e urave ndërkulturore, për të cilat do të jenë mirënjohës brezat pas teje. 

Duke lexuar jetëshkrimin në miniaturë të shumë bashkëkombësve të tu brenda faqeve të këtij libri, të sjellë në format interviste nga gazetari profesionist  Atdheu portativ i diasporës, Dashnim Hebibi, do të gjesh veten të pasqyruar në petk fisnikërie, të cilin ti nuk e ke vënë re te vetja nga modestia që të ka shoqëruar si vyrtyt emblematik shqiptar.  Mos harro, ti je si uji që rrjedh, i pijshëm e i kristaltë që lë gjurmë jete prapa vetes! Pas tre recensioneve, të pranishmit e duartrokitën mysafirin nga Kosova që kishte ardhur enkas për këtë promovim. 

Ndërsa, përfaqësuesi i Asociaconit „Bujanoci“, z. Memet Qazimi në emër të Asociacionit tha: „ Shumë i nderuar, miku jonë, Dashnim Hebibi, autor i këtyre tre librave që na ke bashkuar në këtë ngjarje kulturore, të nderuar mysafirë, përfaqësues të ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës, përfaqësues të shoqatave, koordinator të shkollës plotësuese shqipe, mësues, shkrimtarë, gazetarë, aktorë, zonja e zotërinjë,

Kam nderin që në emër të kryesisë së Asociacinit qytetar „Bujanoci“ dhe në emër timin t’ju përshëndes, t’ju falënderoj, dhe t’ju uroj mirëseardhje në takimin tonë me rastin e promovimit të tre librave (RIBOTIM).

Asociacioni jonë, pati nderin dhe kënaqësinë që njëzëri të gjithë anëtarët e kryesisë, vendosëm që ta mbulojmë ribotimin e tre librave, që ta keni në duar ju të pranishëm, por edhe shumë të tjerë që nuk kanë mundur të jenë të pranishëm. Të nderuar zonja e zotërinj, nuk duam edhe të marrim kohë shumë, por më duhet thënë edhe ca fjalë, se Asociacioni qytetar „Bujanoci“, me qendrën e saj në Bad Ragaz, rreth vetes ka një numër të madh veprimtarësh të dëshmuar ndër vite për çështjen kombëtare. Ata edhe nga atdheu, por edhe me të ardhur në vend të huaj, kurrën e kurrës nuk u ndanë shpirtërisht me vendin e të parëve. Me forma të ndryshme u munduan dhe kontribuuan për ato toka, ashtu si kërkohej nga atdheu. 

Me këtë emër Asociacioni qytetarë ¨BUJANOCI¨ e themeluar më 18.03.2018 në Zürich, definohet si Asociacioni i pavarur, jopartiak, jopolitik, joprofitabël si dhe jofetar i qytetarëve që jetojnë në territorin e Konfederatës Zvicërane e që janë me origjinë nga qyteti i Bujanocit. Asociacioni ka karakter social, humanitar, organizues dhe bamirës. Do të punojmë edhe në të ardhmen me projekte në të mirë të përgjithshme. Vlera e librit në kohët e sotme për dikë nuk është edhe aq sa do të duhej të ishte, por do t’u mbetet brezave të rinj, se të parët tuaj nuk janë ndalur, prandaj, as ju mos u ndalni për të qenë të bashkuar para çdo situate. I gjithë materiali që është në këto libra është plot histori, është plot sakrificë e shumë veprimtarëve që disa janë këtu e disa nuk janë, sepse në çdo cep të Zvicrës e të atdheut kanë vrapuar për të mirën e kombit. Është punë e madhe që e ka bërë Dashnimi, që brenda këtyre viteve sa është në diasporë, ka shkruar mbi 20 libra dhe ka mbrojtur edhe tezën e doktoratës me temë diaspora. Ne e përgëzojmë dhe i urojmë shumë suksese edhe në të ardhmen. Në këtë promovim folën shumë personalitete, duke vlerësuar punën e madhe që ka bërë ndër vite, z.Hebibi. 

Më duhet përmendur në këtë reportazh, disa fjalë të publicistit të njohur dhe gazetarit, z.Qazim Zejnaj para të pranishmëve, kur thotë se, isha i impresionuar dje, se nga gëzimi shpesh autori ishte përlotur sepse misioni i juaj ishte i shenjt e ideali se në veprat tuaja fiton e kaluara e ardhmja e lavdishme. Miku im i virtytit dje ishe Dardan i molllës kuqe me tempullin tënd hyjnor pranë familjes e miqve e krijuesve në mërgat ishe ishull i brezave e titan e fjalët e tuaa prekin edhe në qiell, sepse je një yll polar edhe kur është terr e bënë diell. Veprat tua, që i promovove janë me zanore e të folmen e sotme si diftong që ruhen mirë në rrokje hapur e pasurojnë letërsinë shqipe e lartësojnë diasporën shqiptare. 

Vërtet je i pasur siç the, se kurrë nuk u shite, as nuk lakmove e as nuk punove për të mira materiale, por për unitet dhe me lapsin tënd prej profesionisti bashkove shumë e shumë. 

Dashnim Hebibi, je ajka e mërgatës e margaritar diplomatik i pastërt si loti me një familje të lumtur e mbete i pavdekshëm në histori me vepra që kanë rrënjë në botë e do të lulëzojnë gjithmonë. Fal teje mua sot shumë punime me botohen edhe ne media shqiptare në Shqipëri, Kosovë si në Bota sot, etj, pasta në Arizona e Boston e revistën-Iliria, Dielli të Amerikës, Zërin e Kosovaren e shumë revista prestigjioze. Je faqebardh e fitimtar i admiruar kudo që graviton e i pasur me artin, penda e artë me uratë në shërbim të kombit e atdheut. 

Çdo here të pafsha të lumtur me familje e nderime për ty dhe familjen. Krejt në fund, natyrisht, se thuajse çdo kush dëshironte të thonte një fjalë, por ishte koha e caktuar, aktori i madh, Adem Kicaj këndoi edhe një këngë me vargje të poetes Zize Pepshi me instrumentin e njohur Buzuku. Më la përshtypje edhe fjalët e z.Riza Demaj, ish i bugosur politik, njëherit, koordinator i LAPSH-it për kantonin Argau, se nuk jam ulur në sallë, kam qëndruar në këmbë në shenjë respekti për punën e madhe të Dashnimit. Zoti Hebibi, falënderoi të gjithë të pranishmit edhe njëherë me sinqeritetin e tij, padyshim nuk harroi edhe z. Petrit Bytyqi, bashkatdhetarin tonë nga Gjakova, që na mundësoi të mbahej ky promovim në një sallë të shkollës zvicerane pa asnjë kompenzim, Asociacionin qytetar “Bujanoci”, z.Rafet Ademi për mbështetje morale, zJeton Arifi, pastaj mjeshtrin e madh të kamerës dhe të fotografisë, z. Daut Luboja, aktorin e mirënjohur, z.Adem Kicaj, vëllezërit Kuqi, shtëpinë botuese “Libri” me editor Berat Thaqi për punën e tyre të shkëlqyer që e kanë bërë dhe të gjithë ata që kanë kontribuar që ky promovim libri të mbahej si është më së miri. Ishte ditë e veçant kushtuar librit, dijes, historisë e gjuhës sonë kombëtare. Autori, Dashnim Hebibi, hiq më pak se një orë, ka nënshkruar librat që të interesuarit donin ta kenë kujtim. Aktivitete të tilla na duhen edhe ma shpesh të organizohen. I urojmë shumë suksese, PhD.Dashnim Hebibi dhe padyshim, se presim edhe projekte të tjera. Pas 20 librave, që janë pasuri e madhe për diasporën tonë dhe shqiptarët në përgjithësi. Meriton të lexohen të gjitha librat e z.Hebibi, sepse aty shohim një jetë të mërgimtarit. Besojmë shumë, se edhe në të ardhmen do të kemi libra të tjerë nga z.Hebibi. 

Përgaditi: Dahest Luma

Foto: Daut Luboja

Filed Under: Mergata

Kontributi i Aleksandër Xhuvanit në Shkollën Normale të Elbasanit

September 19, 2023 by s p

11.08.1933

Ledio Xhoxhi

Historian/

Rilindësit tanë pa përjashtim, në një formë ose në një formë tjetër, kanë menduar, kanë shkruar, kanë punuar e kanë luftuar për përhapjen e diturisë dhe të arsimit kombëtar. Si iluministë që ishin, ata jo vetëm që përpunuan një platformë përparimtare për zhvillimin e arsimit në Shqipëri, por bënë të gjitha përpjekjet, pa kursyer asgjë, për ta vënë atë në jetë. Nga i gjithë dokumentacioni i kohës del se rilindësit, duke njohur mirë kushtet politike e shoqërore të vendit dhe nevojat aktuale e perspektive të tij, përpunuan parimet themelore pedagogjike mbi të cilat do të mbështetej shkolla shqipe siç ishin: a) arsimin që në moshë të re; b) të ishte për të gjithë shtresat dhe i barabartë për meshkujt dhe femrat, për të pasurit dhe për të varfrit; c) të zhvillohej në gjuhën shqipe; ç) të ishte arsim laik. Në përputhje me këto parime, rilindësit hartuan dhe planet e programet mësimore të shkollave shqipe, të cilat bazoheshin në kërkesa politike, shkencore, pedagogjike dhe didaktike. Rilindësit tanë e kishin kuptuar prej kohësh se për të vënë në jetë mendimet dhe aspiratat e tyre pedagogjike përparimtare, për të përhapur mësimin dhe shkollën shqipe, si dhe për të zhvilluar arsimin kombëtar duhej përgatitur mësuesit shqiptar, të cilët duhet të merrnin në dorë mësimin dhe edukimin e brezit të ri.

Në Shqipërinë e rilindjes, arsimi fillor, ashtu edhe ai i mesëm zhvillohej në gjuhë të huaj, ndërsa mësimi në gjuhën amtare dhe shkollat shqipe mbeteshin gjithnjë një “mollë e ndaluar” për shqiptarët. Aq më pak mund të bëhej fjalë për mundësinë e ngritjes së shkollave të mesme shqipe, të përgjithshme ose pedagogjike. Mirëpo, dëshira dhe nevoja për të mësuar në gjuhën amtare dhe për të çelur shkolla shqipe sa vinte e rritej. Problemi më i ngutshëm dhe mjaft i diskutuar në rrethet patriotike shqiptare dhe në shtypin e kohës mbetej, për kushtet e atëhershme, ngritja e një shkolle pedagogjike për përgatitjen e mësuesve. Këto probleme dhe të tjera me karakter politik e organizativ të Lëvizjes Kombëtare e bënë të nevojshme thirrjen e një kongresi mbarëshqiptar. Iniciator për thirrjen e një kongresi të ri kombëtar u bë klubi shqiptar i Selanikut nga Mithat Frashri. Në thirrjen drejtuar gjithë klubeve e shoqërive shqiptare, që mban datën 25 mars 1909, si vend për mbajtjen e kongresit caktohej qyteti i Elbasanit dhe si kohë 14 maji 1909. Keqësimi i situatës së brendshme politike në pranverë 1909, patën si rrjedhim shtyrjen dy herë të kohës për mbajtjen e Kongresit. Më në fund u vendos që kongresi të mbahej në fillim të shtatorit 1909. Më 2 shtator 1909, filloi punimet Kongresi Kombëtar i Elbasanit, i cili vazhdoi 7 ditë, deri më 8 shtator. Akti themelor i Kongresit të Elbasanit ishin vendimet, ose siç u quajtën ndryshe, Rezoluta prej 15 nenesh, që u miratua dhe u nënshkrua nga të gjithë delegatët. Një nga masat më të rëndësishme të kësaj Rezolute ishte çelja në Elbasan në vjeshtën e atij viti e një Shkolle Normale (pedagogjike), me gjashtë klasa, e cila do të përgatiste mësues për shkollat fillore shqipe. Shkolla pedagogjike do të mbahej me kontributin e të gjitha klubeve dhe shoqërive shqiptare.

Vendimi i kongresit për hapjen e Normales u prit me gëzim të madh nga populli dhe nga patriotët, brenda e jashtë vendit. Më në fund edhe në Shqipëri do të çelej e para shkollë e mesme në gjuhën amtare dhe me mësues shqiptarë. Duke e vlerësuar Normalen si përfaqësuese të arsimit kombëtar, u tregua kujdes i veçantë për të sjellë ajkën e inteligjencës përparimtare shqiptare, personalitete të shquara në fushën e kulturës e të atdhetarizmit, si: Qamil Balën nga Gjilani, Bajo Topullin nga Gjirokastra, Luigj Gurakuqin nga Shkodra, Aleksandër Xhuvanin nga Elbasani, Sotir Pecin nga Korça etj. Më 1 dhjetor 1909, u çel në Elbasan Shkolla Normale shqipe, e para shkollë e mesme kombëtare në vendin tonë. Fjala e drejtorit të parë të Shkollës, me rastin e çeljes së saj, është një vlerësim i lartë për kombin shqiptar dhe për aspiratat arsimdashëse të shqiptarëve, për mendimin pedagogjik përparimtar botëror dhe për rolin e madh të arsimit në zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Lidhur me drejtorin e Shkollës Normale, Aleksandër Xhuvani në një letër vetjake të dhjetorit 1909 bën këtë sqarim: “Drejtor sivjet nuk u gjet. Shoqnia “Përparimi” e Korçës i çoi telegraf Bajo Topullit për këtë punë, po Bajua gjet shkak e tha që nuk munt të vinj se do të vete në Vjenë për një operacione që do të bajt. Andaj na mësonjësit me gjithë Ibraim efendi Tiranën (Dalliu) zgjodhën Gurakuqin jo si drejtor po si Kryetar të Këshillës së Mësonjëvet, se Peci nuk deshi t’a marri këtë barrë”. Në Normale, shkruante Aleksandër Xhuvani, “po gatuhesh bashkimi i toskëvet e i gegëvet, po shkulesh fanatizmi e po rritesh ideja kombëtare”.

Në veprimtarinë e tij për zhvillimin e shkollës e të pedagogjisë shqiptare, Aleksandër Xhuvani eci në mënyrë konsekuente në vazhdën e traditave kombëtare, patriotike e laike të Rilindjes. Ashtu si të gjithë rilindësit, ai e shikonte arsimin e kulturën si mjete për ndriçimin e mendjes së popullit, për daljen nga errësira e për zgjimin e bashkimin e tij në luftën për pavarësinë kombëtare dhe përparimin shoqëror të vendit. Veprimtarinë e tij arsimore e pedagogjike Aleksandër Xhuvani e filloi në vitin shkollor 1906-1907, si mësues i gjuhës shqipe në kolegjin arbëresh të Shën Dhimitër Koronës. Në fund të vitit 1909, kur hapet Shkolla Normale e Elbasanit, ai i përgjigjet me entuziazëm thirrjes për të dhënë mësim në këtë shkollë. Bashkë më patriotët dhe aktivistët e shquar të arsimit tonë kombëtar, Luigj Gurakuqin e Sotir Pecin, ai është ndër mësuesit e parë të kësaj shkolle dhe, më vonë, për periudha të tëra kohe, drejtor i saj.

Për shkak të rrethanave politike që u krijuan gjatë verës së vitit 1910, shtatori i atij viti e gjeti Shqipërinë me Shkollën Normale të mbyllur. Më 1 prill 1910 Shkolla Normale e Elbasanit hapi përsëri dyert e saj, por me rezerva në lidhje me personelin pedagogjik të zgjedhur. Një bashkëkohës nga Elbasani shkruante se në personelin mësimor të saj nuk ishin “as Gurakuqi, as Peci, as Xhuvani, por të tjerë shumë më të ulët”.

Për shkak të problemeve dhe rrethanave të kohës, Shkolla Normale u mbyll gjatë vitit 1911, por në fund të shtatorit 1913, Shkolla Normale u rihap përsëri. Drejtor i saj u emërua Aleksandër Xhuvani, ndërsa mësues ishin Simon Shuteriqi dhe Josif Haxhimina. Pasi mbaroi shkollën e lartë pedagogjike në Francë, edhe Sali Çeka u ngarkua me detyrën e mësuesit të pedagogjisë dhe të psikologjisë në Normalen e Elbasanit. Për shkak të ngjarjeve të reja politike të organizuara nga qeveria greke si dhe të Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, Normalja e Elbasanit vazhdoi punën deri në maj të vitit 1914. Në ato vite të rënda lufte e pushtimesh Normalja e Elbasanit përjetoi tri herë mbyllje dhe rihapje, të cilat patën pasoja në mosarritjen e ciklit të plotë. Në vitin shkollor 1920-1921 Shkolla Normale u nda nga qytetësja dhe punoi me një program të ri e jo më si shkollë e përzierë gjimnaz-normale. Në vitin shkollor 1921-1922 Shkolla Normale e Elbasanit arriti të kishte klasën e parë “Normale” mbi klasën përgatitore, ku përgatiteshin ata nxënës që nuk kishin përfunduar plotësisht mësimet në shkollën qytetëse. Në vitin shkollor 1922-1923 shkolla kishte një klasë përgatitore dhe dy normale. Vetëm pas 15 vitesh nga çelja e saj, në vitin shkollor 1923-1924, Shkolla Normale e Elbasanit mori formën e plotë me tri klasa normale dhe nga bankat e saj dolën 17 maturantët e parë.

Gjatë viteve 1925-1939, kur në krye të shtetit shqiptar erdhi Ahmet Zogu, Shqipëria njohu një periudhë stabilizimi, zhvillimi dhe konsolidimi, si në fushën politike ashtu edhe në fusha të tjera ekonomike, shoqërore e kulturore. Edhe në këtë periudhë rolin vendimtar në përgatitjen e mësuesve e luajti Shkolla Normale e Elbasanit. Mbas mbylljes të shkaktuar nga Lufta e Dytë Botërore, Shkolla Normale u riçel më 20 shkurt 1945. Qindra e mijëra maturantë u diplomuan në Normalen e Elbasanit gjatë regjimit komunist të cilët padyshim kanë punuar dhe kanë kontribuar për përhapjen e arsimit në të katër anët e vendit.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ledio Xhoxhi

NESËR MË 20 SHTATOR 2023, KRYETARI I KOMUNËS SË PRISHTINËS Z.PËRPARIM RAMA VIZITON VATRËN

September 19, 2023 by s p

Kryetari i Komunës së Prishtinës Z.Përparim Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra ditën e Mërkurë më 20 Shtator 2023 në orën 6 pm.

Ai do të zhvillojë një bashkëbisedim në Selinë Qendrore të Vatrës me vatranët dhe komunitetin shqiptar në New York e më gjërë.

Ftohen mediat dhe komuniteti që të marrë pjesë.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT